Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 February 2026Opinion.al

Dashnor Sula prezantohet si Kryeinspektor: Do mbaj kontakte direkte me Ramën

By: e xh
9 February 2026 at 18:29

Ish-deputeti i PD Dashnor Sula u prezantua sot në detyrën e re të Kryeinspektorit të Përgjithshëm, ku në fjalën ee mbajtur ai theksoi që e sheh detyrën si një sfidë dhe një “dorashkë të hedhur” nga kryeministri Rama. Sula vuri në dukje se do të bashkëpunojë ngushtë me ministren dhe kryeministrin Rama në detyrën e re.

“Bashkëpunimi me zonjën ministre dhe me qeverinë do të jetë në kushte maksimale. Sigurisht mendoj që tre pika do më shoqërojnë gjatë gjithë periudhës që do jem në krye të Inspektoriatit të përgjithshëm. Përkushtimi, përkushtimi do të jetë maksimal, edhe nga pikëpamja formale e orarit kur vihet në punë, deri orën që mbyllet, dhe unë ju garantoj që do jem 24 orë në 24 për çdo problem, apo koleg, vartës, që do ketë problematika, për t’u informuar, apo për të patur direkt kontakt me ministren dhe kryeministrin”, tha Sula.

Gjej rastin në këtë moment sinqerisht, pavarësisht se me zonjën ministre dhe ish-kolegen Gjylameti dhe kryeministrin Rama kemi qenë përballë njëri-tjetrit, sepse kështu funksionon demokracia, kurrë nuk e kemi parë njëri-tjetrin si armiq, por për të punuar dhe për çuar diçka më para për Shqipërinë. Për mua kjo është një sfidë dhe një ‘dorashkë e hedhur’ nga kryeministri për të përmbushur këtë detyrë. S’është privilegj, është përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe”, vijoi ai.

Irani gati të zvogëlojë sasinë e uraniumit: E bëjmë nëse SHBA-të heqin sanksionet

By: e xh
9 February 2026 at 18:21

Irani është gati të zvogëlojë rezervat e uraniumit të pasuruar shumë nëse Shtetet e Bashkuara heqin “të gjitha sanksionet”, tha të hënën kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Mohammad Eslami, pas rifillimit të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara mbi programin bërthamor të Teheranit.

“Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me mundësinë e zvogëlimit të rezervave të uraniumit të pasuruar në 60%, Mohammad Eslami tha se kjo varet nga heqja e të gjitha sanksioneve në këmbim”, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve Irna, pa specifikuar nëse deklarata i referohej të gjitha sanksioneve kundër Iranit apo vetëm atyre të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj Teheranit.

Përpara sulmeve SHBA-Izrael ndaj objekteve bërthamore të Iranit në qershor 2025, Irani po pasuronte uraniumin në 60%, shumë përtej limitit prej 3.67% të vendosur nga traktati ndërkombëtar bërthamor i vitit 2015, tashmë i shfuqizuar.

Rusia: Nuk e sulmojmë Europën, por gati të hakmerremi nëse do jetë e nevojshme

By: e xh
9 February 2026 at 17:25

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov deklaroi se Rusia nuk ka plane për të sulmuar Europën. Megjithatë, Lavrov nënvizoi se nëse Rusia sulmohet, do të ketë hakmarrje me të gjitha mjetet ushtarake.

“Ne nuk do të sulmojmë asnjë pjesë të Europës. Nuk kemi absolutisht asnjë arsye për ta bërë këtë. Dhe nëse Europa zgjedh të materializojë kërcënimet e saj për t’u përgatitur për luftë kundër nesh dhe fillon të sulmojë Rusinë, presidenti tha se nuk do të jetë një operacion ushtarak special nga ana jonë, por një përgjigje ushtarake në shkallë të plotë me të gjitha mjetet ushtarake në dispozicion në përputhje me dokumentet doktrinare mbi këtë çështje”, tha Lavrov në një intervistë

Në konferencën për shtyp në fund të dhjetorit 2025, Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia nuk është në luftë me Perëndimin, por është Perëndimi ai që po lufton kundër Rusisë nëpërmjet nacionalistëve ukrainas.

Ai vuri në dukje më parë se Rusia nuk ka dashur kurrë të luftojë kundër Evropës. Por Putin se nëse Europa zgjedh të nisë një luftë kundër Rusisë, nuk duhet të ketë dyshime se Rusia është gati të hakmerret menjëherë.

Skandali Epstein, reagon për herë të parë familja mbretërore britanike

By: e xh
9 February 2026 at 15:25

Princi William dhe Princesha Catherine shprehën shqetësim për viktimat e Jeffrey Epstein në një deklaratë, masa e fundit nga monarkia britanike për t’u distancuar nga zbulimet rreth marrëdhënies së ish-Princit Andrew me shkelësin e dënuar seksual.

Familja mbretërore më e njohur e Britanisë thotë se u trondit nga përmbajtja e më shumë se 3 milion faqeve dokumente të publikuara më parë këtë muaj nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së.

“Mund të konfirmoj se Princi dhe Princesha e Uellsit janë thellësisht të shqetësuar nga zbulimet e vazhdueshme”, tha pallati në një deklaratë.

“Mendimet e tyre mbeten të përqendruara te viktimat”, shtoi ai.

Deklarata e lëshuar përpara udhëtimit tre-ditor të William në Arabinë Saudite, është pjesë e përgjigjes së monarkisë ndaj krizës në rritje që rrethon ish-princin, të cilit iu hoqën titujt mbretërorë në tetor pas zbulimeve të mëparshme rreth marrëdhënies së tij me Epstein.

Vëllai 65-vjeçar i Mbretit Charles III tani njihet thjesht si Andrew Mountbatten-Windsor.

Mbreti javën e kaluar e detyroi Mountbatten-Windsor të largohej nga shtëpia e tij e hershme në Royal Lodge pranë Kështjellës Windsor, duke përshpejtuar një veprim që u njoftua për herë të parë në tetor, por që nuk pritej të përfundonte deri më vonë këtë vit.

Mountbatten-Windsor tani jeton në pronën e mbretit në Sandringham në Anglinë lindore.

Ai do të jetojë përkohësisht në Wood Farm Cottage ndërsa shtëpia e tij e përhershme në pronë do t’i nënshtrohet riparimeve. Mountbatten-Windsor ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje në marrëdhënien e tij me Epsteinin.

Protesta e PD/ Policia e Tiranës publikon masat, rrugët që do të bllokohen

By: e xh
9 February 2026 at 14:50

Partia Demokratike do të mbajë të martën e 10 shkurtit protestën e tretë kombëtare përpara Kryeministrisë.

Policia e Tiranës ka njoftuar masat që do të ndërmerren për këtë protestë dhe segmentet rrugore që do të bllokohen.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi, ditën e nesërme, në orën 17:00, para Kryeministrisë.

Me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

-Nga ora 23:45 e ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit, në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;

-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Policia e Tiranës i ben thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kunderligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.

Sekuestrohen mbi 26 mijë euro në Rinas, dy persona nën hetim për mosdeklarim parash

By: e xh
9 February 2026 at 14:39

Policia Kufitare e Rinasit ka evidentuar dhe goditur dy raste të mosdeklarimit të parave gjatë kontrolleve në pikën e kalimit kufitar, duke sekuestruar mbi 26 mijë euro dhe paundë.

Në kuadër të kontrolleve të shtuara, të bazuara edhe në analizën e riskut, shërbimet e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasin shqiptar D. Sh., 37 vjeç, rezident në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë kontrollit në vijën e dytë, atij iu gjetën 15 mijë paundë, të cilat tentonte t’i fuste në territorin e Republikës së Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Po ashtu, u procedua penalisht edhe shtetasi A. Z., 32 vjeç, banues në Kamëz, të cilit, gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 11 370 euro, që synonte t’i nxirrte nga territori i Republikës së Shqipërisë pa i deklaruar, në shkelje të ligjit.

Policia Kufitare bën me dije se kontrollet dhe verifikimet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në kufi.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.

Prokurori James Pache në Gjyqin e Hagës thotë se UÇK-ja keqtrajtoi njerëz

By: e xh
9 February 2026 at 14:25

Në fjalën e tij përmbyllëse në gjyqin ndaj Hashim Thaçi dhe të tjerëve, prokurori James Pache paraqiti akuza të reja lidhur me veprimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së gjatë luftës.

Ashtu si prokurorët para tij, Pache u fokusua te ajo që e cilësoi si “krime lufte”, duke pretenduar se ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë keqtrajtuar persona që ndodheshin nën ndalim.

|Thaçi vet ka kërcënuar se do ta vriste një të ndaluar”, tha Pache, duke iu referuar asaj që e quajti provë dëshmie.

Orban: Kur u intensifikua lufta në Kosovë, Bill Clinton më kërkoi të sulmoja Serbinë

By: e xh
9 February 2026 at 14:23

Kryeministri hungarez, Viktor Orban i Hungarisë deklaroi se kur lufta në Kosovë u intensifikua në vitin 1999, gjatë mandatit të tij të parë si kryeministër, ai mori një telefonatë nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Bill Clinton.

Para një audience në Szombathely, Orban tha se Clinton i kërkoi Hungarisë të hapte një front të dytë dhe të sulmonte Serbinë, ose “të paktën të qëllonte mbi ta nga Hungaria përmes Vojvodinës deri në Beograd”, sipas mediave hungareze.

Siç tha Orban, qeveria e tij e hodhi poshtë këtë dhe iu përgjigj kërkesës së qartë të presidentit amerikan me një “Jo, zotëri!”.

Sipas kryeministrit hungarez, ai e pyeti Clintonin se çfarë do të ndodhte në një situatë të tillë me 300,000 hungarezët etnikë që jetonin në Vojvodinë.

Viktor Orban tha më tej se ata kishin rënë dakord ta diskutonin çështjen personalisht në samitin e NATO-s të planifikuar për një javë më vonë, por amerikanët nuk e ngritën më kurrë çështjen.

Për deklaratën e Orbam reagoi Aron Tabor, një ekspert amerikan dhe pedagog në Institutin e Studimeve Politike dhe Ndërkombëtare në Universitetin Eötvös Lóránd.

Tabor tha se ndërsa kishte disa plane për një operacion tokësor të NATO-s gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, nuk kishte mbështetje të vërtetë politike për to dhe nuk ka prova se Hungarisë iu kërkua të sulmonte Serbinë.

Historia e Dhimitër Zikos, shqiptarit që pikturoj portretin e Winston Churchill-it

By: e xh
9 February 2026 at 14:20

Nga Aurenc Bebja

Le Journal de Biarritz et de la Côte Basque” ka botuar, të enjten e 23 dhjetorit 1954, në faqen n°3, historinë asokohe të Dhimitër Zikos, shqiptarit që pikturoj portretin e Winston Churchill-in me kostum bask.

E njihni ?… Dhimitër Ziko, dekorator, portretist dhe polyglot

Burimi : Le Journal de Biarritz et de la Côte Basque, e enjte, 23 dhjetor 1954, f.3

Dhimitër Ziko është padyshim një nga figurat më të njohura, më të pëlqyeshme dhe më piktoreske në Biarritz-in e sotëm.

Ashtu si shumë nga bashkëqytetarët e tij, ai lindi larg Biarritz-it, në fakt shumë larg, në Tiranë, kryeqytetin e Mbretërisë (sot Republika Popullore) të Shqipërisë. Dhuntitë e tij e destinuan atë për pikturë. Ai udhëtoi për t’u perfeksionuar.

Ai studioi në Shkollën e Arteve të Bukura të Athinës (djepi i Arteve), pastaj udhëtoi nëpër Rusi. Ishte në fillim të revolucionit, udhëtimet nuk ishin të lehta ; për t’u kthyer në Shqipëri, atij iu desh të bënte një devijim nëpër Mançuri dhe Kinë.

Me t’u kthyer në atdhe, ai dizajnoi pullën postare dhe monedhat e para me imazhin e Mbretit Ahmet Zogu, të cilat i siguruan një bursë për të studiuar në Paris. Prej andej, ai shkoi në Biarritz, i punësuar nga Société des Cinémas de la Côte Basque si dizajner posterash. Ai u ndje aq mirë atje sa që vendosi të qëndrojë.

Biarritz-i e përqafoi këtë shqiptar të gëzuar dhe mirëdashës. Po aq sa talentin, miqtë e tij e vlerësonin humorin e tij të vazhdueshëm dhe sinqeritetin. Ziko nuk i fshehu kurrë ndjenjat e tij, të cilat pothuajse i kushtuan shtrenjtë. Ai u arrestua për “vërejtje përçmuese” për ushtrinë gjermane. Por ylli i tij me fat e çoi në burgun Château-Neuf në Bayonne, ku qëndroi për shtatë muaj… dhe ku pikturoi 45 portrete. I mbyllur brenda katër mureve, Ziko gjeti një mënyrë për të siguruar jetesën për familjen e tij. Është e vërtetë që drejtori i burgut francez bëri çmos për të favorizuar bashkëqytetarët e tij, dhe Ziko, francez në zemër, konsiderohej një prej tyre. Ziko nuk e ka harruar. Në Bordeaux, ku punon tani, drejtori i burgut herë pas here merr vizita miqësore nga ish-i burgosuri i tij.

Ziko është piktori i sipërfaqeve të mëdha, skenografisë së teatrit dhe tabelave të mëdha reklamuese që të gjithë në Biarritz e njohin.

Ai më parë firmosi dekorimin e kabaresë “La Venta”, në Kazinonë Bashkiake, dhe Suzanne Raymond gjeti tek ai një bashkëpunëtor të çmuar kur nisi rinovimin e Kazinosë Bellevue.

Si portretist, Ziko zgjodhi personalitete të shquara, duke përfshirë Papa Piun XII, Winston Churchill (me kostum bask) dhe shumë të tjerë. Portretet e tij me bojëra uji (akuarel), të vizatuara dhe të përgatitura me shumë kujdes, janë të jashtëzakonshme për mjeshtërinë e tyre. Në fakt, në akuarel ai jep më të mirën e vetvetes. Ai ekspozoi veprat e para pesë vjet më parë. Njerëzit e njihnin gëzimin relativisht “Rabelais-ien” të Zikos. Ata u habitën kur panë kaq shumë freski dhe poezi të thjeshtë në shprehjen e tij.

Një udhëtar me përvojë, Dhimitër Ziko është poliglot. Kur u vendos në Biarritz, ai fliste rrjedhshëm shqip, frëngjisht, greqisht, rusisht, italisht dhe gjuhë të tjera, të cilave tani u shton edhe gjuhën gaskone. Por ai pranon se pavarësisht përpjekjeve të tij, nuk ka mundur të mbajë mend më shumë se dhjetë fjalë baske.

https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-franceze-1954-historia-e-dhimiter-zikos-shqiptarit-qe-pikturoj-portretin-e-winston-churchill-it-me-kostum-bask/

Dosja Epstein trondit sërish qeverinë britanike, dorëhiqet drejtori i…

By: e xh
9 February 2026 at 14:17

Qeveria e kryeministrit britanik Keir Starmer po përballet me një tjetër goditje, pasi drejtori i komunikimit në kryeministri, Tim Allan, dha dorëheqjen.

Largimi i Allan vjen vetëm një ditë pasi nga detyra u tërhoq edhe Morgan McSweeney, shefi i kabinetit dhe një nga këshilltarët më të afërt të kryeministrit. Dorëheqjet lidhen me krizën e krijuar pas mbështetjes për Peter Mandelson, i nominuar për ambasador të Mbretërisë së Bashkuar në Uashington, mes zbulimeve për lidhjet e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein.

Në deklaratën e tij të dorëheqjes, Allan tha se kishte vendosur të largohej për t’i hapur rrugë formimit të një ekipi të ri.

“I uroj Kryeministrit dhe stafit të tij çdo sukses,” u shpreh ai.

Tim Allan ka një karrierë të gjatë në politikën britanike. Ai ka shërbyer si këshilltar i ish-kryeministrit Tony Blair nga viti 1992 deri në 1998 dhe më pas ndërtoi një nga firmat më të njohura të konsulencës për çështje publike në Mbretërinë e Bashkuar. Në shtator 2025, ai u emërua drejtor ekzekutiv i komunikimit në Downing Street.

Dorëheqjet e njëpasnjëshme po shtojnë presionin mbi kryeministrin Starmer, i cili po përpiqet të menaxhojë krizën politike të shkaktuar nga polemikat rreth emërimeve dhe lidhjeve të figurave kyçe të qeverisë me Jeffrey Epstein.

Berisha: Rama po kërcënon prokurorët dhe gjyqtarët për Ballukun

By: e xh
9 February 2026 at 14:15

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se kryeministri Rama ka kërcënuar prokurorinë dhe gjykatën me deklaratën e tij të fundit se do të vijojë betejën për zv.kryeministren Belinda Balluku.

Duke folur në një konferencë për shtyp ai tha se për këtë qëllim është thirrur edhe në Bruksel nga Presidenti I Këshillit të BE-së.

“Edi Rama kërcënoi në mënyrën më të paskrupullt prokurorinë, gjykatën dhe u zotua se do mbrojë gjer në pikën e fundit të tij veten. Ai është thirrur sot në Bruksel. Sipas medieve, sepse nuk dihet, por mediat shkruajnë se ka takim, është thirrur direkt nga numri një i Këshillit të BE për t’i komunikuar qëndrimin e prerë të BE ndaj qëndrimeve të tij antikushtetuese, antidemokratike, ndaj zotimit të tij për të vazhduar grushtin e shtetit”, deklaroi Berisha.

Sipas tij “ju e shihni, ai shkon në Bruksel si avokat i turpshëm i saj dhe të gjitha i ka për veten e tij. Në Bruksel, dhe në mbarë kryeqytetet, është kuptuar se çfarë përfaqëson, çfarë kalbësire përfaqëson Edi Rama. Është kuptuar se autori i aferave të Ballukut është direkt Rama”.

Berisha bëri sërish thirrje për një pjesëmarrje të madhe në protestën e thirrur nesër nga opozita.

“Ndaj dhe nesër është dita e qytetarëve. Ndaj dhe ftoj qytetarët nga mbarë Shqipëria, ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës në kryengritjen paqësore, t’i faktojmë kombit, Europës dhe botës se ne nuk mposhtemi kurrë nga një grusht hajdutësh që nuk kanë interesa të tjera përveç interesave të pasurimit të tyre”.

Korrupsion në zgjedhje, Apeli i Posaçëm dërgon në qeli kryebashkiakun e Rrogozhinës

By: e xh
9 February 2026 at 14:13

Apeli i Posaçëm dërgon në qeli Edison Memollën, kryebashkiakun e Rrogozhinës.

Apeli ka lënë në fuqi dënimin me 1 vit burg ndaj kryebashkiakut, të fajësuar nga GJKKO për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Sipas SPAK, Memolla ka ndikuar tek një elektriçist për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 mars 2022.

“Balluku”, Bardhi për propozimin e Ramës: Rregullat nuk ndryshohen në mes të hetimit

By: e xh
9 February 2026 at 13:35

Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Sipas Bardhit, ndërhyrja që Rama pretendon të bëjë në legjislacion, lidhur me pezullimin e Ballukut, tregon se ai po mbron pushtetin e korruptuar.

Bardhi deklaroi se rregullat nuk ndryshohen në mes të hetimit dhe shtoi se qeveria dhe Kuvendi janë bërë bashkë kundër drejtësisë.

Reagimi i Gazment Bardhit

3 të vërteta për ndërhyrjen e Ramës në një hetim aktiv:

  1. Kur një Kryeministër ndryshon ligjin ndërkohë që po hetohet bashkëpunëtorja e tij më e afërt, ai nuk po mbron ndonjë parim kushtetues apo ligjor. Po mbron pushtetin e vet të korruptuar. Rregullat nuk ndryshohen në mes të hetimit për të shpëtuar veten.
  2. Kur Qeveria dhe Kuvendi bashkohen për të goditur vendimin e dy gjykatave në lidhje me një hetim penal aktiv, kemi dy pushtete që përpiqen të ndikojnë të tretin. Kjo nuk është ndarje pushtetesh. Është presion i organizuar kundër drejtësisë.
  3. Kur thuhet se “nuk ka urgjencë” për kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut, mesazhi është i qartë: Drejtësia duhet të presë. Pushteti ka nevojë për blerje kohe.

Pezullimi nga ushtrimi i funksionit publik nuk është shpikje e SPAK-ut. Është i shkruar në Kodin e Procedurës Penale. Ai vlen për çdo funksionar publik.

Për ministër. Për zëvendëskryeministër. Për kryeministër.

Kur ekzistojnë kushtet ligjore, mund të pezullohet kushdo, sepse pezullimi nuk paralizon shtetin. Paralizon vetëm personin nën hetim për të shmangur ndikimin përmes funksionit.

Arresti kërkohet kur rrezikohet hetimi përmes intimidimit të dëshmitarëve apo cenimit të provave. SPAK ka sjellë prova se këto rreziqe janë konkrete në rastin e Belinda Ballukut. Pra, janë dy masa paralele. Njëra mbron procesin penal, tjetra mbron institucionin.

T’i ngatërrosh ato, siç bën Edi Rama, është deformim i së vërtetës me qëllim pengimin e drejtësisë.

Ligji është i qartë. Nuk ndryshohet sepse prek pushtetin.

Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet pa justifikime, pa shtyrje artificiale, pa manovra politike. Kryetari i Kuvendit duhet të zgjedhë: ose në anën e ligjit, ose në anën e pengimit të drejtësisë.

Një vit pas arrestimit, GJKKO kalon për gjykim dosjen e Veliajt

By: e xh
9 February 2026 at 12:50

Një vit pas arrestimit me urdhër të SPAK, GJKKO ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si edhe 28 personave e shoqërive pjesë e së njëjtës dosje. Vendimi u mor sot nga gjyqtarja Etleva Deda, ndërsa vetë Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancë, por kishte dërguar vetëm avokaten e caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku.

Avokatët e të pandehurve të tjerë, mësohet se kanë bojkotuar seancën e sotme, pasi pretendojnë për shkelje të rënda të procesit ligjor gjatë seancave paraprake.

“Për shkak të shkeljeve të rënda të procesit të rregullt ligjor gjatë seancave paraprake, avokatët e çështjes ku po gjykohen kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe të pandehur të tjerë, kane bojkotuar seancën e sotme ku merret vendimi për të kaluar gjykimin në themel ose jo”, thuhet në reagimin e avokatëve të ndarë për mediat.

Dosja Veliaj kalon për gjykim, ndërsa vetë kryebashkiaku në të gjitha seancat ka pretenduar se i është mohuar e drejta për mbrojtje efektive, pasi ende nuk është njohur me dosjen hetimore. Një debat i tillë u zhvillua edhe në seancën e 2 shkurtit mes tij dhe gjyqtares Etleva Deda, pasi kryebashkiaku kërkoi shtyrjen e seancës, por gjyqtarja e cilësoi si të ezauruar fazën e mbrojtjes. Veliaj u largua nga salla dhe kërkoi përjashtimin e saj, kërkesë që u rrëzua më pas.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK e dërgoi dosjen për gjykim vetëm 5 muaj më parë.  SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë. Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj. Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.

Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

EMRAT E PERSONAVE QË KALOJNË PËR GJYKIM

Erion Veliaj

Elman Abule

Gentian Sula

Fatmir Bektashi

Meriman Palushi

Shkëlqim Fusha

Sokol Kryeziu

Mirton Lika

Linda Kazani

Erald Simixhiu

Ina Goxhaj

Frosina Bollo

Valmir Xoxa

Adela Kondakçiu

Klotilda Bushka

Flutur Xhani

Fatjon Baci

 

SHOQËRITË QË KALOJNË PËR GJYKIM

“Rametal” shpk,

“Agi Kons” shpk

“Kontakt” shpk

“Palushi” shpk

“Fusha” shpk

“Gerard-A”

“Lani” shpk

OJF “Eventus”

OJF “Muza”

OJF “BYL-A”

OJF “Frobolous”

OJF “Harabel”

Grabitje në Brindisi/ Pritë ndaj fugonit me para, të shtëna me armë ndaj policisë

By: e xh
9 February 2026 at 12:24

Një fugon i blinduar që transportonte para u sulmua këtë mëngjes në autostradën që lidh Leçen me Brindisin. Mediat italiane raportojnë se ka pasur një shkëmbim zjarri me karabinierët. Deri më tani nuk është raportuar për të lënduar.

Dy persona, të dyshuar si anëtarë të bandës, u arrestuan nga oficerët. Sipas raportimeve, agresorët dyshohet se parkuan një automjet matanë rrugës dhe i vunë flakën, duke e detyruar automjetin e blinduar të ndalonte, në mënyrë që ata të kryenin grabitjen.

Pas përpjekjes së dështuar, nisi një ndjekje në zone, me oficerët e karabinierëve që mbërritën për të mbështetur kolegët e tyre që ishin në vendngjarje.

Autoritetet po hetojnë për të identifikuar personat përgjegjës, nëse kanë vepruar të vetëm, apo pas tyre qëndron ndonjë grup i strukturuar. Ende nuk është bërë i ditur identiteti i dy grabitësve të arrestuar.

“Balluku”, Rama paralajmëron ndryshime ligjore pas vendimit të “Kushtetueses”

By: e xh
9 February 2026 at 12:16

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar lidhur me vendimin e Kushtetueses, e cila la në fuqi pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku.

Përmes statusi në faqen e tij në “X”, ai paralajmëroi ndryshime ligjore, nisur edhe nga fakti që anëtarët e Kushtetueses ishin të një mendje lidhur me problemin e krijuar pas vendimit të GJKKO-së, por ndaheshin te mënyra se si duhet zgjidhur.

“E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit”, shkruan Rama.

Reagimi i Ramës

3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga:

Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.

Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.

E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.

Një shtesë nga ana ime:

SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen.

Gjyqi në Hagë/ Prokuroria kërkon 45 vite burg për 4 ish-krerët e UÇK-së

By: e xh
9 February 2026 at 10:57

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka nisur faza përfundimtare për rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi. Nga sot e deri më 18 shkurt, palët do të mbajnë deklaratat përmbyllëse.

Seancat janë parashikuar të mbahen nga ora 09:00 deri në 16:30, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Speciales. Sot do të paraqitet deklarata përmbyllëse e Prokurorisë, e cila do të vazhdojë edhe më 10 shkurt, së bashku me deklaratën përmbyllëse të Mbrojtjes së Viktimave. Më pas nga 11 shkurti do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse të të pandehurve.

Prokuroria ka kërkuar 45 vite burg për ish-krerët e UÇK-së

Seanca nisi në orën 10:00 dhe në sallë janë të katër ish-krerët e UÇK-së, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi. Prokurorja e Specializuar, Kimberly West kërkoi 8 orë për shpalosjen e deklaratave.  Ajo ka pretenduar se 100 persona janë vrarë dhe qindra tjerë janë abuzuar, në dhe rreth 50 kampe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën. Kjo vendosmëri për kompetencë dhe fuqi u has me diçka, dhe kjo kishte të bënte me persona që kishin dalë si kundërshtarë ose përcaktoheshin se ishin bashkëpunëtorë me forcat serbe, ose zyrtarë serbë, ose që nuk mbështesinin synimet e UÇK-së”, u shpreh prokurorja. 

Sipas saj, shpesh aty përfshiheshin persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, persona romë dhe serbë.

“Në mënyrë që ta arrinin qëllimin e tyre, këta persona të akuzuar kanë kryer krime kundër kundërshtarëve të tyre të perceptuar për të pasur kontroll në gjithë Kosovën”, tha Prokurorja.

Prokurorja West ka thënë se nuk kërkohet dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por vetëm për personat e akuzuar, duke kërkuar 45 vjet burgim në total për 4 ish-krerët e UÇK-së. 

Akuzat për ish-krerët e UÇK-së

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat. Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa vende në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Protesta për tokën, banorët e Rrjollit mblidhen përpara Prokurorisë së Shkodrës

By: e xh
9 February 2026 at 10:48

Banorët e Rrjollit janë zhvendosur këtë të hënë duke protestuar përpara Prokurorisë së Shkodrës.

Ata kërkojnë nga drejtësia që të thotë fjalën e saj, pastaj të vijojnë lirisht punimet.

Banoret akuzojnë se kjo është një grabitje e pronës me prapavijë politike. Më pas qytetarët do të zhvendosen për të protestuar përpara bashkisë Shkodër.

Sa i rëndësishëm është Irani për luftën e Rusisë në Ukrainë?

By: e xh
9 February 2026 at 10:31

Irani ka qenë një furnizues i rëndësishëm i pajisjeve ushtarake për Rusinë në vitet e fundit, veçanërisht nga momenti kur Kremlini nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, por ekspertët i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se kjo mbështetje nuk luan më një rol kyç në përpjekjen luftarake të Moskës.

Sipas një raporti të Bloomberg të datës 12 janar, që citon një zyrtar perëndimor të sigurisë i cili mbeti anonim, shitjet iraniane të raketave drejt Rusisë, përfshirë raketa të mbrojtjes ajrore dhe raketa balistike, kanë arritur në 2.7 miliardë dollarë që nga tetori i vitit 2021.

Vëllimi i tregtisë nuk bëhet publik nga Moska, dhe Irani mohon se ka furnizuar Rusinë me ndonjë gjë, përcjell A2.

“Për sa kohë që konflikti vazhdon mes palëve, Irani do të përmbahet nga ofrimi i çdo forme të ndihmës ushtarake për secilën palë”, thuhej në një deklaratë të misionit të përhershëm të Iranit pranë Kombeve të Bashkuara, në maj të vitit të kaluar.

Ka prova që dëshmojnë të kundërtën, veçanërisht përdorimi i gjerë nga Rusia i dronëve sulmues iranianë Shahed në fazat e hershme të luftës kundër Ukrainës. Por, vlera e kësaj mbështetjeje tani duket se është zvogëluar ndjeshëm.

Dronët

“Edhe pse ende ka disa transferime të dronëve iranianë – të paktën deri vitin e kaluar, disa modele më të reja dronësh ende po transferoheshin nga Irani – mendoj se kemi kaluar prej kohësh kulmin e transferimeve iraniane të mbrojtjes drejt Rusisë”, i tha Radios Evropa e Lirë më 14 janar Hanna Notte, drejtuese e programit për Euroazinë në Qendrën James Martin për Studime mbi Mospërhapjen.

Ruslan Suleymanov, analist në Qendrën për Strategjitë e Reja Euroaziatike, kishte një mendim të ngjashëm.

“Rusia nuk është më aq e varur nga armët iraniane sa ishte katër vjet më parë. Të njëjtët dronë Shahed prodhohen në territorin rus nën emrin Geran dhe… rreth 90 për qind e të gjithë ciklit të prodhimit të këtyre dronëve tashmë është plotësisht i vendosur në Rusi, pa ndihmën e Iranit”, tha ai për Current Time më 13 janar.

Irani i ka ofruar Rusisë teknologji dhe trajnim, dhe një fabrikë në Alabuga, në rajonin e Tatarstanit në Rusi, po prodhon vazhdimisht dronë Geran.

Sipas Ukrainës, Rusia prodhon rreth 5.000 dronë me rreze të gjatë veprimi të llojeve të ndryshme çdo muaj. Kjo përfshin dronin goditës Geran dhe Gerberan, një dron pa kokë luftarake që përdoret si karrem për të mbingarkuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

Raketat

Në prill, gjenerali Christopher Cavoli, në atë kohë kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së, i tha Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit amerikan se “Irani gjithashtu vazhdoi mbështetjen e tij materiale për Rusinë, duke dhuruar mbi 400 raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi dhe qindra mijëra predha artilerie”.

Në maj, Reuters raportoi se Irani do të dërgonte gjithashtu lëshues raketash Fath-360, megjithëse Teherani e mohoi këtë. Më herët, në shtator 2024, zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, kishte thënë se raketat Fath 360 ishin dorëzuar.

Kjo u pasua në tetor të vitit 2024 nga sanksione amerikane ndaj dy kompanive ruse të transportit detar për dorëzimin e pajisjeve të dronëve dhe municioneve përmes Detit Kaspik për përdorim në Ukrainë.

“Departamenti i Shtetit po ndërmerr veprime sot për të kufizuar më tej aktivitetet destabilizuese të Iranit, përfshirë transferimin e raketave balistike drejt Rusisë”, thuhej në një deklaratë.

Bashkimi Evropian veproi në të njëjtën linjë disa ditë më vonë, duke vendosur sanksione ndaj tre linjave ajrore iraniane dhe dy kompanive të prokurimit “pas transferimeve të raketave dhe dronëve nga Irani drejt Rusisë”.

Por, nuk ka pasur raportime për përdorimin e raketës Fath 360 në Ukrainë. Notte tha se kjo mund të jetë sepse lëshuesit e Fath 360 nuk u dorëzuan kurrë ose sepse Rusia nuk kishte nevojë t’i përdorte, ndërsa rriti prodhimin vendas dhe mori dërgesa nga Koreja e Veriut.

Një raport i publikuar në shkurt të vitit të kaluar nga RUSI, një institut kërkimor me seli në Londër, vuri në dukje se Ministria ruse e Mbrojtjes planifikonte të prodhonte rreth 750 raketa balistike dhe 560 raketa lundruese në vitin 2025. Që atëherë, inteligjenca ushtarake ukrainase ka dhënë vlerësime edhe më të larta të prodhimit.

“Rusët thjesht mund të mos kenë pasur nevojë t’i përdorin këto raketa iraniane”, tha Notte.

Municionet

Vlerësohet se Irani i ka dërguar Rusisë sasi të mëdha municionesh dhe predhash që nga viti 2022. Një hetim i Wall Street Journal në vitin 2023 i vendosi shifrat në 300.000 predha artilerie dhe rreth 1 milion fishekë municioni.

Sulmet me dronë të Ukrainës në vitin 2025 sugjeruan se furnizimet ushtarake po vazhdonin. Në prill, mediat ruse raportuan për sulmet e para ndaj portit kaspik të Oljas, të ndjekura nga raportime për sulme të tjera në gusht.

Olja është identifikuar si një qendër kryesore për dërgesat e furnizimeve ushtarake iraniane.

Një raport i Shkollës së Ekonomisë së Kievit vitin e kaluar detajoi vëllimet e eksplozivëve që po transportoheshin me anije dhe hekurudhë si nga Irani ashtu edhe nga Koreja e Veriut. Raporti tha se furnizimet nga Koreja e Veriut tashmë përbënin 58 për qind të importeve ruse të eksplozivëve.

Notte tha se, po ashtu, predhat dhe fishekët nga Koreja e Veriut kanë tejkaluar në shkallë furnizimet iraniane.

“Ukrainasit vlerësuan vitin e kaluar se 50 për qind e të gjithë municionit që Rusia përdori në Ukrainë ishte nga Koreja e Veriut. Pra, ndjesia ime këtu është se, sapo Koreja e Veriut u shfaq si një furnizuese e madh ushtarake për Rusinë, ndoshta nuk kishte më nevojë për municion iranian”, tha Notte./ REL

Xhamia e rikonstruktuar e Ballies në Elbasan, Rama: Arkitektura më e bukur në botë

By: e xh
9 February 2026 at 09:01

Kryeministri Rama, ka ndarë në Facebook pamje nga Xhamia e Ballies në zemër të Elbasanit, tashmë e rikonstruktuar dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht si një nga objektet më të veçanta të kultit.

Xhamia ka fituar Çmimin Ndërkombëtar 2025 nga platforma ArchDaily për Arkitekturën më të Bukur Fetare në Botë, duke e vendosur Elbasanin në hartën globale të trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës moderne fetare.

‘dhe me Xhaminë e Ballies në zemër të Elbasanit, tashme e rilindur e vlerësuar si një nga objektet më të veçanta të kultit në botë dhe fituese e Çmimit Ndërkombëtar 2025 nga ArchDaily për Arkitekturën më të Bukur Fetare, ju uroj një javë të mbarë’, shkruan Rama.

Postimi ne Facebook

Pamjet tregojnë detaje të rikonstruksionit të xhamisë, duke përfshirë punimet artistike dhe elementet arkitektonike që e bëjnë këtë objekt unik dhe ndër më të vlerësuarit në botë.

❌
❌