Normal view

Shkarkimi, ish-kryebashkiaku i Vorës fiton gjyqin për pagat e 4 viteve

By: user 5
4 July 2025 at 20:06

Ish-kryetari i Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, i cili u shkarkua në vitin 2019 pas zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, ka fituar një proces gjyqësor ndaj institucioneve shtetërore. Sipas një vendimi të Gjykatës Administrative të Tiranës, shkarkimi i Kajmakut nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është shpallur i padrejtë.

Si pasojë, Bashkia Vorë dhe Këshilli i Qarkut Tiranë janë detyruar të dëmshpërblejnë Kajmakun me të gjitha pagat e një mandati të plotë 4-vjeçar, pavarësisht se ai shërbeu vetëm 3 muaj në detyrë. Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të paguajë kompensim moral prej 15 mijë euro për Kajmakun dhe nga 7 mijë euro për bashkëshorten dhe djalin e tij, për dëmin emocional që u është shkaktuar.

Kajmaku u shkarkua më 1 nëntor 2019, pasi Prokuroria e Përgjithshme zbuloi se gjatë qëndrimit në Greqi ai kishte përdorur emrin Jorgo Toto, i dënuar për falsifikim parash. Këtë informacion ai nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit, çka përbënte shkelje të ligjit.

Në atë kohë, kryeministri Edi Rama mbështeti vendimin e KQZ, duke theksuar se institucioni kishte treguar integritet në zbatimin e ligjit dhe se Partia Socialiste nuk mund të bëhej strehë për askënd që shkel ligjin.

“KQZ ka provuar sot përsëri, se është një institucion i shtetit shqiptar që mbron ligjin dhe interesin publik, jo vegla e vjetër e partive siç ishte deri dje? Po ashtu Partia Socialiste ka riprovuar sot, se s’bëhet strehë e askujt që merr përsipër të shkelë ligjin e besimin tonë”, tha Rama asokohe, përmes një postimi në Twitter./Shqiptarja.com

The post Shkarkimi, ish-kryebashkiaku i Vorës fiton gjyqin për pagat e 4 viteve appeared first on Lapsi.al.

Përfundon rinumërimi në Durrës, nuk ndryshon ndarja e mandateve

By: user 5
4 July 2025 at 19:59

Ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Durrësit, si pjesë e verifikimeve paszgjedhore nga KAS.

Sipas rezultateve zyrtare, Partia Demokratike ka humbur 18 vota, ndërsa Partia Socialiste ka humbur 5 vota.

Ndryshimet janë të vogla dhe nuk ndikojnë në ndarjen e mandateve, por vijnë si pjesë e një procesi transparence dhe kontrolli për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

The post Përfundon rinumërimi në Durrës, nuk ndryshon ndarja e mandateve appeared first on Lapsi.al.

Grabitje me vlerë 1 milion paund, arrestohen 3 shqiptarë në Britani

By: user 5
4 July 2025 at 19:44

Policia ka arrestuar katër persona në Midlands pas një vale vjedhjesh me vlerë të lartë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Ekipet nga Cheshire, Staffordshire, Derbyshire dhe Nottinghamshire ekzekutuan urdhër-arreste të shumta në adresa në Walsall, Sutton Coldfield dhe Birmingham. Tre shqiptarë dhe një grua 33-vjeçare britanike u arrestuan, ndërsa u sekuestruan edhe një disa orë dhe çanta me vlerë të lartë.

Sipas medias britanike të cilës i referohet Top Channel, të katër të dyshuarit u arrestuan me dyshimin për vjedhje me forcë dhe u dërguan në paraburgim.

Endrit Nikolli, 27 vjeç, Kristian Gropcaj, 30 vjeç, George Pepa, 30 vjeç, dhe Jade Tubb, 33 vjeç, janë akuzuar të gjithë vjedhje midis nëntorit 2024 dhe marsit 2025.

Policia kreu arrestimet si pjesë e një hetimi për 37 vjedhje me dhunë të objekteve me vlerë të lartë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar midis tetorit 2024 dhe marsit 2025.

Të gjitha vjedhjet përfshinin vlera totale më shumë se 1 milion paund.

The post Grabitje me vlerë 1 milion paund, arrestohen 3 shqiptarë në Britani appeared first on Lapsi.al.

Fundjavë përvëluese, temperatura deri në 39 gradë celcius

By: user 5
4 July 2025 at 19:41

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak (SHMU), ditën e shtunë, më 5 korrik, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme dhe me temperatura të larta.

Moti parashikohet të jetë kryesisht i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në orët e mesditës deri në ato të pasdites do të ketë alternime të vranësirave të pakta deri mesatare, kryesisht në zonat malore.

Temperaturat pritet të jenë mjaft të larta, duke shënuar vlera maksimale që arrijnë deri në 39°C në disa qytete si Elbasani, Shkodra, Berati dhe Gjirokastra.

Qytetet bregdetare si Vlora, Durrësi dhe Saranda do të kenë temperatura maksimale deri në 35°C-37°C, ndërsa në zonat malore, si Peshkopia, pritet të regjistrohen vlera maksimale deri në 37°C.

Era do të fryjë nga drejtimi jugperëndim – veriperëndim me shpejtësi mesatare 4 m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet hera-herës pritet të arrijë shpejtësi deri në 5-7 m/s.

Sa i përket gjendjes së detit, valëzimi do të jetë i ulët, me forcë 1-2 ballë.

The post Fundjavë përvëluese, temperatura deri në 39 gradë celcius appeared first on Lapsi.al.

Macron viziton Britaninë e Madhe javën e ardhshme

By: user 5
4 July 2025 at 19:38

Presidenti francez Emmanuel Macron do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe nga e marta deri të enjten, me një agjendë të ngarkuar politike që përfshin një fjalim në parlamentin britanik dhe njoftime të rëndësishme për çështje të mbrojtjes dhe emigracionit.

Vizita vjen në një moment kur Britania, nën drejtimin e kryeministrit të ri Keir Starmer, synon të rindezë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian pas Brexit-it. Macron u ftua nga Mbreti Charles III dhe do të jetë lideri i parë i një shteti anëtar të BE-së që viziton zyrtarisht Britaninë që prej daljes së saj nga unioni në vitin 2020, një sinjal i fortë i afrimit mes dy vendeve, sipas Parisit.

Përveç pritjes zyrtare dhe darkës së shtetit në Kalanë e Windsor-it, ngjarjet kryesore të vizitës përfshijnë fjalimin e Macron në Parlament dhe një samit franko-britanik që do të fokusohet te çështjet e sigurisë dhe emigracionit.

Dy vendet pritet të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, në kuadër të marrëveshjeve të Lancaster House të vitit 2010, të cilat do të përshtaten me realitetin e ri strategjik të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Fokus i veçantë do t’i jepet bashkëpunimit në fushën bërthamore, operacionale dhe teknologjike – përfshirë ndërtimin e përbashkët të raketave.

Të enjten, Macron dhe Starmer do të bashkëdrejtojnë një takim virtual nga baza ushtarake Northwood për të koordinuar ndihmën e vendeve vullnetare ndaj Ukrainës.

Sa i përket çështjes së emigracionit, një pikë e nxehtë mes Francës dhe Britanisë, Parisi kërkon të ketë të drejtën të ndërhyjë deri në 300 metra nga bregdeti për të ndalur mjetet e mbushura me emigrantë. Vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar mbi 36.800 mbërritje në brigjet britanike, një rritje me 25% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa 78 emigrantë kanë humbur jetën, një numër rekord.

The post Macron viziton Britaninë e Madhe javën e ardhshme appeared first on Lapsi.al.

PD kërkesë KQZ-së: Duam pamjet filmike për të gjitha zarfet e diasporës dhe QV

By: user 5
4 July 2025 at 19:31

Partia Demokratike i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkon vënien në dispozicion të pamjeve filmike nga të gjitha qendrat e votimit në vend, si dhe informacion të detajuar mbi mënyrën e kthimit të zarfeve të votave të diasporës, nëse janë dorëzuar dorazi apo përmes kanaleve të autorizuara si DHL.

Në këtë kërkesë, PD ka përfshirë edhe një ankesë kundër kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, duke e akuzuar se jo vetëm nuk ka vënë në dispozicion materialet e kërkuara, por edhe se një pjesë e pamjeve filmike rezulton me ndërprerje, veçanërisht në pjesët ku zhvillohet procesi i numërimit të votave, duke ngritur dyshime për ndërhyrje të qëllimshme.

Për kërkesën është vënë në dijeni edhe misioni i OSBE/ODIHR, ndërsa dokumenti është dorëzuar zyrtarisht nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri. Kërkesa pritet të shqyrtohet në vijim nga KQZ.

The post PD kërkesë KQZ-së: Duam pamjet filmike për të gjitha zarfet e diasporës dhe QV appeared first on Lapsi.al.

Trafiku i drogës, arrestohet i riu shqiptar në Itali

By: user 5
4 July 2025 at 19:16

Një 33-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane, pasi akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike. Sipas media italiane i riu ishte emër i njohur për autoritetet, pasi edhe më parë ishte proceduar për të njëjtën vepër penale.

Gjatë shërbimit të patrullave, u pikas lëvizja e dyshimtë e 33-vjeçarit që po lëvizte në këmbë. Menjëherë ata vendosën ta kontrollonin fizikisht dhe i gjetën në trup një sasi prej 20 gramësh kokainë, të ndarë në doza.

I arrestuari, pasi kishte përfunduar procedurat formale, me urdhër të Autoritetit Gjyqësor, u transferua në qelitë e sigurisë së Stacionit të Karabinierëve të Aprilias, në pritje të seancës dëgjimore për të vërtetuar arrestimin me një gjykim të drejtpërdrejtë.

The post Trafiku i drogës, arrestohet i riu shqiptar në Itali appeared first on Lapsi.al.

Shembet ndërtesa, shtatë persona të vdekur dhe tetë të plagosur në Pakistan

By: user 5
4 July 2025 at 18:58

Të paktën shtatë persona u vranë dhe tetë u plagosën kur një ndërtesë pesëkatëshe u shemb në qytetin më të madh të Pakistanit. Sipas mediav të huaja reth 100 persona jetonin në ndërtesë dhe reth 8 ose 10 persona mund të jenë të bllokuar nën rrënoja. Gjithashtu banorët e qytetit kanë shkuar në vendngjarje duke u përpjekur t’i të shpëtojnë personat nën rrënoja.

“Gruaja ime më telefonoi dhe tha që ndërtesa po çahej dhe unë i thashë të dilte menjëherë”, tha një person, duke qëndruar para rrënojave të ndërtesës së apartamenteve.

Po ashtu ekipet e shpëtimit nxorën shtatë trupa nga rrënojat.

“E gjithë familja ime u varros nën rrënoja dhe e vetmja gjë që mund të bëj është të lutem që të gjenden gjallë”,tha një person tjetër.

Në qershor të vitit 2020, të paktën 18 persona humbën jetën kur një ndërtesë me 40 apartamente u shemb në të njëjtën zonë. Shembjet e çatisë dhe të ndërtesave janë të zakonshme në Pakistan, kryesisht për shkak të rregulloreve të dobëta të sigurisë dhe materialeve të ndërtimit me cilësi të dobët të përdorura në vendin e Azisë Jugore me më shumë se 240 milionë banorë.

The post Shembet ndërtesa, shtatë persona të vdekur dhe tetë të plagosur në Pakistan appeared first on Lapsi.al.

Media zviceriane për kampet: Jashtëzakonisht të shtrenjtë dhe nuk funksionojnë!

By: user 5
4 July 2025 at 18:43

Media zvicerane “NZZ” ka bërë një analizë lidhur me marrëveshjen Itali-Shqipëri për emigrantët dhe ecurinë e saj. Në artikull shkruhet se qeveria italiane e ndërtoi këtë qendër për të përpunuar kërkesat për mijëra emigrantë në procedurat e përshpejtuara të azilit dhe së bashku me qendrën simotër në Shëngjin, vetëm pak kilometra larg në bregdet, mund të përpunohen 36,000 aplikime çdo vit.

Media thekson se deri më tani, asnjë kërkesë e vetme për azil nuk është përpunuar në Gjader, por është shpenzuar vetëm një sasi e madhe parash. Sipas “NZZ”, qendrat në qytetet shqiptare të Shëngjinit dhe Gjadër fillimisht kishin për qëllim të lejonin që disa prej emigrantëve që mbërrinin në Itali me anije t’i nënshtroheshin një procesi të përshpejtuar azili.

Megjithatë, shtohet në artikull, problemet ligjore i shtynë gjyqtarët italianë të ndalonin qeverinë të ndalonte emigrantët në qendra. Media zvicerane shkruan se pasi dështoi tre herë në ndalimin e azilkërkuesve në Shqipëri, qeveria italiane ndryshoi kurs dhe qendrat u bënë vende ku emigrantët e refuzuar regjistrohen dhe përgatiten për deportim.

Gjithashtu në artikull shkruhet se në një kohë kur gjithnjë e më shumë qeveri në BE janë zhvendosur djathtas dhe kanë miratuar qëndrime anti-emigracion, nevoja për të gjetur strategji të reja është e madhe dhe meqenëse asnjë vend i BE-së nuk ka arritur ende të hapë qendra azili në një vend të tretë, pati një interes të konsiderueshëm për iniciativën e Melonit.

Artikulli i plotë i “NZZ”:

Në qetësinë e brendësisë së Shqipërisë, rrëzë një mali të thyer, ngrihet “Kafazi i Gjadrit”, siç e quajnë gazetat italiane qendrën e deportimit. Gardhe të larta me rrjetë teli rrethojnë ndërtesa që ngjajnë me kontejnerë të grumbulluar, të vendosur mbi pllaka betoni të zhveshura. Qeveria italiane e ndërtoi këtë “kafaz” për të përpunuar kërkesat për mijëra emigrantë në procedurat e përshpejtuara të azilit. Së bashku me qendrën simotër në Shëngjin, vetëm pak kilometra larg në bregdet, mund të përpunohen 36,000 aplikime çdo vit. Theksi është te “mund”. Meqenëse deri më tani, asnjë kërkesë e vetme për azil nuk është përpunuar në Gjader, është shpenzuar vetëm një sasi e madhe parash.

Për të qenë të saktë: më shumë se dyfishi i shumës së planifikuar fillimisht. Kjo u zbulua nga një raport i platformës hetimore holandeze “Follow the Money” këtë javë. Sipas raportit, Roma pagoi 74.2 milionë euro për ndërtimin e objektit, që barazohet me 72,461 euro për shtrat. Në krahasim, ndërtimi i një qendre emigracioni në qytetin sicilian të Modikës, i cili u përfundua pak më parë, kushtoi vetëm 6,400 euro për shtrat – një e njëmbëdhjeta e kësaj shume, sipas botimit.

Politikat e Melonit tani janë të përhapura në BE

Deri më tani, ky zbulim nuk ka bërë asnjë dëm. Përkundrazi. Në samitin e BE-së të së enjtes, kancelari i ri gjerman, Friedrich Merz, mori pjesë për herë të parë në një tryezë të rrumbullakët mbi emigracionin të thirrur nga Meloni. Meloni ka kohë që i organizon këto takime përpara samiteve zyrtare të BE-së, në mënyrë që krerët e shteteve dhe qeverive të mund të konsultohen posaçërisht mbi luftimin e emigracionit të parregullt dhe të koordinojnë qëndrimet e tyre.

Ndërsa paraardhësi i tij, Olaf Scholz, qëndroi larg këtyre takimeve, pjesëmarrja e Merz tregon se qëndrimet dhe metodat e Melonit kundër emigracionit kanë hyrë në rrjedhën kryesore të BE-së. I ashtuquajturi “Modeli i Shqipërisë” është projekti i saj kryesor sepse tregon se Meloni është e gatshme të hapë rrugë të reja – edhe pse qendrat e deportimit nuk po funksionojnë siç është planifikuar deri më tani, dhe është e dyshimtë nëse do të funksionojnë ndonjëherë.

Qendrat në qytetet shqiptare të Shëngjinit dhe Gjadër fillimisht kishin për qëllim të lejonin që disa prej emigrantëve që mbërrinin në Itali me anije t’i nënshtroheshin një procesi të përshpejtuar azili. Megjithatë, problemet ligjore i shtynë gjyqtarët italianë të ndalonin qeverinë të ndalonte emigrantët në qendra. Pasi dështoi tre herë në ndalimin e azilkërkuesve në Shqipëri, qeveria ndryshoi kurs: Qendrat u bënë vende ku emigrantët e refuzuar regjistrohen dhe përgatiten për deportim.

Por projekti ka një tërheqje të konsiderueshme. Në një kohë kur gjithnjë e më shumë qeveri në BE janë zhvendosur djathtas dhe kanë miratuar qëndrime anti-emigracion, nevoja për të gjetur strategji të reja është e madhe. Dhe meqenëse asnjë vend i BE-së nuk ka arritur ende të hapë qendra azili në një vend të tretë, pati një interes të konsiderueshëm për iniciativën e Melonit: 15 vende të BE-së më pas i bënë thirrje Komisionit të BE-së që të miratonte modelin e saj si një model për të gjithë BE-në.

Meloni e shfrytëzoi këtë me zgjuarsi. Gjëja interesante në lidhje me raportin “Ndiqni Paratë” është se ai justifikon dyfishimin e kostove për ndërtimin e qendrave duke përmendur nxitimin e Romës për t’i hapur ato. Mesa duket, kjo ndodhi sepse qeveria ishte në dijeni të fuqisë simbolike të projektit. Në urdhrin zyrtar të punës për inxhinierët e porositur, Ministria e Mbrojtjes theksoi “domosdoshmërinë dhe urgjencën e jashtëzakonshme” të projektit si një përgjigje ndaj një emergjence emigrimi.

Në fakt, qeveria e Melonit ishte nën një presion të jashtëzakonshëm: Kur ajo prezantoi “Modelin e Shqipërisë” në fillim të nëntorit 2023, Meloni kishte qenë në pushtet prej një viti. Ajo fitoi zgjedhjet pjesërisht sepse u paraqit si një kundërshtare e ashpër e emigracionit dhe premtoi të vendoste një “bllokadë anijesh” kundër anijeve me emigrantë.

Realiteti ishte ndryshe: Në vitin 2023, 157,651 njerëz mbërritën në Itali nëpërmjet Mesdheut. Viti i parë i plotë i Melonit në pushtet ishte gjithashtu viti në të cilin më shumë emigrantë zbarkuan në brigjet e Italisë sesa në kulmin e krizës së refugjatëve në vitin 2016. Melonit iu desh të tregonte se po ndërmerrte veprime. Në të njëjtën kohë, ajo e gjeti veten në një pozicion të vështirë, pasi ishte e re në këtë detyrë dhe nuk mund të mbështetej ende në aleancat politike ekzistuese brenda BE-së.

60 përqind më pak emigrantë

Pjesë e strategjisë së saj ishte bashkëpunimi i ngushtë me Presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen. Të dy politikanët u morën vesh mirë që nga fillimi, dhe Meloni e shfrytëzoi këtë marrëdhënie në çështjen e emigracionit. Qeveria e saj përgatiti marrëveshje për emigracionin me Tunizinë dhe Egjiptin, të cilat von der Leyen më pas i nënshkroi në emër të BE-së – me Melonin në krah të saj. Marrëveshjet u ofrojnë ndihmë financiare qeverive nëse ato sigurojnë brigjet e tyre kundër emigrantëve që shkojnë drejt BE-së.

Organizatat ndërkombëtare i kanë kritikuar ashpër këto marrëveshje, duke besuar se ato përbëjnë bashkëfajësi të BE-së në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut kundër emigrantëve në vendet e Afrikës së Veriut. Bashkëpunimi i BE-së me disa regjime autoritare, gjë që e bën BE-në të prekshme ndaj shantazhit, është kritikuar gjithashtu. Por për Melonin, plani funksionoi, pasi numri i emigrantëve që mbërrijnë përmes Mesdheut ka rënë ndjeshëm që atëherë. Në vitin 2024, mbërritën 66,617 njerëz, rreth 60 përqind më pak se një vit më parë. Dhe deri më tani, ka pasur vetëm një rritje të lehtë në vitin 2025.

Duke përgatitur këto marrëveshje dhe “Modelin e Shqipërisë”, Meloni është “bërë lojtari më i rëndësishëm në çështjet e emigracionit në BE”, konfirmon Luca Barana i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Romë. Investimi në “Modelin e Shqipërisë” sigurisht që ka dhënë fryte politikisht për Melonin deri më tani. Projekti i ka dhënë asaj dukshmëri dhe e ka pozicionuar atë si një lojtare të vendosur në politikën e emigracionit të BE-së. Në një BE që po zhvendoset djathtas në politikën e emigracionit, modeli shërbeu si një sinjal strategjik për pretendimin e saj për lidership, pavarësisht dyfishimit të kostove.

The post Media zviceriane për kampet: Jashtëzakonisht të shtrenjtë dhe nuk funksionojnë! appeared first on Lapsi.al.

Kreu i ri i BKH, SPAK: Kandidatët më 10 korrik do të bëjnë pompa dhe vrap te RENEA

By: user 5
4 July 2025 at 17:57

SPAK njofton shtatë kandidatët për drejtorë të BKH se në datën 10 korrik do të mbahet testi fizik që do të mbikëqyret nga një prokuror i posaçëm pjesë e komisionit dhe përfaqësues të Universitetit të Sporteve.

Kandidatët do të garojnë sipas disa ushtrimeve të mëposhtme 300 metra sprint, palosje barku për 1 min, pompa dhe 2.4 kilometra vrap.

Shtatë kandidatët e ngelur në garë duhet të paraqiten herët në mëngjes në repartin e Reneas, në Yzberisht , ndërkohë që pas këtij testi ata janë edhe sporova të tjera si eseja, poligrafi dhe Vettingu.

“Para se të fillojnë testin fizik kandidatët duhet te plotësojnë një pyetësor vetëdeklarues për gjendjen e tyre shëndetësore ne momentin e testimit. Një mjek i caktuar nga Komisioni i Përzgjedhjes duhet të jetë i pranishëm për të përcaktuar nëse kandidati mund të marrë pjesë në testimin fizik.

The post Kreu i ri i BKH, SPAK: Kandidatët më 10 korrik do të bëjnë pompa dhe vrap te RENEA appeared first on Lapsi.al.

DW: Autokracia në Serbi po lëkundet

By: user 5
4 July 2025 at 17:42

“Për më shumë se gjashtë muaj mijëra vetë po protestojnë në Serbi. Ata janë jashtëzakonisht krijues në hartimin e strategjive të reja të protestës”, vlerëson media gjermane.

“Transporti publik është ndërprerë shpesh. Vetëm këtë të mërkurë, rreth tridhjetë linja u anuluan në Beograd. Çdo ditë, dhjetëra ‘terroristë’ – domethënë qytetarë që demonstrojnë paqësisht në rrugë – po arrestohen. Protestat civile të iniciuara nga studentët dhe që kanë vazhduar në të gjithë vendin për më shumë se gjysmë viti, siç janë bllokadat e universiteteve, kanë hyrë në një fazë të re – mosbindje civile.”

Gazeta gjermane vlerëson se pika e kthesës erdhi pas protestave të 28 qershorit dhe përplasjeve midis policisë dhe demonstruesve që pasuan. “Më 29 qershor, pas një nate të stuhishme, gjërat fillimisht mbetën të qeta. Autokrati Vuçiq shpalli fitoren dhe studentët numëruan kokat e përgjakura dhe të arrestuarit. Por pastaj në mbrëmje, brenda një ore, i gjithë Beogradi u bllokua, gjë që preku kryqëzimet dhe urat më të rëndësishme mbi lumin Sava. Këto bllokada kanë vazhduar.”

Bllokadat e Beogradit

“Metoda është paqësore dhe inovative, dhe po e çmend policinë plotësisht të pafuqishme”, shkruan gazeta. “Grupe qytetarësh bllokojnë rrugët dhe ngrenë barrikada në lagjet e tyre. Kur mbërrin policia, ata i binden urdhrit për t’u larguar, ia lënë pastrimin e barrikadave policisë dhe presin derisa të largohen. Kur kjo ndodh, gjithçka fillon nga e para. Policia është plotësisht e mbingarkuar. Ndërkohë bën vapë përvëluese. Policët me helmeta dhe pajisje jo vetëm që janë të rraskapitur, por ndihen edhe të poshtëruar nga kjo lojë maceje me miun.”

Tagesspiegel përfundon: “Autokracia po lëkundet. Një student 20-vjeçar e përmblodhi kështu: ‘Nuk ka asgjë më të rrezikshme për një regjim autoritar sesa kur qytetarët nuk i frikësohen më dhe kur ata tallen me autokratët.’”

DW

The post DW: Autokracia në Serbi po lëkundet appeared first on Lapsi.al.

Lufta në Ukrainë, Trump dhe Zelenskyy bisedë telefonike

By: user 5
4 July 2025 at 16:43

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy. telefonata vjen një ditë pas asaj që Trump e përshkroi si një bisedë zhgënjyese me presidentin rus Vladimir Putin.

Sipas faqes amerikane të lajmeve Axios, Trump dhe Zelenskyy diskutuan përshkallëzimin e sulmeve ruse në Ukrainë dhe furnizimin me sisteme të mbrojtjes ajrore. Shefi i stafit të Zelensky-t, Andriy Yermak, foli për një bisedë të rëndësishme midis presidentëve.

Trump, i cili javën e kaluar kishte deklaruar me bindje se Putin kërkon të zgjidhë luftën në Ukrainë, tregoi të enjten pas një telefonate të re me të se ishte i zhgënjyer, duke vlerësuar se udhëheqësi rus nuk dëshiron që lufta të mbarojë.

The post Lufta në Ukrainë, Trump dhe Zelenskyy bisedë telefonike appeared first on Lapsi.al.

Dritan Leli 2.0/ Të pathënat e ‘gjyqit politik’ me dyer të mbyllura Vlorë

By: user 5
3 July 2025 at 23:51

Çfarë ndodhi sot në Vlorë me vizitën e beftë të Edi Ramës në zyrat e bashkisë së këtij qyteti është akti i radhës i një përplasje pa kthim që mund ta çojë edhe këtë bashki në zgjedhje të parakohshme. Lapsi.al ka mësuar nga burime brenda atij takimi, detaje që të kujtojnë një tjetër përplasje të ngjashme të kryeminstrit me kryebashkiakun e atëhershëm, Dritan Leli.

Kësaj radhe protagonisti është Ermal Dredha, diplomati i cili mbërriti nga Dubai dy vite më parë për t’u zgjedhur në krye të Vlorës. Por ndryshe nga lavdet e fushatës kur e solli në Vlorë si sponosorizim të lidhjeve familjare në kupolën e PS-së, tani Edi Rama ka veç helm dhe zhgënjim për Ermal Dredhën.

Nuk ia kurseu telendisjen publikisht në oborrin e PS-së për festën e 34 vjetorit të partisë, e telendisi edhe ca më shumë sot brenda zyrave të bashkisë.

Siç na tregoi burimi ynë brenda takimit, Edi Rama ka dëgjuar pak nga Dredha dhe e ka fshikulluar shumë në sy të deputetëve e drejtuesve kryesorë të bashkisë. Dredha kërkoi të merrte fjalën i pari edhe pse nuk ishte ai në fakt që e kishte thirrur takimin.

Rama ndërkohë ia preu shkurt duke iu drejtuar me fjalët “më mirë ti fli gjumë…”. Dredha ia ktheu me fjalët “jam me 3 orë gjumë”, duke dashur t’i tregonte shefit të tij se po përkushtohej shumë në detyrën e të parit të Vlorës. Por Rama e vijoi ironinë për gjumin duke i thënë “aq më keq akoma që je dhe pa gjumë” duke lënë të nëkuptohej se kryebashkiakut i mungonte qartësia.

Si nxënësin e keq të klasës, Rama e vuri Ermal Dredhën edhe përballë shokëve e shoqeve të tij të partisë. Njërës prej deputeteve të reja të dala nga lista e mbyllur e qarkut Vlorë, Erjona Ismailit, ai i kërkoi të thoshte aty në takim gjithë të zezat që i kishte shkruar me sms për Ermal Dredhën dhe për mënyrën se si ai drejton Vlorën.

Natyrisht që deputetja rishtare e socialistëve në Vlorë dhe e patestuar aspak për peshën elektorale, nuk ia përtoi fare logorinë e kritikave kryebashkiakut Dredha. Ndonëse ky i fundit po përpiqej të jepte ndonjë argument për çdo kritikë apo problem që i faturohej, siç na tregon burimi i Lapsi.al brenda atij takimi, Ramën nuk kishte asgjë që e qetësonte. “Ti zotëri nuk na nxjerr dot nga gropa ku na ke zhytur, por të paktën mos na zhyt më shumë”, i ka thënë Rama-Dredhës.

Dëmtimi i disa investimeve në Vlorë, mungesa e ujit të pijshëm apo zjarri i përsëritur në fushën e plehrave ishin disa nga çështjet që e kanë xhindosur keq Ramën. Dhe kjo nuk është një situatë e krijuar rishtaz, por e akumuluar për një kohë të gjatë.

Në po atë takim, Edi Rama e krahasoi Ermal Dredhën edhe me ish-kryebashkiakun Dritan Leli, me të cilin pati gjithashtu një përplasje të ngjashme derisa nuk e përfilli fare dhe e përjashtoi nga partia dy vitet e fundit të mandatit të tij. “Ti zotëri je Dritan Leli 2.0, e di apo jo?!”, iu drejtua Rama-Dredhës një moment, tregon burimi i Lapsi.al nga brenda atij takimi.

Aq i indinjuar ishte Edi Rama me Vlorën dhe vlonjatët sa iu përmendi aty në takim edhe rrezikun që ai mund të sëmurej me kancer të mëlçisë prej stresit. Për disa në takim kjo tingëlloi ironike e për të tjerë që e shohin si idhull Edi Ramën, filluan të shqetësohen vërtet dhe rrahën gjoksin për t’u dhënë zgjidhje problemeve, jo më shumë për të shpëtuar Vlorën sesa për të shpëtuar shëndetin e liderit të tyre.

Edi Rama nuk ka keq vetëm punët në bashki, por edhe në PS-në e Vlorës. Ai komandoi në këtë detyrë deputeten e sapozgjedhur, Erjona Ismaili dhe kandidatin për deputet Klevis Kaso. E veç kësaj kërkoi dorëheqje të detyruar të të gjithë drejtorëve të Bashkisë Vlorë, përfshi këtu edhe drejtuesit rajonalë të institucioneve qëndrore. Ngriti ndërkohë një biçim komisioni partiak për emërimet e reja në bashki e drejtoritë e reja dhe monitorimin e problemeve për t’u zgjidhur.

Aq shumë e zhvlerësoi Ermal Dredhën sa e ka detyruar që të japë llogari përballë këtij komisioni me deputetë e eksponentë të PS-së dhe të drejtojnë së bashku Vlorën. Edi Rama është i xhindosur me kryebashkiakun e tij që u katapultua si një figurë e re në PS e që premtonte shumë, por tani në fund të dy viteve në sytë e tij ai është një shalqi i papjekur që s’ka më nevojë të provohet pasi dihet çfarë ka brenda.

Revanshi i Ramës ndaj Dredhës duket i ekzagjeruar së paku kur është fjala te problemi i furnizimit me ujë të pijshëm. Ndërmarrja e Ujësjellësit Vlorë nuk është më në varësi të bashkisë as në kontrollin e saj. Ligjin aty e bën Ministria e Infrastrukturës, e cila është aksionerja kryesore në ndërmarrjet e reja rajonale të ujësjellësave. Por edhe te çështja e plehrave, Ermal Dredha i kishte duart e lidhura kur është fjala te vënia në funksion e landfillit të Sherishës, projekt i cili i ishte besuar kompanisë së Klodian Zotos “Integrated Technology Services”, e cila ka gjithashtu inceneratorin fantazmë të Tiranës.

Por fakt tani është që kreu i Rilindjes ka hapur një front të ri lufte brenda radhëve të tij. Nuk dihet se deri ku do të shkojë pakënaqësia dhe përplasja me kryebashkiakun e Vlorës, i cili si shumë socialistë të tjerë nuk guxon të ngrejë krye përballë Ramës. Pranon edhe të poshtërohet prej tij në mexhelis e në takime të mbyllura si ky i sotmi.

Deri më tani duket se kemi një tjetër déjà vu si ajo e 4 viteve më parë me Dritan Lelin. Ky mund të jetë fillimi i fundit të diplomatit që u bë qytetari i parë i Vlorës njësoj si babai i tij që drejtoi Vlorën në vitet 1998-2000. ©LAPSI.al

The post Dritan Leli 2.0/ Të pathënat e ‘gjyqit politik’ me dyer të mbyllura Vlorë appeared first on Lapsi.al.

Takimi, Rama ju ndalon pushimet deputetëve dhe drejtuesve të Bashkisë Tiranë

By: user 5
3 July 2025 at 19:55

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë pasdite deputetët e zgjedhur nga 11 maji për qarkun e Tiranës dhe drejtuesit e Bashkisë së kryeqytetit

Takimi po zhvillohet në ambientet e një hoteli në Tiranë, ndërsa disa deputetë nuk kanë arritur dot të jenë të pranishëm, pasi janë ende në Parlament.

Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura bëjnë me dije se Rama u ka kërkuar deputetëve dhe drejtuesve të bashkisë që të dalin në terren, të takojnë qytetarët për zgjedhje.

Mësohet se Rama u ka thënë të pranishmëve që nuk dihet nëse do të ketë zgjedhje për Tiranën, ndërsa nuk ka shprehur pakënaqësi për situatën në këtë qark.

The post Takimi, Rama ju ndalon pushimet deputetëve dhe drejtuesve të Bashkisë Tiranë appeared first on Lapsi.al.

Rama e përmendi si histori suksesi, agroturizmi në Çajup është ndërtim pa leje

By: user 5
2 July 2025 at 21:15

Edi Rama trumbetoi sot një rast suksesi sa i përket zhvillimit të blegtorisë së kombinuar me turizmin. Ai solli në vëmendje gjatë takimit të sotëm modelin në fushën e Çajupit në Zagori të Gjirokastrës teksa paralajmëroi një program të posaçëm për të nxitur blegtorinë.

“Do dalim me një program të posacëm për të mbështetur krijimin e fermave dhe staneve në natyrë. Duhet të nxisim pikat e kultivimit të të imtave në natyrë. Stani i Çajupit është një shembull spektakolar, jo thjesht për blegtorinë, por edhe për turizmin. Koncepti i kombinuar i turizmit me blegtorinë, është një koncept fitues”, tha Rama.

Por ndërkohë kryeministrin ose e gënjëjnë bashkëpunëtorët e tij ose realisht nuk i bën përshtypje shpërfillja e ligjit. Në çdo rast kjo është e rëndë sidoqoftë. Ferma e ngritur në fushën e Çajupit është pa leje ndërtimi. Fermeri Pëllumb Koko ka zaptuar prej kohësh kullotat në atë zonë duke krijuar një përplasje me banorë të Zagorisë, pikërisht për këtë paligjshmëri.

E jo vetëm kaq, por ndërtimi që ai ka bërë është në zonë të mbrojtur, ku betonizimi është i ndaluar rreptësisht. Ka një korrespondencë të gjatë shkresore në 10 vitet e fundit mes Bashkisë Libohovë dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për shembjen e atyre ndërtimeve.

Kjo nuk e përjashton trajtimin si të suksesshëm të asaj ferme, por duhet përmendur edhe ana tjetër e medaljes, të cilën kryeministri ndoshta nuk e di, por lehtësisht mund ta verifikojë. F

alë mbrojtjes politike, fermeri ia ka dalë mbanë deri më tani që të vijojë punën pavarësisht se ajo sipërmarrje ka nisur dhe është në paligjshmëri të plotë. Të paktën Rama mbase do të informohet për këtë derisa të shkojë vetë në Çajup, ku siç premtoi sot do të prezantojë paketën e re të mbështetjes së blegtorisë. ©LAPSI.al

The post Rama e përmendi si histori suksesi, agroturizmi në Çajup është ndërtim pa leje appeared first on Lapsi.al.

Kujtoni vjedhjen e IPARD, pse Rama nuk duhet marrë seriozisht kur flet për bujqësinë

By: user 5
2 July 2025 at 20:31

Edi Rama u shfaq sot i preokupuar shumë për cështje të bujqësisë dhe zhvillimit rural. Hapi siparin e një serie takimesh që do të vijojnë edhe në zona të tjera të vendit. Plot teatër dhe propagandë për të mbushur hendekun e madh në këtë sektor, rrënimin e fermave dhe uljen drastike të prodhimit.

Morali i Ramës për bujqësinë vjen në një kohë kur Bashkimi Europian i ka vënë njollë të zezë Shqipërisë sepse vodhi fondet e programit IPARD I dhe II.

Ky program është i bllokuar prej më shumë se dy vitesh dhe Shqipërisë i kërkohet të kthejë lekët mbrapsht. Por si gjithmonë në këto raste, Rama s’mban përgjegjësi për ata që hanë dardhë e kumbulla pas shpinës së tij.

Nëse në Greqi një skandal i ngjashëm abuzimi me fondet europiane për fermerët solli shkarkim të ministrit përgjegjës dhe zyrtarëve të tjerë, në Shqipëri s’ka ndodhur asgjë.

Përkundrazi, Edi Rama, ministren përgjegjëse dhe ish- drejtoreshën Frida Krifca, e mbajti në kabinetin e tij si këshilltare.

Me fondet e IPARD në Shqipëri, qeveria shpërndau llokma miliona euro për ndërtime resortesh në bregdet e deri te kompania fantazmë e inceneratorit të Tiranës.

Leket e destinuara për fermerët nuk përfunduan te ata. Vajtimi i sotëm për bujqësinë e fermerët është thjesht propagandë për të mbushur kanalet dhe portalet që shpëlajnë trurin e shqiptarëve me suksese imagjinare të Edi Ramës. ©LAPSI.al

The post Kujtoni vjedhjen e IPARD, pse Rama nuk duhet marrë seriozisht kur flet për bujqësinë appeared first on Lapsi.al.

Rama shkrin AKU-në: Duhet ndaluar me urgjencë!

By: user 5
2 July 2025 at 19:34

Kryeministri Edi Rama, në fjalën përmbyllëse pas diskutimeve të Ditës së Parë të dialogut për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural mes fermerëve dhe sipërmarrësve në bujqësi, është shprehur se duhet pezulluar menjëherë veprimtaria e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Rama u shpreh se “AKU-ja duhet ndaluar me urgjencë që të vazhdoje të veprojë sepse me shumë se sa mirë, bën dëm”.

Kreu i qeverisë tha më tej se duhet ngritur një komision i posaçme për të marrë në analizë të gjitha burimet njerëzore të AKU-së dhe procesi i bashkimit të atyre inspektorateve të ndryshme që është vendosur më ligj, duhet të kalojë nga një proces i seleksonimit të burimeve njerëzore që do merren me inspektim.

Gjithashtu, ai propozoi se në komision duhet të ftohet edhe Universiteti Bujqësor i Tiranës për të bërë një vlerësim serioz të burimeve njerëzore të AKU-së.

“AKU-ja është shqetësimi më i madhi, në vend që të jetë partneri më i i rëndësishëm, është shqetësimi i sipërmarrësve që janë në sektorin e bujqësisë, por është shqetësim edhe për të gjithë restorantet, kafenetë dhe pikat e tregtimit, sepse më shumë se sa bën mirë bën dëm”, tha Rama.

Rama: Duhet menjëherë të pezullohet veprimtaria e AKU-së. AKU-ja duhet ndaluar me urgjencë që të vazhdoje të veprojë sepse me shumë se sa mirë bën dëm. Duhet pezulluar, duhet ngritur një komision i posaçme për të marrë në analizë të gjitha burimet njerëzore të AKU-së dhe procesi i bashkimit të atyre inspektorateve të ndryshme që është vendosur më ligj, duhet të kalojë nga një proces i seleksonimit të burimeve njerëzore që do merren me inspektim.

Këtu në komision duhet të jetë pjesë, duhet të ftohet Universiteti Bujqësor i Tiranës për të bërë një vlerësim serioz të burimeve njerëzore të AKU-së.

AKU-ja është shqetësimi më i madhi, në vend që të jetë partneri më i i rëndësishëm, është shqetësimi i sipërmarrësve që janë në sektorin e bujqësisë, por është shqetësim edhe për të gjithë restorantet, kafenetë dhe pikat e tregtimit, sepse më shumë se sa bën mirë bën dëm. Ministër duhet nxjerr urdhër i pezullimit të veprimtarisë së AKU-së totalisht, nuk duhet të dalin dhe të shkojnë asgjëkund.

The post Rama shkrin AKU-në: Duhet ndaluar me urgjencë! appeared first on Lapsi.al.

Ajo i kërkoi punë, Rama emëron zv.ministre Ina Majkon

By: user 5
2 July 2025 at 18:29

Edi Rama e mbajti fjalën më parë nga çfarë pritej. Të paktën në rastin e Ina Majkos, kandidates për deputete të PS-së në qarkun Vlorë, ai nuk priti shtatorin për formatimin e qeverisë së re. Por sot e ka emëruar si zëvendësministre të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Majko vjen nga radhët e komunitetit rom në Delvinë. Gjatë fushatës Rama e paralajmëroi përfshirjen e saj në qeveri.

Duket se përshpejtimi i saj në këtë detyrë të re është nxitur nga vetë Majko. Gjatë takimit që Rama mbajti me deputetet e rinj e të vjetër pas zgjedhjeve të 11 majit, ajo iu ankua Edi Ramës se ishte e papunë. Madje edhe një kontratë bashkëpunimi me Radio Televizionin Shqiptar i kishte përfunduar. Kështu që kreut të Rilindjes i binte barra t’i gjente punë sepse ajo kishte sjell një grusht votash për Partinë Socialiste në 11 maj.

Vendimi për ta përfshirë në qeveri ngjan më shumë qokë apo “qarje halli” sesa një lëvizje e Ramës për t’i rifreskuar skuadrën qeverisëse. Puna e Ina Majkos s’ka lidhje as me sektorin e shëndetësisë dhe as me mbrojtjen sociale.

Deri para pak kohësh ajo ka qenë thjesht asistente e drejtorit kreativ në një kompani reklamash në Tiranë. Përfshirja e saj në qeveri është thjesht për të vetmen meritë se ajo vjen nga radhët e komunitetit rom, për asnjë arsye tjetër profesionale apo kontribut të qënësishëm politik. ©LAPSI.al

The post Ajo i kërkoi punë, Rama emëron zv.ministre Ina Majkon appeared first on Lapsi.al.

Mbyllet zyrtarisht USAID: Shqipëria përfitoi 189 milionë dollarë 4 vitet e fundit

By: user 5
1 July 2025 at 20:56

Duke filluar nga kjo e martë e 1 korrikut, merr fund zyrtarisht roli i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, përmes një njoftimi zyrtar në Departamentin e Shtetit, njoftoi ndryshimin në mënyrën se si do të menaxhojë ndihmën e huaj, duke u shprehur se “Për amerikanët dhe shumë njerëz në të gjithë botën, 1 korriku shënon fillimin e një epoke të re të partneritetit global, paqes, investimeve dhe prosperitetit”.

“Gjatë rishikimit të mijëra programeve dhe mbi 715 miliardë dollarëve të shpenzuara gjatë dekadave, u bë e qartë se USAID ka rënë shumë poshtë standardeve për të avancuar interesat e kombit tonë. Nga 1 korriku, USAID do të pushojë së zbatuari ndihmën e huaj. Programet e ndihmës së huaj, që përputhen me politikat e administratës amerikane, do të administrohen nga Departamenti i Shtetit, ku do të ofrohen me më shumë llogaridhënie, strategji dhe efikasitet”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rubio, kritikon ashpër mënyrën sesi USAID ka funksionuar, duke thënë se agjencia “shpesh promovonte ide dhe grupe anti-amerikane” dhe e kishte modelin e saj të ndihmës si një “bamirësi” dhe jo si instrument të politikës së jashtme që shërben për interesat amerikane.

USAID shpërndante fonde edhe në vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë. Nga të dhënat që publikoi i dërguari special i Donald Trump për krizat, Richard Grenell, në fillim të këtij viti, rezultonte se organizatat joqeveritare në Ballkan kishin përfituar nga fondet e USAID vlerën prej 1.7 miliardë dollarësh në periudhën 2020-2024. Sipas të dhënave të Grenell, në Shqipëri organizatat joqeveritare kishin marrë 189 milionë dollarë nga USAID për 4 vite.

Mbyllja e zyrave të USAID në të gjithë botën dhe menaxhimi i ndihmës së huaj nga DASH, sipas sekretarit Rubio, do t’i vendosë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një pozicion më të fortë kundër modeleve shfrytëzuese të ndihmës, si ai i Kinës, dhe do të sjellë një “epokë të re partneriteti global, paqeje, investimesh dhe prosperiteti.”

The post Mbyllet zyrtarisht USAID: Shqipëria përfitoi 189 milionë dollarë 4 vitet e fundit appeared first on Lapsi.al.

“Gjakun e lajmë me gjak”, sulmohet shtëpia e italianit që vrau shqiptarin

By: user 5
1 July 2025 at 20:27

Një grup shqiptarësh dyshohet se kanë sulmuar shtëpinë e italianit Aurelio Valiante, i cili disa ditë më parë vrau me armë zjarrin 25-vjeçarin shqiptar, Rivaldo Rusi, gjatë një tentative për grabitje të këtij të fundit me dy bashkatdhetar të tij.

Sipas mediave italiane, ata kanë pritur të bjerë nata, janë afruar me kujdes në banesë dhe kanë thyer një ballkon, jo për të vjedhur, por për të parë brenda dhe për të kuptuar nëse në atë shtëpi ndodhej ende Aurelio Valiante.

Më pas ata janë larguar në heshtje, duke lënë pas vetëm një gjurmë të qartë të pranisë së tyre, shenja dëmtimi.

Ngjarja ka ndodhur në Foria të Centola-s, në rrugën “Via Carpine”, natën pas zhvendosjes së Aurelio Valiante dhe familjes së tij në një vend të mbrojtur nga policia, pasi i druhet kërcënimit të shqiptarëve.

Hetuesit nuk përjashtojnë asnjë pistë. Ky gjest mund të lidhet me atmosferën e urrejtjes që është ndezur në rrjetet sociale.

Për ditë me radhë, dhjetëra përdorues shqiptarë kanë shpërndarë mesazhe hakmarrjeje në TikTok, duke shkruar: “Gjakun e lajm me gjak”, duke iu referuar vrasjes së të riut shqiptar teksa tentoi të vidhte. Hakmarrja e paralajmëruar në rrjete sociale, mund të mos mbetet vetëm virtuale.

The post “Gjakun e lajmë me gjak”, sulmohet shtëpia e italianit që vrau shqiptarin appeared first on Lapsi.al.

❌