Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar lart marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke theksuar se partneriteti mes dy vendeve po thellohet dhe po shndërrohet në një aleancë vizioni.
Gjatë vizitës së saj zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Osmani u shpreh se ky partneritet ka lindur në kohë sfidash dhe është ndërtuar mbi besim të qëndrueshëm dhe angazhim të ndërsjellë.
“Një partneritet që lindi në kohë sfidash dhe sot po thellohet si aleancë vizioni, duke dëshmuar se miqësia e vërtetë ndërtohet me besim të qëndrueshëm dhe angazhim të ndërsjellë”, ka deklaruar Osmani në një video që ka shpërndarë nga kjo vizitë.
Presidentja Osmani ka theksuar se Emiratet e Bashkuara Arabe mbeten një partner i rëndësishëm strategjik për Kosovën, ndërsa vizita e saj synon forcimin e bashkëpunimit bilateral në fusha me interes të përbashkët.
Qytetarët e frustruar për shkak të paralajmërimit të ngritjes së çmimit të energjisë elektrike protestuan sot para KEDS-it dhe Qeverisë. Pati edhe hedhje të tymosjes në drejtim të objektit të KEDS-it, derisa një i moshuar është arrestuar.
Protestuesit shprehin pakënaqësinë e tyre lidhur me rritjen e të faturave të energjisë elektrike nga viti i kaluar e deri më tani.
Ata thonë se kjo situatë është e papërballueshme për familjet, pensionistët dhe shtresat me të ardhura të ulëta, në një kohë kur janë rritur ndjeshëm edhe çmimet e ushqimeve, bukës dhe mallrave bazë, gjë që po e vështirëson çdo ditë e më shumë jetesën.
Protestues nga qyteti i Ferizajt, Bastri Mustafa, tregon se padrejtësisht janë shtrenjtuar faturat e energjisë elektrike prej vitit të kaluar e deri më tash.
“Kjo është diçka katastrofale për jetën tonë që jetojmë në Kosovën e lirë. 146 euro më ka ardhë rryma për 1 muaj ditë. Unë ia dal ndoshta, unë jam pensioner edhe me një djalë jam, ama çka me bo një person që i ka 4 a 5 persona, çka do të han ai, a duhet me mendu qeveria për ata njerëz apo çetat i kanë mashtru, ka 100 euro ua kanë dhënë edhe çmimet në anën tjetër në hava. A mendon që faturat e rrymës janë rritur padrejtësisht? Normal, ajo dihet… 70 euro është më shumë e shtrenjtuar prej vitit të kaluar”, tha Mustafa.
Inxhinieri i elektroteknikës dhe ish-punonjësi i KEK-ut, Sylejman Krasniqi, ndan shqetësimet e rritjes së faturave të rrymës, duke e cekur se është shumë e vështirë për atë.
“Shumë shtrenjtë. Në KEK nuk ka pas kështu rritje, çdo muaj ka 50 apo 40 përqind. Ja me mbyt nënën, ja babën për me ble gjëra të nevojshme për shtëpi, as sheqer, as kripë, as biber, as… krejt senet u shtrenjtun. Tash ka me u rrit buka, krejt: me zejtari, me sheqer, me tesha, me këmisha, me maica, me krejt kanë me u rrit. S’ka pare mo, s’ka. Për ato po rrehen gjinia, po shkojnë në burg. Nuk e di vallë, se unë as nuk guxoj me mendu atë, se veç me mbyt veten”, theksoi Krasniqi.
I burgosuri politikë, Avdi Xhata është shprehur i revoltuar nga kjo situatë.
“Qeveri kriminale i ka lënduar me qindra policë, që sot këta fëmijët tanë të mjerë e kapin prindërit e tyre pse kundërshton shtrenjtimin e rrymës. Unë plak 70-vjeçar kam me i pri këtij populli për ta përmbys këtë qeveri, qeveri kriminale. Ai kryeministër që ik prej popullit nuk është kryeministër i popullit të Kosovës”, tha Xhata.
Qytetarët kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të rishikojnë urgjentisht politikat e çmimeve të energjisë elektrike dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për familjet që mezi po përballojnë shpenzimet mujore./KosovaPress
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Rainer Rudolph, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën paszgjedhore.
Gjatë takimit, Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Rudolph me qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me rrethanat politike aktuale, duke theksuar domosdoshmërinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja, stabile dhe funksionale.
Kryetari i LDK-së vuri në pah nevojën urgjente për stabilitet institucional dhe përgjegjësi politike, duke nënvizuar se qytetarët presin një shtet që u shërben atyre, garanton zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie sociale.
Po ashtu, Abdixhiku shprehu mirënjohje të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar se ajo ka qenë dhe mbetet një partnere kyçe dhe aleate e rëndësishme e Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit dhe konsolidimit demokratik të saj.
Takimi u vlerësua si pjesë e komunikimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për tejkalimin e sfidave politike dhe forcimin e institucioneve demokratike në vend.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 kryesuesve të qendrave të numërimit, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Gjakovës.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ka zhvilluar veprime intensive hetimore lidhur me dyshimet për manipulim të rezultateve të votimit brenda subjekteve politike.
Në kuadër të këtyre veprimeve, janë intervistuar gjithsej 22 kryesues, të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në procesin e falsifikimit të rezultateve gjatë numërimit të votave.
Të dyshuarit ngarkohen me veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 22 kryesuesit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria ka paraqitur kërkesë pranë gjykatës kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe se do t’i trajtojë me prioritet të gjitha veprat penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve./Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka nisur hetime lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave gjatë procesit të numërimit për zgjedhjet parlamentare, në komunat që janë nën kompetencën territoriale të kësaj prokurorie.
Sipas njoftimit zyrtar, më 22 janar 2026 Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të sigurimit të provave relevante dhe identifikimit të personave përgjegjës për manipulime të mundshme të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Pas veprimeve hetimore dhe takimeve koordinuese mes Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, si dhe pas pranimit të raporteve fillestare, Prokuroria ka bërë të ditur se në komunën e Ferizajt, nga 153 vendvotime të përfshira në raport, keqpërdorimet kanë qenë në përqindje të ulët. Konkretisht, vetëm një kandidat ka pasur shtim prej shtatë votash, ndërsa për kandidatët e tjerë janë evidentuar shtesa prej një deri në tre vota.
Edhe në komunën e Hanit të Elezit, përqindja e manipulimeve të konstatuara është e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt.
Ndërkaq, në komunën e Shtimes janë evidentuar manipulime në tri qendra votimi, me një përqindje më të lartë të shtimit të votave. Sipas raportit, për tre kandidatë janë regjistruar shtesa që variojnë nga dhjetë deri në 45 vota.
Në lidhje me këto raste, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të intervistojë kryesuesit e qendrave të numërimit në Ferizaj dhe Han të Elezit, si dhe komisionerët dhe kryesuesit në cilësinë e të dyshuarve në komunën e Shtimes.
Sa i përket komunave të Kaçanikut dhe Shtërpcës, Prokuroria ka bërë të ditur se është ende në pritje të raporteve përfundimtare nga ana e Policisë së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka theksuar se hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve, përveç rasteve kur paraqiten rrethana të reja që kërkojnë veprime shtesë hetimore.
Në fund, Prokuroria ka ritheksuar angazhimin e saj për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor, duke theksuar se çdo rast i dyshuar do të trajtohet në përputhje me ligjin./Telegrafi/
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit në Washington, një ngjarje prestigjioze ku mori pjesë edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, si dhe liderë të lartë politikë dhe institucionalë nga e gjithë bota.
Ky manifestim tradicional, i cili organizohet që nga viti 1953, mbahet çdo të enjte të parë të muajit shkurt dhe përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme shpirtërore dhe institucionale në SHBA.
Lutjet Nacionale të Mëngjesit mbledhin anëtarë të Kongresit Amerikan, politikanë, liderë ushtarakë, si dhe mysafirë nga mbi njëqind vende të botës.
Pjesëmarrja e Prof. Dr. Edmond Hajrizi në këtë ngjarje të rëndësishme përbën një moment domethënës për përfaqësimin akademik dhe institucional të Kosovës në një platformë globale me ndikim të veçantë.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme u prit në Kongresin Amerikan nga Kongresmeni Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën dhe iniciues i “Projektligjit për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës”.
Ky projektligj kërkon monitorimin dhe raportimin nga Departamenti i Shtetit Amerikan mbi trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Gjatë takimit, Spiropali theksoi se nisma e Kongresmenit Self, përfaqëson një hap të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e problemeve serioze me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe adresimin e tyre institucional.
“Shqipëria mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata ndodhen, në bashkëpunim me aleatët tanë”, deklaroi Spiropali.
Vizita e Spiropalit në Uashington do të vijojë me takimet në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në disa organizata e think-tanke të mendimit politik me fokus zhvillimet e fundit globale.
Këtë të enjte, Spiropali ka zhvilluar edhe disa takime në Senatin Amerikan, me fokus bashkëpunimin dhe koordinimin për çështje me interes të përbashkët mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.
Në takimin me senatoren Elissa Slotkin, u trajtua koordinimi strategjik për çështjet e sigurisë, bashkëpunimit ekonomik e politik mes dy vendeve.
Spiropali theksoi në një mesazh në rrjetet sociale se “si përfaqësuese e Michiganit, Senatorja Slotkin vlerëson rolin aktiv të komunitetit të madh shqiptar në zonën e saj”.
Vigan Qorrolli nga Lëvizja Vetëvendosje ka komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.
Qorrollit ka thënë se Kushtetuesja ka ndryshuar precedent për më pak se katër muaj, që sipas tij, ka hapur një terren të pazakontë dhe të rrezikshëm në historinë post-pavarësisë së Kosovës.
“Ne besojmë fuqishëm që ndryshimi i precedentit për më pak se katër muaj nga ana e GJK nga aktgjykimi paraprak. Që lidhet me konstituimin e Kuvendit dhe që përfshin edhe çështjen e nënkryetarëve nga radhët e pakicave, ka ndërtuar një fenomen të pashpjegueshëm edhe kushtetutshmërish edhe ka kaluar ne taborin politik. Kalimi në taborin politik lidhet që GK përse instrument kryesor i kontrollit të kushtetutshmërisë dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën ka hyrë në një terren të rrezikshëm dhe të pa precedentë në historinë post-pavarësisë”, ka thënë Qorrolli në Debat Plus.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pas ankesës së Listës Serbe lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiqit, të cilin Kushtetuesja e kishte gjetur si zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit. Megjithatë, aktgjykimi nuk ka efekt prapaveprues.
Ushtarët amerikanë nga Komanda Rajonale Lindje e KFOR-it së fundmi kanë zhvilluar një trajnim të specializuar për Sistemet e Mjeteve Ajrore Pa Pilot.
Në një njoftim bëhet e ditur se ushtrimi u zhvillua me qëllim të përmirësimit aftësinë e tyre për të zbuluar dhe ndjekur sistemet ajrore pa pilot.
“Aktiviteti u përqendrua në përdorimin e sistemeve të teknologjisë së fundit, duke përmirësuar aftësitë teknike në aftësitë kundër dronëve, duke përforcuar koordinimin, punën në grup dhe përshtatshmërinë”.
“Përmes trajnimit të vazhdueshëm, KFOR forcon gatishmërinë e tij të përgjithshme dhe efektivitetin operacional në mbështetje të mandatit të tij për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në një njoftim të misionit të NATO-s në Kosovë.
Organizata të shoqërisë civile të specializuara në fushën e drejtësisë dhe juristë të tjerë e kanë kundërshtuar e kritikuar ashpër gjuhën e Lëvizjes Vetëvendosje të përdorur në reagimin e fundit ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, për postin e nënkryetarit të Kuvendit për komunitetin serb. Sipas tyre, kjo praktikë duhet zëvendësuar me zbatim të aktgjykimeve dhe përdorim të argumenteve juridike e jo sulmeve me prapavijë politike.
Kontestimin e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se zgjedhja e Nenad Rashiqit është antikushtetuese dhe shkelje e rregullores së Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje e ka shoqëruar me tentimin për të argumentuar se të dyja aktgjykimet që flasin për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit janë në kundërshtim me njëra-tjetrin.
Në aktgjykimin e cekur, Vetëvendosje e citon pikën 129 e cila thotë se një kandidat nuk mund të votohet më shumë se tri herë, ndërkaq sipas tyre në aktgjykimin e dytë këtë rregull Gjykata Kushtetuese e ndryshon.
Megjithatë, në aktgjykimin e dytë, atë të fundit, Gjykata Kushtetuese konstaton se Lista Serbe prapë ka tentuar t’i ripropozojë 9 deputetët e saj për nënkryetar, duke theksuar se kjo e drejtë ju takon sepse janë partia që e ka shumicën tek komuniteti serb.
Ndërkaq në pikën 138, Kushtetuesja potencon se mekanizmi debllokues mund të aktivizohet vetëm nëse nuk ka propozim për kandidat nga shumica e deputetëve nga radhët e komuniteteve.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi nuk pajtohen me qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje në raport me aktgjykimet, por as me gjuhën e përdorur ndaj Kushtetueses, duke ia kontestuar edhe të drejtën për këtë lloj interpretimi.
“Kur bëhet fjalë për akter politik për parti politike, defitinitvisht se gjuha nuk guxon në asnjë rrethanë të jetë një gjuhë mos besuese ndaj atyre institucioenve dhe kjo bazuar në standarde të ndryshme ndërkombëtare që si standard është i etabluar dhe që i kundërti i saj nuk mund të paramendohet në një vend ku sundon ligji”, ka thënë Gzim Shala nga IKD.
Edhe juristi Anton Nrecaj është në të njëjtën vijë të mendimit, duke thënë se reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje është gjuhë politike, e aspak juridike.
“Këto janë vetëm për konsum politiik, tashmë është bërë edhe monotone këto sulme, qoftë në Gjykatën Kushtetuse, qoftë edhe kundrejt gjyqëtarëve të kësaj Gjykate, është shndërruar në një demode, e cila vërteë nuk ka fare kuptim, jemi në një situatë të jashtëzakonshme jemi në një situtatë ku duhet të veprohet shpejt, dhe jemi në një situatë që nëse vendi duhet të vazhdojë më tutje në ngritjen dhe zhvillimin e demokracisë atëherë vërtët duhet të respektohen aktgjykimet e GjK-së në të kundërtën mos-respektimi është indikacion për miqtë dhe partnerët se ne nuk po shkojmë drejt zhvillimti demokratik, por po futemi në një sistem tjetër i cili ka të bëjë me një sistem totalitar ku ligjet vlejnë vetëm prë të fortin”, ka thënç Nrecaj.
Nrecaj thekson se të gjitha aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit i kanë sqaruar të gjitha situatat dhe tash nuk ka vend për mëdyshje por për zbatim të aktgjykimeve./Tv Dukagjini
Me rreth 86 mijë lëndë aktive, aktualisht po operon Gjykata Themelore në Prishtinë, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre janë lëndë të vjetra, kryesisht në konteste civile.
Edhe pse numri i gjyqtarëve në këtë gjykatë tashmë ka arritur një nivel të kënaqshëm, akumulimi i lëndëve mbetet problematik për shkak të disa faktorëve. Një ndër ta është ndarja e kompetencave, përkatësisht paqartësitë se cilat lëndë duhet të trajtohen në Divizionin Civil dhe cilat në Departamentin për Çështje Administrative.
Sipas kryetarit të ri të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ngadhnjim Arrni, kjo çështje pritet të marrë zgjidhje, me funksionalizimin e një gjykate tjetër.
"Çështja e numrit të lëndëve të vjetra ka disa faktor që kanë implikuar respektivisht kanë krijuar këto lëndë, sepse gjykata themelore në Prishtinë territorialisht ka numrin më të madh të lëndëve, por në të njëjtën kohë ka edhe departamente të specializuara e që pastaj e rritë numrin e lëndëve karshi gjykatave tjera. Megjithatë, në bazë të këtyre strategjive ne po mundohemi të kemi një skenim të gjendjes aktuale dhe të bëjmë një listë konkrete të lëndëve të vjetra dhe të përcaktojmë si menaxhment i ri afate konkrete mbi të cilat këto lëndë duhet të përfundohen", tha Arrni.
Ai thotë se përmes Gjykatës Administrative, synohet që një numër i madh i lëndëve të marrë epilog, veçanërisht ato të kontesteve të punës, të cilat deri më tani janë trajtuar në kuadër të Divizionit Civil, ndërsa tani e tutje do të kalojnë në Gjykatën Administrative.
"Një numër i madh i lëndëve që kanë ardhur, tani e tutje do të ngriten në Departamentin për Çështje Administrative që është tani, por që do të ketë rol si gjykatë administrative dhe po vlerësojmë që në momentin kur ne e kemi një numër më pak të lëndëve që do të pranojmë, veçanërisht në divizionin civil besoj që na hapet një rrugë që të trajtojmë lëndët e vjetra. Shumica e këtyre lëndëve kanë pasur prioritet ligjor, andaj edhe gjyqtarët që punojnë në lëmi civile kanë pasur obligim ligjor që fillimisht t'i trajtojnë këto lëndë e që si rrjedhojë ka pas pastaj grumbullim të lëndëve të vjetra. Ne jemi shumë optimist që na hapet rrugë që të zgjidhim lëndët e vjetra sepse në të njëjtën kohë do të pranojmë më pak lëndë dhe po ashtu të zgjidhim shumë më shumë lëndë", shtoi Arrni.
Brenda vitit Gjykata Themelore ka pranuar deri në 20 mijë lëndë civile por me funksionalizimin e plotë të Gjykatës Administrative, themelorja nuk do të pranojë padi të reja, në këtë mënyrë do të krijojë hapësirë për trajtimin dhe përfundimin e lëndëve të vjetra./RTK
Një person dyshohet se është lënduar rëndë me sëpatë nga një familjar i tij.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Isniq të Deçanit.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Gashi tha se Policia për rastin është informuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare rreth orës 15:35.
Viktima është duke u trajtuar tash në Spitalin e Pejës për shkak të lëndimeve të marra.
“Rreth orës 15:35, Stacioni Policor është njoftuar nga QMF se është duke e trajtu një person të lënduar me mjet të fortë, sëpatë, i cili dyshohet se është lënduar nga një familjar. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Isniq të Deçanit. Personi i lënduar është dërguar në emergjencën e Pejës për shkak të lëndimeve që ka pësuar. Prokurorja e shtetit është njoftu me rastin dhe ka autorizuar që me rastin të merret sektori i hetimeve rajonale për shkak të peshës së veprës”, ka thënë Gashi.
Ndërsa zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka deklaruar për Telegrafin se viktima është jashtë rrezikut për jetë.
"Ka ndodhur një rast i cilësuar si vrasje ne tentativë ne komunën e Deçanit. Viktima është jashtë rrezikut për jetë. Prokurorja e krimeve te renda ka autorizuar Policinë per lokalizimin dhe arrestimin e personit te dyshuar”, ka deklaruar Nikçi./Telegrafi/
Një 76-vjeçar është goditur nga një veturë mbrëmjen e së enjtes në rrugën “Ulqini” në Mitrovicën e Jugut.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili tha se aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:25.
“Një veturë ka goditur një këmbësor. I lënduari është dërguar për tretman mjekësor”, deklaroi Zahiti.
Gjendjen e të lënduarit e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Spitalit Rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri”, Shpend Fazliu. Sipas tij, 76-vjeçari është pranuar në Shërbimin Emergjent në orën 18:40, si pasojë e lëndimeve të marra.
“Po vazhdon trajtimi dhe janë ndërmarrë masat e nevojshme reanimatore nga ekipi mjekësor. Aktualisht po kryhet ekzaminimi radiologjik me tomografi të kompjuterizuar (CT) të kokës për të konstatuar gjendjen e saj”, tha Fazliu.
Policia po e heton rastin për të sqaruar rrethanat e aksidentit./Telegrafi/
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka realizuar një aksion të gjerë inspektues në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës.
Qëllimi i aksionit ishte sigurimi i respektimit të standardeve ligjore, mbrojtja e konsumatorëve, garantimi i konkurrencës së ndershme dhe verifikimi i përmbushjes së obligimeve ligjore nga subjektet ekonomike.
Gjatë këtij operacioni janë inspektuar 69 subjekte ekonomike, me fokus të veçantë në bizneset që ushtrojnë veprimtari në fushën e hotelerisë dhe turizmit, përfshirë vilat dhe motelet në territorin e Republikës së Kosovës.
Në bazë të kompetencave ligjore, inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kanë urdhëruar mbylljen e përkohshme të 26 subjekteve ekonomike, kryesisht për mosregjistrim të bizneseve dhe mungesë të pëlqimeve apo aktvendimeve që dëshmojnë plotësimin e kushteve minimale teknike.
Ndaj operatorëve ekonomikë që ushtronin aktivitetin e tyre në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, janë shqiptuar gjithsej 27 masa ndëshkuese.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka bërë të ditur se veprimtari të ngjashme inspektuese do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e një mjedisi të sigurt, të rregullt dhe transparent për zhvillimin e veprimtarive ekonomike në Republikën e Kosovës./Telegrafi/
Një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtetas i Kosovës, është arrestuar nga autoritetet në Serbi paraditen e 5 shkurtit, thanë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) dhe avokati Arianti Koci.
Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se Lozhani u arrestua në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë dhe gjatë kontrollit i është gjetur në xhep kartela e anëtarësisë së veteranit të UÇK-së.
Syla shtoi se ai ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri dhe nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.
Ndërkaq, Koci tha se arrestimi ndodhi rreth orës 11:00 të 5 shkurtit.
Sipas tij, ky rast nuk është i izoluar, pasi arrestime të shtetasve të Kosovës që kalojnë nëpër Serbi po përsëriten.
Koci kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të reagojnë për këto arrestime, pa përjashtuar edhe masa politike, “përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë”.
“Nga ana ime në cilësinë e avokatit, po bëhet maksimumi i mundshëm. Megjithatë, mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në nivel individual. Kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, shkroi ai.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ende nuk kanë reaguar për këtë rast.
Ende nuk dihet se nën çfarë pretendimesh është arrestuar Lozhani./Radio Evropa e Lirë/
Në gjykatën e Posaçme, Henrik Hoxhaj, i pandehur në dosjen “Plumbi i artë”, rrëfeu detaje për një porosi për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit.
Ai tregoi se gjatë përgatitjeve për vrasjen e vëllezërve Haxhia, kishte diskutuar me Nuredin Dumanin për një tjetër “punë”, ku i ishte ofruar një shumë prej 200 mijë eurosh për të goditur Sanxhaktarin.
Hoxhaj tha se nuk ishte i interesuar dhe se nuk e dinte kush ishte investitori, vetëm se, sipas Dumanit, kishte të bënte me dhëndrin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Ai nuk mbajti mend të ishte përmendur emri Suel Çela dhe nuk mori pjesë në ngjarje.
“Ndërsa po përgatitesha për vrasjen e vëllezërve Haxhia, diskutuam me Nuredin Dumanin për një punë tjetër. Ai fliste në telefon gjithë kohën. Kishte ditëlindjen atë dite. Nuk e di me kë. Më tha për Sokol Sanxhaktarin”.
Prokurori: Kush ishte i interesuar për të goditur Sokol Sanxhaktarin?
Henrik Hoxhaj: Unë kam marrë një ofertë, tha Nuredin Dumani, për Sokol Sanxhaktarin. Më tha se do bënim takim. Jepeshin 200 mijë euro. Më pyeti nëse isha i interesuar. Por mbeti këtu, nuk u bë më shumë muhabet. Nuk më tha kush ishte investitori. Nuk më është përmendur Suel Çela. Më tha se është dhëndri i kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Nuk më tha pse, o prokuror. Nuk mbaj mend të jetë përmendur më.
Prokurori: Një Bledar Muça, a ju ka thënë ndonjë gjë Nuredini?
Henrik Hoxhaj: Jo. Nuk kam qenë i interesuar. Nuk u morëm më me Sokolin, se u morëm me atë çfarë ishim aty.
Ditën e arrestimit të Sokolit nuk e di a kam biseduar apo jo, se nuk më ka interesuar.
Prokurori: Në 30 korrik 2020, kur Sokol Sanxhaktari vrau Florian Lamçen, Nuredini të ka shkruar ty: “Na humbën 200 mijë euro.”
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka njoftuar sot se, falë reagimit të menjëhershëm, veprimeve të koordinuara operative dhe hetimeve intensive, ka arritur të identifikojë, ndalojë dhe procedojë të gjithë personat e përfshirë në një incident të rëndë që rrezikoi drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike në Vranjevc të Prishtinës.
Më 31 janar 2026, rreth orës 15:15, Policia e Kosovës ka pranuar informacione për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë.
Hetimet e para zbuluan se, pas një konflikti ndërmjet dy grupe personash, situata ka eskaluar në përdorimin e armëve pranë një lokali afarist, duke krijuar rrezik të lartë për qytetarët dhe pronën publike.
Incidenti është zhvendosur më pas në një lokacion tjetër të qytetit, ku një veturë është përdorur si mjet rrezikimi ndaj personave, duke lënduar disa qytetarë.
Po ashtu, dyshohet se nga vetura në lëvizje janë kryer të shtëna të tjera me armë zjarri.
Në vendngjarje janë kryer ekzaminime të plota kriminalistike dhe forenzike, nga ku policia ka sekuestruar: gëzhoja dhe fragmente predhash, municion, mjete të forta, veturën e dyshuar të përfshirë në rast.
Hetimet janë zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit dhe është iniciuar procedurë në drejtim të veprave penale:
Vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, mbajtje e paautorizuar e armëve.
Masat dhe veprimet hetimore të ndërmarra: Janë identifikuar dhe intervistuar të gjithë personat relevantë, janë siguruar video-incizime nga kamerat e sigurisë dhe prova të tjera materiale, janë kryer tri bastisje në lokacione të ndryshme dhe janë konfiskuar dy armë zjarri dhe prova shtesë të rëndësishme.
Poashtu janë identifikuar gjithsej pesë persona të dyshuar; njëri prej tyre, me inicialet A.T., është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa katër të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për garantimin e rendit, ligjit dhe sigurisë publike, duke deklaruar se nuk do të tolerojë asnjë formë dhune apo rrezikimi të jetës së qytetarëve./Telegrafi/
Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se sot rreth orës 11:00, gjatë kalimit transit nëpër territorin e Serbisë, është ndaluar dhe arrestuar shtetasi i Kosovës, Mit’hat Lozhani.
Sipas tij, ky nuk është një rast i izoluar, pasi raste të tilla po përsëriten dhe po krijojnë pasiguri për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi.
“Arrestimet e shtetasve të Kosovës gjatë transitit nëpër Serbi po përsëriten dhe kjo po krijon pasiguri reale për këdo që udhëton përmes atij territori. Këto arrestime duhet të ndalen”, ka deklaruar Koci.
Ai theksoi se institucionet e Kosovës kanë obligim që këtë situatë ta trajtojnë si çështje serioze të sigurisë së qytetarëve. Sipas tij, duhet kërkuar ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa diplomacia kosovare duhet të reagojë fuqishëm.
Koci ka përmendur se nëse praktika e arrestimeve vazhdon, nuk duhet të përjashtohen masa konkrete politike, “përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit”.
Në fund, avokati theksoi se ndonëse ai, në cilësinë e mbrojtësit, po bën maksimumin e mundshëm, mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet në nivel individual. “Kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, u shpreh Koci./Telegrafi/
Në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për parandalimin e dukurive negative dhe rritjen e sigurisë në shkolla dhe përreth tyre, Policia në Vushtrri në bazë urdhëresës së lëshuar nga Gjykata ka realizuar kontrolle në gjashtë shkolla (të mesme të larta dhe të ulëta) në territorin e komunës.
Sipas njoftimit të lëshuar nga policia, gjatë realizimit të kontrolleve policore, në katër raste të ndara tek nxënës të ndryshëm janë gjetur dhe sekuestruar mjete të kundërligjshme, si një boks hekuri dhe tri mjete të mprehta (thika).
“Lidhur me rastet janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore, në koordinim me institucionet përkatëse. Policia do të vazhdojë me aktivitete parandaluese me qëllim të ofrimit të sigurisë në ambientet shkollore dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike”, thuhet në njoftim.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në Samitin Botëror të Qeverisjes në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka zhvilluar disa takime bilaterale me udhëheqës të vendeve pjesëmarrëse.
Presidentja Osmani u takua me Kryeministren e Mozambikut, Maria Benvinda Levy, me të cilën zhvilloi një diskutim, siç e përshkroi ajo, “përmbajtësor” mbi sfidat e përbashkëta dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Ajo theksoi se partneritetet ndërkombëtare janë kyçe për adresimin e çështjeve globale dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Gjatë samitit, Presidentja Osmani u takua edhe me Kryeministrin e Mbretërisë së Eswatinit, Russell Mmiso Dlamini. Ajo shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për njohjen e hershme të pavarësisë nga Eswatini dhe ritheksoi përkushtimin për forcim të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.
Në njoftimin e saj, Presidentja Osmani theksoi se diskutimet përfshinë edhe mundësinë e lidhjes së marrëveshjeve konkrete, si dhe nevojën për koordinim më të ngushtë në forume multilaterale.
Sipas saj, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj partneriteteve të ndërtuara mbi respekt të ndërsjellë dhe një vizion të përbashkët për paqe dhe zhvillim./Telegrafi/