Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 December 2025Main stream

Lirohen 4 protestuesit e arrestuar pas protestës së opozitës

By: e xh
24 December 2025 at 13:59

Gjykata e Tiranës ka vendosur të lirojë 4 protestuesit e arrestuar pas protestës së opozitës më 22 dhjetor, Albi Kryeziu, Erlis Sina, Xhekson Dedaj dhe Artan Hysenaji. Ndaj tyre, Gjykata vendosi të caktojë masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, të njëjtën që kishte kërkuar edhe Prokuroria e Tiranës.

Pas përfundimit të protestës, policia shoqëroi disa persona, pasi në fund u hodhën molotovë e mjete piroteknike në drejtim të Kryeministrisë, ndërsa u tentua që të kalohej kordoni i policisë në rrethim të godinës duke u përplasur edhe me forcat e rendit. Gjatë protestës, 3 punonjës tëe Policisë mbetën të dëmtuar.

Disa qindra qytetarë iu përgjigjën për rreth dy orë thirrjes së kryedemokratit Sali Berisha për të marrë pjesë në protestën kombëtare para Kryeministrisë të hënën. Kryetari i opozitës ka denoncuar vjedhjen e parave publike nga zyrtarët më të lartë të qeverisë, si dhe goditjen që po i bën Edi Rama, sipas tij, organeve të drejtësisë.

Berisha u bëri thirrje mbarë qytetarëve, intelektualëve në mënyrë të veçantë, të zhvishen nga konformizmi për të ardhmen e familjeve dhe shoqërisë shqiptare, shkruan A2. Berisha i cilësoi Ramën dhe Rilindjen kufoma politike.

Tjetër shpërthim në Moskë, dy policë humbin jetën

By: e xh
24 December 2025 at 11:40

Dy oficerë policie dhe një person tjetër kanë humbur jetën pas një shpërthimi të ndodhur në Moskë, kanë bërë të ditur autoritetet ruse. Ngjarja ka ndodhur në rrugën Yeletskaya të kryeqytetit rus, ku dy efektivë të policisë rrugore kanë vënë re një “individ të dyshimtë” pranë një automjeti policie.

Sipas Komitetit Hetimor të Rusisë, oficerët iu afruan personit për ta ndaluar, por në atë moment u aktivizua një pajisje shpërthyese. Si pasojë e shpërthimit, dy policët humbën jetën nga plagët e marra, ndërsa një person tjetër, i cili ndodhej pranë vendit të ngjarjes, gjithashtu u vra.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi identitetin e të dyshuarit apo motivet e mundshme të sulmit. Hetimet janë në vijim, ndërsa zona është rrethuar për arsye sigurie.

Zëdhënësja e Komitetit Hetimor, Svetlana Petrenko, deklaroi në një njoftim të publikuar në Telegram se në Moskë është hapur një çështje penale “lidhur me atentatin ndaj jetës së oficerëve të policisë rrugore”.

Ky incident vjen vetëm dy ditë pas një tjetër sulmi të rëndë në kryeqytetin rus. Të hënën, një gjeneral i lartë, Fanil Sarvarov, u vra pasi një pajisje shpërthyese e vendosur nën automjetin e tij u detonua. Autoritetet po hetojnë nëse ka lidhje mes dy ngjarjeve, megjithëse deri tani nuk është konfirmuar asnjë pistë zyrtare.

Rritja ekonomike e SHBA përshpejtohet në tremujorin e tretë

By: e xh
24 December 2025 at 10:36

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara u rrit më shpejt se sa pritej në tremujorin e tretë, e nxitur nga shpenzimet e forta të konsumatorëve, por duket se vrulli është zbehur për shkak të kostos së lartë të jetesës dhe mbylljes së fundit të qeverisë.

Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me një normë të përvitshme prej 4.3% tremujorin e kaluar, tha Byroja e Analizës Ekonomike e Departamentit të Tregtisë në vlerësimin fillestar të PBB-së për tremujorin e tretë të martën.

Ekonomia u rrit me një ritëm prej 3.8% në tremujorin e dytë. Ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin parashikuar që PBB-ja do të rritej me një ritëm prej 3.3%.

Të dhënat u vonuan nga mbyllja 43-ditore e qeverisë dhe tani janë të vjetruara. Shpenzimet e konsumatorëve u rritën me një normë prej 3.5% tremujorin e kaluar pas një rritjeje prej 2.5% në tremujorin e dytë.

Shumica e përshpejtimit të shpenzimeve të konsumatorëve erdhi nga nxitimi për të blerë automjete elektrike përpara skadimit më 30 shtator të kredive tatimore. Shitjet e automjeteve ranë në tetor dhe nëntor, ndërsa shpenzimet në fusha të tjera ishin të përziera.

Emigrantët kthehen për festa, fluks në Vlorë

By: e xh
24 December 2025 at 10:07

Në portin detar të Vlorës vijon fluksi në ardhje i festave të fundvitit. Fluks ky që ka nisur prej ditës së premte të javës që lamëpas duke vazhduar në rritje për disa ditë.

Megjithëse fundjave, e shtuna dhe e diela mbeten pika kulmore me shifra më të larta në rritje edhe ditët e kësaj jave të re kanë patur një fluks në rritje.

Këtë të mërkurë kanë mbërritur në portin e Vlorës 444 pasagjerë por edhe 46 persona nga ekuipazhi. Gjithashtu kanë zbarkuar 127 autovetura, 1 kamper, 2 minibus dhe 14 kamiona.

Të shumtë në numër janë emigrantë që vijnë për festat në atdhe por nuk mungojnë as shtetas të huaj të cilët vijnë në Vlorë me rastin e festave për ti kaluar këtu ndryshe.

Shqipëria merr sistemet Javelin nga SHBA

By: e xh
24 December 2025 at 10:04

Shqipëria ka marrë sistemet raketahedhës Javelin nga Shtetet e Basskuara të Amerikës, një “dhuratë” për ushtrinë tonë që sipas ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, forcon aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, rrit parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare.

“Sapo është kryer dorëzimi i një sasie të parë të sistemeve Javelin dhe Shqipëria dhe Kosova, është e vërtetë, janë pjesë e kësaj ndihmese dhe bashkëpunimi bilateral me Shtetet e Bashkuara, si edhe raketat e para antitank që lëshohen nga këto sisteme”, tha Vengu në një video të postuar në llogarinë e tij në Instagram, nga një bazë e Forcës Tokësore, të paidentifikuar.

Sipas ministrit, marrja e këtyre sistemeve është e rëndësishme për tre arsye. “E para, sepse ka të bëjë me një kërkesë të hershme të forcave tona dhe më në fund po realizohet. E dyta, sepse bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara mbetet themelor për forcimin e kapaciteteve tona dhe rritjen e aftësive mbrojtëse. Janë sisteme antitank, të cilat mund të shërbejnë edhe në situata të caktuara për kundërshtimin e elementit kërcënues në distancë të shkurtër. Pika e tretë, po aq e rëndësishme, ka të bëjë me aftësimin e personelit tonë luftarak për përdorimin e sistemeve, pajisjeve dhe teknologjive të përditësuara. Pra, ka një domethënie të trefishtë”, tha ai.

Ministri nuk bëri të ditur sasinë e raketahedhësve që ka marrë Shqipëria, por tha se gjatë vitit 2026 është parashikuar edhe një tjetër dërgesë.

Pacolli: Në aeroportin e Vlorës po kthehet normaliteti, faleminderit drejtësisë

By: e xh
24 December 2025 at 09:48

Biznesmeni Behgjet Pacolli është shprehur se në aeroportin e Vlorës po rikthehet normaliteti.

Komentet Pacolli i bëri përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shkruar se drejtësia mbetet universal dhe e pashmangshme në zbatimin e saj.

Ai shtoi gjithashtu se është një ndjenjë krenarie për një qytetar kur drejtësia në vëndin e tij funksionon në mënyrë të pavarur, të pandikuar dhe të qëndrueshme.

Sipas Pacollit, Aeroporti i Vlorës është për të akti më i lartë i përgjegjësisë qytetare dhe patriotike. Kujtojmë se Pacolli ishte në një konflikt me ortakun e tij për aksionet në Aeroportin e Vlorës.

Postimi i Pacollit:

Po kthehet normaliteti me aeroportin e Vlorës! Akti më i lartë i përgjegjësisë qytetare dhe patriotike është kontributi ndaj familjes, shoqërisë dhe shtetit përmes punës së ndershme, profesionale dhe respektimit të parimeve të drejtësisë. Drejtësia, ndonëse shpesh përballet me sfida dhe procese të vështira, ajo mbetet universale dhe e pashmangshme në zbatimin e saj. Eshtë një ndjenjë krenarie për një qytetar kur drejtësija në vëndin e tij funksionon në mënyrë të pavarur, të pandikuar dhe të qëndrueshme. Nga sot, në Vlora International Airport, rikthehen normaliteti institucional, rendi ligjor dhe besimi duke i falenderuar drejtesise!

SHBA nuk i jep vizë ish-komisionierit europian

By: e xh
24 December 2025 at 09:36

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të refuzojnë dhënien e vizave për pesë persona, mes tyre edhe ish-komisionerin europian për tregun e brendshëm, Thierry Breton, duke i akuzuar për përpjekje për të ushtruar presion mbi platformat amerikane të rrjeteve sociale që të kufizojnë përmbajtje apo pikëpamje të caktuara.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se bëhet fjalë për “aktivistë radikalë dhe OJQ të politizuara”, të cilat, sipas tij, kanë avancuar praktika censuruese nga shtete të huaja, duke synuar drejtpërdrejt folës dhe kompani amerikane. Breton u përshkrua nga Departamenti i Shtetit si “arkitekti kryesor” i Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së (DSA), ligj që rregullon moderimin e përmbajtjes në platformat online.

Breton reagoi duke e cilësuar vendimin si një “gjueti shtrigash” dhe theksoi se censura “nuk është aty ku mendojnë amerikanët”. DSA ka shkaktuar tensione me qarqe konservatore në SHBA, të cilat e shohin atë si një përpjekje për të censuruar zëra të djathtë, akuza që Brukseli i mohon.

Në listën e personave të ndaluar përfshihen edhe drejtues të organizatave si Global Disinformation Index, Center for Countering Digital Hate dhe HateAid. Këto organizata e kanë cilësuar vendimin si një akt represiv dhe një sulm ndaj lirisë së shprehjes. Rubio theksoi se administrata Trump synon të mbrojë sovranitetin amerikan nga “ndërhyrjet ekstraterritoriale” që, sipas tij, synojnë të kontrollojnë fjalën e lirë në SHBA.

SHBA nuk i jep vizë ish-komisionierit europian

Përmbytje masive në jug të Francës

By: e xh
24 December 2025 at 09:32

Reshjet e dendura të shiut pranë një qyteti në jug të Francës, Montpellier, kanë shkaktuar përmbytje të mëdha, për të cilat zyrtarët lokalë thonë se mund të jenë më të këqijat që kanë parë në 30 vitet e fundit.

Autoritetet lokale njoftuan se përmbytjet u shkaktuan nga shira të rrëmbyeshëm dhe se uji i ka përmbytur plotësisht rrugët. Edhe pse uji po tërhiqet gradualisht, paralajmërimet për kushtet e motit mbeten në fuqi deri më 24 dhjetor. Deri tani nuk janë raportuar viktima.

Gati 1000 shtëpi mbetën pa energji elektrike të hënën në mbrëmje në departamentin Herault në bregdetin jugor, përfshirë 520 në Montpellier, ku parqet, kopshtet, varrezat, kopshti zoologjik lokal dhe tregu i Krishtlindjeve mbetën të mbyllura. Linjat e transportit publik janë gjithashtu pjesërisht të mbyllura.

Nivelet më të larta të ujit në rajon u regjistruan në jug të Montpellierit, në qytetin bregdetar Agde, ku lumi Herault arriti mbi 3,3 metra, duke shkaktuar përmbytjet më të rënda që rajoni kishte përjetuar për herë të fundit në nëntor të vitit 1994.

Banorët lokalë publikuan pamje të shëtitoreve të përmbytura përgjatë brigjeve të lumit.

Shërbimi francez për paralajmërimin e përmbytjeve Vigicrues lëshoi alarm të kuq për përmbytje për departamentin Herault, si dhe alarme portokalli për departamentet përreth Aveyron, Lozere dhe Tarn.

Revista britanike: Shqipëria mes vendeve më mahnitëse evropiane për t’u vizituar

By: e xh
24 December 2025 at 09:01

Në Britaninë e Madhe, jemi me fat që kemi afër Evropën. Nga gjeografia mahnitëse te kultura tërheqëse, kënaqësitë dhe sharmet e saj janë të famshme në mbarë botën. Nuk është çudi që Evropa përbën më shumë se gjysmën e të gjithë turizmit ndërkombëtar, shkruan Selene Nelson në një artikull të botuar në revistën britanike “Rest Less”.

Ndërsa vende si Franca, Spanja dhe Italia janë disa nga destinacionet më të njohura për t’u vizituar, ato nuk janë aspak më të lirat. Por ju mund të shijoni pushime po aq magjike në dhjetëra vende të tjera evropiane, dhe me kosto efektive!

Nga plazhet e kristalta të Shqipërisë te malet dhe liqenet vezulluese të Sllovenisë – për të mos përmendur shumë qytete dhe qyteza magjepsëse në të gjithë Evropën Lindore – ky kontinent është i mbushur me vende të bukura që presin të eksplorohen me një buxhet të kufizuar.

Udhëtimi mund të jetë i kushtueshëm, por nëse zgjidhni me kujdes destinacionin tuaj, mund të jetë më i përballueshëm nga sa mund të mendoni!

Ekzistojnë shumë vende të mrekullueshme, tërheqëse dhe me kosto efektive për t’u eksploruar – shumë prej të cilave janë pikërisht në Evropë.

Nëse ëndërroni pushime të paharrueshme dhe me çmime të përballueshme, ekspertët e udhëtimeve sugjerojnë 14 vendet më të lira për t’u vizituar në Evropë.

Shqipëria

E izoluar nga pjesa tjetër e kontinentit për pjesën më të madhe të shekullit XX, Shqipëria ka qenë prej kohësh një nga sekretet më të ruajtura të Evropës.

Por sot, dyert e Shqipërisë janë të hapura dhe nuk do të kalojë shumë kohë përpara se vendi të mbipopullohet nga turistët.

Bregdeti i saj i quajtur Riviera Shqiptare – është i mbushur me plazhe mahnitëse dhe ujëra të kristalta blu.

Vendpushimet më të njohura të plazhit janë, Dhërmiu dhe Ksamili, të cilat nuk janë prekur ende nga turizmi masiv. Si rezultat, akomodimi, ushqimi dhe udhëtimi mbeten mjaft të lira.

Në brendësi të vendit, do të gjeni male të larta, qytete fortesash, kështjella të rrënuara dhe rrënoja të panumërta të lashta greke dhe romake.

Pavarësisht nëse jeni – i apasionuar pas i historisë, një aventurier apo një adhurues i plazhit – ka diçka për të gjithë.

Kryeqyteti i gjallë, Tirana, është një bazë e shkëlqyer për të eksploruar pjesën tjetër të Shqipërisë dhe është një nga vendet më të përballueshme në Evropë për të ngrënë jashtë.

Revista britanike “Rest Less” rekomandon 14 vendet më të lira për t’u vizituar në Evropë;

Shqipëria, Mali i Zi, Portugalia, Malta, Republika Çeke, Greqia, Sllovakia, Bullgaria, Polonia, Rumania, Hungaria, Bosnjë-Hercegovina, Sllovenia, Estonia.

Parashikimi i motit, si do të ndryshojnë temperaturat gjatë ditës

By: e xh
24 December 2025 at 08:59

Ditën e mërkurë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të kryesisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura. Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët e lokalisht mesatar në pjesën më të madhe të territorit që në orët e para të 24-orëshit deri në mëngjes, hera-herës shtrëngata afatshkurtra. Gjatë ditës reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët të karakterit lokal.

Në Alpe dhe në lartësitë 700-800metra në verilindje dhe 900 metra në juglindje reshje dëbore me intensitet të ulët, lokalisht mesatar.

Mjegull e dendur/mjegullinë përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit si dhe në momentin e reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era do të fryjë me drejtim nga verilindja-juglindja me shpejtësi mesatare 7 m/sek, përgjatë vijës bregtdetare e zonave luginore era fiton shpejtësi deri në 15m/s .

Deti – Valëzimi forcës 2-4ballë.

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

By: e xh
24 December 2025 at 08:58

Dashi

Për të dashuruarit priten kontradikta te mëdha. Nuk do merreni vesh për asnjë me atë që keni në krah. Priten takime shumë të rëndësishme gjate kësaj dite për ata që janë vetëm. Nuk duhet humbur asnjë mundësi edhe sikur asgjë e jashtëzakonshme te mos ndodhe. Gjendja e financave do vije duke u përkeqësuar.

Demi

Jeta juaj në çift do jete prioritare gjatë kësaj dite. Asgjë tjetër nuk do ketë aq rëndësi sa ajo kështu qe do mundoheni gjithë kohës te ruani një klime te ngrohte. Beqarët duhet ta heqin turpin sa më parë që të munden sepse përndryshe kanë për të mbetur vetëm. Të ardhurat do kenë përmirësime të lehta, por jo aq sa për të kryer shpenzime të mëdha.

Binjaket

As që do e vrisni mendjen fare sot për jetën tuaj sentimentale dhe gjithçka do ja lini kohës. Ne fakt nuk pritet te ndodhe ndonjë gjë e keqe. Beqarët nga ana tjetër do jene shume të zënë me punë dhe nuk do merren me gjetjen e personit ideal. Në planin financiar fati do ju buzëqeshë. Do arrini të bëni investimet e menduara dhe të shlyeni një pjese të borxheve.

Gaforrja

Edhe pse në mëngjes duket se klima për të dashuruarit do jetë e ngrohtë, bëni kujdes nga influenca e jashtme. Disa persona do mundohen të gjejnë mënyrën për t’ua prishur harmoninë. Për beqarët do shfaqet dashuria e shumëpritur. Në planin financiar duhet të bëni kujdes. Shmanguni shpenzimeve të mëdha sepse gjendja do jetë vërtet delikate.

Luani

Priten shume divergjenca në çift gjatë kësaj dite dhe kjo për shkak të mos tolerancës dhe padurimit që do tregoni. Gjithsesi në mbrëmje situata mund të ketë një ndryshim të vogël. Beqarët nuk do kenë risi. Asgjë e jashtëzakonshme nuk pritet të ndodhe për ta. Financat do jenë kryesisht të qëndrueshme për aq kohë sa ju të shpenzoni me kujdes.

Virgjëresha

Tregohuni gjatë gjithë kohës të disponueshem ndaj partnerit tuaj sot sepse më shumë se kurrë ai do kenë nevojë për ju. Beqaret në vend që të mbyllen në shtëpi dhe të vuajnë nga vetmia, duhet t’i pranojnë ftesat që do iu bëhen dhe të argëtohen sa të mundin. Financat nuk do jenë të këqija, megjithatë nuk duhen ndërmarrë shume rreziqe.

Peshorja

Gjate gjithë kohës do mbizotërojë bashkëpunimi në çift sot. Do merreni vesh edhe me shikime me personin që keni në krah kështu që nuk pritet asnjë vështirësi. Beqarët nuk do mundin as sot të fillojnë një histori dashurie edhe pse mundësitë nuk do mungojnë. Në planin financiar do jeni shume impulsive dhe kjo do ju çojë drejt gabimeve.

Akrepi

Mos prisni më ju që jeni në një lidhje, por merrini sot vendimet më të rëndësishme të jetës suaj. Nuk ka më kohë për të humbur. Beqarët do e gjejnë më në fund personin për të cilin do iu rrahë zemra fort dhe do fillojnë me të një histori të këndshme dashurie. Në planin financiar çdo gjë do varet nga sjellja juaj. Mos bëni asnjë çmenduri me shpenzimet.

Shigjetari

Mos u tregoni kritik sot në jetën tuaj në çift sepse do i humbni piket përkundrejt atij që keni në krah. Beqarët nga ana tjetër duhet të tregohen realiste dhe të mos kërkojnë gjera te pamundura. Gjithçka do ndodhë në momentin e parashikuar. Sot nuk priten të reja. Në planin financiar do ju duhet të merrni disa vendime në lidhje me të ardhmen e buxhetit.

Bricjapi

Edhe pse jeni në një lidhje ka rrezik të fantazoni për dike tjetër sot dhe kjo mund t’iu çojë drejt gabimeve. Nëse nuk ndjeni me aq shumë sa në fillim për partnerin mirë është që t’ia thoni. Beqarët edhe sikur të duan nuk do i shpëtojnë dashurisë me shikim të parë. Në planin financiar do keni goxha vështirësi dhe probleme të cilat do duan durim dhe sakrifica.

Ujori

Mjedisi yjor do jetë shumë i përshtatshëm sot për të dashuruarit. Gjithçka do ju shkojë ashtu si e kishin ëndërruar. Beqarët do realizojnë disa takime, por asnjeri prej tyre nuk do ua ngrohte zemrën. Mos bëni gjëra që nuk i dëshironi vërtet. Nëse merrni pak me tepër kohë me financat dhe i menaxhoni ato me maturi gjendja do jetë shumë më e kënaqshme.

Peshqit

Ditë shume më e qetë së kohet e fundit kjo e sotmja për të dashuruarit. Nuk do keni për çfarë të qaheni. Beqarët nuk do ndihen ende gati të fillojnë një histori dashurie edhe pse personat që do iu propozojnë kanë kohë që i njohin. Financat do kenë ulje dhe ngritje. Situata do jetë më e vështirë sidomos për ata që kane pasur shume probleme së fundmi.

Avokati i Popullit/ Shabani tregon se si i mori firmat e deputetëve të PD

By: e xh
23 December 2025 at 23:49

Këtë të martë në emisionin “Opinion”, ishte Avokati i ri i Popullit, Endrit Shabani.

Në këtë intervistë, Shabani iu përgjigj pyetjeve që nga marrja e firmave nga deputetët e PD, përplasja me PD deri te votat e PS që e zgjodhën në krye të institucionit të Avokatit të Popullit.

“Po! Si gazetari më i vjetër në Shqipëri besoj duhet ta dije se ka diferencë mes Avokatit që emërohet me firmë të kryeministrit dhe atij nga deputetët e zgjedhur në Parlament me votat e shqiptarëve. Unë garova, në listë, dhe roli nuk është pjesë e qeverisë, është gjithmonë opozitar”.

-Relativisht, s është e thënë!

Shabani: Monitoron punën e qeverisë, mbron qytetarët, denoncon korrupsioni, është vazhdimësia e asaj që unë kam bërë si aktivist në 20 vjet.

U pyet edhe për rastin e Belinda Ballukut dhe skandalin te AKSHI.

Shabani: Ju e keni pasqyruar punën time si aktivist dhe e dini mirë se nga 6 kallëzimet që kam çuar në SPAK, njëri është për zonjën që përmendët. Roli im nuk është prokurori, unë s’jam prokuror për të hetuar, por nëse zyrtart shkelin të drejtat e njeriut, të jesh i sigurt që nëse deri dje kam denoncuar, kësaj radhe kam një institucion për ta luftuar abuzimin e tyre.

-A keni ju një opinion?

Shabani: Jam i njëjti njeri si dje, por unë kam bërë një betim që të mbroj një institucion prej 70 vetësh dhe qytetarin shqiptar.

-Një njeri i lirë që erdhi kundër këtij sistemi, tani futët në një kuti ku s’ka dot një mendim të vetin?

Shabani: Është përgjegjësi publike që unë të përfaqësoj një pozicion kushtetues.

-Si i morët firmat e opozitës?

Shabani: Kur u hap gara, ka qenë periudha kur ne kishim vendosur një grup të përbashkët, një front të gjerë opozitar. Takova deputetë të të gjitha partive, personalisht! I kam kontaktuar personalisht! Takova dhe deputetë të PS-së që i kam miq, më thanë nuk firmosim dot se e kemi vendim politik. PS nuk lejonte që të mbështeste askënd dhe do të gjykonte atë që do të sillte opozita. Mblodha firmat, i dorëzova.

-Nuk bisedove me zotin Berisha?

Shabani: Jo!

-Kur ata thanë po tërheqim firmat, moralisht nuk ndjeve që duhet të tërhiqeshe?

Shabani: Më duheshin 28 firma, mblodha 35 firma, pikërisht duke menduar se dikush do të vendosej në siklet. Kam pritur deri më 2 dhjetor që ishte afati i fundit, ata i kanë tërhequr pasi mbaroi gara, ishte e pamoralshme, ishte përpjekje për të më hequr mua nga gara. Edhe ligjërisht, ka një parim që quhet e sigurisë juridike, një e drejtë e fituar, nuk mund të përdoren procedurat për t’ja marrë një individi.

Pavarësisht sa më sipër, Shabani theksoi “se një pjesë e mirë e tyre e kanë uruar për postin”. Skepticizmit të Fevziut për mënyrën si Shabani siguroi votat, ai iu përgjigj kështu:

Ishin pesë parti në votim të fshehtë, PS ka vetëm 82 mandate në sallë. Qartazi e vetmja që mungon ishte PD-ja. Pse mungoi ajo në sallë është pyetje për Partinë Demokratike. Nuk ka nevojë për teori kaq të mëdhaja konspirative!

Po pse Shabani u “thye” me PD-në?

“Ata kanë patur vendim për t’u tërhequr nga procesi, është hera e tretë që e bëjnë”, u përgjigj ai.

Artan Hoxha: Ergys Agasi kontakti i drejtpërdrejtë i kryeministrit

By: e xh
23 December 2025 at 23:03

Gazetari Artan Hoxha ka folur në lidhje me hetimet e drejtësisë ndaj Ergys Agasit dhe rolin e tij në takimet e bëra me zyrtarë të lartë dhe biznesmenë.

Në emisionin “Opinion”, shprehet se Agasi ishte kontatki i drejtpërdrejtë i kryeministrit me persona të tjetër, ndërsa shtoi se që para disa muajsh “koordinatori” i këtyre takimeve është ndryshuar.

“Agasi u bë kaq i rëndëishëm për shkak të atributeve që mori, nuk ka patur as grup më parë, nuk ka qenë njeri më mbështetje të madhe etj. Ky është përzgjedhur për të bërë atë rol. Durrësi ka sjell gjatë dy dekadave të fundit tre koordinatorë që kanë qenë midis botës së nëntokës dhe mbi tokës. I pari ka qenë Nar  Koka ai që realizonte takimet e kryeministrit me kryetarin e opozitës, pra Berisha me Ramën, Rama me Metën, Rama me Nano. Ishte Nar Koka që relizonte takimet e nivelit të lartë. Nari u kap në një moment në ndërrimin e pushtetit të vitit 2005… Në prill ose në maj kam deklaruar që kooridnatori që lidh botën e nëndheshme apo mbidheshme është ndryshuar dhe po pres të arrestohet Ergys Agasi. Patjetër që është ndërruar se është dikush që do e bëjë atë punë… Nuk është problemi Gysi, problemi është ai që i dha pushtet Gysit. Ai ishte një çunak Durrësi që e vinë aty dhe u bë i rëndësishëm. Më parë ka qenë i pa dukshëm në skenë. Ka qenë aty se ishte kontakti i drejtpërdrejt”,-tha Hoxha.

“Të kërkojmë të bashkëpunosh, ndryshe ke plumbin në kokë’, si u kërcënua Gerond Meçe

By: e xh
23 December 2025 at 23:01

Biznesmeni Gerond Meçe u rrëmbye për t’u kërcënuar që të tërhiqej nga tenderat e AKSHI-t.
Emisioni Në Shënjestër”, nxjerr detaje nga dosja hetimore, ku ndër të tjera Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri, në kërkim nga SPAK, akuzohen për pengmarrje ndaj biznesmenit Gerond Meçe.
Sipas dëshmisë së vetë biznesmenit Meçe pengamrrësit I kërkuan të tërhiqej nga procedurat e ankimimit në Komisionin e Prokurimeve Publike, ndërsa kërcënimi ishte I qartë: ‘Po të kërkojmë të bashkëpunosh, jo si me password-in, se në të kundërt ke plumbin në kokë’.

Pjesë nga dokumentari në “News 24”
“Unë quhem Gerond Meçe dhe profesioni im është inxhinier elektronik. Aktualisht punoj në një biznes privat.
Ajo që dua të theksoj është se që nga viti 2002, mamaja ime ka hapur një kompani private të cilës i jam bashkuar në korrik të vitit 2003. Ku nga viti 2006 e në vazhdim unë jam ortak i vetëm dhe administrator i kompanisë që quhet ‘Advanced Business Solutions ABS’.
Në vitin 2020, për arsye shëndetësore unë u tërhoqa nga administrimi i kompanisë dhe caktova dy administratorë të tjerë, respektivisht, E. Sh dhe Sh. K, të cilët vijojnë të jenë edhe aktualisht.
Ajo që dua të shpjegoj më tej është se duke filluar nga muaji shkurt i vitit 2025, aksionet e kompanisë ‘ABS’ unë i kalova te mamaja ime, kjo me qëllim që të mos kisha probleme apo pengesa në prokurime të ndryshme. Kompani e cila ka si aktivitet kryesor ofrimin e shërbimeve në fushën e teknologjisë së informacionit, dhe punon si me sektorin privat ashtu dhe me atë shtetëror.
Dhe që nga vitit 2016, me pak përjashtime, ne jemi pjesëmarrës në pothuajse çdo tender në fushën e teknologjisë dhe informacionit që zhvillohet nga AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit).
Por ndërsa bëri një rezyme të shkurtër të punës dhe aktivitetit të kompanisë ku ai dhe familja e tij kishin kapitale, Gerond Meçe rrëfeu në vazhdim përpara oficerëve të policisë gjyqësore se jo çdo gjë ishte kaq rozë në bashkëpunimin me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Komunikimit.
Pasi edhe pse ishte pjesëmarrës i rregullt në tenderat që zhvillohen nga ky institucion, kompania e tij skualifikohej vazhdimisht.
Gjë që kishte lindur dyshimin te ai se diçka nuk shkonte brenda këtij institucioni, ose kompani të tjera po shpërbleheshin në kundërshtim me ligjin nga AKSHI.
Për këtë arsye ai ishte drejtuar me ankimime të shumta kohë pas kohe.
Gjë që mesa duket nuk u ka pëlqyer aspak kundërshtarëve të tij në biznes.
Të cilët të informuar pse jo nga brenda AKSHI-it, në pamundësi për ta bindur me të mirë biznesmenin Gerond Meçe, të heqë dorë nga këto ankimime, por edhe nga pjesëmarrja në këto tendera, vendosin në jetë një plan djallëzor. Ta bindin atë nëpërmjet dhunës, duke e marrë peng.
Siç ndodhi edhe mëngjesin e datës 12 Gusht 2025.
Kur persona që u hoqën si punonjës policie dhe të BKH, e morën në makinën e tyre me fenelinë dhe e mbajtën peng disa orë në një nga zonat malore të Elbasanit.
Në lidhje me këto tenderime apo procedura, së fundmi dhe konkretisht nga janari i vitit 2025 deri në korrik të këtij viti, kompania ‘ABS’ ka ankimuar gati 20 procedura prokurimi në të cilat ka marrë pjesë, kryesisht në AKSHI por edhe në institucione të tjera si KLGJ, UKT etj.
Konkretisht më datë 12 gusht 2025 unë kam qenë në shtëpi deri rreth orës 10:30 paradite.
Më pas për shkak të një bisede telefonike kam dalë nga banesa, dhe me vete kam patur çantën e punës me laptop brenda, si dhe një çantë dore, në të cilën kisha brenda dy palë çelësa makine, njërën të automjetit ‘Range’ dhe tjetrën të automjetit ‘Hyundai’, çelësat e zyrës dhe të shtëpisë, një mbajtëse kartash krediti, si dhe aparatin celular personal.
Por ndërsa po bëhej gati për një ditë pune normale me të dalë nga banesa e tij, Gerond Meçe thotë se përditshmëria e tij nga ky moment dhe në vazhdim mori një rrjedhë krejtësisht tjetër.
Një rrjedhë e cila do ta trondiste jo pak atë dhe familjen e tij.
Aq sa të mendonte pas kësaj ndodhie të shëmtuar të linte edhe Shqipërinë, për të siguruar jetën e tij dhe të familjes.
Teksa tregoi për grupin hetues se më të dalë nga banesa, atë e ndalën disa persona të veshur uniforma që mbanin distiktivin e Policisë së Shtetit dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Ose që iu prezantuan të tillë, të cilët pasi e hipën në makinën e tyre, i vendosën prangat dhe nuk i dhanë asnjë mundësi të komunikonte qoftë edhe me familjen e tij.
Pasi makina mori drejtimin për nga Elbasani, itinerari vazhdoi për në rrugën e vjetër, në fshatin Krrabë.
Kur ndaluam, ora në makinë ishte rreth 11:20, dhe sheshi i madh ku kishim ndaluar ishte si një ‘ballkon’ afër fshatit Gracen, me pamje nga fshati Papër, kjo pasi nga ky pozicion unë shikoja gjurmën e rrugës së re që po hapej, atë ‘Elbasan-Durrës’.
Ku në krah të vendit ku ndaluam ishte një godinë me tulla të bardha e braktisur, një katëshe, pa dritare. Kohë gjatë të cilës personat në makinë më kërkuan të dalë jashtë dhe të jepja passëord-in e telefonit, të cilën fillimisht refuzova t’ua jap, por në këtë moment vjen shoferi dhe më godet me shpullë.
Gjatë kësaj kohe ata marrin telefonin dhe e vendosin te gishti im pasi duart i kisha të lidhura mbrapa. Ndërkohë që personi i tretë mi hoqi prangat nga mbrapa dhe mi vendosi përpara.
Aty ku arritën të hapin telefonin me gjurmën e gishtit tim, dhe unë mendova që në atë moment ata e kaluan direkt në airplane mode”, tha Meçe në hetuesi.
Gerond Meçe shpjegoi se arsyeja përse nuk pranoi fillimisht të jepte passëordin e telefonit të tij është se kishte shpresë se ende mund të shpëtonte.
Kjo pasi gjatë gjithë rrugës telefoni nuk kishte pushuar së rëni.
Por ndërkohë që ndodhej në duart e pengmarrësve të tij, ai thotë se ata filluan ta kërcënonin me jetë.
Duke nxjerrë fillimisht armët si shenjë presioni.
Duke i kërkuar që të bashkëpunonte.
Ndërkohë që në të vërtetë ai ende nuk e dinte se për çfarë bashkëpunimi e kishin fjalën personat që e kishin sjellë deri këtu.
“Gjatë kohës që arritën të marrin passëordin e telefonit, personi që ndodhej në vendin e parë të pasagjerit më tha që: ‘Po të kërkojmë të bashkëpunosh, jo si me passëord-in, se në të kundërt ke plumbin në kokë’.
Ky është edhe momenti ku të tre, përveç shoferit, demonstrojnë armët e shkurtra që kishin në brez.
Ndërsa personi i dytë nxorri pistoletën nga brezi, dhe e mbante në dorë, duke nxjerrë dhe futur karikatorin, ndërkohë që personi i parë e mbante pistoletën në dorë duke më kërcënuar: ‘Do bashkëpunosh apo si e ke?’
Edhe pse deri në këtë moment pengmarrësit kishin qenë të paqartë në kërkesat e tyre të para drejtuar biznesmenit Gerond Meçe, shpejt edhe vetë ky i fundit fillon të kthjellohet se çfarë ata duan në këmbim, për t’i dhënë fund kësaj shëtitje me njerëz të padëshiruar në ajër të pastër.
Momenti kur ata dalin direkt në temë dhe i japin një letër ku ishin tenderat që kompania e biznesmenit kishte ankimuar kundrejt AKSHI-t që i kishte skualifikuar.
“Kur unë i thashë personit të parë se për çfarë të bashkëpunoj, personi që mbante veshur jelekun me mbishkrimin BKH, të cilin tashmë e kishte hequr, shkoi te makina dhe doli nga aty me një zarf të bardhë në dorë.
Ku pasi e hapi këtë zarf nxorri nga një tabelë Excel duke m’u drejtuar: ‘E njeh këtë letër’?
Aty ku nga emërtimi kuptova që në këtë tabelë janë të shkruar tenderat të cilët kompania ime i ka ankimuar dhe në një kolonë ndodhet edhe gjendja, si dhe situata e tenderit në KPP (Komisioni i Prokurimit Publik).
Gjithashtu në këtë moment evidentova ndër të tjera edhe një procedurë e cila ishte e shkruar Gjykata Administrative”, tha Meçe.
Tashmë për biznesmenin Gerond Meçe ishte e qartë se personat që e kishin marrë peng dhe e kishin sjellë deri këtu që nuk kishin aspak pamjet e ekskursionistëve,ishin të urdhëruar dhe dirigjuar në veprimet e tyre, nga kundërshtarët e tij në biznes.
Të cilët u kishin dhënë instruksione të qarta se çfarë do i kërkonin pengut të tyre të hiqte dorë.
“Ata më pyetën: ‘A e kuptova?’
Në momentin e parë i thashë ‘Jo’, por perceptova që dikush e ka organizuar këtë ngjarje për shkak të ankimimeve të mia.
Që ishin shtatë deri në nëntë procedura. Ndërkohë që personi i parë më thotë: ‘Janë tendera që ke ankimuar ti dhe duhet të tërhiqesh. Nuk kemi punë me lekët e tua, ne e dimë që ke lekë, i gëzofsh ato, por s’ke punë te këto procedura dhe do tërhiqesh nga këto procedura’.
U thashë: ‘Çuna, muk bëhet kështu kjo punë, sepse edhe po u bë, u prish punë më shumë juve sesa mua’.
Ndërkohë që unë u përpoqa t’u mbushë mendjen që tërheqja nuk bëhet në këtë moment duke u treguar se nuk jam më administrator, gjë të cilën ata më thanë që e dinin.
Por u thashë që nëse do të më lironin do e bëja në ditët në vijim”, mësohet të ketë thënë biznesmeni i njohur në polici.
Por teksa mendonte me të tijën se po arrinte ti bindte djemtë të bëheshin të mirë dhe ta lironin, Gerond Meçe, beson që në vendin ku kishin ndaluar dhe po e mbanin lidhur me pranga në sedilje,ndodhej edhe një person tjetër i padukshëm për të.
Kjo në bazë të bisedave të zhvilluara aty, ndërkohë që dy nga personat në makinë, ata të veshur me logon e policisë, vazhdonin të bënin roje te ai.
Ndërsa personi i tretë që ishte me maskë e hoqi atë.
Por duke e kërcënuar se nëse do fliste, një ditë do ta kishte punën keq.
Pasi ata do ishin hija e tij kudo që të shkelte.
Ndërsa m’u duk se situata po shkonte në favorin tim, personi i pare, ai që më herët mbante bluzën e BKH-së, më tha që të tërhiqesha edhe nga giyqi në Gjykatën Administrative.

Yesterday — 23 December 2025Main stream

Biznesmeni Gerond Meçe tregoi rrëmbimin: Persona të veshur me uniforma të BKH

By: e xh
23 December 2025 at 22:03

Të tjera detaje dalin nga dosja hetimore e AKSHI-t, ndërsa emisioni i gazetares Klodiana Lala në News 24, publikoi këtë të martë detaje mbi rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe.

Këto detaje të publikuara në emisionin “Në shënjestër” janë në fakt pjesë e dëshmisë që vetë biznesmeni ka dhënë përpara hetuesve.

Ndërsa të tjera ai ka thënë se është rrëmbyer përpara pallatit të tij nga persona të veshur me jelekë që mbanin mbishkrimin “BKH” dhe është nxjerrë jashtë Tiranës.

Pjesë nga dokumentari

Kur kam dalë nga pallati ku banoj, unë jam drejtuar për te makina ime ‘Hyundai’ që ka qenë e parkuar në krah të pallatit.

Në ecje e sipër duke u afruar te makina, unë hapa në distancë bagazhin ku vendosa aty çantën e shpinës dhe atë të dorës.

Në këtë moment pranë meje u afrua një automjet fuoristradë ‘Range Defender’, ngjyrë e zezë, me fenelina policie, me targa shqiptare, ku më vonë kam pare që targat e këtij automjeti janë AC121 JJ.

Makinë që ndërsa po vinte drejt meje unë aty fiksova një person që më thirri në emër, Gerond Meçe.

Person i gjatë, rreth 173cm, me trup mesatar, me flokë të zeza, i veshur me uniformë ngjyrë blu me krah të gjata, si dhe jelek ngjyrë të verdhë me mbishkrimin BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit) i cili më thotë: “Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne, hyr në makinë”.

I gjendur në një situatë të panjohur për të dhe pa e çuar mendimin te e keqja që do t’i vinte më pas, Gerond Meçe rrëfeu se nuk bëri rezistencë.

Por pranoi t’i bindej urdhërit të personit që mbante të stampuar në trup, në veshjen e tij, logon e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Duke besuar se në të vërtetë se personi që e thirri dhe personat që ishin me të në makinë ishin pjesë e strukturave të posaçme të hetimit.

Gjë që në fakt nuk rezultoi kështu. Dhe nuk vonoi shumë që ai ta mësonte se ai ishte marrë peng nga një bandë keqbërësish, që kishin për qëllim, ose ishin urdhëruar ta bindnin kundrejt kërbaçit që të hiqte dorë nga ankimimet apo tendera ku merrte pjesë në AKSHI.

“Në atë moment unë besova që është SPAK dhe u binda pa krijuar pakënaqësi apo rezistencë për shkak se isha në oborrin e pallatit tim.

Pasi u afrova te kjo makinë, nga dera mbrapa doli një person i dytë i cili më hapi vendin që unë të futesha brenda i cili edhe ky nuk ishte i maskuar në fytyrë, por i veshur me bluzë si ato të policisë.

Ajo që kujtoj është se pasi personi i parë me bluzën e BKH më thirri, unë shtypa butonin e bagazhit të makinës i cili automatikisht filloi të mbyllej.

Gjatë kësaj kohe, pasi u futa në makinën e personave që më ndaluan, aty në krahun tim të majtë u fut edhe një person i tretë, i cili edhe ky mbante veshje si të policisë, që jam në gjendje ta identifikoj lehtësisht, pasi ishte pa maskë.

Ndërkohë që dy personat që kanë qenë mbrapa me mua, kishin tatuazhe në pjesën e jashtme të dorës së djathtë, ndërsa personi i tretë kishte një tatuazh bardh e zi në të gjithë parakrahun.

Këtu në këtë moment shoferi i cili ishte me maskë, i folit njërit prej personave që të merrte dy çantat e mia në bagazhin e makinës sime.

Gjë të cilën ai e bëri dhe pasi i mori i futi në makinën ku ndodheshim ne.

Me t’u ngjitur në makinë, siç e kërkon çdo procedurë normale në të tilla, Gerond Meçe, tha se u kërkoi punonjësve të BKH-së dhe të policisë, shkresën me të cilën po e shoqëronin.

Ende pa e kuptuar se e gjithë kjo ishte një lojë për ta futur atë në kurth pa bërë zë dhe pa ngritur alarmin, në një orë dhe në një vend, që ndodhej vetëm pak hapa larg banesës së tij.

Por ende pa u nisur mirë ai rrëfeu se pa shkresë ndalimi apo shoqërimi, personat në makinë i vendosën prangat pa i dhënë shpjegime.

Pasi më futën brenda, unë i pyeta: ‘Keni ndonjë letër, nëse po, ju lutem ma jepni?’

Por ai që ishte në vendin e parë të pasagjerit, më tha që jam i arrestuar, dhe urdhëroi personin e dytë në të djathtën time që të më vendosë prangat.

Unë ndërkohë insistova përsëri që të më japin letrat, dhe se duhet të telefonoja në familje. Letra të cilat personi i ulur në vendin e parë të pasagjerit, më tha se do m’i jepnin në komisariat. Ndërkohë që makina filloi të lëvizë për të dalë nga oborri i pallatit”, mësohet të ketë thënë Gerond Meçe para hetuesve.

Sipas rrëfimit të mëtejshëm të dhënë nga Gerond Meçe në SPAK, këtu filloi edhe dyshimi i tij i parë se personat në makinë, nuk kishin lidhje me policinë dhe me BKH-në.

Edhe pse ai nuk ishte ende i bindur për këtë fakt.

Mënyra e sjelljes dhe mungesës së profesionalizmit nga ana e tyre, nisi të bluajë mendimin te ai se kishte të bënte me njerëz jo të lidhur me zbatimin e ligjit.

Kjo edhe nga mënyra se si njëri prej tyre nuk dinte as të vendoste prangat.

“Fakti që personi i dytë nuk dinte të më vendoste prangat, dhe ndërhyri personi tjetër në krahun tim, më bëri të dyshoj që ndryshe nga sa u prezantuan këta nuk ishin punonjës të ligjit.

Gjatë këtij momenti unë u thashë: ‘O çuna unë nuk jam kriminel’.

Ndërsa personi i dytë m’u hakërrye duke më thënë: ‘Ça the ti, ça the, kush është kriminel?!!’

Pikërisht në këtë moment shoferi u tha të më vinin kapuçin në kokë”, thuhet në dosjen hetimore.

Është pikërisht ky momenti kur Gerond Meçe thotë se tashmë kuptoi se kishte të bënte me një bandë keqbërësish.

Por pa ditur ende qëllimin e tyre.

Ndërkohë që ai nuk kishte asnjë mundësi të kërkonte ndihmë. As kur nga dritarja pa babain e tij të kalonte pranë makinës që e kishte rrëmbyer.

Një skenë e dhimbshme, e cila do të prekte çdo kënd që do ta dëgjonte. “Kur po dilnim nga parkingu i oborrit unë pashë babain tim dhe në atë moment personat që ishin në krahët e mi në makinë më vendosën një kapuç të zi në kokë. Aty kuptova që këta personat nuk janë nga SPAK-u. Por ndërkohë që makina ndaloi në semafor, dhe unë mendova se do të ecte drejt, automjeti devijoi dhe unë aty i pyeta personat në makinë se në cilin komisariat do më çonin. Përgjigje që e mora nga personi i parë i cili më tha: “Në komisariatin më të afërt”, thotë Meçe.

Nga sa ai kuptoi më tej komisariati më i afërt ishte jashtë Tiranës.Edhe pse fillimisht nuk e dinte se ku. Duke u lutur që e gjitha kjo histori të mos kishte një fund të keq.

Një fund që më herët e kishin pasur edhe shumë të tjerë, sot të zhdukur pa gjurmë.

 

 

Trump synon të zhbëjë politikat e Biden për dënimin me vdekje

By: e xh
23 December 2025 at 21:55

37 persona janë bllokuar në këtë ‘cikël tragjik’, si pasojë e këmbënguljes së Donald Trump për të rikthyer dhe forcuar dënimin me vdekje në nivel federal.

Paraardhësi i tij, Joe Biden, kishte synuar ta ndalte këtë praktikë, duke ua kthyer dënimet me vdekje në burgim të përjetshëm autorëve të vrasjeve. Por me rikthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, këta të dënuar rrezikojnë sërish të përfundojnë në radhën e ekzekutimit. Vendimi shihet pjesërisht si përpjekje për të përmbysur politikat e Biden në çdo fushë, por mbi të gjitha si strategji për të forcuar imazhin e Trump si udhëheqës i “ligjit dhe rendit”, veçanërisht në rastet që përfshijnë pakicat.

Në Shtetet e Bashkuara, dënimi me vdekje vazhdon të zbatohet si në nivel federal, ashtu edhe në nivel shtetëror. Sipas të dhënave të Death Penalty Information Center, gjatë vitit 2025 janë dhënë vetëm 22 dënime të reja me vdekje, një shifër që përputhet me nivelin më të ulët historik, ndërsa numri i ekzekutimeve ka arritur në 47, kryesisht për shkak të një rritjeje të ndjeshme në Florida.

Shumica e të dënuarve dhe e ekzekutimeve ndodhen në 50 shtetet e Unionit, ku tendenca është në rënie. Edhe mbështetja publike po zbehet: sipas sondazheve të Gallup, vetëm 52% e amerikanëve e mbështesin dënimin me vdekje, përqindja më e ulët në gjysmë shekulli.

Në këtë kontekst, Biden kishte vendosur të jepte shembull në nivel federal, duke ua kthyer dënimet 37 të dënuarve nga ekzekutim në burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi. Ai nuk i fali, por i hoqi nga rreshti i vdekjes, duke e konsideruar dënimin kapital si një metodë të vjetruar dhe çnjerëzore ndëshkimi.

Ky qëndrim ishte në linjë edhe me zhvillimet brenda Kishës Katolike, e cila tashmë kundërshton ekzekutimet, si për të mbrojtur jetën njerëzore në çdo rrethanë, ashtu edhe sepse ekzistojnë forma të tjera ndëshkimi të sigurta dhe efektive.

Trump, megjithatë, e kundërshton hapur këtë qasje, si në plan personal ashtu edhe politik. Ai e paraqet veten si president i ligjit dhe rendit, një koncept që, sipas tij, përfshin edhe logjikën e “sy për sy, dhëmb për dhëmb”.

Për këtë arsye, ai ka vendosur të sfidojë vendimet e Biden. Edhe pse nuk mund t’i rikthejë drejtpërdrejt dënimet me vdekje dhe as t’i riprocesojë të dënuarit në nivel federal, për shkak të parimit kushtetues të “double jeopardy” (ndalimi i gjykimit ose ndëshkimit dy herë për të njëjtin krim), ekziston një përjashtim ligjor.

Ky përjashtim lejon që një person i gjykuar në nivel federal të ndiqet penalisht edhe në nivel shtetëror për të njëjtën vepër. Më 20 janar, ditën e parë të mandatit të dytë, Trump firmosi një dekret që inkurajon shtetet të nisin procedura të reja gjyqësore ndaj 37 të dënuarve, të cilëve Biden u kishte kthyer dënimin në burgim të përjetshëm. Në të paktën katër raste, kjo strategji tashmë është vënë në zbatim.

Një prej tyre është rasti i Brandon Council, i dënuar për vrasjen e Donna Major dhe një kolegu të saj gjatë një grabitjeje banke në Conway, Karolina e Jugut, në vitin 2017. Sipas The New York Times, prokurorët shtetërorë kanë ngritur akuza të reja për ta sjellë sërish para gjykatës dhe për të kërkuar dënimin me vdekje.

Situatë e ngjashme edhe për Daniel Troya dhe Ricard Sanchez, të dënuar për vrasjen e një familjeje në Florida në vitin 2006. Edhe pse dënimet e tyre ishin kthyer në burgim të përjetshëm, ata tani presin një proces të ri në qarkun St. Lucie. Shumë shtete, veçanërisht në jug të vendit, po shqyrtojnë ose po ndërmarrin iniciativa të ngjashme.

Trump beson se kjo linjë politike gëzon mbështetje popullore, por treguesit sugjerojnë se terreni po ngushtohet. Brezat më të rinj e kundërshtojnë gjithnjë e më shumë dënimin me vdekje, dhe në një të ardhme të afërt, mbështetja për këtë praktikë mund të bjerë edhe nën pragun e 50% të opinionit publik amerikan.

Zelensky zbulon draftet për fundin e luftës

By: e xh
23 December 2025 at 18:30

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka njoftuar se Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë përgatitur disa draft-dokumente kyçe që synojnë një përfundim të qëndrueshëm të luftës me Rusinë.

Draftet përfshijnë çështje të garancive të sigurisë, rindërtimit të Ukrainës dhe kornizën e negociatave për paqen, shkruan kyiv post.

Zelensky tha se megjithëse ka një përparim të rëndësishëm, ende ekzistojnë dallime midis asaj që është shkruar dhe realitetit në terren.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, Rustem Umerov, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Andrij Hnatov, raportuan tek presidenti pas takimeve me përfaqësues të SHBA-së se punimi ka përfunduar dhe draftet janë gati.

“Draftet janë të strukturuara për të siguruar një fund të vërtetë të luftës dhe për të parandaluar një pushtim të ri rus”, tha ai.

Lideri ukrainas shtoi se procesi diplomatik dhe diskutimet ndërkombëtare do të vazhdojnë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme.

Merret i pandehur ish-kreu i Burgjeve, Agim Ismaili

By: e xh
23 December 2025 at 17:45

Ish-kreu i Burgjeve, Agim Ismaili ka dalë nga ambientet e SPAK pas rreth dy orësh. Ismailit i është komunikuar përfundimi i hetimit dhe marrja e tij si i pandehur.

Ai akuzohet për “përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të dyshuara si të kryera në tentativën për hakërimin e sistemit elektronik të SPAK.

Bashkë me të janë marrë të pandehur edhe Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj. Hetimet nisën pas dyshimeve për tentativën e hakerimit të SPAK disa muaj më parë.

Arrestohet në Londër Greta Thunberg

By: e xh
23 December 2025 at 17:05

Aktivistja suedeze Greta Thunberg u arrestua sot në Londër nga policia britanike, teksa merrte pjesë në një protestë pro-palestineze në qendër të kryeqytetit. Arrestimi u konfirmua nga Policia e Qytetit të Londrës, sipas të cilës 22-vjeçarja u ndalua për shfaqjen e një pankarte në mbështetje të organizatës së ndaluar Palestine Action, në shkelje të Seksionit 13 të Aktit të Terrorizmit të vitit 2000.

Protesta u organizua në solidaritet me tetë anëtarë të Palestine Action, të cilët ndodhen në paraburgim dhe janë në grevë urie prej më shumë se 50 ditësh, në shenjë proteste kundër gjyqit dhe kushteve të burgimit. Demonstrata u zhvillua përpara zyrave të kompanisë Aspen Insurance, e cila sipas organizatorëve ofron shërbime për Elbit Systems, një firmë izraelite e mbrojtjes.

Në një video të shpërndarë nga organizatorët, Thunberg shihet duke mbajtur një pankartë ku shkruhej: “Unë mbështes të burgosurit e Palestine Action. Unë kundërshtoj gjenocidin”. Ajo akuzoi qeverinë laburiste të kryeministrit Keir Starmer për trajtim çnjerëzor dhe burokratik të të paraburgosurve.

Goditja ndaj Palestine Action është kritikuar gjerësisht nga politikanë, Amnesty International dhe organizata ndërkombëtare. Sipas familjarëve, disa nga grevistët e urisë janë shtruar në spital dhe ndodhen në rrezik për jetën.

Macron viziton ushtarët francezë në Emiratet e Bashkuara Arabe, stërvitet dhe….

By: e xh
23 December 2025 at 16:02

Presidenti francez Emmanuel Macron vizitoi bazën ushtarake Al Dhafra në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku janë të stacionuar ushtarë francezë, siç ka bërë çdo vit që nga viti 2017, ndërsa afrohet sezoni i festave të Krishtlindjeve.

Macron bëri edhe ushtrime me ushtarët dhe vrapoi me ta përpara se të gjithë të shijonin një vakt të përgatitur nga shefi i kuzhinës së Elizesë.

Siç thuhet në deklaratën e presidencës franceze, forcat franceze në Emiratet e Bashkuara Arabe kontribuojnë në mbikëqyrjen e zonave strategjike, mbështetjen e operacioneve kundër terrorizmit dhe stabilizimin rajonal. Ato demonstrojnë dëshirën e Francës për të ruajtur kapacitetin autonom për të vlerësuar dhe vepruar në një mjedis ndërkombëtar të paqëndrueshëm.

❌
❌