Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 January 2026Main stream

PD e fton në takim, Lapaj: Jam në shesh, nuk ka vend për…

By: e xh
7 January 2026 at 22:37

PD prej disa ditësh u ka shtrirë “dorën e bashkëpunimit” të gjitha forcave opozitare, duke i ftuar në një tryezë të përbashkët të premten në orën 11. Qëllimi kësaj tryeze është bashkërendimi i forcave politike për të nisur protestat kombëtare.

Në lidhje me ftesën e PD, drejtuesi i Shqipëria Bëhet Adritaik Lapaj është shprehur se nuk ka vend për organizimin e tryezës dhe se vet ai ndodhet në shesh duke protestuar.

Lapaj u shpreh se do të bashkëpunonte nëse forcat politike nuk do të protestonin me flamuj partish, por me flamurin kombëtar.

“Jam në shesh, ne qytetarët jemi në shesh. Nuk ka vend por tryeza këtu. Duhet të gjitha shoqatat dhe partitë ti nxisin qytetarët në një simbol, flamuri kombëtar. Ne jemi njerëzit që kemi protestuar 30 ditë. Kemi bërë protesta pa paguar lekë e autobusë, paguajnë lekë këta o shok. Ne sot kemi nevojë të shpëtojmë republikën o zotëri”,-tha Lapaj.

Protestë kundër qeverisë, Lapaj: Prisja që të na bashkoheshin më shumë qytetarë

By: e xh
7 January 2026 at 22:26

Që nga data e 8 dhjetor, drejtuesi i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj proteston kundër qeverisë duke qëndruar përball kryeministrisë.

Në emisionin “Opinion”, Lapaj ka folur në lidhje me protestën e tij duke theksuar se ka pritur që qytetarët të cilët do i bashkoheshin protestës do të ishin më të shumtë.

I pyetur se deri kur do të zgjasë protesta e tij, Lapaj nuk ka dhënë një afat.

“Kur unë e nisia e nisa me bindjes se duhet reaguar. Në çdo vend normal ku një punonjës shteti akuzohet për vjedhje, kam pritur që njerëzit të shtoheshin. Janë shtuar, por jo në numrat që do të doja që të ishin shtuar. Qytetarët kanë një pritshëmri nga drejtësia, por kjo nuk mjafton.  Aty nuk është një protestë e bërë nga lëvizja”,-tha Lapaj.

Rrëshqitje masive e dherave në aksin Qukës-Qafë Plloçë, bllokohet qarkullimi

By: e xh
7 January 2026 at 20:57

Vijon rrëzimi i masiveve të dheut në aksin Qukës-Qafë Plloçë. Një tjetër rrëshqitje dheu ka ndodhur disa minuta më parë në lotin e dytë të këtij aksi rrugor.

Një masiv i madh dheu dhe gurësh ka bllokuar tërësisht lëvizjen e mjeteve. Aktualisht në zonë po punohet për pastrimin, ndwrsa tw dyja akset janw tw bllokuara.

Policia në këto momente ka bllokuar edhe rrugën në Pllocën e re, duke i drejtuar në segmentin e vjetër për shkak se rreziku është evident edhe në vende të tjera të aksit për rrëshqitje.

Deri në momentin e zgjidhjes së problematikës, rruga do të jetë e bllokuar. Me këtë devijim, pamundësohet edhe lëvizja për drejtuesit e mjeteve që nuk kanë patur informacion.
Rruga e re Qukës – Qafë Pllocë është tanimë e bllokuar dhe po përdoret aksi i vjetër rrugor.

Trump: Pa ne, NATO nuk i tremb dot Rusinë dhe Kinën

By: e xh
7 January 2026 at 20:18

Presidenti i SHBA Donald Trump theksoi se Rusia dhe Kina nuk kanë frikë nga NATO pa Shtetet e Bashkuara, ndërsa nënvizoi se të gjithë janë me fat që ai ka rindërtuar ushtrinë amerikane në mandatin e parë.

“Mbani mend, për të gjithë ata tifozë të mëdhenj të NATO ata ishin në 2% të pbb-së dhe shumica nuk i paguanin faturat e tyre. Shtetet e Bashkuara, në mënyrë idiote, po paguanin për ta! Unë, me respekt, i çova në 5% të pbb-së, dhe ata paguan, menjëherë. të gjithë thanë se nuk mund të bëhej, por mund të bëhej, sepse, përveç kësaj, ata janë të gjithë miqtë e mi.

Pa përfshirjen time, Rusia do ta kishte të gjithë Ukrainën tani. Gjithashtu, mbani mend, unë i kam dhënë fund 8 luftërave i vetëm, dhe Norvegjia, anëtare e NATO-s, zgjodhi në mënyrë të pamend të mos më jepte çmimin nobel për paqen. Por kjo nuk ka rëndësi! ajo që ka rëndësi është se unë kam shpëtuar miliona jetë. Rusia dhe Kina nuk kanë frikë nga NATO pa Shtetet e Bashkuara’, tha ai. 

Nafta, Trump: Të ardhurat do të përdoren në dobi të SHBA dhe Venezuelës

By: e xh
7 January 2026 at 19:26

Venezuela do t’i dorëzojë Shteteve të Bashkuara 50 milionë fuçi naftë, me vlerë rreth 2.8 miliardë dollarë, pas operacionit ushtarak për arrestimin e presidentit Nicolás Maduro.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, tha se nafta do të shitet sipas çmimit të tregut dhe se ai do të kontrollojë të ardhurat financiare, të cilat – siç theksoi – do të përdoren në përfitim të popullit të Venezuelës dhe të SHBA-së.

Komentet e Trump vijnë pasi ai deklaroi se industria amerikane e naftës do të “ringrihej dhe do të funksiononte” në Venezuelë brenda 18 muajsh dhe se priten investime të mëdha në vend.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se Autoritetet e Përkohshme në Venezuelë do t’i dorëzojnë Shteteve të Bashkuara të Amerikës midis 30 dhe 50 milionë fuçi naftë të sanksionuar me cilësi të lartë. Kjo naftë do të shitet me çmimin e tregut dhe këto para do të kontrollohen nga unë, si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të siguruar që të përdoren në dobi të popullit të Venezuelës dhe të SHBA-së. I kam kërkuar Sekretarit të Energjisë, Chris Wright, ta zbatojë këtë plan menjëherë,” shkroi Trump.

Analistët kanë thënë më herët se do të duheshin dhjetëra miliarda dollarë dhe ndoshta një dekadë për të rikthyer prodhimin e dikurshëm të Venezuelës.

Zhvillimet vijnë një ditë pasi Delcy Rodríguez, ish-zëvendësja e Maduros, u betua si presidente e përkohshme. Ndërkohë, 63-vjeçari po gjykohet në Shtetet e Bashkuara nën akuza për narkotrafik dhe zotërim të armëve shkatërruese.

Sipas burimeve, përfaqësues të kompanive të mëdha amerikane të naftës do të takohen këtë javë me zyrtarë të administratës Trump. Megjithatë, ekspertët mbeten skeptikë nëse planet e presidentit Trump do të kenë një ndikim të madh në furnizimet globale dhe, rrjedhimisht, në çmimin e naftës.

Sipas tyre, kompanitë do të kërkojnë garanci që një qeveri e qëndrueshme të vijë në detyrë dhe, edhe nëse investojnë, do të duhen vite që projektet të gjenerojnë të ardhura.

Durrësi i përmbytur, Vengu:Kthimi i banorëve në banesa prioritet, hidrovorët në punë

By: e xh
7 January 2026 at 19:14

Në përfundim të mbledhjes së Komitetit të Emergjencave Civile në Durrës, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha se kthimi i banorëve që janë evakuuar në banesa është prioritet.

Vengu theksoi se nuk ka agravim të situatës në Durrës, por ka ende prezencë uji në oborre, ndërsa të gjithë hidrovorët janë në punë.

Po ashtu, Vengu tha se nuk ka kaluar rreziku në zonën e Nënshkodrës, ndërsa grupet e punës do të vijojnë që të jenë në terren.

‘Kemi krijuar një grup edhe me ekspertë të ujësellës edhe me ndihmë të bashkjoive të tjera dje dhe një grup forcash civile dhe ushtarake në 5 zona ku kemi ende prezencë uji në banesa. Prioriteti janë njerëzit dhe zonat e banura. Elementi i dytë ka të bëë me shbllokimin e kalanve të ujërave të larta. Hidrovovet janë në funksionim të plotë madje ne kemi aktivizuar edhe hidrovorin e vjetër. 5 skuadra do të shkojnë shtëpi më shtëpi në zonën e kënetës dhe do të jemi në terren që skuadra shkon aty ku është nevoja. Nuk ka kaluar rreziku në Nënshkodër, në Obot kemi përforcime sepse ka prezencë uji në zonat bujqësore, por jo në ato të banuara. Kemi shumë prurje në Vjosë që vjenë nga Greqia, kemi përforcime edhe në argjinatura. Është një natë shumë dinamike ‘, tha ai. 

Përmbytjet/ 3100 ha tokë nën ujë në Lezhë

By: e xh
7 January 2026 at 19:05

3100 hektarë tokë janë nën ujë në Qarkun e Lezhës ku më i prekur është Kurbini. Qindra banesa janë të rrethuara nga uji. 10 familje janë evakuuar, 2 në Lezhë dhe 8 Kurbin.

Banorët e Laçit fajësojnë Bashkinë Kurbin, për neglizhencë dhe dështim të investimeve në dy përrenjtë kryesorë.

“Laçin e ka përmbyt bashkia, sepse një përrua që ka të njëjtën prurje 100 metra me tej, e kanë bërë 5 metra të gjerë, ky përroi ka prurje më shumë është bërë sa gjysma e tij. Dëme komplet baltë hidhen inertet vend e pa vend. Dhe kjo vetëm e bashkisë. Përroi është në të njëjtë vrimë, kjo nuk është ndryshuar është bërë investim me gjysmën e kapacitetit. kjo është fakt konkret SPAK-u vetëm t’i kapë si Maduro”, thotë një banor.

Përballë situatës që po përjetojnë vetëm një muaj nga përmbytjet e mëparshme, banorët e fshatit Gjorm, protestuan duke bllokuar rreth 1 orë rrugën nacionale Laç-Mamurras. Sipas tyre, gjithçka është pasojë e mospastrimit të kanaleve kulluese.

“Kemi 20 vjet, një avaz kemi sa herë bie shi. Kanali ka mbi 20 vjet nuk është larë asnjëherë. Skavatorin e kanë sjellë mbrëmë në 8 të darkës. As drita as ujë asnjë gjë. Të na e bëjnë këtë dreq rruge.

Kemi tre dite s’kemi ku dalim, jemi 300 shtëpi mbi 2000 njerëz të bllokuar.

Situata është përsërit nga 4-5 vjet. Asnjë lloj ndërhyrje përveç ca kemi bërë vetë çunat me lekët tona. 100 metra rrugë sa me kalu komuniteti. Dëmtohet nga reshjet dhe del kanali i madh pa pastru këtu

Këtu nuk shihet një kryetare e bashkisë qysh dje. Dëme ka bo, si është bërë rruga. Kemi thirr nuk ka ardhur askush, kemi dale me kazma me lopata

Prap pas një muaji ndodh e njëjta situatë, asnjë bordurë nuk është bërë, nuk është marrë asnjë lloj mase as pastrim, një makinë cakull nuk është hedhur. uji 1 metër e gjysëm uji mbi rrugën nacionale

Po të ishte pastruar gryka e kanalit në përmbytjen e parë nuk do ishte përmbyt.. është bërë me ik nga ky vend”, thonë banorët.

Banorët kanë bllokuar kanalin e madh që të mos përmbyste fshatin me karroca me thasë. bordi kullimit nuk duket ne asnjë vend hedhin naftë mjeteve të tyre dhe nuk bëjnë asnjë punë

Në fshatin Adriatik, mbi 20 familje janë izoluar në banesat e rrethuara nga uji. Ndonëse dy hidrovoret në këtë fshat, punojnë me kapacitet të plotë, uji ka mbuluar rrugët dhe fushat e mbjella.

Në qytetin e Lezhës, uji është tërhequr nga disa lagje. Përmbytja ka dëmtuar fushën e stadiumit Besëlidhja, e mbuluar plotësisht nga uji. Në Krujë, lumi Ishëm është tërhequr në shtrat, por mbeten nën ujë tokat bujqësore në fshatin Bilaj, Murqinë dhe Mallkuç ku nuk funksionojnë kanalet kulluese.

FIFA me risi për Kupën e Botës 2026, inteligjenca artificiale do përdoret për të…

By: e xh
7 January 2026 at 18:31

Inteligjenca artificiale mund të hyjë së shpejti në futboll. Sipas CalcioeFinanza.it, FIFA synon ta përdorë atë në Kupën e Botës 2026 për ta bërë zbulimin gjysmëautomatik të pozicionit jashtë loje edhe më të saktë dhe më të lehtë për t’u kuptuar. Infantino, president i organit qeverisës botëror të futbollit, njoftoi këtë veprim me Lenovon.

Elementi kyç do të ishte prezantimi i avatarëve 3D, të gjeneruar nga inteligjenca artificiale dhe të përfshirë në sistemin e pozicionit jashtë loje. Të gjithë pjesëmarrësit do t’i nënshtrohen një skanimi digjital me saktësi të lartë, një proces që zgjat rreth një sekondë dhe do të krijojë një model jashtëzakonisht të saktë 3D të pjesëve të trupit të protagonistëve në fushë.

Edhe me një pamje të penguar pjesërisht ose ndryshime të papritura në shikim, lëvizjet e lojtarëve do të identifikohen. Kjo do të rezultojë në më pak gabime dhe vendimet e VAR do të merren më shpejt, të paktën në këtë drejtim. Për më tepër, avatarët 3D do të transmetohen në prodhimet zyrtare televizive, duke eliminuar çdo dyshim. Sistemi është testuar tashmë në Kupën Ndërkontinentale.

Përveç kësaj, FIFA do të prezantojë platformën Football AI Pro për të mbështetur ekipet kombëtare në përdorimin e të dhënave dhe zhvillimin e analizave para dhe pas ndeshjes, si dhe një përditësim të Referee View, i cili do të ofrojë imazhe më të buta.

Kuba publikon emrat dhe fotot e ushtarakëve të vrarë gjatë arrestimit të Maduros

By: e xh
7 January 2026 at 17:39

Emrat, gradat dhe moshat e 32 ushtarakëve kubanë të vrarë gjatë kapjes së presidentit venezuelas Nicolás Maduro nga forcat amerikane janë publikuar të martën nga qeveria kubane, e cila shpalli dy ditë zie.

Mes tyre ka kolonelë, togerë, majorë dhe kapitenë, si dhe disa ushtarë rezervë, të moshave 26-60 vjeç, raporton Associated Press.

Personeli i përkiste Forcave të Armatosura Revolucionare dhe Ministrisë së Brendshme, dy agjencive kryesore të sigurisë së Kubës. Në postim nuk specifikohen misionet e tyre ose detaje për vdekjen.

Media shtetërore kubane publikoi të dhënat dhe portretet e tyre me uniforma ushtarake.

Të martën, ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodríguez, tha se kubanët ishin “të gatshëm të jepnin jetën e tyre” kundër çdo ndërhyrjeje amerikane, ndërsa ishulli po konsideronte një të ardhme pa Maduron si udhëheqës të Venezuelës.

“Presidenti i SHBA-së, duke treguar një mungesë të plotë kuptimi për Kubën dhe duke përsëritur axhendën e gënjeshtrave të politikanëve kubano-amerikanë dhe grupeve të tjera të interesit, shpif për popullin tone dhe e kërcënon”, shkroi Rodríguez në X. “Populli ynë trim, besnik ndaj historisë së tij të luftës, do ta mbrojë kombin e vet kundër çdo agresioni imperialist.”

Të dielën, autoritetet kubane pranuan vdekjen e personelit që ndodhej në vendin e Amerikës së Jugut si pjesë e marrëveshjeve mes dy vendeve. “Bashkatdhetarët tanë e përmbushën detyrën e tyre me dinjitet dhe heroizëm, duke rënë pas një rezistence të ashpër në përballje të drejtpërdrejtë kundër sulmuesve, ose si pasojë e bombardimit të objekteve”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Detaje të kufizuara për kubanët e vrarë në sulm

Informacioni për oficerët kubanë të vrarë filloi të dilte gradualisht të hënën në mbrëmje, ndërsa kubanët deklaronin publikisht se ata kishin vdekur për një kauzë të drejtë.

Duhet ta thuash këtë për të thënë të njëjtën gjë si qeveria”, tha Luis Domínguez, i cili drejton faqen e internetit Represores Cubanos që publikon të dhëna personale të zyrtarëve që dyshohet se janë të përfshirë në abuzime të të drejtave të njeriut dhe shkelje të normave demokratike. “Brenda vendit, kubanët duhet të jenë duke thënë diçka tjetër”, shtoi ai.

Domínguez tha se beson se një nga të vrarët, koloneli 67-vjeçar Humberto Alfonso Roca Sánchez, kishte qenë komandant garnizoni i Punto Cero, ku dikur kishte jetuar Fidel Castro. Një tjetër oficer i vrarë, koloneli 62-vjeçar Lázaro Evangelio Rodríguez Rodríguez, besohet se kishte mbikëqyrur rojet bregdetare dhe kufitare të Kubës, tha Domínguez.

Si aleatë të ngushtë ekonomikë dhe politikë, Kuba dhe Venezuela kanë marrëveshje në fusha që variojnë nga siguria te energjia, përfshirë shitjen e naftës së subvencionuar për ishullin që nga viti 2000. Megjithatë, shkalla e shkëmbimeve ushtarake ose këshillimore është raportuar rrallë.

Një postim i publikuar të hënën në faqen e pavarur La Joven Cuba, një blog që ofron një platformë për shumë zëra opozitarë në ishull, paraqiste një profil të togerit të parë Yunio Estévez. Ai ishte shkruar nga një gazetar që ishte mik i ngushtë i tij. Postimi përfshinte detaje nga jeta e 32-vjeçarit dhe fotografi me tre fëmijët e tij, të cilët i kishte rritur së bashku në provincën Guantánamo, në lindje të Kubës.

Raporti i La Joven Cuba thoshte se Estévez, një ekspert i komunikimeve përgjegjës për një departament të sigurisë personale, u qëllua gjatë sulmit. Postimi u hoq më vonë atë mbrëmje me kërkesë të familjes, njoftoi faqja e internetit.

Një protestë dhe një minutë heshtje

Sulmi amerikan ndaj Venezuelës e shtyu Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS) të mbante një mbledhje të posaçme të martën, ku një protestuese ndërpreu fjalimin e ambasadorit amerikan Leandro Rizzuto. “Shumica e njerëzve janë kundër kësaj!” thirri Medea Benjamin, bashkëthemeluese e Code Pink, një organizatë jofitimprurëse amerikane kundër luftës. “Duart larg Venezuelës!” Ajo bëri thirrje për heqjen e sanksioneve, ndërsa zyrtarët e OAS kërkuan ndërhyrjen e rojeve të sigurisë, të cilët përfundimisht e nxorën nga salla.

Rizzuto rifilloi fjalimin e tij pasi Benjamin u largua: “E kuptoj se ka shumë emocione të forta.” Ai e quajti sulmin një “veprim të synuar të zbatimit të ligjit” kundër një “krimineli të paditur”. “Ta bëjmë të qartë, SHBA-ja nuk e pushtoi Venezuelën”, tha Rizzuto. “Presidenti Trump i ofroi Madurós disa rrugëdalje. Kjo nuk ishte një ndërhyrje në demokraci… përkundrazi, hoqi pengesën ndaj saj.”

Ai tha se SHBA-ja dëshiron një të ardhme më të mirë dhe demokratike për Venezuelën. “Nuk mund të vazhdohet të kesh rezervat më të mëdha të naftës në botë nën kontrollin e kundërshtarëve të Hemisferës Perëndimore, ndërkohë që populli i Venezuelës nuk ka energji elektrike, ka një cilësi jete nën standarde dhe fitimet nuk u shkojnë njerëzve në Venezuelë”, tha Rizzuto. “Fitimet vidhen nga një grusht oligarkësh në mbarë botën, përfshirë edhe ata brenda Venezuelës.”

Ai bëri gjithashtu thirrje për lirimin e rreth 1,000 të burgosurve politikë, duke thënë se SHBA-ja mbështet kërkesën e Komisionit Ndër-Amerikan për të Drejtat e Njeriut për të vizituar personalisht qendrën e paraburgimit.

Pas fjalimit të Rizzutos, ambasadori peruan Rodolfo Coronado kërkoi një minutë heshtje për viktimat e regjimit të Madurós. Gjatë mbledhjes së OAS, përfaqësues të disa vendeve dënuan ashpër sulmin amerikan.

Mauricio Jaramillo, zëvendësministër i punëve të jashtme i Kolumbisë, denoncoi atë që e quajti një sulm ndaj sovranitetit të Venezuelës. Ai tha se veprimi ushtarak i njëanshëm ishte një “shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare” që krijoi një precedent “jashtëzakonisht shqetësues”.

Para se të fillonte mbledhja e posaçme e OAS, rreth një duzinë protestuesish u mblodhën jashtë duke mbajtur pankarta ku shkruhej: “Jo luftë kundër Venezuelës” dhe “Arepa, jo bomba”.

Balluku: Operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës po vijojnë normalisht

By: e xh
7 January 2026 at 17:25

Operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës po vijojnë normalisht deri në këto momente, pavarësisht kushteve të paqëndrueshme atmosferike. Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, bëri të ditur se situata meteorologjike ka shkaktuar në disa raste shmangie apo vonesa gjatë uljes së avionëve, ndërsa Shërbimet e Lundrimit Ajror janë në gatishmëri të plotë për të menaxhuar çdo situatë të pazakontë që mund të lindë nga përkeqësimi i mundshëm i motit në orët në vijim.

“Operimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës vijojnë normalisht gjatë ditës deri në këto momente. Situata meteorologjike mbetet e paqëndrueshme, duke shkaktuar në disa raste shmangie ose vonesa gjatë uljes. Shërbimet e Lundrimit Ajror janë plotësisht të angazhuara për të menaxhuar çdo situatë të pazakontë që mund të krijohet si pasojë e përkeqësimit të mundshëm të kushteve gjatë orëve në vijim”,tha Balluku.

“Maduro dhe gruaja e tij u plagosën teksa përpiqeshin të fshiheshin”

By: e xh
7 January 2026 at 16:36

Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, raportohet të kenë pësuar lëndime gjatë operacionit sekret të Shteteve të Bashkuara, me qëllim kapjen e tyre në kryeqytetin Karakas.

NBC News raporton se lëndimet nuk lidhen me përballje direkte me komandot amerikanë. Në vend të kësaj, besohet se ato ndodhën ndërsa çiftit, në panik, po përpiqej të fshihej në një vend të sigurt, duke u përplasur me mure dhe dyer. Vlerësimet e para flasin për mavijosje dhe lëndime të lehta, pa tregues të përdorimit të dhunës nga forcat e njësisë elite Delta Force.

Pak para orës 03:00 të mëngjesit të së shtunës u finalizua një nga operacionet më kontraverse të SHBA-së në Venezuelë, me një kohëzgjatje totale prej 2 orësh e 28 minutash.

Presidenti dhe bashkëshortja e tij u arrestuan brenda kompleksit të tyre në Fuerte Tiuna, baza më e madhe ushtarake e KaraKasit, dhe u transportuan jashtë Venezuelës nën mbulimin e një force të gjerë ajrore dhe detare amerikane.

Sipas burimeve, forcat amerikane arritën në vend rreth orës 01:00 të mëngjesit dhe depërtuan në hyrjet e fortifikuara të rezidencës, duke e kapur çiftin në befasi.

Për hyrjen u përdorën granata shoku-dritë, që lëshojnë dritë të fortë dhe zë të lartë për të shkaktuar çorientim. Lëndimet raportohet të kenë ndodhur pak para ose gjatë kësaj faze, kryesisht si pasojë e përplasjes me sipërfaqet e ambientit.

Pas përfundimit të operacionit, të dy u transportuan me aeroplan në New York, ku iu nënshtruan kontrollit mjekësor në bazën Stewart Air National Guard, në veri të qytetit.

Gjatë paraqitjes së parë publike, Flores kishte mavijosje të dukshme në fytyrë, ndërsa avokati i saj njoftoi se po shqyrtohet mundësia e thyerjeve në brinjë dhe kërkohet vlerësim i mëtejshëm mjekësor. Ndërsa Maduro ka nevojë gjithashtu për monitorim për shkak të problemeve të përgjithshme shëndetësore.

Vjosa në pikën kritike, rritet frika nga përmbytjet në Novoselë

By: e xh
7 January 2026 at 16:33

Problematike paraqitet situata në Novoselë, ku niveli i lumit Vjosë ka arritur në kuotën 8 metra, ndërkohë që mbi kuotën 8.5 metra, Vjosa nis përmbytjen e zonave përreth, duke shtuar ankthin e frikën e banorëve.

Situata vijon të mbetet shqetësuese, pasi prurjet nga Përmeti dhe Memaliaj janë ende të larta.

Gjendja paraqitet e pafavorshme edhe për shkak të erës bregdetare, e cila ka krijuar pengesa në derdhjen e lumit në det, duke rënduar më tej situatën hidrike.

Banorët e zonave të prekura shprehen të indinjuar, duke theksuar se kjo situatë përsëritet prej vitesh dhe, sipas tyre, nuk janë marrë masa konkrete për parandalimin e përmbytjeve.

Çmimet e naftës bien sërish, pas deklaratave të Trump për Venezuelën

By: e xh
7 January 2026 at 16:27

Çmimet e naftës vijuan sot rënien, mes frikës për rritje të ofertës, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Venezuela do t’i dërgojë Shteteve të Bashkuara deri në 50 milionë fuçi naftë.

Në një postim dje në platformën e tij Truth Social, Trump tha se qeveria e përkohshme e Venezuelës do t’i dorëzojë SHBA-së nga 30 deri në 50 milionë fuçi naftë të sanksionuar duke e paraqitur këtë veprim si përfitim për të dyja vendet.

Një fuçi përmban 159 litra. Kjo sasi është e barabartë me prodhimin një deri në dy mujor të naftës të Venezuelës. Nafta do të shitej me çmime tregu dhe të ardhurat do të kontrolloheshin prej tij si president, për të garantuar se do të përdoreshin në dobi të popullit të Venezuelës dhe të Shteteve të Bashkuara, sipas Trump.

Një fuçi e naftës Brent të Detit të Veriut për dorëzim në mars u ul sot në mëngjes me 56 cent ose gati 1%, në 60,14 dollarë, pasi çmimi kishte rënë me afro 2% të martën.

Ndërkohë, çmimi i një fuçie të naftës amerikane WTI për dorëzim në shkurt u ul me 73 cent ose 1,3%, në 56,40 dollarë.

Fillimisht ishte e paqartë se për çfarë periudhe kohore do të vihej në dispozicion vëllimi i naftës së papërpunuar i përmendur nga Trump.

Nafta është burimi më i rëndësishëm i të ardhurave dhe valutës së huaj për Venezuelën.

Udhëheqja e re në Karakas nuk reagoi menjëherë ndaj njoftimit të Trump.

SHBA sekuestron anijen cisternë me flamur rus

By: e xh
7 January 2026 at 15:55

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka sekuestruar sot një cisterne nafte me flamur rus në ujërat e Atlantikut të Veriut.

Sipas US European Command, anija Marinera, e njohur më parë si Bella 1, është marrë nën kontroll për shkelje të sanksioneve të SHBA-së.

Operacioni është kryer në sinkron mes Departamentit të Drejtësisë, Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe Departamentit të Mbrojtjes, mbi bazën e një urdhri të lëshuar nga një gjykatë federale amerikane. Rojet bregdetare amerikane po e ndiqnin anijen prej disa ditësh përpara se të ndërhynin.

Sipas mediave amerikane, cisterna është e lidhur me interesa venezueliane dhe dyshohet se ka transportuar ose ka tentuar të transportojë naftë në shkelje të regjimit të sanksioneve. Anija u ndalua pranë zonës ekonomike ekskluzive të Islandës, ndërsa autoritetet islandeze po monitoronin lëvizjet e saj.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se “bllokada ndaj naftës së sanksionuar venezueliane mbetet plotësisht në fuqi, kudo në botë”, duke sinjalizuar vijimin e operacioneve të tilla.

Ngjarja vjen në një moment tensionesh të shtuara ndërkombëtare, pas kapjes së Nicolas Maduros dhe bashkëshortes së tij nga forcat amerikane. Pas arrestimit të Maduros, sekuestrimi i cisternës konsiderohet si një goditje e fortë ndaj flotave në hije që transportojnë naftë për Rusinë, Iranin dhe Venezuelën.

Kosovë/ Reshjet shkaktojnë dëme në disa qytete

By: e xh
7 January 2026 at 15:26

Në Kosovë është pezulluar mësimi në të gjithë shkollat e vendit. Shkak janë bërë përmbytjet në disa prej qyteteve kryesore. Minstrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci njoftoj se mësimi do të rifilloj të hënën e 12 janarit.

Drenasi, Fushë-Kosova, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skënderaji dhe Gjakova, janë komunat më të prekura nga vërshimet, sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent në Kosovë.

Në Gjakovë janë evakuuar mbi 20 familje, 20 të tjera në Drenas dhe dhjetra të tjera në Malishevë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, falënderoi institucionet për reagimin ndaj vërshimeve për mbrojtjen e “jetës dhe pronës”.

“Situata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente”  shkruan Osmani në Facebook, ndërsa shtoj se Forca e Sigurisë së Kosovës është në gatishmëri që të ofrojë mbështetje “nëse paraqitet nevoja”.

Përmbytjet sollën edhe ndërprerjen e energjisë elektrike në Drenas, Malishevë dhe Rahovec. Në Drenas, uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik.

Përveç ndërprerjeve të energjisë, qytetarët u përballën edhe me ndërprerje të ujit, kryesisht në Mitrovicë. Në Prishtinë, komuna apeloi për kujdes, duke shtuar se, shkaku i vërshimeve, mund këtë probleme në qarkullimin rrugor, me kanalizime dhe rrëshqitje dheu.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tha se aktualisht nuk ka të dhëna për ndotje të ujit. Megjithatë, IKSHPK-ja rekomandoi që qytetarët ta valojnë ujin para se ta përdorin, dhe ushqimi që ka pasur kontakt me ujin e shiut të mos konsumohet.

Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale. Dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, vlerësohet nga ekspertët si një nga arsyet kreysore të përmbytjeve.

Moti i keq në Durrës/Situata më problematike në ish-Kënetë, 953 banesa të përmbytura

By: e xh
7 January 2026 at 15:11

Në të gjithë Rrethin e Durrësit janë evidentuar 953 banesa të cilat kanë prani uji brenda dhe nëpër oborret e tyre. Më konkretisht këto banesa gjenden në zonën e ish-Kënetës, në lagjen 14 Shkozet, në Zonën e plazhit, në njësitë administrative Manëz dhe Rrashbull.

Janë 160 persona të strehuar në 2 shtëpitë e pushimit, në atë të Ministrisë së Rendit Publik si dhe në atë të Mbrojtjes. Aktualisht janë ngritur 15 grupe pune të cilët po merren me evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga shirat. Ndërkohë janë evidentuar gjithashtu edhe 337 biznese të cilat kanë prani uji në mjediset e tyre.

Gjithashtu nën ujë janë edhe sipërfaqe të tëra të tokave bujqësore në Njësitë administrative të Manzës, Sukthit dhe të Katundit të Ri. Janë mbi 100  ha tokë bujqësore nën ujë.

Shkaku i kësaj situate përpos sasisë së madhe të reshjeve të rëna për disa orë rresht pa ndalim, janë edhe mos funksionimi i mirë i rrjeteve kulluese të ujit siç janë tubacionet e kanalizimeve ashtu edhe kanalet e ujërave të bardha. Mosfunksionimi i tyre lidhet me mungesën e mirëmbajtjes dhe pastrimit të tyre në kohë të thatë ose ndryshe në muajt e ngrohtë të vitit. Për këtë shkak doli nga shtrati kanali i ujërave të bardha që shtrihet nga plazhi e përshkon Shkozetin.

Në ndihmë të banorëve të përmbytur po punojnë grupet e emergjencave civile, janë 100 forca me mjetet e tyre përkatëse të dislokuar në Durrës, janë forcat zjarrfikëse të bashkisë si dhe ato të portit detar, janë forcat dhe mjetet e UKD. Gjithashtu në mbështetje të tyre janë forcat e policisë së rendit si dhe trupa e policisë bashkiake.

Reshjet e shiut në vend, bllokohet aksi Gjirokastër-Tepelenë

By: e xh
7 January 2026 at 14:49

Qarkullimi në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë në afërsi të fshatit Hormovë është paralizuar prej disa orësh.

Radha e mjeteve në pritje për të kaluar në të dy krahët ka shkuar në 10 km.

Ndërkohë në vendngjarje për momentin janë prezent vetëm efektivët e Policisë rrugore, ndërsa punonjësit e firmës koncesionare të mirëmbajtjes së saj nuk janë prezent.

Ishin nisur drejt Rinasit, 350 pasagjerë bllokohen në Brindisi

By: e xh
7 January 2026 at 14:47

Rreth 350 pasagjerë, të cilët udhëtonin nga Bergamo dhe Bologna drejt Aeroportit të Rinasit, janë kthyer për shkak të motit të keq dhe kanë mbetur të bllokuar në aeroportin e Brindisit.

Pasagjerët, të cilët kishin si destinacion përfundimtar Shqipërinë, vijojnë të qëndrojnë në aeroportin e Brindisit. Për shkak të mungesës së informacionit dhe zgjidhjeve nga kompania ajrore, ata kanë protestuar dhe vazhdojnë protestën, duke penguar edhe zhvillimin normal të proceseve dhe shërbimeve në aeroportin e Brindisit.

Sipas pasagjerëve, kompania ajrore Wizz Air i ka braktisur, duke i lënë në aeroport pa akomodim, transport alternativ apo sqarime të qarta për vazhdimin e udhëtimit.

Rama takon dhëndrin e Trump në Paris gjatë takimit me liderët europianë

By: e xh
7 January 2026 at 14:43

Gjatë vizitës zyrtare në Paris, kryeministri Edi Rama ka takuar sipërmarrësin Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Takimi mes tyre është zhvilluar gjatë Samitit të Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën.

Në rrjetin e tij social Facebook, kryeministri Edi Rama ka ndarë foto-galeri nga takimi, mes tyre foton duke u përqafuar me Kushner.

Moti i keq prek edhe fluturimet në aeroportin e Rinasit

By: e xh
7 January 2026 at 14:36

Gjatë 24 orëve të fundit, për shkak të fenomeneve meteorologjike mbi dhe në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, dy nga fluturimet në ardhje të datës 5, në orët e mbrëmjes, kanë devijuar drejt Barit, për shkak të pamundësisë për të vijuar uljen në mënyrë të sigurt.

Edhe gjatë ditës së sotme kanë pasur fenomene meteorologjike të lokalizuara në zona në afërsi të aeroportit. Stafet e Albcontrol kanë akomoduar të gjitha kërkesat e pilotëve për të shmangur këto fenomene gjatë fazave të fluturimit. Për shkak të këtyre devijimeve të shkaktuara nga kushtet e motit, mund të ketë vonesa në fluturimet e sotme.

Albcontrol po e ndjek situatën nga afër për të garantuar ofrimin e sigurt të shërbimeve të lundrimit ajror.

Gjatë mbrëmjes, nga ora 01:30-03:30, për shkak të kushteve meteorologjike të ngarkuara kanë devijuar 5 fluturime (Bologna, Milano, Torino, Bari, Keln) për në Brindisi dhe Bari. Gjatë ditës së sotme operimet vijojnë normalisht.

❌
❌