Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Duke u përgjëruar në kilometrin e fundit si Stalini i opozitës

Nga Mero Baze

Në fillim të kilometrit të fundit si opozitar, sot Sali Berisha rimori një tezë të vjetër të avokat Ngjelës të viteve 2000, kur ne miqtë e tij e ofruam tek Berisha duke qenë një kritik dhe shpotiës i madh i tij. I zënë ngushtë për të shkuarën antiberishiane, avokati e kaloi lehtë provimin.
– Për qëllime të mëdha Çërçilli është takuar dhe me Stalinin, tha. Dhe e kishte fjalën që Stalini ishte Berisha.

Sot Berisha e rimori këtë batutë të avokatit kur pa bulevardin bosh dhe kur kuptoi sa po i kushton përçarja që i ka shkaktuar ai PD-së.
Tani avokatit i shkon kjo batutë edhe për shkak të ekstravagancës së tij. Kur Berisha bën thirrje të imitojmë bashkëpunimin e Roosevelt me Stalinin, të gjithë e dimë që Stalini është Berisha. Është “non grata” nga Roosevelti i sotëm i SHBA-së, dhe ata që ka zbuar nga partia dhe po u kërkon t’i bashkohen janë me SHBA-në.

Pra është thjesht duke u përgjëruar si Stalini i opozitës ndaj atyre që i ka zbuar vetë si Stalini.
Problemi është se Stalini kishte një farë dinjiteti në Jaltë, pasi ai nuk i thirri, por e thirrën dy udhëheqësit perëndimorë, Çërçilli dhe Roosevelti. E thirrën si fuqi e madhe e konsiderueshme si faktor kryesor në mundjen e fashizmit.

Berisha është i padobishëm për të gjithë. Mbi të gjitha për opozitarët. Ai i bën ata më të vegjël duke u bashkuar me të, ndaj nuk i duhet askujt.

Thjesht po i del profecia që këto protesta janë kilometri i fundit i tij, jo i kundërshtarëve të tij. Dhe s’ka më gjatë se kilometri i fundit. Do torturohet.

7 efektivë policie të lënduar gjatë protestës së opozitës, 5 dërgohen në Spitalin e Traumës

7 efektivë policie janë dëmtuar gjatë protestës së sotme të opozitës para Kryeministrisë dhe Parlamentit.

5 efektivë janë paraqitur dhe po ekzaminohen në Spitalin e Traumës. Ndërkaq dy efektivë policie janë paraqitur pranë shërbimit të Djegie-Plastikës.

Gjendja e tyre paraqitet e qendrueshme.

Përplasje u shënuan gjatë protestës së sotme, ku protestuesit hodhën molotov në drejtim të kordonit policor, ndërsa efektivët u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe makina me ujë.

Protestuesit rikthehen me molotovë përpara Kuvendit, policia tenton t’i shpërndajë me ujë e gaz lotsjellës

Janë rikthyer një pjesë e protestuesve përpara Parlamentit. Policia është në gatishmëri bashkë me autobotin duke i paraprirë situatës duke hedhur ujë. Gjithashtu po hidhet edhe gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit po përgjigjen me molotovë në sasi të madhe.

Raportohet se tetë prej uniformave blu kanë mbetur të plagosur.

Ndërkohë, policia, përveç përdorimit të autobotëve me ujë, është kundërpërgjigjur edhe me gaz lotsjellës.

Pavarësisht këtyre masave, protestuesit nuk janë tërhequr, duke vijuar përplasjet me hedhjen e lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta.

Protesta para Kryeministrisë, ministrja e Brendshme nxjerr videot e policëve të plagosur: Dhuna nuk mund të jetë kurrë mjet

Partia Demokratike ka mbajtur protestën e dytë kombëtare për vitin 2026 përpara Kryeministrisë, ku nuk munguan tensionet.

Disa policë ngelën të plagosur dhe të djegur nga hedhja e molotovëve dhe fishekzjarrëve në drejtim të godinës.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka shpërndarë videot e efektivëve që ngelën të plagosur, duke u dënuar dhunën e përdorur në protestë.

“E drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shtetit.

Dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj.

Mirënjohje për çdo punonjës policie që tregoi profesionalizëm dhe maturi përballë çdo provokimi.

Policia do të jetë gjithmonë në krye të detyrës për të garantuar të drejtën për të protestuar, si dhe të garantojë sigurinë e çdo qytetari dhe të pronës publike dhe të qytetarëve”, shkruan Koçiu.

Gazetari i huaj plagoset gjatë protestës së opozitës para Parlamentit! I vijnë në ndihmë forcat e policisë

Një person i huaj ka mbetur i lënduar gjatë protestës së opozitës para parlamentit. Mësohet se ai është një gazetar i huaj, madje edhe në sfond dëgjohen zëra ku thuhet se “është gazetar amerikan që bën podkast”.

Siç shihet edhe nga pamjet ai është ndjerë keq në momentin kur policia hodhi gaz lotsjellës ndaj protestuesve.

Protestuesit e tjerë, por edhe forca të rendit i kanë ardhur në ndihme duke i dhënë atij ujë.

Protesta e opozitës/ Gogu: “Kilometri i fundit” i Shqipërisë drejt BE-së nuk bëhet me molotov e dhunë, por me punë

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu reagoi për protestën e opozitës ku u hodhën koktej molotovë drejt godinës së qeverisë, duke theksuar se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian nuk ndërtohet përmes dhunës dhe spektaklit politik.

Në një mesazh në rrjete sociale, ministri Gogu kritikoi opozitën për retorikën mbi “kilometrin e fundit”, duke e akuzuar se po largohet nga fryma e protestës qytetare dhe paqësore.

“Opozita bërtet për “kilometrin e fundit”. Dhe pastaj e shndërron protestën në skenë dhune: molotovë, fishekzjarre, tym si të ishte kjo “rruga” përpara. Tërhiqen zvarrë nga ustallarët e dhunës, dhe largohen gjithmonë e më shumë nga protesta qytetare dhe paqësore.” u shpreh ai.

Sipas ministrit, integrimi europian kërkon përkushtim të përditshëm nga qytetarët dhe institucionet, jo përplasje.

“Ndërsa “kilometri i fundit” i Shqipërisë drejt BE-së nuk bëhet me megafon, molotovë e spektakël.Përshkohet nga fermeri që respekton normat, nga punëtori që punon ditë e natë, nga mësuesi që formon qytetarë, nga infermieri dhe mjeku që mbajnë sistemin gjallë, nga nëpunësi që zbaton ligjin. Ata le të shpallin “fitoren” e radhës për kamerat. Shqipëria le të ecë përpara me mund, me djersë dhe me rezultate—deri te mbyllja e kapitujve”, deklaroi Gogu.

Ai shtoi se ndërsa opozita mund të shpallë “fitore”, vendi duhet të vijojë përpara përmes punës dhe përpjekjeve konkrete.

“‘Kilometri i fundit’ nuk është spektakël. Është punë. Dhe destinacioni quhet Europë,” përfundoi ministri.

Protesta e opozitës/ Militantët hodhën flakadanë e gurë, 4 efektivë policie pësuan djegie e dëmtime fizike

Nga hedhja e molotovëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta nga protestuesit e Partisë Demokratike, janë lënduar katër punonjës policie.

Tre prej punonjësve të lënduar janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar djegie e dëmtime fizike nga sendet e forta që janë hedhur në drejtim të tyre.

Pas përfundimit të fjalës së Sali Berishës, protestuesit sulmuan me molotovë e fishekzjarrë godinën e Kryeministrisë.

Grupi, i cili hodhi molotovë ishte i maskuar dhe pas shpërndarjes së protestuesve nga Bulevardi, ata u drejtuan drejt Parlamentit.

Protestuesit hedhin molotov edhe drejt medias, kameramani përfshihet nga flakët (VIDEO)

Ka përshkallëzuar situata në protestën që po zhvillohet këtë të martë, më 10 shkurt përpara godinës së Parlamentit, ku protestuesit kanë hedhur bomba molotovi dhe fishekzjarrë ndaj forcave të policisë.

Një kameraman u pa në flakë, ndërsa kolegët e tij dhe efektivët e policisë po e ndihmonin për të shuar zjarrin në veshjen e tij. Nuk dihet nëse kameramani ka mbetur i lënduar nga ky incident.

Ndërkohë edhe një automjet i televizioneve është përfshirë nga flakët.

Militantët e PD përplasen me policinë tek Parlamenti! Protestuesit duan të hyjnë në godinë, në krye të turmës Noka dhe Boçi

Protestuesit e PD-së po tentojnë të çajnë me forcë kordonin e policisë të krijuar përpara derës kryesore të godinës së Kuvendit. Militantët kanë hedhur dhe sende të forta në drejtim të efektivëve. Protestuesit po kryesohen nga deputetët e PD Flamur Noka e Luçiano Boçi. Ndërkohë efektivët po tentojnë për t’i larguar.

Protesta tashmë është zhvendosur tek Parlamenti pas hedhjes së molotovëve dhe mjeteve piroteknike tek Kryeministria.

Berisha thirrje gjyqtarëve në Hagë: Para jush duhet të ulen Vuçiç e Rama, jo ish-krerët e UÇK-së

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, nga sheshi para Kryeministrisë u është drejtuar me një thirrje gjyqtarëve në Hagë, pas kërkesës së Prokurorisë së Specializuar në Hagë për dënimin me nga 45 vite burg të katër ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Berisha tha: “Të dashur miq, dje në Hagë, Prokuroria paraqiti një pretencë kundë udhëheqjes së Kosovës, identike me pamfletën e propagandës së verbër ultranacionaliste serbe. Nga kjo platformë, iu bëj thirrje gjyqtarëve të vlerësojnë gjithçka në bazë të ligjit, të shpallin pafajësinë e atyre burrave që me heroizëm mbrojtën dhjetëra e mijëra shqiptarë nga gjenocidi serb. Zotëri gjykatës, ballkani ka njohur gjenocide të tmerrshme dhe dy janë ata që e kryen. Vuçic që mori safaarin e qytetarëve në Sarajvë dhe nuk njeh gjenocidin serb në bosnjë, argati i tij, Edi Rama që përzuri shqiptarët. Ndaj dhe zotëri gjykatës, për të bërë drejtësi duhet që këto dy monstra të ulen përpara jush, dhe jo luftëtarët e lirisë.”

“Berisha, i vetmi që derdhi gjak në Bulevard”, Çupi: PD, e konsumuar për shkak të kotësisë!

Partia Demokratike ka thirrur këtë të martë simpatizantë në protestën e saj kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Analisti Frrok Çupi, i ftuar në “ Tirana Live” tha se protestat e Sali Berishës nuk sjellin asgjë të re, madje ato janë konsumuar deri në pikën që vetë Çupi i cilësoi si “tubime kotësie”.

Ai theksoi se shqiptarët e dinë tashmë se kush është Sali Berisha dhe cilat janë bëmat e tij. Sipas Çupit, Berisha është i vetmi perSon, që derdhi gjak në atë bulevard për të mbajtur pushtetin.

“Sa herë shikojmë këto protesta, janë konsumuar edhe vetë vëzhgimet, janë konsumuar për shkak të kotësisë. Gjithmonë më shkon mendja te hall i këtij bulevardit, është hall i vërtetë. Mos ta quajnë më “kilometri i fundit”, por një ngjarje e shëmtuar në këtë bulevard.

Ai është i vetmi që derdhi gjak në atë bulevard, erdhi një djalë nga Tropoja dhe e bllokoi bulevardin. Ky është gjakatar. Ky njeri nuk kthehet për demokraci, për liri, por kthehet për arsye të instinktit në vendin e krimit. I vetmi Sali Berisha që ekzekutoi në mes të bulevardit dhe në sy të të gjithëve. “, tha ai.

“I paftuari” Salianji shfaqet në protestën e opozitës, por qëndron larg “zemrës”…

Ervin Salianji nuk mungoi në protestën e PD, por qëndroi larg ‘zemrës’ ku ajo po mbahet para kryeministrisë.

Salianji është vendosur te Piramida, aty ku edhe protestuesit janë edhe më të shpërndarë, ndërsa shihet duke qeshur e biseduar me hare me disa prej përkrahësve të tij.

Ndërkohë Berisha e ka përjashtuar nga partia duke thënë se ka shkelur vijat e kuqe dhe se punon për Ramën.

Protesta, Berisha flet për “kryengritje paqësore”: Jemi në momentin më kritik të 35 viteve të fundit

Kreu i PD-së Sali Berisha në fjalën e mbajtur në protestën e sotme para Kryeministrisë foli “për një kryengritje paqësore”, ndërsa theksoi se Shqipëria është në momentin më kritik të 35 viteve të fundit.

Zhvillimet e ditëve të fundit bëjnë që ne të mblidhemi sot në këtë shesh, në këtë bulevard, në kushte ndër më alarmantet, ndoshta jemi mbledhur në kryengritjen tonë paqësore, në momentin më kritik të Shqipërisë në 35 vitet e fundit. Ndaj më duhet ta nisë këtë fjalë me një shprehje që sot tingëllon më aktuale se kurrë: Ata që harrojnë të shkuarën janë të dënuar ta përsërisin atë“, tha Berisha.

“Shkolla pa nxënës e spitale pa ilaçe”, Alimehmeti: Shpopullimi, dështimi më i madh i Ramës

Ilir Alimehmeti ka folur në protestën kombëtare të kësaj të marte të Partisë Demokratike, duke e cilësuar shpopullimin si dështimin më të madh të qeverisë Rama. Sipas tij, mbi 1.6 milionë shqiptarë ndodhen sot jashtë vendit, ndërsa 1 në 5 qytetarë mendon të largohet, një tregues i qartë i pasojave të politikave qeveritare.

“Nuk ka më justifikime. Kur ke gjithë pushtetin, ke edhe gjithë përgjegjësinë. Shkollat pa nxënës, spitalet pa ilaçe dhe pronarët pa prona janë rezultat i drejtpërdrejtë i abuzimeve dhe keqqeverisjes. Për të gjitha këto ka një emër: Edi Rama”, deklaroi Alimehmeti.

Ai theksoi se largimi masiv i qytetarëve përbën akuzën më të rëndë ndaj një qeverie, duke shtuar se “kur populli ikën, kjo është prova më e madhe e dështimit”.

Në fjalën e tij, Alimehmeti bëri thirrje për rikthimin e vlerave europiane dhe për një ndryshim të thellë politik, duke theksuar se Shqipëria ka njohur arritje të mëdha në të shkuarën, si liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në NATO.

“Duhet të largohet Rilindja, duhet të largohet Edi Rama. Vetëm duke qëndruar së bashku, Shqipëria mund të fitojë”, tha ai.

Sulmi rus vret nënë e bijë në lindje të Ukrainës, 14 të plagosur

Një sulm ajror rus vrau këtë të martë, më 10 shkurt, një vajzë 11-vjeçare dhe nënën e saj, si dhe plagosi 14 persona të tjerë në pjesën e kontrolluar nga Ukraina të rajonit lindor të Donetsk-ut. Të paktën kështu tha sot guvernatori i këtij rajoni, Vadym Filashkin në një postim në aplikacionin Telegram.

Sipas tij, një vajzë 7-vjeçare ishte gjithashtu mes të plagosurve në sulmin ndaj qytetit Sloviansk.

Policia ukrainase tha se trupat e gruas dhe fëmijës u nxorën nga rrënojat e një ndërtese. Ata publikuan foto të një ndërtese të shkatërruar dhe të një personi që merrte ndihmë në ambulancë.

Sloviansk dhe Kramatorsk, qyteti fqinj, janë dy nga të ashtuquajturat “qytete fortesë” që ndodhen pranë vijës së frontit dhe kanë qenë shpesh objektiv i sulmeve ruse, shkruan Reuters.

Rusia kërkon që Kievi të heqë dorë nga 20% e mbetur e rajonit të Donetsk-ut, që forcat e Moskës nuk kanë arritur ta pushtojnë, për të bërë përparim drejt një marrëveshjeje paqeje, diçka që Ukraina refuzon ta bëjë.

Si Moska ashtu edhe Kievi mohojnë se po synojnë civilët në këtë luftë, e cila nisi me pushtimin e plotë rus në vitin 2022.

Revolucioni digjital dhe dyfishimi i buxhetit, çfarë po ndryshon në Ligjin për Librin?

Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, nën drejtimin e kryetares Ina Zhupa, zhvilloi sot një seancë dëgjimore për shqyrtimin e ndryshimeve në ligjin “Për librin në Republikën e Shqipërisë”. Në qendër të diskutimeve ishte përshtatja e legjislacionit me epokën digjitale dhe mbështetja financiare për autorët shqiptarë.

Kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, theksoi para deputetëve se ligji aktual i vitit 2006, pavarësisht ndërhyrjeve të mëparshme, ka mbetur pas zhvillimeve teknologjike. Sipas tij, projektligji i ri sjell një strukturë të plotë rregullatore për librin digjital (e-book).

“Projektligji i ri ka për qëllim rritjen e nivelit të leximit, mbështetjen e qëndrueshme për operatorët dhe botuesit, si dhe përmirësimin e aksesit në libra për personat me aftësi të kufizuara,” u shpreh Ymeri.

Ai sqaroi se ndryshimet nuk krijojnë kosto shtesë për buxhetin, por synojnë një përdorim më efikas të fondeve ekzistuese dhe harmonizim me praktikat evropiane.

Dyfishohet fondi i QKLL

Gjatë seancës, Drejtoresha e Politikave për Artin dhe Kulturën në Ministri, Irena Prici, bëri të ditur një rritje të ndjeshme të mbështetjes financiare për vitin 2026.

Buxheti i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL) është dyfishuar, duke kaluar nga 10 milionë në 20 milionë lekë të reja.

“Duhet bërë edhe më shumë, por duke pasur parasysh mundësitë, i kemi dhënë prioritet kësaj qendre në funksion të librit dhe mbështetjes së krijimtarisë në gjuhën shqipe,” theksoi Prici.

Në mbledhje ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të institucioneve kulturore, përfshirë drejtoreshën e QKLL, Esmeralda Bardhyli, drejtoreshën e komanduar të Bibliotekës Kombëtare, Majlinda Bami, si dhe përfaqësues të shtëpive botuese, të cilët diskutuan mbi ndikimin e këtyre ndryshimeve në tregun e librit.

Protesta e opozitës, Gjekmarkaj: Demokracia nuk është dhuratë, por betejë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjerkmarkaj, hapi protestën kombëtare të opozitës, duke deklaruar se kjo nuk është një protestë e zakonshme, por një reagim ndaj një sistemi që, sipas tij, ka humbur legjitimitetin dhe po shkon drejt fundit.

Gjerkmarkaj theksoi se qeveria ka shkelur çdo premtim dhe nuk ka më asnjë alibi, duke mbijetuar politikisht përmes shndërrimit të shtetit në instrument pushteti.

“Kjo nuk është një protestë e zakonshme, por këtij sistemi pa legjitimitet po i vjen fundi. Ky sistem ka shkelur çdo premtim dhe nuk ka më asnjë alibi. Ka mbijetuar politikisht duke shndërruar shtetin në instrument pushteti. Pasojat janë të qarta: eksod biblik i shqiptarëve, ekonomi e deformuar, njëzimi i partisë me shtetin, korrupsioni u shndërrua në mënyrë qeverisjeje. Jeta e shqiptarëve është në kthim pas si në vitin 1976, e maskuar me fjalë dhe shantazh publik”, tha Gjekmarkaj.

Në fjalën e tij, ai akuzoi qeverinë se po mban peng parlamentin dhe po shkel Kushtetutën, duke nënvizuar se demokracia nuk është dhuratë, por një betejë.

“Ne po sakrifikojmë për ëndrrën evropiane që ky komb e ka paguar shtrenjtë ndër shekuj. Qeveria po merr peng parlamentin dhe po shkel Kushtetutën. Demokracia nuk është dhuratë por betejë. Në jemi sot këtu të palëkundur”, tha Gjekmarkaj.

LIVE! Opozita zhvillon protestën kombëtare, Berisha i bashkohet protestuesve. Mbi 1300 efektivë në gatishmëri

Opozita zhvillon protestën kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku kërkon largimin e qeverisë Rama.

Protestuesit janë mbledhur para Kryeministrisë, ndërsa të pranishëm janë edhe deputetë të Partisë Demokratike. Kreu i demokratëve, Sali Berisha, doli nga selia e PD-së dhe iu bashkua protestuesve i shoqëruara nga nënkryetari i partisë, Luçiano Boçi dhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka si dhe mbështetësit demokratë.

Për garantimin e rendit dhe sigurisë, mbi 1300 forca policie janë angazhuar dhe ndodhen në gatishmëri të plotë. Autoritetet kanë vënë në dispozicion edhe autobote me ujë si dhe mjete me gaz lotsjellës, në rast se do të ketë përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, siç ka ndodhur në protesta të mëparshme ku nuk kanë munguar tensionet.

Forcat e sigurisë kanë rrethuar Kryeministrinë dhe kanë blinduar dyert, ndaj të cilës në protestën e fundit u hodhën fishekzjarrë dhe molotovë.

Një ditë më parë, Berisha deklaroi se kjo protestë do të jetë një “kryengritje paqësore”, duke u bërë thirrje edhe forcave të policisë që t’u bashkohen protestuesve për të kërkuar, sipas tij, një të ardhme më të mirë për veten dhe familjet e tyre.

Si pasojë e protestës, disa akse rrugore janë bllokuar dhe qarkullimi i mjeteve është ndaluar. Aktualisht, qarkullimi është i bllokuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe në rrugët lidhëse “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

VIDEO ME DRON / Gjysmë ore nga orari zyrtar, ja pjesëmarrja në protestën e PD

Partia Demokratike ka thirrur mbështetësit dhe simpatizantët e saj në protestën kombëtare para godinës së kryeministrisë.

Nisja e protestës ishte parashikuar në ora 17:00.

Abc News sjell pamje me dron nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa vihet re se numri i pjesëmarrësve në protestën e thirrur nga Sali Berisha është shumë i ulët.

❌