Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 December 2025Main stream

PD kërkon mbledhje urgjente për Ballukun, i drejtohet Kryetarit të Kuvendit

By: A R
24 December 2025 at 15:00

Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i kanë kërkuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, thirrjen e mbledhjes së këshillit për çështjen Balluku.

Në shkresë ata kërkojnë që mbledhja të zhvillohet ditën e premte, më 26 dhjetor, në orën 11:00.

PD kërkon mbledhje urgjente për Ballukun, i drejtohet Kryetarit

PD kërkon mbledhje urgjente për Ballukun, i drejtohet Kryetarit

Sanksionet e SHBA ndaj zyrtarëve europianë, reagon ashpër Macron

By: A R
24 December 2025 at 14:52

SHBA ka vendosur sanksione ndaj 5 zyrtarëve evropianë, për të cilët thotë se kanë nxitur censurë, duke vënë në shënjestër kompani dhe qytetarë amerikanë. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka argumentuar se ky vendim është marrë për “aktivistë radikalë dhe organizata të politizuara”. Kufizimet e vizave janë vendosur për 5 individë, përfshirë ish-Komisionerin Evropian, Thierry Breton. Atyre iu ndalohet hyrja në vend. Vetë Breton e quajti vendimin “gjueti shtrigash”.

Gjithashtu, dy aktivistë britanikë janë midis pesë personave të sanksionuar: Imran Ahmed, ish-këshilltar i Partisë Laburiste, i cili tani drejton Qendrën për Kundërshtimin e Urrejtjes Dixhitale (CCDH), dhe Clare Melford, Drejtore Ekzekutive e Indeksit Global të Dezinformimit (GDI). Ata u etiketuan si “aktivistë radikalë” nga administrata Trump dhe iu ndalua hyrja në SHBA.

Sanksionet i shpalli Nënsekretarja e Shtetit, Sarah B. Rogers, e cila akuzoi organizatën “Indeksi Global i Dezinformimit” se po përdor paratë e taksapaguesve amerikanë “për të nxitur censurën dhe futjen në listën e zezë të shtypit amerikan”.

Midis të prekurve janë edhe dy drejtorë menaxhues të organizatës gjermane “HateAid”, e cila bën fushatë kundër abuzimit online: Anna-Lena von Hodenberg dhe Josephine Ballon.

Vendimi i Uashingtonit ka shkaktuar reagime të forta politike në Bruksel dhe kryeqytete të tjera evropiane, duke rritur tensionet në çështjet që lidhen me rregullimin e platformave digjitale dhe luftën kundër dezinformimit.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka reaguar ashpër. Në një postim në X, Macron deklaroi se Franca i dënon këto masa, duke i cilësuar si akte presioni dhe frikësimi që synojnë të dëmtojnë sovranitetin digjital të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, rregulloret digjitale të BE-së janë miratuar përmes një procesi demokratik dhe kanë për qëllim garantimin e konkurrencës së ndershme mes platformave digjitale.

“Franca dënon masat kufizuese të vizave të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara kundër Thierry Breton dhe katër figurave të tjera evropiane. Rregulloret digjitale të Bashkimit Evropian zbatohen brenda Europës për të garantuar konkurrencë të ndershme, pa synuar asnjë vend të tretë. Së bashku me Komisionin Evropian dhe partnerët tanë evropianë, ne do të vazhdojmë të mbrojmë sovranitetin tonë digjital dhe autonominë tonë rregullatore”, tha Macron

Edhe Komisioni Evropian reagoi dhe tha se ka “kërkuar sqarime” nga SHBA-ja dhe se do të “përgjigjet shpejt dhe me vendosmëri për të mbrojtur autonominë rregullatore kundër masave të pajustifikuara”.

Gjithashtu, organizatat e prekura e kanë quajtur vendimin një akt që cenon fjalën e lirë.

Vendos qeveria: Edhe e premtja pushim për administratën!

By: A R
24 December 2025 at 14:45

Këshilli i Ministrave ka vendosur që edhe dita e premte, më 26 dhjetor, të jetë ditë pushimi për administratën publike.

Sipas vendimit, pushimi vjen si zgjatje e festës së Krishtlindjes, pasi administrata nuk do të punojë as ditën e enjte, më 25 dhjetor, e cila është festë zyrtare.

Në këtë mënyrë, punonjësit e administratës përfitojnë dy ditë rresht pushimi, ndërsa institucionet publike do t’i rikthehen normalisht aktivitetit të hënën.

“Mbi 1 mijë e 400 vende parkimi”, Rama inspekton punimet në QSUT

By: A R
24 December 2025 at 14:37

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar këtë të mërkurë, më 24 dhjetor, qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku po vijon puna për Pediatrinë Infektive, e cila do të ndërtohet nga e para, për një shërbim më cilësor për pacientët, së bashku me parkimin e ri multifunksional me 1 mijë e 400 vende, si edhe me shërbime të tjera, si salla konferencash apo hapësira trajnimi për mjekët.

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, që po i tregonte kryeministrit strukturat, u shpreh se pritet që punimet të përfundojnë “brenda shtatorit të vitit të ardhshëm”.

“Gati shtatorin e ardhshëm”, Rama inspekton kantierin e “Kengo Art Park” në Petrelë

By: A R
24 December 2025 at 13:59

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një inspektim këtë të mërkurë, më 24 dhjetor, në kantierin e projektit të ri “Kengo Art Park”, që po ndërtohet në zemër të natyrës së Petrelës.

“Paska ecur në krahasim me herën tjetër!”, u shpreh Rama.

Projekti, i cili zë një sipërfaqe prej 32 mijë metrash katrorë, do të shërbejë si një qendër e re për artin dhe kulturën.

“Kengo Art Park” është projektuar nga arkitekti i njohur japonez, Kengo Kuma, dhe synon të integrohet në peizazhin natyror të zonës, duke krijuar një hapësirë moderne për aktivitete kulturore dhe artistike.

“I projektuar nga mjeshtri i arkitekturës, japonezi Kengo Kuma, ky park vjen në vazhdën e investimeve të qeverisë për transformimin e aseteve publike duke i kthyer godinat e amortizuara, në qendra arti, kulture, ekspozimi, inovacioni, e hapësira socializimi për të rinjtë, duke ruajtur nga pikëpamja arkitekturore edhe memorien historike të vetë godinave.”, shkruan kryeministri krahas videos.

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, shpjegoi se projekti shtrihet në dy zona kryesore dhe se kanë përfunduar të gjitha punimet e përforcimit të strukturave ekzistuese, të cilat ishin të degraduara dhe janë rindërtuar nga e para, duke respektuar kërkesat e veçanta arkitekturore të projektit.

“Jemi në kantierin e Kengo Art Park, parkut të artit Kengo që emrin e ka marrë nga arkitekti i famshëm Kengo Kumo, i cili është ai që e ka projektuar këtë projekt. Projekti shtrihet në dy zona, zona e parë është kjo, këtu zonat në dy zona matanë. Ka mbaruar pjesa e përforcimit, që është bërë komplet nga e para. Këto kanë qenë godina të rrënuara dhe kanë filluar pjesët e rifiniturave të brendshme dhe pjesa e suvatimeve të brendshme, që do të jetë me suva akustike dhe kundër lagështirës, por që janë të veçanta për këto lloj funksionesh. Ky si projekt është në vazhdën e projekteve që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për transformimin e aseteve publike, të cilat kanë degraduar, duke i kthyer këto në qendra zhvillimi, duke i kthyer në si nga pikëpamja arkitekturore dhe urbanistike, po ashtu edhe nga pikëpamja funksionale.” shpjegoi Agolli.

Parku do të përfshijë pavione ekspozimi të përhershme dhe të përkohshme, ambiente për workshope dhe punishte arti, shtëpi për artistë, hapësira administrative, si edhe zona shërbimi si bar-restorant dhe ambiente pritjeje e informacioni.

Një element i veçantë i projektit është krijimi i shesheve dhe hapësirave të hapura, përfshirë një strukturë që funksionon si një amfiteatër natyror, e përshtatshme për evente kulturore dhe artistike të ndryshme, duke e kthyer parkun në një hapësirë dinamike socializimi për të rinjtë dhe familjet.

Agolli tha se sipas planit të zbatimit, “Kengo Art Park” pritet të përfundojë në “shtator të vitit të ardhshëm“.

Me një sipërfaqe ndërtimi prej rreth 7 400 metrash katrorë, ky projekt do të jetë një nga hapësirat më të mëdha të artit, kulturës dhe ekspozimit në Tiranë, duke shtuar një tjetër pikë referimi në hartën kulturore dhe turistike të vendit.

Agolli që po i shpjegonte Ramës ecurinë e punimeve, u shpreh se “Njerëzit do vijnë ta vizitojnë edhe për shkak të arkitektit, sepse është një nga arkitektët më të mirë në botë.”

Ai tha se ndonëse i gjithë parku është 32 mijë metra katrorë, sipërfaqja e ndërtimit do të jetë 7 mijë e 400 metra katrorë, duke u bërë një nga hapësirat e ekspozimit më të madh të artit në Tiranë.

Rriten çmimet e ushqimeve për festa! Të moshuarit: Kemi hequr dorë nga mishi…

By: A R
24 December 2025 at 13:51

Festat e fundvitit po reflektojnë një rritje të çmimeve të produkteve të shportës, por edhe të çmimeve të tjera, të cilat qytetarët duan t’i kenë në tryezën e tyre për ndërrimin e viteve.

Qytetarët shprehen se çmimet janë të larta dhe të papërballueshme.

“Tani për festa i ngrejnë një çikë (çmimet). Mora dy kile mish atje, 37 mijë lekë,” tregon një zotëri.

Të moshuarit thonë se nuk ja dalin me pensionet e tyre, por mbështeten nga fëmijët.

“Neve na ndihmojnë çik kalamajtë, që ti mbledhim bashkë dhe ta festojmë, në përgjithësi janë të larta,” tregon një zonjë.

Sipas të dhënave të fundit të INSTAT për muajin nëntor, të gjitha produktet e shportës kanë pësuar rritje, por rritje më të madhe të çmimeve ka pasur grupi “Qumësht, djathë dhe vezë”, të cilat u shtrenjtuan me 4,9 %, pasuar nga nëngrupet “Vajra dhe yndyrna” me një rritje prej 4,6 %, ndërkohë që rritje kanë pësuar edhe peshku dhe mishi.

Kjo rritje ka vijuar edhe në dhjetor, ndërsa të moshuarit thonë se për disa nga këto produkte kanë hequr dorë, ose i kanë zëvendësuar me më të lira.

“Frutat që janë të shtrenjta s’i marrim dot. Peshku nuk diskutohet, mishi i viçit nuk diskutohet. Marrim pulë që është më lirë”, shprehet një e moshuar.

Për të moshuarit, çmimet janë të larta jo vetëm për festa, por gjatë gjithë vitit.

Fuqia blerëse e familjeve shqiptare është ulur nga vitin në vit. Të dhënat zyrtare tregojnë se mbi 40 % të buxheteve familjare shkojnë për konsum.

RRITJA E ÇMIMIT TË USHQIMEVE
Qumësht, djathë dhe vezë: 4,9 %
Vajra dhe yndyrna: 4,6 %
Peshk: 3,3 %
Mish: 2,9 %

Kapen 51 kg drogë në Gjirokastër, një i arrestuar dhe tre në kërkim

By: A R
24 December 2025 at 13:43

Policia ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Black Scale” në Gjirokastër, duke sekuestruar rreth 51 kg kanabis sativa, të ndarë në 48 pako, të cilat dyshohet se do të trafikoheshin drejt Greqisë.

Në pranga ka rënë 30-vjeçari N. P., banues në fshatin Rusan, Delvinë, i cili transportonte lëndën narkotike të fshehur në një hapësirë të improvizuar tek shasia e automjetit tip Nissan.

Policia identifikoi edhe tre persona të tjerë, bashkëpunëtorë të 30-vjeçarit, të cilët i ka shpallur në kërkim. Njëri prej tyre është vëllai i të arrestuarit, ndërsa dy të tjerët dyshohet se kanë pasur role organizatore dhe ndihmëse.

Gjatë operacionit, përveç lëndës narkotike, u sekuestruan automjeti tip Nissan dhe tre celularë të të arrestuarit. Hetimet vazhdojnë për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e përgjegjësisë penale të të gjithë të përfshirëve.

Hodhën molotovë para Kryeministrisë, Prokuroria e kërkon detyrim paraqitje për 4 militantët e PD

By: A R
24 December 2025 at 13:35

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar detyrim paraqitje për 4 të arrestuarit pas protestës së Partisë Demokratike dy ditë më parë përpara Kryeministrisë.

Ata u arrestuan pasi akuzohen se kanë hedhur lëndë djegëse dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Përveç katër të arrestuarve u proceduan penalisht edhe 7 persona, mes tyre përfaqësuesi organizativ i Partisë Demokratike që zhvilloi tubimin, Ervin Minarolli.

Hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 11 shtetas. Arrestohen 4 prej tyre, procedohen penalisht 7 të tjerët. Procedohet penalisht dhe përfaqësuesi organizativ i subjektit politik që zhvilloi tubimin, pasi nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10, theksoi në njoftimin e saj policia.

Ndërkohë gjatë tubimit u dëmtuan 3 punonjës policie.   

“Më datë 22.12.2025, rreth orës 18:00, subjekti politik Partia Demokratike zhvilloi një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Gjatë zhvillimit të tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që ishin të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur drejt tyre lëndë djegëse (molotovë). 

Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 11 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim: -u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. K., 39 vjeç, E. S., 36 vjeç, Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç;-nisi procedimi penal për shtetasit: B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B. dhe një 16-vjeçar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq, pas referimit të materialeve në Prokurori, organi i akuzës ka kërkuar detyrim paraqitje për 4 të arrestuarit.

Prokuroria e Fierit mbyll hetimet dhe çon në gjyq tre drejtorët e bashkisë

By: A R
24 December 2025 at 13:27

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka njoftuar këtë të mëkurë, më 24 dhjetor, përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dy drejtoreshat e Bashkisë Fier dhe drejtorin e DVKT-së Rajoni Jugor, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Në mesin e të pandehurve janë: A.H., Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës; A.C., Drejtoreshë e Taksave dhe Tarifave Vendore; si dhe V.Ç., Drejtor i DVKT-së Rajoni Jugor.

Kështu, në njoftimin për mediat bëhet me dije hetimet kanë zbuluar se drejtoresha e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës me inicialet A.H, nuk ka marrë masat për vendosjen e kasës fiskale në sistemin e parkimit të Bashkisë, duke lejuar shmangien e detyrimeve tatimore në vlera të konsiderueshme.

Gjithashtu, ajo akuzohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të realizuar faturime fiktive dhe për të ulur vlerat e taksave për disa subjekte, përfshirë edhe manipulimin e përllogaritjes së taksave të një subjekti privat.

A.C., nga ana tjetër, ka lëshuar fatura mbi vlerën reale për disa subjekte dhe, pas ankesave të këtyre të fundit, ka ulur vlerat e taksave edhe më shumë se parashikimet e vendosura nga Këshilli Bashkiak. Ajo gjithashtu nuk ka marrë masat për fiskalizimin e pikave të parkimit të mjeteve në administrimin e Bashkisë.

Ndërkohë, V.Ç. ka detyruar inspektorët të kryejnë kontroll në një subjekt tregtar pa urdhër pune nga DPT, nuk ka kërkuar rikontroll në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe nuk ka mbikëqyrur fushatën sensibilizuese për subjektet e tjera.

Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dërgoi çështjen në gjyq në ngarkim të të pandehurve:

-A.H., e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 245/1 prg.3 të Kodit Penal;

-A.C., i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

-V.Ç., i akuzuar për veprën kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Prokuroria e Fierit thekson se angazhohet për vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.

Berisha: Rama ka dalë hapur kundër heqjes së imuniteteve dhe arrestimit të kriminelëve

By: A R
24 December 2025 at 13:19

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ai ka dalë hapur kundër heqjes së imuniteteve dhe arrestimit të personave të përfshirë në krim të organizuar.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se Rama është “i ngërthyer kokë e këmbë nga mafia”, duke përmendur emra të zyrtarëve të lartë të qeverisë, për të cilët tha se janë të lidhur me veprimtari kriminale. Sipas tij, kryeministri ka marrë një vendim ekstrem për të bllokuar zbatimin e ligjit dhe vendimet e prokurorisë dhe gjykatave.

“Rama del haptas kundër heqjes së imuniteteve dhe arrestimit të kriminelëve. Kapo i kapove është vetë Edi Rama. Ai është skllav i krimeve të veta,” deklaroi Berisha.

Sipas liderit demokrat, shpresa e vetme për largimin e kryeministrit mbetet reagimi qytetar, përmes një proteste të vazhdueshme dhe paqësore. Berisha theksoi se protesta nuk duhet të jetë simbolike apo afatshkurtër, por e qëndrueshme deri në largimin e Ramës nga pushteti, shkruan A2 CNN.

“Bulevardi dhe sheshi duhet të jenë të qytetarëve, jo për një, dy apo tre ditë, por aq kohë sa duhet për ta larguar,” u shpreh ai, duke shtuar se opozita do të punojë për të bindur qytetarët të angazhohen në një revoltë paqësore.

Berisha e cilësoi qeverisjen aktuale si “regjimin më të urryer dhe më armiqësor” që shqiptarët kanë pasur pas periudhës së Enver Hoxhës, duke garantuar se, sipas tij, Rama do të përballet me drejtësinë.

Rikthimi i Ballukut në detyrë, emërohen drejtorët e rinj të KESH dhe ARRSH

By: A R
24 December 2025 at 13:11

Heqja e pezullimit ndaj ministres Belinda Balluku nga Gjykata Kushtetuese ka bërë që të firmosen ndryshimet për institucionet që kishin mbetur pa drejtues.

Burime për JavaNews thonë se ditën e sotme në mbledhjen e Qeverisë, Ami Kozeli është larguar nga detyra e zv.ministrit dhe është emëruar drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Po ashtu, edhe Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka tashmë një drejtues. Viola Haxhiademi është emëruar sot administratore e KESH.

Nga ana tjetër, Besjan Kadiu ka lënë detyrën e zv.ministrit për t’u emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Pezullimi i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, i kishte lënë pa drejtues dy institucionet KESH dhe ARRSH, pas vendosjes në arrest shtëpie të drejtorëve të tyre. Ky shqetësim u ngrit nga Kryeministri Rama duke u shprehur se pezullimi i Ballukut bënte të pamundur emërimet krerëve të rinj.

Policia sekuestron 44 kuti me fishekëzjarre, procedohet penalisht pronarja e dyqanit

By: A R
24 December 2025 at 12:59

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë intensifikuar kontrollet në zbatim të planit të masave për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, në prag të festave të fundvitit.

Gjatë një kontrolli të ushtruar në një dyqan në lagjen “Tre Heronjtë”, u gjetën dhe sekuestruan 44 kuti me lëndë piroteknike (kapsolla), të ndaluara për tregtim.

Pronarja e dyqanit, shtetasja S. P., u procedua penalisht, ndërsa materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Policia bën të ditur se kontrollet për parandalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike do të vijojnë në të gjithë qarkun, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festave të fundvitit.

Horoskopi ditor për nesë, e Enjte 25 Dhjetor 2025

By: A R
24 December 2025 at 12:48

Dashi

Tregohuni sa me diplomate dhe te duruar me partnerin tuaj gjate kësaj dite ne mënyrë qe gjerat te ecin ashtu si duhet ne lidhjen qe keni krijuar. Beqaret nga ana tjetër do ndiheni mjaft mire sepse do takojnë persona qe ja vlejnë t’i kesh pranë. Për sa iu përket financave, nuk duhet ne asnjë mënyrë te bëni ndonjë çmenduri sepse situata do ju dale jashtë kontrollit.

Demi

Do e rivendosni dialogun ne çift gjate kësaj dite dhe gjerat do shkojnë mjaft mire me personin qe keni ne krah. Do merreni vesh për gjithçka me te dhe nuk pritet te linde as problemi me i vogël. Beqaret do gjejnë mënyrën e duhur për te joshur dike. Ne planin financiar do jeni me shume fat dhe do kryeni edhe disa investime te rëndësishme.

Binjaket

Klima ne jetën tuaj ne çift do jete mjaft e ngrohte dhe pasionante gjate kësaj dite. Kënaqësitë dhe emocionet do jene te njëpasnjëshme kështu qe nuk do keni çfarë te kërkoni me shume. Beqaret do kenë disa takime, por nuk do arrijnë ta gjejnë menjëherë personin e ëndrrave. Financat do jene ne gjendje goxha te mire. Nuk do keni vështirësi te kryeni shpenzimet e dëshiruara.

Gaforrja

te dashuruarit do kenë gjate gjithë kohës mbështetjen e Venusit. Ai do ua qartësojë mendimet dhe do iu ndihmoje t’i zgjidhni me qetësi disa probleme te vogla. Beqaret do kenë veçse dashuri platonike, asgjë konkrete nuk pritet te ndodhe. Financat do jene gjate gjithë kohës te mbrojtura. Shpenzoni për gjerat me te nevojshme, po kurrsesi pa e tepruar.

Luani

Do jeni shume tolerante gjate kësaj dite me atë qe keni ne krah dhe gjithçka do shkoje si duhet. Do i harroni madje edhe problemet e vogla qe keni pasur dikur. Beqaret nuk duhet te ecin kuturu dhe te pranojnë çdo ftese qe do iu behet sepse do pendohen rende. Ne planin financiar nuk do jeni aspak te matur dhe gjerat nuk do ecin si i kishin menduar.

Virgjeresha

Nëse keni pasur probleme serioze njëjtën tuaj ne çift, sot gjithçka do rregullohet. Partneri do jete ne humor dhe i gatshëm t’ua plotësojë dëshirat. Beqaret qe nuk mundohen fare te gjejnë një person për ta pasur ne krah dhe presin qe gjerat t’iu bien nga qielli, nuk do ja dalin dot te ndryshojnë status. Ne planin financiar duhen bere kufizime ne mënyrë qe gjendja te mbetet e qëndrueshme.

Peshorja

Për ata qe janë ne një lidhe do ketë shume tension dhe mosmarrëveshje gjate kësaj dite. Edhe pse do mundoheni shume te ruani një klime harmonike, nuk do ja dilni dot. Beqaret do e vuajnë shume vetminë , por nga ana tjetër nuk do hedhin asnjë hap për ta ndryshuar situatën. Financat duhen mbajtur sa me shume nen kontroll. Gjendja do jete e paqëndrueshme.

Akrepi

Mos bëni gabim ta idealizoni partnerin tuaj gjate kësaj dite sepse ne një moment apo ne një tjetër do zhgënjeheni tej mase prej tij. Beqaret nga ana tjetër nuk duhet te kërkojnë persona perfektë apo gjera te pamundura. Merrini gjerat ashtu si t’iu vijnë. Ne planin financiar nuk rekomandohet te kryhen transaksione te tejskajshme. Gjendja do jete serish delikate.

Shigjetari

Dita e sotme do jete e mrekullueshme dhe mjaft emocionuese. As vete nuk do e kuptoni sesi gjerat do ju ecin aq mire, kështu qe nuk do keni për çfarë te shqetësoheni. Beqaret do jene me shume fat dhe do arrijnë ta bëjnë për vete personin qe aq shume kane pëlqyer. Financat do jene pak me te mira se kohet e fundit dhe do ndiheni me te qete.

Bricjapi

Aq mire do ja kaloni gjate kësaj dite me personin qe keni ne krah saqë nuk do kërkoni asgjë me shume nga jeta. Do filloni madje te programoni edhe te ardhmen. Beqaret do marrin mesazhe dashurie nga persona qe i kane njohur me pare, por nuk kishin menduar se mund t’i pëlqenin. Ne planin financiar bëni kujdes. Mos shpenzoni shuma te mëdha sepse do keni probleme.

Ujori

Çiftet qe kane kohe qe janë ne krize do kenë një dite me te qete, por gjithsesi atmosfera serish nuk do jete ashtu si duhet. Beqaret do vazhdojnë te kërkojnë princin e tyre te kaltër. Nuk do mungojnë njohjet e reja, por gjithsesi nuk priten menjëherë ndryshime te statusit. Ne planin financiar asgjë nuk do jete e thjeshte. Kurseni sot qe edhe e nesërmja te jete e mire.

Peshqit

Nëse ka kohe qe rutina është bere pjese e jetës suaj ne çift duhet te mundoheni sa me shpejt ta ndryshoni situatën. Vetëm kështu nuk do lejoni qe problemet dhe debatet te jene te zjarrta. Beqaret do e kenë me te lehte ta gjejnë një person te përshtatshëm gjate një feste te organizuar nga miqtë. Gjendja e financave do jete e mire. Do jeni goxha kursimtare.

Aksidenti çon në arrestimin e 32-vjeçarit, i kishte shkaktuar mbi 300 milionë lekë dëm shtetit

By: A R
24 December 2025 at 12:40

Një 32-vjeçar, i cili shkaktoi një aksident në Sukth duke u përplasur me disa pemë, është ndaluar nga Policia, pasi rezultoi se ishte në gjendje të dehur dhe për më tepër, në kërkim për një dënim me burg.

Sipas njoftimit zyrtar nga uniformat blu, menjëherë pas sinjalizimit për aksidentin rrugor, efektivë të Policisë Rrugore shkuan në vendngjarje, ku pasi konfirmuan se drejtuesi ishte i dehur, zbuluan se ishte në kërkim për mashtrim tatimor.

“Menjëherë pas njoftimit për një aksident rrugor, në Sukth, ku një automjet ishte përplasur me disa pemë, shërbimet e Policisë Rrugore shkuan në vendngjarje, për të kryer veprimet procedurale të nevojshme. Në vijim, iu bë test alkooli, drejtuesit të automjetit, shtetasit A. D., 32 vjeç, rezultat i të cilit, herën e dytë ishte 1.29 mg/l.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 32-vjeçari ishte aktualisht në kërkim, sepse Gjykata e Tiranës, në vitin 2024, e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Krijimi i skemave të mashtrimit lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar.”, bëjnë me dije uniformat blu.

I riu akuzohet se në vitin 2022, ai ka administruar një subjekt, për të cilin janë lëshuar fatura fiktive, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 300 milionë lekësh, së bashku me 12 persona të tjerë.

Nga aksidenti, u dëmtua lehtë pasagjeri që ndodhej në automjet.

“Lapaj duhet të mësojë…”, Boçi: Për Salianjin nuk ka vendim për përjashtim!

By: A R
24 December 2025 at 11:42

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, tha se Adriatik Lapaj dhe lëvizja e tij duhet të bashkohet me opozitën, për të arritur rrëzimin e Edi Ramës, që sipas tij është çështje kohe.

“Zoti Lapaj është në një moshë politike ku duhet të mësojë shumë nga politika, nga të qenit në opozitë, dhe duhet ta dijë shumë mirë se është qëllimi ai që bashkon opozitën, është qëllimi që bashkon qytetarët dhe është qëllimi ai që nxjerr fitues, nëse përqendrohesh tek ai. Nëse ti përpiqesh ta atakosh qëllimin, gjoja duke e përkrahur, por në një regjistër më të lartë sesa e lejon “kostumi politik”, nuk është se e favorizon qëllimin, përkundrazi, e dëmton. Kjo e dëmton edhe vetë zotin Lapaj”, tha Boçi.

Ai shtoi se lajmi për largimin e Ervin Salianjit nga kryesia e partisë nuk duhet të marrë ndonjë vëmendje të madhe dhe se nuk ka zyrtarisht një vendim për përjashtimin e tij.

“Këto janë ulje-ngritje të marrëdhënieve që ekzistojnë brenda një force politike të madhe siç është PD-ja, e cila në vazhdimësinë e saj ka lejuar debatin politik, qëndrimet e ndryshme dhe ka parimet e saj. Duhet thënë se është një parti që tradicionalisht ka qenë më shumë drejt qendrës, por me tendenca për të shkuar drejt një profili më konservator, pra më të djathtë. Duke qenë e tillë, ajo adopton edhe forma dhe mënyra të caktuara qëndrimi”, tha Boçi

“Nuk do largohemi kurrë nga Gaza”, Izraeli ndryshon planin e Trump për paqen

By: A R
24 December 2025 at 11:33

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka bërë me dije se ushtria nuk do të tërhiqet kurrë plotësisht nga Rripi i Gazës për arsye sigurie dhe se një njësi ushtarake civilo-ushtarake do të krijohet në enklavën palestineze.

Sipas një plani paqeje të mbështetur nga SHBA-të, të nënshkruar nga Izraeli dhe Hamasi në tetor, ushtria izraelite do të tërhiqet gradualisht plotësisht nga enklava bregdetare dhe Izraeli nuk do të rivendosë vendbanime civile në territorin bregdetar, shkruan A2.

“Ne ndodhemi thellë brenda Gazës dhe nuk do të largohemi kurrë nga e gjithë Gaza. Nuk do të ketë kurrë një gjë të tillë. Ne jemi atje për të mbrojtur, për të parandaluar atë që ndodhi”, tha Katz në një fjalim, duke iu referuar bastisjes së Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit. Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu nuk pranoi të komentojë citon Reuters.

Duke iu referuar njësive të ushtrisë izraelite, Katz tha: “Kur të vijë koha, në Gazën veriore… ne do të ndërtojmë njësi Nahal në vend të komuniteteve (izraelite) që u zhvendosën. Ne do ta bëjmë këtë në mënyrën e duhur në kohën e duhur”, tha ai.

“Ne nuk i besojmë askujt tjetër për të mbrojtur qytetarët tanë”, tha ai, duke treguar atë që ai tha se ishte gjithashtu një nevojë për të qenë edhe në Liban dhe Siri.

Përmendja e Katz për komunitetet e zhvendosura duket se i referohej tërheqjes së të gjitha vendbanimeve hebraike nga Gaza nga Izraeli në vitin 2005. Netanyahu ka përjashtuar vazhdimisht mundësinë e rivendosjes së vendbanimeve në Gaza gjatë gjithë luftës dyvjeçare në Gaza, megjithëse disa anëtarë ultranacionalistë të koalicionit të tij kërkojnë të ripushtojnë Gazën. Njësitë Nahal në forcat e armatosura të Izraelit janë për civilët e interesuar të regjistrohen në ushtri, gjë që përfshin një vit programesh përgatitore dhe vullnetare para-ushtarake. Këto njësi kanë pasur një rol historik në krijimin e komuniteteve izraelite.

Izraeli po shkon drejt një viti zgjedhor në vitin 2026 dhe çështja e vendbanimeve pritet të jetë një çështje kyçe. Katz foli në një ceremoni në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, duke njoftuar krijimin e 1,200 njësive banesore në vendbanimin izraelit të Beit El. Njësitë po ndërtohen në vend të një baze ushtarake izraelite që po mbyllet. Duke folur për Bregun Perëndimor, Katz tha: “Qeveria e Netanyahut është një qeveri vendbanimesh… ajo përpiqet për veprim. Nëse mund të fitojmë sovranitet, do ta sjellim edhe sovranitetin… Jemi në epokën e sovranitetit praktik”, tha Katz. “Ka mundësi këtu që nuk kanë qenë këtu për një kohë të gjatë”, tha ai.

‘Shpërthen’ ish-deputetja e PD: Ka emra aktivë të opozitës, që sot janë miliarderë!

By: A R
24 December 2025 at 11:23

Ish-deputetja e Partisë Demokratike tha në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN se sot është e vështirë të gjesh persona që kanë pasur pushtet politik në Shqipëri dhe që mund t’i etiketosh si moralisht të pastër.

“Rastet e fundit rrënjosën përfundimisht perceptimin që kurrsesi politika nuk i shërben popullit, përkundrazi problemi është që dhe trashëgimia e asaj çfarë ishte më parë nuk është aq dinjitoze dhe të gjitha aferat që ndodhin dhe përmendjet e përfshirjes së të gjithë, nuk i jep moral palëve. Tani këto janë gjithë blerë dhe shitur. Ku ka më politikë për qytetarët? Këtë nuk e beson as macja”, tha Nebiaj.

“Këtu ke edhe emra aktivë sot, se kjo është perla e perlave, që kanë ekzistuar vetëm në opozitë dhe janë miliarderë, që është muhabet tjetër ky. Prandaj më vijnë mua mesazhe gjithë kohën dhe më thonë më mirë të iki”, shtoi ajo.

Gjithashtu, ajo u shpreh se kryetarët e partive opozitare duhej të dilnin krah për krah në protesta për të dhënë një mesazh të qartë për qytetarët, duke lënë mënjanë interesat personale apo garën për pushtet.

“Njeriu sidomos kur hyn në politikë e bën edhe një gjë që s’lidhet drejtpërdrejtë me interesin e vet, por përderisa s’ndodh, kam përshtypjen që kjo është arsyeja pse nuk ndodh. Duhet të bëheshin bashkë edhe dilnin atje të katërt krahë për krahu dhe të thonin ja ku jemi, hajdeni na u bashkoni. Nuk ka rëndësi pushteti, ka rëndësi që ky pushtet ka vajtur aty ku s’mban më. Kaq. Qytetarët mund të ishin treguar më të gatshëm për të reaguar”, theksoi ajo.

“Është çelësi i sigurisë…”, Bimo: SHBA ka anashkaluar sovranitetin danez për Groenlandën

By: A R
24 December 2025 at 11:04

Në një intervistë për emisionin “War Report” në ABC News, ish-ambasadori në SHBA, Roland Bimo, komentoi mbi interesin e Presidentit amerikan, Donald Trump, për Groenlandën. Sipas Bimos, ishulli ka një rëndësi strategjike të madhe për sigurinë kombëtare të SHBA-së, dhe kjo nuk është një çështje e re.

Megjithatë, vëmendja që Trump i jep temës i shton përmasa të reja debatit. Ai theksoi se banorët e Groenlandës jetojnë në kushte të ngjashme me pavarësinë, dhe një referendum për autonomi mund t’i afrojë ata më shumë me SHBA-në.

Interesat amerikane në ishull duket se kanë tejkaluar sovranitetin e Danimarkës, duke shfaqur një hap të ri ekzistencial në politikën e jashtme, ndërsa Bashkimi Evropian dhe SHBA shfaqin qëndrime kontradiktore ndaj paqes dhe kontrollit rajonal.

“Groenlanda është shumë e rëndësishme për sigurinë e Amerikës, kjo nuk ka asgjë të re. Por, të thuhet nga Presidenti Trump, kjo i jep ngjyrime të tjera. Banorët e ishullit janë më shumë në kushtet e pavarësisë së Holandës, nëse populli voton në refendum për pavarësi mund të anojë nga SHBA.

SHBA-ve nuk u ka nxjerrë askush pengesë qoftë për dominimin ushtarak apo edhe ekonomik të vendit. I gjithë sovraniteti i Danimarkës pranë ishullit është anashkaluar sepse tashmë ka dërguar të dërguar të saj. SHBA ka bërë një hap ekzistencial, duke anashkaluar Danimarkën. BE është por luftës, kurse SHBA është pro paqes”, tha Bimo.

FMN: Shqipëria një nga ekonomitë më të shpejta në Evropë, por…

By: A R
24 December 2025 at 10:55

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin për Shqipërinë në vijim të misionit të mbajtur në nëntor, ku vlerëson se vendi ynë vijon të ketë një nga normat më të larta të rritjes ekonomike në Evropë, e nxitur kryesisht nga turizmi dhe konsumi privat.

Sipas raportit të FMN-së, ekonomia shqiptare ka shënuar performancë të fortë edhe pas pandemisë, me një rritje mesatare prej 4.3%, ndërsa për vitin 2025 parashikohet një rritje prej 3.5% dhe 3.6% në vitin 2026.

Turizmi mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë, duke dhënë mbështetje të qëndrueshme për prodhimin ekonomik, edhe pse pritet një moderim gradual i ritmeve të rritjes.

“Shqipëria ka arritur një rritje të fortë të PBB-së reale, të nxitur nga shërbimet e ndërtimit dhe turizmit në vitet e fundit. Hendeku i prodhimit vlerësohet të jetë pozitiv, ndërsa treguesit ekonomikë dhe besimit të konsumatorit janë në ose mbi mesataret historike”, thuhet në raport.

Inflacioni vlerësohet të jetë në nivele të ulëta dhe të qëndrueshme, me parashikimin që të rritet gradualisht nga 2.2% në vitin 2025 drejt objektivit 3% në gjysmën e dytë të vitit 2026, i ndikuar nga tregu i ngushtë i punës dhe rritja e pagave.

“Inflacioni total pritet të rritet gradualisht nga 2.2% në vitin 2025 drejt objektivit 3% në gjysmën e dytë të vitit 2026, në kushtet e një tregu pune të shtrënguar dhe rritjes së pagave. Deficiti i llogarisë korrente parashikohet në 2.8% të PBB-së në vitin 2025 dhe pritet të zgjerohet gradualisht në rreth 3.5% të PBB-së në afatmesëm, për shkak të rritjes së të ardhurave të disponueshme dhe shpenzimeve publike kapitale që nxisin importet.”, lexohet në raport.

Ndërkohë, borxhi publik ka ardhur në rënie falë disiplinës fiskale, ndërsa rezervat valutore mbeten të forta, duke përmirësuar ndjeshëm pozicionin e jashtëm të vendit.

“Disiplina fiskale ka çuar në një ulje të ndjeshme të borxhit publik, ndërsa politika monetare proaktive ka ndihmuar në uljen e inflacionit nën objektiv. Njëkohësisht, çekuilibrat e jashtëm janë tkurrur ndjeshëm dhe rezervat valutore janë të forta, duke e vendosur pozicionin e jashtëm të Shqipërisë mbi nivelin e justifikuar nga faktorët themelorë. Në këtë kontekst, qeveria po avancon reforma të guximshme për të siguruar anëtarësimin në BE deri në vitin 2030.”, vazhdon më tej raporti.

Megjithatë, raporti thekson se ruajtja e stabilitetit makroekonomik kërkon vijimin e reformave të brendshme, veçanërisht në rritjen e të ardhurave buxhetore, forcimin e administratës tatimore dhe përmirësimin e cilësisë së shpenzimeve publike.

Sa i përket sektorit financiar, FMN vlerëson se sistemi bankar shqiptar është i qëndrueshëm, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës, por paralajmëron për rreziqe: “Në sektorin financiar, sistemi bankar paraqitet i qëndrueshëm, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës, por rreziqet nga kreditimi i shpejtë, veçanërisht në pasuritë e paluajtshme, mbeten prezente. FMN rekomandon forcimin e instrumenteve makroprudenciale, përfshirë mundësinë e vendosjes së një bufferi kundërciklik të kapitalit me nivel neutral pozitiv, për të përmirësuar qëndrueshmërinë e bankave ndaj goditjeve të mundshme.”

Raporti vë në dukje gjithashtu se mjedisi i jashtëm mbetet më i pasigurt, me tensione gjeopolitike, masa tregtare dhe paqëndrueshmëri në tregjet financiare globale, të cilat mund të ndikojnë kërkesën e jashtme për Shqipërinë. Në planin e brendshëm, tkurrja e popullsisë në moshë pune paraqet një sfidë afatmesme për tregun e punës dhe rritjen ekonomike.

Por… të përshpejtohen reformat!

Në përfundim, FMN vlerëson se perspektiva afatshkurtër për Shqipërinë mbetet pozitive, por thekson se për të garantuar rritje të qëndrueshme dhe afrimin e të ardhurave me mesataren e BE-së, vendi duhet të përshpejtojë reformat strukturore në kapitalin njerëzor, tregun e punës, qeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit.

“Reformat e brendshme në kohë janë thelbësore për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe për mbylljen e hendekëve të reformave me BE-në. Ky proces kërkon ruajtjen e rezervave fiskale përmes mobilizimit të qëndrueshëm të të ardhurave, mbajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe financiar përmes një politike monetare fleksibile dhe përmirësimit të mëtejshëm të instrumenteve mbikëqyrëse, si dhe avancimin e reformave gjithëpërfshirëse në kapitalin njerëzor, tregun e punës dhe qeverisje.”, thekson raporti.

Në njoftimin për shtyp që shoqëron raportin, FMN thekson se reformat gjithëpërfshirëse do të jenë të nevojshme për të ringjallur produktivitetin dhe për të nxitur konvergjencën e të ardhurave me BE-në.

Zelensky: Agresioni rus na ka shkaktuar 800 mld dollarë dëme. SHBA dhe BE të na ndihmojnë

By: A R
24 December 2025 at 10:46

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se pika e nëntë e draft-planit për të përfunduar luftën në Ukrainë parashikon krijimin e disa fondeve për rindërtimin e ekonomisë ukrainase, me synim mobilizimin e 800 miliardë dollarëve përmes kapitalit, granteve, instrumenteve të borxhit dhe kontributeve të sektorit privat, për të ndihmuar Ukrainën të shfrytëzojë plotësisht potencialin e saj.

800 miliardë dollarë është vlerësimi ynë i përgjithshëm i humbjeve nga kjo luftë me Rusinë. Këtë po diskutojmë me partnerët,” u tha Zelensky gazetarëve.

Sipas nënpikës A të pikës së nëntë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane do të krijojnë një fond dhe grante me objektiv 200 miliardë dollarë për investime transparente dhe efektive në Ukrainë.

Megjithatë, Zelensky theksoi se objektivi i 200 miliardëve është ende në diskutim, pasi nuk është e qartë nëse Europa do të pajtohet.

Kur themi 200, nënkuptojmë Amerikën dhe Evropën – Amerikën 100, Evropën 100. Nuk e dimë me siguri se si do të funksionojë kjo. Po shohim procesin e negociatave mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe mes disa këshilltarëve të sigurisë kombëtare të shteteve. Por Evropa ende nuk e ka shprehur plotësisht pozicionin për gjithçka, dhe kjo mund të ndryshojë,” shpjegoi presidenti ukrainas.

Nënpika B parashikon përdorimin e një game të gjerë investimesh kapitale dhe instrumentesh financiare për rindërtimin pas luftës së Ukrainës, me institucionet globale të rindërtimit që përdorin mekanizma për të forcuar dhe lehtësuar këto përpjekje.

Nënpika C thotë se Ukraina do të zbatojë standardet më të mira globale për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Sipas nënpikës D, Ukraina rezervon të drejtën për kompensim për dëmet e shkaktuara, tha Zelensky.

Deklarata e Zelenskyt vjen në kuadër të negociatave intensive me SHBA-në dhe partnerët evropianë për një plan paqeje, ku rindërtimi ekonomik është një element kyç.

Plani aktual është rreth 20 pikësh, dhe diskutimet vazhdojnë për detaje të tjera si garancitë e sigurisë dhe çështjet territoriale.

❌
❌