Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 December 2025Main stream

Xhanfise Keko, regjisorja që bëri histori me filmat për fëmijë

22 December 2025 at 12:59

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ 18 vjet më parë, u nda nga jeta regjisorja aq e dashur për publikun, Xhanfise Keko.

E njohur si regjisorja që ngriti në një nivel të lartë filmin për fëmijë, Xhanfise Keko u nderua dhe vlerësua jo vetëm nga spektatori. Ajo mban titullin “Nderi i Kombit” dhe mbetet një emër i paharruar i kinematografisë shqiptare dhe një zë i rrallë me ndjeshmëri artistike.

Xhanfise Çipi Keko lindi më 27 janar të 1928, në Gjirokastër. I kreu studimet në Moskë për montazh kinomatografik. Një suport në karrierën e saj ishte edhe bashkëshorti, regjisori dokumentarist Endri Keko.

Pionierja e filmit shqiptar për fëmijë e nisi rrugëtimin e saj artistik që në vitin 1952, si montazhiere dhe dokumentariste. Në karrierën e saj, realizoi 12 filma artistike të metrazhit të gjatë të cilët u vlerësuan edhe jashtë vendit. Filmat e saj nuk ishin thjesht histori në ekran, por edhe mësime njerëzore dhe kujtime që vijojnë të jetojnë me publikun.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në këtë përvjetor të humbjes së saj, u shpreh se, Xhanfisja i dha fëmijërisë sonë fytyrë, zë dhe ëndërr, duke e parë botën me sy të pastër e zemër të madhe.

/a.f/

The post Xhanfise Keko, regjisorja që bëri histori me filmat për fëmijë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Meri Popins”, muzikali i shumëpritur përfshin fëmijët në një botë me ëndrra

22 December 2025 at 11:45

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH- Edlira Ruzi/ Katër herë zbriti Meri Popins nga oxhaku i familjes Benks, në 4 shfaqjet e vëna në skenën e Teatrit të Kukullave në Tiranë.

Premiera absolute e muzikalit aq të dashur botërisht, u duartrokit gjatë edhe nga fëmijët e kryeqytetit dhe prindërit që i shoqëronin. Çadra fluturuese, çanta magjike, zëri i ëmbël i Venera Lumanit si edhe loja e natyrshme e dy fëmijëve protagonistë, sollën në sallë një frymë përralle duke i përhumbur në ëndërrime.

Ashtu si në Broadway, Meri zbriti plot sharm e magji edhe në Teatrin e Kukullave duke sjell gëzim, por edhe rregull e këshilla. Misheli Kadeli e Luana Thomai, dy fëmijët nga Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, që interpretuan Majkëll Benks dhe Xhejn Benks, u argëtuan me dadon e tyre speciale, por edhe mësuan një nga një fjalët magjike.

Siç ndryshoi dhoma e tyre, që u bë e rregullt dhe e bukur kur misioni i Merit mbaroi, edhe jeta e fëmijëve mori një udhë tjetër.  Bashkë me Majkëllin dhe Xhejnin, edhe spektatorët e vegjël mësuan se është e rëndësishme të thuash “të lutem” apo “faleminderit”.

E veçanta e shfaqjes ishte bashkëpunimi mes Teatrit të Kukullave dhe QKKF. Përveç Mishelit e Luanës, në shfaqje morën pjesë edhe 10 balerinë të vegjël të cilët shoqërojnë Merin në disa prej 8 pjesëve të kënduara të shfaqjes. Prania e aktorëve të vegjël, bëri që edhe bashkëmoshatarët e tyre spektatorë të përfshiheshin më shumë në historinë e Merit.

“Meri Popins” ishte muzikali i shumëpritur në mbyllje të këtij viti, me regji të Endri Çelës. Interesi i publikut ishte i madh dhe kjo u vu re edhe nga radha e gjatë në biletarinë e Teatrit të Kukullave.

Meri do të shfaqet sërish fundjavën e ardhshme në teatër, në datat 27 dhe 28 dhjetor.

1 nga 13
Meri Popin në Teatrin e Kukullave, Foto: Edlira Ruzi

/a.f/

The post “Meri Popins”, muzikali i shumëpritur përfshin fëmijët në një botë me ëndrra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 21 December 2025Main stream

Alis kurorëzohet fitues i Fest 64, do të përfaqësojë Shqipërinë në Vjenë

21 December 2025 at 00:53

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Festivali i 64-t i Këngës në RTSH, uli sot siparin e tij, duke shpallur si fitues të këtij edicioni, Alis me këngën “Nan”.

Në vend të dytë dhe të tretë u renditen respektivisht: Inis Neziri dhe Sheila.

Alis, me këtë fitore, bëhet automatikisht përfaqësues i Shqipërisë në edicionin e ardhshëm të Eurosong-ut, që do të mbahet në Vjenë të Austrisë. “Nan” mori 152 pikë, 68 prej të cilave nga juria, dhe të tjerat nga votimi i publikut përmes sms-ve.

Në natën e katërt e njëkohësisht të fundit të festivalit konkurruan 23 këngëtarë. Por përveç tyre, performuan edhe të ftuarit specialë. Një prej tyre, ishte këngëtarja e dashur për publikun shqiptar, Bleona Qerreti, e cila u ngjit në skenë me hitin e saj të paharruar “Lërmëni”. Organizatorët kishin përgatitur disa surpriza për publikun në sallë dhe atë pas ekranit të televizorit. Një moment emocionues i këtij festivali ishte dueti mes dy të mëdhenjve të muzikës pop shqiptare, Elsa Lila dhe Aleksandër Gjoka. Pas performancës muzikore ata falenderuan publikun për mbështjeten e vazhdueshme. “Është falë jush që ne artistët ekzitojmë”, tha Elsa Lila, pas interpretimit të këngës “Vibracione”.

Të ftuarit e tjerë ishin këngëtarët e grupit “Shkodra elektronike” të cilët prezantuan krijimin e ri, “Fosforon”.

Ndërkohë një tjetër pikë kulminante e Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH, ishte prania e të ftuarit special Tommy Cash, këngëtari estonez, me këngën hit-botëror, “Espresso macchiato”, i cili elektrizoi skenën e Pallatit të Kongreseve. Tommy Cash në përfundim të këngëve që interpretoi i premtoi publikut se do të kthehet për të ndenjur më gjatë dhe për të dhënë një koncert të vërtetë.

/r.e/

The post Alis kurorëzohet fitues i Fest 64, do të përfaqësojë Shqipërinë në Vjenë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Çelet ekspozita me fotografi të rralla të Aleksandër Moisiut nga arkivat austriake

19 December 2025 at 17:37

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ 45 foto dhe dokumente të rralla e të panjohura më parë, janë pjesë e ekspozitës “Aleksandër Moisiu: Njeriu dhe Artisti”, e çelur sot në mjediset e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Kjo ekspozitë vjen në 20-vjetorin e themelimit të Universitetit, si rezultat i një pune kërkimore 7-vjeçare të studiuesit Pjetër Logoreci, në arkivat austriake. Rektori UAMD priti studiuesin Logoreci pas ardhjes së tij nga Vjena, enkas për t’iu bashkuar stafit të Universitetit në çeljen e ekspozitës “Aleksandër Moisiu: Njeriu dhe Artisti”.

Gjatë takimit, studiuesi Logoreci u shpreh se fotot e rralla të mbledhura nga arkivat e Vjenës ia dhuron UAMD-së. Rektori, dr. Shkëlqim Fortuzi, shprehu vlerësimin më të lartë dhe mirënjohjen e thellë për Pjetër Logorecin, për punën e shkëlqyer arkivore dhe promovimin e figurës së Aleksandër Moisiut.

“Ky dhurim shënon një kontribut tejet të çmuar e të jashtëzakonshëm në fillimin e ngritjes së fondit të rrallë arkivor për UAMD-në mbi figurën e këtij personaliteti epokal shqiptar, me famë ndërkombëtare, emrin e të cilit mban me krenari universiteti ynë”, u shpreh Fortuzi.

1 nga 5

/j.p/r.e/

The post Çelet ekspozita me fotografi të rralla të Aleksandër Moisiut nga arkivat austriake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbyllet edicioni i katërt i Javëve Kulturore Ndërkombëtare

19 December 2025 at 11:22

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Javët Kulturore Ndërkombëtare dhe CulturAlb përmbyllën edicionin e katërt, i pasur me kulturë, zëra krijues dhe histori të jashtëzakonshme.

Aktiviteti përmbyllës u zhvillua në Vila 31 me praninë e artistëve, përfaqësuesve të Trupit Diplomatik etj. E pranishme në këtë event ishte edhe zëvendësministrja e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa e cila falënderoi artistët për atmosferën e mrekullueshme që i sollën mbrëmjes.

“Kanë qenë shumë aktivitete në këtë edicion të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, me rreth 500 artistë që erdhën në Shqipëri dhe shkëmbyen kulturë e aktivitete me ne. Dua të falënderoj 22 përfaqësues nga bota që na u bashkuan në këtë edicion të katërt, të cilët bënë që JKN të mos ishte vetëm një kalendar kulturor por një platformë kulturore diskutimi e dialogu mes vendeve, si dhe shkëmbimi të programeve, përvojave e artistëve”, u shpreh Pipa.

Aktivitetet e JKN janë konsideruar si një festë e kulturës, artit dhe traditave nga e gjithë bota, që gjatë këtij vitit mbushën skenat tona me emocione dhe kreativitet.

JKN është një platformë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që sjell një seri veprimtarish, të cilat kanë si qëllim njohjen dhe përqafimin nga publiku të kulturave të ndryshme botërore.

Çdo javë i dedikohet një kulture të caktuar botërore nëpërmjet aktiviteteve më të spikatura të këtyre kulturave, si përmes filmave, melodive, arkitekturës, kostumeve, kulinarisë, trashëgimisë etj. JKN është një paradë aktivitetesh që zhvillohen prej majit e deri në nëntor. /j.p/

 

Javet Kulturore Nderkombetare. Fotot nga Andrin Hoxha
1 nga 12

The post Mbyllet edicioni i katërt i Javëve Kulturore Ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rexhep Meidani vlerësohet nga Universiteti i Tetovës me titullin “Doctor Honoris Causa”

18 December 2025 at 14:48

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Akademik Rexhep Meidani, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u vlerësua me titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tetovës.

Ceremonia solemne u mbajt ditën e djeshme (17 dhjetor 2025), në Amfiteatrin e UT-së, me rastin e 31-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës.

Akad. Rexhep Meidani u vlerësua me titullin Doctor Honoris Causa për kontributin e tij në shkencë, arsim dhe jetën publike.

Titulli, së bashku me logon dhe flamurin e universitetit, u dorëzua nga rektori i Universitetit të Tetovës, prof. dr. Jusuf Zejneli.

Rexhep Meidani ka lindur më 17 gusht 1944. Ai ka kryer studimet universitare dhe pasuniversitare për fizikë në Shqipëri dhe në Francë. Prej vitit 2003 është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka qenë President i Shqipërisë gjatë viteve 1997- 2002.

Akad. Meidani, përveç veprimtarisë së pasur pedagogjike e shkencore, ka shkruar dhjetëra libra shkencorë, filozofik-shkencorë dhe monografi. Pjesë e veprave të tij janë edhe librat publicistikë dhe eseistikë. Për shumë vite me radhë ai ka dhënë mësim në Universitetin e Tetovës. /j.p/

1 nga 5

The post Rexhep Meidani vlerësohet nga Universiteti i Tetovës me titullin “Doctor Honoris Causa” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çmimet kombëtare të Letërsisë 2024, pesë nga finalistët

18 December 2025 at 13:19

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Në vazhdën e publikimit të finalistëve të Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau të tjerë emra në këtë konkurrim sa i përket botimeve të vitit 2024.

Matteo Mandala është një prej 10 studiuesve të përzgjedhur nga juria e kryesuar nga Besnik Mustafaj dhe me anëtarë: Dhurata Shehri, Elsa Skënderi Rakipllari, Maklena Nika dhe Fatmira Nikolli. Matteo Mandala vjen në këtë edicion të Çmimeve Kombëtare për Letërsinë me librin studimor “Në periferinë e Ismailandit” (Botimet Onufri) si finalist për Çmimin e madh të Studimeve.

Ndërsa Anila Mullahi është një tjetër studiuese e përzgjedhur me librin studimor “Krijimi letrar në proces” (Botimet Pegi) si finalist për Çmimin e madh të Studimeve. Objekt kërkimor i këtij studimi është rrugëtimi krijues i disa prej veprave në prozë të shkrimtarit të njohur shqiptar, Dritëro Agolli.

Iljaz Spahiu është një prej 10 përkthyesve të përzgjedhur nga juria e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë me romanin “Njeriu që shet gjak” nga autori Yu Hua (Botimet Onufri) si finalist për Çmimin e madh të Përkthimit.

Fate Velaj është një prej 10 autorëve të përzgjedhur për romanin “Mossanga” (Botimet Onufri) si finalist për Çmimin e madh të Letërsisë.

Shkrimtari Alban Tufa është një prej 10 autorëve të përzgjedhur per romanin “Po sikur të mos jetë ëndërr?” (Botimet Toena) si finalist për Çmimin e madh të Letërsisë. /j.p/

The post Çmimet kombëtare të Letërsisë 2024, pesë nga finalistët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Meri Popins”, premiera e fundjavës në Teatrin e Kukullave

18 December 2025 at 11:23

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Kjo fundjavë vjen në Teatrin e Kukullave me një premierë absolute plot magji. Fëmijët do të mund të shohin personazhin e tyre të dashur, Meri Popins, në një muzikal të ngrohtë që bashkon të gjithë familjen nën çadrën fluturuese të Merit.

Meri Popins thotë se, askush nuk e di që ekziston një fllad mbrëmjeje, i cili, kur kalon mes yjeve, i kthen dëshirat e fëmijëve në realitet. Kështu ndodhi edhe me Xhejnin dhe Majkëllin, dëshira e të cilëve shndërrohet në formën më magjike të mundshme. Meri Popins me çadrën e saj fluturuese dhe çantën plot surpriza, u mëson fëmijëve mirësjelljen, fjalët magjike, vlerën e miqësisë, kënaqësinë e punës, fuqinë e imagjinatës, dhe mbi të gjitha, çfarë do të thotë të jesh një njeri i dashur dhe i mirë.

Shfaqja e re e Teatrit të Kukullave është e përshtashme për të gjithë familjen.

Teatri i Kukullave njoftoi se biletat për dy datat e kësaj jave u shitën në kohë rekord, ndërkohë që shfaqja do të rikthehet për vogëlushët edhe një fundjavë më pas, më 27 dhe 28 dhjetor.

“Meri Popins” vjen me skenar e regji nga Endri Çela, kostumografi nga Sofi Kara, skenografi nga Beqo Nanaj dhe formulimin muzikor nga kompozitori Sokol Marsi.

Në shfaqje do të interpretojnë: Venera Lumani, Luana Thomai, Mishel Kadeli, Aleksandër Grami, Jorida Meta, Erdit Asllanaj, Amelja Heta, Briana Çakmashi, Erla Halili, Etual Gashi, Kleisa Rrapi. /j.p/

The post “Meri Popins”, premiera e fundjavës në Teatrin e Kukullave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Klubi i Filmit”, diskutim për propagandën në kinematografinë shqiptare

17 December 2025 at 15:24

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ “Klubi i Filmit” titullohej aktiviteti i përbashkët mes Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Të pranishmit në aktivitet, diskutuan mbi filmin “Vitet e para”, i bazuar në romanin “Këneta” të Fatmir Gjatës. Ata trajtuan marrëdhëniet mes artit, propagandës dhe historisë gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Diskutimi e lidhi filmin me kinematografinë dhe teatrin shqiptar të prodhuar në vitet e diktaturës, si mjete të indoktrinimit dhe ndërtimit të një kujtese të deformuar.

“Klubi i Filmit” propozon që filmat e kësaj periudhe të vijojnë të shfaqen për publikun, por të shoqëruar me komente dhe analiza kritike, me qëllim që të sqarohet e vërteta historike e ngjarjeve dhe e personazheve, përmes dokumenteve arkivore dhe dëshmive reale, duke ndihmuar veçanërisht brezat e rinj të dallojnë propagandën nga realiteti.

Ky takim është pjesë e cikleve të klubit të filmit “Mësojmë nga e kaluara”, ku në fokus janë temat e luftës së klasave, shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, dënimi i inxhinierëve të Maliqit nga regjimi, si edhe simbolika filmike që pasqyron realitetin e një epoke të errët të historisë sonë.

/r.e/j.p/

The post “Klubi i Filmit”, diskutim për propagandën në kinematografinë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria, vendi pritës i sesionit XX të takimit për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale

17 December 2025 at 13:50

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Delegacioni shqiptar i Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit i cili mori pjesë në takimin ministerial të Këshillit të Ministrave të Kulturës së Evropës Juglindore (CoMoCoSEE), zhvilloi dy takime të rëndësishme ndërkombëtare në kuadër të forcimit të bashkëpunimit për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Ministri Gonxhja bëri me dije se u zhvillua një takim me drejtoreshën e Zyrës Rajonale të UNESCO-s për Shkencë dhe Kulturë në Europë, Magdalena Landry, si dhe ekipin e kulturës së UNESCO-s, si një moment vlerësimi për bashkëpunimin e deritanishëm me MTKS-në, rezultatet konkrete të arritura dhe vizionin mbi projektet e reja për vitin 2026.

Gjatë këtij takimi u konfirmua një nismë me rëndësi të veçantë: Shqipëria do të jetë vendi pritës i Sesionit të 20-të të Takimit për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale, duke forcuar rolin e saj aktiv dhe të besueshëm në nivel ndërkombëtar.

Gjithashtu, u zhvillua një takim i rëndësishëm me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut, i fokusuar në Liqenin e Ohrit, një pasuri e përbashkët natyrore dhe kulturore, pjesë e Trashëgimisë Botërore UNESCO. Diskutimet u përqendruan në bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, koordinimin institucional dhe ndërtimin e një qasjeje të qëndrueshme, në përputhje me standardet e UNESCO-s, për të garantuar mbrojtjen afatgjatë të këtij ekosistemi dhe peizazhi unik për brezat që vijnë.

Në këtë ministerial, delegacioni shqiptar kryesohej nga zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa. /j.p/

The post Shqipëria, vendi pritës i sesionit XX të takimit për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tinka Kurti feston sot 93-vjetorin

17 December 2025 at 13:11

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Artistja e Popullit, Tinka Kurti feston sot 93-vjetorin e lindjes.

Aktorja e mirënjohur e skenës dhe ekranit, lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë. Nëna e saj ishte një nga aktoret kryesore të Teatrit Kombëtar të Sarajevës. Familja u shpërngul në Shkodër kur Tinka ishte pesë vjeç. Në vitin 1947 ajo niset drejt kryeqytetit për të studiuar në Politeknikumin e Tiranës, por rastësisht kaloi në degën e Dramës në Liceun Artistik.

Prej vitit 1949 ajo u emërua aktore në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, ku interpretoi mbi 120 role. Tinka Kurti shkëlqeu në rolet protagoniste në shfaqjet: “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë”, “Fisheku në pajë”, “Fejesa” etj. Ajo ka interpretuar mbi 35 role në kinema dhe do të mbahet mend në rolin e protagonistes, në filmin e parë shqiptar me metrazh të gjatë ”Tana”, (1958).

Në karrierën e saj, Tinka Kurti numëron rreth 300 role në skenën e teatrit dhe kinematografi. Kurti ka spikatur me rolet e Nënë Pashakos tek filmi “Yjet e netëve të gjata” (1972), Nëna tek filmi “Çifti i lumtur” (1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele të kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës” (1993) etj.

Në Festivalin 11-të, të mbajtur në vitin 2000, në Tiranë, iu dha Çmimi i Madh i Karrierës. Kurti u nderua me titullin “Artiste e Merituar” në vitin 1961 dhe më vonë është vlerësuar edhe me titullin e lartë “Artiste e Popullit”.

Çmimeve të festivaleve të filmit dhe dramës, u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës. /j.p/r.e/

The post Tinka Kurti feston sot 93-vjetorin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekspozita “Olbania”, neorealizmi i YouTube-it dhe teknologjitë deepfake

17 December 2025 at 11:23

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, u çel ekspozita “Olbania”.

Kjo është një ekspozitë kolektive e grupit të artistëve italianë “Alterazioni Video”, i cili eksploron territore hibride të periudhës së “pas së vërtetës”, neorealizmit të YouTube-it dhe teknologjive të deepfake-it.

“Olbania” vjen e kuruar nga Sara Dolfi Agostini. Projekti u konceptua në vitin 2009, gjatë pjesëmarrjes së tyre në Bienalen e 3-të të Tiranës, dhe merr titullin nga një keqshkrim i përhapur në forumet dhe chatroom-et e fillimviteve 2000, një etiketë që u shndërrua në territor fiktiv online, i ngarkuar me simbole dhe stereotipe të mitologjive ballkanike.

Gjatë një “gjuetie në internet”, në fazën kur Shqipëria kaloi mediatikisht nga televizioni italian në internetin global, “Alterazioni Video”, ndërtuan një arkiv vizual prej mbi 600 polaroidesh.

Ekspozita shfaqet si një bashkëpunim aksidental mes përdoruesve online dhe artistëve, një kapsulë kohore që dokumenton qarkullimin e një versioni alternativ të Shqipërisë dhe, pa dashje, rishpikjen e saj në hapësirën digjitale. Ekspozita “Olbania” u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.

The post Ekspozita “Olbania”, neorealizmi i YouTube-it dhe teknologjitë deepfake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

78-vjetori i lindjes së shkrimtarit e përkthyesit Primo Shllaku

16 December 2025 at 15:37

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Primo Shllaku, një personalitet që spikat si shkrimtar, poet, përkthyes, mësimdhënës, promovues i gegnishtes dhe vlerave të saj, feston sot 78-vjetorin e lindjes.

Primo Shllaku u lind në Shkodër më 16 dhjetor të vitit 1947. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes dhe studimet në Universitetin e Tiranës për Gjuhë-Letërsi shqipe. Prej shumë vitesh, ai është zhvendosur në Tiranë, duke dhënë kontribut përveç mësimdhënies, edhe si shkrimtar, përkthyes dhe promovues i përfshirjes së vlerave të gegnishtes në gjuhën shqipe.

Shllaku është vlerësuar me mjaft çmime për krijimtarinë e tij. Primo Shllaku fillimisht punoi si mësues në zonën e Shllakut -Shkodër, prej aty në shkollën pyjore e më pas në atë industriale. Ai është bir i regjisorit, Artistit të Popullit, Lec Shllaku, nip i përkthyesit të famshëm Gjon Shllaku, vëllai i aktorit të Teatrit “Migjeni”, Bruno Shllaku. Ndër veprat më të rëndësishme të tij janë vëllimet poetike “Lule nate” dhe “Hana e njelmët e ditës”, “Muzikantët”, “Pesha e padurueshme e pafajësisë”, “Nji Uliks që s’mbërriti kurrë në Itakë”, dhe libri me drama, “Aktorë pa kujtesë”.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër e vlerëson atë si një personalitet me vlera të shumanëshme, puna dhe krijimtaria e të cilit, ka lënë gjurmë. /j.p/

The post 78-vjetori i lindjes së shkrimtarit e përkthyesit Primo Shllaku appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konferencë shkencore për Martin Camajn në 100-vjetorin e lindjes

16 December 2025 at 15:02

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Akademia e Shkencave organizoi konferencën shkencore “Gjurmët e fjalës – Martin Camaj në 100-vjetorin e lindjes”.

Akad. Gëzim Hoxha, kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, mbajti fjalën përshëndetëse, duke u ndalur në kompleksitetin e vlerave të veprës së Martin Camajt. Ai u shpreh se ky përvjetor nuk është vetëm një përkujtim, por një rikthim i domosdoshëm te burimet e mendimit, të gjuhës dhe të estetikës që Camaj i la kulturës sonë si një trashëgimi e pashtershme.

Në këtë konferencë mbajti një fjalë përshëndetëse dhe Bujar Hudhri, botues i veprës së plotë të Martin Camajt ndër vite, i cili së fundmi solli një format krejt të ri, të pajisur dhe me parathënie studimore nga akademik Matteo Mandalà.

Me tematikat e cekura gjatë punimeve të konferencës shkencore “Gjurmët e fjalës – Martin Camaj në 100-vjetorin e lindjes” synohej të thelloheshin disa linja studimore që kanë të bëjnë me studimin e prozës dhe poezisë së Camajt. Gjithashtu u synua analizimi i tipare të përveçme të krijimtarisë së tij (dramaturgjia ndër të tjera) si dhe arketipia, mitet dhe receptimi i burimeve klasike, gjithashtu dhe kërkime specialistike në fushë të gjuhësisë, filologjisë së tekstit dhe analizës së krahasuar tekstore, një metodë kjo e pranishme në disa punime shkencore të tij, për të cilat dhe ka vend të flitet më gjerë.

Personaliteti shumëdimensional i Martin Camajt u shtjellua gjerësisht dhe në përputhje me tiparet qenësore të krijimtarisë dhe të kontributeve të tij në disa disiplina. Një fakt i tillë u nënvizua edhe në përmbyllje të punimeve të konferencës. /j.p/

The post Konferencë shkencore për Martin Camajn në 100-vjetorin e lindjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfituesi i parë i bursës shkollore nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë

16 December 2025 at 13:23

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Qendra Kombëtare e Kinematografisë dha një lajm të bukur për kineastët e rinj shqiptarë.

Për herë të parë QKK financon një bursë shkollore e cila u përfitua nga kineasti Renato Balla. Vendimi u miratua dje nga Komisioni Miratues i Projekteve, duke shënuar një hap të rëndësishëm në mbështetjen e talenteve të reja shqiptare.

Renato Balla është kineast, fotograf dhe artist vizual, fitues i çmimit të dytë në kategorinë speciale “Danube So Blue” dhe tashmë është përfituesi i parë i bursës shkollore nga QKK, për të ndjekur vitin e fundit të masterit pranë École Nationale Supérieure de la Photographie (ENSP) në Arles, Francë.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë uroi kineastin e ri për suksese dhe kontribut të vlefshëm në fushën e kinematografisë dhe industrisë së audiovizualit, duke ftuar të tjerë të rinj shqiptarë të vijojnë rrugën e zhvillimit professional. “Së bashku, gjejmë mënyra për ta bërë rrugën drejt dijes më të aksesueshme dhe të qenësishme”, tha QKK.

Më herët, filmi i shkurtër i Ballës, “Sommerkaiser”, u seleksionua në Vienna Shorts, ku fitoi çmimin e dytë në kategorinë speciale “Danube So Blue”. Filmi gjithashtu u vlerësua si “Best in Albanian Short” në Tirana International Film Festival (TIFF).

Renato Balla ka kryer studimet për Regji dhe Televizion pranë Universitetit të Arteve në Tiranë. /j.p/

1 nga 3

The post Përfituesi i parë i bursës shkollore nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria, rol aktiv në dialogun kulturor rajonal

16 December 2025 at 11:50

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Delegacioni shqiptar i Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit mori pjesë në takimin ministerial të Këshillit të Ministrave të Kulturës së Evropës Juglindore (CoMoCoSEE), i organizuar në bashkëpunim me UNESCO.

Ky takim është një platformë kyçe për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe vendosjen e kulturës në qendër të zhvillimit të qëndrueshëm.

Zëvendësministrja e MTKS-së, Lira Pipa, prezantoi në këtë takim ministerial, angazhimet dhe prioritetet e vendit tonë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, digjitalizimin, fuqizimin e industrive kreative, si dhe rolin e komuniteteve dhe të rinjve në politikat kulturore.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha se, pjesëmarrja në CoMoCoSEE riafirmon rolin aktiv të Shqipërisë në dialogun kulturor rajonal dhe përkushtimin për ta kthyer trashëgiminë kulturore në një motor zhvillimi, bashkëpunimi dhe identiteti të përbashkët. /j.p/

 

The post Shqipëria, rol aktiv në dialogun kulturor rajonal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Robert Prifti, shkrimtari disident përkujtohet në 100-vjetorin e lindjes

16 December 2025 at 11:16

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mbajti, në mjediset e Qendrës “Sotir Kolea”, aktivitetin me temë “Portreti i një intelektuali të vërtetë”, kushtuar shkrimtarit disident Robert Prifti.

“Portreti i një intelektuali të vërtetë” u zhvillua në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Robert Priftit, një figurë e rëndësishme e letrave shqipe, i njohur jo sa duhet, duke qenë se edhe ka shkruar në gjuhën italiane.

Robert Prifti ishte poliglot, njohës i 8 gjuhëve të huaja dhe kimist me profesion. Përgjatë viteve të diktaturës ai u njoh si mësues i disa lëndëve shkencore, si dhe i gjuhëve të huaja. Por në më shumë se 4 dekada të diktaturës, gjatë të cilave ai jetoi, shkroi një varg veprash në prozë dhe poezi, të gjitha në gjuhën italiane, vepra për të cilat nuk kishte njohuri as familja e tij.
Kjo krijimtari, u zbulua rastësisht pas vdekjes, në tetor të vitit 1993, fillimisht nga i biri Edgari e më pas edhe nga lexues të një rrethi më të gjerë, duke shpërfaqur në publik profilin e një shkrimtari me kurajë të rrallë intelektuale dhe njëkohësisht një histori të rrallë krijimi dhe qëndrese.

Në aktivitetin e mbajtur në Qendrën “Sotir Kolea”, morën pjesë prof. Viola Isufi dhe Spartak Topollaj, të cilët folën mbi jetën dhe krijimtarinë prozaike dhe poetike të autorit Robert Prifti. Pjesë e këtij aktiviteti u bënë edhe prof. Artan Fuga, Visar Zhiti, Nevruz Maluka dhe studiuesi italian Mauro Geraci nëpërmjet videomesazheve. /j.p/

1 nga 3

The post Robert Prifti, shkrimtari disident përkujtohet në 100-vjetorin e lindjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kristo Luarasi, patrioti i shquar i Rilindjes Kombëtare

15 December 2025 at 15:51

TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ 149 vjet më parë lindi Kristo Luarasi, veprimtar i Rilindjes Kombëtare.

Kristo Luarasi u veçua si një ndër patriotët e shquar të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe asaj të pas shpalljes së Pavarësisë, të cilët gjithë jetën e tyre e vunë në shërbim të çështjes kombëtare duke mos kursyer asgjë. Luarasi kontribuoi në përhapjen e arsimit dhe gjuhës shqipe, promovoi shtypin dhe botimet kombëtare, dhe mbështeti përpjekjet për pavarësinë e Shqipërisë

Kristo Luarasi lindi në Luaras të Kolonjës dhe veprimtarinë atdhetare e filloi në vitet ’90 të shekullit XIX. Gjatë viteve 1892–1894 punoi si mësues i gjuhës shqipe në një nga shkollat e para shqipe, të hapur në Luaras nga Petro Nini Luarasi. Në vitin 1894, i ndjekur nga autoritetet osmane dhe Patriarkana greke, mërgoi në Bukuresht e më pas në Sofje, ku u angazhua në veprimtarinë e shoqërisë “Dëshira”.

Me ndihmën e kësaj shoqërie, ai dhe Kostë Trebicka themeluan shtypshkronjën “Mbrothësia”, ku botuan libra shkollorë, vepra rilindësish dhe gazeta. Në vitin 1907 bashkëpunoi me Bajo dhe Çerçiz Topullin për përgatitjen e çetave të armatosura dhe botoi për herë të parë veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”.

Përmes gazetës “Liri e Shqipërisë” mbështeti kryengritjet e viteve 1911–1912 dhe në nëntor 1912 punoi në kolonitë shqiptare të mërgimit për përgatitjen e Kuvendit të Vlorës dhe Shpalljes së Pavarësisë. Pas vitit 1920 u vendos në Tiranë, ku vazhdoi veprimtarinë botuese dhe kulturore. Ndërroi jetë më 1934, në Tiranë. /j.p/

The post Kristo Luarasi, patrioti i shquar i Rilindjes Kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Krishtlindjet e humbura” në Teatrin Metropol

15 December 2025 at 11:35

 

TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ Në Teatrin Metropol u vu në skenë fundjavën e shkuar shfaqja interaktive për fëmijë, “Krishtlindjet e humbura”.

Fëmijët ndoqën aventurën magjike të Anës dhe Kristës, dy vajzave që zbulojnë se atmosfera e Krishtlindjes në qytetin e tyre është zhdukur papritur: dritat janë fikur, këngët kanë heshtur dhe gëzimi është tretur sikur kurrë s’ka ekzistuar.

Udhëtimi i dy vajzave nis mes pyjeve të humbura, personazheve të çuditshëm dhe takimeve plot dritë, ku çdo hap u mëson se magjia fshihet në zemrat e njerëzve. Një zë misterioz i zbulon Anës dhe Kristës se, festën mund ta rikthejnë vetëm duke gjetur tre elemente: dashurinë, mirësinë dhe besimin.

Shfaqja në Metropol ndërthur dialogun, muzikën dhe ndërveprimin me publikun, duke ftuar fëmijët të bëhen pjesë e aventurës. Në përfundim misteri i Krishtlindjeve zgjidhet me ndihmën e dikujt që askush s’e pret.

Shfaqja do të rikthehet për vogëlushët edhe në fundjavën e ardhshme, më 20 dhe 21 dhjetor. /j.p/

 

The post “Krishtlindjet e humbura” në Teatrin Metropol appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Studiues dhe artistë ndërkombëtarë diskutojnë mbi artin dhe migracionin në Shqipëri

12 December 2025 at 13:40

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me organizimin e Qendrës së Studimit të Arteve, u mbajt konferenca ndërkombëtare dyditore “Lëvizje dhe kufij”, duke eksploruar ndikimin e negocimit të tyre në art dhe kulturë në Shqipëri dhe më gjerë.

Nëpërmjet studimeve mbi transformimin e qytetit, u analizuan kufijtë dhe lëvizjet dhe raporti i artit me to, duke filluar nga hapësira urbane lokale, deri në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Akad. Stefan Çapaliku, drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve, tha se konferenca e këtij viti është përqendruar në periudhën që shkon nga viti 1991 deri më sot.

Çapaliku tha se, fundi i periudhës së socializmit shtetëror e ripërcaktoi idenë e kufijve edhe një herë. Në letër, liria e lëvizjes u bë një e drejtë e garantuar për të gjithë, por utopia e kufijve të hapur në fillim të viteve 1990 ishte një përvojë traumatike e imigracionit dhe pati një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e artit post-socialist dhe bashkëkohor shqiptar.

Seancën e parë e hapi Franco “Bifo” Berardi, teoricien social, aktivist dhe një nga figurat kyçe në lëvizjen italiane “Autonomia e viteve ’70”, me punimin “Aushvic në breg të detit”.

Më tej paraqitën punimet shkencore: Sofia Franchini (studente e doktoratës në antropologji sociale në Universitetin e Kembrixhit); Filippo Furri (antropolog, bashkëpunëtor në Institut Convergences Migration, Paris) dhe Ervin Shehu (doktorant në antropologji sociale në Universitetin e Egjeut).

Në ditën e dytë, në sesionin me temën “Drejtësi sociale” prezantuan punimet Silvia Cafora (arkitekte, studiuese në Qendrën e Studimeve Territoriale (CST), Universiteti i Bergamos) dhe Filippo Furri; artisti dhe filozofi Luis Guerra Miranda (Madrid, Spanjë); arkitekti dhe eseisti Skënder Luarasi dhe arkitekti Mehmet Sinan Bermek (Stamboll, Turqi).

Në sesionin me temën “Gjeografi të reja” prezantuan punimet: Dimitra Gkitsa (lektore, Universiteti i Sauthemptonit); Pati Vardhami (kuratore, teoriciene dhe artiste); Niovi Zarampouka-Chatzimanou (kuratore, bashkëdrejtoreshë e Counterpoints Greece dhe themeluese e Pavilion of Imagination) dhe Giuseppe Previtali (profesor asistent në Universitetin e Bergamos).

Në mbyllje të veprimtarisë, dr. Stefano Romano dhe dr. Jonida Gashi bënë analizën e prezantimeve dhe diskutimeve ndërmjetëse të konferencës.

/r.e/

The post Studiues dhe artistë ndërkombëtarë diskutojnë mbi artin dhe migracionin në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌