Viti 2025 shënoi përparimin më të madh të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit drejt BE-së duke ecur me një ritëm të shpejtë se më parë në procesin e negociatave të anëtarësimit, me hapjen e të gjashtë grup kapitujve të negociatave në pak më shumë se një vit.
Në muajin prill u mbajt konferenca e katërt ndërqeveritare.
“Sot sigurisht është një ditë shumë e mirë për ne, sepse kemi një tjetër konferencë dhe çelim kapituj të tjerë. Jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit që është shumë ambicioz për të mbyllur të gjitha negociatat brenda vitit 2027”, u shpreh Rama.
“Është vërtet inkurajuese të shikosh progresin që ka bërë Shqipëria në këtë rrugëtim. Sot ne po çelim një tjetër grup kapitull dhe ambicia jonë është që të hapim edhe grup kapituj të tjerë që janë për t’u negociuar gjatë këtij viti sepse kemi një kalendar të qartë dhe unë mendoj se do ta realizojmë sepse kjo është diçka e rëndësishme për Shqipërinë. Por, mendoj se kjo është një shenjë e mirë edhe për rajonin sepse mënyra më e mirë për mirëqënie, paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor është me BE dhe integrimi në të”, tha Antonio Costa.
Në maj u mbajt konferenca e pestë.
“Jam shumë krenar sepse ky është një nga ato gurë themele që mund t’i mbulojë llumi i kënetës së politikës së përditshme, por historia i kujton dhe i mban parasysh si momente të shtet-bërjes. Patjetër që nuk jam i kënaqur, jam shumë krenar, ne do vazhdojmë ta mbështesim fuqimisht këtë proces të barazisë para ligjit dhe aleanca me BE është një garanci absolute për këtë”, tha Rama.
“Unë e kuptoj se qytetarët shqiptarë e kanë dhënë mbështetjen e tyre për anëtarësimin e vendit në BE. Për këtë duhen reforma të vështira që kërkojnë mbështetjen e të gjithëve në shoqëri. Duhen jo thjesht reforma, por edhe zbatimi i tyre në praktikë, gjë që kërkon mbështetje të plotë edhe të partive politike”, u shpreh Kaja Kallas.
Në muajin shtator të këtij viti u mbajt konferenca e gjashtë ndërqeveritare Shqipëri-BE.
“Shpejtësia e Shqipërisë me reformat është mbresëlënëse. Ky është rezultat i punës së autoriteteve shqiptare që kanë çuar para reforma”, u shpreh Marta Kos.
Në progres-raportin e këtij viti, Komisioni i drejtuar nga Ursula Von Der Leyen e konsideroi qëllimin e qeverisë shqiptare për të përfunduar negociatat në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian në vitin 2030 si një objektiv ambicioz, nëse ky shtet ballkanik e ruan vrullin e reformave.
“Shqipëria është në rrugën e duhur drejt BE. Ju keni bërë rrugë të gjatë, progres, por unë dua të theksoj se është një progres i mrekullueshëm, shpejtësi rekord dhe përshpejtimi i vërtetë në tre vitet e fundit. Qëllimi është mbyllja e negociatave brenda 2027. Na pëlqen ambicia dhe ne jemi të gatshëm me ju në çdo hap”, u shpreh Von Der Leyen.
“Unë, jo e besoj, por e kam bindje absolute që është në dorën tonë që ne të arrijmë objektivin e 2027-ës sepse kam bindjen absolute që Presidentja nuk lëviz nga pozicioni i saj, që nuk është pozicioni i sotëm, por është pozicioni i ditës 1 që kur është zgjedhur herën e parë dhe në twitt-in e parë që ka bërë si Presidente e Komisionit e sapozgjedhur, ka shkruar ‘Ky është një komision gjeopolitik’”, tha Rama.
Më 16 maj të këtij viti, Tirana u bë mikpritëse e mbledhjes së komunitetit politik evropian, një shtysë kjo drejt integrimit të plotë në familjen evropiane të shteteve kandidate.
“Me rëndësi të veçantë që ne kemi për herë të parë këtë samit të komunitetit politik evropian këtu në Tiranë, për të dëshmuar se zgjerimi është një proces win-win, si për shtetet ballkanike, edhe për ato anëtare të BE-së”, u shpreh Roberta Metsola.
“Shqipëria 2030 në BE” ishte slogani i partisë së Ramës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, të cilat ai i fitoi bindshëm. Pas konfirmimit të Qeverisë së re më 18 shtator në Kuvend, Rama deklaroi se ky slogan do të mbetet kryefjala e mandatit të tij të katërt radhazi.
“Unë nuk jam këtu sot për të kryer një formalitet votëbesimi të qeverisë së re, me mbështetjen aritmetike të një shumice të pazakonshme në sallë, e dua t’i them pikërisht shumicës se jo një mandat po vite të tëra politike nuk mund të mjaftojnë për të shpërblyer besimin e jashtëzakonshëm që shqiptarët na dhanë këtë herë”, tha Rama.
Jo vetëm meritat në reforma, por vullneti politik i shteteve anëtare, si dhe situata gjeostrategjike, kanë ndihmuar që Shqipëria të përparojë drejt BE-së.
Reforma në drejtësi, me vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe disa goditje ndaj korrupsionit në nivel të lartë, kanë ripërcaktuar pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Kjo reformë, me ngritjen e SPAK-ut, BKH-së dhe GJKKO-së, ka sjellë si risi rënien e kulturës së mosndëshkimit në nivele të larta, me arrestimin e ish-presidentit Meta, ish-kryebashkiakut Veliaj, mbajtjen në disa muaj arrest shtëpie të ish-presidentit Berisha.
Në momentin kur SPAK-u do të ketë pengesa politike në punën e tij, do të ndalet edhe progresi i Shqipërisë drejt BE-së.
Shqipëria nuk përballet me çështje të mëdha rajonale ose fqinjësore të llojit që kanë penguar kandidatët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
Besohet se përparimi i Shqipërisë drejt BE-së është premtues, por i brishtë, pasi qëndrueshmëria e saj do të varet nga reformat e sinqerta, uniteti politik dhe menaxhimi i kujdesshëm i marrëdhënieve dypalëshe.
“Është mirë që disa ligje në Parlament janë miratuar edhe nga opozita në bashkëpunim me qeverinë. Mendoj se kjo është ajo që Evropa dëshiron të shohë, konsensusin politik. Të gjithë duhet të jenë në një linjë në përmbushjen e reformave të integrimit, pavarësisht nëse janë socialistë apo demokratë, apo nga partitë e tjera, në mënyrë që vendi të anëtarësohet sa më shpejt në BE. Evropa nuk është e interesuar për thashetheme, por jemi të interesuar për diskutime konkrete konstruktive mes qeverisë dhe opozitës”, u shpreh Andreas Schieder, raporter për Shqipërinë në PE.
“Unë e di që ekziston një projekt për ta rishikuar ligjin zgjedhor me komisionin që është ngritur me votë unanime të Parlamentit dhe që duhet të shkojë në drejtimin e duhur, të zbatimit të rekomandimeve që vijnë nga OSBE-ODIHR dhe nga BE”, u shpreh Marco Tarquinio, kryetar i komitetit Shqipëri-PE.
“Opozita nuk ka qenë ndonjëherë kundërshtuese e procesit të integrimit. Çdo gjë që kemi pasur në dorë, në Parlament e kemi kaluar. Nëse ka një përgjegjës për ngecjen e këtij procesi, por edhe për mungesën e një debati publik, kjo është mazhoranca”, u shpreh Jorida Tabaku.
“Sigurisht që integrimi, kryesorja është objektivi strategjik i Shqipërisë dhe patjetër që dialogu mes pozitës dhe opozitës është thelbësor jo vetëm për të bindur partnerët tanë evropianë por edhe për veten tonë, për të arritur reformat”, u shpreh Romina Kuko.
Në muajt e parë të vitit 2026, Shqipëria kërkon që të sigurojë një Raport pozitiv Vlerësimi të Përkohshëm të Standardeve (IBAR) mbi kapitujt kryesorë themelorë – 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria).
Ky hap do të hapte rrugën për mbylljen e kapitujve të parë të negociatave. Ky do të jetë gjithashtu testi i parë i aftësisë së qeverisë Rama për të përmbushur standarde të shumta dhe për të filluar zbatimin e reformave sektoriale.