Integrimi i Maqedonisë në BE mbetet në ngërç, pushteti s’lëshon pe për Kushtetutën
Gjatë vitit 2025, Maqedonia e Veriut nuk arriti të marrë një nga vendimet më vendimtare në procesin e saj të gjatë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian: ndryshimet kushtetuese që, sipas Brukselit dhe partnerëve evropianë, janë kusht kryesor për hapjen e kapitujve të negociatave të anëtarësimit. Që kur procesi i negociatave u bllokua nga Bullgaria në vitin 2020, nuk është lëvizur pothuajse aspak nga pika zero.
Në vitin 2025, kryeministri Hristijan Mickoski, nuk ndryshoi aspak qëndrimin e tij se “asnjë ndryshim kushtetues nuk do të bëhet pa garanci të qarta nga Bashkimi Evropian dhe pa përmbushje të obligimeve nga ana e Bullgarisë”. Në një vijë me kryeministrin, edhe Presidentja e shtetit.
“Nevojitet vullnet politik, por jo vetëm i yni, por edhe i Unionit. Pasi ne kemi propozuar shumë zgjidhje, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të zgjedh një ose të gjejë zgjidhje të saj kreative për debllokim të procesit. Nëse ka zgjidhje për Ukrainën dhe Moldavinë, lehtë do të gjendet edhe për ne”. 38:30 “Pa garanci të qarta prej BE-së dhe Bullgarisë dhe pa mekanizma përkatëse mbrojtëse, me edhe një ndryshim kushtetues, ne rrezikojmë që prej këtij procesi të dalim siç plaku i Hemingueit doli nga deti, me një skelet peshku, me sovranitet dhe identitet nacional kulturor të zhveshur dhe gërryer”, tha Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.
Partnerët evropianë në mënyrë të përsëritur theksuan se kushti mbetet i pandryshueshëm përpara hapjes së kapitujve. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, gjatë një vizite në vend në muajin tetor, i dërgoi Shkupit një mesazh të qartë.
“Ne mbetemi plotësisht pas Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së. Ju mund të mbështeteni tek ne. Hapi i ardhshëm dhe i vetëm para hapjes së negociatave është i qartë. Ju duhet të bëni ndryshimin kushtetues të dakorduar. Topi është në fushën tuaj. BE-ja është gati”, pati thënë Ursula Von Der Leyen, Kryetare e Komisionit Evropian.
Nga ana tjetër, partitë opozitare dhe një pjesë e shoqërisë civile shprehën zhgënjim të thellë për ngecjen e procesit. Për ta, kjo ishte një mundësi e humbur për të kapërcyer ngërçin e gjatë negociues dhe për t’i dhënë vendit një perspektivë të qartë evropiane.
Në vitin e ri, për udhëheqësit politikë të Maqedonisë së Veriut mbetet një pyetje: a do të marrë Shkup garancitë që kërkon nga Brukseli dhe do të riformësojë kushtetutën e saj me konsensus politik? Apo qëndrimi i fortë për identitetin do të vazhdojë të mbajë vendin pranë pragut të negociatave, pa e kaluar atë? Ndërsa vendet e rajonit shohin progres në proceset e tyre të zgjerimit, vendi nuk ndjek rrugën e tyre./Alsat/
