Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, Rama promovon programin e ri të financimit: Kredi deri në 200 milionë lekë për bizneset shqiptare

Kryeministri Edi Rama ka promovuar nw rrjetet e tij sociale Programin Kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, duke thënë se bizneset shqiptare kanë një mundësi të re financimi me kredi deri në 200 milionë lekë.

“Nga sot bizneset shqiptare kanë një mundësi që nuk e kanë pasur më parë, kredi deri në 200 milionë lekë për çdo biznes, për më shumë pajisje, zgjerim të kapaciteteve, teknologji të re apo automatizim, për fermerët, prodhuesit, bizneset e turizmit, transportit dhe teknologjisë, si edhe çdo sipërmarrje mikro, të vogël e të mesme që dëshiron të hedhë hapin tjetër. Me normë interesi preferenciale 2-3%, afat shlyerjeje deri në 10 vite, apliko deri më 20 nëntor 2027”, thuhet në videon e publikuar nga Rama.

Krahas videos, kryeministri shkruan se Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” krijon mundësi të reja financimi për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, me normë interesi preferenciale dhe Garanci Sovrane. Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” është një instrument i ri financiar i Qeverisë Shqiptare, i krijuar për të lehtësuar aksesin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në financim dhe për të nxitur investimet në sektorët prioritarë të ekonomisë.

Kryeministri këndon refrenin e protestës: Rama jep dorëheqjen! Ky kor me ekzalton! Do ndaj reflektimin tim mbi ‘Bulevardin e Flamingove’, atë që ishte, tani ka vetëm sorra dhe korba

Kryeministri Edi Rama nuk mungoi edhe sot të sulmonte protestuesit, duke i cilësuar si “bulevardin e sorrave dhe korbave”.

Duke marrë shkas nga përgatitja e fjalimit të tij nga zyra përballë sheshit të protestës, që do e mbajë nesër në mbledhjen e grupit të PS dhe të Qeverisë, ai ndau një video-mesazh në rrjetin social me sfondin e thirrjes së mijëra qytetarëve për dorëheqjen e tij.

Kryeministri gjithashtu ka kënduar edhe refrenin e protestës: “Rama jepe dorëheqjen”, teksa në sfond ka edhe ekranin e kompjuterit të tij, ku dallon një pjesë e fjalimit, me nëntekst për ata votues të PS që i kanë dalë kundër.

“Përshëndetje, nuk e di a dëgjoni, kjo është kënga ime e preferuar. Jam duke shkruar fjalën për nesër, në mbledhjen e grupit Parlamentar dhe Qeverisë dhe desha të ndajë me ju këtë moment sepse është një kor që më ezalton; ‘Rama jepe dorëheqjen”. Shihemi nesër paradite, nuk e di orën e saktë, mbledhja fillon në 9.30, por ishte kënaqësi që të ndaja me të gjithë reflektimin tim mbi pasqyrën e bulevardit të flamingove. Ai që ishte, se ky që ka mbetur është i sorrave dhe korbave”, thotë kryeministri në videomesazh.

Kurse në tekst karshi postimit ai nënvizon se:

“Mirmroma ka Tirona e kontradiktave. Zhurm, zhurm, shumë shumë zhurmë. Përgatitje me audio live nga bulevardi. Kush ka interes nesër paradite do jem me ju”.

Ndërsa në ekranin e PC shkruhet:

“Ju që mbushët bulevardin dhe rrjetet sociale me protestën tuaj, nuk protestuar kundër Shqipërisë që ne ndërtuam gjatë tre mandateve tona. Dhe këtu po flas posaçërisht për ata jo të paktë që ishin votues, mbështetës apo edhe anëtarë të Partisë Socialiste; po flas edhe për ata që…”.

rama mesazhi

Përplasjet në Tiranë, media spanjolle: Kërkohet dorëheqja e Edi Ramës! Policia përdori gazit lotsjellës ndaj protestuesve

Përplasjet e regjistruara këtë të enjte para Parlamentit të Shqipërisë kanë tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare.

Media spanjolle raportojnë për tensionet mes policisë dhe protestuesve, të cilët kundërshtojnë ndërtimin në zonat e mbrojtura, në Zvërnec.

Sipas raportimit të medias spanjolle, protestat që nisën në muajin maj janë përshkallëzuar dhe këtë të enjte arritën në dyert e Parlamentit.

Siç thuhet në artikull, protestuesit kërkojnë jo vetëm ndalimin e projektit turistik në zonën e mbrojtur natyrore, por edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Artikulli i CADENA SER:

Zona përreth parlamentit të Shqipërisë ishte skena e përleshjeve të dhunshme këtë të enjte midis policisë dhe protestuesve që e kanë zhvendosur protestën e tyre kundër ndërtimit të një mega-resort të promovuar nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, në një zonë të mbrojtur.

Këto protesta filluan në maj, por janë përshkallëzuar deri në atë pikë sa kanë arritur sot para portës së parlamentit, ku po zhvillohej një debat i nxehtë në lidhje me këtë projekt të mbështetur nga qeveria.

Protestuesit kërkojnë jo vetëm pezullimin e projektit, i cili prek një zonë të mbrojtur natyrore plot me flamingo, por edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Rama vijon të mbështesë projektin, përmes të cilit synon forcimin e marrëdhënieve me administratën e Donald Trump, ndërsa Prokuroria e Posaçme (SPAK) po heton ligjshmërinë e ndryshimit të statusit të mbrojtjes së tokave ku është planifikuar ndërtimi i kompleksit turistik, ndryshim i cili u miratua nga Parlamenti në vitin 2024.

Gjatë debatit të zhvilluar këtë të enjte në Parlament, opozita kërkoi që policia të ndalojë përdorimin e gazit lotsjellës ndaj protestuesve. Ndërkohë, ministri i Brendshëm deklaroi se efektivët kanë autorizim për përdorimin e tij “për të neutralizuar personat e dhunshëm, ashtu siç bëhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në forcat policore të vendeve të Bashkimit Europian”.

“Po të isha si ti, do e kisha dhënë në vend jetën”, legjenda e futbollit shqiptar prezent në protestë: Rama burrë i poshtër, ia kalon edhe Ramiz Alisë dhe Enver Hoxhës

Në protestën e 54-të para kryeministrisë, ishte prezent edhe legjenda e njohur e futbollit shqiptar, Halit Gega. Gega, në fjalën e tij, u tregua i ashpër ndaj kryeministrit Rama, duke e cilësuar si një njeri të pabesë.

“Mirëmbrëma vëllezër dhe motra. Jam Halit Gega ish-futbollist, rebel qëkur kam lindur. Jam krenar për nga i kam rrënjët, jam prej Malësisë së Gjakovës. Ky është djali i Kristaq Ramës, nuk ka qënë burrë i keq Kristaq Rama.

Ky që është kryeministri është ditëlindja ’64. Ky është burrë i poshtër, po të isha si ky, do e kisha dhënë në vend jeten!
Ka kërkuar në 95 që të bëj azil në Gjermani. Unë jam shqiptar o i pabesë që ia kalon edhe Ramiz Alisë. Ti ja kalon edhe Enver Hoxhës. Jam shqiptar dhe vdes për Shqipërinë”.

Pamje të trishta/ E shqetësuar për djalin e mitur me aftësi ndryshe, nëna prek me fjalët: Na hodhën spraj (VIDEO)

rotesta para parlamenti është shoqëruar me tensione. Pas përplasjeve gjatë protestës, policia ka ndërhyrë me spraj me piper për të shpërndarë protestuesit. Por ajo që ka prekur edhe më shumë në protestë është një moment kur, i mituri me aftësi ndryshe dhe nëna e tij u prekën nga spraj me piper.

Siç shihet edhe nga pamjet , mes lotësh dhe e shqetësuar për djalin e saj me aftësi ndryshe, ajo thotë se është e trembur për djalin e saj.

“Dua të iki në shtëpi. Turp të kenë…Kam shqetësim për çunin i hodhën këto sprej syve”, ka thënë ajo.

Zjarri në Bregas dhe Shelegar ende jashtë kontrollit, banorët ndihmojnë zjarrfikësit

Zjarri vijon të jetë aktiv në zonat Bregas dhe Shelegar të Sarandës, ku banorë të fshatrave janë bashkuar me ekipet e shpëtimit në terren për të frenuar përhapjen e flakëve. Për shkak të terrenit të thyer dhe të vështirë, banorët po ndihmojnë edhe me mjete rrethanore në përpjekjet për izolimin e vatrave të zjarrit.

Gjatë ndërhyrjes, një zjarrfikës është lënduar në këmbë pasi ka rrëshqitur në terren, duke mbetur për disa momente pranë flakëve. Banorët e zonës i kanë ardhur menjëherë në ndihmë, duke njoftuar ambulancën dhe duke e transportuar nga zona e rrezikut deri te mjeti i urgjencës.

Ndërkohë, operacioni për shuarjen e zjarrit vijon. Në ndihmë të forcave në terren ka mbërritur edhe një helikopter, i cili po ndërhyn për neutralizimin e flakëve.

Incident në bregdetin e Vlorës, pushuesi goditet nga helika e një skafi, dyshohet se ka pësuar prerje në këmbë

Një pushues ka mbetur i lënduar pas një incidenti në det pasditen e sotme.

Sipas informacioneve paraprake, ai dyshohet se ka pësuar prerje të rëndë në këmbë nga helika e një skafi në Sazan.

I plagosuri është transportuar në spital, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit.

Përkeqësohet moti, Kapiteneria e Sarandës ndalon lundrimet e trageteve dhe mjeteve turistike: Mos dilni në det deri nesër

Kapiteneria e Sarandës ndalon të gjitha lundrimet për ditën e nesërme në portin e saj në bregdetin e jugut, për shkak të përkeqësimit të motit dhe fortunalit që pritet pas ndryshimit të temperaturave në rajonin ballkanik.

Me një njoftim zyrtar të ditës së sotme, bëhet me dije se për nesër do ndalohet lundrimi i trageteve dhe anijeve turistike si dhe atyre të peshkimit. “Për shkak të përkeqësimit të kushteve hidrometeorologjike dhe në interes të sigurisë së lundrimit, vendoset ndalimi i lundrimit për ditën e nesërme 24-07-2026 për të gjitha anijet turistike dhe anijet e peshkimit që ndodhen në zonat e Ksamilit, Sarandës dhe Borshit”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Më tej jepet këshillë për pronarët e mjeteve lundruese si dhe operatorët që ta respektojnë urdhrin deri në një njoftim të dytë nga autoritetet, për të shmangur rreziqet.

“Të gjithë pronarët, operatorët dhe kapitenët e mjeteve lundruese janë të detyruar të respektojnë këtë urdhër dhe të mos kryejnë lundrim deri në një njoftim të dytë nga autoritetet përkatëse”, sqarohet po aty. Deti parashikohet me dallgë të forta dhe të rrezikshme për ditën e nesërme.

LAJM I FUNDIT: NJË PERSON KA HUMBUR NDJENJAT GJATË PROTESTËS

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak më parë në protestën që po mbahet para Kuvendit të Shqipërisë.

Një qytetar është ndjerë keq, ndërsa ndihmën e parë e ka marrë nga një infermiere e cila ishte e pranishme në atë moment.

Mësohet se qytetari është rrëzuar vetë dhe është përplasur në tokë.

Qytetari është marrë nga ambulanca dhe është transportuar në spital për ndihmë mjekësore ndërsa në momentin që ka hipur në ambulancë shihet se nuk është i vetëdijshëm.

LAJM I FUNDIT: Dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 27-vjeçare me probleme të shëndetit mendore, në kërkim abuzuesi

Në Komisariatin e Policisë Lushnjë, është paraqitur bashkë me 2 familjarë të saj, një shtetase 27 vjeçe me probleme të shëndetit mendor, e cila ka kallëzuar në prani të psikologut, se më datë 22.07.2026, një shtetas kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të.

Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Policisë kryen veprimet hetimore dhe procedurale për rastin dhe në vijim shpallën në kërkim shtetasin S. M., 42 vjeç, banues në Lushnjë, i dyshuar për veprën penale “Marëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi D. Y., 32 vjeç, vëllai i 27-vjeçares, pasi gjatë kohës që motra e tij po kallëzonte në ambientet e Komisariatit, dyshohet se ka djegur me lëndë djegëse, automjetin e nënës së 42-vjeçarit, autorit të dyshuar.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit S. M. dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

PS hodhi poshtë kërkesën për shtyrjen e afatit të “Territoriales”, reagon Berisha në Parlament

Mazhoranca socialiste ka rrëzuar në Kuvend kërkesën për shtyrjen e afatit të punimeve për Reformën Territoriale, duke shkaktuar reagime të forta nga opozita.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar vendimin për rrëzimin e kërkesës së PD për shtyrjen e afatit të komisionit të Territotiales, si një “akt brutal” dhe ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po tenton ta përdorë reformën në funksion të interesave politike.

“PD iu përgjigj një kërkese të prerë të Komisionit Europian për angazhimin në komision parlamentar për Territorialen, si një nga kushtet e vendosura nga ky komision për progresin e Shqipërisë drejt BE-së. Gjithashtu ne përveç komisionit kemi pasur qindra kërkesa nga qytetarët që të merrnim pjesë në komision që të bënim avokatinë e interesave të tyre.
E bëmë këtë të bindur se Rama do të bënte gjithçka të përvetësonte reformën në dobi të interesave të tij mafioze e anti-shqiptare.
Vini sot me një raport që nuk është paraqitur në komision, ky është brutalitet dhe akt për të larguar pushtetin nga qytetarët.
Asnjë pushtues e regjim nuk e ka bërë këtë që bëni ju,. Kur patë se shqiptarët e hodhën poshtë me përçmim reformën, hodhët poshtë konsultat dhe sillni një raport të pa debatuar në komision”, tha ai.

Tabaku sfidë socialistëve: Qytetarët e kanë me ju, jeni arrogantë! Provoni të ikni njëri nga ju në protestë…

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në Kuvend pas protestës së qytetarëve jashtë Parlamentit, duke akuzuar mazhorancën për arrogancë dhe për mosdëgjim të zërit të qytetarëve.

Tabaku tha se është ndjerë keq teksa ka hyrë në godinën e Kuvendit, duke pretenduar se protestuesit janë përballur me dhunë nga policia. Duke iu referuar thirrjeve të protestuesve “Parlament i krimit!”, Tabaku tha se mesazhi i tyre nuk drejtohet ndaj opozitës, por ndaj mazhorancës. Ajo sfidoi deputetët socialistë që të përballen me qytetarët në protestë.

“U ndjeva keq të hyja në Kuvend, kur sheh që qytetarët që protestojnë e goditen nga policia, janë goditur me substance që I kanë sjellë dëmtime në trup.

Sot qytetarët thërrasin parlament i krimit dhe se kanë me ne por me ju. Ka ardhur krimi në Kuvend. Unë shkoj çdo natë në protestë dhe nuk më prek njeri me dorë, provoni një nga ju të shkoni atje. Sot qytetarët protestojnë edhe për arrogancën që keni sjellë, me arrogancën e kartonave.

Thirrje qeverisë të krijojë një grup pune për 4 ligjet që kemi sjellë”, tha ajo.

“Kuvendi të dënojë dhunën ndaj policisë”! Balla lëshon gjuhën ndaj opozitës: Jeni të përdhunuar nga protesta

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar që Kuvendi të dënojë dhunën ndaj punonjësve të policisë gjatë protestës jashtë Parlamentit, ndërsa ka sulmuar opozitën për qëndrimin e saj.

Balla hodhi akuza duke deklaruar se në protestë ka persona me lidhje, sipas tij, me Gardën e Iranit dhe se protesta po përdoret për akte dhune. Ai u shpreh se policia nuk duhet të përballet me dhunë gjatë ushtrimit të detyrës dhe kërkoi reagim nga drejtësia.

Duke iu drejtuar opozitës, Balla përdori tone të ashpra, duke thënë se ajo nuk është distancuar nga dhuna. Ai përfundoi duke kërkuar që Kuvendi të mbajë një qëndrim kundër dhunës ndaj uniformave blu. “Sekretari i Shtetit, Rubio, një javë më parë e theksoi shumë qartë që ka disa lëvizje të ekstremit që mund të rrezikojnë stabilitetin në Europë. Persona të identifikuar prej nesh me lidhje të qarta me gardën e Iranin, janë orkestrues të dhunës. Jeni të përdhunuar nga ajo protestë. Ne kurrsesi nuk do të tolerojmë të goditen punonjës të policisë së shtetit. Gjaku i punonjësve të policisë së shtetit, ka ngritur dorë kundër shtetit. Thirrja ime nuk është për policinë, pasi po bën detyrën e vët. Thirrja ime është për drejtësinë, për prokurorët dhe gjyqtarët, solidaritet me policinë e shtetit. Skam asnjë pritshmëri që kjo që ka mbetur nga PD, mos të distancohet nga dhuna. Ju mbeteni një grup i përdhunuar nga dhuna. Kuvendi duhet të dënojë ashpër dhunën kundër punonjësve të policisë.”, tha ai.

Deputetët në seancë plenare, protestuesit jashtë Kuvendit

Ndërsa deputetët vijojnë seancën plenare brenda Kuvendit të Shqipërisë, protestuesit jashtë godinës kanë vijuar thirrjet kundër klasës politike.

Nga turma janë dëgjuar edhe thirrje ndaj partive politike, mes tyre: “PD-PS, këllyshë komunistësh!”, duke shprehur pakënaqësi ndaj të dy forcave kryesore politike në vend.

Protesta para Kuvendit vijon nën masa të forta sigurie, pas tensioneve të shënuara më herët mes qytetarëve dhe forcave të policisë.

 

Protesta para Kuvendit shoqërohet me tensione, policia ndërhyn dhe shoqëron një qytetar

Tensionet kanë vijuar gjatë protestës para Kuvendit, ku qytetarët janë përplasur me kordonin e sigurisë të vendosur nga Policia e Shtetit. Gjatë tubimit, një qytetar është shoqëruar nga efektivët e policisë, ndërsa ende nuk dihen rrethanat e plota të ndërhyrjes.

Protestuesit kanë rrethuar godinën e Parlamentit, duke vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në terren vijojnë të jenë forca të shumta policie dhe efektivë të FNSH-së, ndërsa zona përreth Kuvendit është blinduar me barriera metalike dhe perimetër të zgjeruar sigurie.

Protestuesit rrethojnë godinën/ Deputetët e PD mbërrijnë në Kuvend, Berisha: Të shkrihet Parlamenti

Protesta para Kuvendit ka vijuar me tensione, ndërsa qytetarët kanë rrethuar godinën e Parlamentit duke kërkuar ndryshime politike dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.Në të njëjtën kohë, deputetët e Partisë Demokratike kanë mbërritur në Kuvend për të marrë pjesë në seancën plenare. Ndërkohë, kreu i PD-së, Sali Berisha, ka kërkuar shpërndarjen e Parlamentit.

Berisha deklaroi se sipas tij, vendimi i vetëm që mund të marrë Kuvendi është vetëshpërndarja.

“Parlamenti mblidhet në rrethim!
I vetmi akt i përgjegjshëm i tij është të deklarojë fundin e tij, shkrirjen e tij dhe hapjen rrugë për zgjedhjen që kërkojnë mbarë rinia dhe qytetarët shqiptarë.
Çdo akt tjetër është fund e krye i pavlerë.
Ndaj dhe ne kërkojmë sot vetëshpalljen, shkrirjen e këtij parlamenti.
Ky është, them edhe njëherë, i vetmi vendim i drejtë që parlamenti mund të marrë sot.,” u shpreh Berisha.

Ndërkohë, jashtë godinës vijon protesta e qytetarëve, ndërsa Policia e Shtetit ka vendosur masa të forta sigurie, me gardhe metalike dhe forca të shumta policore e të FNSH-së në gatishmëri.

Qytetarët në protestë, tensione në hyrje të Kuvendit/ U përjashtua nga Byroja, Agron Shehaj tenton të hyjë në sallën e seancave

Kreu i Partisë Mundësia, Agrion Shehaj, i cili është i përjashtuar nga punimet e Kuvendit, ka tentuar të hyjë në Parlament. Shehaj është ndaluar që të hyjë nga punonjësit e Gardës.

“Si i ndaloni deputetët të hyjnë. Hiqi duart do të mbani përgjegjësi. Më tregoni mua urdhrin, vendimin. Mos më shty” tha ai.

Shehaj pretendon se është shlyer përjashtimi i tij nga punimet e Kuvendit, ndëshkim prej 30 ditësh i vendosur më 22 qershor nga Byroja.

 

Tensione para Kuvendit! Protestuesit godasin me vezë makinën e Iris Luarasit

Ka nisur mbërritja e deputetëve të parë në Kuvend, ku edhe do të mbahet seanca e fundit për këtë sesion parlamentar.

Protestuesit kanë goditur me vezë një makinë zyrtare që i përket deputetes socialiste Iris Luarasi.

Kuvendi është i rrethuar me protestues të cilët kërkojnë për të 54-tën ditë me radhë dorëheqjen e kryeministrit EDI Rama dhe largimin e qeverisë.

 

 

Pamje të rënda! I riu i larë në gjak, transportohet me urgjencë drejt ambulancës

Një incident i rëndë është regjistruar gjatë protestës para Kuvendit, ku një i ri, që në kokë ka dhe një flamur kuq e zi është parë i mbuluar në gjak dhe është transportuar me urgjencë drejt ambulancës për të marrë ndihmën mjekësore.

Në momentin që është nxjerrë nga turma, i riu u ka bërë thirrje protestuesve që të mos tërhiqen, duke përcjellë mesazhin: “Mos u dorëzoni!”. Ndërkohë, policia ka hedhur në drejtim të protestuesve ujë me piper dhe gaz lotsjellës, duke sjellë probleme me frymëmarrjen te shumë qytetarë.

Situata para Kuvendit vijon të mbetet e tensionuar, me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa në terren janë angazhuar edhe ekipet e emergjencës.

❌