Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 12 January 2026Main stream

Strehim dhe kujdes mjekësor për fëmijët me zgjebe në Durrës. Punë të rregullt për mamanë

12 January 2026 at 19:57

Nga Gazeta ‘SI’ – Grupi Teknik Ndërsektorial, autoriteti përgjegjës për menaxhimin e rasteve të braktisjes së fëmijëve, ka vendosur që tre fëmijët e gjetur në kushte të rënda në Durrës të marrin trajtim të specializuar për infeksionin e lëkurës (zgjebe). Ata do të qëndrojnë të shtruar në spital deri në përfundimin e plotë të kurimit.

Masat e marra përfshijnë sigurimin e të gjitha barnave të nevojshme, ndërhyrje mjekësore për nënën dhe fëmijët, si dhe veprime të menjëhershme higjieno-dizinfektuese në banesën ku ata jetonin. Po ashtu, është planifikuar pastrimi i plotë i apartamentit me qëllim eliminimin e çdo rreziku për përhapjen e infeksionit.

Për nënën e fëmijëve, Blerina Basha, nëpërmjet Zyrës së Punës do të shqyrtohet mundësia e sigurimit të një vendi pune me orar të rregullt 8-orësh. Kjo masë synon të reduktojë ngarkesën e saj aktuale të punës, e cila arrin deri në 16 orë në ditë, dhe t’i krijojë mundësi për t’u kujdesur më mirë për fëmijët. Ajo do të përfitojë gjithashtu mbështetje psiko-sociale.

Drejtuesja e Shërbimit Social në Bashkinë e Durrësit, Diola Xhango, bëri me dije se në mbledhjen e Grupit Teknik morën pjesë përfaqësues nga Shërbimi Social, Policia, Shëndetësia dhe organizata joqeveritare. Sipas saj, u dakordësua një plan i koordinuar për mbështetjen, rikthimin dhe integrimin e familjes në komunitet.

Autoritetet do të ndjekin edhe procedurat administrative për pajisjen e familjes me dokumentacionin e nevojshëm dhe ndryshimin e regjistrimit civil, i cili aktualisht figuron në Vaun e Dejës, ndërsa Blerina Basha është me origjinë nga Berati. Regjistrimi i ri në Durrës do t’u mundësojë atyre akses në skemat e strehimit social të bashkisë.

Nga ana e saj, 33-vjeçarja Blerina Basha ka deklaruar se nuk i ka braktisur fëmijët, por ka qenë e detyruar të punonte me orë të zgjatura për të siguruar mbijetesën. Ajo pretendon se e gjithë situata është një kurth i ngritur nga ish-vjehrra e saj.

Në dëshminë e dhënë, Basha tha se si një nënë e divorcuar me tre fëmijë, ishte e detyruar të punonte deri në 16 orë në ditë për një pagë prej 400 mijë lekësh të vjetra, nga të cilat 300 mijë shkonin për qira.

Ndërkohë, gjyshja e fëmijëve tregoi me detaje momentin kur u zbulua gjendja e tyre. Ajo tha se, pasi u kthye nga Italia, ku ka jetuar për 33 vite, shkoi për të takuar nipërit, por u përball me një situatë alarmante: fëmijët ishin të mbyllur brenda banesës, të mbuluar me batanije, ndërsa shtëpia ishte e paorganizuar dhe me erë të rëndë.

The post Strehim dhe kujdes mjekësor për fëmijët me zgjebe në Durrës. Punë të rregullt për mamanë appeared first on Gazeta Si.

Protesta e 24 janarit/ Berisha: Ka ardhur koha që qeveria të përballet me zemërimin e qytetarëve

12 January 2026 at 19:18

Nga Gazeta ‘SI’ – Duke ftuar qytetarët dhe opozitarët në protestën e 24 Janarit, kreu i PD-së, Sali Berisha, në ‘Foltoren’ te kryeministria, u shpreh se, ka ardhur koha që qeveria të përballet me zemërimin e shqiptarëve.

Kryedemokrati tha se mesazhi i protestës duhet të jetë i qartë: të heqë dorë nga grushti i shtetit, referuar mbrojtjes që po i bën Rama Ballukut.

‘U ftoj të bëjmë gjithçka për një kryengritje paqësore, për një revolucion të ri, i cili do të fshijë nga harta e Shqipërisë narkodiktaturën e Enver Hoxhës, do shndërrojë në vendin e bekuar të qytetarëve të ndershëm, punëtorë, të aftë’, tha kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren’ te kryeministria.

Në fjalën e tij, Berisha tha se kreu i qeverisë po i poshtëron përditë shqiptarët duke u nxjerrë përpara zëvendës kryeministren e pandehur, Belinda Balluku, të cilën e cilësoi si “maskën e tij”.

“Edi Rama ndërkohë që shqiptarët janë të vendosur t’i japin ndëshkimin e merituar, po ecën drejt grushtit të shtetit. Po ecën drejt bllokimit të sistemit të drejtësisë. Ai, një një akt të papërgjegjshëm, sfidon dhe poshtëron shqiptarët çdo ditë, duke u nxjerrë maskën e tij, Lubi Ballukun, për t’u thënë atyre që ne as që pyesim për ju. Po ja ku do i themi ne në emër tuaj, edhe ne në mënyrë absolute nuk do pyesim për ju, dhe do kesh fatin që meriton.

Opozita shqiptare ka vendosur të thërrasë një protestë me datën 24 janar, në të cilën të japim mesazhet e qarta, përfundimtare Edi Ramës. Hiq dorë nga grushti i shtetit, prano ligji dhe Kushtetutën, përndryshe do të nxjerrim ne jashtë ligjit, jashtë Kushtetutës.Ndaj dhe me 24, të gjithë në këtë shesh për të treguar fuqinë e bashkimit të shqiptarëve, fuqinë e guximit të shqiptarëve, vizionin ne tyre, shpirtin e pamposhtur të popullit opozitar”, u shpreh Berisha. 

The post Protesta e 24 janarit/ Berisha: Ka ardhur koha që qeveria të përballet me zemërimin e qytetarëve appeared first on Gazeta Si.

Kolaudimi/ Kontroll i detyrueshëm kur ndryshon pronësia ose mjeti kalon 160.000km

12 January 2026 at 13:42

Nga Gazeta ‘SI’ – Një udhëzim i ri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sjell ndryshime rrënjësore në procesin e kontrollit teknik të mjeteve rrugore në Shqipëri, duke synuar përafrimin e plotë me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Sipas këtij dokumenti, i cili i shtrin efektet e tij nga data 1 dhjetor 2026, kontrolli teknik i mjetit bëhet i detyrueshëm në momentin që ndryshon titullari i certifikatës së regjistrimit, si dhe në rastet kur mjeti ka përshkuar 160.000 kilometra.

Një tjetër risi e rëndësishme është shtimi i kritereve teknike që mund të penalizojnë qytetarët, ku si mangësi do të njihet mosfunksionimi i sistemit “eThirrje” (eCall), i cili mundëson thirrjet e urgjencës në raste rreziku.

Përveç këtij sistemi, gjatë kontrollit do të verifikohet me imtësi edhe funksionimi i sinjalit GPS, gjendja e njësisë së kontrollit elektronik dhe lidhja e komponentëve të audios, duke i konsideruar defektet në këto elemente si arsye për dështimin e mjetit në testimin teknik.

Udhëzimi zgjeron ndjeshëm gamën e mjeteve që duhet t’i nënshtrohen kolaudimit, duke përfshirë mjetet me dy ose tri rrota të kategorive L3e, L4e, L5e dhe L7e me kapacitet motorik mbi 125cm3. Gjithashtu, në skanerin e kontrollit teknik do të kalojnë edhe mjetet bujqësore dhe traktorët e kategorive T1b, T2b, T3b, T4.1b, T4.2b dhe T4.3b, që qarkullojnë kryesisht në rrugë publike me një shpejtësi maksimale që tejkalon 40km/h.

The post Kolaudimi/ Kontroll i detyrueshëm kur ndryshon pronësia ose mjeti kalon 160.000km appeared first on Gazeta Si.

Kreu i Bankës Federale në SHBA nën hetim për kontratën 2.5 mld$ të rinovimit të godinës

12 January 2026 at 12:55

Prokuroria amerikane ka nisur një hetim kriminal ndaj Jerome Powell, kreut të Bankës Federale në SHBA, lidhur me një projekt rinovimi të godinës prej 2.5 miliardë dollarësh, duke përshkallëzuar ndjeshëm përplasjen e administratës Trump me bankën qendrore.

Powell deklaroi të dielën se Rezerva Federale ka marrë të premten thirrje nga juria e madhe (grand jury), si dhe një kërcënim për padi penale nga Departamenti i Drejtësisë, në lidhje me dëshminë e tij para Kongresit verën e kaluar për projektin e rinovimit.

Ai tha se ky veprim ligjor është një pretekst për të frenuar pavarësinë e Rezervës Federale në përcaktimin e normave të interesit. Kjo vjen në një kohë kur Trump e ka sulmuar vazhdimisht Powell-in, duke e quajtur një “mushkë kokëfortë” për refuzimin e tij për të ulur ndjeshëm kostot e huamarrjes.

“Kërcënimi i ri nuk ka të bëjë me dëshminë time të qershorit të kaluar apo me rinovimin e godinave të Rezervës Federale,” tha Powell. “Kërcënimi për akuza kriminale është pasojë e faktit që Rezerva Federale po vendos normat e interesit bazuar në vlerësimin tonë më të mirë për atë që i shërben publikut, dhe jo sipas preferencave të presidentit,” shtoi ai.

Trump mohoi çdo përfshirje në hetimin e Departamentit të Drejtësisë.

“Nuk di asgjë për këtë, por ai sigurisht që ai nuk është shumë i mirë në krye të Fed-it dhe nuk është shumë i mirë as në ndërtimin e godinave,” tha presidenti amerikan për NBC News të dielën në mbrëmje, duke pretenduar se hetimi nuk ka lidhje me refuzimin e Powell-it për të ulur normat e interesit.

Megjithatë, hetimi pritet të përkeqësojë shqetësimet e investitorëve mbi pavarësinë e bankës qendrore më të rëndësishme në botë, një shtyllë themelore e politikës ekonomike amerikane, e konsideruar jetike për stabilitetin e tregjeve financiare.

Krishna Guha, ish-zyrtar i Rezervës Federale të Nju Jorkut, e quajti këtë zhvillim “thellësisht shqetësues”.

“Administrata Trump nuk po lë asnjë dyshim mbi vendosmërinë e saj për të ndikuar drejtpërdrejt dhe në mënyrë të ashpër veprimet e politikës monetare të Fed-it, përmes çdo rruge të mundshme, përfshirë kërcënimet ligjore,” tha Eswar Prasad, profesor në Universitetin Cornell.

Powell, për të cilin Trump ka thënë disa herë se do të “donte” ta shkarkonte deklaroi të dielën se nuk do të largohet nga posti për shkak të hetimit.

“Shërbimi publik ndonjëherë kërkon që të qëndrosh i palëkundur përballë kërcënimeve,” tha kreu i Fed-it. “Do të vazhdoj të bëj punën për të cilën jam konfirmuar nga Senati, me integritet dhe përkushtim ndaj shërbimit të popullit amerikan.”

Pas deklaratës së Powell-it, dollari ra rreth 0.2% kundrejt një shporte valutash në tregtimin e hershëm në Azi të hënën, ndërsa kontratat futures për indeksin S&P 500 ranë rreth 0.4%.

Juritë e mëdha vendosin nëse prokurorët kanë paraqitur prova të mjaftueshme për të ngritur akuza penale. Gjatë hetimeve, prokurorët ndonjëherë njoftojnë subjektet përpara se të kërkojnë një aktakuzë, për t’u dhënë mundësinë të dëshmojnë, sipas udhëzimeve të Departamentit të Drejtësisë.

Mendohet se thirrjet përmbajnë kërkesa për informacion mbi përgatitjet e Poëell-it për dëshminë, si edhe dokumente të brendshme që lidhen me rinovimin e selisë.

Administrata ka përdorur projektin e rinovimit, i cili ka tejkaluar ndjeshëm buxhetin, si një linjë sulmi ndaj bankës qendrore dhe Powell-it, të cilin Trump e ka quajtur “budalla” për refuzimin e tij për të ulur normat e interesit në 1%.

Powell, i cili pritet të largohet nga posti i kryetarit në maj, i ka hedhur më parë poshtë pretendimet e Russell Vought, një aleat i ngushtë i Trump-it dhe drejtues i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, se ai ka mashtruar Kongresin lidhur me rinovimin. Presidenti amerikan pritet të shpallë në javët në vijim kandidatin e tij për të zëvendësuar Powell-in. Ekonomisti i Shtëpisë së Bardhë dhe aleat i Trump-it, Kevin Hassett, shihet si një nga favoritët për këtë rol.

Elizabeth Warren, demokratja kryesore në komitetin bankar të Senatit, akuzoi Trump-in se po përpiqet të “vendosë një tjetër kukull për të përfunduar marrjen e korruptuar të bankës qendrore të Amerikës”.

Trump ka tentuar tashmë të shkarkojë guvernatoren e Fed-it, Lisa Cook, për akuza për mashtrim hipotekor, të cilat janë nën hetim. Cook i ka mohuar akuzat dhe është përfshirë në një betejë ligjore kundër presidentit amerikan.

Gjykata e Lartë ka marrë në shqyrtim një çështje që pritet të jetë historike, lidhur me kompetencat e degës ekzekutive për të shkarkuar zyrtarë të lartë të bankës qendrore, dhe do të dëgjojë argumentet më vonë gjatë këtij muaji.

Departamenti i Drejtësisë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment./FinancialTimes

The post Kreu i Bankës Federale në SHBA nën hetim për kontratën 2.5 mld$ të rinovimit të godinës appeared first on Gazeta Si.

Ulet stoku i kredive me probleme

12 January 2026 at 11:26

Nga Gazeta ‘SI’ – Në muajin nëntor të vitit 2025, stoku i kredive të këqija ra lehtë në 4.2%, nga 4.3% që ishte në tetor.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues nuk përbën gjithmonë një përkthim të saktë të vlerave absolute, pasi shpesh ndikohet nga efekte statistikore, si diferencat nga kursi i këmbimit apo ecuria e kredisë së re.

Gjatë vitit 2025, Banka e Shqipërisë raporton një zgjerim të stokut të huave me probleme në vlerë nominale, si rezultat i prurjeve të reja. Ky tregues do të ishte edhe më i lartë nëse nuk do të ishin fshirë rreth 6.3 miliardë lekë kredi të humbura.

Vlera e kredive të fshira në periudhën e fundit përfaqëson rreth 17.6% të tepricës së përgjithshme të kredive me probleme në portofolin e bankave, nga rreth 2.7% në gjashtëmujorin e kaluar.

Shifrat duket se pasqyrojnë shqetësimin e Bankës Qendrore, e cila ka bërë thirrje për moderim të kreditimit, veçanërisht në sektorin imobiliar. Për këtë segment, Banka e Shqipërisë ka vendosur kufizime në financim, duke përcaktuar që maksimumi i huasë të mos tejkalojë 80% të vlerës së pronës që blihet.

The post Ulet stoku i kredive me probleme appeared first on Gazeta Si.

Parashikimi i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Forcohet euro

12 January 2026 at 11:04

Nga Gazeta ‘SI’ – Për sa kohë që EUR/USD tregtohet mbi nivelin 1.162, trendi në fillim të javës pritet të mbetet rritës, me target fillestar në 1.169. Një reagim pozitiv mbi këtë nivel mund të pasohet nga një avancim i mëtejshëm drejt rezistencës 1.172. Në rast se çmimi zbret nën 1.162, rënia thellohet drejt suportit 1.1565.

Për sa kohë që GBP/USD tregtohet nën nivelin 1.3415, trendi mbetet negativ, me target në 1.33. Tregtimi mbi nivelin 1.3415 hap rrugën për testimin e rezistencës 1.346.

Për sa kohë që USD/JPY tregtohet mbi nivelin 157.5, trendi mbetet pozitiv, me objektiv 158.9. Tregtimi nën 157.5 do ta vononte këtë tentativë, duke u paraprirë nga testimi i suportit 157.3.

Për sa kohë që indeksi Dow Jones tregtohet mbi nivelin 49,300, trendi mbetet bullish, me target 50,100. Tregtimi nën 49,300 do të shoqërohej me testimin e suportit 48,850.

Për sa kohë që Crude Oil tregtohet nën nivelin 59.1, trendi mbetet rënës, me target 58. Tregtimi mbi nivelin 59.1 rikthen tentativën për testimin e rezistencës 59.75.

Për sa kohë që BTC/USD tregtohet nën nivelin 90,750, trendi mbetet bearish, me target 83,800. Tregtimi mbi nivelin 90,750 do të pasohej nga testimi i rezistencës 93,600.

The post Parashikimi i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Forcohet euro appeared first on Gazeta Si.

Parku eolik në Tropojë, Rama: Koha kur Shqipëria blen energji në treg po shkon drejt fundit!

12 January 2026 at 10:55

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku, vizituan sot parkun eolik të Tropojës, një nga investimet më të rëndësishme në sektorin e energjisë vendas.

Për kreun e qeverisë, parku me kapacitet 600 MW, me financim nga kompania amerikane CWP është dëshmi se Shqipëria po ecën drejt një të ardhmeje energjetike të fortë dhe të qëndrueshme.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij tha se tashmë Shqipëria do të jetë një vend sovran në prodhimin e energjisë.

“Më vjen shumë mirë që ne sot finalizojmë një përpjekje 2-vjeçare. Një përpjekje e përbashkët me kompaninë e mirënjohur për gjithë procesin përgatitor. Ne shpresojmë që gjithçka të shkojë ashtu siç duhet. Ky park i madh i energjisë së erës në Tropojë, të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë së rinovueshme në vendin tonë. Edhe ky investim shkon në atë drejtim strategjik dhe në rrugën e përmbushjes së atij objektivi të madh strategjik për ta bërë Shqipërinë vend sovran në prodhimin e energjisë. Kur na ka munguar shiu na është dashur të dalim në tregun ndërkombëtar dhe të blejmë energji me çmime të kripura, ndërsa kur shiu ka ardhur me shumicë shumë nga kjo vlerë potenciale që është uji të derdhet. Koha kur Shqipëria duhet të dalë në treg për të blerë energji po shkon drejt fundit. Do të jemi në kategorinë e atyre vendeve që gëzojnë pavarësi të plotë kur vjen puna të prodhimi i kësaj lënde vitale për organizmin e një shteti”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, deri në fund të kësaj dekade, 30% e energjisë së prodhuar në vend do të jetë nga era dhe dielli. “Me këtë 30% do kemi të garantuar që sistemi ynë do të jetë i vetëmjaftueshëm dhe cdo gjë e prodhuar përtej nevojave tona do ta eksportojmë. Kjo do të thotë jo më para për të blerë energji, por energji e shitur për të sjellë më shumë të ardhura”, tha kreu i qeverisë.

Nga ana tjetër, për ministren Balluku, projekti i financuar nga amerikanët është një provë që tregon besimin e investitorëve të huaj në Shqipëri.

Parku eolik i Tropojës nuk është vetëm një investime energjike, por është dëshmi i transformimit që po merr Shqipëria. Dëshmon sektori energjetik shqiptar po kalon në një fazë të re. Shqipëria tashmë nuk është më e varur. Po shkojmë drejt një ekonomie të qëndrueshme. Ku tranzicion nuk është vetëm një ide apo premtim, është një realitet që po merr formë çdo ditë. Është një skemë e re energjetike që bazohet në krijimin e energjive alternative. Është një realitet që po merr formë çdo ditë. Investimet e huaja janë një tregues mbi besimin tonë strategjik. Ky besim, sot është i dukshëm dhe i gatshëm. 1.5 miliardë euro investime private janë në proces”, tha ministrja Balluku.

Balluku theksoi se këto investime rrisin te ardhurat dhe fuqizojnë ekonominë lokale duke sjellë edhe vende të reja pune duke shtuar se sektori energjitik luan një rol kyç edhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

The post Parku eolik në Tropojë, Rama: Koha kur Shqipëria blen energji në treg po shkon drejt fundit! appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Imperializmi i ri amerikan

9 January 2026 at 12:36

Mburrja e Donald Trump se do ta “drejtojë” Venezuelën dhe se paratë nga shitja e miliona fuçive nafte “do të kontrollohen nga unë, si President”, e ka shtyrë botën drejt një epoke të re gjeopolitike. Megjithatë, përdorimi i fuqisë ushtarake amerikane për të marrë kontrollin e naftës venezueliane nuk ngjan shumë me një hap drejt së ardhmes, por me një rikthim në të kaluarën.

Për qindra vjet, bota ka qenë e ndarë në sfera influence, ku konkurrenca për burime, nga erëzat dhe ari, te goma dhe nafta, çoi në kolonizimin e kombeve dhe përcaktimin e kufijve shtetërorë. Vetëm në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, e drejta ndërkombëtare dhe rregullat e tregtisë globale arritën të vendosin një rend relativisht të qëndrueshëm. Sot, ky rend duket se po shpërbëhet dhe po kthehet drejt një epoke të vjetër, të karakterizuar nga imperializmi i burimeve.

“Papritur, shekulli i 19-të dhe periudha para dy luftërave botërore po dëgjohen gjithnjë e më fort, ndërsa bota largohet nga besimi te globalizimi, kufijtë e hapur dhe tregtia relativisht e lirë,” thotë Daniel Yergin, historian i energjisë dhe nënkryetar i S&P Global. “Kemi lënë pas epokën ku kishte besim themelor se tregjet do të funksiononin mirë dhe kemi hyrë në një fazë ku dora e dukshme e qeverive është shumë më e pranishme.”

Natyra ekstreme e veprimit amerikan, përfshirë rrëmbimin e jashtëzakonshëm të udhëheqësit të Venezuelës, Nicolás Maduro, ka pak precedentë të afërt. Megjithatë, ajo ka përqendruar vëmendjen globale mbi dy ndryshime thelbësore, por të ndërlidhura, në politikën e jashtme amerikane.

Ndryshimi i parë lidhet kryesisht me kapitalizmin shtetëror të Kinës, veçanërisht suksesin e saj në ndërtimin e një monopoli pothuajse të plotë mbi mineralet e rralla, të domosdoshme për industrinë e gjysmëpërçuesve dhe mbrojtjes, si dhe me pozicionin dominues në minerale si kobalti dhe nikeli, të nevojshme për tranzicionin energjetik.

Si reagim, Trump po kërkon të zgjerojë politikën industriale amerikane përtej kufijve, me qëllim sigurimin e aksesit të SHBA-së në energjinë dhe mineralet që nevojiten për të fuqizuar ekonominë, industrinë e mbrojtjes dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Ndërgjegjësimi i ngadaltë në Uashington për ndjekjen e pamëshirshme të Kinës ndaj mineraleve strategjike mori, sipas Yergin, një “goditje elektrike” në prill të vitit të kaluar, kur Pekini, si kundërpërgjigje ndaj tarifave të Trump, vendosi kufizime mbi eksportin e tokave të rralla.

“Mendimi i vjetër për atë që unë e quaj ‘globalizim i lehtë’ po del gjithnjë e më shumë jashtë loje,” thotë Yergin. “Shtetet dhe qeveritë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, po përqendrohen shumë më tepër te qëndrueshmëria, cënueshmëria dhe kontrolli.”

Ndryshimi i dytë në politikë është riafirmimi nga Trump i Doktrinës Monroe të vitit 1823, tashmë e quajtur me ironi “Doktrina Donroe”, cila fillimisht paralajmëronte Europën të qëndronte larg “oborrit” latino-amerikan të Uashingtonit. Strategjia amerikane e sigurisë kombëtare për vitin 2025 e riktheu këtë doktrinë, që e lidh ndikimin e SHBA-së në hemisferën perëndimore me kontrollin e burimeve natyrore.

Sipas strategjisë, hemisfera duhet të mbetet “e lirë nga ndërhyrja ose pronësia armiqësore e aseteve kyçe”. Duke iu referuar Alexander Hamilton-it, Sekretarit të parë të Thesarit të SHBA-së dhe një proteksionist i fortë, dokumenti thekson se “Shtetet e Bashkuara nuk duhet të varen kurrë nga ndonjë fuqi e jashtme për komponentët thelbësorë, nga lëndët e para te pjesët dhe produktet e gatshme, të nevojshme për mbrojtjen ose ekonominë kombëtare”.

Një pikturë e vitit 1912 nga Clyde Osmer DeLand me titullin “Lindja e Doktrinës Monroe”, tregon Presidentin James Monroe duke mbajtur një mbledhje kabineti në vitin 1823 për të diskutuar politikën e shquar të jashtme.

Nuk është vetëm në Amerikën Latine ku ndihen efektet e ndjekjes agresive të burimeve nga Uashingtoni. Në prill të vitit të kaluar, administrata Trump nënshkroi një marrëveshje me Ukrainën për të krijuar një fond rindërtimi që do të merrte 50 për qind të të drejtave të fituara nga projektet e reja minerale dhe të naftës. Ideja është që, në mungesë të garancive të sigurisë, Uashingtoni të motivohet nga interesat tregtare për të mbrojtur Ukrainën nga agresioni i mundshëm rus në të ardhmen.

Republika Demokratike e Kongos gjithashtu ra dakord në dhjetor që t’u jepte kompanive amerikane akses preferencial në minerale, në këmbim të ndihmës së Uashingtonit për të ndërmjetësuar një marrëveshje të brishtë paqeje me Ruandën. Si pjesë e marrëveshjes, qeveria amerikane dhe tregtari zviceran Mercuria angazhuan secili deri në 1 miliard dollarë fonde të reja për projekte minerale në vend, i cili zotëron të paktën gjysmën e rezervave botërore të kobaltit dhe është prodhuesi më i madh i bakrit pas Kilit.

Peter Pham, i emëruar special i Trump për rajonin e Liqeneve të Mëdha në Afrikë, thotë se ideja është që një pjesë e mineraleve kongoleze të shkëputet nga zinxhiri i furnizimit kinez. Ai shton se kompanitë private kanë nevojë për këtë mbështetje nga Uashingtoni kur konkurrojnë drejtpërdrejt me rivalë të fuqishëm nga Kina ose shtetet e Gjirit, të cilët mund të mendojnë afatgjatë dhe të operojnë me humbje nëse është e nevojshme. “Ne nuk jemi gjithmonë në botën perfekte të Adam Smith-it,” thotë ai.

Qindra punëtorë nxjerrin kobalt dhe bakër në minierën artizanale Shabara, në provincën Lualaba, Republika Demokratike e Kongos.

Komentet e fundit të Trump dhe këshilltarëve të tij sugjerojnë se përkufizimi i hemisferës perëndimore po zgjerohet. Trump ka kërcënuar se mund të marrë Groenlandën, një territor gjigant arktik nën kontrollin e Danimarkës, edhe me forcë nëse është e nevojshme. Përveç rëndësisë strategjike, veçanërisht me hapjen e rrugëve detare për shkak të ngrohjes globale, Groenlanda ka edhe rezerva premtuese mineralesh dhe tokash të rralla që SHBA-ja i konsideron jetike.

Daniel Drezner, profesor i politikës ndërkombëtare në Universitetin Tufts, thotë se një normë që u ruajt deri në aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014 ishte ideja se “kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë”. “Kjo normë shpesh u shkel, dhe kritikët theksonin hipokrizinë e rendit liberal, si në rastin e pushtimit të Irakut në vitin 2003,” thotë ai. “Por tani kemi arritur në një pikë ku përjashtimet po e përmbytin rregullin.”

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duke mbrojtur ndërhyrjen ushtarake në Venezuelë, e lidhi hapur kontrollin territorial me dominimin mbi burimet. “Ajo që nuk do të lejojmë është që industria e naftës në Venezuelë të kontrollohet nga armiqtë e Shteteve të Bashkuara,” tha ai. “Pse i duhet Kinës nafta e tyre? Pse i duhet Rusiëë? Pse i duhet Iranit? Kjo është hemisfera perëndimore. Këtu jetojmë ne.”

Pavarësisht referencave ndaj shekullit të 19-të, paralelizmat më të afërta me veprimet e Trump në Venezuelë janë Irani i vitit 1953 dhe Guatemala e vitit 1954. Në Iran, CIA, së bashku me shërbimin sekret britanik MI6, organizoi një grusht shteti për të rrëzuar kryeministrin Mohammad Mosaddegh, pasi ai guxoi të nacionalizonte interesat britanike të naftës. Në Guatemalë, CIA mbështeti një tjetër grusht shteti për të rrëzuar presidentin Jacobo Árbenz, pasi qeveria e tij nacionalizoi tokat e kompanisë amerikane United Fruit.

Paralelizmi më i afërt me veprimet e Trump në Venezuelë mund të shihet në Iranin e vitit 1953, ku CIA-ja, së bashku me shërbimin sekret britanik MI6, organizoi një grusht shteti për të rrëzuar kryeministrin Mohammad Mosaddegh, i cili kishte guxuar të nacionalizonte interesat britanike të naftës.

Përdorimi i forcës amerikane për të mbrojtur interesat tregtare në Venezuelë i ngjan këtyre ndërhyrjeve, edhe pse, ndryshe nga Mosaddegh dhe Árbenz, Maduro nuk ishte zgjedhur në mënyrë legjitime. Trump e paraqiti hapur ndërhyrjen si hakmarrje për konfiskimin e interesave amerikane të naftës gjatë presidencës së Hugo Chávez-it, i cili në vitin 2007 zgjeroi kontrollin shtetëror mbi fushat e naftës të operuara nga ConocoPhillips dhe ExxonMobil.

“Ne do të nxjerrim një sasi të jashtëzakonshme pasurie nga toka,” tha Trump në një konferencë për shtyp në Mar-a-Lago. “Ata na morën të gjitha të drejtat tona energjetike; na morën gjithë naftën… dhe ne e duam mbrapsht.”

Edhe pse SHBA ka fituar njëfarë kontrolli mbi naftën venezueliane, mbetet e paqartë se çfarë synon të bëjë konkretisht Trump me të. Ai ka inkurajuar kompanitë amerikane të naftës të investojnë miliarda dollarë në Venezuelë, e cila prodhon naftë të rëndë, të përshtatshme për disa rafineri amerikane.

Megjithatë, sektori i naftës në Venezuelë, i cili prodhonte gati 3.5 milionë fuçi në ditë në fund të viteve ’90, sot është një hije e vetvetes, me prodhim të rënë në rreth 800 mijë fuçi në ditë. Infrastruktura është në gjendje shokuese dhe analistët vlerësojnë se do të duhen të paktën pesë vite investimesh masive për të rikthyer prodhimin në nivele domethënëse. Për më tepër, nafta venezueliane nuk është aq e lirë për t’u nxjerrë sa ajo e Guajanës fqinje.

“Vlerësimi im i drejtpërdrejtë është se Marco Rubio donte largimin e Maduros dhe përdori naftën si pretekst,” thotë Drezner. “Trump mund të mendojë se gjithçka ka të bëjë me naftën, por ai gabon.”

Edhe Stephanie Junger-Moat, drejtuese e Karcsi Global, shpreh skepticizëm: “Nafta mund të ketë qenë një përfitim dytësor, narkotrafiku justifikimi, por kjo kishte të bënte me fuqinë amerikane dhe shumë pak me gjithçka tjetër.”

Ajo paralajmëron se konkurrenca me Kinën për burime në “oborrin” amerikan vetëm do të ashpërsohet. Kompanitë kineze kanë interesa të mëdha në naftë dhe minerale në Amerikën Latine, përfshirë “Trekëndëshin e Litiumit” dhe industrinë e bakrit dhe hekurit.

Strategjia amerikane po shtrihet edhe në Ukrainë dhe Afrikë, ku SHBA ka lidhur mbështetjen politike dhe të sigurisë me aksesin në minerale kritike, përfshirë kobaltin, bakrin dhe litiumin, në përpjekje për të shkëputur zinxhirët e furnizimit nga Kina.

“Zinxhirët e furnizimit nuk kanë më të bëjnë vetëm me efikasitetin,” përfundon Yergin. “Tani ata kanë të bëjnë drejtpërdrejt me politikën dhe sigurinë.”/FinancialTimes

The post Imperializmi i ri amerikan appeared first on Gazeta Si.

50 mln euro fond për përmbytjet, ministri: 15 mln shkojnë për dëmshpërblim

9 January 2026 at 10:40

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka parashikuar një fond prej 50 mln eurosh për situatën e përmbytjeve në vend.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se 15 mln do të shkojnë për dëmshpërblimin e familjeve dhe bizneseve të prekura, ndërsa 10 mln euro për fondin e emergjencave civile.

Malaj tha se për këtë rast do të vihet në punë edhe Fondi Rezervë.

“Nga ana tjetër, kemi edhe fondin rezervë të Këshillit të Ministrave në vlerën rreth 25 milionë euro që do të vendoset në dispozicion në varësi edhe të vlerësimeve që do të bëhen nga strukturat përkatëse përsa i përket dëmeve të shkaktuara. Sikundër, kemi edhe fondin për digat dhe rezervuarët, i cili është një fond për shpenzimet kapitale dhe lidhet me financimin e projekteve që lidhen me sigurimin e digave dhe të rezervuarëve. Ky fond është rreth 5 milionë euro”, tha ministri.

Deklarata e Malajt erdhi pas fjalës së kryeministrit Edi Rama, i cili premtoi dëmshpërblim për çdo dëm të krijuar si pasojë e reshjeve.

Rama bëri një bilanc të përmbytjeve dhe raportoi se janë nën ujë 13.211 ha tokë bujqësore, 1.587 banesa dhe janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje.

The post 50 mln euro fond për përmbytjet, ministri: 15 mln shkojnë për dëmshpërblim appeared first on Gazeta Si.

Financial Times: Kina ka hakeruar email-et e Kongresit Amerikan dhe po i përgjon

8 January 2026 at 12:59

Kina ka hakuerar email-et e përdorura nga Kongresi Amerikan në komisione të fuqishme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, si pjesë e një fushate masive spiunazhi kibernetik të njohur si Salt Typhoon.

Sipas personave të njohur me sulmin, inteligjenca kineze ka hyrë në sistemet e email-it të përdorura nga disa punonjës të komisionit të Dhomës, si dhe nga ndihmës të komisioneve për punët e jashtme, inteligjencën dhe shërbimet e armatosura. Ndërhyrjet u zbuluan në dhjetor.

Sulmet janë elementi më i fundit i një fushate të vazhdueshme kibernetike kundër rrjeteve të komunikimit amerikan nga Ministria e Sigurisë së Shtetit, shërbimi inteligjent i Kinës. Një person i njohur me sulmin tha se nuk ishte e qartë nëse MSS kishte pasur akses në email-et e ligjvënësve.

MSS ka operuar Salt Typhoon prej disa vitesh. Ajo i lejon Kinës të ketë akses në telefonatat, mesazhet dhe postat zanore të pakriptuara të pothuajse çdo amerikani dhe, në disa raste, mundëson edhe hyrjen në llogari email-i.

Salt Typhoon ka përgjuar gjithashtu thirrjet e zyrtarëve të lartë amerikanë gjatë dy viteve të fundit, thanë persona të njohur me fushatën.

Mark Warner, demokrati më i lartë në komisionin e inteligjencës të Senatit, tha në dhjetor se ishte “e pakuptueshme” që Salt Typhoon nuk po merrte më shumë vëmendje. “Nëse nuk jeni në një pajisje të enkriptuar, ata mund të përgjojnë cilindo prej nesh,” i tha Warner grupit Defense Writers Group.

Jake Sullivan, këshilltari për sigurinë kombëtare i ish-presidentit Joe Biden, i tha Financial Times vitin e kaluar, pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, se kompanitë amerikane të telekomunikacionit ishin “jashtëzakonisht të cenueshme” ndaj Salt Typhoon.

Kjo fushatë është një nga shumë përpjekjet e spiunazhit kibernetik nga inteligjenca kineze dhe Ushtria Çlirimtare Popullore që synojnë infrastrukturën amerikane.

Në vitin 2024, FBI dhe agjenci të tjera amerikane thanë se një grup hakerësh i sponsorizuar nga shteti kinez, i quajtur Volt Typhoon, kishte depërtuar në sistemet amerikane të energjisë, transportit dhe komunikimit, në mënyra që do t’i shërbenin Kinës në rast të një konflikti me SHBA-në.

Grupet amerikane të telekomunikacionit kanë bërë pak për t’u mbrojtur nga Salt Typhoon për shkak të kostos shumë të lartë të forcimit të rrjeteve. Warner tha në dhjetor se rrjetet amerikane janë veçanërisht të cenueshme sepse u ndërtuan në një kohë kur siguria kibernetike nuk konsiderohej një shqetësim serioz.

Thesari i SHBA-së planifikoi të vendoste sanksione ndaj entiteteve të MSS për Salt Typhoon në dhjetor, por u tërhoq nga ky vendim pas shqetësimeve se kjo do të dëmtonte afrimin diplomatik që presidentët Donald Trump dhe Xi Jinping arritën në tetor.

Katër komisionet që u shënjestruan nga MSS refuzuan të komentojnë.

Ambasada kineze në SHBA mohoi akuzat për Salt Typhoon. Liu Pengyu, zëdhënësi i ambasadës, tha:
“Ne e kundërshtojmë me vendosmëri që pala amerikane të bëjë spekulime dhe akuza të pabazuara, të përdorë sigurinë kibernetike për të njollosur Kinën, dhe të përhapë lloje të ndryshme dezinformimi për të ashtuquajturat kërcënime kineze nga hakerët.”/FinancialTimes

The post Financial Times: Kina ka hakeruar email-et e Kongresit Amerikan dhe po i përgjon appeared first on Gazeta Si.

Kaosi gjeopolitik, rritet çmimi i naftës dhe forcohet dollari

8 January 2026 at 12:18

Aksionet europiane të mbrojtjes shënuan një nivel rekord, ndërsa çmimet e naftës dhe dollari u forcuan të enjten, teksa tensionet gjeopolitike që po ziejnë nga Venezuela deri në Groenlandë i mbajtën tregtarët në pasiguri.

Sekuestrimi i dy tankerëve të naftës të lidhur me Venezuelën në Atlantik u shoqërua me lajmin se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të takohet javën e ardhshme me drejtuesit e Danimarkës për të diskutuar çështjen e Groenlandës. Në të njëjtën kohë, tregjet u përballën edhe me të dhëna ekonomike të përziera.

Indeksi europian STOXX i industrisë ajrore dhe të mbrojtjes (.SXPARO) arriti një nivel rekord, duke u rritur me gati 2% në orët e para të tregtimit dhe duke shënuar ditën e pestë radhazi të fitimeve. Që nga fillimi i vitit, ky indeks është rritur me 13%, ndërsa që prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, fitimet kumulative tejkalojnë 260%.

Ndërkohë, euro ishte në rrugën e rënies së tetë radhazi kundrejt dollarit.

“Investitorët po kuptojnë se kërcënimi nga gjeopolitika nuk do të zhduket,” tha Peter McLean, drejtor i zgjidhjeve për portofole shumë-asetesh në Stonehage Fleming Investment Management.
“Edhe pse është pak e mundshme të shohim veprime ushtarake në Groenlandë, është e qartë se ekziston një shtysë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në Europë.”

Çmimet e naftës kanë rënë këtë javë për shkak të pritshmërive për rritje të prodhimit të naftës nga Venezuela, por u rikuperuan të enjten. Kontratat e së ardhmes për naftën Brent u rikthyen mbi nivelin 60 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u rrit me 0.5% në 56.30 dollarë për fuçi.

Zyrtarë të lartë amerikanë deklaruan të mërkurën se SHBA duhet të kontrollojë për një kohë të pacaktuar shitjet dhe të ardhurat nga nafta e Venezuelës, me synim stabilizimin e ekonomisë së saj, rindërtimin e sektorit të naftës dhe sigurimin që vendi të veprojë në përputhje me interesat amerikane.

“Reagimi negativ i tregut ndaj komenteve të Trump për kontrollin e naftës venezueliane duket pak i tepruar,” tha Daniel Hynes, strateg i lartë për mallrat në ANZ. “Kontrolli amerikan mbi shitjet e naftës mund të nënkuptojë në fakt vazhdimin e sanksioneve ose kufizimeve në afatin e shkurtër, gjë që do të ishte pozitive për çmimet e naftës. Dyshoj se kjo është arsyeja pse çmimet po rikuperohen.”/Reuters

The post Kaosi gjeopolitik, rritet çmimi i naftës dhe forcohet dollari appeared first on Gazeta Si.

Banka e Shqipërisë, gjatë verës tërhoqi nga tregu 595 mln euro për të ngadalësuar rënien e kursit

8 January 2026 at 12:08

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë periudhës së verës, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu 595.3 milionë euro, rreth 50% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Nga kjo sasi eurosh të blera, 108 milionë euro janë përdorur për rritjen e rezervës valutore, ndërsa pjesa tjetër ka pasur si qëllim stabilizimin e kursit të këmbimit. Paralelisht me këto ndërhyrje, kursi euro/lek gjatë kësaj periudhe mbeti praktikisht i “ngrirë” në intervalin 97–98 lekë.

Në total, nga janari deri në shtator 2025, Banka e Shqipërisë ka blerë mbi 825 milionë euro në tregun valutor.

Paralelisht, në periudhën korrik–shtator, Banka realizoi operacione injektimi të likuiditetit me një vlerë mesatare ditore prej 38 miliardë lekësh, një nivel pak më i ulët se në tremujorin paraardhës. Megjithatë, në një krahasim që merr parasysh efektet sezonale, mungesa e likuiditetit rezulton të ketë rënë me rreth 64%, duke reflektuar ndikimin e drejtpërdrejtë të blerjeve valutore në rritjen e ofertës monetare në lekë.

Sipas të dhënave, blerjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor kanë qenë faktori kryesor që ka kontribuar në uljen e mungesës së likuiditetit me rreth 63.66 miliardë lekë. Në të kundërt, rritja e parasë në qarkullim me 20.26 miliardë lekë, e përqendruar kryesisht gjatë muajve korrik–gusht, ka vepruar në drejtim të kundërt, duke zbutur pjesërisht efektin e ndërhyrjeve të Bankës.

Gjatë gjithë vitit 2025, euro ka shfaqur një lloj “imuniteti” artificial, i ndërtuar mbi ndërhyrjet e shpeshta të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij viti banka qendrore ka tërhequr nga tregu rreth 800 milionë euro, me qëllim frenimin e zhvlerësimit të mëtejshëm të monedhës europiane.

Megjithatë, kjo strategji nuk është parë me sy pozitiv nga institucionet ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka theksuar vazhdimisht nevojën për një regjim të lirë këmbimi, pa ndërhyrje të vazhdueshme administrative, duke argumentuar se tregu duhet të reflektojë vetë balancat reale ekonomike.

The post Banka e Shqipërisë, gjatë verës tërhoqi nga tregu 595 mln euro për të ngadalësuar rënien e kursit appeared first on Gazeta Si.

Çmimi i arit bie. Tregtarët po monitorojnë marrëdhëniet SHBA-Venezuelë

7 January 2026 at 12:06

Çmimi i arit ra gjatë të mërkurës pasi investitorët nisën një trend shitje, për të përfituar nga çmimi më i lartë i metalit. Ndërkohë, edhe forcimi i dollarit rëndoi mbi gjendjen e tregut të metaleve të çmuar.

Ari në tregun e menjëhershëm (spot) ra me 1.1%, duke shkuar në 4.449 dollarë për onz.Të hënën e kaluar, ari kishte arritur nivelin rekord prej 4.549 dollarësh.

Dollari qëndroi pranë nivelit më të lartë të më shumë se dy javëve, duke i bërë aktivet e çmuara në dollarë më të shtrenjta për mbajtësit e valutave të tjera.

Investitorët presin të paktën dy ulje të normave të interesit nga Rezerva Federale (Fed) këtë vit. Guvernatori i Fed-it, Stephen Miran, mandati i të cilit përfundon në fund të këtij muaji, tha të martën se nevojiten ulje agresive të normave në SHBA për të mbajtur ekonominë në lëvizje.

Aktivet pa interes (si ari) priren të ecin mirë në mjedise me norma të ulëta interesi dhe gjatë periudhave të pasigurisë gjeopolitike ose ekonomike.

Në frontin gjeopolitik, Karakasi dhe Uashingtoni arritën një marrëveshje për të eksportuar deri në 2 miliardë dollarë naftë bruto venezueliane drejt SHBA-së, një lëvizje që do të devijonte furnizimet nga Kina pas rrëmbimit të ish-presidentit Nicolás Maduro nga SHBA.

Në tregjet e tjera, argjendi humbi 2.5% duke rënë në 79.27 dollarë për onz, poshtë nivelit rekord prej 83.62 dollarësh të arritur më 29 dhjetor. Platini ra me 6.2% në 2,291.24 dollarë për onz, duke u tërhequr nga niveli rekord prej 2,478.50 dollarësh i arritur të hënën e kaluar./Reuters

The post Çmimi i arit bie. Tregtarët po monitorojnë marrëdhëniet SHBA-Venezuelë appeared first on Gazeta Si.

Qeveria hedh në konsultim ligjin e ri për mbrojtjen e disenjove: S’ka më kopje të firmave të mëdha

7 January 2026 at 11:53

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministria e Ekonomisë dhe Inovacioni ka hedhur në konsultim një projektligj të ri, që njeh disenjot si krijime autentike dhe mbron pronësinë e tyre.

Për të fituar mbrojtje, një disenjo duhet të jetë e re dhe të ketë karakter individual, thotë ligji i ri.

Aty theksohet se e drejta e pronnësimit një krijim, në drejtorinë e Pronësisë Intelektuale, i përket atij që bën kërkesën, pavarësisht krijuesit.

Regjistrimi mund të refuzohet nga Drejtoria, në rast se përman detaje në kundërshtim me moralin, rendin publik apo emblema kombëtare të palejueshme. Po ashtu, projektligji ndalo disenjot që ngjajnë me disenjo të tjera të famshme, për të përfituar,

Projektligji forcon të drejtat e mbajtësve të disenjove, duke u dhënë atyre mundësinë të ndjekin rrugë gjyqësore, të paraqesin dhe sigurojnë prova, si dhe të kërkojnë masa të përkohshme, përfshirë nxjerrjen nga qarkullimi dhe konfiskimin e produkteve që dyshohet se shkelin të drejtat e disenjove të regjistruara.

Aktualisht, tregu në Shqipëri po ndeshet çdo ditë e më shumë me konflikte midis objekteve të pronësisë industriale të regjistruara më parë dhe që kanë një reputacion dhe emër të mirë në treg dhe përpjekjeve të personave të ndryshëm për të përdorur në mënyrë të paautorizuar këto objekte, me qëllim që të përfitojnë falë të cilësisë së mirë, reklamimit dhe promovimit të vazhdueshëm që mbajtësit e të drejtave bëjnë për to. Këto përpjekje negative përveçse dëmtojnë interesat ekonomike të operatorëve ekonomikë që kanë investuar në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale, ato dëmtojnë dhe deformojnë gjithashtu tregun dhe interesat e konsumatorëve, argumenton Ministria.

The post Qeveria hedh në konsultim ligjin e ri për mbrojtjen e disenjove: S’ka më kopje të firmave të mëdha appeared first on Gazeta Si.

Pamje/ Shirat e rrëmbyeshëm pushtojnë edhe Gjirokastrën

6 January 2026 at 21:50

Nga Gazeta ‘SI’- Në orët e fundit krahas Shkodrës, Durrësit dhe Lezhës, edhe Gjirokastra po përballet me përmbytje masive, përrenj dhe lumenj të rrëmbyeshëm që kanë dalë nga shtrati. 

Si pasojë e daljes nga shtrati të përroit të Ficos, është përmbytur lagjja e poshtme të qytetit ‘18 shtatori’, ndërsa niveli i ujit është rritur shumë edhe në zonën e njohur si Ura e Lumit.

Uji ka vërshuar nëpër rrugët e qytetit, duke marrë përpara edhe makina, ndërsa janë përmbytur edhe biznese.

The post Pamje/ Shirat e rrëmbyeshëm pushtojnë edhe Gjirokastrën appeared first on Gazeta Si.

Ja skenarët që mund të lirojnë Maduron

6 January 2026 at 20:25

Çështja penale ndaj ish-udhëheqësit të rrëzuar të Venezuelës, Nicolás Maduro, nuk ka arritur të ecë përpara gjatë gjashtë viteve të fundit.

Tani që kapja e tij dhe paraqitja e parë në gjykatën federale të Manhatanit kanë ndodhur, arritja deri te gjyqi mund të zgjasë edhe shumë vite të tjera, duke u shoqëruar me beteja të pazakonta politike dhe ligjore.

Çështja penale kundër Maduro-s është jashtëzakonisht komplekse nga pikëpamja ligjore, për shkak të rolit të tij të mëparshëm si udhëheqës i Venezuelës, natyrës dramatike të provimit të një komploti ndërkombëtar narko-terrorist, si dhe implikimeve më të gjera për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme. Për këto arsye, mbrojtja e tij mund të përpiqet të përdorë disa strategji të ndryshme për ta bllokuar çështjen para se ajo të shkojë në gjyq.

Maduro u deklarua i pafajshëm të hënën për akuzat e komplotit për narko-terrorizëm, komplotit për importim kokaine, posedimit të armëve dhe pajisjeve shkatërruese.

“Jo se nuk do të negociojë, por fillimisht do të përpiqet të shtypë disa butona,” tha Dick Gregorie, një ish-prokuror federal me bazë në Miami, i cili ka ndjekur nga afër mbulimin mediatik të paraqitjes së parë të Maduro-s në gjykatë.

Gregorie ka punuar pothuajse 40 vite më parë në aktakuzën dhe gjyqin e Manuel Noriega-s së Panamasë, duke u bërë një nga prokurorët e paktë që kanë arritur të gjykojnë me sukses një të arratisur të huaj që pretendonte se ishte kryetar shteti.

Rasti Noriega ka disa ngjashmëri me atë të Maduro-s, veçanërisht për shkak se është shumë e rrallë që SHBA të ndërhyjë ushtarakisht në një vend të huaj dhe të rrëmbejë me forcë një udhëheqës politik.

Avokatët që përfaqësojnë Maduro-n dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, e cila gjithashtu u deklarua e pafajshme për akuza të lidhura me drogën dhe armët, ka shumë gjasa të argumentojnë se ata janë kapur në mënyrë të paligjshme. Në gjykatë, Maduro deklaroi se ishte “rrëmbyer” nga ushtria amerikane.

Avokatët e tij pritet gjithashtu të përplasen me Departamentin e Drejtësisë lidhur me provat e çështjes, aksesin që mbrojtja mund të ketë në materiale që mund t’i ndihmojnë, si dhe përdorimin e informacionit të mbrojtur të sigurisë kombëtare në një gjyq të mundshëm.

Procesi gjyqësor për menaxhimin e informacionit të klasifikuar, i mbikëqyrur nga gjykata, mund të shtojë muaj të tërë edhe në një çështje të thjeshtë. Në disa raste, të pandehurit përpiqen të detyrojnë ekspozimin e informacionit të ndjeshëm, me shpresën se qeveria federale do të heqë dorë nga ndjekja penale, një taktikë e njohur si “graymail”.

Provat e mbledhura deri tani dhe planet për ta çuar çështjen drejt gjyqit pritet të diskutohen në paraqitjen e radhës së Maduro-s në gjykatë në Manhatan, e planifikuar për muajin mars.

Një argument mbi imunitetin

Maduro ka shumë gjasa të përpiqet të përdorë pozicionin e tij në qeverinë venezueliane për të pretenduar se gëzon imunitet si udhëheqës i huaj.

Në gjykatë, Maduro i tha gjyqtarit se ai ishte “ende president” i Venezuelës. Bashkëshortja e tij, në mënyrë të ngjashme, e quajti veten “Zonja e Parë e Venezuelës”.

Gregorie kujtoi se sa të ashpra ishin betejat ligjore mbi pretendimet për imunitet si kryetar shteti në rastin Noriega. Të njëjtat çështje u ngritën edhe në një gjyq për ryshfet ndaj një udhëheqësi politik që pretendonte se ishte kryetar shteti i Ishujve Turks dhe Caicos, një çështje tjetër që Gregorie e ka ndjekur në Miami dekada më parë.

“Është mjaft e qartë: për të përfituar imunitet si kryetar shteti, duhet të jesh udhëheqës i njohur diplomatikisht,” tha Gregorie. Edhe studiues të tjerë të ligjit mbajnë të njëjtin qëndrim, duke theksuar se njohjet diplomatike të Departamentit të Shtetit të SHBA janë praktikisht vendimtare.

SHBA ka deklaruar që nga viti 2024 se Maduro ishte një udhëheqës i paligjshëm i Venezuelës dhe ka njohur opozitën si presidente të zgjedhur. Megjithatë, çështja se kush e drejtonte vendin do të duhej të interpretohej nga sistemi gjyqësor amerikan, potencialisht deri në Gjykatën e Lartë.

Noriega humbi pretendimet për imunitet si kryetar shteti dhe diplomatik në vitin 1990. Ai u dënua në vitin 1991 për importim kokaine dhe u dënua me 40 vite burg.

Po ashtu, Norman Saunders, kryeministër i Ishujve Turks dhe Caicos në vitet 1980, nuk u konsiderua kryetar shteti. Në atë kohë, si territor britanik, kryetare shteti ishte Mbretëresha.

A do të ketë dëshmitarë bashkëpunues?

Një pyetje që mbetet pezull është se sa i vendosur është Departamenti i Drejtësisë për ta çuar Maduro-n deri në gjyq.

Nxjerrja e tij nga vendi e bën këtë më të lehtë në një aspekt kyç: mund të sjellë dëshmitarë të rinj.

Gina Parlovecchio, partnere në fushën e krimeve financiare dhe ish-prokurore kryesore në çështjen kundër Joaquín “El Chapo” Guzmán, tha se ka gjasa që disa bashkëpunëtorë tashmë kanë ndihmuar Prokurorinë e Distriktit Jugor të Nju Jorkut për të ndërtuar çështjen kundër Maduro-s.

Kjo zyrë ka ndjekur më parë penalisht persona të lidhur me Maduro-n, përfshirë nipërit e bashkëshortes së tij, Cilia Flores. Qeveria federale gjithashtu monitoron nga afër pesë organizatat terroriste të huaja të përmendura në aktakuzë si pjesëmarrëse në skemën e trafikut të drogës nga Venezuela drejt SHBA.

Megjithatë, paraqitja e dëshmitarëve bashkëpunues në gjyq mbetet një sfidë.

Gregorie përshkroi se si një dëshmitar vdiq në një aksident të dyshimtë automobilistik disa ditë para se të dëshmonte kundër një bashkë-të pandehuri të Noriega-s. Ai përmendi gjithashtu vrasjen e informatorit të DEA-s, Barry Seal, nga një vrasës me pagesë i një karteli droge në Luiziana në vitet 1980.

“Ai u vra para se të fillonte gjyqi. Kishte incidente të tilla që të bënin të shqetësoheshe,” tha Gregorie. “Një dëshmitar kishte dokumente që unë i kërkoja, dhe ato dokumente u zhdukën.”

Dëshmitarë të tjerë në çështjen Noriega hynë në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, duke hequr dorë nga identitetet e tyre dhe duke marrë identitete të reja në qytete të përcaktuara nga qeveria federale.

“Kjo është padyshim një fushë shumë e dhunshme,” shtoi prokurori i pensionuar.

Michael Nadler, një tjetër ish-prokuror federal që ka ndjekur çështje kundër zyrtarëve të lartë venezuelianë, tha se rastet e komplotit për trafik droge janë më të vështira për t’u provuar, sepse varen shumë nga dëshmitarë brenda botës së trafikut të drogës, ndryshe nga rastet e ryshfetit ndërkombëtar ku ndiqet rrjedha e parave.

Nadler kishte punuar në aktakuzën për pastrim parash ndaj Alex Saab, një tjetër zyrtar i lartë venezuelian, i cili u lirua në vitin 2023 në një shkëmbim të burgosurish dhe u kthye në Venezuelë për të punuar sërish në qeverinë e Maduro-s.

“Duhet të kesh dikë në dhomë me të që të thotë se ai e dinte, e lejoi, ose bëri diçka më tepër,” tha Nadler për provimin e një rasti trafiku droge.

Megjithëse aktakuza ndaj Maduro-s nuk është aq e detajuar në transaksione sa disa çështje të tjera për trafik droge dhe pastrim parash, prokurorët kanë përfshirë disa episode konkrete që sugjerojnë se kanë informacione nga dëshmitarë me akses të afërt te ai.

Në një prej këtyre episodeve, prokurorët pretendojnë se Maduro u tha trafikantëve të tjerë se nuk duhej të kishin dërguar më shumë se një ton kokainë në një fluturim komercial në vitin 2013 që u ul në Paris dhe u sekuestrua nga autoritetet franceze.

Këto momente lidhen me pesë organizata narco-terroriste: FARC dhe ELN në Kolumbi; Kartelin Sinaloa dhe Zetas në Amerikën Qendrore dhe Meksikë; si dhe Tren de Aragua, që ndihmon në transportimin e kokainës nga Venezuela.

“E lexova pothuajse si një përmbledhje të goditjeve më të mëdha,” tha Parlovecchio.

Disa ish-prokurorë thonë se Departamenti i Drejtësisë do ta kishte ndjekur penalisht dhe kapur Maduro-n vetëm nëse besonte se çështja ishte mjaft e fortë.

Disa besojnë gjithashtu se ish-udhëheqësi mund të dëshirojë të përballet me një juri.

“Mendoj se ata e presin një gjyq,” tha Parlovecchio, duke përmendur se nipërit e Flores u dënuan nga një juri në vitin 2016. “Këto raste të nivelit të lartë shpesh shkojnë në gjyq, sidomos kur i pandehuri nuk ka asgjë për të humbur.”

Akuzat ndaj Maduro-s janë shumë të rënda dhe mund të sjellin dënim me burgim të përjetshëm për komplotin, si dhe dekada të tjera burg për shkeljet që lidhen me armët.

Ajo përmendi gjithashtu çështjen e El Chapo-s, i cili u gjykua, u dënua dhe sot ndodhet në burgun Supermax në Kolorado, duke vuajtur dënim të përjetshëm plus 30 vite për posedim mitralozi.

Marrëveshje apo gjyq?

Megjithatë, mbetet pyetja nëse qeveria amerikane do të ishte e hapur për një marrëveshje me udhëheqësin e kapur.

Shumica dërrmuese e çështjeve penale federale përfundojnë me pranimin e fajësisë nga të pandehurit, qoftë përmes marrëveshjeve apo për të shmangur gjyqin.

Një marrëveshje ligjore dhe gjeopolitike që përfshin Venezuelën mund të lindë në çdo moment, veçanërisht nëse ndryshon situata e politikës së jashtme ose nëse çështja zgjatet përtej presidencës Trump.

Megjithatë, Gregorie tha se ndjekja penale për trafik droge ndaj një udhëheqësi të huaj zakonisht shkon drejt gjyqit, për shkak të përpjekjes së madhe që kërkon ngritja e çështjes dhe kapja e të pandehurit.

“Ne gjithmonë po e shtynim çështjen drejt gjyqit, dhe nëse e aktakuzoja, synimi ishte ta gjykoja,” tha ai për rastin Noriega.

Avokati i mbrojtjes së Maduro-s, Barry Pollack, një specialist i sigurisë kombëtare dhe krimeve financiare nga Uashingtoni, refuzoi të komentojë për këtë histori.

Pollack ka përvojë me çështje të profilit të lartë me ngarkesë politike, duke përfshirë edhe zgjidhjen e çështjes penale ndaj Julian Assange./CNN

The post Ja skenarët që mund të lirojnë Maduron appeared first on Gazeta Si.

Dekretohet ligji për Rivlerësimin e pronave: 5% tatim mbi diferencën midis çmimit të vjetër dhe të ri

6 January 2026 at 19:32

Nga Gazeta ‘SI’ – Presidenti i vendit ka dekretuar ligjin për Rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, duke i hapur rrugë një burimi të ri të ardhurash për arkën e shtetit.

Qytetarët do të mund të rivlerësojnë pronën e tyre me një normë tatimore të reduktuar, 5% nga 15% që është jashtë periudhës së rivlerësimit.

Dekretimi, sipas ekspertëve të tregut do të “zhbllokojë” tregun imobiliar, që prej muajsh po përjetonte pezullim të shitjeve, pasi pronarët prisnin rivlerësimin, për të shmangur tatimin e plotë.

Sipas ligjit, taksa e rivlerësimit nuk llogaritet mbi vlerën totale të pronës, por mbi diferencën mes vlerës së re, që përafrohet me çmimin aktual të tregut, dhe vlerës së regjistruar më parë në dokumentet zyrtare. Kjo do të thotë se nëse një pronë është regjistruar me një vlerë më të ulët se çmimi real në treg, pronari paguan 5% vetëm për hendekun e krijuar mes këtyre dy vlerave, me qëllim që në regjistrat zyrtarë prona të reflektojë vlerën e re.

Qeveria ka deklaruar se kjo do të jetë hera e fundit që kryhet kjo nismë, të paktën me të majtët në krye. Rivlerësimi do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2026.

The post Dekretohet ligji për Rivlerësimin e pronave: 5% tatim mbi diferencën midis çmimit të vjetër dhe të ri appeared first on Gazeta Si.

Inspektoriati i Mbikëqyrjes: Ashensorët e paregjistruar po rrezikojnë jetën e shqiptarëve

6 January 2026 at 14:34

Nga Gazeta ‘SI’ – Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, ISHMT, ka bërë një apel publik për rrezikun e përdorimit të ashensorëve të paregjistruar, të cilët mund të rrezikojnë qytetarët dhe të përfundojnë në fatalitet.

Inspektorati thekson se siguria e ashensorëve nuk është zgjedhje, por detyrim ligjor që duhet të kryejë çdo administrator rezidence dhe kompani. Ata duhet të regjistrojnë çdo ashensor pranë ISHMT-së, të sigurojnë kontrata mirëmbajtjeje me specialistë të kualifikuar dhe të kryejnë inspektime teknike periodike. Ashensorët në pallate duhet të kontrollohen të paktën një herë në vit, ndërsa ata në ambiente pune më shpesh. Pa këto masa, përdorimi i ashensorit konsiderohet i paligjshëm dhe i rrezikshëm.

Apeli vjen ndërsa një pjesë e konsiderueshme e ashensorëve në vend janë të vjetër ose nuk menaxhohen sipas ligjit. Qytetarët dhe administratorët duhet të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi, pasi siguria e ashensorëve është çështje jetike për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit. ISHMT paralajmëron se çdo shkelje mund të çojë në masa administrative, përfshirë ndalimin e përdorimit të ashensorëve.

The post Inspektoriati i Mbikëqyrjes: Ashensorët e paregjistruar po rrezikojnë jetën e shqiptarëve appeared first on Gazeta Si.

Skandali me verën e Agasit, qeveria masa për prodhuesit dhe shitësit: Raportim për çdo shishe që pihet e ‘humbet’

6 January 2026 at 11:39

Nga Gazeta ‘SI’ – Një skandal në prag të festave të fundvitit, ka detyruar qeverinë të marrë një vendim të ri…për të monitoruar prodhimin dhe shishet e verës.

Sipas vendimit të sapopublikuar, në një regjistër të ministrisë së Bujqësisë do të mbahet shënim çdo lëvizje e produkteve të verës nga prodhimi ose importi, magazinimi, transporti dhe shitja apo humbja. Urdhri detyron prodhuesit, përpunuesit, mbushësit e shisheve dhe tregtarët e verës të mbajnë regjistra të posaçëm, fizikë ose elektronikë.

Ligji i ri thekson se prodhuesit duhet të shënojnë edhe konsumin personal e të familjes, e cila nuk mund të jetë më shumë se 10 hektolitër në vit. 

Çdo humbje, konsum apo tërheqje duhet të deklarohet brenda 3 ditëve, ndryshe do të nisë një hetim nga autoritetet përgjegjëse.

Vendimi vjen pas një skandali në Agjencinë e Informacionit, AKSHI, me personazh kyç, Ergys Agasin, i cili është shpallur në kërkim. Agasi, biznesmen që dikur ka shërbyer në qeveri, dyshohet se ka zhdukur brenda natës një 900 shishe verë me vlerë miliona euro, pak orë pasi SPAK vendosi sekustrimin. Koleksioni ishte prodhim i limituar dhe sipas burimeve, ishte kontrabandë.

Për shkak të pengesave logjistike, drejtoria e Hetimit Doganor kishte planifikuar marrjen e mallit ditën pasuese, ndërsa verërat ishin bllokuar në ambientet ku ruheshin. Të nesërmen, përveç verës, rezultuan të zhdukura edhe kamerat e sigurisë së qilarit, në një zonë rurale në lindje të Tiranës.

Për Ergys Agasin ka një urdhër-arrest të paekzekutuar, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, pastrim parash, pengmarrje me dhunë dhe shkelje e barazisë në tender. Me të njëjtat akuza kërkohet dhe ortaku i tij Ermal Beqiri. Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Pjesë e të njëjtit grup, sipas Prokurorisë, është në arrest shtëpie.

The post Skandali me verën e Agasit, qeveria masa për prodhuesit dhe shitësit: Raportim për çdo shishe që pihet e ‘humbet’ appeared first on Gazeta Si.

Njoftim i Tatimeve: Shmangia e taksimit të dyfishtë do të bëhet vetëm online!

6 January 2026 at 10:39

Nga Gazeta ‘SI’ – Administrata Tatimore informon të gjithë tatimpaguesit se, duke filluar nga 1 janari 2026, procedura për zbatimin e marrëveshjeve për shmangien e tatimit të dyfishtë do të kryhet vetëm online, përmes platformës digjitale të Administratës Tatimore.

Tatimpaguesit janë të detyruar të plotësojnë formularin elektronik përkatës dhe të ngarkojnë dokumentacionin shoqërues, në përputhje me kriteret, procedurat dhe afatet e përcaktuara në legjislacionin tatimor dhe aktet nënligjore në fuqi. Ngarkimi elektronik i dokumentacionit duhet të realizohet brenda afateve ligjore për të përfituar lehtësitë tatimore që rrjedhin nga zbatimi i këtyre marrëveshjeve.

Në rastet kur sistemi digjital nuk mundëson përkohësisht ngarkimin elektronik të dokumentacionit ose paraqiten probleme teknike të verifikuara, tatimpaguesit kanë të drejtë të dorëzojnë dokumentacionin në formë fizike pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke shoqëruar dorëzimin me një shpjegim mbi arsyen e pamundësisë së aplikimit elektronik.

Në Shqipëri, tatimi i dyfishtë ndodh kur një individ ose subjekt rezident në Shqipëri realizon të ardhura jashtë vendit, ose kur një subjekt i huaj realizon të ardhura në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe tatohet njëkohësisht në të dy juridiksionet.

The post Njoftim i Tatimeve: Shmangia e taksimit të dyfishtë do të bëhet vetëm online! appeared first on Gazeta Si.

❌
❌