A po merrni më shumë vitamina dhe minerale sesa ju nevojiten – cilat prej tyre mund të jenë të rrezikshme?
Është shumë e vështirë të kontrollohet cilësia e suplementeve, prandaj ekspertët theksojnë që veçanërisht të shmangim produktet që reklamohen si “ilaç për gjithçka”
Vitaminat dhe mineralet janë mbrojtës të shëndetit të organeve vitale, sigurojnë energji, mbrojnë nga sëmundjet dhe forcojnë sistemin imunitar. Megjithatë, një tepricë e mundshme e tyre nuk është e mirë për organizmin. Hipervitaminoza ndodh kur niveli i vitaminave të depozituara në trup është anormalisht i lartë dhe konsiderohet gjendje toksike. Edhe teprica e mineraleve, për shembull e kaliumit, në raste të rënda mund të kërkojë trajtim urgjent. Për këtë arsye është e rëndësishme të njohim me kohë shenjat e hipervitaminozës.
Mos merrni kurrë suplemente pa këshillën e mjekut
Më shumë se 70% e njerëzve sot marrin të paktën një suplement dietik me shpresë se do të përmirësojnë shëndetin. Shpesh kombinohen disa lloje suplementesh, gjë që mund të sjellë shqetësime – më së shpeshti të aparatit tretës, por ndonjëherë edhe probleme shumë më serioze.
Dr. Robert J. Fontana, profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Miçiganit në Ann Arbor, kujton se marrja e suplementeve pa kontroll dhe në kombinim me barna, pa konsultim me mjekun, paraqet rrezik. Të njëjtën gjë thekson edhe Dr. Peter Cohen, profesor i mjekësisë në Harvard Medical School.
Prof. Cohen shton se është shpesh shumë e vështirë të kontrollohet cilësia e suplementeve dhe thekson të shmangen ato që reklamohen si “ilaç për gjithçka”, transmeton Telegrafi.
Çfarë ndodh kur përdorim doza të larta vitaminash dhe suplementesh?
Dietologia Olivia Thomas thekson se duhet të dimë pse i marrim suplementet: ato duhet të ndihmojnë në rast të mungesës së caktuar të vitaminave ose mineraleve, por nuk mund të zëvendësojnë një ushqyerje të shëndetshme apo të shërbejnë si rrugë e shkurtër drejt shëndetit.
Disa pacientë duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm ose të shmangin plotësisht suplementet.
– Kujdes i veçantë kërkohet tek ata që marrin barna, përdorin njëkohësisht disa suplemente, kanë probleme me mëlçinë, veshkat ose zemrën, janë pacientë onkologjikë apo marrin barna që ndikojnë në sistemin imunitar dhe hollimin e gjakut. Po ashtu, gratë shtatzëna, ato që ushqejnë me gji ose përpiqen të mbeten shtatzëna duhet të jenë veçanërisht të kujdesshme, thotë Dr. Cindy Reuter.

Cilat vitamina mund të jenë toksike?
Duhet mbajtur mend se teprica e vitaminave të tretshme në ujë (p.sh. vitamina C dhe vitaminat e grupit B) zakonisht eliminohet përmes urinës. Por vitaminat e tretshme në yndyrë (A, D, E dhe K) mund të grumbullohen në trup dhe të çojnë në toksicitet nëse merren pa kontroll, thekson Thomas.
Në varësi të suplementit ose kombinimit të tyre, simptomat mund të jenë të ndryshme:
Ndryshim i ngjyrës së urinës, probleme me tretjen (të përziera, diarre, kapsllëk, dhimbje barku).
Simptoma neurologjike si dhimbje koke, marramendje, mpirje e duarve ose këmbëve, çrregullime të gjumit.
Probleme të tjera si lodhje, rënie flokësh, ndryshim i ngjyrës së lëkurës, rritje e enzimave të mëlçisë ose dëmtime të funksionit të veshkave.
“Rrahje zemre” ose dhimbje gjoksi
Kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore nëse ndieni simptoma kardiake gjatë përdorimit të suplementeve.
– Disa produkte përmbajnë shumë kafeinë dhe mund të rrisin presionin e gjakut. Po ashtu, suplementet bimore mund të ndërveprojnë me ilaçet për uljen e tensionit, si bllokuesit e kanaleve të kalciumit, thekson Dr. Fontana.
Irritime të lëkurës
Skuqjet apo reaksionet alergjike mund të jenë sinjal se po marrim tepër suplemente, thotë Dr. Reuter. Studimet tregojnë se dermatiti alergjik i kontaktit mund të shfaqet si reagim i padëshiruar nga teprica e disa vitaminave (përjashtim bëjnë B2 dhe B9).
Urinë e errët dhe verdhëz në lëkurë
Nëse vërejmë këto simptoma, duhet të kontaktojmë menjëherë mjekun.
– Edhe pse rrallë, suplementet mund të shkaktojnë dëmtime të mëlçisë, shpjegon Dr. Fontana.
Marramendje
Marramendja ndonjëherë është shenjë e tepricës së hekurit. Konsumimi i lartë i tij mund të shkaktojë toksicitet të mëlçisë, shpjegon dietologia Sue-Ellen Anderson-Haynes.
– Shenjat e mbingarkesës me hekur përfshijnë tension të ulët, shije metalike në gojë dhe konvulsione. Në këto raste është e domosdoshme të kërkohet ndihmë mjekësore, thotë ajo.
Probleme me tretjen
Sipas Klinikës Mayo, suplementet e fibrave mund të shkaktojnë fryrje dhe gazra, ndërsa teprica e vitaminës C – diarre, të përziera dhe të vjella.
– Asnjë suplement nuk duhet t’ju bëjë të ndiheni dukshëm më mirë apo më keq. Çdo ndryshim i papritur fizik duhet të shihet si sinjal për të ndërprerë përdorimin e tij, thekson Dr. Cohen.
Mbani mend: Suplementet vetëm me rekomandim
Mjekët theksojnë se suplementet janë të nevojshme vetëm kur diagnostikohet mungesë e qartë e disa lëndëve ushqyese, si hekuri, zinku, seleni apo vitamina D. Suplementimi duhet bërë gjithmonë nën mbikëqyrjen e specialistit dhe për një periudhë të kufizuar kohore, pas së cilës rekomandohet kontrolli i analizave. Nëse vlerat janë brenda normës, zakonisht nuk ka nevojë për vazhdimin e mëtejshëm të marrjes së tyre. /Telegrafi/
The post A po merrni më shumë vitamina dhe minerale sesa ju nevojiten – cilat prej tyre mund të jenë të rrezikshme? appeared first on Telegrafi.