Vendimi i Kristiano Ronaldos për të mos zbritur në fushë me fanellën e Al Nasr në shenjë proteste kundër fondit të investimeve që menaxhon katër klubet më të mëdha të kampionatit, ka bërë që Liga Arabe e Futbollit të reagojë ashpër kundër portugezit.
Saudi Pro League është rreshtuar përkrah skuadrës së Al Nasr, duke sulmuar Kristianon.
“Cristiano ka qenë plotësisht i përkushtuar ndaj Al Nassr që nga ardhja e tij dhe ka luajtur një rol thelbësor në rritjen dhe ambiciet e klubit. Si çdo lojtar i nivelit elitar, ai dëshiron të fitojë. Por asnjë individ, sado i rëndësishëm të jetë, nuk merr vendime përtej klubit të tij”.
Liga Saudite bën me dije se kampionati është konkurrues dhe kjo dëshmohet nga klasifikimi i ngjeshur mes skuadrave.
“Liga është kompetitive dhe skuadrat kanë pak pikë diferencë me njëra-tjetrën. Lufta për titullin është e hapur dhe kjo reflekton faktin se sistemi funksionon më së miri”.
Rebelimi i Kristiano Ronaldos ka ngritur alarmin në Arabinë Saudite. Ai ka një kontratë deri në vitin 2027 me Al Nasr, nga e cila përfiton 200 milionë euro në vit, por gjithashtu ka një klauzolë prej 50 milionë eurosh në rast se dëshiron të largohet./kb
Është një fitore e vonuar, por me ndikim të fortë politik dhe institucional, ajo që arriti dje Carles Puigdemont së bashku me dy ish-eurodeputetë të tjerë katalanas. Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian anuloi përfundimisht vendimin e Parlamentit Europian për heqjen e imunitetit parlamentar të Puigdemont, Toni Comín dhe Carla Ponsatí.
Sipas gjyqtarëve në Luksemburg, emërimi i raportuesit të ngarkuar me kërkesat për heqjen e imunitetit ishte në kundërshtim me parimin e paanshmërisë.
Rasti ka lidhje të forta me lojërat politike spanjolle brenda Parlamentit Europian. Partia Popullore Europiane, nën presionin e Partido Popular, kishte organizuar emërimin e një eurodeputeti të partisë ekstremiste nacionaliste VOX si raportues, pa hasur rezistencë nga grupi i Socialistëve & Demokratëve, i kryesuar nga socialistja spanjolle Iratxe García Pérez.
Gjykata thekson se, duke qenë se VOX ishte në origjinë të procedimit në Spanjë ndaj Puigdemont dhe të tjerëve për referendumin e vitit 2017 mbi pavarësinë e Katalonjës, raportuesi nga VOX mund të perceptohej si i paanshëm.
Ky vendim përbën një goditje jo vetëm për nacionalizmin spanjoll, por edhe, dhe mbi të gjitha, për përdorimin politik të procedurave të imunitetit në Parlamentin Europian./kb
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë në një konferencë për mediat, ku po ngre akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se po rrezikon të ardhmen e vendit në Bashkimin Europian.
“Sot jam këtu për të denoncuar kërcënimin madhor që Edi Rama dhe mafia e rrezikshme që qëndron prapa tij, në qeveria, parlament dhe institucione të tjera, po kërcënojnë në mënyrën më të egër procesin më jetik të shqiptarëve, procesin e integrimit në BE.
Lajmet që vijnë nga kancelaritë europiane, por edhe nga Brukseli, dëshmojnë se Edi Rama është në rreth të kuq. Se Edi Rama në kundërshtim flagrant me të gjitha zotimet që rrjedhin nga procesi i integrimit, po fakton se ai për interesa të pushtetit të tij, për të mbrojtur veten nga krimet e rënda që ka kryer, është i aftë të marrë çdo vendim pavarësisht se bllokon plotësisht procesin e integrimit në BE.”, tha Berisha.
Kryedemokrati shtoi se nëpër kancelaritë e vendeve të Europës po diskutohet kjo gjë dhe se nuk përjashtohet opsioni i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit.
Berisha e lidhi këtë me qëndrimet e kreut të qeverisë mbi çështjen e hetimeve ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe mbetjes pezull të votimit për imunitetin e saj në Kuvend. Po ashtu edhe për shkak të çështjes së hetimeve ndaj zyrtarëve të AKSHI-t.
“Burime shumë serioze informojnë se për diskutimet e gjera që po zhvillohen në kancelaritë europiane dhe në BE, në të cilat nuk përjashtohet edhe opsioni i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit në BE për shkak të këtyre qëndrimeve antikushtetuese, antidemokratike, antiligjore që mban Edi Rama në rastin e dosjes së tij, por në aparencë Ballukut dhe AKSHI-t.
Unë kam paralajmëruar dhe paralajmëroj prapë shqiptarët se marrja në dorë e fatit tonë është rruga e vetme pasi Edi Rama, absolutisht nuk do të pranojë kurrë t’i heqë imunitetin Lubi Balluku, pasi e di se së bashku me të në bankën e të akuzuarit është i detyruar të ulet edhe ai vetë. Ai e di mirë se jo në një, por në dy përfaqësi kryesore të Europës dhe të botës, Gerond Meçe ka dhënë çdo detaj të implikimit direkt të Edi Ramës, baxhanakut dhe Lindës në aferat e AKSHI-t. Edi Rama e di mirë se tashmë gjithçka ka dalë në dritën e diellit, se ai nuk është gjë tjetër veçse një Ergys Agas.Ndaj dhe përpëlitet në këtë mënyrë.”, shtoi ai.
Berisha: AKSHI, dosja që ka lënë pa mend kancelaritë europiane
Më tej Berisha foli edhe për çështjen e hetimeve për tenderat e AKSHI-t, duke e konsideruar këtë si dosjen që i ka lënë pa mend kancelaritë e Europës.
“AKSHI është dosja që ka lënë pa mend kancelaritë evropiane, por edhe të vendeve të tjera të mëdha. Është dosja që tejkalon çdo lloj imagjinate. Për të mos folur pastaj për qindra dhe mijëra video dhe fotografi në të cilat edhe vetë Edi Rama është kokë e këmbë i damkosur.
Edi Rama po loz me fatet e vendit. Me fatin e çdo shqiptari për të mbrojtur krimet e tij. Ndaj dhe 10 shkurti është dita e çdo qytetari, është dita e dinjitetit, e guximit, e kurajës, e vendosmërisë për të marrë fatin në duar.”, tha Berisha, duke akuzuar më tej kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi, që në faqen e Parlamentit censuroi mesazhin që kishte marrë në takimin që kishte në Departamentin e Shtetit Amerikan, mbi luftën kundër organizatave kriminale transnacionale.
“Dhe ai e censuron, duhet të lexojmë njoftimin e departamentit për të marrë vesh të vërtetën e njoftimeve të SHBA. Këta janë bashkëpunëtorë në krim. Niko Peleshi që bën këtë censurë është bashkëpunëtor në krimet e Edi Ramës.”, shtoi.
Mes të tjerash, në komunikimin e tij me gazetarët, kreu i opozitës tha se kishte një mesazh për familjet që përmbyten. Duke iu referuar parashikimeve të metereologëve për një mot të keq në vazhdim, Berisha paralajmëroi qytetarët që të marrin masa vetë, pasi nga ana e qeverisë nuk është bërë asnjë përgatitje./kb
Qeveria miratoi sot Amnistinë Penale. Lajmin e konfirmon Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një deklarate pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Ai thotë se 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm nga burgu dhe 853 të tjerë ulje dënimi. Mes tyre ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj. Numri real i përfituesve nga pushimi i ndjekjes penale është shumë më i lartë.
“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam Amnistinë Penale, nismën që prezantuam rreth një muaj më parë dhe nga sot ky vendim depozitohet në Kuvend. Nga të dhënat më të fundit të rakorduara me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës si dhe Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se plot 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe 853 të tjerë ulje dënimi, ndërkohë nga Shërbimi i Provës amnistohen 5077 të dënuar me masa alternative. Për më tepër, duke filluar nga viti 2024 pushohet ndjekja penale për plot 14 mijë procedime për vepra të lehta. Përveçse një akt i qartë human dhe një mundësi e dytë për rehabilitim dhe ri-integrim, ky është një hap konkret që ul presionin e popullimit të burgjeve dhe për të fokusuar drejtësinë aty ku rreziku shoqëror është real. Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon riintegimin dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale teksa ne po punojmë për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit, në përputhje me shqetësimet e drejta të ngritura nga Këshilli i Evropës si dhe standardet evropiane”, shprehet ministri Lamallari./kb
Reshjet intensive të shiut gjatë orëve të fundit kanë krijuar situatë problematike në disa rrugë të qytetit të Durrësit.
Situata më e rënduar është shfaqur këtë të premte, në rrugët pranë Stadiumit “Niko Dovana”, si dhe në disa segmente të tjera, përfshirë shëtitoren “Taulantia”.
Pas ndërprerjes së reshjeve, uji është tërhequr gradualisht, por sipas autoriteteve, reshjet me intensitet të parashikuar në orët në vijim mund të krijojnë sërish problematika të ngjashme, duke i kërkuar qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme.
Më herët mëngjesin e sotëm, Bashkia e Durrësit ka paralajmëruar se qytetarët mund të përballen me kushte të këqija moti, ndaj duhet të tregohen të kujdesshëm.
“Sipas të dhënave të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, ditën e premte qyteti i Durrësit pritet të përballet me reshje të dendura shiu, shtrëngata dhe erëra të forta.
Duke qenë se këto kushte atmosferike mund të sjellin problematika të ndryshme, u bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit me automjete dhe të marrin masa për sigurimin e objekteve në hapësira të jashtme.”, thuhej në njoftimin e Bashkisë së Durrësit, e cila gjithashtu bëri me dije se ndodhet në gatishmëri të plotë.
Strukturat e ndërmarrjeve, emergjencave dhe policisë bashkiake thuhet se janë në terren dhe të angazhuara maksimalisht për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve dhe familjeve të tyre në çdo situatë problematike të mundshme./kb
Ulsi Manja ka deklaruar se reforma në drejtësi duhet rishikuar.
Në një intervistë me Grida Dumën, ai nisi të fliste për pagat e gjyqtarëve.
“Çfarë do të bëhet me dosjet e prapambetura? Ka ardhur momenti të hapet ky diskutim. Po shfaqen simptomat e një apatie në sistemin e drejtësisë; në KLGJ dhe KLP ka mungesë transparence në vendimmarrje dhe ata e konsiderojnë këtë si diçka që ndodh brenda shtëpisë së tyre,” tha kryetari i Komisionit të Ligjeve, sipas të cilit “ka ardhur koha për diskutimin e temës: a e kanë shqiptarët këtë drejtësi cilësore që iu premtua në 2016? U referohem gjykatave të largohen nga roli i noterit dhe të ngrihen në lartësinë që u ngarkon Kushtetuta. Për gjyqtarët ekziston vetëm prova,” tha ai, duke i paralajmëruar magjistratër prerë nga studio e TCH: “Vëreni gishtin mendjes, se do të ndërhyjmë në sistem.”/kb
Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, ka dalë në një komunikatë për mediat këtë të premte, ku po flet lidhur me çështjen e dosjes “Partizani” kundër tij dhe për gjyqtaren Irena Gjoka.
“Ne sot do ju paraqesim vetëm pesë shkelje që tregojnë falsifikime nga ana e prokurorisë dhe e gjykatëses Irena Gjoka dhe me radhë, për t’ju treguar pse prokurorët kanë frikë që kjo çështje të ketë kamera në sallë.
Gjithashtu këtu ne do të tregojmë vetëm pesë, por ka mbi 30-35 falsifikime nga ana e prokurorëve politikë.”, tha Malltëzi.
Gjatë konferencës për mediat, Malltezi lexoi disa mesazhe që sipas tij vërtetonin se kishte patur një komunikim mes prokurorëve dhe gjyqtares Irena Gjoka, para marrjes së vendimeve.
“Dy komunikime me prokuroreve dhe gjyqtaarëve, e para për urdhrin e prokurorit Arben Kraja për Policinë.
Keni të nënvizuar këtu, në datën 20.10.2023 Arben Kraja dhe Mehmet Rrumbullaku kanë komunikuar, të nesërmen Irena Gjoka do nxirrte vendimin siç ia kishte kërkuar prokuroria.”, deklaroi Malltezi.
Ai shtoi se për tri ditë, gjyqtarja Irena Gjoka, ka nxjerrë vendimin sic e kishte kërkuar prokuroria./kb
Bota e sportit elitar është mësuar me sakrifica ekstreme, sidomos kur bëhet fjalë për medalje olimpike. Por një akuzë e fundit ka kaluar çdo kufi të imagjinatës. Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA) ka nisur hetimet për një praktikë të pazakontë, sipas së cilës disa sportistë të ski-jumping dyshohet se kanë injektuar acid hialuronik në organin gjenital për të fituar avantazh aerodinamik.
Skandali u raportua fillimisht nga gazeta gjermane Bild dhe ka shkaktuar reagime të forta në opinionin sportiv ndërkombëtar.
Acidi hialuronik përdoret zakonisht në mjekësinë estetike si filler për rritjen e vëllimit të indeve, përfshirë edhe procedurat për zmadhimin e perimetrit të penisit. Sipas ekspertëve të urologjisë, injektimi i tij do ta bënte organin më të madh në perimetër, por efekti është i përkohshëm dhe kërkon përsëritje çdo 6 deri në 12 muaj.
Ç’lidhje ka kjo me ski-jumping? Para fillimit të sezonit, sportistët maten me skaner 3D për të përcaktuar përmasat e kostumit të tyre, i cili është rreptësisht i rregulluar nga Federata Ndërkombëtare. Çdo centimetër shtesë në trupin e matur mund të përkthehet në një kostum pak më të madh, me sipërfaqe më të gjerë, që krijon më shumë ngritje në ajër dhe mund të sjellë disa metra shtesë në fluturim. Sipas specialistëve të biomekanikës sportive, edhe një rritje e vogël e sipërfaqes së kostumit mund të ndikojë ndjeshëm në performancë.
Megjithatë, rreziqet shëndetësore janë serioze. Mjekët paralajmërojnë se injektimi i acidit hialuronik në penis mund të shkaktojë dhimbje, deformime, infeksione, probleme dhe mosfunksionim seksual. Në raste të rralla, infeksioni mund të përhapet dhe të çojë në nekrozë të indeve, madje edhe në humbjen e organit./kb
Deputetja e Partisë Socialiste, Romina Kuko, njëkohësisht anëtare e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, deklaroi se procesi i ri i reformës do të udhëhiqet nga të njëjtat parime themelore që orientuan edhe reformën e vitit 2015, por të përshtatura me realitetet e reja demografike, ekonomike dhe sociale të vendit.
E ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, Kuko theksoi se reforma synon të rikalibrojë jetën në territor dhe mënyrën se si ofrohen shërbimet për qytetarët.
“Parimet që do udhëheqin deputetët e Kuvendit për të bërë reformën do jenë parimet që kanë udhëhequr dhe reformën e parë. Reforma që rikalibron jetën në territor.
Kur flasim për ribërjen e bashkive, riorganizimin e jetës në terrirtor, duhet të marrim parasysh demografinë. Ne kemi pasur ndryshime shumë të mëdha demografike brenda këtij 10-vjeccari nga reforma e kaluar në këtë të tanishme”, u shpreh ajo.
Sipas Kukos, qëllimi i reformës nuk është krijimi i pabarazive mes territoreve, por garantimi i një standardi të njëjtë shërbimi për të gjithë qytetarët.
“Realitetin ekonomik të disa bashkive, disa bashki kanë marrë një profil më të veçantë kur vjen puna te turizmi apo si gjeneron të ardhura, dhe të kohezionit. Ne nuk duam të kemi një Shqipëri me 2 shpejtësi, por një Shqipëri ku qytetari merr shërbimin njësoj në secilën bashki”, tha deputetja.
Duke iu referuar reformës territoriale të vitit 2015, Kuko sqaroi se ajo nuk ka dështuar, por ishte e menduar që në fillim si një reformë që do të rishikohej pas një periudhe 10-vjeçare.
“Nuk ka diçka që nuk ka shkuar në vetvete. Reforma e kaluar ishte një përgjigje ndaj një territori të super fragmentarizuar. Ishte e vendosur që kur u bë reforma e kaluar, që do të rishikohej pas një 10-vjecari.
Reforma e kaluar solli 370 e kusur njësi administrative në 61. U bë një ribashkim i territorit.
Kritika mund të jetë që është shtuar numri i bashkive dhe është e kotë argumenti se burimet njerëzore janë shtuar a pakësuar. Shumë funksione që i kanë takuar qeverisjes qendrore, kaluan në qeverisjen vendore duke pasur funksione të deleguara, gjendja civile, arsimi parashkollor, etj,. Ishte një reformë e domosdoshme për kohën e cila funksionoi deri diku mirë sepse e shikojmë tani që bashkitë u bënë realitete ekonomike dhe shërbimi ndaj qytetarëve u përmirësua”, theksoi Kuko.
Sipas saj, kritikat që lidhen me rritjen e numrit të punonjësve në bashki nuk qëndrojnë, pasi shumë funksione të qeverisjes qendrore iu deleguan pushtetit vendor.
“Gjendja civile, arsimi parashkollor dhe funksione të tjera kaluan te qeverisja vendore. Bashkitë u kthyen në realitete ekonomike dhe shërbimi ndaj qytetarëve u përmirësua”, u shpreh Kuko.
Megjithatë, ajo pranoi se kishte hapësira për përmirësim, veçanërisht në menaxhimin e financave vendore, mbledhjen e taksave dhe organizimin e disa bashkive të vogla.
Deputetja e PS theksoi se lëvizjet demografike dhe sezonaliteti, sidomos në zonat turistike, e bëjnë të domosdoshëm riorganizimin territorial.
“Sot jemi në një fazë tjetër, jemi në një fazë ku lëvizjet demografike sjellin nevojën për riorganizimin e territorit.Bashki të vogla, si Himara me dhjetëra mijë banorë gjatë vitit, në sezonin turistik bëhet bashki kolosale. A s’duhet të planifikojmë të mos kemi këto planifikimet sezonale? Kjo reformë është e domosdoshme për kohën.
Nuk po themi që kemi dështuar me reformën e kaluar, mund të ishin bërë disa gjëra shumë më mirë, si kur vjen puna me financat vendore, për mbledhjen e taksave vendore, apo për mënyrën si u orhganizuan disa bashki të vogla, por tashmë jemi në një moment tjetër ku bashkitë s’do duhet të jenë thjesht entitete administrative burokratike por dhënëse shërbimi për qytetarët”, tha ajo.
Sa i përket projektit fillestar të reformës, Kuko bëri të ditur se ende nuk ka një draft konkret, pasi procesi do të bazohet në konsultime të gjera.
“Projektin fillestar nuk mund ta them. Për fat të mirë ne do kemi dhe kolegët e opozitës në tavolinë, është mirë kur kemi rrahje mendimesh. Shoqata që ka mbuluar bashkitë e djathta ka pasur një oponencës të shëndetshme kur vjen puna për pjesën e reformës, por kjo do kërkojë një konsultim.
S’mund të dalim me planin fillestar pa analizuar realitetin apo ta bëjmë në mënyrë statike mbi letër. Kjo është arsyeja pse do kemi takime në territor, do shohim si jepen shërbimet, do takohemi me aktorë e faktorë”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se do të ketë takime në terren, konsultime me pushtetin vendor, aktorët lokalë dhe qytetarët, për të vlerësuar realisht cilësinë e shërbimeve.
“Në këtë fazë, bashkitë nuk duhet të jenë thjesht entitete administrative burokratike, por dhënës realë shërbimi për qytetarët”, shtoi Kuko, duke kujtuar se reforma e kaluar solli edhe konceptin e “one stop shop”, ku shërbimet merren në një sportel të vetëm.
Duke shpjeguar konkretisht efektet e reformës, Kuko u shpreh se ajo do të sjellë një rikalibrim të shërbimeve publike, në funksion të nevojave reale të qytetarëve.
Sipas saj, reforma do të shoqërohet edhe me një rikonceptim të këshillave të qarqeve, duke iu afruar modelit të rajoneve funksionale.
“Nëse një shërbim i caktuar është i vendosur në një pjesë të territorit që nuk i përgjigjet më realitetit demografik apo ekonomik, do të rishikohet mënyra se si ai shkon te qytetari. Do të kemi një rikonceptim të këshillave të qarqeve dhe do t’i afrohemi konceptit të rajoneve, ku zhvillimi i territorit bëhet në mënyrë më të përgjithshme dhe të koordinuar”, u shpreh Kuko./kb
Presidentja e Komisionit Evropian nuk ka marrë ende një vendim mbi zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes së tregtisë së lirë me Mercosur.
Ursula von der Leyen është në parim pro, por është ende duke vlerësuar rreziqet e kësaj vendimi. Tema duhej të diskutohej dje në Paris me Emmanuel Macron, si dhe në samitin informal të krerëve të shteteve dhe qeverive javën e ardhshme.
Von der Leyen dëshiron të dijë cilët liderë e konsiderojnë zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes Mercosur si një çështje ekzistenciale në planin e politikës së brendshme. Do të konsultohen liderët e Francës, Polonisë, Irlandës dhe Austrisë.
Në llogaritjen e rrezikut, von der Leyen duhet të marrë parasysh edhe Parlamentin Evropian, i cili, nëse do të rrëzonte ratifikimin, do ta dështonte përfundimisht marrëveshjen me Mercosur.
Megjithë presionet e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, për zbatimin e përkohshëm, von der Leyen ka ende pak kohë për të përfunduar vlerësimet e saj.
Kërkohet një ratifikim nga një prej katër vendeve të Amerikës së Jugut (Brazili, Argjentina, Paraguaji dhe Uruguaji). Paraguaji pritet të jetë i pari pas disa muajsh./kb
Autoritetet në Norvegji po hetojnë ish-kryeministrin Thorbjorn Jagland nën dyshimet për korrupsion pas zbulimeve të lidhjeve të tij me abuzuesin e ndjerë seksual Jeffrey Epstein.
Hetimi vjen pasi dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara javën e kaluar zbuluan vite komunikimesh midis Jagland dhe Epstein, duke përfshirë email-e që sugjeronin se ai qëndronte në shtëpinë e abuzuesit.
Okokrim, njësia policore e Norvegjisë e dedikuar për luftimin e krimit të jakave të bardha, tha të enjten se kishte përcaktuar se kishte “baza të arsyeshme” për të hetuar Jaglandin për korrupsion madhor.
Agjencia tha se i kishte kërkuar gjithashtu Ministrisë së Punëve të Jashtme të revokonte imunitetin e dhënë Jaglandit, i cili shërbeu gjithashtu si kreu i Komitetit të Nobelit dhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, si ish-kreu i një organizate ndërkombëtare.
Hetimet do të fokusohen në faktin nëse Jagland ka marrë dhurata, udhëtime falas, apo favore të tjera nga Epstein.
Kujtojmë që një email të Jagland më 25 maj të 2012-ës, ai i drejtohet Epsteinit me fjalët: “Kam qenë në Tiranë. Vajza të jashtëzakonshme”./kb
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, është emëruar kryeinspektor i përgjithshëm. Vendimi për emërimin e tij u mor sot gjatë mbledhjes së qeverisë.
Sula ka një karrierë të gjatë politike dhe përfaqësuese në Kuvend. Emërimi i tij vjen në kuadër të ndryshimeve të fundit në strukturat e qeverisë./kb
Gjatë qëndrimit të saj në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u ftua si folëse kryesore në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Johns Hopkins, ku bashkë me ekspertin e njohur Edward Joseph, profesorë, studentë dhe shqiptarë që jetojnë në SHBA, analizuan rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së dhe rolin e ri të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Spiropali u ndal te shndërrimi i Shqipërisë nga vendi më i izoluar i Europës, në vendin kandidat që synon të ulet në tryezën e Bashkimit Europian përmes rezultateve, implementimit të një sërë reformash strukturore.
“Në vetëm 13 muaj, hapëm të gjithë grupkapitujt e negociatave. Ky është rezultati i reformave të vështira dhe fokusit të qëndrueshëm politik. Por tani fillon puna më e vështirë. Po punojmë intensivisht dhe përmes një agjende objektivash për të mbyllur grupkapitujt deri në vitin 2027 dhe për të siguruar anëtarësimin deri në vitin 2030. Pra bëhet fjalë për progres të vërtetë në disa fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, fuqizimi i institucioneve demokratike, etj. Këtu është gjithashtu vendi ku mbështetja e SHBA-së ka qenë jetike gjatë viteve: në forcimin e reformës sonë në drejtësi dhe transparencës. Reforma në drejtësi, në veçanti, është reforma më e thellë dhe më transformuese në Shqipërinë moderne”, tha Spiropali.
Ankorimi i Shqipërisë drejt vlerave perëndimore, sipas Ministres së Jashtme, nuk është për një zgjedhje rastësore dhe as e përkohshme, por strategjike.
“Është e rrënjosur në identitet dhe në realitetet e forta të sigurisë. Administratat ndryshojnë, politikat evoluojnë, por busulla strategjike e Shqipërisë nuk mund dhe nuk do të largohet nga bashkësia euroatlantike”, tha Spiropali.
Spiropali iu bashkua gjithashtu Samitit “Western Balkans Forward”, organizuar nga Këshilli i Atlantikut. Aty Spiropali foli për “Imperativin gjeopolitik të zgjerimit të BE drejt Ballkanit Perëndimor”.
Ministrja theksoi se “procesi i zgjerimit të BE-së është një instrument gjeostrategjik që BE-ja duhet ta përdorë për Shqipërinë dhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si proces që garanton në thelb sigurinë europiane”.
“Ballkani Perëndimor nuk është më një zonë pas-konflikti, por një vijë e parë e sigurisë dhe e konkurrencës evropiane. Paqëndrueshmëria rajonale, ndikimi rus dhe presionet hibride e bëjnë zgjerimin më urgjent. Kjo e bën zgjerimin jo vetëm një proces transformues për vendet tona, por edhe një instrument për një Evropë më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të begatë. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përparojnë në procesin e zgjerimit, sepse një rajon i integruar në BE është padyshim më i sigurt, me më shumë bashkëpunim rajonal dhe më i begatë në fund. Zgjerimi duhet të trajtohet absolutisht si instrument sigurie dhe jo si mekanizëm burokratik shpërblimi“, tha Spiropali.
Ministrja nënvijëzoi se përveçse një proces i bazuar në meritë, zgjerimi është një proces i lidhur me kohën dhe se çdo zvarritje, përbën rrezik sigurie. Edhe për Shtetet e Bashkuara, sipas saj, zgjerimi është një interes strategjik.
“Ky ka qenë gjithmonë qëndrimi ynë. Pra po, një proces i bazuar në meritë, dhe ne besojmë plotësisht në këtë, sepse duhet të jetë një proces i besueshëm, por edhe transformues për vendet tona, për shtetin tonë dhe shoqëritë tona i bazuar në meritë, por edhe i lidhur me kohën. Çdo zvarritje, sipas nesh, përbën rrezik sigurie. Gjithmonë ka qenë kështu, por veçanërisht tani është bërë edhe më e dukshme. Vonesa krijon vakuum strategjik. E kemi diskutuar më herët këtë dhe nuk dua të përsëris, por vakuumi tërheq aktorë dhe ndikime dashakeqe, dhe kjo duhet shmangur me çdo kusht. Pyetja nuk është më nëse zgjerimi duhet të ecë me kujdes, por nëse vonesat janë shndërruar tashmë në rrezik sigurie”, tha Spiropali./kb
Monika Kryemadhi deklaroi në emisionin “Breaking” me Fiori Dardhën, në Top News se i vjen keq që Partia e Lirisë po shkon drejt shuarjes, duke theksuar se kjo situatë është pasojë e një procesi të qëllimshëm kriminalizimi të forcës politike që ajo ka ndërtuar prej vitesh.
“Më vjen keq që Partia e Lirisë është drejt shuarjes. Kam investuar gjithçka në këtë parti, i gjithë rrethi im, nëna ime, bashkëshorti im janë sot në duart e gjykatës, sepse duan të kriminalizojnë një parti politike që ishte risi në politikën shqiptare, një parti që kërkonte aleanca”, u shpreh Kryemadhi.
Sipas saj, problemet që po përjeton sot politika shqiptare nuk ekzistonin më parë, ndërsa theksoi se një pjesë e madhe e të burgosurve ndodhen në paraburgim.
“Sot kemi 80% të të burgosurve në paraburgim. Sot jemi Republika e SPAK-ut”, deklaroi ajo.
E pyetur nëse opozita mund të kthehet në një alternativë qeverisëse, Kryemadhi tha se problemi kryesor qëndron te metodologjia dhe mungesa e konsistencës.
Kryemadhi hodhi akuza të forta edhe për arrestimin e Ilir Metës, duke e cilësuar si rezultat të një marrëveshjeje mes dy partive të mëdha.
“Burgosja e Metës është marrëveshje e dy partive të mëdha për të vazhduar aferat”, deklaroi ajo.
Ajo pranoi se si ajo ashtu edhe Ilir Meta kanë bërë gabime, por theksoi se këto gabime lidhen me tejkalimin e kufijve në ndihmë të njerëzve.
“Meta dhe unë kemi gabimet tona. Kemi bërë më shumë sesa duhet për njerëzit. Nëse merr një doktor urgjence dhe i thua ‘kam filanin’, sot SPAK ta quan shpërdorim detyre. Ky ka qenë gabimi ynë”, u shpreh Kryemadhi.
Kryemadhi kritikoi ashpër mediat dhe politikën për heshtjen ndaj mënyrës së burgosjes së Ilir Metës, duke theksuar se për tetë muaj ai është lënë në harresë.
“Asnjë emision, asnjë gazetar, asnjë deputet i PL-së nuk foli për shkeljet e rregullave të burgosjes së Metës. U harrua në burg për tetë muaj, nuk shkoi askush ta takonte”, tha ajo./kb
Bashkia e Durrësit ka paralajmëruar qytetarët mëngjesin e kësaj të premteje se gjatë ditës së sotme mund të përballen me kushte të këqija moti, ndaj duhet të tregohen të kujdesshëm.
“Sipas të dhënave të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, ditën e premte qyteti i Durrësit pritet të përballet me reshje të dendura shiu, shtrëngata dhe erëra të forta.
Duke qenë se këto kushte atmosferike mund të sjellin problematika të ndryshme, u bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit me automjete dhe të marrin masa për sigurimin e objekteve në hapësira të jashtme.”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Durrësit, e cila gjithashtu bën me dije se ndodhet në gatishmëri të plotë.
Strukturat e ndërmarrjeve, emergjencave dhe policisë bashkiake thuhet se janë në terren dhe të angazhuara maksimalisht për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve dhe familjeve të tyre në çdo situatë problematike të mundshme./kb
Me afrimin e 14 shkurtit, ditën e Shën Valentinit, autoritetet në Kenya kanë nxitur një paralajmërim të fortë ndaj trendit të ri të dhurimit — buqetat e luleve të bëra me para të gatshme (cash bouquets). Banka Qendrore e Kenias (Central Bank of Kenya – CBK) tha se kjo praktikë është e paligjshme, sepse dëmton monedhën dhe shkel ligjin penal të vendit.
💸 Çfarë është “buqeta me para”?
Trend i përhapur kryesisht në rrjetet sociale ku llogaritet se njerëzit palosin, ngjisin ose kapin me këpucë banknota për t’i dhënë si dhuratë, zakonisht për Shën Valentinin, ditëlindje ose evente të tjera festive. Këto buqeta janë bërë shumë të kërkuara vitet e fundit dhe shpesh shoqërohen me lule të vërteta ose dekorime të tjera.
👮♂️
Përse paralajmëron CBK?
Banka Qendrore shpjegon se:
Palosja, ngjitja, kapja apo shpuarja e banknoteve dëmton integritetin e monedhës.
Këto veprime i bëjnë banknotat të paafta për tu përdorur në ATM-a, makinat e numërimit të parasë dhe pajisje të tjera bankare.
Kushton miliona shilinka zëvendësimi i parave që dëmtohen para kohe.
📜
Ligji penal dhe sanksionet
Sipas Kodi Penal të Kenias (neni që ndalon dëmtimin e monedhës), këto praktika konsiderohen shkelje penale. Ata që do të kapen duke bërë apo promovuar këto buqeta mund të përballen me **gjoba të rënda dhe deri në 7 vjet burg në rast të dënimit nga gjykatat.
🌺 Reagimet e publikut dhe bizneset
Vendimi i CBK ka shkaktuar reagime të ndryshme:
Disa qytetarë dhe të dashuruar e kanë pritur me lehtësim si një justifikim për të krijuar dhurata më të thjeshta dhe më të sigurta.
Të tjerë janë zhgënjyer, sepse buqetat me para janë bërë mjaft popullore dhe simbolikisht të rëndësishme në mjedisin lokal.
💡 Zgjidhje dhe alternativa
Floristët dhe shitësit e dhuratave tashmë po kërkojnë mënyra të reja dhe ligjore për të dhuruar para pa prekur banknotat:
Paratë vendosen në qese transparente ose letër dekorative pa u dëmtuar.
Dhurata me kartë bankare, ku shuma e parave tregohet në kartë, por monedha mbetet e paprekur.
Transfertë digjitale (p.sh. M-Pesa) dhe dhurata të tjera romantike si lule të vërteta, çokollata apo bizhuteri. /kb
Plani i administratës Trump për të shpërndarë një valë reaktorësh të vegjël bërthamorë futuristikë për të furnizuar epokën e inteligjencës artificiale po kthehet te një strategji e lashtë për të hequr qafe mbeturinat shumë toksike: varrosja në fund të një grope shumë të thellë.
Por ka një problem. Nuk ka asnjë gropë shumë të thellë, dhe stoku prej rreth 100 mijë ton mbeturinash radioaktive që ruhen përkohësisht në termocentrale dhe vende të tjera në Shtetet e Bashkuara po rritet gjithnjë e më shumë.
Për të zgjidhur këtë problem, Reuters shkruan se administrata amerikane tani po ofron një “karotë radioaktive”.
Shtetet po kërkohen të vullnetarizohen për të pritur një depo gjeologjike të përhershme për karburantin e përdorur, si pjesë e një kampusi objektesh që përfshijnë reaktorë të rinj bërthamorë, përpunimin e mbeturinave, pasurimin e uraniumit dhe qendrat e të dhënave, sipas një propozimi të publikuar nga Departamenti i Energjisë (DOE) javën e kaluar.
Kërkesa e tij për informacion (RFI) shënon një ndryshim të madh në politikë. Plani për të zgjeruar energjinë bërthamore tani kombinohet me një kërkesë për të gjetur një vend të përhershëm për mbeturinat dhe vendos vendimet në duart e komuniteteve lokale, vendime që vlejnë dhjetëra miliarda dollarë investime dhe mijëra vende pune, sipas një zëdhënësi të Zyrës së Energjisë Bërthamore të DOE.
“Duke i kombinuar të gjitha në një paketë, është çështje e vendosjes së karotave të mëdha pranë një objekti mbetjesh që është më pak i dëshirueshëm,” tha Lake Barrett, ish-zyrtar në Komisionin Rregullator Bërthamor të SHBA (NRC) dhe DOE. Ai shtoi se shtete si Utah dhe Tennessee tashmë kanë shprehur interes për investime në energjinë bërthamore.
Zyra bërthamore tha se kërkesa kishte nxitur interes, por nuk komentoi mbi shtete individuale, të cilat kanë 60 ditë kohë për të përgjigjur.
Presidenti Donald Trump dëshiron të katërfishojë kapacitetin e energjisë bërthamore të SHBA-ve, duke e çuar atë në 400 gigavat deri në vitin 2050, ndërsa kërkesa për energji elektrike rritet për herë të parë në dekada falë bumit të qendrave të të dhënave që nxisin inteligjencën artificiale dhe elektrifikimin e transportit.
Në vitin 2025, DOE zgjodhi 11 dizajne të reaktorëve të avancuar bërthamorë për licencim të shpejtë dhe synon të ndërtojë tre pilotë deri më 4 korrik të këtij viti.
Megjithatë, pranimi publik i energjisë bërthamore varet pjesërisht nga premtimi për të varrosur mbeturinat bërthamore thellë nën tokë, sipas studimeve të qeverive të SHBA-ve dhe Britanisë, si dhe Komisionit Evropian.
“Një strategji e plotë bërthamore duhet të përfshijë rrugë të sigurta dhe të qëndrueshme për disponim të fundit, dhe kjo mbetet një element i kërkuar i RFI-së,” tha zëdhënësi i Zyrës së Energjisë Bërthamore.
Përpjekjet e mëparshme për të gjetur një zgjidhje kanë hasur në kundërshtim të fortë lokal./kb
Qeveria shqiptare ka për qëllim që të rrisë pagat për ushtarakët në mesataren e NATO-s deri në vitin 2029. Kështu shprehet ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në një postim në rrjetet sociale.
Sipas tij, pagat do të vijojnë trajektoren e rritjes në këtë mënyrë: 60-70% për nivelet bazë dhe 30-40% për nivelet e larta të komandimit. “Forcimi i kapaciteteve njerëzore nuk vjen vetëm përmes trajnimeve, por edhe përmes pagave që reflektojnë përgjegjësinë, profesionalizmin dhe sakrificën”, shkruan Vengu./kb
Nisin sot në mbrëmje Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Kortina 2026 të cilat do të mbahen deri më datën 22 shkurt.
Nga ana sportive, Shqipëria përfaqësohet në këto Lojëra Olimpike nga 4 skiatorët Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.
Lara Colturi, e cila renditet e pesta në botë është pretendente për të fituar medalje olimpike. Gara kryesore e saj do të zhvillohet më 15 dhe 18 shkurt, ku ajo do të garojë për të siguruar një medalje për Shqipërinë.
Për çeljen e siparit të Lojërave Olimpike, do të organizohen tri ceremoni, një në San Siro Milano, një tjetër në Kortina, ku Lara Colturi do të mbajë flamurin shqiptar, dhe një e tretë në Borno./kb