Një burrë i vetëm në makinë, natën vonë. Një tjetër përballë ekranit, duke lëvizur mekanikisht. Dikush që punon pa pushim, dikush që zemërohet pa e ditur pse, dikush që hesht jo sepse nuk ndien, por sepse nuk ka mësuar kurrë të flasë për atë që ndien. Edhe pse biseda për shëndetin mendor është hapur më shumë se kurrë, burrat vazhdojnë të shmangin psikoterapinë.
Këtë fenomen e analizon Stephen Blumenthal, psikolog klinik konsulent dhe psikoanalist, në një artikull të botuar në The Guardian. Sipas tij, arsyeja nuk është mungesa e dhimbjes apo problemeve, por mënyra se si burrat janë rritur dhe çfarë u është mësuar të quajnë “mashkullore”.
Të edukuar për veprim, jo për fjalë
Që në fëmijëri, djemtë inkurajohen të veprojnë, jo të shpjegojnë se si ndihen. Gjuha e emocioneve vjen vonë dhe shpesh nuk vjen fare. Shumë burra përjetojnë ankth apo depresion pa i njohur si të tillë; ata i shprehin në forma të tjera: tension, izolim, rrezikim, ose shpërthime zemërimi. Psikoterapia, e ndërtuar mbi të folurin dhe përpunimin emocional, u duket si një gjuhë e huaj që nuk e kanë mësuar kurrë.
Kur trajtimi perceptohet si “femëror”
Shërbimet e shëndetit mendor janë zhvilluar kryesisht përmes përvojave të grave: biseda ballë për ballë, rrëfim emocional, verbalizim i ndjenjave. Shumë burra, përkundrazi, ndihen më të sigurt krah për krah, në veprim të përbashkët, jo në ekspozim të drejtpërdrejtë. Kjo shpjegon pse ata shpesh përgjigjen më mirë ndaj formateve në grup, aktiviteteve me lëvizje ose strukturë të qartë jo sepse u mungon thellësia, por sepse ekspozimi i frikëson.
Dobësia dhe frika nga rënia në “hierarki”
Për shumë burra, të tregosh dobësi nënkupton rrezik: humbje terreni, ulje statusi, turp. Psikoterapia kërkon heqjen e “blindimit” emocional dhe kjo mund të duket kërcënuese, jo çliruese. Ironikisht, është pikërisht ky blindim i vazhdueshëm që i bën burrat më të brishtë në afatgjatë.
Miti i vetë-mjaftueshmërisë
Figura e burrit që “ia del vetëm” është thellë e rrënjosur. Por terapia nis nga një premisë e thjeshtë: nuk ke pse ia del vetëm. Kjo bie ndesh me një nga mitet më të qëndrueshme të identitetit mashkullor dhe e bën kërkimin e ndihmës të duket si dështim.
Kur emocionet “mbyten”
Shumë burra mendojnë se emocionet mund të përballohen vetëm në doza të vogla. Kur biseda thellohet, shfaqen ankthi, tensioni dhe ndjesia e “mbytjes”. Ata janë mësuar të japin zgjidhje të shpejta, jo të qëndrojnë me pasigurinë. Terapia, megjithatë, nuk ofron receta të menjëhershme ofron kohë. Dhe kjo është e vështirë për t’u duruar.
Ndihmë vetëm kur është vonë
Shpesh ndihma kërkohet vetëm kur gjithçka ka arritur kufirin: marrëdhënie në shkatërrim, varësi, kriza të hapura. Jo sepse shenjat mungonin, por sepse ndihma kërkohet tepër vonë. Kështu, problemet e vogla kthehen në male.
Standardet kulturore mungojnë
Rrallë shohim burra që flasin hapur për psikoterapinë si diçka normale, njësoj si ushtrimet fizike apo kontrolli mjekësor. Terapia shfaqet shpesh vetëm si “zgjidhja e fundit”, pas një krize. Kjo forcon idenë se, nëse shkon te psikologu, “diçka ka shkuar shumë keq”.
Fuqia nuk humbet, transformohet
Sipas Blumenthal, psikoterapia nuk ua heq pushtetin burrave; ajo e ndryshon formën e tij. Krijon një hapësirë ku kontrolli mund të relaksohet pa pasoja, ku ndjenjat nuk shtypen, por pranohen. Pengesa kryesore nuk është personale, por kulturore. Për sa kohë që vlera mashkullore lidhet vetëm me durimin dhe heshtjen, ndihma do të shihet si dobësi.
The post Pse burrat nuk shkojnë te psikologu? appeared first on iconstyle.al.