Filmi dokumentar “Melania” vendosi një rekord të ri në portalin e vlerësimit të filmave Rotten Tomatoes për diferencën më të madhe midis vlerësimeve të kritikëve të filmit dhe audiencës në historinë e faqes.
Kritikët i dhanë filmit një rezultat jashtëzakonisht të ulët prej pesë përqind (më vonë u rrit në shtatë përqind) në Tomatometer, ndërsa publiku i dha një rezultat pothuajse perfekt prej 99 përqind në Audience Popcornmeter, diferenca më e madhe midis kritikëve dhe audiencës e regjistruar ndonjëherë.
Ky dokumentar, i cili u drejtua nga Brett Ratner dhe për të cilin Amazon MGM pagoi një rekord prej 40 milionë dollarësh plus 35 milionë dollarë shtesë për promovim, mori pothuajse ekskluzivisht vlerësime negative nga recensentët e filmave, të cilët shpesh e përshkruanin atë si glorifikim dhe propagandë në vend të një filmi objektiv.
Megjithatë, pati rezultate më të mira komerciale se sa pritej në Shtetet e Bashkuara, ku fitoi rreth shtatë milionë dollarë në fundjavën e parë të premierës, duke e bërë atë një nga debutimet më të suksesshme dokumentare të dekadës së fundit, megjithëse qëndrueshmëria e tij e përgjithshme financiare mbetet e dyshimtë duke pasur parasysh kostot e larta të prodhimit dhe promovimit.
Shumë dyshuan gjithashtu se vlerësimet e audiencës prej 99 përqind ishin autentike, sepse ata që shkruan recensione për “Melania” kishin kryesisht vetëm atë recension, gjë që është e çuditshme, sepse përdoruesit që u pëlqejnë filmat kanë tendencë të shkruajnë më shumë recensione.
Dokumentari kontrovers i Amazon ndjek zonjën e parë në 20 ditët para inaugurimit të bashkëshortit të saj në vitin 2025. Ai u drejtua nga regjisori i turpëruar Brett Ratner, i cili në vitin 2017 u akuzua publikisht nga gjashtë gra për ngacmim dhe sulm seksual. Regjisori i “Rush Hour” ka mohuar çdo shkelje.
Regjisorit iu desh të mbronte kostot në premierë, duke theksuar se në prodhim ishin të përfshirë kameramanë të shkëlqyer dhe një ekip i madh xhirimi, duke pretenduar se një buxhet i tillë nuk ishte i pazakontë për një projekt me një standard kaq të lartë prodhimi.
Megjithatë, kjo nuk është e vetmja polemikë që lidhet me filmin. Sipas raportimeve, dy të tretat e anëtarëve të ekipit që punuan në film nuk duan që emrat e tyre të lidhen me projektin./mxh
Disa qindra studentë marshuan sot në një protestë në Milano, kundër pranisë së zyrtarëve të Imigracionit dhe Doganave (ICE) të SHBA-së në Lojërat Olimpike Dimërore, në Itali.
Postera me shkrimin “ICE jashtë” mund të shiheshin gjatë tubimit në qendër të qytetit. Protestat u zhvilluan në mënyrë paqësore.
ICE është kritikuar për trajtimin brutal të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një vendimi të urdhëruar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, që rezultoi në vdekjen e dy qytetarëve amerikanë në qytetin e Mineapolisit.
Agjentët e ICE janë vendosur në Lojërat Olimpike, në Milano dhe Cortina d’Ampezzo, si pjesë e sigurisë amerikane që mbrojnë zyrtarë të tillë, si zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Qeveria e krahut të djathtë e Italisë ka theksuar vazhdimisht se personeli i ICE nuk do të vendosej në rrugë.
Ndërkohë, Vance u takua me kryeministren italiane, Giorgia Meloni në Milano. Ai vlerësoi organizatorët e Lojërave Olimpike për punën e tyre.
Rreth 50 liderë ndërkombëtarë pritet të marrin pjesë në ceremoninë e madhe të hapjes në stadiumin “San Siro” të Milanos sot në mbrëmje, ku presidenti italian Sergio Mattarella do të hapë zyrtarisht edicionin e 25-të të Lojërave Olimpike Dimërore./mxh
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimin e qeverisë për vendimin e pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Mësohet se gjyqtarët kanë votuar 4 pro dhe 4 kundër, duke mos pasur kështu një kuorum të nevojshëm të votave për vendimarrje pro ose kundër. Për rrjedhojë kërkesa e qeverisë është rrëzuar dhe është rikthyer pezullimi nga detyra, i caktuar nga GJKKO.
Kujtojmë se qeveria kundërshtoi vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila kishte dhënë masën për pezullimin e Ballukut, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese vendosi në dhjetor rikthimin e Ballukut në funksionet qeveritare deri në marrjen e një vendimi përfundimtar./mxh
Interesi i familjeve shqiptare për të blerë shtëpi ka arritur një tjetër rekord në vitin 2025. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia e re për banesa arriti në 64.4 miliardë lekë, niveli më i lartë historik.
Krahasuar me një vit më parë, kredia për shtëpi u rrit me 17.3%, duke treguar se kërkesa për blerje banesash vijon të mbetet shumë e fortë.
Çmimet në rritje, si dhe masat kufizuese nga ana e Bankës së Shqipërisë, nuk duket se kanë penguar shumë qytetarët në vendimin e tyre për të blerë një shtëpi me kredi. Kredi për individët, duke përfshirë edhe segmentin më të madh të saj, kredinë për shtëpi, po jep kontributin kryesor në rritjen e kredisë për ekonominë gjatë këtij viti.
Në dy vitet e fundit, kredia për shtëpi dominohet nga monedha vendase. Në vitin 2025, kredia e re në lekë arriti në 48.5 miliardë lekë, në rritje me 18.6%, duke përbërë mbi 75% të totalit. Ndërkohë, edhe kredia në euro iu rikthye rritjes, duke arritur rreth 16 miliardë lekë, ose 14.3% më shumë se një vit më parë.
Rritja e shpejtë e kredisë për pasuritë e paluajtshme tërhoqi edhe vëmendjen ndërkombëtare. Vetë FMN sugjeroi marrjen e masave, ndërsa Banka e Shqipërisë u përgjigj në muajin korrik me vendosjen e tavaneve ndaj vlerës: 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë në monedhën lek, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë. Këto masa FMN i vlerësoi të duhura dhe sugjeroi vijim të përhershëm të tyre.
Banka e Shqipërisë ka vendosur kufizime të reja për kreditë për shtëpi, përmes raportit të kredisë ndaj vlerës dhe raportit të këstit ndaj të ardhurave. Megjithatë, këto masa nuk kanë arritur të frenojnë rritjen e kredisë. Familjet shqiptare vijojnë të shohin blerjen e një prone si një investim të mirë për të ardhmen, duke mbajtur të lartë interesin për kredi për shtëpi./mxh
Irani nuk ka pranuar të heq dorë nga programi I tij për pasurim të Uraniumit që mund të sjell prodhimin e armëve bërthamore, por Shtetet e Bashkuara duan që të vijojnë negociatat.
Ky ishte përfundimi i ditës së parë të bisedimeve mes Teheranit dhe Ëashingtonit sipas asaj që raporton media Amerikenae Axios. Përpjekjet diplomatike dhe ulja e palëve në tryezën e negociatave vjen teksa Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur një armadë të madhe në Lindjen e Mesme në gatishmëri për të sulmuar Iranin. Teherani ka paralajmëruar se një lëvizje e tillë do të sillte një luftë më të gjërë rajonale.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi për televizionin shtetëror pas përfundimit të bisedimeve se negociatorët do të kthehen në kryeqytetet e tyre për konsultime, duke e cilësuar takimin si “një fillim të mirë”.
Teherani kishte deklaruar më parë se bisedimet do të kufizoheshin vetëm në programin bërthamor të Iranit. Ndërkohë, Uashingtoni ka kërkuar që në tryezë të përfshihen edhe programi i raketave balistike të Iranit dhe mbështetja që ai u jep grupeve të armatosura në rajon.
Bisedimet mes Shteteve të Bashkura dhe Iranit ishin në strukturën që njihet si bisedime indirrekte. Ministri i Jashtëm I Omanit ishte ai që bisedo me secilën pale vec e veç duke përçuar tek secila prej tyre mesazhet e njëri tjetrit. Irani u përfaqësua në këto bisedime nga Ministri I jashtëm Abas Aragchi ndërsa Shtetet e Bashkuara nga I Dërguari special për Lindjen e Mesme Steve Ëitkoff si dhe nga Jared Kushner, dhëndrri I presidentit Trump.
Raundi i fundit i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor ishte planifikuar për në qershor të vitit të kaluar, por u ndërpre pas sulmit të papritur të Izraelit ndaj Iranit. Sipas analistëve ushtarak , për udhëheqjen iraniane këto bisedime mund të përbëjnë shansin e fundit për të shmangur një veprim ushtarak amerikan që mund të destabilizojë më tej regjimin, i cili ndodhet në pozitën më të dobët që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979./mxh
Bashkimi Evropian ka bërë publike propozimet për paketën e 20-të të sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat prekin sektorët e energjisë, shërbimeve financiare dhe tregtisë.
Paketa parashikon ndalimin e plotë të shërbimeve detare për transportin e naftës bruto ruse, si dhe shtimin e 43 anijeve të tjera në listën e të ashtuquajturës “flotë në hije” të Kremlinit, bëri të ditur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Masat e reja përfshijnë edhe shtrëngimin e kufizimeve të eksportit nga Rusia, si dhe ndalime të reja importi për metale, kimikate dhe minerale kritike, me vlerë mbi 570 milionë euro.
Gjithashtu, sanksionet do të shtrihen ndaj kompanive dhe platformave që lehtësojnë tregtinë e kriptomonedhave, ndërsa 20 banka të tjera rajonale ruse do t’i shtohen listës së zezë.
“Rusia do të ulet në tryezën e bisedimeve vetëm nëse i bëhet presion. Kjo është e vetmja gjuhë që ajo kupton”, deklaroi von der Leyen.
Propozimi duhet të miratohet nga të 27 shtetet anëtare të BE-së përpara se të hyjë zyrtarisht në fuqi. Kujtojmë se paketa e 19-të e sanksioneve, e cila synonte flotën në hije dhe ndalonte importet e gazit natyror të lëngshëm, hyri në fuqi në muajin nëntor./mxh
Fratesi do të kishte thënë lamtumirë verën e kaluar nëse vetëm Simone Inzagi do të kishte mbetur në stolin e Interit. Ai kishte qëllimin të luante më shumë. E kuptueshme, duke pasur parasysh kohën e tij pak a shumë të kufizuar të lojës, por mbi të gjitha, aftësinë e sulmuesit për të lënë gjurmë si zëvendësues.
Megjithatë, Kivu e përkëdheli gjatë gjithë verës, duke e vizituar në klinikë. Historia shkoi ndryshe. Fratesi supozohej të përfaqësonte atë lloj numri 10 që nuk mbërriti kurrë në treg. As në Kupën e Italisë, as si titullar në Kremona, në fakt në asnjë nga mundësitë që i janë dhënë. 2 nga 2 ndeshje nga fillimi në kupë, plus 19 paraqitje të tjera në Serie A, Ligën e Kampionëve dhe Super Kupë.
Ai nuk ka gjasa të jetë titullar. Pra, pyetja kthehet me forcë. Pse Fratesi qëndroi te Interi? Ekzistojnë katër arsye kryesore pse Fratesi mbeti në Milano. Ato janë financiare, një gjeografike dhe e fundit, teknike. Së pari, Interi nuk e konsideroi kurrë shitjen e tij për oferta më të ulëta se të paktën tridhjetë milionë, një kërkesë që në mënyrë të pashmangshme i frikësoi të paktën pak të gjitha ekipet që i ishin afruar me kalimin e kohës. Problemi i dytë është i lidhur në dy mënyra me atë të mëparshmin.
Ai mori oferta të pamjaftueshme për Frattesin, si në aspektin e vlerësimit ashtu edhe, mbi të gjitha, në aspektin e formulës. Interi dëshiron vetëm ta shesë Fratesin përgjithmonë. Asnjë huazim, asnjë huazim me mundësi blerjeje, madje as një huazim me një detyrim të kushtëzuar. Së treti gjeografik, ekipi që iu afrua më shumë nënshkrimit të Fratesit në javët e fundit ishte Notingam Forest, i 17-ti në “Premier League” dhe qartësisht mungonte në çdo garë evropiane. Një faktor, ose më saktë dy, në mentalitetin e Fratesit, pasi ai do të preferonte të vazhdonte të ndiqte perspektiva më prestigjioze./mxh
Franca dhe Kanadaja kanë hapur konsullata në Groenlandë, në një zhvillim që shihet si shenjë e qartë e mbështetjes politike dhe diplomatike që aleatët e NATO-s po i ofrojnë ishullit Arktik, në një periudhë tensioni gjeopolitik.
Kanadaja inauguroi zyrtarisht konsullatën e saj në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë, Mary Simon, dhe Ministrja e Jashtme, Anita Anand.
Po gjatë ditës së sotme, edhe Franca përuroi konsullatën e saj në Groenlandë, duke zgjeruar më tej praninë diplomatike në ishull. Deri tani, vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Islanda kishin konsullata në Nuuk.
Këto hapa diplomatikë vijnë pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili më herët kishte sugjeruar se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin kontrollin e Groenlandës për arsye të sigurisë kombëtare, deklarata që shkaktuan reagime të forta në Evropë dhe më gjerë.
Më vonë, Trump zbuti qëndrimin, duke thënë se po shqyrton mundësinë e një marrëveshjeje pas bisedimeve me Danimarkën, aleatët evropianë dhe Kanadanë.
Autoritetet kanadeze theksojnë se hapja e konsullatës nuk është një reagim i menjëhershëm ndaj situatës aktuale, pasi vendimi ishte paralajmëruar që në fillim të vitit 2024, në kuadër të rishikimit të politikës së jashtme të Otavës për Arktikun. Konsullata ishte planifikuar të hapej në fund të vitit 2025, por inaugurimi u shty për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.
Ekspertët vlerësojnë se prania e shtuar diplomatike reflekton rëndësinë strategjike të Groenlandës dhe lidhjet e forta historike mes komuniteteve inuit në rajon./mxh
Gjykata në Kishinjev dënoi tre persona për pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal, i cili gjatë vitit 2024 kishte përgatitur trazira të dhunshme masive në Moldavi dhe kishte organizuar trajnime në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.
Sipas aktakuzës, trajnimet ishin organizuar dhe drejtuar nga persona nga Rusia, në bashkëpunim me shtetas moldavianë, me qëllim shkaktimin e trazirave në Moldavi, në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe referendumit për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2024.
Informacionet për “kampet ruse” në Bosnje e Hercegovinë u shfaqën në tetor të vitit 2024. Atëherë, agjencitë e sigurisë së Moldavisë deklaruan se kishin identifikuar më shumë se 100 të rinj, të cilët dyshohet se ishin trajnuar në Rusi, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, për destabilizimin e vendit.
Gjykata në kryeqytetin e Moldavisë, më 6 shkurt, dënoi Aliona Gotcon dhe Ludmila Costencon me nga katër vjet e një muaj burgim, ndërsa Vladimir Harcevnicov u dënua me pesë vjet e katër muaj burgim.
Vendimi u mor në gjykatën e shkallës së parë, ndërsa të akuzuarit nuk ishin të pranishëm në shpalljen e dënimit. Gjykata urdhëroi arrestimin e tyre për t’i dërguar në vuajtje të dënimit, ndërsa aktgjykimi mund të ankimohet.
Në vendim thuhet se të akuzuarit kanë vepruar si pjesë e një strukture kriminale të qëndrueshme, nën koordinim nga Rusia, dhe kishin të ndara qartë rolet.
Sipas gjykatës, aktivitetet e tyre përfshinin rekrutimin e anëtarëve të rinj, mbështetje logjistike, sigurimin e pajisjeve, si dhe trajnime për veprime të dhunshme dhe destabilizuese.
Një pjesë e veçantë e aktgjykimit i referohet trajnimeve që, sipas gjetjeve të gjykatës, janë mbajtur jashtë territorit të Moldavisë, kryesisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.
Gjykata thekson se të akuzuarit kanë qëndruar disa herë në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë zonën e Gllamoqanit, ku kanë marrë pjesë në trajnime teorike dhe praktike.
Sipas aktgjykimit, këto trajnime përfshinin menaxhimin dhe përdorimin e avancuar të dronëve, lidhjen e tyre me qendrat komanduese, zbulimin ajror në kuadër të grupeve sulmuese, si dhe simulime të hedhjes së mjeteve shpërthyese me ndihmën e dronëve.
Përveç kësaj, në vendim thuhet se trajnimet kanë përfshirë edhe taktika për shkaktimin e panikut dhe kaosit, metoda për çarjen e kordonëve policorë, aktivitete diversant-subversive, si dhe përgatitjen e mjeteve ndezëse dhe shpërthyese.
Gjykata konstatoi se këto aktivitete ishin të lidhura drejtpërdrejt me planet për organizimin e trazirave të dhunshme në Moldavi.
Serbia përmendet në dokumentet gjyqësore si një nga vendndodhjet e qëndrimit dhe trajnimit, por edhe si vend transit në rrugën e të akuzuarve drejt Bosnje e Hercegovinës.
Në aktgjykim thuhet se koordinatori i grupit qëndronte në Rusi, nga ku u jepte udhëzime anëtarëve, ndërsa trajnimet dhe aktivitetet praktike zhvilloheshin në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.
Sipas gjetjeve të gjykatës, të akuzuarit udhëtonin në itinerarin Moldavi-Serbi-Bosnje e Hercegovinë, ndërsa gjatë hetimeve janë gjetur prova materiale që tregojnë qëndrimin e tyre në të dyja vendet.
Ndër to janë kartëmonedha nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, karta SIM, pajisje telekomunikimi, si dhe regjistrime digjitale të krijuara gjatë qëndrimit në kampet e trajnimit.
Gjykata në aktgjykim thekson gjithashtu se gjatë bastisjeve te të akuzuarit janë gjetur pjesë për dronë, syze VR, telekomandë, bateri, pajisje për ruajtjen e dokumenteve dhe materiale digjitale që, sipas gjykatës, dokumentojnë trajnimet dhe aktivitetet e planifikuara.
Regjistrimet digjitale përfshijnë fotografi dhe video të realizuara gjatë trajnimeve, si dhe udhëzime për përdorimin e dronëve dhe përgatitjen e mjeteve ndezëse dhe shpërthyese.
Gjatë gjykimit, të akuzuarit e kanë mohuar fajësinë, duke pretenduar se nuk ishin të vetëdijshëm për karakterin penal të aktiviteteve në të cilat kishin marrë pjesë dhe se qëndrimet jashtë vendit i kishin konsideruar si angazhime private ose profesionale.
Gjykata, megjithatë, nuk i pranoi këto pretendime, duke përfunduar se provat e mbledhura tregojnë ekzistencën e një qëllimi të qartë dhe koordinimi brenda grupit kriminal.
Ngritje e aktakuzave të reja
Gjatë zhvillimit të gjykimit, Prokuroria e Moldavisë ngriti aktakuzë edhe ndaj disa personave të tjerë të lidhur me trajnimet për nxitjen e trazirave.
Po ashtu, policia në Serbi arrestoi më 26 shtator të vitit të kaluar dy persona, nën dyshimet se kishin organizuar trajnime luftarako-taktike për shtetas të Moldavisë dhe Rumanisë, me qëllim nxitjen e trazirave në Moldavi.
Arrestimet pasuan pasi autoritetet në Kishinjev paralajmëruan publikisht për ekzistencën e kampeve luftarake në Serbi, duke deklaruar se ato ishin organizuar nga shërbimi sekret rus me synim destabilizimin e Moldavisë.
Në fillim të dhjetorit të vitit 2025, Moldavia kreu rreth 50 bastisje në disa lokacione në vend dhe gjeti prova se një grup i organizuar, i trajnuar më herët në një kamp në Serbi, dyshohet se kishte planifikuar të shkaktonte trazira në Moldavi./mxh
Me një diss për “veten”, Mozzik arriti të godasë në fakt shumë persona të tjerë. Në vazhdën e reagimeve pas këngës “Diss”, kësaj radhe duket se edhe Loredana ka diçka për të thënë pas përmendjes që Mozzik i bëri hapur në jo një, por dy këngë të EP-së së tij.
Por, ndryshe nga Mozzik, Loredana është treguar shumë më fjalëpakë. Në një story për Instagram, ajo ka postuar një foto të vetes – ku nga mimika duket e zhgënjyer, por jo e surprizuar – me një mbishkrim që e përforcon këtë ide:
“Bruhhhh pls [Shoku, të lutem],” reagim ky që dikush e bën kur i sheh me bezdi, mosbesim apo shpërfillje fjalët a veprimet e dikujt tjetër.
Në këngën “Diss”, Mozzik i “përplas në fytyrë” vetes fjalët që njerëzit kanë thënë për prindërimin e tij, duke i nxjerrë në pah se vajzën po ia rrit një tjetër burrë, që është Karim Adeyemi, partneri i Loredanës, shtuar këtu faktin se është një njeri me ngjyrë.
“s’po t’vjen marre, çikën po ta rrit Karimi
mun me kon reper
po s’je kurrfarë prindi
Mozzik, ish-gruja po t’q*het me zezak
dmth fëmija t’nesër përzihet n’gjak
ish-gruja po t’sillet me repera
po kallxon për ty gjithçka”
2 vargjet e fundit lënë për të kuptuar gjithashtu se në lidhjet që Loredana ka pasur me reperë pas ndarjes, si bashkëpunimi me Noizy-n, ajo ka zbuluar detaje personale për Mozzik.
Sipas Loredanës – dhe gjithmonë nëse po i përgjigjet ish-bashkëshortit të saj – kjo është një tufë me gënjeshtra./mxh
Sipas nutricionistëve, 70% e popullsisë së botës vuan nga intoleranca ndaj laktozës. Laktoza është një lloj sheqeri natyral që gjendet në qumësht dhe produkte qumështi, i cili kërkon një enzimë, laktazën, që të zbërthehet dhe tretet në trupin tonë.
Nëse zorra jonë e hollë nuk prodhon mjaftueshëm laktazë, atëherë ne bëhemi intolerantë ndaj laktozës.
Simptomat përfshijnë dhimbje barku, fryrje ose gazra, prodhim të tepërt të gazrave, gurgullimë, të përziera, dhimbje barku dhe diarre. Simptomat zakonisht shfaqen 30 deri në 60 minuta pas konsumimit të produkteve të qumështit.
Shfaqja e tyre zakonisht fillon 30 minuta deri në 2 orë pasi të keni konsumuar qumësht ose produkte të tjera të qumështit.
Nëse keni intolerancë ndaj laktozës, simptomat tuaja mund të përfshijnë:
Inflacion
Dhimbje ose ngërçe
Zhurmë në bark
Gazrat
Jashtëqitje të lirshme ose diarre
Të vjella
Si bëhet diagnoza?
Mjeku mund të bëjë diagnozën duke ju pyetur për llojin e simptomave që po përjetoni dhe duke ju kërkuar të përmbaheni nga konsumimi i produkteve të qumështit për të parë nëse simptomat tuaja përmirësohen.
Si trajtohet?
Nuk ka kurë për intolerancën ndaj laktozës. Megjithatë, ju mund t’i menaxhoni simptomat duke kufizuar ose shmangur produktet e qumështit./mxh
Kur vjen puna tek ish-at, Taylor Swift di gjithmonë si t’i trazojë ujërat. Këngëtarja publikoi së fundmi videoklipin e “Opalite”, këngës së dytë nga albumi i saj i 12-të, “The Life of a Showgirl”, dhe fansat janë të bindur: mesazhet nuk janë aspak të rastësishme.
Në videon me estetikë të viteve ’90, Taylor shfaqet përkrah aktorit Domhnall Gleeson në një histori po aq absurde sa edhe simbolike. Ajo “zëvendëson” mungesën e një partneri me… një gur të madh, ndërsa Gleeson bën të njëjtën gjë me një kaktus të vogël.
Dhe po, interneti e ka kapur menjëherë metaforën.
Sipas fansave, shkëmbi përfaqëson ish-partnerin e Taylor-it, Joe Alwyn, ndërsa kaktusi simbolizon ish-të dashurën e të fejuarit të saj, Travis Kelce, Kayla Nicole. Një krahasim që është i qartë: Taylor ka thënë më parë se ajo mbante gjithë “peshën” e marrëdhënies me Alwyn, ndërsa kaktusët, sado t’i duash, vetëm të lëndojnë, siç pretendohet se ka ndodhur me Kayla Nicole dhe Travis Kelce.
Në një tjetër skenë, Swift spërkat veten me një pastrues të quajtur Opalite, që premton marrëdhënie më të mira. Një aluzion i qartë, që tregon se ajo ka ndier nevojë për të rregulluar veten në lidhjen e saj me Joe Alwyn.
Por kulmi vjen në fund. Taylor dhe Gleeson “bashkohen”, ndërsa në ekran shfaqet mesazhi:
“Guri dhe kaktusi u martuan në një ceremoni të vogël dhe intime pasi u njohën përmes Opalite.”
Dhe menjëherë pas tij:
“Plehrat mbeten plehra.”
Teksti i këngës duket se shkon edhe më tej. Në një varg, Swift këndon:
“Nuk mund ta kuptoje, pse ndiheshe i vetmuar/
Ishte [dashuri]e vërtetë për ty, ndërsa ajo rrinte gjithmonë në telefon.”
Fansat e lidhën menjëherë këtë me Kayla Nicole, sidomos pasi një video e vjetër e Travis Kelce u rikthye në qarkullim, ku ai ankohej se partnerja e tij rrinte gjithmonë në telefon.
Ka edhe nënkuptime se ish-e dashura e Kelce ishte më shumë e interesuar për famën sesa për marrëdhënien, diçka që Swift e ka prekur shpesh në tekstet e saj.
Për ata që kanë humbur kapitujt e mëparshëm: Taylor Swift dhe Joe Alwyn ishin bashkë për gjashtë vite, nga 2017 deri në 2023, në një lidhje tepër private. Ndërkohë, Travis Kelce dhe Kayla Nicole patën një marrëdhënie me shkëputje mes 2017-s dhe 2022-shit.
Sot, historia është krejt tjetër. Taylor dhe Travis janë të fejuar, ai i propozoi në gusht 2025 dhe po planifikojnë dasmën e tyre.
E megjithëkëtë, fiksimi i Taylor-it për të sulmuar ish-at përmes teksteve të saj nuk përfundon, përkundrazi./mxh
Më shumë se një miliard njerëz në botë përballen me dhimbjen e padurueshme të migrenës, një gjendje neurologjike që mund të shoqërohet me dhimbje koke të forta, ndjeshmëri ndaj dritës apo zërit. Por kërkimet shkencore po sjellin mënyra të reja trajtimi, që ofrojnë shpresë për pacientët.
Megan Daniels, avokate 35-vjeçare nga Liverpool, përdor çdo ditë një pajisje neuromoduluese që stimulojnë nervat e qafës dhe kokës. “Është shumë qetësuese, ndjen si të kalojnë valë përmes trurit”, thotë ajo. Pajisja ndihmon në parandalimin e sulmeve dhe redukton simptomat e migrenës vestibulare, që përfshin edhe probleme me ekuilibrin.
Një zbulim i rëndësishëm ka qenë identifikimi i molekulave CGRP, që rrisin ndjeshmërinë e nervave gjatë sulmeve. Bllokimi i tyre me barna të posaçme ka ndihmuar shumë pacientë, duke ulur frekuencën e sulmeve deri në 75% në disa raste. Por efektet mund të jenë të përkohshme, dhe disa pacientë nuk gjejnë lehtësim të plotë.
Studiuesit po zhvillojnë barna që targetojnë peptide të tjera, si Pacap dhe orexin, të cilat mund të përdoren si trajtime parandaluese. Këto barna jo vetëm që ndalojnë sulmet ekzistuese, por edhe ulin mundësinë e rikthimit të tyre.
Botoksi, i njohur për përdorim estetik, rezulton efektiv në reduktimin e sulmeve kronike të migrenës. Pajisjet neuromoduluese dhe elektrodave që stimulojnë nervat e kokës dhe fytyrës po tregojnë gjithashtu rezultate premtuese për pacientët që nuk reagojnë ndaj barnave.
Ekspertët nënvizojnë se trajtimi i migrenës kërkon një qasje të gjithanshme: kombinim të barnave, pajisjeve teknologjike, ndryshimeve në stilin e jetesës, terapi psikologjike dhe kujdesi ndaj dietës dhe aktivitetit fizik. Megan Daniels thekson: Asnjë gjë nuk zgjidh plotësisht migrenën, të gjitha pjesët së bashku formojnë puzzle-n e shëndetit./mxh
Tashmë është promovuar gjerësisht se të konsumosh vakte të shëndetshme dhe të ushtrohesh fizikisht është çelësi i suksesit për një trup të shëndetshëm dhe një jetë të gjatë. Vajtja në palestër dhe kryerja me rigorozitet e 10 mijë hapave në ditë është thuajse e pamundur për të gjithë, por një lajm i mirë vjen nga studiuesi Mark Hamer, profesor i sportit dhe mjekësisë sportive në University College London. Aktiviteti fizik gjatë jetës së përditshme është po aq efektiv sa kryerja e ushtrimeve fizike në palestër apo në aktivitete të ndryshme sportive.
Kush është i dhënë pas sportit, me siguri është i njohur me një term që po përdoret gjerësisht: VILPA (Aktivitet fizik i fuqishëm dhe me ndërprerje i stilit të jetës). Me fjalë të tjera, VILPA është çdo veprim fizik gjatë ditës, i cili mund të përfshijë ngjitjen me shpejtësi të shkallëve, ecjen e shpejtë brenda në shtëpi apo jashtë saj, lojërat e ndryshme me kafshët shtëpiake, pastrimin intensiv, mbajtjen e peshave gjatë ditës e shumë aktivitete të tjera që njeriu mund të kryejë gjatë përditshmërisë së tij.
Në një studim të vitit 2022, duke përdorur të dhëna nga 25 mijë e 241 njerëz në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, Hamer dhe kolegët e tij zbuluan se këto shpërthime të vogla lëvizjeje lidhen me përfitime shëndetësore. Shkencëtarët vunë re se, edhe pse njerëzit nuk kryenin specifikisht aktivitete sportive, ata realizonin lëvizje të konsiderueshme të cilat u sillnin shumë përfitime në shëndet.
Hamer dhe shkencëtarë në Universitetin e Sidneit zbuluan se vetëm tre ose katër seanca një minutëshe të VILPA-s çdo ditë ishin të mjaftueshme për të siguruar një ulje prej 40% të rrezikut të vdekjes së parakohshme nga të gjitha shkaqet dhe një ulje prej 49% të rrezikut të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, krahasuar me njerëzit që bënin pak lëvizje gjatë ditës.
Sipas Aleancës NCD, një organizatë që synon të adresojë rritjen e vazhdueshme të sëmundjeve jo-ngjitëse ose kronike në të gjithë botën, deri në pesë milionë vdekje në vit mund të shmangeshin nëse më shumë njerëz do të ishin mjaftueshëm aktivë. “Globalisht, stilet tona të jetesës po bëhen shumë më sedentare”, thotë Katie Dain, drejtoreshë ekzekutive e Aleancës NCD. “Thënë më konkretisht, shumë prej nesh po ulen në zyrë, ndërsa shumë nga qytetet tona janë më të projektuara për makina sesa për njerëz”, shprehet ajo.
Si rezultat, kërkuesit janë përpjekur t’i bëjnë objektivat e ushtrimeve më pak frikësuese. Edhe pse shumica e njerëzve janë të njohur me 10 mijë hapa në ditë, gjetjet e reja shkencore po tregojnë se mund të arrihen shumë përfitime shëndetësore edhe me më pak sasi hapash në ditë./mxh
Policia e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar mbi 30 tonë lëndë narkotike, marijuanë gjatë një operacioni të zhvilluar në Shkup dhe Strumicë, në atë që konsiderohet sasia më e madhe e konfiskuar ndonjëherë në një aksion të vetëm.
Sipas autoriteteve, lënda narkotike ishte kultivuar ligjërisht për qëllime mjekësore, por dyshohet se ishte destinuar të devijohej ilegalisht drejt tregut të zi, brenda dhe jashtë vendit.
Hetimet janë përqendruar te një kompani e kultivimit të kanabisit me interesa serbe, me seli në Shkup, e cila dyshohet se lidhet edhe me sekuestrimin e pesë tonë kanabis nga policia serbe më 30 janar 2026. Për këtë rast, autoritetet serbe kanë arrestuar tre persona, ndërsa hetimet vijojnë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se priten zbulime të tjera dhe se dhjetëra tonë kanabis ndodhen ende në depo, të destinuara për tregun e zi.
Në Maqedoninë e Veriut, që nga viti 2017, dhjetëra kompani janë licencuar për kultivimin e kanabisit mjekësor, por autoritetet pranojnë se kontrolli i këtij sektori mbetet një sfidë serioze./mxh
Pas publikimit të rastit të mësuesit të anglishtes në shkollën 9-vjeçare “Gustav Majer”, Tiranë, që predikonte te fëmijët fenë e Jehovait, reagon Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Tiranë.
Sipas njoftimit publik, mësuesi me vendim të Komisionit të Disiplinës është shkarkuar nga puna.
“Drejtoria e shkollës 9-vjeçare “Gustav Mayer” ka kryer menjëherë verifikimet përkatëse, në bashkëpunim me shërbimin psikosocial të institucionit. Në kuadër të këtij procesi, drejtoria dhe shërbimi psikosocial kanë hyrë në orën e mësimit të zhvilluar nga mësuesi dhe kanë administruar materialet përkatëse të përdorura gjatë procesit mësimor.
Bazuar në gjetjet e verifikimit, ndaj mësuesit z. Dritan Zaimi janë ndjekur procedurat ligjore dhe institucionale në fuqi. Konkretisht: Në zbatim të legjislacionit në fuqi, përfshirë Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, rregulloren për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare dhe Kodin e Etikës së Mësuesit, Drejtoria e shkollës ka nisur procedurën për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së punës.
Në respektim të afateve dhe të drejtës për t’u dëgjuar, mësuesi është njoftuar për t’u paraqitur më datë 09.02.2026, me qëllim parashtrimin e qëndrimit të tij lidhur me vendimin e marrë.
Që prej datës 03.02.2026, z. Zaimi nuk ka zhvilluar më orë mësimore në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer”. Institucionet arsimore mbeten të angazhuara për respektimin e standardeve profesionale, etikës dhe sigurisë së nxënësve, duke vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat përkatëse”, njofton Drejtoria./mxh
Ky artikull është publikuar nga Middle East Eye dhe trajton detaje të reja që dalin nga dosjet e FBI-së për Jeffrey Epstein, ku ngrihen akuza të rënda mbi lidhje të mundshme të tij me shërbime inteligjente apo figura të larta politike izraelite dhe amerikane.
Një dokument i FBI-së i vitit 2020, i përfshirë në dosjet e publikuara së fundmi për Jeffrey Epstein, pretendon se miliarderi i ndjerë, i dënuar për abuzime seksuale me të mitur, ishte “trajnuar si spiun” gjatë kohës kur kryeministër i Izraelit ishte Ehud Barak.
Dokumenti, i klasifikuar nga agjencia amerikane si raport i një burimi tejet konfidencial, përmban informacione mbi “ndikime të brendshme ose të huaja në procesin zgjedhor në SHBA”. Megjithatë, burimi, sipas FBI-së, ka “zgjeruar informacionin edhe në disa çështje të tjera”.
Sipas raportit, burimi ka deklaruar se ka ndarë me autoritetet detaje të bisedave telefonike mes profesorit të Harvard, Alan Dershowitz dhe Jeffrey Epstein, gjatë të cilave ai/ajo kishte mbajtur shënime. Këto detaje, sipas pretendimit, më pas i ishin përcjellë shërbimit sekret izraelit, Mossad-it.
Informatori, i cili i ka dorëzuar këto të dhëna më 16 tetor 2020, ka pohuar se Ehud Barak e konsideronte kryeministrin aktual izraelit, Benjamin Netanyahu, “një kriminel”. Po sipas tij, pas shumë bisedash rreth Epstein, ata ishin “bindur se Epstein ishte një agjent i rekrutuar nga Mossad-i”.
Burimi ka shtuar gjithashtu se kishte dëgjuar Dershowitz t’i thoshte një avokati tjetër amerikan se “Epstein i përkiste si shërbimeve inteligjente amerikane, ashtu edhe atyre të vendeve aleate”.
Burimi i paidentifikuar, i cili shfaqet vetëm një herë në dosjet Epstein me një kod të veçantë identifikimi, ka raportuar edhe detaje të tjera, përfshirë atë se vetë Alan Dershowitz ishte rekrutuar nga Mossad-i.
Dershowitz, një figurë mjaft polemike dhe mik i hershëm e këshilltar i Netanyahu-t, ka qenë pjesë e mbrojtjes ligjore në disa çështje të profilit të lartë në SHBA, përfshirë rastet e Jeffrey Epstein, Harvey Weinstein dhe Donald Trump.
Burimi ka pretenduar gjithashtu se firma Day One Ventures ndodhej në Silicon Valley për të “vjedhur teknologji”. Day One Ventures është themeluar nga Masha Bucher, ish-ndihmëse e Epstein për marrëdhëniet me mediat, për të cilën burimi ka thënë se ishte “kontakti kryesor i Vladimir Putinit në lëvizjen rinore ruse”.
Në raport sugjerohet edhe një marrëdhënie e gjatë mes familjes së Jared Kushner, dhëndrit dhe ish-këshilltarit të Donald Trump, dhe Izraelit. Burimi përmend babanë e Jared Kushner, Charles Kushner, duke iu referuar “lidhjeve të thella që familja Kushner ka me Izraelin dhe historisë së tyre të praktikave të korruptuara të biznesit”, pa dhënë detaje konkrete për këto akuza.
Dosje të tjera të publikuara së fundmi zbulojnë se Epstein dhe Ehud Barak, i cili ka shërbyer edhe si ministër i Mbrojtjes së Izraelit nga viti 2007 deri në 2013-ën, kanë pasur një marrëdhënie të ngushtë dhe afatgjatë.
Dokumentet tregojnë se Epstein e ka këshilluar Barakun për kompaninë teknologjike Palantir, i ka kërkuar atij t’i siguronte një post ish-ministrit britanik Lord Peter Mandelson në një kompani energjetike dhe ka diskutuar për honorare “masive” konsulence që do t’i paguheshin ish-kryeministrit britanik Tony Blair.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi në platformën X, duke deklaruar:
Marrëdhënia e ngushtë e Jeffrey Epstein me Ehud Barak-un nuk tregon se Epstein ka punuar për Izraelin. Përkundrazi, provon të kundërtën.
Netanyahu shtoi se Barak “prej vitesh është përpjekur në mënyrë obsesive të minojë demokracinë izraelite, duke bashkëpunuar me të majtën radikale anti-zioniste në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e zgjedhur të Izraelit”, duke e akuzuar ish-kryeministrin se ka vepruar publikisht dhe në prapaskenë për të dobësuar qeverinë izraelite./mxh
Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, nuk do të marrë pjesë këtë vit në Konferencën e Sigurisë në Mynih, e cila zhvillohet nga data 12 deri më 14 shkurt. Sipas Corriere della Sera, lajmi është pritur me njëfarë lehtësimi nga organizatorët dhe nga diplomacitë evropiane, ende të ndikuara nga jehona e fjalimit të ashpër të mbajtur nga Vance vitin e kaluar.
Në atë rast, zëvendëspresidenti amerikan kishte shkaktuar reagime të forta, duke deklaruar se në vendet evropiane “liria e shprehjes është në rrezik”, një akuzë që u konsiderua fyese dhe e padrejtë nga shumë kryeqytete të BE-së.
Sipas agjendës zyrtare, Vance ndodhet aktualisht në Itali, ku ka zhvilluar një takim në Milano me kryeministren Giorgia Meloni. Fundjavën pritet ta kalojë duke ndjekur gara të Lojërave Olimpike, ndërsa nga e hëna deri të enjten do të zhvillojë vizita zyrtare në Azerbajxhan dhe më pas në Armeni. Mynihu, këtë herë, nuk është pjesë e itinerarit të tij.
Delegacioni amerikan në Konferencën e Sigurisë do të drejtohet nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio. Siç ka theksuar edhe vetë presidenti Donald Trump, Rubio konsiderohet “më diplomatik” se Vance, një profil që pritet të përshtatet më mirë me klimën multilaterale të takimit.
Marrëdhëniet mes Vance dhe Rubio duken formalisht solide, por në Uashington dhe përtej tij vërehet një rivalitet i heshtur, i lidhur me ambiciet presidenciale për zgjedhjet e vitit 2028. Të dy shihen si pasardhës të mundshëm të Trump dhe përpiqen të forcojnë profilin e tyre ndërkombëtar.
Ndërsa Vance preferon marrëdhëniet bilaterale dhe një qasje më konfrontuese, Rubio investon në diplomacinë dhe dialog.
Në Mynih, Marco Rubio pritet të pritet me ngrohtësi dhe vëmendje të veçantë, si një partner më i parashikueshëm dhe më i hapur ndaj bashkëpunimit transatlantik./mxh
Gjashtë persona u plagosën, përfshirë një fëmijë pesëvjeçar, në një shpërthim që ndodhi mesditën e së premtes në një sallon bukurie në Grenoble të Francës. Sipas mediave franceze, të gjithë të plagosuri janë jashtë rrezikut për jetën.
Incidenti ndodhi pak para orës 15:00, kur njerëzit hynë në sallon dhe njëri prej tyre hodhi një granatë brenda ambienteve. Autorët e krimit u arratisën dhe deri më tani motivet e sulmit mbeten të panjohura.
Sipas mediave franceze, salloni i bukurisë ndodhet në katin përdhes të një ndërtese banimi shumëkatëshe, midis dyqaneve të tjera tregtare. Për shkak të shpërthimit të fuqishëm, vitrina e dyqanit u shkatërrua plotësisht. /mxh
Moderatorja Arbana Osmani ka ndarë një rrëfim të rrallë dhe shumë të ndjerë për periudhën kur mësoi se ishte shtatzënë për herë të tretë dhe se do bëhej nënë e një vajze, pas dy djemve të saj, Jonit dhe Diellit.
Gjatë një bisede me shkrimtaren Lea Ypi, në emisionin “Mirëmbrëma Yje”, Arbana tregoi se shtatzënia erdhi rreth një vit pas lindjes së Diellit dhe nuk kishte qenë aspak e planifikuar. Në atë kohë, ajo ndodhej në një moment intensiv të jetës profesionale dhe emocionale, me angazhime të shumta pune dhe plane personale që mezi po priste t’i realizonte.
Moderatorja rrëfeu se kishte planifikuar të ndalte gjidhënien e Diellit, si edhe një udhëtim në Amerikë me bashkëshortin e saj, Eduard Grishaj, për t’u shkëputur nga rutina dhe për të gjetur pak qetësi. Por lajmi i shtatzënisë e gjeti të papërgatitur dhe e tronditi.
Arbana pranoi se reagimi i parë ishte një ndjenjë shoku dhe mërzie, ndjesi për të cilën më pas e ka gjykuar veten ashpër. Ajo theksoi se nuk ndihej gati për një fëmijë tjetër kaq shpejt dhe se mendja i ishte mbushur me pikëpyetje mbi mënyrën se si do ta përballonte gjithçka: punën, pasionet, dy fëmijët e tjerë dhe angazhimet që kishte marrë ndërkohë.
Megjithatë, me kalimin e kohës, Arbana u shpreh se gjithçka mori rrjedhën e vet dhe se frikërat u shuan një nga një. Sipas saj, jeta gjen mënyrën për t’i vënë gjërat në vend dhe, pavarësisht pasigurive fillestare, gjithçka arrihet./mxh