Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 January 2026Main stream

Zjarri masiv në Tiranë, Anduela Ristani flet nga vendngjarja: Janë djegur magazinat

By: e xh
8 January 2026 at 21:59

Kryetarja e deleguar e Bashkisë Tiranë, Anduela Ristani, foli para mediave për zjarrin në lagjen “5 Maji” në kryeqytet.

“Jemi duke shuar vatrat e zjarrit, shumë të konsiderueshme, që është përhapur nga magazinat e parkut industrial, për shkak të vetëm materialeve që ka pasur brenda”, tha fillimisht Ristani.

“Është përhapur edhe në kapanonin e dytë. Nuk ka asnjë rrezikshmëri për përhapjen e zjarrit në qendrat e banuara. Jemi duke e kontrolluar për ta eliminuar deri në fund zjarrin në këtë zonë. Nuk ka asnjë dëm në njerëz”, theksoi më tej Ristani.

Sipas saj, “do të duhet pak kohë për ta vënë në kontroll të gjithë zjarrin”.

“Zona është goxha e madhe. Bizneset përreth nuk janë djegur, janë djegur vetëm magazinat”, shpjegoi Anduela Ristani.

“Lënë kasetat që janë në punë”, Fevziu kritikon ministrat: Kam 7 raste të skeduara

By: e xh
8 January 2026 at 21:55

Situata e ditëve të fundit anembanë Shqipërisë, por sidomos në pikat kritike të vendit ku ka pasur përmbytje si Durrësi, Vlora, Gjirokastra, Tirana duke kërcënuar jetën e qytetarëve dhe dëmtuar rëndë pronën e tyre, nxiti një reagim të fortë nga Blendi Fevziu. Drejtuesi i “Opinion” në Tv Klan bëri një kritikë të hapur gjatë emisionit të së enjtes në drejtim të ministrave për sjelljen e tyre.

“Unë kam marrë me qindra video në 48 orët e fundit nga familjarët që më tregojnë shtëpitë e tyre të zhytura në ujë deri në 50-60 cm lartësi, kam marrë video nga biznese që iu janë përmbytur makineri dhe makineria nuk evakuohet dot se kërkon specialistë çmontimi dhe që nuk i vendosin dot në punë të paktën edhe 60 ditë të tjera pasi të thahen.

Ka disa ditë, më ka bërë shumë përshtypje, një lloj sjelljeje e njerëzve që janë ëprgjegjës për situatën në Shqipëri, çdo lloj përgjegjësie flas. Çdo njeri që është përgjegjës, paguhet me kontributet e taksapagauesve shqiptarë dhe duhet t’u shërbejë këtyre qytetarëve shqiptarë. Nuk janë as pashallarë të këtij vendi, as kapobanda që të sillen si të duan me qytetarët e këtij vendi. Ministra, njerëz të niveleve të larta, kanë mësuar këtë vitin e fundit që nuk përballen me gazetarët, nuk mbledhin gazetarët t’iu flasin, por dalin në ecje sikur dalin në xhiro dhe iu flasin kamerës së tyre që filmon çfarëdo, e monton si do dhe më pas e nxjerrin në transmetim në gjithë televizionet”, tha Fevziu.

Më pas, duke shfaqur një video nga konferencat e Donald Trump dhe njerëzve më të rëndësishëm të SHBA-ve para gazetarëve dhe pyetjeve të tyre, shoqëruar nga një montazh i ministrave shqiptarë duke folur para kamerës ku nuk shihet asnjë gazetar a televizion, Fevziu përdori ton të ashpër:

“Kush janë këta që rrinë si modelë para kamerës që e kanë sjellë vetë? Përballë kameramanit që e kanë sjellë vetë? Që nuk iu japin përgjigje gazetarëve, që iu ikin, që njëherë kthejnë kokën majtas dhe njëherë kthejnë kokën djathtas. Këta janë njerëz që paguhen me taksat e qytetarëve shqiptarë, duhet t’u japin llogari qytetarëve shqiptarë dhe duhet t’u shërbejnë qytetarëve shqiptarë! Nuk janë pashallarët as të Vlorës, as të Durrësit, as të Tiranës!”

Fevziu tha se kjo metodë nuk përdoret askund.

Kjo formë sjelljeje nuk është formë mediatike, nuk ka, ju garantoj, nuk ka asnjë vend të globit veç Kim Jong Un që të përdorë atë metodë mediatike, nuk ka asnjë qeveri në glob, ju sfidoj për këtë! Nuk ka asnjë vend të globit që të dalësh në xhiro dhe t’i flasësh kameramanit tënd pa pasur përballë përgjegjës!

Më tej, gazetari tha se ka të paktën 7 raste të skeduara të ministrave (jo atyre të përfshirë në video) që kanë transmetuar inspektime në ditët e fundjavës, në të vërtetë kanë qenë në udhëtime private.

“Gjysmat e këtyre ministrave që i shihni, jo ky filmim se nuk dua të them, por në gjysmat e rasteve kur shihni ministrat ditët e diela pasdite që dalin në televizione duke inspektuar apo të shtunave paradite, dijeni se i kam me fakte, të paktën 7 prej tyre i kam të skeduara janë në udhëtime jashtë shtetit, janë në udhëtime private. Lënë kasetat që janë në punë. Këtë jua garantoj! Kam 7 raste të skeduara dhe do të vazhdojmë t’i skedojmë. Kjo s’është vetëm arrogancë. Kjo s’është vetëm shpërfillje ndaj atyre që të paguajnë rrugën. Është model që po shkakton dhënien e përgjegjësisë në shoqërinë shqiptare”, përmbylli Fevziu.

Senati amerikan miraton rezolutë për të kufizuar Trumpin në Venezuelë

By: e xh
8 January 2026 at 21:29

Senati i SHBA-së, me shumicë republikane, miratoi një rezolutë për ta penguar presidentin Trump të ndërmarrë veprime të mëtejshme ushtarake kundër Venezuelës pa autorizimin e Kongresit.

Me 52 vota pro dhe 47 kundër, senatorët i dhanë një goditje presidentit. Pesë republikanë votuan së bashku me demokratët për të kufizuar Trumpin. Tani masa kalon në Dhomën e Përfaqësuesve, ku rruga duket më e vështirë.

Pesë republikanët që votuan me demokratët janë Rand Paul, Todd Young, Lisa Murkowski dhe Josh Hawley.

“Kongresi duhet të ushtrojë autoritetin e tij për çështjet e luftës edhe kur një operacion ushtarak ka pasur sukses, përndryshe rrezikohet që vendi të qeveriset në gjendje emergjence”, tha senatori konservator Rand Paul.

Ai kishte votuar pro edhe rezolutave të tjera për të kufizuar fuqitë e luftës së Trumpit, të paraqitura nga demokratët muajt e fundit, në përgjigje të sulmeve kundër anijeve të trafikut të drogës. Sulmi në Venezuelë ka shkaktuar polemika në Kongres, me demokratët dhe disa republikanë thellësisht kundër. Në Dhomën e Përfaqësuesve, miratimi i masës pritet të jetë më i vështirë, pasi republikanët kanë shumicën, edhe pse të ngushtë.

Nëse rezoluta miratohet, Trump do të vendosë veton, kishte deklaruar Shtëpia e Bardhë përpara votimit, sipas agjencisë Bloomberg.

Vjosa doli nga shtrati dhe uji hyri në autostradën Vlorë-Fier, izolohen 6 fshatra

By: e xh
8 January 2026 at 21:00

Nënkalimi poshtë autostradës Vlorë-Fier që lidhë disa fshatra të Njësisë Administrative Novoselë është bllokuar nga uji i lumit Vjosa që ka dalë dhe po përmbyt këtë zonë.

Niveli ka shkuar 1.5 m dhe asnjë makinë nuk kalon dot. Izolohen edhe 6 fshatra.

Uji i lumit Vjosë që ka dalë nga shtrati, ka hyrë edhe në autostradën Vlorë- Levan.

Evakuime në lagjen 5 Maji në Tiranë, tregtarët nxjerrin mallrat nga magazinat

By: e xh
8 January 2026 at 20:48

Prej më shumë se 1 ore 60 efektivë dhe 11 mjete të shërbimit zjarrfikës po përpiqen të shuajnë flakët masive që kanë përfshirë disa magazina të tregut të rrobave të përdorura në lagjen 5 maji në Tiranë.

Ndërkohë, tregtarët kanë zbrazur magazinat e tjera që rrezikohen nga flakët, duke nxjerrë në rrugë ambiente të hapura mallrat që shesin.

Gjithashtu, policia po evakuon zonën përreth për shkak se pranë vatrës së flakëve raportohet të ketë bombola gazi.

Evakuohen familjet e rrezikuara nga përmbytjet në Ferras

By: e xh
8 January 2026 at 20:29

Janë evakuuar të gjitha familjet e rrezikuara nga vërshimi i ujrave në fshatin Ferras, pasi ujrat e Vjosës kanë kaluar argjinaturën e Ferrasit.

Kështu është shprehur në prononcimin për mediat zv/kryeministrja Belinda Balluku, e cila ndodhet në Ferras duke monitoruar nga afër situatën.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, ka theksuar se prurjet e orëve të fundit kanë qënë të atilla që kanë tejkaluar majën e argjinaturës, por ajo është ende e qëndrueshme.

Ndërsa për kryebashkiakun Subashi, sipas matjeve që janë bërë në fshatin Kashisht, brenda një ore niveli i ujit ka rënë 15 cm, çka pritet të reflektohet edhe në Ferras pas 2-3 orësh.

Tiranë/ Përfshihet nga flakët tregu i rrobave të përdorura te “5 Maji”

By: e xh
8 January 2026 at 19:34

Është përfshirë nga flakët mbrëmjen sotme tregu i rrobave të përdorura në lagjen 5 Maji në Tiranë.

Mësohet se përmasat e zjarrit janë të mëdha. Ndërkohë në vendngjarje kanë mbërritur 30 forca zjarrfikëse dhe 6 automjete.

Ende nuk dihen shkaqet dhe dëmet e shkaktuara.

Kush ia sugjeroi Trumpit idenë e “blerjes” së Groenlandës?

By: e xh
8 January 2026 at 19:21

Në qendër të lëvizjeve më të fundit gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara, në media po përflitet veçanërisht ndikimi i një biznesmeni në Shtëpinë e Bardhë. Qoftë në rastin e Venezuelës apo të Groenlandës, skema duket e njëjtë: miq të pasur të presidentit, investime të vendosura në momentin e duhur dhe nisma politike që mund t’i japin prestigj Trumpit, por edhe vlerë ekonomike kapitalit privat të hedhur më herët.

Në rastin e Groenlandës, personazhi kyç është Ronald Lauder, 81 vjeç, trashëgimtar i perandorisë së kozmetikës Estée Lauder dhe ish-shok shkolle i Trumpit në Wharton School of Business. Sipas një hetimi të përditshmes daneze Politiken, Lauder ka nisur së fundmi një seri investimesh në Groenlandë, duke e aktualizuar interesin amerikan për ishullin arktik.

Lauder është një donator i vjetër i kandidatëve konservatorë dhe ka dhuruar të paktën një milion dollarë për fushatat e Trumpit në vitet e fundit. Përtej mbështetjes financiare, ai ka qenë edhe burimi i një ideje konkrete politike: blerja e Groenlandës. Këtë e ka konfirmuar ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Trumpit, John Bolton, i cili ka deklaruar se ishte pikërisht Lauder ai që ia sugjeroi për herë të parë presidentit këtë ide, e cila më pas u diskutua në vitin 2019.

Versioni i Bolton përputhet me atë që shkruajnë gazetarët Peter Baker dhe Susan Glasser në librin The Divider (2021), ku Trump citon “një mik shumë të pasur” si autorin e idesë për Groenlandën. Nuk është e qartë se nga e ka marrë Lauder këtë sugjerim. Megjithatë, fakti që ai, si president i Kongresit Botëror Hebre, është takuar dy herë me Vladimir Putin në Kremlin, në vitin 2016 dhe në mars 2019, ka nxitur dyshime për një rol të mundshëm rus në nxitjen e kësaj ideje.

Së fundmi, edhe Kirill Dmitriev, i dërguar i Kremlinit, ka theksuar në rrjetet sociale presionet e Shtëpisë së Bardhë për Groenlandën. Interesi rus në këtë çështje shihet si strategjik: një përplasje e mundshme e SHBA-ve me Danimarkën në Arktik mund të shpërqendrojë Uashingtonin nga Ukraina dhe të relativizojë veprimet e Moskës ndaj Kievit. Megjithatë, nuk ka prova konkrete për një ndërhyrje direkte të Kremlinit në këtë proces.

Një episod i paqartë mbetet letra e rreme e vitit 2019, dërguar senatorit republikan Tom Cotton, që fliste për një referendum të Groenlandës për pavarësi nga Danimarka. Letra u konfirmua më pas si e falsifikuar dhe me autorë të panjohur.

Ndërsa letra ishte false, ajo që ishte e vërtetë është shoqëria e investimeve “Greenland Development Partners”, e regjistruar në Delaëare, ku Lauder ka kapitale dhe interesa veçanërisht  në sektorët e ujit dhe energjisë. Një model i ngjashëm shihet edhe në Venezuelë.

Sipas Fiona Hill, ish-zyrtare e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Rusia i propozoi administratës Trump në vitin 2019 një marrëveshje joformale: dorë të lirë për SHBA-në në Venezuelë, në këmbim të lirisë së veprimit për Moskën në Ukrainë. Oferta u refuzua, por interesat ekonomike të rrethit të Trumpit nuk kanë ndaluar.

Së fundmi, investitori Paul Singer, donator me 5 milionë dollarë në fushatën e fundit të Trumpit, ka blerë tre rafineri në Gjirin e Meksikës të përshtatshme për naftën e papërpunuar venezueliane. Vetëm pak ditë më pas, administrata amerikane njoftoi se do të importojë naftë nga Karakasi, duke e bërë edhe më të dukshëm ndërthurjen mes politikës, diplomacisë dhe interesave private.

 

Policia rrugore i bën apel drejtuesve të automjeteve: Përdorni goma dimërore

By: e xh
8 January 2026 at 18:29

Policia rrugore i ka bërë thirrje drejtuesve që të kenë kujdes në qarkullim për shkak të kushteve të rënduara në akset rrugore si pasojë e motit të keq.

Gjatë inspektimit të situatës në terren pasditen e sotme, drejtuesi i Policisë Rrugore Perlat Vatoci, iu ka bërë apel të gjithë drejtuesve të automjeteve të përdorin goma dimërore dhe pajisje antirrëshqitëse.

Njoftimi i Policisë Rrugore:

Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, gjatë pasdites së sotme ka inspektuar shërbimet e Policisë Rrugore në Rrugën e Arbërit, për të parë nga afër situatën dhe për të komunikuar me punonjësit e Policisë që janë të angazhuar në këtë aks rrugor dhe, nëpërmjet tyre, për t’iu përcjellë një mesazh të gjithë drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë në zona malore ku ka prezencë të reshjeve të dëborës:

“Të gjithë drejtuesit e automjeteve të përdorin mjetet antirrëshqitëse (zinxhirë) dhe goma dimërore, pasi Policia Rrugore ka marrë detyrë dhe urdhër të prerë që të ndëshkojë çdo drejtues automjeti që nuk zbaton me rigorozitet rregullat e qarkullimit në raste të tilla.

Drejtuesi Vatoci ka apeluar për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit dhe që, për çdo rast nevoje, të telefonojnë në 112 dhe të kontaktojnë me shërbimet e Policisë në terren.

Ndërkohë, po bashkëpunohet me firmat kontraktore për mirëmbajtjen e akseve rrugore, me qëllim pastrimin në kohë dhe hedhjen e kripës.

Si pasojë e motit të keq, shërbimet e Policisë Rrugore janë 100% në detyrë, krahas shërbimeve të tjera të Patrullave të Përgjithshme, Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë, të cilat vijojnë punën për t’iu shkuar në ndihmë qytetarëve në zona që kanë problematika për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe dëbore, si dhe për të menaxhuar trafikun rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Pogradec/ Dëmtohet rruga nga reshjet e shiut

By: e xh
8 January 2026 at 17:10

Moti i keq në Pogradec ka shkaktuar probleme të shumta, ku prurjet e lumit të Vërdovës kanë dëmtuar rrugën duke e bërë të vështirë qarkullimin e mjeteve.

Drejtori i Emergjencave në Bashkinë e Pogradecit, Nexhmi Torra, deklaroi se lumi i Vërdovës prej vitesh mbetet një problem serioz për zonën, duke shkaktuar dëme në tokat bujqësore e banesa si pasojë e daljes nga shtrati nga reshjet.

Sipas Torrës, Bashkia e Pogradecit ka punuar prej kohësh për gjetjen e një zgjidhjeje, duke paraqitur kërkesa të shumta pranë institucioneve përkatëse. Megjithatë, për shkak të gjendjes së kufizuar financiare të bashkisë dhe komunitetit, është kërkuar ndihmë nga qeveria qendrore.

‘Lumi i Vërdovës ka qenë një problem i hershëm. Bashkia e Pogradecit ka punuar prej kohësh për të zgjidhur këtë problem, kemi bërë edhe kërkesa në institucionet përkatëse. Gjendja e financiare e bashkisë është e vogël dhe i jemi drejtuar qeverisë për ndihmë. Kemi folur me të gjitha institucionet. Kryetari i bashkisë ka folur me institucionet dhe ato janë të gatshme, por ne jemi ende në fazën e aplikimit për financim.

Lumi i Vërdovës shkakton probleme në tokat bujqësore dhe në familje. Ka disa familje që kanë bërë raportime. Kemi informuar kompanitë e qarkullimit rrugor dhe të format e mirëmbajtjes që të tregojnë kujdes, sepse kjo rrugë mund të bllokohet herë pas here. Meqë një rrugë bllokohet, kemi dhënë paralajmërim edhe për tjetrën, sepse edhe ajo mund të bllokohet herë pas here’, tha ai.

Dëborë dhe ngrica në Qafën e Llogarasë, bllokohet qarkullimi

By: e xh
8 January 2026 at 17:08

Qarkullimi i automjeteve në Qafën e Llogarasë është bllokuar për shkak të reshjeve të dëborës dhe ngricave të krijuara në rrugë nga temperaturat e ulëta.

Policia ka vendosur efektivë në zonë dhe ka ndaluar përkohësisht lëvizjen e mjeteve në këtë segment rrugor, për të garantuar sigurinë e përdoruesve të rrugës.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të shmangin këtë aks dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

Borë dhe ngrica në Qafën e Llogarasë, bllokohet qarkullimi

Përmbytjet masive në Durrës, evakuohen 90 banorë nga Katundi i Ri dhe Sukthi

By: e xh
8 January 2026 at 16:36

Rreth 90 banorë janë janë evakuar nga Katundi i Ri dhe Sukthi. Mësohet se personat e evakuar janë strehuar në struktura hoteliere. Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë përmbytje të shumta në qarkun e Durrësit, ku si pasojë humbi jetën edhe një person.

Nga përmbytjet është prekur jo vetëm Durrësi, por edhe disa qarqe të tjera në Shqipëri si Lezha, Gjiroksatra, Korça, Vlora e Fieri. Sëfundmi situata më alarmante paraqitet në fshatrat përreth lumit Vjosa në Vlorë e Fier, pas daljes së tij nga shtrati.

Kosovë/I shkaktuan dëm në vlerë prej 1 mln euro Byrosë të Sigurimit, 39 të arrestuar

By: e xh
8 January 2026 at 16:33

Autoritetet kosovare kanë arrestuar 39 persona të enjten gjatë bastisjeve në të gjithë vendin si pjesë e një hetimi kundër dy ish-drejtuesve të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), të cilët dyshohen për keqpërdorime që i kanë shkaktuar dëme byrosë në vlerë mbi 1 milion euro.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, tha në një konferencë për media se subjekt i hetimeve që nisën në marsin e vitit të kaluar janë ish-drejtori ekzekutiv, Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Financave i BKS-së, Valon Berisha.

Mazreku dhe Berisha, të cilët u arrestuan gjatë bastisjeve të sotme, dyshohen se kanë keqpërdorur autorizimet e BKS-së duke u mundësuar personave të ndryshëm, dhe përmes tyre edhe të kryejnë transaksione të jashtëligjshme.

Kryeprokurori Kryeziu tha Mazreku e Berisha “kanë arritur përfitime të mëdha për vete dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së”.

“Po ashtu, ata kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, ku deri në këtë fazë kemi vlerësuar se ato dokumente të dyshuara kanë përdorur për përfitime personale dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro”, tregoi Kryeziu.

Prokurorët kanë sekuestruar 23.700 euro, ar, aksesorë, orë dore të ndryshme dhe pajisje elektronike gjatë bastisjeve, njoftoi Kryeziu.

Ai shtoi se në bashkëpunim të ngushtë me inteligjencën financiare, janë ngrirë 1.3 milion euro.

Më herët, BKS-ja tha se sa i përket këtij aksioni ai është iniciuar nga vetë byroja në cilësinë e palës së dëmtuar “rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm”.

BKS-ja shtoi se ka vënë në dispozicion autoriteteve të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.

Kryeziu tha se subjekt i bastisjeve ishin 47 persona, por kur u pyet nga gazetarët pse një pjesë e tyre nuk u ndaluan, ai tha se “pjesa tjerë e të dyshuarve ndodheshin jashtë vendit apo nuk ishin të pranishëm”.

Ai tregoi se prokurorët kanë arritur të gjejë 166 transaksione të dyshimta si prova për këtë rast. Shuma më e vogël e një transaksioni ishte 6.800 euro, ndërsa më e larta 68.000 euro, sipas tij.

Bastisjet u kryen në pjesë të vendit, si Prishtina në Prizren, Mitrovicë, në Pejë, në Klinë, Rahovec, Obiliqi, Gjilan, Ferizaj e Dragash. Kryeziu paralajmëroi se autoritetet do t’i vazhdojnë hetimet për këtë rast./REL

Begaj për përmbytjet: Banorët të ndjekin udhëzimet e strukturave për evakuimin

By: e xh
8 January 2026 at 15:56

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, po ndjek me shqetësim situatën e krijuar nga reshjet intensive në vend.

Presidenti i Republikës është në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e institucioneve qendrore dhe vendore, me Strukturat e Emergjencave Civile si dhe me Forcat e Armatosura, për përballimin e situatës së përmbytjeve.

Kreu i Shtetit fton qytetarët të mirëkuptojnë dhe bashkëpunojnë me ta me qëllim që kjo situatë të kalojë me sa më pak pasoja.

Presidenti i Republikës  fton në mënyrë të veçantë banorët në zonat e përmbytura të ndjekin udhëzimet e strukturave përgjegjëse për evakuim të shpejtë dhe të sigurt.

Në këto momente të vështira jeta e çdo qytetari është mbi gjithçka.

Silvinjo dhe zëvendëstrajnerët rinovojnë kontratat me FSHF

By: e xh
8 January 2026 at 14:40

Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizon rinovimin e kontratës me trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Júnior (Silvinjo), si edhe me dy zëvendëstrajnerët e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior, duke konfirmuar vazhdimësinë e projektit teknik që ka sjellë rezultate historike për futbollin shqiptar.

Kontrata e re me stafin teknik do të jetë e vlefshme deri në korrik 2026, me objektivin madhor kualifikimin për herë të parë në histori të Shqipërisë në fazën finale të Kupës së Botës.

Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, Kombëtarja shqiptare ka shënuar një progres të dukshëm në organizim, identitet loje dhe rezultate, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën play-off të Botërorit 2026.

Në muajin mars, kuqezinjtë do të luajnë një kapitull historik, duke u përballur në gjysmëfinalen e play-off-it me Poloninë, më 26 mars, ndërsa në rast kualifikimi, në finalen vendimtare do të përballen me fituesin e çiftit Ukrainë – Suedi.

Vendimi për rinovimin e kontratës reflekton besimin e plotë të FSHF-së në stafin aktual, filozofinë e punës së ndërtuar ndër vite dhe angazhimin për stabilitet, vazhdimësi dhe ambicie të larta. Ky hap synon forcimin e mëtejshëm të Kombëtares, rritjen e konkurrencës dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Federata Shqiptare e Futbollit mbetet e vendosur të mbështesë maksimalisht Kombëtaren dhe stafin teknik në këtë rrugëtim historik, me synimin për të kthyer ëndrrën e Botërorit në realitet për të gjithë shqiptarët.

Dimri mbërthen Europën: Kaos në trafik nga dëbora dhe ngricat

By: e xh
8 January 2026 at 14:26

Dimri po mban në “kthetrat” e veta rajone të tëra në Europë. Në Holandë për të dytën ditë radhazi ka pasur anulime fluturimesh në aeroporte. Në Paris u ndërpre përkohësisht qarkullimi i autobusëve.

Reshje të dendura dëbore dhe temperaturat me ngrica po shkaktojnë probleme në mbarë Europën. Në Holandë në aeroportin e Amsterdamit Schiphol u anuluan mbi 700 fluturime gjatë dy ditëve të fundit. Mbi 1.000 pasagjerëve u është dashur të kalojnë natën në aeroport duke fjetur në dyshekë palosës, sikurse njofton aeroporti në faqen e vet të internetit. Autoritetet e aeroportit parashikojnë, që moti dimëror me erëra të forta do të vazhdojë. Edhe qarkullimi i trenave në Holandë ka pasur pengesa dhe anulime duke u paralizuar pjesërisht prej reshjeve të borës.

Dimri mbërthen Europën: Kaos në trafik nga bora dhe ngricat

Edhe në Francë moti ka shkaktuar probleme në qarkullim. Në Paris përkohësisht në të gjithë qytetin u ndërpre shërbimi urban i autobusëve. Edhe në qarkullimin e tramvajeve, metrosë dhe trenave rajonal ka pasur pezullime. Në aeroportet e Parisit u reduktuan fluturimet. Rrallëherë vitet e fundit shtresa e borës ka qendruar kaq gjatë në Paris. Edhe në veri të Francës si në Lille ka pasur vështirësi në qarkullim. Në mbarë vendin në autostrada ka pasur pengesa me rreth 1.650 kilometra gjithsej, sikurse shkruan gazeta Le Parisien. Si pasojë e aksidenteve rrugore në Francë kanë humbur jetën gjithsej pesë vetë.

Stuhia e presionit të ulët “Elli” sjell më shumë borë

Gjermania ditët e ardhshme gjithashtu pritet të ketë mot të trazuar: Pas reshjeve të ditëve të fundit pritet një valë më intensive bore deri të premten. Më pas vala e presionit të ulët do të lëvizë drejt Europës Qendrore duke sjellë borë dhe akull, njofton shërbimi sinoptik i Gjermanisë (DWD). Meteorologët parashikojnë për të premten (09.01.2026) në veri dhe në lindje një valë stuhie me drejtim lindjen. Kjo do të çojë në uljen e temperaturave shoqëruar edhe me reshje bore./DW/

PD kërkesë qeverisë: Shpallni gjendjen e fatkeqësisë natyrore, kompensoni banorët

By: e xh
8 January 2026 at 14:19

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi i është drejtuar me një kërkesë zyrtare qeverisë që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore për qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, si dhe për të bërë vlerësimin e plotë dhe objektiv në vlerën reale të dëmeve dhe kompensimin e plotë financiar për dëmet ndaj banorëve të prekur.

Gjithashtu, grupi parlamentar i PD i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit që të marrë masat që Këshilli i Ministrave të informojë Kuvendin për situatën e krijuar, rreziqet që paraqiten dhe masat e marra për menaxhimin e situates.

Më poshtë letra e plotë të Kryetari të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, drejtuar Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile:

Prej disa ditës rajone të caktuara të vendit, kryesisht në qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, janë duke vuajtur pasojat e rënda të fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga përmbytjet dhe vërshimet e ujit, të cilat për fat të keq kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, prona, dhe biznese të qytetarëve shqiptarë. Gjatë ditës së sotme, është raportuar gjithashtu që një qytetarë nga Durrësi ka humbur jetën për këtë shkak.

Nga vlerësimi i përgjithshëm i situatës rezulton se gjendja është e rëndë dhe se strukturat e shtetit deri në këtë moment nuk po veprojnë në të gjithë territorin e vendit, të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, me kapacitet të plotë dhe se nuk po i gjenden pranë banorëve të prekur.

Sipas nenit 4, të ligjit nr. 45/2019, “Çdo person ka të drejtën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera. 2. Në rastet e fatkeqësive natyrore dhe të fatkeqësive të tjera, mbrojtja dhe shpëtimi i jetës së njerëzve kanë prioritet mbi çdo aktivitet tjetër të mbrojtjes civile”. Po kështu, sipas nenit 41 të ligjit nr. 45/2019, shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie. Në çdo rast, kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, kompensimi mund të bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit, dhe se masa e kompensimit të dëmeve, procedurat, afatet, strukturat shtetërore përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve, si dhe pasuritë dhe subjektet që kompensohen miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në këtë kushte, ne deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë vlerësojmë se janë përmbushur kushtet dhe rrethanat sipas ligjit nr. 45/2019 dhe vendimit nr. 158, datë 17.03.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kritereve dhe procedurave për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zonat e prekura dhe konkretisht në qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier. Është e pakuptueshme arsyet se përse Këshilli i Ministrave nuk e ka ndërmarrë ende një procedurë të tillë, duke krijuar pasiguri tek qytetarët për përballimin e kësaj fatkeqësie natyrore. Mosshpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore do të pamundësonte dëmshpërblimin e plotë të banorëve të prekur nga kjo situatë dhe do të ishte një akt i rëndë papërgjegjshmërie institucionale.

Për këtë arsye, në përputhje me shkronjën “b” të nenit 17 të ligjit nr. 45/2019, ku përcaktohet se “Kuvendi ushtron kontroll parlamentar për çështje që kanë lidhje me mbrojtjen civile”, si dhe shkronjës “ç” të nenit 18, nenit 39, pika 1 dhe 41 të ligjit nr. 45/2019, ku specifikohet se: “Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit”, kërkojmë:

  1. Shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore rajonale, vetëm për qarqet e prekura nga përmbytjet dhe vërshimet e ujit, konkretisht qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.
  2. Gjendja e emergjencës dhe shpallja e fatkeqësisë natyrore të klasifikohet “për përmbytjet dhe vërshimet e ujit, që vijnë si rezultat i rritjes në nivele kritike të ujit, nga faktorë gjeologjikë, atmosferikë apo njerëzorë, në shtratin e lumenjve, në nivelin e liqeneve apo në batica bregdetare, që kanë mbuluar përkohësisht me ujë sipërfaqe toke në atë nivel që përbëjnë rrezik për njerëzit, banesat dhe infrastrukturën”.
  3.  Vlerësimin e plotë dhe objektiv në vlerën reale të dëmeve dhe kompensimin e plotë financiar për dëmet ndaj banorëve të prekur, sipas të drejtës që i njeh neni 41 i ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”. Masa e dëmshpërblimit të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave pa vonesa dhe të mbulohet nga fondet e Buxhetit të Shtetit.

Përsa më lart, ne deputetët e opozitës kërkojmë nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen civile dhe nga Këshilli i Ministrave, zbatimin e menjëhershëm të ligjit nr. 45/2019 dhe vendimit nr. 158/2021 të Këshillit të Ministrave. Mosveprimi në kohë nga ana juaj, do të ishte një papërgjegjshmëri kriminale, me pasoja të rënda për qytetarët shqiptarë.

Gjithashtu, në përputhje me shkronjën “d”, të nenit 18 të ligjit nr. 45/2019, kërkojmë që Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë të marrë masat që Kuvendi i Shqipërisë të informohet menjëherë nga Këshilli i Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës, për situatën e krijuar, rreziqet që paraqiten dhe masat e marra për menaxhimin e situates.

Deklaratat e Trump, banorët në Groenlandë: Nuk jemi në shitje

By: e xh
8 January 2026 at 14:17

“Populli i Groenlandës nuk dëshiron të bëhet amerikan,” i thotë BBC-së Mia Chemnitz. “Ne nuk jemi në shitje.” Biznesmenia 32-vjeçare nga kryeqyteti Nuuk pasqyron ndjenjat e shumë banorwve nw Groenlandw që kanë folur për BBC-në lidhur me aspiratat e fundit të administratës Trump.

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se po diskuton “aktivisht” një ofertë për blerjen e territorit, i cili prej shekujsh i përket Danimarkës. Presidenti amerikan Donald Trump dhe zyrtarë të tij kanë lënë më herët të kuptohet se, nëse do të ishte e nevojshme, SHBA do të ishte e gatshme ta merrte Groenlandën edhe me forcë. Këto deklarata kanë shkaktuar ankth dhe zemërim te banorwt, si në ishullin më të madh në botë, ashtu edhe në diasporë.

Tensioni u rrit edhe më shumë pasi SHBA transferoi presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, nga rezidenca e tij në Karakas në Nju Jork, me akuza për trafik droge dhe narco-terrorizëm — një veprim ushtarak i paprecedentë. Menjëherë pas kësaj, bashkëshortja e një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë la të kuptohej se “radha” i takonte Groenlandës.

“Këtu ndaloi së qeni diçka abstrakte,” thotë Tupaarnaq Kopeck, 40 vjeçe, e cila është shpërngulur në Kanada — një tjetër vend që Trump ka kërcënuar ta aneksojë. “Për herë të parë, kontaktova motrën time në Groenlandë dhe i thashë se, nëse e paimagjinueshmja do të bëhej realitet, do të kishin një vend ku të strehoheshin tek ne.”

Aaja Chemnitz, një nga dy deputetet e Groenlandës në parlamentin danez, i quan komentet e administratës Trump “një kërcënim të qartë” dhe shprehet se është “e tmerruar”.
“Është krejtësisht mosrespektuese nga ana e SHBA-së të mos përjashtojë aneksimin e vendit tonë dhe të kërcënojë një tjetër aleat të NATO-s,” thotë ajo.

Groenlanda është territori më pak i populluar në botë. Me pjesën më të madhe të ishullit të mbuluar nga akulli, shumica e popullsisë jeton në Nuuk dhe përgjatë bregdetit jugperëndimor. Megjithatë, ajo ka rëndësi të madhe strategjike për SHBA-në, çka shpjegon edhe praninë ushtarake amerikane që nga Lufta e Dytë Botërore.

Pozicioni i Groenlandës midis Amerikës së Veriut dhe Arktikut e bën atë kyçe për sistemet e paralajmërimit të hershëm ndaj sulmeve raketore. Së fundmi, është shtuar edhe interesi për burimet natyrore, përfshirë mineralet e rralla, të cilat po bëhen më të aksesueshme për shkak të shkrirjes së akullit nga ndryshimet klimatike.

“Nuk është e lehtë të jesh 56 mijë banorë dhe të përballesh me këto kërcënime — nëse mund t’i quajmë të tilla — nga një gjigant si SHBA,” thotë Masaana Egede, redaktor i gazetës groenlandeze Sermitsiaq. “Qytetarët janë të shqetësuar dhe nuk e marrin këtë çështje lehtë.”

Ekspertët përgjithësisht bien dakord se një ndërhyrje ushtarake amerikane në Groenlandë do të ishte e lehtë nga ana teknike, por pasojat gjeopolitike do të ishin shkatërruese, duke rrezikuar fundin e aleancës së NATO-s. Pas rihapjes së çështjes së Groenlandës nga Shtëpia e Bardhë, gjashtë aleatë europianë lëshuan një deklaratë ku theksuan se e ardhmja e territorit duhet të vendoset nga vetë populli i tij — diçka për të cilën Mia shprehet mirënjohëse. Megjithatë, ajo shqetësohet se kjo mund të ketë pak peshë nëse “nuk shoqërohet me pasoja dhe veprime konkrete”.

Dëbora bllokon rrugën Librazhd-Peshkopi, asnjë masë për pastrimin e rrugës

By: e xh
8 January 2026 at 13:46

Reshjet e dëborës kanë shkaktuar probleme në shumë qarqe të vendit.

Në aksin rrugor Librazhd-Peshkopi, në vendin e quajtur kthesa e Lunikut janë bllokuar automjetet për shkak të dëborës. Deri më tani nuk është marrë asnjë masë për pastrimin dhe kriposjen e rrugës.

Tashmë prej tre ditësh vendi ynë është përfshirë nga moti i keq. Në 48 orët e para reshjet e shiut shkaktuan përmbytje në disa qytete, ndërsa gjatë natës kanë nisur reshjet e dëborës, kryesisht në veri dhe juglindje.

❌
❌