Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026Main stream

Nga po shkon LDK-ja?

15 January 2026 at 17:01


Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit të kaluar sollën rezultatin e dytë më të keq për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), partinë më të vjetër në Kosovë, që nga paslufta.

Por, përballë këtij momenti vendimtar për të ardhmen e partisë, Radios Evropa e Lirë (REL) s’i folën shumë nga përfaqësuesit e LDK-së, si: Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Hykmete Bajrami, Jehona Lushaku Sadriu, Avdullah Hoti, Anton Quni, Doarsa Kica Xhelili, Besian Mustafa, Arben Gashi e Agim Veliu.

Për politologun Dritëro Arifi, kjo simbolizon “mbylljen” e LDK-së, që kur u morën vesh rezultatet e zgjedhjeve, se ajo mori vetëm 13.23 për qind të votave.

Arifi shpreson që, të paktën, kjo kohë po shfrytëzohet për të menduar për “risitë që duhet të sjellë LDK-ja në strukturat e partisë”.

Për njohësen e zhvillimeve politike, Donika Emini, risia kryesore që i duhet LDK-së është ikja nga një lloj “gjumi letargjik”.

“Prej 2021 deri më 2025, partia nuk ka qenë aktive në mënyrë të qëndrueshme, dhe kjo ka pasur pasoja të dukshme në perceptimin e saj si forcë politike”, thotë Emini për REL-in.

Por, mbrëmjen e së mërkurës u shpërfaqën në Facebook disa mosmarrëveshje nga debati i brendshëm në LDK. Nënkryetarja e partisë, Hykmete Bajrami, tha se ka dhënë dorëheqje nga posti i saj, dhe kërkoi që të njëjtën ta bënte edhe kryetari Abdixhiku.

Ky i fundit, duke kërkuar që të tjerët “të sillen pa dramë e pa protagonizëm”, përsëriti se e ka ofruar dorëheqjen, por se vendimin për pranimin ose jo të saj do ta marrë Kuvendi i partisë.

LDK-ja përballë dy testeve të para

Një test i parë për të ardhmen e LDK-së pritet të jetë reformimi ose jo i udhëheqjes së saj.

“Derisa e kemi një kryetar, që thotë: ‘Unë po shkoj; por, nëse ju më besoni, unë mund të vazhdoj’… Kjo tregon që këtu nuk ka qasje [për të ardhmen e partisë]. Këtu ka më shumë interesa personale sesa partiake”, thotë Arifi për REL-in.

Një tjetër moment kyç që mund ta formësojë LDK-në është edhe bashkëpunimi ose jo me partinë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për mandatin e ri pesëvjeçar të presidentit, që duhet të zgjidhet më 4 mars.

“Hapi më i mençur për LDK-në do të ishte ta pranonte rezultatin e zgjedhjeve dhe të mos e bllokonte procesin e zgjedhjes së presidentit”, thotë Emini.

Ajo beson se nëse LDK-ja nuk tregohet bashkëpunuese, asaj mund t’i largohen deputetë drejt LVV-së, ose të pësojë rënie edhe më të madhe në zgjedhjet e ardhshme.

Ku gaboi LDK-ja dhe si mund ta rikthejë besimin e elektoratit?

Rezultatet e veta më të mira, LDK-ja i gëzoi në vitet e para të pasluftës, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës. Atëbotë, kjo parti fitonte rreth 45 për qind, por tani ka rënë në rreth 13 për qind.

Për Arifin, sinjale për rënien e LDK-së ka pasur mjaft.

“Këto janë gjëra që partitë nuk duan t’i pranojnë, jo që nuk i dinë”, thotë ai, duke shtuar se rënia e tillë tregon se ka dështuar e gjitha struktura e LDK-së në nivel vendi.

Një nga arsyet pse LDK-ja ka humbur besimin e shumë qytetarëve, thotë Arifi, është se ardhjet e fundit në parti e kanë përmirësuar listën për deputetë, por s’kanë sjellë shumë vota, pasi nuk janë integruar në udhëheqje të partisë.

Për Eminin, gabimi i LDK-së qëndron te “ngrirja në kohë” dhe insistimi në “frymën rugoviane”, ndërkohë që “votuesit kërkojnë zgjidhje të reja dhe përfaqësim të gjeneratave të reja”.

Por, ajo thekson edhe disa përçarje brenda partisë.

“Heqja e Agim Veliut nga lista ishte e kushtueshme politikisht. Veliu përfaqësonte një pjesë më tradicionale të LDK-së, dhe mungesa e tij ndikoi në rezultatin e partisë”, thotë Emini, duke shtuar se, në anën tjetër, njerëzit e rinj s’tërhoqën votat e të rinjve që kërkonin ide të reja.

Ajo shton se me sfida të ngjashme përballet edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Si dy partitë kryesore në vitet e para të pasluftës dhe pas pavarësisë së Kosovës, tani këto dy parti po e kanë të vështirë të shfaqen si alternative serioze qeverësise ndaj LVV-së.

E, si mund të ndryshojë kjo? Duke u reformuar, thotë Emini.

Si hap i parë, shton ajo, është pranimi i realitetit: LDK-ja radhitet si partia e tretë më e madhe në vend, me vetëm 15 vende të fituara në Kuvend nga gjithsej 120.

Hapat e radhës i theksojnë po aq fuqishëm edhe Emini, edhe Arifi: LDK-ja duhet të bëjë matje e analiza se pse ka humbur, e pastaj të pozicionohet si opozitë sa aktive, po aq edhe konstruktive.

Duke qenë aktive në Kuvend, në raport me mediat, me shoqërinë civile, me pozitën e opozitën, Emini thotë se LDK-ja mund të paraqitet si forcë e madhe politike edhe me numër të vogël deputetësh./Radio Evropa e Lirë/

Në QNR rinumërohen mbi 17% e vendvotime ku u hasën parregullsi

15 January 2026 at 16:42


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e enjte, 15 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar 158 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave të ndryshme, si: Deçan (5), Gjakovë (15), Gllogoc (7), Gjilan (13), Dragash (57), Istog (6), Kaçanik (44), Klinë (5), Fushë Kosovë (3) dhe Mitrovicë e Jugut (3).

Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi.

Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut)./Telegrafi/

Bie masivi shkëmbor, bllokohet rruga nacionale Dragash–Shishtavec

15 January 2026 at 16:17


Si pasojë e shkarjes së një masivi shkëmbor në afërsi të fshatit Krushev, në territorin e Republikës së Kosovës, është bllokuar rruga nacionale Dragash–Shishtavec.

Sipas informacioneve nga terreni, shkarjet e dheut dhe gurëve kanë bllokuar plotësisht të dy korsitë e lëvizjes, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve në këtë segment rrugor.

Situata paraqet rrezik për sigurinë e mjeteve që kalojnë në këtë segment, pasi në këto momente janë rritur temperaturat duke shkaktuar shkrirje të borës e akullit por edhe të shkëputjes së shkëmbinjve, raporton Top Channel

Ndërmarrja për Mirëmbajtjen e Rrugëve të Kosovës ka dalë në vendngjarje dhe ka vendosur konët e bllokimit, duke sinjalizuar ndalimin e qarkullimit dhe duke parandaluar kalimin e mjeteve në zonën e rrezikuar.

Po ashtu, pritet ndërhyrje për pastrimin e rrugës dhe stabilizimin e masivit shkëmbor.

Ndërkohë, Policia e Kosovës u bën apel të gjithë drejtuesve të automjeteve që të shmangin këtë aks rrugor dhe të përdorin rrugë alternative, deri në një njoftim të radhës për normalizimin e qarkullimit.

Kjo rrugë ka rëndësi të veçantë për banorët e zonës, pasi lidh fshatrat Krusheva dhe Restelica, si dhe shërben si aks drejt pikës kufitare Krushev–Shishtavec.

IKSHPK përditëson të dhënat, përmirësohet cilësia e ujit në disa Rajone

15 January 2026 at 16:11


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me qendrat rajonale të shëndetit publik, po vazhdon monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas rezultateve të analizave të datës 15.01.2026, situata e furnizimit me ujë të pijshëm mbetet e pandryshuar në rajonet e Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt, Prizrenit dhe Gjakovës, ku cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara.

Megjithatë, përjashtim bëjnë rajonet e Gjilanit dhe Pejës, ku janë evidentuar disa problematika specifike.

Rajoni i Gjilanit

Në zonën e Kamenicës, përkatësisht në Stacionin nr. 1 dhe Besa Center, cilësia e ujit është brenda kufijve të lejuar dhe konsiderohet e sigurt për pije.
Ndërsa në Stacionin e pompimit nr. 2, zonën Bahqja dhe fshatin Berivojcë, është vërejtur rritje e vlerave të nitrateve mbi kufijtë e lejuar. Si pasojë, uji në këto zona nuk rekomandohet për pije.

Rajoni i Pejës

Në komunat Pejë, Deçan, Junik dhe Istog, cilësia e ujit të pijshëm është në përputhje me standardet e lejuara.
Ndërkohë, në Klinë, përkatësisht rrjeti i ujit nga puset dhe rrjeti nga burimi Jarinë, për shkak të vlerave të rritura të turbullirës, uji nuk rekomandohet për pije.

IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e dhëna dhe njofton se monitorimi i cilësisë së ujit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik./Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Pse rrodhi ujë nga Tuneli i Llogarasë? Eksperti shpjegon fenomenin që u bë viral

12 January 2026 at 23:55


Një nga pamjet e shumta virale të përmbytjeve që kanë zgjatur për rreth një javë në vend ishte edhe momenti që tregonte një rrjedhje uji nga tavani në Tunelin e Llogarasë.

Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan, eksperti për menaxhimin e burimeve ujore, Arduen Karagjozi, shpjegoi procesin nga pikëpamja gjeologjike, se përse mund të ketë ndodhur kjo gjë.

Biseda në studio:

Blendi Fevziu: Pati ujë në disa segmente të Tunelit të Llogarasë, që m’u duk pak e çuditshme. Karagjozi, çfarë mund të jetë? Aty nuk doli ujë gjatë punimeve për hapjen e tunelit, domethënë ishte i thatë gjithë gjithi. Tani është shkëmb shumë i fortë.

Arduen Karagjozi: Sepse punimet janë bërë përgjithësisht në kohë të thatë dhe nuk ka pasur këtë intensitet reshjesh.

Blendi Fevziu: Është punuar për 3 vjet aty, dimër-verë…

Arduen Karagjozi: Klodi e di më mirë, por nga informacioni që unë di nga gjeologjia, aty formacionet gjeologjike gëlqerore, të cilat filtrojnë ujë nga mali, dhe fakti që në pjesën e poshtme nuk ka fare burime, nënkupton që ato nuk kapin ndonjë shtresë të fisur që të krijojë mbajtje të ujit sipër dhe, normalisht, i gjithë uji, siç bie nga mali, futet nëpër këto hapësira që ka shkëmbi gëlqeror dhe shkon drejt detit. Në këtë rast, tuneli ka depërtuar në këto shtresa dhe, në rastet kur bie shi, kjo kullon ujë sipër.

Blendi Fevziu: Por kjo ndodhi këtë herë, sepse ka rënë shi një vit…

Arduen Karagjozi: Po, sepse këtë herë niveli i ujit ka qenë më i lartë dhe ka krijuar një ngarkesë më të madhe se ato të mëparshmet.

Blendi Fevziu: Krijon dëmtim?

Arduen Karagjozi: Nuk e besoj, është një ç’fryrje presioni. Besoj se do të ketë water-stop në pjesën që lidh dy segmentet me njëra-tjetrën, por presioni këtë herë duhet të ketë qenë më i madh, por s’besoj të ketë probleme të qëndrueshmërisë në asnjë rast.

AAK-ja me ndihmën e LVV merr drejtimin e Kuvendit Komunal të Junikut

12 January 2026 at 23:32


Sot është mbajtur mbledhja e Kuvendit Komunal të Junikut, në të cilën pikë kryesore e rendit të ditës ishte zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit Komunal.

Grupi i asambleistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka propozuar për këtë pozitë Shpejtim Gacaferin, ndërsa grupi i asambleistëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka propozuar Leonard Llollunin.

Propozimi i AAK-së është mbështetur nga kryetari i Qendrës së Vetëvendosjes në Junik, Jetmir Tofaj, çka ka qenë vendimtare për rezultatin e votimit.

Në procesin e votimit, kandidati i LDK-së, Shpejtim Gacaferi, ka marrë 7 vota, ndërsa kandidati i AAK-së, Leonard Llolluni, ka marrë 8 vota, falë mbështetjes së 2 nga 3 asambleistët e grupit të VV-së.

Me këtë rezultat, Leonard Llolluni është zgjedhur Kryesues i Kuvendit Komunal të Junikut./Telegrafi/


​Eksperti i kibernetikës: Sot ishte “fantazmë”, nesër mund të jetë incident

12 January 2026 at 21:42


Eksperti i kibernetikës, Halil Berisha, ka kritikuar disa media, duke thënë se janë shndërruar prijëse të keqinformimit.

Berisha ka shkruar në Facebook se qytetarët duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe skeptikë ndaj gjithçkaje që shohin online, veçanërisht kur përmbajtja është sensacionale, frikësuese dhe e pazakontë.

"Fantazma" që duhet të na frikësojë edhe më shumë. Një imazh i një “fantazme”, i krijuar me Inteligjencë Artificiale, u shpërnda me shpejtësi ditët e fundit dhe u mor si i vërtetë jo vetëm nga qytetarë të zakonshëm, por edhe nga shumë media. U bë lajm i madh. Jo sepse kishte rëndësi reale, por sepse solli klikime, shikime dhe reagime, shumë më tepër sesa shumica e lajmeve të përditshme të prodhuara nga vetë redaksitë. Kjo nuk është rastësi. Është dëshmi se një pjesë e mediave, nga prijëse të informimit publik, janë shndërruar në prijëse të keqinformimit, shpesh pa verifikim minimal dhe pa përgjegjësi profesionale”, ka shkruar ai.

Berisha thekson se kjo “fantazmë” nuk shkaktoi dëm serioz, frikësoi ose ngjalli kureshtje tek disa persona, por asgjë më shumë.

“Megjithatë ajo zbuloi diçka shumë më të rrezikshme: Kombinimi i Inteligjencës Artificiale, moskujdesit dhe paditurisë së disa mediave dhe shpërndarjes masive nga qytetarët në rrjete sociale, krijon një terren ideal që aktorë keqdashës, përfshirë armiq të vendit, ta shfrytëzojnë për të: krijuar panik, përhapur mjegull informative, nxitur përçarje, madje edhe trazira. Sot ishte një “fantazmë”, e nesër mund të jetë një incident, krizë, apo një kërcënim sigurie i fabrikuar. Në epokën e AI, verifikimi është domosdoshmëri. Dhe përgjegjësia nuk bie vetëm mbi qytetarët, por sidomos mbi mediat”, tha ai.

Sipas Berishës, ky rast duhet të shërbejë si mësim, jo si humor i radhës në internet.

11 janari me temperaturat më të ulëta në Kosovë, ditët në vijim pritet rritje e tyre

12 January 2026 at 21:32


Mbrëmja e 11 janarit dhe orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, sipas zyrtarëve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, shënuan temperaturat më të ulëta në vendin tonë, deri në -14°C, shoqëruar edhe me reshje, të cilat në disa zona shkaktuan vërshime. Në ditët në vijim e deri më 20 janar, pritet ngritje e temperaturave në vlera pozitive gjatë ditës.

Dita e sotme shënon një nga ditët më të ftohta të këtij dimri deri më tani. Temperaturat në orët e hershme të mëngjesit kishin zbritur deri në - 14 gradë Celsius në viset e larta malore. Ky mot dimëror konsiderohet i qëndrueshëm dhe pa ekstreme të pazakonta, i filluar me reshje të cilat sollën vërshime dhe temperatura të ulëta, thotë Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

“Nata e mbrëmshme ishte me -14 deri -15 në viset e larta sonte do të thotë ditë e hënë në mbrëmje do të kemi prap temperatura të ultë -9 deri -11 nën zero, mirëpo në ditët në vijim do të kemi temperatura të mesditës me vlera pozitive kështu që gjatë natës dhe pjesa e parë e ditës do të jenë kryesisht me ngrica prandaj kujdes pjesëmarrësve në komunikacion”, tha ai në RTK.

Reshjet enorme sipas meteorologjisë, deri në 300 litra për metër katror, sollën vërshime në vise të ulëta dhe lugina të vendit, ndërsa konditat klimatologjike janë normale për këtë periudhë të vitit, nënvizon Aliu.

“Tash për momentin pjesa jugore po shihet që ka reshje të borës ku në qytetin e Ferizajt ka qenë 11 cm reshje kurse në viset e larta atje në Brezovicë e më lartë kanë kaluar mbi 40 centimetra. Tash situata meteorologjike do të vjen duke u qetësuar dhe ditët vijuese do të jenë ti quaj ditë tipike dimërore me temperatura negative gjatë natës pozitive gjatë ditës”, shtoi Aliu.

Zyrtarë të IHMK-së njoftojnë se deri më 20 janar nuk do të ketë temperatura të ulëta. Megjithëse janari konsiderohet kulmi i të ftohtit dimëror, parashikimet flasin për stabilizim gradual të temperaturave në ditët në vijim, të cilat konsiderohen lehtësim, sidomos për qytetarët me gjendje të rënd socio-ekonomike dhe shëndetësore, për të cilët kalimi i pikut të dimrit sjell jo vetëm ngrohje në mot, por edhe më shumë siguri në përditshmëri.

Kurti pret Admiralin Wikoff: Anëtarësimi i Kosovës në NATO është garancia më e mirë për paqe dhe siguri

12 January 2026 at 21:20


Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin amerikan George M. Wikoff.

Ky ishte takimi i parë mes kryeministrit Kurti dhe admiralit Wikoff, me ç’rast Kurti e uroi atë për marrjen e detyrës së re, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të plotë. Ai vlerësoi komunikimin dhe ndërveprimin e mirë të Qeverisë së Kosovës me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, në funksion të garantimit të sigurisë dhe paqes për të gjithë qytetarët.

Gjatë takimit, Kurti theksoi se Kosova përbën një rrëfim suksesi të ndërhyrjes së NATO-s, duke nënvizuar se çlirimi dhe pavarësia e vendit janë shndërruar në bazë të zhvillimit ekonomik, shtetndërtimit demokratik dhe mirëqenies sociale. Ai shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për aleancën veri-atlantike dhe rolin e saj vendimtar.

Duke folur për situatën e sigurisë, kryeministri Kurti riafirmoi synimin dhe angazhimin e Kosovës për anëtarësim të plotë në NATO, duke e cilësuar këtë si përgjigjen më të mirë për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë në rajon. Ai theksoi se siguria e Kosovës fillon me sigurinë e kufijve të saj.

Kurti gjithashtu e informoi admiralin Wikoff për veprimet dhe rezultatet e institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit, si dhe për investimet e vazhdueshme në sektorin e mbrojtjes.

Në përfundim të takimit, kryeministri Kurti e falënderoi admiralin Wikoff për bisedën dhe për kontributin e vazhdueshëm të KFOR-it dhe NATO-s në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

Dy të plagosur pas dhunës në Lezhë, policia shpall në kërkim vëllain dhe nipin e Arben Ndokës

12 January 2026 at 20:54


Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim policor vëllanë dhe nipin e Arben Ndokës, pas një konflikti të dhunshëm të ndodhur në ambientet e një lokali në qytet.

Në kërkim policor është shpallur Kevin Ndoka 20 vjeç dhe babai i tij Gëzim Ndoka, 53 vjeç, vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, i cili ndodhet në kërkim prej një viti e gjysmë nga SPAK.

Sipas policisë këtë të hënë Gëzim dhe Kevin Ndoka janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta me shtetasit Gjergj Marku dhe Nikolin Marku, kushërinj, të dy 41 vjeç. Si pasojë e përplasjes, dy kushërinjtë Marku kanë mbetur të dëmtuar, shkruan A2 CNN.

Të lënduarit kanë marrë ndihmën mjekësore dhe më pas janë paraqitur në Komisariatin e Policisë, ku kanë bërë kallëzim penal, duke pretenduar se Gëzim dhe Kevin Ndoka kanë qenë të armatosur gjatë konfliktit. Dyshohet se mes palëve ka pasur konflikt të mëparshëm, ndërsa në lokal sherri ka nisur pasi Gëzim Ndoka dhe djali i tij u kanë kërkuar që të ulin zërin kushërinjëve Marku. Policia bën me dije se vijojnë kërkimet për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim.

Inflacioni në Kosovë arrin 5,3% në dhjetor 2025, energjia elektrike dhe ushqimet me rritje të theksuar të çmimeve

12 January 2026 at 20:17


Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin dhjetor 2025, sipas të cilit inflacioni vjetor ka arritur në 5,3 për qind, ndërsa ai mujor në 0,7 për qind.

Sipas ASK-së, indeksi i përgjithshëm i çmimeve të konsumit në dhjetor 2025 ishte më i lartë për 5,3 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2024. Ndërkohë, krahasuar me muajin nëntor 2025, çmimet janë rritur mesatarisht për 0,7 për qind.

Norma mesatare vjetore e inflacionit për vitin 2025 ka qenë 3,9 për qind, duke shënuar rritje të indeksit të çmimeve të konsumit krahasuar me vitin 2024.

Rritja e çmimeve gjatë vitit 2025 është vërejtur kryesisht te disa grupe dhe nëngrupe të COICOP-it, përfshirë kafenë, çajin dhe kakaon (15,2%), shërbimet në lidhje me pajisjet personale të transportit (11,6%), pemët (11,5%), energjinë elektrike (11,4%), mishin (11,0%), si dhe pushimet e organizuara (10,3%). Po ashtu, rritje të ndjeshme kanë shënuar edhe vajrat dhe yndyrat, produktet e qumështit, shërbimet hoteliere dhe ato ambulantore.

Në krahasimin dhjetor 2025 me dhjetorin 2024, rritja më e madhe e çmimeve është shënuar te pemët (19,0%), energjia elektrike (18,3%), shërbimet e lidhura me transportin personal (18,1%), mirëmbajtja e mjeteve të transportit (14,7%) dhe mishi (14,4%).

Ndërkohë, në nivel mujor, nga nëntori në dhjetor 2025, rritja e çmimeve është nxitur kryesisht nga energjia elektrike (8,7%), biletat e fluturimeve (8,4%), lëndët djegëse të ngurta si druri dhe peleti (3,0%), perimet (2,9%) dhe biletat e transportit rrugor (2,2%).

ASK bën të ditur se rënie e çmimeve është vërejtur te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, si në nivel vjetor ashtu edhe mujor, duke pasur ndikim negativ në IHÇK./Telegrafi/

Koalicioni me PDK-në në Prizren, zyrtari i LDK-së jep dorëheqje

12 January 2026 at 19:43


Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren, Haziz Hodaj, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga Kryesia e Degës së LDK-së, duke shprehur pakënaqësi të thellë me mënyrën e vendimmarrjes brenda partisë dhe duke kërkuar përgjegjësi politike.

Dorëheqja e Hodajt vjen si pasojë e koalicionit PDK–LDK në Prizren dhe ndarjes së drejtorive, për të cilën ai thotë se është bërë pa konsultim dhe jashtë strukturave vendimmarrëse të partisë.

Në reagimin e tij publik, Hodaj ka deklaruar se shfuqizimi i parimeve dhe mungesa e reflektimit pas humbjeve të njëpasnjëshme kanë krijuar një situatë të papranueshme brenda LDK-së.

“Në vend se të reflektojmë mbi humbjet serike, ne po sillemi me një papërgjegjësi shqetësuese që thellon gabimet. Mjaft është mjaft”, ka shkruar ai, duke adresuar drejtpërdrejt edhe nënkryetarin e LDK-së, Driton Selmanaj.

Hodaj thekson se dorëheqja e tij është akt dinjiteti dhe jo dorëzim, duke shtuar se nuk dëshiron të bëhet pjesë e vendimeve që, sipas tij, shkelin besimin, parimet dhe fjalën e dhënë.

“Kur fjala e dhënë shkelet e besa humb peshën e saj, dorëheqja nga kryesia mbetet e vetmja rrugë e ndershme. Më mirë të largohesh me nder, sesa të qëndrosh aty ku besa është shkelur”, ka theksuar ai.

Ai ka bërë të ditur se po largohet nga Kryesia e Degës për shkak të vendimeve arbitrare, të marra pa konsultim, pa marrëveshje dhe jashtë çdo vendimi të Kryesisë, duke e bërë, sipas tij, të pamundur vazhdimin e përgjegjësisë me integritet.

Në fund, Hodaj ka apeluar edhe te kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, që të mos marrë vendime për emërimin e drejtorëve pa u konsultuar me anëtarët e Kuvendit Komunal nga LDK-ja, duke përjashtuar vetëm Drejtorinë e Urbanizmit.

“I qëndroj besnik, pa asnjë kompromis, parimeve të mia dhe besimit të votuesve të mi. Ky është detyrimi im moral”, ka përfunduar ai.


Vazhdojnë kërkimet për 30-vjeçarin, dyshohet se përfundoi në lumin Mat

12 January 2026 at 18:07


Policia e Shqipërisë po vijon kërkimet për gjetjen e 30-vjeçarit, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit të fshatit Dars, duke përfunduar në lumin Mat.

Drejtoria e Policisë në Dibër ka njoftuar se prej datës 10 janar 2026, polumbarët e RENEA-s po vijojnë kërkimet për gjetjen e shtetasit J.K.

“Në operacionin e kërkimit janë të angazhuar polumbarët e RENEA-s, Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër (FNSH), Forca e Posaçme “Shqiponja”, e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe forca vullnetare, të cilët vijojnë krehjen e shtratit të lumit nga të dyja anët”, thuhet në njoftim.

Ndërsa është bërë e ditur se deri në këto momente, nuk është bërë e mundur gjetja e trupit të 30-vjeçarit.


Shfuqizimi i ligjit për konfiskimin e pasurisë, avokati Ibrahimi paralajmëron pasoja

12 January 2026 at 17:44


Avokati Adrianit Ibrahimi ka folur lidhur me shfuqizimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nga ana e Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Ai ka deklaruar se shfuqizimi i këtij ligji ka qenë i pritshëm për të.

“Për mua ka qenë e pritshme, besoj se edhe për komunitetin e juristëve ka qenë e pritshme. Fakti që Gjykata nuk është lëshuar në shqyrtimin e meritave të ligjit apo të dispozitave përmbajtësore, besoj që do të shkaktojë pasoja në të ardhmen”, ka thënë Ibrahimi në RTV Dukagjini.

Ai ka shtuar se, sipas tij, Gjykata Kushtetuese e ka lënë procesin përgjysmë, pavarësisht se vendimi për shfuqizimin e projektligjit është marrë me të drejtë për shkak të shkeljeve procedurale.

“Pra, konsideroj që Gjykata Kushtetuese e ka lënë punën në gjysmë, pavarësisht se me të drejtë e ka shfuqizuar projektligjin për shkak të gabimeve procedurale”, ka deklaruar ai.

- YouTube youtu.be

Evakuohen tri familje në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë

12 January 2026 at 16:54


Tri familje në lagjen Kodra e Trimave, janë evakuuar nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca, si pasojë e vërshimeve të fundit.

Sipas njoftimit, familjet janë sistemuar përkohësisht dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca do të mbulojë pagesën e qirasë deri në renovimin e plotë të shtëpive të tyre.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës ndër të tjera bëhet e ditur se Kryqi i Kuq i Kosovës, në bashkëpunim me DSE, ka realizuar shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjienike për këto familje.


IKSHPK tregon zonat ku uji i pijshëm është i sigurt dhe ku nuk rekomandohet konsumimi

12 January 2026 at 16:36


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë një përditësim mbi situatën me ujin e pijshëm në vend, pas situatës së rëndë të shkaktuar nga vërshimet e ditëve të fundit.

IKSHPK thotë se në rajonin e kryeqytetit “cilësia e ujit të pijshëm është brenda standardeve të lejuara”.

Në rajonin e Prishtinës, uji nuk rekomandohet për pije në Vragoli dhe Miradi të Poshtme.

Përditësimi i IKSHPK-së për situatën me ujin e pijshëm në vend:

Situata me ujin e pijshëm – 12 janar 2026

Rajoni i Prishtinës

Në fabrikat për trajtimin e ujit në Shkabaj, Badoc dhe Batllavë. cilësia e ujit të pijshëm është brenda standardeve të lejuara.

Në Drenas/Bivolak, fabrika aktualisht punon me kapacitet të zvogëluar, megjithatë cilësia e ujit mbetet brenda standardeve të lejuara për konsum.

Në Lipjan dhe Kuzmin, cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara.

Në Vragoli dhe Miradi e Poshtme, uji nuk rekomandohet për pije.

Rajoni i Mitrovicës

Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj, si dhe në komunat veriore cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara.

Rajoni i Ferizajt

Në qytetin e Ferizajt, cilësia e ujit është brenda standardeve për ujë të pijshëm.

Në Han të Elezit, ujësjellësi qendror me burim në Dimcë paraqet nivel të lartë turbullire; për këtë arsye, uji përdoret vetëm për nevoja teknike dhe nuk rekomandohet për pije.

Rajoni i Gjilanit

Në qytetin e Gjilanit, uji është brenda standardeve për konsum.

Rezervuarët Prilepnicë dhe Bajë paraqesin parametra fiziko-kimikë brenda standardeve të parapara për ujë të pijshëm.

Në Kamenicë dhe Viti, cilësia e ujit mbetet brenda standardeve të lejuara.

Rajoni i Pejës

Në qytetet Pejë dhe Istog, si dhe në zonën Vrellë/Istog, cilësia e ujit është brenda standardeve për ujë të pijshëm.

Në Mbivada, për shkak të turbullirës së rritur, uji përdoret vetëm për nevoja teknike.

Në Junik, uji është brenda standardeve.

Në Deçan dhe Klinë, për shkak të turbullirës së lartë, uji nuk rekomandohet për pije dhe përdoret vetëm për qëllime teknike.

Rajoni i Gjakovës

Furnizimi me ujë nga rrjeti i KRU Gjakova është i sigurt për konsum.

Në lokalitetet Hoçë e Madhe, Opterushë, Zaqishtë, Demjan dhe Gërçinë janë evidentuar vlera të rritura të turbullirës, prandaj uji nuk konsiderohet i pijshëm.

Rajoni i Prizrenit

Burimi i ujit nga “40 bunarët” në qytetin e Prizrenit brenda standardeve të lejuara për ujë të pijshëm.

Suharekë ende është problem furnizimi në fshatrat e përmbytura si Semetisht, Studençan dhe Nëpërbisht. Pjesa tjetër e furnizimit përmes KRU Hidroregjioni Jugur vijon normalisht.

Në Malishevë, për shkak të rritjes së turbullirës, përdoret vetëm si ujë teknik dhe nuk rekomandohet për pije.

Në Dragash, cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara.

Ndërron jetë Sefedin Avdijaj, babai i noterit Arsim Avdijaj, nga Peja

12 January 2026 at 16:17


Me pikëllim të thellë është bërë e ditur ndarja nga jeta e Sefedin (Hamëz) Avdijaj, i cili pas një sëmundjeje të shkurtër ndërroi jetë më 12 janar 2026, në moshën 78-vjeçare, duke lënë pas dhimbje dhe pikëllim të madh te familja, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 13.01.2026, në varrezat e qytetit në Pejë, në orën 14:00.

Funerali niset nga banesa e të ndjerit, e cila gjendet tek ish-Fabrika e Bukës, përballë Përmendores Qerim Muriqi, në Pejë.

E pamja mbahet për 3 ditë, në banesën e të ndjerit, në Objektin Banesor tek Fabrika e Bukës në Pejë, përballë Përmendores Qerim Muriqi.

Vodhën para në një objekt fetar, arrestohen dy persona në Mitrovicë të Veriut

11 January 2026 at 23:44


Dy persona janë arrestuar në Mitrovicën e Veriut për vjedhje të rëndë.

Sipas Policisë së Kosovës, më 10.01.2026 rreth orës 15:30 u pranua informacioni se në një objekt fetar në rrugën “Qeta e Minatorëve” në Mitrovicën e Veriut, persona të panjohur kanë depërtuar dhe kanë vjedhur një shumë parash me vlerë prej 125 euro.

“Sot, më datë 11.01.2026, falë bashkpunimit me qytetar dhe veprimeve operative-hetimore te njësive policore në kuadër të Stacionit Policor Mitrovicë Veri janë arrestuar dy persona si dyshuar ne lidhje me rastin. Arrestimi është kryer në rrugën “Kral Petri”, në Mitrovicë të Veriut.”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Personat e dyshuar janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për M.S i lindur më 2007, dhe 24 orë për D.R, i lindur më 2008.

“Të dy personat e arrestuar janë shtetas të Republikës së Serbisë, me vendbanim në Mitrovicë të Veriut”, thuhet në njoftim.

Koalicion LVV-LDK në Mitrovicë, Safet Kamberi zgjedhet kryesues i Kuvendit Komunal

11 January 2026 at 22:34


Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka arritur marrëveshje koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës për udhëheqjen e kësaj komune.

Si rezultat i këtij koalicioni, pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal i ka takuar LDK-së, ndërsa në këtë funksion është zgjedhur Safet Kamberi.

Kamberi ka marrë mbështetjen e 18 asamblistëve, ndërsa 10 kanë votuar kundër dhe dy vota janë shpallur të pavlefshme.

Në një fjalë rasti, pas zgjedhjes, Kamberi u zotua se si "kryesues do të bëj më të mirën për Komunën e Mitrovicës duke çuar përpara gjithçka që është në interes ë komunës".

“Një falënderim të veçantë për anëtarët e Kuvendit, për besimin që ma dhanë, që unë të jem kryesues i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës. Dhe pa e zgjatur shume, unë vetëm diçka dua me iu premtua anëtarëve të Kuvendit. Unë si kryesues i Kuvendit, do të jem në nivelin e përgjegjësisë, do të respektojë në mënyrën më të mirë të mundshme Ligjin për vetëqeverisje lokale, po ashtu Rregulloren e Kuvendit dhe ju garantoj se secili anëtar i Kuvendit do ta ketë hapësirën e vet të diskutimeve. Kështu unë zotohem se unë si kryesues do të bëj më të mirën për Komunën e Mitrovicës duke çuar përpara gjithçka që është në interes ë komunës”, tha ai.

Zgjedhja e kryesuesit është bërë në një mbledhje urgjente të Kuvendit Komunal, e cila është thirrur mbrëmjen e së mërkurës në orën 21:30. Mbledhja ishte planifikuar fillimisht të mbahej të enjten në orën 10:00, por është avancuar për shkak të afatit ligjor.

11 dhjetori ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryesuesi i Kuvendit duhet të zgjidhet brenda 30 ditëve nga betimi i kryetarit të komunës.

Kryesuesi i sapozgjedhur, Safet Kamberi, ka bërë të ditur se pavarësisht mbledhjes urgjente, Kuvendi Komunal do të mbajë edhe një seancë të rregullt, e cila do të zhvillohet nesër në orën 10:00.

Ndryshe, Faton Peci është betuar zyrtarisht si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut më 12 dhjetor 2025.


Në 2025-ën në Shqipëri u importuan afro 100 mijë makina

11 January 2026 at 22:25


Mbi 55% e tyre prodhim i 8-15 vite më parë

Automotorizimi vijon të shënojë rritje në Shqipëri.

Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Transportit Rrugor tregojnë se në vendin tonë qarkullojnë 33 lloj automjetesh. Shumica e tyre janë autovetura.

Vetëm muajin dhjetor në Shqipëri kanë hyrë 9 mijë e 273 motomjete, 26% më shumë se muaji nëntor.

Në total, gjatë një viti të shkuar në Shqipëri u importuan afro 100 mijë mjete ose afro 1 mijë më shumë se në 2024. Gjysma e tyre janë regjistruar për herë të parë në kryeqytet.

Vetëm në dy muajt e fundit në Shqipëri kanë hyrë 16 mijë automjete, një rritje me 7 % krahasuar me vitin 2024.

Krahasuar me vitin 2019, kemi 101% më shumë automjete në vitin 2025.

Ajo që bie në sy nga importet e makinave është vjetërsia e tyre në prodhim. Mbi 55% e mjeteve të importuara janë me moshë prodhimi 8–15 vite.

Automjetet që hyjnë në Shqipëri importohen nga Koreja e Jugut, Gjermania, Italia, Kina, Zvicra dhe SHBA. Aktualisht, në Shqipëri janë në qarkullim mbi 1 milion automjete. Kjo do të thotë se një në dy shqiptarë në vendin tonë ka tashmë një automjet.

E ndërsa infrastruktura rrugore mbetet e njëjtë, makinat vijojnë të shtohen, kryesisht ato për përdorim personal dhe jo për transport publik./Tv Klan

❌
❌