Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka reaguar lidhur me tensionet në protestën e sotme të opozitës. Ministrja shprehet se nga përplasjet në protestë ka pasur edhe efektivë të lënduar.
Sipas saj, dhuna e përdorur nga protestuesit nuk mund të justifikohet, ndërsa shton se policia do të vijojë të jetë në krye të detyrës.
Koçiu ka ndarë dhe pamje të efektivëve të lënduar, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital.
Reagimi i plotë:
E drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shtetit.
Dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj.
Mirënjohje për çdo punonjës policie që tregoi profesionalizëm dhe maturi përballë çdo provokimi.
Policia do të jetë gjithmonë në krye të detyrës për të garantuar të drejtën për të protestuar, si dhe të garantojë sigurinë e çdo qytetari dhe të pronës publike dhe të qytetarëve./mxh
Këngëtari i njohur Ardian Bujupi ka ndarë një lajm të bukur me ndjekësit e tij në Instagram, duke zbuluar se së shpejti do të bëhet baba. Artisti ka publikuar një foto ku shfaqet krah partneres së tij, Fjolla, duke konfirmuar kështu pritjen e ëmbël.
Në përshkrimin e fotos, Ardiani ka shkruar fjalë plot emocion:
“Nga dashuria jonë po lind një jetë e re. Mirë se vjen engjëlli ynë.”
Postimi është pritur me shumë urime dhe reagime pozitive nga fansat, miqtë dhe kolegët e tij nga bota e muzikës dhe showbiz-it.
Ky është një kapitull i ri dhe shumë i rëndësishëm në jetën personale të këngëtarit, i cili prej vitesh është një nga emrat më të dashur për publikun shqiptar./mxh
Marrëdhënia mes Cardi B dhe yllit të NFL-së, Stefon Diggs, duket se ka marrë fund menjëherë pas Super Bowl LX. Dyshimet për ndarje u shtuan pasi çifti hoqi njëri-tjetrin nga lista e ndjekësve në rrjetet sociale, një veprim që zakonisht sinjalizon kriza serioze në botën e showbiz-it.
Ndarja vjen në një moment delikat për Diggs, pasi New England Patriots pësuan humbje në ndeshjen e kampionatit ndaj Seattle Seahawks, të cilët triumfuan bindshëm me rezultatin 29-13. Situata u bë edhe më e dukshme nga fakti se Cardi B u largua herët nga Levi’s Stadium në Santa Clara, Kaliforni. Ajo publikoi një video nga makina e saj, ku shihej duke kënduar këngë të Bad Bunny, menjëherë pas shfaqjes së pushimit të ndeshjes.
Reperja ishte një nga të ftuarat speciale gjatë performancës së artistit portorikan, së bashku me emra të njohur si Pedro Pascal, Karol G, Alix Earle dhe Jessica Alba, por qëndrimi i saj në stadium zgjati vetëm pak minuta.
Sinjalet e para të tensioneve mes çiftit kishin dalë në pah edhe më herët. Gjatë një interviste për ESPN, kur u pyet nëse kishte ndonjë mesazh motivues për Diggs përpara Super Bowl-it, Cardi u përgjigj shkurt: “Fat të mbarë”, duke u larguar menjëherë më pas.
Vetëm dy javë më parë, gjithçka dukej ndryshe. Cardi B kishte qenë e pranishme në ndeshjen e Kampionatit AFC për të mbështetur Diggs-in dhe New England Patriots në përballjen kundër Denver Broncos. Pas fitores së ngushtë 10-7, fituesja e çmimeve Grammy zbriti në fushë për të festuar krah për krah me partnerin e saj dhe pjesën tjetër të skuadrës./mxh
Pas Tiranës, Vlorës dhe Sarandës, Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe Drejtoria e Verifikimit dhe Koordinimit në terren kanë përqendruar kontrollet në Durrës dhe Lezhë.
Administrata Tatimore njoftoi se kontrollet e kryera, në zbatim të planit operacional në sektorin e ndërtimit, kanë identifikuar shkelje të rënda të legjislacionit tatimor, praktika të qëllimshme që agjencitë imobiliare apo subjektet ndërtuese aplikojnë me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore, si dhe parregullsi në deklarim dhe në dokumentimin e aktivitetit ekonomik.
Sipas tatimeve, konkretisht, në agjencitë imobiliare dhe subjektet ndërtuese të kontrolluara në Durrës dhe Lezhë, u konstatuan raste të përdorimit të dokumentacionit jotatimor dhe mospërputhje të theksuara mes të dhënave financiare të deklaruara dhe aktivitetit real ekonomik.
“Njësoj si në Tiranë, Vlorë, Sarandë, edhe në Durrës e Lezhë janë evidentuar raste të evazionit fiskal në vlera të larta.
Me qëllim uljen e detyrimeve tatimore, subjektet imobiliare dhe ndërtuese shesin apartamente dhe pasuri të tjera me çmime shumë herë më të larta se ato të deklaruara në kontratat noteriale dhe të raportuara pranë Administratës Tatimore, në shkelje të plotë të ligjit.
Hetimi vijon me analizimin e mëtejshëm të deklarimeve të subjekteve, për të dokumentuar fshehjen e të ardhurave përmes të dhënave të siguruara nga njësitë kompjuterike të sekuestruara, ku rezulton se janë kryer shitje në cash, bonuse të paguara cash, si dhe praktika të tjera në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Në përfundim të hetimit, Drejtoria e Hetimit Tatimor do të referojë pranë Prokurorive përkatëse materialet për çdo rast ku evidentohen elementë të veprës penale të evazionit fiskal”, theksohet ndër të tjera në deklaratë.
Administrata Tatimore bën me dije se kontrollet në sektorin e ndërtimit dhe tregun imobiliar do të intensifikohen dhe do të shtrihen në mbarë territorin e vendit në funksion të formalizimit të pagave dhe rritjes së pensioneve./mxh
Gazetarët sportivë të televizionit shtetëror italian Rai kanë shpërthyer në protesta pas një sërë gafash të rënda të bëra gjatë transmetimit të ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina. Shkak i reagimit është komentimi i drejtorit të Rai Sport, Paolo Petrecca, i cili sipas gazetarëve ka dëmtuar rëndë imazhin e televizionit publik dhe profesionalizmin e profesionit.
Gjatë ceremonisë hapëse, Petrecca bëri disa gabime që u vunë re menjëherë nga publiku. Ai i përshëndeti shikuesit nga Stadio Olimpico i Romës, ndërkohë që ceremonia po zhvillohej në stadiumin San Siro në Milano. Më pas, ngatërroi aktoren e njohur italiane Matilda De Angelis me këngëtaren amerikane Mariah Carey dhe presidenten e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Kirsty Coventry, me Laura Mattarella, vajzën e presidentit të Italisë.
Këto gafa u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u kthyer në objekt talljeje dhe kritiksh. Vetë Matilda De Angelis reagoi me ironi, duke thënë: “Mariah Carey dhe unë qenkemi i njëjti person”. Ndërkohë, opozita shfrytëzoi rastin për të sulmuar drejtimin e Rai-t, duke theksuar afërsinë e Petrecca-s me qeverinë e djathtë të kryeministres Giorgia Meloni.
CDR, sindikata e brendshme që përfaqëson gazetarët e Rai-t, njoftoi se do të ndërmarrë masa. Këto përfshijnë mosvendosjen e emrave të gazetarëve në materialet që ata prodhojnë për Lojërat Olimpike, si dhe një grevë tre-ditore pas përfundimit të eventit. Në deklaratën e saj, CDR e cilësoi komentimin si “katastrofik” dhe shtoi se për tre ditë me radhë gazetarët janë ndjerë të turpëruar.
Sipas sindikatës, kjo situatë dëmton jo vetëm reputacionin e Rai-t, por edhe besimin e qytetarëve që paguajnë taksën e televizionit publik, si dhe dinjitetin profesional të gazetarëve. “Nuk është një çështje politike, siç disa duan ta paraqesin, por një çështje respekti dhe dinjiteti për shërbimin publik”, thuhet në deklaratë.
Edhe sindikata kombëtare e gazetarëve të Rai-t, Usigrai, e kritikoi ashpër komentimin, duke e quajtur atë të papërshtatshëm. Ndërkohë, politikanë të opozitës pohuan se ky rast është një tjetër shembull i asaj që ata e quajnë ndikim politik i së djathtës në televizionin shtetëror. Deputeti Sandro Ruotolo nga Partia Demokratike e quajti Rai-n “Tele Meloni”, duke e akuzuar për uzurpim politik dhe amatorizëm.
Kujtojmë se në vitin 2024, për herë të parë në histori, prezantuesit e lajmeve në tre kanalet kryesore të Rai-t lexuan një deklaratë publike të Usigrai-t, ku dënohej qeveria Meloni për, sipas tyre, kthimin e Rai-t në një “megafon qeveritar”. Nga ana tjetër, vetë Giorgia Meloni, para se të vinte në pushtet në vitin 2022, kishte akuzuar shpesh Rai-n për prirje të majta.
Deri tani, Rai Sport nuk ka dhënë një reagim zyrtar për këtë çështje, ndërsa tensionet brenda televizionit publik vazhdojnë, në një moment delikat ku vëmendja e publikut italian dhe ndërkombëtar është e përqendruar te Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina./mxh
Një proces gjyqësor në Kaliforni mund të shënojë një pikë kthese për përgjegjësinë ligjore të gjigantëve të teknologjisë.
Meta Platforms dhe YouTube po përballen me akuza serioze se kanë projektuar me qëllim platformat e tyre për të krijuar varësi tek fëmijët.
Padia është ngritur nga një grua 20-vjeçare, e identifikuar në gjykatë si Kaley G.M., e cila pretendon se është bërë e varur nga rrjetet sociale që në moshë të vogël për shkak të dizajnit “të qëllimshëm dhe manipulues” të aplikacioneve Facebook, Instagram dhe YouTube.
Avokati i saj, Mark Lanier, deklaroi para jurisë se dokumente të brendshme të kompanive tregojnë se ato “ndërtuan makina të dizajnuara për të varur trurin e fëmijëve – dhe këtë e bënë me vetëdije”.
Nga ana tjetër, avokati i Meta-s, Paul Schmidt, hodhi poshtë akuzat, duke argumentuar se problemet e Kaley-t lidhen me një histori të vështirë familjare, përfshirë abuzim verbal dhe fizik, si dhe divorcin e prindërve kur ajo ishte vetëm tre vjeçe.
Ai u shpreh se edhe pa Instagramin, jeta e saj nuk do të kishte qenë domosdoshmërisht ndryshe.
Avokati i YouTube pritet të mbajë deklaratën hapëse të martën, ndërsa Meta dhe Google i kanë mohuar kategorikisht akuzat.
Një vendim kundër kompanive teknologjike mund të hapë rrugën për mijëra padi të ngjashme në gjykatat amerikane dhe të tronditë mbrojtjen ligjore që industria e teknologjisë ka përdorur për dekada ndaj akuzave për dëme tek përdoruesit.
Aktualisht, Google, Meta, TikTok dhe Snap përballen me mijëra procese gjyqësore në shtetin e Kalifornisë./mxh
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka njoftuar se do të financojë iniciativa për promovimin e lirisë së shprehjes në vendet perëndimore aleate të Shteteve të Bashkuara. Deklarata u bë të hënën, më 9 shkurt, nga një zyrtare e lartë e Departamentit amerikan të Shtetit, gjatë një vizite në disa vende europiane.
Sipas Uashingtonit, rregulloret europiane për hapësirën online, si Akti për Shërbimet Dixhitale i Bashkimit Europian dhe Ligji për Sigurinë Online në Britaninë e Madhe, po kufizojnë lirinë e fjalës dhe po vendosin barriera për kompanitë amerikane të teknologjisë. Autoritetet europiane, nga ana tjetër, i mbrojnë këto ligje duke argumentuar se synojnë luftimin e gjuhës së urrejtjes, dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në hapësirën digjitale.
Nënsekretarja e Shtetit për Diplomacinë Publike, Sarah Rogers, e cila po kryeson këtë nismë, zhvillon takime në Dublin, Budapest, Varshavë dhe Mynih, ku në fokus janë liria e shprehjes dhe ajo digjitale. Gjatë një paneli në Budapest, Rogers deklaroi se do të përdorë fondet e Departamentit të Shtetit për të mbështetur projekte që, sipas saj, promovojnë fjalën e lirë në demokracitë perëndimore.
Një raport i “Financial Times” bëri të ditur se Rogers ka diskutuar edhe me përfaqësues të partisë opozitare britanike Reform, lidhur me financimin e disa organizatave dhe think tank-eve që mbështesin politikat e lëvizjes “Make America Great Again”. Departamenti amerikan i Shtetit nuk i konfirmoi këto pretendime, por theksoi se çdo financim do të ishte i ligjshëm dhe transparent.
Në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të publikuar në dhjetor, administrata Trump akuzoi disa liderë europianë për censurë dhe për shtypje të kritikave ndaj politikave të emigracionit. Më herët, SHBA vendosi edhe ndalime vizash ndaj një ish-komisioneri të Bashkimit Europian dhe disa aktivistëve kundër dezinformimit, veprim që u kritikua ashpër nga udhëheqësit europianë.
Zyrtarët amerikanë kanë pranuar gjithashtu se janë angazhuar me parti nacionaliste dhe të djathta në Europë, duke argumentuar se qëndrimet kundër emigracionit po censurohen nën justifikimin e luftës ndaj gjuhës së urrejtjes.
Sipas Sarah Rogers, Shtetet e Bashkuara nuk janë në kundërshtim me shumicën e qytetarëve europianë për çështje si emigracioni, duke iu referuar sondazheve të opinionit publik. Ajo theksoi se, sipas saj, pa liri fjale nuk mund të ketë vetëqeverisje dhe as debat demokratik./mxh
Presidenti francez Emmanuel Macron kërkoi që Bashkimi Europian të hyjë në një fazë më ambicioze reformash ekonomike, për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të forcuar pozicionin e Europës në përballjen globale me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën.
Në deklarata për media ndërkombëtare, Macron theksoi se Europa nuk duhet të reagojë me lëshime përballë presioneve të jashtme, por të ndërtoje instrumente reale fuqie ekonomike dhe politike. “Kur ka një akt të qartë agresioni, mendoj se ajo që duhet të bëjmë është të mos përkulemi ose të përpiqemi të arrijmë një zgjidhje. E kemi provuar këtë strategji për muaj të tërë. Nuk po funksionon! Kontinenti po përballet njëkohësisht me presionin tregtar të Kinës dhe paqëndrueshmërinë e politikave amerikane, një situatë që po cenon sigurinë ekonomike të Europës dhe rolin e saj në ekonominë globale. Këto dy kriza përbëjnë një tronditje të thellë – një çarje për evropianët.”
Macron kërkoi zgjerimin e instrumenteve të përbashkëta finanaciare të BE-së, për të mundwsuar investime strategjike në industri, teknologji dhe mbrojtje, si dhe për të rritur peshën e monedhës europiane në tregjet financiare nderkombëtare.
Ai e konsideroii stabilitetin institucional të Europës si avantazh konkurrues për investitorët.
Në tryezwn e samitit pritet të diskutohet edhe forcimi i prodhimit europian përmes politikave qw favorizojnë zinxhirët e brendshëm të furnizimit. Kjo qasje synon rritjen e autonomisë strategjike të BE-së, por mbetet temë debati mes vendeve anëtare dhe sektorëve industrialë./mxh
Shkaku i vdekjes së Catherine O’Hara është përcaktuar. Sipas Departamentit të Shëndetit Publik të Qarkut Los Angeles, aktorja Catherine O’Hara ndërroi jetë nga embolizmi pulmonar, pasi kishte qenë e prekur nga kanceri i rektumit, raporton TMZ.
Shpjegim: Embolizmi pulmonar është një gjendje ku një mpiksje gjaku bllokon enët e gjakut në mushkëri, duke penguar qarkullimin normal të tij. Ky rrezik mund të rritet nga kanceri i rektumit. Kanceri i rektumit është një tumor që formohet në pjesën e fundit të zorrës së trashë dhe mund të përhapet në organe të tjera nëse nuk trajtohet.
Catherine O’Hara ndërroi jetë më 30 janar në moshën 71-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga menaxheri i saj për Variety. Përfaqësuesit e aktores thanë vetëm se ajo kishte ndërruar jetë pas një beteje të shkurtër me një sëmundje, por nuk u bënë publike detaje mbi shkakun.
Aktorja u njoh më së shumti për rolin e nënës së Kevin (Macaulay Culkin) në filmat “Home Alone” dhe në filmin “Beetlejuice” të Tim Burton. Karriera e saj filloi të kishte sërish sukses në 10 vitet e fundit me serialin “Schitt’s Creek”.
Ajo fitoi një çmim Emmy për rolin e saj në këtë serial, si dhe për punën në serialin “The Studio” të Apple TV.
Pas vdekjes së saj, shumë yje të Hollywood-it i bënë homazhe ikonës, përfshirë Macaulay Culkin, regjisorin e “Home Alone”, Chris Columbus, dhe shumë kolegë e miq të tjerë.
Macaulay Culkin, i cili luajti rolin e djalit të saj në filmat Home Alone, ndau një postim prekës pas lajmit të trishtë:
“Mama, mendoja se kishim kohë. Doja më shumë. Doja të ulesha pranë teje. Të dëgjova, por kisha shumë gjëra për të të thënë. Të dua! Do të takohemi sërish,” shkroi ai krah dy fotove ku shfaqej me aktoren.
Catherine O’Hara la pas bashkëshortin e saj Welch, djemtë Matthew dhe Luke, si dhe motrat dhe vëllezërit./mxh
Rusia nuk ka në plan të nisë një sulm ushtarak ndaj asnjë vendi të NATO-s gjatë këtij viti apo vitit të ardhshëm, por po përshpejton rindërtimin e forcave të saj ushtarake, në një kohë kur vendet europiane po rrisin ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen. Ky është vlerësimi i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Estonisë, i publikuar në raportin vjetor.
Estonia, vend anëtar i NATO-s dhe fqinj me Rusinë, mbetet një nga kritikët më të fortë të Moskës dhe një mbështetëse e vendosur e Ukrainës që prej nisjes së luftës.
Drejtori i shërbimit të inteligjencës estoneze, Kaupo Rosin, deklaroi të martën se vendet e NATO-s duhet të rrisin që tani shpenzimet për mbrojtjen, për të frenuar çdo agresion të mundshëm në të ardhmen.
Sipas raportit, çdo sulm i mundshëm rus ndaj Estonisë do të përfshinte përdorimin e dronëve në tokë, në ajër dhe në det, të koordinuara njëkohësisht në të gjithë territorin e vendit.
Raporti thekson gjithashtu se prodhimi rus i municioneve po rritet me ritme shumë të shpejta, duke i dhënë Moskës mundësinë të krijojë rezerva për konflikte të ardhshme, ndërkohë që vijon luftën në Ukrainë.
Sipas inteligjencës estoneze, Kremlini vazhdon ta konsiderojë Shtetet e Bashkuara si kundërshtarin e tij kryesor global, ndërsa shfaq gatishmëri për bashkëpunim vetëm për të siguruar heqjen e sanksioneve amerikane.
Megjithë këto sinjale të përkohshme, raporti nënvizon se objektivat strategjikë të Rusisë mbeten të pandryshuara: dobësimi i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, si dhe riformatimi i arkitekturës së sigurisë në Europë sipas vizionit të Moskës./mxh
Bad Bunny duket se po merr një pushim nga rrjetet sociale. Vetëm disa orë pas performancës së tij në Super Bowl, këngëtari portorikan, emri i tij i vërtetë Benito Antonio Martínez Ocasio fshiu të gjitha postimet në Instagram, duke larguar edhe foton e profilit dhe duke mos ndjekur askënd. Në bio mbeti vetëm një link për albumin e tij të fundit, Debí Tirar Más Fotos.
Këngëtari nuk ka bërë ndonjë njoftim për arsyen e këtij veprimi, por fansat spekulojnë se mund të jetë një paralajmërim për një lajm të madh, ndërsa të tjerë mendojnë se mund të jetë për shkak të kritikave ndaj performancës së tij të gjithë në spanjisht.
Gjatë Super Bowl LX në Levi’s Stadium, Santa Clara, Calif., Bad Bunny u shoqërua nga yje si Lady Gaga, Ricky Martin, Cardi B dhe Pedro Pascal. Ai prezantoi flamuj nga vende të ndryshme të Amerikës dhe përqendroi performancën mbi unitetin. Performanca ngjalli gjithashtu diskutime mbi çështje sociale, përfshirë një incident me një fëmijë që u ngatërrua nga publiku me një rast të vërtetë të ICE, dhe një dasmë reale që u zhvillua në fushë.
Megjithatë, performanca nuk u prit mirë nga të gjithë. Ish-Presidenti Donald Trump e përshkroi atë si “absolutisht e tmerrshme” dhe kritikoi mënyrën e shfaqjes dhe kërcimin, duke e quajtur një “shuplakë për vendin tonë”.
Një përfaqësues i Bad Bunny nuk ka komentuar ende për fshirjen e postimeve në Instagram./mxh
Margot Robbie ka zbuluar një nga përvojat më të çuditshme dhe ofenduese në karrierën e saj të hershme.
Në një intervistë për Complex me këngëtaren Charli XCX, aktorja australiane rrëfeu se një koleg mashkull i kishte dhuruar një libër të quajtur Why French Women Don’t Get Fat (Pse gratë franceze nuk shëndoshen), i cili në thelb sugjeronte të hante më pak.
“Unë thjesht thashë: ‘Wow, shko në… diku tjetër,’” tregoi Robbie, duke iu referuar reagimit të saj të asaj kohe. Ajo shtoi se nuk ka asnjë ide se ku mund të ishte tani aktori që i bëri këtë dhuratë.
Gjatë intervistës, Charli XCX ndau edhe përvojën e saj të çuditshme, duke treguar se një fans i kishte dhuruar një kavanoz me eshtrat e nënës së tij në një varëse, dhe ajo nuk dinte se si ta trajtonte.
Ndërkohë, të dyja zgjodhën edhe “zemrat më të mëdha të Hollywood-it” sipas tyre: Robbie zgjodhi të ndjerin Montgomery Clift, ndërsa Charli XCX zgjodhi Jack Nicholson.
Aktualisht, Robbie luan në Wuthering Heights, adaptimin e ri të romanit klasik nga Emerald Fennell, me muzikë origjinale të Charli XCX./mxh
Angelina Jolie u shfaq në tapetin e kuq mbrëmjen e djeshme në premierën e filmit të saj më të ri, “Couture” në Paris, me një pamje që përputhej me atmosferën e filmit. Ajo veshi një fustan të gjatë gjysmë-transparent, i zbukuruar me perla metalike që krijonin një dizajn të hollë lulesh në ngjyrë argjendi.
Fustani kishte mëngë të shkurtra, një siluetë të përshtatur dhe fund të zbukuruar me rripa delikatë që lëviznin me çdo hap të saj. Jolie e kompletoi pamjen me këpucë të zeza me majë të mprehtë dhe bizhuteri minimaliste duke e mbajtur stilin elegant dhe të thjeshtë.
Premiera shënoi një moment të rëndësishëm për Jolie, e cila luan në filmin Couture rolin e Maxine Walker, një regjisore amerikane që përballet me një diagnozë për kancer të gjirit gjatë Javës së Modës në Paris. Gjatë një paneli në Toronto International Film Festival 2025, Jolie tha: “Ky film është shumë personal për mua, dhe shëndeti i grave dhe kanceret e grave janë shumë personalë për mua.”
Regjisorja Alice Winocour, në një intervistë për The Hollywood Reporter, theksoi se Couture nuk është thjesht një film për industrinë e modës. “Është një film për një grua që mëson se ka kancer; nuk është një film për kancerin,” tha ajo. “Në të njëjtën mënyrë, është një film për një vajzë të re afrikane që mbërrin në Paris dhe përballet me ashpërsinë e botës, dhe nuk është një film për modën.”
Winocour shtoi se fokusimi i saj ishte tek lidhjet emocionale mes personazheve, duke shpjeguar: “Doja të tregoja solidaritetin mes grave.” Ajo e përshkroi filmin si një histori për “ndarjen e përvojave si mund të lidheni me njerëz që vijnë nga botë krejt të ndryshme.”/mxh
Një tragjedi ka ndodhur në brigjet e Libisë, pas përmbysjes së një gomoneje me emigrantë. Sipas agjencisë së OKB-së për emigracionin, 53 persona kanë humbur jetën ose janë zhdukur, mes tyre dy foshnja, pas përmbysjes së gomones.
Në deklaratën e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) thuhet se anija me 55 migrantë afrikanë në bord u nis nga qyteti perëndimor i Libisë, Zawiya, pak para mesnatës së së enjtes. Rreth gjashtë orë më vonë, ajo filloi të mbushej me ujë dhe u përmbys në veri të qytetit të Zuwara.
Autoritetet libiane arritën të shpëtojnë dy gra nigeriane. Njëra prej tyre humbi bashkëshortin e saj, ndërsa tjetra raportoi humbjen e dy foshnjave të saj nga përmbysja e gomones.
“Rrjetet e trafikimit dhe kontrabandës vazhdojnë të shfrytëzojnë emigrantët përgjatë rrugës qendrore të Mesdheut. Këto rrjete nxjerrin fitime duke përdorur mjete të papërshtatshme për lundrim për të transportuar emigrantët nga Libia drejt brigjeve evropiane”, shprehet agjencia e OKB-së.
Numri i migrantëve të raportuar të vdekur ose të zhdukur në vitin 2026 në rrugën qendrore të Mesdheut tani është 484, ndërsa vitin e kaluar më shumë se 1,300 emigrantë mbetën të vdekur ose të zhdukur.
Libia është shfaqur vitet e fundit si pika kryesore e tranzitit për migrantët që ikin nga lufta dhe varfëria në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, edhe pse kombi i Afrikës së Veriut është zhytur në kaos pas një kryengritjeje të mbështetur nga NATO që rrëzoi dhe vrau autokratin e gjatë Moammar Gadhafi në vitin 2011.
Trafikantët e qenieve njerëzore vitet e fundit kanë përfituar nga kaosi në Libi, duke kontrabanduar emigrantë përtej kufijve të gjatë të vendit. Emigrantët zakonisht detyrohen të lundrojnë në anije të mbushura me njerëz dhe të papajisura mirë, duke përfshirë edhe gomone.
Ata që kapen dhe kthehen në Libi mbahen në qendra paraburgimi të drejtuara nga qeveria, të mbushura me abuzime, duke përfshirë punë të detyruar, rrahje, përdhunim dhe torturë – praktika që përbëjnë krime kundër njerëzimit, sipas hetuesve të komisionuar nga OKB-ja. Abuzimi shpesh shoqëron përpjekjet për të zhvatur para nga familjet e të ndaluarve, përpara se migrantët të lejohen të largohen nga Libia me anijet e trafikantëve./mxh
Dy diplomatë të profilit të lartë janë nën hetim në Norvegji nga autoritetet vendase për marrëdhënien e tyre me abuzuesin seksual Jeffrey Epstein.
Skuadra norvegjeze kundër krimeve financiare, po heton Mona Juul, e cila dha dorëheqjen si ambasadore në Jordani dhe Irak të dielën, nën dyshimet për korrupsion të rëndë gjatë punës në ministrinë e Punëve të Jashtme.
Nën hetim është dhe bashkëshorti i saj, Terje Rod-Larsen, një ish-diplomat dhe ish-president i Institutit Ndërkombëtar të Paqes (IPI), nën dyshimin për bashkëpunim në korrupsion të rëndë. Pal Lonseth, kreu i Okokrim, tha se është hapur një hetim gjithëpërfshirës që nuk dihet se sa do të zgjasë.
“Kemi hapur një hetim për të sqaruar nëse kanë ndodhur akte kriminale. Po përballemi me një hetim gjithëpërfshirës dhe, sipas të gjitha gjasave, afatgjatë. Ndër të tjera, Okokrim do të hetojë nëse Juul ka pasur përfitime në lidhje me pozicionin e saj”, është shprehur Lonseth.
Avokatët e Juul dhe Rod-Larsen kanë thënë se klientët e tyre po bashkëpunojnë me hetuesit dhe janë të bindur se akuzat do të rezultojnë të pabaza. Çifti, të cilët ishin pjesë e një grupi të vogël diplomatësh që lehtësuan marrëveshjet e Oslos të viteve 1993-1995, janë norvegjezët e fundit me peshë të madhe që bëjnë bujë në media për shkak të dosjeve Epstein.
Zbulimet kanë tronditur kombin nordik, kryesisht për shkak të marrëdhënies së financierit amerikan me Princeshën e Kurorës Mette-Marit, por edhe për shkak të lidhjeve të tij me figura të tjera të shquara.
Okokrim, autoriteti kombëtar për hetimin dhe ndjekjen penale të krimit ekonomik dhe mjedisor, ka hapur tashmë një hetim ndaj Thorbjorn Jagland, një ish-kryeministër laburist të Norvegjisë, ish-kryetar i komitetit norvegjez të Nobelit dhe ish-sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës. Shfaqja në dosje nuk nënkupton në vetvete shkelje ose sjellje të paligjshme./mxh
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen Balluku.
I ftuar në një emision, Noka është shprehur se vendimi ishte as moish as peshk. Ai theksoi se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë luajtur ai aktorë politik dhe ky është një sinjal shumë i rëndë që dëmton shoqërinë.
“Kur imponohet degradimi te të gjitha segmentet kjo sjell destabilizimin e shoqërisë dhe të vendit. Këtu demokracia ekziston në letra, në karta. Demokracia ka dhënë shpirt në këtë vend.
Ndoqa më vëmendjen vendimin e Gjykatës Kushtetuese, as mish as peshk ata kanë luajtur si aktorë politikë. është sinjal i rëndë që dëmton shoqërinë. Ky është oguri i keq se tregon se Edi Rama kontrollon sot gjithçka”, tha Noka./mxh
Palestinezët, vendet arabe dhe grupet izraelite kundër pushtimit kanë dënuar hapat e rinj të miratuar nga kabineti i sigurisë i Izraelit për Bregun Perëndimor, duke thënë se ato përbëjnë aneksim de facto.
Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, njoftoi masat që do ta bënin më të lehtë për kolonët hebrenj të pushtonin tokën palestineze.
Masat, të cilat pritet të miratohen nga komandanti më i lartë ushtarak i Izraelit për Bregun Perëndimor, synojnë të rrisin kontrollin izraelit mbi territorin në aspektin e ligjit të pronës, planifikimit, licencimit dhe zbatimit. Ato u njoftuan tre ditë përpara një takimi midis kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentit amerikan Donald Trump në Uashington.
Vitin e kaluar, vendbanimet në Bregun Perëndimor u zgjeruan me ritmin më të shpejtë që nga fillimi i monitorimit, tha Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Masat e reja izraelite përfshijnë anulimin e një ndalimi dhjetëvjeçar për shitjen direkte të tokës së Bregut Perëndimor te hebrenjtë dhe deklasifikimin e të dhënave lokale të regjistrit të tokës.
Ministrat izraelitë e paraqitën ndryshimin si “një hap që do të rrisë transparencën dhe do të lehtësojë shpengimin e tokës”. Kabineti vendosi gjithashtu të shfuqizojë një kërkesë ligjore për një leje transaksioni për të përfunduar çdo blerje të pasurive të paluajtshme, duke zvogëluar kështu mbikëqyrjen që synon të parandalojë mashtrimin.
Palestinezët thanë se kishin frikë se ndryshimet do të çonin në më shumë presion mbi individët për të shitur, si dhe në akte falsifikimi dhe mashtrimi.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas, i cili kryeson Autoritetin Palestinez (AP) dheqeveris pjesë të Bregut Perëndimor – i quajti masat “të rrezikshme” dhe një “përpjekje të hapur izraelite për të legalizuar zgjerimin e vendbanimeve, konfiskimin e tokës dhe prishjen e pronave palestineze, madje edhe në zonat nën sovranitetin palestinez”. Ai bëri thirrje që SHBA-të dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së të ndërhyjnë menjëherë.
Në një deklaratë të përbashkët me fjalë të ashpra , ministrat e jashtëm të Egjiptit, Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Indonezisë, Pakistanit, Turqisë, Arabisë Saudite dhe Katarit dënuan njoftimin e Izraelit, duke e përshkruar atë si “përshpejtim të përpjekjeve për aneksimin e paligjshëm dhe zhvendosjen e popullit palestinez”.
Administrata Trump ka përjashtuar aneksimin e Bregut Perëndimor nga Izraeli, por nuk është përpjekur të ndalojë ndërtimin e përshpejtuar të vendbanimeve nga Izraeli.
Në dhjetor, kabineti i Izraelit miratoi një propozim për 19 vendbanime të reja. Izraeli po përgatitet gjithashtu të fillojë ndërtimin e një projekti të diskutueshëm vendbanimesh pranë Jerusalemit, i njohur si E1, i cili në fakt do të ndajë Bregun Perëndimor verior dhe jugor.
Sipas OKB-së, një numër rekord prej më shumë se 37,000 palestinezësh u zhvendosën vetëm në vitin 2025 – një vit që thuhet se pati gjithashtu nivele rekord të dhunës nga kolonët izraelitë.
Koalicioni qeverisës i Netanyahut përfshin shumë anëtarë pro-kolonistë që duan që Izraeli të aneksojë Bregun Perëndimor, me të cilin ata pretendojnë lidhje fetare dhe historike.
Kryeministri, i cili përballet me zgjedhje më vonë këtë vit, ka deklaruar se nuk do ta mbështesë kurrë krijimin e një shteti palestinez, të cilin ai e tha se do të përbënte një kërcënim për sigurinë e vendit të tij.
Në vitin 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – gjykata më e lartë e OKB-së – lëshoi ??një mendim këshillimor jo-detyrues se pushtimi i territoreve palestineze nga Izraeli ishte i paligjshëm dhe duhet të merrte fund./mxh
Gati 6000 sirianë aplikuan për rikthim vullnetar në vendin e tyre të origjinës në vitin 2025. Situata në Siri mbetet delikate.
Shifrat në fjalë, ministrit të Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, i pëlqejnë t’i dëgjojë: vitin e kaluar, 5976 sirianë aplikuan për largim vullnetar në Siri, të mbështetur nga Zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF), dhe dorëzuan të gjitha dokumentet e nevojshme. 3678 prej tyre tashmë janë kthyer.
Për politikanin e CSU-së, kjo është dëshmi e suksesit të politikës së migrimit që ka nxitur: “Ata që nuk kanë perspektiva qëndrimi marrin ndihmë të veçantë për kthimin e tyre vullnetar.”
Kjo ndihmë e veçantë përfshin mbulimin e kostove të fluturimit, si dhe një grant fillestar prej 1000 € për çdo të rritur që kthehet dhe 500 € për fëmijë dhe të rinj. Një vit më parë, Zyra Federale rinisi programin, pasi ai u pezullua për shkak të luftës. Numri i njerëzve që bëjnë këtë hap dhe kthehen në vendet e tyre të origjinës po rritet në përgjithësi.
Numri i kthimeve vullnetare nga Gjermania në rritje
Në një njoftim për shtyp, BAMF shkruan: “Një numër i përgjithshëm prej 16.576 personash morën ndihmë për t’u kthyer në vendin e tyre të origjinës ose në një vend të tretë të gatshëm t’i pranojë. Kjo përfaqëson një rritje të konsiderueshme të numrit të largimeve krahasuar me vitin e kaluar, kur u larguan nga vendi 10.358 vetë. Në vitin 2025, shumica e largimeve vullnetare ishin në vendet e origjinës Turqi, Siri, Federatë Ruse, Gjeorgji dhe Irak.”
Pra, a është kthimi vullnetar në Sirinjë histori suksesi? Apo është më tepër një debat i gabuar, siç kritikon Iris Schwerdtner. Kushte të ngjashme me ato të luftës civile vazhdojnë të mbizotërojnë në Siri, thekson kryetarja e Partisë së Majtë. Prandaj, Gjermania nuk duhet të deportojë askënd në atë vend, as të bindë njerëzit të udhëtojnë atje vullnetarisht. Ajo e konsideron çdo debat të këtij lloji “tërësisht të papërshtatshëm në këtë moment”.
Situata humanitare në Siri mbetet e vështirë
Sandra Lorenz, zyrtare e komunikimit në Johanniter International Assistance, është në pozitë të mirë për të gjykuar. Organizata humanitare punon përmes partnerëve në veriperëndim të Sirisë. Lorenz i shpjegon DW-së se mund ta kuptojë pse njerëzit duan të kthehen në vendin e tyre.
“Ne e shohim këtë edhe në Ukrainë, ku njerëzit duan të kthehen në fshatrat e tyre pavarësisht sulmeve. Kjo është krejtësisht normale. Por thjesht duhet të jeni të qartë për situatën në të cilën ndodheni. Infrastruktura është shkatërruar plotësisht në shumë vende. Dhe njerëzit që jetojnë atje sot zhvendosen vazhdimisht për shkak të luftimeve të vazhdueshme.”
Sigurisht, situata në qytetet kryesisht të shkatërruara si Alepo dhe Afrin është e ndryshme nga ajo në kryeqytetin sirian Damask, për shembull, shpjegon Lorenz. Megjithatë, situata humanitare mbetet shumë e vështirë në përgjithësi dhe nevoja për rindërtim mbetet e jashtëzakonshme, veçanërisht pas tërmetit të rëndë tre vjet më parë. Për Johanniter, kjo aktualisht do të thotë para së gjithash mbështetje e rehabilitimit të infrastrukturës dhe furnizimi i spitaleve me benzinë, ujë të pijshëm dhe medikamente. “Ka qindra mijëra njerëz që janë të varur nga ushqimi dhe që kanë nevojë për mbështetje për të rifituar qasjen në ujë, strehim të denjë dhe të ardhura. Situata në Siri është si në zonat e tjera të luftës, thjesht nuk është ajo që ishte 14 vjet më parë. Dhe unë mund të shpresoj vetëm që njerëzit ta kenë studiuar këtë, që të kenë folur me dikë, që të kenë diku ose dikë që e njohin, tek i cili mund të drejtohen së pari.”
Gjermania ndihmon në rindërtim
Nahla Osman së fundmi e pa me sytë e saj situatën në vendin e saj. Avokatja dhe nënkryetarja e Shoqatës së Organizatës Gjermane për Ndihmë Siriane sapo është kthyer nga një udhëtim me një delegacion në Siri. Ajo ishte shoqëruar nga përfaqësues të Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Bankës Gjermane për Rindërtimin (KfW).
Osmani i shpjegon DW: “Në Harasta, një periferi e Damaskut, nuk ka asnjë shtëpi të vetme që është e banueshme ose plotëson standardet minimale për jetesë atje. Më shumë se 80% e shkollave të Sirisë janë shkatërruar. Në të njëjtën kohë, ka një mungesë reale të gjithçkaje, veçanërisht medikamente dhe furnizime mjekësore. Ministri i Shëndetësisë na tha se aparate të caktuara mjekësore mund të ekzistojnë një ose dy herë në të gjithë Sirinë.”
Rikthimi në punë i spitaleve siriane është prioritet për ndihmën gjermane të rindërtimit. Gjatë udhëtimit, u nënshkrua një kontratë përkatëse me pesë spitale.
Në të njëjtën kohë, Gjermania mund të përfitojë gjithashtu nga specialistët sirianë në të ardhmen: qeveria siriane ka propozuar futjen e gjuhës gjermane si lëndë nga klasa e pestë. Qëllimi është të trajnohen specialistë – si mjekë – në një fazë të hershme, të cilët më pas mund të punojnë në Gjermani në kushte më të favorshme.
Nahla Osman nuk e kupton debatin në Gjermani për kthimin e sirianëve: “Shumica e sirianëve janë të integruar këtu, ata flasin gjermanisht dhe punojnë. Shumë ëndërrojnë të kthehen, por jo në këto kushte, natyrisht.” Sipas mendimit të saj, debati në Gjermani nuk është shumë i nuancuar: “Të gjithë sirianët duhet të kthehen, të marrin një lopatë dhe të rindërtojnë vendin. Kjo nuk është mënyrë për të zhvilluar një debat në një vend imigrimi.”/mxh
Cardi B dhe ylli i NFL-së, Stefon Diggs, kanë ndezur thashethemet për një ndarje të mundshme, vetëm pak orë pas përfundimit të Super Bowl LX. Fansat vunë re se çifti nuk e ndjek më njëri-tjetrin në rrjetet sociale, një detaj që ka mjaftuar për të ngritur pikëpyetje mbi statusin e marrëdhënies së tyre.
Ky veprim u vu re vonë të dielën në mbrëmje, menjëherë pas humbjes së New England Patriots përballë Seattle Seahawks me rezultatin 29–13. Koha e zhvillimeve është konsideruar veçanërisht delikate për Diggs, i cili përjetoi një zhgënjim të madh sportiv në një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij.
Dyshimet u shtuan edhe më shumë kur Cardi B u pa duke u larguar herët nga Levi’s Stadium në Santa Clara, Kaliforni. Artistja ndau një video nga makina e saj, ku shihej duke kënduar këngë të Bad Bunny, pak minuta pas përfundimit të shfaqjes së pjesës së parë të Super Bowl-it.
Cardi B ishte një nga personazhet e njohur që pati një paraqitje të shkurtër gjatë performancës spektakolare të Bad Bunny, krahas emrave si Pedro Pascal, Karol G, Jessica Alba dhe Alix Earle.
Shenjat e para të një krize u vunë re edhe përpara finales, kur një gazetar i ESPN e pyeti Cardi B nëse kishte një mesazh motivues për Diggs. Përgjigjja e saj e shkurtër, “Good luck”, dhe largimi i menjëhershëm u interpretuan nga publiku si një distancim mes çiftit.
Vetëm dy javë më parë, Cardi B ishte e pranishme në finalen e Konferencës AFC, ku Patriots mposhtën Denver Broncos me rezultatin 10–7. Pas asaj fitoreje, ajo festoi në fushë së bashku me Diggs dhe lojtarët e tjerë, duke u shprehur plot entuziazëm: “Po shkojmë në Super Bowl”.
Nga ana e tij, Stefon Diggs, 32 vjeç, foli me emocion pas kualifikimit, duke treguar për rrugëtimin e gjatë drejt finales. “Kam luftuar për shumë vite për këtë moment. Do të thotë gjithçka për mua. Kam luajtur futboll që kur isha 5 vjeç dhe gjithmonë kam ëndërruar të fitoj Super Bowl-in,” u shpreh ai për mediat.
Çifti e bëri publike lidhjen e tyre në maj të vitit të kaluar, kur u shfaqën së bashku në një ndeshje të NBA-së në Madison Square Garden. Në shtator të vitit 2025, Cardi B njoftoi se ishte shtatzënë, ndërsa në nëntor ata mirëpritën një djalë, fëmijën e tyre të parë së bashku./mxh
Pallati i Buckinghamit ka njoftuar se është i gatshëm të ndihmojë Policinë e Luginës së Thamesit në vlerësimin e akuzave kundër Princi Andrew, Dukës së Yorkut, lidhur me pretendimet se ai ka ndarë dokumente konfidenciale me Jeffrey Epstein.
Sipas raportimeve, Mountbatten-Windsor dyshohet të ketë ndarë informacione gjatë periudhës kur shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar. Princi Andrew ka mohuar gjithmonë çdo shkelje në këtë kontekst.
Në një deklaratë zyrtare, Pallati thekson se “mbreti ka bërë të qartë shqetësimin e tij të thellë për akuzat që vazhdojnë të dalin në dritë në lidhje me sjelljen e z. Mountbatten-Windsor. Ndërsa pretendimet specifike duhet t’i adresojë ai vetë, ne jemi të gatshëm t’i mbështesim autoritetet në çdo hetim të mundshëm.”
Pallati shtoi gjithashtu se “Siç është thënë më parë, mendimet dhe simpatitë e Madhërive të Tyre kanë qenë dhe mbeten me viktimat e çdo forme abuzimi.”
Dokumentet e publikuara së fundmi, përfshirë shkëmbime email-esh nga viti 2010, sugjerojnë se Princi Andrew i kishte dërguar Epstein-it raporte mbi vizitat e tij në Vietnam, Singapor, Hong Kong dhe Shenzhen. Një tjetër email nga i njëjti vit duket se lidhet me ndarjen e informacionit “konfidencial” mbi investimet në Afganistan me Epstein.
Hetimi është në faza të hershme dhe Policia e Luginës së Thamesit po shqyrton të gjitha provat për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje ligjore./mxh