Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 January 2026Main stream

Pjesë e grupit të Çopjave, arratiset nga Spitali i Durrësit i burgosuri “VIP”

By: Fax Web
13 January 2026 at 13:50

Arratiset nga Spitali i Durrësit i burgosuri Altin Ndoci.

Ai u shoqërua ditën e sotme nga qelia e burgut të Durrësit drejt Spitalit Infektiv për të marrë mjekim për një problem shëndetësor, por ka arritur të arratiset.

Pjesë e grupit të Çopjave, ai akuzohet për vrasjen e Besmir dhe Viktor Haxhisë, si edhe Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë.

Ai qëndronte në burg që prej majit të vitit 2020.

I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.

Pavarësisht ndërhyrrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes“, njoftojnë Burgjet.

U arratis nga spitali, Altin Ndoci nuk ishte shoqëruar nga policia e burgjeve gjatë mjekimit

By: Fax Web
13 January 2026 at 13:47

I dënuar nga SPAK për vrasjen e katër personave Altin Ndoci është arratisur nga spitali i Durrësit ndërsa po merrte mjekim në repartin e infektivit.

Rrethanat se si Altin Ndoci është arratiset nga reparti infektiv janë ende të paqarta.

Ndërkohë që duhet të ishte shoqëruar nga policia e burgjeve gjatë kohës që merrte mjekim.

Të gjithë grupet e policisë janë në terren dhe po kontrollohen edhe kamerat për të zbardhur ngjarjen.

I arrestuar nga SPAK për vepra të rënda penale, kush është i burgosuri i arratisur nga spitali i Durrësit

By: Fax Web
13 January 2026 at 13:46

Një i burgosur, i shtruar në infektivin e spitalit të Durrësit për probleme shëndetesore, është arratisur.

Një i burgosur ishte shtruar në spitalin e Infektivit në Durrës pasi kishte paraqitur probleme shëndetësore.

Por pas kësaj i burgosuri është arratisur. Mësohet se shtetasi i arratisur është Altin Ndoci, i arrestuar nga SPAK për vepra të rënda penale

“Akuza absurde, nuk ka lidhje me tenderat e AKSHI”/ SPAK firmosi urdhër-arrestin për Ergys Agasin, flet avokati Haxhia

By: Fax Web
13 January 2026 at 13:42

Avokati i Ergys Agasit, Maks Haxhiaj ka deklaruar se klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me tenderat e AKSHI. Ai ka zbuluar edhe arsyen pse Agasi nuk paraqitet në organet e drejtësisë, në një kohë që ndaj tij është lëshuar një urdhër arrest.

“Akuza absurde. Një person që nuk është i veshur me pushtet akuzohet për veprimtari si shkelje e barazisë në tendera apo heqje e lirisë së një personi për mos pjesëmarrje në tendera. Agasi nuk ka asnjë lidhje me tenderat e AKSHI. Agasi i ka mbaruar punët e tij, por vetëm një njeri që do që t’ia hedhin çelësat në det mund të paraqitet në organet e drejtësisë.
Në kushtet që nuk ka asnjë provë e material për provat që i ngrihen, vetëm nëse do të jetë i çmendur duhet të vijë të paraqitet. Komunikime me të nuk kam, pasi kontakte deri tani e kam më familjarët e tij”, tha ai.

“Dëmet në argjinatura nga mungesa e infrastrukturës”, Braçe kritik me qeverinë: S’mund të kthehemi në një shtet që paguan dëme çdo 6 muaj

By: Fax Web
13 January 2026 at 13:39

Nëpërmjet një video-mesazhi në Facebook, Erion Braçe ka ngritur shqetësimin për situatën e përmbytjeve. Braçe nuk është ndalur vetëm tek dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, por edhe nga masat dhe investimet që duhet të ishin kryer paraprakisht në infrastrukturë për të përballuar situate të tilla kritike.

Ai thekson se Shqipëria nuk duhet të kthehet në një shtet që thjesht paguan dëme çdo gjashtë muaj, referuar këtu edhe situatës kritikeve të zjarreve në verë, ku shumë banesa u dogjën pasi u përfshinë nga zjarret.
Reagimi:

Permbytjet-demi eshte me i madh se ai qe duket me sy, ne toke apo nga lart!;

eshte goditur zinxhiri prodhues ushqimor;

do kemi me pak ushqim vendi, cmime me te larta dhe ketu prekemi ne, ekonomia familjare!

do kemi me pak eksporte dhe ketu preket ekonomia kombetare!

Nga Shkodra ne Zadrime, Lac, DURRES, Lushnje, BERAT, KUCOVE, FIER, Korce ky eshte demi me i madh!

Ndaj pagesat per keto deme jane jetike, qofte per bagetite, qofte per bimet ne sera e fushe te hapur;

Bimet e demtuara do ishin prodhim, prodhimi per vendin apo eksportin do ishte te ardhura, te ardhurat do financonin mbjelljet e reja, PUNEN me qarte.

Nderkohe, ne nuk mund te kthehemi ne nje vend qe thjesht paguan deme, nga zjarri ne vere e uji ne dimer;

Kjo qe po ndodh tani-pas rreshjeve me thyerje te argjinaturave, po tregon qarte problemet ne infrastrukture;

Veprat mbrojtese, vecanerisht argjinaturat e vjetra jane rrenuar, kane humbur lartesi, qendrueshmeri, po kalohen lehte nga plota te mesme deri te larta;

JANE MALL PA ZOT, i demton gjithkush, nga bujqit vete deri tek kafshet, ndaj po vuajne kaq shume!

Eshte shume e rendesishme qe ne te bejme tonen tani, me ate qe na takon ne-INFRASTRUKTUREN, si investim, mirembajtje e mbrojtje, qe TE MOS KTHEHEMI NE NJE SHTET QE THJESHT PAGUAN DEME cdo 6 muaj!

Jazexhi: Mossadi po ndez kaosin në Iran, ligji po zbatohet për të shmangur shkatërrimin e vendit

By: Fax Web
13 January 2026 at 13:28

Olsi Jazexhi, gjatë një analize publike, deklaroi se shërbimi sekret izraelit, Mossadi, sipas tij, po sponsorizon elementë të dhunshëm për të nxitur destabilizimin e Iranit, përfshirë djegien e xhamive dhe vrasjen e civilëve, me qëllim krijimin e kaosit dhe justifikimin e ndërhyrjeve politike dhe ushtarake. Ai tha se, duke marrë shkas nga këto ngjarje, udhëheqja iraniane ka vendosur zbatimin e rreptë të ligjit për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike.

Sipas Jazexhit, në Iran ekziston liri proteste dhe opozita lejohet të shprehë pakënaqësitë e saj brenda kornizës ligjore, por shteti iranian nuk toleron shkeljen e ligjit dhe aktet e dhunës. Ai solli si shembull protestat e 28 dhjetorit në tregun e dyqaneve të celularëve në Teheran, ku tregtarët protestuan në mënyrë paqësore kundër pamundësisë së qeverisë për të kontrolluar rënien drastike të monedhës vendase, zhvlerësim që, sipas tij, u shkaktoi humbje milionëshe bizneseve.

Jazexhi theksoi se presidenti iranian u kërkoi ministrave të ndërmerrnin masa urgjente për stabilizimin e monedhës, ndërsa drejtori i Bankës Qendrore dha dorëheqjen duke marrë përgjegjësinë për situatën. Sipas tij, menjëherë pas këtyre protestave paqësore, në skenë hynë grupe diversantësh të lidhur me CIA-n dhe Mossadin, të cilët synuan të provokonin përplasje të dhunshme dhe luftë civile, duke sulmuar hoxhallarë, zyrtarë dhe civilë.

Ai shtoi se më 3 janar, Ajatollah Ali Khamenei denoncoi publikisht vrasjet e civilëve dhe u bëri thirrje forcave të sigurisë që personat përgjegjës për akte dhune dhe djegie xhamish të përballen me drejtësinë. Jazexhi pretendoi se edhe mediat izraelite kanë publikuar deklarata që, sipas tij, lidhen me thirrje të Mossadit për destabilizimin e strukturave të sigurisë iraniane.

Sipas analizës së tij, gjatë ndërrimit të viteve në Iran u shfaqën banda të armatosura dhe qeveria iraniane vendosi të neutralizojë personat që po nxisnin dhunë. Jazexhi deklaroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara synojnë eliminimin e liderit suprem të Iranit, ndërsa theksoi se Irani mbetet një fuqi e madhe ushtarake, e mbështetur nga Kina dhe Rusia, dhe sipas tij, është një nga vendet e fundit islamike që nuk është shkatërruar nga ndërhyrjet amerikane./faxweb

Tabaku: Shqipëria po ndërton ekonomi që nuk prodhon, tkurrje e industrisë dhe bujqësisë

By: Fax Web
13 January 2026 at 13:17

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, i cilësoi sot shifrat e fundit mbi ekonominë e vendit jo thjesht statistika, por paralajmërim se kapacitetet prodhuese po përdoren gjithnjë e më pak.

Sipas saj, të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë dhe INSTAT tregojnë se ekonomia shqiptare vazhdon të rritet në letër.

“Industria dhe bujqësia janë në rënie, ndërsa rritja mbahet pothuajse ekskluzivisht nga turizmi, ndërtimi dhe shpenzimi publik”, u shpreh Tabaku.

Kjo, sipas saj, nuk është një fazë kalimtare e padëmshme por shenjë e një modeli ekonomik të pabalancuar.

“Ajo që po ndodh sot është zhvendosje e burimeve nga prodhimi drejt fitimit të shpejtë. Sektorët që po rriten më shpejt po thithin kapitalin, fuqinë punëtore dhe vëmendjen e politikave publike. Si pasojë, prodhimi vendas, industria dhe bujqësia, po mbetet pa investime, pa punëtorë dhe pa perspektivë”, deklaroi Tabaku.

Deputetja shtoi se kostot në ekonomi rriten, eksportet dobësohen dhe mallrat e importuara zëvendësojnë gjithnjë e më shumë prodhimin vendas.

“Një rritje që duket pozitive në sipërfaqe, në fakt po gërryen themelet e ekonomisë”, nënvizoi Tabaku.

Në këto kushte, theksoi ajo, Shqipëria nuk po ndërton një ekonomi prodhimi.

“Po ndërton një “ekonomi hoteli”. Një ekonomi që nuk prodhon mallra, nuk krijon zinxhirë vlere dhe nuk eksporton dije apo industri. Një ekonomi që shet shërbime, shfrytëzon tokën dhe ndërton beton. Një ekonomi që jeton nga sezoni, moti dhe flukset e momentit”, deklaroi Tabaku.

Industria dhe bujqësia, sipas saj, po tkurren jo sepse janë të paafta, por sepse mjedisi ekonomik i ndërtuar sot nuk i shpërblen ato.

“Pasojat po i ndjejmë çdo ditë. Kostoja e jetesës rritet më shpejt se mirëqenia reale. Pagat rriten jo nga produktiviteti, por nga mungesa e punëtorëve për shkak të emigracionit dhe demografisë. Fitues janë pronarët e tokës dhe pasurive të paluajtshme. Humbëse është shtresa e mesme, bizneset prodhuese dhe të rinjtë që nuk shohin perspektivë afatgjatë”, tha Tabaku.

Sipas saj, kjo është një ekonomi që polarizon shoqërinë dhe dobëson themelet e saj.

“Një vend nuk mund të bëhet i pasur duke i shërbyer turistëve dhe duke ndërtuar pafund. Pa industri, pa bujqësi konkurruese dhe pa dije teknike, Shqipëria rrezikon të mbetet përgjithmonë një ekonomi e të ardhurave të mesme, një vend pushimi për të tjerët, por jo një vend me fuqi reale ekonomike për qytetarët e vet”, shtoi Tabaku.

Olsi Jazexhi në Fax News: Trump kërcënon Iranin dhe ndjek skenarin e Venezuelës në rendin e ri ndërkombëtar

By: Fax Web
13 January 2026 at 13:13

Studiuesi Olsi Jazexhi ishte i ftuar në emisionin Fax News, ku foli gjerësisht për zhvillimet e fundit në rendin ndërkombëtar dhe tensionet globale që po thellohen.

Gjatë intervistës, Jazexhi u ndal te situata në Iran, ku prej ditësh po zhvillohen protesta, duke theksuar se ish-presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar drejtpërdrejt Teheranin. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një fushatë të ashpër sanksionesh ekonomike ndaj Iranit me synimin për ta nënshtruar politikisht dhe ekonomikisht regjimin iranian.

Ai shtoi se këto sanksione nuk kufizohen vetëm te Irani, por janë pjesë e një strategjie më të gjerë amerikane që përfshin edhe vende të tjera si Rusia dhe Kuba, të cilat konsiderohen si kundërshtare të rendit të udhëhequr nga Uashingtoni.

Sipas Jazexhit, Trump po ndjek të njëjtin model ndërhyrjeje që përdori më parë në Venezuelë, duke tentuar tani ta zbatojë edhe në Iran, përmes presionit politik, ekonomik dhe mbështetjes indirekte të destabilizimit të brendshëm. Ai paralajmëroi se këto ndërhyrje rrezikojnë të përshkallëzojnë konfliktet dhe të çojnë në pasoja të rënda për stabilitetin rajonal dhe global./faxweb

2026 do të jetë viti i naftës! Nga Venezuela te Groenlanda, synimet e Trump-it dhe iluzioni i kthesës së gjelbër

By: Fax Web
13 January 2026 at 13:11

Nga kriza venezueliane te Groenlanda, “ari i zi” po dominon skenën globale. Qeveritë janë në vështirësi me tranzicionin, ndërsa tregu nxit burime të rinovueshme dhe autonomi energjetike.

Nuk është ende koha të pyesim se ku përfundoi tranzicioni energjetik, por viti që sapo ka nisur duket se nuk e ka atë si protagonist. Të paktën në planin e politikës dhe institucioneve. Në realitetin e tregut, siç do të shohim, sinjalet janë më pak negative. Aktori kryesor absolut, si dhe ndoshta edhe më shumë se vitet ’70, është nafta: në burim fosil, fundi i së cilës u shpall më kot në konferencat për klimën. Dallimi themelor me krizat e shekullit të kaluar është se çmimet e fuçive të naftës nuk lëvizin. Madje bien paksa.

Rrëzimi  i diktatorit venezuelian Nicolás Maduro nga Shtetet e Bashkuara kishte si objektiv kryesor përvetësimin e naftës së Karakasit. Qëllimi i parë i shpallur, lufta kundër narkotrafikut, e cila ndoshta do të justifikonte një veprim mbrojtës ndaj një kërcënimi të jashtëm hibrid, kaloi shpejt në plan të dytë.  Aq sa një nga akuzat ndaj Maduros, se ishte në krye të një karteli droge, ra pothuajse menjëherë. Venezuela ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, madje më të mëdha edhe se ato të Arabisë Saudite.

Kjo, gjithmonë duke supozuar se riklasifikimi i vendburimeve të Orinokos, i kërkuar nga Hugo Chavez, është i besueshëm.

Një biznes pak i leverdishëm?

Disa dyshime janë të ligjshme. Dhe pak rëndësi ka që nafta e saj është e cilësisë së dobët: shumë e rëndë, me përqindje të lartë squfuri. Vlera e saj gjeopolitike shkon përtej çmimit në treg. Qëllimi është t’i hiqet ajo, bashkë me vendin, ndikimit të armiqve si Kina dhe Rusia.

Edhe pse,  siç vëren Salvatore Carollo, i cili punoi për bashkimin e kompanive Eni dhe Chevron, kushtet e industrisë së naftës në Karakas janë aq të prapambetura sa do të duhen dhjetë vjet për të dyfishuar prodhimin që sot arrin në 800 mijë fuçi në ditë. Dhe është krejt e pamundur, siç ka shkruar “La Staffetta Petrolifera”, që kompanitë amerikane të duan të angazhohen në investime kaq të mëdha (është folur për 165 miliardë).

“Edhe sepse, vazhdon Carollo, pavarësisht çfarë thotë Trump, ato kujdesen për profilin e qëndrueshmërisë, për imazhin e tyre. Nuk duan të duken si fuqi koloniale të shoqëruara nga marinsat. Sipas meje, janë të interesuara të shlyhen me naftën e Karakasit për kreditë e bllokuara, por jo më tepër.”

Pra, nuk duket ndonjë biznes i madh.

“Shtetet e Bashkuara, edhe falë ‘shale oil’, kanë mjaftueshëm naftë. Ato kanë nevojë sidomos për benzinë dhe ajo venezuelane mund të përzihet duke zëvendësuar atë kanadeze, duke ulur varësinë nga importet e Otavës, paradoksale në sektorin e gazit të lëngshëm që pastaj u shitet të gjithëve. Dhe te ne kushton katër herë më shumë se në Amerikë.”

Synime strategjike

Por ka edhe një aspekt tjetër strategjik që ndoshta shpjegon më mirë lëvizjen e Shtëpisë së Bardhë dhe nxitimin për ta mbyllur konfliktin në Ukrainë. “Moska ka arritur, përfundon Carollo, të krijojë një sistem alternativ, dhe në disa aspekte të fshehtë, të tregtimit të naftës që e anashkalon plotësisht përdorimin e dollarit dhe kërcënon rolin e tij qendror.”

Prej këtej vjen edhe sekuestrimi i bujshëm i cisternës ruse “Marinera”.

Pasi përfundoi operacionin në oborrin e vet, apo të supozuar si i tillë, sipas doktrinës së pagëzuar ‘Donroe’, presidenti amerikan e zhvendosi vëmendjen te Groenlanda, të cilën prej kohësh e konsideron si një territor “nën yjet dhe vijat” amerikane. Debati publik u fokusua, në mënyrë të pashmangshme, te aspektet ushtarake dhe ligjore, te përkatësia e atij territori ndaj Danimarkës, e cila ndër të tjera është pjesë e NATO-s.

Është folur shumë për “thesaret” që ruan Groenlanda, për mundësitë e pafundme ekonomike nga shfrytëzimi i burimeve të saj, por jo për faktin e hidhur dhe shqetësues, se të qënit në qendër pas shekujsh harrese të akullt, është pasojë e drejtpërdrejtë e ngrohjes globale.

Rrugë të reja?

Tashmë është sikur të jemi dorëzuar Kështu qenka. Hapja e rrugëve arktike u përshëndet si fillimi i një Eldoradoje të re të lundrimit detar. Alessandro Giraudo, autor i disa librave të vlerësuar të historisë ekonomike, thekson faktin e jashtëzakonshëm që pikërisht këto ditë një anije kineze ka bërë udhëtimin nga Shangai në Mbretërinë e Bashkuar për vetëm 20 ditë, duke përgjysmuar kohët e udhëtimit. Pak a shumë si në epokën e artë të eksplorimeve, me Vasco da Gamën, i pari që arriti në Indi nga Portugalia.

Por nuk jemi në fund të shekullit XV. Kemi “rizbuluar” Amerikën, atë të Trumpit, në një mënyrë tjetër. Të pakëndshme.

Të dhënat klimatike duken se i interesojnë më pak. Ose më mirë: hiqen nga mendja me një lehtësi më të madhe dhe hipokrite. Dhe nëse kësaj i shtohet edhe rishikimi europian i Marrëveshjes së Gjelbër, nuk ka shumë arsye të besohet se 2026 do të jetë vit i vëmendjes së madhe ndaj tranzicionit energjetik. E megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, të dhënat janë inkurajuese.

Dekarbonizimi është i mundur

Energjia elektrike e prodhuar nga dielli e ka kaluar atë të qymyrit, aq sa revista Science e ka shpallur teknologji të vitit. “Dhe po ndodh një revolucion i heshtur, komenton Stefano Ciafani, president i Legambiente.

“Në 2024, 92.5% e investimeve globale në prodhimin e energjisë elektrike kanë shkuar për të rinovueshmet dhe vetëm 7.5% për burimet fosile. Dhe po të shohim Italinë, në nëntorin e kaluar, bazuar në të dhënat e Ternas, pati rekord të vënies në punë të burimeve të pastra me gjithsej një gigavat.  Në një muaj të vetëm, aq sa bënim deri pak kohë më parë në një vit. Duhet të bëjmë 80 gigavat kapacitete shtesë deri në 2030. Objektivi i dekarbonizimit i parashikuar nga Pniec, Plani Kombëtar për Energjinë, është i arritshëm. Dhe kjo pavarësisht rezistencave rajonale, edhe nga administrata të qendrës së majtë si Sardenja, Toskana apo Emilia-Romagna.”

Këto ditë dolën edhe të dhënat e përgjithshme për emetimet e 2024-ës. Sipas raportit të Joint Research Center të Komisionit Europian, emetimet totale ishin 53.5 gigatonë dioksid karboni, me rritje 1.3%. Vetëm ato të vendeve europiane (bashkë me Japoninë) ranë, me 1.8%. Intensiteti i emetimeve për njësi PBB-je të prodhuar u ul pak : një shenjë e vogël eficience energjetike. Duke parë peshën e vogël të BE-së në totalin e emetimeve (6%), lind pyetja nëse përpjekja europiane ia vlen.

Fati i tranzicionit

“Kjo pyetje është keq e formuluar dhe të çon në rrugë të gabuar, shpjegon ekonomisti mjedisor Andrea Sbandati,  në debatin për gjeopolitikën na shpëton se fuqia kineze është edhe, e mbi të gjitha, te burimet e rinovueshme, dhe Europa mund ta mbrojë më mirë, duke e përshpejtuar me zgjuarsi tranzicionin energjetik, atë aktivitet industrial që do të jetë themelor në vitet e ardhshme. Sepse rruga është ajo. Do të jetë më e ngadaltë, por është ajo. Nuk kthehemi mbrapa. Të rinovueshmet nuk mjaftojnë, energjia nuk është vetëm elektricitet, por janë e vetmja mënyrë që në të ardhmen të jemi pak më të pavarur energjetikisht. Dhe, duke parë çfarë po ndodh në botë këto ditë, kjo nuk është pak.”

A do ta shpëtojë tregu tranzicionin, pavarësisht qeverive dhe institucioneve? Ky është një nga pyetjet e mëdha të vitit 2026.

Përmbytjet në vend/ “Askush s’kujdeset për argjinaturat”, Braçe me tone kritike: S’mund të kthehemi në shtet që vetëm paguan dëme, duhet të parandalojmë

By: Fax Web
13 January 2026 at 13:06

Deputeti PS Erion Braçe ka reaguar në lidhje me përmbytjet që kanë përfshirë vendin tonë ditët e fundit, dhe siç thotë ai edhe përmbytjet që po ndodhin tani edhe pse shi nuk ka më.

Sipas Braçes pagesa për dëmet është jetime për të kompensuar ekonominë që kanë humbur, si bagëtitë por edhe të mbjellat. Por theksin deputeti socialist e vë te eliminimi i faktorëve që çojnë në dëme, duke nënvizuar infrastrukturën.

Ai thotë se argjinaturat nuk mirëmbahen dhe askush nuk kujdeset për to, duke çuar në çarjen e tyre tani që nuk ka më shi.

“Ne nuk mund të kthehemi vetëm në një shtet që paguan dëmet, duhet të merremi me eliminimin e faktorëve që çojnë në këto dëme, infrastruktura, ajo që na takon ne. Këto që po lexoj me çarje argjinaturash tani pas reshjeve nga lumenj që fryhen, natyrisht ka pasoja për sjelljen e shtetit. Argjinaturat sot janë mall pa zot, nuk kujdeset kush sot, nuk ka roje.

E kam vuajtur vetë në kurriz, në Divjakën që sot nuk përmbytet. Duhet të ndryshojmë në mënyrën si i menaxhojmë veprat që janë jetike për banorët, duhet të paguajmë për to që mos kthehemi vetëm në një shtet që paguan dëme”, deklaron Braçe.

Atentati ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja! Gjykata e Posaçme dërgon për gjykim Amar Shkëmbin dhe Bledar Polovinën

By: Fax Web
13 January 2026 at 11:50

GJKKO ka vendosur kalimin për gjykim të çështjes në ngarkim të Amar Shkëmbit dhe Bledar Polovina. Ata dyshohet se kanë qenë të përfshirë në atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja në mbikalimin e Shkozetit.

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e prokurorit Adnan Xholi dhe vendosi kalimin për gjykim të çështjes në ngarkim të Amar Shkëmbit dhe Bledar Polovinës, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja në mbikalimin e Shkozetit.

Vendimi u dha nga gjyqtari Bib Ndreca, teksa në ditët në vijim do hidhet shorti për të përcaktuar treshen e gjyqtarëve që do shqyrtojë dosjen penale në themel.

Amar Shkëmbi ishte shpallur në kërkim nga SPAK për këtë ngjarje, ndërsa u ekstradua nga Dubai në Tiranë në tetor të vitit të kaluar për llogari të autoriteteve shqiptare.

Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme, ka rezultuar se Shkëmbi, së bashku me Bledar Polovina, Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, dhe Ariol Halilaj kanë vepruar në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, duke kryer veprat penale të “Vjedhjes” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtjes pa lejë të armëve”, “Vrasjen e funksionarëve publikë” mbetur në tentativë, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, vepra këto të kryera në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” në ngjarjen e regjistruar në 1 nëntor 2019 ku mbeti i vrarë Andi Maloku dhe i plagosur Arjan Ndoja si dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe me emrin “Rrumi i Shijakut”.

Në të njëjtën çështje penale janë edhe të pandehurit Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhia dhe Julian Pjetri.

SHBA akuzon Rusinë për përshkallëzim të rrezikshëm të luftës në Ukrainë

By: Fax Web
13 January 2026 at 11:37

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë akuzuar Rusinë të hënën për “përshkallëzim të rrezikshëm dhe të pashpjegueshëm” të luftës së saj gati katërvjeçare në Ukrainë, në një kohë kur administrata e presidentit Donald Trump po përpiqet të shtyjë përpara negociatat drejt paqes.

Zëvendësambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Tammy Bruce, veçoi lëshimin nga Rusia javën e kaluar të raketës balistike “Oreshnik”, e aftë për mbajtje bërthamore, pranë kufirit të Ukrainës me Poloninë, një aleate e NATO-s.

Ajo tha  në një mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit se SHBA-ja e dënon “numrin tronditës të viktimave” në konflikt dhe i ka dënuar sulmet gjithnjë e më intensive të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike dhe asaj civile.

Ukraina kishte kërkuar mbledhje pas bombardimit rus gjatë natës së enjtes së kaluar, kur  përdoren qindra dronë dhe dhjetëra raketa, përfshirë raketën e re dhe të fuqishme hipërsonike “Oreshnik” e cila u përdor nga Moska për herë të dytë, si një paralajmërim i qartë për aleatët e Kievit nga NATO.

Sulmi i përmasave të mëdha ndodhi disa ditë pasi Ukraina dhe aleatët e saj raportuan përparim të madh drejt një marrëveshjeje si të mbrohet vendi nga represioni i mëtejmë rus, në rast se arrihet një marrëveshjeje paqeje e udhëhequr nga SHBA-ja.

Sulmi përkoi gjithashtu me një ftohje të re të marrëdhënieve mes Moskës dhe Washingtonit, pasi Rusia dënoi sekuestrimin nga SHBA-ja të një cisterne nafte në Atlantikun e Veriut. Ai ndodhi në të njëjtën kohë kur presidenti amerikan, Donald Trump sinjalizoi mbështetjen e tij për një paketë të ashpër sanksionesh që synon të gjymtojë ekonomikisht Rusinë.

Moska nuk dha asnjë sinjal publik se është e gatshme të tërhiqet nga kërkesat e saj maksimaliste ndaj Ukrainës. Ndërkohë, ambasadori rus në OKB fajësoi të hënën Ukrainën për bllokimin diplomatik.

Udhëheqësit evropianë e dënuan përdorimin e raketës “Oreshnik”.

Shoqata e Gjyqtarëve kundër projektligjit: Me emërimin e kryetarëve pa garë po merrni kompetencat e KLGJ

By: Fax Web
13 January 2026 at 11:34

Nisma ligjore e PS, relakson pozicionet e kryetarëve të komanduar të gjykatave dhe prokurorive, të cilët do të rrinë në detyrë deri në fund të vitit 2028. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve del kundër kësaj dispozite duke thënë se po i merren kompetencat KLGJ.

Dy projektligje të propozuara nga deputeti socialit Olsi Komici që synojnë të bëjnë disa korrigjime të reformës në drejtësi, kamë sjellë reagimin e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë. Nisma ligjore e Komicit, relakson pozicionet e kryetarëve të komanduar të gjykatave dhe prokurorive, të cilët do të rrinë në detyrë deri në fund të vitit 2028.

Por, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve del kundër këtij propozimi duke thënë se po shmanget gara për postet drejtuese në Gjykata. Më tej në reagim thuhet se me një dispozitë të tillë, po tentohet të uzurpohet pushteti që Kushtetuta i ka dhënë Këshillit të Lartë Gjyqësor në emërimin e kryetarëve të gjykatave.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve. Emërimi në pozicionin e kryetarit të gjykatës konsiderohet si ngritje në detyrë sipas ligjit nr. 96/2016 dhe për këtë mund të disponojë vetëm Këshilli i Lartë Gjyqësor”, thuhet në reagim, duke theksuar se çuditërisht kjo dispozitë shtrihet vetëm tek gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm dhe atyre administrative dhe nuk përfshin gjykatat e posaçme.

Po ashtu, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve thotë se projektligji nuk mban në konsideratë faktin se KLGJ-ja tashmë ka miratuar aktin normativ përkatës lidhur me procedurën e zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, akt i cili ka hyrë në fuqi në datën 1 janar 2026 dhe pritet t’i sjellë efektet shumë shpejt, me hapjen e garës për postet e kryetarëve në këto gjykata.

Deklarata e plotë e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë është një njohur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, si pjesë e një pakete ndryshimesh të ligjeve të reformës në drejtësi, të dërguar nga ana e Kuvendit, për konsultim. Në parim, Shoqata është shprehur gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me Kuvendin dhe çdo institucion tjetër në përmirësimin e kuadrit ligjor që normon statusin e magjistratëve si dhe organizimin dhe veprimtarinë e organeve të drejtësisë dhe të qeverisjes së tyre. Megjithatë, kjo Shoqatë thekson se çdo ndryshim normativ duhet të jetë i kujdesshëm, të mos bjerë ndesh me parimet themelore të shtet ndërtimit, si ndarja dhe balancimi i pushteteve dhe pavarësia e gjyqësorit, si dhe duhet të synojë perfeksionimin e ligjeve bazë të reformës në sistemin e drejtësisë dhe jo të zhbëjë sukseset e arritura deri tani në këtë drejtim.

Shoqata konstaton se në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, të paraqitur nga ana e Kuvendit, ndër të tjera, prezantohet edhe një normë e cila vlerësohet si shumë problematike nga pikëpamja kushtetuese. Konkretisht bëhet fjalë për nenin 12 të këtij projektligji, që synon të shtojë nenin 170/3 në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ne Republikën e Shqipërisë”. Nëpërmjet kësaj norme, kryetarët në detyrë të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij administrativ konfirmohen si kryetarë të emëruar deri në datën 31 dhjetor 2028, duke shmangur sakaq garën për këto poste drejtuese në pushtetin gjyqësor.

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë thekson se një dispozitë e tillë, së pari, tenton të uzurpojë pushtetin që Kushtetuta i ka dhënë Këshillit të Lartë Gjyqësor në emërimin e kryetarëve të gjykatave. Në nenin 147/a, pika 1, shkronja “a”, të Kushtetutës, parashikohet se Këshilli i Lartë Gjyqësor emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve. Emërimi në pozicionin e kryetarit të gjykatës konsiderohet si ngritje në detyrë sipas ligjit nr. 96/2016 dhe për këtë mund të disponojë vetëm Këshilli i Lartë Gjyqësor. Së dyti, në mënyrë të çuditshme, kjo dispozitë shtrihet vetëm ndaj gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm dhe atyre administrative dhe nuk përfshin gjykatat e posaçme. Së treti, projektligji nuk mban në konsideratë faktin se KLGJ-ja tashmë ka miratuar aktin normativ përkatës lidhur me procedurën e zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, akt i cili ka hyrë në fuqi në datën 1 janar 2026 dhe pritet t’i sjellë efektet shumë shpejt, me hapjen e garës për postet e kryetarëve në këto gjykata, si dhe faktin se për një periudhë prej gati gjashtë vitesh gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit janë drejtuar nga zëvendëskryetarët, të cilët kanë ushtruar funksionet e kryetarit në detyrë. Kjo gjë e bën jo vetëm të panevojshëm caktimin e kryetarëve të gjykatave nga ana e Kuvendit, por sjell edhe cenimin e parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Shoqata sjell në vëmendje se edhe tentativa të ngjashme për miratimin e normave të tilla me karakter ad personam kanë dështuar pasi janë përballur me gjykimin kushtetues. Përmendim këtu vendimin nr. 34, datë 10.04.2017, të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin është shfuqizuar, ndër të tjera, neni 161, pika 3, e ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dispozitë e cila synonte të ndërpriste mandatin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë si dhe të kryetarëve të gjykatave të tjera. Në këto rrethana, Shoqata fton Kuvendin e Republikës së Shqipërisë që të mos përpiqet të cenojë standardet e shtetit të së drejtës, duke dëmtuar arritjet e realizuara përmes ngritjes së organeve të reja të qeverisjes së pushtetit gjyqësor, pushtet i cili është në përfundim të procesit të reformimit si dhe që të mbajë në konsideratë jurisprudencën udhërrëfyese të Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër, ajo është në çdo moment e hapur për të bashkëpunuar dhe ofruar kontributin e saj në përmirësimin e procesit të ligjbërjes.

113 vjet Polici e Shtetit, Proda: Besoni te ne! Jemi ajo që bëjmë, jo ajo që flitet përmes përbaltjes

By: Fax Web
13 January 2026 at 11:27

Policia e Shtetit feston 113-vjetorin.

“Gjatë këtyre 113 vite 231 punonjës dhanë gjithçka për të mirën e  shtetit. Sot e përmot ata janë krenaria e vendit tonë. Për këtë rrugëtim 113 vjeçar kanë kontribuar gjenerata të tëra. Viti që lamë pas tregoi vendosmërinë dhe guximin tonë. Uljen e kriminalitetin dhe menaxhimin e sezonit turistik. Të gjitha këto janë dëshmi që Policia e Shtetit nuk stepet dhe nuk ndalon kurrë. Ajo zhvillohet, trajnohet dhe punon çdo ditë më mirë për qytetarin dhe ligjin. Kjo tregon që Policia e Shtetit nuk dorëzohet kurrë.

Ne nuk jemi perfektë, por jemi përditë në sfidë me situatat dhe veten. Mos harroni kolegë sakrificën e përditshme, ju jeni atje kur asnjë tjetër nuk është, në diel shi e dëborë. Ju jeni telefonata e parë e çdo problemi. Jeni modestë në misionin tuaj, por gjithmonë prezentë. Rezultatet e vitit të kaluar tregojnë se koordinimi me partnerët ndërkombëtar janë baza e suksesit tonë. Ne jemi ajo që bëjmë jo ajo që flitet për ne përmes sulmeve e përbaltjes së padrejtë ndaj kontributit të mijëra djemve e grave që sakrifikojnë përditë”, tha Ilir Proda.

Homazhe pranë memorialit të dëshmorëve të Policisë së Shtetit

By: Fax Web
13 January 2026 at 11:17

Me rastin e 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, u zhvillua sot një ceremoni përkujtimore në memorialin e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda së bashku me familjarë të Dëshmorëve të Policisë, vendosën kurora me lule, në memorialin përkujtimor të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, të rënë në krye ose për shkak të detyrës.

Drejtori i Përgjithshëm shprehu mirënjohjen e pakufishme dhe ndërimet më të larta, për veprën e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, njëkohësisht Dëshmorë të Atdheut, gjaku i të cilëve qëndron në flamurin kombëtar dhe në themelet e kombit.

Proda u shpreh gjatë ceremonisë se “sakrifica sublime dhe emri i secilit prej ish-kolegëve të rënë gjatë përballjes me krimin, janë motive të forta pse Policia e Shtetit është sot më e angazhuar se kurrë, për t’i ruajtur të denja simbolin kombëtar, jetën dhe pronën e çdo qytetari.”

Policia e Shtetit shënon 113-vjetorin e themelimit, si një nga institucionet kyçe për rendin dhe sigurinë publike në vend.

Pasojat e përmbytjeve në Durrës/ Mbi 1 mijë pako ndihma ushqimore e industriale shpërndarë nga rezervat e shtetit

By: Fax Web
13 January 2026 at 11:13

Bashkia Durrës po vijon shpërndarjen e ndihmave për qytetarët e prekur nga përmbytjet e fundit. Aktualisht, rreth 1,250 pako ushqimore dhe industriale janë shpërndarë nga rezervat e shtetit, ndërsa rreth 2,500 pako të tjera ushqimore nga Shoqata Katar do të shpërndahen nesër.

Shoqata Islamike Relief po bashkëpunon me autoritetet lokale për të ofruar ndihma shtesë me pako industriale dhe ushqimore.

Ndërkohë situata e tokave bujqësore mbetet e rënduar:

  • Bashkia Durrës: 900 ha në Sukth dhe 50 ha në Katund i Ri janë nën ujë.
  • Bashkia Shijak: 600 ha nën ujë.
  • Bashkia Krujë: 250 ha nën ujë.

Banesat e përmbytura gjithashtu po evidentohen nga grupet e punës, megjithëse procesi është penguar nga prania e ujit në disa zona. Aktualisht janë regjistruar:

  • Shijak: 43 banesa të përmbytura
  • Krujë: 18 banesa të përmbytura

Bashkia Durrës apelon për qytetarët që të respektojnë udhëzimet e emergjencës dhe të bashkëpunojnë me ekipet lokale gjatë shpërndarjes së ndihmave.

Dëborë e ngrica në akset e Shkodrës, rrugët janë të kalueshme, apel shoferëve për të përdorur zinxhirë

By: Fax Web
13 January 2026 at 11:11

Ne akset Koplik-Bogë, Dedaj- Razëm dhe kryesisht ne Bogë- Theth ka qenë mot i kthjellët por me temperatura nën zero nga – 3° në Koplik deri në -18° ne Qaf Thorë.

Rrugët janë të kalueshme por duhet të zbatohen me rigorozitet rregullat e qarkullimit,  sinjalistika dhe përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirëve.

Ne Qafe Thorë nuk ka pasur aktivizim te rrezikshëm te ortekëve. Po punohet  për pastrim e dëborës që ka sjelle era dhe në kriposje.

Gjithashtu kriposja po bëhet dhe në aksin e Bërdicës për shkak të prezencës së ngricave në rrugë.

Për herë të parë në 25 vjet, një qytet në Afrikën e Veriut mbulohet nga reshjet e dëborës

By: Fax Web
13 January 2026 at 10:57

Banorët në një qytet të Afrikës së Veriut kanë përjetuar reshje të konsiderueshme bore për herë të parë në afërsisht 25 vjet, ndërsa pamjet tregojnë vendasit me veshje të trasha të jashtme duke u argëtuar në rrugët e mbuluara me borë.

Sipas mediave të huaja, më 7 janar 2026, qyteti maroken verilindor i Oujdas regjistroi dy centimetra borë në qendër të qytetit, ndërsa fshatrat përreth panë deri në 10 centimetra.

Thuhet se reshjet e borës kanë ndodhur gjatë një valë të ftohti që solli një rënie të ndjeshme të temperaturave në pjesë të Afrikës së Veriut, të nxitura nga një sistem i fuqishëm me presion të ulët dhe masa e ajrit të ftohtë.

1 miliard lekë shtesë për Mbrojtjen Civile, investime dhe kompensime nga zjarret e përmbytjet

By: Fax Web
13 January 2026 at 10:03

Qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Mbrojtjes, ka rritur ndjeshëm mbështetjen financiare për Sistemin e Mbrojtjes Civile dhe menaxhimin e emergjencave, duke parashikuar fonde të posaçme për parandalimin dhe përballimin e fatkeqësive natyrore në buxhetin e vitit 2026.

Në zbatim të ligjit nr. 87/2025 “Për buxhetin e vitit 2026”, është parashikuar një fond prej 1 miliard lekësh në formën e transfertës së kushtëzuar, i cili ndahet në 500 milionë lekë për investime dhe 500 milionë lekë për kompensimin e qytetarëve të prekur nga zjarret apo përmbytjet.

Paralelisht, 1.5 miliard lekë do të përdoren për financimin e projekteve që lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore, ndërsa 300 milionë lekë janë dedikuar për projekte në digat dhe rezervuarët.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, fondet e parashikuara synojnë rritjen e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e pronës, garantimin e kompensimit për familjet e prekura, si dhe forcimin e masave parandaluese për reduktimin e rreziqeve në të ardhmen.

Ministria thekson se mbetet e angazhuar në forcimin e mëtejshëm të Sistemit të Mbrojtjes Civile dhe në koordinimin ndërinstitucional, me qëllim garantimin e një reagimi më të shpejtë dhe më efikas ndaj emergjencave dhe fatkeqësive natyrore.

Lumi Seman çan argjinaturën/ 20 banesa të përmbytura

By: Fax Web
13 January 2026 at 09:02

Lumi Seman ka çarë argjinaturën në zonën e Dernenasit, njësia administrative Libofshë.

Si pasojë, rreth 20 banesa janë përmbytur, ndërsa qindra hektarë tokë bujqësore janë vënë nën ujë.

Në terren kanë mbërritur eskavatorë dhe mjete të rënda, të cilat po punojnë intensivisht për të reduktuar dëmet dhe për të stabilizuar argjinaturën.

❌
❌