Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Kur brilanti vdes i uritur

29 December 2025 at 10:01

Nga Adrian Thano

Ka artistë nëpërmjet të cilëve publiku kupton më mirë vetveten. Ata kthehen në tempuj ndjenjash. Na falin një pasuri të madhe të brendshme, që nuk ka të bëjë me paranë.

Po ne çfarë u japim atyre?

Kadri Roshi nuk ishte i zakonshëm. Zëri i tij i veçantë, sytë që i flisnin para fjalëve ishin tipare të një aktori të madh. Ai nuk luante thjesht personazhe.

Siç del nga një rrëfim publikuar dje në media, kjo ikonë e kujtesës sonë kolektive përballoi në fund të jetës diçka që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Ky njeri kaq i talentuar ka qenë në një gjendje të tillë varfërie sa është detyruar të kërkojë ndihmë tek një politikan për një copë bukë.

PO pse një artist i madh i një kombi u gjend në një situatë të tillë? Si ndihemi si shoqëri kur i lemë të vdesin urie ata që na dhanë kaq shumë? A është e mundur që jo vetëm Kadriu që ka merituar gjithë të mirat e kësaj bote, por askush të mos kërkojë bukë për gruan e tij si kërkesë e fundit para se të largohet nga kjo jetë?

Kthehemi te problemi i një shoqërie që po vuan një varësi të egër nga politika. Kjo ka shkuar deri në nënshtrim. Çdo gjë duhet të kalojë nga filtri i pushtetit, ndihma, mirënjohja, mbështetja, karriera, madje edhe mëshira. E vendos pushteti kush meriton të jetojë me dinjitet e kush jo (!)

Njerëz me vlera reale mbyllin jetën në varfëri dhe harresë. Politikanë cullakë nga çdo meritë dhe mantenutat e tyre përfitojnë miliona euro nga paraja publike si të jenë pesleksha.

I gjithë sistemi shpërblen bindjen dhe respekton pazarxhiun duke e lënë njeriun me dinjitet të vetmuar dhe në heshtje.

Prindërit tanë pensionistë numërojnë qindarkat, deputetët rrisin rrogat dhe pensionet  e tyre, duke votuar për veten pa pikë turpi dhe pa asnjë lidhje me realitetin social.

Ky është një rend moral krejtësisht i përmbysur.

Së pari duhet një çarje e madhe në trushplarjen kolektive që politika ka ushqyer për vite. Sa më shumë që shoqëria u dorëzon një apo dy individëve rolin e shpëtimtarit, aq më shumë këta e shpërdorojnë besimin, duke e kthyer shtetin në bankomat vetëshërbimi.

Një shtet funksional nuk ndërtohet mbi figura të vetme, mbi një apo dy liderë që nuk shqiten nga ekrani, ditë e natë, si Vëllai i Madh i romanit “1984”. Është mjerim, është katundari me brirë që politika dhe shteti të identifikohen me një fytyrë të vetme, me një zë të vetëm.

Kadri Roshi na rikujton nga heshtja sa shumë kemi për të bërë jo vetëm në mënyrën si trajtojmë ata që vlejnë.

Duhet një ndryshim i madh kulturor. Por ai nuk do vijë vetëm nga prokurorët apo nga “direktivat nga jashtë”.

Do fillojë kur secili nga ne do refuzojë në forma të vogla të përditshme të jetë pjesë e kësaj “shkathtësisë” epidemike, kësaj gatishmërie kombëtare për të qenë në anën e gabuar për ca para më shumë. Do ishte mirë të nisim e të vlerësojmë punën e ndershme, t’i kthehemi jetës modeste dhe normale.

Kjo nuk ka nevojë për heronj. Do mjaftonin njerëzit e thjeshtë që nuk harrojnë çfarë është e drejtë.

A rrëzohet Rama me dhunë?

20 December 2025 at 17:49

Nga Adrian Thano

Reagimet e dhunshme të opozitës, brenda apo jashtë Kuvendit i shërbejnë më shumë korrupsionit të qeverisë sesa luftës kundër tij.

Pse?

Sepse dhuna e zhvendos debatin, nga përgjegjësia, te polarizimi. Polarizimi mobilizon llogoret e pështira partiake. Palët mbyllen në kampe, pushojnë së dëgjuari argumentin dhe logjikën.

Në këtë terren, korrupsioni nuk luftohet. Relativizohet. Mbështetësit e pushtetit e mbrojnë, ata të opozitës e instrumentalizojnë. Kalojnë të gjithë, nga fakti, te emocionet. Rezultati është i njëjtë. E vërteta zhduket në mjegull.

Do ta kuptoja këtë reagim nëse drejtësia do ishte e heshtur, e kapur apo e paaftë.

Por sot drejtësia po vepron. Me të gjitha mangësitë e saj, reforma në drejtësi ka prodhuar hetime, akuza dhe procese që deri dje ishin të paimagjinueshme. Kjo e bën të pakuptueshme dhunën politike.

Atëherë pse nxitje kaosi dhe jo pritje e drejtësisë? Pse flakë e ulërima dhe jo një denoncim i qetë, qytetar, këmbëngulës, i bazuar në faktet që drejtësia i ka nxjerrë sheshit?

Përgjigjja del nga sjellja, jo nga deklaratat: Halli kryesor i flakadanëve dhe i flakahedhësve nuk është korrupsioni, por përfitimi prej tij.

Një opozitë që do ta kishte realisht hall korrupsionin, do ta linte drejtësinë të bënte punën e saj. Kjo do të thotë se do investonte politikisht në gjithçka, por jo në dhunë.

Kjo sjellje i jep pushtetit justifikimin perfekt për t’u mbyllur, për t’u viktimizuar dhe për të mjegulluar llogaridhënien. Në këtë kuptim, opozita që zgjedh dhunën, po luan lojën e pushtetit që pretendon se po lufton.

E bëjnë pa e kuptuar apo e bëjnë me vetëdije, këtë nuk di ta them.

Kujtoni 21 janarin. Njerëzit dolën masivisht për një video korrupsioni. E ngjashme me përgjimet e sotme, ndonëse jo në shifra. Por atëherë drejtësia mungonte. Protesta ishte pikërisht zëvendësim i drejtësisë. Ishte reagim ndaj impunitetit absolut.

Sot situata është thelbësisht ndryshe. Me gjithë problemet, drejtësia po vepron. Ka hetime, masa sigurie, ministra dhe zyrtarë të lartë nën akuzë. Nuk jemi më në kushtet e një shteti ku pushteti është i paprekshëm nga ligji.

Ky proces drejtësie mund të jetë i papërsosur, por është real. Ta turbullosh atë me dhunë, i shërben pikërisht korrupsionit.

Ka edhe diçka që e bën kontradiktën më të fortë. Një pjesë e madhe e opozitës sot përbëhet nga ish-zyrtarë të akuzuar apo implikuar edhe vetë në korrupsion.

Këtyre nuk u pëlqen ta dëgjojnë, por kur bëjnë nëpër ekrane atë ftyrën medemek të revoltuar kundër korrupsionit të Ramës, shoqëria nuk sheh një alternativë. Sheh një konflikt interesash mes dy të njëjtëve.

Ndaj denoncimi i tyre nuk mobilizon kurrë qytetarë të lirë. Maksinumi vendos në rresht, militantë të cekët partiakë.

Është e qartë se një opozitë, e pastër dhe e paimplikuar do kishte interes të fliste qetë, të priste drejtësinë dhe të fitonte ndërkohë besimin publik. Një opozitë me ish-të korruptuar nuk mund të presë drejtësinë. Drejtësia është rrezik edhe për ta.

Por edhe sikur ta rrëzojnë qeverinë me dhunën e tyre qesharake, kjo nuk do jetë fitore ndaj korrupsionit, por zëvendësim i një padrejtësie me një tjetër.

Dhuna realisht nuk e rrëzon Ramën. Përkundrazi, e ringre kur drejtësia po e rrëzon. Ajo bëhet mjet për të turbulluar ujin dhe relativizuar fajin

Mbi të gjitha, dhuna e të korruptuarve kundër korrupsionit nuk e pastron sistemin.

Rikthen të vjetrin.

The post A rrëzohet Rama me dhunë? first appeared on JavaNews.al.

Një letër “nga brenda shtëpisë” (dhe çfarë do bëjë SPAK nëse Kuvendi bëhet Gjykatë)

18 December 2025 at 23:01

Nga Adrian Thano

Fatos Tarifa ka publikuar një letër. Është një letër e ndershme, e guximshme dhe e nevojshme.

Pika më e fortë e saj është goditja e alibisë “republika e prokurorëve”. Në Shqipëri, realisht, rreziku nuk është prokuroria e fortë, por politika e paprekshme.

– Publicitet –

Megjithëse e fortë në mesazh, letra ka kufijtë e saj.

Autori i flet shumicës nga “brenda shtëpisë”. Flet si socialist. Kjo e bën letrën më të rëndë politikisht. Nuk është sulm opozitar, por një thirrje për ndërgjegjen e deputetëve të mazhorancës.

Këtu qëndron dhe kufizimi i saj. Supozon se deputetët kanë liri vote. Nuk e kanë. Ata nuk lëvizen nga letrat morale. I gjithë sistemi aktualisht nuk vepron siç duhet, por siç i leverdis.

Letra e nënvlerëson këtë fakt.

Megjithatë letra nuk pretendon të jetë (dhe nuk ka si të jetë) një instrument ndikimi. Edhe pse nuk ndryshon votën ajo mbetet një akt dëshmues, një dokument publik. Nesër do të përdoret për të gjykuar jo Ballukun, por sjelljen e Kuvendit.

Kjo e fundit ka shumë rëndësi.

Thelbi është ky: SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit. Do të thotë se ka një dyshim penal. Kuvendi nuk gjykon fajësinë. Nuk është Gjykatë. Kuvendi gjykon vetëm nëse do lejojë Drejtësinë të bëjë punën e vet.

Çdo gjë tjetër është tym.

A duhet të hiqet imuniteti? Absolutisht PO. Pa debat politik. Pa teatër. Pse? Sepse askush nuk mund të jetë mbi hetimin, sidomos një zv/kryeministre.

Nëse Balluku është e pafajshme hetimi është shansi i saj më i mirë për ta provuar. Nëse Kuvendi e bllokon, pranon publikisht se pushteti mbron pushtetin, jo ligjin.

Po ashtu, Kryeministri. Siç thotë dhe letra e Tarifës është naive të besosh se Balluku është e pazëvendësueshme. Kryeministri ka treguar që shkarkon e ngarkon këdo me një lëvizje gishti. Papritur doli një individ i pakapërcyeshëm.

Nëse sot do dëgjojmë deputetë që flasin për Kanada të tjera që mbetën pa avionë, për stabilitet qeverisës, etj, mesazhi është i qartë. Drejtësia qenka e pavarur vetëm kur heton të tjerët.

Kryeministri rrezikon jo vetëm legjitimitetin e gjithë narrativës “ne mbështesim drejtësinë”.

Opozita nuk rrezikon asgjë. Ajo ka zgjedhur kaosin, jo argumentin. Do bërtasë, por nuk vendos gjë. Vendimi është i mazhorancës.

Sa për SPAK-un, ai do ndodhet në një situatë të kufizuar, por nuk është pa opsione. Nuk ka fuqi për të shkelur imunitetin, por ka mjete të tjera për të ruajtur hetimin. Vota “jo” nuk e ndalon plotësisht Drejtësinë përtej një periudhe kohe.

Thjesht do bëjë më të qartë në publik kush ka frikë prej saj.

The post Një letër “nga brenda shtëpisë” (dhe çfarë do bëjë SPAK nëse Kuvendi bëhet Gjykatë) first appeared on JavaNews.al.

Edhe sikur agjentët e BKH të jenë të papjekur e të nxituar, a duhet të flasë me këtë gjuhë Kryeministri?

14 December 2025 at 21:06

Nga Adrian Thano

Shkurt JO. Nuk duhet.

Kryeministri mund të ketë rezerva ndaj veprimeve të SPAK apo BKH, kjo është e drejtë dhe legjitime. Por retorika të tipit “trimoshat me patllake” janë të papërshtatshme dhe jo serioze. Mbi të gjitha janë të dëmshme.

Pozicioni flet më fort se fjala. Kur hap gojën Kryeministri, nuk presim të dëgjojmë Fevziun apo Shakohoxhën. Nëse ka pasur nxitim, papjekuri ose shkelje protokolli nga BKH, rruga e vetme është ajo institucionale. Komunikim zyrtar, reagime formale të brendshme mes institucioneve.

Shteti nuk ka nevojë për sarkazëm publike. Ai flet pak, flet ftohtë dhe flet me përgjegjësi. Ironia është luks i atyre që nuk kanë pushtet.

Pra, edhe sikur Rama të ketë të drejtë për rregullat e sigurisë, protokolli as shpallet, as mbrohet me tallje publike. Kjo nuk rregullon asgjë. Përkundrazi, e ul autoritetin e Drejtësisë, pra të Shtetit. Rrjedhimisht, edhe të vetë Kryeministrit.

Një gabim protokollar rregullohet shpejt. Dëmtimi i autoritetit të shtetit, jo. Ta zemë se BKH ka gabuar që nuk i paska dorëzuar “patllaket” brenda në hollin e Kryeministrisë. Kryeministri gabon ku e ku më shumë kur flet me këtë gjuhë jashtë në publik.

Ai tha se dëshiron që ata të korigjohen. Kjo gjuhë nuk korrigjon, delegjitimon. Këtë bën edhe gjuha e Berishës kundër drejtësisë. Ndryshon kahu, ndryshon “stili”, por funksioni është i njëjtë. Rama përdor ironinë, përçmimin, Berisha përdor fyerjen, shantazhin. U shtrembëron emrat institucioneve, gjykatësve, prokurorëve.

Shtrembërimi i emrave nuk është lapsus, është teknikë. Qëllimi është t’u hiqet dinjiteti personal hetuesve të tyre dhe rrjedhinisht besueshmëria. Kjo është metodë e vjetër populiste.

Sigurisht, Rama flet nga pushteti, Berisha si i akuzuar. Por dëmi publik është i njëjtë. “SKAP-i i partisë” dhe “trimoshat me patllake” bëjnë të njëjtën punë. Të dy e godasin drejtësinë jo në argument, por në autoritet.

Kjo reformë u ndërtua për të pavarësuar hetimet nga politika. Mesazhi që kemi marrë kohët e fundit është që sistemi duhet të funksionojë vetëm deri aty ku nuk preken “senatorët” e ardhshëm të përjetshëm.

Në një shtet me burra shteti, as Kryeministri dhe as ish-Kryeministri nuk do t’i lejonin vetes të flisnin me këtë gjuhë. Nuk është shenjë force, është shenjë frike. Por edhe vrasje e ngadaltë e shtetit të së drejtës.

Nëse ndonjëherë ky i fundit ka patur rëndësi për ta.

The post Edhe sikur agjentët e BKH të jenë të papjekur e të nxituar, a duhet të flasë me këtë gjuhë Kryeministri? first appeared on JavaNews.al.

E lëviz politika kandarin?

13 December 2025 at 09:48

Nga Adrian Thano

Belinda Balluku është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit publik. Një akuzë e tillë në Shqipëri ka një domethënie të qartë. Dyshime për favorizime, konflikt interesi, përfitime të mundshme nga kompani të lidhura.

Pikërisht për raste të tilla, ligji dhe praktika ndërkombëtare e llogaridhënies kërkojnë që zyrtarët me peshë të qendrojnë larg detyrës, derisa drejtësia të bëjë punën e saj.

Arsyeja është elementare: pushteti aktiv i një ministri ka një ndikim real mbi hetimin. Prandaj, pezullimi prej detyrës në raste të tilla nuk është dënim. Është një mbrojtje e procesit penal nga politika.

Rikthimi në zyrë përpara përfundimit të këtij procesi prodhon një sinjal të dyfishtë dhe të rrezikshëm. Së pari, tregon se statusi politik mund të mbajë një zyrtar në pozicion, pavarësisht nga serioziteti i akuzave. Së dyti, sugjeron se procedurat e drejtësisë mund të ndërpriten ose zbuten kur preken figurat më të larta të qeverisë.

Kjo e fundit është pasoja më e madhe, pasi është morale. Në epokën e Reformës në Drejtësi rikrijohet bindja se drejtësia është e pavarur vetëm për të dobëtit. Të fortët ose ata me mbrojtje politike gjejnë gjithmonë derën nga hyjnë dhe derën nga dalin. Ky është problemi real.

A duhet një zyrtar i lartë ekzekutiv të vazhdojë të ushtrojë funksionet e tij, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuza për korrupsion dhe manipulim të tenderave?

Kush ka përparësi: Funksionimi i qeverisë? Apo masat parandaluese të drejtësisë penale?

Nëse ka përparësi qeveria, edhe kur ka akuza me prova kaq të forta, atëherë përse e krijuam Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme?

Do ketë një seancë plenare publike më 22 janar 2026. Vendimi i 22 janarit do ndikojë edhe këtë të 12 dhjetorit. Por për momentin Gjykata Kushtetuese ka bërë një interpretim goxha “të gjerë” të imunitetit dhe kompetencave ekzekutive.

Nuk diskutohet vendimi i gjykatës, dakord. Por si mesazh është i gabuar. Na del se proceset gjyqësore mund të rrëshqitkan prapë si më parë, sapo politika të lëvizë kandarin.

The post E lëviz politika kandarin? first appeared on JavaNews.al.

SPAK ruan linjën Dumani – Braho, Xholi dhe pritshmëritë nga kreu i ri

11 December 2025 at 23:24

Nga Adrian Thano

Zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK qartësisht nuk ishte mes figurash kontrastuese, por mes dy profileve të forta brenda sistemit. Procesi nuk u perceptua si përballje. Në këtë kuadër, vendimi final ishte më shumë çështje prioritetesh se sa ndryshimi cilësish tek kandidatët.

Klodian Braho, tashmë i zgjedhur, reflekton bindjen se SPAK dëshiron të vazhdojë frymën “Dumani” të dy-tre viteve të fundit.

Por po aq me peshë ka qenë edhe kandidatura e Adnan Xholit, e cila meriton të vlerësohet hapur dhe qartësisht. Xholi përfaqëson modelin e prokurorit institucional, të qetë dhe të ekuilibruar, me përvojë të gjerë dhe një kulturë të fortë juridike.

Çfarë i mungoi për të fituar? Jo doemos meritë. Ndoshta vetëm shkëlqimi për të krijuar momentumin publik. Ai nuk është prototipi i prokurorit që “bën tituj lajmesh” çdo javë.

Por pikërisht kjo qetësi e tij profesionale ka qenë gjithmonë pjesë e forcës së vet. Adnan Xholi është ndër prokurorët që ka shpartalluar disa prej bandave më të paprekshme në vend, duke çuar para hetime të ndërlikuara dhe dosje të rënda. Megjithatë, ai ka zgjedhur të mbetet larg dritave të forta, duke mos e kapitalizuar publikisht punën e tij dhe duke ruajtur një profil të ulët e të matur.

Modestia e tij profesionale nuk u përkthye patjetër në avantazh në një garë ku ekspozimi mediatik është bërë pjesë e pritshmërisë publike.

Sidoqoftë, zgjedhja e Brahos nuk është revolucion, por një kalim stafete brenda një strukture që tashmë ka ritmin e vet. Vetë zgjedhja mes Brahos e Xholit dha mesazhin e qartë që SPAK kërkon vazhdimësi. Pas Dumanit, nuk kërkon të ngadalësojë marshin.

Ndërkohë, çdo zgjedhje drejtuesi në SPAK lidhet automatikisht me pritshmëritë e larta të publikut. Emri i ri në krye të SPAK tashmë nuk shihet thjesht si një funksionar.

Edhe pse SPAK ka bërë hapa të rëndësishëm dhe ka thyer mitin e pandëshkueshmërisë politike, mbetet një njollë e dukshme pamundësia deri tani për t’u marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë me Sali Berishën, një figurë që vazhdon të jetë qendrore në debatin për llogaridhënien politike në vend.

Për një pjesë të madhe të opinionit, ky boshllëk krijon kontrast me dosjet e tjera ku SPAK ka qenë i vendosur dhe efektiv, duke ngritur pyetjen nëse ka ende kufij të padukshëm që nuk janë kaluar plotësisht.

Në këtë kontekst, drejtuesi i ri, cilido qoftë, trashëgon jo vetëm detyrat teknike të funksionit, por edhe barrën e pritshmërive për ta adresuar këtë disproporcion. Për Brahon kjo është sfidë, ndërsa për Xholin mbetet meritë e heshtur – (dikur e ka thirrur Berishën në pyetje kur nuk i afrohej askush) – që nuk u shfrytëzua në këtë garë.

The post SPAK ruan linjën Dumani – Braho, Xholi dhe pritshmëritë nga kreu i ri first appeared on JavaNews.al.

Saliu, Salianji dhe Sahati

8 December 2025 at 08:15

Nga Adrian Thano

E vërteta është e thjeshtë. PD nuk ka më kapacitet organik të prodhojë elitë të re, sepse ka humbur mekanizmin për të përzgjedhur dhe promovuar profile të reja politike. Për fat të keq, jo vetëm PD. Në çdo rast, lëvizjet si kjo e Salianjit janë simptomë e krizës, jo zgjidhje e saj

A ka PD ende kapacitet të prodhojë elitë të re dhe kulturë të re politike? Nëse gjykojmë sipas “lëvizjes” më të fundit,  përgjigja nuk duket inkurajuese. Një parti që ka humbur rrënjët intelektuale dhe aftësinë për të përzgjedhur njerëz mbi bazë meritokracie, vështirë se mund të prodhojë “të rinj” politikë që të jenë vërtet alternativë.

Për fat të keq, kjo tani, nuk vlen vetëm për PD-në.

Salianji, i dënuar ligjërisht për mashtrim, është simboli i një gjenerate politike që nuk është e re në mendësi. Thjesht është më e re në moshë. E kemi parë mirë së fundmi që mosha nuk jep asnjë garanci për kulturë të re politike.

Të vjen për të qeshur e për të qarë kur lexon ‘doktorin e vogël’ që bashkë-udhëton me Salianjin të sqarojë me nxitim që nuk e kanë me ‘doktorin e madh’. Po me kë e kanë?

Këto janë modele të vjetra në versionin junior. Ajo që duhet kuptuar është se partitë që kanë qeverisur tri dekadat e fundit, e kanë mbyllur ciklin. Dikur këtë ma profetizonte Moikomi i ndjerë (e quante vdekja e bardhë). Qeshja. Por paska patur të drejtë.

Këto parti kanë lindur në atmosferën e kontrolluar të dhjetorit ’90, ku lëvizja studentore bashkëjetoi me regjinë politike të vonuar të Ramiz Alisë. Strukturat dhe reflekset e tyre burojnë nga një epokë që nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë e sotme. Janë ndërtuar që prej fillimit mbi logjikën e liderit dominant, jo mbi institucione partiake. Edhe PS që ishte disi ndryshe para Ramës, tani është një ulli i tharë, i djegur deri në rrënjë.

Ju ftoj t’i shihni sot nga një distancë higjenike partitë tona, të vjetra e të reja. E vini re që nuk prodhojnë platforma ideologjike, por vetëm ngjarje dhe reagime?

Ka gjithnjë e më pak arsye për të besuar se mund të reformohen realisht. PD qartazi nuk është më një organizatë politike e jetueshme. Është një instrument personal i Berishës, i cili po e tërheq drejt fundosjes me të njëjtin instinkt me të cilin një pronar ruan pasurinë private. Mënyra si merr vendime, si shpërthen konfliktet e brendshme, si përdor retorikën, gjithçka dëshmon një kulturë “familjare” më shumë sesa institucionale.

Në këtë realitet, përpjekjet si “lëvizja Salianji” janë shenja konsumimi, nuk janë shenja jete. Janë tentativat e fundit të një strukture që nuk kontrollon më as bazën, as idenë politike, as të ardhmen e saj. Pra, janë simptomë e krizës, jo zgjidhje e saj. Ato shfaqen, jo sepse partia ka hapësirë për inovacion, por sepse vakumi drejtues e toleron çdo aktor që kërkon protagonizëm

Po zgjidhja? Si është zgjidhja? Si ndërtohet një opozitë e re?

Një opozitë e re absolutisht nuk ndërtohet duke rifreskuar fasadën e vjetër. As me figura që lëvizin brenda të njëjtit rreth vicioz. Nuk ka si të lindë nga grupimet që riprodhojnë kulturën politike të së shkuarës, nga këta që si fillim qetësojnë “kryetarët” që nuk kanë gjë me ta.

Një opozitë e re kërkon tre themele, pa të cilat çdo nismë mbetet imitim i së vjetrës.

Së pari, duhet një ide e re politike. Një vizion i ngjizur mbi realitetin e sotëm, mbi shtetin modern, ekonominë digjitale, liritë qytetare, rilidhjen e politikës me jetën reale të njerëzve. Shqipëria nuk ka më asnjë arsye të rikthehet te mitologjitë e viteve ’90, Enverin, ‘antikomunizmin’ bajat me krahasimet koreane apo traumat që sot nuk komunikojnë me asnjë brez.

Ajo ka nevojë për një narrativë që flet për vendin ashtu siç është sot: një vend nga i cili qytetari po largohet sepse nuk sheh të ardhme, ndërsa politika vijon të mbështetet mbi klane, fijet e vjetra të patronazheve dhe ‘ekonomi’ tenderaxhinjsh që ndërton pasuri për ca fodullë me gojë të madhe e mendje të vogël, por jo institucione.

Kjo e fundit është kaq e dukshme dhe vulgare. Siç thoshte në një shkrim Lorenc Vangjeli këta kanë veshur të gjithë atë bluzën e budallait. Klientela politike që ushqehet nga kjo skemë është vendosur sot në ca lagje luksoze të periferisë së Tiranës, rrethuar me mure të larta, kamera dhe roje private. Janë të bindur se mund të izolohen nga realiteti që vetë kanë krijuar. Nga çfarë i mbrojnë ato mure? Nga ne të tjerët? Ndoshta, por jo nga e vërteta.

Së dyti, duhet një brez i ri njerëzish, i pakomprometuar me ciklet e vjetra të pushtetit dhe këtyre rraqexhinjve të pasuruar me blloqe politike. Njerëz që nuk kanë pasur nevojë të mbijetojnë në ekonominë e klientelizmit të shpifur të këtyre viteve. Jo figura që kanë bërë karrierë brenda partive të vjetra, por individë që hyjnë në politikë me një biografi morale të lexueshme.

Së treti, kërkohet një mënyrë e re organizimi, përtej skemave piramidale të partive ku gjithçka përfundon tek një lider i përjetshëm. Një opozitë e re duhet të ndërtohet nga poshtë–lart, e bazuar në komunitete, në komunikim horizontal me shoqërinë. Një hapësirë ku pushteti i brendshëm nuk betonizohet rreth një familjeje, një klani, apo një njeriu të vetëm siç janë katandisur sot jo vetëm të vegjlit, por edhe “partitë e mëdha” (!)

Vetëm kur këto tre kushte bashkohen: ide e re, njerëz të rinj dhe një kulturë e re organizimi, opozita do jetë reale dhe e besueshme. Vetëm atëherë Shqipëria mund të dalë nga simulimi i pluralizmit, duke hyrë në një fazë të re politike. Ky ndryshim nuk shpallet me ca foto “sallash të mbushura plot” dhe oburra. Ky ndërtohet.

Në rrethanat e sotme kjo  kërkon kohë dhe sidomos një brez të ri që nuk e shikon politikën si karrierë, por si përgjegjësi. Sidoqoftë është fare e qartë që opozita e vjetër nuk reformohet më, ajo vetëm zë vend. Është mjerim të shpresosh prapë tek këta.

Jam duke thënë që opozita e re, kur t’i vijë sahati, nuk do lind “nga brenda”. Do vijë nga jashtë sistemit që i ka konsumuar të gjithë.

The post Saliu, Salianji dhe Sahati first appeared on JavaNews.al.

Një goditje serioze për imazhin e administratës evropiane (mesazhi i rastit Mogherini për vendet kandidate si Shqipëria)

2 December 2025 at 22:47

Nga Adrian Thano

Arrestimi i Federica Mogherinit, një prej figurave më të njohura të diplomacisë së BE -së, aktualisht rektore e një shkolle elitare të formimit diplomatik, është një nga tronditjet më të mëdha institucionale që ka përjetuar Brukseli.

Ngjarja është e pazakontë jo vetëm për shkak të profilit të lartë të të ndaluarës, por sepse përfshin tri hallka të arkitekturës politike evropiane: Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Kolegjin prestigjioz të Europës, dhe vetë European Public Prosecutor’s Office (EPPO). Ky i fundit është një institucion i ri që me këtë lëvizje dëshmoi se nuk ndalet para askujt pavarësisht presionit politik.

Me sa kuptohet nga raportimi në mediat italiane dhe belge, dyshimet e EPPO janë për manipulim tenderësh, shpërdorim fondesh dhe konflikt interesi. Akuzat janë ende të paverifikuara por kjo ngjarje e prek në zemër modelin evropian të transparencës dhe meritokracisë.

Për shumë vite është pretenduar me njëfarë vetëkënaqësie institucionale se Brukseli ishte imun ndaj korrupsionit. Ishte krijuar ideja se korrupsioni është një problem i atyre “jashtë Unionit”. Rasti Mogherini e çan këtë fasadë.
Megjithëse nuk është incident i izoluar (Qatargate) është hera e parë që një ish-shefe e diplomacisë së BE-së merret e dyshuar në një hetim të kësaj natyre. Për më tepër roli i saj publik shoqërohej me retorikën për sundimin e ligjit, transparencën, antikorrupsionin, etj.

Kjo që ndodhi krijon një kontrast të fortë. Institucionet e BE do përballen nga nesër e tutje me një krizë jo të lehtë besueshmërie në raport me të tjerët.

Mogherini ka qenë një aktore kyçe edhe në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ajo mbrojti hapjen e negociatave dhe promovoi reformën në drejtësi. Është e pamundur që arrestimi i saj të mos shoqërohet këtej nga anët tona me ironinë e madhe politike: personi që predikoi standardet e BE-së, qenka vetë nën hetim për shkelje të rënda ndaj këtyre standardeve.

I rëndësishëm do jetë impakti te Kolegji i Europës në Tiranë. Mogherini është rektore e këtij institucioni, ndërsa degët e tij, përfshirë atë shqiptare, janë prezantuar si vlera të europianizimit të administratës.

Institucioni me shumë gjasa tani do jetë nën vëzhgim të rreptë dhe do ketë nevojë për transparencë të shtuar për të shmangur efektet zinxhir. Kjo është e pashmangshme dhe më e pakta.

Nuk duhet shumë imagjinatë: skandali do t’u japë frymëmarrje euroskeptikëve, por edhe këtyre tanëve që e ndryshojnë flamurin sipas erës dhe e shesin çdo sapun për djath politik.

Në fakt medalja ka gjithmonë dy anë. Hetimi e dëmton vërtetë rëndë imazhin e institucioneve të BE-së, por njëkohësisht provon se sundimi i ligjit në Evropë nuk njeh emra të paprekshëm. Kur BE bëhet kaq e rreptë me veten, ky do jetë edhe standardi që pret nga vendet aspirante: një sistem që gjen kurajon të hetojë edhe më të fuqishmit e vet.

Përfshirë këta që sot gëzohen dhe e përdorin rastin si kallash politik. Nesër ndoshta do jenë vetë më të ekspozuar se kurrë për shkak të ngritjes së stekës. Eksitimi mund t’ia lejë vendin habisë: Si ka mundësi që vendi ku zakonisht struken nuk qenka më aty?/ Dita

The post Një goditje serioze për imazhin e administratës evropiane (mesazhi i rastit Mogherini për vendet kandidate si Shqipëria) first appeared on JavaNews.al.

Data që vlejnë vetëm nëse na drejtojnë shpinën

30 November 2025 at 11:47

Nga Adrian Thano

Çfarë është 28 apo 29 Nëntori kur i shohim nga dritarja e historisë? Nëse mbeten vetëm data çlirimi të shumë viteve më parë, nga armiq që sot i kemi miq, ato do të zbehen. Në mos janë zbehur tashmë tek brezi i ri. Nga zbehja apo zhvlerësimi i shpëton vetëm kuptimi i sakrificës që mbajnë mbi shpinë.

Për këtë arsye, sherri pafund nëse çlirimi erdhi më 28 apo 29 Nëntor apo ai tjetri se se sa është numri real i dëshmorëve, janë debate bosh. Historia nuk matet me një ditë në kalendar dhe asnjë shoqëri e pjekur nuk e ngushton sakrificën e madhe tek një numër.

Ata që e çuan këtë sakrificë deri te jeta e tyre, para se të jenë varre dhe data janë një vijë e qartë mes nënshtrimit dhe dinjitetit. Një vijë që ndahet mes pranimit të dhunës dhe kërkimit të lirisë.

Përkulje apo qëndrim? Kjo është trashëgimia e tyre në kohë paqeje, përtej dyfekut. Jo numrat. Është trashëgimia e zgjedhjes për të qëndruar drejt në ato momente kur gjithçka rreth teje të shtyn të përkulesh. Kjo është më e vështirë për t’u mbajtur se varrezat që ua kemi thyer. Është më e vështirë sepse kërkon përditë që të rinovosh aktin tënd të brendshëm të lirisë.

Sot ka pushtime pa armatim por që janë më të rënda se plumbi. E lodhin njeriun ngadalë, derisa t’i duket e natyrshme përkulja. Pushtimi i ndërgjegjes, kur e pranon gënjeshtrën si normalitet. Pushtimi i institucioneve, kur e kthen ligjin në dekor. Pushtimi i shpresës, kur e bën njeriun të besojë se asgjë nuk ndryshon. Pushtimi i medias, kur e shndërron informacionin në mjegull.

Këto janë të gjitha pushtime të padukshme që vijnë në formën e gjunjëzimit moral. Ta vendosin po njësoj dinjitetin në provë.

Ndaj çlirimi nuk përmbyllet kurrë. Është një proces i brishtë që kërkon të kultivohet përditë: A po qëndroj drejt, apo po mësohem pak nga pak me përkuljen? Nëse këtë pyetje nuk ke guximin t’ia bësh vetes, hiqe atë flamur që valëvit nga stoli i stadiumit, dritarja e makinës apo ballkoni i shtëpisë.

Është vetëm dekor, nuk është nderim.

The post Data që vlejnë vetëm nëse na drejtojnë shpinën first appeared on JavaNews.al.

Për foltoren, socialistët dhe ata që pyesin: Po populli ku është

27 November 2025 at 12:35

Nga Adrian Thano

Shpesh dëgjojmë se shqiptarët “nuk ngrihen”, “nuk protestojnë”, “nuk reagojnë”. Por kjo është vetëm një nga ato mite që politika, në të gjitha ngjyrat e saj e ushqen për t’u vetëjustifikuar.

E vërteta është e thjeshtë dhe brutale: shqiptarët kanë protestuar. Dhe janë vrarë për këtë. Ajo që po ndodh nuk është mungesë reagimi. Është një reagim më i thellë, më i qetë, më i ftohtë dhe më i pamëshirshëm: ikja.

Ikja është një akt politik. Kur qindra mijëra të rinj dhe familje lënë vendin, ata nuk po kërkojnë vetëm një jetë më të mirë. Ata po i dërgojnë politikës shqiptare një mesazh që s’ka asnjë nevojë për megafon: “Ne nuk ju besojmë më”.

Ikja është vota më e qartë kundër një klase politike që prej 30 vitesh nuk ka qenë në gjendje të prodhojë siguri për të nesërmen; të ushqejë ndjenjën se përpjekja e ndershme të çon diku. Ikja është një lloj referendumi i heshtur, ku kutitë e votimit janë aeroportet dhe portet.

Protesta klasike kërkon guxim, por protesta e ikjes përfaqëson diçka më të thellë. Është heqja dorë nga besimi se ky vend mund të ndryshojë përmes partive të sotme, përmes liderëve të konsumuar apo institucioneve që qytetarët nuk i shohin më si të tyre.

Ne jemi popull i rraskapitur nga tradhtia. 21 janari ishte kulmi i një zemërimi popullor ndaj korrupsionit dhe arrogancës së pushtetit. Doli populli, pa thika, pa armë. Doli vetëm me zhgënjimin. Dhe çfarë ndodhi? U vra me plumba. Për çfarë? Për të parë pastaj se si partia që i ngriti ata në protestë dhe partia që ishte akuzuar për korrupsion bashkuan duart, më pas në qeverisje të përbashkët sikur gjaku i protestuesve të mos kishte rëndësi.

A duhet që sot njerëzit të kthehen prapë në shesh, të rrihen, të goditen me gaz lotsjellës, të vriten? Për çfarë? Për një opozitë që nuk jep asnjë garanci se është ndryshe nga pushteti që denoncon?

Shqiptarët nuk ikin se nuk dinë të protestojnë. Shqiptarët ikin sepse nuk i besojnë më askujt. Çfarë ironi e hidhur që njeriu nën mandatin e të cilit u vra protesta më e madhe qytetare në 30 vjet, 21 Janari, sot ankohet se “shqiptarët nuk protestojnë më”. Është absurde të kërkosh turmën që vetë e vrave. Nëse ky paradoks i shpëton atij apo atyre që sot vajtojnë mungesën e popullit në protesta, atëherë problemi nuk është tek populli, por tek kjo “elitë politike” që nuk e marrka vesh se heshtja është plagë që e kanë shkaktuar vetë.

Në një kënd të majtë politik, ikja është edhe simptomë e një sëmundje të vjetër: mungesa e shtetit social, deformimi i plotë i solidaritetit shoqëror. Në një vend të qeverisur nga një parti që e quan veten socialiste, arsimi, shëndetësia, rendi, siguria janë zhveshur nga funksioni i tyre publik dhe janë kthyer në shërbime të cilat u jepen vetëm atyre që kanë mundësi të paguajnë. Paraja është bërë “fe” kombëtare. Në këtë terren pabarazie, ku shteti tërhiqet dhe qytetari lihet vetëm, pse çuditemi nga ikja? Është pasojë direkte e një “socializmi” që të tillë ka vetëm emrin, sepse i ka braktisur njerëzit shumë përpara se njerëzit ta braktisnin vendin.

Pra kë të zgjedhësh? E ashtuquajtura e djathtë mbron interesat e një grushti, më saktë të një familje. E ashtuquajtura e majtë përfundoi duke ndërtuar një elitë të re privilegjesh. Partitë e reja që duhej të sillnin çarjen e murit, u konsumuan shpejt në personalizma, pazare të vogla, mungesë vizioni. Populli ka vetëm daljen.

Këtu qëndron drama e madhe: ikja është protestë, por është edhe një dorëzim kolektiv. Është një protestë që dëmton pikërisht atë që kërkon të mbrojë: fabrikat e mendjeve, duarve, të ardhmen.

Por i ikuri nuk është i pabesë. I ikuri është dikush që ka kuptuar se sistemi nuk ka ndërmend të ndryshojë, se rotacioni është një mashtrim i vjetër, se politika shqiptare është riorganizim kastash.

A do të rikthehet protesta klasike? Më shumë sesa një pyetje, kjo është një dilemë thelbësore. A ka një pikë ku një popull e kupton se largimi është vetëm një arratisje, jo një zgjidhje? A ka një pikë ku angazhimi kolektiv (ajo që e majta e quan “dinjitet social”) rikthehet për të kërkuar një shtet që funksionon?

Kjo do të varet nga një faktor i vetëm:
A do të lindë ndonjëherë një opozitë që frymëzon, jo vetëm instrumentalizon?
Deri atëherë, aeroportet do të mbeten sheshet tona të protestës, të qeta, të rregullta, të heshtura, por më politike se çdo miting apo foltore.

The post Për foltoren, socialistët dhe ata që pyesin: Po populli ku është first appeared on JavaNews.al.

Gjuha u bë shteti i parë i shqiptarëve, para se ai të vinte në 1912

24 November 2025 at 14:27

Nga Adrian Thano

Para se të fitonim pavarësinë, fituam diçka po aq të rëndësishme: aftësinë për të folur dhe shkruar si komb. Në histori kjo mbetet një provë e fortë se gjuha, më shumë se çdo institucion tjetër, ka fuqinë të jetë atdheu i parë i një populli

Kur flasim për shtetin shqiptar, zakonisht mendojmë për 28 Nëntorin 1912, shpalljen e pavarësisë, flamurin në Vlorë dhe aktin politik të daljes nga Perandoria Osmane. Por nëse kthehemi pas, e kuptojmë se shteti shqiptar, në kuptimin thelbësor të fjalës, kishte nisur të ndërtohej shumë më herët.

Institucioni i parë i vërtetë që krijuan shqiptarët nuk ishte qeveria, ushtria apo administrata: ishte gjuha. Kongresi i Manastirit i vitit 1908 ishte më shumë se një mbledhje intelektualësh. Në mungesë të një shteti, Kongresi funksionoi si parlamenti i parë kombëtar. Delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, nga Shkodra në Korçë, nga Janina në Kosovë, nga diaspora në Bukuresht, Sofje e Stamboll, u ulën në të njëjtën tryezë për të marrë një vendim që do të formësonte fatin e kombit: unifikimin e alfabetit.

Ky vendim nuk ishte teknik. Ishte politik në kuptimin më të pastër. Duke zgjedhur një alfabet të vetëm, shqiptarët krijuan një hapësirë të përbashkët komunikimi ku shkolla, shtypi, librat, mësuesit dhe patriotët mund të flisnin të njëjtën gjuhë të shkruar. Në një kohë kur nuk kishin institucione shtetërore, kjo gjuhë u bë institucioni që i përfaqësonte të gjithë.

Ajo ishte “administrata” që bashkërendonte mendimin kombëtar, “kushtetuta” që i dha formë identitetit. Për herë të parë në histori, shqiptarët kishin një mekanizëm të përbashkët me të cilin mund të organizonin ekzistencën e tyre kolektive. Çdo shkronjë e alfabetit të Manastirit ishte një tullë në themelin e një ndërtese që ende nuk ekzistonte fizikisht: shteti shqiptar.

Vendimi për alfabetin latin i çliroi shqiptarët edhe nga ndarjet fetare dhe ndikimet e huaja që deri atëherë  përcaktonin shkrimin: disa përdornin alfabet arab, disa grek, disa latin. Me Kongresin, gjuha mori sovranitet. Është e rrallë në histori që një komb të arrijë më parë sovranitet kulturor sesa sovranitet politik, por kjo është ajo që ndodhi te shqiptarët.

Pas 1908-s, shtypi shqip u shpërnda kudo, shkollat shqipe u hapën me ritëm, diaspora u organizua, patriotët ndërkombëtarë gjetën një bosht të përbashkët. Në thelb, Shqipëria nisi të ekzistonte si realitet kulturor katër vjet para se të njihej si realitet politik. Kjo është arsyeja pse shumë studiues thonë se pavarësia e 1912-s ishte e mundur vetëm sepse alfabeti kishte bërë punën e tij më parë: kishte krijuar shqiptarët si bashkësi të vetëdijshme.

Prandaj mund të thuhet me plot gojën: gjuha ishte shteti i parë i shqiptarëve. Ajo i dha kombit identitet, drejtim, kohezion dhe një truall shpirtëror ku mund të ngrihej më pas shteti fizik. Pa alfabetin e Manastirit, Shqipëria e 1912-s do të kishte qenë shumë më e brishtë, madje ndoshta as nuk do të kishte ardhur në atë formë.

E fituam aftësinë për të folur dhe shkruar si komb, para se të fitonim pavarësinë. Në histori kjo mbetet një nga provat më të forta se gjuha, më shumë se çdo institucion tjetër, ka fuqinë të jetë atdheu i parë i një populli.

The post Gjuha u bë shteti i parë i shqiptarëve, para se ai të vinte në 1912 first appeared on JavaNews.al.

Armiq ditën, ortakë natën

22 November 2025 at 18:17

Konflikti politik në Shqipëri është shpesh një teatër i mirë-orkestruar. Tenderi me vlerë rreth 20 milionë euro i Unazës, i dhënë me kritere të qepura, sipas SPAK, shfaqet edhe si një “grafi” e sistemit politik në Shqipëri: Prapa fasadës së luftës, është aleanca e parave.

Dosja e fundit e SPAK mbi abuzimet e dyshuara të Belinda Ballukut dhe bashkëpunëtorëve, zbulon për publikun më shumë sesa shkelje proceduriale.

Kjo garë e paracaktuar nga krahu i djathtë i kryeministrit Rama, shfaqet edhe si një grafi e sistemit politik në Shqipëri. Aty konfirmohet ajo që përflitet gjerësisht në Tiranë: Paraja e korrupsionit nuk ka ngjyrë partiake; prapa fasadës së luftës, është aleanca e parave.

Televizioni Report TV dhe Shqiptarja.Com kanë botuar detaje të dosjes, nga të cilat del qartë që tenderi me vlerë rreth 20 milionë euro i Lotit IV të Unazës së Tiranës është dhënë me kritere “të qepura”. Por jo vetëm.

(përgjimet mund të lexohen duke klikuar KËTU)

Më herët Mero Baze ka faktuar lidhje të tipit “prestanome” mes fituesit të tenderit dhe familjes Berisha (Shkëlzen Berisha). Të njëjtët u shfaqën edhe në lejen e ndërtimit lëshuar nga qeveria “armike” për kullën në qendër të Tiranës.

(shkrimi për vilat në Rolling Hills mund të lexohet duke klikuar KËTU)

Ky rast nuk ilustron vetëm se si pushteti politik është konvertuar në pasuri të mëdha financiare për politikanët dhe rrethin e ngushtë familjar që tashmë jeton veç nga “plebejtë”, në lagje luksi të rrethuara. Ai nxjerr në dritë edhe mekanizmin e fshehtë: armiqësia publike është mbulesë për ortakërinë ekonomike.

Ky teatër “armiq ditën, ortakë natën” është aspekti më cinik i kësaj dosjeje për ata qytetarë që duan të shkojnë përtej tifozërisë së verbër partiake.

Në parlament dhe studio televizive palët akuzojnë njëra-tjetrën për “non-grata”, “regjim”, apo “hajdutëri”. Por në prapaskenë, mekanizmat burokratikë punojnë për të ushqyer financiarisht “kundërshtarët”. Emrat që marrin leje ndërtimi dhe tendera strategjikë janë të njëjtët që shërbejnë si bankomatë apo streha luksi për familjarët e të dy “krahëve”.

Nuk janë dy “kampe” politike, janë një grup i vetëm interesi.

Militantët dhe publiku ushqehen me urrejtje dhe polarizim, ndërkohë që kjo “elitë” pavarësisht logos partiake, bashkëjeton në harmoni të plotë financiare, duke ndarë mes vetes tendera, leje ndërtimi dhe pasuri publike të vendit.

The post Armiq ditën, ortakë natën first appeared on JavaNews.al.

Merr fund enigma, zbardhet kush e ka zhdukur letrën e SPAK për doktorin

14 November 2025 at 20:02

Nga Adrian Thano

I dashur doktor,

Ti ke qenë gjithmonë transparent për 21 janarin. Për një dekadë e gjysmë u ke çjerrë maskën gjithë puçistëve që nuk puçizuan dot as veten, terroristave me çadëre që u bënë pisqolla, pisqollat që u bënë kallash, kallashët që përfunduan lapsa. Kur këto u shkrinë si bora në bjeshkë, bëre deklaratën epike se po të ishte nevoja, do vrisje edhe 300 të tjerë, madje edhe vetë Edvinin e zi.

Ku ka nevojë një repertor i tillë heroizmi, një trim i tillë baladash të fshihet pas rojes së pallatit. Jo more zotëri, ti nuk fshihesh as pas rojes, as pas fletëve. Fletët fshihen pas teje.

Ti si gjithmonë je shumë më lart se procedurat, sesa postierët, sesa letra që humbasin rrugës. Ti je ai që e njeh drejtësinë më mirë se drejtësia vetë, aq sa në vend që të të thërrasin ty, duhet t’i thërrasësh ti ata të SPAK-ut e t’u japësh ca udhëzime.

Një copë letre përballë gjithë kësaj opulence nuk është asgjë. Letrat janë për njerëzit e zakonshëm. Ti je doktor. Ti nuk pret thirrjen, ti e paralajmëron thirrjen! E ke thënë vetë, me mijëra herë, para mikrofonëve, që Skapi i Ramës nuk të tremb. Sepse je njeriu që, sipas teje, ka pasur gjithmonë të drejtë. Dhe të drejtët, siç dihet, shkojnë vetë në prokurori, si kalorës të dritës, për të pastruar emrin e tyre.

Si të mos shkosh vetë, o doktor? E vërteta do triumfojë. Nëse triumfon, aq më mirë për ty. Nëse s’triumfon… prapë do gjesh një arsye pse nuk triumfoi. Ti ke furnizim të pashtershëm. Ke kapërcyer çdo logjikë, çdo fakt, çdo autopsi, çdo provë video, çdo gjë që bota e ka parë me sy. Do ta kapërcesh edhe këtë letrën.

Andaj, mos u merr me postën, doktor. Nuk ka rëndësi nëse ka ardhur letra, apo nëse u tremb postieri i gjorë nga emri yt. Rëndësi ka që ti, trim i pashoq, i pastër si bilbili në pranverë të ngrihesh e të shkosh vetë në SPAK. Kështu, pa formalitete. Bëhu si gjithmonë hero i vetëshpallur, dhe tregoju se nuk të tremb as ftesa, as e vërteta, as e kaluara.

Në fund të fundit, për ty, kjo nuk është as dramë, as krizë. Është thjesht episodi i radhës i serialit të gjatë që ke shkruar vetë

Pa ironi të përkorë,

ai qytetari që të ka dëgjuar për 14 vjet me adhurimin që meriton vetëm saga jote e pafundme

The post Merr fund enigma, zbardhet kush e ka zhdukur letrën e SPAK për doktorin first appeared on JavaNews.al.

Barokqeveri

12 November 2025 at 14:41

Nga Adrian Thano

Në Romë ka shumë vila madhështore, por pak janë si Villa Doria Pamphili, një pallat i shekullit XVII me kopshtet aristokratike që shtrihen sa një lagje e tërë. Dikur ishte rezidenca e familjes Pamphili, që la gjurmë në historinë papnore; sot është skena e preferuar e qeverive për t’u takuar mes gurëve të lashtë dhe kamerave 4K.

Aty ku dikur flitej për shpëtimin e shpirtit, sot flitet për fondet e BE-së dhe marrëveshjet e migracionit. Nuk mungon sigurisht ceremoniali barok: kolona, mozaikë, trëndafila që u bëjnë sfond fjalimeve për bashkëpunim të ndërsjellë.

Pikërisht këtu, në këtë amfiteatër luksi, do të takohen qeveria shqiptare dhe ajo italiane. Do të jetë mbledhja e parë mes dy qeverive; edhe më bukurania padyshim. Një shenjë miqësie mes popujve? Sigurisht. Por edhe një kujtesë se politika moderne e do shumë skenografinë.

Italia e Melonit dhe Shqipëria e Ramës e kuptojnë njësoj rëndësinë e imazhit. Pamja, ndriçimi, tapetet dhe “kuadri historik” peshojnë po aq, ndoshta më shumë, se vetë përmbajtja.

Andaj, jo vetëm Italia, që shpiku barokun, po edhe Shqipëria e vogël, vjen me të njëjtën drithërimë përballë pasqyrave të veshura me ar të vilës Pamphili. As qeverisë së saj nuk i mungon dashuria për luksin dhe koreografitë.

Kushedi sa udhëzime të detajuara me ton të tendosur po shpërndahen në telefonat ministralë për pamjen. Kostumet, grimi, pozat duhet të jenë perfekt të koordinuara me llambadarët dhe freskot e vilës Pamphili. Çfarë ndjesie e thellë të bëhesh i bukur për historinë!

Të gjitha këto plus titujt e mëpasëm në media do ta bëjnë këtë moment të madh, serioz dhe imponues.

Dikush mund të thotë që do ishte mirë që në kohët e sotme, kaq të vështira dhe sfiduese për popujt, qeveritë të bëjnë më pak shpenzime për luksin teatral e më shumë politikë që u shërben njerëzve; që vendi i takimit apo pamja e dekorit të jenë më modeste, etj, etj.

Baah! Këto janë broçkulla baroke!

Nesër ministrat do të kalojnë të freskët e të parfumosur përmes aeroportit të Rinasit, drejt vilës së trëndafilave rokoko. Do kalojnë pikërisht aty ku një ditë më parë u derdh gjak. Një tjetër vrasje, këtë herë në portën hyrëse të vendit, si për t’u kujtuar atyre që siguria është barok vetëm në fjalime, ndërsa në terren, skena është më shumë gotike.

Por mos u shqetësoni. Për momentin asgjë nuk i pengon fluturimet mbi re luksi. Dhe mbi realitetin.

The post Barokqeveri first appeared on JavaNews.al.

Mjerim nuk është të jesh i varfër. Mjerim është të kapardisesh në luks dhe t’i thuash vetes socialist

9 November 2025 at 20:22

Nga Adrian Thano

Një grua nga periferia del në rrugë për të protestuar, me fotografinë e burrit të vdekur në minierë, në dorë. Nuk ka pamjen e zonjave firmato të parlamentit, qeverisë, opozitës që flasin për fuqizimin e gruas nga sallat me ajër të kondicionuar. Sytë e saj janë të lodhur, gishtat të rrudhur, flokët të parregullt, si fjalët që thotë. Por pamja e saj flet më shumë se çdo fjalim apo konferencë për media.

Ajo është fytyra e padrejtësisë sociale në një vend që qeveriset nga socialistë.

Prej disa javësh, minatorët e Spaçit në veri kërkojnë legjitimimin e sindikatës dhe siguri në punë; ndërsa naftëtarët e Marinzës në jug kërkojnë një pagë që t’i mbajë gjallë mes tymit dhe helmeve të naftës.

Dy realitete, dy skaje të vendit, por e njëjta gjuhë: gjuha e njeriut të papërfaqësuar, të lënë pas, që kërkon pak vëmendje nga një Tiranë ku çdo ditë shfaqet luksi i pacipë i atyre që i drejtojnë: Përgjime ku milionat e eurove zhduken si pesëleksha, makina që kushtojnë sa një galeri e tërë kromi, orë që vezullojnë mbi kyçet e korrupsionit, darka ku gromësijnë të vetëkënaqur ata që firmosin koncesione të paguara me djersën e atyre që nuk kanë as oksigjen.

Ironia është therëse: Shqipëria qeveriset prej vitesh nga një parti që e quan veten të majtë. Tetëdhjetë e tre deputetë majmen me etiketën “socialistë”. Asnjë prej tyre, hiq ndonjë postim jo zyrtar, nuk pipëtin për Spaçin dhe Marinzën. Kanë harruar thelbin e së majtës: mbrojtjen e klasës punëtore, barazinë sociale, dinjitetin e punës. Në vend të tyre, kemi ligje speciale që i shërbejnë kapitalit.

Punëtori, dikur shtylla morale e së majtës, është kthyer në një fjalë të bezdisur që nuk përdoret më as në fjalime. Pasunarët tanë të rinj i sikletos mjerimi. Por mjerim i vërtetë nuk janë ata që luftojnë për frymëmarrje. Mjerim është të kapardisesh në luks dhe t’i thuash vetes socialist. Nuk ka mjerim më tragjik dhe më qesharak se falsiteti.

Fatkeqësisht, edhe pjesa tjetër e shoqërisë sonë, e marrosur pas lekut, ka zgjedhur të mos i hedhë sytë aty ku jeta shkurtohet për pak euro në ditë. Ka mungesë ndjeshmërie dhe solidariteti. Një shoqëri që nuk mbron dinjitetin e atyre që punojnë, jo vetëm e majtë apo e djathtë nuk është, por nuk është më fare shoqëri.

Është një treg i ndotur, ku shitet e blihet çdo gjë. Edhe shpirti.

The post Mjerim nuk është të jesh i varfër. Mjerim është të kapardisesh në luks dhe t’i thuash vetes socialist first appeared on JavaNews.al.

Nuk është “mysliman”, është socialist!

6 November 2025 at 08:54


Zohran Mamdani, fituesi i zgjedhjeve në Nju-Jork, në disa media shqiptare u prezantua si “myslimani që fitoi në ShBA”.

Shpresoj të jetë nga padija ose naiviteti.

Mamdanin nuk e përfaqëson aspak ajo çfarë është përpara Zotit, por çfarë mendon ai për njerëzit. Suksesi i tij nuk ka asnjë lidhje me fenë. Edhe sikur të donte, një qytet si Nju-Jorku, i ndërtuar mbi miliona emigrantë, nuk mund të drejtohet nga paragjykimet e origjinës apo besimit.

Për ta vendosur në një kuadër biografik, ai ka origjinë myslimane. Babai i tij është nga Uganda me rrënjë indiane-myslimane, ndërsa nëna e tij është indiane. Por, ai vetë nuk e ka bërë kurrë fenë pjesë të profilit të tij publik, nuk e përdor kurrë si identitet politik dhe rrallë e përmend në intervista.

Mamdani është socialist. Më “keq” akoma: Është një socialist që ka fituar në zemrën e vendit që shpiku kapitalizmin modern. Prezantimi i tij si “mysliman” me siguri u rri mirë atyre që përpiqen të kultivojnë te “masat” që politika sociale është naive, që kujdesi shtetëror është “komunist” që drejtësia sociale është “romantizëm” etj. Mamdani si socialist ua prish këtyre “elitave” komoditetin moral.

Për më tepër Mamdani e pranon hapur identitetin e tij politik. Ai është anëtar i organizatës “Democratic Socialists of America” (DSA), një lëvizje e majtë që po përpiqet të çojë Partinë Demokratike amerikane drejt një modeli më social, me theks te barazia ekonomike dhe fuqizimi i shërbimeve publike.

Ja disa premtime të Mamdanit:

Rritje e taksave për të pasurit dhe përdorimi i tyre për shërbime publike si banesat, transporti dhe kujdesi shëndetësor. Kundërshton privatizimet dhe kërkon që shërbimet thelbësore të jenë në duart e shtetit ose të banorëve lokalë. Mbron të drejtat e punëtorëve dhe sindikatave, si dhe politikat për emigrantët dhe klasat e varfra.

Është e pamundur që të lexosh këto dhe të mos e vëresh kontrastin mes socializmit si ide dhe socializmit si “markë” politike. Këtu vijmë te Shqipëria. Premtimet e Zohran Mamdanit, në Shqipërinë e qeverisur prej 12 vitesh nga socialistët, janë ëndrra të harruara. Mjafton të kujtojmë çfarë ndodh me pasuritë publike. “Socializmi” shqiptar është shitës i shtëpisë së vet.

Në çdo rast fitorja e një socialisti të ri, që ka lindur nga përzierja e kulturave dhe idealeve në një vend që për dekada ka qenë simboli i kapitalizmit të pakufizuar, tregon se ideja e socializmit demokratik është një alternativë reale ndaj sistemit aktual. Është një shenjë shprese se epoka e politikës cinike dhe e përçarjes po përballet me një kundërrymë të re. U jep kurajë të gjithë atyre në çdo cep të botës, nga Amerika Latine deri në Evropë, nga Afrika deri në Ballkan, që besojnë ende se shteti duhet të jetë mjet drejtësie, jo biznes i të fortëve.

Njerëzit “e zakonshëm” kërkojnë institucione që i shërbejnë shumicës, jo pakicës. Brezi i ri kërkon më shumë barazi, më pak arrogancë nga pushteti. Kjo ndjesi nuk është amerikane. Është universale. Rruga përpara nuk është “më shumë treg apo më shumë fitim”, por më shumë shoqëri.

Idealet sociale nuk janë të vjetruara, janë të domosdoshme. Politikën do ta shpëtojë jo ideologjia, por ndjenja njerëzore.

Më në fund, pak dinjitet

9 October 2025 at 22:22

Nga Adrian Thano

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar dekretin e Presidentit mbi zgjedhjet në Tiranë nuk është vetëm një zhvillim procedurial, është një kthesë simbolike. Një institucion i rëndësishëm i shtetit më në fund ngre kokën dhe vendos të luajë rolin e tij si gardian i Kushtetutës, jo si noter i vullneteve politike.

Në një klimë ku aktorët institucionalë shpesh nguten t’u japin formë dëshirave të mazhorancës, duke harruar detyrimet ligjore dhe balancën e pushteteve, ky vendim vjen si një dush i ftohtë mbi arrogancën politike.

Presidenti e dekretoi datën e zgjedhjeve pa pritur as shqyrtimin e ankesës së Veliajt, ndonëse Kushtetuta është e qartë për efektet pezulluese të një ankimimi. Ishte një veprim i nxituar, për të mos thënë i turpshëm – që tani është vënë në vend nga një Gjykatë Kushtetuese që tregon se shteti ende mund të funksionojë.

Ky nuk është triumfi i Erion Veliajt – ai ka ende shumë rrugë përpara – por një fitore e ligjit mbi arbitraritetin. Është një kujtesë se institucionet nuk janë aty për të përmbushur dëshirat e radhës, por për të ruajtur rregullat e lojës, për të krijuar precedentë që i qëndrojnë kohës.

Nëse kemi më shumë vendime si ky, ndoshta do kemi edhe më shumë besim. Dhe më pak neveri për shtetin.

Shikoni valën e përkrahjes online për vrasësin e gjykatësit për të kuptuar nivelin e kësaj neverie. Ajo lind kur qytetarët nuk shohin më kuptim te rregullat dhe kur ligji zbatohet vetëm për të dobëtit.

Neveria është pasoja më e rëndë e një shteti që tall veten dhe qytetarët e vet me institucione fasadë, që mbajnë vetëm emrin, jo peshën që duhet.

Ky vendim i Kushtetueses, sado teknik të duket, është një shembull që tregon se shteti mund të jetë serioz, dinjitoz dhe i drejtë – edhe kur ka presion, edhe kur loja është e madhe.

Kjo bën diferencën: jo vetëm në ligj, por në shpresë. Në fund demokracia nuk mbahet në këmbë vetëm nga votat, por nga besimi. Në një vend ku ky besim është bërë i rrallë si uji në shkretëtirë, çdo akt i drejtë është një pikë që ka rëndësi.

The post Më në fund, pak dinjitet first appeared on JavaNews.al.

Presidenti zgjodhi sahatin

1 October 2025 at 19:46

Nga Adrian Thano 

Qeveria ka një hall: do zgjedhje në Tiranë, sa më parë. Presidenti ka një detyrë: të dekretojë datën. Gjykata Kushtetuese ka një dosje – padinë e Erion Veliajt. 

Sipas ligjit, sa kohë që ka një ankim aktiv për një shkarkim, zgjedhjet nuk lejohen. Jo për Erjon hajdutin e kësaj parajse qelibarësh. Jo për inat të qeverisë. Por për respekt të shtetit ligjor. 

E nëse ashtu e thotë një nen, po qenka dhe një tjetër, kishte dyfish arsye për të mbledhur Gjykatën. Fundja, për këtë e paguajmë. 

Në këtë mozaik, topi ishte në fushën e Presidentit Begaj. Do e shkelte ligjin me pretekstin e emergjencës elektorale? Apo do priste vendimin e gjykatës, edhe pse kjo nuk i pëlqen qeverisë? 

Ky dekret i nxituar e fut shtetin në një udhë pa kthim. Një datë e hedhur kot, përballë një procesi gjyqësor të hapur, do prodhojë zgjedhje me afat skadence. Një krizë tjetër më shumë, në vend të një zgjidhjeje. 

Nga pikëpamja ligjore dhe administrative, Tirana nuk është në emergjencë, si deklarohet. Mund të thuhet se ndodhet në një situatë të pazakontë institucionale. Kjo konsiderohet krizë, por jo domosdoshmërisht “emergjencë”. 

Funksionimi i bashkisë vijon. Administrata e bashkisë, nënkryetarët dhe strukturat drejtuese, vazhdojnë të funksionojnë sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore. Nuk ka ndalim të shërbimeve publike: Shërbimet si pastrimi, ndriçimi, infrastruktura, etj, nuk janë ndalur, që do të ishte tregues për një emergjencë reale. 

Është cunguar përfaqësimi politik i qytetit, jo funksionimi i Bashkisë. Sa mirë për Tiranën që dy nivelet më të lartë të ekzekutivit, vetë Kryeministri dhe zëvendësja e tij janë marrë drejtpërdrejtë. 

Emergjenca funksionale dhe ngërçi politik dhe institucional, janë dy gjëra të ndryshme. E dyta kërkonte zgjidhje të kujdesshme, jo të nxituar. 

Vetë debati tregon se legjitimiteti i Veliajt është i diskutueshëm. Në një shtet normal, do prisnim drejtësinë të fliste. Zgjedhjet nuk janë gara shpejtësie. 

Presidenti zgjodhi: Më i rëndësishëm sahati, se Kushtetuta. I dha Shqipërisë një datë, dështoi t’i japë demokracisë sonë të telendisur, më në fund, një standard. 

Ky opinion u rishkrua pas vendimit të Presidencës 

The post Presidenti zgjodhi sahatin first appeared on JavaNews.al.

Kur të hanë “të tutë”

23 September 2025 at 21:39

Nga Adrian Thano 

Të njëjtët, që pak muaj më parë e mbushnin me lavde, sot e flakën tej me një votë të ftohtë, si leckë të vjetëruar. 

A është rënia e Veliajt një reflektim politik? Ndëshkim moral? Goditje e korrupsionit që premton një mëngjes më të pastër për shoqërinë? Një triumf i drejtësisë? 

Do duhej të ishte. 

Por ky nuk është një shënim mbi fatin e ish-kryebashkiakut, por mbi hipokrizinë dhe karakterin njerëzor në kohën e interesit. Mbi teatrin politik pa dinjitet. Mbi fundin e pashmangshëm të atyre që mendojnë se mund të ndërtojnë pushtet me njerëz pa bosht dhe hierarki politike pa filtër vlerash. 

Veliaj është sot pasqyrë e vetes: i rrethuar nga njerëz që u përzgjodhën jo për integritetin, por për bindjen. Dhe ja ku jemi: Këta, thjesht orientojnë kokën nga era. Dje ishin me të, sot e shkelin. 

Në një vend ku çdo promovim varet nga “njëshi”, ku politika u hap dyert vetëm rrufjanëve dhe të përkulurve, harroje karakterin në kohë të vështira, ndershmërinë e brendshme, integritetin personal,  forcën e personalitetit përballë tundimit të interesit. 

Pasojat e kësaj politike që zgjedh njerëz pa shtyllë kurrizore e tejkalojnë Veliajn. Ata që firmosën largimin e tij janë reflektim i një sistemi që nuk kërkon mendim, as karakter, vetëm bindje të verbër dhe servilizëm. 

Problemi është që ky model ka dëmtuar rëndë jetën publike, ka përhapur një mesazh dëshpërues me ndikim të thellë në shoqëri: që nuk duhet të jesh i ndershëm, as i aftë për të bërë sukses; që integriteti nuk shpërblehet; që nëse nuk u puth duart këtyre, nuk të hapet asnjë derë; që karakteret e fortë nuk kanë vend në politikë; që kjo e fundit bëhet me njerëz që zgjidhen jo për vlerat, por për dobësitë. 

Edhe kur i promovojnë si “të rinj”, si “modernë”, apo si “profesionistë” të ardhur nga jashtë, në fund dalin kartonë njerëzorë pa qëndrime, zgjatime të sistemit që i lindi. 

Katër-pesë duar kanë gatuar një klasë politike ku çdo gjurmë karakteri është zëvendësuar nga shtirja, imitimi, përshtatja për interesa; gjithçka për të mbajtur pozita, përfitime ose mbrojtje. Pa respektuar asnjë parim të vërtetë, pa i qëndruar besnikë as asaj që shpallin vetë! 

Shikoni “kundërshtarët politikë”! Dje desh e dogjën të gjallë në zyrë, duke ia bërë gjyqin pa gjyq, sot janë ulur në bankën e moralit dhe i mbrojnë “të drejtën e fjalës”! Një tjetër batak, ku s’ka më parti, por rreshta që ndërrojnë ngjyrë si kameleonë. 

Shkarkimi i Veliajt, edhe nga njerëz që vetë i zgjodhi, ushqeu dhe ngriti – është një leksion brutal, së pari për atë vetë. Por edhe për atë që sot vërvit rrufetë e që ka ndërtuar një kastë të ngjashme me oportunistë pa bosht. Sot lotojnë nga “emocioni” kur ai flet dhe i thurrin lavde të trasha në publik, nesër do bëhen rresht për t’i hedhur baltë mbi varrin politik. 

Adhurues të përkohshëm, varrmihës të sigurt! Do gëlojnë, deri kur politika të mos jetë më pronë e “njëshit”, por pasqyrë e shoqërisë. 

The post Kur të hanë “të tutë” first appeared on JavaNews.al.

Këta njerëz nuk duan të martojnë fëmijët

15 September 2025 at 20:57

Nga Adrian Thano

Në një vend ku familjet kursejnë gjysmën e jetës për ditën e dasmës së fëmijëve, bijtë e politikanëve martohen si princër të një mbretërie që nuk ekziston. Përveçse në mendjen e tyre.

Zhurmë, mermerë të lartë, muzikë live, gota shampanje, foto fustanesh. Një paradë boshe që nuk dëshmon as dashuri, as klas – vetëm etjen dëshpëruese për të treguar se janë “dikush” mbi një popull që mezi mban frymën.

Këta njerëz nuk duan të martojnë fëmijët. Këta “martojnë” idenë që pushteti të pasuron, të shpërblen, të fut në kështjella, të bën me vila, makina, ceremoni, duartrokitje.

Shfaqjet e tyre nuk ndajnë gëzim, por imponojnë shkëlqim. Nuk e kuptojnë që sa më shumë ndriçojnë dritat, aq më e thellë bëhet hija e mjerimit moral që lënë pas.

Në fund, ata nuk festojnë dashurinë. Festojnë pabarazinë.

Çdo sjellje e tillë në një vend si Shqipëria nuk është festë, por një shuplakë ndaj atyre që ende besojnë se ndershmëria ka vlerë.

Ku jetojnë që vazhdojnë të luajnë këtë lojë të shpifur, të ndriçuar nga vezullimi i parave? Nga u buron kjo nevojë e sëmurë për t’u dukur? Çfarë mesazhi japin në gjithë këtë paradë vaniteti?

Tundimi për të dëshmuar “ndryshimin” e tyre nga pjesa tjetër e popullit është aq i thellë, sa ua ka tretur edhe atë pak njerëzi që dikur mund të kenë pasur.

Ngjiten kështjellave të botës me etjen për të treguar sa larg kanë ikur nga “fshati”. Por çdo pozë dhe çdo grimë ekstravagance i afron edhe më shumë me të.

Fshati nuk është vendi (unë jetoj në fshat) është mendësia. Dhe kjo mendësi është sot në majat e pushtetit, e veshur me të shtrenjtë, por e zbathur nga çdo dinjitet.

Nuk ka fjalë tjetër për ta, veç: Mjeranë!

Shqipëria do ishte ndryshe nëse politikanët shqiptarë dhe fëmijët e tyre do ishin të parët në shembullin e përulësisë.

Të tregonin se është dinjitoze të jetosh thjesht, ndershmërisht, qetë; të bësh një jetë normale dhe modeste. Edhe nëse ke, më shumë se të tjerët! Veçanërisht, nëse ke më shumë se të tjerët! Ka shumë, shumë nevojë kjo shoqëri për shembuj të tillë.

Por jo. Normaliteti është bërë dramë. Këta të dehur nga ekspozimi i luksit garojnë për thellësinë e xhepit me ata si vetja dhe duan ta shpallin medoemos ndryshimin nga populli që drejtojnë.

Nuk ka rëndësi nëse janë në opozitë apo në pushtet. Janë të gjithë njëlloj kur bie fjala për dukjen, për festa, vila, charter apo argjend të trashë.

Deri te teshat e trupit.

Shikoni parlamentin ditën e seancave plenare: më shumë ngjan me një pasarelë mode sesa me tempull të përfaqësimit. Veshje firmato, kostume të qepura me porosi, grim profesional, leshra të stiluar me përpikmëri.

Vendi vuan për dinjitet, këta konkurrojnë për modë. Në vend të ideve, mbjellin flokë; në vend të ligjeve, rregullojnë vetullat. Kjo është e fytyra e përfaqësimit politik sot: kozmetikë sipër një boshllëku.

Njerëzit në politikë duhet t’i njihnim dhe t’i respektonim për fjalën, për përfaqësimin, për kurajën e qëndrimit. Jo nga dasmat, nga rreckat, nga marka apo xhamat e zinj të makinës.

Kjo cektësi është më e turpshme se pasuria, për të cilën nuk kanë shpjegim.

The post Këta njerëz nuk duan të martojnë fëmijët first appeared on JavaNews.al.

❌
❌