A është 16 vjeç një moshë e mirë për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale?
Nga Gazeta ‘Si’- Spanja është vendi më i fundit që po planifikon të vendosë kufizime të moshës për përdorimin e rrjeteve sociale.
Kryeministri Pedro Sánchez njoftoi të martën se vendi do të ndalojë qasjen në rrjetet sociale për personat nën moshën 16 vjeç dhe do të kërkojë që platformat digjitale të përfshijnë sisteme efektive të verifikimit të moshës.
Kjo nismë vjen duke ndjekur shembullin e Australisë, e cila miratoi rregulla të ngjashme në dhjetor, dhe Francën dhe Portugalinë që planifikojnë të ndjekin hapa të njëjtë.
Mes ekspertëve të fushës digjitale dhe edukative ka mendime të ndryshme për këtë masë.
Disa mendojnë se kufizimi i qasjes në rrjetet sociale mund t’u japë adoleshentëve më shumë pjekuri për të përballuar rreziqet, ndërsa të tjerë kërkojnë që verifikimi i moshës të bëhet në mënyrë të sigurt dhe eficient.
Megjithatë, disa kritikë e konsiderojnë kufizimin në moshën 16 vjeç si arbitrar, duke argumentuar se në disa vende në këtë moshë mund të ngasësh makinat, të votosh ose të kesh përfunduar arsimin e detyrueshëm.
Diskutimet tejkalojnë vetëm moshën e lejuar – ekspertët po shohin gjithashtu si përdoren rrjetet sociale nga të miturit, çfarë përmbajtjeje konsumojnë, kur shfletojnë dhe nëse duhet rregulluar edhe dizajni i këtyre platformave për të reduktuar efektet e dëmshme.
Sipas një raporti të UNICEF-it për “Fëmijërinë, Adoleshencën dhe Mirëqenien Digjitale”, tetë nga dhjetë studentë në Spanjë marrin telefonin e tyre të parë në moshën 11 vjeç, dhe pothuajse të gjithë të rinjtë midis 10 dhe 20 vjeç (92.5%) janë të regjistruar në një rrjet social.
Studimi paralajmëron se rreth 5.7 % e fëmijëve dhe adoleshentëve kanë një përdorim të tepruar dhe jo të kontrolluar të internetit, i cili ndikon në jetën e tyre të përditshme dhe lidhet me ankth, depresion dhe mendime suicidale.
Ismael Sanz, një studiues në institutet FUNCAS dhe profesor në Universitetin Rey Juan Carlos të Madridit, beson se ngritja e kufirit në 16 vjeç është një masë e mirë, duke theksuar se përdorimi i rrjeteve sociale mund të dëmtojë ekuilibrin emocional dhe mirëqenien e të rinjve, si dhe të ulë aftësinë e tyre për t’u përqendruar.
Nga ana tjetër, disa kritikë, si Catalina Perazzo – drejtuese e Social and Political Advocacy te Save the Children, paralajmërojnë se masa “nuk është një zgjidhje në vetvete” dhe mund të krijojë një ndjenjë të rreme sigurie nëse nuk shoqërohet me mekanizma të fuqishëm të verifikimit të moshës, arsimim dhe mbështetje për përdorim të përgjegjshëm të rrjeteve sociale.
Profesor José César Perales nga Universiteti i Granadës e përshkruan këtë kufizim si një masë të nxituar dhe me pak prova të forta shkencore, duke e quajtur konservatore pragun e moshës dhe duke theksuar se nuk ka një marrëveshje unanime se rrjetet sociale ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin mendor. Ai shton se shpesh është më efektive të rregullohet vetë mënyra se si funksionojnë platformat, duke përfshirë transparencën e algoritmeve dhe mënyrën sesi dizajnohen këto aplikacione, sesa thjesht të vendoset një kufi moshe.
Ekspertë të sigurisë digjtale gjithashtu ngrenë shqetësime për rreziqet ndaj privatësisë që mund të shoqërojnë mekanizmat e verifikimit të moshës, duke theksuar nevojën për sisteme që lejojnë verifikimin pa komprometuar anonimitetin e përdoruesit – diçka që mund të arrihet teknikisht, por që kërkon kujdes të madh./ EL PAIS
The post A është 16 vjeç një moshë e mirë për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale? appeared first on Gazeta Si.
