Tanket gjermane po rikthehen në një rajon që dikur e shkatërruan, shkruan The Economist
Krijesat e çuditshme dalin me zhurmë nga pylli, me trupat e mbuluar me myshk, copa të grisura pëlhure dhe bar plastik, ndërsa kokat i kanë të mbuluara me rrjeta të zeza. Tanket Leopard dhe mjetet luftarake të këmbësorisë Puma të Brigadës së 45-të të Blinduar të Gjermanisë janë kamufluar në këtë mënyrë për t’u fshehur nga dronët armiq.
Për një muaj, njësia u stërvit përgjatë kufirit të Lituanisë me Bjellorusinë, një shtet aleat i Rusisë, në kuadër të stërvitjes së sapopërfunduar “Freedom Shield”. Qëllimi: të jetë gati të “luftojë sonte” për të mbrojtur Vilniusin, kryeqytetin e Lituanisë, dhe për të mbajtur nën kontroll Korridorin Suwałki, që lidh shtetet baltike me Poloninë.
Pikërisht për këtë mision, Brigada e 45-të nuk do të kthehet në Gjermani. Për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, Gjermania po vendos njësi ushtarake në mënyrë të përhershme jashtë vendit. Këto trupa janë maja e shtizës së një ushtrie që po zgjerohet për t’u bërë më e madhja në Europë.
Njësia do të pajiset me tanket, artilerinë, dronët dhe sistemet më moderne kundërajrore, ndërsa do të rritet nga 1,600 në rreth 5,000 ushtarë deri në fund të vitit 2027.
Ndërkohë, prania ushtarake amerikane në rajon po zvogëlohet. Një njësi tankesh amerikane – Batalioni i Parë, Regjimenti i 12-të i Kalorësisë – u stërvit për disa muaj në të njëjtën zonë. Por ajo u largua në qershor, së bashku me pjesën tjetër të brigadës së saj në Poloni. Askush nuk e di se kur, ose nëse, do të zëvendësohet nga një njësi tjetër amerikane.
Ndryshime tektonike gjermane
Edhe pse Gjermania po has vështirësi për të rekrutuar mjaftueshëm vullnetarë – aq sa disa ushtarë mund të detyrohen t’i bashkohen brigadës – lituanezët i presin trupat gjermane me mirënjohje, thotë nënkoloneli Sebastian Hagen, komandant i grupit shumëkombësh luftarak që përbën bërthamën e brigadës.
“Ajo që po bëjmë sot është ajo që të gjithë aleatët bënë për Gjermaninë gjatë Luftës së Ftohtë, – thotë ai. – Krahu lindor është zhvendosur më tej drejt lindjes dhe tani është radha e Gjermanisë të kthejë diçka mbrapsht”.
Ky mision është edhe më domethënës po të kihet parasysh se ushtritë gjermane – ato teutonike, prusiane, perandorake dhe naziste – historikisht kanë qenë pushtuese në këtë rajon. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ato pushtuan Poloninë, shtetet baltike (Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë) dhe një pjesë të madhe të Rusisë perëndimore.
Pas dorëzimit të Gjermanisë naziste në vitin 1945, Bashkimi Sovjetik aneksoi republikat baltike, të cilat rifituan pavarësinë vetëm pas shpërbërjes së tij në vitin 1991. Sovjetikët pushtuan gjithashtu qytetin gjerman të Königsbergut, i njohur sot si enklava ruse e Kaliningradit.
“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për atë që Gjermania naziste bëri këtu në Lituani. Po ashtu jemi të vetëdijshëm për atë që pushtimi sovjetik i bëri Lituanisë”, – shton nënkoloneli Hagen. Kur nuk është në stërvitje, brigada ndihmon në mirëmbajtjen e varrezave të luftës dhe të varrezave hebraike.
Qëllimi i NATO-s, deklaronte Lord Ismay, Sekretari i parë i Përgjithshëm i aleancës, është “t’i mbajë rusët jashtë, amerikanët brenda dhe gjermanët të frenuar”. Por ndërsa presidenti Donald Trump përgatitet të takohet me udhëheqësit e tjerë të NATO-s në Ankara, më 7-8 korrik, Gjermania po forcohet për t’i mbajtur rusët jashtë dhe, shpreson ajo, amerikanët brenda. Sipas një plani të quajtur “NATO 3.0”, SHBA kërkon që vendet europiane të marrin përsipër rolin kryesor në mbrojtjen e tyre konvencionale, ndërsa Amerika të ofrojë ombrellën bërthamore.
Kjo përputhet me vendosmërinë e vetë Gjermanisë, që pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, për t’u shndërruar nga një vend që ka mbetur pas në mbrojtje në një shtyllë kryesore të sigurisë europiane.
Ajo planifikon të arrijë objektivin e NATO-s për shpenzime në mbrojtje sa 3.5% e PBB-së deri në vitin 2029, shumë përpara afatit të vitit 2035. Deri në fund të dekadës, Gjermania mund të shpenzojë për Forcat e saj të Armatosura më shumë sesa Britania dhe Franca, të dyja fuqi bërthamore, së bashku.
Megjithatë, vetëm paratë nuk do ta bëjnë Europën të vetëmbështetur. Së bashku, anëtarët europianë të NATO-s shpenzojnë tashmë për mbrojtjen më shumë se çdo vend tjetër, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, ata mbeten “strategjikisht të varur nga Shtetet e Bashkuara në të gjithë zinxhirin e operacioneve ushtarake”, thuhet në një raport të Institutit Kiel, një institut kërkimor gjerman.
Sa urgjent është ky ndryshim për Europën varet nga dy pyetje kryesore që rëndojnë mbi samitin. E para: sa kërcënues është Vladimir Putin?
Rusia ka riorganizuar frontin e saj përballë NATO-s, duke ngritur njësi, baza dhe shtabe të reja në pritje të forcave që mund të dislokohen në të ardhmen. NATO vlerëson se Rusia mund të përbëjë kërcënim për vendet anëtare vetëm pak vite pasi luftimet në Ukrainë të marrin fund ose të reduktohen. Gjermania synon të jetë gati deri në vitin 2029. Polonia beson se rreziku mund të shfaqet edhe më shpejt.
Pyetja tjetër është se çfarë nënkupton politika “America First” për Europën. Mund të imagjinohen katër versione të Donald Trump-it, të gjitha të besueshme. Njëri është ai i prindit të rreptë, që e shtyn Europën të forcohet, por është i gatshëm ta mbrojë në rast nevoje, në përputhje me Nenin 5 të NATO-s për mbrojtjen kolektive.
Një tjetër është miku që mungon, i cili nuk dëshiron të luftojë për Europën, por vazhdon të ofrojë një lloj mbështetjeje të tërthortë. I treti është ish-partneri toksik, që e braktis Europën, por nuk largohet nga shtëpia e përbashkët e NATO-s, duke ua vështirësuar jetën europianëve në përpjekjet e tyre për t’u organizuar. I fundit është grabitqari, që kërcënon vende si Groenlanda në krahun perëndimor të Europës, ndërkohë që Rusia kërcënon krahun lindor.
Ushtarakët, nga selia supreme e NATO-s në Mons, përmes komandave vartëse e deri te njësitë në vijën e parë, për momentin shohin kryesisht versionin e “prindit të rreptë” të Trump-it. Ushtarët europianë dhe amerikanë planifikojnë dhe stërviten siç kanë bërë prej dekadash. Ata shpresojnë që SHBA ta koordinojë tërheqjen e saj graduale me forcimin e kapaciteteve europiane, në mënyrë që të mos krijohet një boshllëk në mbrojtje.
Por z. Trump është i ndjeshëm dhe i paparashikueshëm. Në maj, Pentagoni njoftoi papritur se do të tërhiqte 5,000 ushtarë nga Gjermania, pasi Trump u zemërua nga kritikat e kancelarit gjerman Friedrich Merz ndaj luftës në Iran. Paradoksalisht, Pentagoni gjithashtu ka ndryshuar disa herë qëndrim lidhur me zëvendësimin e brigadës që së fundmi u largua nga Polonia dhe Lituania, dy nga vendet europiane më pro-amerikane.
Pete Hegseth, sekretari amerikan i Mbrojtjes, kritikoi aleatët europianë që, sipas tij, në mënyrë “të turpshme” nuk morën pjesë në luftën e Amerikës në Iran dhe, në disa raste, nuk lejuan përdorimin e bazave dhe hapësirës së tyre ajrore nga forcat amerikane. Ai njoftoi gjithashtu një rishikim gjashtëmujor të pranisë ushtarake amerikane në Europë, e cila deri tani është reduktuar nga rreth 100,000 në rreth 80,000 ushtarë.
Përveç reduktimit të njësive në vijën e parë, Pentagoni ka zvogëluar edhe forcat e reagimit të shpejtë që premton t’i dërgojë NATO-s në rast lufte, duke argumentuar se ato nevojiten për kriza aktuale ose të mundshme në Lindjen e Mesme dhe Paqësor.
Këto përfshijnë bombardues, avionë luftarakë, avionë cisternë për furnizim me karburant në ajër dhe anije luftarake, si aeroplanmbajtëse dhe nëndetëse sulmuese. Kjo vë në pikëpyetje Modelin e Forcave të NATO-s (NATO Force Model), i cili përcakton se me cilat forca mund të llogarisin komandantët e aleancës.

Dikur besnik
Disa zyrtarë të administratës Trump lënë të kuptohet se SHBA mund të mos luftojë për mbrojtjen e shteteve baltike. Më shqetësuese është se ata kanë ngritur dyshime edhe për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit nëse NATO vendos raketa që mund të godasin thellë në territorin rus. Administrata ka anuluar vendosjen e planifikuar në Gjermani të një njësie të pajisur me raketa lundruese Tomahawk, me rreze veprimi deri në 2,500 kilometra.
Gjithashtu, ka vonuar porosinë e Gjermanisë për raketa Tomahawk dhe, për një periudhë të shkurtër, u bllokoi aleatëve aksesin në modelet më të avancuara të Inteligjencës Artificiale. Sa i përket versionit “toksik” të Trump-it, administrata e tij vazhdon të destabilizojë politikën europiane duke nxitur narrativa të së djathtës ekstreme.
Sa më antieuropiane të bëhet Amerika, aq më shumë Rusia mund të tundohet të sfidojë NATO-n dhe aq më e vështirë do të jetë për europianët të reagojnë. Rusia nuk ka nevojë të ndërmarrë një sulm frontal. Shumë analistë druhen se një veprim i kufizuar dhe i paqartë mund të ekspozojë në mënyrë fatale përçarjet brenda NATO-s.
Për ta kuptuar ndërlikimin e situatës, mjafton të udhëtosh nga Lituania drejt qytetit polak Suwałki, përmes rripit të ngushtë të territorit që ndan Bjellorusinë nga Kaliningradi (shih hartën). Varrezat e këtij rajoni, që u përkasin shtatë besimeve të ndryshme fetare, dëshmojnë për kufijtë që kanë ndryshuar vazhdimisht dhe ushtritë që kanë kaluar aty ndër shekuj.
Me një gjerësi minimale prej rreth 65 kilometrash, Korridori i Suwałkit përshkohet nga dy arteriet kryesore që lidhin shtetet baltike me pjesën tjetër të Europës: autostrada Via Baltica dhe linja hekurudhore e shpejtësisë së lartë Rail Baltica.
Të dy projektet mbeten ende të papërfunduara, pjesërisht për shkak të mosmarrëveshjeve mes vetë vendeve baltike. Megjithatë, ato janë jetike si për tregtinë në kohë paqeje, ashtu edhe për logjistikën ushtarake në rast konflikti.
Edhe sot, në bazë të marrëveshjeve ekzistuese, trena specialë rusë kalojnë përmes jugut të Lituanisë, duke transportuar pasagjerë midis Kaliningradit dhe pjesës kontinentale të Rusisë katër herë në ditë, në vagonë të mbyllur dhe nën mbikëqyrjen e rojeve kufitare lituaneze. Edhe tranziti i mallrave në këtë korridor është i kufizuar.
Republikat baltike janë ndier prej kohësh të cenueshme, për shkak të popullsisë së tyre të vogël, pranisë së pakicave rusishtfolëse dhe prirjes revanshiste të Kremlinit.
Ato përballen vazhdimisht me forma presioni në të ashtuquajturën “zonë gri” nga Rusia – sulme kibernetike, shkelje të hapësirës ajrore nga avionë dhe dronë, sabotim të kabllove nënujore, fushata dezinformimi dhe veprime të tjera.
Vilniusi ndodhet vetëm 35 kilometra nga Bjellorusia, ku banda kriminale dërgojnë emigrantë dhe balona të mbushura me cigare kontrabandë përtej kufirit. Nëse Rusia do të pushtonte shtetet baltike, ajo mund të përpiqej të ndërpriste Korridorin e Suwałkit për të penguar ardhjen e përforcimeve të NATO-s, ndoshta vetëm me përdorimin e dronëve.
Si mund të zhvillohej një luftë e tillë, me ose pa ndihmën e Amerikës? Dikur NATO supozonte se do të duhej të tërhiqej, të grumbullonte përforcime dhe më pas të përpiqej të rimerrte Korridorin e Suwałkit. Sot, megjithatë, synimi është të mbahet sa më shumë territor që nga fillimi.
Lufta në Ukrainë ka treguar se ushtri më të vogla mund ta ndalin Rusinë, madje edhe ta zmbrapsin, nëse kanë kombinimin e duhur të vendosmërisë, teknologjisë dhe mbështetjes. NATO ka forcuar krahun e saj lindor, duke rritur nga katër në nëntë grupet luftarake me rotacion (batalione të përforcuara).
Disa prej tyre, si ai gjerman në Lituani, janë zgjeruar në brigada, të përbëra zakonisht nga tre batalione. Edhe shtetet baltike dhe Polonia kanë rritur ndjeshëm kapacitetet e tyre ushtarake. Shpenzimet për mbrojtjen në të gjitha këto vende pritet të arrijnë këtë vit në 5% ose më shumë të PBB-së.
Lituania po bashkon njësitë e saj të shpërndara në një divizion të rëndë të blinduar me tre brigada dhe rreth 20,000 ushtarë, i cili do të pajiset me tanke gjermane Leopard, mjete luftarake suedeze të këmbësorisë CV90, artileri franceze Caesar dhe sisteme raketore amerikane HIMARS.
Pjesa më e madhe e territorit të Lituanisë – me pyje dhe kënetë – favorizon mbrojtësin, aq më tepër në epokën e dronëve. Edhe nëse Korridori i Suwałkit do të ndërpritej, shtetet baltike do të ishin më të lehta për t’u furnizuar nga deti, falë anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO. Instruktorët amerikanë kanë trajnuar gjithashtu Unionin e Pushkatarëve të Lituanisë, një milici vullnetare, për operacione si bastisjet dhe rrëmbimet në kushte pushtimi.
Nëse Rusia do të sulmonte, thotë kundëradmirali Giedrius Premeneckas, një nga drejtuesit më të lartë ushtarakë të Lituanisë, “do të bënte një gabim shumë më të madh sesa ai që bëri duke sulmuar Ukrainën.”
NATO pranon se ka ende shumë për të mësuar nga fusha e betejës në Ukrainë, e dominuar nga dronët. Gjatë stërvitjeve të këtij viti, ekipet ukrainase të dronëve arritën të asgjësonin batalione të tëra të NATO-s.
Në stërvitjen “Freedom Shield”, grupi shumëkombësh luftarak përdori dronë dhe armë të tjera për të zmbrapsur një njësi gjermane që luante rolin e forcave pushtuese ruse. Megjithatë, nënkoloneli Sebastian Hagen këmbëngul se tanku nuk është aspak i tejkaluar.
Lufta e së ardhmes do të kërkojë mbrojtje më të mirë kundër dronëve dhe përdorim më të madh të mjeteve tokësore pa pilot, por, siç shprehet ai, “tanket do të mbeten të domosdoshme për të pushtuar dhe për të mbajtur territor.”
Me Amerikën në luftë, komandantët e NATO-s besojnë se operacionet shumëdimensionale në tokë, det, ajër, hapësirë dhe hapësirën kibernetike – të mbështetura nga rrjete të dhënash që lidhin sensorët me sistemet e goditjes dhe përpunohen me Inteligjencë Artificiale – do t’u mundësojnë forcave aleate të manovrojnë, t’u shmangen njësive me dronë dhe të mposhtin forcat ruse.
Aviacioni i NATO-s dhe raketat me rreze të gjatë veprimi do të neutralizonin sistemet ruse të mbrojtjes kundërajrore dhe kundër anijeve. Pika më e cenueshme e frontit mund të mos jetë Korridori i Suwałkit, por Kaliningradi, i cili, sipas kundëradmiralit Premeneckas, “nuk do të përjashtohet nga veprimet ushtarake nëse Rusia bën diçka të pamenduar.”

Nga Ismay te zhgënjimi
Si do të luftonte Europa nëse Amerika do të ndërpriste plotësisht mbështetjen? Brigada e 45-të këmbëngul se ka të gjitha pajisjet e nevojshme, si në Lituani ashtu edhe në Gjermani. Ruben Stewart, nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) në Londër, vëren në një analizë të fundit se ushtritë europiane janë të barabarta ose edhe më të afta se Rusia në shumë fusha.
Megjithatë, Amerika vazhdon të sigurojë “sistemin operativ” të NATO-s, duke përfshirë inteligjencën, dronët dhe satelitët e zbulimit, armët me rreze të gjatë veprimi, mbrojtjen ajrore dhe kapacitetet e transportit strategjik.
Pa Amerikën, argumenton Stewart, “ajo që do të mungonte më shumë nuk do të ishte masa e forcës, por integrimi”. Ushtritë europiane do të detyroheshin të luftonin “me më shumë kujdes dhe më ngadalë”. Ato do të kishin më pak paralajmërime për lëvizjet e trupave ruse dhe më pak siguri për drejtimin e tyre, ndaj do të detyroheshin të shpërndanin forcat në një front më të gjerë.
Bashkërendimi mes tyre do të dobësohej, pasi sinjalet satelitore, komunikimet dhe rrjedha e të dhënave do të bëheshin më pak të besueshme. Forcat ajrore dhe ato tokësore do të zhvillonin, në thelb, beteja të ndara. Sistemet ruse të mbrojtjes ajrore mund të mbijetonin, ndërsa europianëve mund t’u mungonin mjetet për të rrëzuar dronët dhe raketat ruse. E gjithë kjo do ta bënte më të vështirë goditjen e objektivave të largëta dhe do ta linte prapavijën e NATO-s më të ekspozuar ndaj sulmeve.
Europa nuk do të ishte në gjendje të zhvillonte një luftë manovrimi. “Do të ishte një luftë mbrojtjeje, konsumimi dhe qëndrueshmërie, që sakrifikon shpejtësinë për hir të rezistencës afatgjatë dhe synon të fitojë me kalimin e kohës, jo që në fillim”, shkruan Stewart.
Ose, siç shprehet një zyrtar i lartë i NATO-s, “do t’i ngjante shumë më tepër luftës në Ukrainë sesa fushëbetejës që do të dëshironim”. Një luftë statike, e përgjakshme dhe e zgjatur konsumimi do të ishte gjithashtu e vështirë të mbahej politikisht.
Armët e goditjes me rreze të gjatë veprimi, me rreze prej 1,000 kilometrash ose më shumë, ilustrojnë qartë dilemën e Europës. Raketat gjermane Taurus dhe raketat franko-britanike SCALP/Storm Shadow kanë një rreze veprimi prej rreth 500 kilometrash. Me SHBA-në që nuk është e gatshme të ofrojë raketat Tomahawk, europianët po kërkojnë alternativa.
Gjermania po bashkëpunon me Britaninë për zhvillimin e raketave lundruese hipersonike dhe me teknologji stealth, si dhe me Ukrainën për armë më të thjeshta, por të provuara në fushën e betejës. Edhe aktorë të tjerë, përfshirë konsorciumin MBDA, po zhvillojnë sisteme të ngjashme. Megjithatë, për t’i përdorur ato në mënyrë efektive, Europa ka nevojë për rrjete satelitore të zbulimit, vëzhgimit dhe komunikimit. Gjermania planifikon të shpenzojë 35 miliardë euro për këto kapacitete.
Çdo luftë do të zhvillohej gjithashtu nën hijen e armëve bërthamore. Rusia ka kërcënuar se mund t’i përdorë ato në Ukrainë. Ideja se edhe një Amerikë që ndjek qasjen e “dashurisë së ashpër” mund të ruajë efektin parandalues bërthamor, ndërsa redukton angazhimin e saj konvencional, mbetet e diskutueshme.
“Nëse amerikanët japin sinjalin se nuk duan të dërgojnë trupa tokësore për të mbrojtur Letoninë ose Poloninë, atëherë sa e besueshme është që do të jenë të gatshëm të rrezikojnë një luftë bërthamore?”, pyet Artur Kacprzyk nga Instituti Polak i Çështjeve Ndërkombëtare.
Britania dhe Franca, që zotërojnë nga pak më shumë se 200 koka bërthamore secila, krahasuar me mbi 5,000 që zotërojnë secila SHBA-ja dhe Rusia, kanë deklaruar se: “Nuk ekziston asnjë kërcënim ekstrem ndaj Europës që të mos shkaktojë një përgjigje nga dy vendet tona”. Megjithatë, pa ombrellën bërthamore amerikane, vendet europiane do të jenë të pashmangshme më të kujdesshme në përballjen me Rusinë.
Për më tepër, pa udhëheqjen amerikane, një NATO vetëm me vendet europiane rrezikon të bjerë në “ngërç në nivel politik”, thotë Christian Mölling nga instituti EDINA në Berlin. Një simulim lufte i zhvilluar vitin e kaluar, i mbështetur pjesërisht nga gazeta gjermane Die Welt, parashikonte një skenar ku Rusia përdorte një krizë humanitare në Kaliningrad si pretekst për të pushtuar Korridorin e Suwałkit.
SHBA refuzonte të aktivizonte Nenin 5 të NATO-s, ndërsa brigada gjermane nuk ndërhynte, pjesërisht sepse dronët rusë kishin minuar rrugët që dilnin nga baza e saj. Simulimi kishte mangësi – ai injoronte forcat e armatosura të vetë Lituanisë, të cilat nuk do të hezitonin të rezistonin – por nxori në pah dobësitë e mundshme.
Vendet europiane e dinë se duhet të ulin varësinë nga Amerika, por mbeten të ndara mbi përparësitë. A duhet të blejnë armë të gatshme, përfshirë ato amerikane, apo të investojnë kohë në zhvillimin e armëve europiane? Për disa zyrtarë francezë, detyra kryesore është krijimi i sistemeve europiane të komunikimit, platformave të përpunimit të të dhënave dhe modeleve të inteligjencës artificiale. Gjermania, përkundrazi, dëshiron të forcojë njësitë konvencionale, veçanërisht me tanke dhe municione. Shumë aleatë hezitojnë të heqin dorë nga Amerika, nga frika se vetë kjo mund të përshpejtojë largimin e saj.
Një analizë e Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) argumenton se autonomia e plotë europiane mbetet jashtë arritjes. Ajo propozon që struktura komanduese e NATO-s të marrë një rol të dyfishtë, në mënyrë që të mund të drejtojë edhe operacione vetëm me vendet europiane, megjithëse kjo do të kërkonte miratimin e SHBA-së.
Sa kohë ka Europa? Trump, me karakterin e tij të paparashikueshëm, mund t’i kthejë shpinën kontinentit në çdo moment. Putini mund të vendosë të sfidojë europianët përpara se ata të jenë gati. Një tjetër pikëpyetje është nëse europianët do të arrijnë të qëndrojnë të bashkuar nëse populistët e së djathtës ekstreme marrin pushtetin në Britani, Francë apo Gjermani.
Në çdo rast, mbrojtja e Europës nis me mbështetjen e Ukrainës. Sa më gjatë të arrijë ajo t’i rezistojë Rusisë, aq më të mira do të jenë kushtet që mund të negociojë në një marrëveshje paqeje dhe aq më shumë kohë do të kenë europianët për t’u përgatitur.
Kjo nuk duhet të jetë një mision i pamundur. Siç shprehet ministri i Jashtëm i Polonisë, Radek Sikorski, Europa nuk ka nevojë të jetë “heroike” apo të arrijë nivelin e fuqisë amerikane: “Nuk kemi nevojë as të jemi aq të mirë sa Shtetet e Bashkuara. Mjafton të jemi më të mirë se Putini.”
The post NATO po shqyrton si të mbrojë Europën Lindore ndërsa SHBA tërhiqet appeared first on Revista Monitor.