Privohen nga liria tre persona në Shkup, dyshohen për armë dhe veprimtari radikale fetare
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke vepruar mbi bazën e një kallëzimi penal të dorëzuar nga Sektori për Luftë kundër Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit, ka urdhëruar zhvillimin e procedurës hetimore ndaj tre personave nga Shkupi.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, bëhet fjalë për B.D. (33), M.D. (29) dhe S.E. (25), të gjithë nga Shkupi.
Prokuroria njofton se ekziston dyshim i bazuar se të dyshuarit kanë kryer veprat penale “bashkim kriminal” dhe “prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregti e paautorizuar me armë ose mjete shpërthyese”.
Në kuadër të procedurës paraprake hetimore është konstatuar dyshimi se personat në fjalë janë organizuar me qëllim hakmarrjeje ndaj vëllezërve të tyre, të cilët gjatë vitit të kaluar janë akuzuar dhe dënuar për veprën penale “organizatë terroriste”.
Sipas provave të deritanishme, të dyshuarit kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar, si grup me orientim të përbashkët ideologjik, të bazuar në narrativa radikale fetare.
Ekzistojnë dyshime se janë ndërmarrë aktivitete për mbledhje fondesh nga brenda dhe jashtë vendit, të cilat janë përdorur për propagandë dhe veprimtari të lidhura me Shtetin Islamik, si dhe për blerje armësh.
Me urdhër të Gjykatës Themelore Penale Shkup dhe nën udhëheqjen e prokurorit publik kompetent, dje janë kryer kontrolle në shtëpi dhe objekte të tjera në disa lokacione në Shkup.
Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar:
një pushkë automatike me dy karikatorë dhe 44 fishekë,
dy pistoleta me tre karikatorë dhe 14 fishekë,
një pushkë gjuetie,
një pushkë ajrore,
një bombë dore tymuese,
municion i llojeve dhe kalibrave të ndryshëm,
si dhe materiale të tjera provuese.
Me propozim të prokurorit publik, gjykatësi i procedurës paraprake u ka caktuar të dyshuarve masën e paraburgimit prej 30 ditësh, për shkak të ekzistimit të bazave ligjore të parashikuara në Ligjin për Procedurë Penale.
