Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Aksidenti tragjik në Durrës, shoferi dëshmon para policisë: Isha i dehur, nuk meritoj të jetoj!

Nikollë Rradaçi, 57-vjeçari që shkaktoi aksidentin tragjik mesditën e kësaj të diele në Durrës ka dëshmuar para policisë.

Ai është marrë në pyetje dy herë nga grupi hetimor, pasi fillimisht ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike.

Rradaçi dyshohet të ketë deklaruar se ishte i dehur në momentin e aksidentit dhe se nuk mban mend asgjë nga ngjarja, ndërsa ka shprehur tronditjen për pasojat e rënda.

“Me vrisni. Nuk meritoj të jetoj. Dua të vras veten. Çfarë të them!? Ka ngelur gjë për të thënë më!? Jam i tronditur. Nuk mbaj mend asgjë. Mora në qafë fëmijët. Isha në gjendje të dehur,” mësohet të ketë deklaruar ndër të tjera 57-vjeçari.

Sipas burimeve, 57-vjeçari ishte bërë shqetësim i vazhdueshëm për banorët e zonës, të cilët kishin bërë disa herë ankesa në polici për drejtimin e automjetit me shpejtësi të lartë dhe në gjendje të dehur.

Madje, vetëm një ditë më parë, një banor kishte shmangur për pak një aksident bashkë me nipin e tij të mitur. Mësohet se ai ishte ndëshkuar edhe më herët nga policia, ndërsa në dy raste i ishte hequr leja e drejtimit për shkak të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur.

Kreditë e buta në Tiranë, ekspertja tregon kriteret që ju skualifikojnë nga programi

Bashkia e Tiranës ka hapur thirrjen më të rëndësishme për mijëra familje që janë të pastreha dhe kanë nevojë për financim me kushte të buta.

Sipas të dhënave, thirrja është hapur në datën 20 prill dhe do të jetë e hapur deri në 19 maj. Kushti thelbësor për të aplikuar është që çdo individ të jetë rezident, pra i regjistruar me vendbanim në Tiranë, ndërsa nuk duhet të ketë asnjë pronë të regjistruar në emrin e tij.

Eriola Çanga, eksperte e tregut real estate, thotë se individët e interesuar duhet të jenë shumë të kujdesshëm në plotësimin e kritereve, pasi nuk mjafton vetëm fakti që kanë statusin si të pastrehë.

“Çdo individ që aplikon duhet të jetë mbi 18 vjeç. Nëse në pronën e prindërve rezulton i/e regjistruar edhe individi i interesuar për kredi ai automatikisht është i skualifikuar. Nuk mjafton vetëm fakti që konsiderohet i pastrehë, por ai duhet të jenë nën kushtet mesatare edhe të të pastrehit që lidhet edhe me të ardhurat mujore që disponon”, tha Çanga gjatë një interviste në “E-ZONE”.

Përveç moshës, vendbanimit dhe faktit që nuk duhet të ketë pronë, një tjetër kriter i rëndësishëm janë të ardhurat mujore të individit, në bazë të të cilave  jepet dhe kredia.

“Familjet e interesuara duhet të dinë që bashkia me programin për kreditë pa interes që ofron, nuk mbulon të plotë vlerën e shtëpisë. Është e domosdoshme që një pjesë të buxhetit duhet ta disponojë vetë aplikanti. Ka raste kur bashkia mund të shpallë fitues, por të skualifikon banka pasi nuk plotëson kriteret e të ardhurave. Ndaj aplikantët duhet të jenë të kujdesshëm se nëse kalojnë disa tavane të ardhurash që ka vendosur bashkia, ata s’kualifikohen”, tha Çanga.

Pjesa tjetër e procesit është gjetja e pronës. Sipas ekspertes së tregut të real estate të interesuarit bllokohen në këtë hallkë të procesit, pasi pronat me tipologji 1+1 kërkohen shumë dhe shiten shpejt. Ndaj në raste të tilla konsulta me agjentë të tregut është një mundësi për të mos u bllokuar.   

Aksidenti tragjik në Durrës, reagon sërish Rama: I gjithë vendi është në pikëllim, publikimi i pamjeve shton dhimbjen

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me aksidentin tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.

Në postimin e tij, Rama thekson se, ndërsa vendi është në pikëllim dhe drejtësia po ndjek autorin e ngjarjes, është detyrë e të gjithëve, veçanërisht e mediave, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi.

Reagimi i Ramës në X:

Ndersa i gjithe vendi eshte ne pikellim per kete ngjarje dhe drejtesia ben punen e saj me autorin, është detyrë e të gjithëve po veçanërisht e mediave e portaleve, të tregojnë vetëpërmbajtje, ndjeshmëri dhe përgjegjësi. Publikimi apo shpërndarja e pamjeve të rënda nuk informon, por vetëm shton dhimbjen e atyre që po përballen me një humbje të pakthyeshme dhe e hienizon botën e informacionit. Respekti për dinjitetin njerëzor dhe dhimbjen e familjeve duhet të jetë mbi çdo sensacion apo klikim. Le të tregojmë solidaritet, humanizëm dhe njerzillëk në një ditë tragjike si kjo.

​”Duan të më vrasin”, rrëfimi tronditës i Cllevio: Jetoj në bunker

Cllevio Serbiano, në një nga intervistat e tij më të ndjera dhe më të rrezikshme te Grida Duma Podcast, ka hapur “dosjen” e kërcënimeve që i kanosen dhe jetës së tij në izolim.

Mes filozofisë dhe mbijetesës, ai deklaroi se po jeton një moment kritik ku çdo goditje mund t’i kushtojë shtrenjtë. Cllevio pranoi hapur se liria e tij është kufizuar maksimalisht për shkak të personave që duan ta eliminojnë.​

“Jam futur në bunker. Duan të më vrasin, ndaj lëviz me makinë të blinduar”, u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se tensionet jashtë kamerave janë në kulmin e tyre. ​

Gjatë bisedës, Cllevio hodhi dritë mbi një konflikt të hapur, të cilin e quajti një “duel” ku palët kanë ngecur. Pa përmendur emra konkretë, ai la të kuptohet se kundërshtari i tij ndodhet në një presion social.

“Jemi të dy në një duel, ngecëm! Ai do të më falë, por ka hallin e turmës…”, duke treguar se si kodi i rrugës dhe presioni i ndjekësve po pengojnë një paqe të mundshme. ​Pavarësisht rrezikut real, Cllevio u shfaq i patrembur përballë vdekjes. Ai theksoi se misioni i tij është i lidhur me artin dhe se ka arritur një pikë ku emri i tij do të jetojë edhe pa praninë e tij fizike.​

“Nuk e kam problem edhe nëse vdes! Muzika ime do të mbahet mend gjatë”, tha ai, duke e cilësuar krijimtarinë e tij si të pavdekshme.

Aksidenti tragjik në Durrës/ Shoferi u largua nga vendi i ngjarjes, u kap disa minuta më pas, ja çfarë deklaroi ai

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur këtë të diel në Durrës, ku 57-vjeçari Nikoll Radaçi, duke drejtuar automjetin, përplasi për vdekje 2 të mitur, la të plagosur rëndë një tjetër fëmijë dhe të lënduar më lehtë 2 të rritur.

Shoferi Radaçi, pas aksidentit tragjik, është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes, me qëllim që të arratisej.

Po ashtu mësohet se ai u kap nga një patrullë policie në një rrugë pranë vendit të ngjarjes, disa minuta më pas.

Pasi u kap nga efektivët, Radaçi ka thënë se u largua nga vendi i ngjarjes pasi ishte i shokuar.

Dash Shehi kujton ’92: Ishim të zotë të rrëzonim diktaturën, por jo të ndërtonim shtetin

Kreu i Partisë LZHK, Dash Shehi, ka folur në një intervistë për emisionin “Interview” me Mirela Milorin, ku ka ndarë opinionet e tij mbi zhvillimin e shtetit shqiptar në 30 vitet e fundit, politikën aktuale si dhe jetën e tij personale.

Në një analizë mbi institucionet në Shqipëri, Shehi është shprehur kritik ndaj mënyrës së funksionimit të shtetit pas viteve ’90, duke theksuar se pavarësisht ndryshimeve politike, vendi nuk ka arritur të ndërtojë institucione të forta dhe të qëndrueshme.

Sipas tij, Shqipëria ka kaluar në një stad ku qeveriset nga individët dhe jo më institucionet

“Shteti shqiptar nuk është mirë, fatkeqësisht nuk ka qenë ndonjëherë mirë në këto 30 vite. Në ‘92 kishim disi një fillim të mirë të ndërtojmë një shtet tjetër. Koha e tregoi që ai brez kishte fuqi të rrëzonin palën tjetër, diktaturën. Ishim të zotë. Për të ndërtuar pastaj demokracinë, treguam që kishim të gjithë dobësitë tona dhe sot e kësaj ditë shof që çalon shteti shqiptar në shumë gjëra.

Shoqëria shqiptare, politika nuk e kanë dashur shtetin sepse shteti në fakt është një çati ku futen të gjithë duhet ti mbrojë të gjithë, njëkohësisht të vendos dhe disa kufizime dhe këto kufizime shefave të Shqipërisë nuk u kanë pëlqyer ndonjëherë.

Shqipëria është qeverisur nga njerëz jo nga institucione.  Ato tentativat që bënte Ahmet Zogu për të ndërtuar disa institucione kishte disa suksese, mbërriti diçka. Enver Hoxha ndërtoi një shtet por një shtet për veten e vet, tani në periudhën tonë, filluam me qejfin që do bëjmë një shtet me drejtësi të pavarur, parlamenti të ketë kontroll mbi qeverinë dhe jo e kundërta dhe dështuam në shumë elementë.

Kulmi i dështimit të Shqipërisë ishte ‘97, ajo kohë tregoi që institucionet nuk ishin të zotë të mbronin veten e vet.

Rifilloi nga e para prap me nje Kushtetutë tjetër në ’98, e cila i tregoi të gjitha boshllëqet e veta.

Ne nuk qeverisemi më nga Kushtetutat apo instiutucione të pavarura, praktikisht qeverisemi nga dy njerëz, Rama dhe Berisha”, tha Dash Shehi.

Ndizet alarmi në Finlandë! Një dron i paidentifikuar shkel hapësirën ajrore pranë kufirit me Rusinë, nisin hetimet

Një dron i paidentifikuar dyshohet se ka hyrë në hapësirën ajrore të Finlanda mëngjesin e 3 majit, në zonën e Virolahtit, pranë kufirit me Rusinë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Finlandës, droni u pikas nga Forcat Ajrore në orët e para të ditës.

Deri tani nuk dihet se çfarë modeli është apo nga vjen, ndërsa më pas ai nuk është më në hapësirën ajrore finlandeze. Rasti po hetohet nga roja kufitare, por pa shumë detaje të bëra publike.

Finlanda ka një kufi të gjatë me Rusia, rreth 1.340 kilometra, dhe raste të tilla marrin vëmendje të madhe për shkak të situatës së sigurisë në rajon.

Në të njëjtën kohë, Ministria ruse e Mbrojtjes njofton se gjatë natës janë rrëzuar 334 dronë ukrainas në disa rajone të vendit, përfshirë zona pranë Shën Petersburg, jo shumë larg kufirit me Finlandën.

Nuk është hera e parë që ndodhin incidente të tilla. Në mars, Ukraina kërkoi falje pasi dy dronë të saj ranë në jug të Finlandës, pasi kishin dalë nga kursi.

Edhe vende të tjera evropiane kanë raportuar më herët raste të dyshuara të shkeljes së hapësirës ajrore.

Ngjarja në Kepin e Rodonit, policia: 52-vjeçari nga Tirana humbi jetën pas rrëzimit me motomjet, bashkëshortja shpëton me plagë të lehta

Policia e Durrësit ka zbardhur rrethanat e aksidentit të ndodhur pasditen e sotme në Kepin e Rodonit.

Viktimë e aksidentit ka mbetur një 52-vjeçar nga Tirana, që humbi kontrollin e motomjetit si pasojë e terrenit, duke u rrëzuar nga lartësia dhe duke gjetur për pasojë vdekjen.

Në motomjet ndodhej edhe bashkëshortja 44-vjeçare e cila ka marrë dëmtime të lehta.

“Rreth orës 16:45, në vendin e quajtur “Kepi i Rodonit”, në një terren me shkurre, shtetasi A. K., rreth 52 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar një motomjet (me 4 goma), dyshohet se ka humbur kontrollin, si pasojë e terrenit, dhe është rrëzuar. Si pasojë, 52-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje. Në motomjet ndodhej edhe bashkëshortja e tij, shtetasja E. K., 44 vjeçe, e cila është lënduar lehtë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit”, thuhet në njoftimin e “bluve”.

Tragjedia në Durrës, reagon Edi Rama: Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël, bashkohem në lutjet për shërimin e fëmijës në spital

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas tragjedisë së rëndë të ndodhur në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër ndodhet në gjendje kritike.

Rama bëri të ditur se ndodhet në Erevan të Armenisë, në kuadër të Komunitetit Politik Europian, ku ka marrë lajmin për ngjarjen e rëndë. Ai u shpreh thellësisht i prekur, duke lutur që Zoti të bekojë shpirtrat e dy fëmijëve dhe t’u japë forcë prindërve për të përballuar dhimbjen.

Kryeministri gjithashtu u bashkua në lutjet për shërimin e fëmijës së tretë, i cili po lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve.

Reagimi i Ramës
“Sapo kemi zbritur në Erevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian dhe kam mësuar për tragjedinë e pangushëllueshme të humbjes së dy fëmijëve, ndërkohë që fëmija i tretë lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve. Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël, u dhëntë forcën e jashtëzakonshme prindërve për t’i mbijetuar dhimbjes së madhe, ndërkohë që bashkohem në lutjet për shërimin e fëmijës në spital.”

Erion Braçe shpërthen pas tragjedisë në Durrës, kërkon ndryshime urgjente në Kodin Rrugor dhe Penal

Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka reaguar për tragjedinë në Durrës, duke publikuar edhe videon e momentit kur Nikoll Radaçi u përplas mbi 2 fëmijë në zonën e Ish-Kënetës dhe u mori jetën.  Braçe bën thirrje për ndryshime të menjëhershme në Kodin Rrugor dhe atë Penal, duke nënvizuar se vetëm përmes ndëshkimeve të forta raste të tilla mund të ndalen. Ai kërkon gjithashtu masa konkrete për sigurinë në zonat e banuara, nga kufizimi real i shpejtësisë deri te krijimi i hapësirave të sigurta për fëmijët.

Postimi i plotë i Erion Braçes

“Kështu u vranë dy fëmijë dhe u plagos një i tretë, sot, ditën për diell! U vranë sepse vrasje është! Madje vrasje me dashje! Nuk është aksident por vrasje me dashje! Po e postoj videon ashtu siç është, me zhurmën e makinës, zhurmën e përplasjes, zhurmën e marrjes zvarrë të fëmijëve, klithmat e prindërve e njerëzve të tjerë në rrugë;

këto pamje!

E di e rëndë është; por dua ta dëgjoj kështu, ta dëgjojnë kështu edhe kolegë të mi deputet të çdo ane, për tu bindur për të ndryshuar atë kod rrugor dhe atë kod penal për ta cilësuar një akt të tillë siç është, vraaaaaaaaaasj eeeeeeeeeee! Dhe duhet ta bëjmë tani, ta bëjmë menjëherë! Siç bëmë atë ndryshimin për parkimin dysh e që edhe pse është në fuqi, nuk e zbaton kërkush; ta bëjmë me atë shpejtësi e vendosmëri por për ta zbatuar si qytetarë, policë, prokurorë e gjyqtarë! Mbase vetëm duke ndëshkuar kështu-siç për vrasje me dashje në rrugë, mund t’i ndalim vrasësit të dalin në rrugë!

Ndërkohë, kjo ngjarje më në fuuuuund të na shtyjë të mendojmë e veprojmë për urbanizim edhe më të thellë, përfshirë rrugë që e disfavorizojnë shpejtësinë në to, ndalime të shpejtësisë së makinave brenda lagjeve e jo vetëm tabela që një takëm i pështyjnë, mbylljen e rrugëve për t’i dhënë mundësi fëmijëve e të moshuarve të luajnë e lëvizin, pushojnë të sigurt, ndërtimin me çdo çmim të fushave e këndeve të sigurta për fëmijët e të moshuarit! I kemi votat për t’i bërë këto; i kemi me shumicë! Ne nuk jemi thjesht për të ngushëlluar; jemi votuar për të vepruar! Duhet ta tregojmë tani!”

Aksidenti në Durrës/ Presidenti Begaj: Ngushëllime familjarëve, institucionet të marrin masa!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas aksidentit të rëndë të ndodhur mesditën e kësaj të diele në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë, ndërsa një i tretë ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Begaj shprehet se është thellësisht i tronditur nga ngjarja tragjike dhe lutet për shpirtrat e dy të miturve që humbën jetën, duke u shprehur ngushëllime të sinqerta familjarëve të tyre.

Postimi i Begajt:

 I tronditur thellë për aksidentin e tmerrshëm në Durrës, ku humbën jetën dy vogëlushë dhe një tjetër u plagos shumë rëndë.

Lutem me përunjësi për shpirtrat e tyre!

Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit dhe familjarët e dy engjëjve të vegjël.

Uroj shërim për fëmijën që ndodhet i shtruar në spital.

Institucionet përgjegjëse të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullim, të bëjnë një hetim shterues për ngjarjen dhe qytetarët të rrisin përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit.

Jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë!

Macron: Fola me kryeministrin e ri të Irakut, roli i tij është thelbësor për rajonin

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin e ri të Irakut, Ali al-Zaidi, duke theksuar rëndësinë e rolit të tij në një moment delikat për rajonin.

Në një postim në rrjetin social X, Macron u shpreh se udhëheqja e al-Zaidit do të jetë “thelbësore për të ardhmen e Irakut, në një kontekst rajonal veçanërisht sfidues”.

Ai nënvizoi se një Irak i qëndrueshëm dhe sovran, që kontrollon plotësisht fatin e tij, është kyç jo vetëm për sigurinë e Lindja e Mesme, por edhe për Evropën.

Macron përmendi gjithashtu sulmin e 12 marsit në Irak, ku humbi jetën një ushtar francez, duke e cilësuar situatën e sigurisë në vend si ende të brishtë.

Sekretari amerikan i Thesarit: Shumë shpejt Iranit do t’i duhet të mbyllë puset e naftës!

Sekretari amerikan i Thesarit Scott Bessent ka deklaruar se Irani mund të detyrohet shumë shpejt të mbyllë puset e naftës. Në një intervistë për Fox News, ai tha se depozitat e naftës në Iran po mbushen me shpejtësi, çka mund ta detyrojë vendin të ndalojë prodhimin.

Sipas tij, kjo situatë mund të vijë që javën e ardhshme. Bessent shtoi gjithashtu se të ardhurat e Iranit nga tarifat e kalimit në Ngushticën e Hormuzit kanë qenë shumë të ulëta, rreth 1.3 milionë dollarë, shumë më pak krahasuar me fitimet e mëparshme nga nafta.

Përgjaket Durrësi, një tjetër aksident me vdekje te Kepi i Rodonit!

Një tjetër aksident tragjik ka ndodhur ditën e sotme në Durrës, ku për pasojë ka mbetur i pajetë një person.

Burime bëjnë me dije se shtetasi Arben Karamuço, i cili drejtonte një motomjet me 4 goma, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.

Për pasojë Arben Karamuço ka ndërruar jetë, ndërkohë që një grua e cila ishte me të në motomjet, ka arritur të shpëtojë.

Ky aksident vjen pas tragjedisë që ndodhi më herët gjatë ditës së sotme në Durrës, ku një automjet përplasi 5 fëmijë që ishin duke luajtur në trotuar, duke lënë të vdekur 2 prej tyre dhe të plagosur rëndë një tjetër.

Lundrimi në Ngushticën e Hormuzit ndalet pas deklaratave të Trump

Lundrimi në Ngushticën e Hormuzit është ndalur pothuajse plotësisht të dielën, pas deklaratave të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, lidhur me perspektivat për zgjidhjen e konfliktit me Iranin, sipas raportimeve të Bloomberg.

Sipas raportimit, vetëm dy anije tregtare iraniane kaluan nëpër ngushticë të dielën, krahasuar me nëntë anije që e përshkuan atë në të dy drejtimet një ditë më parë. Agjencia thekson se aktualisht qasja në këtë rrugë strategjike duket e kufizuar kryesisht për anije me përkatësi rajonale ose me miratim nga autoritetet lokale.

Deklaratat e Trump më 3 maj duket se kanë ndikuar në situatë. Ai u shpreh se përgjigjja e Iranit ndaj propozimeve të Uashingtonit nuk është e pranueshme, duke shtuar se Teherani ende nuk ka paguar “një çmim mjaftueshëm të madh”.

Ndërkohë, Bloomberg vuri në dukje se javët e fundit disa anije kanë kaluar nëpër ngushticë me transponderët e fikur, ndërsa anijet tregtare iraniane i aktivizojnë ato vetëm pasi arrijnë në Azinë Juglindore.

Pas këtyre zhvillimeve, shpresat për një rikthim të shpejtë të lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit janë zbehur ndjeshëm, sipas agjencisë.

Taulant Balla për tragjedinë në Durrës: Nuk është aksident, autori është një terrorist!

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar për aksidentin tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, Balla thekson se ngjarja nuk duhet konsideruar si aksident rrugor.

“Ngjarja tragjike në Durrës nuk është aksident rrugor. Autori nuk është një shofer në timon, por një terrorist”, shprehet Balla.

Shtrenjtimi i apartamenteve “shqetëson” bankat në vend, shkak ekspozimi i lartë në kredi! BSH do rishikojë kufizimet e huasë për blerje banese

Ekspansioni i ndërtimeve dhe hovi i shtrenjtimit të banesave në vend, po mban në ‘alert’ sektorin bankar, i cili thekson se ekspozimi që kanë në pasuri të paluajtshme është rreziku i tretë më të rëndësishëm në aktivitetin e tyre. Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se pronat e palujtshme janë përdorur si kolateral, për gati gjysmën e stokut të kredive, vlera e të cilit shkon në 4.6 miliardë euro.

Çmimet e larta të pronave po shtojnë çdo vit e më shumë ekspozimin e bankave në sektorin e pasurive të patundshme përmes kredive.

Në fund të vitit 2025, afro 440 miliardë lekë (4.6 mld euro) kredi, ose gjysma e stokut të kredive, mbuloheshin me kolateral, përmes pasurive të paluajtshme. Në krahasim me 2024-ën ky ekspozim është shtuar me afro 50 miliardë lekë (523 mln euro.

Rritja konstatnte e ndërtimeve e paralelisht dhe e çmimeve të pasurive të paluajtshme po shqetëson sektorin bankar. Nga 4 rreziqe kryesore të evidentuar për aktivitetin e tyre, tregu i pronave  konsiderohet rreziku i tretë më të rëndësishëm në aktivitetin e tyre, pas goditjeve nga jashtë dhe rrezikut të ekonomisë së brendshme, dhe lë pas vetëm sfidën e sulmeve kibernetike.

Një rënie e shpejtë e sektorit e shoqëruar me ulje të fuqisë paguese nga qytetarët mund të dëmtojnë bankat, për shkak të ekspozimit të lartë të tyre.

“Dinamikat e viteve të fundit në tregun e pasurive të paluajtshme dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve, kanë shtuar shqetësimin e bankave lidhur me ecurinë e ardhshme të tregut, në kushtet kur një pjesë e konsiderueshme e portofoleve të kredisë është e ekspozuar ndaj aktivitetit të tij”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Vetëm në 6-mujorin e dytë të 2025-ës, çmimet u rritën me 28% në rang kombëtar në raport me vitin 2024.

Banka gjykon se shtrenjtimi i pronave është nxitur edhe nga rritja e shpejtë e kreditimit për këtë qëllim. Për të frenuar këtë fenomen prej 1 korrikut 2025, Banka e Shqipërisë vendosi kufizime për kredinë për blerje banese.

Kur kredia kërkohet në lekë për të blerë banesën e parë, banka mund të japë deri në 85% të vlerës së pronës, ndërsa për shtëpinë e dytë e në vijim deri në 80%. Kurse për huanë në valutë tavanet do të jenë 75% dhe 70% në varësi të blerjes nëse është banesë e parë apo e dytë. Kufizimi tjetër i caktuar nga Banka Qendrore është për këstet mujore të kthimit të kredive. Për huatë në lekë kësti mujor nuk duhet të jetë më shumë se 40% e të ardhurave të kredimarrësit, ndërsa kur është në valutë ulet në 35%.

Edhe pse nuk ka ende një vlerësim të ndikimit të kësaj mase, kufizimet pritet t’i nështrohen një rishikimi vitin e ardhshëm, për të shtuar ose ndryshuar kushtet aktuale. Nuk përjashtohet mundësia që kufizime të vendosen edhe për kredinë për blerje pasurish nga bizneset, për të cilat nuk ka asnjë tavan.

Aksident në Elbasan, kamioni përplaset me makinën, plagosen 2 persona

Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në aksin Elbasan–Peqin, pranë fshatit Pajov.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se një mjet i tonazhit të rëndë u përplas me një automjet tjetër.

Si pasojë e aksidentit dy persona mbetën të plagosur, por janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë Policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Pse grinden Ukraina dhe Izraeli për grurin dhe çfarë fshihet pas konfliktit për drithërat

Marrëdhëniet  midis Ukrainës dhe Izraelit ishin miqësore dhe bashkëpunuese deri në shfaqjen e mosmarrëveshjes aktuale mbi drithërat. E gjitha filloi me një postim në Facebook nga Kateryna Yaresko, një gazetare e projektit SeaKrime. Ajo është pjesë e Qendrës Myrotvorets, një organizatë e pavarur që heton krimet kundër sigurisë kombëtare të Ukrainës.

Më 12 prill, Yaresko raportoi se anija mallrash ruse ‘Abinsk’ kishte mbërritur në një port izraelit duke transportuar drithëra të vjedhura ukrainase. “Anija ‘Abinsk’ u prit në Haifa (Izrael) me një ngarkesë prej 43.765.18 tonë grurë nga territoret e pushtuara të Ukrainës. Anija ishte ngarkuar në portin ‘Kaukasus’; ngarkesa vinte nga portet e pushtuara të Ukrainës,” shkroi ajo. Në atë kohë, ende nuk kishte asnjë konfirmim zyrtar për këtë informacion.

Shkëmbim akuzash mes ministrave të jashtëm

Dy javë më vonë, Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, raportoi se një anije tjetër që transportonte drithëra të vjedhura nga Rusia nga territoret e pushtuara të Ukrainës ishte ankoruar në Izrael. Si pasojë, ambasadori izraelit në Kiev ishte thirrur në Ministrinë e Jashtme.

“Është e vështirë të kuptohet pse Izraeli nuk ka reaguar si duhet ndaj kërkesës legjitime të Ukrainës për anijen e mëparshme, e cila kishte sjellë mallra të vjedhura në Haifa. Duke qenë se një anije tjetër ka mbërritur tani në Haifa, ne paralajmërojmë sërish Izraelin që të mos pranojë drithërat e vjedhura dhe të mos dëmtojë marrëdhëniet tona,” deklaroi Sybiha në platformën sociale X.

Të njëjtën ditë,  Ministri i Jashtëm izraelit  Gideon Saar iu përgjigj indinjatës së Kievit.

“Nuk është paraqitur ende asnjë provë për të mbështetur këto pretendime,” shkroi ai në X (më parë Twitter), duke shtuar se “kjo çështje është nën hetim” dhe se autoritetet izraelite do të veprojnë në përputhje me ligjin. Sipas Saar-it, Ministria e Jashtme e Ukrainës “madje as nuk paraqiti një kërkesë për ndihmë ligjore para se të fliste përmes medias dhe rrjeteve sociale.”

“Marrëdhëniet diplomatike, veçanërisht midis vendeve miqësore, nuk zhvillohen përmes Twitter-it apo mediave,” deklaroi Saar.

Ndërkaq, Ministria e Jashtme e Ukrainës publikoi një kronologji të mosmarrëveshjes për grurin.

Sipas tij, çështja ishte subjekt i diskutimeve midis diplomatëve të të dy vendeve në fund të marsit dhe, më 15 prill, Ukraina kërkoi ndihmë ligjore ndërkombëtare nga Izraeli në lidhje me anijen “Abinsk”. “Ana izraelite përfundoi shkarkimin e anijes përpara kohës së parashikuar dhe e lejoi të largohej, pavarësisht kërkesës së Ukrainës për të mos e bërë këtë,” thuhet në Ministrinë e Jashtme.

Ukraina punon për një paketë sanksionesh

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski gjithashtu u shpreh për këtë mosmarrëveshje. “Në çdo vend normal, blerja e mallrave të vjedhura është një krim që sjell pasoja ligjore. Kjo vlen veçanërisht për drithërat që ka vjedhur Rusia,” shkroi Zelenski në Telegram.

Sipas tij, Rusia nxjerr në mënyrë sistematike drithëra nga territoret e pushtuara dhe i eksporton ato. “Kjo lloj tregtie shkel ligjet e shtetit të Izraelit. Ukraina ka marrë të gjitha masat diplomatike të nevojshme për të parandaluar incidente të tilla,” deklaroi Zelenski.

Ai theksoi se Ukraina po punon për një paketë sanksionesh bazuar në informacione të inteligjencës. Ajo do të prekë të gjithë ata që transportojnë këtë grurë, si dhe “individët dhe entitetet ligjore që kërkojnë të përfitojnë nga aktivitetet e tilla kriminale”. Sipas Zelenskit, Kievi po koordinon masat e tij me partnerët evropianë për të përfshirë individët në fjalë edhe në listat evropiane të sanksioneve.

Kërkesë për prova

Eksperti ushtarak izraelit David Sharp dyshon se pala izraelite nuk do ta kishte përshkallëzuar situatën nëse do të kishte marrë prova të plota nga Kiev-i në lidhje me origjinën e drithërave nga territoret e pushtuara. “Askujt nuk i duhen këto probleme, as përkeqësimi i marrëdhënieve me Ukrainën, as sanksionet,” tha Sharpi në një intervistë për DW.

Pyetja është se çfarë provash prezantoi në të vërtetë Ukraina dhe çfarë mori në të vërtetë pala izraelite.

Sharpi thekson se Izraeli është një vend me një gjyqësi të pavarur, ku marrëdhëniet tregtare private mbrohen me ligj. Ministria e Jashtme nuk mund të kërkojë që një biznesmen të ndërpresë një kontratë blerjeje drithi.

Nëse do ta bënte këtë, përfaqësuesi i qeverisë do të dërgohej në gjykatë. “Për të ndërprerë një kontratë, kërkohen prova të forta ligjore, përfshirë raportet e inteligjencës,” shpjegon Sharp, duke shtuar: “Nëse Ukraina dëshiron që Izraeli të bllokojë një transaksion tregtar, dyshimet e thjeshta ose postimet në mediat sociale nuk mjaftojnë. Prandaj, ai duhet të paraqesë materiale që qeveria izraelite mund t’i përdorë për ta çuar çështjen në gjykatë ose në prokurorinë publike.”

Vështirësi në mbledhjen e provave

Ivan Us, nga Instituti Kombëtar për Studime Strategjike në Ukrainë, shpjegon se nuk është hera e parë që Rusia ka tentuar të legalizojë kështu drithërat e vjedhura ukrainase. Drithërat nxirren nga territoret e pushtuara, përzihen me drithëra ruse në magazinat e transhipimit, deklarohen si drithëra ruse dhe, më në fund, rishiten.

“Nga këndvështrimi ynë, ky është drithë i vjedhur, por për blerësin mund të duket si një produkt i ligjshëm,” thotë eksperti i politikës së jashtme. Kjo e komplikon mbledhjen e provave dhe, rrjedhimisht, ndjekjen penale të këtyre skemave.

Sipas Serhiy Danylov të Qendrës Ukrainase për Studime të Lindjes së Mesme, ambasada ukrainase i ka dhënë palës izraelite informacione inteligjence mbi rrugët, ngarkimet e drithërave në det, si dhe mbi pronarët dhe logjistikën e dërgesave.

Ai kritikon Izraelin për injorimin e të gjitha paralajmërimeve të Ukrainës. “Ndërsa anija e parë ende nuk kishte nxitur një reagim kaq të fortë, tani po shohim një dimension krejtësisht të ri në reagimin e Ukrainës. Zelenski përmend sanksionet për herë të parë në deklaratën e tij, duke përfshirë ato në koordinim me BE-në. Kjo nuk është më vetëm një protestë diplomatike, por një sinjal që do të merren masa konkrete.

Reagimi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit ishte, sinqerisht, i pakëndshëm. Në fakt, ajo mohoi se kishte prova të mjaftueshme,” i tha Danylov DW-së.

Ukraina kërkon ndihmë ligjore nga Izraeli

Ndërkohë, Kievi i ka dërguar palës izraelite një paketë dokumentesh për të mundësuar ndërmarrjen e veprimeve kundër anijes ruse që po transporton drithërat e vjedhura ukrainase. Këtë e njoftoi Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Ruslan Kravchenko, më 29 prill përmes Telegramit. Anija në fjalë është ‘Panoramitis’.

“Kërkesa përkatëse për ndihmë ligjore tashmë u është dërguar autoriteteve kompetente izraelite,” deklaroi Kravchenko. Ai theksoi se Ukraina po i kërkon partnerëve të saj izraelitë të ndalojnë anijen dhe ngarkesën e saj, ta kontrollojnë, të sekuestrojnë dokumentacionin e anijes dhe të ngarkesës, të marrin mostra të drithërave dhe të marrin në pyetje anëtarët e ekipazhit.

Sipas Kravçenkos, që nga fillimi i agresionit në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës, më shumë se 1.7 milionë tonë produkte bujqësore, me vlerë totale mbi 20 miliardë hryvnia (e barabartë me rreth 388 milionë euro), janë eksportuar në mënyrë të paligjshme nga territoret ukrainase të pushtuara përkohësisht.

Më 30 prill, agjencia e lajmeve Interfax-Ukraine raportoi, duke cituar gazetën izraelite ‘The Marker’, se kompania izraelite Zenziper më në fund refuzoi të pranonte ngarkesën, e cila me shumë gjasa përbëhej nga drithëra të vjedhura ukrainase. Thuhet se anija e ngarkesës është larguar nga Haifa. ‘Ne fituam; anija e ngarkesës po largohet nga porti për në ujërat neutrale.

Do të çojmë deri në fund procedurat penale dhe ato të sanksioneve,” i tha agjencisë së lajmeve ambasadori i Ukrainës në Izrael, Yevhen Korniychuk. Sipas një raporti, furnizuesi rus u informua për urdhrin për të refuzuar ngarkesën e anijes.

Importuesi i drithërave Zenziper deklaron se “furnizuesi rus i ngarkesës me drithëra duhet të gjejë një vend tjetër për ta shkarkuar”. “Kjo është hera e parë që një ngarkesë drithërash, të cilat dyshohet se janë vjedhur në Ukrainë, nuk është pranuar ose shkarkuar në Izrael,” citon mediat izraelite Interfax-Ukraine./DW

❌