Normal view

Kadastra: Hapat si të regjistroni pronësinë e shtëpive të ndërtuara para vitit ’91

19 August 2026 at 14:13

Qytetarët që kanë marrë vendimin për kalimin në pronësi të shtëpive të vjetra të ndërtuara para vitit 1991, oborreve në përdorim apo trojeve funksionale, mund ta regjistrojnë atë përmes portalit e-Albania Agjencia Shtetërore e Kadastrës i ka dhënë në një përmbledhje të saj hapat që duhet të ndiqen për këtë process.

Sipas Kadastrës, përmes kësaj procedure qytetarët mund të pajisen me dokumentacionin e plotë të pronësisë për shtëpinë e tyre.

Për të nisur aplikimin, qytetari duhet fillimisht të hyjë në llogarinë e tij në portalin e-Albania.

Më pas duhet të zgjedhë shërbimin “Aplikim për regjistrimin e kalimit të pronësisë me anë të ligjit, me vendim të gjykatës, apo të një akti administrativ” dhe të klikojë opsionin “Përdor”.

Pas hapjes së shërbimit, aplikanti duhet të krijojë një aplikim të ri dhe të plotësojë fushat e nevojshme të kërkuara në portal.

Në vijim duhet të shtohet nënshërbimi “Regjistrim i kalimit të pronësisë me anë të aktit administrativ të lëshuar nga ASHK”.

Sipas njoftimit, pas zgjedhjes së këtij nënshërbimi, sistemi shton automatikisht edhe shërbimin për lëshimin e certifikatës së pronësisë, kopjen e kartelës së pasurisë së paluajtshme dhe kopjen e fragmentit të hartës kadastrale.

Pasi plotësohet aplikimi, qytetari duhet ta dërgojë atë, të shkarkojë mandatin dhe të kryejë pagesën.

Pagesa mund të realizohet online, pranë Postës Shqiptare ose në çdo bankë të nivelit të dytë.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës u ka bërë të ditur qytetarëve se informacioni mbi dokumentacionin e nevojshëm gjatë aplikimit për shërbimet kadastrale mund të gjendet në faqen e saj të internetit, në rubrikën “Shërbime”.

 

The post Kadastra: Hapat si të regjistroni pronësinë e shtëpive të ndërtuara para vitit ’91 appeared first on Revista Monitor.

Mbrojtja nga përmbytjet, tender 2.3 mln euro për Devollin dhe Osumin

19 August 2026 at 14:00

Rreth 2.3 milionë euro do të vihen në dispozicion për ndërhyrje kundër përmbytjeve dhe gërryerjeve në lumenjtë Devoll dhe Osum, në një procedurë prokurimi që përfshin tre zona në Cërrik, Devoll dhe Berat.

Fondi limit i tenderit arrin në 228.9 milionë lekë dhe është ndarë në tre lote, ku pjesa më e madhe e shumës është parashikuar për mbrojtjen lumore në Osum, në lagjen Bejtollarët të Beratit, dhe për ndërhyrjen kundër gërryerjeve në Bitinckë të Devollit.

Loti i parë, “Mbrojtje nga përmbytjet e lumit Devoll (loti 2) – Bashkia Cërrik”, ka fond limit 31.9 milionë lekë. Dokumentacioni teknik për ndërhyrjen në zonën e Desarës parashikon vazhdimin e mbrojtjes së brigjeve para dhe pas veprave ekzistuese, përmes mbrojtjeve gjatësore me gabiona dhe blloqe betoni, si dhe riparimin e segmenteve të dëmtuara të strukturave aktuale.

Sipas projektit, në një nga segmentet parashikohet ndërtimi i 70 metrave linearë mbrojtje me gabiona me lartësi 4 metra, ndërsa një tjetër segment prej 100 metrash parashikohet gjithashtu me mbrojtje gjatësore me gabiona. Dokumenti përfshin edhe riparime të mbrojtjeve ekzistuese dhe ndërhyrje me gurë në segmente të tjera përgjatë lumit.

Loti i dytë, “Mbrojtje nga gërryerjet në lumin Devoll, fshati Bitinckë – Devoll”, ka fond limit 94.7 milionë lekë.

Në Bitinckë, projekti parashikon mbrojtjen e tokave në krahun perëndimor të rrjedhës së Devollit nga gërryerja. Dokumentacioni e përshkruan segmentin si të ekspozuar ndaj gërryerjeve intensive në një gjatësi rreth 800 metra dhe parashikon ndërtimin e një mbrojtjeje gjatësore përgjatë shpatit të dëmtuar. Ndërhyrja do të realizohet me themele me gurë masivë dhe gabiona të mbushur me gurë, të kombinuar me rrjetë teli të zinkuar.

Planimetria e projektit tregon një mbrojtje gjatësore prej rreth 787 metrash në afërsi të bregut të Devollit.

Loti i tretë, “Mbrojtje lumore e krahut të majtë lumi Osum, lagjja Bejtollarët – Bashkia Berat”, ka fond limit 102.3 milionë lekë, duke qenë ndërhyrja me vlerën më të lartë në këtë procedurë.

Sipas raportit paraprak të vlerësimit të ndikimit në mjedis, objektivi i projektit është mbrojtja e lagjes Bejdollar nga përmbytjet dhe erozioni i shkaktuar nga lumi Osum, përmes realizimit të veprave mbrojtëse dhe stabilizimit të brigjeve.

Dokumenti evidenton se gjatë periudhave me reshje intensive dhe prurje të larta, segmentet pranë brigjeve paraqesin rrezik nga erozioni dhe përmbytjet, veçanërisht në zonat e banuara pranë lumit, përfshirë lagjen Bejdollar.

Punimet e parashikuara në Osum përfshijnë gërmimin dhe përgatitjen e terrenit, sistemimin dhe profilizimin e brigjeve dhe shtratit të lumit, si dhe ndërtimin e strukturave mbrojtëse me gabiona, penela, mure mbajtëse dhe elementë të tjerë hidroteknikë. Projekti parashikon gjithashtu stabilizimin e skarpateve dhe disiplinimin e rrjedhës së ujit për të parandaluar dëmtimet nga prurjet dhe gërryerjet.

 

The post Mbrojtja nga përmbytjet, tender 2.3 mln euro për Devollin dhe Osumin appeared first on Revista Monitor.

Inflacioni i harmonizuar arrin 3,4% në korrik, ushqimet dhe turizmi me ndikimin kryesor

19 August 2026 at 12:42

Inflacioni i matur sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit arriti në 3,4% në korrik 2026, duke qëndruar 0,4 pikë përqindje mbi mesataren prej 3% të Bashkimit Europian.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja vjetore e çmimeve vazhdon të ushqehet kryesisht nga produktet ushqimore, por një ndikim pothuajse po aq të fortë po japin edhe shërbimet e lidhura me argëtimin, turizmin dhe akomodimin.

Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” dha kontributin më të madh, me 1,09 pikë përqindje në inflacionin vjetor, pasi çmimet u rritën me 3,2% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Ky grup zë rreth 34,5% të peshës së përgjithshme të indeksit të harmonizuar, duke bërë që edhe lëvizjet relativisht të moderuara të çmimeve të ushqimeve të kenë ndikim të konsiderueshëm në inflacion.

Presioni i dytë më i fortë erdhi nga grupi “Argëtim, sport dhe kulturë”, ku çmimet u rritën me 8,5% në një vit, norma më e lartë ndër të gjitha kategoritë. Ky grup kontribuoi me 0,55 pikë përqindje në inflacion.

Çmimet në restorante dhe strukturat akomoduese u rritën me 3,6%, duke shtuar 0,53 pikë përqindje në normën vjetore. Së bashku, argëtimi dhe shërbimet e akomodimit dhanë një kontribut prej 1,08 pikësh përqindjeje, thuajse të barabartë me ndikimin e të gjithë grupit të ushqimeve.

Ndikimi i shërbimeve turistike është më i dukshëm tek Indeksi i Harmonizuar, pasi ky tregues përfshin edhe shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri. Restorantet dhe akomodimi zënë rreth 14,5% të peshës së këtij indeksi, kundrejt vetëm 5,7% në Indeksin kombëtar të Çmimeve të Konsumit.

Transporti ishte një tjetër burim presioni. Çmimet e tij u rritën me 4,6% në krahasim me korrikun 2025, duke kontribuar me 0,39 pikë përqindje në inflacion. Rritje relativisht të larta u regjistruan edhe për pijet alkoolike dhe duhanin, me 4,5%, kujdesin personal dhe shërbimet e ndryshme, me 3,5%, si dhe arsimin, me 3,3%.

Në kahun tjetër, çmimet e informacionit dhe komunikimit ranë me 0,6% në bazë vjetore, ndërsa veshjet dhe këpucët u liruan me 0,5%. Megjithatë, pesha dhe ndikimi i këtyre dy kategorive ishin shumë të vogla për të kompensuar rritjen e ushqimeve dhe shërbimeve.

Në krahasim me qershorin, çmimet e konsumit u ulën me 0,1%. Rënia mujore u ndikua kryesisht nga ushqimet, të cilat u liruan me 0,9%, informacioni dhe komunikimi me 1,3%, veshjet dhe këpucët me 1,2% dhe shërbimet financiare me 1%.

Kjo rënie u kufizua nga shtrenjtimi mujor i transportit me 2,5% dhe i grupit që përfshin qiratë, ujin, energjinë elektrike, gazin dhe karburantet e tjera me 1%.

Të dhënat tregojnë se, pavarësisht uljes së lehtë mujore, struktura e inflacionit mbetet e përqendruar te shpenzimet bazë dhe shërbimet sezonale. Ushqimet, argëtimi, restorantet, akomodimi dhe transporti siguruan së bashku rreth 2,56 pikë përqindje nga norma e përgjithshme prej 3,4%.

 

The post Inflacioni i harmonizuar arrin 3,4% në korrik, ushqimet dhe turizmi me ndikimin kryesor appeared first on Revista Monitor.

Falja me kusht, Doganat: Afat deri më 31 dhjetor për detyrimet e periudhës 2015-2019

19 August 2026 at 11:55

Administrate doganore ka kujtuar tatimpaguesit se deri më 31 dhjetor 2026 është afati për faljen me kusht të detyrimeve doganore, nëse kryhet 75% e detyrimit.

Sipas njoftimit të administratës deri më 31 Dhjetor 2026, subjektet që plotësojnë kushtet e përcaktuara në Ligjin e Faljes kanë ende mundësi të përfitojnë nga shuarja me kusht e detyrimeve doganore.

“Për detyrimet e periudhës 2015–2019, pagesa e 75% të detyrimit kryesor brenda afatit sjell shuarjen e 25% të mbetur, si dhe fshirjen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave.

Mos e lini për në fund të vitit. Drejtohuni sa më parë pranë degës doganore përkatëse për të verifikuar përfitimin dhe për të vijuar procedurat”, thuhet në njoftimin e administratës doganore.

Përveç fshirjes së plotë të detyrimeve mbi 10 vite të papaguara, ligji i faljes parashikon edhe fshirjen e detyrimeve më të reja, por me kushtin të paguhet një pjesë e detyrimit.

Për detyrimet që i përkasin periudhës 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019, tatimpaguesit mund të përfitonin shuarje të pjesshme me kushtin nëse paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026, pjesa tjetër fshihet.

Tashmë për fshirjen me kusht është duke u zbatuar faza e dytë, si për detyrimet doganore dhe ato tatimore. Nëse do të paguajnë 75% të detyrimit deri më 31 dhjetor 2026 me këste mujore, 25% e mbetur fshihet automatikisht. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.

Por ligji i faljes parashikon edhe faljen e gjobave për borxhet nga 2020–2024 me kushtin të paguhet detyrimi.

Për detyrimet e krijuara nga 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024, fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave është e mundur vetëm nëse paguhet plotësisht principali deri më 31 dhjetor 2026.

Borxhi doganor deri më 31 dhjetor 2024

Detyrimet e papaguara deri më 31 dhjetor 2024 në Dogana llogariten në vlerën e 48,5 mld lekë apo rreth 500 mln euro i pashlyer nga 4,684 debitorë. Principali zë 27% të borxhit, me vlerë 13,1 mld lekë. Pjesa më e madhe e tyre përbëhet nga gjobat me vlerë 26,5 mld lekë (55% të totalit) dhe kamatëvonesat me vlerë 8,9 mld lekë apo 18% të totalit.

Sipas vjetërsisë detyrimet doganore të papaguara mbi 10 vjet janë në shumën 25,7 mld lekë, 5 deri në 10 vjet në shumën 18,2 mld lekë, 1 deri në 5 vjet në shumën 4,5 mld lekë.

 

 

The post Falja me kusht, Doganat: Afat deri më 31 dhjetor për detyrimet e periudhës 2015-2019 appeared first on Revista Monitor.

Tabaku: Rritja e eksporteve në korrik nuk tregon forcim të ekonomisë prodhuese

19 August 2026 at 11:16

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kritikoi mënyrën se si qeveria po interpreton të dhënat e fundit të eksporteve, duke argumentuar në një reagim në rrjetet sociale se rritja prej 10,6% e raportuar për korrikun është e përqendruar në disa kategori dhe nuk dëshmon, sipas saj, një forcim të gjerë të ekonomisë prodhuese.

“Një qeveri në krizë kapet pas disa shifrave për të mbajtur në këmbë narrativën e saj”, shkroi Tabaku në rrjetet sociale, duke akuzuar  se po përdoret rritja mujore e eksporteve për të paraqitur një tablo më pozitive të ekonomisë.

Sipas shifrave të cituara prej saj, materialet e ndërtimit dhe metalet kontribuuan me 8,9 pikë përqindjeje në rritjen e eksporteve në korrik, ndërsa mineralet, karburantet dhe energjia me 5,3 pikë përqindjeje. Të marra së bashku, këto dy grupe dhanë 14,2 pikë përqindjeje, më shumë se rritja përfundimtare prej 10,6%.

Tabaku theksoi se ky kontribut u zbut nga ecuria negative e sektorëve të tjerë. Sipas saj, fasoneria uli rezultatin me 4,3 pikë përqindjeje, ndërsa ushqimet kontribuuan me vetëm 0,1 pikë.

“Pra, nuk është forcuar ekonomia prodhuese. Është rritur përkohësisht vlera e disa kategorive të eksporteve, të përqendruara te ndërtimi”, shkroi ajo.

Në reagimin e saj, deputetja e opozitës iu referua edhe ecurisë afatgjatë të eksporteve. Sipas Tabakut, nga viti 2014 deri në vitin 2025, vlera e eksporteve në lekë është rritur me rreth 36%, ndërsa sasia fizike e mallrave të eksportuara ka rënë me rreth 14%.

“Në letër, eksportet e Shqipërisë vlejnë më shumë; në realitet, vendi eksporton më pak mallra”, shkroi Tabaku.

Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për ndikimin e forcimit të lekut ndaj euros te kompanitë eksportuese. Sipas saj, konvertimi i të dhënave në euro mund të krijojë një perceptim më pozitiv për vlerën e eksporteve, ndërsa kompanitë që faturojnë në monedhën europiane marrin më pak lekë për të mbuluar kostot e tyre të brendshme.

“Për eksportuesin që faturon në euro, realiteti është i kundërt: për të njëjtën kontratë merr më pak lekë për pagat, energjinë, taksat dhe kostot e prodhimit”, shkroi ajo.

Tabaku veçoi fasonerinë si një nga sektorët më të ekspozuar ndaj kësaj situate, duke thënë se ajo përbën rreth 30% të eksporteve të mallrave dhe punëson dhjetëra mijëra qytetarë.

“Pas euros së lirë qëndrojnë fabrika që mbyllen, kontrata që largohen dhe vende pune që humbasin”, shkroi deputetja, duke shtuar se burimi dhe qëndrueshmëria e flukseve të mëdha valutore që, sipas saj, kanë ndikuar në forcimin e lekut, vijojnë të mbeten pa një shpjegim transparent.

Në të njëjtin reagim, Tabaku iu referua edhe strukturës së rritjes ekonomike në vitin 2025. Sipas të dhënave që ajo citoi nga INSTAT, industria ra me 3,72% dhe bujqësia me 2,5%, ndërsa administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe taksat neto dhanë së bashku rreth 77% të rritjes ekonomike prej 3,66%.

“Kjo do të thotë se sot ekonominë po e mbajnë në këmbë shpenzimet e shtetit dhe jo biznesi”, shkroi Tabaku.

Deputetja e PD-së e mbylli reagimin duke argumentuar se një e dhënë pozitive mujore nuk mjafton për të përshkruar gjendjen e sektorëve prodhues dhe të punësimit.

“Një shifër mujore mund të shërbejë për propagandë. Por nuk mund të zëvendësojë fabrikat që mbyllen, vendet e punës që humbasin dhe familjet që çdo ditë e kanë më të vështirë të përballojnë jetesën”, shkroi Tabaku në rrjetet sociale.

 

The post Tabaku: Rritja e eksporteve në korrik nuk tregon forcim të ekonomisë prodhuese appeared first on Revista Monitor.

Qiratë rrisin më tej inflacionin e brendshëm, inflacioni i importuar ngelet negativ

19 August 2026 at 11:00

Inflacioni i brendshëm në ekonominë shqiptare arriti në 3.7% në tremujorin e dytë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni i gjeneruar nga ekonomia e brendshme u rrit më tej nga niveli prej 3.6% i tremujorit të parë, i nxitur sidomos nga shtrenjtimi i qirave.

Inflacioni i qirave dha kontributin kryesor në formimin e inflacionit të brendshëm, me rreth 2 pikë përqindje ose 54% të inflacionit total të brendshëm për periudhën.

Inflacioni i qirave në muajin qershor të këtij viti arriti nivelin më të lartë historik, në 7.8%. Në tremujorin e parë të vitit, inflacioni i qirave kishte qenë në nivelin 7.5%. Në periudhën maj-qershor, ai u ngadalësua lehtë në 6.9%, por në qershor rritja u shpejtua përsëri, në nivelin 7.8%. Rritja e muajit qershor duke se reflekton presionet e një kërkese të shtuar sezonale për qira ditore të lidhur me pushimet verore.

Në vijim të analizën së detajuar të inflacionit sipas burimit, Banka e Shqipërisë vëren se inflacioni i importuar ngadalësoi tkurrjen në -1.1% në tremujorin e dytë, nga -4.7% një tremujor më parë. Zgjerimi i inflacionit të importuar është ndikuar ndjeshëm nga rritja e çmimeve të naftës, ndërkohë që mbiçmimi i Lekut ka zbutur presionet nga çmimet e huaja. Me gjithë rritjen e ndjeshme të tremujorit të dytë, inflacioni i importuar vazhdon të ketë një kontribut negativ, me -0.2 pikë përqindjeje në formimin e inflacionit total.

Mozaiku i inflacionit në vitet e fundit ka shfaqur një dominim të qartë të inflacionit të brendshëm. Nivelet e larta të inflacionit të brendshëm janë përcaktuar sidomos nga presionet e larta nga trgeu i punës në vitet e fundit. Rritja e fortë e kërkesës në sektorë të veçantë, sidomos të lidhur me turizmin, por edhe emigracioni i lartë i të rinjve kanë krijuar trysni të vazhdueshme për rritjen e pagave. Këto presione pjesërisht janë reflektuar në rritje të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve, pjesërisht mund të jenë përthithur nga vetë bizneset me ulje të marzheve të fitimit dhe pjesërisht, sidomos në tregtinë e mallrave, janë amortizuar nga forcimi i Lekut në kursin e këmbimit.

Ndërkohë, rritja e shpejtë e turizmit ka sjellë një rritje të fortë të inflacionit qirave, qoftë si efekt direkt mbi qiratë ditore, qoftë në mënyrë indirekte, duke ulur ofertën për qira afatgjata dhe duke sjellë shtrenjtim edhe në këtë segment.

Nga fillimi i këtij viti, rritja e çmimit të naftës ka kthyer në trajektore rritëse inflacionin e importuar, që në periudhën 2024-2025 i kishte balancuar presionet e konsiderueshme inflacioniste të ekonomisë së brendshme. Zbehja e efektit deflacionist të çmimeve të importit ka bërë që inflacioni pas tremujorit të dytë të vitit të rritet sipër objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë, duke arritur në 3.4% në muajin korrik.

The post Qiratë rrisin më tej inflacionin e brendshëm, inflacioni i importuar ngelet negativ appeared first on Revista Monitor.

Kredi deri në 2 mln euro me interes 2–3%, çfarë duhet të dinë bizneset para aplikimit

19 August 2026 at 10:00

Taulant Pupa drejtuesi teknik i fabrikës së përpunimit të qumështit “Vita 2001 sh.p.k” është duke shqyrtuar mundësinë për aplikim për kredi nëpërmjet programit “Dyfisho Sipërmarrjen tende”. Arsyeja e financimit është për vijimin e investimeve të nisur për automatizimin e prodhimit për plotësimin e standardeve para anëtarësimit në BE. Fabrika bashkëpunon më shumë se 400 fermerë të zonës së Juglindjes.

Pupa thotë se arsyeja e aplikimit është interesi i leverdishëm, por edhe shkurtimit të burokracive nëpërmjet programit dhe mbulimit deri në 70% të principalit nëpërmjet Garancisë Sovrane.

Bizneset e vogla dhe të mesme, si edhe fermerët, kanë mundësi të aplikojnë për financim në kuadër të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një skemë e qeverisë në partneritet me Bankën e Shqipërisë dhe me 11 bankat e nivelit të dytë.

Programi synon të mbështesë investimet për zgjerimin dhe modernizimin e aktivitetit, duke ofruar financim deri në 200 mln lekë apo rreth 2 mln euro për përfitues, normë interesi preferenciale orientuese 2–3% dhe Garanci Sovrane deri në 70% të principalit të kredisë. Afati maksimal për shlyerjen e kredisë është deri në 10 vjet.

Çfarë duhet të bëjë një biznes që dëshiron të aplikojë?

Hapi i parë është përgatitja e dokumentacionit. Biznesi duhet të ketë, ndër të tjera, NIPT-in, vërtetimin tatimor dhe një plan biznesi ku të përcaktohet qartë investimi që kërkohet të financohet.

Në rast se biznesi nuk ka një plan biznesi të përgatitur, programi parashikon edhe asistencë teknike të financuar nga shteti, përmes ekspertëve që ndihmojnë në hartimin e planit dhe përgatitjen e dokumentacionit të aplikimit.

Pas përgatitjes së dokumenteve, kërkesa dorëzohet pranë një prej bankave tregtare pjesëmarrëse në skemë. Biznesi mund të krahasojë ofertat e bankave të ndryshme, por kredia përfundimtare miratohet nga një bankë e vetme.

Pas aplikimit, Banka shqyrton dokumentacionin dhe vlerëson riskun e biznesit dhe projektit të investimit. Më pas, për pjesën që mbulohet nga skema, Agjencia e Menaxhimit të Garancive konfirmon mbulimin me garanci sovrane.

Sipas kushteve të programit, garancia sovrane mund të mbulojë deri në 70% të principalit, duke ulur ekspozimin e bankës ndaj riskut dhe duke krijuar mundësi për kushte më të favorshme financimi.

Për pjesën e pambuluar nga garancia, pra deri në 30%, banka mund të kërkojë kolateral, në varësi të vlerësimit të dosjes dhe kushteve të kredisë.

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Ekonomisë, Kredia synon të financojë investime që sjellin rritje dhe zhvillim të aktivitetit, si:

blerje makinerish dhe pajisjesh;

modernizim të linjave të prodhimit;

investime në teknologji;

digjitalizim të biznesit, përfshirë ERP dhe sigurinë kibernetike;

standarde dhe certifikime për eksport, si ISO, HAÇP dhe CE;

investime në eficiencë energjetike dhe teknologji “green”;

investime në bujqësi dhe agro-përpunim;

investime në prodhim;

investime në turizëm dhe akomodim.

https://dyfisho.ekonomia.gov.al/sq

Ndërkohë, nuk financohen rifinancimi i kredive ekzistuese dhe kapitali qarkullues i thjeshtë, si blerja e lëndës së parë pa lidhje me një projekt investimi. Përjashtim mund të bëhet kur lënda e parë është pjesë integrale e një projekti teknologjik.

Skema është e hapur për sektorë të ndryshëm të ekonomisë, ndërsa prioritet u jepet aktiviteteve në bujqësi dhe agro-përpunim, prodhim, teknologji dhe software, turizëm dhe akomodim, tregti dhe logjistikë.

Sa është interesi dhe sa zgjat periudha e lehtësimit?

Norma e interesit është orientuese 2–3%, sipas kushteve të programit dhe financimit të miratuar. Programi parashikon gjithashtu një periudhë grace prej të paktën 12 muajsh nga disbursimi i kredisë, gjatë së cilës paguhet interesi dhe jo principali, sipas kushteve të përcaktuara për kredinë.

Pas dorëzimit të plotë të dokumentacionit, procesi i miratimit mund të zgjasë rreth 15–30 ditë pune, por afati konkret varet nga banka dhe nga kompleksiteti i dosjes.

Afati i aplikimit deri në nëntor 2027

Afati i aplikimit është deri më 20 nëntor 2027. Megjithatë, bizneset që janë të interesuara për financim këshillohen të përgatisin dokumentacionin dhe të aplikojnë sa më herët.

Në faqen e programit është vënë në dispozicion edhe një kalkulator kredie, për të llogaritur në mënyrë orientuese pagesën mujore në lekë, bazuar në shumën dhe kushtet e financimit.

P.sh për financim maksimal me vlerë 200 mln lekë me interes 3% dhe me Garanci Sovrane 70%, llogaritet që biznesi përfitues të paguajë një këst mujor me vlerë 1,931,215 lekë. Afati për shlyerjen e kredisë është llogaritur për aftin maksimal deri në 10 vite.

Qëllimi i financimit të kredisë është për modernizimin e prodhimit.

Totali i interesit që do të paguhet llogaritet në vlerën e 31,745,787 lekëve. Shuma e garantuar nga shteti llogaritet në vlerën e 140 mln lekëve.

Në praktikë, një biznes që dëshiron të përfitojë duhet të nisë me përgatitjen e dokumentacionit dhe një projekt të qartë investimi, të konsultohet me bankën pjesëmarrëse dhe të verifikojë nëse aktiviteti dhe investimi i propozuar plotësojnë kriteret e programit.

Vlera e fondit është 25 mld lekë apo rreth 250 mln euro, shumë kjo e përafërt me 1% të PBB-së së Shqipërisë për vitin 2024.

Ministria e Ekonomisë: Pyetje të Shpeshta dhe Informacione bazë rreth programit

Çfarë është Garancia Sovrane dhe si funksionon?

Shteti garanton një pjesë të principalit të kredisë (deri në 70%) ndaj bankës. Nëse biznesi nuk mund të shlyejë, shteti mbulon pjesën e garantuar. Kjo ul rrezikun e bankës dhe mundëson kushte më të favorshme kreditimi për NVM-të.

A duhet kolateral shtesë përveç garancisë sovrane

Banka ka të drejtë të kërkojë kolateral vetëm për pjesën prej 30% që nuk mbulohet nga garancia sovrane (shteti). Kjo mbasi është vlerësuar rreziku i dosjes se dorëzuar nga biznesi. Për pjesën prej 70% që garantohet nga garancia sovrane (shteti), banka nuk mund t’ju kërkojë asnjë kolateral. Vlera e kolateralit për pjesën tuaj (30%) është e kufizuar me ligj dhe nuk mund të kalojë tavanin maksimal të mbulimit. Për të mësuar cili është ky tavan dhe nëse do t’ju kërkohet sigurim shtesë, drejtojuni zyrtarit tuaj të kredisë.

Sa kohë zgjat procesi i aprovimit

Zakonisht 15–30 ditë pune pas dorëzimit të plotë të dokumentacionit. (Ky është një vlerësim orientues — konfirmoni afatin e saktë me bankën zgjedhur.)

A mund të aplikoj më shumë se në 1 bankë?

Po, bizneset mund të krahasojnë ofertat nga banka të ndryshme, por kredia finale miratohet nga një bankë e vetme. Vlera maksimale e mbuluar nga programi është deri në rreth 200 milionë lekë për aplikant.

Çfarë është grace period?

Periudha e grace-it (kur paguhet vetëm interesi, jo principali) është minimumi 12 muaj nga disbursimi i kredisë, sipas VKM-së. Kjo ju jep kohë të investoni pa barrë të menjëhershme shlyerjeje.

Çfarë investimesh nuk mbulohen?

Nuk mbulohen rifinancimi i kredive ekzistuese dhe kapitali qarkullues i thjeshtë (blerje lënde të parë pa lidhje me një investim). Përjashtim bën lënda e parë kur është pjesë integrale e një projekti teknologjik.

A ofrohet asistencë teknike falas?

Po — shteti financon me grant asistencë teknike nga ekspertë për hartimin e planit të biznesit dhe përgatitjen e dokumentacionit të aplikimit, që bizneset të kenë një propozim investimi të fortë përpara se ta paraqesin në bankë.

Deri kur mund të aplikoj?

Afati për aplikim sipas VKM-së është deri më 20 nëntor 2027. Rekomandohet të aplikoni sa më herët, pasi fondi total prej rreth 250 milionë eurosh shpërndahet me radhë.

 

 

The post Kredi deri në 2 mln euro me interes 2–3%, çfarë duhet të dinë bizneset para aplikimit appeared first on Revista Monitor.

Të plakesh në shtëpinë tënde? Ja sa mund të kushtojë përshtatja e banesës

19 August 2026 at 09:30

Shumica e njerëzve duan të jetojnë në shtëpinë e tyre edhe në moshë të thyer, por dëshira për të mos u larguar nga ambienti i njohur shpesh shoqërohet me një pyetje praktike: a është banesa e përshtatshme për këtë fazë të jetës?

Sipas ekspertëve të cituar nga The Guardian, planifikimi duhet të nisë shumë vite përpara se të shfaqen problemet e para të lëvizshmërisë. Përshtatjet e vogla të bëra në kohën e duhur mund të shmangin kostot më të larta dhe të rrisin sigurinë, duke u mundësuar të moshuarve të jetojnë të pavarur për më gjatë.

Një nga investimet më të zakonshme është eliminimi i barrierave fizike brenda shtëpisë. Kjo përfshin hyrje pa shkallë, zgjerimin e dyerve për karroca ose mjete ndihmëse, vendosjen e dyshemeve që nuk rrëshqasin, instalimin e parmakëve mbështetës në banjë dhe shkallë, si edhe ndriçim më të mirë në të gjithë banesën. Vetëm këto ndërhyrje bazë mund të kushtojnë nga 3,000 deri në 15,000 dollarë, ndërsa rikonstruksionet më të mëdha, si transformimi i banjës apo zhvendosja e dhomës së gjumit në katin përdhes, mund të kushtojnë shumë më tepër.

Ekspertët rekomandojnë që pronarët e banesave të mos presin derisa të përballen me një problem shëndetësor. Përveç ndryshimeve fizike në shtëpi, është e rëndësishme të mendohet edhe për aspektet financiare, mbështetjen nga familja, aksesin në shërbimet shëndetësore dhe dokumentet ligjore që lidhen me kujdesin në moshë të tretë.

Megjithatë, përshtatja e banesës nuk është gjithmonë zgjidhja më praktike. Në disa raste, ekspertët sugjerojnë alternativa si banesat e përbashkëta për të moshuarit, njësitë e vogla të ndërtuara pranë shtëpisë së familjarëve (“granny pods”), komunitetet rezidenciale me shërbime të integruara ose komplekset e kujdesit të vazhdueshëm, ku niveli i asistencës rritet sipas nevojave të banorit. Edhe pse këto zgjidhje janë zakonisht më të kushtueshme, ato mund të ofrojnë më shumë siguri dhe mbështetje afatgjatë.

Në SHBA, rreth 93% e personave mbi 65 vjeç shprehen se dëshirojnë të vazhdojnë të jetojnë në shtëpinë e tyre sa më gjatë. Megjithatë, ekspertët theksojnë se realizimi i kësaj dëshire kërkon planifikim, investime dhe fleksibilitet, pasi nevojat ndryshojnë me kalimin e viteve.

Në një kohë kur popullsia po plaket në shumë vende të botës, koncepti i “ageing in place” po kthehet në një trend të ri në tregun e banesave, duke nxitur kërkesën për shtëpi më funksionale, teknologji inteligjente dhe projekte rezidenciale të projektuara për të mbështetur jetesën e pavarur edhe në moshën e tretë./THE GUARDIAN

The post Të plakesh në shtëpinë tënde? Ja sa mund të kushtojë përshtatja e banesës appeared first on Revista Monitor.

Dy kompanitë që ekzistojnë brenda së njëjtës organizatë

19 August 2026 at 08:54

Në shumë kompani ekzistojnë njëkohësisht dy realitete. I pari është ai që prezantohet në mbledhjet e bordit, raportet vjetore dhe strategjitë zyrtare: një organizatë ku objektivat janë të qarta, bashkëpunimi funksionon dhe vendimet zbatohen sipas planit. I dyti është realiteti që përjetojnë çdo ditë punonjësit, ku procedurat shpesh anashkalohen, komunikimi nuk rrjedh siç duhet dhe vendimet strategjike humbasin gjatë zbatimit.

Sa më i madh të bëhet hendeku mes këtyre dy realiteteve, aq më e vështirë bëhet për një kompani të arrijë objektivat e saj.

Drejtuesit mund të besojnë se strategjia po ecën sipas planit, ndërsa ekipet në terren përballen me prioritete kontradiktore, mungesë burimesh ose procese që nuk funksionojnë.

Në këtë situatë, problemet nuk lindin domosdoshmërisht nga një strategji e gabuar, por nga fakti që organizata që mendojnë se drejtojnë nuk është e njëjta me atë që përjetojnë punonjësit.

Ekspertët e menaxhimit theksojnë se liderët duhet të kalojnë më shumë kohë duke kuptuar realitetin e përditshëm të organizatës dhe jo vetëm duke analizuar treguesit financiarë apo raportet e performancës.

Bisedat e rregullta me ekipet, vizitat në terren dhe krijimi i një kulture ku punonjësit mund të flasin hapur për problemet janë mënyrat më efektive për të zbuluar pengesat që nuk shfaqen në raportet zyrtare. Vetëm kur këto dy realitete afrohen, strategjia ka më shumë gjasa të kthehet në rezultate konkrete dhe organizata fiton aftësinë për t’u përshtatur më shpejt me ndryshimet e tregut./HARVARD BUSINESS REVIEW

The post Dy kompanitë që ekzistojnë brenda së njëjtës organizatë appeared first on Revista Monitor.

Kostot e larta, “zhvendosin” dhe lindjet nga Tirana, bien 5.5% në janar-qershor, rriten qarqet

19 August 2026 at 06:05

Numri i lindjeve në vend shënoi një rënie të lehtë në gjysmën e parë të vitit 2026, por të dhënat sipas qarqeve tregojnë se tkurrja është përqendruar në pjesën më të madhe në Tiranë dhe më pak në Durrës, teksa ka rritje në qarqet e tjera periferike. Deri para tre vitesh Tirana kishte bilanc pozitiv te lindjeve për shkak të gravitetit demografik sidomos te të rinjve nga qarqet drejt saj.

Në rang kombëtar u regjistruan 10,229 lindje në 6 mujorin e parë të 2026, me rënie vjetore 1%, ose 108 lindje më pak. Vetëm në qarkun e Tiranës lindjet ranë 5.5% ose duke zbritur nga 5,022 bebe në 6 mujorin e parë 2025 në 4,748 në gjysmën e parë 2026, ose 274 lindje më pak (gati tre herë më shumë se mesatarja kombëtare). Kjo është rënia më e madhe, si në numër absolut, ashtu edhe për nga ndikimi në rezultatin kombëtar.

Në fakt, pa përfshirë Tiranën, lindjet në pjesën tjetër të vendit do të kishin shënuar rritje me 166, ose rreth 3.1%. Pesha e Tiranës në lindjet totale ra nga 48.6% në 46.4% brenda një viti.

E njëjta prirje vihet re në Durrës, ku lindjet u pakësuan 5% për të njëjtën periudhe. Të marra së bashku, Tirana dhe Durrësi regjistruan 327 lindje më pak, ndërsa të gjitha qarqet e tjera, së bashku, patën një shtesë prej 219 lindjesh.

Ecuria e lindjeve është tregues i rritjeve të kostove të jetesës në qendrat më të mëdha urbane. Tirana përqendron pjesën më të madhe të vendeve të punës, investimeve dhe shërbimeve, por njëkohësisht ka përjetuar rritjen më të fortë të çmimeve të apartamenteve, qirave dhe shërbimeve. Për çiftet e reja, sigurimi i banesës, pagesa e kredisë ose e qirasë dhe kostot e kujdesit për fëmijët po marrin një pjesë gjithnjë e më të madhe të të ardhurave.

Çiftet e reje e kanë të pamundur të jetojnë si me qira, ashtu dhe të blejnë shtëpi. Në fillim të muajit korrik çmimi mesatar i apartamenteve me qira (për të gjitha tipologjitë e pronave për banim) në kryeqytet arriti 721 euro në muaj, sipas agjencive imobiliare.

Me këtë nivel të çmimit të qirasë, e llogaritur me pagën mesatare mujore bruto (sipas nivelit të publikuar nga INSTAT për 3-mujorin e parë 2026), një individ, që jeton në kryeqytet duhet të shpenzojë 77% të të ardhurave të tij mujore bruto ose 97% të të ardhurave neto për përballimin e kostos së strehimit.

Qiratë e papërballueshme po “përzënë” familjet e reja nga Tirana

Në Tiranë, planet për blerjen e një banese janë më afër iluzionit sesa realitetit për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Kryeqyteti shqiptar renditet i katërti në Europë për papërballueshmërinë e banesave, sipas raportit çmim – të ardhura.

Doris Andoni, sot konsulente e pavarur e angazhuar me institucione ndërkombëtare, me një karrierë të gjatë në administratën publike në çështjet e strehimit, e sheh situatën gjithmonë e më të vështirë për familjet me të ardhura të ulëta dhe ato të mesme.

“Zhvillimi i sektorit rezidencial është thellësisht i pabalancuar, i paplanifikuar, i përqendruar në qendër dhe brenda Unazës së Dytë, i orientuar ekskluzivisht drejt fitimit të menjëhershëm. Investimet bëhen spontanisht, pa vizion urban, duke gëlltitur hapësirat e gjelbra dhe ato rekreative, jetike për cilësinë e jetës, duke mbingarkuar infrastrukturën, trafikun dhe çdo shërbim publik. Dhe mbi të gjitha, duke krijuar një sistem strehimi plotësisht të papërballueshëm për shtresat e varfra dhe të mesme”, ka pohuar ajo më herët në një intervistë për “Monitor”. “Këto shtresa po dëbohen nga qyteti dhe ky është një nga dëmet më të mëdha që po i bëhet jetës urbane, duke krijuar një përqendrim të vetëm një kategorie të caktuar. Për momentin, kjo mund të mos jetë e dukshme, por do të bëhet e qartë kur të përfundojnë ndërtimet dhe të banohen, ose kur të mos banohen, sepse ka shumë mundësi që një pjesë e madhe të mbeten të pashitura ose të kthehen në Airbnb, me karakter thjesht sezonal”.

Kostot e jetesës, si Shqipëria po bëhet “parajsë” për të huajt… “ferr” për vendasit

Bie Tirana, rriten qarqet

Rënia e lindjeve në Tiranë po tregon se avantazhet ekonomike të kryeqytetit nuk po përkthehen në kushte më të favorshme për krijimin ose zgjerimin e familjes.

Të rinjtë po e shtyjnë lindjen e fëmijëve, të kufizojnë numrin e tyre ose të zhvendosen drejt zonave ku banesa dhe jetesa janë më të përballueshme.

Ndërkohë, në pjesën më të madhe të qarqeve u regjistrua rritje. Fieri kishte shtesën më të lartë, me 69 lindje më shumë ose 9.9%, i ndjekur nga Berati me 11.1%, Dibra me 9.4% dhe Kukësi me 8.7%. Rritje pati edhe në Elbasan, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë, ndërsa Korça mbeti e pandryshuar. Krahas Tiranës dhe Durrësit, rënie shënoi vetëm Gjirokastra, me 19 lindje më pak. Gjirokastra është një rast i veçantë për shkak të strukturës tejet të plakur të popullsisë së saj.

Përqendrimi i rënies në Tiranë është në përputhje me presionin që çmimet e banesave dhe shpenzimet e përditshme po ushtrojnë mbi familjet e reja./ B.Hoxha

 

Burimi:INSTAT

The post Kostot e larta, “zhvendosin” dhe lindjet nga Tirana, bien 5.5% në janar-qershor, rriten qarqet appeared first on Revista Monitor.

Turistët, cilët shtete të Europës udhëtojnë më shumë, (jo ata që vijnë në Shqipëri)

19 August 2026 at 06:02

Në dekadat e fundit, udhëtimet turistike janë bërë një pjesë e rëndësishme e jetës së shumë europianëve. Turizmi u jep njerëzve mundësinë të shkëputen nga mjedisi i tyre i zakonshëm dhe të zbulojnë pjesë të tjera të vendit të tyre, vende të tjera të Europës apo rajone të tjera të botës. Në këtë mënyrë, turizmi ndihmon në afrimin e njerëzve nga kultura të ndryshme dhe nxit respektin reciprok mes komuniteteve të ndryshme, brenda dhe përtej kufijve kombëtarë apo kontinenteve, sipas një raporti të fundit të Eurostat.

Në vitin 2020, shpërthimi i COVID-19 pati një ndikim të paprecedentë në sjelljen e njerëzve ndaj udhëtimeve në të gjithë botën, për shkak të masave kufizuese të vendosura në të gjitha vendet, si dhe të rrezikut shëndetësor dhe pasigurisë që njerëzit ndienin për të udhëtuar. Në vitin 2021, shumë prej këtyre kufizimeve u hoqën, duke i dhënë mundësi sektorit të turizmit të nisë rimëkëmbjen.

Në vitin 2024, rreth 249 milionë europianë të moshës 15 vjeç e lart morën pjesë në aktivitete turistike, duke kryer të paktën një udhëtim për qëllime personale, raporton Eurostat. Kjo përfaqëson një rritje prej 2.3%, ose 5.7 milionë turistë më shumë, krahasuar me vitin 2023. Në krahasim me vitin 2019, numri i turistëve ishte 5.5 milionë më i lartë.

Në 22 vende, pjesëmarrja në turizëm e tejkaloi nivelin e vitit 2023. Rritjet më të larta u regjistruan në Rumani, me 30.5%, Suedi, me 16.6%, dhe Lituani, me 13.5%.

Vendet që regjistruan nivele më të ulëta të pjesëmarrjes në turizëm në vitin 2024 krahasuar me një vit më parë ishin Polonia, Portugalia, Italia, Franca, Danimarka dhe Bullgaria.

Më shumë se 6 në 10 banorë të BE-së bënë udhëtime turistike në vitin 2024

Ky grup prej afro 249 milionë europianësh, që bënë të paktën një udhëtim turistik për qëllime personale në vitin 2024, duke përjashtuar udhëtimet e biznesit, përfaqësonte gati dy të tretat, ose 65%, të popullsisë së BE-së të moshës 15 vjeç e lart.

Rreth 31% e europianëve bënë të paktën një udhëtim turistik brenda vendit, me të paktën një natë qëndrimi, dhe nuk udhëtuan jashtë vendit. Vetëm 10% bënë të paktën një udhëtim jashtë vendit dhe asnjë udhëtim të brendshëm.

Ndërkohë, një e katërta e europianëve bënë si udhëtime brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij.

Nëse merren parasysh vetëm udhëtimet me të paktën katër net qëndrimi, duke përjashtuar kështu turistët që kanë bërë udhëtime deri në tri net, norma e pjesëmarrjes bie në 52%.

 

Në vitin 2024, pjesëmarrja e europianëve në turizëm varionte nga 84% në Holandë në 28% në Rumani

 

Në 9 vende, të paktën 7 në 10 banorë bënë të paktën një udhëtim turistik për qëllime personale gjatë vitit 2024: Holanda (84%), Luksemburgu, Finlanda dhe Suedia (83% secila), Franca (81%), Gjermania (80%), Irlanda (79%), si dhe Austria dhe Çekia (76% secila).

Në skajin tjetër, vetëm 32% e banorëve të Bullgarisë dhe 28% e banorëve të Rumanisë morën pjesë në udhëtime turistike.

Në vitin 2023, përqindja e personave që morën pjesë në turizëm varionte nga 27% në Rumani në 85% në Francë.

Në dy vendet më të mëdha të BE-së për nga popullsia, Gjermani dhe Francë, norma e pjesëmarrjes në turizëm ishte mbi mesataren e BE-së, përkatësisht 80% dhe 81%. Së bashku, këto dy vende përbënin rreth 4 në 10 turistë europianë.

Për turizmin e brendshëm, normat më të larta të pjesëmarrjes u regjistruan në Suedi (77%), Francë dhe Finlandë (76% secila), Çeki (69%), Gjermani (66%) dhe Spanjë (64%).

Për udhëtimet jashtë vendit, kryesonte Luksemburgu me 83%, i ndjekur nga Irlanda me 68%, Holanda me 67%, Austria me 62%, ndërsa Gjermania dhe Belgjika me nga 61%.

Vendet ku pjesa më e madhe e popullsisë udhëtoi vetëm brenda vendit, pa bërë udhëtime jashtë, ishin Franca me 51%, si dhe Polonia dhe Spanja me nga 43%, përfundon raporti i Eurostat.

Grekët dhe Italianët, ndër të fundit në Europë për peshën e popullsisë që udhëton jashtë

Sipas të dhënave të Eurostat dhe të përpunuara nga “Monitor”, për vitin 2024, rreth 35% e popullsisë së BE-së mbi 15 vjeç bëri të paktën një udhëtim jashtë vendit: 24.8% kombinuan udhëtimet e brendshme me ato jashtë, ndërsa 10% udhëtuan vetëm jashtë.

Në numër absolut, Gjermania është dukshëm tregu më i madh europian i udhëtimeve jashtë vendit, 61% të popullsisë që kanë kryer të paktën një udhëtim jashtë, apo me rreth 43.8 milionë persona (47% si brenda dhe jashtë dhe 14% vetëm jashtë). Pas saj vijnë Franca me 30% të popullsisë, ose rreth 15.8 milionë, Spanja 27% të popullsisë, ose 11.4 milionë dhe Holanda me 67% të popullsisë rreth 10.1 milionë. Në Poloni, 22% e popullsisë udhëton të paktën njëherë jashtë vendit, ose rreth 7 milionë persona.

5.3% e italianëve udhëtuan vetëm jashtë vendit dhe 7.9% të tjerë brenda dhe jashtë vendit, me një total prej 13.2% që udhëtuan të paktën një herë jashtë vendit, një ndër peshat më të ulëta në BE, e katërta nga fundit. Megjithatë, për shkak të popullsisë së lartë, në vlerë absolute shifra është rreth 6.8 milionë turistë.

Greqia renditet pas Italisë, me vetëm 8.7% që kanë udhëtuar jashtë (4.1% vetëm jashtë vendit dhe 4.6% si brenda dhe jashtë).

Bullgarët dhe rumunët renditen të fundit në Europë, me përkatësisht 7.9 dhe 2.9%, të popullsisë, që ka udhëtuar si brenda dhe jashtë.

Në përqindje ndaj popullsisë, për udhëtimet jashtë vendit, Europën e kryesojnë vendet e ftohta, që kanë tendencë të udhëtojnë më shumë. Në Norvegji, rreth 70% e popullsisë kishte realizuar të paktën një udhëtim jashtë (55.6% brenda dhe jashtë dhe 13.9% vetëm jashtë), e ndjekur nga Irlanda (67.7%), Holanda (67.3), Austria (61.7%), Gjermania (61%), Belgjika (60.7%), Suedia (55.5%). Këto janë jo vetëm vende të ftohta por dhe me të ardhura më të larta sesa mesatarja e BE-së, që kanë luksin të shpenzojnë më shpesh për të udhëtuar jashtë.

Tregu i turistëve në Shqipëri, 51% vijnë nga rajoni, potenciali i pashfrytëzuar i BE-së

Në Shqipëri, tregu i turistëve vijon të dominohet nga rajoni. Për vitin 2025 u shënuan 6.4 milionë hyrje nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i ZI, ose 51% e totalit (gjithsej u shënuan 12.5 milionë hyrje). Peshën kryesore e mban Kosova, me 37%  të totalit.

Nga tregu i Bashkimit Europian, Shqipëria merr shumë turistë nga tregje që në vetvete udhëtojnë relativisht pak jashtë, si Italia dhe Greqia, ndërsa shfrytëzon ende pak disa prej tregjeve më të mëdha europiane të udhëtimeve ndërkombëtare, si Gjermania, Holanda dhe Franca.

Sipas të dhënave të INSTAT, dominon Italia, me 10.4% të totalit, ose 1.3 milionë hyrje në Shqipëri në 2025-n.

Gjermania, që është tregu më i madh për udhëtimet jashtë në numër (gati 44 milionë persona), zuri vetëm 3.4% të totalit në Shqipëri, me vetëm 452 mijë hyrje të shtetasve gjermanë.

Franca, ndonëse në rritje, solli 2.3% të totalit, me gati 300 mijë hyrje. Tendenca nga shtetet e Bashkimit Europian, (me përjashtim të Italisë, që tërhiqet nga afërsia gjeografike, kultura e ngjashme, njohja e gjuhëve), ka qenë e paqëndrueshme, me rritje në disa vite dhe rënie në të tjera, duke treguar se këto tregje ende nuk janë konsoliduar për Shqipërinë.

Holanda, një tjetër treg i Madh në BE, kishte vetëm 1.1% të hyrjeve në 2025-n, ose rreth 130 mijë shtetas.

Hyrjet nga Norvegjia, një nga tregjet më të mëdha për udhëtimet, ku rreth 70% e popullsisë udhëton jashtë, ose rreth 3 milionë persona ishin vetëm 0.3% e totalit të turistëve që erdhën në Shqipëri, me rreth 35 mijë turistë.

The post Turistët, cilët shtete të Europës udhëtojnë më shumë, (jo ata që vijnë në Shqipëri) appeared first on Revista Monitor.

KE: Prokurimet dhe problemet me pronësinë e tokës po vonojnë investimet në Shqipëri

19 August 2026 at 06:00

Investimet publike të mbështetura nga Bashkimi Europian në Shqipëri po shënojnë përparim, por zbatimi i tyre vijon të pengohet nga procedurat e prokurimit, mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe problemet me sigurimin e tokës.

Këto janë disa nga përfundimet e një misioni monitorues të Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore, i cili shqyrtoi investimet e financuara nëpërmjet Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Që nga viti 2009, në Shqipëri janë investuar më shumë se 600 milionë euro në projekte publike në sektorët e transportit, energjisë, mjedisit dhe teknologjisë digjitale.

Në takimin e zhvilluar këtë vit në në Tiranë morën ku morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Hekurudhës Shqiptare, SASPAC, KESH, AKSHI dhe OST, së bashku me institucionet financiare partnere, si BERZH, KfW dhe Agjencia Franceze për Zhvillim u vërejt se pengesa në prokurime dhe boshllëqe në koordinimin institucional po vazhdojnë të vonojnë zbatimin.

Një ndër projektet e shqyrtuara ishte ngritja e laboratorëve inteligjentë në shkollat shqiptare. Nisma synon krijimin e laboratorëve kompjuterikë për më shumë se 190 mijë nxënës, por përgatitja dhe hapja e tenderit për këtë investim po rezulton një proces kompleks.

Në sektorin e energjisë, diskutimet u përqendruan te parqet fotovoltaike në Vaun e Dejës dhe Belsh, si dhe te segmenti i rrjetit të interkonjeksionit energjetik ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Komisioni Europian evidentoi se sigurimi dhe shpronësimi i tokës po ndikojnë në afatet e zbatimit të projekteve të energjisë dhe transportit, duke vonuar edhe rezultatet konkrete në terren.

Vlerësimi kërkon gjithashtu thjeshtimin e procedurave kombëtare për nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve të huave dhe granteve. Ndryshimet e shpeshta në objektin, përparësitë apo mënyrën e zbatimit të projekteve duhet të shmangen, pasi krijojnë vonesa dhe pasiguri.

Një tjetër problem lidhet me kapacitetet institucionale, veçanërisht për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve hekurudhore. Për këtë sektor kërkohet forcimi i strukturave përgjegjëse dhe përgatitja më e mirë e projekteve përpara kalimit në fazën e financimit.

Misioni i Komisionit Europian u zhvillua nga 25 deri më 29 maj 2026 dhe përfshiu Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Në të tria vendet u evidentua nevoja për koordinim më të fortë, përgatitje më të shpejtë të investimeve dhe procedura më të thjeshta për prokurimin dhe zbatimin e projekteve.

Në Bosnjë-Hercegovinë, BE-ja ka kontribuar që nga viti 2009 me 1.1 miliardë euro për 33 projekte infrastrukturore, ndërsa portofoli i Malit të Zi arrin në 388 milionë euro për 20 projekte publike.

Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor është një nismë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare, donatorëve dypalësh dhe vendeve përfituese, që synon financimin e zhvillimit ekonomik dhe afrimin e rajonit me Bashkimin Europian. / B.Hoxha

The post KE: Prokurimet dhe problemet me pronësinë e tokës po vonojnë investimet në Shqipëri appeared first on Revista Monitor.

Kosovë, tkurret tregtia me pakicë: Qarkullimi ra me 6.19%, bie dhe punësimi, rritet fondi i pagave

18 August 2026 at 15:20

Tregtia me pakicë në Kosovë ka shënuar rënie të ndjeshme të qarkullimit dhe numrit të të punësuarve, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Megjithatë, pavarësisht më pak të punësuarve, fondi i pagave dhe mëditjeve është rritur, duke krijuar një kontrast të dukshëm në sektorin e tregtisë.

 

Tregtia me pakicë në Kosovë ka hyrë në qershorin e vitit 2026 me një performancë më të dobët krahasuar me qershorin e vitit 2025. Të dhënat statistikore tregojnë se indeksi i qarkullimit në tregtinë me pakicë, pa përfshirë tregtinë e automjeteve dhe motoçikletave, ka shënuar rënie prej 6.19 për qind në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak.

Rënia e qarkullimit tregon se aktiviteti ekonomik në një pjesë të rëndësishme të sektorit të shitjes me pakicë ka qenë më i dobët gjatë qershorit 2026. Megjithatë, të dhënat sipas aktiviteteve tregojnë se situata nuk ka qenë e njëjtë në të gjitha kategoritë. Disa segmente kanë shënuar rritje të konsiderueshme, ndërsa në disa të tjera rënia ka qenë mjaft e theksuar.

Sipas të dhënave të ASK, rritjen më të madhe e ka regjistruar tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit në dyqane të specializuara, me 21.42 për qind krahasuar me qershorin e vitit 2025.

Rritje ka pasur edhe tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje, përfshirë shitjet përmes postës dhe internetit, e cila është rritur për 14.91 për qind.

Rritje më të moderuara janë regjistruar edhe në disa kategori të tjera.

Në anën tjetër, disa nga kategoritë kryesore të tregtisë kanë pasur rënie. Rënia më e madhe është regjistruar në tregtinë me pakicë në dyqane jo të specializuara, ku qarkullimi ka rënë për 20.33 për qind krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Rënie prej 3.16 për qind është shënuar edhe në tregtinë me pakicë të pajisjeve të tjera shtëpiake në dyqane të specializuara.

Një tjetër tregues që tregon dobësim të aktivitetit në këtë sektor është numri i të punësuarve.

Në qershor 2026, indeksi i numrit të të punësuarve në tregtinë me pakicë, pa përfshirë tregtinë e automjeteve dhe motoçikletave, ka rënë për 6.79 për qind krahasuar me qershorin e vitit 2025.

Krahas rënies së qarkullimit prej 6.19 për qind, sektori ka pasur edhe një rënie më të madhe të indeksit të punësimit.

Edhe në këtë tregues, zhvillimet ndryshojnë nga një aktivitet në tjetrin.

Rritjen më të madhe të numrit të të punësuarve e ka regjistruar tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit në dyqane të specializuara, me 10.90 për qind.

Rënien më të madhe e ka pasur tregtia me pakicë e karburantit për automjete, ku indeksi i numrit të të punësuarve ka rënë për 24.45 për qind.

Rënie prej 20.19 për qind është regjistruar edhe në tregtinë me pakicë në dyqane jo të specializuara, ndërsa në tregtinë me pakicë të mallrave kulturore dhe të argëtimit në dyqane të specializuara numri i të punësuarve ka rënë për 4.12 për qind.

Në kontrast me dy treguesit e tjerë, fondi i pagave dhe mëditjeve në tregtinë me pakicë është rritur për 3.52 për qind në qershor 2026, krahasuar me qershorin e vitit 2025.

Sipas aktiviteteve ekonomike, rritjen më të madhe të fondit të pagave e ka pasur tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit në dyqane të specializuara, me 31.91 për qind.

Fondi i pagave është rritur edhe në tregtinë me pakicë të pajisjeve të tjera shtëpiake, me 24.24 për qind, ndërsa në tregtinë me pakicë të pajisjeve informatike dhe të komunikimit është rritur për 17.10 për qind.

Në tregtinë me pakicë të mallrave të tjera në dyqane të specializuara, fondi i pagave dhe mëditjeve është rritur për 14.52 për qind.

Rritje dyshifrore është shënuar edhe në tregtinë jo në dyqane, tezga ose tregje, përfshirë shitjet përmes postës dhe internetit, ku fondi i pagave është rritur për 10.19 për qind.

Ndërkaq, fondi i pagave është rritur për 3.54 për qind në tregtinë me pakicë të mallrave kulturore dhe të argëtimit në dyqane të specializuara.

Dy nga kategoritë që dalin më shumë në pah nga të dhënat janë tregtia e karburanteve dhe tregtia në dyqane jo të specializuara.

Në rastin e karburanteve, numri i të punësuarve ka rënë për 24.45 për qind, ndërsa fondi i pagave dhe mëditjeve është ulur për 15.94 për qind.

Ndërsa te dyqanet jo të specializuara, situata është edhe më e theksuar në qarkullim. Ky aktivitet ka pasur rënie prej 20.33 për qind të qarkullimit, rënie prej 20.19 për qind të numrit të të punësuarve, si dhe rënie prej 14.69 për qind të fondit të pagave dhe mëditjeve.

Në anën tjetër, tregtia e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit paraqet një prej rasteve më pozitive. Ajo ka shënuar 21.42 për qind rritje të qarkullimit, 10.90 për qind rritje të numrit të të punësuarve dhe 31.91 për qind rritje të fondit të pagave dhe mëditjeve.

 

The post Kosovë, tkurret tregtia me pakicë: Qarkullimi ra me 6.19%, bie dhe punësimi, rritet fondi i pagave appeared first on Revista Monitor.

Bizneset kërkojnë zgjidhje urgjente: Kosovës i duhet stabilitet institucional dhe ekonomik

18 August 2026 at 15:14

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për zgjatjen e ngërçit institucional dhe klimën e tensionuar politike në vend, duke kërkuar veprim të menjëhershëm dhe të përgjegjshëm nga liderët institucionalë.

LBK thekson se, ndonëse nuk ndërhyn në proceset politike, interesimi i saj lidhet drejtpërdrejt me nevojën që Kosova të ketë institucione funksionale, stabilitet institucional, sundim të ligjit, transparencë dhe një mjedis të parashikueshëm për bizneset dhe investitorët.

Sipas kësaj organizate, zgjatja e krizës institucionale po krijon pasiguri për qytetarët dhe komunitetin e biznesit, ndërsa mund të ndikojë negativisht në investimet e reja, reformat ekonomike dhe qasjen e Kosovës në mekanizma e programe të rëndësishme financiare ndërkombëtare.

“Çdo vonesë institucionale ka kosto ekonomike”, thuhet në reagimin e LBK-së, ku theksohet se kjo situatë ndikon në investime, hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin e prodhimit vendor dhe aftësinë e kompanive për planifikim afatgjatë.

LBK vlerëson se shqetësimi i komunitetit të biznesit është shtuar edhe për shkak të problemeve me të cilat po përballen ndërmarrjet në Kosovë.

Në veçanti, prodhuesit vendorë po përballen me rritjen e kostove, konkurrencën e produkteve të importuara, vështirësitë në treg, kostot e energjisë, mungesën e fuqisë punëtore dhe pasigurinë që vështirëson planifikimin e investimeve.

“Bizneset nuk kanë nevojë për më shumë pasiguri. Ato kanë nevojë për stabilitet, vendimmarrje, reforma dhe politika ekonomike të qarta dhe të parashikueshme”, deklaron LBK.

Në reagim përmenden edhe të dhëna nga një hulumtim i realizuar në maj të vitit 2026, të cilat, sipas LBK-së, tregojnë për shqetësime serioze sociale dhe ekonomike.

Sipas këtyre të dhënave, 44 për qind e të rinjve të moshës 18 deri në 24 vjeç deklarojnë se mendojnë të largohen nga Kosova.

Po ashtu, kostoja e jetesës paraqitet ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve, veçanërisht në raport me çmimet e mallrave të konsumit dhe energjisë elektrike.

LBK vlerëson se këto të dhëna duhet të shërbejnë si sinjal për institucionet që fokusi të rikthehet te problemet konkrete të qytetarëve dhe ekonomisë.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve dhe institucioneve që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës aktuale dhe në funksionalizimin e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Interesi ekonomik i vendit duhet të jetë mbi çdo kalkulim afatshkurtër”, thekson LBK.

Sipas saj, Kosovës i nevojitet një ambient institucional ku bizneset mund të investojnë, prodhuesit të zhvillohen, punëtorët të kenë vende të sigurta pune dhe të rinjtë të shohin perspektivë për të ardhmen në vend.

LBK ka deklaruar se mbetet e gatshme të kontribuojë në mënyrë profesionale dhe konstruktive në çdo proces që synon përmirësimin e klimës së biznesit, forcimin e ekonomisë dhe krijimin e një mjedisi më të qëndrueshëm për sektorin privat.

“Sot më shumë se kurrë, Kosovës i duhet funksionalitet institucional, stabilitet ekonomik dhe një fokus i përbashkët te zhvillimi”.

The post Bizneset kërkojnë zgjidhje urgjente: Kosovës i duhet stabilitet institucional dhe ekonomik appeared first on Revista Monitor.

Tenderi, rreth 10 mln euro për Fazën II të ujësjellësit në Mamurras

18 August 2026 at 15:00

Të paktën rreth 10 milionë euro parashikohet të jetë investimi për Fazën II të ujësjellësit të Mamurrasit, ku Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Lezhë SH.A ka hapur procedurën e prokurimit me një fond limit prej 932.3 milionë lekësh. Tenderi lidhet me vijimin e rrjetit shpërndarës dhe përfundimin e pjesëve të mbetura të sistemit të furnizimit me ujë në qytet dhe zonat përreth.

Procedura mban objektin “Ndërtim rrjeti ujësjellësi qyteti Mamurras, Faza II” dhe vjen pas fazës së parë të projektit, i cili është ndarë në dy etapa për shkak të ndarjes së financimit. Relacioni teknik përcakton se në fazën e dytë parashikohet “përfundimi i rrjetit shpërndarës”, me shtrirjen e linjave në të gjithë zonën e shërbimit, përfshirë periferinë dhe lagjet e reja.

Në të njëjtën fazë është parashikuar edhe përfundimi i sistemit SCADA, që do të përdoret për monitorimin dhe kontrollin në kohë reale të rrjetit të furnizimit dhe rezervuarëve.

Sipas relacionit, projekti mbulon qytetin e Mamurrasit dhe fshatrat Shpërdhet, Gjonëm, Fushë Mamurras, Drojë, Fertash, Golemë dhe Katund i Ri. Zona e projektit shtrihet në rreth 3,198 hektarë, ndërsa sipas të dhënave të Bashkisë Kurbin, rreth 65% e popullsisë jeton në fshat dhe 35% në qytet.

Njësia Administrative Mamurras kishte 24,293 banorë në vitin 2025, nga 24,288 në vitin 2024 dhe 24,129 në vitin 2023, sipas të dhënave të përfshira në dokumentacion.

Zgjidhja teknike e projektit mbështetet në furnizimin nga pus-shpimet në Zhejë. Përmes një stacioni pompimi dhe një tubacioni transmetimi, uji parashikohet të dërgohet në një rezervuar me kapacitet 4,000 metra kub, të vendosur në kuotën rreth 114.8 metra mbi nivelin e detit.

Në Fazën I, dokumentacioni parashikonte rreth 41.3 kilometra tubacione, 1,624 matësa uji, 13 reduktorë presioni, 35 puseta betoni dhe 11 hidrante, së bashku me ngritjen e strukturës fillestare të sistemit SCADA.

Për fazën e dytë, rrjeti është ndarë sipas zonave të presionit dhe kuotave të terrenit. Për zonat nga 0 deri në 35 metra është parashikuar një tubacion PE100-RC me diametër 315 mm, që mbulon Mamurrasin, Fushë Mamurrasin, Fertashin, Golemën, Fushë Gjormin dhe një pjesë të Shpërdhetit. Një linjë tjetër me diametër 200 mm është parashikuar për Drojën dhe një pjesë të Shpërdhetit.

Relacioni teknik specifikon përdorimin e tubacioneve PE 100-RC PN10 dhe PN16, sipas standardeve teknike të referuara në dokumentacionin e projektit.

 

The post Tenderi, rreth 10 mln euro për Fazën II të ujësjellësit në Mamurras appeared first on Revista Monitor.

Shqipëria shpenzon për arsimin 2.9% të PBB-së, e fundit në Europë

18 August 2026 at 13:25

Shqipëria vijon të financojë arsimin në nivele dukshëm më të ulëta se vendet e Bashkimit Europian. Në vitin 2023, shpenzimet publike për arsimin në vend përbënin vetëm 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kundrejt mesatares prej 4.7% në BE, sipas të dhënave të Eurostat.

Diferenca arrin në 1.8 pikë përqindje të PBB-së. Në terma relativë, pesha e shpenzimeve për arsimin në ekonominë shqiptare ishte rreth 38 pike % më e ulët se mesatarja europiane. Për të arritur nivelin mesatar të BE-së, Shqipërisë do t’i duhej ta rriste me rreth 60% financimin e arsimit në raport me madhësinë e ekonomisë.

Po të përfshihej në renditjen e 27 vendeve anëtare, Shqipëria do të kishte nivelin më të ulët të shpenzimeve për arsimin. Sipas Eurostat, në fund të renditjes së BE-së ishte Rumania, me 3% të PBB-së, e ndjekur nga Greqia me 3.3% dhe Malta me 3.4%.

Në anën tjetër, vendet që i kushtuan pjesën më të madhe të ekonomisë financimit të arsimit ishin Suedia, me 6.8% të PBB-së, Finlanda me 6.3% dhe Belgjika me 6.2%. Danimarka shpenzoi 6.1% të PBB-së. Krahasuar me Suedinë, pesha e shpenzimeve shqiptare ishte më pak se gjysma.

Në nivel të Bashkimit Europian, shpenzimet publike për arsimin mbetën të pandryshuara në 4.7% të PBB-së krahasuar me vitin 2022. Megjithatë, ato ishin 0.3 pikë përqindje më të ulëta se në vitin 2020, kur arritën në 5% të PBB-së, niveli më i lartë që nga fillimi i mbledhjes së këtyre të dhënave në vitin 2012.

Edhe në krahasim me Ballkanin Perëndimor, Shqipëria renditet e fundit për peshën e shpenzimeve publike për arsimin. Me 2.9% të PBB-së, vendi ishte rreth 1 pikë përqindje nën mesataren e WB6 prej 3.9%. Vlerat e fundit të përdorura nga OECD janë 4.7% për Kosovën, 4.4% për Bosnjë-Hercegovinën, 4.1% për Malin e Zi, 3.7% për Maqedoninë e Veriut dhe 3.3% për Serbinë.

Statistikat e Eurostat mbulojnë financimin publik për të gjitha nivelet, nga arsimi parashkollor deri tek ai universitar dhe doktoral, por përjashtojnë programet e zhvillimit arsimor në fëmijërinë e hershme. Shpenzimet përfshijnë financimin e drejtpërdrejtë të institucioneve arsimore, si edhe bursat, kreditë dhe transfertat e tjera për nxënësit, studentët dhe familjet e tyre.

 

The post Shqipëria shpenzon për arsimin 2.9% të PBB-së, e fundit në Europë appeared first on Revista Monitor.

An opportunity for Albanian companies: jobs and business networking in the region

18 August 2026 at 13:00

Bosnia and Herzegovina is preparing a new edition of the Gledaj sebi posla Job Fair, one of the country’s most significant platforms for employment and connecting key labour market stakeholders, organized by the Federal Ministry of Labour and Social Policy. The Job Fair will be held on 3 and 4 September 2026 in Sarajevo.

More than 100 employers, institutions and organizations are expected to participate, making the Job Fair a meeting point for companies seeking new employees and people looking for employment, professional development and new opportunities.

The event also has a broader regional dimension, as Bosnia and Herzegovina and Albania are connected by good bilateral relations, as well as strong human, business and economic ties, with a shared interest in further strengthening economic cooperation, trade and regional connectivity.

An important link between the two countries is the Albanian community in Bosnia and Herzegovina, whose members are active across various professions, entrepreneurship and the business sector.

Their presence represents an important connection between the two countries, as well as an opportunity for further professional and business networking.

For Albanian entrepreneurs and companies already operating in Bosnia and Herzegovina, the Job Fair represents an opportunity to connect with potential employees, business partners and institutions. At the same time, the event opens opportunities for those considering professional and business prospects in the Bosnian market.

The issue of labour mobility is becoming increasingly important for Bosnia and Herzegovina.

At the same time as the country faces a growing need for workers, improvements to the legal framework governing the employment of foreign nationals are creating opportunities for the more efficient integration of foreign workers, while maintaining protection of the domestic labour market.

Federal Minister of Labour and Social Policy Adnan Delić

“Today, we cannot look at the labour market within the borders of a single country. Companies are looking for people, knowledge, new partners and new markets, while people are looking for quality jobs and opportunities where they can realize their potential. That is why we want the ‘Gledaj sebi posla’ Job Fair to be more than a place where employers and job seekers meet. We want it to be a space for connecting companies from Bosnia and Herzegovina and the region, exchanging experiences and opening new business opportunities,” Federal Minister of Labour and Social Policy Adnan Delić told Monitor, adding that it is precisely the task of government to enable such mobility through clear legal rules and simpler procedures, while at the same time protecting the domestic labour market.

“An open and interconnected labour market does not mean fewer opportunities for our people. On the contrary, it means more room for our companies to grow, hire, connect with partners and remain competitive in other markets as well,” Delić concluded.

Beyond the traditional job-fair format, the event will feature numerous panels, podcasts, workshops and discussions focusing on the future of work, required skills, demographic trends, labour mobility and employers’ needs, while opening conversations that transcend national borders.

For Albanian readers, companies and professionals interested in Bosnia and Herzegovina, Sarajevo offers an opportunity to discover new possibilities, establish contacts and become part of an increasingly interconnected regional labour market.

Opportunities in today’s labour market do not end at national borders, and this Job Fair is a clear example of that./ By Naida Kurdija, Monitor correspondent in Bosnia and Herzegovina

 

 

 

The post An opportunity for Albanian companies: jobs and business networking in the region appeared first on Revista Monitor.

Një mundësi për kompanitë shqiptare, platformë e re për punësimin, rrjetëzimin e biznesit në rajon

18 August 2026 at 13:00

Bosnjë-Hercegovina po përgatitet për një edicion të ri të Panairit të Punës “Gledaj sebi posla”, një nga platformat më të rëndësishme në vend për punësimin dhe lidhjen e aktorëve kryesorë të tregut të punës, organizuar nga Ministria Federale e Punës dhe Politikës Sociale. Panairi do të zhvillohet më 3 dhe 4 shtator 2026 në Sarajevë.

Pritet pjesëmarrja e më shumë se 100 punëdhënësve, institucioneve dhe organizatave, duke e kthyer panairin në një pikë takimi mes kompanive që kërkojnë punonjës të rinj dhe personave që kërkojnë punë, zhvillim profesional dhe mundësi të reja.

Ngjarja ka edhe një dimension më të gjerë rajonal, pasi Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria lidhen nga marrëdhënie të mira dypalëshe, si dhe nga lidhje të forta njerëzore, biznesi dhe ekonomike, me interes të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, tregtisë dhe ndërlidhjes rajonale.

Një hallkë e rëndësishme mes dy vendeve është komuniteti shqiptar në Bosnjë-Hercegovinë, anëtarët e të cilit janë aktivë në profesione të ndryshme, në sipërmarrje dhe në sektorin e biznesit.

Prania e tyre përbën një lidhje të rëndësishme mes dy vendeve, si dhe një mundësi për zgjerimin e mëtejshëm të rrjetëzimit profesional dhe të biznesit.

Për sipërmarrësit dhe kompanitë shqiptare që operojnë tashmë në Bosnjë-Hercegovinë, panairi përbën një mundësi për t’u lidhur me punonjës potencialë, partnerë biznesi dhe institucione. Në të njëjtën kohë, ai hap mundësi edhe për ata që po shqyrtojnë perspektiva profesionale dhe biznesi në tregun boshnjak.

Çështja e lëvizshmërisë së fuqisë punëtore po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për Bosnjë-Hercegovinën.

Në një kohë kur vendi po përballet me nevojë në rritje për punonjës, përmirësimet në kuadrin ligjor që rregullon punësimin e shtetasve të huaj po krijojnë mundësi për integrimin më efikas të punëtorëve të huaj, duke ruajtur njëkohësisht mbrojtjen e tregut vendas të punës.

“Sot nuk mund ta shohim më tregun e punës vetëm brenda kufijve të një shteti. Kompanitë kërkojnë njerëz, njohuri, partnerë të rinj dhe tregje të reja, ndërsa njerëzit kërkojnë vende pune cilësore dhe mundësi ku mund të realizojnë potencialin e tyre. Pikërisht për këtë arsye duam që Panairi i Punës ‘Gledaj sebi posla’ të jetë më shumë sesa një vend ku takohen punëdhënësit dhe punëkërkuesit. Duam që ai të jetë një hapësirë për lidhjen e kompanive nga Bosnjë-Hercegovina dhe rajoni, për shkëmbimin e përvojave dhe hapjen e mundësive të reja të biznesit,” tha për “Monitor” ministri federal i Punës dhe Politikës Sociale, Adnan Delić, duke shtuar se pikërisht detyra e qeverisë është të mundësojë një lëvizshmëri të tillë përmes rregullave të qarta ligjore dhe procedurave më të thjeshta, duke mbrojtur në të njëjtën kohë tregun vendas të punës.

Ministri federal i Punës dhe Politikës Sociale, Adnan Delić,

“Një treg pune i hapur dhe i ndërlidhur nuk do të thotë më pak mundësi për njerëzit tanë. Përkundrazi, do të thotë më shumë hapësirë për kompanitë tona që të rriten, të punësojnë, të lidhen me partnerë dhe të mbeten konkurruese edhe në tregje të tjera,” përfundoi Delić.

Përtej formatit tradicional të një panairi pune, aktiviteti do të përfshijë një sërë panelesh, podkastesh, seminaresh dhe diskutimesh, me fokus te e ardhmja e punës, aftësitë e kërkuara, tendencat demografike, lëvizshmëria e fuqisë punëtore dhe nevojat e punëdhënësve, duke hapur njëkohësisht diskutime që shkojnë përtej kufijve kombëtarë.

Për lexuesit shqiptarë, kompanitë dhe profesionistët e interesuar për Bosnjë-Hercegovinën, Sarajeva ofron një mundësi për të zbuluar perspektiva të reja, për të krijuar kontakte dhe për t’u bërë pjesë e një tregu rajonal pune gjithnjë e më të ndërlidhur.

Mundësitë në tregun e sotëm të punës nuk përfundojnë në kufijtë kombëtarë dhe ky panair është një shembull i qartë i kësaj./ Nga Naida Kurdija, korrespondente e Monitor në Bosnjë Hercegovinë

The post Një mundësi për kompanitë shqiptare, platformë e re për punësimin, rrjetëzimin e biznesit në rajon appeared first on Revista Monitor.

Ligji i faljes, shuhen 410 mln euro detyrime në Tatime, përfituan 204 mijë biznese

By: Ornela
18 August 2026 at 12:44

Vijon procesi i fshirjes automatike të detyrimeve tatimore për tatimpaguesit përfitues, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 86/2025.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) deri 31 korrik 2026 janë fshirë ose shuar detyrime në vlerën 410 milionë euro për 204,413 tatimpagues, ndërsa procesi vijon për të gjithë përfituesit sipas ligjit.

Administrata tatimore, kujton tatimpaguesit se procesi i faljes mbyllet në 31 dhjetor 2026.

Ligji për fshirjen e detyrimeve tatimore, doganore dhe të pushtetit vendor po zbatohet në disa faza.

Fillimisht, nga data 10 qershor deri më 30 qershor 2026 u zbatua edhe faza e pagesave për përfitimin nga falja me kusht e detyrimeve tatimore, gjobave dhe kamatëvonesave, sipas ligjit nr. 86/2025.

Për periudhën 2015–2019 përfitohet fshirje e 50% të detyrimit principal, si dhe fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse 50% e mbetur paguhej njëherësh nga 10.06.2026 deri më 30.06.2026.

Për periudhën 2015–2019 përfitohet fshirje e 25% të detyrimit principal, si dhe fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave. Afati për të paguar 75% të principalit, me kushtin që të fshihet pjesa e mbetur paguhet nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026.

Për periudhën 2020–2024 përfitohet fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse paguhet 100% e detyrimit principal nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026.

The post Ligji i faljes, shuhen 410 mln euro detyrime në Tatime, përfituan 204 mijë biznese appeared first on Revista Monitor.

Dy javë leje, por sa ditë pushon vërtet? 6 fazat e pushimeve

By: Ornela
18 August 2026 at 12:37

Është verë, të paktën në hemisferën veriore, që do të thotë zyra më të zbrazëta dhe aeroporte më të mbushura. Në teori, pushimet janë koha kur njeriu shkëputet dhe çlodhet siç duhet. Në praktikë, përpara se të mbërrish te ai moment, duhet të kalosh nëpër disa faza. Dhe pastaj, edhe disa të tjera, përpara se të zhytesh sërish plotësisht në punë.

Faza e përgatitjes. Ke nevojë dëshpërimisht për pushime. Në dy ditët e fundit para nisjes, përpiqesh të mbyllësh punët më urgjente, përfshirë edhe rregullimin e tavolinës. U thua njerëzve të ekipit se ke besim të plotë tek ata dhe, në të njëjtën frymë, u thua të të kontaktojnë nëse del diçka, sado e parëndësishme. Rezultati është që ata nuk ndihen aspak të besuar.

Mendon të aktivizosh mesazhin automatik “jashtë zyrës”, por pastaj heq dorë: në fund të fundit, nuk është ndonjë problem i madh ta kontrollosh telefonin herë pas here. Teksa del nga zyra, të duket sikur po të zë një ftohje.

Faza “duhet të çlodhem me çdo kusht”. Ditët e para të pushimeve i trajton pothuajse si punë. Kalon shumë kohë duke pyetur modelet e inteligjencës artificiale për vende të pazbuluara, larg turmave. Në një mëngjes tipik, udhëton dy orë me makinë për të ngrënë mëngjes në një vend të rekomanduar nga ChatGPT, vetëm për të zbuluar se është mbyllur. Pastaj viziton një muze kushtuar artit të lashtë të konservimit të peshkut.

Në drekë pi verë dhe të zë gjumi. Kur zgjohesh, e mendon atë kohë të kaluar në gjumë si kohë që mund ta kishe përdorur për t’u çlodhur. Je jashtëzakonisht i vetëdijshëm se koha po kalon dhe ditët e lirisë po pakësohen. Merr një libër në dorë, por në vend që ta lexosh, shqetësohesh se mos ka mënyra edhe më çlodhëse për ta kaluar kohën e lirë. Për dikë që është me pushime, je çuditërisht i tensionuar.

Faza e shkëputjes. Ndërkohë, kontrollon emailin herë pas here dhe fut hundët në çështje ku nuk ka fare nevojë të ndërhysh. Të vijnë disa mesazhe në WhatsApp dhe dikush të kërkon të hysh në një telefonatë pune. Ndihesh njëkohësisht i bezdisur dhe i kënaqur.

“Nuk e bëni dot pa mua?” mendon. Pastaj, pothuajse menjëherë: “Nuk e bëni dot pa mua!”

Teksa fillon t’i ndash mesazhet mes atyre që duhen trajtuar menjëherë dhe atyre që mund të presin, kupton dalëngadalë se sa shumë nga gjërat që ndodhin çdo javë: a) nuk kanë fare nevojë për ty dhe b) nuk kanë ndonjë rëndësi afatgjatë.

Fillon të injorosh shumicën e mesazheve. Nëse është vërtet e rëndësishme, do të gjejnë një mënyrë të të kontaktojnë. Më në fund, aktivizon edhe mesazhin “jashtë zyrës”.

Faza e iluzioneve. Më në fund fillon të çlodhesh. Fle pak më gjatë në mëngjes. Nuk e sheh më telefonin aq shpesh. Kujton se pikërisht në atë moment, në zyrë po zhvillohet mbledhja javore e shitjeve dhe qesh me zë me sa e vogël të duket tani jeta jote e mëparshme.

 

Shumë shpejt, fillon të humbasësh pak lidhjen me realitetin. Mendon të transferohesh përfundimisht në vendin ku po kalon pushimet, duke harruar se po e shijon aq shumë pikërisht sepse moti është i bukur dhe ti nuk po punon.

Fillon të llogarisësh se sa shpejt mund të dalësh në pension. Fantazon për një punë në natyrë, ndoshta me kajak në det ose duke bërë diçka artizanale me mure guri.

Faza e motivimit. Fundi i pushimeve po afrohet me shpejtësi. Kupton se kajaku në det të shkakton flluska në duar dhe se gjërat që di të bësh më mirë nuk kanë shumë lidhje me muret prej guri.

Fillon t’u hedhësh sërish një sy emaileve, por vetëm atyre që kanë rëndësi. Madje fillon të ndiesh dëshirë për t’u kthyer në punë.

Tani e ke parë qartë se sa shumë kohë humbet me gjëra të parëndësishme dhe vendos që, sapo të kthehesh, do të jesh shumë më i rreptë me prioritetet. Ke edhe disa ide vërtet të mira për ta përmirësuar mbledhjen javore të shitjeve.

Faza e rikthimit te zakonet e vjetra. Kthehesh në zyrë plot energji. Dukesh dhe ndihesh më mirë se kolegët e tu. Pastaj zhvillon të njëjtën bisedë rreth 800 herë.

“Si kalove me pushime?”

“Shumë bukur.”

“Ku shkove?”

“Çfarë bëre atje?”

Shumë shpejt kupton se askush nuk është vërtet i interesuar se ku shkove, ndaj fillon të shpikësh përgjigje.

“Ku shkove?”

“Në Wakanda.”

“Çfarë bëre?”

“Vizituam minierat e vibraniumit.”

“Ah, gjithmonë kam dashur ta bëj këtë.”

Është bukur t’i shohësh sërish njerëzit. Është mirë të kesh një qëllim. Por shumë shpejt kthehesh te zakonet e vjetra.

Një kalendar bosh nuk të duket më si dëshmi se po vendos me zgjuarsi prioritetet, por si një ekspozim publik i faktit se ndoshta nuk je aq i domosdoshëm. Kështu që oraret fillojnë të mbushen përsëri.

Kur vijnë emailet, u përgjigjesh pa bërë dallim. Tavolina fillon të mbushet sërish me rrëmujë. Merr pjesë në mbledhjen javore të shitjeve dhe të kujtohet vagullt se dikur kishe pasur një ide për ta përmirësuar.

 

Pastaj kthehen edhe kolegët nga pushimet e tyre dhe i pyet si kaluan. Nuk po i dëgjon përgjigjet. Duken aq mirë, aq plot energji.

Dhe papritur të duket sikur po të zë sërish një ftohje.

Ke nevojë dëshpërimisht për pushime./ The Economist

The post Dy javë leje, por sa ditë pushon vërtet? 6 fazat e pushimeve appeared first on Revista Monitor.

❌