Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në përfundim të procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve që i takojnë zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit për Kuvendin e Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ku është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në numërimin e pjesës së fundit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht votimit përmes postës dhe njëkohësisht, përfundimit të procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Aktualisht, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i pjesës së dytë të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht votimit përmes postës”, tha Elezi.
Më tej, Elezi ka treguar se janë duke u numëruar pjesa e dytë e fletëvotimeve që i takojnë votimit përmes postës, që deri më tani janë sjellur në Kosovë. Sipas tij, në Kosovë pritet të arrijnë edhe më shumë se 3 mijë pako me fletëvotime.
“Në vazhdim të procesit të numërimit do të përfshihen fletëvotimet nga votimi përmes postës të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 nga kutitë postare jashtë Kosovës dhe që deri më tani janë sjellur në Kosovë. Më 2 janar, nga 9 kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë, janë tërhequr 8,180 pako të tjera me fletëvotime, ndërkaq më 5 janar, nga 13 kutitë postare, në: Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11,867 pako me fletëvotime. Deri më tani, pjesa më e madhe e këtyre pakove janë sjell në Kosovë dhe i janë nënshtruar verifikimit dhe vlerësimit. Prej tyre, janë aprovuar rreth 16 mijë dhe ato janë duke u numëruar. Ende nuk janë sjell në Kosovë edhe 3,185 pako me fletëvotime, që janë tërhequr më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125), dhe Otavë (404)”, tha Elezi.
I pyetur për çështjen e rezultateve përfundimtare, Elezi ka shpjeguar se me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar, por sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, ky institucion duhet të presë për ndonjë ankesë eventuale në administrimin e numërimit në QNR, para se të shpall rezultatet përfundimtare.
“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, tha Elezi.
Ai përmendi se rruga që ndjek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shpalljen e rezultateve përfundimtare, përfshin disa hapa të rëndësishëm, pjesë më e madhe e të cilëve janë kaluar.
“KQZ shpall rezultatet përfundimtare vetëm pasi të përfundojnë këto procese: (1) verifikimi dhe numërimi i rezultateve në Qendrat Komunale të Numërimit, i cili tashmë është përmbyllur; (2) numërimi në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve i fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta, që gjithashtu është përmbyllur, (3) numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, i cili është në pjesën e fundit të tij si dhe (4) pasi të përfundojë shqyrtimi i ankesave të mundshme nga PZAP ose Gjykata Supreme për administrimin e numërimit”, tha tutje Elezi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post KQZ drejt përfundimit të numërimit të të gjitha votave të 28 dhjetorit appeared first on Sinjali.