Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 February 2026Main stream

12:45 Shqipëria nën “sulmin” e shtrëngatave, ja dy ditët më të këqija të kësaj jave

By: Kesjana
10 February 2026 at 12:45

Java e dytë e muajit shkurt pritet të karakterizohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike në territorin shqiptar, ku sipas parashikimeve meteorologjike vendi do të jetë nën ndikimin e vranësirave mesatare deri në të dendura dhe kalimeve të herëpashershme të reshjeve.

Sipas meteorologes Anira Gjoni nga IGJEUM, reshjet do të jenë kryesisht të dobëta, por në disa zona do të arrijnë intensitet mesatar, duke krijuar episode lokale me mot të trazuar.

Qarqet që pritet të preken më shumë nga reshjet janë Shkodra, Lezha, Vlora dhe Gjirokastra. Në këto zona parashikohen edhe shtrëngata të shoqëruara me reshje më intensive shiu, të cilat mund të jenë të përqendruara në intervale të shkurtra kohore

Ndërkohë, në qarqet e tjera të vendit priten reshje më të dobëta dhe më sporadike, pa problematika të theksuara meteorologjike.

Për zonat malore, parashikimi tregon se në lartësitë mbi 1100 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formën e dëborës, duke krijuar kushte tipike dimërore në relievet e larta.
Sa i përket zonës bregdetare, gjatë ditës së sotme era pritet të fryjë me intensitet mesatar deri në të fortë, çka mund të ndikojë në det të trazuar dhe kushte më të vështira për lundrimin e mjeteve të vogla detare.  /kb

12:30 Debat i ashpër te “Ekonomia”, Blushi përplaset me Braçen për TVSH-në e ushqimeve: Kërkoni ndjesë pensionistëve për premtimin e pambajtur

By: Kesjana
10 February 2026 at 12:30

Debate të forta janë shënuar në Komisionin e Ekonomisë, ku kreu i grupit parlamentar të PL-së, Tedi Blushi u përplas ashpër me deputetin socialist Erion Braçe lidhur me premtimin e parealizuar për uljen e TVSH-së për produktet e shportës ushqimore. Në fjalën e tij, Blushi i kërkoi mazhorancës dhe në veçanti deputetëve të Partisë Socialiste që të kërkojnë ndjesë publike qytetarëve dhe pensionistëve, për atë që e cilësoi si një mashtrim elektoral të bërë në vitin 2013. Ai theksoi se ulja e TVSH-së ka qenë një premtim i drejtpërdrejtë i PS-së, i ripërsëritur edhe nga nënkryetari i komisionit, por që nuk është realizuar as pas 13 vitesh në pushtet.

Sipas Blushit, ulja e TVSH-së nga 20% në 5% për produktet bazë nuk është vetëm një masë ekonomike, por një akt social dhe moral në funksion të lehtësimit të kostos së jetesës për shumicën e shqiptarëve, veçanërisht për pensionistët dhe familjet në nevojë.

“Për një pensionist apo një familje në vështirësi ekonomike, nuk ka asgjë më jetike sesa të blejë bukën, qumështin, vezët, miellin apo vajin më lirë, sidomos në kushtet kur edhe këtë vit parashikohet rritje e inflacionit rreth 3%,” u shpreh ai. Deputeti opozitar bëri edhe krahasime me politikat fiskale të qeverisë, duke akuzuar mazhorancën se ka ulur barrën tatimore për oligarkët dhe bizneset e mëdha, ndërsa ka favorizuar resortet luksoze dhe blerësit e jahteve me përjashtime apo zero TVSH, por ka refuzuar të ndërhyjë për ushqimet bazë të qytetarëve.

Ai kritikoi gjithashtu dhënien e tokave publike me çmime simbolike për ndërtimin e resorteve dhe kullave, ndërkohë që, sipas tij, qytetarët më të varfër të vendit vazhdojnë të paguajnë ushqimet e shportës deri në 50% më shtrenjtë se në vendet e Bashkimit Europian. Në përfundim, Blushi i bëri thirrje Kuvendit të miratojë projektligjin për uljen e TVSH-së së produkteve bazë, duke theksuar se kjo do të ishte një masë në interes të drejtpërdrejtë publik dhe një hap për t’u dhënë qytetarëve mundësinë të jetojnë me dinjitet./kb

12:15 Spiropali takim me Zëvendëssekretaren Amerikane të Shtetit: Thellim i partneritetit ekonomik e strategjik, bashkëpunim për çështje në interes të Shqipërisë

By: Kesjana
10 February 2026 at 12:15

Last Updated on 10/02/2026 by Kesjana

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme publikoi mëngjesin e sotëm detaje nga takimi në Washington me Zëvendëssekretaren e Shtetit për Çështjet Politike, Allison Hooker, përgjegjëse për marrëdhëniet politike të SHBA-ve me aleatët në botë.

Spiropali njoftoi se në fokus të takimit ishin çështjet që prekin drejtpërdrejt interesat e Shqipërisë: sigurinë në kuadër të NATO-s, stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Në takim u trajtuan hapat konkretë për thellimin e partneritetit ekonomik e strategjik mes dy vendeve, si garanci që zëri i Shqipërisë dëgjohet aty ku merren vendimet.

“Shqipëria sot trajtohet si një aleate e besueshme, që qëndron krah partnerëve të saj dhe kontribuon realisht për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Partneriteti ynë me SHBA-të nuk është çështje protokolli apo fotografie. Është një marrëdhënie e ndërtuar mbi interesa, vlera dhe përgjegjësi të përbashkëta”, shkroi Spiropali në facebook./kb

11:45 “Epstein”, Mbreti: Bashkëpunim me policinë për ish-princin Andrew

By: Kesjana
10 February 2026 at 11:45

Mbreti Charles i Tretë ka folur për herë të parë mbi përfshirjen e vëllait të tij, ish-princit Andrew, në skandalin “Epstein”, i cili ka lëkundur fuqishëm rangjet më të larta të politikës dhe monarkisë në Britaninë e Madhe.

Zëdhënësit e pallatit Buckingham shprehën për mediat në emër të tij “shqetësim të thellë” dhe gatishmëri të plotë për të mbështetur policinë në hetimet ndaj Andrew Mountbatten-Windsor, i cili tashmë është zhveshur nga të gjitha funksionet dhe titujt mbretërorë.

“Ndërkohë që pretendimet specifike në fjalë duhet t’i adresojë z. Mountbatten-Windsor, nëse na kontakton Policia e Luginës së Tamizit, ne jemi të gatshëm t’i mbështesim ata sipas pritshmërive.”, thuhet në deklaratën e pallatit mbretëror.

Ndërkaq, kryeministri Keir Starmer ndodhet nën një presion të jashtëzakonshëm për të dhënë dorëheqjen. Atij i ngarkohet përgjegjësia direkte për emërimin e Lordit Peter Mandelson nga radhët e laburistëve të tij si ambasador në SHBA në fillim të vitit 2025, pavarësisht se ky i fundit njihej si mik i afërt i pedofilit Jeffrey Epstein.

Starmer mori një mbështetje të gjerë nga grupi i tij parlamentar laburist këtë të hënë në Londër, ku pretendoi se Mandelson i kishte thyer besimin. Megjithatë, dosjet e reja të Departamentit Amerikan të Drejtësisë janë kompromentuese. Ato tregojnë se Mandelson dhe Princi Andrew i kanë përcjellë Epsteinit dokumente sekrete qeveritare mbi mundësitë e investimeve në Afganistan dhe Azinë Lindore.

Situata në Downing Street mbetet kritike pas dorëheqjeve brenda 24 orëve të shefit të kabinetit dhe drejtorit të komunikimit, Tim Allan. Ndërsa opozita konservatore flet për një “anije që po mbytet”, edhe Princi William dhe Princesha Catherine kanë shprehur shqetësimin e tyre të lartë, duke u pozicionuar hapur në krah të viktimave të abuzimit, në dritën e fakteve të reja tronditëse që po dalin nga arkivat e deklasifikuara të Epstein./kb

11:30 Pak orë para protestës/ Berisha: Kryengritje paqësore për Europën dhe fitoren

By: Kesjana
10 February 2026 at 11:30

Kryedemokrati Sali Berisha ka ndarë një mesazh vetëm pak orë para protestës komëbtare të opozitës të thirrur për në orën 17:00 të kësaj të marte.

Përmes një video-postimi në rrjetet sociale, Berisha shprehet se kjo protestë do të jetë një kryengritje paqësore për fitoren, të ardhmen dhe Europën.

“Të gjithë në ora 17:00, në Tiranë, në kryengritjen paqësore, kryengritjen e fitores, kryengritjen e të ardhmes, kryengritjen për Europën”,-shkruan Berisha./Kb

11:15 Trump kundër Netanyahu-t? I thotë “jo” planit të ri për Bregun Perëndimor

By: Kesjana
10 February 2026 at 11:15

Shtëpia e Bardhë e ka shprehur qartë kundërshtinë e administratës së Donald Trump ndaj çdo përpjekjeje të Izraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor, pasi qeveria izraelite shpalli plane të reja që hapin rrugën për zgjerimin e vendbanimeve në territorin e pushtuar palestinez.

Masat, të miratuara të dielën, 8 shkurt, nga kabineti i sigurisë së Izraelit, parashikojnë që qytetarët hebrenj izraelitë të lejohen të blejnë drejtpërdrejt toka në Bregun Perëndimor, si dhe zgjerimin e kontrollit izraelit mbi zona ku aktualisht ushtron kompetenca Autoriteti Palestinez. Ende nuk është e qartë se kur do të hyjnë në fuqi këto rregulla të reja, por ato nuk kërkojnë miratim shtesë.

Të hënën, 9 shkurt, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se “një Breg Perëndimor i qëndrueshëm e mban Izraelin të sigurt dhe është në përputhje me qëllimin e kësaj administrate për të arritur paqe në rajon”, duke nënvizuar kundërshtimin ndaj aneksimit.

Aktualisht, më shumë se 500 mijë izraelitë jetojnë në vendbanime dhe poste në Bregun Perëndimor, të cilat konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. Në të njëjtin territor jetojnë rreth tre milionë palestinezë.

Reagimet ndërkombëtare ndaj planit kanë qenë të ashpra.

Mbretëria e Bashkuar i bëri thirrje Izraelit të tërheqë vendimin, duke e cilësuar zgjerimin e kontrollit izraelit si “tërësisht të papranueshëm” dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

“Çdo përpjekje e njëanshme për të ndryshuar përbërjen gjeografike ose demografike të Palestinës është e papranueshme”, thuhet në deklaratën britanike.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, u shpreh “thellësisht i shqetësuar”, duke paralajmëruar se këto masa po “minojnë perspektivën e zgjidhjes me dy shtete”. Ai i cilësoi veprimet e Izraelit si destabilizuese dhe kujtoi se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vlerësuar se pushtimi i territoreve palestineze është i paligjshëm.

Një deklaratë e përbashkët e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Jordanisë, Katarit, Indonezisë, Pakistanit, Egjiptit dhe Turqisë i dënoi “me termat më të ashpër” vendimet izraelite, duke i cilësuar si masa të paligjshme për vendosjen e sovranitetit izraelit.

“Ndryshimet synojnë thellimin e rrënjëve tona në të gjitha rajonet e Tokës së Izraelit dhe varrosjen e idesë së një shteti palestinez”, ka deklaruar ministrit izraelit të Financave, Bezalel Smotrich.

Vendimet e kabinetit të sigurisë përfshijnë shfuqizimin e një ligji që daton nga periudha e kontrollit jordanez para vitit 1967, duke i bërë regjistrat e pronës publike dhe jo më konfidenciale, si dhe heqjen e kërkesës për leje nga administrata civile. Këto masa pritet ta bëjnë më të lehtë blerjen e tokave nga hebrenjtë në Bregun Perëndimor.

Gjithashtu, parashikohet që autoriteti për lejet e ndërtimit të vendbanimeve në qytetin palestinez të Hebronit, më i madhi në Bregun Perëndimor, t’i kalojë Izraelit, si dhe rritje e kontrollit izraelit mbi dy vende të rëndësishme fetare: Varri i Rahelit pranë Betlehemit dhe Shpella e Patriarkëve në Hebron.

Presidenca palestineze në Ramallah reagoi duke thënë se këto masa synojnë “thellimin e përpjekjeve për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar”.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të takohet me presidentin Trump në SHBA në një moment tensioni të shtuar diplomatik rreth së ardhmes së territorit palestinez./kb

11:00 “Profesionalizëm i lartë”, Rama: RENEA në elitën botërore të forcave speciale

By: Kesjana
10 February 2026 at 11:00

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale sot në 10 shkurt shkruan se RENEA është futur zyrtarisht në elitën botërore të forcave speciale në “SWAT Challenge Dubai 2026”.

Rama shprehet se në Dubai po zhvillohet “SWAT Challenge Dubai”, ku për të pestin vit radhazi Policia përfaqësohet nga Njësia Elite RENEA.

“Në ditën e tretë të garave, ekipet e RENEA-s po demonstrojnë profesionalizëm të lartë në një garë ku marrin pjesë rreth 50 shtete me 109 ekipe nga e gjithë bota”, shkruan kreu i qeverisë./kb

10:45 “Të jemi të gjithë në shesh”/ Korreshi: Makutëria shtetërore po na e hedh gëlbazën në surrat

By: Kesjana
10 February 2026 at 10:45

Deputeti demokrat, Saimir Korreshi u ndal sot në një mesazh para protestës kombëtare të opozitës.

I ftuar në “Syri Tv”, Korreshi u shpreh se pjesëmarrja masive në protestë do të krijojë një batalion të madh që do të trembë kryeministrin Edi Rama.

Sipas demokratit, kjo protestë vjen teksa harbutëria dhe makutëria shtetërore po veprojnë mbi qytetarët.

“Sot duhet të jemi të gjithë në shesh. E gjithë kjo harbuteri e makuteri shtetërore po na e hedh gëlbazën në surrat. Nëse vijnë shumë bëhet një batalion i madh dhe aty është frika e Ramës” ,-tha Korreshi./Kb

10:30 “Mos na çani tr*pin si parimorë”/ Murrizi: Në protestën e opozitës dal si qytetar, jo për Berishën

By: Kesjana
10 February 2026 at 10:30

Ish-deputeti Myslim Murrizi ka ndarë një qëndrim lidhur me pjesëmarrjen në protestën e opozitës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Murrizi thekson se del në protestë si qytetar dhe jo për numër apo emra të përveçëm, qofshin këta edhe drejtues të PD-së, teksa fton qytetarët të veprojnë lirisht, e të pandikuar nga kahët politikë.

 “Për të gjithë komentuesit që më thonë se nuk vijnë në protestë sepse e organizon PD-ja apo politika, dhe se këto protesta duhet t’i organizojnë sindikatat. Ju lutem shumë që të mos vini, por të prisni derisa t’ju thërrasin sindikatat.

Dhe për të gjithë ata që thonë: “Për çfarë të vijmë, që të heqim mutin e të vëmë kakën?”, do t’ju lutesha shumë, por shumë fare, që të mos vini kurrë në protestë, as nesër dhe asnjëherë, për aq kohë sa nuk jeni ngopur ende me mut e me kakë në këto 36 vite që politika jua ka dhënë me shumicë dhe pa kursim këtë lloj “ushqyerjeje”.

Unë dal në protestë si qytetar, për të treguar që asnjë qeveri nuk mund të më quajë thjesht numër apo skllav, dhe jo për emra të veçantë, qofshin këta edhe drejtues të PD-së apo të opozitës.

Dhe e fundit fare: nuk besoj se e keni me detyrim të lexoni çfarë shkruaj unë në Facebook-un tim, sepse në fund të fundit kjo është miqësi virtuale. Kujt nuk i pëlqen mendimi im, le të lexojë dikë që e pëlqen dhe me të cilin ndihet i ngopur.

Ftoj të gjithë komentuesit “moralisto-kritikë” dhe të gjithë ata qytetarë që ndihen mirë me qeverinë Rama të mos vijnë në protestë, por edhe të mos na çajnë trapin duke u shtirur si parimorë, sepse askush nuk i merr me zor”,-shkruan Murrizi./Kb

10:15 Ambasada e SHBA paralajmëron amerikanët në Tiranë: Shmangni demonstratën e PD…

By: Kesjana
10 February 2026 at 10:15

Ambasada Amerikane në Tiranë ka ndarë një paralajmërim për qytetarët amerikanë, në lidhje me protestën kombëtare që organizohet sot nga opozita.

Ambasada bën thirrje për të shmangur demonstratën dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve në lidhje me sigurinë.

“Ndërkohë që protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Udhëzimi ynë i përhershëm është të shmangni zonat e protestave. Nëse jeni në qytet, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale”, thuhet në postim.

Postimi i plotë:
Një demonstratë është planifikuar të zhvillohet të martën, më 10 shkurt 2026, në orën 17:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen te ndërtesa e Kryeministrisë, e vendosur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Pritet prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut.

Policia e Shtetit Shqiptar ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzimet në pjesë të ndryshme të qendrës së qytetit. Personelit të Ambasadës Amerikane është këshilluar të shmangë demonstratën. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit.

Ndërkohë që protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Udhëzimi ynë i përhershëm është të shmangni zonat e protestave. Nëse jeni në qytet, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Forconi qëndrimin tuaj të sigurisë duke praktikuar zakonet e mëposhtme:

Veprimet që duhen ndërmarrë:
• Qytetarëve amerikanë u këshillohet të shmangin këtë ngjarje
• Ji i vetëdijshëm për mjedisin përreth
• Kufizoni shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik
• Monitoroni mediat lokale
• Gjithmonë keni një plan emergjence ose strategji daljeje
• Mbani një profil të ulët/kb

10:00 Rama publikon foto nga takimi me Antonio Costa-n në Bruksel

By: Kesjana
10 February 2026 at 10:00

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në 10 shkurt fotografi në rrjetin e tij social “Facebook” me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa.

Rama shprehet se foton me zyrtarin e lartë të BE-së e ka realizuar përpara darkës së mbrëmshme në Bruksel. Kreu i qeverisë e konsideron Antonio Costa-n një mik të tij të çmuar.

“Mirëmëmgjes, me këto momente përpara darkës së mbrëmshme të punës në Bruksel, me Presidentin e Këshillit Europian dhe mikun tim të çmuar, António Costa, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Kujtojmë se kryeministri ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme më 9 shkurt një vizitë zyrtare në Bruksel, ku u prit në takim nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Në fokus të këtij takimi ishte procesi i negociatave të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Takimi i Ramës me Costa-n konsiderohet si një mundësi për të diskutuar sfidat e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm në rrugën drejt anëtarësimit.

Sjellim ndërmend se një nga çështjet kryesore të mbetura pezull është Raporti i Vlerësimit të Standardeve për Reformimin e Gjyqësorit, i njohur si IBAR, i cili lidhet me kapitujt 23 dhe 24 të procesit të negociatave.

Deri më tani, Shqipëria nuk ka mundur ta marrë këtë raport të plotë dhe të miratuar nga shtetet anëtare të BE-së. Pa aprovimin e këtij dokumenti, procesi i mbylljes së kapitujve nuk mund të ecë përpara.

Në diskutimet e mëparshme në nivel ambasadorësh, është kërkuar që Shqipëria të ofrojë prova konkrete mbi ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të akuzuar, përfshirë vendime përfundimtare të gjykatave dhe sekuestrime të pasurive. Ky është një nga kushtet që konsiderohen jetik për të treguar progresin në reformën në drejtësi./kb

09:45 Protesta e opozitës/ Ja rrugët që bllokohen këtë të martë në Tiranë

By: Kesjana
10 February 2026 at 09:45

Policia e Tiranës ka njoftuar masat, pasi përfaqësues të Partisë Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar për zhvillimin e një tubimi, ditën e sotme, në orën 17:00, para Kryeministrisë.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike./Kb

09:30 “Jam i martuar, nuk më tërheqin vajzat beqare”, Rogerti debaton me Selin, banorja: Bukurosh, merr frymë thellë

By: Kesjana
10 February 2026 at 09:30

Debatet mes Selin dhe Rogertit duket se nuk kanë fund në shtëpinë e Big Brother VIP 5.

Banori e thërret herë pas here Selin “Barbie” dhe sot ajo iu kthye duke i thënë “bukurosh”. Duket se kjo fjalë nuk i pëlqeu Rogertit, i cili iu drejtua duke i thënë që të mos e përmendë më, pasi ai është burrë i martuar.

Pjesë nga debati:

Rogerti: Kunata ka filluar me Kristin prapë, kujdes me princin e zi, të kam thënë 100 herë.

Selin: Bukurosh, merr frymë thellë

Rogerti: Jo bukurosh, mos më thirr mua bukurosh

Selin: Bukurosh

Rogerti: Mos më thuaj mua bukurosh se nuk jam beqar

Selin: O bukurosh

Rogerti: Mos më thirr mua bukurosh me më tërheq vajzat beqare

Selin: Kur të stoposh ti të më thërrasësh Barbie, atëherë unë do stopoj

Rogerti: Thuaj tullumbac, çufo, ça të duash, por jo bukurosh. Nuk dua me më ardhë femrat se jam i martuar dhe i kënaqur.

Selin: Edhe mua Barbie nuk më thua dot se të gjithë e dinë se ça konotacioni ka kur i thua dikujt ashtu

Rogerti: Të lutem mos më thuaj bukurosh, kaq

Selin: Jo bukurosh por super bukurosh. Kështu që bukurosh kthe përgjigje nëse ke kapacitet për të kthyer përgjigje. Nuk e ke, ngelesh bukurosh.

Rogerti: Baby G më ndihmo, se ka konotacion tjetër./kb

09:20 Raporti për korrupsionin i Transparency International për 2025, ku renditet Shqipëria

By: Kesjana
10 February 2026 at 09:20

Last Updated on 10/02/2026 by Kesjana

Kosova është vlerësuar me 43 pikë në Indeksin e Perceptimit e Korrupsionit për vitin 2025 të organizatës ndërkombëtare, Transparency International (TI), duke shënuar një rënie për një pikë krahasuar me vitin paraprak.

Vlerësimi i ri bën që Kosova të renditet e 76-ta në botë nga gjithsej 182 vende dhe territore, apo tri pozita më poshtë se më 2024.

Sipas TI, vlerësimi me pikë i një shteti tregon nivelin e korrupsionit të perceptuar në sektorin publik nga zero (që do të thotë se një vend është jashtëzakonisht i korruptuar) deri në 100 (një vend i pastër nga korrupsioni), ndërkaq renditja e një shteti në indeks tregon pozicionin e tij relativ krahasuar me vendet e tjera.

osova përfshihet në këtë Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit që nga viti 2012. Që atëherë, vlerësimin më të keq vendi e kishte pasur më 2013, 2014 dhe 2015, kur për tri vjet rresht ishte vlerësuar me 33 pikë.

Për vitin 2025, nga vendet e rajonit, Mali i Zi është vlerësuar më së miri me 46 pikë (njësoj si herën e kaluar), Maqedonia e Veriut me 40 (njësoj si herën e kaluar), Shqipëria me 39 (ka shënuar përkeqësim nga 42 pikë sa kishte në indeksin e kaluar), Bosnje e Hercegovina me 34 (ka shënuar rënie, pasi herën e kaluar kishte 33 pikë) dhe Serbia me 33 (ka shënuar rënie pasi herën e kaluar kishte 35 pikë).

Në pjesën për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, organizata tha se indeksi tregon se institucionet e dobëta dhe ngecjet në demokraci po e nxisin korrupsionin dhe po ngushtojnë hapësirën për shoqërinë civile.

Përqendrimi i pushtetit, ndikimi në gjyqësor dhe presioni ndaj shoqërisë civile po nxisin kthim prapa të demokracisë dhe po dobësojnë mekanizmat e kontrollit duke reduktuar mbikëqyrjen publike, tha organizata.

“Në gjithë Ballkanin Perëndimor, mungesa e transparencës në vendimmarrje për projekte të mëdha investuese është një dobësi e zakonshme”, u tha në raport.

“Pezullimi i rregullave për transparencë dhe kompetencat diskrecionale po i ekspozojnë fondet publike ndaj rrezikut të korrupsionit dhe në të njëjtën kohë po e dëmtojnë besimin e publikut”, u shtua në pjesën për Ballkanin Perëndimor.

Raporti përmend Bosnje e Hercegovinën dhe Shqipërinë sa i përket çështjeve mjedisore.

TI tha se mungesa e procedurave konkurruese ka çuar në “shfrytëzim të pakontrolluar të burimeve natyrore në Bosnje” dhe ka çuar në “rrezik për degradim mjedisor në rastin e ishullit të Sazanit në Shqipëri”, si dhe “i ka mundësuar Qeverisë së Serbisë të nënshkruajë një marrëveshje sekrete me një investitor të huaj dhe në mënyrë të paligjshme të anulojë mbrojtjen e një monumenti kulturor për ta zëvendësuar atë me një hotel luksoz”.

Sa i përket Sazanit, Shqipëria në fund të vitit 2024 i dha statusin e investitorit strategjik kompanisë të dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner, për të ndërtuar një resort turistik në ishullin e Sazanit në afërsi të Vlorës.

Statusi i investitorit strategjik, kompanisë së Kushnerit i është dhënë për periudhën 10-vjeçare.

Planet e tij për investim në Shqipëri ishin përballur me kundërshtime në këtë shtet, sidomos nga ambientalistët që kishin thënë se mund të shkaktohen dëme në zonat e mbrojtura bregdetare, sidomos për zonën e Zvërnecit.

Ndërkaq, sa i përket heqjes së mbrojtjes së monumentit kulturor në Serbi, që përmend TI-ja, bëhet fjalë për ish-ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, ku Kushner kishte planifikuar të ndërtonte një hotel.

Por, në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar, u raportua se Kushner është tërhequr nga ky investim.

TI tha po ashtu se në disa vende të Ballkanit Perëndimor, përgjigja e dobët e gjyqësorit vlerësohet si një nga pengesat kryesore për luftën e suksesshme kundër korrupsionit, “teksa gjyqtarët dhe prokurorët po bëhen gjithnjë e më shumë objekt i sulmeve nga qeveritë”.

Në këtë drejtim, organizata përmend Serbinë ku thuhet se pas hetimeve për abuzime të dyshuara nga anëtarë të Qeverisë, Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi “po përballet me presion në rritje, përfshirë fushata denigruese të udhëhequra nga Qeveria, pengimin e bashkëpunimit me policinë dhe ndryshime ligjore që dobësojnë aftësinë e saj për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë”.

Duke folur për Serbinë, organizata tha se ky shtet bën pjesë në mesin e vendeve që janë vlerësuar dobët në indeks dhe ku më 2025 ka pasur rritje të protestave nga gjenerata e re, pasi të rinjtë në këto shtete, “protestuan për të kërkuar llogaridhënie nga qeveritë e tyre”.

Në vitin e kaluar, Serbia u përball me protesta të mëdha, përmes së cilave qytetarët kërkuan përgjegjësi për vdekjen e disa personave nga rrëzimi i një strehe betoni në një stacion hekurudhor dhe më pas kërkesat e tyre u zgjeruan, duke kërkuar zgjedhje të reja.

Ndërkaq, në rastin e Bosnjës, Transparency International tha se ndikimi politik mbi emërimet në sistemin gjyqësor “është aq thellësisht i rrënjosur, saqë përpjekje të shumta për ta rregulluar atë në mënyrë efektive kanë dështuar, pavarësisht faktit se kjo përbën një pengesë serioze për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian”.

Në raportin e publikuar, TI tha se mesatarja globale e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit ka pësuar rënie në më shumë se një dekadë, në vetëm 42 nga 100.

“Shumica dërmuese e shteteve kanë dështuar që ta mbajnë nën kontroll korrupsionin: 122 nga 182 shtetet janë vlerësuar me nën 50 pikë në indeks”, tha Transparecy International.

Po ashtu, numri i shteteve që vlerësuar me mbi 80 pikë ka rënë nga 12 sa ishin një dekadë më parë në vetëm pesë këtë vit.

“Në veçanti, një trend shqetësues i përkeqësimit i korrupsionit në demokraci – nga Shtetet e Bashkuara (64), Kanadaja (75) dhe Zelanda e Re (81), e deri në disa pjesë të Evropës, sikurse Mbretëria e Bashkuar (70), Franca (66) dhe Suedia (80)”, u tha nga kjo organizatë ndërkombëtare.

Sipas indeksit të këtij viti, në krye të tij është Danimarka, Finlanda dhe Singapori, sikurse ishin edhe vitin e kaluar. Ndërkaq në fund të listës, të renditura më së keqi janë Venezuela, Somalia dhe Sudani.

Transparency International thotë se të dhënat që përdoren për përpilimin e indeksit mbulojnë këto forma të korrupsionit në sektorin publik: ryshfeti, keqpërdorimi i fondeve publike, përdorimi i funksioneve publike nga zyrtarët për përfitime personale pa u përballur me pasoja, aftësia e qeverive për të frenuar korrupsionin në sektorin publik, burokracia e tepruar që mund të rrisë mundësitë për korrupsion në sektorin publik, emërimet politike në shërbimin civile, ligje që u mundësojnë zyrtarëve publikë të mos e deklarojnë pasurinë apo konfliktet e mundshme të interesit, mbrojtja ligjore për personat që raportojnë rastet e ryshfetit dhe korrupsionit, kapja e shtetit dhe qasja në informacione mbi çështje publike dhe aktivitete të Qeverisë.

Ndërkaq, ky indeks nuk mbulon perceptimin e qytetarëve për korrupsionin apo përvojën e tyre me këtë dukuri, mashtrimet me tatime, rrjedhjet e paligjshme të financimeve, personat që mund të ndihmojnë në kryerjen e veprave korruptive, pastrimin e parave, korrupsionin në sektorin privat dhe ekonomitë dhe tregjet joformale./REL/kb

 

 

09:15 Zbulohet rrugë e re shkencore që ngadalëson humbjen e kujtesës nga Alzheimer

By: Kesjana
10 February 2026 at 09:15

Shkencëtarët kanë identifikuar një rrugë të re që mund të ndihmojë në ngadalësimin e humbjes së kujtesës te njerëzit me sëmundjen e Alzheimerit, një gjendje neurodegjenerative që dëmton gradualisht kujtesën dhe aftësinë e të menduarit.

Studimi u zhvillua nga Cold Spring Harbor Laboratory në Nju Jork, ku studiuesit zbuluan se enzima PTP1B luan një rol në përkeqësimin e humbjes së kujtesës te minjtë me Alzheimer.

Shkencëtarët vëzhguan se kjo enzimë duket se pengon funksionin normal të qelizave imune të trurit (të quajtura mikroglia) për të pastruar pllakëzat e amyloid-beta, struktura proteinike të lidhura me përkeqësimin e sëmundjes.

Kur aktiviteti i PTP1B është i reduktuar, mikroglia funksionon më mirë dhe i largon më efektivisht këto pllaka toksike nga truri.

Sipas autorëve të studimit, PTP1B ndërvepron me proteinën SYK, e cila ndihmon në sinjalizimin e mikroglisë për të reaguar ndaj dëmtimeve. Duke penguar PTP1B, mikroglia mund të zbatojë më mirë funksionet e saj “pastruese”, që shpesh humbin efektivitetin me progresin e sëmundjes.

Aktualisht, trajtimet e përdorura synojnë simptomat, por kjo qasje e re ngre shpresë për një efekt më të drejtpërdrejtë mbi mekanizmat që shkaktojnë humbje kujtese.

Sëmundja e Alzheimerit është forma më e zakonshme e demencës dhe prek dhjetëra miliona njerëz në mbarë botën. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, rreth 55 milionë njerëz jetojnë me demencë dhe Alzheimeri përbën afërsisht 70% të rasteve./Kb

08:45 Trump kërcënon të bllokojë hapjen e urës SHBA-Kanada

By: Kesjana
10 February 2026 at 08:45

Presidenti Donald Trump ka kërcënuar të bllokojë hapjen e një ure që lidh SHBA-në dhe Kanadanë derisa Uashingtoni të “kompensohet plotësisht për gjithçka” që i ka dhënë fqinjit të tij verior.

Ura Ndërkombëtare Gordie Howe, që lidh provincën kanadeze të Ontarios me shtetin amerikan të Miçiganit, nuk do të hapet derisa Ottawa “t’i trajtojë Shtetet e Bashkuara me drejtësinë dhe respektin që meritojmë”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Sipas faqes së internetit të projektit, ura po financohet nga qeveria kanadeze, por do të jetë në pronësi publike si të Kanadasë ashtu edhe të Miçiganit. Nuk është e qartë se si Trump mund ta bllokojë hapjen e saj, por ai tha se negociatat do të fillojnë menjëherë, pa dhënë hollësi. Ura, e cila shtrihet përgjatë lumit Detroit, pritet të hapet për trafik në pritje të testeve dhe miratimeve zyrtare në fillim të vitit 2026. Ndërtimi filloi në vitin 2018, por projekti ka qenë një pikë mosmarrëveshjeje midis vendeve për më shumë se një dekadë. Vlerësohet të ketë kushtuar 6.4 miliardë dollarë kanadezë (3.4 miliardë paund), sipas Korporatës Kanadeze të Transmetimeve.

Në deklaratën në platformën e tij Truth Social, Trump tha se SHBA-të duhet të zotërojnë “të paktën gjysmën e këtij aseti”. Ai gjithashtu sugjeroi që Kanadaja zotëronte të dyja anët e urës, atë kanadeze dhe amerikane. Organizata që po zhvillon urën, Autoriteti i Urës Windsor-Detroit, është tërësisht në pronësi të qeverisë kanadeze, sipas faqes së internetit të projektit.

Trump shkroi: “Qeveria kanadeze pret që unë, si President i Shteteve të Bashkuara, t’i lejoj ata thjesht ‘të përfitojnë nga Amerika’. Nuk do të lejoj që kjo urë të hapet derisa Shtetet e Bashkuara të kompensohen plotësisht për gjithçka që u kemi dhënë”.

Familja Moroun, pronarët amerikanë të Urës fqinje Ambasador që lidh gjithashtu Detroitin me Kanadanë, i bënë thirrje Trump gjatë mandatit të tij të parë që të ndalonte ndërtimin e urës së re, duke argumentuar se kjo shkelte aftësinë e tyre ekskluzive për të mbledhur taksat.

Në përgjigje, Trump dhe kryeministri i atëhershëm Justin Trudeau lëshuan një deklaratë të përbashkët duke thënë se ura ishte një lidhje jetësore ekonomike midis vendeve.

Të hënën, Trump vuri në dukje mosmarrëveshjet e fundit tregtare midis dy vendeve, duke thënë se “Tarifat që Kanadaja na ngarkon për produktet tona të qumështit kanë qenë të papranueshme për shumë vite”./Kb

08:30 Kursi i këmbimit valutor, 10 shkurt 2025/ Euro e pandryshuar

By: Kesjana
10 February 2026 at 08:30

Këtë të martë, një dollar amerikan do të blihet me 80.6 lekë dhe shitet me 81.8 lekë.

Euro blihet me 96.1 lekë dhe do të shitet me 96.8 lekë.

Franga zvicerane blihet me 104.8 lekë dhe shitet me 105.8 lekë.

Paundi britanik blihet me 110 lekë dhe shitet me 111 lekë.

Dollari kanadez këmbehet me 59.2 lekë në blerje dhe me 60.4 lekë në shitje./kb

08:15 Dilema e sirianëve në Gjermani, të qëndrojnë apo të kthehen në shtëpi?

By: Kesjana
10 February 2026 at 08:15

Shifrat në fjalë, ministrit të Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, i pëlqejnë t’i dëgjojë: vitin e kaluar, 5976 sirianë aplikuan për largim vullnetar në Siri,  të mbështetur nga Zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF), dhe dorëzuan të gjitha dokumentet e nevojshme. 3678 prej tyre tashmë janë kthyer.

Për politikanin e CSU-së, kjo është dëshmi e suksesit të politikës së migrimit që ka nxitur: “Ata që nuk kanë perspektiva qëndrimi marrin ndihmë të veçantë për kthimin e tyre vullnetar.”

Kjo ndihmë e veçantë përfshin mbulimin e kostove të fluturimit, si dhe një grant fillestar prej 1000 € për çdo të rritur që kthehet dhe 500 € për fëmijë dhe të rinj. Një vit më parë, Zyra Federale rinisi programin, pasi ai u pezullua për shkak të luftës. Numri i njerëzve që bëjnë këtë hap dhe kthehen në vendet e tyre të origjinës po rritet në përgjithësi.

Numri i kthimeve vullnetare nga Gjermania në rritje

Në një njoftim për shtyp, BAMF shkruan: “Një numër i përgjithshëm prej 16.576 personash morën ndihmë për t’u kthyer në vendin e tyre të origjinës ose në një vend të tretë të gatshëm t’i pranojë. Kjo përfaqëson një rritje të konsiderueshme të numrit të largimeve krahasuar me vitin e kaluar, kur u larguan nga vendi 10.358 vetë. Në vitin 2025, shumica e largimeve vullnetare ishin në vendet e origjinës Turqi, Siri, Federatë Ruse, Gjeorgji dhe Irak.”

Pra, a është kthimi vullnetar në Sirinjë histori suksesi? Apo është më tepër një debat i gabuar, siç kritikon Iris Schwerdtner. Kushte të ngjashme me ato të luftës civile vazhdojnë të mbizotërojnë në Siri, thekson kryetarja e Partisë së Majtë. Prandaj, Gjermania nuk duhet të deportojë askënd në atë vend, as të bindë njerëzit të udhëtojnë atje vullnetarisht. Ajo e konsideron çdo debat të këtij lloji “tërësisht të papërshtatshëm në këtë moment”.

Situata humanitare në Siri mbetet e vështirë

Sandra Lorenz, zyrtare e komunikimit në Johanniter International Assistance, është në  pozitë të mirë për të gjykuar. Organizata humanitare punon përmes partnerëve në veriperëndim të Sirisë. Lorenz i shpjegon DW-së se mund ta kuptojë pse njerëzit duan të kthehen në vendin e tyre.

“Ne e shohim këtë edhe në Ukrainë, ku njerëzit duan të kthehen në fshatrat e tyre pavarësisht sulmeve. Kjo është krejtësisht normale. Por thjesht duhet të jeni të qartë për situatën në të cilën ndodheni. Infrastruktura është shkatërruar plotësisht në shumë vende. Dhe njerëzit që jetojnë atje sot zhvendosen vazhdimisht për shkak të luftimeve të vazhdueshme”.

Sigurisht, situata në qytetet kryesisht të shkatërruara si Alepo dhe Afrin është e ndryshme nga ajo në kryeqytetin sirian Damask, për shembull, shpjegon Lorenz. Megjithatë, situata humanitare mbetet shumë e vështirë në përgjithësi dhe nevoja për rindërtim mbetet e jashtëzakonshme, veçanërisht pas tërmetit të rëndë tre vjet më parë. Për Johanniter, kjo aktualisht do të thotë para së gjithash mbështetje e rehabilitimit të infrastrukturës dhe furnizimi i spitaleve me benzinë, ujë të pijshëm dhe medikamente.

“Ka qindra mijëra njerëz që janë të varur nga ushqimi dhe që kanë nevojë për mbështetje për të rifituar qasjen në ujë, strehim të denjë dhe të ardhura. Situata në Siri është si në zonat e tjera të luftës, thjesht nuk është ajo që ishte 14 vjet më parë. Dhe unë mund të shpresoj vetëm që njerëzit ta kenë studiuar këtë, që të kenë folur me dikë, që të kenë diku ose dikë që e njohin, tek i cili mund të drejtohen së pari.”

Gjermania ndihmon në rindërtim

Nahla Osman së fundmi e pa me sytë e saj situatën në vendin e saj. Avokatja dhe nënkryetarja e Shoqatës së Organizatës Gjermane për Ndihmë Siriane sapo është kthyer nga një udhëtim me një delegacion në Siri. Ajo ishte shoqëruar nga përfaqësues të Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Bankës Gjermane për Rindërtimin (KfW).

Osmani i shpjegon DW: “Në Harasta, një periferi e Damaskut, nuk ka asnjë shtëpi të vetme që është e banueshme ose plotëson standardet minimale për jetesë atje. Më shumë se 80% e shkollave të Sirisë janë shkatërruar. Në të njëjtën kohë, ka një mungesë reale të gjithçkaje, veçanërisht medikamente dhe furnizime mjekësore. Ministri i Shëndetësisë na tha se aparate të caktuara mjekësore mund të ekzistojnë një ose dy herë në të gjithë Sirinë.”

Rikthimi në punë i spitaleve siriane është prioritet për ndihmën gjermane të rindërtimit. Gjatë udhëtimit, u nënshkrua një kontratë përkatëse me pesë spitale.

Në të njëjtën kohë, Gjermania mund të përfitojë gjithashtu nga specialistët sirianë në të ardhmen: qeveria siriane ka propozuar futjen e gjuhës gjermane si lëndë nga klasa e pestë. Qëllimi është të trajnohen specialistë – si mjekë – në një fazë të hershme, të cilët më pas mund të punojnë në Gjermani në kushte më të favorshme.

Nahla Osman nuk e kupton debatin në Gjermani për kthimin e sirianëve: “Shumica e sirianëve janë të integruar këtu, ata flasin gjermanisht dhe punojnë. Shumë ëndërrojnë të kthehen, por jo në këto kushte, natyrisht.” Sipas mendimit të saj, debati në Gjermani nuk është shumë i nuancuar: “Të gjithë sirianët duhet të kthehen, të marrin një lopatë dhe të rindërtojnë vendin. Kjo nuk është mënyrë për të zhvilluar një debat në një vend imigrimi”./DW//kb

08:00 Interneti fiks, kontratat e shërbimit duhet të përcaktojnë edhe shpejtësinë minimale

By: Kesjana
10 February 2026 at 08:00

Ofruesit e shërbimit të internetit duhet të përcaktojnë në kontratën e shërbimit edhe shpejtësinë minimale për shkarkimin dhe ngarkimin e të dhënave.

Një detyrim i tillë parashikohet në ligjin e ri “Për komunikimet elektronike”, i miratuar në fund të vitit 2024 dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) e ka përfshirë në rregulloren e re për “Përcaktimin e modelit të përmbledhjes së kontratës për t’u përdorur nga ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike publike”.

Sipas anekseve të rregullores, për shërbimin e aksesit në internet në rrjet fiks në kontratë duhet të përfshihet shpejtësia minimale, normalisht e disponueshme dhe maksimale e shkarkimit dhe ngarkimit, ndërsa në rastin e rrjeteve celulare do përfshihet shpejtësia maksimale e vlerësuar e shkarkimit dhe ngarkimit të shërbimit të aksesit në internet.

Deri më sot, shpejtësia e përcaktuar në kontratat e shërbimit të internetit me linja fikse i referohet shpejtësisë maksimale, përkatësisht për shkarkimin dhe ngarkimin e të dhënave.

Por, në praktikë, shpejtësia reale e internetit është e ndryshueshme dhe shpeshherë larg asaj maksimale të parashikuar në kontratë. Tashmë, kuadri i ri ligjor përcakton edhe detyrimin për të specifikuar një shpejtësi minimale të lidhjes.

Gjithashtu, ligji parashikon se, çdo mospërputhje e rëndësishme, e vazhdueshme ose e përsëritur rregullisht, midis cilësisë aktuale të shërbimit të aksesit në internet dhe asaj të parashikuar në kushtet e kontratës do të konsiderohet se përbën mospërputhje të performancës për qëllime të nxitjes së mjeteve juridike të disponueshme për konsumatorin, në përputhje me legjislacionin kombëtar. Një parashikim i tillë synon të mbrojë konsumatorin, në rastet kur operatori nuk ofron atë cilësi shërbimi të parashikuar në kontratë.

Sipas të dhënave më të fundit nga AKEP, numri i abonentëve të internetit me linja fikse në fund të muajit shtator 2025 arriti në rreth 710 mijë, në rritje me 2.4% krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe 7.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu i internetit nga linjat fikse vazhdon të ndjekë një tendencë të qëndrueshme në rritje, duke ngushtuar pjesërisht prapambetjen në depërtimin e linjave fikse të komunikimit.

Tregu në përgjithësi po shfaq rritje dhe konkurrencë të lartë, veçanërisht në qendrat e mëdha urbane, ku përqendrimi i popullsisë është më i madh. Operatorët e kanë rinovuar gradualisht infrastrukturën drejt teknologjive më të reja, të fibrës optike, që ka ndikuar në rritjen e shpejtësisë mesatare të lidhjes për përdoruesit.

Sipas të dhënave më të fundit për shpejtësinë e internetit, në fund të vitit 2024, rreth 84% e pajtimtarëve kishin linja me shpejtësi më të madhe se 30 Mbps (megabit për sekondë), nga 69% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2023. Ndërkohë, 42% e pajtimtarëve zotërojnë lidhje me shpejtësi mbi 100 Mbps, nga 28% që kishte qenë ky tregues për vitin 2023.

Gjithmonë duke iu referuar shifrave të 2024, rreth 69% e lidhjeve të internetit nga rrjetet fikse mbështeten në teknologjinë e fibrës optike./Monitor.al/kb

07:45 75% e shqiptarëve çojnë për faturat publike 10-50% të buxhetit mujor

By: Kesjana
10 February 2026 at 07:45

Sistemi fiskal dhe tarifat administrative po kthehen në barrë për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, por në Shqipëri ky presion duket se ka prekur masën më të gjerë të popullsisë, sipas anketës “Securimetri 2025” të realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.

Të dhënat tregojnë se në Shqipëri, rreth 75% e qytetarëve vlerësojnë se taksat dhe tarifat rrisin koston e tyre të jetesës me 10% deri në 50% te të ardhurave mujore. Specifikisht, grupi që deklaron se detyrimet publike marrin 21-30% të të ardhurave të tyre mujore është më i larti në rajon, me 30% të të anketuarve, duke lënë pas mesataren e Ballkanit Perëndimor prej 25%.

Kjo shifër tregon se, ndryshe nga fqinjët, shqiptarët e ndjejnë barrën e detyrimeve publike si një shpenzim që dikton mirëqenien e tyre mujore. Vetëm 13% e shqiptarëve mendojnë se shteti u merr më pak se 10% të kostove të jetesës, niveli ky më i ulët në rajon pas Serbisë.

Kjo do të thotë se për gati një të tretën e popullsisë në Shqipëri, pagesat ndaj institucioneve publike marrin një pjesë mjaft të konsiderueshme të buxhetit familjar, duke tejkaluar mesataren e rajonit.

Kosova shfaqet si një ekonomi më barrën më të lehtë për qytetarët e saj. Rreth 17% e qytetarëve të saj e ndjejnë barrën e pagesave publike nën nivelin 10%, një tregues ky më pozitiv se në Shqipëri.

Serbia ka përqindjen më të lartë të qytetarëve që deklarojnë kosto ekstreme ku 11 % e qytetarëve pohojnë se çojnë 50% të të ardhurave mujore në shtet, ndërsa në Shqipëri kjo kategori është pothuajse e papërfillshme me 3%. Kjo tregon se sistemi serb mund të jetë më agresiv ndaj grupeve më të ardhura të larta, ndërsa sistemi shqiptar shënjestron më gjerësisht shtresën e mesme.

Maqedonia e Veriut udhëheq rajonin me 36% te të anketuarve që paguajnë10-20% te të ardhurave mujore, duke u renditur shumë afër Shqipërisë për nga perceptimi i barrës së moderuar.

Për Shqipërinë, shifrat tregojnë një ndjeshmëri të lartë ndaj detyrimeve financiare publike, ku përfshihet faturat e ujit, energjisë dhe të tjera që kanë bëjnë me taksat e tarifat. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë pohoi se këto kosto gërryejnë ndjeshëm të ardhurat e tyre mujore. /Monitor.al//kb

❌
❌