Reading view

Tërmeti në Japoni, të paktën 13 të vdekur. Alarm për lëkundje të tjera 7 ballë

Gazeta Si – Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Japoninë jugperëndimore dje, më 28 korrik, ka shkuar në 13.

Njoftimi u dha nga kryeministrja Sanae Takaichi. “Janë konfirmuar viktima, shembje ndërtesash, zjarre dhe dëme në rrugë,” u tha gazetarëve kryeministrja japoneze.

Disa persona rezultojnë të zhdukur pas shembjes së një qendre tregtare dhe shkatërrimit të një fabrike letre.

Sipas qeverisë, 9,000 persona ndodhen aktualisht në qendra evakuimi pas tërmetit; ky informacion u raportua nga “The Guardian”.

“Kemi marrë njoftime për shtatë persona të plagosur rëndë dhe 29 të tjerë me lëndime të lehta. Gjithashtu, 9,186 persona kanë kërkuar strehim në 506 qendra evakuimi në pesë prefektura, përfshirë Kumamoton dhe Fukuokën,” deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Minoru Kihara.

Në zonën e Kumamotos, në Japoninë jugperëndimore, u regjistruan pothuajse 170 lëkundje të ndjera nga popullata pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.1 që goditi rajonin.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) e publikoi këtë informacion, duke theksuar se shifra totale – e përditësuar deri në orën 09:00 të së mërkurës – përfshin tri lëkundje të nivelit “5 i ulët” (niveli i pestë në shkallën sizmike dhjetë-shkallëshe të Japonisë) dhe 11 lëkundje të nivelit 4.

Zona aktive sizmikisht shtrihet për rreth 50 kilometra midis zonës së brendshme të Kumamotos dhe Detit Yatsushiro, shpjegoi në një konferencë shtypi Masashi Kiyomoto – koordinatori i JMA-së për reduktimin e rrezikut nga tërmetet dhe cunamit.

Ai paralajmëroi se nuk mund të përjashtohej mundësia e një lëkundjeje që i afrohet nivelit maksimal të intensitetit 7 ballë gjatë javës në vijim.

Epiqendra e tërmetit ndodhej pranë çarjes tektonike Hinagu, e njëjta zonë ku në prill të vitit 2016 ndodhën tërmete të fuqishme me magnitudë 7.

Kjo seri lëkundjesh sizmike pati një ndikim të menjëhershëm në transport: kompania hekurudhore JR Kyushu pezulloi operacionet në të gjithë rrjetin Shinkansen në ishullin Kyushu për të inspektuar gjendjen e shinave dhe infrastrukturës, duke anuluar të gjithë trenat me shpejtësi të lartë në linjën Kumamoto–Kagoshima-Chuo.

Për të kompensuar ndërprerjen e shërbimit, Japan Airlines njoftoi planifikimin e dy fluturimeve speciale midis aeroporteve të Fukuokës dhe Kagoshimës për atë ditë.

The post Tërmeti në Japoni, të paktën 13 të vdekur. Alarm për lëkundje të tjera 7 ballë appeared first on Gazeta Si.

  •  

Pukë, sherri për pronën përfundon me të plagosur dhe 3 arrestime

Gazeta Si – Një konflikt për motive pronësie ka çuar në arrestimin e tre personave dhe procedimin në gjendje të lirë të dy të tjerëve në fshatin Dedaj të Pukës.

Sipas hetimeve paraprake, konflikti ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në fshatin Dedaj, ku personat e përfshirë, të gjithë fqinjë me njëri-tjetrin, dyshohet se janë përplasur për çështje pronësie, duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.

Si pasojë e përleshjes kanë mbetur të dëmtuar dy persona, të cilët janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në pranga u vunë I.Sh., 67 vjeç, F.Sh., 36 vjeç (djali i 67-vjeçarit) dhe G.I., 34 vjeç. Ndërkohë materialet u referuan në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. I., 60 vjeç dhe bashkëshorten e tij, shtetasen F. I., 43 vjeçe (motra e shtetasit G. I.), të gjithë banues në fshatin Dedaj të Pukës.

Policia ka sekuestruar sende dhe mjete që dyshohet se janë përdorur gjatë konfliktit.

The post Pukë, sherri për pronën përfundon me të plagosur dhe 3 arrestime appeared first on Gazeta Si.

  •  

Si u kap Ermal Beqiraj në Francë me avion mbi termocentral: Po flisja me nënën në telefon!

Gazeta Si – Ermal Beqiraj, i kërkuar nga SPAK për dosjen “AKSHI”, do të dalë këtë të mërkurë në një gjykatë franceze, e cila do të shqyrtojë kërkesën e drejtësisë shqiptare me qëllim ekstradimin, pasi ndaj tij është lëshuar masa “arrest me burg” nga Prokuroria e Posaçme.

I shpalluri në kërkim nga SPAK si pjesë e grupit të Ergys Agasit në zhvatjen e miliona eurove nga AKSHI, është arrestuar pasditen e të shtunës në Francë, ku u kap duke pilotuar një avion të vogël mbi termocentralin bërthamor Penly Në Seine-Maritime.

Situata ka alarmuar autoritetet franceze dhe ato evropiane, pasi termocentrali Penly është gjithashtu vendi i ndërtimit të EPR-2 të ardhshëm, një çift reaktorësh bërthamorë të gjeneratës së ardhshme, për të cilët ka një interes në nivel botëror. Ai kishte zbritur nën lartësinë minimale të lejuar në këtë zonë të konsideruar të sigurisë së lartë. 

Fluturimi i dyshimitë

Beqiraj teksa fluturonte në një lartësi prej 1200 metrash, papritmas uli lartësinë nën limitin ligjor për vendet e rëndësisë së tillë. Menjëherë forcat ajrore franceze dërguan një avion për të shoqëruar drejt aeroportit Albert dhe sapo zbriti në pistë ai u arrestua menjëherë.

Gjatë arrestimit të tij, iu gjetën tre AirTag të fshehura të cilët janë tre gjurmues të vegjël GPS. Mediat franceze shkruajnë se ky detaj çon hetimin drejt teorisë që piloti mund të ketë vepruar nën presion nga dikush që porositi fluturimin dhe se mund të bëhet fjalë për një rast spiunazhi.

Kur është ndaluar nga Forcat franceze Ajrore, Beqiraj gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se ulja e lartësisë kishte qenë e paqëllimshme, për shkak se në ato momente teksa po drejtonte avionin, ishte duke biseduar me nënën e tij në telefon. Ndaj tij u vendos një gjobë prej 7 mijë eurosh për fluturim të paligjshëm mbi termocentral.

Por, përgjigjet e tij krijuan dyshime të policia e për këtë arsye, pasi u komunikua me palën shqiptare, u vendos arrestimi, për shkak se rezultoi se bëhej fjalë për të shumëkërkuarin Ermal Beqiraj.

Akuzat dhe pasuritë

Beqiraj, 44 vjeç, zotëron kompaninë “Soft & Solution” dhe akuzohet nga SPAK se ka përfituar tenderë dhjetëra miliona eurove pas kërcenimeve që kishte bërë ndaj një shoqërie të përfshirë gjithashtu në tendera.

Beqiraj e Ergys Agasi dyshohet se morën peng biznesmenin Gerond Meçe për t’i kërkuar këtij të fundit të dorëhiqej nga ankimimet që kishte bërë mbi tenderat e AKSHI-t.

Të dy biznesmenët e shpallur në kërkim dyshohet se vepruan si grup kriminal duke bashkëpunuar me drejtoreshën Mirlinda Karçanaj e cila gjithashtu është e pandehur në këtë dosje.

10 pasuri të biznesmenit dhe disa llogari bankare të tij janë nën sekuestro. Mes tyre ka biznese në Vlorë, Tiranë, Golem, biznese, një jaht luksoz dhe disa automjete. Biznesmeni kishte vendosur jahtin ‘Predator 50 Skyfall’ me vlerë afro 1 milion euro në pronësi të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions”. Mbetet enigmë sesi një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, lëvizte i lirë nëpër shtetet e BE.

The post Si u kap Ermal Beqiraj në Francë me avion mbi termocentral: Po flisja me nënën në telefon! appeared first on Gazeta Si.

  •  

NYT: Irani shqyrtoi sulm ndaj një porti ukrainas

Nga Gazeta ‘Si’- Irani shqyrtoi mundësinë e një sulmi ndaj një porti ukrainas, si kundërpërgjigje ndaj goditjes së një anijeje tregtare iraniane në Detin Kaspik, por një valë kontaktesh diplomatike ka ndihmuar në uljen e tensioneve, raporton New York Times, duke cituar zyrtarë iranianë dhe perëndimorë.

Sipas raportimit, Ukraina goditi të shtunën një anije tregtare iraniane në Detin Kaspik, duke shkaktuar vdekjen e një marinari civil. Pas incidentit, autoritetet iraniane premtuan se do të hakmerreshin.

Burime të njohura me vlerësimet e inteligjencës thanë për gazetën se një nga skenarët e shqyrtuar ishte lëshimi i një rakete balistike me një kokë të vogël luftarake ndaj Ukrainës, me synimin për të dhënë një mesazh simbolik dhe për të shkaktuar dëme të kufizuara. Zyrtarë të tjerë vlerësuan se objektivi më i mundshëm do të ishte një nga portet ukrainase në Detin e Zi.

Sipas New York Times, një sulm i tillë do të përbënte një përshkallëzim të ndjeshëm të konfliktit dhe do të rriste rrezikun e një lufte më të gjerë, në kushtet e marrëdhënieve të tensionuara mes Iranit dhe Ukrainës për shkak të aleancës së Teheranit me Rusinë.

Raportimi thekson se zyrtarët iranianë shpresonin që çdo kundërpërgjigje të kufizohej në një goditje të vetme, ndërsa zyrtarët perëndimorë paralajmëronin se ishte e vështirë të parashikohej reagimi i Ukrainës.

Në një postim të dielën, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, e cilësoi sulmin ukrainas shkelje të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe deklaroi se ai “nuk mund të mbetet pa përgjigje”.

Megjithatë, situata nisi të zbutet pas kontakteve diplomatike. Të martën, Araghchi zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas, Andrii Sybiha.

Pas telefonatës, ministri iranian bëri të ditur se Sybiha e kishte përshkruar goditjen ndaj anijes si të paqëllimshme.

The post NYT: Irani shqyrtoi sulm ndaj një porti ukrainas appeared first on Gazeta Si.

  •  

Adnan Xholi hyn i pari në garën si kandidat për Prokuror të Përgjithshëm

Gazeta Si – Pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë hapi garën për Prokuror të Përgjithshëm, i pari që ka shprehur interesin ka qenë Adnan Xholi, prokuror i posaçëm i SPAK-ut.

Xholi kandidoi për kreun e SPAK përballë Klodian Brahos dhe prokurores Doloreza Musabelliu, por nuk arriti të zgjidhej në krye të institucionit të posaçëm. Gjithashtu edhe më herët kishte kandiduar përballë Altin DUmanit.

KLP hapi procedurën për përzgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm përmes një thirrjeje publike, pasi mandati 7-vjeçar i Prokurorit të Përgjithshëm aktual, Olsian Çela, përfundon në dhjetor të këtij viti.

Afati për dorëzimin e dokumentacionit nga kandidatët është deri më 1 gusht, në orën 00:00. Pas mbylljes së aplikimeve, KLP do të vijojë me verifikimin dhe vlerësimin e kandidatëve sipas procedurave ligjore. Në fund, do të jetë Kuvendi ai që do të zgjedhë kryeprokurorin e ri të përgjithshëm.

Kush është Adnan Xholi

Me një karrierë mbi dy dekada në sistemin e drejtësisë, Xholi është një nga emrat më të njohur të prokurorisë shqiptare.

I lindur në Dibër më 6 korrik 1975, ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe është emëruar prokuror në janar të vitit 2004.

Më herët ka shërbyer si oficer i Policisë Gjyqësore dhe si prokuror në Gjirokastër, përpara se të transferohej në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë.

Gjatë karrierës së tij ka mbajtur edhe disa funksione drejtuese. Ai ka drejtuar përkohësisht Prokurorinë e Lezhës dhe Prokurorinë për Krime të Rënda, ndërsa më pas ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Hetimit dhe më vonë Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme.

Në korrik të vitit 2021, pas kalimit të procesit të rivlerësimit kalimtar (Vetting), Xholi iu bashkua Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku ushtron detyrën e prokurorit të posaçëm. Në SPAK ai ka hetuar dosje të bujshme të narkotrafikut vrasjeve me pagese dhe krimit të organizuar.

Kjo nuk është hera e parë që Adnan Xholi kandidon për një post drejtues. Në vitin 2022 ai ishte kandidat për drejtimin e SPAK, ndërsa në fund të vitit 2025 garoi sërish për kreun e institucionit, duke paraqitur platformën e tij për forcimin e hetimeve dhe rritjen e efektivitetit të prokurorisë.

The post Adnan Xholi hyn i pari në garën si kandidat për Prokuror të Përgjithshëm appeared first on Gazeta Si.

  •  

‘Mund të jemi në mes të një flluske të inteligjencës artificiale’

Nga Gazeta ‘Si’- Investimet e vrullshme në inteligjencën artificiale mund të kenë krijuar një “flluskë” financiare të ngjashme me atë të dotcom-it në fillim të viteve 2000 ose me krizën financiare të vitit 2008, paralajmëron Bordi i Stabilitetit Financiar (FSB).

Sekretari i përgjithshëm i FSB-së, John Schindler, tha se vlerësimet e larta të kompanive të lidhura me AI mund të jenë rezultat i një entuziazmi të tepruar të tregjeve.

Sipas tij, historia ka treguar se mania për teknologjitë e reja shpesh shoqërohet me rritje artificiale të çmimeve të aktiveve.

“E pamë këtë gjatë periudhës së dotcom-it dhe para krizës financiare globale me flluskën e çmimeve të banesave. Mund të jemi duke parë diçka të ngjashme edhe tani”, u shpreh ai.

Sipas Goldman Sachs, kompanitë e lidhura me inteligjencën artificiale kanë shtuar rreth 27 trilionë dollarë në vlerën e tregut që nga nëntori i vitit 2022.

Ndërkohë, FSB shqetësohet se investimet janë përqendruar në pak kompani gjigante, çka mund të krijojë tronditje më të gjera financiare nëse vlerat e tyre bien ndjeshëm.

Paralajmërime të ngjashme kanë bërë edhe Banka për Rregullimet Ndërkombëtare (BIS) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), të cilët kanë theksuar se tregjet mund të përballen me korrigjime të forta nëse inteligjenca artificiale nuk arrin të përmbushë pritshmëritë për fitim dhe rritje të produktivitetit.

Megjithatë, Schindler theksoi se sistemi bankar është më rezistent ndaj goditjeve krahasuar me periudhën para vitit 2008, por shtoi se rreziqe të reja mund të jenë grumbulluar në sektorin financiar jobankar, i cili është rritur ndjeshëm dhe mbikëqyret më pak./ Politico

The post ‘Mund të jemi në mes të një flluske të inteligjencës artificiale’ appeared first on Gazeta Si.

  •  

Momenti viral në funeral/ Trump i ofroi karamele, JD Vance i refuzon! 

Një veprim i presidentit amerikan Donald Trump gjatë funeralit të senatorit Lindsey Graham, është bërë viral në internet.

Rreth dy orë pas fillimit të funeralit, ndërsa të pranishmit qëndronin në heshtje dhe përkujtonin të ndjerin, Trump u pa duke futur dorën në xhep dhe duke nxjerrë një kuti me karamele Tic-Tac.

Ai i drejtohet JD Vance për t’i ofruar disa prej karameleve me mente, por zëvendëspresidenti e refuzon. Pasi merr një për vete, Trump provon t’i japë disa edhe kandidatit për Sekretar të Thesarit, Scott Bessent.

The post Momenti viral në funeral/ Trump i ofroi karamele, JD Vance i refuzon!  appeared first on Gazeta Si.

  •  

Arabia Saudite i bashkohet SHBA-ve në sulmet ndaj milicive të mbështetura nga Irani në Irak

Nga Gazeta ‘Si’- Arabia Saudite i është bashkuar Shteteve të Bashkuara në një seri sulmesh ajrore kundër një milicie të mbështetur nga Irani në Irak, duke shënuar një përshkallëzim të ri të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM) bëri të ditur se sulmet kishin në shënjestër “terroristë të lidhur me Iranin, të drejtuar nga Garda Revolucionare Islamike (IRGC), të cilët kanë kryer sulme ndaj forcave amerikane dhe infrastrukturës energjetike saudite”.

Megjithëse CENTCOM nuk e identifikoi grupin e goditur, Forcat e Mobilizimit Popullor (PMF), një organizatë që përfshin disa milici pro-iraniane në Irak, njoftuan se të paktën 10 anëtarë të tyre u vranë nga sulmet.

Operacioni vjen menjëherë pasi Irani lëshoi disa raketa balistike ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme.

Sipas SHBA-ve, sulmi kishte në shënjestër një bazë amerikane në Jordani, por të gjitha raketat u interceptuan me sukses. Nga ana tjetër, Teherani konfirmoi se kishte goditur bazën amerikane.

Garda Revolucionare Islamike iraniane deklaroi gjithashtu se kishte goditur tre cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të energjisë.

Sipas CENTCOM-it, avionët luftarakë amerikanë dhe sauditë goditën disa depo armësh dhe qendra logjistike në Irakun lindor, në përgjigje të më shumë se 30 sulmeve me dronë të drejtuara nga IRGC gjatë 72 orëve të fundit. Komanda amerikane paralajmëroi se Irani dhe grupet e tij aleate duhet t’i ndërpresin sulmet për të shmangur reagime të tjera ushtarake.

Forcat e Mobilizimit Popullor i cilësuan sulmet amerikano-saudite si një “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe shkelje të sovranitetit të Irakut.

Edhe Arabia Saudite raportoi se kishte rrëzuar disa dronë që synonin objektet e saj të naftës në lindje të vendit. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes saudite, gjeneralmajor Turki al-Maliki, tha se dronët ishin lëshuar nga milici të lidhura me Iranin nga territori irakian.

Përshkallëzimi i ri vjen vetëm dy ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se mes Washingtonit dhe Teheranit po zhvilloheshin “negociata shumë miqësore”.

Përpara këtij raundi sulmesh, të dyja palët kishin kaluar tre ditë pa shkëmbyer goditje ushtarake, pas 13 netëve radhazi bombardimesh amerikane ndaj objektivave në Iran.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mes palëve, ndërsa Irani vazhdon të mohojë se po zhvillon negociata me SHBA-në.

Përshkallëzimi i tensioneve ndikoi menjëherë edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Çmimi i naftës Brent u rrit me 4.3%, duke arritur në 87.70 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u rrit me 4.2%, në 82.62 dollarë për fuçi, për shkak të shqetësimeve se konflikti mund të pengojë furnizimin përmes Ngushticës së Hormuzit.

Sulmet përkuan edhe me vizitën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Uashington, ku ai u takua me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë. Sipas të dhënave të fundit të Pentagonit, të paktën 624 ushtarakë amerikanë janë plagosur që nga fillimi i operacioneve ushtarake kundër Iranit në muajin shkurt.

The post Arabia Saudite i bashkohet SHBA-ve në sulmet ndaj milicive të mbështetura nga Irani në Irak appeared first on Gazeta Si.

  •  

Roberto Mançini trajneri i ri i Italisë, Klaudio Ranieri drejtor teknik i skuadrës

Gazeta Si – Të martën pasdite, Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giovanni Malagò, njoftoi zgjedhjen e Roberto Mancinit si trajner të kombëtares gjatë një konference për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Federal të Federatës së Futbollit.

Malagò shtoi se kishte zgjedhur Claudio Ranierin si drejtor teknik të kombëtares – në rolin e ndërlidhësit midis federatës dhe trajnerit – si dhe si president të ri të “Club Italia”, organi që mbikëqyr dhe menaxhon të gjitha ekipet kombëtare të Italisë.

Konferenca për shtyp për prezantimin e Mancinit dhe Ranierit është planifikuar për të mërkurën, më 29 korrik, në orën 18:20.

Malagò vuri në dukje gjithashtu se deri në fund të javës do të emërohej një koordinator për ekipet kombëtare të moshave.

Malagò deklaroi se e zgjodhi Mancinin bazuar në “një sërë konsideratash”, ndonëse nuk dha detaje të mëtejshme rreth tyre.

Ai shpjegoi më tej se Andrea Pirlo ishte zgjedhur dhe miratuar më parë si trajner nga vetë ai, Paolo Maldini dhe Leonardo, por se kishte ndryshuar mendim pasi kishte mësuar për partneritetin midis Pirlos dhe Fonbet – një agjenci ruse bastesh, për të cilën Pirlo ka shërbyer si “ambasador global” që nga viti 2025 dhe në faqen e internetit të së cilës shfaqet ende imazhi i tij.

Malagò sqaroi se as ai, as Maldini dhe as Leonardo nuk kishin qenë në dijeni të këtij partneriteti dhe deklaroi se Maldini dhe Leonardo (të cilët kishin marrë detyrat e drejtorit teknik dhe asistentit të tij më 11 korrik) ishin larguar nga pozicionet e tyre me “marrëveshje të përbashkët dhe miqësore”.

Rikthimi i Mançinit

Mancini është 61 vjeç; një ish-futbollist i talentuar, ai ka punuar si trajner që nga viti 2001. Gjatë karrierës së tij, ai ka drejtuar dy nga ekipet më të mira në botë – Interin dhe Manchester City-n – dhe, veçanërisht, ka drejtuar më parë kombëtaren italiane midis viteve 2018 dhe 2023.

Me kombëtaren, ai fitoi Kampionatin Evropian në vitin 2021 dhe regjistroi një ecuri prej 37 ndeshjesh radhazi pa humbje (një rekord që u thye së fundmi nga kampionia e botës, Spanja).

Megjithatë, kombëtarja e tij nuk arriti të kualifikohej për Kupën e Botës 2022, pasi humbi 1–0 ndaj Maqedonisë së Veriut në ndeshjet e “play-off”-it kualifikues.

Pas asaj humbjeje, Mancini qëndroi në krye të Italisë për më shumë se një vit, përpara se të jepte dorëheqjen papritur në gusht të vitit 2023.

Pak kohë më pas, ai mori drejtimin e kombëtares së Arabisë Saudite – me rezultate të dobëta – dhe më vonë të klubit nga Katari, Al-Sadd.

Ranieri

Duke folur për Ranierin, Malagò tha: “Kisha nevojë për dikë me të cilin mund të ndaja vendimin lidhur me trajnerin kryesor […] dikë që mund të bëhej President i “Club Italia” dhe Drejtor Teknik dhe ai person është Claudio Ranieri”.

Ranieri është 74 vjeç. Ai ka qenë një lojtar i mirë; midis viteve ’70 dhe ’80, luajti kryesisht për Catanzaro-n, Catania-n dhe Palermo-n.

Që nga viti 1985, ai ka drejtuar ekipe të shumta në Itali, Valencian dhe Atlético Madridin në Spanjë, Monacon dhe Nantes në kampionatin francez, kombëtaren greke, si dhe disa klube në Angli: Chelsea, Fulham, Watford dhe Leicester.

Me këtë të fundit, ai arriti famë të madhe, pasi fitoi titullin e kampionatit anglez në sezonin 2015–2016 me një ekip nga i cili nuk pritej aspak një arritje e tillë.

Vitet e fundit, Ranieri drejtoi Cagliarin – duke deklaruar se do të ishte ekipi i tij i fundit – para se të kalonte te Roma, fillimisht si trajner e më pas si konsulent.

Pas shkarkimit të Luciano Spallettit në qershor të vitit 2025, ish-presidenti i FIGC-së, Gabriele Gravina, i kërkoi Ranierit të merrte drejtimin e kombëtares italiane, por ai refuzoi për të qëndruar te Roma. Përfundimisht, zgjedhja ra mbi Gennaro Gattuson, por gjërat nuk shkuan mirë.

Çështja “Pirlo”

Në mbrëmjen e së premtes, më 24 korrik, roli i trajnerit dukej se i ishte caktuar pothuajse me siguri Andrea Pirlos, një ish-lojtar 47-vjeçar që ende nuk ka arritur ndonjë sukses të madh si trajner.

Megjithatë, situata ndryshoi gjatë fundjavës për shkak të kritikave lidhur me rolin e Pirlos si ambasador i markës “Fonbet”.

Ka qenë një periudhë kaotike – që ka zgjatur me muaj të tërë, në fakt – për FIGC-në, pasi kombëtarja ka mbetur pa trajner që nga prilli, kur Gennaro Gattuso dha dorëheqjen pasi Italia dështoi të kualifikohej në Kupën e Botës për herë të tretë radhazi.

Krahas Gattusos (i cili ndërkohë është bërë trajner i Lazios), në prill dha dorëheqjen edhe 72-vjeçari Gabriele Gravina; ai kishte shërbyer si president i FIGC-së që nga viti 2018, duke u rizgjedhur në vitet 2021 dhe 2025.

Në fund të qershorit, Gravina u pasua nga Malagò, një 67-vjeçar që kishte shërbyer si president i CONI-t (Komiteti Olimpik Kombëtar Italian) nga viti 2013 deri në vitin 2025.

Malagò u zgjodh me shumicë të madhe votash dhe iu ngarkua detyra për të rigjallëruar – apo ndoshta edhe për të rindërtuar – futbollin italian, duke filluar me zgjedhjen e një trajneri të ri për kombëtaren. Në këtë rast, megjithatë, trajneri nuk është saktësisht i ri.

The post Roberto Mançini trajneri i ri i Italisë, Klaudio Ranieri drejtor teknik i skuadrës appeared first on Gazeta Si.

  •  

Trump pret Netanjahun dhe Zelenskin në Shtëpinë e Bardhë: Takime pozitive

Gazeta Si – Presidenti Trump tani ka përfunduar takimin me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, që u parapri nga takimi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenski.

“Presidenti Trump ka përfunduar takimet e tij në Zyrën Ovale me Presidentin Zelensky dhe Kryeministrin Netanyahu. Të dy takimet ishin pozitive dhe produktive!”, shkroi në X zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Ky është takimi i parë mes Trumpit dhe Netanyahut që nga fillimi i luftës kundër Iranit më 28 shkurt dhe i teti që nga fillimi i mandatit të dytë presidencial të Trumpit.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, dy liderët do të diskutojnë konfliktin me Iranin, praninë e Izraelit në Libanin jugor dhe përpjekjet për zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit.

Më herët, në takim me presidentin amerikan ishte presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Por mes tij dhe Netanyahut nuk do të ketë takim.

Trump u është përgjigjur edhe lajmeve se Netanyahu do t’i paraqesë informacione të reja të inteligjencës mbi rindërtimin e programit bërthamor iranian.

“Nuk kam nevojë që Bibi të më thotë këto gjëra. Ai m’i thotë sepse dëshiron që unë të mbetem i përfshirë”, tha presidenti amerikan.

Trump u shpreh i irrituar nga fakti që Netanyahu i bëri publike këto pretendime.

“Dëgjova Bibin duke e njoftuar këtë dhe mendova: pse nuk ma thotë vetëm mua? Pse duhet t’ia shpallë gjithë botës?”, shtoi ai.

Ndërsa vizita e presidentit ukrainas në Uashington pritet të shërbejë për më shumë mbështetje nga SHBA, sidomos për mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

“Presidenti dhe unë diskutuam për licencat për prodhimin e raketave interceptuese Patriot dhe disa ide të tjera që mund të ndihmojnë,” shkroi Zelensky në një reagim të postuar në rrjetet sociale.

The post Trump pret Netanjahun dhe Zelenskin në Shtëpinë e Bardhë: Takime pozitive appeared first on Gazeta Si.

  •  

Arrestohet në Francë Ermal Beqiraj, i kërkuar nga SPAK për dosjen ‘AKSHI’. Po pilotonte një avion mbi centralin bërthamor!

Gazeta Si – Një nga emrat më të kërkuar nga SPAK për çështjen AKSHI, Ermal Beqiraj, arrestohet në Francë.

Sipas mediave lokale, Beqiri u ndalua pasi fluturoi mbi një central bërthamor në Normandi të Francës në një lartësi më të ulët se kufiri i lejuar.

Profili i tij ka ngjallur dyshime te hetuesit, të cilët nuk e përjashtojnë pistën e spiunazhit. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës, 25 korrik, kur avioni i drejtuar nga biznesmeni ka kaluar mbi zonën e mbrojtur dhe ka ulur papritur lartësinë nën kufirin e lejuar për fluturimet mbi objekte të ndjeshme.

Pas sinjalizimit, ushtria ajrore franceze dërgoi një mjet për ta shoqëruar avionin deri në aeroportin e Albertit, në Somme, ku piloti (biznesmeni i shpallur në kërkim) u arrestua nga policia dhe u vendos në paraburgim.

Gjatë kontrollit fizik, autoritetet franceze i gjetën tre pajisje gjurmuese “AirTag”, të cilat përdoren për lokalizim. Ky element ka ngritur dyshime te hetuesit, të cilët po shqyrtojnë mundësinë që ai mund të ketë vepruar nën ndikimin ose urdhrat e një personi tjetër.

Gabimi me lartësinë e fluturimit?

Gjatë marrjes në pyetje, biznesmeni shqiptar ka deklaruar se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se në momentin e kalimit mbi central ishte duke folur në telefon me nënën e tij.

Sipas raportimeve, ai është dënuar në Francë me 7 mijë euro gjobë për fluturim të ndaluar mbi një zonë të mbrojtur dhe më pas i është dorëzuar strukturave kundër krimit të organizuar. Sipas mediave franceze, ai pritet të ekstradohet në Shqipëri.

Akuzat e SPAK-ut

Ermal Beqiraj, pronari i kompanisë “Soft & Solution”, akuzohet nga SPAK se është përfshirë në korrupsion, abuzim dhe manipulim të tenderave të AKSHI-t.

Ai dyshohet si pjesë ose drejtues i një grupi të strukturuar kriminal që ka përfituar shuma të mëdha monetare në mënyrë të paligjshme.

Hetimet e SPAK të nisura për çështjen e AKSHI-t, zbuluan edhe një jaht luksoz në pronësi të biznesmenit të shpallur në kërkim, Ermal Beqiraj.

Bëhet fjalë për një jaht të markës Predator 50 Skyfall, vlera e të cilit në treg shkon gati 1 mln euro.

Sipas SPAK, biznesmeni Beqiri e ka vendosur këtë jaht në pronësi të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions”, por prokurorët e posaçëm dyshojnë se jahti është blerë nga biznesmeni Beqiraj.

Në dosjen e SPAK, Tamizi rezulton se është personi që rekrutonte edhe stafin për kompaninë e Beqirit dhe më pas i transferonte tek kompania e biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur po ashtu në kërkim.

Gjithashtu atij i janë sekuestruar 10 pasuri dhe disa llogari bankare të tij e subjekteve. Mes tyre, truall e ndërtesa në Vlorë, Tiranë, e Golem, biznese dhe automjete.

The post Arrestohet në Francë Ermal Beqiraj, i kërkuar nga SPAK për dosjen ‘AKSHI’. Po pilotonte një avion mbi centralin bërthamor! appeared first on Gazeta Si.

  •  

Tenderët 1 mln euro në Bashkinë Divjakë, 6 zyrtarëve u konvertohet dënimi me shërbim prove

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtorë gjashtë zyrtarë të Bashkisë Divjakë, të akuzuar nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderë publikë me një vlerë totale rreth 1 milion euro.

Vendimi u dha këtë të hënë nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Bani, pas zhvillimit të procesit me gjykim të shkurtuar. Për këtë arsye, të gjithë të pandehurve iu ul dënimi me një të tretën, nga 1 vit burg në 8 muaj burgim.

Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk do të vuajë dënimin në burg. Për tre prej të dënuarve, gjykata vendosi zëvendësimin e dënimit me 120 orë punë në interes publik, ndërsa për tre të tjerët urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien në shërbim prove.

Të dënuarit janë Dorjan Spaho, Sara Xhepa (Doko), Roklejd Malko, Fatos Veliu, Elbareta Nishica dhe Vojsava Leçini. Fatos Veliu, Elbareta Nishica dhe Vojsava Leçini janë vendosur në shërbim prove për 16 muaj dhe, përveç kësaj, u është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.

Sipas SPAK, hetimi lidhet me tre procedura tenderimi të zhvilluara nga Bashkia Divjakë, me një fond total prej rreth 1 milion eurosh. Të gjashtë u shpallën fajtorë për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

The post Tenderët 1 mln euro në Bashkinë Divjakë, 6 zyrtarëve u konvertohet dënimi me shërbim prove appeared first on Gazeta Si.

  •  

SPAK kryen kontrolle dhe sekuestrime në Bashkinë e Tiranës

Gazeta Si – Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë zhvilluar këtë të martë, 28 korrik 2026, kontrolle në ambientet e brendshme të Bashkisë së Tiranës.

Deri në këtë moment nuk është bërë e ditur çështja konkrete për të cilën po kryhen veprimet hetimore, ndërsa nuk ka ende një reagim zyrtar nga SPAK.

Megjithatë, burime paraprake, bëjnë me dije se janë sekuestruar dokumentacionet që lidhen me udhëtimet e kryebashkiakut Erion Veliaj jashtë vendit, si dhe dietat.

Më herët, sot në IEVP e Durrësit, tre avokatë, dy prej të cilëve anglezë, Ben Brandon dhe Celia Marr, takuan klientin e tyre Erion Veliaj.

Edhe pse prej kohësh ishte kërkuar kontakti me Veliajn, ai u bë i mundur vetëm sot, me miratimin e SPAK, i cili autorizoi vizitën në IEVP Durrës.

Qëllimi i tyre ishte të bënin një rezyme të procesit të Erion Veliajt dhe, sipas avokatit Ben Brandon, takimi ishte i pari me klientin e tyre.

U bë e ditur se ata do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për masën e sigurisë që i është caktuar Erion Veliajt, “arrest në burg”, duke kërkuar një masë më të butë që t’i mundësojë të vazhdojë edhe detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Për këtë çështje është angazhuar edhe një studio tjetër ligjore amerikane, avokatët e së cilës ende nuk kanë marrë miratimin e SPAK për të takuar Erion Veliajn.

Ndërsa avokati Plarent Ndreca konfirmoi edhe një herë vendimin për ta çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut.

Ai tha se presin miratimin që edhe avokatët amerikanë të kontaktojnë Veliajn. Sipas Ndrecës, mbrojtja do të atakojë edhe çështjen e akuzuesit anonim, si dhe do të kundërshtojë emërimin, që e konsideron antikushtetues, të prokurorit të çështjes, Olsi Dado.

Kryebashkiaku, Erion Veliaj ndodhet në burg që prej 10 shkurtit të vitit 2025. Prokuroria e Posaçme ka ngritur një sërë akuzash ndaj tij, duke përfshirë korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.

Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me marrje të përfitimeve të paligjshme në 9 raste, ku kompanitë e përfshira kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë, në këmbim të favoreve monetare dhe pasurive të paluajtshme.

The post SPAK kryen kontrolle dhe sekuestrime në Bashkinë e Tiranës appeared first on Gazeta Si.

  •  

A po i mbarojnë armët SHBA-ve?

Nga Gazeta ‘Si’- Kur presidenti amerikan Donald Trump doli në skenë në Samitin e Mbrojtjes dhe Inovacionit në Pensilvani, i shoqëruar nga drejtuesit e disa prej kompanive më të mëdha të industrisë së armëve në SHBA, ai kishte një mesazh të qartë: të prodhohen më shumë armë dhe më shpejt.

“Ne kemi cilësinë më të mirë në botë, por na duhet pak më shumë shpejtësi”, u tha Trump prodhuesve të armëve, ndërsa administrata e tij e paraqiti samitin si pjesë të një strategjie për të ringjallur industrinë amerikane dhe për të forcuar aftësitë ushtarake të vendit.

Megjithatë, pas kësaj thirrjeje fshihet një tjetër realitet: shpenzimi masiv i municioneve të sofistikuara gjatë afro 40 ditëve të luftimeve intensive me Iranin në kuadër të operacionit “Epic Fury”.

Sipas qeverisë amerikane, lufta i ka kushtuar SHBA-së rreth 37.5 miliardë dollarë, ku pjesa më e madhe e kësaj shume është përdorur për municione.

Deri në hyrjen në fuqi të armëpushimit më 8 prill, forcat amerikane kishin goditur mbi 13 mijë objektiva në Iran, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore kishin interceptuar më shumë se 1,700 dronë dhe raketa balistike iraniane.

Tashmë, SHBA ka pezulluar sulmet për t’i lënë hapësirë negociatave. Sipas një raporti të The New York Times, Trump u këshillua të mos e përshkallëzonte më tej konfliktin, pasi kjo do të konsumonte edhe më shumë rezervat amerikane të armëve.

Vetë Trump e ka mohuar se ekziston një mungesë municionesh.

“Kemi shumë më tepër municione se çdo vend tjetër në botë, madje më shumë sesa na duhen”, deklaroi ai për Wall Street Journal.

Megjithatë, ky ka qenë një debat i ndjeshëm brenda administratës amerikane. Vetëm pak javë më parë, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mohonte se rezervat po pakësoheshin, por së fundmi ai i kërkoi Senatit 87 miliardë dollarë shtesë për të mbuluar “mungesa kritike”, përfshirë pajisjet dhe municionet.

Shifrat e sakta mbi rezervat amerikane mbeten të klasifikuara, por të dhënat e Center for Strategic and International Studies (CSIS) tregojnë se stoqet e disa prej armëve më të rëndësishme janë tkurrur ndjeshëm dhe se zëvendësimi i tyre nuk është i shpejtë.

“Varet nga lloji i municionit, por prodhimi i një rakete mund të zgjasë nga një deri në pesë vjet. Nuk ka asgjë që mund ta përshpejtojë këtë proces”, thotë Mark Cancian, ish-kolonel i Korpusit të Marinës dhe studiues në CSIS.

Pikërisht për këtë arsye po shtrohet pyetja nëse SHBA po konsumon municionet me një ritëm që mund të ndikojë në aftësinë e saj për t’u përballur me konflikte të tjera në të ardhmen./ BBC

The post A po i mbarojnë armët SHBA-ve? appeared first on Gazeta Si.

  •  

Në kërkim nga SPAK për trafik droge, dorëzohet në polici Nazmi Shahini

Gazeta Si – Nazmi Shahini (Drazhi), një personazh i shumëkërkuar nga SPAK, është vetëdorëzuar në polici, pasi ishte shpallur në kërkim si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge.

Arrestimi i tij u krye në zbatim të masës së sigurisë “arrest në burg”, të caktuar në mungesë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas hetimeve të SPAK, Shahini dyshohet se ka qenë pjesë e një organizate kriminale që ka vepruar gjatë viteve 2020-2021, e përfshirë në trafikimin e rreth 8.1 tonëve lëndë narkotike, kryesisht kokainë dhe kanabis.

Prokuroria thotë se droga transportohej nga Brazili, Ekuadori, Kolumbia, Spanja dhe Maroku, me destinacion Italinë, Belgjikën, Holandën, Spanjën dhe vende të tjera evropiane.

Hetimet e SPAK për këtë grup kriminal vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë në aktivitetin kriminal.

The post Në kërkim nga SPAK për trafik droge, dorëzohet në polici Nazmi Shahini appeared first on Gazeta Si.

  •  

Stresi financiar i vazhdueshëm mund të përshpejtojë plakjen e trurit

Nga Gazeta ‘Si’- Shqetësimet kronike për paratë mund të ndikojnë në mënyrë të fshehtë në mënyrën se si plaket truri, sipas një studimi të ri.

Analiza e 2.759 personave në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se individët që kishin përjetuar vështirësi ekonomike gjatë jetës së tyre kishin funksion më të dobët njohës në moshën 53-vjeçare, krahasuar me ata që nuk kishin kaluar probleme të tilla financiare.

Sipas studiuesit Jacques Wels nga University College London, nuk janë episodet e rralla të vështirësive ato që ndikojnë më shumë, por akumulimi i problemeve ekonomike për shumë vite.

Personat që kishin përjetuar mungesë të vazhdueshme të të ardhurave ose vështirësi financiare gjatë moshës së re dhe mesatare kishin rezultate më të dobëta në testet e kujtesës dhe aftësive njohëse në moshën 53-vjeçare. Studimi tregoi gjithashtu se deri në moshën 71-vjeçare ata shfaqnin shenja më të mëdha të tkurrjes së trurit.

Studiuesit vunë re se këta persona kishin një ritëm më të ngadaltë të rënies së kujtesës verbale nga mosha 53 deri në 69 vjeç, çka sugjeron se një pjesë e dëmtimeve njohëse mund të kishte ndodhur më herët, gjatë moshës së mesme.

Sipas autorëve, stresi financiar rrit ngarkesën mendore dhe zvogëlon kapacitetin e trurit për procese të rëndësishme si përqendrimi dhe marrja e vendimeve. Përballja afatgjatë me pasigurinë ekonomike mund të krijojë stres kronik në sistemet që lidhen me funksionimin e trurit dhe të çojë në dëmtime njohëse me kalimin e kohës.

Studimi zbuloi gjithashtu se ndikimi i vështirësive financiare në plakjen e trurit ishte më i madh te burrat, te personat që kishin ardhur nga familje me kushte të pafavorshme ekonomike gjatë fëmijërisë dhe te ata me faktorë gjenetikë që rrisin rrezikun për Alzheimer.

Studiuesit theksojnë se parandalimi i varfërisë kronike dhe mbështetja e personave që përballen me vështirësi ekonomike mund të ndihmojnë jo vetëm në përmirësimin e mirëqenies financiare, por edhe në uljen e rrezikut për rënie të kujtesës dhe sëmundje si demenca.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një periudhë kur kriza e kostos së jetesës ka rritur numrin e familjeve që raportojnë vështirësi financiare.

Sipas studiuesve, reduktimi i faktorëve të ndryshueshëm të rrezikut mund të luajë një rol të rëndësishëm në parandalimin e plakjes së shpejtë të trurit dhe rasteve të demencës në të ardhmen./ Euronews eu

The post Stresi financiar i vazhdueshëm mund të përshpejtojë plakjen e trurit appeared first on Gazeta Si.

  •  

Melburn-Tuluzë për 24 orë në ajër, ‘bisha’ prej hekuri që theu rekordin

Gazeta Si – U nis nga Melburni i Australisë rreth orës 17:27 dhe u ul në Tuluzë në orën 09:00. Në total – duke marrë parasysh ndryshimet e zonave kohore – kjo përbënte më shumë se 24 orë fluturim të pandërprerë, pa asnjë ndalesë.

Ky rekord i ri për fluturimin më të gjatë të kryer ndonjëherë – që përshkoi Paqësorin, SHBA-në, Grenlandën dhe një pjesë të Atlantikut – u vendos nga A350-1000 ULR, një avion i projektuar nga Airbus posaçërisht për kompaninë ajrore australiane “Qantas”.

Vetë emri i tij e zbulon qëllimin: ULR do të thotë “Ultra Long Range” (Rreze Ultra e Gjatë), duke iu referuar rrugëve që, deri pak vite më parë, konsideroheshin të pamundura për t’u përshkuar në një etapë të vetme.

Avioni gjigant është ende në fazën e testimit. Duke filluar nga tetori i vitit 2027 – me kusht që të respektohet kalendari i planifikuar – “Qantas” do të nisë ta përdorë atë për të lidhur drejtpërdrejt Sidnein me Londrën dhe Nju-Jorkun.

Për momentin, fluturimi provë ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm. Airbus-i qëndroi në ajër për saktësisht 24 orë e 24 minuta, ndërkohë që dy itineraret e planifikuara për vitin e ardhshëm pritet të zgjasin nga dy deri në katër orë më pak.

Vetëm pak ditë më parë, i njëjti avion kishte fluturuar për 19 orë gjatë udhëtimit në drejtim të kundërt. Ky moment historik i rëndësishëm i mundësoi kompanisë “Qantas” të thyente – me një diferencë të konsiderueshme – rekordin e mëparshëm, i cili qëndronte që nga viti 2005, kur një Boeing 777-200 ULR fluturoi për 22 orë e 35 minuta nga Hong-Kongu në aeroportin Heathrow të Londrës.

Fluturimi provë u krye me një ekip prej vetëm rreth dhjetë pilotësh në bord, duke reduktuar ndjeshëm konsumin e karburantit.

Megjithatë, karburanti nuk duhet të përbëjë problem madhor për A350-1000 ULR, i cili është pajisur posaçërisht me një depozitë shtesë qendrore.

Ky shënon një hap të parë drejt realizimit të “Project Sunrise” – një nismë që synon lidhjen e qyteteve të largëta dhe qendrave kryesore ekonomike botërore.

The post Melburn-Tuluzë për 24 orë në ajër, ‘bisha’ prej hekuri që theu rekordin appeared first on Gazeta Si.

  •  

Pse Europa do përballet me një tjetër valë të nxehti në gusht

Nga Gazeta ‘Si’– Deti Mesdhe jashtëzakonisht i ngrohtë po lë gjurmën e tij edhe në tokë, duke ndikuar veçanërisht temperaturat e natës, ndërsa Europa përgatitet për një tjetër valë nxehtësie gjatë muajit gusht.

Pas disa valëve të njëpasnjëshme të të nxehtit, pjesë të mëdha të kontinentit janë përballur me temperatura mbi 40°C, duke krijuar kushte ideale për zjarre masive që kanë përfshirë Francën dhe Spanjën dhe kanë detyruar qindra mijëra njerëz të largohen nga banesat e tyre.

Megjithatë, parashikimet e hershme tregojnë se lehtësimi nga temperaturat ekstreme mund të mos vijë së shpejti. Sipas ekspertëve, gushti pritet të jetë më i ngrohtë se mesatarja në pjesën më të madhe të Europës, veçanërisht në zonën e Mesdheut dhe Europën Juglindore.

“Sinjali më i fortë i të nxehtit është mbi Mesdhe dhe Europën Juglindore”, tha Ioanna Vergini, themeluese e platformës së parashikimeve të motit WFY24.

Kjo prirje përfshin zona që përballen shpesh me valë të nxehti, si Spanja dhe Portugalia, Italia, Greqia dhe pjesë të Ballkanit. Sipas Verginit, deti Mesdhe jashtëzakonisht i ngrohtë po ndikon në temperaturat në tokë, veçanërisht gjatë netëve.

Parashikimet për fillimin e gushtit tregojnë se qytete si Napoli, Barcelona, Roma, Valencia, Nice, Selaniku, Spliti dhe Athina mund të kenë temperatura mbi 20°C çdo natë. Këto njihen si “net tropikale” dhe mund të rrisin rrezikun e stresit të rëndë nga nxehtësia, veçanërisht për të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.

Edhe më në veri priten temperatura të larta. Zyra Meteorologjike britanike paralajmëron se disa zona mund të përballen me temperatura deri në 35°C gjatë gushtit, ndërsa periudhat e të nxehtit dhe valët e nxehtësisë mbeten të mundshme, sidomos në jug të Europës.

Ndryshimet klimatike dhe valët e nxehtësisë

Shkencëtarët përdorin gjithnjë e më shumë analiza të atribuimit të ngjarjeve ekstreme për të kuptuar ndikimin e ndryshimeve klimatike në fenomene si valët e të nxehtit dhe përmbytjet.

Këto studime nuk kërkojnë të përcaktojnë nëse ndryshimet klimatike kanë shkaktuar drejtpërdrejt një ngjarje të caktuar, por matin se sa më e mundshme dhe më intensive është bërë ajo për shkak të ngrohjes globale.

Një analizë e organizatës World Weather Attribution për valën e të nxehtit në Europë gjatë muajit qershor zbuloi se temperatura të tilla, si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës, do të kishin qenë pothuajse të pamundura në vitin 1976. Sipas studiuesve, një valë e ngjashme nxehtësie 50 vite më parë do të kishte qenë rreth 3.5°C më e freskët.

“Shkenca është e qartë: ndryshimet klimatike po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive”, tha Theodore Keeping nga Imperial College London, duke fajësuar emetimet e vazhdueshme nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit.

Faktorë të tjerë që ndikojnë te temperaturat ekstreme

Përveç ndryshimeve klimatike, shkencëtarët analizojnë edhe modele atmosferike që mund të bllokojnë nxehtësinë, si të ashtuquajturat “kupola të nxehtësisë”.

Këto formohen kur sistemet me presion të lartë në atmosferë bllokojnë ajrin e nxehtë mbi një zonë për periudha të gjata, duke krijuar temperatura ekstreme.

Një studim i publikuar në vitin 2025 zbuloi se modele të tilla atmosferike që shkaktojnë valë të forta nxehtësie dhe përmbytje janë bërë pothuajse tre herë më të shpeshta që nga vitet 1950 për shkak të ndikimit njerëzor në klimë.

Fenomeni natyror El Niño gjithashtu mund të ndikojë në temperaturat globale, por ekspertët theksojnë se ndikimi i tij është shumë më i vogël krahasuar me ngrohjen globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor.

Sipas shkencëtarëve, temperaturat rekord që po përjeton Europa janë rezultat i një klime tashmë më të ngrohtë, ku valët e nxehtësisë po bëhen më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive./ Euronews eu

The post Pse Europa do përballet me një tjetër valë të nxehti në gusht appeared first on Gazeta Si.

  •  

‘Partizani’, Apeli i Posaçëm lë në fuqi sekuestron e 25 pasurive të Argita dhe Jamarbër Malltezit

Gazeta Si – Apeli i Posaçëm rrëzon ankimin e Argita Berishës, vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit për zhbllokimin e 25 pasurive nga sekuestro e vendosur nga SPAK për aferën e klubit sportiv “Partizani”.

Shkalla e Dytë e gjyqësorit nuk mori parasysh kërkesën e radhës së çiftit, duke miratuar vendimin e dhënë më herët nga Gjykata e Posaçme.

Për sekuestrimin e 25 pasurive të Malltezit, më herët është shprehur edhe Gjykata e Lartë, e cila ka lënë në fuqi të njëjtin vendim.

Pasuritë u sekuestruan në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme për dosjen “Partizani”, ku Malltezi dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë marrë të pandehur.

pasuritë e sekuestruara kanë një vlerë rreth 5.4 milionë euro. Ndërkohë, sipas raportimeve, vetëm në emër të Jamarbër Malltezit rezultojnë të deklaruara rreth 35 pasuri në Shqipëri, me vlerë që arrin në dhjetëra miliona euro.

Hetimet e SPAK kanë evidentuar gjithashtu pasuri jashtë vendit, për të cilat prokuroria ka verifikuar pagesa bankare. Bëhet fjalë për apartamente në disa qytete evropiane, mes tyre Mynih, Bruksel, Roterdam dhe Budapest.

Sipas të dhënave të bëra publike, vetëm pagesat e dokumentuara për këto prona arrijnë në:

-rreth 450 mijë euro për një apartament në Mynih;

-rreth 395 mijë euro për një apartament në Bruksel;

-rreth 360 mijë euro për një apartament në Roterdam;

-rreth 155 mijë euro për një apartament në Budapest;

Këto vlera janë bazuar në transfertat bankare të evidentuara nga SPAK gjatë hetimit, ndërsa vijimi i hetimeve pritet të përcaktojë nëse ka pasuri të tjera të padeklaruara.

Dosja “Partizani” lidhet me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ndërsa çështja vijon të jetë në proces gjyqësor.

The post ‘Partizani’, Apeli i Posaçëm lë në fuqi sekuestron e 25 pasurive të Argita dhe Jamarbër Malltezit appeared first on Gazeta Si.

  •  

Pse një duhanpirës preket nga kanceri dhe një tjetër jo? Studimi sjell të dhëna të reja

Nga Gazeta ‘Si’- Për herë të parë, shkencëtarët kanë sjellë prova se përbërja gjenetike e një personi ka ndikim të rëndësishëm në mënyrën se si zhvillohet kanceri, duke nënvizuar nevojën për trajtime më të personalizuara.

Shumë duhanpirës nuk zhvillojnë kurrë kancer në mushkëri, ndërsa disa persona që nuk kanë pirë asnjëherë duhan preken nga kjo sëmundje. E njëjta gjë vlen edhe për ekspozimin ndaj diellit, ku jo të gjithë njerëzit zhvillojnë kancer të lëkurës.

Një studim i ri i publikuar në revistën Nature mund të ndihmojë në shpjegimin e këtij misteri të gjatë në biologjinë e kancerit: pse njerëzit që ekspozohen ndaj të njëjtëve faktorë rreziku shpesh kanë rezultate shumë të ndryshme.

Studiuesit zbuluan se edhe ndryshime relativisht të vogla të trashëguara në ADN mund të ndikojnë në mënyrën se si zhvillohen tumoret pas dëmtimit të shkaktuar në ADN nga faktorë kancerogjenë.

“Ky studim na jep një tregues të rëndësishëm se gjenet që trashëgojmë mund të kenë ndikim të madh në mënyrën se si zhvillohet kanceri pas dëmtimit të ADN-së”, tha Sam Godfrey nga Cancer Research UK.

Për të kryer kërkimin, shkencëtarët përdorën katër lloje minjsh me ndryshime të ndryshme gjenetike, për të pasqyruar diversitetin që ekziston te njerëzit. Të gjithë minjtë u ekspozuan ndaj të njëjtës dozë të një substance kancerogjene të njohur si dietilnitrozamina, e cila gjendet në tymin e duhanit dhe disa ushqime të përpunuara dhe mund të shkaktojë dëmtime të ADN-së në qelizat e mëlçisë.

Pavarësisht se u ekspozuan në të njëjtat kushte dhe në të njëjtën moshë, kafshët zhvilluan tumore përmes rrugëve të ndryshme biologjike, në varësi të përbërjes së tyre gjenetike. Studiuesit analizuan afro 600 tumore për të rindërtuar mënyrën se si ishin zhvilluar ato.

Rezultatet treguan se, megjithëse shumë tumore përfundimisht aktivizuan të njëjtat procese që nxisin rritjen e kancerit, ato arritën në atë pikë përmes mutacioneve dhe ndryshimeve të ndryshme gjenetike.

Kjo tregon se gjenet e trashëguara nuk ndikojnë vetëm në rrezikun për të zhvilluar kancer, por edhe në mënyrën se si tumori evoluon pasi fillon të formohet.

Drejt trajtimeve më të personalizuara

Studiuesit thonë se gjetjet mund të kenë rëndësi të madhe për depistimin e kancerit dhe mjekësinë e personalizuar.

Sipas tyre, nëse sfondi gjenetik ndikon si në rrezikun e sëmundjes ashtu edhe në zhvillimin e tumorit, strategjitë e ardhshme për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit duhet të marrin më shumë parasysh ndryshimet gjenetike mes njerëzve.

Studimi sugjeron gjithashtu se gjenetika mund të ndikojë në mënyrën se si pacientët reagojnë ndaj trajtimeve, përfshirë disa forma të kimioterapisë dhe radioterapisë.

“Si reagojnë njerëzit ndaj ilaçeve kundër kancerit ka gjasa të ndryshojë në varësi të gjenetikës së tyre të trashëguar, ndaj mund të na duhet të përshtatim diagnostikimin dhe trajtimin sipas individit”, tha Sarah Aitken, autore e studimit nga Yale School of Medicine.

Shkencëtarët theksojnë se nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar plotësisht nëse këto rezultate vlejnë edhe për njerëzit, por zbulimi mund të ndryshojë mënyrën se si kuptohet fillimi i kancerit dhe të hapë rrugën për trajtime më të sakta në të ardhmen.

The post Pse një duhanpirës preket nga kanceri dhe një tjetër jo? Studimi sjell të dhëna të reja appeared first on Gazeta Si.

  •  
❌