Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 January 2026Main stream

Zjarri në Greqi, shkon në pesë numri i viktimave/ Shkaku i zjarrit, ende i panjohur

27 January 2026 at 17:45

Është rënduar bilanci i viktimave nga zjarri që përsfhiu fabrikën e biskotave mëngjesin e të hënës në Trikalla të Greqisë.

Autoritetet numërojnë tashmë pesë viktima, katër gra të identifikuara që në orët e para të aksidentit, ndërsa trupi i pestë, i dyshuar se ndodhej nën rrënoja, është gjetur vetëm një ditë pas tragjedisë.

Në momentin që ndodhi zjarri 13 punëtorë ndodheshin në fabrikë dhe tetë prej tyre arritën të largoheshin, nga të cilët 6 kanë pësuar djegie të rënda, por janë jashtë rrezikut për jetën.

Shkaku i shpërthimit mbetet i panjohur dhe skenarët që po shqyrtohen nga autoritetet përfshijnë dështime teknike, defekte në infrastrukturë apo edhe gabime njerëzore.

Gjithësesi skenari më i mundshëm sipas hetimeve të parë lidhet me rrjedhjen e gazit që ka shkaktuar më pas shpërthimin në afërsi të një prej furrave të fabrikës.

Një pjesë e ndërtesës është shembur, ajo më e vjetra, ndërsa në vendngjarje për shuarjen e zjarrit u aktivizuan mbi 40 trupa zjarrëfikëse.

Vetë kompania e biskotave deklaron se nuk ka një sqarim për atë që mund të ketë ndodhur brenda në fabrikë dhe as konflikte me konkurentë, por njoftuan ndihmë financiare për familjarët e pesë vitkimave.  / abcnews.al /

“Serbia të dënoj autorët e Banjskës dhe sulmit ndaj KFOR”/ Rutte: Vuçiç duhet të mbaj premtimet

27 January 2026 at 17:30

NATO pret vendosjen përpara drejtësisë të përgjegjësve për sulmin e Banjskës dhe atyre që organizuan sulmet ndaj ushtarëve të KFOR në pranverën e vitit 2023.

Deklaratat u bënë nga sekretari i përgjithshëm i aleancës Mark Rutte gjatë fjalës së tij në komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian, duke i kujtuar presidentit serb premtimet që ka bërë.

“Kam një marrëdhënie personale me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç. Njohim njëri-tjetrin prej shumë vitesh. Por, natyrisht, presim nga ai që të përcaktojë përgjegjësinë për atë që ndodhi disa vite më parë, dhe kjo për dy çështje. Për të dyja ka premtuar përcaktimin e plotë të përgjegjësisë.”

Gjatë fjalës së tij Rutte konfirmoj po ashtu mbështetjen për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Shefi i aleancës u ndal edhe tek cështje të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se aleanca ushtarake nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në Bosnje Hercegovinë.

Kosova drejt një krize të re/ Berhami: Manipulimi i votave, ndërpartiake. PDK, forca e parë që dënoi keqpërdorimet!

27 January 2026 at 17:20

Deputeti i PDK Artan Berhami komentoi për Ballkan Update zhvillimet e fundit në Kosovë sa i takon kolapsit me rinumërimin e votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Berhami tha se është një ndërmarrje e përbashkët ndërpartiake që solli manipulim të votave.

Më tej ai shtoi se PDK ka treguar kulturë të lartë politike dhe ka qenë partia e parë që ka dënuar keqinterpretimet zgjedhore.

“Ne kemi humbur shumë momentum, projekte të BE dhe mundësi për të zhvilluar ekonominë e Kosovës që nga zgjedhjet e fundit të shkurtit. Kjo bllokadë ka krijuar pasiguri dhe nuk ka krijuar një kuvend aktiv për ratifikiminn e marrëveshjeve.

Shumë biznese po shohin për treg dhe është humbje e madhe për ekonominë dhe në raport me BE. Jemi në një situatë të vështirë dhe PDK kërkon të krijohen sa më shpejt institucionet. Rinumërimi u bë i domosdosëm, ishte kërkesë e kryetarit të PDK pas indicieve që u numëruan. Bedir Hamza kërkoi rinumërim për të kthyer besimin te një proces demokratik.

Ne kemi jetuar dhe në në iluzion që kemi krijuar një platformë perfekte. Disa persona dhe individë me qëllime të këqija kanë abuzuar me qëllimin e tyre për të manipuluar votën. Manipulimi është ndërpartiak, janë bërë bashkë në disa komuna dhe kanë bërë këtë manipulim. Është një ndërmarrje e përbashkët e partive politike.

PDK ka treguar kulturë të lartë politike si partia e parë që ka dënuar këto keqpërdorime. Kemi një përpjekje të rimanipulimit të procesit nga KQZ.”  / abcnews.al /

“Diskriminimi i shqiptarëve të Luginës është realitet”/ Osmani përshendet projekligjin në Komisionin e Jashtëm të SHBA

27 January 2026 at 17:14

Avancimi i Projektligjit për vlerësimin e diskriminimit në Luginë të Preshevës sipas presidentes Osmani dërgon një mesazh për Beogradin: diskriminimi kundër komunitetit shqiptar në Serbi nuk është më i padukshëm dhe nuk do të tolerohet.

“Serbia vazhdimisht ka kryer shkelje autoritare të të drejtave të minoriteteve, përfshirë fushatën e pasivizimit të qëllimshëm për pastrim etnik përmes mjeteve administrative, shtypjes së gjuhës shqipe, mospërfshirjen në institucionet publike, diskriminimin në arsim, margjinalizimin ekonomik dhe frikësimin nga autoritetet qendrore”, shkruan presidentja e Koosves në një postim në rrjetin e saj X.

Anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan kanë votuar më 21 janar për të dërguar përpara këtë projektligj, që i kërkon sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të përgatis një raport gjithëpërfshirës për trajtimin e pakicave etnike në Serbi, veçmas të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Pasivizimi I adresave është një nga problemet më të mëdha të shqiptarëve të Luginës, duke nënkuptuar fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar, humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

Kjo çështje është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022, në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë dhe janë pakica e katërt më e madhe në këtë shtet.

Ndryshimet ligjore në Suedi/ Qeveria synon të ulë moshën e përgjegjësisë penale në 13 vjeç

27 January 2026 at 15:45

Suedia po ecën përpara me planet për të ulur moshën e përgjegjësisë penale nga 15 në 13 vjeç në rastet e rënda, teksa përballet me një numër gjithnjë e më të madh fëmijësh të rekrutuar nga bandat për të kryer krime të dhunshme pa u përballur me pasoja serioze ligjore.

Ministri i Drejtësisë, Gunnar Strommer, tha se vendi ndodhet në një “situatë emergjente” dhe ndalimi i përdorimit të fëmijëve në rrjetet kriminale është një “detyrë thelbësore” për qeverinë.

Por disa autoritete, përfshirë policinë, zyrtarët e burgjeve dhe prokurorët, e kanë kundërshtuar planin, duke u shqetësuar se mund të çojë në përfshirjen e fëmijëve edhe më të vegjël në krime.

Nëse miratohet, legjislacioni mund të hyjë në fuqi që këtë verë. Strommer këmbënguli se propozimi nuk përbën një “ulje të përgjithshme të moshës së përgjegjësisë penale” dhe do të zbatohej vetëm për “krimet më të rënda” si vrasja, tentativa për vrasje, shpërthimet e rënda, shkeljet e rënda me armë dhe përdhunimet e rënda.

Sipas propozimit, disa prej këtyre autorëve mund të përballen me dënime me burg në raste të caktuara.

Të dhënat nga Këshilli Kombëtar Suedez për Parandalimin e Krimit tregojnë se numri i veprave të regjistruara të lidhura me të dyshuar nën moshën 15 vjeç është dyfishuar gjatë dekadës së fundit.

Qeveria aktuale erdhi në pushtet në vitin 2022 duke premtuar të godasë krimin e organizuar.

Në fillim të vitit të kaluar, një hetim i urdhëruar nga qeveria rekomandoi uljen e moshës së përgjegjësisë penale në 14 vjeç për rastet e rënda.

Kryeministri Ulf Kristersson konfirmoi në shtator se ajo do të ulej nga 15, duke thënë se fëmijët po “shfrytëzohen pa mëshirë nga rrjetet kriminale për të kryer krime të rënda”.

“Si për të mbrojtur këta fëmijë, ashtu edhe viktimat e tyre të mundshme, qeveria po ndërmerr veprime të forta kundër këtij lloj shfrytëzimi cinik”, shtoi ai.

Qeveria më pas njoftoi se do të kërkonte ta ulte në 13 vjeç dhe e dërgoi projektligjin për mendim tek 126 autoritete dhe organizata. Planet e tyre u pritën me kritika dhe kundërshtime nga autoritete dhe organizata të ndryshme.

Në nëntor, autoriteti policor tha se ndryshimi rrezikonte që “fëmijë ndjeshëm më të vegjël” të përfshiheshin në bandat kriminale si rezultat. Grupet e tjera thanë se sistemi i burgjeve nuk është i pajisur për të trajtuar autorë kaq të vegjël dhe se ndalimi i tyre mund të shkelte të drejtat e fëmijëve.

Shërbimi i burgjeve dhe i provës tha gjithashtu se lëvizja mund të sillte pasoja negative për fëmijët dhe se ata duhej të kujdeseshin “në mënyra të tjera”.

Ministrat kishin konsideruar më parë vendosjen e kufijve të moshës për rrjetet sociale, me policinë që argumentonte se bandat kishin përdorur disa platforma për të rekrutuar fëmijë të vegjël në krim. Strommer tha të hënën se kishte marrë parasysh kritikat e mëparshme për projektligjin, por se situata ishte bërë më urgjente.

Megjithatë, opozita nuk është shuar. Fredrik Hjulström, një drejtues lokal që po shqyrton propozimin, tha se ai nuk përmbante “argumente faktike”, sipas transmetuesit kombëtar suedez SVT.

Ai shtoi se fëmijët duhet të marrin kujdes dhe jo të ndëshkohen, duke argumentuar se projektligji kishte të bënte me pikë politike, me zgjedhjet e përgjithshme të vendit që do të mbahen në shtator të këtij viti.

Ndërkohë, avokati Johan Eriksson ra dakord se duhej ndërmarrë veprim për të parandaluar rekrutimin e fëmijëve nga bandat, por tha se ulja e moshës së përgjegjësisë penale ka gjasa të ketë efektin e kundërt.

Aksidenti tragjik hekurudhor me 45 viktima/ Spanja dëmshpërblen me 20 milionë euro familjarët e viktimave

27 January 2026 at 15:30

Qeveria spanjolle do të paguajë rreth 20 milionë euro dëmshpërblim për viktimat e aksidentit tragjik të trenit me shpejtësi të lartë, i cili ndodhi javën e kaluar dhe shkaktoi vdekjen e 45 personave, ndërsa mbi 150 të tjerë u plagosën.

Lajmi u bë i ditur të martën nga ministri i Transportit, Oscar Puente. Spanja vijon të jetë e tronditur nga aksidenti i 18 janarit në Adamuz, pranë qytetit jugor të Kordobës, i cili përbën një nga katastrofat hekurudhore me numrin më të lartë të viktimave në historinë e fundit të Europës dhe më vdekjeprurësin në Spanjë që prej vitit 2013.

Familjet e viktimave do të përfitojnë nga 216 mijë euro për secilën viktimë, të cilat pritet të paguhen brenda një afati maksimal prej tre muajsh. Kjo shumë përbëhet nga 72 mijë euro ndihmë e përjashtuar nga taksat nga qeveria, 72 mijë euro pagesë paraprake nga sigurimi dhe 72 mijë euro të tjera nga sigurimi i detyrueshëm i udhëtimit të pasagjerëve.

Sipas ministrit, pagesat për të plagosurit do të variojnë nga 2,400 euro deri në 84,000 euro, në varësi të shkallës së dëmtimit.

Puente është përballur me presion të fortë publik pas aksidentit në Adamuz dhe një sërë incidentesh të tjera të ndodhura gjatë së njëjtës javë, përfshirë vdekjen e një drejtuesi treni në Katalonjë dhe dy aksidente të tjera pa viktima. Partia kryesore opozitare, Partia Popullore, ka kërkuar dorëheqjen e tij.   

Rishpërndahen fondet e buxhetit 2025/ Malaj: 150 milionë euro shkojnë për fondin e veçantë të pensioneve

27 January 2026 at 14:53

150 milionë euro fonde nga buxheti i vitit të kaluar do të kalojnë  në fondin e veçantë për  skemën e pensioneve.Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar në Kuvend detaje nga akti  normativ për ndryshime të Buxhetit të vitit 2025 ndërsa theksoi se çdo lek që nuk është shpenzuar nga institucionet gjatë vitit të kaluar, do të kalojë në llogarinë e pensioneve.

Kreu I financave tha se ky akt normativ adreson nevojën e mbështetjes së 148 mijë personave siç janë familjet me ndihmë ekonomike dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuar.

Më shumë fonde  janë shtuar edhe për bujqësinë e shëndetësinë si dhe

1.2 mld lekë shtesë për pushtetin vendor për të shlyer borxhet e prapambetura.  / abcnews.al/

Ngrin Amerika, digjet Australia/ Temperatura arrijnë rekordin 48 gradë celsius

27 January 2026 at 14:53

Një valë e fortë të nxehti me temperatura rekord të larta në Australinë juglindore ka shkaktuar zjarre në shkurre, ka detyruar qindra banorë në zonat rurale të largohen nga shtëpitë e tyre dhe Melburni regjistroi ditën e tij më të nxehtë në pothuajse 17 vjet.

Temperaturat në disa pjesë të Melburnit, kryeqytetit të shtetit të dytë më të populluar të Australisë, Viktorias, tejkaluan 45 gradë Celsius.

Qytetet në rajonin e Malit, në pjesën veriperëndimore të shtetit të Viktorias, regjistruan temperatura që arritën në 48.9 gradë Celsius, duke thyer rekordin në atë shtet, sipas të dhënave paraprake nga Byroja Australiane e Meteorologjisë.

Vala e të nxehtit, më intensivja që nga “E shtuna e zezë” në vitin 2009, kur zjarret në shkurre vranë 173 persona në Victoria, e ka rritur nivelin e rrezikut nga zjarri në disa pjesë të shtetit në ekstrem.

Shumë komunitete ende po rimëkëmben nga zjarret e përhapura në shkurre në fillim të këtij muaji, të shkaktuara gjithashtu nga një valë e fortë nxehtësie.

Shërbimet e emergjencës kanë trokitur në dyert e rreth 1,100 shtëpive dhe kanë dërguar mesazhe me tekst në rreth 10,000 telefona duke i nxitur banorët të largohen nga zona.

/ abcnews.al /

Dashuri pa kushte apo sakrificë pa kthim? Kur katërputroshët bëhen familje

27 January 2026 at 13:45

A janë kafshët shtëpiake thjesht një hobi, apo shokë jete që të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën e të jetuarit? Këtë mëngjes, në studio dhe në lidhje direkte nga Kosova për Abc e Mëngjesit, u shpalosen dy histori prekëse që flasin në emër të dashurisë për katërputroshët.

Francesko Shehu rrëfeu se si ardhja e qenit të tij Puma i ndryshoi jetën. “Para saj vetëm punoja. Nuk njihja natyrën, detin, malin”, tregon ai. Puma nuk ishte thjesht një kafshë, por ura që e ndihmoi të socializohej, të qetësohej dhe të gjente energji pozitive në momentet e vështira. Sakrifica më e madhe? Shkëputja nga shoqëria që nuk e kuptonte këtë dashuri.

“Dashuria për të është e pamasë. Është mike besnike në ditët më të vështira”, thotë Shehu, duke pranuar se frika për ta humbur një ditë e mban gjithmonë në tension. “I kam premtuar Pumës një jetë të qetë dhe të lumtur dhe besoj se e kam mbajtur fjalën”.

Nga Kosova, Zana Zherka sjell një tjetër këndvështrim. E rritur me frikën “ha se vjen qeni”, ajo sot flet gjuhën e kafshëve më mirë se kurrë. Panda dhe Muffin janë pjesë e pandashme e jetës së saj. “Ndonjëherë i kuptoj më mirë se fëmijët”, pranon ajo, duke qeshur.

Kafshët kanë kosto, privime dhe përgjegjësi. Udhëtime vetëm me makinë, refuzime në lokale, heqje dorë nga vetja, por asnjë pendesë. Sepse për këta njerëz, qeni nuk është kafshë shtëpie… është familje.

“Raporti SHBA-Shqipëri, strategjike dhe reciproke”, Meçe: Opinioni, i konsoliduar se çdo kërkesë e SHBA është detyrim për ne…

27 January 2026 at 13:41

Rama apo Berisha, kush është më afër Trump? Pas ftesës së Trump për Bordin e Paqes, Shumica e shqiptarëve nuk i besojnë më nofkave dhe skenarëve imagjinare për rrëmbimin e kryeministrit.

53% e vulosin si fundi i tezës Ramaduro nga opozita, kurse vetëm gjysma e mbështetësve të Berishës i besojnë ende parullës “Asgjë nuk e shpëton Edi Ramën”.

Analisti Arben Meçe komentoi për ‘Neës Line’ rezultatet e sondazhit javor në ABC Neës. Meçe tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA janë të qëndrueshme dhe strategjike dhe se kanë interesa reciproke. Sipas tij, populli shqiptar ka opinion të konsoliduar dhe se çdo kërkesë që vjen nga SHBA konsiderohet si detyrim i yni pasi politika amerikane ka qenë përherë mbështetëse për ne.

 “Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së janë marrëdhënie të qëndrueshme dhe strategjike, me interesa reciproke, si për ne ashtu edhe për Amerikën, e cila e sheh Shqipërinë si një partner të besueshëm dhe të qëndrueshëm në misionet e politikës së jashtme. Këto marrëdhënie nuk kanë të bëjnë vetëm me sigurinë e brendshme, por edhe me interesa gjeostrategjike amerikane në zonën ku ndodhemi, ku Shqipëria është identifikuar si një partner i rëndësishëm gjeopolitik.

Këto debate u futën në koridore politike ku, diku u deformuan, diku u manipuluan dhe sollën atë përshtypje sikur çështja po trajtohej në mënyrë “ramaduro”.

Në politikën e shtetit shqiptar, opinioni duhej të ishte më solid dhe më i qartë edhe në interpretimin në Shqipëri. Askush nuk u fut në analizën nëse kjo marrëveshje kërkonte një analizë të brendshme apo më të thelluar, por u mbështet bindja e plotë e qytetarit shqiptar në pranimin pa kushte të çdo marrëdhënieje që konsolidohet përmes akteve dhe kalon direkt në miratim. Çdo kërkesë që i bëhet Shqipërisë nga SHBA pranohet automatikisht si në interesin tonë. Opinioni është konsoliduar në këtë drejtim: çdo kërkesë që vjen nga SHBA lidhet me marrëdhëniet strategjike dhe nuk kundërshtohet. Kërkesat që vijnë nga SHBA konsiderohen një detyrim i padiskutueshëm nga ana jonë, duke qenë se politika amerikane ka qenë vazhdimisht mbështetëse.”

Njëri për mashtrim, tjetri për sende të paligjshme/ Tiranë, pranga dy personave të dënuar me burgim

27 January 2026 at 13:35

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, gjatë kësaj faze të operacionit “Catch” që ka si objektiv lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve të kërkuar, kapën 2 shtetas të dënuar me burgim. Konkretisht: shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 vunë në pranga shtetasin M. K., 43 vjeç, të dënuar nga Gjykata e Durrësit, me 1 vit e gjysmë burgim, për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimit me burgim”. 43-vjeçari iu dorëzua DVP Durrës, për veprime të metejshme;

shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, vunë në pranga shtetasin A. B., 60 vjeç, të dënuar me rreth 2 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.  / abcnews.al /

Mitaj, “peng” i sheikëve/ Mbrojtësi i kombëtares u la përsëri jashtë skuadrës në Arabi

27 January 2026 at 13:33

E pamundur të gjejë stabilitet.

Kënaqësia e pranisë në fushë zgjati vetëm një ndeshje për Mario Mitajn, pikërisht në humbjen që Al Itihad pasi ndaj Al Kadidijas në Ligën Profesioniste Saudite.

Që nga 22 janari kaluan vetëm 4 ditë, dhe trajenri Serzhio Konseisao e la sërish shqiptarin jashtë ekipit.

Kampionia e Arabisë Saudite fitoi 1-0 kundër rivalit Al Ahdud, dhe mbrojtësi I Shqipërisë nuk është se u kursye për shkak të lodhjes, sepse mund të ishte ulur në stol, por e ndoqi ndeshjen nga tribuna, ose nga shtëpia.

Kjo ishte hera e pestë në gjashtë ndeshjet e fundit që Mitaj nuk ka qenë në terren, dhe vetëm në një rast ka qenë I pezulluar për shkak kartonësh, ndërsa në ndeshjet e tjera ka qenë vendim I teknikut portugez.

Çfarë do të thotë kjo lënie sërish në tribunë?

Me shumë mundësi, shqiptari ka shanse të largohet nga Arabia Saudite nëse kjo situatë vazhdon, dhe përjashtimi nga ekipi është një sinjal për të.

Nga ana tjetër, trajneri justifikohet me faktin se ka shumë të huaj në dispozicion, por gjithsesi 8 të tjerët I aktivizon rregullisht, pra logjika të thotë se nuk ka besim tek Mitaj.

Futbollisti I kombëtares ka marrë vazhdimisht vlerësime të mira dhe fitoi vjet titullin kampion si dhe Kupën e Mbretit, ndonëse është kritikuar për disa gabime që kanë pasur pasoja.

Mourinho, “në dorën” e Real/ E ardhmja e “Special One” vendoset nga klubi madrilenë

27 January 2026 at 13:22

E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e Jose Mourinho janë të lidhura me Real Madrid. Asnjë ekzagjerim, pasi karriera e teknikut portugez takohet sërish me “los blancos” në të mirë dhe në të keqe.

Pas largimit të Xabi Alonso, “Special One” është një nga kandidatët kryesorë për t’u ulur sërish në pankinën e madrilenëve, pasi Alvaro Arbeloa është vetëm një zgjidhje e përkohshme.

Por deri tani pengesë është bërë kontrata me Benfikën dhe fundin e saj e ka sërish në dorë Real.

Kjo pasi skuadra “merengues” do të luajë kundër Benfikës sfidën e fundit në fazën e ligës në Champions dhe nëse fiton në Lisbonë, atëherë shkarkimi I Jose Mourinho nga klubi portugez është i sigurtë.

Meritë e ecurisë negative në këtë sezon, pasi me Mourinho gjigandët luzitanë janë jashtë garës për titullin kampion dhe së fundmi u mundën edhe në finalen e Kupës nga rivalët e përjetshëm të Porto.

Për këtë arsye, Real Madrid mund të vendosë vetë mbi të ardhmen e “Special One”, por në fillim duhet ta shkarkojë nga Benfika dhe më pas ta ulë në pankinën e tij.

Jose Mourinho drejtoi skuadrën madrilene nga viti 2010 deri në 2013, duke fituar një titull kampion në La Liga dhe një Kupë të Mbretit, por dështoi tre herë radhazi në gjysmëfinalet e Champions League. / abcnews.al /

Rozeta, gruaja që i bën “zbor” autobusëve në Gjermani: “Si i dhashë fund martesës së dhunshme…”

27 January 2026 at 13:22

Një histori force, sakrifice dhe guximi erdhi nga Gjermania në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit. Rozeta Tare, 51 vjeç, një nënë e tre fëmijëve dhe gjyshe pesë herë, rrëfen rrugëtimin e saj të vështirë drejt një jete të re, aty ku çdo ditë “i punon zborin” autobusëve gjermanë.

Prej tre vitesh në Gjermani, Rozeta ka pas vetes një jetë të mbushur me sfida. Më herët ajo ka jetuar në Greqi, ku ka bërë çdo punë për të mbijetuar: nga pastruese peshku e hotelesh, te shitëse, kuzhiniere dhe herë pas here edhe shofere, duke transportuar punonjës drejt vendeve të punës.

Sot, në Gjermani, ajo ka zgjedhur turnin e dytë, nga mesdita deri në orën 02:00 pas mesnate. “Më mirë punoj natën, sepse nuk e ndiej aq shumë vetminë dhe lodhjen”, thotë Rozeta. Familja e saj ndodhet në Greqi, ndërsa ajo e vetme përballon jetën e emigrantes në një vend të huaj.

Pas një martese 25-vjeçare, Rozeta u detyrua t’i japë fund bashkëjetesës. “Ishte një periudhë shumë e vështirë. Vetmia ndonjëherë është e padurueshme”, rrëfen ajo. Shkaku ishte alkoolizmi dhe bixhozi i bashkëshortit, një realitet që e shtyu të kërkonte rrugëzgjidhje ekonomike në Gjermani.
Puna si shofere autobusi nuk është e lehtë. Sidomos në orët e vona, Rozeta përballet me situata të rrezikshme. “Ka raste që hipin persona problematikë, më së shumti të dehur, pa biletë ose që e kërkojnë me dhunë”, tregon ajo. Në një rast ekstrem, një grua tentoi ta sulmonte fizikisht, dhe vetëm ndërhyrja e një kolegu shmangu më të keqen. “Kam rezistuar disa herë, por nuk dua të rrezikoj punën”, shton ajo.

Megjithatë, Rozeta nuk ndalet. Pas autobusit, sfida e radhës është të bëhet makiniste treni. “I dua shumë trenat. Nëna ime ka punuar faturino në tren”, thotë ajo me emocion. Vendimi është marrë: do të mësojë dhe së shpejti synon të punojë në linjat hekurudhore gjermane.  / abcnews.al /

“ChatGPT shqiptar” për emigracionin: Shqiptari krijon aplikacionin për të ndihmuar mërgimtarët

27 January 2026 at 13:11

Një risi e madhe teknologjike vjen nga një shqiptar që po ndryshon mënyrën se si informohen emigrantët. Meti, ekspert i emigracionit, ka krijuar një “ChatGPT shqiptar”, një aplikacion inovativ që u vjen në ndihmë të gjithë atyre që duan të mësojnë gjuhën gjermane dhe të informohen saktë mbi ligjet e emigracionit.

Projekti, që ka kushtuar 1 milion euro, përfshin këshilla ligjore të strukturuara, informacione të përditësuara mbi emigracionin dhe teste të gjuhës gjermane nga niveli A1 deri në C1. Çdo pyetje që i drejtohet programit merr përgjigje të kontrolluara dhe të verifikuara, duke garantuar saktësi dhe besueshmëri.

“Kam dy vite që merrem me këtë program dhe kam paguar ekspertë deri në 5 mijë euro për orë për ta ndërtuar”, tregon Meti, duke e kthyer teknologjinë në një aleat real për mijëra emigrantë shqiptarë.  / abcnews.al /

Nga Gjermania drejt “Santiago Bernabéu”: Ajan Bajrami, 9-vjeçari që magjepsi Real Madridin

27 January 2026 at 12:58

Një histori frymëzuese suksesi erdhi këtë mëngjes nga Gjermania, aty ku talenti shqiptar po shkruan faqet e para të një ëndrre të madhe futbolli. Në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, Muhamet dhe Ajan Bajrami, baba e bir, ndajnë emocionet e një rruge që sapo ka nisur, por që tashmë ka tërhequr vëmendjen e gjigantëve të futbollit europian.

Vetëm 9 vjeç, Ajan Bajrami ka marrë një ftesë zyrtare për provat kombëtare të Real Madridit, një nga klubet më prestigjioze në botë. Pas pjesëmarrjes në akademinë madrilene, vogëlushi shqiptar spikati menjëherë mes rreth 100 lojtarëve të moshave 8 deri në 16 vjeç, duke u renditur i pari dhe duke shënuar plot 35 gola.

“Ishim disa lojtarë që u përzgjodhëm nga Reali dhe u habita shumë kur, pas dy ditësh prove, trajnerët thirrën emrin tim si lojtari më i mirë”, tregon Ajan, me sinqeritetin dhe entuziazmin e një fëmije që po jeton ëndrrën e tij më të madhe.

Talenti i tij nuk ka kaluar pa u vënë re as në Gjermani. Pas eksperiencës me Real Madridin, Ajan ka marrë disa kërkesa për t’u bërë pjesë e ekipeve nga Bundesliga e Dytë, por familja dhe vetë lojtari janë të vendosur të mendojnë me kujdes çdo hap. “Synimi im është Real Madrid, skuadra e zemrës sime”, shprehet ai.

Ndërkohë, Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka hedhur sytë mbi Ajan Bajramin. Ai stërvitet nga trajnerët më të mirë të federatës dhe është pjesë e programit elitar DFB-Stützpunkt, një program i veçantë zhvillimi ku përzgjidhen vetëm 15 talente në nivel kombëtar dhe Ajani është një prej tyre.

“Stërvitja është çdo të hënë dhe për Ajanin është dita më e lumtur e javës”, tregon babai i tij, Muhameti, duke theksuar mbështetjen dhe sakrificat familjare pas këtij rrugëtimi.

Pas këtij programi, rruga e Ajan Bajramit pritet të vijojë drejt një qendre elitare për zhvillimin e të rinjve, aty ku formohen yjet e së nesërmes së futbollit europian.

“Tym i zi” për Ardian Ismajlin/ Mbrojtësi shqiptar do të qendrojë për një muaj jashtë fushave

27 January 2026 at 12:46

Do ta marrë malli për futbollin.

Ardian Ismajli është sërish fatkeq dhe mbrojtësi I kombëtares do të duhet të bëjë një tjetër ndalesë pak a shumë të gjatë.

Klubi I tij, Torino, njofton për rezultatin e vizitave mjekësore pas dëmtimit që ai pësoi në ndeshjen ndaj Komos në Serinë A, dhe lajmet nuk janë edhe aq të mira.

Ismajli do të qendrojë një muaj jashtë fushave të lojës, duke humbur disa ndeshje për ekipin “granata”.

Natyrisht, do t’i duhet edhe një periudhë e caktuar që të marrë formën.

Lëndimi ndodhi gjatë humbjes së rëndë 6-0 pësuar në fushën e Komos, kur në minutën e 20-të, ai u ul në fushë dhe kërkoi zëvendësim.

Mediat italiane shkruajnë se futbollisti ka dëmtim muskulor në këmbë.

Theksohet që vetëm këtë sezon, Ismajli ka pasur katër dëmtime, fillimisht në gusht, pastaj në shtator, në nëntor dhe tani në janar.

Në total, ai ka humbur 10 ndeshje këtë edicion, me 65 ditë mungesë në fushëën e lojës apo të stërvitjes.

Shpresohet që këtë herë shkëputja të mos jetë e gjatë, dhe mbrojtësi kuqezi të jetë gati për ndeshjen ndaj Polonisë në plej ofin e Botërorit në 26 mars.

“Kanalet kulluese të zëna nga ndërtimet pa leje”, Rama ndan pamjet: Vijon puna për lirimin e hapësirave!

27 January 2026 at 12:46

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetin social Facebook pamje nga aksioni për lirimin e hapësirave publike. Këtë herë fokusi ishte në zonën e Urës së Dajlanit-Plazh, ku sipas Ramës vijon puna për lirimin e hapësirave të bankinave të kanaleve kulluese të zëna nga ndërtimet ndër vite pa leje.

” Në segmentin Ura e Dajlanit – Plazh, vijon puna për lirimin e hapësirave të bankinave të kanaleve kulluese të zëna nga ndërtimet pa leje.”, shkruan Rama.  / abcnews.al /

❌
❌