Reading view

PDK protestë para Qeverisë në Prishtinë, kërkon Kurtin në Kuvend

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës protestuan edhe sot para ndërtesës së qeverisë ku po kërkojnë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të shkojë në Kuvend dhe të vazhdojë procesi i konstituimit të tij.

Aksionit të sotëm PDK-së ju bashkuan deputetë nga Aleanca dhe asamblistë dhe aktivistë nga Mitrovica.

Deputetët e PDK-së prej disa ditësh po qëndrojnë për disa orë në hyrje të objektit të Qeverisë duke kundërshtuar vazhdimin e ushtrimit të detyrës nga Kurti dhe duke kërkuar funksionalizimin e institucioneve.

Ndërkaq sot pas 48 orësh, PDK-ja ka kërkuar edhe vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, duke i bërë thirrje kryesuesit Avni Dehari që seanca të mbahet sot në orën 11:00.

The post PDK protestë para Qeverisë në Prishtinë, kërkon Kurtin në Kuvend appeared first on Euronews Albania.

  •  

Kthehen nga Siria 5 shtetas shqiptarë, mes tyre gra dhe fëmijë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se, më 26 gusht 2026, përfundoi operacioni për riatdhesimin vullnetar nga Siria të pesë shtetasve shqiptarë, nga të cilët gra e fëmijë.

“Operacioni është kurorëzim i një pune të gjatë dhe të kujdesshme, që kërkoi koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve shqiptare, përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.

Riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga zona të prekura nga konflikti është shprehje e përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të vet, edhe në rrethana të vështira dhe komplekse. Kthimi i tyre në atdhe përmbyll një fazë të rëndësishme të këtij procesi, por jo përgjegjësinë institucionale ndaj tyre. Pas mbërritjes në Shqipëri, shtetasve të riatdhesuar do t’u ofrohet asistenca e nevojshme dhe do të kryhen vlerësimet shëndetësore dhe psikosociale. Institucionet përgjegjëse do të vijojnë në mënyrë të koordinuar punën për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri”.”, thuhet ne njoftimn e ministrise.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme falënderon institucionet dhe strukturat shqiptare të angazhuara në këtë proces, si dhe autoritetet e huaja, veçanërisht ato siriane, që mundësuan përfundimin e procedurave dhe tranzitin e sigurt të shtetasve. Realizimi i operacionit dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të veprimit të bashkërenduar në përmbushjen e përgjegjësive të shtetit ndaj qytetarëve të tij.

Task-Forca ndërinstitucionale do të vijojë punën si për ndjekjen e plotë të procesit të rehabilitimit dhe riintegrimit, ashtu edhe për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë, sa herë që krijohen kushtet e nevojshme për kthimin e tyre të sigurt.

The post Kthehen nga Siria 5 shtetas shqiptarë, mes tyre gra dhe fëmijë appeared first on Euronews Albania.

  •  

Përhapet zjarri në Shashicë të Vlorës, 4 punonjës të një guroreje evakuohen nga zona

Zjarri në Shashicë të Vlorës vijon të përhapet në sipërfaqe të mëdha. Si pasojë e përhapjes së zjarrit, katër punonjës të një guroreje kanë qëndruar në ambientet e punës për të mbrojtur mjetet dhe pajisjet.

Për shkak të rrezikut në rritje, punonjësve u është kërkuar të largohen nga zona, edhe pse vatra e zjarrit ndodhet në distancë nga guroret.

Një mjet zjarrfikës u nis në drejtim të tyre për t’i nxjerrë nga zona dhe për të shmangur çdo rrezik për jetën.

Autoritetet bën me dije se janë në monitorim të situatës, ndërsa ndërhyrja në terren mbetet e vështirë për shkak të zjarrit dhe erës.

The post Përhapet zjarri në Shashicë të Vlorës, 4 punonjës të një guroreje evakuohen nga zona appeared first on Euronews Albania.

  •  

Bota e artit nderon Dolly Parton, autoren e hitit “Jolene” dhe mbretëreshën e muzikës country

Legjenda e muzikës country, Dolly Parton, është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare. Ekipi i saj tha se trashëgimia e artistes është e lidhur me dashurinë, dhembshurinë dhe forcën për të përballuar vështirësitë.

Në një karrierë që zgjati rreth gjashtë dekada, Parton shiti më shumë se 100 milionë disqe në mbarë botën dhe shkroi mbi 3 mijë këngë, mes tyre edhe hitin e famshëm “Jolene”.

E lindur në varfëri në një kasolle me një dhomë në Smoky Mountains të Tennesse, ajo ishte një nga 12 fëmijët e familjes dhe arriti të bëhej një nga emrat më të mëdhenj të muzikës amerikane.

Pas lajmit për vdekjen e saj, reagime kanë ardhur nga shumë figura të njohura. Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se flamujt amerikanë do të ulen në gjysmështizë në të gjithë Shtetet e Bashkuara, në nderim të këngëtares së njohur të muzikës country.

Paul McCartney nderon Dolly Parton: Është e vështirë të imagjinohet një botë pa të

Paul McCartney ka vlerësuar Dolly Parton, duke e cilësuar atë si një “grua të mrekullueshme” dhe një “yll madhështor”.

Në një postim në Instagram, ish-anëtari i “The Beatles” kujtoi takimin e parë me Parton në Nashville, në kohën kur ajo po përgatitej të niste karrierën solo.

McCartney tha se Dolly ishte plot energji dhe jetë, ndaj lajmi për ndarjen e saj nga jeta ishte i vështirë për t’u pranuar.

Ai vlerësoi veçanërisht talentin e saj në kompozim dhe këndim, si edhe angazhimin e saj bamirës, duke theksuar se ndikimi i Parton në muzikën country dhe te publiku ishte i jashtëzakonshëm.

McCartney kujtoi gjithashtu me krenari faktin që Dolly Parton interpretoi këngën e tij “Let It Be”, duke e cilësuar këtë si një nder të madh. “Faleminderit Dolly për muzikën e bukur që më dhe mua dhe gjithë botës. Do të të duam gjithmonë”, shkroi McCartney në mesazhin e tij të lamtumirës.

Oprah Winfrey nderon Dolly Parton: Nuk ka asnjë tjetër si ajo

Edhe preantuesja e njohur amerikane, Oprah Winfrey ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Dolly Parton, duke e kujtuar ikonën e muzikës country si një figurë të pazëvendësueshme.

Në një postim në Instagram, prezantuesja amerikane tha se një nga kujtimet e saj më të bukura me Dolly ishte momenti kur të dyja u argëtuan duke veshur fustane të stilistit Bob Mackie në emisionin “Dolly”.

“Vajza nga Smoky Mountains e Tennessee-t ëndërroi një jetë dhe më pas jetoi një jetë më të madhe se sa mund ta kishte imagjinuar ndonjëherë, duke u dhënë kaq shumë të tjerëve, në mënyra që i pamë dhe në mënyra që nuk i pamë”, shkroi Winfrey.

Ajo shtoi: “Nuk ka asnjë si ajo. Ajo solli dritë dhe ne të gjithë jemi më mirë sepse ajo ishte këtu.”

“Ajo është endur përgjithmonë në jetët dhe zemrat tona”, thotë Jane Fonda

Aktorja Jane Fonda, e cila luajti përkrah Dolly Parton në filmin “9 to 5” në vitet ’80, thotë se është “e shkatërruar” nga lajmi.

“E di që miliona njerëz po e vajtojnë dhe dua të them këtë: më shumë se kushdo tjetër që kam njohur ndonjëherë, Dolly do të jetë gjithmonë me ne, sepse ajo ishte aq e pranishme, aq e fuqishme, aq bujare dhe lozonjare, sa është endur përgjithmonë në jetët dhe zemrat tona.

Kemi kujtimet tona për të, këngët e saj, Dollywood-in, ‘9 to 5’, miliona librat që ajo bëri të mundur të shkonin në duart e fëmijëve, të gjitha imazhet ikonike që na e sjellin pranë. Dhe të gjitha këto janë bekime.

Le të jemi mirënjohës për gjithçka që ajo na ka lënë, për të na e lehtësuar trishtimin tani. Nuk kam njohur kurrë askënd si ajo. Ishte njëkohësisht një vajzë lozonjare dhe paksa rebele nga jugu, e ardhur nga luginat e Tennessee-t, dhe një mendimtare e thellë e shpirtërore, që mund t’i shihte njerëzit deri në thelbin e tyre të vërtetë.

Ajo ishte shumë gjëra… autore tekstesh, këngëtare, interpretuese e shumë instrumenteve, shkrimtare, shakaxhie, vizionare, mike besnike, e cila nuk shkonte kurrë në shtrat pa qeshur aq shumë me miqtë e saj sa mezi mund të përmbaheshin.

Ajo kishte instinktin e një të mbijetuare dhe dukej se gjithmonë e dinte saktësisht çfarë të bënte dhe çfarë të thoshte për t’i rregulluar gjërat… dhe më pas ishte në gjendje të bënte edhe ndonjë shaka të çmendur, si t’i tregonte të pasmet nga dritarja e makinës para shtëpisë së Kenny Rogers. Ajo ishte mishërimi plot jetë i empatisë. Kjo është diçka e saj që do të donte që të gjithë ne ta merrnim me vete. Dhe ju e dini se ajo nuk do të donte që tani të vajtonit. Vishuni bukur dhe festoni shpirtin e saj. Por fillimisht shikoni episodin e fundit të ‘Grace and Frankie’, ku ajo është një engjëll, engjëlli kryesor i klasës punëtore në Parajsë.”

Elton John për Dolly Parton: “Unike dhe e pazëvendësueshme”

Edhe Elton John, Dionne Warwick dhe Priscilla Presley kanë nderuar Dolly Parton pas ndarjes së saj nga jeta.

“Jam i tronditur dhe i shkatërruar nga lajmi për vdekjen e Dolly-t”, shkroi Elton John në Instagram.

Ai e kujtoi Parton si “një artiste gjigante, unike dhe të pazëvendësueshme, me zemrën më të mirë”.

Aktorja dhe këngëtarja e njohur amerikane, Dionne Warwick shkroi gjithashtu në Instagram: “Do të më mungojnë padyshim e qeshura, shakatë dhe vetë prania e saj. Pusho e qetë dhe në paqe të plotë, mikja ime. Zemra ime është e rënduar.”

Priscilla Presley kujtoi një moment pas divorcit të saj nga Elvis Presley: “Pasi Elvis dhe unë dolëm nga gjykata pas divorcit, ai më këndoi ‘I Will Always Love You’ ndërsa zbrisnim shkallët së bashku.”

“Muzika e saj na preku të gjithëve, por ishte ngrohtësia, humori dhe zemra e madhe e Dolly-t që e bënin atë vërtet unike”, shtoi Priscilla Presley.

1 / 7

The post Bota e artit nderon Dolly Parton, autoren e hitit “Jolene” dhe mbretëreshën e muzikës country appeared first on Euronews Albania.

  •  

​Eklipsi i hënës më 28 gusht

Pas eklipsit total diellor të 12 gushtit, qielli i gushtit sjell një tjetër ngjarje të rrallë astronomike. Në orët e para të mëngjesit të 28 gushtit, Hëna do të kalojë në hijen e Tokës, duke krijuar një eklips të pjesshëm hënor.

Fenomeni pritet të nisë rreth orës 04:40, ndërsa maksimumi do të arrihet rreth orës 06:10. Në kulmin e eklipsit, më shumë se 90% e diskut hënor do të jetë i zhytur në hijen e Tokës, duke i dhënë Hënës nuanca karakteristike të kuqërremta.

Ky fenomen, i njohur gjerësisht si “Hëna e gjakut”, ndodh për shkak të mënyrës se si atmosfera e Tokës filtron dhe shpërndan dritën e Diellit. Si pasojë, Hëna nuk zhduket plotësisht në errësirë, por mund të marrë ngjyra që variojnë nga bakri i artë deri te e kuqja e errët.

Astrofotografja italiane Alessandra Masi shpjegon se eklipsi hënor i 28 gushtit dhe eklipsi diellor i 12 gushtit janë pjesë e së njëjtës sezon eklipsesh. Këto periudha krijohen kur Dielli ndodhet pranë nyjeve të orbitës së Hënës, duke bërë të mundur që brenda rreth dy javësh të ndodhin dy eklipse.

Ndryshe nga eklipsi diellor, këtë herë është Hëna ajo që kalon përmes hijes së Tokës.

Një nga momentet më interesante për vëzhguesit dhe fotografët do të jetë maksimumi i eklipsit. Në atë kohë, Hëna do të jetë shumë pranë horizontit perëndimor, duke krijuar mundësi për fotografi spektakolare, me Hënën në të njëjtin kuadër me male, ndërtesa apo elementë të tjerë të peizazhit.

Megjithatë, drita e agimit mund ta bëjë më të vështirë fotografimin, për shkak të kontrastit më të ulët mes Hënës dhe qiellit. Pikërisht ky kombinim mes dritës së mëngjesit dhe ngjyrave të eklipsit mund të prodhojë pamje veçanërisht mbresëlënëse, përcjell abcnews.

Eklipsi hënor i 28 gushtit do të jetë ngjarja e dytë e madhe astronomike e muajit, duke përmbyllur një nga periudhat më interesante të gushtit për vëzhguesit e qiellit.

The post ​Eklipsi i hënës më 28 gusht appeared first on Euronews Albania.

  •  

Vandalizohet Kisha e Shën Thanasit në Sinicë. Thyhen ikona dhe dëmtohen objekte kishtare

Dhunohet Kisha e Shën Thanasit në Sinicë të Korçës. Objekti i rrallë i kultit ndodhet në majë të malit të Sinicës rreth 1300 metra mbi nivelin e detit dhe vlerësohet si një nga ndërtimet më më të rralla të zonës.

Persona ende të paidentifikuar kanë dëmtuar objektin e kultit, duke thyer ikona dhe dëmtuar objekte brenda kishës, ndërsa në ambientet e saj është hedhur edhe çimento.

Banorë dhe dashamirës të fshatit, të cilët prej kohësh përpiqen ta mirëmbajnë dhe ta ruajnë kishën, e kanë denoncuar këtë akt, duke e cilësuar si një goditje ndaj një prej simboleve të traditës dhe kulturës së Sinicës.

Kisha e Shën Thanasit konsiderohet një vend i shenjtë jo vetëm nga banorët e krishterë, por edhe nga komuniteti mysliman i zonës. Bashkëjetesa fetare është një nga tiparet e historisë së Sinicës, ndërsa banorët sjellin në vëmendje edhe raste kur kisha është rindërtuar me kontributin e përbashkët të të gjithë komunitetit.

Banorët shprehen se dëmtimi i kishës nuk cenon vetëm një objekt kulti, por edhe historinë, traditën dhe harmoninë fetare të fshatit. Ata kërkojnë identifikimin e autorëve dhe marrjen e masave për mbrojtjen dhe restaurimin e objektit të kultit.

The post Vandalizohet Kisha e Shën Thanasit në Sinicë. Thyhen ikona dhe dëmtohen objekte kishtare appeared first on Euronews Albania.

  •  

Zjarri në Vlorë merr përmasa të mëdha, kryetarja e bashkisë: Nuk rrezikohen banesat

Zjarri në Shashicë të Vlorës ka marrë përmasa të mëdha për shkak se favorizohet edhe nga era. Ndërsa ndërhyrja e forcave vështirësohet nga terreni i thyer.

Në një reagim për situatën, kryetarja e bashkisë, Vlora Mersni bëri të ditur se aktualisht nuk ka rrezik për banesat, pasi në afërsi të vatrës nuk ka zona të banuara.

“Aktualisht nuk paraqet rrezik duke mos pasur banesa përreth. Të gjitha forcat e emergjencës janë në terren, në gatishmëri të plotë, pavarësisht vështirësive të ndërhyrjes për shkak të terrenit të thyer.
Situata po ndiqet në vazhdimësi dhe forcat do të qëndrojnë në terren për të kufizuar perimetrin e zjarrit dhe për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për zonat e banuara”, tha Mersini.

Forcat e emergjencës ndodhen në terren dhe po punojnë për të kufizuar perimetrin e zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve.

Kryebashkiakja tha se banorëve të zonës u është bërë thirrje të tregojnë kujdes dhe të lehtësojnë lëvizjen e mjeteve të emergjencës. Shashica ndodhet rreth 8 km nga qyteti i Vlorës.

1 / 4

The post Zjarri në Vlorë merr përmasa të mëdha, kryetarja e bashkisë: Nuk rrezikohen banesat appeared first on Euronews Albania.

  •  

Vrau nënën dhe plagosi babanë, 45-vjeçari kapet pas një ore

Florion Dalladaku, 45-vjeçari i dyshuar për vrasjen e nënës dhe plagosjen rëndë të babait të tij në fshatin Zhymë të Lushnjës, është arrestuar nga Policia rreth një orë pas ngjarjes.

Dalladaku u lokalizua dhe u arrestua pranë Spitalit Memorial në Fier, teksa po drejtonte automjetin e vëllait të tij dhe tentonte të largohej nga qarku Fier.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:20, në banesën e familjes Dalladaku, në fshatin Zhymë.

Sipas informacionit të Policisë, 45-vjeçari, për motive ende të paqarta, dyshohet se ka goditur me një mjet metalik prerës, sqepar, nënën e tij, Fanije Dalladaku, 80 vjeçe.

Si pasojë e plagëve të marra, 80-vjeçarja ka humbur jetën. Ndërkohë, babai i të dyshuarit, Hasan Dalladaku, 77 vjeç, ka mbetur i plagosur rëndë dhe është dërguar në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie rrethuan zonën, ngritën pika kontrolli dhe nisën kërkimet për kapjen e 45-vjeçarit, i cili, sipas Policisë, paraqiste rrezikshmëri edhe për banorët e tjerë.

Florion Dalladaku është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, së bashku me automjetin që drejtonte, ndërsa po kryhen veprimet procedurale.

Lushnjë/ Vrau nënën dhe plagosi babanë, 45-vjeçari kapet pas një ore teksa tentonte të largohej pic.twitter.com/g6d6rlLiGQ

— Euronews Albania (@EuronewsAlbania) August 24, 2026

The post Vrau nënën dhe plagosi babanë, 45-vjeçari kapet pas një ore appeared first on Euronews Albania.

  •  

Vihet nën kontroll zjarri në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Një hotel u rrezikua nga flakët

Një zjarr ka rënë mbrëmjen e sotme pranë një hoteli në Ujin e Ftohtë në Vlorë. Flakët nisën në një sipërfaqe me pemë dhe bimësi të lartë, shumë pranë një hoteli dhe një restoranti.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse, flakët u izoluan dhe zjarri u vu nën kontroll, duke shmangur përhapjen e mëtejshme dhe rrezikun për objektet pranë.

Zjarri shkaktoi dhe ndërprerje të energjisë elektrike në zonë.

Forcat zjarrfikëse vijojnë monitorimin e zonës për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm të vatrës.

The post Vihet nën kontroll zjarri në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Një hotel u rrezikua nga flakët appeared first on Euronews Albania.

  •  

Dy mikesha, të dyja 109-vjeçe tregojnë sekretin e jetëgjatësisë

Dorothy Boggess dhe Velma Long janë të dyja 109 vjeçe dhe mikesha prej më shumë se tetë dekadash. Pavarësisht moshës, ato vazhdojnë të jenë aktive dhe thonë se një nga sekretet kryesore të jetëgjatësisë së tyre është jeta sociale.

Të arrish këtë moshë do të thotë të bëhesh pjesë e një grupi shumë të vogël njerëzish. Vetëm 0.03 për qind e amerikanëve jetojnë mbi 100 vjeç.

Dy gratë u njohën në Uashington gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur punonin për administratën amerikane, raporton washingtonpost.com. Bashkëshortët e tyre ishin kushërinj dhe miq të ngushtë, ndërsa edhe Dorothy dhe Velma krijuan një miqësi që vazhdon prej më shumë se 80 vitesh.

Sot e kanë më të vështirë të takohen shpesh, por komunikojnë në telefon pothuajse çdo ditë.

Boggess vazhdon ta nisë mëngjesin me ushtrime dhe kërcim në kuzhinën e saj. Ajo mësoi të notonte në moshën 69-vjeçare, ndërsa gjatë jetës ka udhëtuar në shumë vende, nga Argjentina deri në Turqi.

Edhe Long vazhdon të dalë, të udhëtojë dhe të marrë pjesë në aktivitete me familjen. Vajza e saj kujton se në ditëlindjen e 100-të, Long ende kërcente me taka.

Të dyja kanë qenë aktive në komunitetet e tyre, në kishë dhe në organizata të ndryshme shoqërore. Ato kujdesen gjithashtu për ushqimin dhe përpiqen të ruajnë aktivitetin fizik.

Por kur pyeten për sekretin e jetëgjatësisë, ato veçojnë mbi të gjitha marrëdhëniet me njerëzit.

Sipas tyre, miqësia, familja, aktiviteti dhe një jetë e pasur sociale kanë luajtur një rol të rëndësishëm që ato të vazhdojnë të shijojnë jetën edhe në moshën 109-vjeçare. Ato veçojnë gjithashtu humorin, udhëtimet dhe përfshirjen në komunitet si mënyra për të mbajtur një jetë aktive dhe të pasur.

The post Dy mikesha, të dyja 109-vjeçe tregojnë sekretin e jetëgjatësisë appeared first on Euronews Albania.

  •  

Trump: E konsideroj Ngushticën e Hormuzit territor amerikan

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore, ndërsa e cilësoi Ngushticën e Hormuzit si “territor amerikan”.

Duke folur në një tubim në Karolinën e Jugut, Trump tha: “Nuk mund t’i lejojmë të kenë armë bërthamore, nuk mund ta lejojmë Iranin të ketë armë bërthamore, përndryshe do të shihni disa gjëra shumë të këqija.”

“Ne ndërhymë dhe i ndaluam; ata nuk do të kenë kurrë armë bërthamore”, tha ai.

Presidenti amerikan më pas shtoi: “Ata duan shumë të arrijnë një marrëveshje. Ne as nuk e dimë nëse duam një marrëveshje, sepse për momentin e konsideroj Ngushticën e Hormuzit territor amerikan. Është territor amerikan”.

"I view the Strait of Hormuz as an American territory right now."

President Trump makes the striking declaration as he says Iran is desperate to make a deal, but signals the U.S. may no longer be interested on the same terms.

Then he draws a hard line on Iran's nuclear… pic.twitter.com/JQu2XL3PGW

— Fox News (@FoxNews) August 21, 2026

The post Trump: E konsideroj Ngushticën e Hormuzit territor amerikan appeared first on Euronews Albania.

  •  

Kryeministri indian ndërtoi për vite imazhin e liderit të fortë, pse tani po bën video për Gjeneratën Z?

Kryeministri indian Narendra Modi, 75 vjeç, ka ndërtuar prej vitesh imazhin e një lideri të fortë përmes fjalimeve të përgatitura, transmetimeve zyrtare dhe daljeve publike të organizuara me kujdes. Por javët e fundit ai ka ndryshuar dukshëm mënyrën e komunikimit në Instagram, duke përdorur një stil më të drejtpërdrejtë dhe informal për t’iu afruar të rinjve.

Profili i tij, që deri një muaj më parë dominohej nga postime të kuruara, tani përmban edhe video më spontane, përfshirë filmime selfie dhe formate të njohura mes Gjeneratës Z, raporton BBC.

Modi ka më shumë se 106 milionë ndjekës në Instagram, po Instagrami nuk kishte qenë më parë në qendër të strategjisë së tij të komunikimit.

Ndryshimi lidhet me protestat e të rinjve që u zhvilluan këtë vit në Indi. Një lëvizje e re u përhap përmes memeve, transmetimeve live dhe videove në Instagram, përpara se të shndërrohej në një forcë proteste që çoi deri në dorëheqjen e një ministri.

Partia e Modit ka qenë prej më shumë se një dekade një nga forcat politike më të organizuara në internet, duke përdorur WhatsApp, Facebook dhe X për mesazhet e saj. Por të rinjtë e Gjeneratës Z informohen ndryshe.

Për të fituar vëmendjen e të rinjve, politikanët duhet të jenë të pranishëm në platforma si Instagrami, ku përmbajtjet janë personale ndikojnë më shumë ndikim se mesazhet tradicionale politike.

Pas Modit edhe opozita po ndjek të njëjtën rrugë. Lideri i Kongresit, Rahul Gandhi, publikon video selfie dhe fotografi më spontane dhe pas protestave zhvilloi edhe një sesion pyetje-përgjigje në Instagram.

Videoja e parë e Modit ka kaluar 400 milionë shikime, por shumë të rinj e rishpërndanë me montazhe ironike dhe tallëse, duke i dhënë një kuptim të ndryshëm nga ai që synonte kryeministri.

Ekspertët thonë se ndikimi i Instagramit nuk duhet mbivlerësuar. Fuqia elektorale e BJP-së vazhdon të mbështetet kryesisht te organizimi i partisë dhe baza e saj besnike e votuesve.

Kryeministri indian, Narendra Modi/ Foto: Wikimedia Commons

The post Kryeministri indian ndërtoi për vite imazhin e liderit të fortë, pse tani po bën video për Gjeneratën Z? appeared first on Euronews Albania.

  •  

Njeriu që shpenzon 2 milionë dollarë për të ndalur plakjen zbulon sëmundjen nga e cila vuan

Bryan Johnson, sipërmarrësi amerikan i teknologjisë dhe një nga figurat më të njohura të lëvizjes për jetëgjatësinë, ka shpenzuar miliona dollarë duke studiuar dhe monitoruar trupin e tij.

48-vjeçari synon të ngadalësojë plakjen dhe ka deklaruar se objektivi përfundimtar është të bëhet e mundur që njeriu të jetojë përgjithmonë. Johnson e ka quajtur veten “personi më i shëndetshëm në planet” dhe përdor sloganin “Mos vdis”.

Milona dollarë për jetëgjatësinë

Sipas disa të dhenave të publikuara nga vet Johnson në intervistat e tij, trajtimet shëndetësore të specializuara dhe suplementet e veçanta, kushtojnë deri në 2 mln dollarë në vit.

Ai monitoron vazhdimisht tregues të shumtë të organizmit, nga analizat e gjakut dhe rrahjet e zemrës deri te yndyra viscerale. Regjimi i tij përfshin një dietë të kontrolluar, aktivitet fizik dhe përdorimin e suplementeve, raprtom nytimes.com.

Në periudha të caktuara ai ka eksperimentuar me më shumë se 100 suplemente në ditë dhe madje ka marrë transfuzion plazme nga djali i tij adoleshent. Por këtë verë, përpjekja e Johnson për të arritur një shëndet pothuajse perfekt u përball me një problem të papritur.

Ai njoftoi se ishte diagnostikuar me gastrit autoimun, një gjendje në të cilën sistemi imunitar sulmon disa qeliza të stomakut. Sëmundja mund të shkaktojë mungesë hekuri dhe vitamine B12 dhe lidhet me komplikacione të tjera shëndetësore.

Johnson reagoi me habi ndaj diagnozës, duke theksuar se ushqehet me produkte të plota, ushtrohet çdo ditë dhe shmang zakonet që i konsideron të dëmshme. Megjithatë, diagnoza nuk e ka bërë të heqë dorë nga përpjekjet e tij për jetëgjatësi, ai thotë se tashmë synon të kalojë në një fazë të re, të cilën e quan “zgjidhja e sëmundjes”.

Kritikat për medotat e përdorura

Megjithatë, metodat e tij kanë shkaktuar kritika mes ekspertëve të shëndetit dhe studiuesve të jetëgjatësisë.

Ezekiel Emanuel, ish-këshilltar për politikat shëndetësore në administratën Obama, argumenton se industria moderne e jetëgjatësisë ka shkuar shumë larg. Ai mbështet masa më të thjeshta, si shmangia e ushqimeve ultra të përpunuara, gjumi i mirë dhe përvojat e reja.

Johnson mohon se regjimi i tij ekstrem ka shkaktuar gastritin autoimun dhe thotë se problemi mund të ketë qenë i pranishëm prej dekadash. Johnson këmbëngul se monitorimi i hollësishëm i shëndetit mund ta ketë ndihmuar që problemi të zbulohej më herët.

Rasti i tij ngre një pyetje më të gjerë: deri ku duhet të shkojë njeriu në përpjekjen për të zgjatur jetën dhe nëse përqendrimi i tepërt te jetëgjatësia mund të na largojë nga vetë përjetimi i jetës.

The post Njeriu që shpenzon 2 milionë dollarë për të ndalur plakjen zbulon sëmundjen nga e cila vuan appeared first on Euronews Albania.

  •  

Studimi me 4.2 milionë persona, aktiviteti fizik ul rrezikun e demencës

Shumica e aktiviteteve fizike ulin rrezikun e demencës (humbje e aftësive njohese), por puna e rëndë fizike mund ta rrisë atë. Një studim i realizuar nga Natan Feter, i Universitetit të Kalifornisë Jugore (USC) në Los Angeles, së bashku me një grup studiuesish, sugjeron se ndikimi i aktivitetit fizik në rrezikun e demencës varet edhe nga lloji i aktivitetit.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore “The Lancet Public Health”, analizoi të dhënat e më shumë se 4.2 milionë personave, duke përfshirë 74 studime të zhvilluara nga viti 2021 deri në maj 2026.

Personat me nivele të larta të aktivitetit fizik kishin rreth 20% rrezik më të ulët për demencë gjatë një periudhe mesatare prej 10 vitesh, krahasuar me ata që ishin më pak aktivë.

Aktivitetet e kohës së lirë, si ecja, vrapi, noti, çiklizmi dhe sportet, u shoqëruan me një rrezik rreth 24% më të ulët për demencë.

Në të kundërt, aktiviteti i lartë fizik në punë u lidh me një rritje prej rreth 20% të rrezikut të demencës.

Studiuesit theksojnë se kjo nuk do të thotë se aktiviteti fizik në punë dëmton drejtpërdrejt trurin. Punët e rënda fizike shpesh shoqërohen me stres më të madh, ekspozim ndaj faktorëve të dëmshëm, më pak stimulim mendor dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në shëndetin e trurit.

Ushtrimet në kohën e lirë, nga ana tjetër, mund të ndihmojnë edhe në uljen e stresit. Sportet në grup ofrojnë gjithashtu ndërveprim shoqëror dhe stimulim mendor, duke ndihmuar në reduktimin e izolimit social.

Gjatë periudhës së ndjekjes u regjistruan mbi 64 mijë raste të demencës, rreth 5,900 raste të Alzheimerit dhe mbi 1,600 raste të demencës vaskulare.

Nivelet e larta të aktivitetit fizik u lidhën gjithashtu me rreth 21% rrezik më të ulët për Alzheimer dhe 29% më të ulët për demencë vaskulare.

Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se rezultatet tregojnë një lidhje statistikore dhe jo domosdoshmërisht një marrëdhënie shkak-pasojë. Shenjat e hershme të demencës mund t’i bëjnë njerëzit më pak aktivë vite përpara se sëmundja të diagnostikohet.

The post Studimi me 4.2 milionë persona, aktiviteti fizik ul rrezikun e demencës appeared first on Euronews Albania.

  •  

Ben Blushi: Pse duhet të bëjmë një film ndërkombëtar për Skënderbeun

Nga Ben Blushi

Më shumë se 50 milion euro fitime i ka sjellë filmi Odisea Greqisë gjatë këtij sezoni turistik.

Plazhet ku janë xhiruar skenat e filmit janë plot, biletat e kinemave janë stërshitur, veprat e Homerit janë ribotuar në qindra gjuhë, kurse ishujt grekë janë mbushur me turistë që sillen si Odisea majë varkave me vela.

Por përveç fitimeve, filmi i Kristofer Nolan ka rritur vetëbesimin e popullit grek i cili në vitin 2008 kreu vetëvrasjen financiare më të përgjakshme të kohëve moderne.

Atëherë kur grekët kishin më shumë nevojë, Odisea doli nga deti dhe i fshiu plagët që politikanët i shkaktuan vendit të tyre.

Në dy muajt e fundit çdo faqe instagrami, çdo revistë autoritare dhe çdo mendje influente e këtij planeti ka përdorur kutin e lashtësisë greke për t’ju treguar ndjekësve të vet çfarë është e drejtë dhe çfarë nuk është.

Duket sikur Greqia është bërë prapë qendra e botës.

Ajo ka rillindur vetëm nga një film duke zbuluar mallin më të rrallë të kohës që jetojmë : entuziazmin.

Duke parë efektin që kjo ngjarje ka patur mbi populliin grek shumë shtete kanë menduar t’ia japin borxh heronjtë e tyre Hollivudit.

Me pak fjalë t’i luten të bëjë filma për ta.

Kush nuk do donte një film si Odisea për një viking me fytyrën e futbollistit Haaland që shkon në Amerikë me lundrën e muskujve, apo për ndonjë eksplorator sypatrembur që zbulon kontinente të reja duke përdorur pasqyrat e oqeanit si semafor.

Norvegjezët dhe portugezët me siguri po mbajnë rradhë në Hollywood, pa folur për tarzanët e Indisë dhe samurait e Japonisë.

Odisea i ka hutuar të gjithë.

Ai provoi se bota e sotshme ka nevojë për heronj të cilët mund të zbusin vështirësitë e jetës së përditshme.

Popujt gjejnë më shumë frymëzim tek heronjtë e dikurshëm sesa tek futbollistët e pasur, modelet anoreksike dhe polikanët e mërzitshëm.

Në këto kushte dhe ne duhet të bëjmë llogaritë tona.

Ne nuk kemi një Odise, por kemi një legjendë që mund të kthehej në një super film me përmasa ndërkombëtare.

Ky është pa dyshim Skënderbeu.

Ai nuk ka famën e heronjve të Trojës dhe nuk përfaqëson udhëtarin që can detet për t’u kthyer te gruaja, por në ditët kur jetojmë simbolika e Skënderbeut është shumë e fortë.

Ndryshe nga Odisea, Skënderbeu nuk ishte pushtues por mbrojtës.

Njëlloj si në kohën e tij, turma të egra po kapërcejnë dete, furtuna dhe dallgë për të arritur në brigjet e Evropës.

Ata nuk vijnë me ushtri, as me armë por vijnë si hordhi.

Në rrëmujë e sipër rrëzojnë qeveri, heqin njerëz nga puna, ndryshojnë median dhe debatin e përditshëm bashkë me zakonet e vendasve.

Qyteti spanjoll i Ceutës është fotografia e së nesërmes.

Brenda një dite aty shkuan me not 70 mijë marokenë për t’u kujtuar 450 milion evropianëve çfarë do të ndodhë kur emigrantët e paligjshëm të bëhen 70 milion.

Natyrisht Skërderbeu nuk e ndalon dot këtë dyndje, por as Odisea nuk bind dot miliona evropianë të divorcuar të kthehen te gratë.

Mirëpo simboli i heroit tonë kombëtar është më i nevojshëm se kurrë për evropianët e dëshpëruar.

Skënderbeu arriti para 600 vitesh atë që ata nuk po e arrijnë dot sot.

Ai pengoi hordhitë të merrnin Vjenën, Romën dhe Parisin.

Skënderbeu nuk kishte polici, as dronë, as nëndetëse dhe as radarë.

Kishte vetëm nja dhjetë mijë shqiptarë që e ndiqnin me sy mbyllur sikur të ishte perëndi.

Ky është filmi që i duhet Evropës sot.

Historia e Skënderbeut, Mbajtësit të Hordhive, Penguesit të Madh.

Kushdo që mendon se ky film do ishte shumë i kushtueshëm e ka gabim.

Ja vlen të sakrifikosh një rrugë dhe tre ura për t’i dhënë një regjisori të madh ndërkombëtar një buxhet të përafërt me Odisenë.

Populli do ishte shumë i lumtur të paguante nga taksat e veta, ndërkohë që një fushatë mbarëkombëtare për të mbledhur fonde për filmin Skëderbeu do mobilizonte 7 milion shqiptarë të shpërndarë në gjithë botën.

Sikur secili të dhuronte mesatarisht 10 dollarë, do bëheshin 70 milion dollarë, pa folur për qindra oligarkë që do kishin mundësi të dëshmonin patriotizmin e tyre estetik në këtë ankand krenarije.

Me siguri ata do shkëlqenin si tepsi bakri kur të shikonin emrin e tyre në listën e producentëve të një filmi hollivudian që me një kombinim donacionesh publike dhe private do mblidhte lehtësisht 150 milion dollarë.

Odisea i Nolan ka kushtuar 250 milion dhe deri tani ka arkëtuar më shumë se 1 miliard.

Ky do ishte filmi i dytë për Skënderbeun.

I pari është krijuar në vitin 1953 nga rusët.

Enver Hoxha ia kërkoi si nder Stalinit që vuri vetëm një kusht : rolin e Skënderbeut do ta luante një shoku i tij me emrin Akaki Horava, që për fat të keq ishte tullac.

I destinuar të barazojë llogaritë mes superfuqive, Skënderbeu që ishte sovjetik herën e parë, mund të jetë amerikan herën e dytë.

Në fund të fundit kjo është natyra e tij e dyfishtë : edhe i krishterë edhe mysliman, edhe Gjergj edhe Skënder, edhe lindor edhe perëndimor.

Në këtë mënyrë qeveritë tona do mburreshin me të drejtë se lanë pas monumentin kulturor më të madh të të gjitha kohërave.

Por përveç një Skënderbeu të luajtur nga një aktor i madh modern, përmes këtij filmi do fitonim edhe shumë heronj që koha i ka tretur pa ju krijuar një portret që mbahet mend.

Magjia e kinemasë do krijonte fytyrën e vuajtur të Donika Kastriotit që priti kthimin e Skënderbeut nga luftërat më gjatë se Penelopa, të Mamicës inteligjente që është zhubrosur aq keq nga silikoni elektoral i mitingjeve tona, të Hamzait të përkëdhelur që tradhëtoi xhaxhain e vet pët t’u bërë mbret dhe të Aranit Komnenit, Agamemnonit tonë me nëntë vajza që e kishte Skënderbeun dhëndër.

Ne nuk i kemi imazhet e tyre në kujtesën tonë.

Hollywoodi mund të na i krijonte me galerinë e aktorëve të mëdhenj.

Atëherë kinematë e botës do tejmbusheshin, Kruja do bëhej qyteti më i vizituar mbi tokë, vendet ku ka luftuar Skënderbeu do ktheheshin në pelegrinazh dhe Shqipëria do ju dukej njerëzve si një tokë heronjsh, kurse ne do kishim Skënderbeu Game of Thrones, muzeun më të madh të historisë sonë në një film.

Por përfitimet e këtij projekti nuk janë vetëm financiare.

Ne kemi nevojë për Skënderbeun, sa ç’kanë nevojë grekët për Odiseun.

Shqiptarët jetojnë më mirë se 100 vjet më parë dhe shumë më mirë se 30 vjet më parë, por prapë nuk jetojnë mirë.

Shembujt pozitivë janë shumë pak, modelet e këqija trimfojnë kudo.

Nëse je i mirë humb, nëse je i keq fiton.

Kush beson se jeton mirë si shqiptar, jeton keq si evropian.

Prandaj kemi nevojë më shumë se kurrë për Skëndërbeun.

Për të na dhënë pak besim.

Pak vetëbesim se nuk jemi një popull kamarierësh që i nxjerrin thikën turistëve në plazh, por jemi një popull heronjsh.

The post Ben Blushi: Pse duhet të bëjmë një film ndërkombëtar për Skënderbeun appeared first on Euronews Albania.

  •  

Prezantohet ChatGPT për adoleshentët, çfarë ndryshon fëmijë

OpenAI ka prezantuar një version të posaçëm të ChatGPT për përdoruesit nën 18 vjeç, të quajtur “ChatGPT for Teens”.

Versioni i ri synon të krijojë një mjedis më të sigurt për adoleshentët dhe t’u japë prindërve më shumë mundësi kontrolli.

Sipas NPR, sistemi është projektuar për përdoruesit nga 13 deri në 17 vjeç.

Përdoruesit nën 18 vjeç do të kalojnë automatikisht në përvojën e përshtatur për adoleshentët. Ndërsa personat mbi 18 vjeç do të vazhdojnë të kenë akses në versionin standard të ChatGPT.

Përcaktimi i moshës nis nga të dhënat që përdoruesi jep gjatë krijimit të llogarisë. Megjithatë, OpenAI ka zhvilluar edhe një sistem që përpiqet të parashikojë nëse një përdorues është nën 18 vjeç.

Modeli merr në konsideratë disa sinjale, përfshirë mënyrën e përdorimit të platformës, kohëzgjatjen e ekzistencës së llogarisë dhe oraret e aktivitetit.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me mënyrën se si ChatGPT ndihmon nxënësit me detyrat shkollore.

Nëse një adoleshent kërkon thjesht një përgjigje të gatshme, sistemi mund ta drejtojë drejt “Study Mode”.

Ky funksion synon ta ndihmojë nxënësin të kuptojë dhe të zgjidhë problemin hap pas hapi, në vend që t’i japë menjëherë përgjigjen.

ChatGPT për adoleshentët përmban gjithashtu masa më të forta sigurie për përmbajtjet që mund të jenë të papërshtatshme për moshën.

Kompania thotë se ka vendosur kufizime shtesë për tema që mund të paraqesin rrezik për përdoruesit e mitur. Sistemi është projektuar gjithashtu për të mos ndihmuar adoleshentët të sigurojnë produkte ose shërbime që kanë kufizime ligjore të moshës.

Mbrojtje më të forta parashikohen edhe për përmbajtjet që lidhen me dhunën dhe materiale të tjera eksplicite ose të papërshtatshme.

Një tjetër element i versionit të ri janë njoftimet që u sugjerojnë përdoruesve të bëjnë pushime nga platforma.

ChatGPT mund t’i kujtojë adoleshentit që të shkëputet përkohësisht dhe të mos qëndrojë vazhdimisht në chatbot.

OpenAI thotë se sistemi do t’u kujtojë rregullisht përdoruesve se po komunikojnë me inteligjencë artificiale dhe jo me një person real.

Kjo masë merr rëndësi në një kohë kur një pjesë e adoleshentëve përdorin chatbot-et jo vetëm për shkollën, por edhe për komunikim dhe shoqëri virtuale.

Zhvillimi vjen mes shqetësimeve të prindërve dhe ekspertëve për ndikimin që përdorimi i inteligjencës artificiale mund të ketë te të rinjtë.

OpenAI është përballur gjatë vitit të fundit edhe me hetime dhe çështje ligjore lidhur me praktikat e sigurisë së platformës.

Masat e reja synojnë të zvogëlojnë ekspozimin e përdoruesve të mitur ndaj përmbajtjeve të dëmshme ose të papërshtatshme për zhvillimin e tyre.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se sa efektive do të jenë sistemet e verifikimit dhe parashikimit të moshës, veçanërisht kur përdoruesit deklarojnë të dhëna të pasakta.

Me “ChatGPT for Teens”, OpenAI synon të krijojë një përvojë të veçantë të inteligjencës artificiale, të përshtatur për nevojat arsimore dhe sigurinë e përdoruesve të moshës 13–17 vjeç.

The post Prezantohet ChatGPT për adoleshentët, çfarë ndryshon fëmijë appeared first on Euronews Albania.

  •  

Vuçiç cakton datën e zgjedhjeve të parakohshme

Serbia do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 18 ose 25 tetor, deklaroi të enjten presidenti Aleksandar Vuçiç

“Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 18 ose 25 tetor. Data e saktë do të bëhet e ditur në ditët e ardhshme”, tha Vuçiç gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi fillimisht ishin parashikuar të zhvilloheshin në dhjetor të vitit 2027.

“Në njërën listë do të jetë Partia Progresive Serbe në pushtet me listën e saj, ndërsa në tjetrën të gjitha alternativat e tjera politike”, tha ai.

Më 27 qershor, Vuçiç deklaroi se do të jepte dorëheqjen brenda disa javësh dhe se vendi do të zhvillonte zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe presidenciale, pas 18 muajsh protestash kundër qeverisë.

Kjo është hera e parë që presidenti serb jep data të mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve.

Njoftimi i Vuçiçit, i cili ka qenë në pushtet si president ose kryeministër për 12 vjet, vjen pas më shumë se një viti protestash kundër korrupsionit, të udhëhequra nga studentët.

Protestat nisën pas shembjes së një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor të vitit 2024, ngjarje në të cilën humbën jetën 16 persona.

Gjatë transmetimit televiziv, Vuçiç nuk bëri të ditur se kur do të jepte dorëheqjen për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme presidenciale.

Analistët thonë se Vuçiç mund të bëhet kryeministër nëse Partia Progresive Serbe fiton zgjedhjet parlamentare.

Një skenar i tillë do të vazhdonte tendencën shumëvjeçare sipas së cilës pushteti politik në Serbi është përqendruar rreth Vuçiçit, pavarësisht postit që ai mban.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por Beogradi vazhdon të ketë lidhje të forta me Rusinë dhe Kinën.

Kjo është një linjë ekuilibri që Vuçiç është përpjekur të ndjekë gjatë gjithë periudhës së tij në pushtet.

Përpara anëtarësimit në BE, Serbia duhet të përmirësojë sundimin e ligjit, përfshirë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

BE-ja ka deklaruar prej vitesh gjithashtu se Beogradi duhet ta përafrojë politikën e tij të jashtme me atë të bllokut evropian.

Përfaqësues të opozitës kanë akuzuar Vuçiçin dhe aleatët e tij për dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, korrupsion të përhapur, lidhje me krimin e organizuar dhe kufizim të lirisë së medias. Vuçiç dhe aleatët e tij i mohojnë këto akuza.

The post Vuçiç cakton datën e zgjedhjeve të parakohshme appeared first on Euronews Albania.

  •  

Melania Trump: Dëgjova se ju kisha munguar. Ja ku jam!

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, u rikthye më 20 gusht në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, ku njoftoi një donacion prej 2 milionë dollarësh për zgjerimin e programit të saj për bursat në 26 universitete.

Në fjalimin e saj, Melania Trump iu përgjigj indirekt edhe kritikave lidhur me mungesën e saj nga aktivitetet publike.

Dëgjova se ju kisha munguar. Ja ku jam”, tha Zonja e Parë, pasi doli nga Zyra Ovale krah për krah me bashkëshortin e saj, presidentin Donald Trump.

Dalja e saj erdhi pas një sërë artikujsh në mediat amerikane që ngrinin pyetjen: “Ku është Melania?”. Para kësaj, ajo ishte parë për herë të fundit në publik më 19 korrik, gjatë finales së Kupës së Botës 2026, raporton USAtoday.com

Melania Trump njoftoi se nisma e saj “Fostering the Future” do të zgjerojë rrjetin kombëtar falë një donacioni prej 2 milionë dollarësh nga IndyCar dhe Fox Corporation. Fondet do të përdoren për bursa në Universitetin e Indianës dhe Universitetin Purdue.

“Investimi më i madh që Amerika mund të bëjë nuk është në teknologji, infrastrukturë apo tregjet e kapitalit. Është te fëmijët tanë”, deklaroi ajo.

“Avantazhi më i madh konkurrues i Amerikës mbetet te vetë njerëzit e saj. Udhëheqësit e së nesërmes janë sot në bankat e shkollës, përfshirë edhe ata që rriten në kujdesin e familjeve kujdestare. Aftësitë e tyre nuk janë më pak të jashtëzakonshme”, shtoi Zonja e Parë.

Melania Trump është përballur me kritika në median amerikane për numrin relativisht të kufizuar të daljeve publike. Sipas USA Today, Këshilltari i saj i lartë, Marc Beckman, kundërshtoi idenë se mungesa e daljeve publike nënkupton mungesë pune. “Kjo Zonjë e Parë është e përqendruar te rezultatet. Ajo nuk është e përqendruar te imazhi”, tha Beckman. Ai përmendi miratimin në maj nga Dhoma e Përfaqësuesve të ligjit “Fostering the Future Act” dhe përpjekjet e Melania Trump për ta çuar atë për votim edhe në Senat.

The post Melania Trump: Dëgjova se ju kisha munguar. Ja ku jam! appeared first on Euronews Albania.

  •  

ChatGPT hyn në marketing, çfarë ndryshon për bizneset

ChatGPT po shndërrohet edhe në një platformë reklamimi, duke u krijuar bizneseve një kanal të ri për të arritur te konsumatorët.

Gjatë vitit 2026, OpenAI nisi shfaqjen e mesazheve të sponsorizuara për një pjesë të përdoruesve të ChatGPT.

Reklamat paraqiten në formën e një karte të veçantë, me titull, tekst, imazh dhe lidhje drejt faqes së reklamuesit.

Sipas OpenAI, përmbajtja e sponsorizuar është e ndarë nga përgjigjja që gjeneron ChatGPT dhe nuk ndikon në të.

Reklamat u shfaqen përdoruesve të planit Free dhe Go, ndërsa planet Plus, Pro dhe ato për bizneset mbeten pa reklama.

Ndryshe nga Google apo Facebook, sistemi nuk mbështetet te targetimi sipas moshës, profesionit apo karakteristikave të tjera demografike.

Targetimi aktualisht mund të bëhet kryesisht sipas vendit dhe kontekstit të përgjithshëm të bisedës.

OpenAI thekson gjithashtu se bisedat e përdoruesve nuk u jepen reklamuesve.

Modeli synon të arrijë konsumatorët pikërisht në momentin kur ata po kërkojnë informacion ose po krahasojnë alternativa.

Kjo e bën ChatGPT potencialisht tërheqës për sektorë si teknologjia, arsimi, turizmi dhe shërbimet.

Sipas Entrepreneur, interesi i industrisë së reklamave për këtë kanal të ri është rritur me shpejtësi.

Agjenci të mëdha ndërkombëtare kanë nisur të zhvillojnë strategji reklamimi të përshtatura për platformat e inteligjencës artificiale.

Një nga ndryshimet kryesore është mënyra se si konsumatorët po kërkojnë informacion para se të blejnë.

Gjithnjë e më shumë përdorues mund t’i drejtohen një asistenti të inteligjencës artificiale për të krahasuar produkte dhe shërbime.

Në disa raste, ata mund të marrin informacionin që kërkojnë pa vizituar fillimisht faqet tradicionale të internetit.

Kjo krijon një hapësirë të re konkurrimi për markat që kërkojnë të jenë të pranishme gjatë procesit të vendimmarrjes së konsumatorit.

Megjithatë, ChatGPT Ads mbetet një produkt relativisht i ri dhe mundësitë e targetimit dhe optimizimit janë ende të kufizuara.

Hyrja e ChatGPT në reklamim sinjalizon se inteligjenca artificiale po ndryshon jo vetëm mënyrën se si njerëzit kërkojnë informacion, por edhe mënyrën se si bizneset përpiqen të arrijnë te klientët

The post ChatGPT hyn në marketing, çfarë ndryshon për bizneset appeared first on Euronews Albania.

  •  

Alarm në Finlandë, një avion rus shkel hapësirën ajrore

Ministria finlandeze e Mbrojtjes bëri të ditur të enjten në mbrëmje se dyshon se një avion rus ka shkelur hapësirën ajrore të Finlandës më herët gjatë ditës.

“Çdo shkelje e dyshuar e hapësirës ajrore merret seriozisht”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Antti Häkkänen, në një njoftim të ministrisë. “Një hetim është në zhvillim.”

Në Finlandë janë regjistruar disa incidente të tilla. Vendi ndan me Rusinë një kufi prej rreth 1.340 kilometrash.

Finlanda dyshon se dy avionë ushtarakë rusë kanë hyrë në hapësirën e saj ajrore në muajt maj dhe qershor. Në atë kohë, autoritetet finlandeze thirrën për sqarime të ngarkuarin me punë të Rusisë.

Rreziku që dronët të devijojnë drejt territorit finlandez si pasojë e luftës në Ukrainë po rritet, kishte paralajmëruar në janar kreu i inteligjencës ushtarake të vendit.

Gjeneralmajori Pekka Turunen, drejtues i Inteligjencës së Mbrojtjes së Finlandës, foli për këtë çështje përpara publikimit të një raporti të inteligjencës ushtarake finlandeze, i cili përditëson vlerësimin për situatën e sigurisë në vend.

Një nga shqetësimet kryesore të evidentuara në raport ishte rreziku që dronët me rreze të gjatë veprimi të devijojnë dhe të hyjnë në Finlandë.

“Rreziku që një dron të devijojë në hapësirën ajrore finlandeze ose të bjerë në territorin e Finlandës po rritet vazhdimisht, sa më shumë që Ukraina kryen goditje në këtë zonë pranë Gjirit të Finlandës”, tha Turunen.

Situata e sigurisë në Finlandë është përkeqësuar që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Megjithatë, inteligjenca finlandeze vlerëson se situata ka mbetur në përgjithësi e pandryshuar krahasuar me një vit më parë.

Pas nisjes së luftës në Ukrainë, Finlanda i dha fund disa dekadave të neutralitetit ushtarak dhe aplikoi për anëtarësim në NATO. Vendi u bë zyrtarisht anëtar i Aleancës në prill të vitit 2023.

Gatishmëri e lartë

Evropa në tërësi ndodhet në gatishmëri të lartë pasi fluturimet e dronëve në hapësirën ajrore të NATO-s arritën nivele të paprecedenta në shtatorin e vitit të kaluar. Kjo i shtyu udhëheqësit evropianë të bien dakord për zhvillimin e një të ashtuquajturi “mur dronësh” përgjatë kufijve, me synim zbulimin, gjurmimin dhe neutralizimin e dronëve që shkelin hapësirën ajrore evropiane.

Në nëntor, zyrtarët ushtarakë të NATO-s njoftuan se një sistem i ri amerikan kundër dronëve ishte vendosur në krahun lindor të Aleancës.

Pas një shkeljeje të hapësirës ajrore të Polonisë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, njoftoi krijimin e programit “Eastern Sentry”, i cili synon të pengojë inkursione të tjera ruse.

Më herët të enjten, një avion luftarak rumun F-16 shkatërroi një dron detar të ngarkuar me eksploziv pranë projektit më të madh të gazit në det të hapur në Evropë. Ngjarja ndodhi disa orë pasi një tjetër dron hyri në hapësirën ajrore të Rumanisë, një vend anëtar i NATO-s, dhe u rrëzua pranë kufirit me Ukrainën.

Disa zyrtarë evropianë i kanë përshkruar incidente të tilla si përpjekje të Moskës për të testuar reagimin e NATO-s. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi nivelin e përgatitjes së Aleancës përballë kërcënimeve të mundshme nga Rusia.

Kremlini i ka hedhur poshtë si “të pabazuara” akuzat se Rusia qëndron pas disa prej fluturimeve të paidentifikuara të dronëve në Evropë.

The post Alarm në Finlandë, një avion rus shkel hapësirën ajrore appeared first on Euronews Albania.

  •  
❌