Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 February 2026Main stream

I dënuar për dhunim, i burgosuri gjendet i vdekur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz

1 February 2026 at 00:01


Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve kanë njoftuar se sonte rreth orës 22:00, në Burgun e Sigurisë së Lartë, një i burgosur me inicialet E.G. është gjetur pa shenja jete në dhomën e tij.

Sipas njoftimit zyrtar, stafi korrektues, ekipi mjekësor i institucionit dhe emergjenca e qytetit kanë reaguar menjëherë, mirëpo pavarësisht përpjekjeve, nuk është arritur që i burgosuri të rikthehet në jetë.

I ndjeri ishte duke vuajtur dënim për dy vepra penale të dhunimit. Ai ishte pranuar në institucion më 15 gusht 2024, ndërsa lirimi i tij ishte paraparë në vitin 2048.

Për rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori kompetent, ndërsa SHKK dhe DSHB kanë iniciuar procedura hetimore dhe administrative për sqarimin e plotë të rrethanave.


Të shtënat te Kodra e Trimave në Prishtinë, pamje nga momenti i goditjes së turmës me veturë

31 January 2026 at 23:33


Tre persona kanë mbetur të lënduar pas një incidenti të ndodhur sot rreth orës 15:30 në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku paraprakisht u raportua edhe për të shtëna me armë zjarri.

Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës për rajonin e Prishtinës, duke bërë të ditur se menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Sipas Policisë, tre personat e lënduar nuk kanë pësuar plagë nga arma e zjarrit, por janë lënduar si pasojë e një goditjeje me veturë. Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkohë, në rrjete sociale janë publikuar pamje që tregojnë momentin kur një veturë godet një grup të rinjsh në këtë lagje. Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të rastit dhe lidhjen eventuale mes incidenteve të raportuara./Telegrafi/


Ish-pjesëtari i UÇK-së i diagnostikuar me tumor në veshkë, ka nevojë për mbi 100 mijë euro për trajtim jashtë vendit

31 January 2026 at 23:11


Liridon Rexha, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zjarrfikës me shërbim shumëvjeçar po lufton me një gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e një tumori të avancuar në veshkë.

Sipas familjarëve, gjendja e tij është përkeqësuar ndjeshëm, duke e bërë të domosdoshëm trajtimin urgjent jashtë vendit. Ky trajtim është kompleks dhe kërkon ndërhyrje të specializuara mjekësore, të cilat tejkalojnë mundësitë financiare të familjes.




Edhe pse një pjesë e shpenzimeve pritet të mbulohet nga mbështetja e Qeverisë përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, shuma e paraparë nuk është e mjaftueshme.


Sipas falimjes, kostoja e përgjithshme e trajtimit mjekësor pritet të tejkalojë mbi 100 mijë euro.

Liridon Rexha iu bashkua UÇK-së në moshën vetëm 16-vjeçare, ndërsa më pas vazhdoi shërbimin e tij ndaj shoqërisë si zjarrfikës, gjithmonë në ndihmë të qytetarëve dhe në mbrojtje të jetës e pronës së tyre.

Në këtë moment të vështirë, familja bën apel për solidaritet dhe mbështetje nga qytetarët, institucionet dhe dashamirët, me shpresën se kontributi i përbashkët mund t’i japë Liridon Rexhës mundësinë për trajtimin e nevojshëm dhe shpresë për shërim.

Të dhënat për donacione:

Brenda Kosovës


Banka: Raiffeisen Bank Kosovo

Përfituesi: Liridon Rexha

Nr. i llogarisë: 1503050000509613

Nga Evropa / Jashtë Kosovës

IBAN: XK05 1503 0500 0050 9613

SWIFT/BIC: RBKOXKPR

Nr. kontaktues: 044 860 485

Yesterday — 31 January 2026Main stream

Nis tenderimi i projekteve milionëshe në vazhdën e heqjes së masave ndëshkuese nga BE-ja

31 January 2026 at 22:50


Pas heqjes së grupit paraprak të masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian në fund të vitit të kaluar në vlerë të përgjithshme rreth 216 milionë euro, por edhe atyre më herët, kanë nisur të vërehen efektet e para.

Derisa ka projekte që veçse kanë rinisur, në një përgjigje për TV Dukagjini, BE-ja theksoi se synon që këtë fillimvit të zhbllokojë edhe 205 milionë euro të tjera në projekte.

Duke thënë se në këtë fazë nuk mund të publikojnë listën e plotë, BE-ja bëri një kategorizim sipas programeve, ku përfshihen investime që ishin nisur para pesë vjetësh në kuadër të Instrumentit për Para-Anëtarësim.

“Kjo do të bëhet në linjë me konkluzionet e Presidencës për zgjerimin të miratuara më 16 Dhjetor, që do të lejojë kontraktimin e mbetur të IPA 2021 (rreth 17 milionë euro), të IPA 2022 (55.7 milionë euro) dhe kontraktimin e projekteve të Fondit për Investime në Ballkanin Perëndimor (132 milionë euro)“, thuhet në përgjigjen nga Bashkimi Evropian.

Kjo pritet të shkaktojë një valë të re të vazhdimit të projekteve që u mbajtën pezull që nga Qershori 2023, si pasojë e masave që ish-Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell i kishte quajtur sanksione.

Nga efektet e para të masave që veçse janë hequr vitin e kaluar është tenderi për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan.

Ky projekt në vlerë rreth 11 milionë euro ishte nënshkruar në Maj të vitit 2020 dhe ka për qëllim përmirësimin e mjedisit dhe shëndetit publik, si dhe uljen e ndotjes ujërave.

“Përshkrimi: furnizim me dhe instalimi i rreth 12.5 km tubacione të kanalizimit në zonën urbane dhe atë rurale, ndërtimi i dhomave të tejmbushjes, e po ashtu furnizimi dhe instalimi i rreth 3.5 km tubacione për furnizim me ujë të pijshëm në zonën e impiantit të ri për trajtimin e ujërave të zeza”-Dosja e Tenderit.

Më 16 Dhjetor, BE-ja kishte njoftuar lirimin e katër projekteve në vlerë të përgjithshme 34.6 milionë euro.

Prej tyre projekti më i madh i zhbllokuar ishte ai në vlerë 17.6 milionë euro për dyfishimin e kapacitetit të ngrohjes në Prishtinë, që mundëson vazhdimin e zgjerimit të rrjetit të Termokosit dhe kyçjen e rreth 20 mijë konsumatorëve të rinj.

Pas tij, vjen projekti në vlerë 12 milionë euro për impiantin e ujërave të zeza te Termocentrali “Kosova B”./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be

Nga Tirana drejt borës, Kosova “pushtohet” nga turistët shqiptar në fundjavë

31 January 2026 at 22:29


Fundjava ka sjellë një rritje të ndjeshme të lëvizjeve drejt Kosovës, ku destinacionet turistike dimërore po tërheqin gjithnjë e më shumë qytetarë.

Brezovica, Prevalla dhe Peja janë ndër zonat më të preferuara, ndërsa autoritetet kufitare po punojnë për të menaxhuar fluksin dhe për të shmangur vonesat.

Ndryshe nga muajt e verës, kur fluksi më i lartë i kalimeve i përket hyrjes në Republikën e Shqipërisë, këtë periudhë janë destinacionet turistike dimërore ato që po tërheqin më shumë qytetarë. Kryesisht nga Tirana, shumë udhëtarë kanë zgjedhur të nisen drejt Kosovës gjatë fundjavës, me synim zonat malore dhe qendrat e skive.

Për të përballuar fluksin e shtuar të automjeteve, autoritetet kufitare po punojnë me të gjitha sportelet në funksion, me qëllim shmangien e vonesave dhe lehtësimin e qarkullimit.

Gjatë 24 orëve të fundit, në këtë pikë kufitare janë regjistruar hyrje dhe dalje mbi 9 mijë persona. Ndërkohë, gjatë ditëve të javës fluksi mbetet më i ulët krahasuar me fundjavën.

- YouTube youtu.be

U qëllua me armë në derë të shtëpisë për një sms, vdes në spital 45-vjeçari nga Shijaku

31 January 2026 at 22:00


Ka ndërruar jetë Denis Çumani, 45 vjeç, nga Shijaku, i cili u plagos me armë zjarri mbrëmjen e së martës, më 27 janar, në derën e banesës së tij. Ai ishte shtruar në spital në gjendje të rëndë prej disa ditësh, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Sipas hetimeve, mbrëmjen e ngjarjes në banesën e Çumanit kanë shkuar dy kushërinjtë D.F dhe I.F. Fillimisht ata e kanë dhunuar fizikisht dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke e plagosur rëndë, pasi plumbi i ka përshkuar trupin tejpërtej, raporton Klan News.

Burime bëjnë me dije se konflikti ka pasur si shkak një vajzë. Çumani i kishte dërguar mesazhe asaj, në një kohë kur ajo ishte në një lidhje me D.F. Pak ditë para ngjarjes, vajza ishte takuar me D.F dhe kishin frekuentuar një lokal, ku gjatë qëndrimit aty ajo ka marrë sërish mesazhe nga Çumani, të cilat janë vënë re nga D.F.

Pas shoqërimit të vajzës në banesë, D.F ka marrë kushëririn e tij, I.F, dhe së bashku janë drejtuar drejt shtëpisë së Çumanit, ku ka ndodhur ngjarja e rëndë.

Dy autorët e dyshuar janë shpallur në kërkim nga policia.

Janiq me detaje tjera: SHBA-të po përgatisin dokument ku Serbia duhet të njohë Kosovën

31 January 2026 at 21:21


SHBA-të, do të paraqesin një dokument për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe shtetit të Serbisë. Kështu ka thënë analisti Dushan Janiq në emisionin Balkan Talks në Euronews Albania.

Janiq ka konfirmuar se ekziston një draft i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku i kërkohet Serbisë njohja e Kosovës shtet.

“I qëndroj, por ka disa ndryshime, dhe di që termi ‘Non paper’ është i famshëm për Ballkanin dhe unë e përdor, dhe për Aleksandër Vuçiç apo për njerëz të tjerë. Po këtë herë fola për ekspert amerikan apo kongresmen që po përdorin baza për dialogun e ardhshëm. Sipas informacioneve që kam, kongresi amerikan pranoi ligjin për Ballkanin Perëndimor, edhe ai e thotë qartë se duhet të arrihet një marrëveshje për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Burimet e mia janë ekspertë dhe politikanë,” – tha Janiq, përcjell Euronews Albania.

Një javë parë, eksperti i politikave të Ballkanit Perëndimor, Dushan Janiq, deklaron se në muajin mars ose prill të këtij viti, SHBA-të, do të paraqesin një dokument për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe shtetit të Serbisë.

Sipas Janiq dokumenti në fjalë nuk do të jetë non-paper, dhe kjo i ka frikësuar serbët.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia kanë rritur dakordimin për Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit në vitin 2023, por deri më tani kjo marrëveshje nuk ka gjetur zbatim.

Gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, Kosova dhe Serbia zhvilluan një sërë takimesh në nivel të liderëve, si dhe në atë të kryenegociatorëve, mirëpo palët nuk u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit 2025 ka mbetur i bllokuar, pa ndonjë progres të dukshëm, si thonë njohësit e këtij procesi për shkak të zhvillimeve të brendshme politike në të dyja vendet dhe mungesës së një angazhimi më të fuqishëm nga Bashkimi Evropian. Mungesa e formimit të institucioneve në Kosovë dhe trazirat politike në Serbi, sipas tyre, kanë bërë që ky proces të ngecë. Ndërkohë i kërkohet Bashkimit Evropian që të adresojë disa parakushte ndaj Serbisë, si për përgjegjësit e saj për sulmin terrorist në Banjskë, e po ashtu lobimin intensiv kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

- YouTube youtu.be

Kuvendi i LDK del me konkuzione: Riorganizim total i partisë, kush nuk ndjek rregullat - përjashtohet

31 January 2026 at 20:55


Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka miratuar sot një Deklaratë Politike që përcakton orientimet kryesore reformuese, organizative dhe programore të partisë, pas shqyrtimit të gjendjes politike dhe organizative të saj.

Sipas deklaratës, LDK-ja nis një riorganizim tërësor të strukturës së saj, duke u bazuar në meritokraci, angazhim të dëshmuar politik dhe funksionalitet të degëve dhe nëndegëve. Platforma e re politike dhe organizative duhet të përfundojë brenda 100 ditësh, duke parashikuar ristrukturimin e degëve dhe krijimin e mekanizmave matës për performancën politike dhe organizative.

Kuvendi ka riafirmuar parimin se asnjë anëtar nuk duhet të mbajë më shumë se një funksion partiak, përveç atyre që burojnë nga pozita institucionale. Po ashtu, është kërkuar respektimi i vendimmarrjes kolegjiale dhe i disiplinës statutare, si dhe trajtimi i çdo veprimi që cenon unitetin organizativ përmes mekanizmave statutare.

Një pjesë kyçe e reformës është formimi i një Kryesie të re statutare, forcimi i Kolegjiumit të Degëve dhe krijimi i Trupit Qeverisës të Përfaqësimit Lokal, për të harmonizuar politikat partiake me praktikat qeverisëse në nivel lokal. Kuvendi autorizon gjithashtu formimin e një Trupi Këshilldhënës, që do të ruajë kujtesën institucionale dhe orientimin strategjik afatgjatë të partisë.

Kuvendi thekson gjithashtu nevojën për Program Kombëtar Politik, i cili e pozicionon LDK-në si forcë qeverisëse dhe garantues të stabilitetit institucional dhe përgjegjësisë shtetërore. Kryetari i partisë do të ndërtojë pozicionet politike të LDK-së në konsultim me organet legjitime, ndërsa vendimet përfundimtare do të zbatohen nga të gjitha strukturat e partisë.

Deklarata përfundon duke e konsideruar këtë vendim orientues dhe obligues për veprimet politike dhe organizative të LDK-së, duke shënuar fillimin e një faze të re reformuese dhe konsoliduese për partinë në shërbim të anëtarësisë, votuesve dhe Republikës së Kosovës./Telegrafi/


Abdixhiku: Të gatshëm të flasim për Presidentin, pa pazare politike

31 January 2026 at 20:12


Pas përfundimit të punimeve të Kuvendit të Punës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kryetari i konfirmuar i partisë, Lumir Abdixhiku, foli për mediat, duke dhënë detaje mbi vendimet dhe qëndrimet e partisë.

Ai bëri të ditur se gjatë Kuvendit janë miratuar dy deklarata politike, njëra lidhur me situatën politike në vend dhe tjetra për gjendjen dhe reformimin e brendshëm të LDK-së.

“Janë deklarata që kërkojnë maturitet politik. LDK-ja shpreh gatishmëri që ta ofrojë veten për të dhënë mendime me këdo që është pjesë e skenës politike në Kosovë. Nuk kemi folur specifikisht për koalicione apo pozicione specifike, por kemi dhënë vlera orientuese të një partie”, tha Abdixhiku, duke shtuar se deklaratat do të publikohet së shpejti.

Ai theksoi rëndësinë e komunikimit politik brenda spektrit të gjerë politik dhe u shpreh i gatshëm të bashkëbisedojë me të gjitha partitë për çështjen e zgjedhjes së një presidenti konsensual të Kosovës, duke sqaruar se dialogu nuk nënkupton “pazare politike”.

“Kemi diskutuar se na duhet diskutim brenda spektrit politik. Kur flasim për marrëveshje politike, nuk kemi fjalën për pazare, por për ulje të të gjitha palëve që të gjenden zgjidhje për një president që do të përfaqësojë unitetin kombëtar të Republikës”, tha ai.

Abdixhiku siguroi gjithashtu se LDK-ja ka gatishmëri të diskutojë për çështje të stabilitetit politik, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me gjithë spektrin politik për të ardhmen e vendit./Telegrafi/

Pasi i mbijetoi votëbesimit, Abdixhiku fton kritikët të bashkohen pas tij

31 January 2026 at 19:46


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i ka mbijetuar votëbesimit të kërkuar nga vetë ai të shtunën, në Kuvendin e partisë, duke u konfirmuar me shumicë votash për të vazhduar udhëheqjen e LDK-së.

Pas përfundimit të procesit, Abdixhiku ka bërë të ditur se Kuvendi ka zhvilluar mbi shtatë orë diskutime, ndërsa qëndrimin e tij në krye të partisë e ka cilësuar si privilegj dhe përgjegjësi.

“Me votim të mbyllur u dha verdikti i anëtarësisë së LDK-së, për të cilin jam falënderues. Jam mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme, por edhe për kundërshtimet gjatë këtij procesi”, ka deklaruar Abdixhiku para mediave.

Ai ka njoftuar se Kuvendi ka miratuar dy deklarata politike: një për riorganizimin e brendshëm të LDK-së dhe një tjetër për gjendjen politike në Kosovë.

Sipas tij, përmes deklaratës së dytë, partia është zotuar për diskutime të hapura me të gjithë spektrin politik, me synim ofrimin e stabilitetit për të ardhmen e vendit.

Duke folur për hapat e ardhshëm, Abdixhiku theksoi se rimëkëmbja është drejtimi kryesor i partisë dhe ftoi të gjithë anëtarët, përfshirë edhe ata kritikë ndaj tij, që të bashkohen.

“Rruga përpara e LDK-së ka emër – Rimëkëmbje. Kjo nuk bëhet me ndarje në fitues e humbës, por me përafrimin e të gjithë anëtarësisë. I ftoj të gjithë, edhe ata që nuk ishin të kënaqur me mua, të rreshtohen pas qëllimit të përbashkët”, u shpreh ai.

Abdixhiku theksoi se në Kuvend nuk është diskutuar për koalicione apo pozicione specifike, por për vlera orientuese dhe për rolin e LDK-së si parti që synon stabilitetin politik.

Ai bëri të ditur gjithashtu se edhe kryesia e re e partisë do të zgjidhet përmes procesit të njëjtë të votimit, sikurse kryetari.

Procesin e Kuvendit, Abdixhiku e cilësoi si një shfaqje të lartë të kulturës politike, duke vlerësuar si standard të rrallë në Kosovë ballafaqimin me votëbesim pas ofrimit të dorëheqjes.

“Për mbi shtatë orë debat të hapur dhe konstruktiv, prodhuam demokraci maksimale. Një proces i tillë i votëbesimit përmes votimit të fshehtë është dëshmi e pjekurisë politike të LDK-së”, tha ai, duke falënderuar delegatët për përfaqësimin dinjitoz të anëtarësisë dhe duke u zotuar për ruajtjen e unitetit dhe sinqeritet ndaj qytetarëve dhe vlerave themeltare të LDK-së./Telegrafi/

Çfarë tha Hykmete Bajrami pasi "shpëtoi" Abdixhiku

31 January 2026 at 19:33


Pas procesit të votimit dhe mbështetjes së Lumir Abdixhikut nga Kuvendi i LDK-së për të qëndruar në pozitën e kryetarit të kësaj partie, është deklaruar anëtarja e këtij subjekti politik, Hykmete Bajrami.

Ajo para gazetarëve tha se do ta respekton vendimin e Kuvendit, i cili votoi kundër dorëheqjes së Lumir Abdixhikut.

“E kam thënë edhe më herët, po e përsërisë prapë, LDK është më e madhe se secili prej nesh, respektoj vendimin e Kuvendit të LDK-së", tha ajo shkurt.

Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka votuar kundër dorëheqjes se kryetarit, Lumir Abdixhiku. 164 delegatë ishin kundër dorëheqjes dhe 136 pro dorëheqjes së Abdixhikut.

Fillimisht para votimit, delegatëve iu është prezantuar letra për votim: “A e pranoni dorëheqjen e Lumir Abdixhikut - Po, Jo.”

LDK, me këtë proces ka vendosur që Abdixhiku të vazhdojë si kryetar i këtij subjekti politik, përkundër rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit për Kuvendin e Kosovës.

Lushaku-Sadriu: LDK miratoi dy deklarata politike për reformim dhe zhvillimet në vend

31 January 2026 at 19:29


Jehona Lushaku-Sadriu është deklaruar pas mbledhjes së Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku shumica e anëtarëve nuk e kanë pranuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga pozita e kryetarit të partisë.

Ajo ka bërë të ditur se Abdixhiku ka paraqitur dy deklarata politike, njëra që parasheh reformimin e brendshëm të LDK-së, dhe tjetra që përfshin qëndrimet e partisë ndaj zhvillimeve politike në vend, të cilat, sipas saj, janë miratuar me shumicë votash në Kuvend.

“Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, për herë të parë e ka provuar votëbesimin si rezultat i rezultatit të zgjedhjeve dhe me shumicë votash është konfirmuar sërish si kryetar i LDK-së. Ai ka paraqitur edhe dy deklarata politike, një që parasheh reformimin e brendshëm të partisë dhe një që paraqet qëndrimet e LDK-së për zhvillimet politike në vend, dhe të dyja janë miratuar me shumicë votash në Kuvend”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.

Ajo ka shtuar se rruga përpara është e qartë, duke theksuar se përgjegjësia për reformimin e LDK-së i takon kryetarit Abdixhiku.

“Rruga përpara është e qartë. Kryetari Abdixhiku është përgjegjës për ta reformuar LDK-në, për të ndërtuar një strukturë që do të reformojë degët, nëndegët, kryesinë dhe gjithë strukturën partiake, në mënyrë që të arrihen rezultate të tjera”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Kuvendi ka miratuar edhe një deklaratë për ristrukturimin e partisë, e cila përfshin disa parime të reja, ndër to edhe atë që persona të caktuar nuk do të mund të mbajnë dy poste njëkohësisht brenda strukturave të LDK-së.

Kuvendi i LDK-së vendos: Abdixhiku mbetet kryetar

31 January 2026 at 18:39


Ka përfunduar procesi i votimit të fshehtë në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Të gjithë delegatët e pranishëm në Kuvend kanë votuar në mënyrë të fshehtë për ofrimin e dorëheqjes së Lumir Abdixhikut.

Burimet e Telegrafit bëjnë me dije se rreth 55% e delegatëve kanë votuar pro kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke refuzuar dorëheqjen e tij.

Nga 300 delegatë pjesëmarrës, 164 votuan kundër dorëheqjes së tij, dhe 136 pro.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas shpalljes së rezultatit, kërkoi nga delegatët e pranishëm që të bashkohen për ta ringritur këtë parti.

Ai mes tjerash u tha "në këtë mes nuk ka as humbës e as fitues".

Ai falënderoi delegatët të cilët përmes votimit te fshehtë, kundërshtuan me 164 vota kundër dorëheqjen e tij.

Ndryshe, Abdixhiku ia ka ofruar Kuvendit të partisë dorëheqjen e tij pas rezultatit të shënuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në këtë proces zgjedhor, LDK-ja fitoi 13.24 për qind të votave - rezultati i dytë më i keq qysh prej pasluftës.

Por disa figura partiake kanë kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke mos u pajtuar me votëbesim.

Në mesin e tyre janë Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Arben Gashi, etj./Telegrafi/

Rinia e PDK-së me aksion simbolik para Qeverisë: Qirinj dhe batanije si “dhuratë” për Kurtin për krizën e rrymës

31 January 2026 at 18:33


Anëtarë të Rinisë Demokratike të Kosovës (RDK) kanë zhvilluar sonte një aksion simbolik protestues para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj mungesës së energjisë elektrike dhe paralajmërimit për rritje të re të çmimit të saj.

Gjatë aksionit, ata kanë vendosur një batanije dhe disa qirinj para Qeverisë, duke e cilësuar këtë veprim si reagim ndaj deklaratave që i konsiderojnë provokuese dhe të papërgjegjshme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili ka fajësuar qytetarët për krizën energjetike, duke thënë se “po ngrohen më shumë sesa duhet”.

Në deklaratën për media, sekretari i RDK-së, Altin Gjata, tha se aksioni nuk ka të bëjë me statistika apo propagandë, por me realitetin e përditshëm të qytetarëve të Kosovës.

Ai theksoi se kriza energjetike dhe faturat gjithnjë e më të papërballueshme po i detyrojnë shumë familje kosovare të zgjedhin mes ngrohjes dhe ushqimit, ndërsa studentët, sipas tij, po detyrohen të mësojnë në errësirë. Gjata ngriti edhe pyetjen që, sipas tij, po e shtrojnë qytetarët: “Edhe sa do të rritet çmimi i energjisë elektrike?”

Gjata kritikoi ashpër Qeverinë për, siç tha ai, bllokimin e qindra milionë eurove investime në energji të pastër dhe për dështimin në sigurimin e prodhimit vendor të mjaftueshëm, duke e quajtur situatën aktuale jo krizë dimri, por krizë menaxhimi dhe papërgjegjësie.

Sipas tij, pavarësisht premtimeve për modernizim historik të KEK-ut, sot prodhimi është më i ulët, importet janë rritur dhe përfitimet po shkojnë te të preferuarit e pushtetit.

“Faturën e kësaj krize po e paguajnë familjet tona dhe çdo qytetar i Kosovës”, u shpreh Gjata, duke shtuar se batanija dhe qirinjtë janë një “dhuratë” simbolike për kryeministrin në detyrë, i cili, sipas tij, nuk e ndien barrën e faturave mujore dhe të ngrohjes së familjes.

“Edhe sa, Albin? Edhe sa përqind do të rritet rryma?”, ishte mesazhi përmbyllës i aksionit simbolik./Telegrafi/


Beci: Statuja e Mbretëreshës Teutë i shton vlerë ballkonit panoramik mes Shëngjinit dhe Velipojës

31 January 2026 at 18:26


Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka deklaruar se ballkoni panoramik mes Shëngjinit dhe Velipojës po merr një vlerë të veçantë përmes vendosjes së statujës së Mbretëreshës Teutë, duke theksuar se ky veprim nuk është një vendim territorial, por një zgjedhje që tejkalon kufijtë administrativë.

Sipas Becit, vendosja e statujës synon të lartësojë figurën e Mbretëreshës Teutë dhe historinë që ajo përfaqëson, ndërsa pozicioni i ballkonit panoramik i jep veprës kuptimin e saj të plotë.

“Nga kjo pikë, vështrimi shtrihet mbi Adriatik, nga Ulqini deri në Durrës, duke e vendosur Mbretëreshën Teutë në hapësirën që i takon historikisht – atë të detit, të qyteteve bregdetare dhe të një trashëgimie që na bashkon”, ka theksuar Beci.

Ai ka shprehur falënderime për artistin Julian Muçollari, i cili realizoi veprën, si dhe për gazetarin Marin Mema, në cilësinë e drejtuesit të fondacionit “Shqipëria tjetër”, që kontribuoi në jetësimin e projektit.

Një falënderim i veçantë, sipas Becit, i ka shkuar edhe kryetarit të Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, me të cilin vendimi është ndarë dhe është dakordësuar në mirëkuptim të plotë institucional.

Në fund, kryebashkiaku i Shkodrës ka falënderuar edhe qytetarët që reagojnë dhe ndihen të lidhur me historinë dhe simbolet kombëtare, duke theksuar se vetëm duke parë më larg, me qartësi dhe mirëkuptim, mund të ndërtohet më shumë vlerë për trashëgiminë dhe për vendin./Telegrafi/


Haziri reagon për Kuvendin e LDK-së: Partia u takon anëtarëve, jo funksionarëve

31 January 2026 at 18:17


Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, në kohën kur brenda sallës ku po qëndron ai po vazhdon procesi i votimit të fshehtë për ofrimin e dorëheqjes së kryetarit Lumir Abdixhiku.

Në reagimin e tij, Haziri ka rikujtuar atë që i cilëson si dy mësime të mëdha për rolin dhe identitetin e LDK-së, duke theksuar vlerat mbi të cilat, sipas tij, është ndërtuar kjo parti.

“Nuk ka ditë më të mirë se sot me i kujtu dy mësime të mëdha për rolin e LDK-së.
LDK, me besim në Zot, familje e atdhe. LDK, besë e shpresë për Kosovën.
LDK u takon anëtarësisë së saj e jo funksionarëve.
E djathtë, e moderuar, me liberalë e nacionalistë modern, republikanë e nacional-demokratë”, ka shkruar Haziri.

LDK përfundon votimin pro ose kundër dorëheqjes së Lumir Abdixhikut, fillon numërimi i votave

31 January 2026 at 18:09


Ka përfunduar procesi i votimit pro ose kundër dorëheqjes së Lumir Abdixhikut.

Telegrafi mëson se tashmë ka filluar numërimi i votave.

Raportohet se vet Lumir Abdixhiku u deklarua para delegatëve se nuk do të marrë pjesë në votim.

Ndonëse kjo e drejtë i takon atij, ai ka refuzuar të hedh votën e tij, pro apo kundër dorëheqjes së tij.

Kurti shpjegon: Si u bashkua politika me pushkën për lirinë e Kosovës

31 January 2026 at 17:47


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në Llap, më 31 janar 2026, në homazhe dhe akademinë përkujtimore kushtuar dëshmorëve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, në 29-vjetorin e rënies së tyre.

Në fjalimin e tij, Kurti tha se tash e 29 vjet, dita e fundit e janarit është e rezervuar për përkujtimin e Zahir Pajazitit me shokë, duke e cilësuar këtë traditë si tashmë të institucionalizuar dhe me rëndësi të veçantë për kujtesën kolektive të Kosovës.

Ai theksoi se këtë vit përkujtimi po mbahet në Podujevë, ndërsa vitin e ardhshëm, në përvjetorin jubilar të 30-vjetorit, dëshmorët do të nderohen në Prishtinë, nën patronatin e Kryeministrisë së Republikës së Kosovës.

Kurti rikujtoi se më 31 janar 1997 ranë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, duke nënvizuar se ata përfaqësojnë një brez të tërë që i dha kuptim përpjekjes politike dhe asaj të armatosur për çlirimin e Kosovës.

Sipas tij, gjatë gjithë shekullit XX shqiptarët kanë ndjekur dy rrugë për liri: angazhimin politik dhe kryengritjen e armatosur, rrugë që u kurorëzuan me luftën çlirimtare të UÇK-së.



Kryeministri vuri theks të veçantë në rolin e Zonës së Llapit, e cila, sipas tij, i dha Kosovës një nga grupet më të organizuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – grupin e Zahir Pajazitit me shokë – që më pas u shndërrua në Zonën Operative të Llapit.

Ai përmendi edhe kontributin e shumë bashkëluftëtarëve, duke theksuar se sot obligimi për ta rrëfyer historinë e luftës dhe të sakrificës për liri u takon edhe atyre që mbijetuan.

Në fund, Kurti tha se kultivimi i traditës së përkujtimit të dëshmorëve është kyç për të kuptuar rrugën e shtetit dhe të ardhmen e brezave, duke përmbyllur fjalimin me thirrjen:

“Lavdi Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, si dhe lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të rënë për lirinë e Kosovës.”/Telegrafi/

Nis votimi i fshehtë në LDK: “A e pranoni dorëheqjen e Lumir Abdixhikut - Po, Jo”

31 January 2026 at 17:22


Pas tri orësh diskutimesh në Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së ka nis procesi i votimit të fshehtë për ta pranuar ose jo dorëheqjen e kryetarit aktual të kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

302 delegatë janë prezent për votim për apo kundër dorëheqjes së Abdixhikut.

Raportohet se shumica e Grupit Punues në këtë kuvend, ka vendos që procesi i votimit të shkojë me votim të fshehtë.

Derisa delegatëve iu është prezantuar letra “A jeni për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut? Po, Jo.”

Derisa është kërkuar për unitet në këtë parti gjatë diskutimeve, mësohet se Hykmete Bajrami të ketë thënë se rezultati i dobët në zgjedhjet e fundit e vë në dyshim këtë.

Bajrami ka deklaruar se, “Çfarë uniteti mund të ketë në parti me 13 për qind të votave në zgjedhjet e fundit”.

Kuvendi po vazhdon punimet me 302 delegatë janë prezent për votim për apo kundër dorëheqjes së Abdixhikut.

Të shtëna me armë zjarri në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, tre të lënduar

31 January 2026 at 16:36


Sot pasdite, në lagjen Vranjevc të Prishtinës, janë raportuar të shtëna me armë zjarri, ku si pasojë tre persona kanë pësuar lëndime, por jo nga arma e zjarrit.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar rreth orës 15:30, në rrugën “Fahri Fazliu”, me ç’rast njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Sot rreth orës 15:30, Policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën Fahri Fazliu në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore”, ka deklaruar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

Ai ka bërë të ditur se, bazuar në të dhënat fillestare, tre persona janë lënduar, por lëndimet e tyre nuk janë shkaktuar nga arma e zjarrit.

Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor, ndërsa gjendja e tyre nuk është bërë e ditur.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit./Telegrafi/

❌
❌