Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 21 December 2025Main stream

MPB apelon shoferët për kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të mjegullës

21 December 2025 at 20:34


Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të drejtojnë automjetet e tyre me kujdes maksimal në kushte të dukshmërisë së reduktuar, si dhe në asnjë mënyrë të mos ulen pas timonit nëse kanë konsumuar alkool në ahengje para Vitit të Ri apo në festa familjare.

MPB sqaron se për pesë ditë, nga 15 deri më 20 dhjetor në territorin e Shkupit janë konstatuar 53 aksidente trafiku, ndërsa kontrollet policore në komunikacion po vazhdojnë me intensitet të pandërprerë.

“Apelojmë gjithashtu që pjesëmarrësit në komunikacionin rrugor të jenë të kujdesshëm dhe t’i respektojnë plotësisht rregullat dhe dispozitat e trafikut, të posedojnë patjetër pajisje dimërore dhe të mos ulen pas timonit nën ndikimin e alkoolit. U bëjmë thirrje qytetarëve të respektojnë dispozitat ligjore dhe të bashkëpunojnë me policinë”.

Zëdhënësi I MPB-së foli edhe për aktiviteteve që po ndërmerren kundër përdorimit të mjeteve piroteknike. Masat, siç tha ai, po zbatohen me dinamikë të shtuar, duke pasur parasysh faktin se përdorimi i këtyre mjeteve të rrezikshme është karakteristik për periudhën rreth Vitit të Ri.

Qëllimi, shtojnë ata, është rritja e vetëdijes te të rinjtë, por edhe te prindërit e tyre, se fishekzjarrët dhe petardat nuk janë lodra, por mjete të rrezikshme që mund të shkaktojnë pasoja të pariparueshme dhe të përhershme për shëndetin.

Përfundoi çmontimi i radarit të vjetër në Aeroportin e Shkupit

21 December 2025 at 19:56


M-NAV informon se sot me sukses ka përfunduar aktiviteti për çmontimin e plotë të radarit të vjetër në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit.

Punimet, siç informojnë ata, janë kryer gjatë një periudhe me mjegull dhe dukshmëri të ulët e cila është shfrytëzuar në mënyrë optimale për përfundimin e plotë dhe të sigurt të aktiviteteve, pa asnjë ndikim në zhvillimin e qarkullimit ajror.

Kjo fazë rrumbullakon procesin e çmontimit të radarit të vjetër dhe të papërdorshëm, si parakusht për aktivitete të mëtejshme që lidhen me instalimin e sistemit të ri modern të radarit.

“M-NAV mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj sigurisë dhe vazhdimësisë së qarkullimit ajror, si dhe ndaj zbatimit në kohë dhe profesional të të gjitha aktiviteteve të planifikuara”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Navigacioni i Maqedonisë prej muajit shtator po punon për heqjen e defektit në një nga radarët në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Gjendje alarmante me ndotjen e ajrit në vend, ekspertët e Ekologjisë kërkojnë punë, jo projekte që nuk realizohen

21 December 2025 at 19:15


Maqedonia po përballet sërish me një situatë shqetësuese sa i përket ndotjes së ajrit, ku shumë qytete ndodhen në gjendje alarmi për shkak të rritjes së ndjeshme të grimcave të dëmshme PM10 dhe PM2.5, të cilat kanë arritur nivele shumë të larta dhe tejkalojnë kufijtë e lejuar.

Sipas matjeve të stacioneve monitoruese, në disa zona urbane ndotja ka kaluar disa herë normat e rekomanduara, duke e kthyer ajrin në një rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve. Ditët e fundit, qytetarët kanë raportuar mjegull të dendur (smog), erë të rëndë dhe vështirësi në frymëmarrje, ndërsa shumë prej tyre janë detyruar të kufizojnë daljet jashtë.

Ekspertët paralajmërojnë se situata përkeqësohet veçanërisht gjatë periudhës së dimrit, për shkak të përdorimit masiv të lëndëve djegëse për ngrohje, trafikut të dendur dhe kushteve atmosferike që pengojnë shpërndarjen e ndotjes. Megjithatë, kjo gjendje tashmë nuk konsiderohet vetëm sezonale, por një problem i vazhdueshëm dhe serioz mjedisor, thotë profesor doktori Trajçe Stafirov.

“Zgjidhja e vetme është të zvogëlojmë burimet e ndotjes. Ata kryesorët i përmenda; masat janë të njohura, tanimë janë bërë shumë studime për qytetin e Shkupit dhe për shumë qytete tjera të Maqedonisë, por masat shumë ngadalë po realizohen, disa edhe zvarriten prej 20 vitesh, siç janë deponitë rajonale ku strategjia është përpunuar në vitin 2006, por nuk kemi asnjë nga ato stacione rajonale të ndërtuara. Kështu që nuk është se nuk dijmë si, jo se nuk mundemi, por duhet të intensifikohen përpjekjet”, tha Trajçe Stafirov – Ekspert i Çështjeve Mjedisore.

Përkundër paralajmërimeve të vazhdueshme, qytetarët kërkojnë masa më konkrete dhe më efikase nga institucionet për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit. Situata aktuale po rikthen në fokus urgjencën për politika të qëndrueshme mjedisore dhe ndërgjegjësim më të madh shoqëror.

“Vetëqeverisja lokale duhet të subvencionojë qytetarët me inverter dhe me peleta. Gjithashtu, komuna duhet t’i përforcojë kontrollet e inspektorëve në terren për të parandaluar dhe zvogëluar ata që djegin goma të vjetra, vaj dhe plastikë, dhe disa materiale të tjera të cilat ndotin ajrin me qeliza kancerogjene. Shteti do ta këshilloja të mundohet ta gazifikojë TEC Oslomen, sepse e njëjta ka mundësi të ngrohë të gjithë qytetin e Kërçovës me vendosjen e sistemit në nivel qyteti”, u shpreh Mile Aleksovski – ekspert i Ekologjisë.

Kjo situatë është veçanërisht alarmante për fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe zemrës, andaj Ministria e Mjedisit Jetësor, dy ditë më parë, vendosi masa restriktive për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, për gratë, të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe fëmijët, që të kufizojnë lëvizjet dhe të shkurtohet orari i punës, ndërsa Inspektorati të dalë në terren për të kontrolluar lejet A dhe B të industrive vendase. /tv21

Privohet nga liria një person nga Nigeria, sulmoi fizikisht një polic në Shkup

21 December 2025 at 18:24


Një shtetas person nga Nigeria, me pasaportë amerikan, është arrestuar në orët e para të mëngjesit, pasi ka sulmuar fizikisht një zyrtar të policisë në një lokal në Parkun e Qytetit të Shkupit.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit që i janë bërë, tek personi në fjalë është gjetur armë dhe municione, për të cilat nuk kishte leje.

“Më 21.12.2025, në orën 04:30, para një objekti hotelierik në Parkun e Qytetit në Shkup, zyrtarë policorë nga SPB-Shkup e kanë privuar nga liria U.I.U. (37) nga Nigeria (me pasaportë dhe letërnjoftim amerikan), për shkak se ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor i cili po kryente detyra zyrtare. Gjatë kontrollit ndaj tij janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë “Glock”, dy karikatorë dhe 30 fishekë, për të cilat nuk posedonte leje. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojë parashtresë përkatëse”, thonë nga MPB.

Velkovski: Ka 32 mijë përfitues të ndihmës sociale dhe rreth 18 mijë vende të lira pune në çdo kohë

21 December 2025 at 17:45


Gjoko Velkovski, zëvendësministër për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka deklaruar se likuiditeti i Fondit të Sigurimit Pensional mund të përmirësohet përmes rritjes së numrit të të punësuarve në tregun e punës.

Sipas tij, kjo mund të arrihet duke stimuluar më fuqishëm punësimin e përfituesve joaktivë të ndihmës sociale nga shteti.

“Bazuar në të gjitha statistikat që i kemi, në Maqedoninë e Veriut ende ekziston një numër i mjaftueshëm i qytetarëve që mund të punësohen. Po jap një shembull konkret: në sistemin e mbrojtjes sociale sot kemi 32 mijë familje që përfitojnë ndihmë minimale të garantuar. Këto janë familje ku ka gjyshër, prindër, vajza dhe djem, dhe në pjesën më të madhe bëhet fjalë për persona madhorë dhe të aftë për punë”, tha Velkovski.

Ai theksoi se ekziston potencial real, por sipas tij nevojitet një riorganizim i tërë sistemit shtetëror.

“Nuk mund të veprojë vetëm Ministria e Politikës Sociale duke zbatuar masa aktive. Nevojitet angazhim i përbashkët i të gjithë shtetit dhe i ministrive të tjera, për të përmbushur nevojën për fuqi punëtore, e cila sipas të dhënave për këtë vit arrin rreth 18 mijë vende të lira pune. Ky hendek mund të plotësohet edhe nga burime të tjera që për vite me radhë kanë qenë të përjashtuara nga tregu i punës”, deklaroi Velkovski.

Mickoski mbajti takim koordinues në Qeveri, u përcaktuan prioritetet dhe afatet për reformat kyçe

21 December 2025 at 17:02


Përcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe forcimi i koordinimit ndërinstitucional janë thelbësore për suksesin e reformave. Ky është përfundimi i takimit javor të mbajtur sot nga kryeministri Hristijan Mickoski.

Fokusi i diskutimeve ka qenë dinamika e zhvillimit të proceseve dhe respektimi i afateve të përcaktuara. Kryeministri informoi për rrjedhën e takimit përmes rrjeteve sociale:

“Sot mbajtëm takimin javor me temë agjendën reformuese. Gjatë takimit u shqyrtuan prioritetet aktuale dhe afatet për zbatimin e reformave kyçe, duke u theksuar nevoja për koordinim ndërinstitucional dhe shpërndarje të qartë të përgjegjësive. Për zbatimin e suksesshëm të agjendës reformuese, është thelbësore që ta kryejmë detyrën tonë të brendshme”, shkroi Mickoski.

Gripi në Maqedoni, ende nuk e ka arritur pikun

21 December 2025 at 16:23


Gripi ende nuk ka arritur pikun. Madje gjatë javës së kaluar janë raportuar 126 raste të reja, por që përbëjnë një rënie prej 31 për qind për qind krahasuar me javën paraprake. Gjatë kësaj periudhe mbizotëron influenza A.

Simptomat zakonisht shfaqen papritur dhe përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje muskujsh dhe kollë. Në disa raste, gripi mund të shoqërohet me komplikime, si infeksione bakteriale sekondare dhe infeksione të traktit të poshtëm respirator, të cilat mund të kërkojnë edhe trajtim spitalor.

“Sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik gripi është ende nën pragun e aktivitetit sezonal në bazë të rasteve të raportuara, këtë e shohim edhe në terren numri i pacientëve nuk i kalon ato numra që janë tipik për këtë sezon, në fakt numri është më i vogël në dallim me vitin e kaluar…megjithatë pritet që pas festave të fillojë aktivitetit sezonal i gripit”, tha Sanja Cilevska Mlladenovska.

Më të ekspozuar ndaj gripit janë fëmijët, pasi ata janë më shpesh në kontakt me njëri-tjetrin dhe më të ekspozuar ndaj infeksioneve, veçanërisht në ambiente kolektive si çerdhet dhe shkollat.

“Më të rrezikuar janë qytetarët që janë në kolektive të mbyllura, pra parasë gjithash fëmijët në çerdhe, pasi kalojnë shumë kohë në grupe të mëdha, me shumë fëmijë dhe fëmijët janë mjaft të ekspozuar ndaj infeksioneve, më pas të moshuarit, qytetarët me imunitet të dobët, qytetarët me probleme kronike, pra këta kanë pasqyrë më serioze klinike”, shtoi Sanja Cilevska Mlladenovska .

Instituti i Shëndetit Publik rekomandon që personat me simptoma gripi të qëndrojnë në shtëpi, të pushojnë dhe të marrin shumë lëngje, si dhe të shmangin kontaktet e ngushta me të tjerët. Po ashtu, duhet ajrosur shpesh ambienti dhe të mbahen të pastra sipërfaqet. Personat mbi 65 vjeç, ata me sëmundje kronike ose në rast të përkeqësimit të simptomave, duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore.

Elisa Spiropali nesër vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

21 December 2025 at 15:44


Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut në dy ditët e ardhshme, 22 dhe 23 dhjetor.

Spiropali do të pritet në Shkup nga Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, Kryeministri Hristijan Mickoski, Kryetari i Parlamentit Afrim Gashi dhe Ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski.

Nesër në orën 11.30, Spiropali dhe Mucunski do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Spiropali do të ketë gjithashtu edhe një darkë pune me Zëvendës Kryeministrin për Mirëqeverisje dhe Antikorrupsionin, Arben Fetai dhe Ministrin e Integrimit në detyrë, Orhan Murtezani.

Gjatë kësaj vizite ajo do të rikonfirmojë mbështetjen e fortë për integrimin europian të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se zgjerimi i BE-së mbetet një instrument strategjik për paqe, stabilitet dhe qëndrueshmëri demokratike në Europën Juglindore.

Në fokus të takimeve do të jetë edhe projekti i Korridorit VIII si një projekt strategjik energjetik dhe i sigurisë, që lidh Mesdheun me Detin e Zi.

Ministrja do të takohet në Tetovë me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe me Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.

Ajo do të zhvillojë gjithashtu një takim edhe me Kryetarët e koalicionit qeveritar VLEN, Izet Mexhiti, Bilal Kasami dhe Bekim Sali.

Spiropali do të takohet me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit Musa Xhaferri, me deputetet nga të gjitha partitë politike shqiptare dhe me përfaqësues shqiptarë të pushtetit lokal.

Ministrja do të vlerësojë rolin vendimtar të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut në ruajtjen e stabilitetit dhe avancimin e proceseve euroatlantike, si dhe rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit si themel i harmonisë shumëetnike dhe kohezionit social.

Spiropali do të zhvillojë një vizitë në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup.

Vizita do të përmbyllet me një bashkëbisedim në Universitetin e Tetovës.

TAV: Aeroporti i Shkupit nuk është i mbyllur, sot u anuluan 20 fluturime

21 December 2025 at 15:06


Nga TAV Maqedoni njoftojnë se për shkak të mjegullës, e cila edhe sot, më 21 dhjetor 2025, është e pranishme në luginën e Shkupit, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit ka ulje të dukshmërisë, gjë që rezultoi që, në periudhën nga ora 00:00 deri në ora 12:00, kompanitë ajrore të anulojnë 20 fluturime dhe të riorientojnë 1 fluturim.

Në njoftimin e fundit thuhet se pas orës 11:00 kanë ateruar avionët nga Dortmundi dhe Vjena, ndërsa aktualisht pritet të fluturojë avioni për Hamburg.

Sipas parashikimit të motit që na vjen nga Shërbimi Meteorologjik i M-NAV, ulja e dukshmërisë pritet edhe për pjesën tjetër të ditës, si dhe gjatë ditës së nesërme.

“Megjithatë, duke marrë parasysh se kushtet e motit ndryshojnë vazhdimisht dhe çdo kompani ajrore ka pragun e vet të tolerancës për dukshmëri të reduktuar, bëjmë apel te të gjithë pasagjerët të ndjekin informacionet dhe udhëzimet për fluturimet e tyre që i marrin nga kompania e tyre ajrore. Për pasagjerët dhe publikun, përsërisim – Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit nuk është i mbyllur. Aeroporti është i hapur, pavarësisht kushteve të motit. Personeli ynë, me pajisjet dhe sistemet aeroportuale, është i gatshëm të shërbejë si avionët, ashtu edhe pasagjerët. Dëshirojmë të sqarojmë se aeroporti mbyllet vetëm me vendim të veçantë, kur dërgohet një njoftim ajror NOTAM për të gjithë aktorët në aviacion, dhe kjo bëhet vetëm në situata të jashtëzakonshme, kur ndonjë kapacitet i aeroportit i lidhur me shërbimin e avionëve nuk funksionon, ose në rast të një gjendjeje të jashtëzakonshme të përgjithshme. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, të gjitha kapacitetet janë në funksion, prandaj jemi të hapur për trafikun ajror. Në të gjitha rastet me mjegull, Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit nuk mbyllet, por qëndron i hapur. Ne presim që Shërbimi Meteorologjik i M-NAW, si institucioni përgjegjës për sistemet e navigacionit në aviacion, të na informojë për përmirësim të kushteve të motit – si ne si operator aeroportual, ashtu edhe kompanitë ajrore, të cilat vendosin pilotët nëse do të aterojnë apo do të riorientohen në një aeroport tjetër, varësisht nga dukshmëria minimale që kompania ka vendosur si të pranueshme”, thonë nga TAV-Maqedoni.

Nga TAV-Maqedoni thonë se personeli i aeroportit punon 24/7, pulti i informacionit është i gatshëm të përgjigjet në të gjitha pyetjet lidhur me ndryshimet në orarin e rregullt të fluturimeve, si fizikisht, ashtu edhe në linjën telefonike +389 2 3148 333.

Siljanovska-Davkova uron komunitetin turk me rastin e 21 Dhjetorit – Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke

21 December 2025 at 14:20


residentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka uruar komunitetin turk dhe mësimdhënësit me rastin e 21 Dhjetorit – Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në vend.

Në mesazhin e saj të urimit, Siljanovska-Davkova theksoi se arsimi në gjuhën amtare është një e drejtë themelore e njeriut, thelbësore për ruajtjen dhe ndërtimin e identitetit kombëtar e kulturor, si dhe për zhvillimin dhe suksesin personal.

Presidentja shprehu mirënjohje për mësimdhënësit dhe punonjësit arsimorë që, sipas saj, me përkushtim, profesionalizëm dhe dashuri për profesionin, kontribuojnë në edukimin e brezave të rinj dhe në përhapjen e dijes në gjuhën turke.

“Uroj që të vazhdojmë të jemi shembull i unitetit në diversitet dhe të jemi krenarë për atdheun tonë të përbashkët”, ka theksuar Siljanovska-Davkova.

Pesë të lënduar në aksident trafiku në afërsi të Petrovecit

21 December 2025 at 13:40


Në autostradën Shkup-Veles, në afërsi të pikës pagesore Petrovec, dje vonë pasdite ka ndodhur një aksident trafiku, në të cilin pesë persona kanë pësuar lëndime trupore, informojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Në aksidentin, i cili ka ndodhur në orën 16:20, u përfshinë dy automjete pasagjerësh.

Të lënduarit u transportuan me automjete të Ndihmës urgjente mjekësore në institucionet shëndetësore në Shkup për mjekim.

Është kryer inspektim nga një ekip inspektimi nga SPB Shkup. Mjegulla që ka përfshirë luginën e Shkupit që nga dje po e vështirëson trafikun ajror në aeroportin e Shkupit, ndërsa trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet me dukshmëri të zvogëluar në disa akse rrugore.

Kapen autorët e vjedhjes prej 65 mijë eurove në Gostivar, paratë dhe ari i kthehen pronarit

21 December 2025 at 13:01


Më datë 20.12.2025 në ora 18:20, punonjësit policorë nga Departamenti i Punëve të Brendshme Gostivar, kanë privuar nga liria personat A.Z. (24) dhe M.Z. (27), të dyja nga Gostivari, nën dyshimin e bazuar se më datë 14.12.2025 kanë kryer një vjedhje të rëndë në shtëpinë e pronarit F.M. (58) nga Gostivari.

Gjatë kësaj vjedhjeje ishin marrë para dhe bizhuteri ari në vlerë prej rreth 65.000 euro.

Më vonë, është privuar nga liria edhe N.I. (24) nga Tetova.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme, njotuan se po atë ditë, pas marrjes së urdhrit gjyqësor, është kryer kontroll në shtëpinë e A.Z., me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar me vërtetim pjesa më e madhe e parave të vjedhura dhe bizhuterive të arit, të cilat do t'i kthehen pronarit.

Personat e ndaluar po mbahen në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të paraqitet kallëzimi përkatës.

Aksident tragjik në autostradën Beograd–Nish, humbin jetën dy shtetas të Maqedonisë së Veriut

21 December 2025 at 12:13


Dy persona, shtetas të Maqedonisë së Veriut, kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi herët në mëngjes në autostradën Beograd – Nish në Serbi.

Sipas informacioneve nga mediat serbe, që i përcjellë Shenja, aksidenti ndodhi pranë daljeve të Umçarit, pasi vetura e markës “Seat” me targa gjermane ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rrugës.

Raportohet se nga makina e aksidentuar u nxorën trupat e një burri dhe një gruaje, të cilët u konfirmuan se janë shtetas të Maqedonisë së Veriut.

Sipas raportimeve, në automjet ndodhej edhe një person tjetër, pasagjer, i cili mbijetoi përplasjen, por pësoi lëndime të rënda trupore dhe u dërgua urgjent në spital për trajtim mjekësor.


VLEN: Politikat e dështuara të BDI-së nuk rehabilitohen me kongrese sipërfaqësore

21 December 2025 at 11:51


Koalicioni VLEN ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes kolektive në ditën e përvjetorit të Universitetit të Tetovës, si dhe me Universitetin “Nënë Tereza”.

Sipas tyre, kjo shënon fundin e një politike përjashtuese që u mbajt me vite, duke akuzuaer kështu pushtetin e kaluar.

“Marrëveshjet kolektive të nënshkruara me universitetet shqiptare dëshmon një të vërtetë që për vite me radhë u mohua. Problemi nuk paska qenë as ligji, as procedurat, as institucionet. Problemi paska qenë politika e BDI-së. Universitetet shqiptare nuk mbetën jashtë rastësisht. Ato u lanë qëllimisht në pritje, u detyruan të dalin në protesta dhe u trajtuan si temë dytësore, sa herë që barazia nuk i përshtatej interesave politike të BDI-së. Në periudhën kur Talat Xhaferi mbante përgjegjësi institucionale, kjo padrejtësi jo vetëm që nuk u korrigjua, por u justifikua dhe u normalizua.BDI pati vite kohë. Pati pushtet. Pati institucione, por nuk pati vullnet. Politikat e dështuara nuk rehabilitohen me kongrese sa për sy e faqe, prandaj edhe aktivistët e saj, me të drejtë, pyesin: ku është reforma?”, thonë mes tjerash nga VLEN.

Për shkak të mjegullës së dendur, janë anuluar fluturimet e mëngjesit nga aeroporti i Shkupit

21 December 2025 at 11:13


Për shkak të mjegullës së dendur, të gjitha fluturimet e mëngjesit nga Aeroporti i Shkupit janë anuluar dhe atë fluturimet drejt Dortmundit, Brukselit, Parisit, Lubjanës, Bazelit, Memingenit dhe Venecias.

Po ashtu është anuluar fluturimi drejt Zagrebit i Croatia Airlines, si dhe ai drejt Stambollit.

Asnjë nga gjashtë avionët e Wizz Air të stacionuar në bazën e Shkupit nuk arriti të ulej dje në aeroport.

Për shkak të mjegullës, avionët u devijuan drejt aeroporteve në Prishtinë, Sofje, Tiranë, Selanik dhe Ohër.

Ekipet e Wizz Air këtë mëngjes udhëtuan drejt aeroporteve ku avionët u ulën dje dhe prej atje do të fluturojnë drejt disa destinacioneve që u anuluan mëngjesin e sotëm, për të marrë pasagjerët drejt Shkupit.

Për shkak të mjegullës shumë të dendur, dje në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit u ulën vetëm tre avionë, të cilët arritën të fluturonin në pasdite, kur kushtet e motit përmirësoheshin pak. Fluturimet e tjera u anuluan, ndërsa avionët që duhej të uleshin u devijuan. Shikueshmëria ra nën 100 metra, shumë më pak se standardet për ulje me instrumente në kategorinë më të ulët 1, si ajo që ka Aeroporti i Shkupit.

Sipas parashikimit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, në Shkup dhe tre ditët e ardhshme pritet mot i ndryshueshëm me mjegull.

Maqedonia e Veriut asgjëson 22,3 ton Kivi nga Serbia, nuk janë të sigurta për import

21 December 2025 at 10:34


Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njoftoi se për shkak të ndryshimit të vetive organoleptike dhe pranisë së konstatuar të larvave dhe insekteve, Inspektori i Ushqimit këtë javë ndaloi importin e 22,3 tonë kivi të destinuara për përpunim industrial dhe nxori vendim për asgjësimin e padëmshëm të tyre.

Siç njoftojnë nga AUV, bëhet fjalë për 22.340 kilogramë kivi, të importuara nga Republika e Serbisë, për të cilat, pas kontrollit organoleptik nga inspektori i ushqimit, është konstatuar se nuk janë të sigurta për import dhe për përpunim të mëtejshëm.

“Importuesit i është lëshuar vendim me urdhër për asgjësimin e padëmshëm të sasisë së kontestuar të kivit, pasi nga ana e tij është njoftuar se ngarkesa nuk mund të kthehet në vendin eksportues”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

LAMM: Për shkak të mjegullës ka dukshmëri të kufizuar nëpër disa rrugë, shoferët të kenë kujdes

21 December 2025 at 09:50


Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, kryesisht në rrugë të thata.

Dukshmëri e zvogëluar për shkak të mjegullës prej 100 deri në 200 metrash vërehet nga Tetova - Shkupi - Kumanova - Koçani - Saramzalina - Velesi - Negotina - Kapija e Veriut, ndërsa mjegull me dukshmëri deri në 50 metra vërehet në Manastir - Prilep - Gjavata - Resnja - Brodi i Veriut - Kërçova dhe Dibra, informon LAMM.

Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare në anën e RMV-së nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

LAMM rekomandon shpejtësi të rregulluar, respektim të sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhim të kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut.

Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë - Veles, Mavrovë - Dibër - Strugë, Vinicë - Berovë dhe Koçani - Delçevë.

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

21 December 2025 at 09:10


Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe të qeta me periudha me diell.

Në mëngjes, në disa lugina do të shfaqet mjegull. Temperatura minimale do të jetë në intervalin -5 deri në 1, ndërsa maksimale do të arrijë nga 7 deri në 12 gradë.

Në Shkup, vranësira të ndryshueshme dhe të qeta me mjegull në mëngjes.

Temperatura minimale do të bjerë në -3, ndërsa maksimale do të arrijë deri në 7 gradë.

Before yesterdayMain stream

Festat e fundvitit e sjellin diasporën në vend

20 December 2025 at 20:48


Festat e fundvitit po e kthejnë diasporën në vend – ka rritje të fluksit të automjeteve në pikën kufitare Tabanoc që hyjnë në vend, priten kolona më të mëdha automjetesh në ditët në vijim.

Disa nga qytetarët që i takuam duke hyrë në vend thonë se vijnë për periudhën e festave që t’i kalojnë me të afërmit e tyre. Shumica prej tyre thonë se pritjet për hyrje në vend nuk janë të gjata, ndërsa të tjerë ndanë përvoja të ndryshme.“Pritët shumë, kishte trafik? Tani? Po. Jo, më shpejt se çdo herë tjetër që kemi kaluar, 15 minuta. Nga vini? Nga Austria. Për vizitë pak, për festat? Për festat, në shtëpi, normalisht.” – qytetar.

“Pritët gjatë, kishte shumë trafik? Jo, jo, për momentin është mirë. Po vini për festat? Po.” – qytetar.

“Kishte trafik? Po, shumë. Nga vini? Nga Gjermania. A ka qenë gjithmonë kështu? Çdo vit po bëhet gjithnjë e më keq.” – qytetar.
“Keni pritur shumë, kishte shumë rrëmujë? Jo, jo. Nga jeni? Nga Tetova.” – qytetar.

Numrat zyrtarë të MPB-së tregojnë se vetëm gjatë 24 orëve të fundit mbi 12.000 shtetas tanë kanë hyrë në të gjitha pikat kufitare të vendit. Ndërkohë, gjatë të njëjtës periudhë, mbi 3.000 të huaj kanë dalë nga Maqedonia.“Dje nga ora 10 deri në ora 10 sot, në vend kanë hyrë 12.510 shtetas të Maqedonisë, ndërsa kanë dalë 3.376 shtetas të Maqedonisë. Sa i përket shtetasve të huaj, gjatë të njëjtës periudhë, në vend kanë hyrë 6.225 persona, ndërsa 3.142 persona e kanë dalë nga Maqedonia”, tha Goce Andreevski, zëdhënës i MPB-së.

Gjermania, Austria dhe Zvicra janë destinacionet më të zakonshme nga ku qytetarët tanë kthehen për festat e Vitit të Ri, ndërsa zyrtarët thonë se gjatë disa ditëve në vijim pritet dyndje më e madhe në pikat kufitare. /Alsat/

Mbërrin në Këshillin e Qytetit të Shkupit projekti për praktikën e nxënësve dhe studentëve

20 December 2025 at 20:03


Një projekt që synon të nxjerrë nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët nga mësimi i zakonshëm drejt punës praktike në terren tashmë ka mbërritur në Këshillin e Qytetit të Shkupit.

Bëhet fjalë për një nismë të dorëzuar nga këshilltari Naim Bajrami që kërkon zyrtarizimin e vullnetarizmit rinor, si një urë lidhëse mes edukimit dhe institucioneve lokale. Megjithëse hapi i parë u hodh, fati i këtij propozimi tashmë mbetet në duart e këshilltarëve, nga të cilët kërkohet mbështetje për ta kthyer atë në një realitet për të rinjtë e kryeqytetit.

“Në aspektin shoqëror rrit ndjenjën e përgjegjësisë e të rinjve ndaj institucioneve të sistemit, u jep hapësirë që ata të jenë aktiv dhe të mos pasivizohen si të rinjtë dhe përveç nga teoria që ata mësojnë në shkollat e mesme dhe në fakultetet përkatëse ata të kenë një mundësi të mirë që të marrin një praktikë konkretisht të lëmive që ata studiojnë. Pse një student që ka prirje të biologjisë të mos mund të praktikoj në Kopshtin Zoologjik, dikush që ka prirje nga kultura të mos mund të praktikoj në institucionet kulturore në kuadër të qytetit, dikush që ka prirje nga arkitektura të mos mund të marrë pjesë në zhvillimin dhe hartimin konkret dhe direkt të Planit gjeneral urbanistik që e udhëheq qyteti e kështu me radhë”, deklaroi Naim Bajrami, Këshilltar në Qytetin e Shkupit.

Sipas Bajramit, përfitimet e kësaj iniciative shihen si të dyanshme, ndërsa qyteti fiton energji dhe ide të reja, të rinjtë përgatiten për tregun e punës. Për nxënësit e drejtimeve profesionale, kjo është mundësia e parë për të testuar veten jashtë librave.

“Praktika ndihmon në aftësi reale ku na mundëson bashkëpunim, komunikim dhe punë në ekip gjë që nuk mësohet vetëm në bankat shkollore. Gjithashtu na mundëson orientimin profesional, e shohim veten se a jemi për atë profesion a jemi për atë drejtim, a e gjejmë vetveten. Gjithashtu na tregon për tregun e punës se në atë institucion nuk duhet vetëm diploma por edhe përvoja. Teoria nuk është e mjaftueshme, praktika është kurora e çdo profesioni. E gjithë teoria që mësohet nuk do të kishte efekt të plotë poqëse nuk realizohet edhe praktika”, tha një nxënëse e mjekësisë.

Edhe studentët e shohin këtë si një strategji të munguar prej vitesh, e cila i bën ata gati për administratën dhe institucionet ku nesër do të jenë bartës të punës.

“Për ti trajnuar apo për ti bërë gati kuadrot e reja që do të na përfaqësojnë nëpër institucione, administrate apo kudo qoftë në ato vende pune besoj se është strategjia më e bukur kjo që është dhënë për shkak se për ta mësuar punën duhet të kesh edhe praktikë. Të shkosh të bësh praktikën në një vend ku ti do të jesh aty në punë ose planifikon punë është mjaft e bukur gjë që në kohën timë, kur ne ishim nxënës të shkollave të mesme nuk e kishim edhe bësoj se djuhet përkrahur nga gjithë studentët”, tha një student.

Iniciativa tani pret dritën jeshile nga shumica e këshilltarëve, për t’u shndërruar në një politikë publike që do të ndryshojë komunikimin mes qeverisjes lokale dhe gjeneratave të reja në Shkup.

❌
❌