Qeveria gjermane planifikon të porosisë dronë sulmues me vlerë 536 milionë euro nga startup-et gjermane Helsing dhe Stark Defence, në kuadër të rritjes së kapaciteteve ushtarake pas agresionit rus ndaj Ukrainës.
Kontratat lidhen me të ashtuquajturat municione endacake – dronë që qëndrojnë pezull mbi një zonë objektivi përpara se të godasin shënjestrën. Këto kontrata janë pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë kornizë me vlerë totale 4.3 miliardë euro.
Marrëveshjet pritet të miratohen nga komisioni i buxhetit i Dhomës së Ulët të Parlamentit gjerman.
Dronët do të përdoren fillimisht për të mbështetur Brigadën e 45-të të Tankeve të Gjermanisë, e cila është e dislokuar në Lituani, në kuadër të angazhimeve të NATO-s në krahun lindor të aleancës.
Sipas dokumenteve, kontratat me dy kompanitë do të kenë një afat shtatëvjeçar, ndërsa dërgesa e parë e dronëve pritet të realizohet në fillim të vitit 2027.
Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet për ish kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi, zbret dosjen në gjykatë.
Pak ditë pas paraqitjes së Rroshit në SPAK, i cili firmosi mbylljen e hetimeve, prokurori Elvin Gokaj ka bërë kërkesë në GJKKO për të kaluar çështjen ndaj Rroshit për gjykim.
Rudina Palloj është caktuar gjyqtare për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë, lidhur me ish kryetarin e Bashkisë Kavajë që është marrë i pandehur për veprën penale “shpërdorim detyre”.
Hetimi erdhi pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për parregullsi në tendera gjatë periudhës së tij në krye të Bashkisë së Kavajës. / abcnews.al /
Shqiptarët janë të ndarë në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që duke mos marrë vendim, rrëzoi padinë e kryeministrit për të hequr pezullimin e zv.kryeministres Balluku nga Gjykata e Posaçme.
Në sondazhin Zëri i Shqiptarëve në Abc News, rezulton për 48.1% barazimi i gjyqtarëve kushtetues ishte vendim i drejtë, duke sjellë lënien në fuqi të pezullimit, kurse pjesa më e madhe, 51.5.% thonë se ishte e padrejtë.
Nga kjo shumicë, 16.4% e konsiderojnë një atentat ndaj Kushtetutës, kurse 35.1% mendojnë se një prej gjyqtarëve u shantazhua për të çuar votat në barazim.
I vetmi që foli për shantazh ndaj një gjyqtari kushtetues me video skandal 1 dite para vendimit, ishte Sali berisha.
“Imagjinoni një gjykatës që ikën si mi, nga seanca e gjykimit. Ikën sepse i shkon mesazhi, me videot dhe fotot e Oltion Bistrit. Një turp njeri, një turp njeri, siç është ai Ibrahimi. E di që nuk pëson gjë dhe ikën. Nuk ka detyrë, nuk ka nder, nuk ka flamur. Ai nuk ka asgjë. E urdhërojnë të dalë nga salla dhe del, ikën. Urdhëro çfarë gjykate është.”
Ndaj dhe 43.3% e shqiptarëve, kryesisht elektorat i majtë besojnë se presionet e doktorit vijojnë të funksionojnë ndaj drejtësisë, duke marrë vendime në favor të tij dhe kundër qeverisë.
Vetë elektorati i djathtë,19.4%, i brymosur nga tezat e doktorit se drejtësia e re është armë politike kundër opozitës, besojnë se reforma në drejtësi ka dështuar.
Kurse 37.2% kërkojnë që mazhoranca socialiste, me më shumë vota sin ë 2016 kur u votua Reforma në Drejtësi ashtu dhe sot, ka të drejtë ta korigjojë. Pikërisht ajo çfarë lajmëroi kryeministri këtë të hënë, ndërhyrje në legjislacion për të rregulluar pezullimin e një anëtari kabineti qeveritar nga organet e drejtësisë.
Por lëvizjet e fundit të drejtësisë, si rasti i pezullimit të zv.kryeministres, kanë rritur zhgënjimin e shqiptarëve tek Reforma në Drejtësi në 78.5%. Shtuar këtu edhe demokratëve 19.4% që thonë se janë gjithmonë kundër saj. Mbetet vetëm 2.1% që ndikohen tek ndryshimi i votës.
Politikisht kjo nuk ndryshon asgjë. PS në këtë fillim shkurti, bie me 0.5%, brenda marzhit të gabimit të sondazhit.
Pavarësisht se vendimi i Gjykatës Kushtetuese goditi Ramën dhe qeverinë, PD nuk rritet, kurse partitë e reja vijojnë
Edhe shpresa për një parti të re ngjitet me ritmet e breshkës, në rast se vërtet do të lindë një parti të re. / abcnews.al /
Në vijim të hetimeve intensive, të kryera nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Prokuroria e Tiranës, me objektiv gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive/pronave, produkte të veprimtarive kriminale brenda dhe jashtë vendit, u finalizua operacioni i koduar “Burimi”.
Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për vënien e sekuestros preventive mbi 1 apartament në Selitë dhe 1 garazh në Selitë të Vogël, me vlerë totale rreth 200 000 euro, në pronësi përkatësisht të shtetasit Pajtim Braçaj 63 vjeç, i dënuar në Shqipëri për trafikim të lëndëve narkotike, dhe të shtetasit Gjino(Shkelqim) Lleshaj, 44 vjeç i dënuar në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike.
Hetimi për gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të tjera, me burime kriminale, në pronësi të këtyre shtetasve dhe shtetasve të lidhur me ta, vijon.
Bloomberg ka raportuar se Bashkimi Evropian po përgatit disa qasje për të përfshirë anëtarësimin e Ukrainës në një marrëveshje të ardhshme paqeje.
Burimet thanë se “opsionet që po shqyrtohen përfshijnë ofrimin paraprak të Kievit me mbrojtjen që vjen me anëtarësimin në BE, si dhe qasje të menjëhershme në disa të drejta anëtarësimi”.
Ndërkohë, BE do t’i ofrojë Ukrainës një afat kohor të qartë hapash që duhet të ndërmarrë për të avancuar procedurën zyrtare.
Opsione të tjera që po shqyrtohen përfshijnë vazhdimin e rrugës ekzistuese të anëtarësimit ose futjen e një periudhe kalimtare me anëtarësim gradual, thanë ata.
Një përfaqësues i Komisionit Evropian i tha Bloomberg se anëtarësimi i ardhshëm i Ukrainës në BE është pjesë e diskutimeve për marrëveshjen e paqes. / abcnews.al /
Bad Bunny nuk do të marrë asnjë kompensim për paraqitjen e tij në shfaqjen e pushimit të Super Bowl 2026.
Këngëtari portorikan, i cili u përgatit me muaj të tërë për të dalë në skenë dhe për të kënduar në këtë event, që nga shtatori i vitit 2025, i cili u njoftua zyrtarisht, nuk është paguar për paraqitjen e tij, siç u bë e ditur.
NFL tradicionalisht nuk i paguan interpretuesit e Super Bowl. Në vend të një page të rregullt, këngëtarët dhe interpretuesit skenik thjesht shijojnë ekspozimin dhe ndikimin e 12-15 minutave që i kushtojnë shfaqjes së tyre, e cila është transmetimi më i madh televiziv i vitit në Amerikë.
NFL mbulon të gjitha kostot e udhëtimit dhe prodhimit për shfaqjen, të cilat Reuters vlerëson se arritën në 13 milionë dollarë në vitin 2020. Artistët paguhen vetëm në të ashtuquajturën “shkallë sindikale”, një shumë minimale e përcaktuar nga kontratat, e cila është shumë larg milionave në tarifa që ata zakonisht marrin për koncerte.
“Ne nuk i paguajmë artistët”, tha një zëdhënës i NFL për Forbes në vitin 2016. “Ne mbulojmë shpenzimet dhe kostot e prodhimit.” Pavarësisht mungesës së pagesës së rregullt, shfaqja e pushimit mbetet një nga skenat më të kërkuara në botë. “Shumë artistë e shohin atë si një mundësi unike për të ndarë muzikën dhe talentin e tyre me miliona shikues”, shpjegoi avokatja e shfaqjes, Lori Landew.
Më shumë se 50 emigrantë kanë humbur jetën ose rezultojnë të zhdukur pasi një varkë emigrantësh u përmbys në brigjet e Libisë, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionit.
Ngjarja tragjike ndodhi në veri të qytetit Zuëara. Në bord ndodheshin 53 persona, ndërsa vetëm dy prej tyre arritën të shpëtohen. Të mbijetuarat janë dy gra nga Nigeria, të cilat morën ndihmë mjekësore nga IOM pas operacionit të shpëtimit të kryer nga autoritetet libiane.
Dëshmitarët raportuan se varka transportonte emigrantë me kombësi afrikane dhe ishte nisur nga Al-Zawiya, rreth 44 kilometra në perëndim të Tripolit, rreth orës 23:00 të datës 5 shkurt.
Organizata njoftoi se vetëm gjatë muajit janar, të paktën 375 emigrantë janë raportuar të vdekur ose të zhdukur gjatë përpjekjeve për të kaluar Detin Mesdhe drejt Evropës. Numri total për vitin 2026 vlerësohet të jetë të paktën 484 viktima.
IOM thekson se qindra vdekje të tjera besohet se nuk janë regjistruar. Gjithashtu, organizata ka raportuar se më shumë se 1,300 emigrantë janë zhdukur në Mesdheun Qendror gjatë vitit 2025. / abcnews.al /
Kryeministri Edi Rama ka ndarë një mesazh në rrjetet sociale nga Brukseli, ku ndodhet për angazhime zyrtare.
“Në këto momente përpara darkës së mbrëmshme të punës në Bruksel, me Presidentin e Këshillit Europian dhe mikun tim të çmuar, António Costa, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama, duke publikuar edhe pamje nga takimi.
Takimi me Presidentin e Këshillit Europian u zhvillua në kuadër të diskutimeve mbi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, si dhe çështje të rëndësishme të axhendës rajonale dhe europiane.
Një tragjedi familjare ka ndodhur në kryeqytetin turk, Ankara.
35-vjeçari Recep Cengiz vrau nënën e tij 57-vjeçare dhe vajzën 8-vjeçare me armë zjarri në lagjen Keçiören.
Sipas informacioneve, R. Cengiz, i cili i la trupat e tyre në bagazhin e makinës së tij dhe shkoi në adresën ku jetonte gruaja e tij, e cila ishte në prag të divorcit, e vrau edhe atë, dhe më pas kreu vetëvrasje.
Kanalet lokale të lajmeve “X” ndanë informacionin se R. Cengiz ishte liruar nga burgu me leje. / abcnews.al /
Kjo e martë do të nisë më së miri, ku do të keni dëshirë që të bëni mirë dhe të dilni në pah. Kjo gjë do të vlejë si për sferën profesionale edhe për atë sentimentale.
Demi
Kjo ditë do ju shohë si protagonist absolut dhe është në dorën tuaj që ta shfrytëzoni këtë mundësi. Yjet janë në anën tuaj.
Binjakët
Hëna do të ketë ndikim pozitiv tek të lindurit e kësaj shenje dhe kjo gjë do ju ndihmojë që të rikuperoni energjinë dhe humorin e mirë. Megjithatë do të hasni me situata, të cilat nuk do të jenë aspak të lehta për tu menaxhuar.
Gaforrja
Kjo ditë do të jetë mjaft e lodhshme, por në fund do arrini që të siguroni një bilanc pozitiv. Po ashtu ju pret një listë e gjatë angazhimesh, të cilat do arrini që ti çoni deri në fund.
Luani
Hapet për ju një fazë e rëndësishme, veçanërisht në sferën profesionale. Prej jush kërkohet një angazhim i madh, por ashtu si zakonisht do të nxirrni në pah disa cilësi të tjera tuajat.
Virgjëresha
Mes lajmeve të mira të kësaj jave, është ndikimi pozitiv i Mërkurit. Do të arrini që të merrni kënaqësi të mëdha, pasi keni punuar shumë dhe ky është momenti për të korrur frytet.
Peshorja
Ditët në vijim do të jenë mjaft pozitive për tu qartësuar me jetën tuaj. Do të keni mundësi që të largoni gjithë ata persona që ju komplikojnë jetën.
Akrepi
Dita do të nisë me dyshime në sferën ekonomike. Bëni kujdes, veçanërisht nëse po planifikoni ndonjë projekt, pasi duhet vëmendje maksimale, shkruan noa.al.
Shigjetari
Kjo nuk është një periudhë negative, ndaj mund të guxoni. Do keni mundësi që të ecni përpara në sferën profesionale. Ndërsa sa i takon ndjenjave mund të mundoheni paksa, por do të merrni rezultatin e dëshiruar.
Bricjapi
Gjatë kësaj fillimjave do të jeni të përhumbur në mendime. Keni shumë ide që ju vijnë në kokë dhe doni që t’iu jepni formë, por ky nuk është momenti i duhur.
Ujori
Kjo ditë e re do të sjellë me vete shumë lodhje. Në këtë periudhë jeni ndjerë nën presion dhe kjo ndjesi stresi do vijojë që t’iu shoqërojë edhe në ditët në vijim.
Peshqit
Në këtë moment keni nevojë për një shtysë më shumë. Këshillohet që të flisni dhe të hapeni me ata që ju duna vërtetë. Në këtë mënyrë do të keni mundësi që të sheshoni të gjitha dyshimet.
Për ditën e Martë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe alternime të herëpashershme me kthjellime kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore. Vranësirat e dendura do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Përgjatë orëve të pasdites deri në orët e vona të mbrëmjes përgjatë ultësirës perëndimore reshjet në formën e shtrëngatave. Era do të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 4 m/sek, e cila hera-herës përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore pritet të fitojë shpejtësi
deri 10 m/sek Deti – Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon i forces 1-3 ballë.
Bashkëpunëtorja kryesore e Jeffrey Epstein (Xhefri Epstin), e vetmja e dënuar për skandalin e madh të pedofilisë dhe trafikimit seksual, ka zgjedhur të heshtë para Kongresit.
Sipas një Letre dërguar ligjvënësve, Ghislane Maxwell (Gilein Maksuell) synon të të refuzojë t’u përgjigjet pyetjeve në një dëshmi para Komitetit të Mbikëqyrjes dhe Reformës Qeveritare të Dhomës së Përfaqësuesve,.
Maxwell, e cila u shpall fajtore në vitin 2021 për rolin e saj në ndihmën e Epstein për abuzimin seksual të vajzave adoleshente dhe aktualisht po vuan një dënim me 20 vjet burg, planifikon të përdorë privilegjin e saj të Amendamentit të Pestë kundër vetë-inkriminimit dhe të refuzojë të përgjigjet në të gjitha pyetjet thelbësore.
Në vend që t’u përgjigjet pyetjeve individuale, Maxwell planifikon të lexojë një deklaratë të përgatitur në fillim të dëshmisë së saj, tha kongresmeni republikan Ro Khanna, i cili shërben në komision, pa dhënë detaje mbi burimin e informacionit të tij.
Ai e cilësoi të papranueshëm qëndrimin e Maxwell, e cila zgjodhi të mos e përdorë te drejtën e saj nga amendamenti i pestë, kur u mor në pyetje nga Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche (Tod Blanshe) disa muaj më parë.
Dëshmia e Maxëell vjen në një kohë kur Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka publikuar miliona dokumente që lidhen me Epstein. / abcnews.al /
BE i ka kërkuar shërbimit kinez online TikTok të ndryshojë mënyrën e funksionimit të platformës së videove “që nxit varësinë”. Komisioni i BE-së deklaroi, se rezultatet e para të hetimit tregojnë, se TikTok-u nuk merr mjaftueshëm parasysh, se “si këto funksione që nxisin varësinë mund të influencojnë në shëndetin fizik dhe psiqik të përdoruesve të tij”.
Si shembull për ndryshimet që mund të bëhen komisioni përmend heqjen e opcionit të “scroll pafund”, aplikimin e pushimeve efikase në monitor si dhe përshtatjen e “sistemit të rekomadnimeve për personalizim në shkallë të lartë”. Gjithashtu komisioni kritikon faktin, që video-clipet aktivizohen automatikisht.
Komisioni i BE-së i kërkon sipërmarrjes, që ta ndryshojë rrënjësisht dizajnin e shërbimit.
Kritika: Fëmijët animohen në mënyrë imponuese për të scroll-ur
Komisioni i BE-së akuzon TikTok-un, se “injoron shenjat e rëndësishme për të imponuar përdorimin e aplikacionit”, si p.sh. kohën e natës që fëmijët kalojnë në platformë.Kjo sipërmarrje duhet ta ndryshojë mënyrën e funksionimit në Europë, “për të mbrojtur minorenët tanë dhe shëndetin e tyre”, tha komisarja e BE-së për Digjitalizimin, Henna Virkkunen.
Si shembull komisioni përmedni “shpërblimin” e vazhdueshëm të përdoruesve me përmbajtje të reja. Kjo ndez nxitjen për të vazhduar scroll-en dhe për ta kaluar trurin në “autopilot”. Studimet shkencore tregojnë, se kjo nxit një gjendje kompulsive dhe vetëkontrolli i përdoruesve, kryesisht i të rinjve, vuan.
Digital Services Act është si halë në sy për Donald Trump
Brukseli nisi hetimin në shkurt 2024 – që ishte i pari kundër TikTok nën ligjin e BE-së për shërbimet digjitale (DSA). Hetimet do të përqendroheshin kryesisht për të vërtetuar, nëse TikTok ndërmerr masa sa duhet për të shmangur efektet negative ndaj të rinjve.
Ligji i BE-së Digital Services Act (DSA) ndër të tjera duhet të garantojë respektimin e kërkesave për transparencë. Ai përfshin edhe masa për të luftuar përmbajtjet antiligjore online. Ky ligj është si një halë në sy për qeverinë e presidentit të SHBA-së Donald Trump si dhe për një sërë koncernesh të teknologjisë së lartë në SHBA.
TikTok i hedh poshtë akuzat dhe do të mbrohet
Sipërmarrja kineze online i kedh poshtë akuzat e Komisionit të BE-së si të pabaza. Do të mbrohemi me të gjitha mundësitë. Nëse konfirmohet qendrimi i komisionit, TikTok-u mund të gjobitet me një shumë deri në gjashtë përqind të xhiros së tij vjetore mbarëbotërore.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për ngjarjen e ndodhur në rrugën Transballkanike, ku mbeti i dëmtuar shtetasi K. C., me profesion avokat, bëjmë me dije se nga puna intensive e kryer nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, u bë i mundur identifikimi i njërit prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit S. Xh., 40 vjeç, banues në Vlorë, i cili u shpall në kërkim për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit S. Xh. Ndërkohë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.
Shtetasi K. C. vijon të jetë në kujdeesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. / abcnews.al /
Opozita venezuelase ka ngritur alarmin për një ngjarje të rëndë politike, duke deklaruar se lideri i njohur opozitar Juan Pablo Guanipa është rrëmbyer me forcë në kryeqytetin Caracas, vetëm disa orë pasi ishte liruar nga burgu. Lajmi u bë publik nga udhëheqësja e opozitës, María Corina Machado, e cila akuzoi drejtpërdrejt strukturat e sigurisë së shtetit për këtë veprim.
Sipas Machado-s, rrëmbimi ndodhi në lagjen Los Chorros të Caracas-it, ku persona të armatosur rëndë, të veshur me rroba civile dhe që lëviznin me katër automjete, e ndaluan Guanipën dhe e morën me forcë. Ajo e cilësoi ngjarjen si një akt represioni brutal ndaj opozitës dhe paralajmëroi se jeta e Guanipës është në rrezik.
Partia e tij, Drejtësia e Para (Primero Justicia), deklaroi se Guanipa po lëvizte nga një vend në tjetrin për arsye sigurie, kur u ndalua nga persona që i drejtuan armët atij dhe shoqëruesve të tij, përpara se ta fusnin me forcë në një makinë. Partia theksoi se dyshon tek Delcy Rodríguez, Jorge Rodríguez dhe Diosdado Cabello si përgjegjës për çdo gjë që mund t’i ndodhë atij, duke i akuzuar për drejtimin e aparatit represiv të shtetit.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, veçanërisht sepse ndodhi vetëm pak orë pasi Guanipa ishte liruar nga burgu, si pjesë e një vale lirimesh të të burgosurve politikë. Djali i tij, Ramón Guanipa, kishte festuar lirimin në rrjetet sociale, duke shkruar se familja e tij më në fund do të ribashkohej pas muajsh ndarjeje.
Juan Pablo Guanipa është një figurë e rëndësishme e opozitës venezuelase. Ai ka shërbyer si nënkryetar i Asamblesë Kombëtare dhe ishte zgjedhur guvernator i rajonit Zulia në vitin 2017, por nuk u lejua të merrte detyrën, pasi refuzoi të betohej para Asamblesë Kushtetuese të kontrolluar nga qeveria e Nicolas Maduro-s. Pas kësaj, ai u përball me akuza për terrorizëm dhe tradhti, të cilat opozita i ka quajtur të motivuara politikisht.
Pas zgjedhjeve të vitit 2024, Guanipa u detyrua të fshihej, ndërsa në maj 2025 u arrestua nga forcat e sigurisë dhe qëndroi rreth tetë muaj në paraburgim. Organizatat për të drejtat e njeriut, përfshirë Foro Penal, e kanë listuar atë si të burgosur politik. Opozita dhe grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë denoncuar prej vitesh praktikat e qeverisë venezuelase, duke thënë se arrestimet, ndalimet arbitrare dhe zhdukjet e përkohshme përdoren për të heshtur zërat kritikë dhe për të frikësuar kundërshtarët politikë.
Pas rrëmbimit të Guanipës, partia Justice First dhe figura të tjera të opozitës i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë urgjentisht dhe të kërkojë lirimin e menjëhershëm të tij, si dhe fundin e persekutimit politik në Venezuelë. / abcnews.al /
Rusia mbetet e hapur për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, por nuk është optimiste për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, pavarësisht përpjekjeve të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një intervistë.
Duke folur për median ruse TV BRICS, Lavrov tha se Shtetet e Bashkuara ndjekin atë që ai e cilësoi si një synim të shpallur për “dominim ekonomik”, gjë që, sipas tij, pengon një bashkëpunim real.
Më herët, zyrtarë rusë, përfshirë të dërguarin Kirill Dmitriev, kishin folur për mundësinë e një rivendosjeje të gjerë të marrëdhënieve ekonomike me SHBA-në, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje për Ukrainën.
Megjithatë, Lavrov vuri në dukje se, ndonëse presidenti amerikan Donald Trump ka folur për ringjalljen e bashkëpunimit ekonomik me Moskën dhe ka pritur presidentin rus Vladimir Putin në Shtetet e Bashkuara pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, administrata amerikane ka vendosur sanksione të reja të ashpra ndaj sektorit jetik të energjisë ruse.
Shefi i diplomacisë ruse përmendi gjithashtu qëndrimin armiqësor të Trump ndaj bllokut BRICS, ku bëjnë pjesë Rusia, Kina, India, Brazili dhe ekonomi të tjera të mëdha në zhvillim.
“Vetë amerikanët krijojnë pengesa artificiale në këtë rrugë,” tha Lavrov, duke shtuar se Rusia është e detyruar të kërkojë mënyra të reja dhe më të sigurta për të zhvilluar projekte financiare, ekonomike dhe logjistike me vendet e BRICS-it. / abcnews.al /
Virozat tek fëmijët janë ndër shqetësimet më të shpeshta për prindërit, sidomos gjatë stinëve të ftohta dhe periudhave të grumbullimit në kopshte e shkolla. Në një lidhje direkte në ABC e Mëngjesit, neonatologu dhe pediatri Dr. Edi Tushe dha këshilla të rëndësishme për mënyrën si duhet kuptuar dhe menaxhuar kjo situatë.
Sipas Dr. Tushes, virozat janë infeksione që shkaktohen nga viruse të shumta, të njohura dhe ende të panjohura, të cilat prekin kryesisht rrugët e frymëmarrjes. Fëmijët preken më shpesh sepse sistemi i tyre imunitar është ende në zhvillim, ndërsa ekspozimi i përditshëm në ambiente kolektive rrit kontaktin me viruset.
Në moshën parashkollore, një fëmijë mund të sëmuret rreth 6 herë në vit, ndërsa më të vegjlit mund të arrijnë deri në 20 episode. Me rritjen e moshës, këto episode priren të pakësohen.
Një tjetër shqetësim serioz mbetet streptokoku. Dr. Tushe thekson se nuk është për përdorim të panevojshëm të antibiotikëve, por për praktika të shëndetshme dhe trajtim profesional kur është e nevojshme. Streptokoku është bakter që mund të shkaktojë infeksione serioze, sidomos tek fëmijët që frekuentojnë shkolla dhe kopshte.
Në raste të rënda, mund të prekë gjakun, të shkaktojë ethe reumatizmale ose dëmtime në veshka. Rreziku është më i lartë tek fëmijët 3–15 vjeç dhe infeksioni mund të përsëritet, pasi nuk krijon imunitet të përhershëm. Testet e shpejta ndihmojnë në vendosjen e diagnozës së saktë dhe trajtimit të duhur.
Sa i përket kollës, Dr. Tushe jep një mesazh të fortë për përdorimin e shurupeve. Ai paralajmëron se, sidomos nën moshën 2 vjeç, shurupet nuk rekomandohen, pasi shpesh kanë efekt placebo; pra japin ndjesinë e trajtimit pa efekt real shërues.
Prindërit duhet të drejtohen tek mjeku kur fëmija ka temperaturë të lartë, kur situata nuk menaxhohet dot në shtëpi, ose kur medikamentet nuk japin rezultat. Sipas mjekut, paniku e dobëson gjykimin, ndërsa konsultimi profesional është rruga më e sigurt për zgjidhje. / abcnews.al /
Me sa duket Greqia dhe Turqia duan të bisedojnë përsëri – në nivelin më të lartë. Duke filluar nga e hëna (09.02.26) në Ankara do të mblidhet “Këshilli Suprem i Bashkëpunimit Greqi-Turqi”.
Nëse gjithçka shkon sipas planit në tryezë do të jenë të pranishëm edhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Ekziston edhe mundësia e një takimi posaçëm midis dy udhëheqësve në një ditë tjetër.
Pas një periudhe të vështirë dhe plot konflikte në Mesdheun Lindor, në vitin 2010 u krijua Këshilli i Lartë i Bashkëpunimit. Ndonjë sukses të madh ai ende nuk ka arritur. Megjithatë Këshilli përpiqet të promovojë një agjendë pozitive mes dy partnerëve të NATO-s, veçanërisht në fushat e ekonomisë dhe të turizmit. Por ai është mbledhur vetëm pesë herë deri tani, takimi i fundit u bë në Athinë në dhjetor 2023.
“Turqia bën kërkesa dhe pretendime territoriale të njëanshme, që nuk kanë bazë ligjore dhe nuk mund të jenë temë serioze debati”, shpjegonte në atë kohë Konstantinos Filis, drejtor i kërkimeve në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Athinës në intervistë me DW. “Greqia pret që Turqia të përmbushë gjithmonë kërkesat e saj dhe të bëjë lëshime”, kundërshtonte Fuat Aksu, shkencëtar politik në Universitetin Teknik Yildiz në Stamboll.
Navtex, një pikë e re debati
Që atëherë nuk ka ndryshuar shumë në Detin Egje. Tensioneve u shtohet një pikë tjetër debati: Të enjten e kaluar Turqia përdori sistemin navigacionit detar “Navtex” për të paralajmëruar për rreziqet e sigurisë dhe aktivitetet ushtarake greke. Paralajmërime të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën.
Në fund të fundit bëhet fjalë për autoritet në Egje: Kush ka të drejtë të deklarohet përgjegjës për çështjet e sigurisë? Athina flet për një përpjekje të paligjshme të fqinjit të saj për të zgjeruar ujërat e tij territoriale. Një “provokim të ri turk” e konsideron këtë gazeta e njohur javore greke “To Vima”.
Nga këndvështrimi turk kjo është thjesht një çështje rutine, që përputhet me legjislacionin aktual. Por mund të jetë më shumë se kaq: sipas gazetës proqeveritare Türkiye: “Navtex ka shkaktuar panik në Greqi dhe ka ndryshuar status quonë në Egje”.
Për kryeministrin grek Mitsotakis mosmarrëveshja për Navtex do të thotë edhe më shumë presion nga e djathta. “Turqia po rrëmben gjysmën e Egjeut, por qeveria jonë nuk sheh asnjë arsye për shqetësim”, ankohet Kyriakos Velopoulos, kryetar i partisë së djathtë populiste “Zgjidhja Greke” (EL), e cila sipas sondazheve ka arritur vendin e tretë, përsa i përket mbështetjes së votuesve.
Grindje pa fund megjithë konvetën e OKB-së për Ligjin e Detit
Prej dekadash Greqia dhe Turqia grinden për shelfin kontinental para bregdetit turk, shfrytëzimin e lëndëve të para dhe për një zgjerim të mundshëm të ujërave territoriale në Egje. Në kuadër të doktrinës së saj ushtarake aktuale “Atdheu Blu” Turqia pretendon edhe territore detare prej më shumë se 450.000 kilometra katrorë para bregdetit të saj.
Si busull ligjore në raste të tilla shërben Konventa e Kombeve të Bashkuara e vitit 1982 mbi të Drejtën e Detit, megjithëse Turqia nuk e ka nënshkruar atë. Por ajo mund të zbatohej: sipas mendimit mbizotërues të juristëve ky traktat pasqyron të drejtën ndërkombëtare zakonore ekzistuese – dhe për këtë arsye është i detyrueshëm edhe për ata, që nuk e kanë nënshkruar.
Asnjë marrëveshje në horizont
Sipas Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit çdo shtet mund të përcaktojë në parim ujërat territoriale, që shtrihen deri në 12 milje detare. Por ekziston një përjashtim i rëndësishëm: Në rastet e kufijve të paqartë ose mbivendosjeve, palët e përfshira duhet të arrijnë një marrëveshje dypalëshe. Por marrëveshja midis Greqisë dhe Turqisë është ende në pritje.
Që në vitin 1995 parlamenti turk e pati shpallur zgjerimin e ujërave territoriale greke në Detin Egje “shkak për luftë”. Sepse në një rast të tillë Egjeu do të bëhej një lloj deti i brendshëm grek. Në vitin 2021 qeveria e Athinës i zgjeroi ujërat e saj territoriale në 12 milje detare në Detin Jon drejt Italisë. Sot Greqia rezervon në mënyrë të qartë të drejtën për të zgjeruar ujërat e saj territoriale edhe në Detin Egje, tha së fundmi ministri i Mbrojtjes Nikos Dendias për stacionin televiziv të Athinës “Open”.
Si instancë e fundit në të gjitha çështjet e së drejtës ndërkombëtare konsiderohet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë. Por ky organ i Kombeve të Bashkuara nuk vepron me iniciativën e vet. Si Greqia ashtu edhe Turqia do të duhet të paraqesin një kërkesë të përbashkët, për të autorizuar gjykatën që të ndërmjetësojë. Për këtë debatohet që nga viti 1976. Deri tani pa sukses.
Turizmi mund të sjellë përfitime të mëdha për komunitetet e vogla, por vitet e fundit kanë treguar se popullariteti mes turistëve ndërkombëtarë mund të jetë njëkohësisht bekim dhe mallkim.
Kështu duket se ndihen banorët e fshatit Vlkolínec në Sllovakinë qendrore. Fshati u përfshi në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1993 dhe konsiderohet një vendbanim shumë i ruajtur me 45 ndërtesa, që pasqyrojnë tiparet tradicionale të një fshati të Europës Qendrore, me shtëpi druri tipike për zonat malore.
Megjithatë, numri i banorëve është përgjysmuar gjatë tre dekadave të fundit. Sot, vetëm 14 persona jetojnë aty, ndërsa rreth 100 mijë turistë vizitojnë fshatin çdo vit.
Problemi nuk lidhet vetëm me numrin e turistëve, por me sjelljen e tyre. Një banor tha se UNESCO e ka kthyer fshatin në një “kopsht zoologjik turistik”, duke shtuar se jeta e tyre po “shtypet” nga turmat. Janë raportuar sjellje antisociale, si fotografimi i fshehtë përmes dritareve apo hyrja në kopshte private.
Ironikisht, tërheqja kryesore e fshatit është fakti që është një vend i banuar dhe jo një muze në ajër të hapur. Sipas banorëve, rregullat e rrepta të UNESCO-s e bëjnë të vështirë jetën e përditshme, duke kufizuar aktivitete si kultivimi i tokës apo mbajtja e kafshëve shtëpiake.
Disa banorë madje kërkojnë që fshati të hiqet nga lista e UNESCO-s, duke besuar se kjo do të përmirësonte cilësinë e jetës së tyre.
Megjithatë, UNESCO nuk mban gjithë përgjegjësinë. Organizata ka theksuar se fshati është i ndjeshëm ndaj ndikimit të turizmit, por edhe ndaj rritjes së pronarëve të përkohshëm që blejnë prona për përdorim rekreativ.
Ndërkohë, në shumë vende të tjera, statusi i UNESCO-s shihet si një vlerë e madhe. Në disa raste, ai konsiderohet si mekanizmi kryesor për identifikimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore.
Një helikopter sulmues AH-1S Cobra i ushtrisë së Koresë së Jugut është rrëzuar gjatë një fluturimi stërvitor në qarkun verior të Gapyeong, duke vrarë të dy anëtarët e ekuipazhit në bord, tha ushtria.
Helikopteri u rrëzua pak pas orës 11:00 të mëngjesit sipas orës lokale të hënën për arsye që mbeten të paqarta, shkruajnë mediat e huaja.
Dy ushtarakët u dërguan me urgjencë në spitalet aty pranë, por më vonë ndërruan jetë nga plagët e marra, sipas një deklarate të ushtrisë.
Në përgjigje, ushtria pezulloi operacionet e të gjithë helikopterëve AH-1S dhe formoi një ekip reagimi emergjent për të hetuar shkakun e rrëzimit.
Ushtria tha se stërvitja përfshinte praktikimin e procedurave të uljes emergjente duke mbajtur motorin ndezur, një manovër e projektuar për të përgatitur ekuipazhet për luftime ose emergjenca mekanike.
Gapyeong ndodhet në verilindje të Seulit dhe jo shumë larg kufirit të fortifikuar rëndë me Korenë e Veriut.
Incidenti shton shqyrtimin në rritje të sigurisë së stërvitjes ushtarake, ndërsa Koreja e Jugut mban një gatishmëri të lartë mes tensioneve rajonale.