Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot një aktivitet në ish-burgun e Spaçit me temë “Spaçi, nga kujtesa te mbrojtja e të drejtave të njeriut”.
Në këtë aktivitet morën pjesë kryetarja e Komisionit Jorida Tabaku, zv/kryetarja Iris Luarasi dhe deputeti Gjin Gjoni. Gjithashtu në aktivitet ishin të pranishëm ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, përfaqësues të institucioneve publike, historianë, ish-të përndjekur politikë, studiues dhe ekspertë të fushës.
Gjatë aktivitetit u diskutua për të vërtetën, drejtësinë dhe kujtesën, duke vendosur në qendër të vëmendjes personat e zhdukur gjatë periudhës së komunizmit. Po ashtu u analizuan përpjekjet e deritanishme për dokumentimin dhe zbardhjen e rasteve të pazgjidhura si dhe sfidat që lidhen me identifikimin e mbetjeve mortore dhe vendvarrimeve të dyshuara në Spaç dhe në vende të tjera.
Diskutimet u përqendruan kryesisht në politikat e kujtesës dhe dinjitetin njerëzor. Një vëmendje e veçantë iu kushtua mbrojtjes së të drejtave të njeriut përmes ndërgjegjësimit historik dhe domosdoshmërisë për të pasur qasje të plotë në arkivat historike, çka mbetet një hap kyç për zbardhjen e së vërtetës.
Në fjalën e saj, Tabaku u shpreh se Spaçi mbart një histori të gjallë që flet përmes kujtimeve të të mbijetuarve, duke kërkuar që ky vend të shndërrohet në një qendër kombëtare kujtese përpara se të largohen dëshmitarët e fundit. Ajo nënvizoi se kjo nuk është një çështje politike, por një detyrim për të rikthyer dinjitetin e ish-të dënuarve politikë dhe familjarëve të tyre, të cilët ende kërkojnë eshtrat.
“Ka vende ku historia lexohet, tregohet dhe ende dëgjohet. Spaçi është një prej tyre. Historia flet përmes kujtimeve të atyre që mbijetuan. Ne duhet të shohim se si mund t’u japim zgjidhje çështjeve të pazgjidhura. Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) dhe të tjera kanë marrë masa dhe kanë identifikuar problematikat ndër vite. Familjarët e ish-të dënuarve kërkojnë eshtrat e atyre që nuk jetojnë më. Duhet vendosur dinjiteti dhe një vend kujtimi për ata që nuk jetojnë më”, tha Tabaku.
Sipas saj, “Spaçi duhet të ruhet dhe të shndërrohet në një vend kombëtar kujtese”. “Në sesionet e ardhshme do bëjmë dëgjesa me familjarë dhe institucionet përgjegjëse për të ngritur një mekanizëm që 36 vite pas komunizmit të rikthejmë atë që familjarët kërkojnë prej vitesh. Kjo është çështje e dinjitetit të njeriut”, u shpreh Tabaku.
Ndërsa Luarasi u shpreh se Spaçi duhet parë si një vend krimi dhe jo thjesht si një vend kujtese. Sipas saj, vonesat në dëmshpërblime janë një padrejtësi e vazhdueshme. Luarasi shtoi se linçimi publik në ekranet digjitale dhe shpallja armik e çdo mendimi ndryshe po cenojnë dinjitetin njerëzor dhe se lufta ndaj dezinformimit dhe gënjeshtrave të fabrikuara është jetike për mbijetesën e demokracisë, e cila rrezikon të vdesë dalëngadalë nëse liria nuk mbrohet çdo ditë.
“Do të thoja që ky është një moment reflektimi. Spaçi nuk është monument, por vend krimi. Tragjedia është se viktimat janë lënë pas. Kemi një ligj për dëmshpërblimin për ish-të dënuarit politik. Lugë boshe. Vonesat janë një padrejtësi. Kujtesa nuk mund të jetë çështje protokollare. Sot ka gënjeshtra të fabrikuara që Shqipëria po u shitet të tjerëve. Lufta kundër dezinformimit nuk është çështje dytësore, por kusht i mbijetesës demokratike. Demokracitë nuk vdesin nga një grusht shteti, por dalëngadalë. Liria nuk trashëgohet, por jemi si një provë për ta ruajtur atë”, u shpreh Luarasi.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, u shpreh se të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave të regjimit duhet të dëmshpërblehen financiarisht dhe të trajtohen me dinjitet.
Gonzato u bëri thirrje politikës dhe autoriteteve shqiptare të tregojnë vullnet për të zbardhur fatin e mbi 6 mijë të zhdukurve përmes hetimeve, fakteve dhe gërmimeve shkencore. Po ashtu, Gonzato nënvizoi se kthimi i Spaçit në një vend kujtese dhe ballafaqimi me të shkuarën janë thelbësore që Shqipëria të mos përsërisë më kurrë gabimet e historisë.
“Kthimi i drejtësisë është kompensimi financiar. Kur të gjitha informacionet janë në dosje, njerëzit duhet të marrin atë që u takon. Janë mbi 6 mijë të zhdukur. Jemi përpjekur për të mbledhur të dhëna. Duhet vepruar. Politika duhet të tregojë vullnetin që të lejohen gërmime në varre të përbashkëta. Spaçi mund të jetë një vend i kujtesës. Sjellim njerëz për t’u kujtuar çfarë ka ndodhur, për të shkuarën e Shqipërisë dhe që Shqipëria të mos shohë më padrejtësi”, u shpreh ambasadori.
Gonzato theksoi se Evropa e kujton historinë dhe gabimet e së shkuarës nuk përsëriten.
“Kemi nevojë për fakte. Njerëzit duan drejtësi, autoritetet duhet të ndjekin këto persona dhe të hetohet për të zhdukurit. Duhet një vendim i thjeshtë nga Këshilli i Ministrave. Parlamenti bën detyrën e tij. Duhet hetuar dhe të mbijetuarve t’u jepet një jetë e dinjitetshme. Shpresoj që të vazhdoni këtë luftë dhe të garantoni këtë rrugë për këta njerëz”, tha Gonzato.
Më tej, anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik dhe të pranishmit panë nga afër ambientet e ish-burgut të Spaçit si dhe zhvilluan një vizitë në dy vendvarrime të dyshuara të ish-të dënuarve.