Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 January 2026Main stream

Një jetë në skenën e teatrit/ Rrëfehet Bujar Sulejmani: Personazhet që kanë argëtuar mijëra fëmijë

31 January 2026 at 20:45

Ishte vetëm 15 vjeç kur u angazhua për herë të parë si aktor amator pranë trupës së teatrit të kukullave në Gjirokastër dhe që prej asaj periudhe vijojnë të interpretojë dhe të argëtojë vogëlushët.

Ky është Bujar Sulejmani, I cili në karrierën e tij numëron mbi 40 role të ndryshme karakteresh, kryesisht shumica e tyre të vëna në skenë para viteve ’90, ndërsa zbulon dhe një detaj të rëndësishëm historik se kur janë interpretuar për herë të parë shfaqjet e Teatrit të Kukullave.

Artisti tregon se para viteve ’90, Teatri I Kukullave përbëhej nga 10 aktorë të cilët kanë zhvilluar ture në shumë qytetete të vendit apo takime ndërkombëtare, ndërsa në vitin 2002, ai është vlerësuar me titullin “Xinxifile” për interpretimin më të mirë në Festivalin Mbarëkombëtar zhvilluar në Pogradec.

Përveç argëtimit, vogëlushët marrin dhe mesazhet e lirisë, atdhetarisë, por edhe ato të historisë.

Një nga interpretimet më të veçanta, ka qenë vendosja në skenë e veprës rusë “Topoçka”, të cilën siç thotë Bujari e ka interpretuar më tepër se dy mijë herë në ture të ndryshme.

Për fat të keq, sot trupa e Teatrit të Kukullave përbëhet vetëm nga 4 aktorë që sipas tij vjen si pasojë e faktorëve ekonomikë e për këtë ka edhe një apel ndaj bashkisë së qytetit.

Teatri I Kukullave në Gjirokastër u rikthye gati një muaj më parë, pas një ndërprerje prej më tepër se 30 vitesh.  / abcnews.al /

Jeta mes ujit dhe rrjetave/ Historia e dy vëllezërve peshkatarë në lagunën e Nartës

31 January 2026 at 20:35

Artan dhe Alfred Alliu janë dy vëllezër që për dekada i kanë kushtuar jetën peshkimit në lagunën e Nartës.

Alfredi u rikthye nga emigrimi para 12 vitesh, ndërsa Artani e ka këtë profesion prej më shumë se dy dekadash.

Ata nuk e konsiderojnë thjesht një mënyrë për të siguruar të ardhura, por një pasion që I lidh thellë me lagunën, stacionin e tyre të përditshëm.

“Kam 12 vjet qe merrem me peshkim se kam qene ne emigrim. vellai im ka me shume vite se une. po une kam 24 vite qe merrem me peshkim jemi te lincencuar. peshkojme rrjetat dhe ngjalat.”

Vëllezërit Alliu peshkojnë kocë, levrek, qefull, por edhe ngjala, këto të fundit më të rralla për shkak se variojnë nga sezoni.

“Zakonisht peshqit qe peshkojme jane koce levrek dhe qefull. edhe ngjala po ngjala eshte me sezone. levreku preferohet me shume.uji ketu eshte i kripur dhe ska te krahasuar levreku. eshte i cilesise se mire.vezet i leshon levreku tani dhe eshte koha e levrekut.”

Ata pranojnë se prodhimi ka rënë ndjeshëm në vitet e fundit, ndërsa ndryshimet klimatike, i ftohti dhe furnizimi i dobët i kanaleve që lidhin lagunën me detin kanë ndikuar dukshëm në situatën aktuale.

“Keto vitet e fundit ka qene dobet. nuk e di nuk furnizohet mire kanali se ka lidhje me detin. ndryshimet klimaterike po ashtu kane ndikuar. i ftohti ka ndikuar shume e garantuarpeshkimi eshte ne renie. klima ka ndikuar shume. nuk furnizohet laguna.”

Për Alfredin, rikthimi në vendlindje dhe puna në lagunë nuk ka qenë thjesht një zgjedhje profesionale, por një vendim i ndjekur nga pasioni e nxitur nga familja.

“Une erdha nga emigrimi para 12 vitesh dhe nipi me vellain me thane hajde pse do rrish pa pune tani qe u ktheve nga greqia. hajde hajde me thane e bleme varka e te gjitha materialet dhe fillova me qef. pastaj sic e shikon vete nga klima ra puna. me perpara kapnim 60 kg peshk, tani 3 kg.une e nisa si pasion nga kunati se shihja kunatin tim qe dilte per peshkim. sa te kem mundesi do vazhdoj te peshkoj,”

Varkat e tyre dhe të gjitha aktivitetet e peshkimit janë të licencuara dhe të rregullta, duke respektuar ligjin dhe masat e sigurisë.

“Me perpara ketu skishe ku coje peshkun. te gjitha keto 40 varka ketu jane me licence. nuk ka gjueti te paligjshme. jane te gjitha me targa varkat me licence ska as dinamit asgje jemi te perhershem ketu jemi me rregulla. me perpara kane qene 30 varka-35 maksimumi tani jane reduktuar jane 15-20,”

Megjithë uljet në prodhim dhe ndikimet klimatike, dy vëllezërit Alliu nuk ndalen në pasionin dhe punën e tyre të përditshme pranë lagunës së Nartës.  / abcnews.al /

Mes bujqësisë dhe mekanikës/ Historia e Asllan Ishmakut që punon me “ursus” polak të vitit 1960

31 January 2026 at 20:26

76-vjeçari Asllan Ishmaku prej dekadash jetën e tij e ka lidhur me bujqësinë dhe mekanikën. Në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Drojë, ende punon një traktor “Ursus”, mjet bujqësor polak i vitit 1960, të cilin Asllani e bleu në vitin 1975 dhe nuk iu nda kurrë.

Edhe sot, ai këtë makineri e ndez çdo ditë dhe kryen procese të ndryshme pune, duke mbajtur funksional një mjet që për shumëkënd do të ishte vetëm relike muzeale.

“Ky eshte ursus tipi i pare ursus ne vitin 1960. e kam blere ne 1975. origjinen e ka polak, eshte ursus polak 35 kuaj fuqi. qysh ne ate kohe ky ka punu krejtesisht makineri bujqesore. me plug me mbjellje me te gjitha agregatet ne dispozicion te bujqesise.”

Në vitet ’60, Shqipëria kishte kryesisht mjete bujqësore sovjetike, ndërsa Ursusi polak ishte një risi e rrallë. Asllani e mori pasi fitoi patentën dhe prej asaj kohe u bë një nga mekanizatorët më të përkushtuar në zonë.

Ky mjet bujqësor kryen thuajse të gjitha proceset: plugime, mbjellje, prashitje, vaditje dhe transport. Për Asllanin, marrja e Ursusit ishte një vlerësim i madh në atë kohë, një hap drejt modernizimit të bujqësisë.

“Plugime transport mbjellje prashitje vaditje. te gjitha punet i ben. u gezova kur e mora patjeter se ka qene vleresim i madh ne ate kohe te kishe makineri. para vitit 60 kemi pas mbjelle me parmende me plug dhe u eleminua plugu e keto pajisje primitive. u prishen atehere marredheniet me bashkimin sovjetik dhe u lidhem me kinen. u permiresu gjendja. ne 1969 shkova ushtar ne 1971 u ktheva dhe kam punuar me makineri te shumta me autokembanje po kete mjet e kam preferu shume.”

Një nga veçoritë që e bën këtë traktor unik është ndërhyrja teknike që Asllani i ka bërë vetë, duke modifikuar pompën e naftës, një defekt i njohur për këto mjete.

“Kur këto makineri punonin përtej limiteve, nxirrnin defekte te pompat e naftës. Unë jam i pari në Shqipëri që e kam modifikuar pompën e T28. E ka edhe sot të modifikuar dhe punon
Zgjidhja e tij u bë shembull edhe për specialistë të tjerë, të cilët morën eksperiencën e tij për ta aplikuar më gjerë.

“E kuptova që isha i pari kur erdhi një inxhinier nga Korça dhe pa si e kisha zgjidhur problemin. Atëherë mora vesh që ajo që kisha bërë unë ishte zgjidhje.”

Asllani ka qenë mekanizator në shumë vepra të rëndësishme në vend. Ai ka punuar me autokëmbanja, buldozerë dhe eskavatorë, duke dhënë kontributin e tij në ndërtimin e rrugëve kryesore të vendit.

“Kam punuar me të gjitha makineritë e rënda, me dokumente dhe patente. Kam punuar në Rrugën e Kombit, në bypassin e Shkodrës, të Vlorës… me bypassin e Vlorës e mbylla karrierën time.”

Edhe pse sot është në pension prej 11 vitesh, Asllani nuk i ndahet punës dhe mirëmbajtjes së Ursusit, të cilin e konsideron ekonomik, rezistent dhe të besueshëm.

“Jam mekanik vetë, sot jam në pension. Punoj me këtë makineri, e mirëmbaj dhe shërbimet ia bëj të gjitha vetë. Edhe pse duket i vjetër nga jashtë, punon perfekt. Edhe sot, po të më kërkojnë, edhe pse jam 76 vjeç, jam i gatshëm të punoj prapë.”
Historia e Asllan Ishmakut dhe Ursusit të vitit 1960 është një histori që flet për bujqësinë shqiptare, për punën e ndershme dhe për njerëzit që nuk u dorëzuan kurrë përballë kohës.

Dëshmia e rrallë e tmerrit në kampet naziste/ Rrëfimi i 101-vjeçarit, si u rreshtua në batalionin e Kuçit dhe u kap nga gjermanët

31 January 2026 at 20:02

Në moshën 101-vjeçare, Stillo Papadhima është sot një nga zërat e rrallë që ende dëshmon për realitetin e errët të kampeve naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

I lindur në vitin 1925, ai u përball herët me vështirësitë e jetës, pasi humbi të atin në moshën vetëm 5 vjeç. U rrit nën përkujdesjen e nënës dhe vëllezërve e motrave më të mëdhenj, ndërsa në rini u rreshtua në forcat Nacional-Çlirimtare, si pjesëtar i batalionit të Kuçit. Në dhjetor të vitit 1943, pas shpërbërjes së formacionit partizan, ai u kthye drejt vendlindjes së tij.

Por rruga drejt shtëpisë do të shënonte fillimin e një periudhe të errët: në Borsh, Stillo Papadhima dhe disa partizanë të tjerë u kapën nga forcat gjermane. Pas kësaj, ai u transferua nga një burg në tjetrin, duke përfunduar në Selanik, nga ku nisi deportimi drejt Gjermanisë.

Së bashku me dhjetëra të burgosur nga Saranda dhe Gjirokastra, ai u dërgua me tren drejt kampit nazist të Augsburgut, ku mbërriti në fund të korrikut 1944.

Në dëshminë e tij, Stillo tregon se të burgosurit detyroheshin të kryenin punë të rënda dhe rraskapitëse, kryesisht në bujqësi dhe shërbime të detyruara.

Një episod veçanërisht prekës i rrëfyer prej tij lidhet me ndihmën ndaj hebrenjve të përndjekur. Ai kujton se rreth 20 hebrenj u fshehën në kapanonin ku ndodheshin shqiptarët, për t’i shpëtuar transferimit nga forcat gjermane. Shqiptarët ndanë rrobat dhe ushqimin duke kontribuar në shpëtimin e tyre.

Rikthimi drejt Shqipërisë ishte i vështirë, por dëshira për të parë sërish vendlindjen dhe familjen i dha forcë për të përballuar rrugën. Mbërritja në Nivicë, së bashku me vëllanë dhe ish-të burgosurit e tjerë, u kthye në një ngjarje festive për të gjithë fshatin, me banorët që dolën për t’i pritur.

Vite më vonë, pas rënies së komunizmit, fëmijët e tij i mundësuan të vizitonte sërish kampin e Augsburgut në Gjermani, një rikthim emocional në vendin ku kishte përjetuar një nga kapitujt më të vështirë të jetës së tij.

Historia e tij është një rrëfim i qëndresës, sakrificës dhe mbijetesës, në një nga periudhat më të dhimbshme të shekullit XX.

Lajçak pjesë e dosjes Epstein/ Jep dorëheqjen si këshilltar i kryeministrit sllovak

31 January 2026 at 19:42

Miroslav Lajçak, një nga figurat më të njohura të diplomacisë sllovake dhe evropiane, ka njoftuar dorëheqjen nga pozita e këshilltarit të kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, pas daljes së emrit të tij në dokumentet që lidhen me skandalin e Jeffrey Epstein, financierit amerikan të dënuar për abuzime seksuale dhe trafikim njerëzish.

Situata mori vëmendje të madhe kur u bë e ditur se Lajçak kishte komunikuar më parë me Epstein, duke ngritur pikëpyetje për natyrën e këtyre kontakteve.

Si ndodhi gjithçka?

Emri i Lajçakut u përmend në disa komunikime me Epstein, duke ngjallur debat publik dhe shqetësime për figurën e tij diplomatike. Pavarësisht se Lajçak ka një karrierë të gjatë dhe të shquar diplomatike, duke përfshirë detyra si Ministër i Jashtëm dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, reagimi ndaj këtyre zbulimeve ishte i menjëhershëm.

Deklarata e Lajçakut

Në deklaratën e tij, Lajçak mohoi se mesazhet apo komunikimet me Epstein ishin të natyrës kompromentuese. Ai theksoi se kontaktet ishin rastësore dhe jo profesionale, dhe se nuk ka përfituar ndonjë gjë nga këto ndërveprime. “Nëse do të kisha ditur më parë për natyrën kriminale të veprimeve të Epstein, nuk do të kisha ndërvepruar me të”, u shpreh Lajçak. Ai po ashtu tha se nuk mund të konfirmojë saktësinë e të gjitha mesazheve, duke i përshkruar ato si informale.

Reagimi i kryeministrit Fico

Kryeministri Robert Fico pranoi dorëheqjen e Lajçakut, duke e përshkruar atë si një diplomat të jashtëzakonshëm. Fico kritikoi reagimet publike, duke i konsideruar të ekzagjeruara dhe të bazuara në spekulime dhe tha se dorëheqja është një hap për të shmangur rrezikun e reputacionit të keq për shtetin sllovak në këtë periudhë të ndjeshme.

Abdixhiku ngelet kreu i LDK/ Kalon votëbesimin në parti, 164 kundër dorëheqjes së tij

31 January 2026 at 19:28

Lumir Abdixhiku mbetet në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai kaloi votëbesimin në Kuvendin e Punës së Partisë, ku nga 300 delegatë pjesëmarrës 164 votuan kundër dorëheqjes së tij dhe 136 pro.

Abdixhiku i ofroi Kuvendit të partisë dorëheqjen nga pozita si kryetar, pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Lidhja demokratike mori vetëm 13.24 për qind të votave rezultati i dytë më i keq që pas periudhës së pasluftës.

Figura të rëndësishme brenda partisë, si Hykmete Bajrami, kishin kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të Abdixhikut.

Ajo dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë dhe të njëjtën gjë kishte kërkuar edhe nga Abdixhiku.

Ndërkohë, Avdullah Hoti kishte shpallur kandidaturën për kryetar, por në Kuvendin e së shtunës duket se pati diskutime vetëm  për performancën e kryetarit aktual.

e ka shpallur ditë më parë kandidaturën për kryetar të partisë, por të shtunën duket se ka pasur diskutime vetëm për performancën e Abdixhikut.

Lidhja Demokratike u themelua në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova dhe është një nga partitë më të vjetra në Kosovë.

Roli i kësaj partie ka qenë kyç në historinë politike të Kosovës, por vitet e fundit rezultatet nuk kanë qenë ato që priteshin.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ashtu si edhe partitë e tjera opozitare, dolën me një rezultat më të dobët nga cc’pritej në zgjedhjet e parakohshme dhe shumë mbështetës dhe analistë kanë kërkuar që liderët të marrin përgjegjësinë që u takon.  / abcnews.al /

Mbrojtje për Altin Dumanin/ KLP miraton kërkesen e kreut të SPAK, Braho

31 January 2026 at 19:09

Komisioni i mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka miratuar kërkesën e kreut te ri te SPAK Klodian Brahos për të shtuar mbrojtjen ndaj prokurorit Altin Dumani.

Kërkesa vjen pas presionit në rritje ndaj ish-kreut të SPAK lidhur me hetime të rëndësishmë që mbajnë firmën e tij. Disa nga çështjet më të bujshmë të hetuara nga Dumani përfshijnë dosjen e ish-presidentit Meta, dosjen ne ngarkim te kryebashkiakut Veliaj, inceneratorët, dosja Toyota Yaris, dosjen e Laert Haxhiut si dhe operacionet nderkombetare te cilat kane goditur grupet kriminale Shqiptare.

Por ashtu si e ka deklaruar dhe vetë ish-kreu I SPAK prokurorët që prej nisjes së detyrës janë nën presion, sidomos prej grupeve kriminale, për shkak të dosjeve që kanë trajtuar.

Dumani ishte nën ruajtje të rreptë deri në fund të mandatit të tij tre vjeçar si kryeprokuror i posaçëm, ruajtja e tij do të vijojë edhe me mbylljen e kësaj detyre.

Aktualisht për shkak të detyrave që mbajnë kanë ruajtje kreu i SPAK Klodian Braho dhe shefi i gjykatës antikorrupsion Erjon Bani.

Per shkak te ceshtjeve sensitive te cilat hetojne nën ruajtje janë edhe gjyqtarë e prokrurorë të posaçëm ku përfshihen prokurorja Doloreza Musabelliu e cila ka qene ne shenjester te grupeve kriminale, Adnan Xholi, Dritan Prenci,Vladimir Mara si dhe gjyqtarja Irena Gjoka.  / abcnews.al /

Paralajmëron presidentja e Meksikës: Tarifat e naftës të Trump ndaj Kubës rrezikojnë krizë humanitare

31 January 2026 at 19:04

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka paralajmëruar se tarifat e reja të shpallura nga administrata Trump për vendet që furnizojnë Kubën me naftë mund të çojnë në një krizë të rëndë humanitare në ishull.

Gjatë një konference për shtyp, Sheinbaum theksoi se kufizimi i furnizimit me naftë do të kishte pasoja serioze për jetën e përditshme të kubanezëve.

“Zbatimi i tarifave për vendet që furnizojnë Kubën me naftë mund të shkaktojë një krizë humanitare në shkallë të gjerë, duke prekur drejtpërdrejt spitalet, sektorin ushqimor dhe shërbime të tjera thelbësore,” u shpreh presidentja meksikane.

Deklarata e Sheinbaum vjen një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që parashikon vendosjen e tarifave shtesë, me vlerë ende të paspecifikuar, ndaj çdo vendi që shet naftë Kubës.

Dekreti nuk përcakton qartë se cilat vende do të preken, por Meksika përfshihet ndër shtetet që dërgojnë naftë në Kubë.

Sheinbaum bëri të ditur se ka kërkuar kontakte të menjëhershme me Departamentin e Shtetit të SHBA-së për të sqaruar fushëveprimin e urdhrit.

“Ne shprehim gjithmonë solidaritet me popullin kuban, por duhet të dimë fushëveprimin e këtij vendimi, sepse nuk duam ta vëmë vendin tonë në rrezik,” deklaroi ajo, duke theksuar se Meksika do t’u japë përparësi kanaleve diplomatike.

Megjithëse furnizimet me naftë drejt Kubës përbëjnë më pak se 1% të eksporteve totale të naftës bruto të Meksikës, ato janë jetike për ishullin, sidomos pas ndërprerjes së furnizimeve nga Venezuela.

Presidenti kubanez Miguel Díaz-Canel akuzoi Donald Trump se po përpiqet të “mbytë” Kubën, e cila po përballet me një nga krizat më të rënda ekonomike që nga revolucioni i vitit 1959.

Meksika është përballur me kërcënime të vazhdueshme për tarifa nga SHBA-të që prej rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, ndërsa pritet edhe rinegocimi i marrëveshjes trepalëshe të tregtisë së lirë me SHBA-në dhe Kanadanë.  / abcnews.al /

Burime amerikane: SHBA mund të nis një sulm kundër Iranit të dielën

31 January 2026 at 18:40

Raportime nga Drop Site News dhe burime të tjera amerikane thonë se Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar aleatët rajonalë për një sulm të mundshëm ndaj Iranit që mund të fillojë këtë të dielë. Zyrtarët amerikanë nuk kanë dhënë një konfirmim përfundimtar, por paralajmërimi i tyre tregon se plani është në fazë të avancuar përgatitore.

Sipas burimeve, synimet e një sulmi të mundshëm nuk do të kufizohen vetëm tek objektivat bërthamore dhe raketore të Iranit, por mund të përfshijnë edhe udhëheqësit kryesorë dhe strukturat ushtarake të larta. Qëllimi i supozuar do të ishte dobësimi i kapaciteteve ushtarake dhe ndikimi te regjimi iranian, duke lënë hapësirë për ndryshim të mundshëm të regjimit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar javët e fundit se i ka dhënë Iranit një afat për të arritur një marrëveshje. Ai ka theksuar se nëse diplomacia dështon, gjërat do të jenë serioze, duke lënë të kuptohet se opsioni ushtarak mbetet i mundshëm. Trump gjithashtu theksoi se forca amerikane e dërguar në rajon është më e madhe se ajo e përdorur më parë ndaj Venezuelës, duke përfshirë anije të luftës dhe grupin rreth aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln, një demonstrim i fuqisë detare amerikane.

U.S. Central Command (CENTCOM) ka paralajmëruar Iranin që të mos afrohet te anijet amerikane gjatë ushtrimeve të planifikuara në Ngushticën e Hormuzit, duke nënvizuar se çdo kërcënim ndaj trupave amerikane nuk do të tolerohet. Në përgjigje, Irani ka paralajmëruar se çdo sulm ndaj vendit mund të shkaktojë goditje brenda Izraelit. Ali Shamkhani, këshilltar i liderit suprem të Iranit, tha se një ofensivë mund të shkaktojë një përshkallëzim të gjerë në rajon.

Irani gjithashtu ka njoftuar ushtrime ushtarake me zjarr në detin e Hormuzit gjatë fundjavës, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre zhvillojnë ushtrime ajrore dhe detare shumëditore, për të treguar gatishmërinë dhe kapacitetin ushtarak. Analistët thonë se situata është jashtëzakonisht e ndjeshme, pasi një sulm i mundshëm do të shkaktonte rrezik të lartë për përshkallëzim në Lindjen e Mesme, me pasoja serioze për sigurinë globale dhe stabilitetin rajonal.

Në këtë pikë, vendimi përfundimtar i SHBA-së nuk është bërë publik, dhe diplomacia mbetet ende një mundësi e hapur, ndërsa rajoni përgatitet për një fundjavë të tensionuar. /Clash Report/

Armëpushimi njëjavor nga Rusia/ I ftohti ekstrem godet Ukrainë, temperatura deri në -20 gradë

31 January 2026 at 18:20

Për Yulia Hailunas, një ukrainase, sfida më e madhe pas sulmeve ajrore ruse nuk janë ndërprerjet e energjisë elektrike, por i ftohti ekstrem brenda shtëpisë së saj.

Ashtu si mijëra ukrainas të tjerë, ajo ka mbetur pa ngrohje që nga janari, kur Rusia intensifikoi sulmet ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës.

Në apartamentin e saj në Dnipro, Yulia përpiqet të mbijetojë duke veshur pallto të trasha, duke ngrohur këmbët me ujë të nxehtë dhe duke bërë ushtrime fizike për të ruajtur temperaturën e trupit. Situata pritet të përkeqësohet, pasi temperaturat parashikohen të zbresin nën -20 gradë Celsius në ditët në vijim.

“Frika më e madhe është se tubat e ngrohjes do të shpërthejnë dhe nuk do të kemi më mundësi t’i riparojmë. Kjo do të ishte katastrofë”, shprehet ajo.

Të enjten, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Vladimir Putin kishte rënë dakord të ndalonte përkohësisht sulmet ndaj qyteteve kryesore të Ukrainës gjatë valës së të ftohtit ekstrem.

Në Pavlohrad, dhjetëra familje të evakuuara presin ndihmë në qendrat për të zhvendosurit.

“Është si të braktisësh një pjesë të vetes”, thotë Kateryna, e cila u largua nga fshati i saj për të mbrojtur dy fëmijët nga bombardimet e vazhdueshme me dronë.

Sistemi energjetik i Ukrainës është vënë në shënjestër për të katërtin dimër radhazi, duke u bërë gjithnjë e më i brishtë. Inxhinierët po punojnë pa ndërprerje për të rikthyer energjinë dhe ngrohjen, por besimi i qytetarëve se Rusia do të respektojë ndonjë armëpushim mbetet i ulët.

Ndërsa bisedimet për paqe vazhdojnë me ndërmjetësimin e SHBA-ve, shumë ukrainas shprehen skeptikë.  / abcnews.al /

New Mexico padit Meta-n për ekspozimin e fëmijëve ndaj shfrytëzimit seksual

31 January 2026 at 17:47

Meta do të përballet me gjyq javën e ardhshme në një padi të ngritur nga New Mexico, nën akuzat për ekspozimin e fëmijëve dhe adoleshentëve ndaj shfrytëzimit seksual në platforma dhe për përfitimin prej tij, çështja e parë e këtij lloji kundër gjigantit të rrjeteve sociale që arrin në një juri.

Padia, e ngritur nga Prokurori i Përgjithshëm i New Mexicos, Raul Torrez, pretendon se kompania promovoi përmbajtje të paligjshme dhe mundësoi shfrytëzimin seksual të fëmijëve në platformat e saj Facebook, Instagram dhe WhatsApp.

Padia pretendon se Meta lejoi akses të pakufizuar te përdoruesit e mitur dhe i lidhi ata me viktimat, duke çuar shpesh në abuzim në botën reale dhe trafikim të qenieve njerëzore. Gjyqi, i cili është planifikuar të fillojë me përzgjedhjen e jurisë të hënën në Gjykatën e Distriktit të Santa Fe, pritet të zgjasë shtatë ose tetë javë.

Meta i mohon akuzat dhe thotë se ka masa të gjera mbrojtëse për të mbrojtur përdoruesit e rinj. Rasti lindi nga një operacion i fshehtë, të cilin Torrez, një ish-prokuror dhe zyra e tij e drejtuan në vitin 2023. Si pjesë e çështjes, hetuesit krijuan llogari në Facebook dhe Instagram duke u paraqitur si përdorues më të rinj se 14 vjeç.

Llogaritë morën materiale me përmbajtje seksuale eksplicite dhe u kontaktuan nga të rritur që kërkonin përmbajtje të ngjashme, duke çuar në akuza penale kundër tre individëve, sipas zyrës së Torrez.

Shteti gjithashtu akuzon Meta-n për dizajnimin e platformave të saj për të maksimizuar angazhimin pavarësisht provave se ato po dëmtonin shëndetin mendor të fëmijëve.

Karakteristika si lëvizja e pafundme dhe videot me luajtje automatike i mbajnë fëmijët në faqe, duke nxitur sjellje varësie që mund të çojë në depresion, ankth dhe vetëlëndim, pretendon padia.

Shteti po kërkon dëmshpërblim monetar, si dhe një urdhër që i drejton Meta-s të bëjë ndryshime për të përmirësuar sigurinë e fëmijëve gjatë përdorimit të platformave.

Shpërthime të fuqishme trondisin Iranin, pesë të vdekur

31 January 2026 at 17:18

Së paku pesë persona kanë humbur jetën dhe 14 të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi të ndodhur të shtunën në portin jugor iranian të Bandar Abbas, një nga pikat më strategjike të Iranit për tregtinë dhe transportin e naftës. Lajmi u konfirmua nga një zyrtar lokal për agjencitë iraniane të lajmeve, ndërsa shkaku i shpërthimit mbetet ende i paqartë.

Agjencia gjysmë-zyrtare iraniane Tasnim hodhi poshtë raportimet që qarkulluan në rrjetet sociale, sipas të cilave shpërthimi kishte në shënjestër një komandant të marinës së Gardës Revolucionare Islamike, duke i quajtur ato plotësisht të pavërteta. Mediat iraniane bënë të ditur se rasti është nën hetim, por nuk dhanë detaje të mëtejshme mbi natyrën apo origjinën e shpërthimit. Autoritetet iraniane nuk ishin menjëherë të disponueshme për komente zyrtare.

Në një incident tjetër, katër persona humbën jetën pas një shpërthimi gazi në qytetin Ahvaz, pranë kufirit me Irakun, sipas gazetës shtetërore Tehran Times. Edhe për këtë ngjarje, autoritetet nuk dhanë informacion të detajuar në momentet e para.

Ndërkohë, dy zyrtarë izraelitë i thanë agjencisë Reuters se Izraeli nuk ishte përfshirë në shpërthimet e së shtunës. Këto ngjarje ndodhin në një kohë tensionesh të shtuara mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, për shkak të shtypjes së protestave masive brenda Iranit dhe mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mbi programin bërthamor iranian.

Pentagoni nuk reagoi menjëherë ndaj kërkesave për koment. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar më 22 janar se një armadë po drejtohej drejt Iranit. Burime të shumta thanë se administrata amerikane po shqyrtonte opsione të ndryshme kundër Teheranit, përfshirë edhe sulme të synuara ndaj forcave të sigurisë iraniane.

Më herët gjatë së shtunës, presidenti iranian Masoud Pezeshkian akuzoi Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe disa vende evropiane se po shfrytëzonin problemet ekonomike të Iranit, duke nxitur trazira dhe duke u dhënë qytetarëve mjetet për të “shkatërruar kombin nga brenda”.

Qyteti i Bandar Abbas, ku ndodhi shpërthimi kryesor, është vendi i portit më të rëndësishëm të kontejnerëve në Iran dhe ndodhet në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore jetike midis Iranit dhe Omanit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës që transportohet në botë. Ky port ka qenë edhe më parë skenë e një tragjedie të madhe: në prillin e kaluar, një shpërthim i fuqishëm aty vrau dhjetëra persona dhe plagosi mbi 1,000 të tjerë. Një komision hetimor atëherë e pa ngjarjen se kishte mangësi serioze në zbatimin e rregullave të mbrojtjes civile dhe sigurisë.

Irani po përballet prej muajsh me protesta mbarëkombëtare, të cilat shpërthyen në dhjetor për shkak të vështirësive ekonomike dhe janë kthyer në një nga sfidat më të mëdha për udhëheqjen klerike të vendit. Sipas një zyrtari iranian që foli për Reuters, të paktën 5,000 persona kanë humbur jetën gjatë protestave, përfshirë rreth 500 anëtarë të forcave të sigurisë.

Situata mbetet e tensionuar dhe e paqartë, ndërsa hetimet për shpërthimet vazhdojnë dhe komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim zhvillimet në një nga rajonet më të ndjeshme strategjikisht në botë.  / abcnews.al /

I ngacmoi të dashurën, kushërinjtë qëllojnë me armë/ Durrës, ndërron jetë 45 vjeçari

31 January 2026 at 17:02

Ka nderruar jete ne spital 45 vjrcari i cili u plagos dy dite me pare ne shijak pas nje konflikti qe kishte me dy kusherinje. Burime nga policia e Durresit i thane ABC News se Denis Çumani nuk ka mundut ti mbijetonte plages se plumbit.

Nderkohe policia vijon kerkimet per arrestimin e dy kusherinjve Dorjan dhe Indrit Ferra. Sipas prokurorise, nje femer ka qene shkaku i perplasjes mes te rinjeve ne Shijak, ku mbeti i plagosur rende Denis Cumani. Burime nga grupi hetimit thane per ABC News se Denis Cumani ka ngacmuar vajzen me te cilen dilte Dorian Ferra. Teksa ky i fundit ndodhej ne lokal me vajzen, asaj i vinin vazhdimisht sms nga Denis Cumani dha ajo per te mos u konfliktuar djemte i fshinte sms. Pas insistimit se kush i shkruante te dashures se tij, Dorian Ferra e mesoi se kush ishte personi qe i shkruante. Merr si perforcim edhe kusheririn e tij, shtetasin Indrit Ferra dhe shkojne te shtepia e Denis cumanit dhe pas e kane qelluar me grushta dhe shkelma, i kane vene pistoleten ne koke dhe me pas ne brinje. E qellojne nje here ne brinje duke e lene te plagosur. Fillimisht i demtuari eshtë derguar ne spitalin e Durresit dhe nga aty me urgjence drejt spitalit te Traumes ne Tirane ku edhe nderroi jete sot.

NE FOTO- VIKTIMA DENIS CUMANI

 

Ndërron jetë në moshën 82-vjeçare aktori Fitim Makashi

31 January 2026 at 16:51

Ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeç, aktori Fitim Makashi, babai i Redon Makashit.

Fitim Makashi lindi më 10 prill 1944 në Gjirokastër. Në vitin 1963 nis studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë për aktor dhe ka mbaruar në 1967. Për një kohë të gjatë punon si pedagog në ILA dhe në të njëjtën kohë pati një angazhim të herë pas herëshme në Teatrin Popullor (sot TK); Zyrtarisht do të jetë viti 1978 kur do të emërohet aktor në këtë Teatër, vendi ku vazhdoj karrierën artistike si aktor për rreth 12 vjet, saktësisht deri nga mesi i viteve 90-të.

Gjatë kësaj kohe realizon një sërë rolesh që lanë gjurmë në skenën e teatrit, nga ku mund të kujtojmë rolin e Pedagogut në “Pas provimit të dytë” , Drejtori i fermës në “Ata që duhen”, roli i Benit tek “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu tek “Dritat e skenës”, Telhai tek “Besa”, Filipoviç` tek shfaqja “Inspektori” që mbahet edhe si roli i fundit i tij në Teatër.

Fillimet në film i ka që në vitin 1967 me një rol episodik të një marinari në filmin “Dueli i heshtur”, duke vazhduar me filmat e tjerë si “Prita” (1968) “Njësiti gueril” (1969) “Ndërgjegja” (1972) “Rugicat që kërkonin diell” (1975) “Në fillim të verës” (1975) “Ilegalët” (1976) “Nga mesi i errësirës” (1978) “Intendenti” (1980) “Gjurmë në kaltërsi” (1981) “Tre njerëz me guna” (1985) “Shpella e piratëve” (1991) “Vdekja e kalit” (1992).

 

Ukraina dhe Moldavia goditen nga ndërprerje të energjisë për shkak të një defekti në rrjet

31 January 2026 at 16:40

Pjesë të Ukrainës dhe Moldavisë, përfshirë kryeqytetet e të dy vendeve fqinje, u përballën me ndërprerje të energjisë elektrike të shtunën, si pasojë e një defekti në linjat e tensionit të lartë, njoftuan zyrtarët.

Rrjeti energjetik i Ukrainës është dëmtuar rëndë nga sulmet ajrore ruse dhe furnizimi me energji ka qenë i kufizuar javët e fundit.

Rrjeti energjetik po përballet me presion të shtuar për shkak të rikthimit të motit të ftohtë këtë fundjavë. Rusia ka rënë dakord të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike deri më 1 shkurt, me kërkesë të presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa Kievi ka deklaruar se do ta respektojë këtë marrëveshje. Palët nuk kanë raportuar sulme të mëdha gjatë kësaj periudhe.

Të paktën pesë rajone në Ukrainë dhe disa zona të Moldavisë u prekën nga ndërprerjet e energjisë, përfshirë Kievin dhe Kishinaun, pas defektit të regjistruar në orën 10:42 sipas kohës lokale në Kiev.

Metroja në Kiev pezulloi funksionimin, ndërsa furnizimi me ujë në qytet u ndërpre.

Zyrtarët në të dy vendet thanë se energjia elektrike filloi të rikthehej pjesërisht në orët e pasdites, pas përpjekjeve të shpejta për stabilizimin e rrjeteve të ndërlidhura.  / abcnews.al /

Të paktën 30 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

31 January 2026 at 16:31

Të paktën 30 palestinezë janë vrarë të shtunën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës, sipas zyrtarëve të spitaleve lokale.

Sipas burimeve spitalore, viktimat përfshijnë dy gra dhe gjashtë fëmijë nga dy familje të ndryshme. Kjo konsiderohet një nga ditët më vdekjeprurëse në Gaza që nga arritja e armëpushimit në tetor.

Spitali Shifa njoftoi se një sulm në qytetin e Gazës vrau një nënë, tre fëmijët e saj dhe një të afërm. Ndërkohë, Spitali Nasser raportoi se një sulm ndaj një kampi me tenda në Khan Younis shkaktoi zjarr, duke vrarë shtatë persona, mes tyre një baba, tre fëmijët e tij dhe tre nipër.

Sulmet e para u raportuan herët në mëngjes. Më pas, drejtori i Spitalit Shifa, Mohamed Abu Selmiya, deklaroi se një tjetër sulm ajror goditi një stacion policie në qytetin e Gazës, duke vrarë të paktën 14 persona të tjerë dhe duke plagosur disa të tjerë.

Në një deklaratë të shtunën, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se kishin “goditur katër komandantë dhe terroristë të tjerë nga organizatat Hamas dhe Xhihadi Islamik në të gjithë Rripin e Gazës”. IDF shtoi se kishte shënjestruar gjithashtu një depo armësh, një qendër prodhimi armësh dhe dy vende lëshimi raketash të Hamasit në Gazën qendrore.

Izraeli pretendon se sulmet erdhën pasi Hamasi kishte shkelur armëpushimin të premten, kur tetë militantë dolën nga infrastruktura nëntokësore në Rafahun lindor. IDF përsëriti akuzat se Hamasi përdor civilët si mburoja njerëzore dhe deklaroi se do të vazhdojë të veprojë kundër çdo kërcënimi ndaj trupave izraelite dhe civilëve izraelitë.

Si Izraeli ashtu edhe Hamasi kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit që nga arritja e marrëveshjes pas dy vitesh luftë.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga qeveria e udhëhequr nga Hamasi, thotë se mbi 500 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite që nga fillimi i armëpushimit më 10 tetor të vitit të kaluar.  / abcnews.al /

Yesterday — 30 January 2026Main stream

Zjarret në pyjet e Argjentinës, shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Patagoni

30 January 2026 at 22:17

Qeveria argjentinase ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të zjarreve që po shpërthejnë në katër provinca të Patagonisë, pasi frontet e zjarrit kanë djegur qindra mijëra hektarë në vend që nga fillimi i verës në hemisferën jugore në dhjetor.

Urdhri ekzekutiv i presidentit, i cili mbulon provincat e Chubut, Rio Negro, Neuquén dhe La Pampa, synon të lehtësojë punën e përbashkët të agjencive provinciale dhe kombëtare në përpjekjet për të luftuar zjarret.

Që nga dhjetori, rreth 450,000 hektarë pyll janë djegur në provincën e Chubut. Fronti më i madh është në Parkun Kombëtar Los Alerces (2,600,000 hektarë), 1,800 kilometra në jug të Buenos Aires, ku janë djegur 200,000 hektarë bimësi, kryesisht pyll.

Qindra zjarrfikës po punojnë për të parandaluar që flakët të arrijnë në zonat e banuara. Disa reshje shiu janë regjistruar ditët e fundit, të cilat i kanë ndihmuar zjarrfikësit, por vatra aktive mbeten.

Rreth 450 zjarrfikës po punojnë në zonë, të mbështetur nga 19 mjete ajrore. U kryen djegie të kontrolluara për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe drejtimin e tyre drejt vendeve si Cholilla (pothuajse 3,000 banorë) dhe Esquel (37,000 banorë).

Një zjarr tjetër, në departamentin e Epouzin, ka shndërruar 220,000 hektarë në hi, por është vënë nën kontroll 85%, sipas shërbimit krahinor të zjarrfikësve.

Disa zjarre kanë qenë aktive që nga fillimi i dhjetorit, siç është zjarri në Los Alerces, i cili iu atribua rrufeve , dhe po shtohen herë pas here, varësisht nga kushtet e motit, temperaturat dhe erërat.

Zjarret sezonale kanë prekur edhe provinca të tjera në shkallë të ndryshme.

Deri më tani, nuk janë regjistruar vdekje në Patagoni të Argjentinës nga zjarret e verës në hemisferën jugore. Megjithatë, Kili fqinj mbajti zi për rreth 20 persona që vdiqën në zjarret e janarit.

Qeveria argjentinase njoftoi shpërndarjen emergjente të një shume ekuivalente prej 86 milionë dollarësh amerikanë për organizata të ndryshme vullnetare zjarrfikëse.  / abcnews.al /

Franca shpëtoi mbi 6 mijë emigrantë drejt Britanisë në vitin 2025

30 January 2026 at 21:44

Autoritetet franceze kanë shpëtuar më shumë se 6 mijë emigrantë që tentonin të mbërrinin në Britaninë e Madhe me varka të vogla gjatë vitit 2025, ndërsa 25 persona humbën jetën dhe dy të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, sipas raportit vjetor të publikuar të premten nga prefektura detare franceze.

Franca ka qenë prej vitesh një pikënisje kryesore për emigrantët që synojnë të kalojnë Kanalin e La Manshit për të nisur një jetë më të mirë në Britani, ku qeveria laburiste e qendrës së majtë po përballet me presion të fortë nga e djathta ekstreme anti-emigracion për të frenuar mbërritjet.

Pavarësisht rreziqeve të mëdha, përpjekjet për të bërë këtë udhëtim të rrezikshëm me mjete të pasigurta “nuk janë ngadalësuar”, thuhet në raportin e prefekturës detare për Kanalin dhe Detin e Veriut (PREMAR).

Sipas të dhënave, rreth 50 mijë persona në 795 varka kanë tentuar të kalojnë nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit 2025. Autoritetet franceze kanë shpëtuar 6 mijë e 177 persona, ndërsa 25 të tjerë kanë humbur jetën. Një përllogaritje e AFP-së, bazuar në burime zyrtare franceze dhe britanike, e çon numrin total të viktimave në të paktën 29.

Në raport paralajmërohet se trafikantët e qenieve njerëzore po i ekspozojnë emigrantët ndaj rreziqeve gjithnjë e më të mëdha. Numri i personave për çdo varkë ka vijuar të rritet, nga një mesatare prej 26 personash në vitin 2021 në 63 persona në vitin 2025, ndërsa dhjetë varka gjatë këtij viti kanë transportuar mbi 100 persona secila.

Autoritetet kanë konstatuar gjithashtu përdorimin e vazhdueshëm të të ashtuquajturave “varka-taksi”, të cilat nisen fshehurazi nga bregu pothuajse bosh dhe më pas marrin dhjetëra emigrantë që futen në ujëra të cekëta për t’u ngjitur në bord.

Nga ana tjetër, autoritetet britanike kanë regjistruar 41 mijë e 472 mbërritje me varka të vogla gjatë vitit 2025, shifra e dytë më e lartë ndonjëherë pas rekordit prej 45 mijë e 774 mbërritjesh në vitin 2022.

Trump: Irani kërkon marrëveshje për të shmangur veprimet ushtarake amerikane

30 January 2026 at 21:13

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të premten se Irani do të kërkojë arritjen e një marrëveshjeje përmes bisedimeve, në mënyrë që të mos përballet me veprime ushtarake amerikane.

“Mund të them këtë: ata duan të bëjnë një marrëveshje”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.

I pyetur nëse i kishte vendosur Iranit afat për të hyrë në bisedime mbi programet e tij bërthamore dhe raketore, Trump tha “po, e kam bërë”, por nuk deshi të tregonte se çfarë afati.

“Kemi një armatë të madhe, flotë quajeni si të doni, që po shkon drejt Iranit pikërisht tani”, tha Trump, duke iu referuar një grupi aeroplanmbajtësish amerikanë në ujërat pranë Iranit.

“Shpresojmë të arrijmë marrëveshje. Është mirë nëse e arrijmë marrëveshjen. Nëse nuk e arrijmë marrëveshjen, do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi ai.

Trump përmendi atë që ai e quajti vendim të Iranit për t’i ndaluar ekzekutimet e protestuesve, pas një shtypje të ashpër në të cilën grupet e të drejtave të njeriut thonë se u vranë më shumë se 6 mijë njerëz, si provë se Teherani është i gatshëm për bisedime.

Ndërkohë, diplomati më i lartë i Iranit tha të premten se sistemet raketore dhe mbrojtëse të vendit të tij “kurrë” nuk do të jenë pjesë e tryezës së bisedimeve.

Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi tha se Teherani është “i gatshëm t’i fillojë bisedimet, nëse ato zhvillohen në kushte të barabarta, të bazuara në interesa të ndërsjella dhe respekt të ndërsjellë”.

Araghchi i bëri këto komente gjatë një vizite në Turqi, e cila po udhëheq përpjekjet diplomatike për të ndërmjetësuar bisedime mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Por, ai theksoi: “Dua të deklaroj qartë se sistemet mbrojtëse dhe raketore të Iranit nuk do të jenë kurrë subjekt negociatash”, duke shtuar se nuk kishte plane për t’u takuar me zyrtarë amerikanë për rifillimin e bisedimeve.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha se rifillimi i bisedimeve mes Teheranit dhe Uashingtonit mbi programin bërthamor të Iranit është “jetik për uljen e tensioneve rajonale”.

Aktorë të tjerë rajonalë u janë bashkuar thirrjeve për diplomaci, përfshirë shtetet e Gjirit, disa prej të cilave strehojnë baza ushtarake amerikane.  / abcnews.al /

❌
❌