Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 January 2026Main stream

Braçe dhe Balla, ju përvodhën debatit të vërtetë

27 January 2026 at 15:14

Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria vendosi që rreth 4% e buxhetit të vitit të kaluar të rialokonte në disa drejtime të tjera. Ky është një instrument që çdo qeveri përdor herë pas here.

Është legal, por jo moral. Kur paratë e destinuara për një sektor nuk shfrytëzohen, qeveria mund të vendosë t’i dërgojë aty ku ka nevojë më urgjente. Në dukje, kjo duket pragmatike dhe e përgjegjshme: fondet nuk humbasin, qytetarët përfitojnë shërbime, dhe buxheti shfaqet në ekuilibër.

Por pas kësaj lëvizjeje fshihet një dilemë e madhe: a është efikase për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin afatgjatë? Investimet kapitale – infrastruktura, arsim, energji, shëndetësi – nuk janë thjesht shpenzime; ato janë motor i rritjes ekonomike, krijojnë vende pune, rrisin produktivitetin dhe gjenerojnë të ardhura shtesë për buxhetin. Kur këto fonde zhvendosen drejt konsumit, si për pensionet apo ndihma sociale të tjera, ekonomia humbet mundësinë për të zgjeruar vlerën e saj reale. Afatshkurtër, qytetarët mund të ndihen të përfitues, por afatmesëm dhe afatgjatë, shteti humbet kapacitetin për të financuar vetveten dhe për të rritur prosperitetin.

Ekonomikisht, të mirat e rialokimit janë të dukshme: mbyll një boshllëk social, shmang krizën në sektorë urgjentë, dhe tregon fleksibilitet të menaxhimit buxhetor. Politikisht, ai mund të interpretohet si vëmendje për qytetarët, duke qetësuar tensione sociale.

Por të këqijat janë po aq të mëdha. Rialokimi shpesh maskon keqmenaxhimin e fondeve fillestare, tregon mungesë planifikimi dhe dërgon sinjale negative për investitorët dhe biznesin. Kur bëhet praktikë e përsëritur, kjo kthen buxhetin në një mjet politik, jo në instrument zhvillimi. Suficitë e krijuar nga mosrealizimi i investimeve nuk janë sukses, por tregues i paaftësisë për të ekzekutuar projektet që rrisin ekonominë.

Pra, rialokimi është i dobishëm për krizë të menjëhershme, p.sh. katastrofa natyrore, recesion, mungesë ekstreme likuiditeti etj., por nuk duhet të zëvendësojë planifikimin strategjik dhe investimet e qëndrueshme. Një politikë fiskale e mençur kërkon që fondet të përdoren saktë aty ku kanë më shumë ndikim për të ardhmen, dhe jo vetëm për të qetësuar momentalisht nevojat sociale. Nëse kjo balancë nuk ruhet, qeveria mund të fitojë pikë politike sot, por humb të ardhmen ekonomike të vendit nesër.

Por faktkeqësisht shqetësimi më i madh se kjo çështje, sot në kuvend, ishte debati i vetëm i zhvilluar mes Taulant Ballës dhe Erion Braçes, ku ky i fundit kërkonte meritën e propozimit i pari që një pjesë e fondeve të papërdorura t’i kalojë pensionistëve. Pra nuk pati asnjë fjalë debati tjetër për të gjetur se pse fondet për investime nuk u përdorën fare dhe çfarë do të ndodhë me planin e rritjes ekonomike të vendit.

Në vend të kësaj, qytetari mbeti spektator i një mini-dialogu propagande, pa bereqet.

The post Braçe dhe Balla, ju përvodhën debatit të vërtetë appeared first on Gazeta Si.

Balla përplaset me Bardhin për protestën e 24 janarit: Lapanjozë që drejtoheni nga një matuf

27 January 2026 at 14:06

Nga Gazeta ‘Si’- Jashtë çështjeve në rend dite, protesta e 24 janarit e PD, mori vëmendjen në seancë plenare duke krijuar situatë të tensionuar.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, replikoi ashpër ndaj Gazment Bardhit dhe sulmoi opozitën duke thënë se mban me para “disa lapangjozë” për të hedhur molotov dhe fishekzjarrë në protestë.

Balla i etiketoi protestuesit dhe deputetët që i mbështesnin si “Çak Norris” dhe tha se Bardhi dhe të tijët, që “drejtohen nga një matuf”, referuar Berishës, duhet të mbajnë përgjegjësi për ata që ushqejnë me dhunë sipas tij.

Për replikë, Bardhi foli me tone të larta nga vendi.

“Mund t’ja mbyllni pak gojën”, i tha Balla nënkryetares së Kuvendit, Klodiana Spahiu, ndërsa iu kundërpërgjigj demokratit duke i thënë “lapanjoz”.

Gazment Bardhi: Lapanjoz je ti!

Taulant Balla: Duhet të përballen me drejtësinë. Nuk ka as parti politike që i merr në mbrojtje sepse zotrote dhe kushdo tjetër që i ushqen me para për të goditur institucionet, duhet të mbash përgjegjësi. Kjo parti politike duhet të distancohet nga dhuna kundër institucioneve bashkë me një matuf, i cili duhet të mbajë përgjegjësi për këtë lloj inspirimi.

Lëri këto dëngla ti se bën si qesharak këtu, ti ke bërë kallëzimin për këta 18 që përmenda unë sikurse ke bërë kallëzimin për Belind Këlliçin, Edmond Spahon për kongresin madhështor të dhjetorit 2021. Unë jam ai që jam dhe e kam për nder, kurse ti duhet të mbash përgjegjësi sepse njerëzit mbajnë përgjegjësi për fytyrën e vet dhe gjithçka firmosin. Kryetar grupi që ka firmosur kallëzim penal për nënkryetarin.

The post Balla përplaset me Bardhin për protestën e 24 janarit: Lapanjozë që drejtoheni nga një matuf appeared first on Gazeta Si.

Bardhi: Shkrirja e Kadastrës së Vlorës, pasojë e dështimit të Policisë për të garantuar sigurinë

27 January 2026 at 13:57

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi, akuzoi ministren e Brendshme Albana Koçiu se ka kriminalizuar policinë për të trembur qytetarët për të mos kërkuar drejtësi nëpërmjet protestave.

Ai u ndal edhe te shkrirja e Zyrës së Kadastrës në Vlorë e cila sipas tij erdhi si pasojë e dështimit të Policisë së Shtetit për të garantuar rendin dhe sigurinë e institucioneve publike.

Sipas Bardhit, krimi i organizuar ka depërtuar në hipotekën e Vlorës, duke e bërë të pamundur ushtrimin normal të detyrës nga drejtuesit e institucionit.

Ai tha se për tre vite me radhë, asnjë drejtor nuk ka arritur të qëndrojë gjatë në detyrë, pasi është përballur me presione dhe kërcënime.

Bardhi akuzoi ministren e Brendshme, Albana Koçiut se nuk ka reaguar për këtë situatë, duke e cilësuar policinë si të vënë në shërbim të krimit.

Ai kërkoi llogari për mbylljen e hipotekës së Vlorës dhe për pamundësinë e ushtrimit të detyrës nga drejtuesit e saj. Sipas tij, për tre vite me radhë, asnjë drejtor nuk ka arritur të qëndrojë gjatë në detyrë, pasi është përballur me presione dhe kërcënime.

“Po pse është mbyllur Hipoteka e Vlorës?  Sepse Policia e Shtetit nuk garanton dot institucionet publike. Krimi i organizuar cdo ditë në hipotekën e Vlorës dhe ka detyruar drejtorin e Përgjithshëm të Hipotekës të zhvendosë stafin nga Vlora në Tiranë. 

Sepse policia e zonjës nuk i garanton dot në krye të detyrës funksionarët e shtetit. Përse nuk flet ajo që po mbyllet hipoteka në Vlorë, se ka tre vjet që nuk mbush dot një muaj një drejtor Hipoteke sepse nuk ushtron dot i lire detyrën, sepse policia eshte ne sherbim te krimit. 

Për këtë duhet të flasë ajo, jo për mesazhet që i çon nga arratia Ergys Agasi që e ka vënë në atë karrige dhe na hiqet ne si ministre”, tha Bardhi.

The post Bardhi: Shkrirja e Kadastrës së Vlorës, pasojë e dështimit të Policisë për të garantuar sigurinë appeared first on Gazeta Si.

Kushtetuesja shtyn vendimin për çështjen Balluku: Na duhet më shumë kohë

27 January 2026 at 13:50

Nga Gazeta ‘Si’- Trupa e Gjykatës Kushtetuese vendosi të marrë më shumë kohë për vendimmarrjen finale lidhur me çështjen “Balluku”.

Dy orë mbledhje në dhomë këshillimi nuk mjaftuan për të prodhuar një vendim përfundimtar, duke bërë që kjo padi të rishqyrtohet nga trupa në një ditë tjetër.

Sipas burimeve, gjyqtarët kanë kërkuar më shumë kohë.

Qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese pritej me interes, pasi vendimmarrja e saj do të ndikojë edhe në vendimin e Këshillit të Mandateve, i cili të mërkurën ka parashikuar mbledhjen e radhës për shqyrtimin e një kërkese tjetër të SPAK-ut: autorizimin për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Kjo pasi mazhoranca e shtyu mbledhjen e Këshillit të Mandateve deri në një vendimmarrje nga Gjykata Kushtetuese. 

The post Kushtetuesja shtyn vendimin për çështjen Balluku: Na duhet më shumë kohë appeared first on Gazeta Si.

Debat për protestën e PD, Koçiu: Policia veproi sipas ligjit, dhuna ishte e papranueshme

27 January 2026 at 13:26

Nga Gazeta ‘Si’- Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, iu përgjigj akuzave të opozitës lidhur me mënyrën e ndërhyrjes së policisë gjatë protestës, duke theksuar se sipas saj Policia e Shtetit ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin.

Koçiu sqaroi gjithashtu rastin e shoqërimit të një të mituri, duke bërë me dije se ai është marrë për verifikim pasi po qëllonte me gurë efektivët e policisë dhe është lënë i lirë menjëherë pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor.

“Policia e ka kryer detyrën me përpikëri. Nuk ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve. Ajo që ndodhi ishte se policët u përballën me dhunë gjatë tubimit të thirrur nga opozita. Ata u sulmuan me molotov dhe si pasojë 11 punonjës policie u lënduan dhe u trajtuan në spital,” deklaroi Koçiu.

Sipas ministres, policia ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore, duke bërë fillimisht thirrje për ndalimin e dhunës. Vetëm pasi këto thirrje u shpërfillën dhe rreziku për jetën e efektivëve u bë evident, u morën masa për shpërndarjen e turmës.

“Akuzat se policia ka përdorur forcë janë të pavërteta dhe të pabazuara. Çdo veprim është kryer mbi parimin e proporcionalitetit, ashtu siç e kërkon ligji,” theksoi ajo.

Koçiu nënvizoi se e drejta për protestë është kushtetuese dhe e pacenueshme, por sipas saj, dhuna nuk mund të justifikohet politikisht.

“Hedhja e molotoveve dhe sulmi ndaj institucioneve janë shkelje e ligjit dhe cenim i rendit demokratik. Duhet të kemi guximin të dënojmë dhunën dhe të mbrojmë rendin, jo të mbrojmë autorët e saj apo të hidhen akuza ndaj policisë,” u shpreh ministrja.

Në lidhje me shoqërimin e të miturit, Koçiu e cilësoi situatën si manipulim politik.

Ajo sqaroi se bëhej fjalë për një 14-vjeçar, i cili u shoqërua për verifikim për të garantuar sigurinë e tij dhe të punonjësve të policisë. Sipas saj, i mituri është trajtuar në përputhje me ligjin, ka qëndruar në ambiente të posaçme dhe jo së bashku me persona të rritur apo të ndaluar, dhe është liruar sapo ka mbërritur përfaqësuesi ligjor.

“Askush nuk është mbi ligjin. Mos përdorni fëmijët si mburojë politike për të justifikuar dhunën. Kush nxit dhunë duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe politike,” përfundoi Koçiu.

The post Debat për protestën e PD, Koçiu: Policia veproi sipas ligjit, dhuna ishte e papranueshme appeared first on Gazeta Si.

Berisha në Strasburg: Narkoshteti i Ramaduros rrezikon sigurinë e Europës!

27 January 2026 at 13:03

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i PD Sali Berisha ndërsa foli në Strasburg mbi zgjedhjet në Shqipëri, e cilësoi vendin si një rrezik serioz për sigurinë e Europës.

Sipas tij, kartele të drogës, të lidhura drejtpërdrejt me Ramën, dominojnë tregjet e drogës në Europë dhe Shqipëria është kthyer në një qendër të madhe të pastrimit të parave përmes ndërtimeve dhe resorteve turistike.

Berisha ka kritikuar edhe raportin mbi ‘terapinë konvertuese’, duke e cilësuar atë si një praktikë çnjerëzore dhe agresion ndaj fëmijëve.

Sipas tij, në Shqipëri, në kopshte dhe shkolla fillore, po përdoren materiale mësimore që synojnë manipulimin e fëmijëve drejt ndryshimit të gjinisë, duke e lidhur këtë me atë që e quajti propagandë e ekstremit të majtë dhe ndikim të Xhorxh Sorosit.

Sipas kryetarit të PD-së Sali Berisha, kjo qasje synon vendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë në Shqipëri dhe më gjerë.

The post Berisha në Strasburg: Narkoshteti i Ramaduros rrezikon sigurinë e Europës! appeared first on Gazeta Si.

‘Si të votoj sot?’/ Braçe dhe Balla replikë për paratë e pashpenzuara të buxhetit

27 January 2026 at 12:46

Nga Gazeta ‘Si’- Dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Taulant Balla janë përfshirë në replika në seancën plenare në Kuvend, sa i takon aktit normativ për rishpërndarjen e buxhetit 2025.

Përmes këtij akti, qeveria parashikon që çdo lek që nuk është shpenzuar nga institucionet gjatë vitit të kaluar, do të kalojë në llogarinë e pensioneve.

Ky akt normativ duket se ka ‘irrituar’ Braçen, i cili pak javë më parë kishte bërë të njëjtën propozim për buxhetin 2026 përmes një amendimi, ku kërkonte që çdo leke i pashpenzuar të shkonte për pensionet.

Por propozimi i Braçes u rrëzua nga mazhoranca dhe sot Braçe pyeti kreun e grupit të PS se si duhet të votojë, pro apo kundër?

Erion Braçe: Siç ju thashë është tejkaluar plani i të ardhurave nga sigurimet dhe këto para që shkojnë tek pensionistët bëjnë mirë dhe do ishte mirë të shkonin atje. Si të votoj sot kryetar? Se është propozimi im i votuar kundër pak ditë më parë..

Taulant Balla: Jam dakord me shqetësimet që ngrihen për t’u gjendur pranë banorëve, bujqve të prekur nga fenomenet natyrore, jam informuar se pushteti vendor dhe qeveria po bëjnë vlerësimin në territor të këtyre dëmeve, si përket aktit normativ që po shqyrtojmë, akti normativ nuk mund të ndryshohet dot sot, ai ose miratohet, ose rrëzohet.

Erion Braçe:Nuk kërkova ndryshim akti, thashë që amendamenti që u rrëzua me votë 5 javë më parë, është sjellë nga qeveria me akt. Dhe pyeta si duhet të votoj unë atëherë votava pro, të gjithë kundër, sot ca duhet të bëj, të votoj kundër?

Petrit Malaj: Nëse do jenë 30 mld të pashpenzuar, do kalojë 30 mld pranë llogarisë së pensioneve.

The post ‘Si të votoj sot?’/ Braçe dhe Balla replikë për paratë e pashpenzuara të buxhetit appeared first on Gazeta Si.

Bardhi: E kthyet Kuvendin në bunker korrupsioni

27 January 2026 at 11:55

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi theksoi në Kuvend se sipas tij qeveria socialiste, në 13 vitet e pushtetit, është përpjekur që ta imponojë korrupsionin si reformë, propagandën si integrim dhe kontrollin si drejtësi.

Nga Foltorja e Kuvendit, ku mbajti fjalën e tij, Bardhi, theksoi se socialistët për të mbrojtur karrigen e tyre kanë zgjedhur t’i nënshtrohen paligjshmërisë së “diktuar nga  Edi Rama dhe Belinda Balluku kundër SPAK-ut”.

“Dhe e keqja është se asgjë nuk ndodh rastësisht. Pas çdo bllokimi, pas çdo paligjshmërie, pas çdo sulmi ndaj drejtësisë, qëndron Edi Rama me modelin e tij antidemonokratik të ushtrimit personal të pushtetit. Ky nuk është thjesht një Kryeministër që toleron korrupsionin. Është një Kryeministër që e orienton, e mbron dhe e përdor korrupsionin si mjet qeverisjeje.  Korrupsioni këto 13 vjet nuk është aksident. Është mënyra se si merren vendimet nga qeveria e Edi Ramës. Është mënyra se si shpërndahen paratë publike. Është mënyra se si mbahet pushteti. Korrupsioni është vetë sistemi”, u shpreh Bardhi.

Sipas tij, problemi nuk qëndron te një vendim, zyrtar apo institucion i vetëm, por tek kryeministri që e ka kthyer paligjshmërinë në sistem dhe në mburojë personale.

“Prandaj, sot, problemi i këtij vendi nuk është një vendim i vetëm, një zyrtar i vetëm apo një institucion i vetëm. Problemi është një Kryeministër që ka kthyer paligjshmërinë në sistem dhe sistemin në mburojë personale. Problemi është një Kryeministër që ka sundon mbi ligjin, mbi Parlamentin dhe mbi drejtësinë.”, tha Bardhi.

I vetmi pushtet, sipas tij, që nuk ka kapur Rama është opozita, që vijon denoncimet, si dhe ndërgjegja qytetare.

“Megjithatë, akoma ka një gjë që ky pushtet nuk e kontrollon dot: opozitën dhe ndërgjegjen qytetare. Ne nuk jemi këtu për të pranuar fatin që na cakton Edi Rama. Nuk jemi këtu për të heshtur. Nuk jemi këtu për t’u mësuar me padrejtësinë. Nuk jemi këtu për të pranuar që Shqipëria të qeveriset nga frika.”, shtoi ai.

The post Bardhi: E kthyet Kuvendin në bunker korrupsioni appeared first on Gazeta Si.

Izraeli dhe Shqipëria: Një miqësi e papritur

27 January 2026 at 11:11

Nga Gazeta ‘Si’-Këtë javë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi vizitën e tij zyrtare në Izrael dhe mbajti një fjalim në Knesset, një moment që mbart peshë historike dhe simbolike. 

Fjalimi i një udhëheqësi nga një vend me shumicë myslimane përpara organit legjislativ të Izraelit është një moment i rrallë, i bërë edhe më domethënës nga pjesëmarrja e tij në konferencën ndërkombëtare kundër antisemitizmit, të organizuar nga ministri për Çështjet e Diasporës, Amichai Chikli.

Në pamje të parë, Izraeli dhe Shqipëria duken një çift i pamundur. Njëri është një shtet i Lindjes së Mesme që përballet me kërcënime të vazhdueshme nga të gjitha anët, ndërsa përpiqet të modernizojë rajonin; tjetri, një vend i vogël ballkanik me një të kaluar komplekse dhe një të tashme në modernizim të shpejtë.

Por në praktikë, marrëdhënia mes tyre nuk është ndërtuar mbi leverdi të përkohshme, por mbi vlera të përbashkëta, qartësi morale, qëndrueshmëri dhe instinktin për të qenë në anën e duhur të historisë.

Kjo bazë u hodh gjatë kapitullit më të errët të njerëzimit. Gjatë Holokaustit, Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që doli nga lufta me më shumë hebrenj sesa kishte para saj. E udhëhequr nga Besa — kodi i lashtë shqiptar i nderit, që nënkupton një premtim të shenjtë për të mbrojtur tjetrin — familje myslimane shqiptare strehuan hebrenj, falsifikuan dokumente dhe rrezikuan jetën pa hezitim.

Sipas Yad Vashem, shqiptarët strehuan rreth 2,000 refugjatë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dhjetëra prej tyre janë njohur si “Të Drejtë mes Kombeve”. Për shqiptarët, shpëtimi i hebrenjve nuk ishte akt heroizmi; ishte detyrim moral.

Ky sens përgjegjësie nuk përfundoi me luftën. Shqipëria ishte ndër vendet e para që njohu Shtetin e Izraelit në vitin 1949 dhe ruajti marrëdhënie diplomatike edhe në periudha kur një gjë e tillë kishte kosto politike. Për Izraelin, një shtet i ndërtuar nga të mbijetuarit dhe i mbajtur gjallë nga kujtesa historike , kjo vazhdimësi ka një domethënie të thellë.

Në ditët e sotme, ky mirëbesim historik është shndërruar në bashkëpunim konkret. Izraeli dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie të forta diplomatike dhe bashkëpunojnë në fusha si teknologjia, siguria kibernetike, bujqësia, energjia dhe turizmi. Kur Shqipëria u godit nga tërmeti shkatërrues i vitit 2019, Izraeli ishte ndër vendet e para që ofroi ndihmë, duke dërguar ekipe shpëtimi dhe asistencë humanitare në një moment krize kombëtare. Vendimi i Shqipërisë në vitin 2021 për të hapur ambasadën e saj në Jerusalem nuk ishte thjesht simbolik; ai pasqyroi një marrëdhënie të ndërtuar mbi reciprocitet, besim dhe koherencë morale brenda një kuadri evropian dhe pro-NATO.

Shqipëria i ofron Izraelit diçka gjithnjë e më të rrallë në diplomacinë ndërkombëtare: një partner europian me shumicë myslimane që ndërthur kredibilitetin moral me përfaqësim pragmatik ndërkombëtar. Ajo i siguron Izraelit mirëkuptim diplomatik në Ballkan, shërben si urë lidhëse me audienca myslimane të moderuara dhe si një zë i besueshëm në forume ndërkombëtare që nuk është instinktivisht armiqësor ndaj Izraelit.

Tashmë, mundësia është që kjo marrëdhënie të ngrihet në një nivel më të lartë. Kryeministri Benjamin Netanyahu mund t’i forcojë lidhjet duke e shndërruar Shqipërinë nga një aleat i heshtur në një partner strategjik të dukshëm, përmes zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe të sigurisë, rritjes së shkëmbimeve në nivele të larta dhe investimit në nisma kulturore e arsimore që ruajnë kujtesën e përbashkët historike.

Pozicionimi i Shqipërisë si një model i marrëdhënieve konstruktive myslimano-hebraike do t’i shërbente jo vetëm interesave dypalëshe, por edhe qëndrimit më të gjerë diplomatik të Izraelit.

Në një kohë kur miqësitë diplomatike janë të brishta dhe gjithnjë e më shumë transaksionale, marrëdhënia Izrael–Shqipëri qëndron veçmas. Ajo është e qëndrueshme, e udhëhequr nga vlerat dhe rezistente — dhe ka ende potencial të madh për t’u zhvilluar më tej./ Times of Israel

The post Izraeli dhe Shqipëria: Një miqësi e papritur appeared first on Gazeta Si.

Kuvendi nis me kundërshti nga PD, miratohet shtyrja e 4 projektligjeve

27 January 2026 at 10:38

Nga Gazeta ‘Si’- Numri i lartë i projektligjeve në seancë plenare u bë shkak që kjo e fundit të nisë me debate.

Deputeti Luçiano Boçi bëri kërkesë në nisje të saj për reflektim duke thënë se sipas tij “PS e ka kthyer Parlamentin në hapësirë të çmendur”.

“I keni ndërkallur projektligjet në një seancë të vetme. Këtë Parlament po e bëni të çmendur dhe qesharak, secili nga projektligjet mund të kërkonte seancë më vete. Të fusësh 11 projektligje në një seancë është për t’u hedhur hi syve shqiptarëve. Pse nuk shtojmë seancat?!”, tha ai.

“Ky nuk është Parlament, është kioskë. Projektligji për komisionet do debat”, vijoi ai.

Edhe deputetja Jorida Tabaku i bëri thirrje kryeparlamentarit Niko Peleshi nga Kuvendi dhe mazhorancës në sallë, që të hiqen më shumë se 4 projektligje që pranoi grupi i mazhorancës për t’i hequr nga rendi i ditës.

Ajo tha se ligjet për lobimin, armatimin, median, Kodin penal dhe më gjerë, nuk janë konsultuar, nuk kanë dakordësinë as të opozitës, as të grupeve të interesit dhe as të ndërkombëtarëve.

Përgjigjen e mori nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ai kërkoi shtyrjen me 1 javë të katër projektligjeve, pasi sipas tij duhen rakorduar fjalë për fjalë me BE.

“Lehtësojmë disi agjendën e sotme“, tha Balla.

Me kërkesë të PS, u tërhoqën 4 projektligje nga rendi i ditës:  

-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8874, datë 29.3.2002, “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”;

-Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar;

-Projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”;

-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10221, datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”;

The post Kuvendi nis me kundërshti nga PD, miratohet shtyrja e 4 projektligjeve appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 26 January 2026Main stream

Rama krah Netanyahut: Shqipëria qëndron kundër antisemitizmit dhe islamofobisë

26 January 2026 at 14:39

Nga Gazeta ‘Si’- Në një deklaratë për shtyp me kryeministrin Edi Rama, homologu izraelit Benjamin Netanyahu vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe tha se njerëzit duhet të njohin rolin e jashtëzakonshëm që Shqipëria luajti gjatë orëve më të errëta të historisë njerëzore.

Ai u ndal në dy pika gjatë fjalimit: rritja e numrit të turistëve izraelitë në Shqipëri dhe çelja e Dhomës së Tregtisë në Jeruzalem që sipas tij do të forcojë raportin mes dy vendeve.

“Shqiptarët mbrojtën qindra hebrenj dhe mikpritën shumë të tjerë. Ky është shpirti që ju përfaqësoni.

Kjo është ajo histori që bota duhet ta njohë. Kjo është histori që frymëzon filma. Njerëzit duhet të njohin rolin e jashtëzakonshëm, moral, që Shqipëria luajti gjatë orëve të errëta të historisë njerëzore. Me çeljen e Dhomës së Tregtisë në Jeruzalem, nesër me praninë e kryeministrit Rama, kjo do të çojë përpara lidhjet ekonomike.

Kemi një mirëkuptim që shkon përtej interesave, por në ndjenjën më të thellë të simpatisë njerëzore, ka një themel afërsie e vëllazërie midis vendeve tona. Numri i turistëve izraelitë që kanë shkuar në Shqipëri është rritur me 800%. Mund t’u them të gjithë izraelitëve që Shqipëria është vend i mrekullueshëm, kështu që shkoni atje”, u shpreh ai.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama kujtoi se Shqipëria ka qenë një strehë për hebrenjtë që i iknin persekutimit në Europë, duke e cilësuar mbrojtjen e tyre gjatë Holokaustit si një trashëgimi unike historike dhe një dëshmi të kurajës morale të brezave të mëparshëm.

Sipas kreut të qeverisë, edhe pse shumica e popullsisë shqiptare është myslimane, u bashkua me vuajtjen e popullit palestinez pa shprehur urrejtje ndaj izraelit.

Ai u shpreh se Shqipëria qëndron e palëkundur kundër antisemitizmit dhe islamofobisë.

“Dua ta theksoj dhe një herë se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët  në miqësinë e thellë midis popujve shqiptar dhe hebre, farkëtuar përmes shekujsh historie, kur më shumë se një herë, hebrenjtë që i iknin persekutimit në perëndim erdhën e u vendosën në brigjet tona. Trashëgimia unike historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje thellësisht të veçantë, e për mua, për ne, është dëshmia e kurajës morale të gjyshërve tanë, një dëshmi që kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta trashëguar brez pas brezi.

Qeveria është plotësisht e përkushtuar për ta kremtuar këtë trashëgimi të çmuar nga historia dhe mban një qëndrim të vendosur, të qartë e të pandryshuar kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht” tha Rama.

Në lidhje me ftesën për në Bordin e Paqes, Rama tha se Shqipëria do të mbështesë të gjitha përpjekjet për paqe, përfshirë planin e paqes për Gazën të presidentit Trump.

The post Rama krah Netanyahut: Shqipëria qëndron kundër antisemitizmit dhe islamofobisë appeared first on Gazeta Si.

Pakti shqiptaro-kroat/ Vengu: Serbia është ftuar, nuk i marrim leje askujt me kë bashkëpunojmë

26 January 2026 at 13:06

Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Mbrojtes Pirro Vengu ka hedhur poshtë shqetësimet e shprehura nga Beogradi lidhur me marrëveshjen trilaterale mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.

I pyetur lidhur me deklaratat e Presidentit Serb, Aleksandar Vuçiç për këtë marrëveshje, që sipas tij synon shkatërrimin e Serbisë, Vengu tha se e ka ftuar Serbinë t’i bashkohet.

“Patjetër kam vënë re herë pas here një sens paniku nga deklarata zyrtare në Beograd. Mund t’ iu them që është një marrëveshje trepalëshe që nuk është ndërtuar kundër askujt. Madje kam qenë unë vetë i pari që kam shprehur edhe ftesë, pse jo, që Serbia, nëse gjykon se rajoni, stabiliteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja euroatlantike e vendeve të rajonit është e rëndësishme, atëherë t’i bashkëngjitet kësaj iniciative. Ja u merr mendja që nuk kam marrë një përgjigje për sa i përket kësaj ftese.

Mund t’iu them që Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë filluar në bazë të kësaj marrëveshjeje, qoftë në rrafshin ushtarak, stërvitor, akademik arsimor por edhe të prodhimit ushtarak, të bashkëpunojnë”, tha Vengu.

Ai shtoi se të treja vendet nuk i marrin leje askujt për të formuar koalicione.

“Me Kosovën kemi dakordësi për sa i përket mjeteve të blinduara. Dhe kjo vjen për dy arsye: E para sepse lexojmë rreziqe dhe kërcënime në rajon të njëmendje. E dyta, nuk besoj se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, kanë nevojë të marrin leje për saj i përket kësaj pjese. E treta: mikpresim edhe vende të tjera të na bashkëngjiten. Është partneritet i hapur.

Shumëkush e quan marrëveshje të mbrojtjes. Kemi vënë re që të tre vendet kanë nevoja të ngjashme për sa i përket rritjes së kapaciteteve”

Marrëveshja e këtij sfondi e cila është e para në rajon, parashikon forcim të kapaciteteve mbrojtëse, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe bashkëpunimin në trajnimet ushtarake.

The post Pakti shqiptaro-kroat/ Vengu: Serbia është ftuar, nuk i marrim leje askujt me kë bashkëpunojmë appeared first on Gazeta Si.

A janë gati liderët për një tjetër ‘roller coaster’ nga Trump?

26 January 2026 at 12:31

Nga Gazeta ‘Si’- Ish-kryeministri britanik i njohur për zgjuarsinë e tij, Harold Wilson, ka thënë dikur se “një javë është një kohë e gjatë në politikë”.

Vetëm gjatë javës së fundit, deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump për zotërimin e Groenlandës, dobësinë e Europës dhe përçmimin e tij ndaj kontributeve të vendeve anëtare të NATO-s në Afganistan kanë nxjerrë hapur në pah një realitet të ashpër: rendi i vjetër ka vdekur — dhe nuk do të ringjallet.

Nëse kësaj i shtohet edhe krijimi i një Bordi të Paqes për Gazën, ku përfshihet presidenti i Bjellorusisë dhe një ftesë e dërguar presidentit rus Vladimir Putin, atëherë ka qenë një javë vërtet e çuditshme.

Askush nuk e përshkroi më mirë këtë gjendje sesa kryeministri kanadez Mark Carney, fjalimi i të cilit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, të mërkurën, e zemëroi Trumpin.

“Ne jemi në mes të një çarje, jo të një tranzicioni,” tha Carney duke bërë thirrje për mobilizim të asaj që ai i quajti “fuqitë e mesme”.

“Nëse nuk je në tryezë, je në menu,” shtoi ai.

Tashmë ka shenja se në Perëndim po kuptohet se rezistenca e hapur është një qasje më e mirë sesa përshtatja e heshtur. Përveç indinjatës ndaj deklaratave të Trumpit për Afganistanin, europianët u tronditën po aq dhe e shprehën hapur këtë nga kërcënimi i Trumpit se tetë vende europiane do të ndëshkoheshin me tarifa për mbështetjen e statusit aktual të Groenlandës si pjesë e Danimarkës.

Europa kërcënoi me tarifa hakmarrëse. Parlamenti Europian reagoi duke ngrirë marrëveshjen tregtare BE-SHBA.

Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia i refuzuan të gjitha ftesat për t’iu bashkuar Bordit të Paqes të Trumpit, duke mos dashur të ishin të nënshtruara ndaj tij si kryetar i këtij organi.

“Natyrisht që kam shqetësime për përfshirjen e Putinit në një Bord të Paqes,” tha kryeministri britanik Keir Starmer, pasi Trump deklaroi se lideri rus kishte pranuar të bashkohej. Moska nuk e ka konfirmuar këtë.

“Po kapërcehen shumë vija të kuqe”

Deri të mërkurën, Trump u tërhoq nga kërcënimi për tarifa dhe zbuti retorikën e tij për një marrje ushtarake të Groenlandës.

“Ne patëm sukses duke rezistuar, duke mos u përshkallëzuar, por edhe duke qëndruar të vendosur,” tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian.

Pastaj erdhi pjesa më e vështirë.

“E dimë se duhet të punojmë gjithnjë e më shumë për një Europë të pavarur,” shtoi ajo.

Kryeministri belg Bart De Wever ishte edhe më i drejtpërdrejtë.

“Ne ishim të varur nga Shtetet e Bashkuara, ndaj zgjodhëm të ishim tolerantë, por tani po kapërcehen kaq shumë vija të kuqe sa që duhet të zgjedhësh mes dinjitetit tënd,” tha ai.

“Nëse tërhiqesh tani, humbet dinjitetin, dhe ndoshta gjëja më e çmuar që mund të kesh në një demokraci është pikërisht dinjiteti.”

Nëse Europa ka mësuar diçka, është fakti se ndoshta janë vetëm javë ose edhe më pak larg episodit të radhës të melodramës transatlantike, qoftë për Groenlandën sërish, Ukrainën, tarifat apo një tjetër çështje që bëhet fokus i Trumpit.

“Kërcënimi i menjëhershëm u pezullua dhe opsioni ushtarak tani është jashtë tryezës. Derisa të rikthehet,” tha Grégoire Roos, drejtor i programeve për Europën dhe Rusinë në Chatham House.

Sipas Roos, kërcënimi real për Europën është dominimi ekonomik i SHBA-së, i ilustruar nga varësia europiane ndaj importeve të gazit natyror amerikan.

“BE-ja mbetet strukturalisht e ekspozuar ndaj presionit nga aleati i saj më i afërt — dhe ky presion amerikan mund të ushtrohet në shumë mënyra pa kaluar pragun e përdorimit të forcës,” shkroi ai javën e kaluar.

Nëse europianët do të tregojnë unitet dhe urgjencë përballë kësaj situate të paqëndrueshme, mbetet për t’u parë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, gjithashtu i pranishëm në Zvicër javën e kaluar, tha se deri tani kjo nuk ka ndodhur.

Duke iu referuar filmit “Groundhog Day”, Zelensky tha: “Vetëm vitin e kaluar, këtu në Davos, e mbylla fjalimin tim me fjalët: ‘Europa duhet të dijë si të mbrojë veten’. Ka kaluar një vit — dhe asgjë nuk ka ndryshuar.”

Jo plotësisht e vërtetë. Siç shkroi analisti ushtarak Mick Ryan, gjithashtu bashkëpunëtor në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, në blogun e tij: “Europa ka ndryshuar ndjeshëm gjatë luftës dhe ka rritur mbështetjen e saj ushtarake, ekonomike dhe të inteligjencës për Ukrainën.”

Bashkimi Europian ka ndërtuar një fond të fuqishëm për Ukrainën për blerjen e armëve, ka ofruar miliarda në kredi dhe ka rritur prodhimin e vet ushtarak, megjithëse nga një bazë shumë e ulët.

Megjithatë, vendimmarrja e BE-së është e ngadaltë: për çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, të bindësh 27 qeveri është si të ndjekësh një ketër nëpër kopsht.

Europa “ende kujdeset për vlerat që rendi i vjetër synonte të mishëronte, të paktën në emër,” shkroi komentatori Martin Sandbu në Financial Times këtë fundjavë.

“Ajo e mishëron këtë rend në mënyrën se si anëtarët e saj ndajnë sovranitetin. Por nuk do të shërbejë kurrë si një shtyllë globale derisa ta marrë seriozisht përpjekjen që kjo kërkon,” argumentoi Sandbu.

Një plan 400-faqësh tashmë ekziston. Dy vite më parë, Mario Draghi, ish-kryeministër i Italisë dhe, si Carney, ish-drejtues i bankës qendrore, hartoi një raport që përshkruante sfidën e Europës: investime masive në kapacitete të përbashkëta ushtarake, vendimmarrje më të shpejtë dhe shfrytëzim më të mirë të inovacionit.

Duke theksuar se fuqia punëtore e Europës pritet të bjerë me 2 milionë persona në vit deri në vitin 2040, Draghi paralajmëroi se “stabiliteti gjeopolitik po zbehet dhe varësitë tona janë shndërruar në dobësi”.

Carney e çoi analizën e Draghit një hap më tej, duke paralajmëruar se rendi i vjetër i bazuar në rregulla po shembet përballë “intensifikimit të rivalitetit mes fuqive të mëdha, ku më të fortët ndjekin interesat e tyre duke përdorur integrimin ekonomik si mjet shtrëngimi”.

“Nostalgjia nuk është strategji, por ne besojmë se nga kjo çarje mund të ndërtojmë diçka më të madhe, më të mirë, më të fortë dhe më të drejtë,” tha kryeministri kanadez në fund të fjalimit të tij në Davos, i cili u prit me duartrokitje në këmbë.

De Wever, kryeministri belg, tha se ky tranzicion mund të jetë i rrezikshëm, duke kujtuar fjalët e filozofit italian Antonio Gramsci: “Kur e vjetra po vdes dhe e reja ende nuk ka lindur, atëherë jeton në një kohë përbindëshash.”

“Është në dorën e Trumpit të vendosë nëse do të jetë një përbindësh apo jo,” përfundoi De Wever.

Burimi: CNN/Përshtati Gazeta Si

The post A janë gati liderët për një tjetër ‘roller coaster’ nga Trump? appeared first on Gazeta Si.

Sondazhi/ Europianët pesimistë për të ardhmen dhe frikë nga ‘efekti Trump’

26 January 2026 at 11:00

Nga Gazeta ‘Si’– Europianët janë pesimistë për gjendjen e botës, për vendet e tyre, për rrethanat personale dhe për rreziqet që, sipas tyre, paraqet presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Pothuajse dy të tretat e të anketuarve thanë se “vitet më të mira janë pas nesh” (63 për qind), ndërsa 77 për qind besojnë se jeta në vendin e tyre “do të jetë më e vështirë për brezin e ardhshëm”, sipas një sondazhi të firmës së komunikimit strategjik FGS Global, i ndarë ekskluzivisht me POLITICO.

Sondazhi përfshiu më shumë se 11 mijë persona në 23 vende të Bashkimit Europian dhe u zhvillua në muajin nëntor.

Kjo ndjenjë e zymtë është veçanërisht e përhapur në Europën Perëndimore dhe Qendrore. Një shumicë e europianëve (76 për qind) thanë se demokracia në vendin e tyre është në rënie.

Sondazhi nxjerr në pah shqetësimin e gjerë për gjendjen e demokracive europiane dhe për aftësinë e qeverive për t’u përballur me sfidat, të cilat përfshijnë luftën në krahun lindor të kontinentit, pasigurinë ekonomike dhe gjeopolitike, si edhe përplasjet në rritje me Uashingtonin.

Edhe para se presidenti amerikan të deklaronte se dëshironte të merrte kontrollin e Groenlandës, një shumicë dërrmuese e europianëve e shihnin atë si një forcë negative për paqen, për vendet e tyre dhe për ekonominë globale.

“Është e qartë se ekziston një nivel shumë, shumë i lartë pesimizmi,” tha Craig Oliver, bashkë-drejtues global i strategjisë në FGS Global, i cili më parë ka shërbyer si këshilltar komunikimi për ish-kryeministrin britanik David Cameron.

Megjithatë, sipas tij, qeveritë jo vetëm që duhet të jenë të vëmendshme ndaj kësaj gjendjeje shpirtërore, por edhe mund të përpiqen ta shfrytëzojnë atë: “Historikisht, pikërisht në momente pesimizmi kanë ardhur ndryshimi dhe përmirësimi.”

Mesazh nga europianët për qeveritë: Mund të bëni më mirë

Në pothuajse çdo vend të anketuar, shumica besojnë se vendi i tyre po ecën në drejtimin e gabuar. Përjashtim bëjnë Polonia, Lituania dhe Danimarka — edhe pse këto vende janë ndër më të ekspozuarat ndaj Rusisë ose, në rastin e Danimarkës, ndaj presionit amerikan për Groenlandën.

Oliver ia atribuoi këtë diferencë mënyrës së qeverisjes. “Ka vende ku njerëzit ndiejnë se ka udhëheqje, ndryshim dhe se problemet po adresohen,” tha ai. “Njerëzit e ndiejnë shumë fort se duan të udhëhiqen; duan qartësi nga qeveritë.”

Në përgjithësi, 65 për qind e qytetarëve të BE-së të anketuar mendojnë se vendi i tyre po shkon në drejtimin e gabuar.

Sondazhi është lajm i keq për shumicën e qeverive, pasi tregon besim të dobët të publikut në sistemet politike dhe skepticizëm për aftësinë e tyre për të funksionuar në mënyrë efektive.

Kur u pyetën të zgjidhnin mes dy deklaratave të kundërta, të paktën gjysma e të anketuarve thanë se sistemi politik i vendit të tyre “po i dështon qytetarët dhe ka nevojë për reforma themelore”, dhe jo se “funksionon mjaft mirë dhe nuk ka nevojë për reforma të mëdha”.

Vendet nordike, në përgjithësi më pak pesimiste, shënuan rezultatet më pozitive. Mendimet negative ishin më të larta në Rumani (91 për qind), Greqi (88 për qind) dhe Bullgari (86 për qind).

Në të gjitha vendet, më shumë se 70 për qind e të anketuarve thanë se “kanë të drejtë të presin më shumë nga qeveria”, dhe jo se po presin tepër.

Kërkohet: Mbrojtje e fortë

Në kushtet e sfidave të shumta me të cilat përballet kontinenti, europianët duan që udhëheqësit e tyre të marrin më shumë përgjegjësi — dhe të përgatiten më mirë.

Kur u pyetën nëse pajtoheshin që vendet e tyre “duhet të jenë më këmbëngulëse në mbrojtjen e interesave kombëtare, edhe nëse kjo krijon përplasje me vende të tjera”, një shumicë e madhe u shpreh pro (71 për qind).

Të anketuarit mbështetën gjithashtu rritjen e investimeve në sigurinë europiane, me 57 për qind që favorizojnë më shumë “shpenzime për mbrojtjen dhe sigurinë”.

Efekti Trump

Edhe pse sondazhi u zhvillua përpara valës më të fundit të përplasjeve me Trumpin, presidenti amerikan tashmë shihej si një faktor negativ.

Vetëm 26 për qind e qytetarëve të BE-së të anketuar ndajnë një këndvështrim optimist për ndikimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në paqen dhe sigurinë në botë.

Sondazhe të tjera kanë treguar se Trump është i papëlqyer në kontinent, madje edhe mes mbështetësve të partive populiste të djathta, të cilat ai i sheh si aleate.

Rreth dy të tretat e të anketuarve në sondazhin e FGS Global thanë se janë pesimistë për ndikimin e Trumpit gjatë vitit të ardhshëm në ekonominë globale (69 për qind), në paqen dhe sigurinë (64 për qind) dhe në vendin e tyre (64 për qind).

Kur u pyetën nëse Trump e meriton Çmimin Nobel për Paqe, 77 për qind u përgjigjën se jo.

Burimi: Politico/Përshtati Gazeta Si

The post Sondazhi/ Europianët pesimistë për të ardhmen dhe frikë nga ‘efekti Trump’ appeared first on Gazeta Si.

Zelensky pret nënshkrimin e dokumentit të garancive të sigurisë

26 January 2026 at 10:47

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se marrëveshja e sigurisë mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara është “100% gati” për t’u nënshkruar, pas dy ditësh bisedimesh ku morën pjesë përfaqësues nga Ukraina, SHBA-të dhe Rusia.

Ai bëri të ditur se bisedime të tjera pritet të zhvillohen fundjavën e ardhshme.

Duke folur nga Vilniusi, gjatë një vizite zyrtare në Lituani, Zelenskyy tha se Ukraina po pret që partnerët ndërkombëtarë të përcaktojnë datën dhe vendin e nënshkrimit të dokumentit për garancitë e sigurisë, i cili më pas do t’i nënshtrohet ratifikimit në Kongresin amerikan dhe në parlamentin ukrainas.

“Për ne, garancitë e sigurisë janë para së gjithash garanci nga Shtetet e Bashkuara. Dokumenti është gati dhe ne po presim konfirmimin për nënshkrimin”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Ukraina kërkoi mbështetje shtesë për mbrojtjen ajrore nga aleatët, pasi mbi 1 mijë e 300 ndërtesa banimi në Kiev mbetën pa ngrohje për të dytën ditë radhazi, në kushte temperaturash nën zero, si pasojë e sulmeve ruse.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitalii Klitschko, tha se sulmet ajrore dhe moti i ftohtë kanë vështirësuar punën e ekipeve të riparimit.

Zelensky theksoi gjithashtu synimin e Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian deri në vitin 2027, duke e cilësuar këtë proces si një “garanci të sigurisë ekonomike”. Ai pranoi se mbeten dallime të thella me Rusinë, veçanërisht lidhur me çështjet territoriale.

Në një aktivitet përkujtimor në Vilnius, presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, bëri thirrje për unitet mes vendeve europiane përballë kërcënimit nga Rusia. Edhe Zelensky paralajmëroi se Europa duhet të mbetet vigjilente, duke theksuar se “është shumë herët për t’u çlodhur ndërsa makina e luftës së Rusisë vazhdon të funksionojë”.

Ndërkohë, autoritetet ruse njoftuan se mbetje nga dronë ukrainas kanë shkaktuar zjarr në dy objekte në rajonin e Krasnodarit, ku një person u plagos. Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se gjatë natës janë rrëzuar 40 dronë ukrainas, 34 prej tyre në këtë rajon.

The post Zelensky pret nënshkrimin e dokumentit të garancive të sigurisë appeared first on Gazeta Si.

Rama takim ‘kokë më kokë’ me Netanyahun në Izrael

26 January 2026 at 13:12

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama gjendet në një vizitë pune në Jeruzalem në Izrael, e cila ka nisur prej 25 janarit dhe do të mbyllet ditën e martë, më 27 janar.

Ai ka publikuar ku ka takuar homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu me të cilin ka zhvilluar një takim ‘kokë më kokë’.

Të dy kryeministrat kanë qenë të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tyre të afërt.

Rama do të mbajë një fjalim gjatë seancës plenare në Knesset, e cila nis në orën 16:15.

Fjalimi është parashikuar nga protokolli i posaçëm i Knessetit i cili u ka rezervuar një hapësirë të dedikuar disa udhëheqësve të zgjedhur, ku së fundmi ishte Donald Trump.

The post Rama takim ‘kokë më kokë’ me Netanyahun në Izrael appeared first on Gazeta Si.

Stuhia dimërore në SHBA/ Të paktën shtatë të vdekur dhe 800 mijë banorë pa energji elektrike

26 January 2026 at 09:55

Nga Gazeta ‘Si’- Një stuhi e rrezikshme dimërore ka përfshirë SHBA-në, duke lënë të paktën shtatë të vdekur dhe duke ndërprerë energjinë elektrike për qindra mijëra shtëpi.

Shkollat dhe rrugët në të gjithë vendin janë mbyllur dhe fluturimet janë anuluar, pasi kushtet “kërcënuese për jetën” shtrihen nga Teksasi në New England, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS).

Të paktën dy persona vdiqën nga hipotermia në Luiziana, dhe vdekje të tjera të lidhura me stuhinë janë raportuar në Teksas, Tenesi dhe Kansas.

Që nga pasditja e së dielës, më shumë se 800,000 familje kishin mbetur pa energji elektrike, sipas poweroutage.us, shkruan BBC.

Ndërkohë, më shumë se 11.000 fluturime u anuluan, raportoi FlightAware.

Bora e madhe, breshëri dhe “shiu i ngrirë”, i cili është një fenomen i rrezikshëm ku pikat e ftohta të shiut ngrijnë menjëherë në sipërfaqe, mund të zgjasin me ditë të tëra, dhe stuhia mund të prekë rreth 180 milionë amerikanë – më shumë se gjysmën e popullsisë.

“Bora dhe akulli do të shkrihen shumë, shumë ngadalë dhe nuk do të zhduken së shpejti, dhe kjo do të pengojë çdo përpjekje për rimëkëmbje”, ka thënë Allison Santorelli, një meteorologe në Shërbimin Kombëtar të Motit, për CBS News.

Departamenti i Shëndetësisë i Luizianës konfirmoi të dielën se dy burra kishin vdekur nga hipotermia.

Edhe kryebashkiaku i Austin, Teksas, tha se kishte pasur një vdekje “të lidhur me ekspozimin”.

Ndërsa zyrtarët në Kansas thanë se një grua, trupi i së cilës u gjet të dielën pasdite i mbuluar me borë, “mund të ketë vdekur nga hipotermia”.

Vdekje të tre personave të lidhura me motin janë raportuar edhe në Tenesi. Ndërkohë, kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, shkroi në një postim në X se të paktën pesë persona në qytet kishin vdekur të shtunën, por shtoi se shkaku i vdekjes së tyre ende nuk është përcaktuar.

Guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, i paralajmëroi banorët të qëndrojnë brenda dhe jashtë rrugëve.

“Ky është sigurisht moti më i ftohtë që kemi parë, stuhia më e ftohtë dimërore që kemi parë në vite”, tha ajo të dielën.

“Një lloj rrethimi arktik ka pushtuar shtetin tonë dhe shumë shtete të tjera në të gjithë vendin”.

Hochul tha se kushtet “brutale” pritej të sillnin periudhën më të gjatë të të ftohtit dhe reshjet më të larta të borës në vite.

E guvernatori i Kentucky-t, Andy Beshear, theksoi të dielën se shteti po shihte më shumë akull dhe më pak borë sesa ishte parashikuar fillimisht.

Ekspertët e motit kanë paralajmëruar se një nga rreziqet më të mëdha të stuhisë është akulli, i cili ka potencialin të dëmtojë pemët, të rrëzojë linjat e energjisë dhe t’i bëjë rrugët të pasigurta.

Kanadezët janë goditur gjithashtu nga bora e madhe dhe qindra fluturime të anuluara.

The post Stuhia dimërore në SHBA/ Të paktën shtatë të vdekur dhe 800 mijë banorë pa energji elektrike appeared first on Gazeta Si.

Reshje shiu dhe kushte të paqëndrueshme atmosferike

26 January 2026 at 08:50

Nga Gazeta ‘Si’- Ditën e hënë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet prej orëve të para të 24-orëshit deri në orët e mesditës me vranësira mesatare deri të dendura ndërsa pas orëve të mesditës mot me vranësira si dhe intervale të herëpashershme kthjellimesh kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore.

Reshjet e shiut priten të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit deri në orët e mesditës të herëpashershme me intensitet mesatar në pjesën më të madhe të vendit. Në periudha afatshkurtra këto reshje në formën e shtrëngatave.

Pas orëve të mesditës reshje shiu të dobëta dhe lokale kryesisht përgjatë relieveve malore të vendit. Në zonën e Alpeve, verilindje mbi 700-800 metër dhe juglindje në lartësitë mbi 800-900 metër reshje dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar. Shikimi i reduktuar nga prezenca e reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era do të fryjë me drejtim juglindje – lindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 14 m/s. Deti – Valëzimi forcës 2-3 ballë.

The post Reshje shiu dhe kushte të paqëndrueshme atmosferike appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Berisha pas protestës: Rama e mori mesazhin! Të lirohen menjëherë protestuesit

24 January 2026 at 20:24

Nga Gazeta ‘Si’- Pas përfundimit të protestës, kreu i PD deklaroi nga selia blu se sipas tij protestuesit i dhanë një mesazh shumë të mirë Edi Ramës.

“Mirënjohje të pakufishme guximtarëve, demokrateve e demokratëve, protestuesve, qytetarëve që sot në protestën më të  fuqishme, lebetitën regjimin e urryer të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Lebetitën narkodiktatorin. Është kryekriminel. Kreun e organizatës kriminale.

Të mbledhur nga Tirana dhe mbarë Shqipëria, në një protestë në të cilën dhanë mesazhin më të fuqishëm Edi Ramës. Mesazhi ishte e thjeshtë: vrimën e miut nuk do ta gjesh më.

Ia thashë dje, në rast se je burrë, qëndro në zyrë. Por as në zyrë nuk ishte, por në tunelet e Surrelit ishte futur”, tha ai.

Mandej ai i bëri thirrje Policisë të lirojë protestuesit e shoqëruar.

“Kërkoj lirimin e menjëhershëm të protestuesve paqësorë, të cilët në mënyrë absolute nuk i kanë kryer asnjë akt dhe janë marrë aty vetëm si akt urrejtje me urdhër të Edi Ramës. I kërkoj komisariateve t’i lirojnë menjëherë, të mos zbatojnë asnjë urdhër që vjen në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Ju e patë gatishmërinë e atyre njerëzve që ishin të gatshëm t’i jepnin Edi Ramës për 30 minuta atë që meritonte.

Absolutisht kjo gatishmëri do vazhdojë. Ne këtë betejë do e vazhdojmë.
Ne kemi një mision dhe vetëm një mision, përmbysjen e këtij regjimi kriminal, e këtij narkoregjimi, e këtij armiku të shqiptarëve dhe të Shqipërisë”, tha ai.

The post Berisha pas protestës: Rama e mori mesazhin! Të lirohen menjëherë protestuesit appeared first on Gazeta Si.

Protesta e opozitës, Policia: 11 efektivë të lënduar nga hedhja e molotovëve

24 January 2026 at 19:32

Nga Gazeta ‘Si’- 11 efektivë policie janë lënduar nga hedhja e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt godinës së Kryeministrisë në protestën e opozitës.

Policia ka njoftuar se efektivët e lënduar po marrin ndihmën e parë mjekësore.

Më herët, një person u dërgua me ambulancë për trajtim mjekësor, pasi mbeti i lënduar në protestën e opozitës.

Forcat e rendit hodhën gaz lotsjellës dhe ujë pasi protestues lëshuan bomba molotov dhe fishekzjarrë drejt godinës së Kryeministrisë, sapo kryetari i PD, Sali Berisha, përfundoi fjalën e tij.

Menjëherë protestuesit u shpërndanë, ndërsa Berisha raportohet se u largua me makinë drejt selisë së PD. 

The post Protesta e opozitës, Policia: 11 efektivë të lënduar nga hedhja e molotovëve appeared first on Gazeta Si.

❌
❌