Reading view

Kriza e memories, Apple akuzohet se kontribuoi në rritjen e çmimeve

Apple po përballet me kritika se strategjia agresive e kompanisë në negociatat me furnitorët mund të ketë kontribuar në krizën globale të memories, që po rrit çmimet e kompjuterëve, telefonave dhe pajisjeve të tjera elektronike.

Pretendimi vjen nga Micron, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të çipave të memories, i cili la të kuptohet se presioni i vazhdueshëm i disa klientëve të mëdhenj për uljen e çmimeve gjatë viteve të kaluara, pengoi investimet në kapacitete të reja prodhimi.

Sipas drejtuesit të biznesit të Micron, Sumit Sadana, gjatë krizës së vitit 2023, disa klientë kërkonin vazhdimisht çmime më të ulëta, edhe kur fitimet e prodhuesve kishin rënë ndjeshëm.

Kjo bëri që shumë investime për zgjerimin e fabrikave të shtyheshin ose të anuloheshin. Edhe pse Apple nuk u përmend me emër, kompania njihet për aftësinë e saj për të negociuar kontrata shumë të favorshme me furnitorët dhe konsiderohet si një nga klientët më të mëdhenj të Micron.

Ironikisht, sot Apple është një nga kompanitë më të goditura nga kjo situatë.

Pak ditë më parë, rriti çmimet e disa modeleve të MacBook dhe iPad, duke argumentuar se kostoja e çipave të memories është rritur në nivele të paprecedenta si pasojë e kërkesës së madhe nga qendrat e të dhënave që mbështesin Inteligjencën Artificiale.

Drejtori ekzekutiv, Tim Cook e ka cilësuar situatën si “të paqëndrueshme”, duke thënë se kompania nuk mund të vazhdojë më t’i përthithë vetë këto kosto.

Sot, prodhuesit e memories po i japin përparësi çipave me performancë të lartë për serverët e AI, që janë shumë më fitimprurës se memoria për telefonat dhe kompjuterët.

Si rezultat, oferta për tregun e elektronikës së konsumit është tkurrur, ndërsa çmimet e RAM-it dhe memories NAND janë rritur ndjeshëm.

Kjo ka detyruar jo vetëm Apple-in, por edhe kompani si Microsoft, Dell, HP dhe Lenovo të rrisin çmimet ose të ofrojnë pajisje me më pak memorie në konfigurimet bazë.

Megjithëse nuk ka prova që Apple është shkaku kryesor i krizës, komentet e Micron tregojnë se politikat agresive të blerjes të disa gjigantëve të teknologjisë mund të kenë ndikuar në uljen e investimeve në industri.

Tani, ndërsa kërkesa për çipa të AI po arrin nivele rekord, e gjithë industria po paguan çmimin e mungesës së kapaciteteve prodhuese.

  •  

I dënuar me 6 vjet burg për narkotikë/ Arrestohet në Durrës 50-vjeçari, pritet ekstradimi në Itali

Kapet në Durrës dhe ndalohet me qëllim ekstradimi një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dënuar me 6 vjet burgim për trafikim të narkotikëve.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet operacionale të Sektorit për Kërkimin FAST Albania, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, si rezultat i veprimeve të mirëorganizuara policore, bënë të mundur lokalizimin, identifikimin dhe ndalimin, me qëllim ekstradimin, të shtetasit Gentian Lika, 50 vjeç, lindur në Kavajë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Romës, Itali, me vendim të muajit mars 2025, e ka dënuar me 6 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë.

 

  •  

Rreth 10 mijë të vdekur nga temperaturat ekstreme në Gjermani

Gati 10.000 vetë kanë vdekur deri tani në Gjermani si pasojë e temperaturave të larta. Sipas vlerësimeve të Institutit Robert Koch kjo shifër kalon edhe numrin më të madh të vdekjeve të regjistruara për të gjithë vitin që nga viti 2016. Nga fillimi i prillit deri më 19 korrik 2026 janë regjistruar 9.800 vdekje të lidhura me të nxehtin. Shifra më e lartë vjetore e dekadës së fundit ishte rreth 9.000 vdekje në vitin 2018.

Shifra përfundimtare për verën mund të rritet edhe më tej, pasi vlerësimi aktual nuk përfshin periudhën e motit të nxehtë pas 19 korrikut dhe do të rishikohet kur të jenë në dispozicion të dhëna më të plota mbi vdekshmërinë.

Çfarë tregojnë shifrat e vdekshmërisë

Më shumë se 5.000 nga vdekjet e këtij viti lidhen mevalën intensive të të nxehtit në gjysmën e dytë të qershorit, kur temperaturat në disa zona iu afruan 42 gradë Celsius.

Shërbimi klimatik i Bashkimit Evropian, Copernicus, njoftoi se qershori i vitit 2026 ishte qershori më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Evropën Perëndimore.

Zyra Federale e Statistikave raportoi se numri i vdekjeve të regjistruara në Gjermani gjatë javës 22 deri më 28 qershor ishte 32% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Më të prekura moshat e vjetra

Instituti Robert Koch ia atribuon të paktën 5.100 vdekje të kësaj periudhe temperaturave të larta dhe thotë se personat e moshës 75 vjeç e lart përbënin pothuajse 7.900 të vdekjeve.

Temperaturat e larta rrallë regjistrohen si shkak i drejtpërdrejtë i vdekjes, përveç rasteve kur një person humb jetën nga gjendje të tilla si goditje nga nxehtësia.

Në shumicën e rasteve temperaturat e larta përkeqësojnë sëmundjet ekzistuese kardiovaskulare, ato të frymëmarrjes ose të veshkave. Për këtë arsye nxehtësia shpesh nuk figuron në certifikatat e vdekjes dhe konsiderohet si “shkak i heshtur i vdekjes”.

  •  

Procedohen penalisht 8 të mitur për plagosjen e një 20-vjeçari italian në Tiranë

Tetë të mitur, të moshës 13 deri në 15 vjeç, janë identifikuar, shoqëruar dhe proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi dyshohen se janë përfshirë në konfliktin gjatë të cilit mbeti i plagosur lehtë një shtetas italian, 20 vjeç.

Ngjarja ndodhi më 29 korrik 2026, pranë Pallatit të Kulturës në Tiranë.

Sipas Policisë, specialistët e Komisariatit Nr. 1, pas veprimeve të shpejta hetimore të kryera menjëherë pas konfliktit, arritën të identifikojnë dhe procedojnë tetë të miturit e dyshuar si të përfshirë në ngjarje.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar që kanë marrë pjesë në konflikt, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

  •  

Kriza në Ceuta, Meloni kërkon që BE të financojë qendrat e riatdhesimit sipas modelit në Shqipëri

Qendrat migratore në Gjadër dhe Shëngjin janë marrë si referencë nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni për menaxhimin e valës masive të emigrantëve që preku enklavën spanjolle Ceuta gjatë ditëve të fundit.

Këtë propozim Italia do ta parashtrojë në mbledhjen e ministrave të Brendshëm të BE-së që pritet të mbahet ditën e martë, raportojnë mediat italiane. Kësaj radhe, këto qendra riatdhesimi nuk do t’i rëndojnë ekonomisë italiane, por plani parashikon që pjesa më e madhe e kostove të mbulohet nga Bashkimi Evropian.

Qendrat e riatdhesimit të ngritura në Shqipëri, janë pjesë e një marrëveshje të nënshkruar nga dy qeveritë me qëllim strehimin e emigrantëve të paligjshëm që do ta kapeshin në ujërat ndërkombëtare. Prej shumë kohësh këto qendra kanë qëndruar bosh, për shkak të problemeve që zbatimi i kësaj marrëveshje ka hasur pas disa bllokimeve nga gjykatat italiane.

Qeveria italiane është e bindur se ka shumicën mbështetëse për këtë ide. Si provë përmendet letra e firmosur dje nga 22 krerë shtetesh dhe qeverish të BE-së, e promovuar nga Meloni. Sipas kryeministres italiane, “pamjet nga Ceuta treguan sa urgjente është një përgjigje europiane”. Ndërsa letra e 22 vendeve është, sipas saj, “sinjali” se linja italiane po mbështetet nga një numër gjithnjë e më i madh shtetesh.

Ceuta u përball me një valë masive emigrantësh, ku flitet për rreth 50.000 emigrantë kryesisht nga Maroku, që arritën të kalonin kufijtë. Disa vende të Be u rreshtuan krah kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez ndërsa pati dhe nga ata që mbajtën qëndrim kritik për mënyrën e menaxhimit të situatës. I tillë ishte dhe qëndrimi i Francës dhe Italisë. Kjo e fundit kërkoi mbylljen e përkohshme të zonës Shengen për Spanjën duke e konsideruar këtë valë, si një kërcënim për sigurinë kombëtare.

  •  

Harrojeni çfarë keni ditur deri më tani! Coca-Cola e paska origjinën nga…

Një dokument i shekullit XIX i zbuluar në arkivat e manastirit San Marco në Firence ka rikthyer debatin mbi origjinën e mundshme të një prej pijeve më të famshme në botë, Coca-Cola-s.

Sipas dokumentit, bëhet fjalë për një recetë të një eliksiri vere me veti rigjeneruese, i përgatitur me gjethe koka, arra kola dhe verë.

Përbërësit e kësaj recete ngjajnë në mënyrë të habitshme me ata që përdori farmacisti amerikan John Pemberton në vitin 1886, kur krijoi pijen që më vonë do të bëhej Coca-Cola.

Ndryshimi kryesor ishte se Pemberton zëvendësoi verën me ujë të gazuar, duke krijuar një pije freskuese pa përmbajtje alkooli, e cila u shndërrua në një fenomen global.

Historikisht, krijimi i Coca-Cola-s i atribuohet Pembertonit, i cili e përgatiti formulën e parë në Atlanta të Shteteve të Bashkuara në fund të shekullit XIX.

Megjithatë, zbulimi i dokumentit në Firence ka ngritur pyetje nëse ideja për kombinimin e gjetheve të kokës dhe arrave kola mund të ketë ekzistuar më herët në Evropë.

Ekspertët theksojnë se ngjashmëria mes recetave nuk është dëshmi përfundimtare se Pemberton u ndikua drejtpërdrejt nga dokumenti italian, por ajo ofron një perspektivë interesante mbi historinë e përbërësve që u bënë pjesë e një prej markave më të njohura në botë.

  •  

Jo më vetëm si kukulla, tani Labubu edhe si ëmbëlsirë!

Pop Mart, kompania kineze e njohur për lodrat koleksionuese Labubu, ka hapur në Singapor furrën e saj të parë jashtë Kinës, duke i kthyer personazhet më të njohura në ëmbëlsira dhe pije me pamje tridimensionale. Lokali dykatësh ndodhet pranë Universal Studios Singapore dhe ofron 45 produkte të frymëzuara nga figurat e kompanisë.

Në menu përfshihen akullore Labubu me susam të zi, ëmbëlsira me personazhin Molly dhe produkte të tjera që kushtojnë nga 5 deri në 32 dollarë të Singaporit. Furra në Singapor është hapi i parë i një zgjerimi më të madh.

Drejtuesit e Pop Mart thanë se po shqyrtojnë hapjen e pikave të ngjashme në Tajlandë, Indonezi dhe Malajzi, ndërsa në të ardhmen synohen edhe Evropa dhe Shtetet e Bashkuara. Kompania duhet të përshtatë furnizimin dhe prodhimin me tregjet lokale para se të zgjerohet më tej.

Koncepti u testua fillimisht në Kinë përmes më shumë se 30 pikave të përkohshme me ëmbëlsira, ndërsa furra e parë e përhershme u hap në qytetin Qinhuangdao në prill. Sipas Pop Mart, ideja është që personazhet të mos përdoren vetëm si zbukurim mbi torta, por të rikrijohen plotësisht si produkte ushqimore.

Lëvizja është pjesë e përpjekjes së kompanisë për ta shndërruar popullaritetin viral të Labubu në një markë afatgjatë argëtimi. Pop Mart ka njoftuar gjithashtu një projekt filmi me Sony Pictures dhe ka zgjeruar parkun e vet tematik në Pekin, duke ndjekur një model më të gjerë të ngjashëm me kompanitë globale të personazheve.

  •  

Tragjedi në Peru/ Rrëzohet avioni turistik, humbin jetën 13 persona

Një avion turistik që transportonte vizitorë europianë për të parë nga ajri Vijat e famshme të Nazca-s u rrëzua të shtunën në një fushë pranë qytetit Nazca, në Peru, duke shkaktuar vdekjen e të 13 personave që ndodheshin në bord.

Sipas autoriteteve vendase, avioni ishte nisur nga qyteti i afërt i Ikës dhe operohej nga kompania peruane Aerodiana, e cila prej 14 vitesh organizon fluturime panoramike mbi Vijat e Nazca-s me avionë të tipit Cessna Grand Caravan.

Vijat e Nazca-s janë një kompleks gjeoglifesh të krijuara qindra vite më parë nga popullsitë indigjene të Perusë. Ato përfaqësojnë figura kafshësh dhe formash gjeometrike të gdhendura në shkretëtirë, të cilat mund të shihen plotësisht vetëm nga ajri ose nga kulla të posaçme vëzhgimi.

Ministria peruane e Transportit bëri të ditur se mes viktimave janë shtatë italianë, të moshës nga 18 deri në 54 vjeç, dy spanjollë, të dy 52 vjeç, si dhe dy gjermanë, 77 dhe 78 vjeç. Viktima mbetën gjithashtu piloti Américo Salazar dhe bashkëpilotja Irenka Guanilo del Carpio.

Presidentja e Perusë, Keiko Fujimori, shprehu ngushëllimet për tragjedinë dhe njoftoi se po shqyrtohet pezullimi i përkohshëm i aktivitetit në aeroportin e Nazca-s, vendim që do të merret pas raportimeve të ministrive përgjegjëse.

Autoritetet peruane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, ndërsa kompania Aerodiana nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar.

  •  

Tre të vdekur dhe 15 të plagosur nga një shpërthim pranë një lokali në Moskë

Një shpërthim pranë një lokali në sheshin Kudrinskaya, në qendër të Moskës, ka shkaktuar tre viktima dhe 15 të plagosur, këtë të shtunë, 1 gusht 2026.

“Efektivët e Drejtorisë së Përgjithshme të Ministrisë së Brendshme të Rusisë për Moskën po punojnë në vendngjarje, pranë ndërtesës nr. 1 në sheshin Kudrinskaya. Sipas informacioneve paraprake, sot rreth orës 20:10, pranë një lokali në ambient të hapur ka ndodhur një shpërthim, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën tre persona dhe janë plagosur 15 të tjerë me shkallë të ndryshme rëndese”, tha zyra e shtypit e autoriteteve, pa dhënë detaje mbi shkaqet e shpërthimit.

Një grup hetimor i Drejtorisë së Përgjithshme të Ministrisë së Brendshme ruse, së bashku me shërbimet e emergjencës së kryeqytetit, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave.

“Personat e prekur nga shpërthimi në restorantin në Moskë po marrin të gjithë ndihmën e nevojshme mjekësore”, deklaroi Alexei Kuznetsov, përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë së Rusisë.

  •  

Italia në alarm të kuq, 25 qytete përballen me temperatura ekstreme

Italia po vendos pothuajse të gjitha qytetet e saj kryesore nën alarm të kuq për shkak të temperaturave ekstreme.

Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se 19 qytete nga veriu në jug, përfshirë Romën, Milanon, Venecian dhe Napolin, janë tashmë në nivelin më të lartë të alarmit. Deri të hënën, pothuajse të gjitha qytetet kryesore të vendit pritet të jenë në të njëjtin nivel rreziku.

Temperaturat arritën të shtunën në rreth 35 gradë Celsius në shumë zona, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se rreziku prek jo vetëm grupet më të ndjeshme, si të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe personat me sëmundje kronike, por edhe njerëzit e shëndetshëm dhe aktivë.

Sipas buletinit të fundit të Ministrisë italiane të Shëndetësisë, të publikuar të shtunën, deri të hënën rreth 25 nga 27 qytetet kryesore të vendit do të jenë në alarm të kuq.

Vetëm dy qytete pritet të mbeten në nivelin e dytë më të lartë, alarm portokalli: Reggio Calabria, në skajin jugor të gadishullit italian, dhe Messina, në ishullin e Sicilisë.

Ministria u ka bërë thirrje banorëve në zonat e prekura që të shmangin ekspozimin ndaj nxehtësisë dhe rrezet e drejtpërdrejta të diellit gjatë orëve më të nxehta, nga 11:00 deri në 18:00, të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të konsumojnë shumë lëngje.

Temperaturat ekstreme po shkaktohen nga një anticiklon subtropikal me origjinë nga Afrika e Veriut, i cili po forcohet mbi Detin Mesdhe.

Ndërkohë, zjarrfikësit në Greqi, Francë, Portugali dhe Spanjë vazhdojnë të luftojnë me zjarre që kanë përfshirë mijëra hektarë tokë.

Në Francë, rreth 2 mijë e 500 persona u evakuuan të premten në mbrëmje, 31 korrik, në rajonin juglindor të Varit, pasi një zjarr që ishte vënë nën kontroll për disa ditë u riaktivizua, sipas autoriteteve lokale.

Ndërkohë, një zjarr i madh në rajonin jugperëndimor të Gironde është vënë nën kontroll dhe rreth 200 mijë banorë të evakuuar kanë mundur të kthehen në shtëpitë e tyre.

Në Greqi, qindra persona, kryesisht turistë, janë evakuuar me anije nga një qytet bregdetar në Beoti, i rrethuar nga një prej shumë vatrave të zjarrit që kanë përfshirë vendin.

Në Spanjë, më shumë se 200 mijë hektarë tokë janë djegur gjatë vitit 2026, rreth pesë herë më shumë se mesatarja për këtë periudhë të vitit, ndërsa edhe në Portugali sipërfaqet e djegura janë mbi nivelet normale, sipas të dhënave të Bashkimit Evropian.

Ndryshimet klimatike po rrisin temperaturat në mbarë botën. Sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të Copernicus, Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt, me një ritëm rreth dy herë më të lartë se mesatarja globale. Kjo po sjell më shumë valë të nxehti gjatë verës, presion më të madh mbi burimet ujore të Evropës dhe zjarre më të shpeshta e më intensive.

  •  

Horoskopi, 2 gusht 2026

DASHI

Kjo verë është në kulmin e saj dhe sjell një jetë dashurie më të pasur dhe stimuluese, edhe pse nuk do të mungojnë konfliktet në familje dhe tensionet në punë. Marrëdhëniet me Binjakët dhe Ujorin janë të favorizuara.

DEMI

Kjo periudhë kërkon durim dhe kujdes. Ndiheni nën presion nga angazhimet dhe pritjet e paplotësuara. Gjeni kohë për të pushuar dhe për të rikuperuar energjitë.

BINJAKËT

Dëshira për të udhëtuar dhe për të njohur njerëz të rinj është e fortë, sidomos nëse jeni në kërkim të shpirtit binjak. Një njohje e lindur gjatë verës mund të kthehet në diçka shumë më serioze.

GAFORRJA

Vëmendja juaj është e përqendruar te objektivat profesionale. Mbështetja dhe vlerësimi i një miku do t’ju japin më shumë besim në veten dhe punën tuaj.

LUANI

Dielli rrit karizmën dhe vendosmërinë tuaj. Në punë do të keni mundësi të mira për të treguar aftësitë dhe talentin tuaj.

VIRGJËRESHA

Venusi favorizon jetën sentimentale. Kushtojini më shumë kohë partnerit dhe njerëzve të dashur, duke shmangur aktivitetet që ju marrin energji pa rezultat.

PESHORJA

Hëna e plotë sjell vetëbesim dhe energji të re. Marsi rrit sharmin dhe zgjuarsinë tuaj. Lidhje të veçanta mund të krijohen me Demin dhe Ujorin.

AKREPI

Angazhimet dhe stresi mund t’ju lodhin më shumë se zakonisht. Kjo e diel është ideale për të pushuar dhe për t’u përgatitur për javën që vjen.

SHIGJETARI

Jeni të vendosur të arrini objektivat tuaja, por në marrëdhëniet personale mund të lindin keqkuptime. Tregohuni më të kujdesshëm në komunikim.

BRICJAPI

Tensionet e ditëve të fundit po zbuten. Venusi favorizon jetën në çift, ndërsa fizikisht keni nevojë për më shumë pushim dhe relaks.

UJORI

Dëgjoni më shumë këshillat e njerëzve që ju rrethojnë. Kujdesuni për ushqimin dhe shmangni mbingarkesën me angazhime.

PESHQIT

Yjet ju ftojnë të jetoni më shumë të tashmen dhe të mos shqetësoheni për të ardhmen. Kreativiteti dhe intuita janë pikat tuaja më të forta, veçanërisht nëse merreni me profesione krijuese.

  •  

Parashikimi i motit, 2 gusht 2026

Valët e të nxehtit afrikan që kanë përfshirë vendin tonë do të vijojnë ndikimin e tyre edhe gjatë ditës së diel, duke sjellë mot të kthjellët, si edhe rritje të ndjeshme të temperaturave të ajrit, ku anomalia më e theksuar pritet të jetë në orët e mesditës, me rreth 10°C mbi vlerat normale klimatike të muajit gusht.

Sipas MeteoAlb, për sa i përket orëve të pasdites, priten kalime të lehta të vranësirave në të gjithë zonën malore përgjatë shtrirjes lindje–juglindje; megjithatë, nuk do të ketë reshje.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të lehtë, duke luhatur vlerat ditore nga 17°C, temperatura më e ulët, deri në 40°C, vlera më e lartë në rang vendi.

Era do të fryjë mesatare, duke arritur shpejtësinë 35 km/h nga drejtimi kryesisht perëndimor. Kjo do të bëjë që në brigjet detare të krijohet dallgëzim 2 ballë.  / abcnews.al /

  •  

Dënimi pa vendim

Akuza më e lehtë e kapitullit të prokurimeve po mban dosjen më të rëndë në godinën e SPAK-ut. Një lexim ligjor i çështjes Balluku.

Renada Bici*

Belinda Balluku ishte thirrur në Prokurorinë e Posaçme të premten, në orën dhjetë të mëngjesit; u paraqit në dy të pasdites, e shoqëruar nga avokati, duke kaluar mes grumbullit të vogël në Rrugën “Jordan Misja”, të cilin policia ishte përpjekur më kot ta shpërndante — të qëndruarit në trotuar nuk është bërë ende vepër penale. Kamerave nuk u tha asgjë; kur doli, ishte e pandehur edhe për gjashtë tendera të tjerë. Më pas prokuroria lëshoi një njoftim ku shpjegonte përse ishte thirrur: për t’iu njoftuar akuza, për t’u marrë në pyetje rreth saj, për t’iu komunikuar akte të tjera procedurale. Te ajo se çfarë është akuza, njoftimi nuk u ndal; nuk u ndal as mbulimi mediatik. Dhe pikërisht aty duhej ndalur, sepse në këtë dosje akuza është pothuajse gjithçka.

Të tetë procedurat që i ngarkohen tashmë ish-zëvendëskryeministres — tuneli i Llogarasë dhe shtatë lotet e Unazës së Madhe të Tiranës — mbështeten në një nen të vetëm të Kodit Penal. Neni 258 dënon personin e ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik që vepron në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët. Lexojini elementet ngadalë, sepse veprën e përkufizon ajo që u mungon. Nuk kërkohet përfitim. Nuk kërkohet marrëveshje me ofertuesin e favorizuar. Dhe i vetmi qëllim që teksti njeh është avantazhi i të tretit — jo dobia e zyrtarit, jo shpërblimi i tij, jo ndonjë interes i tij vetjak. Vepra konsumohet në çastin kur rregullat e procedurës përkulen në favor të dikujt, kushdo qofshin përfituesit dhe çfarëdo të ketë pritur zyrtari të nxirrte prej saj. Tavani i dënimit është tre vjet burgim, çka e lë në dyshemenë e kapitullit të prokurimeve dhe brenda atij brezi që gjykatat tona, sipas një praktike të dokumentuar, e zgjidhin me pezullim ekzekutimi dhe punë në interes publik. E thonë vetë vendimet e gjykatave antikorrupsion, nga zyrtarët e bashkisë së Divjakës te të pandehurit e Autoritetit Rrugor: një vit, i zbritur në tetë muaj, me pezullim ekzekutimi, njëqind e njëzet orë punë në interes publik.

Të shënojmë tani çfarë nuk gjendet në dosje. Nuk gjendet asnjë akuzë korrupsioni. Nuk gjendet asnjë akuzë pastrimi parash. I vetmi pretendim korrupsioni që i lidhet Belinda Ballukut banon në një linjë hetimore më vete, dhe adresa e asaj linje thotë shumë. Ajo nuk prek ministrinë, as gjashtëqind milionë eurot e rrugëve të saj; prek dy tendera nga vitet kur ajo drejtonte Albcontrol-in — një detyrë tjetër, në një dekadë tjetër — ku një vilë në Dhërmi rri e sekuestruar dhe ku ajo hetohet, por nuk akuzohet. Një ndjekje penale udhëton zakonisht nga vepra drejt atij që e ka kryer. Dosja jonë nuk e zbulon radhën e qëllimeve të askujt, por radhën e rezultateve e zbulon, dhe ajo radhë ecën së prapthi. Hetimi mbërriti te projektet flamurtare të zëvendëskryeministres dhe prej andej nxori një vepër procedurale me tavan trevjeçar; që të nxirrte një pretendim korrupsioni, iu desh të dilte nga ministria, të dilte nga dekada dhe të kthehej pas, te një ndërmarrje shtetërore që ajo e kishte drejtuar dikur. Kjo është anatomia e një hetimi që nis me të pandehurin dhe ende i kërkon veprën. Në dosjen që prodhoi thirrjen e së premtes — asaj i ka caktuar kreu i SPAK-ut dy prokurorë e nëntë hetues, dhe atë e quan prioritetin më të lartë të institucionit — shteti nuk pretendon se Belinda Balluku ka marrë gjë. Pretendon se procedurat nuk kanë qenë të barabarta.

Vendoseni tani këtë akuzë përballë rendeve juridike ku Shqipëria kërkon të anëtarësohet, dhe ajo ndërron natyrë. Evropa kontinentale, në rrjedhën e saj kryesore, shkeljen e barazisë në prokurime nuk e trajton si krim, por si paligjshmëri administrative: e mbikëqyrin dhomat e shqyrtimit dhe gjykatat administrative, ndreqet me anulimin e kontratës, me përjashtimin e zyrtarit, me gjoba për autoritetin kontraktor dhe me shpërblim dëmi për ofertuesin humbës. Gjermania ofertuesin e cenuar e dërgon te dhomat e prokurimit; e drejta e saj penale hyn në lojë vetëm për marrëveshjet e fshehta mes ofertuesve ose për ryshfet të mirëfilltë dhe shpërdorim besimi. Sa për dy përjashtimet që citohen më shpesh, dekadën e fundit e kanë kaluar duke u tërhequr nga tekstet e veta. Favoritisme-i francez, i afërmi më i ngushtë i nenit tonë 258, ka qenë objekt rekomandimesh zyrtare të njëpasnjëshme që kërkojnë ta ngushtojnë vetëm te shkeljet e vetëdijshme dhe të rënda — pikërisht sepse kriminalizonte sjellje që e drejta administrative i mbikëqyrte tashmë. Italia shkoi më tej: në 2024 e shfuqizoi abuso d’ufficio me gjithsej, me arsyetimin se një vepër e gjerë shpërdorimi detyre, me kërkesë të lehtë qëllimi, ishte kthyer në mjet për ta qeverisur administratën përmes frikës nga dosja. Komisioni Europian e kundërshtoi me shkrim atë reformë, i shqetësuar se dekriminalizimi po e dobësonte kuadrin antikorrupsion të një shteti themelues.

Këto dy fakte nuk rrinë rehat pranë njëri-tjetrit, dhe kjo parehati duhet thënë me emër, pa teatër. Kur Roma heq nga kodi i vet një vepër me qëllim të lehtë, Brukseli proteston; kur Tirana mbi një vepër të tillë ngre ndjekjen e saj penale më të madhe, Brukseli e lexon si shtet të së drejtës në punë e sipër. Argumenti më i fortë që ka në dorë prokuroria i pajton kështu: Shqipëria e kriminalizoi atë që Gjermania e administron, sepse zbatimit administrativ këtu nuk iu lejua kurrë të funksiononte. Organet e shqyrtimit ishin sa për dekor, dhe hartuesit e viteve nëntëdhjetë i anashkaluan për të mbërritur te prokurori, sepse s’kishte te kush tjetër të mbërrihej. Ky argument është i vërtetë. Por është argument për kapacitetin institucional, jo për veprën: shpjegon përse neni 258 ekziston; nuk shpjegon përse pikërisht ai, dhe jo nenet e korrupsionit që i rrinë sipër, duhet të mbajë angazhimin institucional më të rëndë në godinën e SPAK-ut.

Dhe ky pranim duhet mundur, jo thjesht plagosur. Një vepër e krijuar si zëvendësuese trashëgon përmasat e asaj që zëvendëson. Nëse neni 258 ekziston sepse dhomat e prokurimit nuk ekzistonin, atëherë ekziston për të dhënë me mjete penale atë që një dhomë funksionale do ta jepte me mjete administrative: anulimin e një kontrate të manipuluar, largimin e një zyrtari të komprometuar, një pasojë të matur me procedurën. Asgjë në këtë arsyetim nuk e shndërron zëvendësuesin e shqyrtimit administrativ në autorizim për tërë aparatin shtrëngues të procedurës penale, të drejtuar kundër një personi. Dobësia e njërit institucion nuk ia zgjeron tjetrit kufijtë e proporcionalitetit; në mos, ia ngushton, sepse prokurori që kryen punën e një organi shqyrtimi i detyrohet publikut vetëpërmbajtjen e një organi shqyrtimi — përndryshe nuk po zëvendëson institucionin që mungon, po vë në vend të tij diçka që hartuesit s’e patën menduar kurrë. Ky arsyetim, veç kësaj, ka edhe afat, dhe afati ka skaduar. Dekorin e viteve nëntëdhjetë e kanë pasuar një Komision i Prokurimit Publik, gjykatat administrative, një proces anëtarësimi, kapitulli i prokurimeve i të cilit kërkon pikërisht mjete administrative që funksionojnë. Një justifikim i huazuar nga një peizazh institucional që s’ekziston më nuk mund të mbajë mbi supe ndjekjen penale më intensive në atë që ekziston. Dhe rrethi mbyllet keq: çdo vit që prokurori bën punën e organit të shqyrtimit është një vit që Republika e ndien veten të shfajësuar nga detyrimi për ta ndërtuar atë organ.

Vijën, ndërkohë, kanë nisur ta heqin vetë gjykatat shqiptare. Në dosjen e tenderit prej nëntëmbëdhjetë milionë eurosh për tunelin e Skërficës, në rrugën Kardhiq–Delvinë, gjykata e posaçme e shkallës së parë i shpalli korrikun e kaluar të pafajshëm disa zyrtarë të Autoritetit Rrugor mbi atë bazë që kodi i procedurës e ruan për sjelljen që s’përbën fare krim: fakti nuk përbën vepër penale. Ish-drejtoresha e Autoritetit Rrugor, e dënuar në shkallë të parë me gjashtë muaj, me pezullim ekzekutimi dhe gjashtëdhjetë orë punë në interes publik, u shpall e pafajshme mbi të njëjtën bazë nga Gjykata e Posaçme e Apelit këtë maj. Formula duhet lexuar me kujdes, sepse nuk është formula e provave të pamjaftueshme. Gjykata nuk tha se shkeljet mbetën të paprovuara; tha se ajo që u provua nuk ishte krim. Është ajo që kodi gjerman e thotë me heshtjen e vet dhe parlamenti italian e tha me shfuqizim: parregullsia në prokurim, pa asgjë më tepër, është paligjshmëri administrative. Vijën që pjesa më e madhe e Evropës e shkruan në ligj, gjykatat tona të posaçme po e heqin në fund të ndjekjeve penale të konsumuara deri në një — dhe dosjet flamurtare rrugore që SPAK i ka çuar në gjyq vazhdojnë të bien në anën administrative të saj.

Kështu mbërrijmë te masat, sepse pesha e një vepre pikërisht te masat duhet të lexohet përsëri brenda procesit. Kodi i Procedurës Penale i shkallëzon masat e sigurimit personal sipas rëndësisë së faktit dhe sanksionit që mund të pasojë; proporcionaliteti nuk është koment yni mbi kodin, është porosia e vetë kodit. Mbi veprën më të butë të prokurimeve në kod, një zëvendëskryeministre në detyrë u pezullua nga detyra me urdhër gjykate qysh në vjeshtë — nga karrigia e dytë e qeverisë e hoqi jo elektorati, jo parlamenti, por një masë sigurimi e vendosur para çdo gjyqi. Mbi të njëjtën vepër i është ndaluar dalja nga vendi. Mbi të njëjtën vepër hetimi sapo është zgjatur me tre muaj të tjerë, siç qe zgjatur edhe më parë, pa asnjë afat përfundimi që t’i jetë bërë i ditur publikut. Edhe vetë akuza është dhënë me këste: në tetor tuneli, pastaj Loti 4, të premten gjashtë lotet e mbetura — çdo komunikim një titull i ri gazetash, ndërsa gjyqi ku ndonjëra prej tyre do të vihej në provë largohet nga një tremujor me çdo zgjatje.

SPAK ka përgjigje për të gjitha këto, dhe ato duhen shënuar — jo nga respekti për institucionin, por sepse konkluzioni duhet t’u mbijetojë. Të shtatë lotet e Unazës kanë qenë brenda hetimit të regjistruar që në krye; e thoshte njoftimi i tetorit, dhe ngritja e akuzave dora-dorës që piqen provat është procedurë e zakonshme, jo përshkallëzim. Masat e vendosura janë tërësia më e butë shtrënguese që ende ka efekt; arrest për të s’ka kërkuar njeri. Gjykatat që do ta gjykojnë i kanë shpallur edhe më parë të pafajshëm të pandehurit e nenit 258; dosja e Skërficës është prova e gjallë. E vërtetë, e gjitha. Por ajo që vërtetojnë është se secili akt, i marrë veçmas, e kishte mbështetjen te kodi. Proporcionaliteti nuk gjykohet akt më akt; gjykohet mbi të tërën, dhe e tëra është kjo: nëntë muaj pezullimi e në vazhdim, ndalim daljeje nga vendi, zgjatje afatesh dhe akuza me këste — të gjitha mbi një vepër me tavan tre vjet, kundër një personi të vetëm, me maksimumin e deklaruar të burimeve të institucionit, ndërsa akuza që do ta justifikonte gjithë këtë peshë mbetet një insinuatë e varur pas një dekade tjetër dhe një detyre tjetër.

Edhe statistikat e dosjes shtrojnë një pyetje, dhe ajo duhet bërë me zë. Çfarë pritej të gjenin dy prokurorë e nëntë hetues, nëpër nëntë muaj dhe gjashtëqind milionë euro, që s’e kanë gjetur? Jo më shumë pabarazi: tetë akuza për të njëjtën vepër trevjeçare nuk duan task-forcë, dhe çdo procedurë e shpallur në tetor tashmë është akuzuar. Kjo organikë lexohet vetëm në një mënyrë: si kërkim i akuzës që dosja nuk e përmban — asaj akuze korrupsioni që do të justifikonte me prapaveprim pezullimin, ndalimin dhe zgjatjet e vendosura tashmë mbi premtimin e saj. Parë kështu, çdo zgjatje tremujore nuk është hap drejt gjyqit; është ripërtëritje e bastit se vepra që u përshtatet masave një ditë do të dalë. Masat erdhën të parat. Vepra që do t’i justifikonte kërkohet ende — dhe ky kërkim, i kthyer në organikë, quhet nëntë hetues.

Ka edhe një mënyrë për ta matur të tërën që s’varet nga simpatia e askujt: pyesni se me çfarë mund të mbyllet kjo ndjekje penale. Përgjigjen e jep regjistri i dënimeve i gjykatave antikorrupsion — dënimet për nenin 258 mbarojnë me pezullim ekzekutimi dhe orë pune në interes publik. Mbajeni tani këtë përballë asaj që është vendosur tashmë, para çdo gjyqi: nëntë muaj pezullim nga zyra e dytë e qeverisë, një karrierë e ndërprerë në kulm me urdhër gjykate; nëntë muaj e mbyllur brenda vendit; një hetim pa fund të bërë të ditur, që zgjatet tremujor pas tremujori. Po të dënohej nesër Belinda Balluku për gjithçka që akuzohet, dënimi që pritet realisht do të ishte më i lehtë se procesi që i parapriu. Dhe kur masat tejkalojnë gjithçka që mund të japë verdikti, procesi nuk është më rruga drejt dënimit: është dënimi, dhe gjyqi bëhet formaliteti që e mbyll. Aritmetikën mund ta dëshmojnë të pandehurit e Skërficës — fjala e fundit në dosjen e tyre qe se fakti s’kishte qenë kurrë krim, po vitet që u përpiu dosja nuk ua ktheu askush.

Italia nuk e shfuqizoi abuso d’ufficio se italianët reshtën së shpërdoruari detyrën. E shfuqizoi sepse një krim shpërdorimi detyre me qëllim të lehtë ishte bërë, sipas gjuhës së atij debati, mjet për ta qeverisur administratën përmes frikës nga dosja. Ajo frazë u shkrua si diagnozë e një rreziku; dosja Balluku është rreziku i bërë realitet. Çdo zyrtar që ka ndenjur në një komision vlerësimi për Unazën, çdo drejtor që do të firmosë muajin tjetër një procesverbal tenderi, e ka parë tashmë se ç’mund të bëhet të mbajë akuza më e lehtë e kapitullit të prokurimeve: heqje nga detyra, mbyllje brenda vendit, hetim pa horizont. Ky mësim nuk i drejtohet asaj. I drejtohet administratës.

Mbetet një konsideratë e fundit, dhe ndryshe nga të tjerat nuk është argument proporcioni, po doktrine — dhe vjen nga dora e vetë shtetit. Drafti qeveritar i Kodit të ri Penal e rishkruan pikërisht këtë vepër: sipas tij, zyrtari përgjigjet për shkeljen e barazisë në tendera vetëm kur e kryen me qëllim fitimi. Hartuesit kanë pranuar, tashmë në formë legjislative, pozicionin që përshkroi kjo analizë: ku ka fitim, ka korrupsion, dhe mjaftojnë nenet e korrupsionit; ku s’ka, çështja i takon së drejtës administrative.

Për shumicën e lexuesve kjo është ironi; për juristin është çështje kalendari. Neni 3 i Kodit Penal e zbaton ligjin penal më të favorshëm me prapaveprim ndaj veprave të kryera para hyrjes së tij në fuqi, përderisa s’ka ndërhyrë vendim i formës së prerë. Në qoftë se kodi i ri miratohet me elementin e fitimit të paprekur dhe hyn në fuqi para se kjo dosje të marrë vendim përfundimtar, çdo akuzë në të do të duhet matur me një element që aktakuza e sotme nuk e ngre — dhe që, sipas përshkrimit që i bën vetë prokuroria dosjes, s’ka nevojë ta ngrejë. Prokuroria, në kuptimin më të mirëfilltë procedural, po bën garë me ligjvënësin e vet, dhe çdo zgjatje afati rend nga ana e gabuar: ose dosja arrin e para, ose kodi e vendos dosjen. Qeveria, nga ana e saj, s’i mban dot të dyja pozitat që gëzon sot. Ose drafti ka të drejtë, dhe dosja më e madhe në godinën e SPAK-ut mbështetet mbi një teori kriminaliteti që Republika s’e beson më; ose prokuroria ka të drejtë, dhe drafti është një falje e shkruar që përpara.

Belinda Balluku, si çdo i pandehur, quhet e pafajshme përderisa fajësia nuk i është provuar me vendim gjyqësor të formës së prerë. Do të ishte e rehatshme të mbyllej kjo analizë me pohimin se, të paktën këtu, gjërat po ecin siç i ka dashur ligji. Sipas regjistrit që përshkroi kjo dosje, nuk po ecin. Prezumimi nuk është mungesa e verdiktit; është porosi se si duhet ta trajtojë shteti njeriun sa verdikti pritet — dhe trajtimi ka rrjedhur së prapthi: heqje nga detyra me masë sigurimi, mbyllje brenda vendit, akuza të shpallura me këste, ku çdo komunikim zë vendin e një konstatimi. Vetë kodi ngulmon që masa e sigurimit nuk duhet të funksionojë si dënim i vuajtur që përpara. Ky ndalim ekziston sepse procedura është menduar të çojë drejt një dënimi, jo të jetë vetë dënim. Kur masat e heqin zyrtarin e dytë të qeverisë nëntë muaj para çdo gjyqi, dhe dënimi që pritet realisht në fund do të ishte më i lehtë se ata nëntë muaj, ndalimi mbijeton vetëm në letër. Nga prezumimi ka mbetur lëvozhga: fakti që asnjë gjykatë s’ka folur ende. Ligji e deshi prezumimin ta qeveriste këtë proces; në këtë dosje prezumimit i është lënë veç t’i mbijetojë procesit — dhe procesi është bërë dënimi.

*Renada Bici është avokate në Tiranë, e specializuar në të drejtën civile, penale dhe administrative. Është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe ka përvojë si në avokatinë private, ashtu edhe në administratën publike.

  •  

I riu qëllohet me armë/ 30-vjeçari po lëviztë me makinë, i shpëton sulmit

LEZHË- Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pasditen e së shtunës në Lezhë, pranë Urës së Milotit. Sipas informacioneve paraprake nga Policia e Lezhës, dyshohet se objektiv ka qenë një 30-vjeçar nga Rubiku, i cili lëvizte me një automjet tip “Audi”.

Ndërkohë, edhe autori i dyshuar i ngjarjes, i cili ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit, ishte në lëvizje me një tjetër automjet tip “Audi”.

Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa policia bën me dije se ka identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes dhe po punon për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Policia e Lezhës po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./abcnews.al

 

  •  

Rama: Shumë punë për në BE/ Kryeministri mendon se shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm për ngarkesën

TIRANË- Kryeministri Edi Rama mendon se shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm se i pret një punë e madhe përpara dhe të vazhdojnë të jenë të përqendruar drejt hyrjes në Bashkimin Evropian. Kreu i ekzekutivit u intervistua nga TikToker-i  i njohur Max Klymenko gjatë Samitit të NATO-s, që u mbajt disa javë më parë. Ai u pyet për çështje që nga qeverisja e deri te pasioni i tij për sportin.

“Kërcënimi më i madh për Shqipërinë janë shqiptarët, në kuptimin që duhet të jemi të vetëdijshëm se kemi shumë punë për të bërë dhe duhet të vazhdojmë në drejtimin drejt Bashkimit Evropian. Dhe sapo të jemi brenda Bashkimit Evropian, do të jemi të sigurt edhe nga vetja jonë.”

Rama tha se pjesa më e vështirë e punës së tij është të mos çmendet, ndërsa tregoi se fle pak, mesatarisht pesë orë në natë. Por ajo që i pëlqen më shumë nga puna e tij është të bëjë gjëra që janë të mira për njerëzit. Kreu i ekzekutivit tregoi edhe për marrëdhëniet e tij me liderët ndërkombëtarë.

“Kam marrëdhënie të mira me të gjithë. Ndoshta marrëdhënia më e mirë është me Giorgian. Kemi gjithashtu një marrëdhënie të veçantë mes Shqipërisë dhe Italisë. Kam pasur një marrëdhënie shumë sfiduese me Mark Rutte kur ai ishte kryeministër i Holandës. Por më pas u bëmë miq shumë të mirë dhe kemi një miqësi të veçantë. Dhe ai është, pa diskutim, njeriu që di ta menaxhojë më mirë Donald Trump.”

Klymenko është një influencer dhe sipërmarrës ukrainas me bazë në Londër. Ai u bë shumë i njohur në TikTok dhe YouTube me serinë “Career Ladder”, ku përpiqej të zbulonte profesionin e njerëzve në rrugë brenda dy minutash. Në vitin 2025 ai fitoi çmimin “Creator of the Year” në TikTok UK./abcnews.al

 

  •  

Shkelësit e ligjit në “lupën” e Policisë së Shtetit/ Lamallari nxjerr pamjet: Siguria e qytetarëve e para

TIRANË- Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka publikuar pamje nga operacionet e fundit të Policisë së Shtetit, e cila vijon kontrollet në rrugët e Tiranës për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Sipas tij, në fokus të kontrolleve kanë qenë mjetet luksoze me xhama të errësuar në kundërshtim me ligjin, armët pa leje, lëndët narkotike, si edhe drejtuesit e automjeteve që rrezikojnë jetën e qytetarëve me shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit.

Ministri ka përgëzuar Forcën e Posaçme Operacionale, skuadrën “Shqiponja” dhe Policinë Rrugore për punën e kryer.

Siguria e qytetarëve e para! Mjete luksoze, xhama të errësuar në kundërshtim me ligjin, armë pa leje, lëndë narkotike apo drejtues që rrezikojnë jetën e qytetarëve, janë në shënjestër nga Policia e Shtetit. Përgëzime Forcës së Posaçme Operacionale, skuadrës “Shqiponja” dhe Policisë Rrugore për operacionet e ditëve të fundit në disa zona të Tiranës“, shkruan ministri në “Facebook”.

 

  •  

OBSH: Korporatat e ushqimit ultra të përpunuar pengojnë përpjekjet për të trajtuar krizën e obezitetit

Korporatat më të mëdha të ushqimit ultra të përpunuar në botë po pengojnë përpjekjet globale për të trajtuar krizën e obezitetit duke ngritur padi kundër qeverive që përpiqen të promovojnë dieta më të shëndetshme, tha sot Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai akuzoi kompanitë globale të ushqimit për pengimin e miratimit të masave jetësore për të përmirësuar shëndetin publik dhe kujtoi se në botë ndahen miliarda dollarë për shërbime shëndetësore dhe shpenzime ligjore, raporton “The Guardian”.

Pothuajse një miliard njerëz në mbarë botën jetojnë me obezitet, dhe një dietë e pashëndetshme është një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve të zemrës, kancerit dhe diabetit të tipit 2.

  •  

Studimet: Jo vetëm mëlçinë, alkooli prek edhe trurin

Konsumi i rregullt i alkoolit nuk ndikon vetëm në mëlçi, por mund të ketë pasoja edhe për shëndetin e trurit. Studime të publikuara vitet e fundit tregojnë se përdorimi i vazhdueshëm i alkoolit lidhet me zvogëlim të vëllimit të disa rajoneve të trurit dhe me rënie të aftësive njohëse, si kujtesa, të mësuarit, planifikimi dhe marrja e vendimeve.

Sipas studiuesve, ndryshimet janë vërejtur veçanërisht në hipokampus, një zonë e trurit e rëndësishme për kujtesën, si dhe në korteksin frontal, i cili kontrollon vendimmarrjen dhe vetëkontrollin. Sa më i madh dhe më i zgjatur të jetë konsumi i alkoolit, aq më i lartë priret të jetë rreziku për këto ndryshime.

Edhe studime më të fundit kanë gjetur se konsumimi i konsideruar më parë “me rrezik të ulët” mund të shoqërohet me ndryshime të matshme në strukturën e trurit, megjithëse nevojiten kërkime të mëtejshme për të përcaktuar ndikimin afatgjatë te individët.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se nuk ekziston një nivel plotësisht pa rrezik i konsumit të alkoolit për shëndetin. Rreziku për sëmundje të ndryshme, përfshirë ato që prekin trurin, rritet me shtimin e sasisë së konsumuar dhe me vazhdimësinë e këtij zakoni.

Ekspertët sqarojnë se konsumimi i rastësishëm i një pijeje nuk shkakton dëmtime të menjëhershme të trurit. Megjithatë, shndërrimi i alkoolit në një zakon të përditshëm mund të ndikojë gradualisht në shëndetin e tij, shpesh pa shenja të dukshme në fazat e para.

Kufizimi i alkoolit, së bashku me një regjim të shëndetshëm ushqimor, aktivitet fizik dhe gjumë cilësor, konsiderohen ndër mënyrat më të mira për të mbrojtur funksionet njohëse dhe shëndetin e trurit në afat të gjatë.

  •  
❌