Normal view

Shkrirje nga reforma territoriale, banorët e Poliçanit protestë! Djegin teserat e PS

30 July 2026 at 21:00

Qytetarë të Poliçanit kanë protestuar këtë të enjte kundër kundër projektit për shkrirjen e bashkisë së tyre në kuadër të Reformës Territoriale 2.0. Banorët këmbëngulin se Poliçani duhet të vijojë të funksionojë si bashki më vete dhe kundërshtojnë përfshirjen e tij në Bashkinë e Beratit.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erjon Zylyftari, deklaroi para qytetarëve se vendimi për prekjen e bashkisë përbën “një padrejtësi dhe një turp të madh” dhe dha dorëheqje publike nga ky funksion.

Në shenjë proteste dhe pakënaqësie, disa qytetarë dogjën në shesh teserat e anëtarësisë së Partisë Socialiste, ndërsa në pankarta shkruheshin fjalët: “Fëmijët na i larguat, tani doni të na fshini nga harta”.

Kundër këtij propozimi ka shprehur rezerva edhe kryebashkiaku i Poliçanit, i cili është shprehur se shkrirja e bashkive të vogla do të sjellë shpopullimin e qyteteve.

Në përfundim të tubimit, banorët firmosën një peticion, përmes të cilit kërkojnë që Bashkia e Poliçanit të mos përfshihet në ndryshimet e propozuara nga Reforma Territoriale.

Sipas draftit për Reformën Territoriale 2.0, të dorëzuar në Kuvend nga Partia Socialiste, Bashkia e Poliçanit parashikohet të shkrihet dhe t’i bashkohet Bashkisë së Beratit. Ky ndryshim është pjesë e planit për uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.

 

 

 

 

Nuk e lëshojmë timonin”, Rama: Misioni ynë mbaron me vendosjen e…

By: e xh
30 July 2026 at 18:49

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Partia Socialiste nuk do të largohet nga qeverisja për shkak të protestave, duke theksuar se mandati i saj buron nga vota e qytetarëve dhe shumica parlamentare.

Duke iu përgjigjur pyetjes se përse kërkon të vazhdojë të qeverisë edhe pas 13 vitesh në pushtet, Rama tha se në demokraci askush nuk e trashëgon apo e dorëzon pushtetin sipas dëshirës, por vetëm sipas vullnetit të popullit

Një parti politike as e trashëgon timonin e pushtetit, as ka të drejtë ta lëshojë rrugës, sepse disa të tjerë duan ta ngasin vetë makinën e pushtetit. PS ushtron pushtetin për aq kohë sa populli ia ka dhënë dhe për aq kohë sa ka votat në Kuvend”, u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se as ai vetë nuk ka të drejtë të vendosë se kush duhet të jetë në qeveri apo në opozitë, pasi këtë e përcaktojnë vetëm qytetarët me votë.

Rama komentoi edhe thirrjet për dorëheqjen e tij, duke thënë se nuk mund të largohet nga detyra vetëm sepse “një pakicë thërret në kor.

‘Rama jepe dorëheqjen’, ajo këngë mua më pëlqen dhe më energjizon. Por të largohesh nga detyra pse një pakicë thërret në kor, është vetëm braktisje e një përgjegjësie të madhe”, deklaroi ai.

Në përfundim, kreu i qeverisë tha se misioni i Partisë Socialiste do të vazhdojë deri në realizimin e objektivit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Misioni ynë do të vazhdojë deri në vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Europës së bashkuar”, u shpreh Rama.

Reforma territoriale/ Drafti i PS, shkrihen 15 bashki

By: e xh
30 July 2026 at 15:34

Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend draftin për reformën e re administrativo-territoriale, duke e paraqitur atë vetëm me firmat e deputetëve socialistë anëtarë të komisionit të posaçëm, pasi nuk u arrit konsensus me Partinë Demokratike.

Sipas projektligjit, propozohet reduktimi i numrit të bashkive nga 61 në 46. Drafti parashikon gjithashtu një strukturë të re me 71 qytete dhe 387 njësi administrative. Në dokument bëhet një ndarje mes bashkive dhe qyteteve, duke i trajtuar ato si kategori të veçanta.

Ndryshimet nuk prekin ndarjen në qarqe, duke shmangur kështu nevojën për ndërhyrje në Kushtetutë. Reforma parashikon krijimin e 13 bashkive të reja përmes bashkimit të bashkive ekzistuese. Në veri, Puka do të bashkohet me Fushë-Arrëzin, ndërsa Klosi me Matin.

Në Shqipërinë e Mesme, Rrogozhina do të bashkohet me Kavajën, ndërsa Rinasi do t’i kalojë Tiranës. Në Jug, Dimali dhe Poliçani do t’i bashkohen Bashkisë Berat. Patosi do të shkrihet me Fierin, Divjaka me Lushnjën, Selenica me Vlorën, Këlcyra me Përmetin, Maliqi me Korçën, Memaliaj me Tepelenën, Libohova me Gjirokastrën, ndërsa Cërriku dhe Belshi do të bashkohen me Elbasanin. Gjithashtu, Përrenjasi do të bashkohet me Librazhdin.

Drafti i depozituar do t’u dërgohet bashkive dhe këshillave bashkiakë, të cilët kanë një afat prej 60 ditësh për të dhënë opinionet e tyre. Pas përfundimit të këtij procesi konsultimi, projektligji pritet të shqyrtohet në komisionet parlamentare dhe më pas të votohet në Kuvend gjatë sesionit të ri parlamentar, në muajin tetor.

Aktualisht, reforma mbështetet vetëm nga Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate. Partia Demokratike ka kundërshtuar uljen e numrit të bashkive, duke propozuar ruajtjen ose shtimin e tyre.

Arrestimi i Beqirajt, Braho: Kishim informacion prej javësh

By: e xh
30 July 2026 at 12:58

Drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, deklaroi se autoritetet shqiptare kishin informacion për vendndodhjen e Ermal Beqirit dhe se arrestimi i tij në Francë nuk ishte rastësi.

“Prokuroria në çdo rast merr vendimin e gjykatës, ia çon organit që ka për detyrë ekzekutimin. Nuk ka qenë veprim i rastësishëm. Grupi hetimor prej disa javësh ka qenë në kontakt me autoritetet franceze. Ka pasur informacion. Ai ka qenë i lokalizuar prej disa javësh. Nuk ka qenë qëllimi vetëm tek arrestimi, por edhe tek veprime të tjera hetimore. Në ditët në vijim do të keni informacion zyrtar. Kaq mund të ndaj sot”, tha Braho në një bashkëbisedim me gazetarët, përcjell A2 CNN.

Braho shtoi se SPAK do të kërkojë sekuestrimin e avionëve të Beqirajt. “Do keni një njoftim. Ne kemi kërkuar të sekuestrohen jo vetëm ato, por edhe pasuri të tjera”, u shpreh ai.

Drejtësia shqiptare ka nisur zyrtarisht procedurat për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiraj, i arrestuar të shtunën në Francë. 44-vjeçari raportohet se është vendosur në paraburgim. Madje, të mërkurën ai ka dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku i është komunikuar zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.

Brenda 40 ditëve, praktika e arrestit duhet t’u përcillet autoriteteve franceze. Nëse jepet pëlqimi, kthimi në atdhe do të realizohet brenda pak ditësh; në të kundërt, procedurat do të jenë më të gjata, shkruan A2 CNN.

Beqiraj u ndal pasi fluturoi në lartësi të ulët me një avion të lehtë mbi centralin bërthamor të Penly. Pas sinjalizimit, Forcat Ajrore e shoqëruan deri në aeroportin e Albert, ku u ndalua nga policia për t’u marrë në pyetje.

Në dëshminë e tij, ai deklaroi se nuk kishte kryer veprime të qëllimshme dhe se, në atë moment, ishte duke folur në telefon me nënën e tij. Pas vendosjes së një gjobe prej 7 mijë eurosh, biznesmeni u la i lirë, por u mbajt nën vëzhgim policor. Pas konstatimit se Shqipëria e kishte shpallur në kërkim, efektivët e ndaluan sërish në banesë, duke njoftuar edhe autoritetet në Tiranë.

Beqiraj u shpall në kërkim nga SPAK më 21 dhjetor 2025, gjatë hetimeve për tenderët e AKSHI-t. Dyshimet lidhen me veprimtarinë e kompanisë që ai zotëron, “Soft & Solution”.

Drejtuesi i SPAK: Në gjashtë muajit e fundit kemi hetuar 16 zyrtarë të lartë

By: e xh
30 July 2026 at 12:23

Kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho, ka zhvilluar një takim informues me gazetarët, ku ka folur për numrin e procedimeve aktive të institucionit.

Braho bëri të ditur se viti 2026 ka nisur me një numër të lartë çështjesh në hetim, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë rezultat i hetimeve të nisura nga vetë prokurorët e SPAK, siç raporton Anila Hoxha.

“Ajo që doja të ndaja është volumi. Viti 2026 ka nisur me 616 procedime aktive. Nuk dua të bëj krahasim se si ka punuar prokuroria më parë dhe si punon tani”, u shpreh ai.

Sipas Brahos, më shumë se gjysma e procedimeve aktive nuk kanë nisur nga kallëzime apo referime të ardhura nga jashtë institucionit, por nga hetime proaktive të ndërmarra nga SPAK.

“Më shumë se gjysma nuk kanë ardhur nga kallëzimet apo referimet e jashtme, por nga hetimet tona proaktive. Për gjashtë muajt e fundit kemi hetuar 16 zyrtarë të lartë”, tha kryeprokurori.

Pjesë nga deklarata:

  1. ECURIA E ÇËSHTJEVE TË PRAPAMBETURA TË VITEVE 2019–2021

3.1. Krahasimi i së njëjtës periudhë të viteve 2025 dhe 2026 tregon një përshpejtim të ndjeshëm të trajtimit të çështjeve të prapambetura të regjistruara gjatë viteve 2019–2021. Gjatë periudhës 1 janar–15 korrik 2025, nga 145 çështje aktive u përfunduan 12, me një normë të përgjithshme zgjidhshmërie prej 8,27%. Në të njëjtën periudhë të vitit 2026, nga 108 çështje aktive u përfunduan 63 procedime penale, me një normë zgjidhshmërie prej 58,3%.

3.2. Në terma absolute, gjatë vitit 2026 janë përfunduar 51 çështje më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2025, ose mbi pesë herë më shumë. Norma e përgjithshme e zgjidhshmërisë është rritur me rreth 50 pikë përqindje, nga 8,27% në 58,3%, pavarësisht se krahasimi përfshin të njëjtën kohë raportimi.

3.3. Përmirësimi më i madh konstatohet te çështjet e vitit 2019. Deri më 15 korrik 2025 ishin përfunduar vetëm 2 nga 35 çështje, me normë zgjidhshmërie 5,71%, ndërsa deri më 15 korrik 2026 janë përfunduar 24 nga 26 çështje, ose 92,3% e stokut të fillim vitit. Në proces kanë mbetur vetëm 2 çështje të këtij viti.

3.4. Edhe për çështjet e vitit 2020 rezultati është dukshëm më i lartë. Norma e zgjidhshmërisë është rritur nga 10,2% në vitin 2025 në 78,9% në vitin 2026. Nga 38 çështje aktive në fillim të vitit 2026 janë përfunduar 30 dhe kanë mbetur në proces vetëm 8 çështje.

3.5. Për çështjet e vitit 2021 është shënuar gjithashtu progres, por me ritëm më të kufizuar. Norma e zgjidhshmërisë është rritur nga 8,19% në 20,5%, ndërsa janë përfunduar 9 nga 44 çështje aktive. Megjithatë, 35 çështjet e vitit 2021 që mbeten në proces përfaqësojnë 77,8% të të gjithë stokut të mbetur të viteve 2019–2021.

3.6. Në përfundim, të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2026 puna është përqendruar me rezultat të dukshëm në reduktimin e stokut më të vjetër, veçanërisht të çështjeve të viteve 2019 dhe 2020. Sfida kryesore për pjesën e mbetur të vitit është përshpejtimi i trajtimit të çështjeve të vitit 2021.

  1. PROCEDIMET ME ZYRTARË TË NIVELIT TË LARTË

4.1. Gjatë periudhës 1 janar–15 korrik 2026, SPAK ka hetuar 13 procedime penale që përfshijnë 16 zyrtarë/ish-zyrtarë të nivelit të lartë dhe drejtues institucionesh.

4.2. Pjesën më të madhe të personave të përfshirë e përbëjnë kryetarët ose ish-kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e institucioneve qendrore. Këto dy kategori përfaqësojnë së bashku 10 nga 16 personat, ose 62.5% të totalit.

Ministri i Jashtëm serb: Do të hapim zyra konsullore në Shkodër dhe Bujanoc

By: e xh
30 July 2026 at 12:21

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, ka bërë të ditur se Serbia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.

Duke folur për Radio Beogradin, Gjuriç u shpreh se ka zhvilluar bisedime me ministrin e ri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, duke i cilësuar ato si shumë konstruktive, shkruajnë mediat.

“Jam i kënaqur që pata bisedime kaq të mira me ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje në parim për të hapur zyra konsullore në Shkodër dhe Bujanoc”, deklaroi Gjuriç për Radio Beogradin.

Avokati britanik i Veliajt: Kemi nisur përgatitjet për ankimimin në Strasburg

By: e xh
30 July 2026 at 12:08

Avokati Ben Brandon, i cili ushtron profesionin në Londër, qartësoi sot publikisht se së bashku me kolegun e tij, po ashtu britanik, përfaqëson kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Ai tha se janë përfaqësuesit ligjorë ndërkombëtarë të Veliajt dhe se e kuptojnë që kjo është një çështje me rëndësi të madhe për Shqipërinë. Sipas tij, ata ndodhen në vend për të asistuar Veliajn në aplikimin e tij drejtuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

“Ne jemi përfaqësuesit ligjorë ndërkombëtarë të zotit Veliaj. E kuptojmë që kjo është një çështje me rëndësi të madhe për vendin tuaj. Jemi këtu për ta asistuar zotin Veliaj në aplikimin e tij në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg”,- tha avokati britanik.

Brandon u shpreh se dy ditët e fundit i kanë kaluar në ambientet e paraburgimit në Durrës duke punuar për përgatitjen e aplikimit dhe se do të rikthehen në fillim të shtatorit.

Ai theksoi se që nga ndalimi i Veliajt, së bashku me përfaqësuesit ligjorë në Shqipëri dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kërkuar vazhdimisht ta takojnë klientin e tyre, por të gjitha kërkesat janë refuzuar në mënyrë të përsëritur.

Sipas tij, vetëm pas një ndryshimi në vendimmarrjen e gjyqtarëve në Tiranë, atyre iu dha mundësia ta takonin Veliajn pas 14 muajsh kërkesash të refuzuara.

“Për më shumë se 14 muaj na është mohuar e drejta për të takuar klientin tonë. Kjo është e papranueshme. Nuk bëhet fjalë për dëshirën tonë për ta takuar, por për të drejtën e zotit Veliaj që të përfaqësohet nga avokatët e zgjedhur prej tij”,- tha avakati Brandon.

Brandon e cilësoi të papranueshëm mohimin e aksesit të përfaqësuesve ligjorë të zgjedhur nga Veliaj për më shumë se 14 muaj. Ai tha se arsyet e dhëna për moslejimin e kontaktit me mbrojtësit e zgjedhur mbeten të paqarta dhe konfuze.

Ai shtoi se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg e ka bërë të qartë se, kur bëhet fjalë për heqjen e lirisë së një personi, autoritetet shqiptare duhet ta trajtojnë çështjen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Sipas avokatit, përveç ndikimit që ndalimi ka te vetë Veliaj dhe familja e tij, ai prek edhe qytetarët e Tiranës që e kanë zgjedhur për të qeverisur në nivel vendor.

“Ne mendojmë se ndalimi i tij është i panevojshëm dhe joproporcional. Ai ndikon jo vetëm te zoti Veliaj dhe familja e tij, por edhe te qytetarët e Tiranës që e kanë zgjedhur. Masa duhet të marrë fund menjëherë”,- tha avokati Brandon.

Marrëveshja me SHBA në Kushtetuese, Nufi: Siguria kombëtare, të mos ketë kah politik

By: e xh
30 July 2026 at 12:05

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi të papranueshëm vendimin e Partisë Demokratike për të dërguar në Kushtetuese marrëveshjen e Shqipërisë me SHBA për blerjen e pajisjeve ushtarake.

Nufi tha se nuk duhet të ketë kah politik kur flitet për çështje të sigurisë kombëtare: “Qëndrimet e PD janë të papranueshme në raport me këtë marrëveshje. Siguria kombëtare nuk është çështje debati politik. Ky nuk është sinjal i mirë, të atakohet një marrëveshje që financon mbrojtjen është e papranueshme. Nuk duhet të këtë krah politik, mesazhi që çojmë është shumë i gabuar. Raporti jonë me SHBA, tregon se Shqipëria është aleat i besueshëm”.

Ministri shtoi “nuk është në shkelje të Kushtetutës mënyra si është diskutuar”.

“Anëtarët e Komisionit të Ekonomisë dhe Sigurisë kanë pasur mundësi ta lexojnë në Kuvend. I është dhënë koha e mjaftueshme pas miratimit të procedurës së përshpejtuar që të shqyrtohej, të lexohej dhe ajo marrëveshje që është lexuar atë ditë, do ishte e njëjta edhe po të kishte kaluar ai afati që pretendon PD. Marrëveshja monitorohet rreptësisht nga SHBA”, tha Nufi.

❌