Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 December 2025Main stream

22:55 Macron: Franca do të ndërtojë një aeroplanmbajtëse të re

By: MB
21 December 2025 at 22:55

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka konfirmuar planet për të ndërtuar një aeroplanmbajtëse të re, më të madhe dhe më moderne për të zëvendësuar aeroplanmbajtësen e vjetër Charles de Gaulle dhe për të rritur kapacitetin e Francës si një fuqi detare.

Macron, i cili fillimisht i prezantoi planet në vitin 2020, e ka bërë të ditur planin teksa po fliste para trupave të vendosura në një bazë ushtarake franceze në Abu Dhabi, e vendosur pranë Ngushticës së Hormuzit, një pikë e rëndësishme për rrjedhat globale të naftës.

“Vendimi për të nisur këtë program të gjerë u mor këtë javë”, ka thënë Macron, duke shtuar se projekti do të forconte bazën industriale të Francës, veçanërisht bizneset e vogla dhe të mesme.

Ministrja e Ushtrisë, Catherine Vautrin, ka thënë në X se anija e re do të hynte në shërbim në vitin 2038, rreth kohës kur Charles de Gaulle pritet të dalë nga funksioni, rreth 15 vjet pasi u vu në shërbim.

Disa ligjvënës francezë nga qendra dhe e majta e moderuar kanë sugjeruar së fundmi që projekti për të ndërtuar një aeroplanmbajtëse të re të shtyhet për shkak të financave problematike shtetërore të Francës. m.p.

22:43 Ja si u vlerësua Armando Broja nga mediat angleze

By: MB
21 December 2025 at 22:43

Armando Broja la shenjën e tij në Premier Ligë me golin e parë të tij që kur i është bashkuar skuadrës së Burnleyt.

Një gol me peshë pasi ndali serinë prej 7 humbjesh radhazi të ekipit, duke siguruar barazimin 1-1.

Dhe natyrshëm për Brojën kanë ardhur edhe vlerësimet në shtypin anglez.

Portali pranë klubit, “Burnley Express”, i cili i kushtohet qytetit dhe krahinës së Lenkshajër, në vlerësimet për futbollistët, ka zgjedhur Brojën ndër më të mirët, duke i vendosur notën 7 për paraqitjen e djeshme si zëvendësues.

“Gjeti rrjetën për herë të parë me ngjyrat e Bërnlit, duke çuar në objektiv krosimin e shkëlqyer të Eduards për të barazuar. Thuajse siguroi me vrull edhe një gol fitoreje”, shkruhej në përshkrimin për vlerësimin që i ishte bërë Brojës. m.p.

22:33 Barcelona gjen lojtarin që i mungon te Juventus, kushton 70 milionë euro

By: MB
21 December 2025 at 22:33

Barcelona është vënë në kërkim të një qendërmbrojtësi. Deri më sot janë përmendur disa emra, por së fundmi ka dalë një emër i ri në skenë: Gleison Bremer.

Qendërmbrojtësi brazilian i Juventus duket se ka cilësitë e kërkuara nga Hansi Flick për t’i besuar drejtimin e qendrës së mbrojtjes, një repart që ka shfaqur mjaft probleme këtë sezon dhe largimi i Inigo Martinez gjatë verës ka lënë një boshllëk tejet të madh.

28-vjeçari ka një kontratë deri në vitin 2029 dhe duke ditur rëndësinë që ka te mbrojtja e Juventus, vështirë se bardhezinjtë mund të heqin dorë prej tij. Mediet spanjolle bëjnë me dije se Barcelona është e gatshme të ofrojë 60-70 milionë euro për Bremer, shifër që mund t’i bëjë bardhezinjtë të ndërrojnë mendje. m.p.

22:24 Zelensky: Moska po jep vetëm sinjale negative

By: MB
21 December 2025 at 22:24

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se negociatat me palën amerikane po zhvillohen në mënyrë konstruktive. Duke iu referuar bisedimeve që po mbahen në Miami, Florida, Zelensky shkroi në rrjetet sociale se “negociatat me palën amerikane janë konstruktive”, ndërsa konfirmoi në platformën X se gjatë ditës ishin parashikuar takime të tjera me delegacionin amerikan dhe të dërguarit e presidentit Donald Trump.

Sipas tij, puna mbi dokumentet që lidhen me përfundimin e luftës, garancitë e sigurisë dhe rindërtimin e Ukrainës vijon. “Çdo pikë po shqyrtohet në detaje dhe diskutimet me palën amerikane janë konstruktive. Kjo është e rëndësishme”, theksoi Zelensky.

Ai shtoi se në tryezë është edhe çështja e kalendarit, pra afatet e mundshme për marrjen e vendimeve konkrete, duke bërë të ditur se pret detaje të mëtejshme nga përfaqësuesit e tij në terren, Rustem Umerov dhe Andri Hnatov.

Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas u shpreh kritik ndaj Rusisë, duke theksuar se nga Moska po vijnë vetëm “sinjale negative”. Ai përmendi sulmet përgjatë vijës së frontit, krimet e luftës në zonat kufitare dhe sulmet e vazhdueshme ndaj infrastrukturës ukrainase. m.p.

22:17 Kryepeshkopi Joan viziton për herë të parë Shkodrën, mesazhe për Zotin dhe familjen

By: MB
21 December 2025 at 22:17

Kryepiskopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joan, ka vizituar për herë të parë Shkodrën, ku këtë të diel ka drejtuar meshën para Krishtlindjes në kishën ortodokse të këtij qyteti. Vizita e tij historike u shoqërua me mesazhe të forta shpirtërore, ku u theksua rëndësia e pranisë së Zotit në jetën personale, familjare dhe shoqërore të njeriut.

Gjatë predikimit, Kryepiskopi Joan nënvizoi se çdo përpjekje për të ndërtuar jetën, shoqërinë apo lumturinë pa Zotin është e destinuar të dështojë, ndërsa theksoi se porositë hyjnore nuk janë kufizim i lirisë, por garanci e saj.

Në fjalën e tij, Fortlumturia e Tij foli edhe për kuptimin e vërtetë të Kreshmës, duke theksuar se ajo nuk është thjesht heqje dorë nga ushqimi, por mbi të gjitha pastrim shpirtëror, largim nga thashethemet, shpifjet dhe mëkatet e përditshme. Ai u ndal edhe te rënia e natyrës njerëzore dhe misioni i Krishtit për ta ringritur atë.

Në mbyllje të mesazhit të tij, Kryepiskopi Joan vuri theksin te roli i familjes si bërthama e komunitetit dhe përgjegjësia që çdo besimtar ka jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Vizita e tij në Shkodër u cilësua si një moment i veçantë për komunitetin ortodoks dhe për gjithë qytetin, në prag të festës së Krishtlindjes. Pas meshës zhvilloi vizitë në bashkinë Shkodër dhe Myftini duke dhënë mesazhe paqe e bashkimi. m.p.

22:09 Shqipëria do të dalë 3 herë në tregjet ndërkombëtare deri në 2030

By: MB
21 December 2025 at 22:09

Shqipëria do të dalë përsëri në tregjet ndërkombëtare për të marrë eurobonde, për të shlyer borxhin në valutë dhe sidomos eurobondet ekzistuese.

Qeveria ka parashikuar në Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2026-2030, të marrë deri tre eurobonde të tjera. Emetimi i parë pritet të bëhet në nisje të 2027-ës rreth vlerës 650 milionë euro, ndërsa emetimi i dytë pritet të ndodhë në 2028-ën, me vlerë edhe më të lartë.

“Dalja me Eurobond në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, planifikohet të jetë një burim i rëndësishëm i financimit, ku parashikohen 2-3 emetime në tregjet ndërkombëtare, gjatë afatit pesë vjeçar të strategjisë”, thuhet në strategji.

Dalja e fundit në tregjet ndërkombëtare ishte në shkurt të këtij viti kur u emetua eurobondi 10- vjeçar, me shumë 650 milionë euro. Ndërkohë gjatë viteve 2010-2025 janë marrë në total 7 Eurobonde, ku 3 prej tyre janë maturuar dhe 4 të tjerë po paguhen.

Deri në qershor të vitit 2027 vendi duhet të shlyejë 650 milionë eurot e marra në 2020-ën dhe brenda 2028-ës mbyllet borxhi 600 milionë euro i marrë në 2023-shin. Sa i takon dy euronondeve ai i vitit 2021 dhe ai i 2025-ës mbyllen pas 2030-ës, thuhet në Planin e Huamarrjes për 2026-ën.

Për vitin që po vjen qeveria nuk parashikon të dalë në tregun e huaj, pasi financimi i nevojshëm është planifikuar të sigurohet në tregun e brendshëm. Përmes obligacioneve dhe bonove të thesarit në 2026-ën planifikohen të sigurohen në sektorin financiar të vendit 450 milionë euro, ndërsa financimi i huaj parashikohet 470 milionë euro, që do vij kryesisht si kredi e butë për projekte të rëndësishme.

Stoku i borxhit publik për 2026-ën është vlerësuar 14.9 miliardë euro ose 53.6% e Prodhimit Kombëtar, nga 54.1% i pritshëm për gjithë 2025-ën. m.p.

22:03 “Veç SPAK, asgjë më pak”

By: MB
21 December 2025 at 22:03

Last Updated on 21/12/2025 by MB

Nga Klevis Bakillari

Shqipëria sot nuk ka krizë drejtësie. Ka krizë paniku.
Sepse për herë të parë drejtësia nuk është në gjumë. Është zgjuar. Dhe ka filluar të trokasë në dyer që për 30 vjet ishin të blinduara.
SPAK-u po bën atë që politika shqiptare nuk pati kurrë guximin ta bënte: po ua prish rehatinë të gjithëve. Dhe kur në Shqipëri prishet rehatia, nuk dëgjon debat por dëgjon ulërimë.
Qeveria betohet se e mbështet drejtësinë.
Opozita betohet se po shuhet nga drejtësia.
Të gjithë janë për drejtësi.
Por vetëm për drejtësinë që godet tjetrin.
Kur Berisha shpallet i pandehur, është “persekutim politik”.
Kur Meta përfundon pas hekurave, është “hakmarrje personale”.
Kur Veliaj shkon në burg, është “sulm ndaj PS-së”.
Dhe tani, kur qershia mbi tortë bëhet kërkesa për arrestimin e Belinda Ballukut, Shqipëria paska rënë në diktaturë.
Ironike, apo jo?
Për 30 vite askush nuk pa prokuror në sy. Sot, prokurori shihet si armik kombëtar.
SPAK-u nuk po shemb demokracinë.
SPAK-u po shemb mitin e paprekshmërisë.
Dhe kjo i tremb më shumë se çdo revolucion.
Ata që e kthyen shtetin në pronë familjare sot flasin për “standard europian”.
Ata që firmosnin ligje si fatura kafeje sot flasin për “shtet ligjor”.
Ata që e përdorën drejtësinë si çekiç kundër kundërshtarit sot qajnë për “të drejtat e njeriut”.
Po, është e vërtetë: SPAK-u godet edhe brenda PS-së.
Dhe pikërisht këtu është dallimi thelbësor.
Sepse një forcë politike që pranon të pastrohet nga brenda, edhe me kosto, është forcë që mendon për shtetin, jo për klanin.
Kjo nuk është luftë PS–PD.
Kjo është luftë shtet kundër pandëshkueshmërisë.
Dhe kush e kupton këtë, e ka kuptuar edhe pse rruga drejt Bashkimit Europian nuk kalon nga flamujt, por nga dosjet.
Në Shqipëri nuk ka krizë opozite. Ka krizë dosjesh.
Nuk ka krizë qeverisjeje. Ka krizë përgjegjësie.
Shqipëria ka krizë Drejtësinë.Sepse po funksionon!
Dhe SPAK-u është pasqyra ku askush nuk do të shohë fytyrën!
Prandaj thirrja është e thjeshtë, pa retorikë patriotike e pa lot krokodili:
Jo drejtësi selektive.
Jo ligj me porosi.
Jo reformë për fasadë.
Jo shtet gjysmak.
Veç SPAK.
Asgjë më pak!

Yesterday — 21 December 2025Main stream

21:52 Izraeli miraton ndërtimin e vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor

By: MB
21 December 2025 at 21:52

Kabineti i sigurisë i Izraelit ka miratuar ndërtimin e 19 vendbanimeve të reja në Bregun e okupuar Perëndimor, një lëvizje që sipas ministrit izraelit të Financave synon të ndalojë themelimin e një shteti palestinez.

Vendimi bën që numri i përgjithshëm i vendbanimeve të miratuara në tre vjetët e fundit të arrijë në 69, sipas ministrit të ekstremit të djathtë që udhëheq Ministrinë e Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich.

Ky vendim po ashtu vjen disa ditë pasi Kombet e Bashkuara thanë se zgjerimi i vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndim – që konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar – ka arritur në nivel rekord që nga viti 2017.

“Propozimi i ministrit të Financave, Bezalel Smotrich dhe ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz për të shpallur dhe formalizuar 19 vendbanime të reja në Jude dhe Samari është miratuar nga kabineti”, thuhet në deklaratë, pa specifikuar se kur është marrë vendimi.

Smotrich është një përkrahës i zëshëm i zgjerimit të vendbanimeve dhe edhe vetë një kolon.

“Në terren, ne po e pengojmë krijimin e një shteti palestinez terrorist”, tha ai në deklaratë.

“Do të vazhdojmë të zhvillojmë, të ndërtojmë dhe të vendosemi në tokën e stërgjyshërve tanë, me besim në drejtësinë e rrugës sonë”, shtoi ai.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, së voni ka dënuar atë që e përshkroi si zgjerim “të pareshtur” nga Izraeli të vendbanimeve në Bregun e okupuar Perëndimor.

Kjo, sipas tij, “vazhdon të nxisë tensionet, të pengojë qasjen e palestinezëve në tokën e tyre dhe rrezikon paqëndrueshmërinë e një shteti palestinez plotësisht të pavarur, demokratik, të pandarë dhe sovran”, tha ai më herët gjatë këtij muaji.

Që nga fillimi i luftës në Gazë më 2023, thirrjet për themelimin e një shteti palestinez janë shtuar, me disa vende evropiane, Kanadanë dhe Australinë që së fundi kanë lëvizur drejt njohjes formale të një shteti të tillë, duke nxitur reagime dhe qortime nga Izraeli.

Sipas një raporti të OKB-së për zgjerimin e vendbanimeve tha se zgjerimi i tyre ka arritur nivelin më të lartë që nga viti 2017, kur OKB-ja nisi të mblidhte të dhëna për këtë çështje.

“Këto zhvillime po e forcojnë më tej okupimin e paligjshëm izraelit, po shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe po minojnë të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje2.

Duke përjashtuar Jerusalemin Lindor, i cili u okupua dhe u aneksua nga Izraeli në vitin 1967, më shumë se 500.000 izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor, së bashku me afër 3 milionë banorë palestinezë.

Zyra e Smotrichit tha se 19 vendbanimet e sapomiratuara ndodhen në zona që i përshkroi si “tejet strategjike”, duke shtuar se dy prej tyre – Ganim dhe Kadim në veri të Bregut Perëndimor – do të rivendosen pasi ishin zhbërë dy dekada më parë.

Pesë nga 19 vendbanimet ekzistojnë tashmë, por deri më tani nuk kishin marrë status ligjor sipas ligjit izraelit, u tha në njoftim.

Ndërsa të gjitha vendbanimet izraelite në territorin palestinez konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, disa poste të ngritura në mënyrë të paligjshme janë të paligjshme edhe sipas ligjit izraelit.

Megjithatë, shumë prej tyre më vonë legalizohen nga autoritetet izraelite, duke nxitur frikën për një aneksim të mundshëm të territorit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka paralajmëruar Izraelin kundër aneksimit të Bregut Perëndimor.

“Izraeli do të humbiste të gjithë mbështetjen nga SHBA-ja nëse kjo ndodh”, tha Trump në një intervistë dhënë së voni për revistën Time.

Izraeli e ka okupuar Bregun Perëndimor më 1967 dhe dhuna atje është rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës në Gaza në tetor 2023, pas sulmit të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – ndaj Izraelit. m.p.

21:40 Zaloshnja: Dekadën e fundit shumë fëmijë që kanë lindur jashtë vendit

By: MB
21 December 2025 at 21:40

Diaspora shqiptare përllogaritet në 2.2 milionë shtetas gjatë vitit 2025. Instituti i Statistikave ka publikuar raportin “Diaspora e Shqipërisë” ku është përllogaritur popullsia shqiptare që jeton jashtë vendit dhe rezulton se Italia dhe Greqia kanë numrin më të lartë të emigrantëve ndjekur nga Gjermania Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.

Të dhënat tregojnë se Italia dhe Greqia janë qendra kryesore të stabilizimit afatgjatë të emigrantëve shqiptarë.

Eduard Zaloshnja, sondazhist në një intervistë në “Newsroom” në ABC News tha se sot që flasim 9 % e shtetasve shqiptarë që figurojnë në gjendjen civile kanë lindur jashtë Shqipërisë.

“Nga 1990 deri më sot kemi pas largime. Por një pjesë tjetër janë fëmijët e shqiptarëve të larguar që kanë lindur jashtë vendit. Por liberalizimi i vizave në Shqipëri është bërë në 2009. Në dekadën e fundit ka pasur shumë fëmijë që kanë lindur jashtë vendit dhe prindërit e tyre kanë ardhur dhe i kanë regjistruar këtu edhe për faktin se kanë marrë bonus. Duke nisur nga 2001 edhe situata në Shqipëri u stabilizua, pasi nga ’90 deri në vitin 2000 ka pasur shumë trauma. Më pas kemi pasur një emigracion më normal, pasi kushdo mund të udhëtonte jashtë shtetit. Fenomeni i dekadës së tretë që është fenomeni kryesor është lindja e fëmijëve jashtë vendit nga çifte shqiptare”, tha ai. m.p.

21:39 Vidhte enët e kuzhinës nga Pallati Elysee, arrestohet punonjësi i rezidencës presidenciale në Francë

By: MB
21 December 2025 at 21:39

Një punonjës i Pallatit Elysee në Paris u arrestua pasi dyshohet se ka vjedhur pjata, gota dhe enë të tjera nga rezidenca e presidentit francez.

Ai ishte përgjegjës për ruajtjen e këtyre sendeve dhe sipas policisë i merrte gradualisht dhe i shiste në internet, kryesisht në platformën Vinted. Vlera e sendeve të vjedhura shkon deri në 40 mijë euro.

Gjatë kontrollit në shtëpinë, makinën dhe dollapin personal të punonjësit, policia gjeti rreth 100 objekte të vjedhura, përfshirë porcelan dhe enë luksoze që nuk shiten zakonisht për publikun.

Punonjësi u arrestua bashkë me dy persona të tjerë që dyshohet se e ndihmonin në shitjen e sendeve në internet. Të tre dolën në gjykatë më 18 dhjetor dhe do të gjykohen më 26 shkurt. Deri atëherë, atyre u është ndaluar të punojnë dhe të shesin sende në ankande. Sendet e vjedhura janë kthyer në Pallatin Elysee. m.p.

21:22 Flet i riu që iu bashkua Foltoreve të Salianjit: Qëllimi i lëvizjes është që PD të jetë fituese

By: MB
21 December 2025 at 21:22

Oresti Berberi, anëtar i kryesisë së FRPD në një intervistë në “Newsroom” në ABC News foli për situatën në PD dhe lëvizjen e Ervin Salianjit.

Gjatë intervistës ai tha se lëvizja e Salianjit është e domosdoshme për PD. Ndërsa shtoi se PD ka nevojë për një riorganizim dhe frymë të re.

“Kam mbështetur qëllimin e Salianjit për të pasur një riorganizim të PD, një frymë të re. Lëvizja e Ervin Salianjit ka bërë që PD të mbledhë forcat. Akuzat e Berishës vijnë në panik e sipër, jo vetëm nga lideri, por edhe nga njerëzit që mban pranë vetes. Akuzat kanë qenë pa baza pa prova e fakte konkrete”, u shpreh ai.

Më tej nënvizoi se PD ka një sërë problematikash, duke shtuar se qëllimi kryesor është fitorja e PD.

“Lëvizja mbështetet nga anëtarët e PD, simpatizantët e saj. Duhet rienergjizim me emra të rinj në PD. Pasi në këtë parti ka një sërë problematikash, por qëllimi kryesor është fitorja e PD. Në parti nuk ka mekanizëm, as struktura. Prandaj është nevoja për ripërtëritje, duhet një ndryshim real brenda në PD dhe kjo kërkon një mbështetje reale”, tha ai. m.p.

21:19 Zbardhet vrasja e Pavlin Prekës në Shkodër. Pas 10 muajsh, arrestohen dy autorët e dyshuar

By: MB
21 December 2025 at 21:19

Policia ka zbardhur pas 10 muajsh vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka, ngjarje e rëndë e ndodhur më 27 shkurt 2025 në fshatin Guci e Re.

Sipas policies, janë vënë në pranga dy autorët e dyshuar të krimit, shtetasit Klaudio Lisaj, 20 vjeç, banues në fshatin Mgull, dhe Vasel Koçeku, 43 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri. Të dy akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, si dhe armëmbajtje pa leje, shkruan A2.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Shkodrës, rezulton se Pavlin Preka është vrarë me armë zjarri, të dyshuar me silenciator, brenda oborrit të banesës së familjes së tij. Në momentin e krimit, 20-vjeçari ndodhej i vetëm në shtëpi prej disa ditësh, pasi babai dhe vëllai i tij i mitur ishin në zonën e Dukagjinit, ku familja mban bagëtitë.

Trupi i pajetë i Pavlin Prekës u gjet pas mesditës së 27 shkurtit 2025. Që prej asaj dite, policia kishte vijuar hetimet intensive për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së krimit.

Operacioni policor u realizua nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësinë Shkodër, Forcën e Posaçme “Shqiponja”, si dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër. m.p.

21:09 Gripi i shpendëve po përhapet me shpejtësi në Mbretërinë e Bashkuar, Evropa e furnizon me gjela deti

By: MB
21 December 2025 at 21:09

Disa nga supermarketet kryesore të Mbretërisë së Bashkuar janë detyruar të furnizohen me gjela deti nga pjesë të tjera të Evropës për të mbajtur raftet plot këtë Krishtlindje, ndërsa gripi i shpendëve është përhapur me shpejtësi në vend.

Zinxhirët e mëdhenj të marketeve thuhet se po furnizohen me mish gjeli të importuar nga Evropa kontinentale për të siguruar furnizim të mjaftueshëm për vaktet festive.

Shitësit me pakicë shpesh ruajnë në magazinë produkte të importuara për të siguruar një shumëllojshmëri të gjerë për klientët e tyre gjatë periudhës së Krishtlindjeve, sipas një zëdhënësi të Këshillit Britanik të Shpendëve.

Më pak se tre muaj në fillim të këtij sezoni, ka pasur 70 raste të konfirmuara të gripit të shpendëve në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Kjo shifër është afër 81 rasteve të regjistruara në të gjithë sezonin e mëparshëm, i cili zgjati nga 1 tetori 2024 deri më 30 shtator të këtij viti. m.p.

20:53 Tomor Alizoti: Të protestojmë për t’u thënë që nuk jemi si ju!

By: MB
21 December 2025 at 20:53

Deputeti i PD, Tomor Alizoti, në një postim në rrjetin social facebook, ka përsëritur apelin e kolegëve të opozitës drejtuar qytetarëve, që të hënën në orën 18:00 të protestojnë në bulevardin e madh përpara kryeministrisë, kundër qeverisë.

Alizoti shkruan se protesta e nesërme nuk ka të bëjë me pushtetin por me dinjitetin.

“Ky kryeministër mafioz po e sfidon hapur vendin. Po përpiqet të tregojë se Shqipëria është një territor i kalbur, ku qytetarët janë aq të varfër sa pranojnë vjedhjen e tij. Po përpiqet të na barazojë të gjithëve me veten e tij, të na quajë hajdutë, pjesë të ingranazhit të tij mafioz”, shkruan Alizoti.

Postimi i plotë

Sot nuk ka asnjë shqiptar dhe asnjë i huaj që informohet për Shqipërinë, që nuk e di se Edi Rama është një hajdut ordiner, kreu i një karteli të mirëorganizuar, që vjedh si një derr i pangopur. Sot nuk ka asnjë njeri të arsyeshëm, të papërfshirë financiarisht, që të mos e ketë të qartë si drita e diellit se lideri i “Rilindjes” është përfaqësuesi i fundit i sojit më të ndyrë që ka prodhuar ky vend.

Edhe pse i rrëzuar nën rrenojat e korrupsionit galopant, edhe pse i kapur gafil si hajdut ordiner që grabit popullin më të varfër të Europës, ai vazhdon të rezistojë, të mbijetojë si një vemje e neveritshme. Dalja e tij e fundit mediatike, në një ligjëratë të vetmuar dhe të pështirë, e tregoi qartë: ai nuk do të tërhiqet. Përkundrazi, është gati ta tërheqë zvarrë edhe partinë e tij në hendekun e turpit ku është zhytur vetë.

Bashkëqytetarë, protesta e nesërme nuk ka të bëjë me pushtetin. Ka të bëjë me dinjitetin. Ky kryeministër mafioz po e sfidon hapur vendin. Po përpiqet të tregojë se Shqipëria është një territor i kalbur, ku qytetarët janë aq të varfër sa pranojnë vjedhjen e tij. Po përpiqet të na barazojë të gjithëve me veten e tij, të na quajë hajdutë, pjesë të ingranazhit të tij mafioz.

Ai kërkon të provojë se “jemi të gjithë njësoj”. Nuk jemi.

Ndaj nesër është dita e protestës, jo për pushtetin e opozitës, por për dinjitetin tonë. Për t’i treguar Edi Ramës se vetëm ai dhe shpura e tij e ndyrë janë përfituesit e trafikut, korrupsionit dhe hajdutërisë. Shqipëria është e varfër, po, por nuk duhet të jetë kurrë e përdhunuar nga kartelet e kokainës dhe e nënshtruar ndaj dhunës së korrupsionit galopant.

Nesër është dita e dinjitetit. Dita për të dalë në shesh dhe për t’u thënë qartë: nuk jemi si ju. Nuk pranojmë të na shkelni. Fundi i trafikantëve dhe hajdutëve po vjen. m.p.

20:44 Franc Nuri: Pushteti është i gatshëm të shkatërrojë çdo gjë!

By: MB
21 December 2025 at 20:44

Nga Franci Nuri

Këshilltar i Grupit Parlamentar të PD

Drejtues i Departamentit të Drejtësisë në PD

Skandali i verërave ultra luksoze që dyshohet se konsumohen në rrethin më të ngushtë të pushtetit të Ramës, nuk është një episod periferik dhe as një kuriozitet mondan për rubrikat rozë të medias.

Ai është një simptomë politike. Një shenjë e qartë e një pushteti që prej kohësh ka humbur kontaktin me realitetin shoqëror, moral dhe ligjor të Shqipërisë.

Deklaratat publike të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, të cilat në kohën kur u bënë u trajtuan nga shumëkush si ekzagjerime apo retorikë hakmarrëse, sot marrin një kuptim krejt tjetër.

Kur flitet për kantina të bllokuara me shishe vere që në tregun ndërkombëtar vlejnë miliona euro të sekuestruara (që më pas çuditërisht i shpëtojnë doganave/policisë), nuk kemi më të bëjmë me hamendësime, por me një tablo që flet për krime serioze shtetërore.

Por problemi nuk qëndron vetëm tek verërat dhe luksi. Luksi është vetëm maja e ajsbergut. Ajo që e bën këtë situatë të rrezikshme për demokracinë është mënyra se si pushteti i Edi Ramës sillet përballë drejtësisë, veçanërisht në momentin kur hetimet prekin PS dhe rrethin e tij më të afërt të bashkëpunëtorëve.

Reagimi i sotëm publik i Edi Ramës ndaj kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku është një pikë kthese e madhe.

Për herë të parë, presioni ndaj drejtësisë nuk fshihet më pas deklaratave të përgjithshme, por artikulohet hapur: shumica qeverisëse mund të mos e marrë fare në shqyrtim kërkesën e prokurorëve. Ky nuk është më interpretim politik. Është deklarim force. Rama i ka hapur luftë Drejtësisë në momentin kur ajo po i afrohet më shumë se kurrë.

Në çdo shtet funksional, kërkesa e një prokurorie të posaçme për masa sigurie ndaj një zyrtari të lartë do të trajtohej me seriozitet maksimal dhe me respekt ndaj ndarjes së pushteteve. Në Shqipërinë e sotme, përkundrazi, Kryeministri del publikisht dhe vë në dyshim legjitimitetin e SPAK, motivet e prokurorëve dhe kohën e hetimit, duke e paraqitur drejtësinë si një aktor politik që “ngutet”.

Kjo sjellje nuk është e rastësishme. Ajo tregon frikën e Edi Ramës. Tregon ndërgjegjësim se fijet e hetimit nuk ndalen te një emër i vetëm. Dhe mbi të gjitha, tregon se pushteti aktual është i gatshëm të shkojë deri në fund e të shkatërrojë çdo gjë, për të mbrojtur pushtetin dhe rrethin e tij të oborrtarëvr, edhe nëse kjo do të thotë shkelje e rregullave themelore të demokracisë.

Kjo situatë më kujton në mënyrë të pashmangshme Monarkinë Absolute në Francë, në vitet e fundit para rënies së regjimit, nga Revolucioni i 1789-ës. Edhe atëherë, pushteti jetonte në luks ekstrem, i shkëputur totalisht nga realiteti i popullit dhe qytetarëve, i rrethuar nga një oborr besnikësh, servilash dhe klientësh. Edhe atëherë, drejtësia dhe ligji ishin instrumente të vullnetit të sovranit, jo mekanizma të pavarur. Edhe atëherë, sundimtarët besonin se pushteti i tyre ishte i përjetshëm. Madje besonin se ishin të dërguarit e Zotit në tokë.

Anekdota e famshme e Mbretëreshës Marie Antoinette, e cila thuhet se u shpreh “atëherë le të hanë briosh”, kur u informua për zemërimin e popullit të uritur i cili nuk kishte bukë të hante, mbetet simboli më i qartë i kësaj shkëputjeje të pushtetit absolut nga realiteti i popullit të vet. Sot, “brioshi” nuk është më një ëmbëlsirë. Është vera « Romanee-Conti », vera « Petrus » dhe gjithë simbolika e një elite politike dhe kriminale që jeton në një botë tjetër, ndërsa qeveris një shtet që kërkon llogaridhënie.

Por ndryshimi thelbësor është ky: në një republikë moderne, askush nuk ka të drejtë të vendosë veten mbi ligjin. As Kryeministri. As zëvendëskryeministrja. Asnjë shumicë parlamentare. Refuzimi i miratimit të kërkesave të arrestit të SPAK nga kjo mazhorancë, do të ishte jo thjesht një akt politik, por një precedent i rrezikshëm që minon tashmë themelet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Sjellja e mazhorancës në Komisionin e Mandateve, përpjekjet për të bllokuar aksesin e opozitës në dosjen e SPAK, relativizimi publik i rrezikut për prishje provash dhe intimidim dëshmitarësh në rastin Balluku, të gjitha këto janë pjesë e të njëjtit skenar: mbrojtja e pushtetit me çdo kusht dhe çdo çmim.

Por historia na mëson se pushtetet nuk bien sepse opozita i sulmon, por sepse humbin masën, arsyen dhe ndjenjën e kufirit. Kur pushteti fillon të sillet si pronar i institucioneve dhe jo si administrator i përkohshëm i tyre, fundi i tyre është vetëm çështje kohe.

Sot, 35 vite pas Dhjetorit ‘90, Shqipëria ndodhet përballë një tjetër prove serioze. Ose drejtësia do të lejohet të bëjë punën e saj ndaj krimeve të këtij pushteti dhe krimet e kësaj mazhorance, ose vendi do të largohet gjithnjë e më shumë nga Europa dhe SHBA, por do të rrëshqasë drejt një shteti autoritar, si Rusia apo Bjellorusia, ku ligji i nënshtrohet vullnetit të një njeriu dhe rrethit të tij të oborrtarëve!

Pikërisht për këtë arsye, reagimi qytetar është jo vetëm i ligjshëm, por i domosdoshëm. Demokracia nuk mbrohet vetëm në sallat e gjyqeve, por edhe në sheshe, me zë, me prani dhe me dinjitet.

Ndaj pjesëmarrja masive qytetare dhe protesta e qëndrueshme janë instrumente legjitime për të mbrojtur shtetin e së drejtës. Ato janë vetë demokracia në veprim.

Sepse historia ka treguar se pushtetet që pijnë verë si mbretër dhe sfidojnë drejtësinë si sundimtarë, herët a vonë përballen me gjykimin e shoqërisë dhe të historisë. Dhe ky gjykim fillon gjithmonë me zërin e qytetarëve.

Ndaj të gjithë duhet të dalin nesër 22 Dhjetor, ora 18.00 përpara Kryeministrisë, t’i tregojmë Botës që edhe Shqiptarët dinë të protestojnë si Europianë të vërtetë! m.p.

20:25 Erisa Xhixho: Të hënën protestojmë për dinjitetin dhe për të ardhmen

By: MB
21 December 2025 at 20:25

Zv/presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, përmes një mesazhi në rrjetin social facebook, bën thirrje për pjesëmarrje në protestën e 22 dhjetorit, pasi sipas saj, korrupsioni që po vjedh paratë e vendit më të varfër në Europë nuk është keqqeverisje — është krim.

“Tuneli i Llogarasë thith 75 milionë euro, ndërsa pensionistëve u jepet vetëm një panine. Rrugët “e florinjta” shemben nga korrupsioni, pa asnjë përgjegjësi.

50% e qytetarëve mezi mbyllin muajin, ndërsa Kryeministri pi verë 33 mijë euro.

TVSH është 20% për bukën, vajin, vezët e qumështin; 0% për oligarkët.

Në Onkologjik mungojnë ilaçet, por qeveria ka 4.2 milionë euro për “Kopshtin Eden” te Kryeministria.

Fëmijët shkojnë në shkollë me thika në vend të librave, sepse shteti ka dështuar”, shkruan Xhixho. m.p.

20:17 Bardhi publikon pjesë nga dosja e AKSHI-t: Rama ka rënë në rrjetë

By: MB
21 December 2025 at 20:17

Gazment Bardhi publikon pjesë nga dosja e AKSHI-t: Nga “Palloshi i gjatë” i Belinda Ballukut, tek “Kapo” i Ergys Agasit! Edi Rama ka rënë në rrjetë dhe është në hall të madh. Agasi vetëm për një tender sekret përfitoi 30.2 milion euro si taksë korrupsioni.

Reagimi i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi

Nga “Palloshi i gjatë” i Belinda Ballukut, tek “Kapo” i Ergys Agasit! Edi Rama ka rënë në rrjetë dhe është në hall të madh. Largimi i tij i menjëhershëm është shpëtimi i vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai ka kryer genocid ndaj Buxhetit të Shtetit dhe parave të qytetarëve shqiptarë!

Dosja e AKSHI-t provon se skema korruptive e ndjekur është identike me atë që kemi parë edhe në çështjet e tjera. Paracaktim i kritereve, paracaktimi i fitueseve, dyfishimi i fondit limit, ndarja e parave mes kompanisë fituese dhe autoritetit që përcakton fituesin. Sepse korrupsioni nuk është një akt i izoluar i Belinda Ballukut apo dikujt tjetër, por skemë qeverisjeje e Edi Ramës.

Logjika që ndiqet është se, nëse shërbimi kushton 2 milion, fondi limit bëhet 4 milion. Pra, taksa e korrupsionit merret po nga paratë e Buxhetit të Shtetit, jo nga vlera e fitimit të kompanive private.

Sipas SPAK-ut vetëm për 9 muaj, për periudhën 11.12.2024-26.9.2025, përmes kësaj skeme, vetëm nga fondet e AKSHI-t, Ergys Agasi, krahu i djathtë i lidhjeve me krimin e organizuar i Edi Ramës, ka përfituar plot 30.2 milion euro. Po po, 30.2 milion euro për 9 muaj ka përfituar taksë korrupsioni vetëm nga AKSHI, për një tender sekret që fondin limit ia kanë caktuar 60 milion euro.

Kjo nuk është vjedhje! Ky është genocid ndaj Buxhetit të Shtetit. Prandaj nuk kanë fonde për të rritur pensionet dhe pagat. Prandaj nuk kanë fonde për t’u dhënë punonjësve të shtetit shpërblim për fundvit, prandaj s’kanë fonde për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Këta nuk janë Qeveri. Këta janë një bandë që ka marrë peng vendin përmes një Kryeministri të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, që ndryshe nga Belinda Balluku që e quante “Palloshi i gjatë”, Ergys Agasi e respektonte dhe e quante “Kapo”! Prandaj, ka nisur pengimin e drejtësisë, sepse e ka kuptuar që ka rënë në rrjetën e drejtësisë, në mos si “Palloshi i gjatë”, ka rënë si “Kapo”! m.p.

19:51 Mbrojtësi i Interit kërkohet nga 3 klube big: “Dua Champions League”

By: MB
21 December 2025 at 19:51

Mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni, po tërheq interes të madh nga disa nga klubet më të mëdha europiane, përfshirë Manchester City, Barcelona dhe Bayern Munich.

Italiani ka treguar se aftësitë e tij në mbrojtje dhe lojtari i plotë që është në defensivë e bëjnë atë një objektiv tërheqës për gjigantët e futbollit.

Këtë javë, Bastoni deklaroi se ëndrra e tij kryesore është të fitojë Champions League, duke treguar ambiciet e mëdha personale dhe dëshirën për t’u ngjitur në majat e futbollit europian.

Kjo dëshirë mund të ndikojë në të ardhmen e tij dhe në vendimin për një transferim gjatë merkatos së verës. m.p.

19:45 Problemi i rinisë shqiptare: duan milionat që muajin e parë

By: MB
21 December 2025 at 19:45

Ka një sërë këndvështrimesh mbi mënyrën se si rrjetet sociale ndikojnë shoqërinë tonë, si pozitivisht, ashtu edhe negativisht.

Në fund të fundit, disa njerëz kalojnë orë të tëra çdo ditë në këto platforma, ndaj duhet të jemi të vetëdijshëm për ndikimin e tyre. Tashmë, ndikimet kanë prekur edhe zakonet tona në shpenzime, kursime dhe investime.

Rrjetet sociale shpesh tregojnë një version të kuruar dhe të ekzagjeruar të realitetit. Njerëzit rrallë postojnë mbi problemet e sjelljes së fëmijëve në shkollë apo për stresin kur kujdesen për prindërit e moshuar.

Ata postojnë për pushime luksoze, vende të shkëlqyera në ndeshje sportive dhe mbrëmje të shtrenjta. Kjo krijon një ndjenjë të shtrembëruar të asaj që është “normale” dhe mund të çojë në një presion të pavetëdijshëm për të mbajtur hapin.

Le të marrim një shembull: ndiqni miq ose influencues që udhëtojnë nëpër botë, qëndrojnë në hotele më të mira dhe hanë në restorante luksoze. Ndoshta, pa e kuptuar, kjo ndikon në mënyrën se si ndiheni për pushimin “normal” që bëni në plazh, edhe pse e keni shijuar për vite me radhë.

Ose ndoshta gjatë festave shihni postime të miqve që kalojnë kohë në shtëpitë e tyre në bregdet. Mund të filloni të mendoni se të kesh një shtëpi të dytë është më e zakonshme dhe më e nevojshme sesa është në të vërtetë.

Sociologia Marsida Simo rikujton se, rrjetet sociale theksojnë momentet më të bukura të jetës së dikujt dhe jo realitetin e tyre të përditshëm.

“Duke qenë se jemi të ekspozuar vazhdimisht në rrjete të ndryshme sociale, kemi krijuar një realitet të përsosur, ku njerëzit tregojnë vetëm momentet më të bukura, shpenzimet luksoze dhe arritjet më mbresëlënëse.

Ky efekt nuk është thjesht një ndjesi momentale, por prek thellë psikologjinë njerëzore”, – thotë sociologia, duke theksuar se, ndikimi i rrjeteve sociale në mënyrën se si i shohim paratë, shpenzimet dhe investimet është i pamohueshëm.

“E gjitha kjo krijon një ndjesi krahasimi të vrazhdë duke e çuar individin në pakënaqësi, pamjaftueshmëri dhe çoroditje. Paraja dhe pasuria, përtej funksionit praktik, transformohen në një standard social.

Ajo që shohim te të tjerët në botën virtuale, duket gjithmonë më e madhe, më e bukur dhe më e arritshme se ajo që kemi ne”, – vijon znj. Simo.

Ajo ndalet te të rinjtë, duke nënvizuar se ky efekt është veçanërisht më i fuqishëm.

“Ata janë në fazën e formimit të identitetit dhe krahasimi social mund të ndikojë jo vetëm te vetëvlerësimi, por edhe te vendimet financiare, duke i rritur shanset për shpenzime impulsive. E gjitha kjo për të qëndruar në atë nivel që kanë formuar si imazh prej personave të famshëm që ndjekin”, – thekson znj. Simo.

Sociologia bën thirrje se edukimi financiar i hershëm duhet bërë domosdoshmëri – i ndihmon të rinjtë të kuptojnë diferencën mes dëshirave dhe nevojave, të menaxhojnë buxhetin dhe të planifikojnë investime të mençura.

“Njohuritë mbi kursimin, planifikimin dhe investimet janë po aq të rëndësishme sa njohuritë mbi teknologjinë dhe përdorimin e rrjeteve sociale.

Këto njohuri do t’u shërbejnë si një filtër, duke i bërë më të kujdesshëm në vendimet e tyre financiare, të veprojnë me etikë, të shmangin mashtrimet dhe të reduktojnë rreziqet e pakthyeshme”, – përfundon znj. Simo.

Një nga fenomenet që po vërehet gjithnjë e më shumë është “dismorfia e parasë”, ku individët ndihen financiarisht të pasigurt edhe në kushte kur janë realisht të qëndrueshëm.

“Kjo ndodh sepse krahasimi nuk bëhet më me mjedisin natyror ekonomik ku jeton individi, por me standardet globale të luksit, të cilat qarkullojnë me intensitet të madh në rrjetet sociale.

Si pasojë, krijohet një ndjenjë privimi relativ që nuk është produkt i realitetit, por i imazheve të kuruara që nxisin presionin për të konsumuar mbi mundësitë”, – thotë për “Monitor”, eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa.

Rrjetet sociale po ndikojnë gjithnjë e më fort edhe në sjelljen financiare të familjeve.

Eksperti thotë se, shpenzimet impulsive, kreditë e marra për të mbuluar shpenzime joproduktive, apo investimet e nxituara në produktet që promovohen online, janë vetëm disa nga rreziqet që po shfaqen.

“Në një ekonomi të vogël si ajo shqiptare, kjo sjellje mund të krijojë tensione të panevojshme financiare tek individët dhe familjet dhe të deformojë prioritetet e tyre ekonomike.

Nga këndvështrimi i politikave publike dhe edukimit financiar, sfida kryesore është ndërtimi i një kulture ekonomike ku individët të kuptojnë se pasuria nuk matet me imazh, por me stabilitet, kursim dhe investim afatgjatë.

Është e rëndësishme që përdoruesit të kultivojnë një qasje kritike ndaj përmbajtjeve që konsumojnë dhe të ndërtojnë objektiva personale financiare të bazuara në realitetin e tyre, jo në modelet e krijuara në platforma digjitale”, – thotë z. Xhepa. m.p.

19:28 Arsenali do të shesë një nga yjet e tij kryesorë në janar?

By: MB
21 December 2025 at 19:28

Lajme tronditëse kanë përfshirë qarqet e futbollit anglez, me Arsenalin që, sipas raportimeve, është i gatshëm të shesë një nga lojtarët e tij kryesorë, Gabriel Martinellin, gjatë afatit kalimtar të janarit.

Nëse këto thashetheme rezultojnë të vërteta, bëhet fjalë për një nga transferimet më të bujshme të afatit të dimrit.

Sipas mediave angleze, trajneri Mikel Arteta ka marrë vendim për të nxjerrë në shitje anësorin brazilian. Gazetari turk Sercan Hamzaoglu shkon edhe më tej, duke deklaruar se Martinelli tashmë i është ofruar gjigantit turk, Fenerbahce. m.p.

❌
❌