Normal view

Sazani një investim politik, jo strategjik

By: user 2
21 January 2025 at 12:14

Pas marrjes së ishullit më të rëndësishëm dhe më të bukur shqiptar nga Jared Kushner, dhëndër i presidentit Trump, vihet re një nxitim i socialistëve për ta paraqitur investimin politik të Ramës si një investim strategjik për ekonominë shqiptare. Sipas kësaj narrative Sazani është një shkëmb pa vlerë që Kushner do ta kthejë në mrekulli turistike që do zhvillojë imazhin dhe turizmin shqiptar përtej imagjinatës sonë të varfër.

Është interesante të vësh re se sa herë pushtetit socialist i dhuron investitorëve strategjik ndërkombëtar, dhe partnerëve të tyre lokal, ndonjë llokmë Shqipëri, hapi i parë është zhvleftësimi i llokmës. Në rastin e portit të Durrësit kryeministri Rama dhe propaganda e rilindjes nuk reshti se përshkruari portin më të madh të Shqipërisë si një qendër të qelbur pisllëku, kontaminimi, dhe si një turp në zemër të qytetit bregdetar. 

Kronologjia/ Ishulli i Sazanit, një investim i negociuar në errësirë

Aq sa të krijohej përshtypja që investitori arab që e mori falas këtë truall të pisët në zemër të Durrësit dhe të Shqipërisë po na bënte një nder të madh. Vetë kryeministri na thoshte se me zor e kish bindur Alabarin ta merrte atë copë të qelbur trualli në mes të Durrësit, për të cilën, me sa duket, askush tjetër nuk kish interes. A thua se durrësakët dhe shqiptarët kishin vite që me zor prisnin të hiqnin qafe qindra mijëra metra katror bregdet në zemër të Shqipërisë.  

Sot me ishullin e Sazanit përsëritet e njëjta rrëfenjë e çuditëshme sipas të cilës Sazani nuk është veçse një shkëmb djerrë, me gjarpërinj, shkurre dhe ndryshk ushtarak. Shyqyr që kryeministri Rama gjeti një tutkun tjetër për t’ia ngecur Sazanin tonë shterpë, të cilin vlonjatët dhe shqiptarët me zor po prisnin ta hiqnin qafe. 

Po ti besosh propagandës rilindase nuk ishte fare e nevojshme të bëhej një diskutim publik mbi fatin e aseteve strategjike si Porti i Durrësit, Sazani dhe Zvërneci. Mjafton që këto “plehëra” t’ia ngecnim ca miliarderëve naiv si Alabari apo Jared Kushner, që do ti zhvillojnë ato për interesin tonë. 

Andi Bushati: Sazani, ishulli i thesarit për Ramën

Këtu nuk mund të mos ndalojmë pak për të kundruar me kërshëri adhurimin që kanë socialistët shqiptar për miliarderët. Turizmi elitar, portet e jahteve, investitorët strategjik, janë refrene që ata dhe simpatizantët e tyre përsërisin vazhdimisht në mediat tona. Adhurimi i socialistëve për turistat miliarderë dhe me jahte tejkalohet vetëm nga përçmimi i tyre për “turistët ordinerë”, siç janë ata që vijnë nga Kosova apo nga lindja.

Sipas kësaj narrative Shqipërinë mund ta zhvillojnë vetëm miliarderët e huaj si Kushner, në bashkëpunim me milionerët tanë lokal, duke e blerë atë pjesë-pjesë për të ndërtuar rezorte super luksoze dhe ekskluzive ku qytetarët e thjeshtë shqiptarë mund të hynë vetëm si kamarierë, pjata-larës dhe pastrues. 

Problemi është se bota është e mbushur me shembuj rezortesh e investimesh luksose nga miliarderët më të fuqishëm të globit që rrethohen nga mizerja. Ndoshta shembulli më i mirë është ishulli i famshëm i Hauait ku jetojnë dhe kanë investuar miliarderët kryesor të globit, që nga Mark Zuckenberg deri tek Operah Winfrey. 

Pavarësisht miliarderëve pafund që ka tërhequr, dhe investimeve që ata kanë kryer, Hauai sot mbetet një nga shtetet më të varfra të SHBA-ve, me nivele rekord varfërie dhe të pastrehësh (Shiko ketu). Turizmi super-elitar me kapital të huaj i ka çuar çmimet në stratosferë ndërkohë që rrogat e banorëve vendas, që janë reduktuar në kamarierë dhe pastrues, nuk janë të mjaftueshme për të blerë banesë apo për të bërë një jetë të denjë. 

Pa përmendur faktin që turzimi elitar, si ai që është zhvilluar në Hauai, është i paqëndrueshëm sepse rezortet super luksoze harxhojnë sasi të frikëshme uji dhe energjie elektrike, sidomos gjatë verës kur këto burime janë të kufizuara. Kjo do të thotë që shpesh këto investime super-elitare përkeqësojnë krizat energjitike dhe ujore që janë bërë gjithnjë e më të shpeshta si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Ajo që na mëson rasti i turizmit elitar në Hauait, por edhe rastet e plot rezorteve super-luksoze në detin Karibe dhe në Amerikën Latine, është që turizmi elitar dhe ekskluziv që kontrollohet nga investitorë të huaj të fuqishëm shpesh e rëndon situatën ekonomike të banorëve vendas, sepse rrit çmimet, eleminon hotelerinë vendase, teksa prodhon punësim të cilësisë së ulët për ta (shiko ketu) .

Ndërkohë kontributi i këtij lloj turizmi në buxhetin e shtetit shpesh është i vogël sepse investitorët strategjik janë aq të fuqishëm dhe të lidhur me qeverinë saqë paguajnë pak ose aspak taksa në buxhetin e shtetit. Nuk është çudi që së shpejti të mësojmë se Jared Kushner me statusin e investitorit strategjik nuk do paguajë fare taksa në 5 apo 10 vitet e para të aktivitetit të rezortit të tij. Si mund ti kërkojmë taksa një investitori që po sakrifikon kaq shumë për Shqipërinë duke u bërë pronar i një ishulli plot ferra dhe gjarpërinj? 

WSJ: Kushner ia kërkoi Sazanin, Ramës duke pire kafe në Davos

Të kuptohemi, nuk jam kundër zhvillimit turistik të Sazanit, Zvërnecit apo të Portit të Durrësit. Ama idea që ky zhvillim mund të vijë vetëm nga Alabari dhe Kushneri në bashkëpunim me oligarkët vendas është propagandë politike dhe jo një realitet ekonomik. Zhvillimi i turizmit elitar dhe ekskluziv që propozon Rama, Kushner dhe oligarkët tanë është një turizëm përjashtues që i redukton vendasit në kamarierë dhe pastrues dhe jo në pronarë dhe përfitues direkt të pasurive të tyre natyrore. 

Ekzistojnë plot shembuj të një turzmi më përfshirës, më autentik dhe më të qëndrueshëm se ai i tipit Hauai. Ka shembuj si ishujt Ibiza apo Mallorca ku banorët e varfër të ishullit u transformuan në sipërmarrës turistik dhe përfituan në mënyrë direkte nga bumi turistik i ishullit të tyre. 

Eksperienca të tilla mund të përsëriteshin edhe në Shqipëri. Në vend të një investitori strategjik, si Kushner apo Alabar, Sazani, Zvërneci dhe Porti i Durrësit mund të hapeshin ndaj qindra investitorëve lokal të vegjël dhe të mesëm. Natyrisht me planifikimin dhe investimin në infrastrukturë të qeverisë qendrore. 

Në vend që Sazani të bëhet Hauai ai mund të bëhej Ibiza. Në vend të një investimi të mbyllur, jo transparent dhe përjashtues mund të zhvillohej një turizëm i hapur dhe përfshirës. Në vend të 300 kamarierëve dhe pastruesve shqiptarë, Sazani, Porti i Durrësit dhe Zvrneci mund të prodhonte 300 sipërmarrës shqiptarë, të mesëm, të vegjël por edhe të mëdhenj. 

Në vend të një rezorti të madh dhe super-elitar ku shqiptarët nuk shkelin dot dhe ku miliarderët pushojnë brenda një kafazi të artë, mund të kishim dhjetëra hotele të vogla, ekologjike dhe autentike që mund të shijoheshin nga të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të huaj, edhe pa qenë milionerë. 

Ky po do ishte një investim strategjik dhe përfshirës, me impakt madhor në ekonominë lokale dhe në xhepat e qytetarëve. Ajo që na ofron qeveria Rama është thjesht një investim politik ku përfituesit kryesor janë Kushner, partnerët e tij lokal dhe pushteti i kryeministrit Rama që tashmë ka garantuar dashamirësinë e Trumpit. 

Për shqiptarët e bregut të mrekullueshëm të Jonit tonë spektakular Sazani do jetë një ëndërr e ndaluar që rrit cmimet, konsumon ujë dhe energji dhe prodhon punësim mediokër për shumicën dërmmuese të tyre. Ata e dinë shumë mirë që Sazani është shumë me tepër se një shkëmb me gjarpërinj, ai është një mrekulli e natyrës që tashmë do mund të shijohet vetëm nga milionerët. Ky është turizmi që na propozon qeveria jonë “socialiste”.

Shkruar enkas për Lapsi.al nga Blendi Kajsiu

The post Sazani një investim politik, jo strategjik appeared first on Lapsi.al.

Kushner investitor strategjik/ Mediat e huaja: A po kërkon Rama vëmendjen e Trump?

By: user 6
16 January 2025 at 21:52

Lajmi se qeveria e Shqipërisë i ka dhënë statusin e “investitorit strategjik” një kompanie të lidhur me dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner, për të ndërtuar një resort luksoz në ishullin e Sazanit ka marrë menjëherë vëmendje ndërkombëtare.

Gazeta e njohur amerikaneNew York Times”, e cila edhe më parë ka hedhur dyshime për këtë projekt, thotë se ajo është një nga disa marrëveshjet që anëtarët e familjes së presidentit të sapozgjedhur Donald Trump kanë me vendet e huaja. Por, thekson gazeta, këto vende kanë çështje politike të hapura me Shtetet e Bashkuara.

“Projekti është një nga disa të tillë që përfshin Trump dhe familjen e tij të gjerë drejtpërdrejt me institucione qeveritare të huaja. Ato do të ecin përpara edhe kur Trump do të jetë në krye të politikës së jashtme dhe do të marrë vendime edhe për këto shtete”.

LEXO EDHE: Andi Bushati: Sazani, ishulli i thesarit për Ramën

New York Times thotë se ka tentuar të kontaktojë me Kushner dhe qeverinë shqiptare, por nuk kanë marrë asnjë koment. Por të pyetur më parë për këtë projekt, të dy kanë thënë se vlerësimi nuk po ndikohet nga lidhjet e Kushner me Trump apo ndonjë përpjekje për të kërkuar favore nga qeveria amerikane.

“Fakti që një sipërmarrës kaq i njohur amerikan tregon interesin e tij për të investuar në Shqipëri, na bën shumë krenarë dhe të lumtur”, tha një zëdhënës i kryeministrit vitin e kaluar në një deklaratë për New York Times, kur u pyet për projektet.

Ndërsa agjencia e lajmeve Reuters nënvizon se vendimi për dhënien e statusit “investitor strategjik” është marrë nga Komiteti i Investimeve Strategjike që kryesohet nga kryeministri Edi Rama.

“Më 30 dhjetor (Komiteti) pranoi një propozim nga Atlantic Incubation Partners LLC për projektin 45 hektarësh në ishullin e vogël të Sazanit, që përfshin një investim të planifikuar prej 1.4 miliardë euro. Në vendimin me shkrim, të parë nga Reuters, Komiteti thotë se projekti përputhej me legjislacionin mbi investimet strategjike dhe numrin e vendeve të punës të kërkuara nga legjislacioni, duke thënë se do të punësonte rreth 1000 njerëz” – citohet në shkrim.

LEXO EDHE: Kronologjia/ Ishulli i Sazanit, një investim i negociuar në errësirë

Edhe Reuters thotë se nuk mundi të kontaktonte menjëherë Atlantic Incubation Partners për një koment. Agjencia e lajmeve shkruan se Kushner, që shërbeu si ndihmës kryesor i Trump gjatë mandatit të parë të vjehrrit të tij si president i SHBA-së, krijoi kompaninë e investimeve në vitin 2021.

“Projektet mund të nxisin ekonomitë lokale duke joshur vizitorët, por kompania po përballet me kundërshtimin e kritikëve që thonë se do të dëmtojnë mjedisin ose, në rastin e Beogradit, do të kërcënojnë vendet me rëndësi kulturore” – citohet në shkrimin e Reuters.

Lajmi ka marrë edhe vëmendjen e revistës Bloomberg që e hap me titullin “Kushner merr miratimin për projektin e resortit luksoz në Shqipëri përpara kthimit të Trump”.

“Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, mori miratimin paraprak nga qeveria shqiptare për një resort luksoz prej 1.4 miliardë dollarësh në një ish-bazë ushtarake në një ishull në brigjet jugore të vendit. Vendimi, i lëshuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike të vendit, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, i lejon ekipit të Kushnerit të fillojë vlerësimet mjedisore dhe punë të tjera përgatitore në zonën prej 1400 hektarësh në ishullin e Sazanit” – thuhet ndër të tjera në shkrim.

Lajmin e ka pasqyruar edhe britanikja “The Indipendent që gjithashtu e lidh vendimin e marrë nga qeveria shqiptare me momentin e kthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Ky projekt është vetëm njëri nga disa të lidhur me Trump dhe familjen e tij, i cili përfshin edhe qeveri të huaja teksa familja kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Jared dhe Ivanka kanë thënë të dy se nuk do të marrin role zyrtare në administratë, por dhëndri do të këshillojë Donald Trump për çështjet e Lindjes së Mesme, sipas raporteve” – thuhet në shkrim.

LEXO EDHE: Manipulimi në TV me investimin për Sazanin dhe Zvërnecin

Shkrimi citon edhe Virginia Canter, një këshilltare për etikën në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratave Clinton dhe Obama, e cila i ka thënë gazetës britanike “The Times” se çdo marrëveshje e qeverisë me familjen Trump të jep përshtypjen se ka një përpjekje për të fituar ndikim tek presidenti i zgjedhur. “Gjithçka duket si favorizim, sikur ata po i ofrojnë akses Kushnerit sepse duan të jenë në anën e mirë të Trumpit”, – tha Canter për gazetën.

“The Indipendent” u jep zë edhe shqetësimeve të atyre i druhen shkatërrimit një herë e mirë të ekosistemit të zonës. “Disa nga publiku janë të verbër ndaj rrezikut që sjellin këto zhvillime. Njerëzit në Vlorë nuk duan të flasin për këtë nga frika” – citohet Arben Kola që shërben si guidë në Vlorë. Ata nuk mund të ngrenë shqetësime nga frika se mos humbasin bizneset e tyre.

“Mënyra se si funksionon turizmi për Sazanin për momentin ndihmon në ruajtjen e natyrës dhe jo në dëmtimin e saj. Nuk duhet ta ndryshojmë këtë” – shton ai.

Affinity Partners ka thënë se ata po planifikojnë të ndërtojnë një “komunitet eko-resort” me 5 yje dhe se ata do të shndërrojnë një “ish-bazë ushtarake në një destinacion të gjallë ndërkombëtar për mikpritje dhe mirëqenie”.

Ndërsa agjencia e lajmeve AFP nënvizon se statusi i tij “strategjik” do t’i mundësojë projektit “të përfitojë nga procedurat e përshpejtuara dhe përfitime të tjera”.

“Vendimi erdhi teksa Trump do të marrë detyrën të hënën. Familja Trump ka një histori të gjatë të fillimit të projekteve luksoze në mbarë botën. Në Ballkan, Kushner vitin e kaluar njoftoi planet për të investuar në pasuri të paluajtshme në Serbinë e afërt. Disa kritikë kanë akuzuar Kushnerin dhe gruan e tij Ivanka Trump se kanë shfrytëzuar kohën e tyre në Shtëpinë e Bardhë për të siguruar marrëveshje biznesi jashtë shtetit” – thuhet në shkrim.

Lajmi është pasqyruar edhe në mediat greke dhe deri në ato holandeze.

“Presidenti shqiptar Bajram Begaj vendosi së fundmi të heqë ishullin e Sazanit – i cili kishte statusin e poligonit të qitjes dhe terrenit për stërvitje detare – nga lista e bazave ushtarake” – shkruan Protothema”.

“Organizatat mjedisore janë të shqetësuara për pasojat në biodiversitetin e rajonit bregdetar dhe për cilësinë e jetës për banorët. Një OJQ shqiptare njoftoi një padi kundër planeve të investimit vitin e kaluar. Thuhet se shumë lloje unike të kafshëve ndodhen në ishull, i cili është ende një park i mbrojtur. Ato rrezikojnë të zhduken” – shkruan gazeta holandezeDe Volkskrant. ©Përgatiti LAPSI.al

The post Kushner investitor strategjik/ Mediat e huaja: A po kërkon Rama vëmendjen e Trump? appeared first on Lapsi.al.

Kronologjia/ Ishulli i Sazanit, një investim i negociuar në errësirë

By: user 4
16 January 2025 at 21:39

Mënyra e fshehtë me të cilën presidenti Bajram Begaj i hapi rrugë investimit të Jared Kushner në ishullin e Sazanit, duke e nxjerrë nga Plani i Përhapjes së Forcave të Armatosura me dy dekrete sekrete, nuk është një rast i izoluar.

Procesi i negociimit u zhvillua në errësirë nga ana e qeverisë shqiptare, që nuk ofroi asnjë transparencë për qytetarët për mënyrën se si do të zhvillohet një copëz e pasurisë së përbashkët publike.

Begaj firmosi fshehtas dekretet për ishullin e Sazanit (faksimile)

Nëse nuk do të ishte për investigimin e New York Times në mars të vitit 2024, nuk është çudi që shqiptarët ende sot, të mos e dinin se ç’po ndodh me ishullin e Sazanit.

Supozohet se afrimi i një sipërmarrësi amerikan me idenë e një investimi 1.5 miliard dollarë, është lajm i mirë për qytetarët shqiptarë dhe qeveria duhet t’i përkushtohej totalisht. Por nga mënyra se si kryeministri Edi Rama i ka kryer negociatat përmes një komunikimi okult, aspak transparent dhe me pikëpyetje të mëdha, tregon shumë për qëllimet e tij.

Si nisën negociatat? Kush propozoi çfarë?

Jared Kushner erdhi në Shqipëri për herë të parë me bashkëshorten, Ivanka Trump në verën e vitit 2021. Ata shoqëroheshin nga sheiku Nasser Al-Khelaifi, atëherë president i PSG-së.

Dy vite më pas, në verën e vitit 2023, u kthyen sërish. Kësaj radhe kishin me vete edhe Richard Grenell, ish-i dërguar i administratës Trump për Ballkanin Perëndimor dhe Asher Abehsera ortak i Kushner në biznes.

Në mars të vitit 2024, New York Times raportoi se sinjalet e para për të investuar në Shqipëri, Kushner i mori pikërisht nga Richard Grenell dhe miku i tij biznesmen, Asher Abehesera. Ky i fundit është personi në të djathtë të fotos poshtë, që qëndron në krah të kryeministrit Edi Rama.

Foto e përbashkët Jared Kushner, Ivanka Trump, Richard Grenell, Edi Rama, Absehera
Foto e përbashkët Jared Kushner, Ivanka Trump, Richard Grenell, Edi Rama, Asher Abesehera

Sipas Kushner, biseda e parë me Ramën ishte zhvilluar gjatë një takimi në Forumin Ekonomik Botëror që zhvillohet në Davos. Kishin kaluar disa muaj kur ai kishte qenë në Shqipëri dhe ai bëri një propozim gjatë një kafeje të përbashkët. Kushner tha se kishte qenë “shumë, shumë i hipnotizuar nga bukuritë e Shqipërisë”.

Edi Rama ka konfirmuar për Financial Times se interesi i parë për investimin në Sazan ishte fillimisht i Kushner.

“Në Shqipëri ishte Kushner dhe jo Grenell, që u afrua i pari. Në Serbi sigurisht që Grenell ishte iniciatori, por këtu jo”, i tha Rama të përditshmes me karakter financiar në 9 korrik të vitit 2024.

Por sipas një hetimi nga senati amerikan, të udhëhequr nga senatori Ron Wyden, një demokrat nga Oregoni fillimisht ishin zyrtarë të qeverive serbe dhe shqiptare të cilët iu afruan proaktivisht kompanisë së Jared Kushner me propozime për projekte të zhvillimit të pasurive të paluajtshme në vendet e tyre.

“Affinity i tregoi Komitetit se zyrtarë qeveritarë në Shqipëri dhe Serbi iu afruan firmës së tyre për të arritur marrëveshje në fushën e pasurive të paluajtshme. (Affinity nuk bëri të ditur identitetin e atyre zyrtarëve shqiptarë dhe serbë.) – thuhet në hetim.

Pra sipas hetimit të senatit amerikan ishin të dërguarit e Edi Ramës ata që joshën dhëndrin e Trump me pasuritë e Sazanit dhe Zvërnecit.

Dërgimi i Kastratit në Mar-a-Lago

Vila Mar-a-Lago e presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump

Në prononcimin që i dha New York Times në mars 2024, Jared Kushner konfirmoi se kontaktet mes tij dhe qeverisë shqiptare janë intensifikuar me ndërmjetësimin e biznesmenit Shefqet Kastrati dhe djalit të tij, Musa Kastrati.

“Ata na kanë ndihmuar të kuptojmë koston e ndërtimit dhe si të operojmë në nivel lokal”, u shpreh Jared Kushner në prononcimin e tij për median amerikane.

New York Times vazhdonte po ashtu duke përmendur faktin se në tetor 2022, Shefqet Kastrati bleu një shtëpi prej 7.5 milionë dollarësh, një pronë afër vendit ku jetonin cifti Kushner-Trump. Familja Kastrati kishte blerë edhe një hotel në seksionin Brickell të Miami për 55 milionë dollarë nga familja mbretërore e Katarit.

Musa Kastrati i tha New York Times se roli që kompania e tij familjare do të luante në projektet shqiptare të zotit Kushner nuk ishte ende i qartë, por ndoshta do të përfshinte ndihmën për ndërtimin e disa prej komplekseve.

Z. Kastrati po ashtu konfirmoi se në dhjetor të vitit 2022 ka vizituar Mar-a-Lago, resortin dhe rezidencën e zotit Trump në Florida, me zotin Grenell dhe se gjithashtu ka takuar shkurtimisht zotin Trump kur ish-presidenti mbërriti teksa po darkonin. Kastrati tha se nuk kishte diskutuar për marrëveshjen e mundshme me zotin Trump.

Ndryshimet e ligjeve në heshtje për investimin e Kushner

Pa dhënë sqarime për motivet reale, Edi Rama ka ndryshuar disa ligje për të lehtësuar investimin në Sazan.

Por këtë e ka bërë pa negociuar me opozitën shqiptare, duke përfituar rrjedhimisht simpatinë e investitorit amerikan, ndikimi i të cilit në veshin e Donald Trump është i padiskutueshëm.

I tillë ishte ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura në shkurt të vitit të kaluar, që u miratua me votën e socialistëve në parlament. Ndryshimi i ligjit e bëri më fleksibël ndërhyrjen në zonat e mbrojtura në rast se ishte e nevojshme për një investitor strategjik.

I tillë ishte edhe zgjatja me një vit e afatit për ligjin e investimeve strategjike. Ligji u votua me shumicë votash nga Partia Socialiste dhe me kundërshtime të forta nga opozita.

Në të dyja rastet, Rama nuk dha asnjë shpjegim se ligjet po ndryshoheshin për t’i hapur rrugë investimit amerikan në ishullin e Sazanit, duke futur në kurth opozitën, që protestoi dhe votoi kundër tyre.

Akuzat për investime në këmbim të favoreve politike me Trump

Betimi i Trump
Betimi i Trump

Disa nga mediat më prestigjioze në botë kanë ngritur dyshime se investimi i Jared Kushner në Ballkan ka në thelb konfliktin e interesit.

Si Rama, ashtu edhe Vuçiç hamendësojnë mediat e huaja, po tentojnë ta blejnë mbështetjen e presidentit të zgjedhur të SHBA, duke i ofruar territore falas për bizneset e dhëndrit të tij. Të paktën kështu kanë aluduar shkrimet e New York Times, Newsweek dhe Frankfurter Allemagne Zeitung, të cilat e kanë përcjellë me nota dyshuese dhe kritika marrëdhënien e drejtuesve të shteteve ballkanike me investitorin amerikan.

Aty aludohet për korrupsion, konfikt interesi dhe investime që bëhen në këmbim të favoreve politike.

As Washington Post nuk mbeti pas me aludimet që investimi i Kushner në Shqipëri dhe në Serbi po bëhej për të përfituar nga presidenti i ardhshëm amerikan.

Pas raportimit në media, demokratët nuk qëndruan duarkryq.

Kongresmeni anti Trump, Jamie Raskin dhe kolegu i tij demokrat Robert Garcia, i dërguan një letër homologut të tyre të komisionit të mbikqyrjes, për ndikimin e politikanëve të huaj në vendimarrjen amerikane republikanit, James Comer ku shkruanin:

“Ne ju shkruajmë për t’ju nxitur të thërrisni një seancë dëgjimore në lidhje me përpjekjet e dukshme të ndikimit të Jared Kushner dhe marrëveshjet që përfshijnë investime në këmbim të veprimeve zyrtare dhe për të shqyrtuar kërcënimet që rezultojnë ndaj sigurisë sonë kombëtare”, theksohet në letër .

“Ky komision nuk mund të pretendojë se po heton përpjekjet e shtetasve të huaj që synojnë të ndikojnë anëtarët e familjeve të zyrtarëve të lartë amerikanë duke ofruar para ose përfitime të tjera, në këmbim të veprimeve të caktuara, duke vijuar t’i injorojë këto çështje,” shkruajnë dy ligjvënësit në tekstin ku kërkohet të pyetet Kushner për lidhjen e tij me Ramën dhe Vuçiçin.

Manipulimi në TV me investimin për Sazanin dhe Zvërnecin

Mashtrimi me Sazanin

Gjithsesi kryeministri Edi Rama i ka hedhur poshtë pretendimet se po e jep Sazanin që të rregullojë marrëdhëniet me Trump.

“Dhëndrin e Trump unë e kam njohur rastësisht. Ai erdhi bashkë me gruan e tij për të vizituar vendin tonë me një jaht. Ai që është pronari i jahtit më ftoi kur erdhën për t’u furnizuar. U takuam dhe kishte njerëz të tjerë dhe më pas jemi takuar disa herë” – deklaroi kryeministri Rama në “Opinion”.

“Investitorët nuk vijnë për interesin publik, ata vijnë për interesin e tyre. Interesin publik e mbron qeveria. Unë nuk pranoj leksione nga ata që kur e kanë pasur në dorë nuk kanë mbrojtur interesin publik. Ndryshe nga ç’ndodhte përpara kur thuhej “Shqipëria 1 euro” që është një formulë që funksionon, por me atë që u bënë ato që u bënë” – është shprehur ai.

Interesi publik në dorën e një njeriu të vetëm

Investimi 1.5 miliard dollarë në Sazan me siguri që do t’i shndërrojë djerrinat e braktisura të ishullit nga territore të shkreta që përdoren për qitje nga ushtarët e Vlorës, në një kompleks turistik elitar për më të pasurit e globit, të cilët do të shijojnë të pashqetësuar plazhet e virgjëra në një zonë ekskluzive, të paarritshme për vendasit nga ana tjetër e bregut.

Janë pikërisht çmimet, minimumi 3 mijë dollarë dhe maksimumi 49 mijë dollarë nata në rezidencat e “Aman”, garancia më e sigurtë se qytetarët shqiptarë do t’i qëndrojnë larg plazheve të Sazanit që nga momenti që projekti nis të realizohet, përveçse kur aty të ketë nevojë për krah pune në ndërtim, në pastrim, për kamarierë, shoferë apo për shërbime gjithfarë të nevojshme në hotelet dhe vilat e kompleksit.

Duhet kuptuar pra, se premtimi për ta shndërruar ishullin e Sazanit në “xhevahirin e kurorës së artë turistike të Mesdheut”, nuk bëhet për banorët e Vlorës, apo të Orikumit, por për një shtresë ekstremisht të pasur, që mund t’ia jejojë vetes luksin e zonave ekskluzive, krah sipërmarrësve të rangut Mark Zuckenberg, Bill Gates, Kardashians etj, që janë frekuentues të rregullt të linjës së hoteleve “Aman”.

Një shije të shkëputjes nga ky oaz i mrekullueshëm i të ardhmes në Sazanit, shqiptarët tashmë e kanë provuar në procesin e negociatave dhe më pas të vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike që drejtohet nga Edi Rama dhe ku qytetarët shqiptarë janë të përjashtuar.

Kështu ka ndodhur me kullat në Tiranë, kur është i njëjti njeri që vendos se ku dhe çfarë do të ndërtohet; ka ndodhur me projektin e marinës në Durrës kur qindra hektarë tokë publike iu falën arabit Mohamed Alabbar, ndodhi me marrëveshjen për emigrantët me Italinë kur iu njoh ekstraterritorialiteti qeverisë Meloni në Shëngjin dhe Gjadër, njësoj ndodhi me aleancën Shqipëri-Serbi në Ballkanin e Hapur, apo së fundmi me mbylljen e rrjetit TikTok. Të gjitha këto ngjarje kanë një pikë të përbashkët, e prekin interesin publik por vendimin e merr një njeri i vetëm./Lapsi.al

The post Kronologjia/ Ishulli i Sazanit, një investim i negociuar në errësirë appeared first on Lapsi.al.

Begaj firmosi fshehtas dekretet për ishullin e Sazanit (faksimile)

By: user 4
16 January 2025 at 18:59

Në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike që i hap rrugë negociatave mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë së Jared Kushner për investimin në Sazan përmenden edhe dy dekrete të presidentit Bajram Begaj, nëpërmjet të cilave ai ka vendosur për heqjen e ishullit nga Plani i Vendosjes dhe i Përhapjes së ushtrisë.

Plani i Vendosjes dhe i Përhapjes është një dokument që përmban zonat që shfrytëzojnë Forcat e Armatosura për misionin e tyre, në kohë krize, paqeje apo lufte. Ishulli i Sazanit ishte pjesë e kësaj zone dhe meqënëse ai do t’i kalojë së shpejti kompanive private për të realizuar investimin e rezortit turistik, duhej që presidenti ta nxirrte nga Plani i Vendosjes dhe i Përhapjes së Forcave të Armatosura me një dekret.

Bajram Begaj nuk ka firmosur një, por dy dekrete të nevojshme në funksion të projektit që miratoi Komiteti i Investimeve Strategjike, pasi në dokument shkruhet se:

  •  Referuar dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Nr. 398, datë 02.12.2024, “Për miratimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, miratuar me dekretin Nr. 8593, datë 17.06.2024, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë”, rezulton që struktura “Rajon stërvitje dhe qitje detare Sazan, Vlorë”, del jashtë Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura sipas Aneksit 3.
Marrë nga vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike për nisjen e negociatave për investimin në Sazan
Marrë nga vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike për nisjen e negociatave për investimin në Sazan

Por ajo që e bën më interesant aktin e Begajt është se ai ka preferuar t’i mbajë të fshehta dy dekretet e qershorit dhe të dhjetorit që lidhen me ishullin e Sazanit. Lapsi.al vëzhgoi një për një dekretet e publikuara në faqen zyrtare të presidencës ku rezulton se asnjë nga dy dekretet e përmendur nga KIS nuk është publikuar në faqe.

Nuk dihet se përse Begaj është treguar diskret për firmat që ka nënshkruar në dokumentat zyrtare, edhe pse i gjithë procesi i negociatave nga autoritet shqiptare në lidhje me investimin në Sazan shoqërohet nga një shqetësim për të mos pasur transparencë.

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump parashikon të investojë në Sazan rreth 1.5 bilion dollarë sqaron dokumenti i KIS, për të ndërtuar aty një resort elitar. Nuk dihet nëse qytetarët shqiptarë do të kenë përfitime nga ky projekt, të cilin kryeministri Rama po e mban sa më të fshehtë të jetë e mundur në mënurë që përfitimet nga allishverishi i radhës të jenë personale, jo publike./Lapsi.al

The post Begaj firmosi fshehtas dekretet për ishullin e Sazanit (faksimile) appeared first on Lapsi.al.

New York Times ngre dyshime mbi investimin e dhëndrit të Trump në Sazan

By: user 2
16 January 2025 at 12:06

Konflikti i interesit në vendimin e Edi Ramës për të shpallur investitor strategjik kompaninë e Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump i cili projekton për të ndërtuar një resort luksoz në Sazan, ka marrë vëmendjen e mediave amerikane.

Gazeta New York Times, e cila edhe më parë ka hedhur dyshime për këtë projekt, thotë se ajo është një nga disa marrëveshjet që anëtarët e familjes së presidentit të sapozgjedhur Donald Trump kanë me vendet e huaja. Por, thekson gazeta, këto vende kanë çështje politike të hapura me Shtetet e Bashkuara.

“Projekti është një nga disa të tillë që përfshin Trump dhe familjen e tij të gjerë drejtpërdrejt me institucione qeveritare të huaja. Ato do të ecin përpara edhe kur Trump do të jetë në krye të politikës së jashtme dhe do të marrë vendime edhe për këto shtete”.

Andi Bushati: Sazani, ishulli i thesarit për Ramën

Miratimi nga Komiteti i Investimeve Strategjike të Shqipërisë, i cili drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i dha zotit Kushner dhe partnerëve të tij të biznesit të drejtën për të vazhduar me negociatat e përshpejtuara për ndërtimin e resortit luksoz në një seksion prej 111 hektarësh në ishullin e Sazanit.

New York Times thotë se ka tentuar të kontaktojë me Kushner dhe qeverinë shqiptare, por nuk kanë marrë asnjë koment.

Por të pyetur më parë për këtë projekt, të dy kanë thënë se vlerësimi nuk po ndikohet nga lidhjet e Kushner me Trump apo ndonjë përpjekje për të kërkuar favore nga qeveria amerikane.

“Fakti që një sipërmarrës kaq i njohur amerikan tregon interesin e tij për të investuar në Shqipëri, na bën shumë krenarë dhe të lumtur”, tha një zëdhënës i kryeministrit vitin e kaluar në një deklaratë për New York Times, kur u pyet për projektet.

Affinity Partners, kompani private e Kushner me kapital të mbështetur me rreth 4.6 miliardë dollarë, kryesisht nga Arabia Saudite dhe fonde të tjera të pasurisë sovrane të Lindjes së Mesme, po ndjek projektin e Shqipërisë së bashku me Asher Abehsera, një sipërmarrës i pasurive të paluajtshme që Kushner iu bashkua më parë për të ndërtuar projekte në Brooklyn, NY.

“Qeveria shqiptare, sipas një dokumenti zyrtar të publikuar së fundmi, do të punojë me partnerët e saj amerikanë për të pastruar vendin ku do të ndërtohet hoteli nga çdo municion që mund të ndodhet aty dhe për të shqyrtuar çdo shqetësim tjetër mjedisor ose ligjor që duhet të zgjidhet përpara se të nisë projekti”, shkruan gazeta amerikane.

Dokumenti, i datës 30 dhjetor, vë në dukje se qeveria “ka të drejtë të revokojë vendimin”, në varësi të negociatave përfundimtare të projektit.

Firma e Kushner ka thënë se plani është të ndërtojë një “komunitet eko- resort” me pesë yje në ishull duke e kthyer një “ish-bazë ushtarake në një destinacion të gjallë ndërkombëtar për mikpritjen dhe mirëqenien”.

Ivanka Trump, vajza e Trump, ka thënë se po ndihmon me projektin. “Ne do ta zbatojmë atë,” tha ajo për projektin, gjatë një podcast vitin e kaluar.

Ky projekt është vetëm një nga dy marrëveshjet e mëdha të pasurive të paluajtshme që Kushner po ndjek së bashku me Abehsera që përfshijnë qeveri të huaja.

Kompania mori miratimin paraprak vitin e kaluar për të ndërtuar një kompleks hoteli luksoz në Beograd, në ndërtesën e ish ministrisë së Mbrojtjes, e cila ka mbetur bosh për dekada pasi u bombardua nga NATO në 1999 gjatë një lufte atje.

Serbia dhe Shqipëria kanë çështje të politikës së jashtme në pritje me Shtetet e Bashkuara, pasi të dyja vendet kërkojnë mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për përpjekjet e tyre të ngecura prej kohësh për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe zyrtarët në Uashington po përpiqen të bindin Serbinë që të forcojë lidhjet me Shtetet e Bashkuara në vend të Rusisë.

NYT/ Përgatiti Lapsi.al

The post New York Times ngre dyshime mbi investimin e dhëndrit të Trump në Sazan appeared first on Lapsi.al.

Sazani, ishulli i thesarit për Ramën

By: user 2
16 January 2025 at 09:25

Në debatin e hapur së fundi, atë se deri në ç’pikë mediat tona i thonë të vërtetën publikut, ishte tejet interesante të shikoje se si u pasqyrua vendimi për shpalljen investitor në Shqipëri, të dhëndrit të Donald Trump, vetëm pak ditë përpara sesa ai të marrë detyrën në shtëpinë e bardhë. Një pjesë e artikujve të atyre që janë pranë rilindjes, e shitën këtë si një vendim të qeverisë. Disa edhe më detajistë për fakte formale, e pasqyruan si një akt që u ndërrmor nga Komiteti i Investimeve Strategjike.

Në fakt, për të qenë të thjeshtë dhe të vërtetë, duhet thënë se kjo nuk është, as pasojë e politikave zhvillimore të qeverisë, as fryt i studimeve, se cilët biznesmenë plotësojnë kushtet që të marrin favore. Ky është një vendim individual i Edi Ramës, për arsyet e veta personale.

Pesë ditë para inaugurimit, Rama i dhuron Sazanin dhëndrit të Trump

Ka më shumë se një argument që e mbështet këtë pohim. Së pari, Jared Kushneri, njësoj si dhe Grenelli, kanë zbarkuar në Shqipëri tranzit nga Serbia e Vuçiçit. Njësoj si Alabari që u hodh në Durrës pas projektit Beogradi përballë ujit, njësoj si Tony Blair që shërbën si lobist i të dy autoktatëve, njësoj si kompanitë e njëjta të sondazheve dhe fushatave, kryeministri shqiptar dhe presidenti serb përdorin kanale të përbashkët, për të arritur qëllimet e tyre. Edhe projekti Zvërnec-Sazan, është i lidhur ngushtësisht, me atë që Kushner dhe Grenell do ndërtojnë mbi gërmadhat e ish-miniistrisë së mbrojtjes së bombarduar nga NATO, në qendër të kryeqytetit serb. 

Pra, ai është një grep që Vuçiç dhe Rama kanë përdorur për tu afruar me presidentin e sapozgjedhur. Rik Grenell, si njeriu i negociatave për ndarjen e Kosovës, dhe miku i ngushtë i Vuçiçit, thjeshtë ka shërbyer si lehtësuesi i këtij deal-i politik.

Sazani & Zvërneci/ Grenell, miku i Serbisë, investitor në Shqipëri

Por historia nuk përfundon këtu. Për ta mbrojtur rezultatin e dakordësuar me Beogradin, shefi i qeverisë ka përdorur edhe biznesmenë vendas. Sipas skemës së korruptimit të McGonigalit, qëlllimi i tyre ka qenë i qartë, ti’a ngulisin Ivankës, Jaredit etj, idenë se Shqipëria e vogël është një parajsë ku askush nuk del me xhepat bosh.

Nuk ka asnjë dyshim se Edi Ramës i duhej dëshpërimisht që kjo lidhje të funksiononte, pas largimit të një administrate demokrate që përqafoi linjën e masakrimit të opozitës politike në Shqipëri dhe sidomos pas rekordeve të llahtarshme të deklaratave anti Trump që i ruhen në arkiva. Jo më kot, komisioni i senatit amerikan që hetonte konfiktin e interesit ka pëmendur shpenzimet e parave në hotelin privat të presidentit miliarder, në Uashington, dhe tratativat e fundit me Kushnerin. Kreu i këtij komisioni, Ron Wyden, ngriti shqetësimin se këto mund të qenë përpjekje për ndikim të drejtpërdrejtë mbi familjen Trump nga Shqipëria dhe Serbia.

WSJ: Kushner ia kërkoi Sazanin, Ramës duke pire kafe në Davos

Natyrisht që indiciet janë sheshit. Por ato bëhen më të forta edhe po të shikosh pikturën e madhe. Njësoj si në këtë rast, Edi Rama ka ndërmarë të tilla aventura personale edhe për ardhjen e afganëve të braktisur nga SHBA në dorë të talebanëve edhe për muxhahedinët, ashtu siç ka përgënjeshtruar vetveten kur thoshte se Shqipëria nuk do shërbente si kamp azilantësh, për vendet e pasura dhe pastaj i dhuroi sovranitetin e vendit Giorgia Melonit.

Pra, vështirë të kesh dyshime nëse vendimi i fundit i Komitetit të Investimeve Strategjike, është thjeshtë një lojë personale. Ai vjen pikërisht tani, kur aq të dashurit aleatë demokratë në ShBA, po largohen nga pushteti. Ai vjen pak ditë para se Donald Trump ta rimarë atë.

Por, sado që ky vendim të duket i lidhur me zgjedhjet e 5 nëntorit dhe me inagurimin e 20 janarit, në mënyrë paradoksale ai e ka burimin tek sfida jonë e 11 majit. Sepse aty shqiptarët do kenë si alternativë, pothuajse të vetme, një njeri që fal llokma nga atdheu, për të vazhduar ta sundojë edhe më brutalisht.

©Lapsi.al

The post Sazani, ishulli i thesarit për Ramën appeared first on Lapsi.al.

Pesë ditë para inaugurimit, Rama i dhuron Sazanin dhëndrit të Trump

By: user 8
15 January 2025 at 18:36

Në prag të inaugurimit të presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kryeministri Edi Rama i dhuroi statusin e investitorit strategjik kompanisë së lidhur me dhëndrin e tij, Jared Kushner për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit.

Vendimi u mor nga Komiteti i Investimeve Strategjike, KIS, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama më 30 dhjetor, duke pranuar propozimin e kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC dhe t’i japë asaj status të investitorit strategjik me procedurë të veçantë.

Sipas vendimit të KIS, në ishull parashikohet një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8 për qind të ishullit ose 45 hektarë.

“Vlera e investimit të projektit turistik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë Euro”, thuhet në vendimin e KIS.

Me miratimin e statusit, kompania e lidhur me Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump, do duhet të negociojë një kontratë me kompaninë publike Korporata e Investimeve Strategjike, ndërsa një sërë institucionesh shtetërore, përfshi ministritë e Infrastrukturës, Mbrojtjes, Mjedisit, Ekonomisë vihen në dispozicion të kompanisë për të transferuar pronën dhe përgatitur dokumentacionin për lehtësim të punimeve.

Nga akti i publikuar në faqen e AIDA del se vendimmarrja ishte e pritshme në favor të kërkesës së kompanisë. Në fakt, në fillim të dhjetorit 2024, prona që ishte pjesë e planit të vendosjes së Forcave të Armatosura u hoq nga lista prej Presidentit të Republikës. Vendimi i KIS nuk bën me dije se çfarë përfiton Shqipëria nga transferimi i pronës publike në favor të kompanisë amerikane, por përmendet se do të negociohet një kontratë me kompaninë amerikane.

Planet për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në Sazan dhe një tjetri në Zvërnec nga Kushner dhe kompanitë e lidhura me të, u bënë publike në fillim të vitit që shkoi dhe kryeministri Edi Rama foli hapur në favor të tyre ndërsa i tha Nju Jork Times se interesimi i kompanisë së Kushner e bënte atë “krenar dhe të lumtur”. Projektet financohen nga kompania e investimeve e Kushner Affinity Partners, e cila mbështetet në fonde nga qeveria e Arabisë Saudite.

Planet dhe aprovimi apriori i qeverisë shqiptare u kritikuan nga opozita se po bëheshin për të përfituar favore politike në rast të rizgjedhjes së Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe mungesës së transparencës e garës.

Vendimi i KIS parashikon një sërë hapash që do ndërmerren kryesisht nga institucionet shtetërore në Shqipëri, për të ndihmuar kompaninë në sigurimin e pronës, dokumentacionin e nevojshëm dhe veprime të tjera që pritet të përmbyllen në tre muajt në vijim. Kompania nga ana tjetër do duhet të nënshkruaj një kontratë me Korporatën e Investimeve Strategjike dhe Albanian Seaports Development Company sh.a ndërsa do duhet të sigurojë me investimin e vet ujin, energjinë e të ngjashme.

“Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpëmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane”, thuhet në vendim.

Vendimi i KIS bën me dije se statusi jepet për një periudhë 10 vjeçare dhe se ndërtimi parashikohet të jetë i ndarë në tre faza. /birn

The post Pesë ditë para inaugurimit, Rama i dhuron Sazanin dhëndrit të Trump appeared first on Lapsi.al.

Takimi me rabinin izraelit/ A i mbylli Rama negociatat për Sazanin?

By: user 4
7 January 2025 at 22:02

Edi Rama la Tiranën të hënën pasdite dhe udhëtoi drejt Vlorës, ku priti një rabin izraelit, të quajtur Yosiyahu Yosef Pinto, drejtues i lëvizjes “Shuva Israel” (Kthehu në Izrael) me shtrirje në Izrael, SHBA, France, Argjentinë etj.

Në një filmim që postoi në platformën X, Rama dukej më mikpritës se kurrë ndaj hebrenjve në vendin tonë. Ai duket në filmime se si e përcjell rabinin me dorën hedhur mbi sup duke i shpjeguar personalisht historinë në Shtëpinë e Pavarësisë në Vlorë.

Filmimi ka në sfond koret e djemve hebrenj dhe kur muzika ulet, Rama flet për zgjerimin e komunitetit hebre në vendin tonë, se si ai do të bëjë çfarë është e mundur që ky projekt të realizohet dhe që hebrenjtë që vizitojnë vendin tonë, të ndjehen sa më mirë si për ushqimin, ashtu edhe për historinë që lidh dy vendet.

Mesazhi në anglisht i Ramës shoqërohet me titra poshtë, për t’u siguruar se dikush tjetër, nëse nuk i dëgjon dot, ta ketë më të lehtë ta kuptojë.

So honored and humbled to have the privilege of hosting Rabbi Yosiyahu Yosef Pinto in Albania for the second time — a role model country of religious fraternity, where Jews were protected like nowhere else during wwII. It was a privilege to visit Vlora with him, the city where… pic.twitter.com/yMAw9QB9Rw

— Edi Rama (@ediramaal) January 6, 2025

Vizita e rabinit Yosiyahu Yosef Pinto nuk ka lidhje me fenë apo misionin e tij si klerik. Nga lidhjet që rabini ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga marrëdhënia speciale që ai gëzon me disa prej njerëzve më të fuqishëm në New York, përfshirë edhe familjen Kushner, duket se vizita kishte si synim, mbylljen e marrëveshjes për Sazanin.

Lidhjet rabinit Pinto me familjen Kushner

Screenshot

Yosiyahu Yosef Pinto është rabini i fundit i disa brezave rabinësh që u kthyen nga Maroku për në Izrael. Në dejet e tij rrjedh gjaku i disa udhëheqësve shpirtërorë, të cilëve hebrenjtë u njohin disa mrekulli, si pjesë e një besimi mistik, ku drejtuesi shpirtëror ruan lidhje ekskluzive me zotin.

Yosiyahu Yosef Pinto bashkë me gjyshin e tij, David Hanania Pinto kanë krijuar një kompleks shkollash dhe sinagogash në Izrael, New York, Francë, Argjentinë etj me shtrirje në të gjithë botën dhe me ndikim të fortë në komunitetin amerikano-hebre në Shtetet e Bashkuara.

Mbështetës të tyre janë dy fondacione të veçanta të familjes Kushner, në bordet e të cilave shërben Jared Kushner, që kanë dhënë disa qindra mijëra dollarë grante për qendrën e studimit të Torahut, Pintos në New York City.

Dhendri i Donald Trump, Jared Kushner
Dhendri i Donald Trump, Jared Kushner

Mediat kanë raportuar prej vitesh se dhendri i Donald Trump, Jared Kushner është ndjekës i riteve të linjës së besimit ultra-ortodoks modern, që ka të bëjë me rabinët Pinto. Në të njëjtën linjë besimi është konvertuar edhe Ivanka Trump.

Por roli i udhëheqësit shpirtëror tek besimtarët hebrenj ultra-ortodoksë nuk kufizohet vetëm tek marrëdhëniet me zotin. Rabini Yosiyahu Yosef Pinto ka fituar edhe besimin e disa prej ndjekësve të tij të pasur edhe në çështje të biznesit.

Në rrethin e disa prej njerëzve më të pasur të New York, rabini konsiderohet edhe një këshillues në biznes, po aq edhe në çështjet shpirtërore, duke i kërkuar të bekojë marrëveshjet, të japë këshilla madje edhe të mallkojë konkurentët në biznes.

“Ata rrinë në radhë dhe presin t’i puthin dorën, madje luten të jenë në rrethin e tij të ngushtë për dëgjesa private” shkruan New York Post, në një artikull të posaçëm për rabinin.

Një studim i Aomar Boum, profesor i studimeve sefardike në Departamentin e Antropologjisë, Historisë dhe të Gjuhëve në Universitetin e Kalifornisë, Los Angeles ka hedhur më shumë dritë mbi profilin e këtij njeriu ndikimi i të cilit shkon deri tek vendimet e Trump gjatë fushatës zgjedhore.

Rabini Pinto pasi u lirua nga burgu ku u dënua për korrupsion në Izrael
Rabini Pinto pasi u lirua nga burgu

Lapsi.al ka përkthyer një pjesë të shkurtër nga eseja që titullohet “Një kabalist maroken në Shtëpinë e Bardhë: Si ta kuptojmë marrëdhënien mes Jared Kushner dhe mistikut të tij marokeno-hebre”

Sipas esesë, rabini Yosiyahu Yosef Pinto njihet për ndikimin që ka në vendimet e biznesit që merr familja Kushner.

“Pasi u transferua në Nju Jork, Pinto zgjeroi “Ashdod yeshiva” e tij në një rrjet më të madh institucional të quajtur “Shuva Israel”, (Kthehu në Izrael) i cili përfshin një rrjet institucionesh hebraike, yeshivas, sinagoga dhe institucione të komunitetit. Në Manhatan, Pinto fitoi ndjekës të shumtë në mesin e anëtarëve të komunitetit të biznesit, të cilët e panë atë si një “udhërrëfyes shpirtëror që bën gjykime të mençura për biznesin dhe botën moderne, … i këshillon ata, i pajis me “energji” dhe shërben si ‘figura e babait’, së bashku me fuqizimin e veprimeve të tyre. Në fillimet e mbërritjes së tij në New York, Pinot zgjidhi një mosmarrëveshje ku ishin në mes shumë miliona dollarë mes Charles Kushner, babai i Jaredit dhe vëllait të tij Murray Kushner.

Pinto dihej gjithashtu se u kishte ofruar shërbime shumë ndjekësve në fushën e biznesit, politikës dhe sportit, duke përfshirë basketbollistin profesionist amerikan Lebron James”, ish-kongresmeni republikan Michael Grimm, manjati izraelit i biznesit Yitzhak Tshuva, sipërmarrësi amerikan Jay Schottenstein. Biznesmeni izraelit Nochi Dankner dhe ish-ministrja e jashtme izraelite Tzipi Livni”.

Mjaftojnë këta paragrafë për të kuptuar se rabini para të cilit përulej Rama në Vlorë erdhi për biznes në Vlorë. Dhe biznesi i Kushner në Shqipëri nuk është sekret. Dhëndri i Trump ka në plan investimin e 2 miliard dollarëve për komplekset turistike në Sazan dhe në Zvërnec dhe me gjasë takimi me klerikun hebre lidhet pikërisht me këtë projekt.

Jo më kot, kushdo që i rikthehet edhe një herë video-mesazhit të Ramës me Pinton, kryeministri i Shqipërisë nuk flet asnjë fjalë për muzeun për hebrenjtë, por ai flet për një projekt për të cilin do të bëjë ç’është e mundur që të realizohet dhe që kur hebrenjtë të vijnë në Shqipëri, ata të ndjehen mirë dhe të gjejnë ushqimet që preferojnë. A nuk është i tillë investimi i Kushner për Sazanin?

Dorian Kodra, ©Lapsi.al 

The post Takimi me rabinin izraelit/ A i mbylli Rama negociatat për Sazanin? appeared first on Lapsi.al.

Pse u shmang çifti i Sazanit, Ivanka-Kushner nga fushata e Trump

By: user 2
30 October 2024 at 13:59

Ivaanka Trump, vajza më e madhe e Donald Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner, që shërbeu si këshilltar në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së vjehërrit, aktualisht janë të padukshëm në fushatën elektorale të ish-presidentit të SHBA. Sipas një raporti të New York Times, çifti që pretendon të investojë në ishullin e Sazanit, por sidomos Ivaanka që kishte një rol aktiv në fushatat e mëparshme të babait të saj në 2016 dhe 2020, duke u përqëndruar kryesisht në tërheqjen e votuesve femra, nuk po e luajnë më këtë rrol.

“New York Times”: Pakënaqësi për projektet e familjes Trump në Shqipëri

Gjatë dy viteve të fundit, ajo dhe burri i saj, Jared Kushner, kanë vendosur të përqendrohen në jetën e tyre familjare dhe kanë shpallur se politika vjen e dyta në rrethin e tyre të interesave.

Sipas NYT, Ivaanka tani është një “vëzhguese e heshtur” e fushatës së fundit të babait të saj dhe nuk ka shfaqur dëshirë për të bërë komente publike në ditët e fundit përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit. Largësia e saj nga Donald Trump lidhet edhe me katër akuzat penale që i janë ngritur ish-presidentit. Në një nga rastet që kishte të bënte me mashtrimin financiar, Ivaanka u distancua nga i ati duke deklaruar se nuk kishte njohuri për me financat e tij.

Ajo ka refuzuar të japë intervista politike dhe ka shprehur se mundësitë për t’u rikthyer në fushatën e Donald Trump janë “praktikisht zero”. Burri i saj ka sugjeruar se ky cikël për Ivaankan ka përfunduar dhe se ata janë të përkushtuar ndaj vendimeve të tyre.

Disa kritikë sugjerojnë se, nëse Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, Ivaanka dhe Jared do të përfitojnë financiarisht nga aktivitetet e tyre biznesore, të cilat ndikohen nga politikat e qeverisë amerikane.

Washington Post: Pse i intereson Ramës investimi i dhëndrit të Trump!

Pavarësisht distancës së saj nga politika, Donald Trump shpesh përmend Ivaankan me fjalë pozitive. Pas transferimit të saj në Miami në vitin 2021, ajo dhe Kushner u bënë edhe më të pasur, ndonëse disa nga aktivitetet e biznesit të Kushner janë nën mbikqyrje të rreptë nga insitucionet amerikane shkruajti së fundi New York Times.

Në shtator, kryetari i Komitetit të Financave të Senatit, Ron ëyden publikoi një letër ku pretendonte të zbulonte detaje në lidhje me projektet e familjes Trump, duke përfshirë faktin se kompania e Jared Kushner, Affinity ka mbledhur deri në 157 milion dollarë nga klientët e huaj – nga të cilat 87 milion dollarë me prejardhje nga qeveria saudite. 

Për më tepër, ëyden ka pohuar se zyrtarë të qeverisë shqiptare dhe serbe iu afruan në mënyrë proaktive kompanisë Affinity Partners me propozime për projekte të pasurive të paluajtshme në vendet e tyre për të investuar në Sazan dhe Zvërnec, si edhe për të ndërtuar në qendër të Beogradit. Ky lajm ngriti dyshime se investimet e fondit të pasurisë sovrane do t’u japin qeverive të huaja ndikim mbi familjen Trump.

Planet për mega-resortet e reja turistike në Shqipëri u njoftuan për herë të parë në mars, pak pasi parlamenti ndryshoi një ligj duke lejuar qeverinë të japë leje ndërtimi në zonat e mbrojtura për resortet me pesë yje.

Rreziku/ Si po planifikon dyshja Rama Vuçiç afrimin me Trump

Rekordi i parë i vizitës së Kushnerit në Shqipëri ishte me Ivanka Trump në verën e vitit 2021. Ai gjithashtu vizitoi vendin në vitin 2023, i shoqëruar jo vetëm nga gruaja e tij, por nga Richard Grenell , ish-zyrtar i administratës Trump, i cili në disa raste shërbeu si ambasador i SHBA-së në Gjermani, ushtruesi i detyrës së drejtorit të inteligjencës kombëtare dhe i dërguari presidencial i administratës Trump për Ballkanin Perëndimor.

Andi Bushati: Blerja e pushtetit me llokma Shqipërie

Sido që të jetë rrrezultati i zgjedhjeve të 5 nëntorit në SHBA, një gjë është e sigurtë. Çifti Jared Kushner- Ivanka do të mbeten të fokusuar tek bisnesi. Nuk dihet nëse ata do të vijojnë me investimet në Shqipëri, apsi nëse kandidati republikan rezulton humbës me shumë gjasë favoret që iu ofruan familjarëve të tij si formë lobimi, do të shuhen sa hap e mbyll sytë. Tani për tani dihet vetëm ajo që shkruan New York Times se vajza e preferuar,   Ivaanka po ërqendrohet në aktivitetet e saj biznesore dhe filantropike, duke u distancuar nga politika, të cilën ajo e përshkruan si një “botë të egër”. Ajo ka theksuar se beson se duhet të jetë ose plotësisht e angazhuar ose krejtësisht jashtë politikës. Ashtu si Melania, ajo nuk ka luajtur një rol aktiv në tërheqjen e votuesve femra, në një fushatë ku çështjet gjinore janë në qendër të vëmendjes. Ndërkohë, në këtë periudhë fushate, një tjetër anëtare e familjes, nusja e djalit të Donald Trump, Lara, ka marrë një rol gjithnjë e më të dukshëm.

©Lapsi.al/ Burimi New York Times

The post Pse u shmang çifti i Sazanit, Ivanka-Kushner nga fushata e Trump appeared first on Lapsi.al.

Le Nouvel Obs: Një portret i mafiokracisë shqiptare

By: user 2
23 October 2024 at 23:35

E përjavshmja më e madhe franceze me prirje të qendrës së majtë, Le Nouvel Obs ka publikuar një artikull shumë të gjatë për atë që e quan si mafiokracia shqiptare. Në shkrimin analizë të numrit që del në treg të enten, që Lapsi.al ka mundur ta sigurojë që më parë, e dërguara speciale Marie Vaton ka pasur si synim të përshkruajë krijimin e një kampi të ri për mbajtjen e emigrantëve në Shqipëri, si pjesë e një marrëveshjeje midis Italisë dhe Shqipërisë. Artikulli thekson se ky projekt ka ngjallur shqetësime ndërkombëtare, sidomos nga Këshilli i Evropës dhe Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët. Megjithatë, Meloni mbron planin e saj si një qasje e guximshme dhe e re për menaxhimin e migracionit, duke tërhequr vëmendjen e disa vendeve të tjera evropiane. Në shkrim përshkruhen edhe ata zyrtarë shqiptarë që janë pro projektit Rama Meloni si dhe bëhet një historik i kësaj  ideje të finalizuar në nëntor 2023. Por redaksia e Lapsi.al ka përzgjedhur të përkthejë atë pjesë ku flitet për jendjen e demokracisë në Sqipëri de për mënyrën si kryeministri ynë jos ndërkombëtarët për të fituar lejitimitet për pustetin e tij.

 

Nga Marie Vaton “Le nouvel Obs” pershtati: T Çela, Lapsi.al

Besmira Lekaj nuk është raciste. Megjithatë, në Lezhë, kjo aktiviste 39-vjeçare është përpjekur të bashkojë njerëzit kundër “këtyre burgjeve për emigrantët të negociuara në fshehtësi”. Por, përveç një proteste të shkurtër prej disa orësh, e cila u ndalua menjëherë nga bashkia, lëvizja e rezistencës nuk pati sukses. “Në dhjetë vite, pushteti ka shuar opozitën, ka mbytur shoqërinë civile. Nepotizmi po gërryen të gjitha partitë. E djathta, e majta, asgjë nuk ka më kuptim”, ankohet ajo në selinë e organizatës së saj, “Dorë më dorë kundër apatisë kombëtare”.

Media franceze: Si u bë autokrati Rama aleati më i mirë i Perëndimit

Pas më shumë se dyzet vitesh totalitarizëm, Shqipëria duket se ka rrëshqitur në një diktaturë tjetër: një “mafiokraci”, e gërryer nga oligarkët, krimi i organizuar dhe mediat që janë në shërbim të tyre. Formula është e shkrimtarit Fatos Lubonja, sipas të cilit ky marrëveshje është një pjesë tjetër e “platformës gjigante të mbeturinave” që është bërë vendi i tij, i “shitur për interesat e Shteteve të Bashkuara dhe Italisë”. Dissidenti politik, i burgosur për afro njëzet vite në burgjet e regjimit të Enver Hoxhës, e njeh shumë mirë kryeministrin Edi Rama, i cili ishte një nga redaktorët e revistës së tij “Përpjekja” në vitet 1990: “E kam parë të ndryshojë dhe të krijojë një personazh për të kënaqur Perëndimorët.”

Andi Bushati: Blerja e pushtetit me llokma Shqipërie

Nga njëra anë, ai është një ikonoklast i gjithanshëm, njëkohësisht artist – ka studiuar në Beaux-Arts në Paris – intelektual, basketbollist profesionist, fytyra kozmopolite 2.0 e Shqipërisë, rinovuesi dhe stabilizuesi i Ballkanit, ai që i premton Antony Blinken-it, sekretarit të Shtetit Amerikan, një vend të pastër, të liruar nga krimi dhe paraja e pistë. Nga ana tjetër, ai është klientelist, mik i Melonit, Trumpit dhe Erdoganit, që di të bëjë të harrohen lidhjet e tij me Camorrën italiane. Kur i kujtohet lista e të afërmve të tij të akuzuar për korrupsion ose trafik droge, duke filluar me ish-ministrin e tij të Brendshëm të dënuar në 2022, Edi Rama përgjigjet se « ka derra në çdo pyll ».

Analiza e Der Spiegel: Pse Bashkimi Europian ka mbyllur një sy për Edi Ramën!

Megjithatë, derrat trajtohen mirë: ata banojnë në burgje VIP, me kuzhinë personale dhe palestër. Njëmbëdhjetë vjet pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet, Shqipëria është ende një nga vendet më të korruptuara në Evropë, sipas OJQ-së Transparency International. Një narco-shtet që po zbrazet nga popullsia e tij: që nga rënia e regjimit totalitar në 1991, afërsisht një milion shqiptarë, ose një e treta e popullsisë, kanë ikur nga papunësia dhe paga mesatare prej 750 eurosh. Ata që mbeten, shohin vendin e tyre duke u shitur për ofertat më të larta: Edi Rama sapo i ka dhënë Jared Kushner-it, dhëndrit të Donald Trump-it, një koncesion mbi ishullin e Sazanit, të njohur gjithashtu si « Maldivet e Evropës », për ta shndërruar atë në një kompleks për milionerët, me vila luksoze dhe pishina. Dhe kjo nuk është e gjitha: në 2020, ai gjithashtu dha koncesionin e portit të Durrësit grupit Emaar, me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të ndërtuar aty një marinë prej 2 miliardë eurosh.

Fox News: Pse po arrestohen krerët e opozitës në Shqipëri

« Kështu është me Ramën: ai vepron dhe mendon si një pronar me Shqipërinë », thotë me trishtim Migen Qirashi, një aktivist i grupit të opozitës qytetare Civic Resistance në Tiranë. Në kryeqytet, kullat nuk ndalen së ndërtuari dhe çmimet e pasurive të paluajtshme po rriten: « Sot, një apartament në Tiranë kushton më shumë se në Mynih, Romë ose Londër », konstaton arkitekti 37-vjeçar. Kulla kryesisht të pabanuara, të përdorura kryesisht për pastrim parash nga krimi dhe korrupsioni, sipas disa mediave investigative… Kjo duket se nuk shqetëson Edi Ramën. Për të kënaqur Giorgia Melonin, kryeministri shqiptar shumon përkuljet dhe gjestet qesharake. Kështu, pranë portit të Shëngjinit – dhe burgut të tij për emigrantët – ai përurroi në gusht Tratoria Meloni, një restorant me prodhime deti paksa të veçantë, pasi është i mbuluar tërësisht me portrete të lideres italiane. Nëpër mure, ajo shfaqet në të gjitha moshat dhe në të gjitha pozicionet e jetës së saj, në një homazh Warholian shumë kitsch.

“Le nouvel Obs” /Përshtati: T Çela, Lapsi.al

The post Le Nouvel Obs: Një portret i mafiokracisë shqiptare appeared first on Lapsi.al.

Analiza në DW/ A mund të ndikojë në Ballkan rezultati i zgjedhjeve në SHBA

By: user 6
22 October 2024 at 22:13

Djali i Donlad Trump shkon në Beograd, dhëndri i tij bën biznese në Serbi dhe Shqipëri – ndërsa në Kosovë zgjedhjet presidenciale në SHBA shihen me shqetësim. Çfarë pasojash do të ketë rezultati i tyre ndaj Ballkanit?

Nga Alexander Rhotert, DW

Vendet e Ballkanit Perëndimor – veçanërisht Serbia dhe Kosova – po i shikojnë me vëmendje zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA. Çfarë ndikimi do të ketë rezultati i zgjedhjeve në këtë cep të Europës Juglindore? Më 23 shtator, djali i Donald Trump, Donald Jr., u shoqërua nga biznesmenë serbë në Beograd për të diskutuar mundësitë e investimeve. Kjo nuk ishte hera e parë për familjen Trump: kontaktet e ish-presidentit me sipërmarrës dhe përfaqësues të qeverisë filluan që në vitin 2013. Në atë kohë, Ivica Daçiq, atëherë kryeministër i Serbisë, foli publikisht për interesimin e Trump në një projekt për patundshmëri. Objekti në fjalë ishte ish selia e Ushtrisë Popullore Jugosllave, e cila u dëmtua rëndë gjatë bombardimet e NATO-s të vitit 1999. Por negociatat dështuan.

Por, në maj të këtij viti, dhëndri i Trump, Jared Kushner, i udhëhequr nga ish-ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, vulosi marrëveshjen. Kontrata në vlerë prej një miliard dollarësh përfshin një qira 99-vjeçare të kompleksit. Grenell shihet si një kandidat i mundshëm për postin e Sekretarit të Shtetit nëse Trump fiton zgjedhjet presidenciale në nëntor. Ai është konsideruar si ambasadori më i papëlqyer i SHBA-së në Gjermaninë e pas-luftës. Gazeta e përditshme zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) shkoi aq larg sa e quajti atë “jodiplomatik” për shkak të “sjelljes së tij të neveritshme”. Donald Trump Jr së fundmi e vlerësoi Grenell si “kandidatin kryesor për postin e sekretarit të shtetit”.

Kursi i dështuar ballkanik i Trump 2020

Grenelli, si i dërguar i posaçëm i Trump për Ballkanin, “tërhiqte fijet e marionetave” në vitin 2020 kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti u rrëzua për shkak se ai qëndroi në rrugën e një marrëveshjeje tjetër. Marrëveshja në fjalë dyshohet se kishte të bënte me një shkëmbim territorial përgjatë vijave etnike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në qershor 2020, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, donin të takoheshin me Trump në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen.

Richard Grenell duke pranuar Urdhërin e Flamurit Serb në 2023 nga Aleksander Vucic
Richard Grenell duke pranuar Urdhërin e Flamurit Serb në 2023 nga Aleksander Vucic

Sipas raporteve, marrëveshja do të kishte lejuar që katër komunitetet me shumicë etnike serbe në veri të Kosovës të bëhen pjesë e Serbisë. Në këmbim, Lugina e Preshevës me shumicë shqiptare etnike në Serbinë jugore do të ishte bërë pjesë e Kosovës. Një shkëmbim territorial si ky mund të kishte një efekt domino në rajon, sepse shtetet e Ballkanit Perëndimorjanë të gjitha ende kryesisht multietnike.

Lidhje të ngushta Trump-Serbi

Udhëheqësi i Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik kishte kërcënuar se nëse do të bëhej një shkëmbin territorial, Republika Srpska do t’i bashkohej Serbisë. Ky shkëmbin do të mund të sillte një “luftë të re ballkanike”. Rishikimi etnik i kufijve ka potencial të madh për konflikt. Por planet e Trumpit u prishën nga një aktakuzë kundër Presidentit Presidentit Thaçi nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë. Thaçi u vetë-dorëzua në gjykatë.

Ndërkohë, popullariteti i qëndrueshëm i Grenellit në Serbi ilustrohet nga fakti se Marko Gjuriq, ish-ambasadori i Serbisë në SHBA, dhe tashmë ministëri i punëve të jashtme të Serbisë, kohët e fundit tha se Grenell ishte “pa dyshim miku i Serbisë”.

Në vitin 2023, presidenti Vuçiç i dorëzoi Grenellit urdhrin më të lartë të vendit si njohje e avokimit të tij për Serbinë, duke e arsyetuar vendimin e tij duke thënë se: “Unë mendoj se ai është një nga njerëzit e paktë nga SHBA që ka një qasje të ekuilibruar ndaj Kosovës”.

Kamala Harris duke mbajtur fjalim në Chicago
Kamala Harris duke mbajtur fjalim në Chicago

Çfarë do të thotë një fitore e Harris për rajonin?

Qëndrimi pro-serb i Trump lë të kuptohet se çfarë mund të presë Ballkani Perëndimor nëse republikani do të kthehej në Zyrën Ovale në nëntor. Linja e ndjekur nga kandidatja e Partisë Demokratike Kamala Harris, nga ana tjetër, nuk ka qenë deri më tani aq e qartë. Megjithatë, disa përfundime mund të nxirren në bazë të të kaluarës së saj personale dhe pikëpamjeve të politikës së jashtme.

Është e pagjasshme që Harris të favorizojë nacionalistët serbë apo ndojnë grup etnonacionalist tjetër. Përveç kësaj, qëndrimi pro-ukrainas i Harris është i dokumentuar. Është e mundur që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka paralajmëruar atë për planet e supozuara të Moskës për të destabilizuar Ballkanin ose për të hapur fronte të reja atje me ndihmën e nacionalistëve irredentistë serbë pro-Moskë. Lidhjet e ngushta midis Beogradit dhe Moskës mund ta shtyjnë Harrisin të ndryshojë kursin e Amerikës.

Edward Joseph, një studiues i konflikteve në Universitetin e njohur Johns Hopkins, kritikoi kohët e fundit se administrata e Biden-it po bëhej me Serbinë. Ai tha gjithashtu se Vuçiq e ka zhvendosur orientimin e Beogradit si kurrë më parë kah lindja dhe se nuk ka asnjë arsye pse Harris, nëse zgjidhet, të vazhdojë politikën e pasuksesshme të Bidenit. Ish-diplomati amerikan Shaun Byrnes mbajti të njëjtën linjë, duke rekomanduar se SHBA duhet të jetë “më e ashpër me Serbinë, sepse ajo vazhdon të ketë një qasje armiqësore ndaj Kosovës”.

‘Fantazia diplomatike’ e Bidenit në Ballkan

Daniel Serwer, një diplomat i vjetër që ka punuar me Richard Holbrooke, arkitektin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, e ka përshkruar politikën e Bidenit për Ballkanin si “fantazi diplomatike”. Në sytë e Serwer, për të ndërtuar Vuçiqin, që kishte qenë ministër propagande në kohën e Slobodan Millosheviçit në vitet 1990, si një spirancë stabiliteti ishte shumë larg realitetit.

Vizitat e shpeshta në Moskë nga aleati i Vuçiqit dhe zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin, i cili së fundmi siguroi personalisht presidentin rus Vladimir Putin se Serbia është “partneri dhe aleati strategjik i Rusisë”, vë në dyshim politikën e SHBA-së për Ballkanin. Aktivitetet e anëtarëve të rrethit të Trump në Beograd kanë treguar se nëse ish-presidenti rizgjedh në nëntor, objektivat ekonomike do të jenë në ballë të politikës së Amerikës për Ballkanin Perëndimor në të ardhmen. Fakti që presidenti i Serbisë Vuçiq ka marrëdhënie të shkëlqyera me Putinin, i shkon për shtat Trumpit deri në fund.

Shqetësimet për një administratë të dytë të mundshme të Trump

Megjithatë, për Ukrainën, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi, e gjithë kjo është alarmante. Sepse, megjithëse Bosnja dhe Kosova janë dy shtete qartësisht pro-amerikane, pro-perëndimore me popullsi shumicë myslimane, ato nuk mund të mbështeten automatikisht në mbrojtjen e SHBA-së kundër dëshirave ekspansioniste të Serbisë nëse Trump rizgjedhët si president.

Vladimir Putin dhe Aleksander Vucic ne nje takim te perbashket
Vladimir Putin dhe Aleksander Vucic ne nje takim te perbashket

Trump ka treguar në të kaluarën se nuk ka asnjë problem t’i lërë aleatët, nëse kjo i përshtatet agjendës së tij. Për shembull, Në dhjetor 2018, ai njoftoi se do të tërhiqte shumicën e trupave amerikane nga Siria. Duke vepruar kështu, ai tradhtoi kurdët, të cilët kishin bërë shumicën e luftimeve në terren në betejën kundër Shtetit Islamik (IS). Kjo tradhti e aleatëve bëri që Sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes i SHBA-së, James Mattis, të jepte dorëheqje.

Para se të dështonte marrëveshja e shkëmbimit territorial, Serbi-Kosovë, Trump e kishte kërcënuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në disa raste se do të tërhiqte trupat amerikane nga Kosova. Prania e këtyre trupave shihet si një politikë jetësore për sigurinë Kosovën, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh. Është e diskutueshme nëse trupat e KFOR-it të NATO-s mund të garantojnë sigurinë e Kosovës pa amerikanët. Por, administrata Biden duket se ka marrë të paktën një masë paraprake në këtë drejtim: SHBA-ja e ka furnizuar Kosovën me 250 raketa antitank Javelin, nga ato që ka dërguar edhe në Ukrainë. Edhe Turqia e ka furnizuar Kosovën me dronët e saj Bayraktar. Pa këto dy sisteme armësh, Ukraina nuk do të ekzistonte më si shtet i pavarur. Por ndryshe nga Serbia, që karreth 250 tanke lufte, Kosova nuk ka asnjë. Pra, numri i raketave antitank të furnizuara nga SHBA-ja sigurisht nuk ishte rastësi.

© Marrë nga DW, Alexander Rhotert është politolog dhe autor. Studiues i ish-Jugosllavisë që nga viti 1991, ai ka punuar për OKB-në, NATO-n, OSBE-në dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në Bosnje dhe Hercegovinë, ndër organizata të tjera. Ky artikull u botua në gjermanisht.  

The post Analiza në DW/ A mund të ndikojë në Ballkan rezultati i zgjedhjeve në SHBA appeared first on Lapsi.al.

WSJ: Kushner ia kërkoi Sazanin, Ramës duke pire kafe në Davos

By: user 6
6 October 2024 at 18:37

Gazeta e njohur amerikane Wall Street Journal i ka kushtuar një artikull të gjatë projekteve të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Shqipëri, ku ata planifikojnë të zhvillojnë një kompleks turistik luksoz në ishullin e Sazanit. 

Në artikull theksohet se ideja për këtë projekt i lindi dhëndrit të Donald Trump pasi kaloi një javë duke shijuar plazhet e bukura të Shqipërisë. WSJ shkruan se Kushner i paraqiti propozimin kryeministrit shqiptar, Edi Rama, gjatë një takimi në Davos.

Sipas medias amerikane kryeministri Rama është optimist për këtë projekt, duke nënvizuar potencialin e Shqipërisë për të rritur turizmin dhe për të tërhequr investime të huaja. Nuk lihen pa përmendur megjithatë edhe lehtësirat që qeveritë në Tiranë dhe Beograd i kanë bërë familjes, Trump me këto projekte. Më poshtë vjen shkrimi i plotë…

Aventura e shkëlqyer e Jared dhe Ivanka

Muaj pasi u larguan nga Shtëpia e Bardhë në 2021, Jared Kushner dhe Ivanka Trump kaluan një javë duke shijuar plazhet e Shqipërisë. Ata u ngjitën në shkallët e gurta të një teatri 2200-vjeçar të Butrintit, darkuan në një jaht me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe u “fiksuan” nga vizita në ishullin e vetëm të Shqipërisë. Aq shumë e deshën, sa menduan se do të ishte destinacioni i përsosur për të ndërtuar një hotel luksoz.

Udhëtimi në Shqipëri, u la aq shumë përshtypje, saqë kur Kushner u takua me Ramën disa muaj më vonë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, i bëri një propozim. Gjatë një kafeje, Kushner tha se ishte “shumë, shumë i hipnotizuar nga bukuritë e Shqipërisë”. Këto detaje i ndau kryeministri Edi Rama, i cili shtoi: “Kushner më pyeti nëse do të kishte mundësi që të investonte në Shqipëri”.

Rama dha bekimin e tij—dhe më shumë.

Kushner, 43 vjeç, tani po punon për një projekt që do të kushtojë 1 miliard dollarë. Ai po negocion detaje me qeverinë e Ramës për të ndërtuar vila ekskluzive në Sazan, ishullin ushtarak që ai vizitoi, e cila më parë shërbente si një bazë për nëndetëset sovjetike. Ishulli është i mbrojtur ekologjikisht. Por një ligj i ri shqiptar lejon ndërtimin e hoteleve, për sa kohë që ato janë të paktën pesë yje.

Jared and Ivanka's Excellent Adventure - WSJ

Që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë, ku shërbeu si këshilltar i lartë i vjehrrit të tij, presidentit të atëhershëm Donald Trump, Kushner ka ndërtuar një perandori të re biznesi duke u anuar në lidhjet gjeopolitike. Kushner u mbështet në lidhjet me monarkët arabë për të mbledhur pjesën më të madhe të parave në fondin e tij privat prej 3.1 miliardë dollarësh. Kjo lëvizje ka ngjallur kritika nga republikanët dhe demokratët në Kongres.

LEXO EDHE: A gënjeu Rama për investimin e dhëndrit të Trump?

Kompania e tij e re, Affinity Partners, është e mbushur me ish-zyrtarë të administratës Trump. Disa janë pretendentë për poste të larta qeveritare nëse Trump fiton këtë nëntor.

Në Ballkan, Kushner iu drejtua liderëve të Shqipërisë dhe Serbisë për të zhvilluar biznesin e tij me prona të paluajtshme në toka publike pa pasur nevojë të kalonte nëpër ankande. Në Serbi, ai po ndërton mbi një memorial që qeveria thotë se do t’u kushtohej të gjitha viktimave të agresionit të NATO-s. Mbledhja e fondeve të Kushnerit dhe marrëveshjet e pronave me vendet e tjera, po nxisin frikën se ai dhe anëtarët e tjerë të familjes Trump mund të përfitojnë duke kultivuar marrëdhënie me liderët botërorë.

Por për Kushner nuk është kështu.

“Unë nuk mendoj se dikush ka thënë ndonjëherë se kam thyer ndonjë rregull ose nuk kam ndjekur ligjet e vendeve se ku dua të investoj, apo se kam qenë shumë skrupuloz duke e bërë plane. Kam mësuar gjatë kohës sime në qeveri se nëse e kaloj kohën time duke u përpjekur të jetoj në një mënyrë që zbut shqetësimet e kaq shumë njerëzve që nuk i respektoj, të cilët janë të motivuar nga politikat partiake, atëherë thjesht do paralizohesha”.

LEXO EDHE: Projekti i Sazanit/ Dhëndri i Trump akuzohet për korrupsion

I pyetur se nëse Trump rikthehet në detyrë, a do ketë komplikime, Kushner u shfaq edhe vetë i paqartë: “Ndoshta. Ndoshta do të ketë më shumë gjykim mbi mua sot sesa një vit më parë”.

Por, ai gjithashtu tha nuk po distancohet nga fushata presidenciale. Nga zyra e tij në Majami, Kushner luan një rol informal si këshilltar. “Jam aty për të ndihmuar dhe këshilluar Trump dhe ekipin e tij!”. Ai gjithashtu pranon çdo thirrje për të dëshmuar nga senatorët dhe kongresmenët. Por shton se nuk e ka në plan të rikthehet në qeveri. Të njëjtën gjë ka thënë edhe vajza 42-vjeçare e ish-presidentit, Ivanka Trump.

Jeta në Miami

Pasi Trump u largua nga detyra, Kushner dhe Ivanka Trump ishin të etur për të filluar një kapitull tjetër në jetën e tyre. Çifti dhe tre fëmijët e tyre – 8, 10 dhe 13 vjeç – u larguan shpejt në Miami. Ata morën me qira një apartament prej 7000 metrash katrorë ndërsa rinovuan një shtëpi prej 24 milionë dollarësh në Indian Creek Island, një fshat hiper-ekskluziv në gjirin Biscayne, ku afërsisht tre duzina shtëpi formojnë një perimetër në formë patkoi rreth një fushe golfi. Tom Brady dhe Jeff Bezos janë fqinjët e çiftit.

Jared and Ivanka's Excellent Adventure - WSJ

Familja i kalon fundjavat kryesisht jashtë, duke bërë ski dhe shëtitje me varkë në gjirin që rrethon shtëpinë e tyre. Sa i përket karrierës, ndryshe nga i shoqi, Ivanka Trump zgjodhi që të mbante një profil më të ulët biznesi sesa bëri para 2017-ës. Ajo nuk bën më marrëveshjet e markës ose zhvillimit të hotelit Trump. Ajo nuk është e përfshirë shumë as me Affinity, e cila është në pronësi të plotë të Kushner-it.

Stafi dhe këshilltarët e Affinity përfshijnë Richard Grenell, i cili mbante poste në administratën Trump, duke përfshirë atë të ambasadorit në Gjermani dhe të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, dhe Kevin Hassett, ish-këshilltarin ekonomik të Shtëpisë së Bardhë. Lista përmban gjithashtu ish-zyrtarin e lartë të sigurisë kombëtare të Lindjes së Mesme, Miguel Correa.

Edhe Kushner pasi la Shtëpinë e Bardhë iu rikthyer dashurisë së parë; investimit në pasuritë e paluajtshme, duke nisur nga Ballkani Perëndimor. Kushner pa një mundësi për investim. Çmimet e apartamenteve po lulëzojnë në Serbi, ndërkohë që së fundmi turistët janë vërshuar masivisht në plazhet me kosto të ulët të Shqipërisë. Affinity synon të krijojë mijëra njësi hotelesh dhe apartamentesh vetëm disa minuta larg një aeroporti të ri ndërkombëtar që po ndërtohet pranë qytetit të Vlorës.

Marrëveshja me Serbinë

Grenell, i cili si i dërguari i Trumpit për Ballkanin ishte i afërt me presidentin serb, kishte kohë që kishte parë objektin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave në qendrën historike të qytetit të Beogradit, të cilin qeveria ka kërkuar ta rizhvillojë. Por ishte e ndërlikuar.

Vendi u bombardua nga NATO në vitin 1999 në mes të një përpjekjeje për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik të presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç në Kosovë. Grenell, i etur për të sjellë investime amerikane në rajon, i telefonoi Kushnerit disa muaj pasi Trump la detyrën për t’u përpjekur ta “shiste” idenë e tij.

LEXO EDHE: Andi Bushati: Blerja e pushtetit me llokma Shqipërie

Kushner dërgoi një punonjës, i cili ishte “i mahnitur” nga gjallëria e Beogradit. Në maj, Serbia tha se ra dakord për të dhënë godinën me qira për investimet e Kushner, i cili do “hedhë” 500 milionë dollarë. 

Si kusht për rizhvillimin e një vendi në Beograd që NATO bombardoi në 1999, Affinity do të duhej të ndërtonte një memorial për ato që qeveria serbe i quan viktima të agresionit të aleancës euro-atlantike. Ky inkuadrim ka ngjallur polemika.

Clark, Wyden dhe amerikanë të tjerë kanë kritikuar idenë. Nacionalistët në qeverinë serbe e kanë kundërshtuan planin, sepse e konsiderojnë godinën një “vend të shenjtë”. Por është e vendosur! Qeveria serbe tha se marrëveshja do të ndihmojë në tërheqjen e më shumë investimeve të huaja në vend.

Një Mesdhe i ri

Në të njëjtën kohë që planet e Beogradit po ecnin mirë, Kushner po vështronte bregdetin shqiptar. Pas pushimeve të tij në jaht në 2021 dhe kafesë së tij në Davos me Ramën, ai zhvilloi pamjet e tij në dy pika ideale. Zgjodhi Sazanin – një ishull malor dhe një tokë private në gadishullin e Zvërnecit, aty ku dynden flamingot.

Jared and Ivanka's Excellent Adventure - WSJ

Sazani do të jetë më ekskluziv. Ishte ideja e Ivanka Trump për të futur “Aman”. Marka menaxhon resorte ultra-ekskluzive me dhoma që kanë tendencë të kushtojnë mbi 1000 dollarë nata. Vlad Doronin, një miliarder me origjinë sovjetike që drejton Aman, fillimisht u befasua nga ideja, por në fund u nënshkrua pasi dërgoi dikë për të vëzhguar vendndodhjen e ishullit. E kontantuar nga media amerikane, zëdhënsëja e Aman nuk pranoi që të komentonte lidhur me planet e ndërtimit.

LEXO EDHE: “New York Times”: Pakënaqësi për projektet e familjes Trump në Shqipëri

Aktualisht qeveria shqiptare po rishikon planet, por Rama ka qenë mbështetës i projektit që në fillim. Ai e quan Kushnerin mik dhe të dy shkëmbejnë mesazhe në WhatsApp.

Muaj pasi Kushner prezantoi zyrtarisht planet, Shqipëria ndryshoi një ligj për të lejuar hotelet në zona të mbrojtura mjedisore, për sa kohë që ato janë pesë yje ose më lart. Qeveria ka thënë se ligji nuk kishte lidhje me Kushnerin dhe kishte për qëllim turizmin në të gjithë vendin, por politikanët e opozitës dhe avokatët e mjedisit kanë sulmuar legjislacionin dhe pretendojnë se një marrëveshje me Kushnerin ka për qëllim të fitojë favorin e Trump.

Rama tha se negociatat me Kushner nuk kanë të bëjnë fare me lidhjet e Kushnerit me Trump dhe përputhen me vizionin e tij për të ndërtuar bregdetin si një destinacion turistik i nivelit të lartë – duke u përmbajtur mbi tërheqjen masive të tij me të ardhura mesatare. “Nëse ky investim ndodh, do jetë një xhevahir në kurorën e Mesdheut”, shtoi Rama. /Wall Street Journal, LAPSI.al

The post WSJ: Kushner ia kërkoi Sazanin, Ramës duke pire kafe në Davos appeared first on Lapsi.al.

❌