Debutimi letrar i autores Jehona Kicaj po korr sukses të jashtëzakonshëm në Gjermani. Pas përfshirjes në listën e gjatë të Çmimit Gjerman të Librit, sot ajo është nominuar edhe për Çmimin e Letërsisë ZDF, një prej vlerësimeve më të rëndësishme për autorët debutues në gjuhën gjermane.
Ky çmim, i cili këtë vit ndahet për herë të 47-të, nderon veprën më të mirë debutuese në prozë gjermanisht.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 16 tetor, në orën 11:50, në skenën letrare të ARD, ZDFdhe 3sat, gjatë Panairit të Librit në Frankfurt.
Jehona Kicaj tashmë është emër në dy lista të rëndësishme letrare, duke u bërë një prej zërave të rinj më premtues të letërsisë gjermane./ KultPlus.com
Presidenti Emmanuel Macron ka emëruar aleatin e ngushtë Sébastien Lecornu si kryeministër të ri francez, 24 orë pasi një votëbesim rrëzoi François Bayrou nga posti i kreut të qeverisë së tij.
Lecornu, 39 vjeç, ishte ndër favoritët për të marrë përsipër detyrën dhe ka kaluar tre vitet e fundit si ministër i forcave të armatosura, me fokus në përgjigjen e Francës ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Në një deklaratë, Pallati Elize tha se atij i ishte dhënë detyra e konsultimit me partitë politike me qëllim miratimin e buxhetit të ardhshëm të Francës.
Bayrou e kishte vizituar presidentin disa orë më parë për të dhënë dorëheqjen e tij, duke i hapur rrugën Lecornu të bëhet kryeministri i pestë i mandatit të dytë të Macron si president.
Arkeologët në Peru kanë zbuluar një mural tre-dimensional shumëngjyrësh 4,000-vjeçar . I gjetur në vendin Huaca Yolanda në Luginën Tanguche, ky mural ofron njohuri të reja mbi periudhën formuese të qytetërimeve më të hershme të Perusë.
Zbulimi u botua në The Guardian. Murali, i cili shtrihet gati 6 metra i gjatë dhe është 9.5 metra i lartë , është i zbukuruar me friza me reliev të lartë të pikturuara me ngjyra të gjalla – blu, të verdhë, të kuqe dhe të zezë. Pjesa qendrore paraqet një zog të madh grabitqar me krahë të shtrirë, koka e të cilit është e zbukuruar me motive në formë diamanti.
Ana Cecilia Mauricio, arkeologja kryesore nga Universiteti Katolik Papnor i Perusë, e cila udhëhoqi gërmimet, e quan këtë zbulim “vërtet të pashembullt”. Murali, që paraqet peshq të stilizuar, rrjeta peshkimi, qenie mitologjike dhe simbole qiellore, ofron një pamje të një bote ku natyra dhe kozmosi ishin thellësisht të ndërthurura me fenë dhe ritualet shoqërore.
Gdhendjet dhe motivet e ndërlikuara në mural sugjerojnë një shoqëri që tashmë shfaqte shenja të hierarkisë shoqërore. Sipas Ana Cecilia Mauricio, imazhet tregojnë se shamanët, të cilët zotëronin njohuri si shpirtërore ashtu edhe shkencore, ishin me shumë gjasa ndër figurat më me ndikim në atë kohë. “Ata zotëronin njohuri të rëndësishme rreth bimëve medicinale dhe astronomisë”, shpjegon ajo.
Një nga karakteristikat më mbresëlënëse të muralit tregon një transformim nga njeri në zog. Kjo mund të përfaqësojë një “rit kalimi” shamanik, një gjendje të ndryshuar të vetëdijes të shkaktuar nga substanca si kaktusi San Pedro, një halucinogjen tradicional i përdorur në Ande.
Murali besohet se ka dekoruar pjesën e brendshme të një tempulli, me shumë mundësi të përdorur në ceremoni fetare. Vendndodhja Huaca Yolanda, si të tjerat në Peru, daton që nga periudha formuese (2000-1000 p.e.s.) , një kohë kur filluan të shfaqen shoqëri komplekse. Kjo periudhë u shënua nga zhvillimi i bujqësisë, ngritja e qendrave të hershme urbane dhe krijimi i hapësirave ceremoniale.
Murali në Huaca Yolanda ka disa ngjashmëri me vepra të tjera të lashta në Peru, por vendndodhja e tij bregdetare dhe stili artistik e dallojnë atë nga muralet e gjetura në vende si Chavín de Huántar në male. Ndërsa muralet e Chavín përshkruajnë kafshë të xhunglës, murali i Huaca Yolanda thekson jetën detare dhe mjetet e peshkimit.
Edhe pse është jashtëzakonisht e rëndësishme, Huaca Yolanda nuk mbrohet zyrtarisht si vend arkeologjik. Mauricio ka ngritur shqetësime në lidhje me rreziqet nga zhvillimi urban, bujqësia dhe plaçkitjet. “Vendi përballet me kërcënime më themelore”, thotë ajo, duke theksuar se rrënojat aty pranë janë dëmtuar tashmë nga aktiviteti dhe ndërtimet e paligjshme. Për të mbrojtur muralin, ajo po i kërkon Ministrisë së Kulturës së Perusë dhe autoriteteve lokale të ndërhyjnë dhe të sigurojnë ruajtjen e tij për një kohë të gjatë.
Që kur filloi punën e saj në Huaca Yolanda në vitin 2012, Mauricio ka synuar të zbulojë më shumë rreth shoqërive të hershme që jetonin përgjatë bregdetit. Ekipi është i etur të mësojë më shumë rreth mënyrës se si këta njerëz të lashtë ndërvepruan me mjedisin e tyre, veçanërisht në lidhje me fenomenin e motit El Niño që ka ndikuar në rajon për shekuj me radhë.
Sot është Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Arsimit nga Sulmet.
Arsimi është një e drejtë themelore e njeriut dhe një shtytës thelbësor për arritjen e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Sipas raportimeve të Kombeve të Bashkuara, fatkeqësisht, kjo e drejtë vazhdon të sulmohet, veçanërisht në zonat e prekura nga konflikti. Në botë ka raste të sulmeve dhe raste të përdorimit ushtarak të shkollave dhe universiteteve. Studentë dhe pedagogë vriten, rrëmbehen, arrestohen apo plagosen në mënyrë arbitrare. Shumica e viktimave janë gra dhe vajza.
Gjatë vitit të kaluar, pati një rritje prej 44% të sulmeve në shkolla, duke çuar në vdekjen, rrëmbimin dhe traumën e mijëra nxënësve dhe mësuesve. Këto shkelje kërcënojnë jo vetëm jetën individuale, por të ardhmen e të gjithë komuniteteve.
OKB-ja vazhdon të avokojë për akses të sigurt në arsim, duke u kërkuar vendeve të investojnë në sisteme arsimore elastike dhe të zbatojnë plotësisht Deklaratën e Shkollave të Sigurta.
Për të shënuar këtë ditë, UNESCO dhe partnerët do të organizojnë një ngjarje të nivelit të lartë në Gjenevë nën temën “Sfidimi i Narrativave, Riformësimi i Veprimit”.
Sulmet privojnë miliona studentë vulnerabël nga aksesi në arsim dhe rrisin rrezikun e dhunës seksuale dhe rekrutimit të fëmijëve nga grupet e armatosura. OKB bën thirrje që këto akte të ndalojnë menjëherë, në mënyrë që klasat e shkollave të mbeten vende paqeje dhe mësimi. /
Muzeu Hebraik, projekt dedikuar historisë së Vlorës që risjell në kujtesë vlera si mikpritjen dhe humanizmin e vlonjatëve po ngrihet mbi lagjen e dikurshme të Hebrenjve dhe ndodhet në sheshin kryesor të qytetit, afër tre muzeve të tjerë, Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Muzeut Historik dhe Muzeut Etnografik.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja informoi mëngjesin e sotëm për vijimin e punimeve në këtë kantier.
Gonxhja u shpreh se po punohet çdo ditë me ndërhyrje që shkojnë përtej restaurimit klasik, ku ndërthuren arkitektura vernakulare dhe ajo bashkëkohore.
“Muret origjinale të ndërtesës, struktura mbajtëse dhe elementët tipikë arkitektonikë të qytetit historik ruhen me përpikëri, ndërsa i gjithë procesi do të pasurohet me qasje moderne në dizajn dhe teknologjitë bashkëkohore të ekspozimit”, shkroi Gonxhja në rrjetet sociale.
Fondi për realizimin e këtij projekti pritet të shkojë në 280 milionë lekë.
Ky projekt u hartua nga firma fituese nga studio e njohur izraelite “Kimmel Eshkolot Architects” nga Tel -Avivi i Izraelit./ atsh/ KultPlus.com
Panairi i 6-të i Librit në Tuz, do të mbahet nga sot e deri më 12 Shtator 2025 në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu’’.
Programi përfshin lexime për të rritur dhe fëmijë, biseda me autorë, promovime librash dhe diskutime kulturore.
Ky aktivitet përfaqëson një ngjarje të rëndësishme kulturore, që mbledh së bashku dashamirët e librit, autorë e botues nga vendi dhe rajoni, duke krijuar një hapësirë të veçantë për promovimin e kulturës dhe dijes.
Teleskopi hapësinor James Webb i NASA-s ka tejkaluar sërish të gjitha pritjet.
NASA publikoi imazhin spektakolar duke treguar mijëra yje të rinj shkëlqyes, 5 mijë e 500 vit drite larg Tokës.
Përveç yjeve të rinj me madhësi dhe ngjyra të ndryshme, imazhi zbulon një re pluhuri dhe gazi në të cilën po formohen yje.
Kjo re e quajtur Mjegullnaja e Karavidhes, është aq e madhe sa shtrihet përtej fushëpamjes së kamerës. Një grup yjesh shumë të rinj, i quajtur Pismis 24, ndodhet thellë në brendi të saj, për të cilat janë nevojitur mbi pesë orë për t’i kapur në foto.
James Webb, teleskopi më i madh dhe më i fuqishëm i dërguar ndonjëherë në hapësirë, u lansua para katër vjetësh. Ai vëzhgon universin në spektrin infra të kuq, i cili i lejon të depërtojë në pluhurin hapësinor dhe të regjistrojë skena të lindjes së yjeve.
Distanca deri në mjegullnajë është 5.500 vit dritë, me një vit dritë që është rreth 9.46 trilionë kilometra./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim njoftues Nuncin Apostolik të Selisë së Shenjtë për Republikën e Kosovës, Luigi Bianco, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në vendin tonë.
Presidentja Osmani e uroi Nuncin Bianco për detyrën e re dhe shprehu bindjen se vizita e tij do të kontribuojë në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë.
Duke e vlerësuar hapjen e Misionit të Kosovës në Vatikan si një arritje të rëndësishme në kuadër të marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë, Presidentja shprehu besimin se njohja e pavarësisë së Kosovës do të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve gjithnjë e më të ngushta me Vatikanin.
Gjatë bisedës me Nuncin Apostolik, Bianco, Presidentja Osmani rikujtoi vizitën në Vatikan dhe takimin e veçantë me Papa Françeskun e ndjerë, duke e cilësuar bisedën me të si një moment të rëndësishëm në zhvillimin marrëdhënieve miqësore dhe respektit të ndërsjellë në mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë. Tutje, Presidentja ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që ta vijojë bashkëpunimin me Selinë e Shenjtë nën udhëheqjen e Papa Leos, duke u angazhuar për paqen, dialogun ndërfetar, si dhe forcimin e vlerave universale të solidaritetit dhe humanizmit./KultPlus.com
Përse moj hënë argjendore, ti larg nga retë pa pushim, përmbi kanatet e dritores, vërshon të mekurin shkëlqim?
Sa herë që më shfaqesh ti, në shpirt më zgjohen shqetësime, dhe brenga plot me dhembshuri, dëshirë plot me flakërime.
Oh, ikni, ikni o kujtime! o dashuri fatkeqe fli! O, le të mos më shfaqet më, të perdja e errët në dritore, nën dritën tënde argjendore, fytyr’ e dashur si gjithnjë, fytyr’ e ëmbël engjëllore e vashës që s’do ta shoh më.
O ëmbëlsi e dashurisë, plot ledhatime, plot me gaz, plot me shkëlqim të lumturisë, a mund të kthehesh rishmez pas?
I shpejtë porsi një vegim, me ndritë ti në fluturim; U zhdukën hijet krejt papritur, se erdh agimi menjëherë, dhe ti moj hën’e ndritur në qiell u mbyte atëherë! Agimi dritën pse shpërndau? Nga vash’ e shtrenjtë pse me ndau?/KultPlus.com
Arkeologët në Shqipëri kanë zbuluar një dhomë të madhe varri romak që daton nga shekulli III deri në të IV pas Krishtit, e para e këtij lloji e gjetur në vendin ballkanik që dikur ishte pjesë e Perandorisë Romake, shkruan sot agjencia britanike e lajmeve, Reuters.
Të njoftuar nga vendasit që kishin vënë re disa gurë të pazakontë në një pllajë pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, stafi i Institutit të Arkeologjisë filloi gërmimet në fillim të gushtit dhe gjeti strukturën nëntokësore, pllakat e mëdha prej guri gëlqeror të së cilës ishin të gdhendura me shkronja greke.
“Mbishkrimi na tregon se personi i varrosur këtu quhej Gelliano, një emër tipik i periudhës romake. Jemi të pasigurt për identitetin e individit të dytë, por ka të ngjarë të jetë një anëtar i familjes”, tha Erikson Nikolli, kryearkeologu i projektit.
Varri, 9×6 metra, është zbulimi i parë në Shqipëri i asaj që ekspertët besojnë se është vendi i prehjes së një personi të pasur, më madhështor se vendet e tjera të varrimit të gjetura në zonë.
Autoritetet lokale në Shqipëri, ku turizmi po lulëzon, tashmë po planifikojnë ta shndërrojnë vendin në një atraksion turistik, ndërsa banorët u dyndën në zonë pasi dëgjuan lajmin e zbulimit.
Javën e kaluar, ekipi i Nikollit përdori furça për të zbuluar skajet e gdhendura me hollësi të gurit të bardhë të çatisë dhe mureve të varrit.
“Ne gjithashtu zbuluam një copë pëlhure të qëndisur me fije ari, e cila konfirmon bindjen tonë se kemi të bëjmë me një anëtar të klasës së lartë”, shtoi ai.
Gjetje të tjera përfshijnë pllaka qelqi dhe thika.
Nikolli tha se varri ishte plaçkitur të paktën dy herë – një herë në antikitet dhe më vonë kur makineri të rënda u përdorën për të lëvizur një shkëmb masiv në majë të dhomës.
Ai shpjegoi se emri i banorit ishte shkruar me shkronja greke, por kishte kuptim latin, ndërsa një mbishkrim i dytë tregon se varri i ishte kushtuar perëndisë Jupiter.
Ekspertët ende nuk kanë deshifruar mbishkrime shtesë në gurët e gjetur aty pranë, të cilat besohet se i përkisnin një monumenti tjetër tani të rrethuar nga fusha misri dhe një gurore./KultPlus.com
Pallati Buckingham ka shpërndarë një fotografi të buzëqeshur të Mbretëreshës Elizabeth II për të shënuar përvjetorin e tretë të vdekjes së saj sot. Monarkja vdiq tre vite më parë, më 8 shtator 2022, në moshën 96-vjeçare, transmeton KultPlus.
Mëngjesin e sotëm, Pallati Buckingham publikoi në rrjetet e tij sociale një fotografi të mbretëreshës së dashur për të kujtuar ndarjen e saj nga jeta. Në foton e rikthyer nga arkiva, Mbretëresha e ndjerë shfaqet me një buzëqeshje të gjerë, e veshur me ngjyrë blu të ndezur dhe me varësen e saj karakteristike me perla.
Fotografia u shoqërua me mesazhin: “Duke kujtuar Mbretëreshën Elizabeth II, 1926–2022.”
Vdekja e Elizabethës shënoi momentin kur djali dhe trashëgimtari i saj, Charles, u bë Mbret, dhe kjo datë mbetet një moment me rëndësi të veçantë për kreun e shtetit.
Pritet që Mbreti ta kujtojë nënën e tij të dashur në mënyrë private sot në Skoci.
Vëllai i tij, Princi Harry, me të cilin ka pasur raporte të tensionuara, është gjithashtu në rrugë për t’u kthyer në Mbretërinë e Bashkuar.
Harry do të marrë pjesë sonte në ceremoninë e ndarjes së çmimeve WellChild në Londër.
Ai gjithashtu do të udhëtojë në Nottingham të martën për të kryer disa angazhime publike./KultPlus.com
Komuna e Tuzit këtë vit sjell për lexuesit dhe dashamirët e librit edicionin e gjashtë të Panairit të Librit, që do të mbahet nga 9 deri më 12 shtator 2025, në sheshin qendror “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Tuz. Ky panair tashmë është shndërruar në një traditë kulturore të rëndësishme, duke sjellë autorë, botues dhe lexues në një hapësirë të përbashkët dialogu e krijimtarie, përcjell KultPlus.
Hapja solemne e panairit do të bëhet nga Fatmir Sejdiu, i cili do të prezantojë librin e tij , “Ora e Kosovës”. Vepra sjell një dëshmi të vyer për momentet kyçe të historisë së Kosovës së fundit të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, nga këndvështrimi i një prej aktorëve më të rëndësishëm të saj.
Ndërkaq, mbrëmjen e 11 shtatorit autori Bajram Kosumi do të prezantojë librin e tij “Enciklopedia imagjinare – postroman”, një vepër që sfidon kufijtë e formës dhe mendimit letrar./KultPlus.com
Më 28 nëntor 1966, filloi së emituari programi në gjuhen shqipe, në TV e Beogradit, një herë në javë, nga gjysmë ore.
Nga ai ekip i vogël krijuesish, u krijua edhe Televizioni i Prishtinës, me shumë të tjerë, që do të inkuadrohen më vonë.
Spikerët e parë në TV ishin Antigona Nimani, Faik Hima dhe Vera Gjevori Hima.
Antigona Nimani është marrë me emisionin “Pasqyra televizive”.
Pasqyra televizive 1966-1973 është programi informativ në gjuhën shqipe prodhimi i RTB – redaksia në gjuhën shqipe. Emitimi i programit filloi nga data 29 nëntor 1966 nga studio e TV Beogradit. Përgatitja dhe xhirimi i materialeve bëhej asokohe në Kosovë.
Antigona Nimani, Vera Hima dhe Faik Hima.
Vera Hima
Në vitin 1966, pas Plenumit IV të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, ku u dënua politika antishqiptare e Rankoviqit, u formua redaksia shqipe e TV Beogradit me këta entuziastë: Gjeto Leka – gazetar-redaktor, Faik Hima folës, Ekrem Kryeziu gazetar-folës e pastaj edhe regjisor, Antigona Nimani – realizatore dhe folëse, Mitalip Çoça xhirues-gazetar dhe Bejto Jusufi ndriçues që përgatisnin emisionin e parë në gjuhën shqipe të titulluar “Pasqyra televizive”, më vonë ju bashkëngjitën Masar Murtezai si redaktor përgjegjës, Vera Gjevori-Hima si folëse, Sytki Imami përkthyes e lektor, organizator Shaip Bejta. Deri në vitin 1965 janë xhiruar 2977 tituj. Nga 2977 tituj në periudhën 1945 – 1965, në Kosovë dhe për Kosovën janë xhiruar 29 filma, 26 dokumentarë dhe 3 filma artistikë. / KultPlus.com
Lady Gaga u shpall dje në mbrëmje “Artistja e Vitit”, pasi u nderua me katër çmime në Çmimet MTV Video Music Awards (VMAs) 2025.
Ajo mundi artistet, përfshirë Taylor Swift, Beyonce dhe Kendrick Lamar, ndërsa çmimin ua dedikoi fansave të saj të “Little Monster” dhe të fejuarit Michael Polansky.
Sabrina Carpenter dhe Ariana Grande u nderuan me tre çmime secila.
“Të jesh artiste është një përpjekje për të lidhur shpirtrat e njerëzve në të gjithë botën. Të jesh artiste është një disiplinë, një zanat i destinuar për të arritur në zemrën e dikujt, ku ajo rrit rrënjët e saj dhe për t’i kujtuar ata të ëndërrojnë”, tha Lady Gaga gjatë marrjes së çmimit.
“Të jesh artiste është një përgjegjësi për ta bërë audiencën të buzëqeshë, të kërcejë, të qajë, të çlirohet… Është një metodë për të ndërtuar mirëkuptim dhe për të festuar komunitetin”, shtoi ajo.
Gaga, e cila mori 12 nominime, fitoi gjithashtu çmimet për regjinë më të mirë dhe drejtimin artistik për hit-in “Abracadabra”, si dhe fitoi çmimin për bashkëpunimin më të mirë për “Die With A Smile” së bashku me Bruno Mars.
Mars gjithashtu bashkëpunoi me këngëtaren e “Blackpink”, Rose, për të fituar çmimin e këngës së vitit për APT, ndërsa Blackpink u emërua grupi më i mirë.
Fitorja e Gaga-s si artiste e vitit do të thotë që Swift dhe Beyonce – të cilat u nominuan në këtë kategori – mbeten të barabarta në 30 çmime në VMA.
Në të kundërt, Mariah Carey mori çmimin e saj të parë në kategorinë R&B për “Type Dangerous” dhe një çmim të dytë “Video Vanguard”.
Çmimet për arritje iu dhanë Ricky Martin, i cili performoi disa hit-e duke filluar me “Livin’ La Vida Loca” dhe u nderua me çmimin “Ikona latine” dhe reperit Busta Rhymes, i cili mori çmimin “Rock The Bells Visionary”.
VMA nderoi gjithashtu ish-këngëtarin e “Black Sabbath”, Ozzy Osbourne, i cili vdiq në korrik në moshën 76 vjeç, me një performancë të prezantuar nga një video mesazh – nga djali i tij Jack dhe fëmijët e tij.
Grande mori çmimet për “Videon e vitit”, “Videon e gjatë” dhe “Videon më të mirë Pop” për “Brighter Days Ahead”.
“Short n’ Sweet” e Carpenter u shpall albumi i vitit, ndërsa ajo u nderua si artistja më e mirë Pop dhe fitoi çmimin për “Efektet vizuale” për “Manchild”.
“Coldplay” fitoi çmim në kategorinë Rock për “All My Love”, ndërsa Sombr mori çmimin alternativ për “Back To Friends” dhe Shakira u nderua me çmimin latin për “Soltera”./KultPlus.com
Më 8 shtator shënohet përvjetori i lindjes së Joseph Étienne Frédéric Mistral, poetit të madh francez, i cili u nderua me Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1904. I lindur në vitin 1830 në Maillane të Francës jugore, Mistral u bë një nga figurat më të shquara të letërsisë europiane, duke mbetur përjetësisht i lidhur me rrënjët e tij provansale dhe me pasionin për gjuhën oksitane, transmeton KultPlus.
Qysh në rini ai tregoi dashurinë e thellë për traditën dhe folklorin e vendlindjes. Në një kohë kur frëngjishtja po dominonte jetën kulturore dhe politike të Francës, Mistral u angazhua në ringjalljen e gjuhës provansale, duke e ngritur atë në nivel të lartë poetik e duke i dhënë dinjitetin e humbur. Ai ishte një nga themeluesit e lëvizjes letrare Félibrige, e cila synonte të ruante dhe zhvillonte gjuhën oksitane.
Ndër veprat e tij më të njohura janë “Mirèio” (Mireio), një poemë epike e botuar më 1859, që fitoi menjëherë vlerësime të gjera dhe u konsiderua si kryevepra e tij, si dhe “Calendal” (1867), një tjetër poemë epike që ngërthen mitin dhe historinë e rajonit të tij. Mistral, përveç krijimtarisë poetike, dha një kontribut madhor edhe në fushën e gjuhësisë, duke hartuar fjalorin e madh provansal-frëngjisht, “Lou Tresor dóu Felibrige”, i cili mbetet një thesar i pazëvendësueshëm i kulturës oksitane.
Nobeli i vitit 1904 iu dha për “forcën e re kreative të frymëzuar nga dashuria për atdheun dhe për gjuhën e tij amtare”, duke ndarë çmimin me spanjollin José Echegaray. Ky nderim e shndërroi Mistralin në një simbol të gjallë të ruajtjes së identitetit kulturor përmes artit dhe fjalës.
Frédéric Mistral u nda nga jeta më 1914, por trashëgimia e tij vijon të frymëzojë gjenerata të reja krijuesish dhe studiuesish. Ai mbetet një zë i fuqishëm i letërsisë europiane, i cili dëshmoi se dashuria për gjuhën amtare është një formë e lartë e dashurisë për lirinë dhe njerëzimin./KultPlus.com
Sot, në moshën 83-vjeçare ka vdekur doktori dhe një ndër spikerët e parë në gjuhën shqipe në televizionin e Beogradit, Faik Hima, përcjell KultPlus.
Lajmin e kanë bërë të ditur familja e tij nëpërmjet një njoftimi në Facebook.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë farefisin, miqtë, kolegët e dashamirët se më datë 08.09.2025 ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare më i dashuri ynë Prof.Dr.Sc. Faik Hima”, thuhet në njoftimin e vazjës së tij.
Ju kujtojmë se më 28 nëntor 1966, filloi së emituari programi në gjuhen shqipe, në TV e Beogradit, një herë në javë, nga gjysmë ore. Nga ai ekip i vogël krijuesish, u krijua edhe Televizioni i Prishtinës, me shumë të tjerë, që do të inkuadrohen më vonë. Spikerët e parë në TV ishin Antigona Nimani, Faik Hima dhe Vera Gjevori Hima./KultPlus.com
Më 8 shtator shënohet përvjetori i vdekjes së njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj të shekullit XX, Richard Strauss (1864–1949). Figura e tij mbetet e skalitur në historinë e muzikës si mjeshtër i pakrahasueshëm i simfonive poetike dhe i operës, duke krijuar vepra që edhe sot mbushin sallat koncertale dhe skenat operistike anembanë botës, transmeton KultPlus.
Lindur në Mynih në vitin 1864, Strauss u rrit në një familje muzikantësh. I ati, Franz Strauss, ishte një hornist i njohur, gjë që e futi herët djalin në botën e tingujve. Që në moshë të re, talenti i tij për kompozim u bë i dukshëm, duke shënuar hapat e parë drejt një karriere që do të ndikonte thellësisht në muzikën europiane.
Në fund të shekullit XIX dhe fillim të XX, Strauss u bë i njohur për simfonitë poetike të tij, të cilat sollën një frymë të re në traditën gjermane. Veprat si Also sprach Zarathustra (1896), e frymëzuar nga filozofia e Friedrich Nietzsche-s, apo Don Juan (1888) dhe Ein Heldenleben (1898), tregojnë gjallërinë, pasionin dhe dimensionin dramatik që ai i dha orkestrës. Muzika e tij, e ngarkuar me emocione dhe nuanca të fuqishme, shpesh u konsiderua si përfaqësim i shpirtit të kohës.
Por, suksesi i madh i Strauss-it erdhi sidomos në operë. Ai solli vepra të paharrueshme si Salome (1905), një revolucion muzikor e teatral, Elektra (1909), me gjuhën e saj moderne dhe të ashpër, dhe më pas kryeveprën e pavdekshme Der Rosenkavalier (1911), ku meloditë e buta e plot nostalgji u kthyen në simbol të elegancës së muzikës gjermane. Operat e tij e bënë atë një nga figurat më të mëdha të skenës operistike, duke ndikuar breza të tërë kompozitorësh.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Strauss mbeti një figurë komplekse dhe shpesh e diskutuar, për shkak të marrëdhënieve të tij me regjimin nazist, edhe pse shumë historianë theksojnë se ai veproi kryesisht për të mbrojtur muzikën dhe artistët gjermanë. Pas luftës, ai u rikthye fuqishëm në krijimtari, duke kompozuar Vier letzte Lieder (Kater Këngët e Fundit, 1948), një testament i prekshëm artistik dhe shpirtëror, që konsiderohet ndër kryeveprat më të ndjera të shekullit XX.
Richard Strauss ndërroi jetë më 8 shtator 1949 në Garmisch-Partenkirchen të Gjermanisë, duke lënë pas një trashëgimi kolosale. Muzika e tij, me kontrastet e fuqishme, bukurinë melodike dhe thellësinë emocionale, vazhdon të mbetet e gjallë dhe frymëzuese edhe sot. Përvjetori i vdekjes së tij nuk është thjesht një kujtim, por një rikthim tek një epokë që ai e ngriti në lartësitë e artit muzikor botëror./KultPlus.com
Rick Davies, bashkëthemeluesi dhe vokalisti kryesor i grupit muzikor britanik “Supertramp”, ka vdekur në moshën 81-vjeçare.
Muzikanti, i njohur për hitet si “Goodbye Stranger”, “Breakfast in America” dhe “The Logical Song”, vdiq të shtunën pas një beteje me kancerin, bëri të ditur grupi në një deklaratë.
Atij i ishte diagnostikuar më shumë se 10 vite më parë mieloma multiple, një lloj kanceri në gjak.
“Si bashkautor, së bashku me partnerin Roger Hodgson, ai ishte zëri dhe pianisti pas këngëve më ikonike të ‘Supertramp’, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës rok”, thuhet në faqen zyrtare të grupit. “Vokali i tij shpirtëror dhe prekja e papërsëritshme në ‘Wurlitzer’ u bënë zemra e tingullit të grupit”.
“Përtej skenës, Rick njihej për ngrohtësinë, qëndrueshmërinë dhe përkushtimin ndaj bashkëshortes së tij Sue, me të cilën jetoi mbi pesë dekada”, shton deklarata. “Muzika dhe trashëgimia e Rick-ut vazhdojnë të frymëzojnë shumëkënd dhe janë dëshmi se këngët e mëdha nuk vdesin kurrë, ato jetojnë”.
Davies lindi në Swindon në vitin 1944. Dashuria e tij për muzikën nisi që në fëmijëri, kur dëgjoi “Drummin’ Man” të Gene Krupa-s, gjë që i ndezi një pasion të përjetshëm për xhazin, bluzin dhe rock’n’roll-in.
Ai dhe Hodgson formuan grupin që më vonë do të merrte emrin “Supertramp” në vitin 1969. Edhe pse përbërja e grupit ndryshoi disa herë, periudha më e njohur mbetet ajo midis viteve 1973-1983, me Davies dhe Hodgson përkrah Dougie Thomson (bas), Bob Siebenberg (bateri) dhe John Helliwell (saksofon).
Në atë kohë ata nxorrën albumin e tyre të parë dhe arritën suksesin më të madh me ”Breakfast In America” në 1979, nga i cili dolën këngë të suksesshme si “The Logical Song”, “Breakfast in America”, “Goodbye Stranger” dhe “Take the Long Way Home”.
Pas largimit të Hodgson në vitin 1983, i cili nisi një karrierë solo, Davies mbeti anëtari i vetëm konstant i “Supertramp” gjatë gjithë historisë së tij./KultPlus.com
Elizabeth Alexandra Mary- (21 prill 1926 – 8 shtator 2022) ishte Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar dhe mbretërive të Komonuelthit.
Elizabeta lindi si fëmija i parë i Mbretit George VI dhe Mbretëreshës Elizabeth. Në kohën e lindjes së saj më 21 prill 1926, princesha e atëhershme Elizabeth ishte e treta në radhën e fronit – vajza e madhe e një djali të dytë, dhe për këtë arsye konsiderohej e pamundur të sundonte. Pas 10 vitesh, ajo u bë trashëgimtarja më e mundshme pasi xhaxhai i saj abdikoi, duke e zhytur vendin në krizë.
Në vitin 1947, ajo u martua me Princin e guximshëm Philip të Greqisë dhe Danimarkës, me çiftin që qëndroi së bashku për 73 vjet. Ndërsa udhëtonte në Kenia në shkurt të vitit 1952, ajo mësoi se babai i saj kishte vdekur dhe kështu filloi mbretërimi i monarkes britanike më jetëgjatë në histori.
Që nga qershori 2022 ajo ishte gjithashtu monarkja e dytë më e gjatë mbretëruese në historinë botërore. Në shtator 2015, Elizabeth tejkaloi rekordin prej 63 vjetësh e 216 ditësh në fron të mbajtur nga mbretëresha Victoria (stër-stër-stërgjyshja e saj) për t’u bërë monarkja britanike më jetëgjatë në histori.
Ndërsa në shkurt 2022, Mbretëresha Elizabeth festoi ‘Jubileun e Platinit’ të saj, duke shënuar shtatë dekada shërbimi ndaj Commonëealth.
Ngjitja në fron
Në verën e vitit 1951, shëndeti i mbretit George VI filloi të përkeqësohej dhe Princesha Elizabeth e përfaqësoi atë në paradën e ngjyrave dhe në funksione të tjera zyrtare. Më 7 tetor ajo dhe bashkëshorti i saj nisën një turne shumë të suksesshëm në Kanada dhe Uashington.
Pas Krishtlindjeve në Angli, ajo dhe Duka u nisën në janar 1952 për një turne në Australi dhe Zelandën e Re, por gjatë rrugës, në Sagana, Kenia, lajmi i vdekjes së Mbretit arriti më 6 shkurt 1952. Elizabeta, tani mbretëreshë, u kthye menjëherë në Angli.
Tre muajt e parë të mbretërimit të saj, një periudhë zie e plotë për të atin, i kaloi në një izolim relativ. Por në verë, pasi u zhvendos nga Clarence House në Buckingham Palace, ajo mori detyrat e zakonshme të një monarku dhe mbajti hapjen e saj të parë zyrtare të Parlamentit më 4 nëntor 1952.
Kurorëzimi i saj u bë në Westminster Abbey më 2 qershor 1953.
Nga nëntori i 1953, Mbretëresha dhe Duka i Edinburgut ndërmorën një turne gjashtëmujor rreth Komonuelthit, i cili përfshinte vizitën e parë në Australi dhe Zelandën e Re nga një monark britanik në fuqi. Në vitin 1957, ajo dhe Duka vizituan Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara.
Gjatë “Jubileut të saj të Argjendtë” në vitin 1977, ajo drejtoi një darkë zyrtare në Londër ku morën pjesë liderët e 36 anëtarëve të Komonuelthit, udhëtoi në të gjithë Britaninë dhe Irlandën e Veriut dhe bëri turne jashtë shtetit në Paqësorin Jugor dhe Australi, në Kanada dhe Karaibe.
Mbretëresha Elizabeth dhe Princi Filip
Elizabeth dhe Margaret kaluan pjesën më të madhe të Luftës së Dytë Botërore duke jetuar veçmas nga prindërit e tyre në Kalanë Windsor, një kështjellë mesjetare jashtë Londrës. Në vitin 1942, mbreti e bëri Elizabetën një kolone nderi në Gardën e 500 Grenadierëve, një regjiment i ushtrisë mbretërore.
Dy vjet më vonë, ai e emëroi atë anëtare të Këshillit të fshehtë dhe Këshillit të Shtetit, duke e lejuar atë të vepronte në emër të tij kur ai ishte jashtë vendit.
Në vitin 1947, menjëherë pasi familja mbretërore u kthye nga një vizitë zyrtare në Afrikën e Jugut, u njoftua fejesa e Elizabeth me Princin Filip të Greqisë dhe një toger të Marinës Mbretërore. Ajo e njihte kur ishte vetëm 13 vjeç dhe marrëdhënia e tyre u zhvillua përmes vizitave dhe korrespondencës gjatë luftës.
Edhe pse shumë në rrethin mbretëror nuk e konsideronin Filipin për shkak të mungesës së parave dhe gjakut të huaj (gjerman) – madje edhe babai i saj nuk e miratoi – Elizabeta ishte e vendosur dhe shumë e dashuruar. Ajo dhe Filipi u martuan më 20 nëntor 1947 në Westminster Abbey.
Djali i tyre i parë, Charles (Princi i Uellsit) lindi në 1948, ndërsa vajza e tyre, Anne (Princesha Royal) erdhi dy vjet më vonë. Elizabeth dhe Philip ishin të martuar për 73 vjet, derisa Princi Philip vdiq në prill 2021 në moshën 99 vjeçare.
Monarkia moderne e Mbretëreshës Elizabeth
Jashtëzakonisht popullore gjatë pjesës më të madhe të mbretërimit të saj të gjatë, mbretëresha është e njohur për interesimin serioz për qeverinë dhe çështjet politike, përveç detyrave të saj ceremoniale, dhe i njihet merita për modernizimin e shumë aspekteve të monarkisë.
Mbretëresha dukej se ishte gjithnjë e më e vetëdijshme për rolin modern të monarkisë, duke lejuar, për shembull, transmetimin televiziv të jetës familjare të familjes mbretërore në 1970. Megjithatë, në vitet 1990, familja mbretërore u përball me një sërë sfidash.
Në vitin 1992, një vit që Elizabeth e përshkroi si “annus horribilis” e familjes mbretërore, Princi Charles dhe gruaja e tij, Diana, Princesha e Uellsit, u divorcuan, si dhe Princi Andrew dhe gruaja e tij, Sarah, Dukesha e Jorkut.
Për më tepër, Anne u divorcua dhe një zjarr shkatërroi rezidencën mbretërore të Kalasë Windsor. Gjithashtu, ndërsa vendi luftonte me recesionin, pakënaqësia me stilin e jetës mbretërore u rrit dhe në vitin 1992 Elizabeth, ra dakord të paguante taksa për të ardhurat e saj private.
Ndarja dhe divorci i mëvonshëm (1996) i Charles dhe Princeshës Diana minuan më tej mbështetjen për familjen mbretërore. Kritikat u intensifikuan pas vdekjes së Dianës në 1997, pasi Elizabeth fillimisht refuzoi të lejonte që flamuri kombëtar të ulej në gjysmështizë mbi Pallatin Buckingham.
Disa vite më vonë, në vitin 2005, Mbretëresha gëzoi mbështetjen e publikut kur dha pëlqimin e saj për martesën e Princit Charles me të dashurën e tij prej shumë kohësh Camilla Parker Bowles. Në përputhje me përpjekjet e saj të mëparshme për të modernizuar monarkinë, mbretëresha që atëherë është përpjekur të paraqesë një imazh më pak të ashpër dhe më pak tradicional të monarkisë.
Dalja në pension e Princit Philip dhe vdekja e tij e mëvonshme
Në gusht 2017, Princi Philip u tërhoq zyrtarisht nga jeta publike, duke u shfaqur periodikisht në angazhimet zyrtare. Ndërkohë, Mbretëresha Elizabeth filloi të zvogëlojë detyrat e saj zyrtare , duke i dorëzuar disa detyra Princit Charles dhe anëtarëve të tjerë të lartë të familjes mbretërore.
Djali më i vogël i Charles, Princi Harry, duka i Sussex, dhe gruaja e tij, Meghan Markle, Dukesha e Sussex-it, zgjodhi të tërhiqej nga rolet e tyre mbretërore në mars 2020. Gjatë kësaj kohe, interesi i publikut për Mbretëreshën dhe Familjen Mbretërore u rrit si rezultat i popullaritetit të gjerë të ” The Crown”.
Pasi u përball me disa pengesa fizike në vitet e fundit, Filipi, i cili ishte bashkëshorti i Elizabeth për më shumë se shtatë dekada, vdiq në prill 2021. Në përvjetorin e tyre të 50-të të martesës, në vitin 1997, Elizabeta kishte thënë për Filipin, të cilin do ta “takonte” sërish një vit pas vdekjes së tij.
“Ai ishte thjesht forca ime dhe shtëpia ime gjatë gjithë këtyre viteve”.
Ndërsa pasuria e saj e patreguar e bëri atë një nga gratë më të pasura në botë, Mbretëresha Elizabeth në nivel personal e donte thjeshtësinë. Ajo ishte një kalorëse e mprehtë, ndërsa mbante kuaj garash, shpesh merrte pjesë në gara dhe vizitonte periodikisht fermat e Kentakit në Shtetet e Bashkuara.
Një nga personat më me ndikim në botë nisi rrugëtimin e saj drejt përjetësisë 96-vjeçare, më 8 shtator 2022./ KultPlus.com