Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayAlbeu

Viktimat e dhunës digjitale, ende pa mbrojtje konkrete ligjore në Kosovë

By: M C
25 October 2025 at 23:23

Për muaj të tërë, në Kosovë flitej shpesh për grupin AlbKings, një kanal në Telegram ku shpërndaheshin video e fotografi intime të vajzave, bashkëngjitur me numrat e kontaktit të tyre. Nga prilli deri në tetor të vitit 2024, ish-administratori i këtij kanali, E.A., ishte i arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “vjedhje e identitetit dhe kredencialeve”. Për vjedhje të identitetit, Kodi Penal i Kosovës parasheh dënim deri në 2 vjet burgim, apo edhe deri në 5 vjet burgim kur ajo ndërlidhet me vepra terroriste.

Pse ngrihet kjo çështje nga organizatat feministe në veçanti?

Pse ishte kjo vepra për të cilën ai akuzohej? Sepse në Kodin Penal të Kosovës nuk parashihet vepra konkrete që ai kishte kryer dhe prokurorët u detyruan ta përshtatin atë me termat ekzistues.

Arrita Rezniqi, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se kjo është problematike, pasi që thekson se ndjekja penale bëhet më e lehtë kur legjislacioni ekzistues e specifikon qartë një vepër penale dhe dënueshmërinë për të.

“E shohim këtë si barrierë për qasje efektive në drejtësi dhe për mbrojtjen e mirëfilltë të qytetarëve të vendit, sepse, thjesht, mund të ndikojë që rastet e kësaj natyre të minimizohen ose veprimet në ato raste të mos ndiqen si duhet penalisht”, thotë Rezniqi për Radion Evropa e Lirë.

Ajo tregon se institucionet e drejtësisë në Kosovë, në mënyrë specifike Policia e Kosovës dhe Prokuroria, i identifikojnë elementet e veprave penale ashtu që t’i përshtatin me termat ekzistues në Kodin Penal.

Kjo rezulton në ndjekje penale dhe dënim për kryesit e dhunës digjitale. Por, kjo shpesh nuk është e mjaftueshme.

“Kur i marrim në konsideratë në veçanti zhvillimet e fundit në sferën teknologjike, inteligjencën artificiale dhe trendët e rinj, është thjesht e nevojshme që të ndërmerren hapa konkretë për t’i specifikuar krejt këto veprime në kuadër të kornizës sonë ligjore”, thotë Rezniqi.

Së fundi, në shtator të këtij viti, tre nga të akuzuarit në rastin AlbKings u dënuan vetëm me gjobë, pasi arritën marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë.

A.T. mori gjobë prej 2.000 eurosh, ndërsa B.R. dhe V.A. morën gjobë prej nga 2.500 euro. Vepra penale që rëndonte mbi ta ishte “ngacmimi”.

Kodi Penal i Kosovës e përkufizon ngacmimin si vëmendje apo komunikim me qëllim të “ngacmimit, frikësimit, lëndimit, dëmtimit të pasurisë apo vrasjes”. Në këtë pikë përfshihet edhe dërgimi i mesazheve telefonike.

Për këtë vepër parashihen dënime deri në 5 vjet burgim.

Këto raste e theksojnë nevojën për ndryshim të Kodit aktual Penal, beson Rezniqi.

“Është e nevojshme që t’i kemi në mënyrë specifike të adresuara në legjislacionin tonë të gjitha këto veprime dhe dënueshmërinë për ato veprime, në mënyrë që, në përputhje me to, të jetë edhe shkalla e dënimit”, shton ajo.

Besarta Breznica, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, u ka bërë thirrje tash e një kohë institucioneve që të ndryshohet Kodi Penal, ashtu që edhe veprat penale të ngjashme me ato të kryera nga AlbKings të mund të marrin një dënim, sipas saj, më të merituar.

“Rastet e kësaj dhune vetëm po shtohen, kurse personat në fjalë po ndiqen për veprat “kanosje” e “ngacmim”, ndjekje këto që nuk janë të rëndësisë apo kapacitetit të njëjtë si dhuna që ndodh online”, thotë Breznica për REL-in.

Dhe, mosrealizimi i kësaj kërkese e ka lënë Breznicën të besojë se institucionet, thjesht, nuk e marrin seriozisht “sigurinë e vajzave dhe grave në Kosovë”.

Ministria e Drejtësisë ka thënë për REL-in se kjo kërkesë e organizatave feministe për përfshirjen e dhunës kibernetike është pjesë e shqyrtimit nga grupi punues që punon për plotësim-ndryshimin e Kodit Penal që nga viti 2024.

Një zyrtar ligjor i kësaj ministrie ka pranuar se, për shkak të vonesave në formimin e institucioneve, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, është e vështirë të parashikohet kohëzgjatja e plotë e këtij procesi.

Meqë, ato insistojnë se, si në rastin e grupit AlbKings, janë gratë më të cenueshme nga këto vepra.

Rezniqi thekson se, në Kosovë, “shpesh kemi parë që gratë bëhen objekt i përndjekjes online, sulmeve seksiste, shantazheve përmes materialeve personale apo materialeve të tjera pa pëlqimin e tyre”.

“Dhe këtë e shohin si një zgjerim të dhunës me bazë gjinore në hapësirën virtuale, ku pasojat janë pastaj reale në jetën e viktimës dhe ndikojnë veçanërisht te gratë”, shton ajo.

Një hulumtim i publikuar vitin e kaluar nga organizata Demokracia për Zhvillim (D4D) gjeti se kur gratë janë subjekt i lajmeve nëpër media, ato postime në rrjete sociale marrin tri herë më shumë reagime sesa lajmet e tjera. Shumica e komenteve me gjuhë të urrejtjes bëhen nga burrat.

Për këtë hulumtim, kjo organizatë monitoroi mbi 110 portale në Kosovë nga janari i vitit 2022 deri në nëntor të vitit 2023. Ky hulumtim rezultoi në analizë të mbi 3.6 milionë artikujve të publikuar nga mediat në Kosovë.

Në shumicën e lajmeve, gratë e përfshira në politikë ishin cak i komenteve me gjuhë të urrejtjes, që Kombet e Bashkuara (OKB) e definojnë si diskurs fyes që përdoret ndaj një individi ose grupi në bazë të disa karakteristikave – si raca, feja ose gjinia – dhe që “mund të kërcënojë paqen sociale”.

Problemi i identifikimit të kryesve të veprës

Një tjetër problem mbetet identifikimi i kryesve të dhunës digjitale, pasi që shpeshherë kjo bëhet përmes profileve të rreme.

Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se, në bazë të analizave të tij, kjo bëhet në mënyrë shumë efektive në disa raste nga një departament i specializuar për krime kibernetike në Policinë e Kosovës.

Por, jo për të gjitha llojet e veprave.

“Në bazë të informatave që ne kemi, ky bashkëpunim zakonisht bëhet kur është fjala për vepra që ndërlidhen me pasoja më të rënda, për shembull me vepra penale të terrorizmit ose të ngjashme… përgjigjet janë më të shpejta, pra bashkëpunimi është më i mirë”, thotë Rezniqi.

Ajo shton se kjo nuk ndodh edhe në rastet individuale të ngacmimeve apo shantazheve.

Si Rezniqi, ashtu edhe Breznica shpresojnë që institucionet do të ndërmarrin sa më shpejt hapa konkretë për zgjidhjen e këtyre problemeve.

“Thjesht, ne duhet të sigurohemi që të gjitha këto zhvillime teknologjike të përdoren si mjet fuqizimi, të na ndihmojnë t’i ndjekim këto raste, e jo si mjet i dhunës ndaj gjithë qytetarëve, në veçanti grave”, përfundon Rezniqi./REL

The post Viktimat e dhunës digjitale, ende pa mbrojtje konkrete ligjore në Kosovë appeared first on Albeu.com.

Agjencia e Arsimit Parauniversitar: Nismat digjitale, prioritet i vitit të ri shkollor

By: D Marku
7 September 2025 at 23:53

Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar u shpreh sot sezhvillimi dhe menaxhimi i kompetencave digjitale në arsimin parauniversitar është një nga prioritetet kryesore të vitit të ri shkollor 2025–2026.
Kjo nismë ka për qëllim të përgatisë nxënësit që të jenë pjesë aktive e shoqërisë dhe ekonomisë digjitale, duke i pajisur ata me njohuri të thelluara, aftësi praktike dhe qëndrime të përgjegjshme për përdorimin e teknologjisë.

Sipas Agjencisw Kombwtare te Arsimit Parauniversitar, qëllimi kryesor është që nxënësit të mësojnë të përdorin mjetet digjitale jo vetëm si instrumente për të marrë dije, por edhe si hapësira për të menduar në mënyrë kritike, për të krijuar zgjidhje inovative dhe për të ndërtuar aftësi që lidhen drejtpërdrejt me tregun e punës.

Përmes laboratorëve SmartLab dhe STEM, klasave të inteligjencës artificiale dhe përdorimit të platformave digjitale, po krijohen kushte që nxënësit të zhvillojnë kompetencat e shekullit XXI.
Sipas Agjencisw Kombwtare tw Arsimit Parauniversitar Përmes formimit të vazhdueshëm të mësuesve dhe rrjeteve profesionale, sigurohet menaxhimi cilësor i kësaj kompetence në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Përmes bashkëpunimit me universitetet dhe institucionet partnere, po ndërtohet një qasje e unifikuar kombëtare për integrimin e kompetencës digjitale në kurrikulë dhe praktikë mësimore.

Kjo reformë është pjesë e vizionit për një shkollë moderne dhe gjithëpërfshirëse, ku çdo nxënës ka mundësinë të rritet i përgatitur për sfidat e së ardhmes dhe të kontribuojë si qytetar aktiv në një botë gjithnjë e më digjitale.

The post Agjencia e Arsimit Parauniversitar: Nismat digjitale, prioritet i vitit të ri shkollor appeared first on Albeu.com.

Nuk ka më kartë imbarkimi dhe check-in, “ID dixhitale e udhëtarit” po vjen

By: D Marku
12 April 2025 at 21:08

Ditët kur udhëtarët kërkonin furishëm për kartat e tyre të imbarkimit dhe bënin check-in në minutën e fundit, së shpejti mund të jenë një gjë e së kaluarës.

Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO), organi i OKB-së përgjegjës për politikën e aviacionit, po planifikon një ndryshim rrënjësor në rregulloret që rregullojnë udhëtimin ajror , nëpërmjet futjes së “kredencialit dixhital të udhëtimit”.

Sipas një raporti në Times, teknologjia e re mund të zbatohet brenda tre viteve të ardhshme dhe do t’i lejojë pasagjerët të ruajnë pasaportat e tyre në formë dixhitale në celularët e tyre, në mënyrë që t’i përdorin ato në të gjitha fazat e udhëtimit.

Sot, pasagjerët duhet të bëjnë check in – qoftë në internet ose në aeroport – dhe të marrin një kartë hipje me barkod, e cila skanohet në mënyrë të përsëritur gjatë gjithë procesit, deri në hipjen në avion.

Me procesin e ri do të shfuqizohen kartat e kontrollit dhe të hipjes në avion. Në vend të kësaj, pasagjerët do të shkarkojnë një “kartë udhëtimi” në telefonin e tyre celular në momentin e rezervimit të biletës, e cila do të përditësohet automatikisht në rast të ndryshimeve në udhëtim, siç raportohet nga Guardian.

Përveç kësaj, pasagjerët do të mund të ngarkojnë të dhënat e pasaportës së tyre në celularin e tyre dhe të kalojnë nëpër të gjitha pikat e kontrollit të aeroportit përmes njohjes së fytyrës, pa pasur nevojë për check-in manual. Linjat ajrore do të njoftohen automatikisht për mbërritjen e pasagjerit në aeroport kur fytyra e tyre të skanohet.

Kjo teknologji e re premton udhëtime më të shpejta, më të sigurta dhe më të thjeshta, duke reduktuar shqetësimin për pasagjerët, ndërkohë që përmirëson sistemet e sigurisë.

The post Nuk ka më kartë imbarkimi dhe check-in, “ID dixhitale e udhëtarit” po vjen appeared first on Albeu.com.

❌
❌