Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 January 2026Main stream

Paketa e Maleve/ Si mund të merret pronësia e tokës në shfrytëzim, me apo pa investim

28 January 2026 at 13:45

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, në një dalje për mediat, sqaroi se cilat janë dy kategoritë që lehtësohen dhe shmangin konfliktet e pronës me anë të Paketës së Maleve.

Sipas ministrit, Paketa do të sheshojë çdo lloj konflikti mbi pronësinë teksa do të tërheqë dhe investime madhore në zonat malore të vendit.

“Paketa e Maleve, nëse i referohemi ligjit, është e qartë për kategoritë që përfitojnë nëpërmjet saj. Nëse i referohemi dy kategorive,ata banorë që disponojnë një pronë të caktuar dhe e kanë përdorur për më shumë se 10 vjet, por nuk kanë dokumentacion, e kanë të pamundur të bëjnë investime.

Për këto raste, ata kanë të drejtë të aplikojnë, duke garantuar se ata nuk kanë konflikte sa i përket pronësisë. Procesi në vetvete është shumë transparent sepse ndiqet në nivel vendor.

Kategoria e dytë janë rastet kur banorët brenda vetes së tyre kanë ndarë ose u janë referuar pronave në bazë të pronësive të vjetra të familjeve të tyre, përshembull “kjo kodra këtu i takon banorit x” dhe banorët e kanë respektuar. Por ata nuk kane letra, edhe në këto raste u jepet e drejta të investojnë në territor”, sqaroi Demo.

Ministri tregoi se pasi bëhen aplikimet nëpër bashki, kryhet verifikimi, bëhet shpallja publike për 45 ditë dhe nëse nuk ka asnjë konflikt, merret vendimi nga qeveria.

Më tej ai theksoi se deri më tani janë miratuar 69 zona prioritare në 13 bashki; Vau i Dejës, Klos, Mat, Shkodër, Shijak, Kukës, Skrapar, Elbasan, Përmet, Belsh, Memaliaj, Tepelenë dhe Dibër.

“Fluksi më i lartë i aplikimeve lidhet me bashkitë që kanë territore më të mëdha. Bashkia Shkodër ka shfaqur interes shumë të lartë, po ashtu edhe Kukësi, por edhe bashkitë e tjera po ndjekin procesin me vëmendje. Do të kemi 1 mijë raste në nivel vendi të aplikantëve ku duhet përmendur se 500 aplikantët e parë marrin përfitime, përjashtohen nga taska e infrastrukturës, më pas nga tatim-fitimi për një periudhë 10-vjeçare” u shpreh Demo.

The post Paketa e Maleve/ Si mund të merret pronësia e tokës në shfrytëzim, me apo pa investim appeared first on Gazeta Si.

Pas 5 vitesh drejtor i Doganave, shkarkohet Genti Gazheli. Kush e zëvendëson

28 January 2026 at 13:35

Nga Gazeta ‘SI’ – Pas pesë vitesh në detyrë, Genti Gazheli është shkarkuar nga posti i drejtorit të përgjithshëm të Doganave.

Gazheli është përfolur disa herë si subjekt nën hetim nga Struktura e Posaçme, por zyrtarisht një gjë e tillë nuk është konfirmuar asnjëherë. Së fundmi, emri i Gazhelit doli në skandalin e Bankers Petroleum, e cila u gjobit 130 mln euro, por gjoba rezulton e paprocesuar nga Dogana.

Gazheli tashmë do të shërbejë si zv.ministër në ministrinë e Mjedisit dhe vendin e tij tek Dogana do ta zërë, Besmir Beja.

Beja ka qenë më herët sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, ku është emëruar që nga muaji gusht i vitit 2024.

Në vendin e Bejës në MF, si Sekretar i Përgjithshëm, është emëruar Gentian Kerri.

The post Pas 5 vitesh drejtor i Doganave, shkarkohet Genti Gazheli. Kush e zëvendëson appeared first on Gazeta Si.

Zhvendosja e Kadastrës Vlorë, ASHK: Qytetarët nuk penalizohen, model i nisur në 2021-shin

28 January 2026 at 13:05

Nga Gazeta ‘SI’ – Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka reaguar sot lidhur me situatën e krijuar në Kadastrën e Vlorës.

Në njoftimin zyrtar, ASHK thekson se prej kohësh, proceset kadastrale për disa drejtori vendore janë të lokalizuara në Tiranë, si pjesë e një modeli organizimi që synon optimizimin e burimeve njerëzore dhe proceseve administrative.

Sipas ASHK-së, procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur që në vitin 2021 me transferimin e Durrësit e Krujës, për të vijuar më tej edhe me drejtori të tjera si Shkodër, Kavajë, Kamëz -Vorë dhe Vlorë.

“Në kuadër të rritjes së efikasitetit dhe të mirëadministrimit të proceseve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, edhe pjesa e mbetur e punonjësve në qytetin e Vlorës, po zhvendoset në Tiranë. Ky riorganizim synon përshpejtimin e trajtimit dhe unifikimin e praktikave të punës”, sqarohet në njoftimin për shtyp.

Gjithashtu, në njoftim nënvizohet se “falë digjitalizimit dhe përdorimit të sistemeve të avancuara, një jurist mund të përpunojë të gjithë dokumentacionin ligjor dhe një hartograf mund të kryejë reflektimet hartografike në sistemet përkatëse, pa qenë prezent fizikisht në territorin në të cilin ndodhet prona apo aplikuesi”.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës siguron banorët e Vlorës se “jemi të përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve kadastrale, për të rritur ritmin e legalizimit të ndërtimeve informale si dhe për të përfunduar procesin e Regjistrimit Fillestar në zonat e mbetura në të gjithë qarkun e Vlorës”.

Në njoftimin për shtyp, Kadastra sjell në vëmendje se  “të gjitha aplikimet kryhen online përmes portalit e-Albania dhe shërbimet përkatëse ofrohen gjithashtu në mënyrë elektronike, drejtpërdrejt në profilin e qytetarit aplikues. Gjithashtu, dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e aplikimit, përveç ngarkimit në sistemin elektronik, dërgohet përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë vendore, pavarësisht vendndodhjes së saj, për t’u administruar dhe bashkëlidhur me aplikimin e kryer në mënyrë të rregullt dhe të standardizuar”

Agjencia Shtetërore e Kadastrës përfundon reagimin zyrtar se mbetet e angazhuar që, përmes digjitalizimi të proceseve, të ofrojë shërbime gjithnjë e më të shpejta, transparente dhe të besueshme për çdo qytetar, në çdo drejtori vendore.

The post Zhvendosja e Kadastrës Vlorë, ASHK: Qytetarët nuk penalizohen, model i nisur në 2021-shin appeared first on Gazeta Si.

Kursimet e shqiptarëve u zvogëluan gjatë muajit nëntor

28 January 2026 at 12:46

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë muajit nëntor, depozitat në bankat shqiptare vlerësohen 1.452 triliardë lekë, me nëj rënie prej 6 mld lekësh nga muaji tetor, ose -0.4%.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, rritja vjetore është 8.72%.

Kursimet raportohen në rënie për monedhën vendase, 2.7 mld lekë më pak në sistem. Po ashtu shifrat tregojnë se kursimet kanë rënë edhe në valutë, 9.2 mld lekë.  

Rënia e depozitave gjatë nëntorit duket si një fenomen sezonal që lidhet me festat e periudhës dhe nevojës për konsum më të lartë.

Përgjatë dy viteve të fundit, depozitat kanë rezultuar si investimi më tërheqës për shqiptarët përballë një tregu të dobët të titujve të borxhit dhe një tregu investimesh të pazhvilluar ende. Rënia graduale e normave të interesit mund të ndryshojë sërish balancat.

Pak muaj më parë, Agjencia e Sigurimit të Depozitave njoftoi se po shqyrtohet mundësia e rritjes së vlerës së kursimeve të siguara, nga 25 mln lekë (të vjetra) në 100 milionë.

The post Kursimet e shqiptarëve u zvogëluan gjatë muajit nëntor appeared first on Gazeta Si.

Pse ari vazhdon të shtrenjtohet?

28 January 2026 at 10:54

Lajmet e këqija janë lajme të mira për çmimin e arit. Këto ditë, edhe lajmet e mira janë gjithashtu lajme të mira.

Ndërsa kërcënimet e Presidentit Donald Trump ndaj aleatëve europianë u përshkallëzuan, çmimi i metalit të verdhë u rrit me shpejtësi. Kur ai hoqi dorë nga këto kërcënime, çmimi vazhdoi të rritej. Ari është tashmë mbi 17% më i shtrenjtë këtë vit, duke kaluar për herë të parë ndonjëherë nivelin prej 5.000 dollarësh për onzmë 26 janar. Ende nuk ka ardhur shkurti dhe ari tashmë ka tejkaluar shumë nga parashikimet e analistëve për fundin e vitit 2026.

Ky aset ndodhet në qendër të asaj që quhet “tregtia e zhvlerësimit” (debasement trade), ku investitorët, të shqetësuar nga shpenzimet fiskale të pakontrolluara, gjeopolitika e tensionuar dhe shembja e normave institucionale, shesin obligacionet qeveritare dhe dollarin, duke iu kthyer njërit prej aseteve më të vjetra për mbrojtje. Që nga momenti kur “muri” i tarifave globale të Trump u bë publik më 2 prill të vitit të kaluar, indeksi S&P 500 ra me më shumë se 1% në 27 raste. Mesatarisht, gjatë këtyre rënieve, çmimi i arit u rrit me 0.6% në ditë. Por ari rritet edhe kur aksionet rriten. Në 24 ditët kur S&P 500 u hodh përpjetë me më shumë se 1%, ari u rrit me 0.2%.

Vitet e fundit, bankat qendrore të vendeve në zhvillim, të udhëhequra nga Kina, e kanë nxitur këtë rritje. Këta investitorë jashtëzakonisht konservatorë janë dashuruar sërish me arin fizik, të cilin shpresojnë se do t’i mbrojë në mes të trazirave gjeopolitike. Megjithatë, flukset drejt fondeve të tregtueshme në bursë (ETF) të arit sugjerojnë se një grup i ri investitorësh po përfshihet nga “ethet e arit”, të tërhequr më shumë nga kthimet dhe diversifikimi sesa nga siguria. ETF-të e arit tani mbajnë mbi 4.000 tonë globalisht. Rezervat e tyre u rritën me 25% në vitin 2025 dhe tani vlejnë mbi 650 miliardë dollarë.

Investitorët aziatikë po udhëheqin këtë valë. Në dy vitet e fundit, zotërimet e arit nga ETF-të me bazë në Azi janë më shumë se trefishuar, duke arritur në 460 tonë. Në tremujorin e fundit të vitit 2025, Huaan Yifu Gold ETF, një fond kinez, regjistroi flukset e dyta më të mëdha hyrëse nga të gjitha ETF-të e arit, pas vetëm fondit kryesor të State Street, një gjigant amerikan i menaxhimit të aseteve, rezervat e të cilit janë 11 herë më të mëdha. Fonde të mëdha në Japoni dhe Korenë e Jugut gjithashtu shënuan rritje të ndjeshme.

Cheah Cheng Hye, bashkëthemelues miliarder i Value Partners, një nga menaxherët më të mëdhenj të aseteve në Azi, deklaroi së fundmi se tani investon 25% të pasurisë së tij në ar, nga 15% një vit më parë. Dera për investime më të qëndrueshme institucionale mund të jetë duke u hapur gjithashtu. Sistemi Kombëtar i Pensioneve i Indisë, një strukturë që mbulon skemat pensionale me kontribute të përcaktuara, lejoi fondet të alokojnë deri në 1% të 175 miliardë dollarëve të aseteve të tyre në ETF të metaleve të çmuara. Në fillim të vitit 2025, një program pilot për industrinë kineze të sigurimeve u lejoi dhjetë kompanive të investonin të njëjtën përqindje të aseteve të tyre në ar.

“Paraja e zgjuar” zakonisht i përçmon metalet e çmuara. Një aset që nuk prodhon flukse monetare – dhe kurrë nuk do t’i prodhojë – është i pamundur të vlerësohet duke zbritur fluksin e fitimeve të pritshme në të ardhmen, siç ndodh me aksionet apo obligacionet. Asetet, vlera e të cilave bazohet tërësisht në atë se sa mund të paguajë dikush tjetër për to në të ardhmen, janë një burim shqetësimi të kuptueshëm për menaxherët e kujdesshëm të portofolëve.

Por një aset që ofron stabilitet gjatë periudhave të panikut dhe që rritet lehtësisht pjesën tjetër të kohës, po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u refuzuar. Analiza e MSCI, një ofrues i të dhënave financiare, sugjeron se një investitor me një përzierje tradicionale prej 60% aksione dhe 40% obligacione do të kishte mundur të rriste kthimet vjetore me katër pikë përqindjeje vitin e kaluar duke zëvendësuar gjysmën e obligacioneve me ar, pa shtuar pothuajse fare volatilitet në portofol.

Alokimet ndaj arit në portofolët gjigantë institucionalë të Perëndimit, të cilët zakonisht e kanë injoruar atë, mbeten ende minimale. Sipas Goldman Sachs, ari përbën vetëm 0.17% të pasurisë totale të amerikanëve të mbajtur në aksione dhe obligacione. Por çdo rritje prej 0.01 pikë përqindjeje në këtë peshë e rrit çmimin e metalit me rreth 1.4%. Nuk është e nevojshme që amerikanët të arrijnë nivelin aziatik të entuziazmit për arin që çmimi të vazhdojë të rritet./TheEconomist

The post Pse ari vazhdon të shtrenjtohet? appeared first on Gazeta Si.

Digjitalizimi, ‘thikë me dy tehe’ për bankat në Shqipëri: Rrit rrezikun kibernetik dhe pastrimin e parave

28 January 2026 at 10:22

Nga Gazeta ‘SI’ – Transformimi digjital ka ardhur si një “thikë me dy tehe” për sistemin bankar në Shqipëri, të cilat po përballen me përfitimet dhe rreziqet e inovacionit.

Sipas një studimi të kryer nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë, më shumë se 45% e bankave në vend e vlerësojnë rrezikun kibernetik “të lartë”,  ndërsa pothuajse 55%, e konsiderojnë atë “të mesëm”.

Investimi i bankave në sisteme të forta sigurie ndaj suleve kibernetike i detyron ato të kontraktojnë palë të tretë duke i bën sistemet bankare të varura dhe të ekspozuara ndaj  kompanive të teknologjisë. Rreth 10.01% e bankave e konsiderojnë këtë si rrezik të lartë dhe 37.64% si rrezik mesatar.

Në mjedisin digjital rriten edhe rreziqet e mashtrimit dhe pastrimit të parave. Sipas vrojtimit, 37.6% e bankave i konsiderojnë këto rreziqe si “të mesme”, ndërsa 23% si “të larta”, duke treguar nevojën për mjete më të avancuara të zbulimit të mashtrimit.

Edhe rreziqet e reputacionit janë të pranishme. Rreth 59.7% e bankave i vlerësojnë ato si “të mesme”, pasi çdo problem, si rrjedhja e të dhënave apo ndërprerja e shërbimeve, mund të dëmtojë imazhin e bankës dhe besimin e klientëve.

Megjithatë, shumica e bankave shfaqen të sigurta se transformimi digjital nuk do të çojë në humbje të konsiderueshme klientësh. Rreth 34.4% e bankave e konsiderojnë rrezikun e humbjes së klientëve si “pa rrezik”, ndërsa 18.87% si “të ulët”.

Por nga ana tjetër, bankat shprehin se përfitimet nga ky proces janë po ashtu të larta. 100% e bankave në Shqipëri pohojnë se digjitalizimi ul kostot e shërbimit, menaxhon flukset e punës dhe optimizon shërbimin. Në të njëjtën kohë, transformimi digjital shihet si nxitës i përfshirjes financiare dhe integrimit europian.

Kur u pyetën për gatishmërinë e tyre për të adresuar rreziqet kibernetike që lidhen me FinTech, bankat shqiptare treguan besim të konsiderueshëm në përgatitjet e tyre. Përafërsisht 65.33% e bankave e vlerësuan veten si «shumë të përgatitura», ndërsa pjesa tjetër prej 30.74% treguan se ishin «të përgatitura».

Pagesat u shfaqën si fusha më e digjitalizuar, ku 23.78% e bankave deklarojnë një nivel «shumë të lartë» digjitalizimi dhe 49.9% raportuan një nivel «të lartë». Shërbimi ndaj klientit vlerësohet fusha e dytë më e digjitalizuar, ku 42.56% e bankave e vlerësojnë digjitalizimin e kësaj fushe si “i lartë” dhe 24% si “shumë i lartë”.

The post Digjitalizimi, ‘thikë me dy tehe’ për bankat në Shqipëri: Rrit rrezikun kibernetik dhe pastrimin e parave appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 27 January 2026Main stream

Qeveria ‘zhvlerëson’ paratë e mbledhura nga shqiptarët në buxhet

27 January 2026 at 14:44

Nga Gazeta ‘SI’ – Për herë të parë qeveria paratë e destinuara për të rritur ekonominë vendos që një pjesë t’i përdorë me me pak vlerë, por t’i çojë për pensione. Ekonomikisht dhe politikisht ky është një menaxhim dëmi. Pensionet janë konsum buxheti ndërsa investimet janë rritje vlere.

Janë rreth 30 miliardë lekë, ose rreth 4% të buxhetit të vitit 2025, që rialokohen nga institucionet që nuk i kanë përdorur tek ato që kanë nevojë më urgjente. Në seancën e sotme parlamentare, ministri i Financave prezantoi destinacionin e këtyre fondeve: 15 miliardë lekë për pensionistët, 2 miliardë për fermerët, 1.8 miliardë për Shëndetësinë, 1.3 miliardë për Ministrinë e Mbrojtjes, ndër të tjera.

Rialokimi nuk është fenomen i ri, por rihap një debat të vjetër: moskryerjen e shpenzimeve e planifikuara të institucioneve.

Një institucioni që i dalin para tepër, do të thotë se ka mungesë planfikimi dhe menaxhimi të këtyre fondeve. Shpesh mospërdorimi i parave vjen dhe si pasojë e vonesave admnistrative dhe mungesës së produktivitetit.

Nga ana tjetër, dërgimi i fondeve drejt sektorëve që kanë “nevojë”, tregon po ashtu një mungesë parashikimi për nevojat sektoriale që në fazën fillestare të hartimit të buxhetit.

Rialokimet e shpeshta të buxhetit bien ndesh dhe me disiplinën fiskale që kërkon BE-ja dhe institucionet e tjera ndëkombëtare.

Veprimtaria e rialokimit, nuk garanton asnjë përmbushje të detyrimeve, por është thjesht një lëvizje që rregullon statistikat e qeverisë, për të ruajturën balancën fiskale. Shpesh rialokimi shihet me rezerva dhe nga ekspertët e fushës, që e cilësojnë si një proces jotransparent dhe joeficient që e kthejnë buxhetin në një “mjet politik”.

Ndryshimet e shpeshta të buxhetit, që shumë herë kanë krijuar dhe dëme financiare, janë bërë subjekt auditimi i KLSH-së, e cila kërkon rishikim tërësor të modelit të menaxhimit financiar publik, që të jetë sa më realist.

Paralelisht, qeveria po mban stok dhe një pjesë të madhe të parave dedikuar investimeve kapitale, duke rezultuar kështu me një suficit buxhetor në shifra rekord.

Të dhënat deri në muajin nëntor 2025, tregojnë se qeveria ka kryer vetëm 65.1% të planit për investime kapitale, përkthyer në rreth 85 mld lekë të munguara për ekonominë (totali i planifikuar 161 mld). Për të njëjtën periudhë, suficiti raportohet 49 mld lekë.

Për njohës të fushës, krijimi i suficitit tregon mungesë të kapaciteteve menaxhuese dhe tregues se barra fiskale është më madhe se sa fuqia absorbuese e ekonomisë për kapitale publike.

Poltikisht me lëvizjen e fundit, qeveria i ka vënë një maskë keqmenaxhimit duke krijuar iluzionin e kujdesit social, sepse të kalosh paratë e investimeve për pensione, nuk do të thotë që e ke zgjidhur problemin.

The post Qeveria ‘zhvlerëson’ paratë e mbledhura nga shqiptarët në buxhet appeared first on Gazeta Si.

Si po përgatitet NATO për luftë në Arktik

27 January 2026 at 12:57

Ministri i Mbrojtjes në Norvegji, po shikon hartën e tij të preferuar dhe po tregon botën, nga pikëpamja e Arktikut.

Tore Sandvik vë gishtin tek gadishulli Kola i Rusisë, shtëpi e arsenalit më të madh bërthamor në botë, që gjendet brenda qarkut të Arktikut, fiks në kufi të Norvegjisë.

Udhëtimi më i shkurtër nga Kola drejt SHBA-së, kalon patjetër mbi Arktik, tregon ai.

“Një raketë balistike mund të udhëtojë me një shpejtësi prej 7 km në sekond dhe i duhen vetëm 18 minuta të arrijë në SHBA”, tha ai. “Kjo është mbrojtje e atdheut- për Londrën, për Uashingtonin, për Parisin, Berlinin, të gjithë aleancën”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur gjatë vitit të kaluar një fokus agresiv dhe herë-herë të sikletshëm mbi Groenlandën, përmes përpjekjeve të tij të forta për të marrë nën kontroll ishullin Arktik danez.

Por duke u dakordësuar javën e kaluar mbi një “kornizë” marrëveshjeje për ishullin më të madh në botë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump ka zhvendosur fokusin brenda aleancës drejt sigurisë Arktike, një çështje që vendet nordike kanë kërkuar prej dekadash.

“NATO duhet të rrisë angazhimin e saj në Arktik,” tha Mette Frederiksen, kryeministrja e Danimarkës. “Mbrojtja dhe siguria në Arktik janë çështje që prekin të gjithë aleancën.”

Për pesë vendet nordike, të gjitha shtete arktike, kjo përfaqëson një mundësi për të rikthyer diskutimin gjeopolitik aty ku ata duan: te kërcënimi që vjen nga Rusia.

Pothuajse të gjitha shtetet Arktike, përfshirë Rusinë, kanë reduktuar praninë ushtarake pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, duke mbyllur baza. SHBA-ja ka mbyllur disa baza në Groenlandë dhe Islandë. Por Rusia ka nisur ripërtëritjen ushtarake dhe ekonomike të Arktikut shumë më herët se fuqitë perëndimore, nën udhëheqjen e Presidentit Vladimir Putin që në vitet 2000.

Rusia kontrollon rreth gjysmën e territorit dhe ujërave të Arktikut, duke pasur kështu gjurmën më të madhe ndër tetë vendet me prezencë në rajon, që përfshijnë SHBA-në, Kanadanë dhe pesë vendet nordike. Sot, Moska ka mbi 40 objekte ushtarake përgjatë bregut Arktik, përfshirë baza ushtarake, aeroporte, stacione radar dhe porte.

Arktiku ka një rol kritik në doktrinën bërthamore të Moskës. Aty ndodhet Flota e Veriut e Rusisë, e bazuar në Severomorsk në Gadishullin Kola, e cila operon gjashtë nga 12 nëndetëset bërthamore të vendit, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

“Flota e Veriut, dhe veçanërisht nëndetëset e saj, është një shtyllë e mbrojtjes strategjike të Rusisë. Për shkak të rëndësisë së saj, flota po modernizohet ende,” tha Ondrej Ditrych, analist i lartë për Rusinë pranë Institutit të Bashkimit Europian për Studime të Sigurisë.

Rusia gjithashtu mban një nivel të lartë gatishmërie në vendin e saj të testimit bërthamor në Novaya Zemlya, një arkipelag Arktik ku në tetor të kaluar testoi raketën e saj me energji bërthamore Burevestnik. Po ashtu, ajo po promovon përdorimin e Rrugës Veriore Detare, që kalon mbi veri të Rusisë dhe ofron mundësi për kohë transporti më të shkurtra mes Kinës dhe Europës, megjithëse trafiku aktual është nën pritshmëri.

Një ushtar patrullon bazën ushtarake veriore ruse në Ishullin Kotelny, brenda Rrethit Arktik © Maxime Popov/AFP/Getty Images

Vendet nordike fqinjë me Rusinë kanë ndjekur me shqetësim rritjen e aktiviteteve ushtarake, duke bërë thirrje që NATO të angazhohet më shumë, me sukses relativisht të kufizuar, pjesërisht për shkak të kundërshtive nga vende si SHBA-ja.

“Ne e dimë që rusët po kryejnë më shumë aktivitete në veri. Situata e sigurisë është gjithashtu e tillë që kur akulli polar po shkrihet, Kina po ngrihet si një hegjemon rajonal me interesa globale. Ata e kanë vetëshpallur veten si një vend gati-Arktik,” tha Sandvik.

Një zyrtar i lartë nga një vend tjetër nordik shtoi: “Përqendrimi i burimeve ushtarake në lagjen tonë është mjaft i madh.”

Oficeri më i lartë ushtarak i NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, i tha Financial Times në tetor se Arktiku është “me interes të madh” për aleancën ushtarake, e cila është e përkushtuar ta mbajë të hapur për navigim të lirë dhe mundësi të reja biznesi, si minierat dhe eksplorimi i naftës dhe gazit.

Disa vende anëtare të NATO-s kanë intensifikuar stërvitjet në kushte Arktike në Norvegji, Finlandë dhe Grenlandë, përfshirë SHBA-në, MB-në dhe Francën. Në mars, rreth 25,000 ushtarë nga e gjithë aleanca – përfshirë 4,000 nga SHBA-ja – do të marrin pjesë në stërvitjen “Cold Response” në veri të Norvegjisë, me qëllim të praktikimit të luftës ajrore, detare dhe tokësore në kushte të rënda dimërore.

Përveç përpjekjes për të rikthyer vëmendjen e SHBA-së tek kërcënimi nga Rusia, vendet nordike shpresojnë që vëmendja e rinovuar mbi sigurinë Arktike t’u lejojë të tregojnë vlerën e tyre për Uashingtonin.

Ka dy segmente detare thelbësore ku NATO dhe Rusia do të garojnë për kontroll në rast konflikti në Arktik: hapësira më e njohur GIUK midis Groenlandës, Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar; dhe e ashtuquajtura Bear Gap midis arkipelagut norvegjez Svalbard dhe tokës kryesore të Norvegjisë, duke përfunduar pranë Gadishullit Kola.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, viziton Shtabin e Operacioneve Detare Atomflot, i cili është përgjegjës për sigurimin e navigimit të sigurt në Rrugën Veriore Detare në Murmansk, në mars 2025 © Gaveiil Grigorov/Pool/AFP/Getty Images

Sandvik tha se Norvegjia përdor avionë të njohjes P8, satelitë, dronë me distancë të gjatë, nëndetëse dhe fregata për të monitoruar Bear Gap dhe zonat e tjera. “Kjo është mënyra si NATO mendon për mbrojtjen e kësaj zone në kohë krize të nxehtë. Por, mbi të gjitha, e bëjmë për të shmangur përshkallëzimin dhe për të frenuar Rusinë,” shtoi ai.

Një zyrtar i lartë nordik shtoi se SHBA-ja varet nga këto informacione: “Sigurisht që është një rrugë me dy drejtime. Ne kemi njohuri të mirë për situatën se çfarë po bën Rusia në anën e saj. SHBA-ja gjithashtu mund të përdorë hapësirën tonë ajrore për të monitoruar Rusinë.”

Shumica e interesit në Arktik lidhet me monitorimin e asaj që mund të vijë nga ajri ose nën ujë, dhe jo për veprime në tokë. “Është e pamundur të ‘pushtosh’ Groenlandën. Mund të zgjidhje Nuuk-un, por 95 për qind e saj është borë dhe akull, dhe nuk mund ta marrësh atë,” tha një zyrtar danez.

Trump duket se synon veçanërisht Groenlandën për sistemin e tij të propozuar të mbrojtjes nga raketat Golden Dome, që do të përdorte sensorë, satelitë dhe interceptues për të ndaluar projekte të ndryshme që mund të arrijnë SHBA-në.

SHBA-ja menaxhon objektin kryesor ushtarak në ishullin Arktik, bazën hapësinore Pituffik në verilindje të largët, e përdorur për sistemet radar për paralajmërim të hershëm.

Megjithatë, shumë vende nordike shqetësohen se ka një logjikë të pashmangshme në militarizimin e Arktikut, që deri tani ishte një nga pak rajonet me tension të ulët në botë. Ata theksojnë se rajoni është shtëpia e miliona njerëzve, shumë prej të cilëve janë popullsi indigjene, si në Grenlandë.

“Unë shqetësohem që siguria po dominohet në agjendën Arktike, dhe harrojmë se ka çështje të tjera po aq të rëndësishme si ndryshimi i klimës, infrastruktura, të drejtat e popullsisë indigjene,” tha një tjetër zyrtar i lartë nordik. “Nuk ka shumë përfitime nga militarizimi i Arktikut sepse është një zonë shumë e vështirë për aktivitet.”

Aktualisht, po pranohet gjithashtu se lufta e Rusisë në Ukrainë ka ngadalësuar përforcimin e saj ushtarak në Arktik. “Prania aktuale e forcave në bazat ushtarake Arktike ka rënë pasi disa brigada arktike u dërguan në Ukrainë dhe pësuan humbje të rënda,” tha Ditrych.

Por ekziston gjithashtu njohja se Rusia dhe Kina janë të gatshme të luajnë një lojë afatgjatë në një rajon ku shkrirja e akullit mund të ndryshojë kalkulimet ushtarake dhe ekonomike për dekada. “Është një garë në konkurrencë strategjike në Arktik,” tha Sandvik.

The post Si po përgatitet NATO për luftë në Arktik appeared first on Gazeta Si.

Malaj: 150 mln euro të pashpenzuara nga institucionet në 2025-n, kalojnë tek ndihma sociale

27 January 2026 at 12:11

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar ditën e sotme në Kuvend aktin e ri normativ për buxhetin 2025, që e lejon të kalojë në fondin e ndihmës ekonomike, çdo para të pashpenzuar nga institucionet, rreth 150 mln euro në total.

Ministri Malaj është shprehur se ky akt normativ adreson nevojën e mbështetjes së shtresave në nevojë, siç janë familjet me ndihmë ekonomike dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuar.

“Me këtë akt normativ siguruam mbështetjen e shtresave më në nevojë, siç janë familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, apo personat me aftësi të kufizuar, si dhe kujdestarët e tyre. Si dhe paralelisht me këtë, kemi garantuar edhe fondet e nevojshme për skemën e pensioneve.  Përmes fondeve të dedikuara kemi synuar jo vetëm ruajtjen, por edhe rritjen graduale të mbështetjes sociale, duke iu përgjigjur nevojave reale të qytetarëve shqiptarë. Për vitin 2025, mbështetja buxhetore për familjet që kanë përfituar ndihmë ekonomike, si dhe për personat me aftësi të kufizuar, arrin në vlerën 25.6 miliardë lekë apo 256 milionë euro, përfshirë këtu dhe fondin për bonusin e fundvitit. Ndërsa për kategorinë e pensionistëve, që përfshin bonusin plus indeksimin, fondi buxhetor u llogarit në rreth 120 milionë euro. Nga një vlerësim paraprak që kemi bërë si Ministri e Financave, shuma që minimalisht dhe në vizionin minimalist do të kalojë në këtë llogari është rreth 150 milionë euro.

Gjatë fjalës së tij, ministri tha se pritet që rritja ekonomike e 2025-s të jetë 3.9%.

The post Malaj: 150 mln euro të pashpenzuara nga institucionet në 2025-n, kalojnë tek ndihma sociale appeared first on Gazeta Si.

BE-ja drejt Lindjes/ Dakordëson marrëveshjen tregtare historike me Indinë

27 January 2026 at 11:05

Bashkimi Europian dhe India kanë dakordësuar një marrëveshje të tregtisë së lirë pas gati dy dekadash negocimi, në një kohë që të dy vendet kërkojnë t’i shmangen tarifave të Trump.

“Kemi rënë dakord për një marrëveshje, që është ‘mëma’ e të gjitha marrëveshjeve”, shkroi në X, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

“Ne kemi krijuar një zonë të tregtisë së lirë prej dy miliardë banorësh, ku të dyja palët do të përfitojnë.” Von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa janë në Nju Delhi për të shënuar këtë moment.

Kryeministri indian Narendra Modi, i cili njoftoi përfundimin më herët gjatë ditës, tha se marrëveshja do të forcojë sektorët e prodhimit dhe shërbimeve të Indisë duke rritur besimin e investitorëve në ekonominë e tretë më të madhe të Azisë.

India dhe Bashkimi Europian kanë rënë dakord për një marrëveshje të tregtisë së lirë, e cila synon uljen e tarifave për shumicën e mallrave të konsumit dhe industriale që tregtohen mes Indisë dhe vendeve anëtare të BE-së.

Sipas një njoftimi për shtyp të Komisionit Europian të publikuar të martën, marrëveshja pritet të dyfishojë eksportet e mallrave të BE-së drejt Indisë deri në vitin 2032, përmes eliminimit ose uljes së tarifave për 96.6% të eksporteve të BE-së në Indi. Produktet e përfshira variojnë nga automjetet dhe mallrat industriale, te vera, çokollatat dhe makaronat. Ndërkohë, BE-ja do të eliminojë ose ulë tarifat për 99.5% të mallrave të importuara nga India brenda një periudhe shtatëvjeçare, sipas Ministrisë indiane të Tregtisë dhe Industrisë.

Përfundimi i negociatave, pas vitesh bisedimesh të ndërprera, pasqyron ndryshimet e shpejta në rreshtimin global nën presidencën e Donald Trump në SHBA. BE-ja, pavarësisht përplasjeve të gjata me zyrtarët indianë për çështje tregtare, po përqendrohet gjithnjë e më shumë në reduktimin e varësisë ekonomike nga SHBA-ja dhe Kina. Në të njëjtën kohë, India po përpiqet të heqë etiketën e proteksionizmit dhe të kompensojë tarifat 50% të vendosura nga Trump, duke balancuar njëkohësisht marrëdhëniet e saj me Rusinë.

Sipas Amitendu Palit, drejtues i kërkimit për tregtinë dhe ekonominë në Institutin e Studimeve të Azisë Jugore, vendet janë gjithnjë e më të gatshme të “varrosin sëpatën e luftës” në një “atmosferë pasigurie” të krijuar nga politikat e Trump. “Diversifikimi është absolutisht thelbësor,” tha ai. “Ky është thelbi i lojës.”

Kjo është marrëveshja më ambicioze tregtare që India ka nënshkruar ndonjëherë. Nju Delhi ka rënë dakord të lejojë deri në 250,000 automjete të prodhuara në Europë të hyjnë në tregun indian me tarifa preferenciale, një kuotë më shumë se gjashtë herë më e madhe se ajo e marrëveshjeve të mëparshme, sipas Bloomberg. Gjithashtu, India do të ulë gradualisht tarifat për verërat premium europiane nga 150% në 20%, sipas një dokumenti të Komisionit Europian.

Marrëveshja i jep Indisë një avantazh konkurrues në eksportin e mallrave intensive në fuqi punëtore që janë goditur rëndë nga tarifat e larta të Trump, si veshjet, gurët dhe bizhuteritë, si edhe këpucët. BE-ja ka ofruar gjithashtu angazhime detyruese për lëvizshmërinë e studentëve dhe vizat pas studimeve, si dhe koncesione në 144 sektorë shërbimesh. Sektori i bulmetit është përjashtuar nga marrëveshja me kërkesë të Indisë.

Marrëveshja pritet të nënshkruhet zyrtarisht pas përfundimit të shqyrtimit ligjor, i cili mund të zgjasë rreth gjashtë muaj. Ajo do të duhet gjithashtu të ratifikohet nga Parlamenti Europian.

Njoftimi vjen disa javë pasi India nënshkroi marrëveshje tregtare me Zelandën e Re dhe Omanin. Pak ditë më parë, BE-ja përfundoi gjithashtu një marrëveshje të veçantë tregtare me bllokun Mercosur të Amerikës së Jugut, një tjetër hap në përpjekjet e BE-së për t’u shkëputur nga varësia ndaj SHBA-së dhe Kinës. Edhe kjo marrëveshje ende pret ratifikimin nga ligjvënësit evropianë.

Kryeministri Narendra Modi po kërkon njëkohësisht tregje të reja për Indinë, një vend që Trump dikur e quajti “mbreti i tarifave”. Marrëveshja e së martës ishte e katërta e nënshkruar nga Modi që prej majit të kaluar, pas atyre me Mbretërinë e Bashkuar, Omanin dhe Zelandën e Re.

Në vijim, India synon partneritete tregtare me bllokun Mercosur, Kilin, Perunë dhe Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit, për të siguruar burime strategjike dhe për të zgjeruar ndikimin global të vendit.

Tregtia dypalëshe mes BE-së dhe Indisë arriti në 136.5 miliardë dollarë në vitin fiskal indian që përfundoi në mars 2025. BE-ja përbën mbi 17% të eksporteve totale të Indisë, ndërsa India është partneri i nëntë më i madh tregtar i BE-së.

Partneriteti i sigurisë

BE-ja dhe India po thellojnë gjithashtu bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, duke shpallur një partneritet të ri sigurie. Marrëveshja ka kryesisht vlerë politike dhe është pjesë e përpjekjeve të BE-së për të zgjeruar aleancat e saj, në një kohë kur Trump po trondit marrëdhëniet transatlantike. BE-ja ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme së fundmi edhe me Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë.

Negociatat hasën vështirësi në momentet e fundit për shkak të mospajtimeve lidhur me përmendjen e pushtimit rus të Ukrainës, çështje që u hoq përfundimisht nga teksti final. Megjithatë, partneriteti hap rrugën për forcimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, sigurinë detare dhe mundësinë e stërvitjeve të përbashkëta detare./Bloomberg

The post BE-ja drejt Lindjes/ Dakordëson marrëveshjen tregtare historike me Indinë appeared first on Gazeta Si.

Sejko: Rënia e popullsisë do vazhdojë dhe do ndikojë politikën monetare. Na duhen reforma!

27 January 2026 at 10:48

Nga Gazeta ‘SI’ – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një konferencë të përbashkët me përfaqësues të BERZH, u shpreh se presionet demografike në Shqipëri pritet të vazhdojnë dhe kjo do të ushtrojë presion mbi vendimet monetare.

“Studimet tona tregojnë se këto prirje ka të ngjarë të ushtrojnë presion në rënie mbi normat reale të interesit. Ky mjedis kufizon efektivitetin e politikës monetare konvencionale, pasi normat e ulëta të interesit u lënë bankave qendrore më pak hapësirë për të stimuluar ekonominë. Në të njëjtën kohë, ndryshimet demografike mund të shkaktojnë ndërlikim edhe të dinamikave të inflacionit. Në të gjitha vendet në zhvillim të Evropës, popullsitë në plakje dhe tkurrja e fuqisë punëtore rëndojnë mbi rritjen ekonomike. Megjithatë, përgjigjja e politikave kërkon veprim të koordinuar dhe vullnet politik”, tha Sejko.

Ai theksoi se Shqipëria e ka përballuar mirë krizën demografike dhe kërkesat e tregut të punës, por ka paguar “koston” e pagave më të larta dhe inflacionit.

Më tej, kreu i Bankës qendrore, e mbylli fjalën e tij me një thirrje për qeverinë, për të reformuar sistemin e pensioneve, hartimin e politikave të migracionit etj.

“ Të gjitha këto nënkuptojnë përqafimin e teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, në mënyrë të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse. Mbi të gjitha, brezat e rinj duhet të mbeten në qendër të vendimmarrjes ekonomike”, përfundoi Gent Sejko.

The post Sejko: Rënia e popullsisë do vazhdojë dhe do ndikojë politikën monetare. Na duhen reforma! appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Ari kalon çmimin e 5 mijë dollarëve

26 January 2026 at 13:42

Çmimi i arit ka kaluar për herë të parë 5.000 dollarë, teksa investitorët drejtohen drejt këtij aktivi strehues për shkak të tensioneve gjeopolitike në rritje.

Ari arriti të shënojë 5.052 dollarë për një onz të trojit të hënën, duke vazhduar një rritje që e çoi çmimin mbi 8% javën e kaluar, rritja javore më e madhe që nga kriza globale financiare e vitit 2008.

Një rritje historike e çmimeve të arit gjatë dy viteve të fundit është nxitur nga interes i shtuar i investitorëve dhe nga bankat qendrore që kërkojnë të diversifikojnë portofolin e tyre larg dollarit.

Javën e kaluar, kërcënimi i Presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa ndaj aleatëve evropianë nëse ata nuk pranonin kërkesat e tij për kontroll mbi Groenlandën shkaktoi një shitje të fortë në Wall Street, para se rikthimi i tij i papritur të mërkurën të nxiste një rimëkëmbje të aksioneve.

Por dollari ka pasur vështirësi për të rimarrë terrenin e humbur, me një indeks të monedhës kundrejt monedhave të tjera, përfshirë paundin dhe euron, që ra 1.9 për qind javën e kaluar. Dobësia e dollarit mund të nxisë arin, duke e bërë metalin e çmuar të tregtuar në dollarë më të lirë për t’u blerë në monedha të tjera.

The post Ari kalon çmimin e 5 mijë dollarëve appeared first on Gazeta Si.

‘Simbol i pisllëkut’- Shkrihet Kadastra e Vlorës, dosjet i merr Tirana

26 January 2026 at 13:16

Nga Gazeta ‘SI’ – Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë është shkrirë duke i kaluar të gjitha dokumentacionet drejtorisë qendrore në Tiranë.

Vendimi është marrë nga drejtoresha e përgjtihshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli dhe hyn në fuqi më 1 shkurt, datë nga e cila Vlora nuk do të ketë më një strukturë vendore të Kadastrës

Gjithsesi, shkrirja nuk është një vendim surprizë.

Në gjashtë vitet e fundit, kjo drejtori ka ndërruar më shumë se 11 drejtues dhe ka qenë shpesh në qendër të skandaleve të abuzimit dhe korrupsionit.

Gjatë verës së vitit të shkuar, vetë kryeministri Edi Rama e sulmoi publikisht Kadastrën e Vlorës, duke e quajtur “simbol të pisllëkut dhe korrupsionit”. Ai theksoi se aty janë punësuar njerëz që nuk kanë lidhje me fushën, duke i cilësuar si “ujqër”.

Problemet nuk kanë qenë thjesht deklarative. Në vitin 2023, Kadastra e Vlorës u bë subjekt hetimi nga SPAK për parregullsi në regjistrat e pronave dhe abuzime nga drejtuesit. Vlora, ashtu si Durrësi, njihet si qyteti me problematika të thella të pronësisë, veçanërisht në bregdet.

Një shkrirje e ngjashme ndodhi me Kadastrën e Durrësit në vitin 2022, pas konflikteve të shumta mbi pronat bregdetare, përfshirë edhe atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji. Hetimet zbuluan se punonjës të Kadastrës ndërhynin në regjistrat e pronave për të ndryshuar pronarët në përputhje me kërkesat e grupeve kriminale, përfshirë bandën e Avdylajve dhe Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi” i Shijakut.

Të gjitha këto dosje dhe skandale detyruan qeverinë të nisë procesin e digjitalizimit të Kadastrës, një nismë që megjithatë mbetet ende në tentativë, duke lënë pas probleme të trashëguara të menaxhimit dhe kontrollit të pronësisë në qytetet bregdetare.

The post ‘Simbol i pisllëkut’- Shkrihet Kadastra e Vlorës, dosjet i merr Tirana appeared first on Gazeta Si.

Parashikimi i qeverisë/ Jo ndërtimi, por shërbimi shtylla e ekonomisë. Punësimi në vendnumëro

26 January 2026 at 12:39

Nga Gazeta ‘SI’ –  Sipas projeksioneve të qeverisë për tre vitet e ardhshme, struktura e rritjes ekonomike pritet të mbështetet kryesisht te sektori i shërbimeve, me një rritje mesatare vjetore prej 5.4%.

Ky orientim konfirmon zhvendosjen graduale të ekonomisë nga ndërtimi, që parashikohet të hyjë në një fazë ngadalësimi. Pas viteve me ritme të larta rritjeje, ndërtimi parashikohet të rritet mesatarisht me 3.1% në vit. Industria pritet të shënojë një rritje më modeste, rreth 2.6% në vit, ndërsa për bujqësinë duket se shpresat janë tharë dhe parashikohet një rritje vjetore prej vetëm 0.2%, çka tregon mungesë reformash strukturore dhe produktivitet të ulët.

Për punësimin, projeksioni i qeverisë nuk është aspak optimist.

Ministria e Financave parashikon një punësim “të paktën, jo negativ”, pra një rritje e papërfillshme prej 0.2%. Këto pritje të zymta për tregun e punës lidhen kryesisht me vazhdimin e emigrimit dhe me presionet demografike, të cilat do të vazhdojnë të kufizojnë ofertën e fuqisë punëtore, argumenton MF.

Nga ana e kërkesës, qeveria parashikon një rritje mesatare vjetore të investimeve prej 4.9%, ndërsa konsumi final pritet të rritet me rreth 2.9% në vit.

Në planin e jashtëm, eksportet e mallrave dhe shërbimeve për periudhën 2027–2029 parashikohen të rriten mesatarisht me 4.6% në vit në terma realë. Ndërkohë, importet pritet të zgjerohen me një ritëm më të ulët, rreth 3% në vit.

Në tërësi, PBB-ja e Shqipërisë pritet të rritet me 4% në vitin 2026 dhe 3.9% për periudhën 2027-2029, pa asnjë progres nga vitet e fundit.

The post Parashikimi i qeverisë/ Jo ndërtimi, por shërbimi shtylla e ekonomisë. Punësimi në vendnumëro appeared first on Gazeta Si.

Malaj: Kontrollet tek ndërtuesit, deri në maj. Bizneset e ‘Durana’ i ka miratuar Këshilli i Investimeve

26 January 2026 at 10:57

Nga Gazeta ‘SI’ –  Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi se “ofensiva” drejt bizneseve ndërtuese dhe imobiliare do të zgjasë deri në maj të këtij vitit, me qëllim formalizimin e këtij tregu.

Bashkë me kreun e Tatimeve, Ilir Binaj, ministri i Financave tha se 25% e subjekteve ndërtuese nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre, me qëllim shmangine e tatimit në burim.  

“Në këtë sektor ka mbi 8 mijë subjekte, ku 25 përqind e tyre i paguajnë punonjësve nga 400 deri në 500 euro. Synojmë që të formalizojmë tregun e punës dhe të sigurojmë që të gjitha pagat të reflektojnë realitetin”, shtoi Malaj

Malaj tha se nisma e qeverisë për të formalizuar sektorin e ndërtimit, do të shtrihet edhe tek sektori turistik e siguria ushqimore.

“Sektori i ndërtimit ka pasur një rritje të konsiderueshme, dhe fondi i pagave është rritur gjithashtu. Në turizëm kemi një rritje të arkëtimit të TVSH-së, duke arritur në 40 milionë euro për vitin 2025. Megjithatë, ka pasur mungesë transparente në agjensi imobilare, ku punonjësve u mohohet deklarimi i pagave, çka përkthehet në pensione më të ulëta”, tha Malaj.

Përballë gazetarëve, ministri Malaj u pyet edhe për rastin e parkut “Durana”, nëse ai ka kërkuar një analizë të aktivitetit të bizneseve që përfitojnë lehtësira fiskale.

Malaj tha se lista e bizneseve përfituese është përpiluar nga Këshilli Shqiptar i Investimeve dhe më pas është analizuar nga Tatimet.

“Por se këto kompani përfitojnë lehtësi fiskale, nuk do të thotë që Tatimet nuk mund të kryejnë kontrolle, nëse ka parregullsi”.

The post Malaj: Kontrollet tek ndërtuesit, deri në maj. Bizneset e ‘Durana’ i ka miratuar Këshilli i Investimeve appeared first on Gazeta Si.

Anketa/ Bizneset shqiptare perceptojnë informalitet të shtuar në treg

26 January 2026 at 10:27

Nga Gazeta ‘SI’ – Anketa e vitit 2025, kryer nga Këshilli i Investimeve në vend, tregon se informaliteti mbetet “thembra e Akilit” në sipërmarrjen shqiptare.

Sipas gjetjeve, informaliteti mbetet i lartë dhe i qëndrueshëm, pavarësisht masave. Në vitin 2025, rreth 8 nga 10 kompani deklarojnë se përballen me konkurrencë nga aktivitete informale në sektorin ku operojnë. Ky perceptim ka qenë relativisht i qëndrueshëm që nga viti 2018, me një mesatare prej gati 7 nga 10 kompani që raportojnë konkurrencë informale, çka nënvizon presionin e vazhdueshëm që informaliteti ushtron mbi bizneset formale.

Bizneset shprehen se korrupsioni është faktori kryesor i nxitjes së informalitetit dhe konkurrenca pandershme. Forma më e zakonshme e informalitetit është evazioni fiskal 57%, mosregjistrimi i aktivitetit 49% dhe puna në të zezë, 52%.

Ndërsa sipërmarrjet bëjnë thirrje për një komunikim më efikas institucional, 59% e tyre, në 2025, mendojnë se komunikimi me administratën tatimore është përmirësuar, tregues ky në rritje krahasuar me periudhat 2019/2024; edhe pse më i ulët se perceptimi i bizneseve në vitin 2018.

Sipas Këshillit të Investimeve, bizneset perceptojnë klimën e biznesit në Shqipëri si të ndikuar kryesisht nga tre elementë kritikë: Efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe mbrojtja e të drejtave; Niveli i korrupsionit dhe transparenca institucionale; Cilësia dhe kostot e fuqisë punëtore. Përmirësimi i këtyre elementëve është kritik për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të tërhequr investime të qëndrueshme, argumenton KI.

The post Anketa/ Bizneset shqiptare perceptojnë informalitet të shtuar në treg appeared first on Gazeta Si.

Parashikimi i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Rritet euro dhe nafta

26 January 2026 at 10:05

Nga Gazeta ‘SI’ – Për sa kohë EUR/USD do të tregtohet mbi nivelin 1.18, trendi mbetet bullish, me objektiv 1.192. Tregtimi nën nivelin 1.18 do ta frenonte përkohësisht këtë tendencë, duke u paraprirë nga testimi i suportit 1.177.

Për sa kohë GBP/USD do të tregtohet mbi nivelin 1.359, trendi mbetet rritës, me target 1.373. Një reagim pozitiv në këtë nivel do të avanconte lëvizjen rritëse drejt objektivit të radhës 1.38. Tregtimi nën nivelin 1.358 do të pasohej nga testimi i suportit 1.355.

Për sa kohë USD/JPY do të tregtohet nën nivelin 156.2, trendi mbetet bearish, me target 154.3. Tregtimi mbi nivelin 156.2 do të pasohej nga testimi i rezistencës 157.

Për sa kohë DOW JONES do të tregtohet nën nivelin 49,300, trendi mbetet negativ, me target 48,400. Tregtimi mbi nivelin 49,300 hap rrugën për një avancim të mëtejshëm drejt objektivit 49,900.

Për sa kohë CRUDE OIL do të tregtohet mbi nivelin 61, trendi mbetet pozitiv, me target 63.3. Tregtimi nën nivelin 61 do të pasohej nga testimi i suportit 60.6.

Për sa kohë BTC/USD do të tregtohet nën nivelin 86,750, trendi mbetet bearish, me target 68,200. Tregtimi mbi nivelin 86,750 do ta frenonte përkohësisht këtë tendencë, duke u paraprirë nga testimi i rezistencës 87,400.

The post Parashikimi i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Rritet euro dhe nafta appeared first on Gazeta Si.

Lamat, arma sekrete e shkencës për gjetjen e ilaçeve të reja

24 January 2026 at 12:01

Një lama është shtrirë mbi bar, me qafën e mbështetur, duke shijuar një rreze dielli. Një tjetër qëndron mbi një kodër dheu, me veshët të shtrirë. Një e tretë vrapon për të përshëndetur vizitorët me një përqafim të ngrohtë.

Kjo nuk është një fermë ku njerëzit mund të prekin kafshët. Këto kafshë me lesh janë në Belgjikë për punë.

Shkencëtarët kanë zbuluar potencialin e antitrupave të tyre për të penguar shumë sëmundje, dhe tani zhvilluesit e ilaçeve po investojnë miliarda dollarë në një fushë që mund të sjellë një gjeneratë të re ilaçesh që ndryshojnë jetën. Objektivat përfshijnë edhe sëmundje të vështira për t’u trajtuar, si kanceri, dhimbjet nervore dhe një sëmundje kronike e lëkurës.

Lamat janë pjesë thelbësore e eksperimentit. Ndërmjet plazhimit në pluhur dhe kullotjes, ato marrin injeksione për të stimuluar prodhimin e antitrupave të çmuar. Këto kafshë janë ndër të paktat që prodhojnë proteina të vogla, të quajtura nanotrupa, të cilat shkencëtarët i vlerësojnë si të lehta për t’u prodhuar, manipuluar dhe dizajnuar.

“Kanë një natyrë si Lego që mund t’i lidhësh në çdo mënyrë që dëshiron, gjë që është vërtet unike,” thotë Mark Lappe, drejtori ekzekutiv i kompanisë amerikane bioteknologjike Inhibrx Biosciences Inc. “Nëse provon të bësh këtë me antitrupa të zakonshëm, është jashtëzakonisht komplekse.”

Fusha po zhvillohet shpejt, edhe pse ende në mënyrë të heshtur. Një ilaç i Sanofi-t për një çrregullim të rrallë autoimun të gjakut ishte ilaçi i parë i zhvilluar me antitrupa lamash që arriti në treg. AstraZeneca kohët e fundit publikoi rezultatet për një ilaç eksperimental për një çrregullim tjetër autoimun, që mund të bëhet një hit i mundshëm. Gjiganti farmaceutik amerikan Eli Lilly ka bashkëpunuar me kompaninë belge bioteknologjike Confo Therapeutics për të fituar të drejtat mbi një produkt që eksploron një qasje të re për menaxhimin e dhimbjes.

“Mendoj se nanotrupat do të jenë pjesë kryesore e shumë portofoljeve në të ardhmen,” thotë Michael Quigley, drejtori shkencor i Sanofi-t. “Sanofi nga perspektiva jonë po udhëheq këtë fushë.”

Inhibrx po punon për një terapi që mund të shkaktojë vdekjen e disa qelizave tumorale pa dëmtuar indet e shëndetshme, një përparim krahasuar me disa trajtime ekzistuese për kancerin. Aksionet e kompanisë u dyfishuan pasi një studim tregoi se pacientët me një lloj të rrallë kanceri të kockës, pa opsione trajtimi, jetuan më gjatë me ilaçin eksperimental pa përparim të sëmundjes. Trajtimi po testohet për disa lloje tumoresh.

Sistemi imunitar i lamave dhe të tjerëve nga familja e kamelidëve mund të futen në hapësira më të ngushta dhe të depërtojnë më mirë në inde sesa antitrupat njerëzorë, sepse janë më të vegjël dhe më të thjeshtë. Disa raportohet se mund të kalojnë edhe pengesën e rrënjës së trurit, duke dhënë shpresë për sëmundjet neurologjike.

Për lamat, kjo nuk është domosdoshmërisht një punë e keqe. Ata marrin një antigen disa herë dhe disa javë më vonë, kur sistemi i tyre imunitar ka reaguar, mblidhet një epruvetë gjaku që përmban antitrupat që shkencëtarët do të përpunojnë në laborator.

Kur të rriten, disa mund të kalojnë në një karrierë të dytë në parandalimin e zjarreve ose si mbrojtës të bagëtive. Disa do të adoptohen, ndërsa të tjerët do të dalin në pension.

“Kemi një plan pensioni për lamat,” thotë Cedric Ververken, drejtori ekzekutiv i Confo, në një intervistë. “Pasi i kemi imunizuar dhe kemi prodhuar antitrupat, duam të sigurohemi që lama të ketë ende një jetë të lumtur.”

Një vështrim pas skenave tregon se kafshët në një fermë të madhe në Belgjikë jetojnë lirisht në një terren të madh, pjesërisht të pyllëzuar, të ndarë në disa kazerma me streha.

Lamat jetojnë në tufë me një anëtar dominues. Janë kafshë sociale dhe veshët e tyre tregojnë gjendjen e tyre shpirtërore, ashtu si te kuajt: veshët përpara, kur janë kuriozë; veshët mbrapa, kur janë vigjilentë dhe pak të dyshueshëm. Ndryshe nga kuajt, ata mund të shkelmojnë anash. Një femër temperamentse, Jane, njihet për të shpërthyer ndaj kujdestarit të saj nëse shporta me bar dhe pjatat nuk dorëzohen shpejt.

Vendndodhja e saktë e fermave shpesh mbahet sekrete, megjithatë përdorimi i lamave në kërkimin mjekësor rregullohet ligjërisht.

Kafshët luajnë gjithashtu një rol të madh në promovim. Inhibrx ka një fotografi të tyre në një broshurë mbi linjën klinike të ilaçeve. Prezantimi për investitorë i kompanisë zvicerane MoonLake Immunotherapeutics përfshin kafshë vizatime miqësore. Kompania holandeze Argenx SE, që merret me një lloj tjetër antitrupi lamash, gjithashtu përdor imazhe kartonike në faqen e saj, përfshirë një me beretë për të treguar se disa nga kafshët jetojnë në jug të Francës.

“Njerëzit e duan lamën,” thotë Tim Van Hauëermeiren, drejtori ekzekutiv i Argenx, në një intervistë. “Dëshirojnë të dinë gjithçka për lamën. Investitorët individualë duan një lama të mbushur për në shtëpi.”

Shumica e aktivitetit me nanotrupa ka rrënjë në ose pranë Belgjikës, sepse Universiteti i Lirë i Brukselit është vendi ku u zbuluan për herë të parë antitrupat. Zbulimet origjinale lidhnin dromedaret, por studiuesit zbuluan shpejt se edhe kamelët, lamët dhe alpakët kanë të njëjtat tipare, po ashtu edhe peshqit shok.

Kampi i Brukselit ende strehon punë mbi nanotrupat, një term i patentuar nga Ablynx. VIB Nanobody VHH Core, që dizenjon këto antitrupa për klientët farmaceutikë dhe bioteknologjikë, operon në disa kazerma në një qoshe të gjelbër të kampusit. Grupi fokusohet kryesisht në trajtime dhe diagnostikime për kancer dhe sëmundje inflamatore, por po studion edhe aplikime të tjera, përfshirë një lloj kontraceptive për Fondacionin Gates.

“Ku ka një objektiv që një antitrup mund t’i lidhet, mund të ketë aplikim nanotrupi,” thotë Steve Schoonooghe, një nga shkencëtarët e VIB. “Na jepni një objektiv në një qelizë kanceroze dhe ne mund të bëjmë një nanotrup kundër saj.” Një qëllim, ashtu si te Inhibrx, është të sulmojnë tumorët pa dëmtuar trajtimet e tjera si kimioterapia.

Për tani, bota e nanotrupave ende nuk ka provuar se mund të sjellë një hit të madh. Ilaçi Cablivi i Sanofi-t ishte pionier, por pas rreth shtatë vitesh në treg për një çrregullim të mpiksjes së gjakut, ka arritur vetëm 202 milionë euro shitje në tre tremujorët e parë të vitit të kaluar. Kompania franceze ka ndërprerë kërkimin mbi pesë ilaçe eksperimentale me nanotrupa vitet e fundit, megjithatë po vazhdon me të tjerat. Dy prej tyre po testohet për sëmundje si astma, diabeti dhe sëmundja inflamatore e zorrëve.

Fusha ka përjetuar edhe dështime. Vlera e tregut të MoonLake u rrëzua në shtator pasi një studim mbi trajtimin eksperimental të lëkurës tregoi se nuk ishte më i mirë se ilaçi rival.

“Është e rëndësishme të mbajmë mend zhvillimin e ilaçeve dhe maturimin e çdo platforme, që kërkon kohë,” thotë Quigley, drejtori shkencor i Sanofi-t.

Një sukses i madh mund të shtyjë gjithçka përpara, dhe ilaçi eksperimental për sëmundje të rralla i AstraZeneca-s, gefurulimab, ka potencialin për këtë. Ilaçi mund të bëhet një hit në 2031 dhe është një nga katër ilaçet me nanotrupa që kompania britanike po zhvillon.

“Për mua, nanotrupat përfaqësojnë një mjet të rëndësishëm të ri,” thotë Seng Cheng, shef i kërkimeve dhe zhvillimit të produkteve te Alexion, biznesi i sëmundjeve të rralla i AstraZeneca-s. “Ende nuk kemi shfrytëzuar të gjithë potencialin që mund të ofrojnë.”

Nevoja për të punuar me lamat aktualisht mund të bëhet e tepërt me inteligjencën artificiale, por për tani kafshët ende shërbejnë një qëllim.

Lappe i Inhibrx vlerëson se kompania bioteknologjike me bazë në Kaliforni ka imunizuar më shumë se njëqind lama në San Diego County. Si disa të tjerët, ata i marrin lamat me qira dhe nuk i zotërojnë, sepse “ne jemi zhvillues ilaçesh, nuk jemi fermerë.”/Bloomberg

The post Lamat, arma sekrete e shkencës për gjetjen e ilaçeve të reja appeared first on Gazeta Si.

Ibrahimaj: Gati ligji ‘Made in Albania’. Do fokusohemi tek profesionet me rendiment të lartë!

23 January 2026 at 13:20

Nga Gazeta ‘SI’ – Në një dalje për mediat, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi se brenda vitit do të hyjë në fuqi ligji për produktet “Made in Albania”, që synon të mbrojë prodhimin vendas dhe eksportimin.

 “Një komponent që lidhet ngushtësisht me promovimin është ligji që ne do të miratojmë brenda vitit 2026, ligji për “Made in Albania” që synon të promovojë produktet vendase në vend dhe jashtë vendit. Por synon edhe ndërtimin e brand-it “Made in Albania” dhe procesin dhe procedura që lidhen me mbrojtjen e brand-it “Made in Albania”, tregtimin e brand-it “Made in Albania” që të garantojmë që produkti shqiptar të jetë i disponueshëm në gjithë vendin dhe të garantojmë nxitjen e eksporteve të produkteve “Made in Albania””, tha ministrja.

Sipas ministres për të garantuar qëndrueshmërinë e normave të rritjes ekonomike, duhet përqendrim në tre sektorë të zhvillimit: rritja e investimeve, rritja e eksporteve dhe rritja e produktivitetit, që do të jenë dhe fokusi i qeverisë përgjatë mandatit.

“Rreth këtyre komponentëve do të drejtohen politikat tona përgjatë gjithë këtij mandati katërvjeçar me qëllim që të garantojmë qëndrueshmërinë, të garantojmë një treg që nxit investimet dhe një treg përfiton maksimalisht nga tregu i përbashkët europian dhe gjithashtu një treg që është i drejtuar drejt atyre profesioneve që janë më produktive dhe sektorëve që kanë produktivitet më të lartë dhe kapacitet më të lartë për të mbajtur vlerë të shtuar në ekonominë shqiptare”, tha ministrja.

Më tej, Ibrahimaj prezantoi ecurinë e ekonomisë së Shqipërisë gjatë vitit që lamë pas.

Ministrja tha se rritja ekonomike ka qenë e qëndrueshme, duke ndikuar në reduktimin e borxhit publik.

 “Ekonomia shqiptare gjatë 2025-ës ka treguar stabilitet, aktiviteti i sektorit privat ka vijuar të rritet dhe kemi një klimë biznesi që nxit investimet. PBB për tremujorin e tretë u rrit me 3.75%, normë më e lartë se mesatarja e BE dhe rajonit. Borxhi publik është tregues kryesor për të matur stabilitetin fiskal të ekonomisë shqiptare, ka ardhur në reduktim dhe në tremujorin e tretë ishte 53.4%. Ky nivel borxhi garanton stabiltet makroekonomik, por na lë hapësira që në të ardhmen të hartojmë politika dhe stimuj fiskalë që të nxisim ekonominë e vendit”, tha ministrja.

Duke u ndalur tek biznesi, Ibrahimaj tha se në 2025-n, në vend janë shtuar më shumë se 17 mijë biznese të reja, aktive.  Ajo tha se në fund të 2025-s, pagat u rritën me 7.3% dhe pensionet me 8.4%.

The post Ibrahimaj: Gati ligji ‘Made in Albania’. Do fokusohemi tek profesionet me rendiment të lartë! appeared first on Gazeta Si.

Vengu: Shqipëria nis brenda vitit prodhimin e armëve dhe municioneve. Bashkëpunim me SPAK

23 January 2026 at 12:14

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka prezantuar sot para deputetëve në komisione, projektligjin e ri që i hap rrugë prodhimit, importit dhe eksportit të armëve të zjarrit e municioneve.

Ministri Vengu tha se KAYO, kompania shtetërore për armët, ka nënshkruar 6 kontrata me privatët për të prodhuar municione, mjete, uniforma, dronë etj.

Vengu thekson se parashikohet që armatimet e para “Made in Albania” të prodhohen brenda këtij viti.

“Kemi 6 kontrata të nënshkruara për krijimin e 6 kompanive të përbashkëta shtet privat përmes kompanisë KAYO. 6 kontratat parashikojnë prodhimin  e municioneve, mjeteve dhe pajisjeve personale, uniformave, armatimit të lehtë, dronëve, sistemeve antidronë dhe mjetet e emergjencave civile. Jemi ë përfundim të negociatave me Fincantierin për ndërtimin e kantierit detar të Pashalimanit për të pasur mundësi jo vetëm të prodhojmë mjetet tona, jo vetëm t’i mirëmbajmë, por dhe të prodhojmë për vendet e tjera.  Presim që produktet e para Made in Albania, prodhimet e para të fillojnë këtë vit. Kemi hyrë në fazën që duam të sigurojmë zinxhirin e furnizimit të qëndrueshëm për të gjitha nënproduktet në mënyrë që të jemi në përputhje dhe me standardet e NATO-s”, tha Vengu.

Ministri bëri me dije gjithashtu se, janë në fazën përfundimtare negociatat me kompaninë “Fincantieri” për ringritjen e kantierit detar të Pashalimanit, në bashkëpunim me gjigantin italian.

“Ky projekt synon jo vetëm prodhimin dhe mirëmbajtjen e anijeve për Forcat e Armatosura shqiptare, por edhe prodhimin dhe riparimin e mjeteve për nevojat e vendeve aleate”, tha Vengu.

Gjatë diskutimeve, në përgjigje të pyetjes së deputetit të Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, ministri u ndal te shqetësimet që lidhen me ndjeshmërinë e kësaj fushe, veçanërisht rrezikun e keqpërdorimit ose mosrespektimit të procedurave ligjore, çka mund të krijojë hapësira për importe ilegale apo të pakontrolluara, duke dëmtuar sistemin e gjurmueshmërisë dhe duke sjellë probleme edhe në rastet e eksporteve.

Duke iu përgjigjur këtyre shqetësimeve, ministri Vengu tha se janë ndërmarrë masa konkrete për forcimin e mekanizmave ligjzbatues përmes bashkëpunimit me doganat dhe Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKShE) e cila bashkëpunon ngushtë me Policinë e Shtetit, SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), në raste me ndjeshmëri të veçantë.

The post Vengu: Shqipëria nis brenda vitit prodhimin e armëve dhe municioneve. Bashkëpunim me SPAK appeared first on Gazeta Si.

❌
❌