Xabi Alonso thyen heshtjen pas shkarkimit nga Real Madridi, u dërgon një mesazh tifozëve
Trajneri spanjoll i futbollit, Xabi Alonso, u shkarkua dje (e jëmë) nga stoli i Real Madridit, ku kaloi vetëm gjysmë viti.
Shkarkimi erdhi pasi u bë e qartë se Alonso kishte humbur ndikimin në zhveshtore dhe se marrëdhëniet me lojtarët nuk ishin në gjendjen më të mirë, dhe sot ai theu heshtjen dhe foli publikisht për herë të parë.
Alonso vendosi t'u dërgojë një mesazh tifozëve të Real Madridit me anë të një postimi në profilin e tij privat në rrjetin social Instagram.
“Kjo periudhë e jetës sime profesionale ka mbaruar dhe nuk shkoi ashtu siç donim. Të stërvitesha me Real Madridin ka qenë një sfidë dhe një përgjegjësi për mua, çdo ditë. Falënderoj klubin, lojtarët dhe mbi të gjitha tifozët e Madridit për besimin dhe mbështetjen e tyre - largohem me respekt dhe krenari që kam dhënë gjithçka në klub", ka shkruar Alonsos në mesazhin e tij.
Xabi Alonso erdhi te Real Madridi para fillimit të këtij sezoni nga Bayer Leverkusen dhe në 28 ndeshjet që udhëhoqi ekipin, arriti një rekord prej 20 fitoresh, tre barazimesh dhe pesë humbjesh.
Megjithatë, një diferencë prej katër pikësh në La Liga pas liderëve, Barcelonës, dhe performancat jo bindëse në Ligën e Kampionëve sugjeruan se mund të ndodhte një ndarje e hershme, gjë që në fund u realizua.
Ju kujtojmë se Real Madridi në vend të Alonsos emëroi Alvaro Arbeloan, trajnerin e deridjeshëm të ekipit B, ose Real Castilla, të cilin e drejtoi në ligën e tretë spanjolle. /Telegrafi/
