Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 December 2025Main stream

Këlliçi thirrje Ramës: Jep sot dorëheqjen! Pallati jot i korrupsionit është në zi

By: A R
22 December 2025 at 18:53

Partia Demokratike po zhvillon protestë Kombëtare përpara Kryeministrisë, protestë e thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha disa ditë më parë.

I pari që ka marrë fjalën në podium ka qenë deputeti Belind Këlliçi, i cili hodhi akuza të rënda ndaj qeverisë Rama për lidhje me krimin e organizuar, si dhe e cilësoi ekzekutivin shqiptar si tejet të korruptuar.

Këlliçi tha mes të tjerash se pushteti i Ramës është mbajtur në këmbë nga miliarda eurot e grabitura të shqiptarëve.

Ai gjithashtu i bëri thirrje Edi Ramës që të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit, teksa shtoi se qeveria e tij largoi nga vendi plotë 1.1 milionë shqiptarë.

“Ky pushtet ka mbaruar, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen tani. Zia ka rënë në pallatin e korrupsionit. Gjumi i tyre është prishur përfundimisht. Ata hyjnë e dalin nga kjo godinë jo për të qeverisur, por për të zhdukur provat e krimit dhe për të gjetur prova kundër njëri-tjetrit. Visi ka ruajtur mesazhet e Ballukut, Balluku ka ruajtur mesazhet e Palloshit, ndërsa Gysi i ka filmuar që të gjithë. Kreu i organizatës, Edi Rama, nuk di më as kë të mbrojë, e as kë të lëshojë.

Miliarda euro të grabitura, sot nuk i bëjnë me derman. Kjo bandë siguroi për 13 vite me radhë vota, aleanca, mbështetje dhe lobim ndërkombëtar. E gjithë kjo makineri u mbajt gjallë mbi frikën dhe dhunën ndaj qytetarëve, por edhe mbi përpjekjet e vazhdueshme për të likuiduar opozitën. Nga kjo bandë ikën nga sytë këmbët, plotë 1.1 milionë shqiptarë”, tha mes të tjerash Këlliçi.

“Nuk më përjashton dot njeri”, Salianji: Sot jam këtu për protestë, por do të vazhdoj foltoret e mia

By: A R
22 December 2025 at 18:47

Ervin Salianji eshte i pranishem ne protesten e sotme te PD ne Tirane.

Duke folur per mediat, ai tha:

“Si protestues. Nuk është me dëshirë kjo punë. Jam këtu si demokrat. Nuk diskutohet që do vazhdoj dëgjimoret. Nuk më përjashton askush. Do të jem në PD dhe do vijoj të kontribuoj për PD. Ka ndryshuar nga kjo lëvizje dhe ka për të ndryshuar edhe më shumë. Do ta shoh dhe do ta them”, theksoi Salianji.

‘Shpërthen’ analisti: Berisha të largohet, është i vetmi nder që mund t’i bëjë vendit

By: A R
22 December 2025 at 18:42

Këtë të hënë, kreu i PD Sali Berisha ka thirrur qytetarët për një protestë ndërkombëtarë në sheshin para Kryeministrisë. Megjithatë pjesëmarrja vazhdon që të jetë e ulët. Analisti Arben Meçe i ftuar në “Tirana Live” në ABC News, tha se qytetarët kanë arsye për të protestuar, por Berisha nuk ngjall më frymëzim për protesta.

Sipas Meçes e vetmja gjë e mirë që mund t’i bëjë Berisha Shqipërisë dhe shqiptarëve është që të largohet nga Partia Demokratike.

“Ka 20 minuta që ka filluar protesta dhe duhet që të kishte njerëz. Është një nga situatat më të rënda të qeverisë Rama. Dy denoncimet që ka bërë SPAK është një nga më seriozet. Dy çështjet më serioze që ka Shqipëria arrijnë të mblidhen në shesh shumë pak veta. Përballë këtij problem që është serioz. Sot shqiptarët nuk e morën seriozisht thirrjen e Sali Berishës dhe të Gazmend Bardhit. Gjëja më serioze që ka Shqipëri, është Sali-Ramë-Berisha.

Kjo tregon mungesë totale të qytetarëve. Kjo protestë ka vetëm një emër Berishë largohu urgjentisht nga PD dhe opozita shqiptare. E vetmja gjë që mund të bëjë Berisha është që të deklarojë humbjen e tij. SPAK është kthyer në një instrument politik të PD. SPAK bashkë me PD në këtë protestë ndaj Ballukut të inskenuar ishte një dështim. Ka vetëm një zgjidhje. Berisha të largohet dhe t’i japë rrugën PD-së. Të vetmin nder që mund t’i bëjë Sali Berisha popullit shqiptar është që të largohej dhe të tregonte arsyen pse shqiptarët nuk e kanë më frymën e protestës.

Fillimi i fundit të Sali Berishës është ky sot. Berisha duhet që të përshpejtojnë fundin e tij. Nuk ka më vazhdim të kësaj proteste. Kam bindjen e plotë që populli shqiptar ka të drejtë që të protestojë, për gjithë atë perceptim që ka prodhuar SPAK së bashku me PD. SPAK dhe PD prodhuan një inskenim”, tha Berisha

Protesta e PD, Luan Baçi nuk përjashton mundësinë e agravimit të situatës: Vendosin…

By: A R
22 December 2025 at 18:36

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, është shprehur se procesi i nisur me protestën e sotme të opozitës përpara godinës së Kryeministrisë, do të mbyllet me rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti.

Komentet Baçi i bëri në një lidhje live për A2 CNN, teksa ndodhej në shesh, në protestën e thirrur nga Partia Demokratike.

Baçi tha gjithashtu se PD dhe opozita është gjithmonë për qëndresë dhe rezistencë paqësore, por nuk përjashtoi as mundësinë e akteve të dhunshme, teksa tha se në fund janë qytetarët që do të vendosin nëse do të dalin jashtë kornizave ligjore.

“Është një proces që patjetër do të ketë vetëm një përfundim, rrëzimin e Edi Ramës. Do vijojë procesi. Askush nuk mund të përcaktojë revoltën e brendshme të qytetarëve sesi do të jetë sot, si do të jetë pas 2 orësh apo në ditët në vijim. PD dhe opozita është gjithmonë për protestë paqësore. Pra kur themi qëndresë, rezistencë, fjala është për rezistencë demokratike brenda kornizave ligjore.

Patjetër që qytetarët pastaj janë ata që vendosin për të dalë edhe jashtë kornizave. Patjetër që partnerët ndërkombëtarë duhet të jenë ata që duhet të gjykojnë dhe veprojnë, jo si deritashmë për mënyrën sesi ka qeverisur ky zotëri, për mënyrën sesi grabiti zgjedhjet e 11 majit”, tha mes të tjerash Baçi.

LIVE! Berishën e përcjellin në shesh me fishekzjarre, nis me vonesë protesta e opozitës

By: A R
22 December 2025 at 18:29

Me më shumë se gjysmë ore vonesë, mbërritja e Sali Berishës në shesh duket se i ka dhënë startin protestës së opozitës.

Vetë Berishën e kanë përcjellë nga selia drejt bulevardit duke hedhur fishekzjarre.

Ndërkohë priten edhe fjalimet e parashikuara për të rrëzuar qeverinë Rama.

“Do ta djegim Shqipërinë”, militanti i PD: Ishim më mirë në kohën e Enver Hoxhës. Punonim të gjithë…

By: A R
22 December 2025 at 18:14

Në nisje të protestës së sotme të opozitës, një pensionist ka shprehur revoltën e tij ndaj qeverisë, duke theksuar se protesta nuk ka si qëllim sulmin ndaj institucioneve, por dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në një lidhje me Ditarin e Pandi Gjatës në A2 CNN, ai tha se nëse Rama nuk dorëhiqet do të djegë Shqipërinë.

“Kjo nuk është protestë me sulmuar institucionet. Institucionet janë të popullit. Godina është e popullit. Nuk është e Edi Ramës. Është në atë karrige atje prej 12 vjetësh. Atë karrige nuk e ka administruar sikur duhet me administruar siç kërkon populli. Ai duhet të lirojë vendin. Në qoftë se një njeri ka dy gram mend, ai duhet të lirojë vendin, të shkojë zgjedhje të parakohshme, ta fitojë kush do. Në qoftë se nuk liron vendin, ai në mënyrë të vullnetshme, se gjithë qytetërimi europian, ti e dimë për një diçka të vogël, një kryeministër jep dorëheqjen, shkon në punë vetë, liron thotë liron vendin. Në qoftë se nuk jep dorëheqjen, ai do të shkatërrojë përfundimisht Shqipërinë, do të djegë Shqipërinë. Në qoftë se nuk liron vendit do të djegë Shqipërinë”, u shpreh pensionisti për A2 CNN.

Ai shprehu pesimizimin për të ardhmen e vendit, teksa evidentoi vështirësitë ekonomike, pensionet e ulëta dhe kostot e larta të jetesës, duke krahasuare me kohën e komunizmit.

“Pensionet e dinë si janë pensionet e dinë 100 mijë lekë e 200 mijë leke të vjetra. po ta kap një pensionist unë kam bashkëshorten që s’ka dalë në pension dhe është një invalidë, i bëjnë 120.000 le ilaçet. çfarë të them unë tjetër nuk jetohet në këtë vend më shkurt këtu po luftojmë për mbijetesë. më mirë kemi qenë me Enver Hoxhën që punonim të gjithë merrnim 50 leke të të vjetra dhe hanim bukë ministri se me këtë regjim. Me këtë regjim nuk jetohet këtu vetëm mafia jeton”.

I dërguari i ri i Trump: Do shërbej për ta bërë Groenlandën pjesë të SHBA-së

By: A R
22 December 2025 at 18:07

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka shkaktuar një debat të ri me Danimarkën pas emërimit të një të dërguari të posaçëm në Groenlandë, ishullin e madh arktik që ai ka thënë se do të donte ta aneksonte.

Sipas mediave të huaja, Trump njoftoi të dielën se Jeff Landry, guvernatori republikan i Luizianës, do të bëhet i dërguari special i SHBA-së në Groenlandë, një pjesë gjysmë-autonome e Mbretërisë së Danimarkës.

Guvernatori Landry tha në një postim në rrjetin social ‘X’ se ishte një nder të shërbente në një “pozicion vullnetar për ta bërë Groenlandën pjesë të SHBA-së”.

Ky veprim ka zemëruar Kopenhagenin, i cili tha se do të thërrasë ambasadorin e SHBA-së për “një shpjegim”. Kryeministri i Groenlandës tha se ishulli duhet të “vendosë vetë për të ardhmen e tij” dhe se “integriteti i tij territorial duhet të respektohet”.

Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka ringjallur interesin e tij të hershëm për Groenlandën, duke përmendur vendndodhjen e saj strategjike dhe pasurinë minerale, shkruan A2 CNN.

Ai ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës për të siguruar kontrollin e ishullit, një qëndrim që ka tronditur Danimarkën, një aleate të NATO-s që tradicionalisht ka gëzuar marrëdhënie të ngushta me Uashingtonin.

Groenlanda, shtëpia e rreth 57,000 banorëve, ka pasur vetëqeverisje të gjerë që nga viti 1979, megjithëse mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten në duart e danezëve. Ndërsa shumica e banorëve të Groenlandës mbështesin pavarësinë përfundimtare nga Danimarka, sondazhet e opinionit publik tregojnë kundërshtim dërrmues ndaj bashkimit me SHBA-në.

“Kjo PD nuk organizon dot revoltë popullore. Opozita e vërtetë janë SPAK dhe GJKKO”

By: A R
22 December 2025 at 18:00

Ish-deputeti i PD Dashnor Sula, ka komentuar protestën kombëtare që do të zhvillojë PD në orën 18:00 para Kryeministrisë.

I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, ai tha se protestat e PD lënë për të dëshiruar. Ai theksoi se ka nevojë për një ndryshim të thellë brenda Partisë Demokratike.

‘Sot protesta që po bënë opozita ndonëse thuhet se janë në mbrojtje të vlerave të demokracisë lënë shumë për të dëshiruar dhe kanë pikëpyetje të mëdha. Nëse nuk do bëjë ridimensionim PD nuk ka për të pasur ndryshim, nuk ka revoltë popullore’, tha ai.

Sula tha se në protestat e PD një pjesë e militantëve të partisë nuk marrin pjesë.

‘Edhe militantë të PD nuk vijnë tek protesta, sepse pjesa më e madhe është e përjashtuar. Shikoni Peqin, Gramsh kanë ngelur me gishtat e dorës, por aty kanë mbetur njerëz që nuk kanë vlera që nuk bëjnë as 200 veta. Ky është problemi që ka opozita, nëse opozita nuk sjell ndryshime brenda vetes nuk mund të ndodh asgjë’, tha ai.

Sipas Sulës, opozita e vërtetë sot në Shqipëri është SPAK. Ish-deputeti kritikoi ashpër qëndrimin e PD ndaj SPAK, duke theksuar se ky institucion i drejtësisë duhet të ishte aleat i saj dhe jo objekt sulmesh.

‘Fatkeqësisht opozita e vërtetë sot në Shqipëri përballë politikës është SPAK dhe GJKKO. Në një vende demokratike rotacioni duhet të ndodh në forcat politike nëpërmjet votës. Ndërkohë, opozita e godet fortë SPAK, ndërkohë që duhet ta bënte aleatë të saj. Berisha e quan organizatë kriminale. Pas protestave në 2011 Rama hoqi dorë nga protestat e dhunshme dhe pas dy vitesh erdhi në pushtet sepse pa që duhet një model ndryshe’, tha ai.

FOTOLAJM / Pak minuta para protestës, Berisha mbërrin në selinë blu

By: A R
22 December 2025 at 17:54

Pak minuta para nisjes së protestës së thirrur nga opozita para Kryeministrisë, kryedemokrati Sali Berisha ka mbërritur në selinë blu të Partisë Demokratike.

Protesta pritet të nisë në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa ka nisur edhe grumbullimi i protestuesve.

Policia ka marrë masa për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë protestës, ndërsa bëhet me dije se rreth 1400 efektivë janë në terren.

Të angazhuara janë edhe forcat RENA, Forcat Speciale Shqiponja dhe FNSH. Rreth godinës së kryeministrisë është vendosur edhe një gardh metalik, që do të qëndrojë mes protestuesve dhe kordonit policor.

Aksident në Fier/ Benz-i përfundon në kanal, plagoset një grua

By: A R
22 December 2025 at 16:54

Një aksident rrugor është regjistruar ditën e sotme më 22 dhjetor në kthesën e Vajkanit. Si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, ka mbetur e plagosur pasagjerja e njërës prej makinave, e cila është transportuar menjëherë drejt spitalit dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Në aksident janë përfshirë dy automjete, një mjet tip Benz dhe një Fiat Panda. Nga përplasja, automjeti tip Benz ka përfunduar në kanal, ndërsa mjeti tjetër ka pësuar dëmtime materiale, raporton për Klan News gazetarja Anila Sefa.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca. Policia po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

Zyrtarët ushtarakë të Kievit: Ukraina goditi terminalin e naftës në bregdetin rus

By: A R
22 December 2025 at 16:46

Ushtria ukrainase ka goditur një terminal nafte rus “kritik” në rajonin e Krasnodarit, thonë zyrtarët ukrainas.

Sipas mediave të huaja, të cilat citojnë zyrtarët ushtarakë ukrainas, u godit terminali i eksportit të naftës dhe produkteve të naftës Tamanneftegaz.

Ata thonë se Tamanneftegaz është një terminal i madh eksporti rus i vendosur pranë portit të Tamanit, i cili wshtw i specializuar në transportimin e naftës dhe produkteve të naftës.

Ata e përshkruajnë zonën si një “qendër kritike për eksportet e naftës ruse”.

Në një deklaratë u tha se ishin raportuar dëme në një tubacion, dy vende ankorimi dhe dy anije, me një zjarr që shpërtheu në një sipërfaqe prej më shumë se 1,000 metrash katrorë dhe që preku të paktën një anije.

Policia dhe RENEA ‘rrethojnë’ Kryeministrinë! Lapaj i hap vend Berishës, largohet nga bulevardi

By: A R
22 December 2025 at 16:38

Rreth 1300 efektivë policie janë angazhuar në protestën e sotme të opozitës e cila pritet në nisë në orën 18:00 në bulevardin Dëshmorët e Kombit në kryeqytet. Gazetari Igli Çelmeta ka dhënë detaje në një lidhje me Ditarin e Pandi Gjatës në A2 CNN. Sipas tij në gatishmëri do të jetë edhe njësia speciale RENEA, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

Ai theksoi se pranë Kryeministrisë janë pozicionuar edhe pesë autobote me ujë, si masë parandaluese në rast tensionesh, ndërkohë që dyert e institucionit janë blinduar.

Burime nga policia bëjnë të ditur se efektivëve u është kërkuar të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndërhyjnë sa më pak, vetëm nëse situata e kërkon një gjë të tillë.

Leja për tubimin është dhënë për dy orë, ndërsa Partia Demokratike nuk ka saktësuar ende kohëzgjatjen e saj.

Ndërkohë gazetari raportoi se Adriatik Lapaj është larguar nga vendi ku po mbahej protesta.

Zona e Madhe, që synon të bëhet një qendër globale për inovacionin teknologjik

By: A R
22 December 2025 at 16:25

Grupimi i inovacionit Shenzhen – Hong-Kong – Guangzhou në Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong – Hong-Kong – Makao kryesoi ndër 100 grupimet kryesore të inovacionit në botë në Treguesin Global të Inovacionit 2025, të publikuar nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale më 1 shtator.

Është hera e parë që kjo zonë renditet e para në nivel global, duke pasqyruar përparimin e shpejtë në inovacionin bashkëpunues në të gjithë Zonën e Madhe të Gjirit.

Ndërlidhshmëria ndërkufitare ka luajtur një rol kyç. Studiuesit në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut (HKSAR) tani mund të udhëtojnë drejtpërdrejt në Zonën e Bashkëpunimit të Inovacionit Shkencor dhe Teknologjik “Hetao” të Shenzhen-it brenda 30 minutash, ndërsa pajisjet eksperimentale ndërkufitare mund të dorëzohen për inspektim brenda 48 orëve. Projektet e përbashkëta kërkimore që përfshijnë provincën Guangdong dhe rajonet e posaçme administrative të Hong-Kongut e Makaos, janë rritur me 40 për qind, të nxitura nga ky korridor inovacioni.

Përparimet po dalin vazhdimisht në pah. Në Guangdong, objekti i parë në botë për kërkime ekologjike të burimeve të ftohta në thellësitë detare është në ndërtim e sipër, eksperimenti i neutrinos “Jiangmen” ka publikuar rezultatet e para fizike dhe Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë i Hong-Kongut po udhëheq zhvillimin e një roboti shumëfunksional në sipërfaqen hënore dhe të një stacioni ngarkimi baterish të lëvizshëm. Ndërkohë, sateliti “Macao Science No. 1” është rrotulluar në orbitën e Tokës mbi 10 000 herë, duke përftuar një mori të dhënash shkencore me saktësi të lartë.

Aktualisht, Zona e Madhe e Gjirit po përjeton një rritje të shpejtë të industrive në zhvillim. Industria  thelbësore e inteligjencës artificiale tani i tejkalon 220 miliardë juanë (rreth 31 miliardë dollarë) dhe nëntë grupime industriale në nivel trilioni po forcojnë themelet për zhvillimin me cilësi të lartë.

Megjithëse zë më pak se 0.6 për qind të sipërfaqes së përgjithshme tokësore të Kinës, Zona e Madhe e Gjirit kontribuon për një të nëntën e prodhimit të përgjithshëm ekonomik të vendit, duke qenë një nga rajonet më të hapura dhe ekonomikisht më  dinamike të Kinës.

VIDEO / Dalin pamjet e sherrit në Vlorë, një prej autorëve polic bashkiak

By: A R
22 December 2025 at 16:13

Këto janë pamjet e sherrit të ndodhur këtë të hënë, 22 dhjetor, në qytetin e Vlorës, ku mbetën të lënduar dy persona, kreu i IMT dhe një efektiv i policisë rrugore. Ngjarja ndodhi gjatë një aksioni për lirimin e hapësirave publike në hyrje të qytetit, në vendin e quajtur Rrethrrotullimi i Nartës.

Siç shihet, dy efektivë të policisë ndërhyjnë për të ndaluar sherrin, por dhunohen nga personat që kundërshtonin aksionin e INUV. Autorë të dhunës ishin tre persona, një 58-vjeçar dhe dy djemtë e tij të moshës 27 dhe 23 vjeç, të cilët u shoqëruan në polici. Ndërsa të lënduarit u dërguan në spital për ndihmë mjekësore.

Gazetarja Greta Haskaj përcolli edhe pamjet e njërit prej të lënduarve, efektivit të rrugores, i cili shfaqet i gjakosur në fytyrë. Po sipas gazetares, një prej autorëve të kësaj ngjarjeje rezulton të jetë punonjës i policisë bashkiake të Vlorës.

Vetë policia tha më herët se “gjatë ndërhyrjes dhe në përpjekje për të ndalur sulmin fizik, njëri prej punonjësve ka përdorur armën e shërbimit duke qëlluar në ajër, pa shkaktuar lëndime”.

Spiropali pritet nga Mickoski: Faktori shqiptar në RMV, nxitës i rëndësishëm i proceseve eurointegruese

By: A R
22 December 2025 at 16:08

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali në vijim të vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut u prit në një takim nga Kryeministri Hristijan Mickoski.

Takimi u fokusua në thellimin e bashkëpunimit dypalësh, përfshirë edhe fushën e ekonomisë dhe investimeve. Por gjithashtu edhe në përgatitjet për mbajtjen e sesionit të ardhshëm të takimit ndërqeveritar G2G.

Spiropali shkruan se partneriteti ndërinstitucional mes dy vendeve tona do të vijojë të forcohet dhe se faktori shqiptar në RMV është një urë ndërlidhëse me Shqipërinë dhe një nxitës i rëndësishëm i proceseve eurointegrues.

“Me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në një frymë bashkëpunimi dhe dialogu të hapur. Partneriteti ndërinstitucional mes dy vendeve tona do të vijojë të forcohet, me fokus të qartë te projekte dhe rezultate konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë dhe afrojnë më tej dy shoqëritë. Ritheksova se faktori shqiptar në RMV është jo vetëm një komunitet shtetformues i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, por edhe një urë ndërlidhëse me Shqipërinë dhe një nxitës i rëndësishëm i proceseve eurointegruese”, deklaron Ministrja Spiropali.

Vendimi pas kritikave nga demokratët, drejtësia e SHBA rikthen publike fotot e “padëshiruara” të Trump

By: A R
22 December 2025 at 15:59

Fotografia e presidentit amerikan Donald Trump, e përfshirë në dosjet e Jeffrey Epstein, është rikthyer sërish publike në faqen e Departamentit Amerikan të Drejtësisë.

Imazhi ishte hequr përkohësisht pas shqetësimeve të ngritura nga viktimat, por pas një rishikimi u konstatua se nuk përmbante prova që i cenonin ata.

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, mohoi kategorikisht se heqja kishte lidhje me Trumpin, duke e quajtur këtë pretendim “qesharak”.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, masa u ndërmor vetëm për të respektuar urdhrat gjyqësorë lidhur me mbrojtjen e viktimave. Ndërkohë, mungesa e disa dosjeve të tjera nga arkiva zyrtare ka nxitur kritika të forta nga demokratët, të cilët kërkojnë transparencë të plotë.

Qentë endacakë sulmojnë 8-vjeçarin në Durrës

By: A R
22 December 2025 at 15:49

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e shtunë, në orët e paradites, në shëtitoren “Taulantia” në Durrës, ku një fëmijë 8-vjeçar është sulmuar nga një kope qensh endacakë, të cilët gjenden në mënyrë të përhershme në këtë zonë dhe në rrugët e qytetit.

Fëmija ndodhej në shëtitore së bashku me familjarët, kur është rrethuar dhe kafshuar nga qentë, duke përjetuar momente paniku. Ai ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa familjarët kanë bërë denoncim pranë autoriteteve.

Ngjarja ka tronditur qytetarët dhe ka rikthyer në vëmendje problematikën serioze dhe të përsëritur të qenve endacakë, të cilët shihen çdo ditë në shëtitore, rrugë, lagje dhe pranë institucioneve publike, duke përbërë rrezik të vazhdueshëm për fëmijët dhe kalimtarët.

Të shqetësuar dhe të indinjuar, qytetarët apelojnë për ndërhyrje urgjente nga Bashkia e Durrësit, duke kërkuar masa konkrete dhe të menjëhershme për garantimin e sigurisë publike.

Dosja Partizani, shtyhet për në janar seanca ndaj Sali Berishës

By: A R
22 December 2025 at 15:00

Gjykata e Posaçme shtyu seancën gjyqësore në ngarkim të Sali Berishës, për dosjen Partizani. Siç raporton gazetarja Glidona Daci, seanca e radhës do të mbahet më datë 12 janar. Gjatë seancës së sotme, avokatët e kryedemokratit vijuan me parashtrimet.

Këta të fundit, pretendojnë se nuk ekzistojnë faktet penale që e ngarkojnë kryetarin e Partisë Demokratike me akuzën e korrupsionit pasiv.

“SPAK si në aktet e formulimit të akuzës nuk ka parashtruar fakte të qarta, çfarë ka bërë Berisha, cila është pasoja, nuk ka sjellë asnjë provë dhe veprim konkret se çfarë ka bërë Sali Berisha. Gjatë këtij procesi do provojmë se ndjekja penale është kryer për qëllime politike duke cënuar pluralizmin në Shqipëri”, tha avokatja Klodiana Gjyzari.

Kujtojmë se Berisha u lirua në nëntor të 2024-ës, pas afro 11 muajsh, i izoluar në banesën e tij. Gjatë asaj kohe, ai e ka zhvilluar vazhdimisht betejën në gjyqësor me ankimime të herëpashershme.

Më 3 janar 2025, Gjykata e Posaçme e Apelit caktoi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, të cilën e zbaton ende sot, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, dhe që mund të vihet në pikëpyetje nëse kjo kërkesë-padi nuk rrëzohet.

Policia Rrugore Tiranë bën bilancin: Brenda një jave mbi 4700 masa administrative

By: A R
22 December 2025 at 14:51

Policia Rrugore në Tiranë ka bërë bilancin mbi shkeljet e kryera nga drejtuesit e automjeteve përgjatë javës që kaloi, nga data 15 deri më 21 dhjetor 2025.

Përmes një njoftimi zyrtar, blutë bëjnë me dije se janë vënë gjithsej 4 mijë e 744 masa administrative.

Nga këto, 1 mijë e 838 janë për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 1 mijë e 207 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit, 722 për mosvënien e rripit të sigurimit, 653 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 250 për mosrespektimin e radhës së qarkullimit, si dhe 74 për parakalim të gabuar.

Sakaq, janë arrestuar 32 persona për shkelje të rënda të Kodit Rrugor, si dhe janë bllokuar 53 automjete.

Gjatë javës që kaloi dhe gjatë kësaj fundjave, shërbimet e Policisë Rrugore, me rastin e afrimit të festave të fundvitit dhe shtimit të fluksit të lëvizjes, kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet në të gjitha akset dhe pikat lidhëse të kryeqytetit, me objektivat madhorë, parandalimin e aksidenteve dhe përmbushjen e parametrave të sigurisë në rrugë.

Si rezultat i pranisë shtesë dhe përdorimit të pajisjeve logjistike bashkëkohore, janë konstatuar shkelje rrugore të rrezikshme, për të cilat janë vënë masat administrative si më poshtë:
•Qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara – 1838 masa;
•Përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit – 1207 masa;
•Mosvendosje e rripit të sigurimit – 722 masa;
•Mosvendosje e kaskës mbrojtëse – 653 masa;
•Mosrespektim i radhës së qarkullimit – 250 masa;
•Parakalim i gabuar – 74 masa.

Më tej, për shkelje të rënda të Kodit Rrugor dhe për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor:
•janë arrestuar/proceduar penalisht 32 shtetas;
•janë bllokuar 53 automjete.

Policia Rrugore apelon sërish, për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e tjerë të rrugës, që të respektojnë rregullat e qarkullimit, si një kontribut i përbashkët dhe tejet i rëndësishëm për garantimin e sigurisë rrugore dhe për mbrojtjen e jetës“, njoftojnë blutë.

❌
❌