Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 February 2026Albeu

“Informator” i Epsteinit/ Britania në mes të skandalit ‘Mandelson’, policia bastis shtëpitë e ish-ministrit

By: D Marku
7 February 2026 at 15:48

Zbulimi i komunikimeve sekrete elektronike midis Peter Mandelson dhe miliarderit të dënuar për pedofili Jeffrey Epstein po shkakton tronditje të madhe politike në Britani. Ish-kryeministri Gordon Brown e cilësoi situatën si “krim financiar” dhe “tradhti ndaj gjithçkaje që përfaqësojmë si vend”.

Mesazhet tregojnë se Mandelson, gjatë kohës që mbante poste të larta në qeverinë e Partisë Laburiste, i ka rrjedhur Epsteinit informacione të ndjeshme qeveritare dhe financiare, përfshirë planet e Thesarit për një taksë mbi bonuset e bankierëve gjatë krizës financiare të vitit 2008. Dokumentet sugjerojnë se ai mund të ketë ndikuar në tregjet financiare, duke vendosur Britaninë në rrezik. Hetimi policor, i zhvilluar nga Policia Metropolitane e Londrës, përfshiu dy prona të Mandelson në Londër dhe Wilshire, të cilat u kontrolluan, ndërsa aktualisht nuk janë bërë arrestime. Materialet do të analizohen për të përcaktuar nëse ai ka shkelur ligjin dhe ka dhënë informacion të klasifikuar një personi jashtë institucioneve shtetërore.

Mandelson dha dorëheqjen nga Dhoma e Lordëve dhe Partia Laburiste pas publikimit të zbulimeve, duke kërkuar falje për marrëdhënien me Epsteinin dhe për çdo ndikim të mundshëm mbi viktimat. Megjithatë, fakti që Kryeministri aktual Keir Starmer e emëroi atë ambasador në SHBA në vitin 2024, pavarësisht historikut të njohur me Epsteinin, ka ngjallur kritika dhe presion të madh brenda Partisë Laburiste.

Gordon Brown, i cili ka qenë rival politik i Mandelson për dekada, theksoi për BBC Radio 4 se: “Ky është informacion financiar i klasifikuar. Ai e vuri Britaninë në rrezik. Mund të kishte shkaktuar dëme të mëdha tregtare.” Ish-kryeministri kërkoi gjithashtu reforma të menjëhershme kushtetuese për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur transparencën në politikë dhe në Dhoma e Lordëve. Sipas dokumenteve të rrjedhura, Mandelson gjithashtu ofroi një shtëpi pushimi për Epsteinin në Toskanë dhe diskutoi marrëveshje financiare të ndjeshme. Policia po vazhdon hetimet e thelluara mbi këtë çështje, që ka përçarë politikën britanike dhe ka rikthyer vëmendjen mbi lidhjet e zyrtarëve të lartë me financierë të dyshuar për krime të rënda.

The post “Informator” i Epsteinit/ Britania në mes të skandalit ‘Mandelson’, policia bastis shtëpitë e ish-ministrit appeared first on Albeu.com.

Publikoi në rrjetet sociale pamje të papërshtatshme të së motrës, Genardi dhe Sonida shtrohen në Psikiatri

By: D Marku
7 February 2026 at 15:25

Publikimi në rrjetet sociale i një videoje nga personazhi i njohur i rrjeteve sociale, Genard Hajdini, ku shfaqej motra e tij Sonida Hajdini në gjendje të rënduar, ka vënë në lëvizje Ministrinë e Shëndetësisë dhe strukturat përgjegjëse shtetërore.

Menjëherë pas përhapjes së pamjeve, shërbimet sociale të Njësisë Administrative nr. 2, së bashku me mjekët e Qendrës Shëndetësore dhe efektivët e policisë, ndërhynë për të verifikuar situatën dhe për të vlerësuar kushtet shëndetësore dhe sociale të gruas. Sipas verifikimeve të kryera në terren, nuk janë konstatuar elementë të ushtrimit të dhunës, ndërsa u sqarua se videoja ishte postuar për të tërhequr vëmendje në rrjetet sociale. Pamjet u hoqën menjëherë pas ndërhyrjes së policisë.

Sonida Hajdini ka qenë më parë e shtruar në Spitalin e Shëndetit Mendor dhe ishte në ndjekje ambulatore. Aktualisht, ajo dhe vëllai i saj janë shtruar në spitalin psikiatrik të Tiranës, ku po marrin trajtim më të specializuar nën mbikëqyrje mjekësore.

Ndërkohë, rasti është referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme, ndërsa institucionet sociale pritet të hartojnë një plan monitorimi dhe mbështetjeje afatgjatë për të dy personat, për shkak të dyshimeve për shfrytëzim të një personi me aftësi të kufizuara.

REAGIMI I MINISTRISE
Pas publikimit në faqen e Instagram-it të shtetasit G.H., ku shfaqej në mënyrë të papërshtatshme motra e tij, shtetasja S.H., menjëherë nga strukturat sociale vendore të Njësisë Administrative nr. 2, së bashku me stafin mjekësor të Qendrës Shëndetësore nr. 1 dhe oficerët e policisë të Komisariatit nr. 1, u bë vlerësimi i gjendjes së shtetases S.H. Gjatë intervistimit, u shpreh se videoja kishte si qëllim ndjekjen virale të vetë personazhit dhe jo elementë dhune apo qëllime dashakeqësie. Videoja është fshirë nga vetë G.H., pas urdhrit të menjëhershëm të policisë. Strukturat shëndetësore bënë gjithashtu të mundur edhe injektimin e medikamenteve shëndetësore, pasi nga qëndrimi para dy javësh në Spitalin e Shëndetit Mendor në Tiranë, ishte lënë përgjegjësi për trajtim ambulator, i cili ofrohej nga një kujdestare e vendosur nga të afërmit e dy personave.

Aktualisht, ata ndodhen të shtruar për një shërbim më të specializuar mjekësor në spitalin psikiatrik të Tiranës, ndërsa nga ana e organeve kompetente materialet janë referuar në prokurori, sipas edhe rekomandimit tonë. Struktura e NJNVR-së së Njësisë nr. 2, së bashku me Drejtorinë e Mbrojtjes Sociale në Bashkinë e Tiranës dhe Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror të Qarkut Tiranë, do të mblidhen për hartimin e planit të masave për monitorimin e vazhdueshëm të dy personave me lidhje gjaku (motër dhe vëlla), ku do të kërkohet edhe mbështetje nga organet kompetente për hetime të mëtejshme, për shkak të dyshimit për konsumimin e veprës penale të shfrytëzimit të një personi me aftësi ndryshe.

The post Publikoi në rrjetet sociale pamje të papërshtatshme të së motrës, Genardi dhe Sonida shtrohen në Psikiatri appeared first on Albeu.com.

“Voto Sarën”/ Skema mashtruese që po përhapet me link në WhatsApp, mund të vjedhë të dhënat

By: D Marku
7 February 2026 at 15:17

Një skemë e re mashtrimi po qarkullon prej disa ditësh në aplikacionin WhatsApp dhe ka prekur edhe përdorues në Shqipëri.

Mesazhi, i njohur si “mashtrimi i balerinës”, fton qytetarët të klikojnë një link për të votuar në një konkurs vallëzimi për fëmijë, zakonisht me tekstin: “Përshëndetje! A mund të ndani pak kohë për të votuar Sarën? Ajo është vajza e shoqes sime dhe fituesi merr një vit mësime vallëzimi pa pagesë.”

Sipas raportimeve ky mesazh në dukje aspak i rrezikshëm, ka për qëllim të vjedhë të dhënat e përdoruesve.

Si funksionon mashtrimi?

Pasi përdoruesi klikon linkun, ai ridrejtohet në një faqe që imiton një platformë votimi për një konkurs vallëzimi për fëmijë. Në realitet, faqja shërben për vjedhjen e të dhënave dhe infektimin e llogarisë WhatsApp.

Me vetëm një klikim, hakerët arrijnë të:

– marrin akses në profilin WhatsApp të viktimës

– shohin kontaktet dhe bisedat

– përdorin llogarinë e infektuar për të dërguar mesazhe të tjera mashtruese

Më pas, nga profili i komprometuar nisin të dërgohen linke të reja drejt kontakteve, shpesh të maskuara si lojëra online apo oferta të rreme, të cilat mund të çojnë edhe në akses në aplikacione bankare apo financiare.

Për shkak se mesazhi dërgohet nga numra realë dhe kontakte të njohura, vigjilenca e përdoruesve ulet ndjeshëm, duke e bërë skemën të përhapet me shpejtësi dhe të krijojë një zinxhir viktimash.

VENDIMI I GJYKATËS/ Kur u largua Endri Shabani nga “Nisma Thurje”? Pikëpyetje mbi mandatin e Avokatit të Popullit
Ekspertët e sigurisë kibernetike këshillojnë:

– të mos klikohen linke të dyshimta, edhe kur vijnë nga kontakte të njohura

– të verifikohet gjithmonë përmbajtja e mesazheve

– të aktivizohet verifikimi me dy hapa (two-step verification) në WhatsApp

– të kontrollohet rregullisht në sa pajisje është e hapur llogaria personale.

The post “Voto Sarën”/ Skema mashtruese që po përhapet me link në WhatsApp, mund të vjedhë të dhënat appeared first on Albeu.com.

Operacioni “i lirë” që i kushtoi jetën/ Sipërmarrësi italian vdes në QSUT pas ngushtimit të stomakut në “Trita Hospital”

By: D Marku
7 February 2026 at 14:55

Një sipërmarrës italian 54-vjeçar nga Camposampiero humbi jetën në muajin dhjetor në QSUT në Tiranë, pasi kishte kryer një ndërhyrjeje për ngushtimin e stomakut në “Trita Hospital”.

Sipas mediave italiane, fillimisht 54-vjeçari Massimo Ferro kishte kontaktuar një klinikë në Milano, ku i propozuan një udhëtim për në Tiranë, për të kryer ndërhyrjen me një të tretën e çmimit që do të duhej të paguante në Itali.

Pas ndërhyrjes në klinikën private “Trita Hospital” në Tiranë, 54-vjeçari shfaqi probleme shëndetësore dhe u dërgua në Qendrën Spitalore Universitare, ku ndërroi jetë më 22 dhjetor.

Për të hedhur dritë mbi ngjarjen, prokurori i Padovës, Andrea Girlando, mori si të dyshuar kirurgun Andrea Formiga, i cili punon për “Trita Hospital”, dhe dietologen Alessandra Freda, të dy nga Lombardia. Hetimet zbuluan se në muajin dhjetor 54-vjeçari Massimo Ferro kishte kontaktuar me kirurgun përmes WhatsApp, ku ishin dhënë informacionet, kostot dhe udhëzimet logjistike.

Çmimi i operacionit në Tiranë ishte 4 400 euro, shumë më i ulët krahasuar me rreth 15 mijë eurot që kërkoheshin në Itali.

Sipas denoncimit të familjarëve të viktimës, asnjë nga procedurat e parashikuara nga udhëzimet italiane dhe ndërkombëtare për kirurgjinë e obezitetit nuk ishte respektuar: nuk kishte trajnim dietik paraprak, as vlerësim multidisiplinar, as përgatitje specifike para operacionit. I vetmi udhëzim ishte që natën para operacionit të mos konsumonte asgjë.

Pavarësisht se 54-vjeçari ishte me diabet tip 2 dhe peshonte 108 kilogramë, testet para-operatore u kryen vetëm një ditë para ndërhyrjes në Tiranë.

Kirurgu italian Andrea Formiga, i cili operoi sipërmarrësin 54-vjeçar, bashkëpunon me Qendrën Shëndetësore “Trita Hospital” në Shqipëri prej disa vitesh. Në një video të publikuar në faqen zyrtare të Trita Hospital, shkruhet se “Pacientët e quajnë doktori i mrekullive”.

Përveç Shqipërisë, kirurgu Formiga është aktiv edhe në Liguria dhe në pjesë të tjera të Italisë. Ai vinte në Tiranë një ose dy herë në muaj, për të kryer ndërhyrje në qendrën shëndetësore “Trita Hospital”.

The post Operacioni “i lirë” që i kushtoi jetën/ Sipërmarrësi italian vdes në QSUT pas ngushtimit të stomakut në “Trita Hospital” appeared first on Albeu.com.

Berisha: Reforma territoriale, PS synon shpopullimin! Kushtetuesja rrëzoi një kërkesë që ishte si një grusht shteti

By: D Marku
7 February 2026 at 14:41

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se opozita nuk do të vijë në pushtet me dhunë po vetëm me votën e shqiptarëve. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se opozita do të vijojë rrugën e kryengritjes paqësore.

“Ne i qëndrojmë parimit të kryengritjes paqësore. Sepse i dashur ne nuk vijmë në pushtet me dhunë, ne jemi Parti Demokratike dhe vijmë në pushtet vetëm me votën e shqiptarëve. Kjo rrugë është pak më e mundimshme, por është më e sigurtë dhe më është më fitimtare”, tha Berisha.

Duke ju përgjigjur qytetarëve, Berisha u pyet edhe për Reformën Territoriale. Sipas tij propozimet e qeverisë synojnë shpopullimin e vendit.

“Ju duhet ta dini se ai tani parashikon nga 62 bashki të kalojë në 36 bashki. Kjo është praktika e nxitjes së largimit masiv nga periferitë të shqiptarëve”, tha Berisha.

Nga ana tjetër, Berisha bëri të ditur se ekipi i Partisë Demokratike do të zhvillojë takime në të gjitha qarqet e vendit për të mbledhur mendimet dhe sugjerimet e qytetarëve, përpara se të hartohet projekti përfundimtar i reformës territoriale.

“Meqenëse ky është një problem shumë themelor me vendin, ne do bashkëpunojmë ngushtë me ekspertët më të mirë shqiptarë. Ekipi ynë do të bëjë takime në të gjitha qarqet për të marrë mendimet e qytetarëve. Do të hartojë projektin tonë.”

“Nuk mund të them se sa do jetë, por u rikujtoj se Sllovakia me një popullsi pak më të madhe se ne, ka 210 komuna dhe bashki. Sllovakia, dy herë më e zhvilluar, ka 210 komuna dhe bashki. Pra, ne do bëjmë një projekt në përputhje me interesat e plota të qytetarëve dhe të zhvillimit të komuniteteve. Këtë projekt do e diskutojmë me ju, me qytetarët.”

“Këtë projekt do e paraqesim në komisionin e reformës territoriale. Këtë projekt do ta diskutojmë me Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës që është institucioni numër një me ekspertizën më të madhe për reformën territoriale”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha gjithashtu se mazhoranca nuk do të votojë për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Ai deklaroi gjithashtu se disa qeveri evropiane dhe vetë Komisioni Evropian po e ndjekin me seriozitet situatën në Shqipëri.
“Në opsionet që kanë përpunuar, kanë përpunuar dhe opsionin e padëgjuar ndonjëherë në historinë e BE-së të zhbërjes së plotë të procesit të integrimit të Shqipërisë. E di çdo të thotë zhbërje e plotë? Do të thotë anullim i të gjitha marrëveshjeve, vizave, stabilizim-asocimit, pranimit të kërkesës për anëtarësim, statusit të kandidatit”, tha Berisha.

Sa i përket emërimit të Dashnor Sulës në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm, Berisha tha se ai u bë “patericë e Ramës dhe se PD ndahet nga këta njerëz”.

Berisha: Gjykata Kushtetuese rrëzoi një kërkesë që ishte si një grusht shteti

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila pas 10 orësh diskutime nuk arriti të marrë një vendim mbi kërkesën e Kryeministrit për heqjen e pezullimit të zëvendëskryeministres, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha vlerësoi qëndrimin e disa prej gjyqtarëve dhe theksoi se rrëzuan një kërkesë që ishte baras me një grusht shteti kundër shqiptarëve.

“Pas 9 orësh, të ndryrë në një sallë, Gjykata Kushtetuese nuk mori dot vendim për të pranuar kërkesën e Edi Ramës. Në këtë kuadër, unë vlerësoj qëndrimin e atyre gjykatësve, të cilët me guximin e tyre rrëzuan një kërkesë që ishte baras me grusht shteti kundër shqiptarëve”, tha Berisha.

Megjithatë, Berisha tha se gjykata i dha kohë mbi dy muaj Ballukut që “të fabrikojë dhe të falsifikojë çdo dokument”.

Ai theksoi se ndarja katër me katër në Kushtetuese bëri që kërkesa e Ramës të mos miratohej.

“Të paktën vendimi ishte që kërkesa e Edi Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në kosh të plehrave”, deklaroi Berisha.

Në vijim të fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për mobilizim të opozitës, duke kërkuar që “populli opozitar të shumëfishojë energjitë dhe forcat” deri në largimin e qeverisë.

Berisha u shpreh i bindur se reagimi qytetar do të sjellë ndryshim.

“Jam i bindur se kryengritja paqësore e juaj, e guximtarëve shqiptarë, do të rikthejë Kushtetutën, ligjin. Do të rikthejë votën shqiptarëve, qeverinë teknike, zgjedhjet e lira, fitoren e opozitës”, u shpreh Berisha

The post Berisha: Reforma territoriale, PS synon shpopullimin! Kushtetuesja rrëzoi një kërkesë që ishte si një grusht shteti appeared first on Albeu.com.

E trishtë në Vlorë! Ndërron jetë 4-vjeçari pasi kishte një javë që ishte shtruar në spital

By: D Marku
7 February 2026 at 13:47

Një fëmijë 4-vjeçar në Vlorë ka ndërruar jetë ditën e premte pasi ishte paraqitur pa shenja jete në spital.

Familja, e cila jeton në Palasë, e ka dërguar me urgjencë deri në Orikum.

Prej aty, ambulanca e Orikumit e ka marrë pa shenja jete.

Ekzaminimi paraprak nuk ka konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera.

Bëhet me dije se, 4-vjeçari ka qenë për një javë me simptoma temperature, të vjella e diarre.

The post E trishtë në Vlorë! Ndërron jetë 4-vjeçari pasi kishte një javë që ishte shtruar në spital appeared first on Albeu.com.

E mori lumi që më 10 janar, gjendet sot trupi i 30-vjeçarit Jurgen Karaj

By: D Marku
7 February 2026 at 13:19

Janë mbyllur sot kërkimet me gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e një përroi në fshatin Darsë, pas një aksidenti të ndodhur disa javë më parë.

Në kërkime janë angazhuar forca të shumta, përfshirë ushtrinë, forcat “Shqiponja”, shërbimet zjarrfikëse të Matit dhe Klosit, punonjës të Bashkisë Klos, si dhe banorë të zonës dhe familjarë të të riut.

Ndërkohë, operacionit të kërkimit u janë bashkuar edhe një ekip i specializuar nga Kosova për kryerjen e kërkimeve nënujore me urdhër të presidentes Vjosa Osmani.

Lëndë narkotike,vjedhje dhe mashtrim/ Shpallen 6 persona në kërkim nga policia e Durrësit për vepra të ndryshme penale
Sipas hetimeve, Jurgen Karaj ndodhej si pasagjer në automjetin që drejtohej nga 24-vjeçari Andi Losha, i cili humbi kontrollin dhe përfundoi në përrua, në fshatin Dars, Klos. Nga verifikimet rezulton se drejtuesi i mjetit ka arritur të dalë nga uji, por është larguar nga vendngjarja pa njoftuar policinë dhe pa i dhënë ndihmë mikut të tij, i cili mbeti në mes të rrjedhës së ujit.

Pas ndalimit, Andi Losha iu nënshtrua testit të alkoolit, ku rezultoi se e kishte drejtuar automjetin në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. 24-vjeçari akuzohet për largim nga vendi i aksidentit dhe mosdhënie ndihme, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ndërkohë, Jurgen Karaj vijoi të rezultonte i zhdukur deri diten e sotme, qe fatkeqesisht u gjet dhe trupi i pajete i 30-vjecarit.

The post E mori lumi që më 10 janar, gjendet sot trupi i 30-vjeçarit Jurgen Karaj appeared first on Albeu.com.

PD bllokon të martën akset kombëtare? Berisha zbulon skenarin për protestën: Është një nga format e kryengritjes paqësore

By: D Marku
7 February 2026 at 12:43

Partia Demokratike mban pasditen e të martës një protestë në kryeqytet por se ende nuk janë bërë të ditura skenarët e përzgjedhura nga strukturat.

Ndërkohë, kreu i PD Sali Berisha i pyetur nga qytetarët në një komunikim online, në lidhje me mundësinë e një reagimi që çon në mbylljen e akseve kombëtare rrugore, tha se edhe kjo është një nga formate kryengritjes paqësore.

Më parë Berisha kishte paralajmëruar se PD nuk do të vinte në pushtet me dhunë, por vetëm nga votat e shqiptarëve.

The post PD bllokon të martën akset kombëtare? Berisha zbulon skenarin për protestën: Është një nga format e kryengritjes paqësore appeared first on Albeu.com.

“Nuk e duam në gjirin tonë”/ Berisha për emërimin e Dashnor Sulës si kryeinspektor: Të tradhtosh ata që kanë 12 vite që nuk të…

By: D Marku
7 February 2026 at 12:30

Kreu i PD Sali Berisha ka reaguar në lidhje me emërimin e Dashnor Sulës në postin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm.

“Shpreh mirëkuptimin tim për indinjatën tuaj. Nëse tradhtia ndaj Atdheut quhet tradhti e lartë, edhe tradhtia ndaj idealeve më të shenjta nuk ka pse të mos konsiderohet e tij.
Të tradhtosh ata që kanë 12 vite që nuk të kthejnë shpinën por të mbështesin me gjithë gabimet që mund të kesh bërë, e të dalësh në kohën më të zezë të Edi Ramës e të kapësh flamurin e Ramës ke kryer aktin më të artë të tradhtisë. ne do të ndahemi me këta, nuk i duam në gjirin tonë”, tha ai.

The post “Nuk e duam në gjirin tonë”/ Berisha për emërimin e Dashnor Sulës si kryeinspektor: Të tradhtosh ata që kanë 12 vite që nuk të… appeared first on Albeu.com.

Lëndë narkotike,vjedhje dhe mashtrim/ Shpallen 6 persona në kërkim nga policia e Durrësit për vepra të ndryshme penale

By: D Marku
7 February 2026 at 11:44

Gjashtë persona të shpallur në kërkim janë kapur në Durrës dhe zonat përreth, për vepra të ndryshme penale, që nga prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kalimet e paligjshme të kufirit, vjedhja, mashtrimi dhe kundërshtimi i policisë.

A. K., 35 vjeç, banues në Durrës, ishte dënuar më herët me 5 vjet e 6 muaj burg për prodhim dhe shitje narkotikësh. Atij i kishin mbetur për të vuajtur 2 vjet e 9 muaj burg.

J. M., 27 vjeç, banues në Durrës, kishte një dënim të formës së prerë me 3 vjet e 4 muaj burg për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.

V. T., 45 vjeç, ishte në kërkim për vjedhje dhe ndaj tij ishte vendosur masa “arrest në burg”.

E. S., 35 vjeç, banues në Laç, kërkohej për mashtrim.

B. D., 33 vjeç, banues në Kavajë, ishte në kërkim për kundërshtim të punonjësit të policisë dhe u procedua në gjendje të lirë.

Një tjetër shtetas, E. S., 35 vjeç, banues në Durrës, kërkohej për mashtrim nga policia e Korçës dhe u procedua në gjendje të lirë.

Hetimet vijojnë për kapjen e personave të tjerë në kërkim, ndërsa dosjet janë dërguar në Prokurorinë e Durrësit.

Njoftimi i policisë:

DVP Durrës / Lokalizohen dhe kapen 6 shtetas të shpallur në kërkim:

✅ 2 prej tyre të dënuar për prodhim/shitje narkotikësh dhe dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit;

✅ 1 shtetas i akuzuar për vjedhje;

✅ si dhe 3 të tjerë të dyshuar për veprat penale “Mashtrimi”, “Mashtrimi i kryer në bashkëpunim” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, të kryera me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të kërkuar për vepra penale të ndryshme, specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në kuadër të operacionit “Ndjekja”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasit:

Abdyl Kaçaça, 35 vjeç, banues në Durrës, të cilin Gjykata e Apelit, në vitin 2024, e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Prej dënimit, atij i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet e 9 muaj burgim;

Jorid Muçeku, 27 vjeç, banues në Durrës, i cili me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka për të vuajtur 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”;

V. T., 45 vjeç, për të cilin Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”;

E. S., alias E.H, 35 vjeç, banues në Laç, për veprën penale “Mashtrimi”;

B. D., 33 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, i cili në përfundim të veprimeve është proceduar penalisht në gjendje të lirë.

E. S., 35 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, për veprën penale “Mashtrimi”, i cili i cili në përfundim të veprimeve është proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Vijon puna për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

The post Lëndë narkotike,vjedhje dhe mashtrim/ Shpallen 6 persona në kërkim nga policia e Durrësit për vepra të ndryshme penale appeared first on Albeu.com.

Alba Pollozhani reagon pas daljes nga BBVK

By: D Marku
7 February 2026 at 11:42

Pas daljes nga Big Brother VIP Kosova, Alba ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke shpërndarë një postim mbështetës nga Yll Dreshaj, ish-banor i “Ferma VIP”.

Në postimin e publikuar, Ylli e përgëzon Albën për vendimin e saj, duke theksuar maturinë dhe forcën që ajo tregoi gjatë rrugëtimit në shtëpinë më të famshme në Kosovë.

Ai shkruan se Alba u përball me manipulime.

“Ky ishte vendimi më i duhur i jetës tënde”, thuhet ndër të tjera në mesazh, duke shtuar se Alba ishte “kryevepra dhe kryefjala e këtij Big Brother”.

The post Alba Pollozhani reagon pas daljes nga BBVK appeared first on Albeu.com.

Qindra milionë euro abuzim me tendera, “Le Figaro” jehonë çështjes “Balluku”: Zv.kryeministrja pezullohet përgjithmonë nga detyra pas akuzave për korrupsion

By: D Marku
7 February 2026 at 11:14

Vendimi i dalë dje pas votimit në Gjykatën Kushtetuese sa i përket rrëzimit të kërkesës së kryeministrit Edi Rama për masën e pezullimit nga detyra të zëvendës kryeministres Belinda Balluku, është pasqyruar edhe në mediat e huaja.

“Le Figaro” shkruan se Balluku akuzohet për abuzim me tendera në rastin e tunelit të Llogarasë ndërsa është nën hetim për shkelje edhe me disa lote në Unazën e Madhe të Tiranës.
Le Figaro shton se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga kushtet kryesore për pranimin e Shqipërisë në BE duke përmendur edhe faktin që disa ministra të qeverisë Rama janë shënjestruar nga sistemi i drejtësisë për raste korrupsioni.

Artikulli i plotë:

Ministrja e cila ka qenë në qeveri që nga viti 2019, akuzohet për favorizim në tenderët që kanë të bëjnë me ndërtimin e një tuneli 5.9 kilometra të gjatë në një rrugë në jug të vendit dhe tenderat për një pjesë të Unazës së Tiranës.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mbështeti të premten pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për korrupsion në prokurime publik. Një aleate e ngushtë e kryeministrit socialist Edi Rama, ajo u pezullua nga detyrat e saj më 20 nëntor nga një gjykatë speciale pasi u padit nga prokuroria që heton rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjykata gjithashtu lëshoi një ndalim udhëtimi kundër saj në Shqipëri.

Gjykata Kushtetuese, e kapur nga qeveria, megjithatë e kishte autorizuar Belinda Ballukun, e cila është gjithashtu Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, të rifillonte detyrën e saj në dhjetor në pritje të një vendimi. Më në fund, të premten, ajo njoftoi se kishte “vendosur të rrëzonte ankesën dhe të mbështeste vendimin e gjykatës speciale e cila e kishte pezulluar (…) znj. Balluku nga detyrat e saj ” .

E akuzuar për favorizim
Ministrja, e cila ka qenë në qeveri që nga viti 2019, akuzohet për favorizim në tenderët për ndërtimin e një tuneli 5.9 kilometrash në një rrugë në jug të vendit dhe për një pjesë të unazës së Tiranës. Belinda Balluku i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka deklaruar se do të bashkëpunojë me sistemin e drejtësisë. Kreu i qeverisë e denoncoi atë si “një akt të hapur ndërhyrjeje në pavarësinë e degës ekzekutive ” .

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga kushtet kryesore për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Disa ish-ministra në qeveritë e Edi Ramës, në pushtet që nga viti 2013, janë shënjestruar nga sistemi i drejtësisë në raste korrupsioni.

The post Qindra milionë euro abuzim me tendera, “Le Figaro” jehonë çështjes “Balluku”: Zv.kryeministrja pezullohet përgjithmonë nga detyra pas akuzave për korrupsion appeared first on Albeu.com.

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut/ GJK la në fuqi pezullimin, Tabaku: Për 8 javë qeveria u kthye në mburojë politike! S’ka asnjë justifikim për të mos hequr imunitetin

By: D Marku
7 February 2026 at 10:28

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me vendimin e marrë ditën e djeshme nga Gjykata Kushtetuese, ku pas votimit 4:4, u rrëzua kërkesa e kryeministrit Edi Rama për shpalljen anti-kushtetuese të masës për pezullimin nga detyra të zv. Kryeministres Belinda Balluku.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku shkruan se mazhoranca u kthye në burojë politike kur për 8 javë refuzoi të zbatonte vendimin e GJKKO për pezullimin e Ballukut.

“Sot, pas (mos)vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka më asnjë justifikim.

(Mos)Vendimi mund të jetë procedural, por detyrimi për ta zbatuar ligjin është politik dhe moral.

Gjykata Kushtetuese mund të kishte folur më qartë dhe më fort. Por edhe kështu, një gjë mbetet e padiskutueshme: për 8 javë me radhë, ligji është shkelur me vetëdije nga qeveria”, shkruan mes të tjerash Tabaku.

Postimi i plotë:
Prej 8 javësh, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres Balluku. Prej 8 javësh, qeveria refuzoi ta zbatojë këtë vendim.
Për 8 javë me radhë, Shqipëria ka pasur një zv/kryeministre në kundërshtim me ligjin.
Për 8 javë, një zyrtare e pezulluar ka pasur mundësi të ndikojë prova, të intimidojë dëshmitarë dhe të ushtrojë funksione që ligji ia ndalon.
Për 8 javë, një ministre e akuzuar për korrupsion ka menaxhuar gjysmën e buxhetit të shtetit, ndërkohë që drejtësia kishte vendosur ndryshe.
Mazhoranca u kthye në mburojë politike, duke refuzuar të zbatojë një vendim të një gjykate kundër korrupsionit.
Sot, pas (mos)vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka më asnjë justifikim.
(Mos)Vendimi mund të jetë procedural, por detyrimi për ta zbatuar ligjin është politik dhe moral.
Gjykata Kushtetuese mund të kishte folur më qartë dhe më fort. Por edhe kështu, një gjë mbetet e padiskutueshme: për 8 javë me radhë, ligji është shkelur me vetëdije nga qeveria.
Pas presioneve, sulmeve dhe intimidimeve, qeveria nuk ka më asnjë justifikim. Parlamenti nuk ka më asnjë justifikim për të mos hequr imunitetinsiç e kërkon SPAK.
Ndoshta është shumë vonë. Ndoshta disa prova janë dëmtuar. Por sot drejtësia foli dhe kushdo e sulmoi duhet të heshtë.
Respekt për 4 gjyqtarët kurajozë që nuk u tërhoqën nga e drejta.
Kjo qeveri sot nuk ka më legjitimitet moral.
As në sjellje.
As në standarde.
As në moral.

The post SPAK kërkon arrestimin e Ballukut/ GJK la në fuqi pezullimin, Tabaku: Për 8 javë qeveria u kthye në mburojë politike! S’ka asnjë justifikim për të mos hequr imunitetin appeared first on Albeu.com.

“Dua 20 mijë euro…”/ Premtuan ndikim në Ministrinë e Drejtësisë për të sjellë të dënuarin në Shqipëri nga Turqia, SPAK dërgon në gjyq ish-gardistin dhe bashkëpunëtorët (EMRAT)

By: D Marku
7 February 2026 at 10:16

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 196 të vitit 2025,në ngarkim të të pandehurve:

Zef Mali, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 dhe 25 të Kodit Penal.
Kreshnik Domi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 dhe 25 të Kodit Penal;
Jemine Çoku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Hetimet për këtë procedim penal nisën mbi bazën e akteve që u referuan nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Tiranë.

Përmes veprimeve hetimore, përdorimit të metodave speciale të hetimit dhe administrimit të provave u dokumentua fakti penal, sipas të cilit i pandehuri, Zef Mali, në bashkëpunim me të pandehurin, Kreshnik Domi i kanë kërkuar dhe marrë të pandehurës, Jemine Çoku një përfitim të parregullt prej 20.000 (njëzet mijë) eurosh.

Në kohën kur Zef Mali ka kryer këtë veprim mbante detyrën e oficerit të Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës dhe Kreshnik Domi ishte një lidhje shoqërore e tij.

Sipas hetimeve, ata i kanë premtuar dhe siguruar të pandehurës Jemine Çoku se do të ushtrojnë ndikim të paligjshëm tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, për të ndjekur procedurën e transferimit në Shqipëri të vëllai të saj, shtetasit shqiptar Kujtim Çeliku, i dënuar me burgim në Republikën e Turqisë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Konkretisht, nga muaji janar deri në tetor të vitit 2025, në të cilën ishte në zhvillim procedura e personit të dënuar, të pandehurit Zef Mali dhe Kreshnik Domi kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me të pandehurën Jemine Çoku dhe me familjarë të tjerë të saj, duke i siguruar se ata kishin mundësi të ndikonin tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e procedurës së transferimit të të dënuarit.

Për këtë qëllim, e pandehura Jemine Çoku u ka dhënë të pandehurve shumën prej 20.000 eurosh, si përfitim të parregullt.

Gjatë hetimit është evidentuar gjithashtu fakti i fillimit të ndjekjes së procedurës ligjore të transferimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për shtetasin shqiptar, Kujtim Çeliku, për të shlyer pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri.

The post “Dua 20 mijë euro…”/ Premtuan ndikim në Ministrinë e Drejtësisë për të sjellë të dënuarin në Shqipëri nga Turqia, SPAK dërgon në gjyq ish-gardistin dhe bashkëpunëtorët (EMRAT) appeared first on Albeu.com.

Alba Pollozhani lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova

By: D Marku
7 February 2026 at 09:15

Alba Pollozhani, një nga banoret më të diskutuara të edicionit të katërt të Big Brother VIP Kosova, ka vendosur të largohet nga shtëpia më e famshme në Kosovë.

Lajmi u konfirmua përmes një njoftimi zyrtar të publikuar në faqen e formatit në Facebook, duke surprizuar ndjekësit e spektaklit.

Vendimi i Albës vjen pas një Prime të tensionuar, ku ajo u përfshi në një debat të ashpër me Labinotin.

Gjatë diskutimit, situata eskaloi ndjeshëm, ndërsa Alba shprehu pakënaqësitë e saj ndaj produksionit.

Ajo deklaroi se materialet video ishin montuar në mënyrë që ta paraqisnin në një dritë negative dhe se publikut nuk i ishte treguar e gjithë e vërteta e debatit me Labin.

Ndërsa insistonte në qëndrimin e saj dhe fliste pa ndërprerje, prezantuesja Jonida Vokshi iu drejtua drejtpërdrejt Albës, duke i thënë se nëse mendonte kështu, dera ishte e hapur dhe mund të largohej nga shtëpia.

Në atë moment, Alba u shpreh se dëshironte të largohej, por fillimisht u drejtua drejt dhomës së gjumit, duke lënë të paqartë vendimin e saj final.

Megjithatë, duket se pas disa çastesh reflektimi, Alba ka vendosur përfundimisht ta ndërpresë rrugëtimin e saj në BBVK, duke e lënë shtëpinë dhe duke i dhënë fund eksperiencës së saj në këtë format.

Largimi i saj pritet të sjellë reagime të shumta nga publiku dhe banorët e tjerë, duke qenë se ajo ishte një nga figurat më të zëshme dhe të komentuara të këtij sezoni.

The post Alba Pollozhani lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova appeared first on Albeu.com.

Tragjedi në Bolivi, autobusi bie nga shkëmbi, humbin jetën 14 persona

By: D Marku
7 February 2026 at 09:13

Të paktën 14 persona humbën jetën kur një autobus doli nga korsia në një rrugë në Bolivi dhe ra në një shkëmb 150 metra të lartë.

Aksidenti fatal ndodhi pranë komunitetit të Mocomokos, në pjesën perëndimore të vendit të Andeve. Autobusi po shkonte drejt kryeqytetit, La Paz, sipas raportimeve të mediave boliviane.

Numri fillestar i të vdekurve nga përplasja ishte të paktën shtatë, por ky numër u dyfishua disa orë më vonë. Një zëdhënës i policisë tha se banorët nxituan në vendngjarje përpara se të mbërrinin ekipet e shpëtimit dhe të lironin viktimat, të cilët u dërguan në La Paz dhe qytetin fqinj të El Altos.

Fati i shoferit është i panjohur, ndërsa shkaqet e aksidentit mbeten të paqarta për momentin.

The post Tragjedi në Bolivi, autobusi bie nga shkëmbi, humbin jetën 14 persona appeared first on Albeu.com.

“Krijon varësi, sidomos tek fëmijët”, BE kërcënon TikTok-un me gjobë: Përshtat dizanjin!

By: D Marku
7 February 2026 at 08:58

BE e akuzon shërbimin online TikTok, se po i bën të varur përdoruesit, veçanërisht fëmijët – përmes rekomandimeve agresive duke nxitur scroll pafund. Platforma duhet ta përshtasë dizjanin. TikTok i hedh poshtë akuzat.

BE i ka kërkuar shërbimit kinez online TikTok të ndryshojë mënyrën e funksionimit të platformës së videove “që nxit varësinë”. Komisioni i BE-së deklaroi, se rezultatet e para të hetimit tregojnë, se TikTok-u nuk merr mjaftueshëm parasysh, se “si këto funksione që nxisin varësinë mund të influencojnë në shëndetin fizik dhe psiqik të përdoruesve të tij”.

Si shembull për ndryshimet që mund të bëhen komisioni përmend heqjen e opcionit të “scroll pafund”, aplikimin e pushimeve efikase në monitor si dhe përshtatjen e “sistemit të rekomadnimeve për personalizim në shkallë të lartë”. Gjithashtu komisioni kritikon faktin, që video-clipet aktivizohen automatikisht.

Komisioni i BE-së i kërkon sipërmarrjes, që ta ndryshojë rrënjësisht dizajnin e shërbimit.

Kritika: Fëmijët animohen në mënyrë imponuese për të scroll-ur
Komisioni i BE-së akuzon TikTok-un, se “injoron shenjat e rëndësishme për të imponuar përdorimin e aplikacionit”, si p.sh. kohën e natës që fëmijët kalojnë në platformë.Kjo sipërmarrje duhet ta ndryshojë mënyrën e funksionimit në Europë, “për të mbrojtur minorenët tanë dhe shëndetin e tyre”, tha komisarja e BE-së për Digjitalizimin, Henna Virkkunen.

Si shembull komisioni përmedni “shpërblimin” e vazhdueshëm të përdoruesve me përmbajtje të reja. Kjo ndez nxitjen për të vazhduar scroll-en dhe për ta kaluar trurin në “autopilot”. Studimet shkencore tregojnë, se kjo nxit një gjendje kompulsive dhe vetëkontrolli i përdoruesve, kryesisht i të rinjve, vuan.

Digital Services Act është si halë në sy për Donald Trump
Brukseli nisi hetimin në shkurt 2024 – që ishte i pari kundër TikTok nën ligjin e BE-së për shërbimet digjitale (DSA). Hetimet do të përqendroheshin kryesisht për të vërtetuar, nëse TikTok ndërmerr masa sa duhet për të shmangur efektet negative ndaj të rinjve.

Ligji i BE-së ⁠Digital Services Act (DSA) ndër të tjera duhet të garantojë respektimin e kërkesave për transparencë. ​Ai përfshin edhe masa për të luftuar përmbajtjet antiligjore online. Ky ligj është si një halë në sy për qeverinë e presidentit të SHBA-së Donald Trump si dhe për një sërë koncernesh të teknologjisë së lartë në SHBA.

TikTok i hedh poshtë akuzat dhe do të mbrohet
Sipërmarrja kineze online i kedh poshtë akuzat e Komisionit të BE-së si të pabaza. Do të mbrohemi me të gjitha mundësitë. Nëse konfirmohet qendrimi i komisionit, TikTok-u mund të gjobitet me një shumë deri në gjashtë përqind të xhiros së tij vjetore mbarëbotërore.

The post “Krijon varësi, sidomos tek fëmijët”, BE kërcënon TikTok-un me gjobë: Përshtat dizanjin! appeared first on Albeu.com.

Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Hidhini një sy këmbimit të sotëm valutor

By: D Marku
7 February 2026 at 08:35

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan do të blihet sot me 81.2 lekë dhe do shitet me 82.2 lekë.

Ndërkohë monedha evropiane euro do blihet me 96.2 lekë dhe do shitet me 96.9 lekë.

Franga zvicerane sot në tregun shqiptar do blihet me 104.5 lekë dhe do shitet me 105.6 lekë.

Ndërsa paundi britanik do blihet me 110.4 lekë dhe do shitet me 111.4 lekë.

The post Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Hidhini një sy këmbimit të sotëm valutor appeared first on Albeu.com.

Moti i paqëndrueshëm? Ja si pritet të jetë situata meteorologjike këtë të shtunë

By: D Marku
7 February 2026 at 08:13

Ditën e sotme vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura por nuk do të mungojnë dhe alternime të herëpashershme kthjellimi.

Reshjet e shiut të herëpashershme me intensitet të ulët priten të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit deri në mëngjes në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në zonën qendrore reshje shiu me intensitet mesatar.

Gjatë ditës reshjet do të mbeten prezente të herëpashershëm me intensitet të ulët, ndërsa në veriperëndim dhe qendër reshje shiu me intensitet lokalisht deri mesatar në formën e shtrëngatave afatshkurtra. Në zonën e Alpeve dhe në majat e maleve reshje bore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë me drejtim kryesor juglindje-jugperëndim me shpejtësi mesatare 6 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 12 m/s.

Valëzimi në det do të jetë forcës 2-4 ballë

The post Moti i paqëndrueshëm? Ja si pritet të jetë situata meteorologjike këtë të shtunë appeared first on Albeu.com.

Leonora e ashpër ndaj Albës: Nëse ke vendosur të mbulohesh dhe nuk po fal namaz – po e bën për lojë, nuk luhet me Zotin dhe fenë myslimane

By: D Marku
6 February 2026 at 23:41

Një debat i fortë dhe mjaft domethënës ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Big Brother VIP Kosova 4, pas rrëfimit të Albës për vendimin e saj që të mbulohet, vendim që tashmë ka ngjallur reagime të shumta në publik.

Opinionistja e programit, këngëtarja Leonora Jakupi, iu drejtua drejtpërdrejt Albës me një pyetje thelbësore, duke kërkuar sqarim nëse ajo ka vendosur të mbulohet sipas parimeve fetare apo thjesht të vendosë shami, pasi sipas saj këto janë dy koncepte të ndryshme në fenë myslimane. Leonora theksoi se mbulimi në Islam nuk nënkupton vetëm veshjen, por edhe praktikimin e plotë të fesë.

Sipas Leonorës, “me fenë myslimane, kur mbulohesh nënkupton mbulesën e trupit, por edhe faljen e pesë vakteve të namazit”, duke shtuar se këto elemente janë të pandashme nga njëra-tjetra.

Nga ana tjetër, Alba u shpreh se nuk ka shumë informacion rreth procedurave dhe praktikave fetare, deklaratë që e bëri Leonorën të reagojë ashpër. Ajo iu drejtua banorës me tone të forta, duke i thënë: “Alba, nëse ti vë mbulesë dhe nuk di të falësh namaz, këtë po e bën për lojë dhe këtë nuk dua fare ta besoj. Nuk luhet me Zotin dhe fenë islame në këtë formë, sinqerisht dhe jo në këtë pikë të lojës.”

Ky moment krijoi tension të dukshëm në studio dhe në shtëpi, ndërsa diskutimi u shndërrua në një nga temat më të komentuara të mbrëmjes. Vendimi i Albës për t’u mbuluar, i bërë publik gjatë Prime-it të së premtes, ka befasuar jo vetëm banorët, por edhe mbarë opinionin dhe shikuesit, duke hapur debat të gjerë mbi besimin, sinqeritetin dhe kufirin mes zgjedhjeve personale dhe lojës televizive.

Mbetet të shihet se si do të reflektojë Alba mbi këtë përballje dhe nëse ky diskutim do të ndikojë në rrugëtimin e saj brenda Big Brother VIP Kosova 4

The post Leonora e ashpër ndaj Albës: Nëse ke vendosur të mbulohesh dhe nuk po fal namaz – po e bën për lojë, nuk luhet me Zotin dhe fenë myslimane appeared first on Albeu.com.

❌
❌