Dëmet nga fatkeqësitë natyrore për Shqipërinë janë një lajm periodik. Vendi ynë rregullisht i ekspozuar ndaj këtyre fatkeqësive dhe ato nuk mungojnë të godasin ekonominë me përpikëri, ndonjëherë më shumë dhe ndonjëherë më pak. Me përjashtime të rralla, vera është stinë zjarresh, vjeshta ose dimri stinë përmbytjesh.
Si zonë sizmike, një herë në disa dekada vendi përballet me tërmete që shkaktojnë dëme të mëdha materiale dhe njerëzore. Në nëntor 2019, vendi u godit nga një tërmet i fuqishëm që shkaktoi dëme të vlerësuara për më shumë se 1 miliard euro.
Nga kjo shumë, tregu i sigurimeve pagoi vetëm rreth 40 milionë euro, pikërisht për shkak të shkallës së ulët të sigurimit. 46 njerëz humbën jetën, ndërsa mijëra të tjerë humbën shtëpitë apo pronat. Duke qenë se tërmeti ishte një ngjarje me ndikim të gjerë në territor dhe në popullsi, mund të mendohej se edhe efekti ndërgjegjësues do të ishte më i madh.
Në fakt, as tërmeti nuk mjaftoi për t’i shkundur shqiptarët në këtë drejtim. Rreziku i vazhdueshëm, që më tepër materializohet rregullisht dhe bëhet shpeshherë i prekshëm, nuk ka ndryshuar shumë në ndërgjegjësimin për të siguruar pronat dhe ekonomitë nga dëmet e fatkeqësive.
Sipas vlerësime të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Shqipëria ka një shpeshtësi të katastrofave natyrore prej 0.8 në vit, ndërsa kostoja mesatare dhe mediane për secilën ngjarje vlerësohet përkatësisht sa 0.6% dhe 1.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sigurimi i fatkeqësive, vetëm 10 euro për frymë
Përmbytjet e radhës e kanë gjetur ekonominë shqiptare edhe njëherë me mbulim të papërfillshëm me sigurime nga fatkeqësitë.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për vitin 2024 vlera e primeve të shkruara bruto në sigurimin nga zjarri dhe forcat e natyrës ishte 2.2 miliardë lekë ose rreth 218 milionë euro. As viti 2025 nuk ka sjellë përmirësime domethënëse. Për 11-mujorin, rritja e primeve të shkruara bruto në këtë klasë sigurimi ishte 4.3%.
Duke projektuar këtë rritje për të gjithë vitin 2025 primet e shkruara bruto do të rezultonin rreth 2.3 miliardë lekë ose rreth 23.5 milionë euro. Kjo përkthehet në prim vjetor sigurimi prej afërsisht 10 eurosh për person. Bazuar në numrin vjetor të policave të sigurimit, mund të vlerësohet se në Shqipëri janë të siguruara afërsisht 5% e numrit të përgjithshëm të banesave (duke iu referuar Censit 2023).
Ky është sigurisht një vlerësim indikativ, sepse jo të gjitha primet e sigurimit nga fatkeqësitë u takojnë individëve apo familjeve. Më shumë se 90% e primeve të sigurimit nga katastrofat natyrore janë të përqendruara në qarkun e Tiranës, ndërsa pjesa tjetër e vendit është në masën dërrmuese e pambuluar ndaj këtyre rreziqeve.
Megjithëse ligjërisht sigurimi i pronës nga fatkeqësitë natyrore është vullnetar, në praktikë pjesa më e madhe e kontratave të sigurimit për këtë produkt janë të lidhura me pronat e lëna si kolateral për kreditë bankare.
Në rastet kur kredia është e siguruar me kolateral, sigurimi i tij është kusht i vendosur nga banka për huamarrësin, ndaj edhe në këtë rast bëhet fjalë për një produkt faktikisht të detyrueshëm. Për vitin 2024, siguruesit paguan rreth 643 milionë lekë ose 6.4 milionë euro dëme nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore. Për vitin 2025, deri në fund të 11 mujorit, dëmet e paguara paraqiten në rënie me gati 30% krahasuar me një vit më parë.
Këto shifra tregojnë qartë se fatura financiare e dëmeve nga forcat natyrore bie në pjesën dërrmuese mbi subjektet e prekura ose mbi taksapaguesit, në rastet kur qeveria merr përsipër dëmshpërblimet.
Avni Ponari, drejtor i përgjithshëm i Sigal Insurance Group thotë se mes shqiptarëve vazhdon të mbizotërojë mentaliteti që problemet duhet t’ia zgjidhë dikush tjetër, pa marrë përgjegjësinë të kujdeset për veten.
“Sot ne do të duhej të ishim duke paguar për të gjithë ata që janë të përmbytur, për ata që i godet zjarri, për ata që i godet tërmeti, sepse ky është misioni i sigurimeve. Këtë detyrë e kanë edhe organizmat shtetërorë: ta bëjnë sa më efikase, që njerëzit ta dinë, të sigurohen dhe autoritetet përkatëse të dalin dhe t’i garantojnë pagesat, sepse ti lidh një kontratë sigurimi.
Shqiptarët i kanë sytë nga shteti, nga autoritetet shtetërore, nga bashkitë; nuk marrin, nuk blejnë sigurime. Një sigurim apartamenti kushton vetëm 50 euro. Një sigurim shtëpie nga përmbytja kushton 50–100 euro.
Një sigurim biznesi kushton 50–100 euro. Këto janë produkte që duhen konsumuar, që duhen marrë nga klienti, por a është populli shqiptar i interesuar t’i bëjë? Jo,” thotë z. Ponari.
Disa nuk sigurohen, disa nuk mund të sigurohen
Niveli i ulët i sigurimit në Shqipëri, megjithatë, nuk është vetëm dhe ekskluzivisht një problem i mungesës së vullnetit dhe ndërgjegjësimit për t’u siguruar.
Në disa raste, mungesa e një menaxhimi të përshtatshëm të rrezikut apo mosgarantimi i mbajtjes së përgjegjësive ligjore i bën prona të veçanta të pasigurueshme, për shkak të nivelit të lartë të rrezikut.
Drejtuesit e kompanive shprehen se ka raste kur sigurimi nuk është i mundur ose ofrohet vetëm me kushte shumë të kufizuara për shkak të nivelit të lartë të riskut.
“Këto raste lidhen kryesisht me ndërtime në zona te caktuara të ekspozuara ndaj përmbytjeve, pranë shtretërve të lumenjve, në zona të ulëta gjeografike ose në prona pa dokumentacion të rregullt ligjor.
Po ashtu, objekte bujqësore dhe industriale pa masa mbrojtëse ose pa infrastrukturë parandaluese përbëjnë një risk që shpesh nuk mund të mbulohet nga tregu i sigurimeve ose mbulohet vetëm me prime shumë të larta,” shprehet Venera Xhillari, zëvendësdrejtore e përgjithshme e kompanisë së sigurimeve “Atlantik”.
Ajo thekson se këto janë raste ku mungesa e planifikimit urban dhe e kontrollit institucional reflektohet drejtpërdrejt në pamundësinë për sigurim.
Klaidi Çitozi, drejtor i përgjithshëm i Sigma Vienna Insurance Group, thotë se sigurimi nuk mund të funksionojë i shkëputur nga infrastruktura dhe politikat publike. Sipas tij, shoqëria duhet të marrë përgjegjësi për përmirësimin e infrastrukturës dhe masave parandaluese.
“Menaxhimi i riskut nga fatkeqësitë natyrore kërkon një qasje të integruar dhe të mirëstrukturuar, ku sigurimet përbëjnë një shtyllë kyçe, por jo të vetmen.
Përveç investimeve në infrastrukturë parandaluese, planifikimit urban afatgjatë, hartave të riskut dhe forcimit të standardeve të ndërtimit, një element thelbësor është edhe vendosja e sigurimit të detyrueshëm nga rreziqet bazë, si tërmeti dhe përmbytja.
Roli i shtetit është vendimtar në krijimin e një kornize institucionale që ul ekspozimin ndaj këtyre rreziqeve dhe i bën ato të menaxhueshme si për qytetarët, ashtu edhe për tregun e sigurimeve.
Një skemë e tillë do të kontribuonte në ndërtimin e një sistemi më të qëndrueshëm dhe të aftë për përballimin e goditjeve, ku barra financiare e fatkeqësive natyrore nuk rëndon në mënyrë disproporcionale mbi buxhetin e shtetit apo individët, por shpërndahet në mënyrë të balancuar dhe të parashikueshme në nivel kombëtar,” thotë z.Çitozi.
Ligji për sigurimin e detyrueshëm, qeveria nuk po i zgjidh ende dilemat
Pas tërmetit të vitit 2019, qeveria shqiptare vendosi t’i kthehet idesë për të ngritur një skemë të detyrueshme sigurimi nga fatkeqësitë, por me objekt vetëm sigurimin e tërmeteve. Një variant i parë i projektligjit u hodh për konsultim në vitin 2023, por nuk u propozua më tej për miratim në Kuvend.
Në muajin korrik të vitit të kaluar, qeveria shqiptare e riktheu për konsultim, pas dy vitesh, projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet. Varianti i ri i projektligjit nuk solli ndryshime të mëdha në thelbin e konceptimit të skemës së sigurimit nga tërmetet krahasuar me variantin fillestar të vitit 2023.
Ai përcakton detyrimin për sigurimin e të gjitha banesave në vend, me pak përjashtime (psh. shtëpitë e ndërtuara prej argjile, qerpiçi, kallami, etj apo ndërtesave me vendndodhje të lëvizshme apo të përkohshme).
Skema e sigurimit do të administrohet nga një ent i posaçëm me kapital shtetëror që do të ngrihet për këtë qëllim, Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet.
Shuma e sigurimit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa primi i sigurimit që do të paguajnë pronarët e banesave do të përcaktohet nga Fondi për tërmetet, pas marrjes së pëlqimit nga ministri përgjegjës për financat. Për shtresat nevojë, primi i sigurimit do të financohet nga buxheti i shtetit.
Ashtu si në variantin fillestar, projektligji i ri përcakton se subjektet të cilat nuk zbatojnë detyrimin për të lidhur kontratë sigurimi nga tërmetet, nuk marrin shërbime kadastrale, nuk marrin shërbime nga e-Albania dhe as nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
Ndër ndryshimet e pakta krahasuar me variantin fillestar të projektligjit është ndryshimi i përcaktimeve lidhur me afatin maksimal për dëmshpërblimin, që në variantin fillestar parashikohej të ishte 9 muaj.
Në projektligjin e ri, rregullat, afatet, kriteret dhe procedurat për pagesën e dëmeve të shkaktuara nga ngjarjet e tërmeteve përcaktohen me udhëzim ministrit të Financave. Megjithatë, në projektligj përcaktohet se dëmshpërblimi në varësi të shkallës së dëmtimit dhe masës së dëmshpërblimit, paguhet brenda tre muajve, duke filluar nga momenti i plotësimit të plotë të dokumentacionit përkatës.
Një risi e projektligjit të ri është edhe saktësimi i rregullave të dëmshpërblimit në rastin kur një person është i siguruar si me një kontratë të detyrueshme ashtu edhe nëpërmjet një kontrate sigurimi vullnetare.
Në një rast të tillë, pagesa e dëmshpërblimit do të bëhet sipas kushteve të sigurimit të detyrueshëm. Për shumën e siguruar që tejkalon vlerën e kontratës së sigurimit të detyrueshëm, pagesa do të bëhet sipas kontratës së sigurimit vullnetar.
Një ndryshim tjetër në projektligj është heqja e parashikimit për mundësinë e menaxhimit të fondit nga një operator ndërkombëtar. Në projektligjin e mëparshëm, përcaktohej që Fondi për Tërmetet mund të delegonte menaxhimin dhe administrimin operacional pranë një Operatori Teknik Ndërkombëtar. Në versionin e ri të projektligjit, ky përcaktim është hequr.
Ndërkohë që në projektligjin e mëparshëm përcaktohej se menaxhimi i rrjetit të shitjeve do të bëhej nga një agjent i vetëm, i zgjedhur me vendim të Këshillit të Ministrave, në variantin e ri parashikohet mundësia që agjentët e shitjeve të jenë më shumë se një. Këshilli i Ministrave do të përcaktojë përcakton agjentin ose agjentët për menaxhimin e shitjeve, komisionet përkatëse dhe kushtet e bashkëpunimit me ta.
Projektligji i ri gjithashtu rishikon dispozitat që parashikonin mbikëqyrjen e Fondit për Tërmetet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Në variantin e ri, përcaktimet për mbikëqyrjen e AMF-janë më të kufizuara, por nga ana tjetër e bëjnë më evazive dhe më pak të qartë për të kuptuar se në ç’masë dhe me çfarë instrumentesh AMF do ta mbikëqyrë këtë fond.
Projektligji i ri përcakton se AMF, në bazë të këtij ligji dhe përsa është e nevojshme në zbatim të legjislacionit për sigurimin dhe risigurimin në Republikën e Shqipërisë, mbikëqyr Fondin për Tërmetet, në drejtim të unifikimit të rregulloreve dhe standardizimit të akteve rregullatore gjatë veprimtarisë së tij me këtë ligj dhe ligjet e fushës, të transparencës ndaj publikut, të zbatueshmërisë së termave dhe kushteve të kontratave që lidhen me të siguruarit, si dhe të monitorimit të zbatueshmërisë së politikave të investimeve, kur konstaton se nuk janë në përputhje me aktet rregullatore të vendosura apo kur rrezikojnë pozicionin financiar të shoqërisë. Gjithashtu, AMF mund të nxjerrë rekomandime për përmirësimin e veprimtarisë së Fondit për Tërmetet./Monotor.al
The post Fatkeqësi pa sigurim/ Shqipëria përballet me kriza natyrore, por vetëm 5% e banesave janë të mbuluara appeared first on Albeu.com.