Normal view

Postribë/ Zjarr në një shtëpi, humbin jetën nëna me dy fëmijët e mitur

By: e xh
29 July 2026 at 16:24

Një ngjarje tragjike është regjistruar në fshatin Domen të Postribës në Shkodër, ku një nënë dhe dy fëmijët e saj të mitur kanë humbur jetën pasi banesa e tyre u përfshi nga zjarri.

Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:10, në fshatin Domen, Shkodër. “Shërbimet e Policisë dhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje. Nga veprimet e para dyshohet se, si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasja B. Ç., 24 vjeçe, dhe dy fëmijë të mitur, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë”, tha policia.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

PD çon në “Kushtetuese” marrëveshjen me SHBA: U miratua në shkelje të Kushtetutës

By: e xh
29 July 2026 at 11:47

Partia Demokratike ka çuar në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjen konfidenciale me SHBA për kredinë 302 mln dollarë për blerjen e pajisjeve ushtarake.

“Nëse mazhoranca do këmbëngulte grupi i PD do t’ia nënshtronte atë kontrollit të kushtetueses. Ky paralajmërimin nuk ishte për të bërë politikë. Ajo ishte përpjekja e fundit për të ndalur shumicën që mos të përfshinte edhe marrëdhëniet më të rëndësishme strategjike me SHBA, në një procedurë antikushtetuese. Kërkuam respektimin e afateve kushtetuese, të drejtën e deputetëve për tu njohur me atë që do të votonin.

Opozita e ka bërë të qartë se e mbështet në parim këtë marrëveshje se i shërben interesit strategjik të Shqipërisë për të modernizuar FA dhe për të përmbushur detyrimet që burojnë nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Duhet të ishte model i respektimit të kushtetutës, transparencës dhe debatit parlamentar”, tha Bardhi.

Shtatë shkeljet që rendit Partia Demokratike

Shkelja e parë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për t’u njohur me marrëveshjen përpara votimit. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit detyrojnë Kryetarin e Kuvendit që, menjëherë pas depozitimit të projektligjit, t’u shpërndajë deputetëve projektligjin, tekstin e marrëveshjes dhe relacionin shoqërues. Kjo procedurë garanton që deputetët të kenë kohën e nevojshme për ta shqyrtuar marrëveshjen, për t’u konsultuar, për të paraqitur amendamente dhe për të vendosur me përgjegjësi se si do të votojnë.

Shkelja e dytë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për të kontrolluar mënyrën e përdorimit të fondeve publike. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit detyrojnë që projektligjet me efekte financiare të shoqërohen me raportin që përligj shpenzimet financiare. Ky raport u mundëson deputetëve të vlerësojnë ndikimin e projektligjit në Buxhetin e Shtetit dhe të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues të kontrollit mbi administrimin e financave publike. Në këtë rast, raporti që përligjte shpenzimet financiare nuk iu vu në dispozicion deputetëve.

Shkelja e tretë: Deputetëve iu mohua e drejta për të ushtruar lirisht funksionin e tyre parlamentar, përmes debatit parlamentar, paraqitjes së amendamenteve dhe votimit të informuar. Pikërisht për të garantuar ushtrimin efektiv të këtyre të drejtave, Rregullorja e Kuvendit parashikon që rendi i ditës të bëhet publik jo më vonë se dy ditë përpara seancës plenare. Në rastin e kësaj marrëveshjeje, kjo nuk ndodhi. Kryetari i Kuvendit njoftoi ndryshimin e rendit të ditës të hënën dhe, po atë ditë, maxhoranca shqyrtoi dhe miratoi marrëveshjen, duke zhvlerësuar afatin ligjor prej 48 orësh të njoftimit të rendit të ditës së seancës, i cili është përcaktuar si mekanizëm që garanton këto të drejta të deputetëve. Edhe Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar se mosrespektimi i afatit dyditor për rendin e ditës cenon parimin e demokracisë përfaqësuese.

Shkelja e katërt: Kjo lidhet me një afat tjetër shumë të rëndësishëm, i përcaktuar shprehimisht në Kushtetutë dhe i interpretuar qartë nga Gjykata Kushtetuese, kur ajo rrëzoi mënyrën sesi Kuvendi miratoi Rregulloren e funksionimit të tij. Një rast identik me mënyrën sesi u miratua marrëveshja me SHBA të hënën. Edhe praktika e ndjekur për këtë marrëveshje, njësoj si praktika e shpallur antikushtetuese për Rregulloren e Kuvendit, u zhvillua me procedurë të përshpejtuar brenda 24 orëve. Në vendimin që duhet të ishte detyrues për Parlamentin, Gjykata Kushtetuese arsyetoi në muajin shkurt se mosrespektimi i afatit minimal njëjavor cenon sërish parimin e demokracisë përfaqësuese, duke u mohuar deputetëve të drejtat e tyre kushtetuese.

Shkelja e pestë: Marrëveshja u trajtua sikur Shqipëria të ndodhej në një situatë të jashtëzakonshme, me nevojë dhe urgjencë për hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit. Në fakt, nuk ekzistonte asnjë nga këto kushte. Vetë qeveria e rrëzon pretendimin për urgjencë. Marrëveshja u miratua prej saj në parim më 19 qershor dhe u nënshkrua më 22 qershor. Këshilli i Ministrave kishte më shumë se një muaj kohë për ta paraqitur projektligjin sipas procedurës së zakonshme parlamentare, por zgjodhi ta mbante një muaj në sirtar dhe, për arsye që i di vetëm Edi Rama, ta sillte në Parlament vetëm në ditën e fundit të punimeve të tij. Në këto kushte, nuk mund të flitet për një urgjencë objektive, por për një urgjencë artificiale, të krijuar nga vetë qeveria. Po ashtu, Shqipëria nuk ndodhej në një situatë që të justifikonte nevojën urgjente për t’u pajisur me pajisje ushtarake, pasi nuk përballej me ndonjë agresion të armatosur apo kërcënim të jashtëm.

Shkelja e gjashtë: 1/5 e Deputetët kanë të drejtë që të venë në lëvizje Gjykatën Kushtetutese për të kontrolluar një marrëveshje përpara ratifikimit të saj. Duke e sjell dhe miratuar marrëveshjen brenda një dite, procedura parlamentare praktikisht e ka zhveshur pakicën parlamentare nga ushtrimi i përgjegjësisë së saj për të ushtruar kontrollin e kushtetutshmërisë së marrëveshjes në kohë, për të vënë në lëvizje Gjykatës Kushtetuese nëse cmonte vetëm përpara ratifikimit, si dhe praktikisht ka zhveshur vetë Gjykatën Kushtetuese nga kompetenca për të vlerësuar kushtetutshmërinë e marrëveshjes.

Shkelja e shtatë: Qeveria ka pamundësuar hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Huasë me SHBA-të. Duke e shpallur marrëveshjen sekrete, ajo ka pamundësuar botimin e saj në Fletoren Zyrtare. Por Kushtetuta përcakton qartë se një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj bëhet pjesë e sistemit të brendshëm juridik vetëm pasi botohet në Fletoren Zyrtare. Në këto kushte, mënyra se si është trajtuar kjo marrëveshje krijon një papajtueshmëri të drejtpërdrejtë me Kushtetutën, pasi një marrëveshje që nuk botohet nuk mund të hyjë në fuqi dhe as të bëhet pjesë e sistemit juridik të Republikës së Shqipërisë.

Seanca në Gjykatën e Posaçme, Kryemadhi radhit kundërshtitë mbi aktakuzën e SPAK

By: e xh
29 July 2026 at 11:28

Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca e radhës e procesit gjyqësor ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të akuzuar për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje të pasurisë”.

Ish-deputetja Kryemadhi lexoi kundërshtitë e saj mbi aktakuzën e SPAK.

“Akuza e bazuar në interpretime dhe deduksioneve të mesazheve. Edhe pse SPAK pretendon se seksioni i fibrës optike është parashkruar, e ka vënë në akt-akuzë për të na rënduar pozitat. Akuza paraqet një sms “u firmos nga gjithë ministrat”. Shatku më thotë “shkëlqyer”. Sipas akuzës, kjo quhet vepër penale. Kjo VKM nuk u miratua nga Ministria e Inovacionit. Një sms i 11 prillit për qëndrimin e Milena Haritos, SPAK citon një komunikim të Adrian Shatkut. Në përmbajtje të tij tregohet mendimi i Adrian Shatkut mbi këtë qëndrim. SPAK ka shkëputur një pjesë të komunikimit që i shërben atyre, edhe pse kronologjia e sms është krejt ndryshe”, tha Kryemadhi.

“Në listën time të kontakteve kam disa persona me emrin Engjëll. Nëse sot më merrni email-et e mia, ku kam folur për inceneratorët, çfarë do të thotë kjo? Që kam kryer korrupsion për dherat apo për djegësit?”, shtoi Kryemadhi.

Kryemadhi: Janë 70 faqe vetëm fibrën optike. Provat shkresore nuk vërtetojnë ndërhyrje. Organi i akuzës më numëron qimet e shtëpisë dhe mi nxjerr në media.

Gjyqtari: Këtu nuk flitet për gjithçka bëni ju, vetëm për objekt i gjykimit. Jo çdo lloj komunikimi që keni pasur ju në jetën tuaj.

Kryemadhi: i bie të rrimë 45 vjet ne këtu. U them vetëm për fibrën optike organi i akuzës ka përdorur 65 mesazhe. Përderisa jam në akuzë do i përmend.

Gjyqtari: Mund të jeni më të përmbledhur.

Kryemadhi: Zoti gjyqtar, e përmbledhur është. Duke parë dosje vetë, çdo ditë rezulton nga një provë e keqinterpretuar. Jam llahtarisur, të çohet drejtori juridik  që është ambasador sot, në një nivel katastrofik, gjobaxhi. Kërkoj falje sinqerisht. Është procesverbali për mënyrën sesi kemi funksionuar.

Po pilotonte një avion mbi centralin bërthamor,si u arrestua Ermal Beqiraj në Francë

By: e xh
29 July 2026 at 11:20

Ermal Beqiraj, krahu i djathtë i Ergys Agasit, është arrestuar në Francë. Ai ishte shpallur në kërkim pasi Prokuroria e Posaçme kishte lëshuar ndaj tij masën e arrestit me burg për dosjen e AKSHI-t.

Arrestimi i Beqirit ka ndodhur të shtunën pasdite, në rrethana të çuditshme dhe misterioze. Sipas mediave franceze ai ka qenë duke pilotuar një avion të vogël, i cili ra në sy duke “fluturuar mbi termocentralin bërthamor Penly në Seine-Maritime. Ndërsa fluturonte në një lartësi prej 3,700 këmbësh (afërsisht 1,200 metrash), piloti papritmas uli hundën e avionit në 3,500 këmbë, një lartësi nën limitin ligjor për fluturim mbi vende të ndjeshme”.

Përtej faktit se bëhet fjalë për një qendër të rëndësishme bërthamore, termocentrali Penly është gjithashtu vendi i ndërtimit të EPR-2 të ardhshëm, një çift reaktorësh bërthamorë të gjeneratës së ardhshme, për të cilët ka një interes në nivel botëror.

Situata ka alarmuar autoritetet franceze. “Forcat Ajrore dhe Hapësinore Franceze dërguan një avion për të shoqëruar drejt aeroportit Albert në rajon e Somme aeroplanin që ishte në shkelje. Sapo zbriti në pistë, ai u arrestua menjëherë dhe u dërgua në paraburgim.

Një tjetër element i pazakontë ka rënë në sytë e autoriteteve franceze pas arrestimit të Beqirit. “Gjatë një kontrolli trupor, oficerët e zbatimit të ligjit gjetën tre AirTag të fshehura në rrobat e tij. Këta gjurmues të vegjël GPS, të prodhuar nga Apple, lejojnë identifikimin dhe gjurmimin e kujtdo që mban një të tillë”. Sipas mediave franceze “ky detaj, po e çon hetimin drejt teorisë se piloti mund të ketë vepruar nën presion nga dikush që porositi fluturimin”.

Edhe përgjigjet që Beqiri ka dhënë para autoriteteve nuk kanë qenë aspak bindëse. Sipas mediave franceze, “ai kishte pretenduar se kishte bërë një gabim me lartësinë e tij dhe u tha hetuesve se ishte “në telefon me nënën e tij” gjatë fluturimit mbi termocentralin bërthamor”.

Edhe vetë itinerari dhe plani i fluturimit të Beqirit “ka nxitur shqetësime. Duke u nisur nga qyteti i vogël i Albert, piloti fluturoi në veri drejt Calais përpara se të kalonte Brittany dhe në fund të kalonte mbi termocentralin bërthamor Penly”.

Beqiri mund dhe t’ia kishte hedhur paq, nëse gjatë verifikimeve për emrin e tij, nuk do të kishte dalë në dritë fakti që është në kërkim nga autoritetet shqiptare. Sipas mediave franceze, atij “iu dha një dënim me kusht dhe një gjobë prej 7,000 eurosh për fluturim të paligjshëm mbi termocentral. Ai u dorëzua më pas në Zyrën Qendrore për Luftimin e Krimit të Organizuar (OCLCO) dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri”.

Beqiraj zotëron kompaninë “Soft & Solution” dhe akuzohet se ka përfituar tenderë dhjetëra miliona euro pas kërcënimeve që krahu i djathtë i Ergys Agasit, i bëri një shoqërie të përfshirë në një nga garat e shumta.

Ermal Beqirajt i janë sekuestruar 10 pasuri dhe disa llogari bankare të tij. Mes tyre, truall e ndërtesa në Vlorë, Tiranë, e Golem, biznese, një jaht luksoz, automjete të tjera si dhe të gjitha llogaritë bankare në emër të tij dhe subjekteve. Biznesmeni kishte vendosur jahtin ‘Predator 50 Skyfall’ me vlerë afro 1 milion euro në pronësi të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions”. Në sy bien edhe trualli në resortin “Green Coast” dhe vila luksoze në “Rolling Hills”.

Beqiraj dyshohet për veprat penale “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Më vonë i është shtuar dhe akuza e korrupsionit.

Objektet e sekuestruara

Truall me vendndodhje në Green Coast, Vlorë;
Truall me vendndodhje “Hoxha Tasim”, Tiranë;
Ndërtesa dhe truall nr. 5/3;
Truall dhe ndërtesë nr. 38/36, Rolling Hills Tiranë
Apartament në Golem, Kavajë;
Mjet lundrues Yacht “Skyfall”;
Subjekti “S.S” sh.p.k.;
Subjekti “H” sh.p.k.;
Njësi shërbimi në rrugën “Çerçiz Topulli”;
Automjete dhe motomjete sipas regjistrave;
Të gjitha llogaritë bankare në emër të tij dhe subjekteve

SPAK kryen kontrolle dhe sekuestrime në Bashkinë e Tiranës

28 July 2026 at 15:18

Kontrolle dhe skuestrime janë kryer në Bashkinë e Tiranës nga SPAK, në kuadër të hetimeve për dosjen e njohur si “Veliaj 2”.

Bëhet me dije se gjatë operacionit janë marrë dhe sekuestruar udhëtime zyrtare të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe dokumentacion që lidhet me dietat e tij.

Mësohet se hetuesit e SPAK kanë kërkuar dokumentet përkatëse si pjesë e veprimeve hetimore, ndërsa materialet e sekuestruara do të analizohen në vijim.

 

 

Berisha: Pas liçencës për kazino në kullën Air Albania qëndron Olsi Rama

28 July 2026 at 14:17

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar atë që e cilësoi si një nga aferat më të rënda të qeverisë, duke ju referuar liçencës për kazinonë në kompleksin Air Albania.

Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi vëllain e kryeministrit Edi Rama për lidhje me aktivitetet e lojërave të fatit dhe bizneset e call-centerave, ndërsa tha se liçenca është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe në favor të personave që, sipas tij, janë të lidhur me Olsi Ramën.

Ai tha se Partia Demokratike do të publikojë një investigim të përgatitur nga Belind Këlliçi dhe një grup ekspertësh, për të argumentuar akuzat lidhur me procesin e dhënies së licencës.

“Sot jemi këtu për të paraqitur para medieve dhe opinionit publik shqiptar një nga aferat më të padëgjuara, afera që tejkalojnë çdo lloj imagjinate. Por natyrisht jo në narkoshtetin e Edi Ramës, në familjarët e tij, bëmat e tyre. Tashmë janë bërë të njohura për publikun pasioni i çmendur i Olsi Ramës për lojërat e fatit. Pasioni i tij i çmendur për call-centerat. Pra për ët gjitha mënyrat e plaçkitjes së qytetarëve.

I pangopur! E vërteta është siç e kam deklaruar dhe siç është faktuar lidhja e tij me grupin e Xibrakës, është një ndër lidhjet më kriminale që mund të ketë njeri.

Sot këtu ju do dëgjoni, edhe njëherë kthehet në skenë ajo që dikur unë e kam quajtur kulla Kristaq Rama apo kulla e Air Albania. Në atë kohë ne e kemi denoncuar ndërtimin e saj, por siç thotë populli, dardha e ka bishtin mbrapa.

Aq sa është e paligjshme kulla, po aq e paligjshme është aktiviteti i saj dhe dhënia e licencës për kazino me dokumente personave që nuk mund ta merrnin kurrë po të mos ishin prestanome i Olsi Ramës”, tha Berisha,

 

Shehaj mori dokumentin, Manja: Do ketë referim të kallëzimit në organet e hetimit

28 July 2026 at 12:56

Ulsi Manja, Sekretar i sekretariatit për procedurat, votimet dhe etikën, ka komentuar masën  për përjashtim me 60 ditë nga punimet e komisioneve dhe të Kuvendit ndaj deputetit Agron Shehaj. Teksa tha se rasti i Agron Shehaj është një rast i përsëritur, Manja deklaroi se do të ketë një referim ndaj Shehajt në organet e hetimit.
“Rasti i Shehajt është rast i përsëritur. Sekretariati për procedurat, votimet dhe etikën edhe herë të tjera ka marrë masat disiplinore ndaj deputetit Agron Shehaj. Rasti është i paprecedent. Nuk ka ndodhur ndonjëherë. Të paktën për mua si sekretar në kaq vite që jam deputet në Kuvendin e Shqipërisë ku të jetë fshirë vija e respektit reciprok ndërmjet deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, por dhe stafeve që na mundësojnë të ushtrojmë funksionet tona si deputet.
Ishte shumë i qartë deklarimi i kryetarit të Kuvendit dje që dokumenti është konfidencial. Deputetët ftohen ta lexojnë sipas rregullave të përcaktuara në sallën “Gerti Bogdani”. Secili prej deputetëve kundrejt nënshkrimit të deklaratës së konfidencialitetit e merr atë dokument, ulet dhe e lexon në atë sallë”, tha ai.
Më tej ai nënvizon se u pa se Shehaj bëri të kundërtën dhe se dokumentin e nxorri jashtë sallës.
“ Zoti Shehaj e pa të gjithë publikisht, e mori dokumentin, e nxori jashtë sallës “Gerti Bogdani”, por përsëri brenda mjediseve të Kuvendit. Ama deklarimi publik i kryetarit të Kuvendit ishte që kjo marrëveshje do të lexohet në sallën “Gerti Bogdani”. Pastaj i keni parë të gjitha ato pamje sepse ka një lidhje shkak pasojë. Të gjitha ato pamje të rënda që mua s’më mbetet gjë tjetër vetëm se t’i uroj të punonjëses tonë, këshilltares tonë që dje u lëndua nga ky veprim shërim sa më të shpejtë dhe uroj që kjo të mos ndodhë më rast të jetë rasti i parë dhe i fundit ku shkelet kjo vijë respekti”, tha ai,
Pyetje: Çfarë ndodh me referimin në SPAK zoti Manja?
Manja: Nëse elementët e veprës penale nuk janë në tagrin e këtij sekretariati jeni pjesë e grupit parlamentar të socialiste dhe keni ata i takojnë hetimit. Në dijeninë time do të ketë një referim të kallëzimit ndaj deputetit Agron Shehaj në organet e hetimit dhe të ndjekjes penale dhe të gjitha elementet e tjerë që kanë të bëjnë me shkeljen e ë konfidencialitetit, me nxjerrjen e dokumentit jashtë asaj salle ku u përcaktua publikisht nga kryetari i Kuvendit për t’u lexuar, por edhe me veprimet që pasuan pastaj nxjerrjen e këtij dokumenti i takon organit të hetimit që t’i zbardhe.
Sekretariati e konsideron të mbyllur punën me këtë masë disiplinore e cila duhet të theksohet që hy në fuqi dhe do t’i shtrijë efektet e veta me rifillimin e sesionit parlamentar të vjeshtës.

Linke të dyshimta për t’ju vjedhur llogarinë në WhatsApp, policia nxjerr njoftimin

28 July 2026 at 12:40

Linke të dyshimta përmes ËhatsApp që synojnë marrjen e llogarisë së këtij aplikacioni. Është ky njoftimi që vjen nga Polica e Shtetit duke njoftuar qytetarët të jenë të kujdesshëm, pasi janë konstatuar raste të qarkullimit të mesazheve dhe linkeve mashtruese, të cilat synojnë marrjen e kontrollit të llogarive të ËhatsApp.

Sipas njoftimit të Policisë, individët që synojnë mashtrimin, dërgojnë linke për të votuar një konkurs ose për të konfirmuar një veprim, më pas, i kërkojnë përdoruesit të vendosë kodin 6-shifror të verifikimit të ËhatsApp. Ky kod përdoret nga autorët për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj.

Njoftimi i plotë i policisë:

Policia e Shtetit apelon për kujdes ndaj tentativave për marrjen e aksesit në llogaritë ËhatsApp.

Policia e Shtetit informon qytetarët se janë konstatuar raste të qarkullimit të mesazheve dhe lidhjeve (linkeve) mashtruese, të cilat synojnë marrjen e kontrollit të llogarive ËhatsApp.

Mashtruesit dërgojnë linke me pretendime të ndryshme, si p.sh. për të votuar në një konkurs ose për të konfirmuar një veprim. Më pas, i kërkohet përdoruesit të vendosë kodin 6-shifror të verifikimit të ËhatsApp. Ky kod përdoret nga autorët për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj.

Policia e Shtetit këshillon qytetarët:

Mos klikoni në linke të dyshimta, edhe nëse dërgohen nga persona të njohur;

Mos ndani kurrë kodin e verifikimit të WhatsApp me askënd;

Aktivizoni funksionin Tëo-Step Verification (Verifikimi me dy hapa) në aplikacionin ËhatsApp;

Nëse dyshoni se llogaria juaj është komprometuar, veproni menjëherë për ta rikuperuar atë dhe njoftoni personat e kontakteve tuaja.

Mbroni të dhënat tuaja! Kujdesi juaj është mbrojtja më e mirë ndaj mashtrimeve kibernetike

 

Mori marrëveshjen konfidenciale, Agron Shehaj përjashtohet 60 ditë nga seancat

28 July 2026 at 11:04

Deputeti Agron Shehaj është përjashtuar për 60 ditë nga seancat plenare, pas incdidetit të së hënës ku ka marr një dokument në sekretariatin e kuvendit.

Në rrjetet sociale u bë virale video e deputetit që shfaqej duke dalë me vrap nga sekretariati, ndërkohë që punonjësja e zyrës e ndiqte nga pas, duke u rrëzuar madje edhe nga shkallët.

Partia Socialiste i kërkoi Kuvendit përjashtimin për 60 ditë të deputetit dhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ndërkohë që ai mori në sekretariat marrëveshjen konfidenciale të financimit ushtarak mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

 

 

Shehaj mori dokumentin, Rama: Iku si ballistët që grabisnin pula, prokuroria do i…

By: e xh
27 July 2026 at 22:57

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi deputeti Agron Shehaj mori një dokument të klasifikuar të marrëveshjes me SHBA-të.

Në një postim në rrjetet sociale Rama e cilëson Shehajn “një ballist që ngre dhe ul hajdut kë i del përpara”.

Kreu i qeverisë kërkon hetime nga Prokuroria, pasi bëhet fjalë për grabitjen e një dokumenti të klasifikuar, duke e etiketuar deputetin “sorrë vjedhacake”.

Ky tipi që vjedh një dokument të klasifikuar dhe ia fut vrapit, është një ballist që ngre dhe ul hajdut kë i del përpara, por siç e shihni sot tentoi të ikte me vrap njësoj si ballistët pasi hynin në kotec për të grabitur pula, duke na dëshmuar botërisht se vesi del me shpirtin.

Uroj po nuk shpresoj që prokuroria t’i tregojë vendin e përcaktuar nga ligji për grabitësit e dokumentave të klasifikuar kësaj sorre vjedhacake të mbushur me urrejtje, ndërkohë që i shpreh keqardhje vajzës së pafajshme duke falenderuar Zotin që shpëtoi pa dëme serioze nga rendja në panik pas hajdutit”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Momenti kur punonjësja e Kuvendit rrëzohet nga shkallët duke ndjekur Shehajn

By: e xh
27 July 2026 at 18:12

Në media janë publikuar pamjet e momentit kur Agron Shehaj, merr kopjen e marrëveshjes konfidenciale për huanë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara dhe largohet me vrap nga ambientet e Kuvendit.

Siç mund të shihet dhe në videon e publikuar në media,

Shehaj merr dokumentin dhe largohet me vrap, ndërsa në ndjekje të tij është vënë një sekretare e Kuvendit, e cila për pasojë është rrëzuar nga shkallët.

Në ndihmë i kanë ardhur deputetë dhe të pranishëm në ambjentet e Kuvendit.

Ndërkohë vetë Shehaj, pas episodit në Kuvend, ka deklaruar për mediat se mori dokumentin pasi kishte firmosur deklaratën e konfidencialitetit.

Sipas tij, ai e mori dokumentin për ta lexuar dhe pasi u njoh me përmbajtjen e tij e riktheu sërish në zyrën ku ishte vendosur.

Protesta, Rama: Sa më pranë BE, më të forta përpjekjet për të penguar rrugëtimin

By: e xh
27 July 2026 at 15:10

“Sa më pranë Bashkimit Evropian, aq më të forta bëhen edhe përpjekjet për të penguar këtë rrugëtim.” – Për kryeministrin Edi Rama, “revolucioni flamingo” po përdoret nga shtete jo-miqësore për të manipuluar qytetarët dhe destabilizuar vendin.

“Besoj jeni mjaft të informuar për të ashtuquajturin revolucion të flamingove. Është në fakt një shembull i jashtëzakonshëm i një plase, i një çarje që natyrisht edhe krijuar që u bë në fakt një mënyrë për të hyrë për armiqtë tanë për të organizuar një operacion shumë të madh troll-esh dhe avatarësh”, tha Rama.

Për të argumentuar qëndrimet e tij, Edi Rama u kthyembi 3 mijë vjet pas në kohë te mitologjia Greke… Troja e Homerit e rikthyer në ekranet e kinemave botërore me flimin më të komentuar të momentin “Odisea”.

“Kali i Trojës, e meqë ra fjala, ky është edhe emri i një virusi, mbetet mësimi suprem i historisë se rreziku më i madh rrallë është ai që mësyn në derë, por është gjithmonë e më tepër ai që fton brenda, sepse duket i padëmshëm. Është ai që lëvdojmë në emër të lirisë së mendimeve. Është ai që mbrohet në emër të lirisë së fjalës. Është ai për të cilin hezitojmë gjithmonë që të përballemi si duhet, edhe pse tregon, në fakt, natyrën e vet të vërtetë. Sepse, për ne, është çështje demokracie dhe çështje lirie”, tha Rama.

Përballja nuk zhvillohet më vetëm në sallat e diplomacisë. Ajo kalon përmes ekranit të telefonit, algoritmeve dhe rrjeteve sociale. Objektivi nuk është të bindësh, por të krijosh dyshim dhe të zbehësh besimin te e vërteta. Kjo, sipas ministrit Ferit Hoxha, është fytyra e re e ndërhyrjes së huaj.

“Manipulimi dhe Ndërhyrja e Informacionit të Huaj nuk është thjesht një çështje narrativash konkurruese. Përdoret gjithnjë e më shumë si një instrument i mirëmenduar i presionit hibrid, i projektuar për të gërryer besimin, për të shfrytëzuar përçarjet sociale, për të përdorur algoritmet si armë, për të amplifikuar pakënaqësi dhe për të thyer kuptimin e realitetit” , tha ministri.

Nga rrjetet sociale te platformat e ndikimit, dezinformimi është kthyer në një nga sfidat e reja të sigurisë. Autoritetet shqiptare vijojnë të përsërisin rrezikun e ndërhyrjeve nga aktorë të huaj, mes tyre Iranin, duke e vendosur betejën kundër manipulimit të informacionit në qendër të vëmendjes edhe gjatë “revolucionit flamingo”.

Berisha: Rama zhduku flamurin e NATO-s nga institucionet dhe kërkon të…

By: e xh
27 July 2026 at 11:43

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Edi Rama “një kredi të qeverisë së SHBA për qëllime mbrojtje do me çdo kusht ta kalojë me procedurë jokushtetuese”.

“Ka një përcaktim kushtetues, i cili nuk lejon votimin me procedurë të përshpejtuar pa një afat minimal njëjavor. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese para tre muajve ku konsideron votim jokushtetues votimin për Bordin e Paqes apo për një çështje tjetër. Por, Edi Rama kërkon me çdo kusht të tregojë se Kushtetuta është një letër e vdekur për të, dhe se ky është një sundimtar që nuk ka ligj, as moral”, tha Berisha jashtë Parlamentit.

“Unë sot i shtroj një pyetje edhe Peleshit të tij, edhe Ramës: Pse në një akt të parë, zhdukët nga të gjitha institucionet e vendit, nga parlamenti, nga qeveria, flamurin e NATO-s. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe në qoftë se ka një flamur tjetër që ajo duhet të shfaqë, është flamuri i NATO-s, i cili ishte në të gjitha institucionet. Në një akt të parë, në një nga urdhrat më të parë, ai urdhëroi të hiqej flamuri i NATO-s nga të gjitha institucionet. Edi Rama është personi i vetëm në Evropën ish-komuniste që ka organizuar protesta të egra kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Dhe tani, i çekuilibruar totalisht, kërkon të dhunojë Kushtetutën dhe të paraqitet si flamurtar për plotësimin e buxhetit për NATO-n. E vërteta është që buxheti për NATO-n sot është 1.3 përqind”, shtoi kreu demokrat.

Kuvend dhe protestë, qytetarët përplasen me Policinë

By: e xh
27 July 2026 at 10:41

Qytetarët janë mbledhur sërish në protestë ndërsa sot mbahet seanca e radhës plenare e Kuvendit. Për shkak të perimetrit të gjerë të sigurisë, nga Ministria e Brendshme te pedonalja dhe “Rruga e Elbasanit”, deputetët arritën të futen të qetë në Kuvend pa u përballur me sulme nga protestuesit. Këta të fundit tentuan të depërtojnë nga disa hyrje të ndryshme, por pa sukses, derisa u zhvendosën te rruga e Elbasanit pranë xhamisë së Namazgjasë.

Aty policia i bllokoi te ura dhe nuk lejoi marshimin në drejtim të godinës së Kuvendit, çka solli edhe përplasje. Menjëherë disa protestues nisën sulmet me vezë e domate në drejtim të efektivëve të Policisë së Shtetit. Madje disa prej tyre arritën të çajnë edhe kordonin e policisë duke bërë që të nisin shoqërimet. Janë disa protestues që u shoqëruan, mes tyre edhe një prej organizatorëve Arben Kola.

Ish- i fejuari i vrau prindërit, çfarë deklaroi në polici 24-vjeçarja nga Rsokoveci

26 July 2026 at 17:36

24-vjeçarja Rozalinda Plaka, e cila u mbajt peng për disa orë nga ish-partneri i saj, Refit Buzi ka dëshmuar në policinë ngjarjen që i mori jetën dy prindërve të saj, ndërsa autori u vetëvra në makinë pasi më shumë se 10 orësh negociata me policinë. Megjithatë duket se dëshmia e parë e së resë nuk ka hedhur dritë mbi motivet që çuan 35-vjeçarin të kryente krimin e rëndë.

Në gjendje të rënduar psikologjike, ajo ka deklaruar se ishte në gjumë kur dëgjoi zhurma në shtëpi. Kur u zgjua, pa Refit Buzin brenda dhomës së saj, të armatosur me një armë gjahu. “Më kërcënoi të shkoja në makinë me të dhe ta ndiqja nga pas”, ka deklaruar ajo para hetuesve. 24-vjeçarja ka treguar se në ato momente nuk e kuptonte çfarë kishte ndodhur në banesë. “Pashë vetëm babanë të shtrirë në kuzhinë, ndërsa nënën nuk arrita ta shihja”, mësohet të ketë dëshmuar ajo.

Sa i përket motiveve të krimit, përfundimit të marrëdhënies me Refit Buzin, si edhe pretendimeve të këtij të fundit se i kishte dërguar nga Anglia 830 mijë paund për t’ia ruajtur dhe që nuk i ishin kthyer, e reja nuk ka dhënë shpjegime. Për këtë arsye, grupi hetimor pritet ta marrë sërish në pyetje në vijim të hetimeve.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 24 korrikut në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku mbeti i vrarë Kosta Plaka dhe u plagos rëndë bashkëshortja e tij, Belere Plaka e cila ndërroi jetë disa orë më pas. Ndërsa autori 35-vjeçar Refit Buzi kreu vetëvrasje brenda mjetit të tij duke mos iu bindur negociatave për vetëdorëzim, pas afro 10 orësh.

 

Zjarr i madh në Pyllin e Sodës në Vlorë

By: e xh
26 July 2026 at 17:11

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme Pyllin e Sodës në Vlorë, duke krijuar një re të dendur tymi që ka mbuluar një pjesë të mirë të qytetit.

Vatra e zjarrit ka rënë brenda pyllit me pisha, pranë vijës hekurudhore në zonën e Zvërnecit, ndërsa tymi është i dukshëm nga disa lagje të Vlorës.

Menjëherë pas sinjalizimit, drejt zonës janë nisur forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Sipas të dhënave paraprake, situata paraqitet e vështirë për shkak të përhapjes së zjarrit në një zonë me bimësi të dendur dhe erës që favorizon avancimin e flakëve.

Mësohet se aktualisht ne Vlorë janë aktive pesë vatra zjarri njëkohësisht, çka ka vështirësuar ndarjen e forcave në terren. Përveç zjarrit në Pyllin e Sodës, ndërhyrje po kryhen edhe në Dukat, pranë tunelit të Llogarasë, në zonën e Parkut të Mallrave dhe në Triport.

Deri në këto momente nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit dhe as sipërfaqja e përfshirë nga flakët, ndërsa autoritetet vijojnë operacionin për vënien e situatës nën kontroll.

Protestuesit refuzuan “Besën”, Rama: Ftesa ishte për flamingot, jo për sorrat

By: e xh
26 July 2026 at 17:06

Dy ditë pas reflektimeve nga protesta e flamingove dhe prezantimit të projektit të quajtur Besa, me të cilin kërkoi dialog me qytetarët, Kryeministri Edi Rama ka komentur thirrjet që vijnë nga protesta se nuk duan të ulen në tryezë me të, por vetëm dorëheqjen e tij.

Sipas tij këtu ka lindur një keqkuptim, pasi thotë se s’ka kërkuar asnjëherë dialog me këtë pjesë të protestuesve.

 “Asnjë prej tyre s’më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s’kam kontratë dhe për asnjë prej tyre e as për të tërë ata bashkë s’më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, ndër të cilët edhe plot flamingo! Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot dhe i drejtohej atyre, jo puplave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pas shtegtimit të flamingove”, tha Rama.

Qytetarët që vijojnë dhe mblidhen çdo natë poshtë zyrës së tij i quan ana e errët e protestës, ndërsa shton se besën do të vijojë ta kërkojë te ata që i quan flamingo.

 “Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari BESËN sepse BESA jonë s’ka asnjë lidhje me ta, as mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë. Ndërsa kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata po është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si edhe gur themeli i jetës demokratike”, u shpreh kryeministri.

Protestuesit prej ditës kur Kryeministri prezantoi Besën në mbledhjen e grupit parlamentar i janë përgjigjur negativisht ftesës për dialog dhe kanë premtuar se do të protestojnë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre.

Ndërron jetë gruaja e plagosur nga ish-dhëndri në Roskovec

24 July 2026 at 19:49

Pas disa orësh në sallën e operacionit, 55-vjeçarja Bejlere Plaka nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Fierit, duke e çuar në tre bilancin e ngjarjes së rëndë në Roskovec.

Ajo u plagos rëndë me armë gjahu nga Refit Buzi, i cili më herët qëlloi për vdekje bashkëshortin e saj, 58-vjeçarin Kosta Plaka.

Nga e njëjta ngjarje, vajza e çiftit u mor peng nga ish-bashkëjetuesi i saj, por u lirua më pas pas ndërhyrjes së Policisë.

Pas lirimit të saj, forcat RENEA vijuan për disa orë negociatat me Refit Buzin për ta bindur të dorëzohej, por ai nuk iu bind thirrjeve të Policisë dhe më pas dyshohet se i dha fund jetës brenda automjetit ku ishte ngujuar.

I jep fund jetës brenda makinës 35-vjeçari që vrau ish-vjehrrin në Roskovec

24 July 2026 at 17:11

35-vjeçari Refit (Nertil) Buzi, i dyshuar për ngjarjen e rëndë në Roskovec,ka vrarë veten me armë zjarri pas disa orësh negociata me forcat e policisë.

Ai ishte i rrethuar nga forcat speciale RENEA në zonën e ish-fushës së helikopterëve në fshatin Kurjan, ku qëndroi i ngujuar në automjetin e tij, ndërsa negociatorët tentuan disa herë ta bindnin të dorëzohej.

Më herët, 35-vjeçari dyshohet se vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plakun, plagosi ish-vjehrrën, Bejlere Plakun, dhe mori me forcë ish-të dashurën, Rozalinda Plakun. E reja u lirua disa orë më vonë gjatë operacionit të policisë.

Autoambulanca dhe forca të shumta policie janë afruar pranë automjetit ku ndodhet prej disa orësh 35-vjeçari.

Njoftimi i Policisë së Shtetit

“Në vijim të informacionit paraprak për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-të dashurën, shtetasen R.P, ju  informojmë se:

Pas lirimit të saj falë veprimeve profesionale të Policisë,  ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t’u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale”

 

 

 

Vrasja në Roskovec, drejtori i policisë Fier: Autori nuk pranon të dorëzohet

24 July 2026 at 16:34

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Erion Ahmeti në një deklaratë për mediat ka zbuluar detaje lidhur me operacionin që po zhvillohet në fshatin Vidhisht pas vrasjes së 58-vjeçarit, Kosta Plaka nga 35-vjeçari Refit Buzi.

Pas vrasjes së ish-vjehrrit dhe plagosjes së ish-vjehrrës, autori është arratisur dhe ka marrë me vete ish-bashkëshorten e tij. Ahmeti ka njoftuar se është bërë i mundur lirimi i vajzës dhe është në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë ai theksoi se po vijon puna për të bindur të riun që të dorëzohet.

“Sot, rreth orës 06:00, ndodhi një ngjarje e rëndë kriminale në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu, babanë e ish të dashurës së tij, plagosi nënën e saj, mori peng ish-të dashurën dhe u largua me automjet nga vendi i ngjarjes.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në vendngjarje, rrethuan zonën, organizuan ndjekjen e autorit, ngritën pika kontrolli dhe koordinuan veprimet me të gjitha strukturat policore të angazhuara.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të autorit dhe dinamikës së ngjarjes, u kërkua ndërhyrja e Forcës Speciale “RENEA”. Pas lokalizimit të autorit, shërbimet e Policisë e rrethuan atë dhe nisën negociatat, pasi ai kërcënonte se do të vriste veten dhe ish të dashurën, të cilën e mbante peng.

Falë profesionalizmit, qetësisë dhe veprimeve të mirëkoordinuara të efektivëve të Policisë, fillimisht u bë i mundur lirimi i shtetases që mbahej peng në automjet, kundër vullnetit të saj. Ajo u transportua menjëherë në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Negociatat me autorin vijojnë, me qëllim që ai të dorëzohet pa shkaktuar pasoja të tjera. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për sqarimin e të gjitha rrethanave dhe zbardhjen e motivit”, tha ai.

 

❌