Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 January 2026Opinion.al

Protesta, Lapaj: Qeveria meriton luftë nga një aleancë ndërkombëtare

By: e xh
17 January 2026 at 20:41

Lëvizja Shqipëria Bëhet ka zhvilluar protestën e radhës para Kryeministrisë, ku disa dhjetëra qytetarë i janë bashkuar tubimit.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, është shprehur se qeveria e kryeministrit Edi Rama është në luftë me qytetarët.

Kjo pasi sipas Lapajt, qeveria Rama ka mbjellë frikë, varfëri dhe drogë. Ai shtoi se shteti në Shqipëri është vënë në shërbim të grupeve kriminale.

Teksa kërkoi largimin e gjithë klasës politike shqiptare, Lapaj shtoi se duhet një aleancë e gjerë kombëtare e ndërkombëtare për të rrëzuar qeverinë Rama.

“Nuk ka asnjë komb në botë që droga dhe krimi i organizuar kanë kapur shtetin. Përkundrazi, kur droga dhe krimi i organizuar kthehen në sistem, varfëria mbizotëron, korrupsioni mbizotëron, keqqeverisja mbizotëron, sepse shteti vendoset në shërbim të krimit dhe kjo duhet luftuar. Droga, qoftë e bardhë apo e kuqe, prodhon vuajtje për kombet, prandaj ata që i vendosin shtetet në funksion të drogës, meritojnë një luftë të madhe të një aleancë ndërkombëtare kundër tyre.

Kjo qeveri do të mbahet mend si qeveria që mbolli drogë, varfëri dhe frikë, ndaj duhet ta presim nga rrënjët. Një pjesë e policëve janë zgjatim i krimit. Sot jemi këtu për të dëshmuar se ne nuk kemi frikë.

Mbrëmjen e 4 janarit pasi arrestoi djemtë dhe vajzat më të zellshëm të kësaj proteste, duke më gjetur vetëm në shesh, më dërguan vetëm në shesh dhe pastaj më dërgonin njerëz duke më thënë ‘tërhiqu, sepse nuk e vazhdon dot gjatë kështu’. Por vazhduam dhe do të vazhdojmë. Ne ose do të heqim këtë klasë politike, ose do të largohemi të gjithë. Nuk ka rrugë të mesme”, tha mes të tjerash Lapaj.

Rama: Ftesë personale e Trump për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes

By: e xh
17 January 2026 at 20:34

Kryeministri Edi Rama thotë se ka marrë një ftesë personale nga Presidenti amerikan Donald Trump, për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes të ngritur për rindërtimin e Gazës.

“Shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë”, shkroi Rama në Facebook.

“Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e pa diskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga Presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të.

Thank you, Mr. President. God bless Albania and the United States”.

Çfarë është Bordi i Paqes?

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka zyrtarizuar krijimin e të ashtuquajturit “Bordi i Paqes” për Gazën, një strukturë e re që synon administrimin e përkohshëm dhe rindërtimin e territorit pas luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Mes anëtarëve themelues të bordit janë Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair.

Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, në bordin ekzekutiv themelues bëjnë pjesë gjithashtu i dërguari i posaçëm i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhëndri i presidentit Jared Kushner, drejtuesi i një fondi investimesh Marc Rowan, presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga, si dhe këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare Robert Gabriel. Vetë Trump do të kryesojë bordin, që është pjesë e planit të tij me 20 pika për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.

Bordi pritet të mbikëqyrë përkohësisht procesin e rindërtimit, ndërsa anëtarë të tjerë do të emërohen në javët në vijim. Paralelisht, është krijuar edhe një komitet teknokratik palestinez me 15 anëtarë për administrimin e përditshëm të Gazës pas luftës.

Plani amerikan parashikon gjithashtu vendosjen e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi për garantimin e sigurisë dhe çarmatimin e plotë të Hamasit. Ndërkohë, situata në terren mbetet e brishtë, me shkelje të vazhdueshme të armëpushimit dhe një krizë të thellë humanitare në territor.

Ukrainës po i mbarojnë armët, Zelensky: Duam furnizime

By: e xh
17 January 2026 at 20:11

Ukrainës po i mbarojnë armët. Presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se furnizimet e mbrojtjes ajrore nuk janë të mjaftueshme dhe deri të premten në mëngjes disa sisteme ishin pa raketa.

Problemi u zgjidh vetëm në momentin që vendi mori një paketë ushtarake gjatë ditës.

Zelensky u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që të sigurojnë dërgesa të shpejta të raketave të disponueshme, por kjo nuk do të thotë se dimri do të mbarojë shpejt për Ukrainën apo që armiku do të ndalojë bombardimet.

Lideri ukrainas tha se Kievi mbështetet tek aleatët e tij perëndimorë për disa sisteme thelbësore të mbrojtjes ajrore, të cilat sipas Zelensky, kërkojnë furnizime të vazhdueshme me raketa.

Ai kritikoi vendet që kanë grumbulluar municione të tilla edhe pse nuk janë në luftë, ndërkohë që në një situatë të tillë Ukrainës i duhen patjetër.

Komentet e Zelensky erdhën teksa delegacioni ukrainas ka takim me homologët amerikanë në Shtetet e Bashkuara gjatë fundjavës për të diskutuar detajet e një plani për paqen dhe garancitë e sigurisë.

Presidenti amerikan Donald Trump pak ditë më parë përsëriti qëndrimin e tij se është Zelensky ai që po e pengon fundin e luftës, ndërsa mbështetja e Uashingtonit për Ukrainën ka qenë në lëkundje prej një viti.

Ndërkohë inteligjenca ukrainase ka informacion se Rusia po përgatitet për një sulm në shkallë të gjerë në vend.

Godijet e mëparshme në fillim të këtij viti, e kanë lënë Ukrainën, e sidomos Kievin, në mes të një dimri të acartë pa energji elektrike.

Shkollat në kryeqytet do të jenë të mbyllura të paktën deri në shkurt, me temperaturat që kanë rënë deri në -19 gradë celsius.

Një gjendje emergjence energjetike është shpallur në gjithë vendin, me fokus të veçantë në Kiev, ku mungon më shumë se gjysma e nevojshme e energjisë elektrike që i duhet kryeqytetit.

Republika Çeke do të furnizojë Ukrainën me avionë luftarakë

By: e xh
17 January 2026 at 19:32

Republika Çeke do t’i ofrojë Ukrainës avionë luftarakë që janë shumë efektivë në luftimin e dronëve.

Presidenti çek, Petr Pavel pati një takim në Kiev me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Kiev të premten.

Pavel deklaroi se avionët luftarakë subsonikë L-159 të prodhuar në Çeki mund të transferohen në Ukrainë.

“Unë besoj se do të arrijmë ta përfundojmë shpejt dhe me sukses këtë çështje”, tha Pavel në një konferencë shtypi me Zelensky.

Brukseli i bën thirrje Serbisë të hetojë pretendimet për përdorimin e topit zanor

By: e xh
17 January 2026 at 18:26

Komisioni Evropian ka përsëritur kërkesën ndaj autoriteteve të Serbisë që të hetojnë nëse gjatë protestës antiqeveritare në Beograd më 15 mars 2025 është përdorur top zanor.

“Ashtu siç është theksuar tashmë, presim një hetim të shpejtë, transparent dhe të besueshëm mbi pretendimet për përdorimin e armëve zanore kundër demonstruesve”, thuhet në deklaratën e shërbimit për shtyp të Komisionit Evropian.

Thirrja e re e institucioneve në Bruksel lidhur me përdorimin e mundshëm të topit zanor, të cilin autoritetet në Beograd e mohojnë, erdhi pasi mediat evropiane e aktualizuan sërish këtë çështje.

Portali Politico publikoi më 15 janar se shërbimet sekrete serbe, në bashkëpunim me Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), kanë testuar topa zanorë mbi qen, në kuadër të hetimit të pretendimeve të demonstruesve se gjatë protestës së 15 marsit ishte përdorur armë zanore.

Zyrtarë të Komisionit Evropian konfirmuan se janë në dijeni të “raporteve shqetësuese”.

“Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të zhvillohen si zakonisht, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurinë”, u tha nga shërbimi për shtyp i Komisionit Evropian, duke rikujtuar se, sipas standardeve evropiane për të drejtat e njeriut, autoritetet kanë detyrimin të mbrojnë pjesëmarrësit në tubime nga lëndimet dhe dhuna.

Radio Evropa e Lirë shkroi në prill 2025 për raportin e FSB-së, të cilin atëherë e prezantoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq tha se hetimi i shërbimit rus, i cili për eksperiment “përdori qen”, kishte përfunduar se gjatë protestës në Beograd nuk ishte përdorur armë e ndaluar “top zanor”.

Në raportin që u publikua atëherë në faqen e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), thuhet se pajisjet zanore që zotërojnë organet policore serbe janë testuar mbi qen në poligonin e BIA-s.

Në raport theksohet se gjatë testimeve “objektet biologjike nuk kanë shfaqur shqetësim”, si dhe se tri ditë pas testimit nuk janë vërejtur ndryshime në gjendjen e tyre.

“Në bazë të rezultateve të marra, mund të nxirret përfundimi kategorik se pajisjet zanore nuk janë përdorur gjatë protestës së 15 marsit”, deklaroi presidenti i Serbisë duke prezantuar raportin, për të cilin shërbimi rus nuk u deklarua publikisht.

Autoritetet serbe, pas dëshmive të demonstruesve dhe akuzave se gjatë protestës së 15 marsit në Beograd ishte përdorur armë zanore e ndaluar, kërkuan që hetuesit rusë të zhvillonin një “hetim të pavarur”.

Përveç FSB-së ruse, autoritetet e Serbisë ftesë për një hetim të pavarur i bënë edhe Byrosë Federale të Hetimit të SHBA-së (FBI). Megjithatë, nuk ka informacione se si FBI u është përgjigjur autoriteteve serbe.

Studentët në bllokadë, të cilët që nga vdekja e 16 personave në Novi Sad udhëheqin protesta masive në Serbi duke kërkuar përgjegjësi nga autoritetet për tragjedinë, e kanë përfshirë hetimin e incidentit në demonstratat e 15 marsit në listën e kërkesave zyrtare.

Deri më sot, megjithatë, nuk ka informacione zyrtare se çfarë shkaktoi frikën dhe panikun e mijëra demonstruesve që, gjatë nderimit të viktimave të aksidentit në Novi Sad, u shpërndanë papritur nga rruga — përballë, siç e përshkruan, tingujve dhe dridhjeve të forta dhe të pazakonta.

Pasuan gjithashtu dëshmi të shumta për probleme shëndetësore në ditët pas protestës — si marramendje, humbje ndjenje, të përziera, tension i lartë i gjakut dhe probleme me dëgjimin.

Autoritetet fillimisht mohuan se posedonin top zanor, por më vonë pranuan se policia ka pajisje sonike, duke pretenduar se ato “nuk janë përdorur kurrë”.

Bashkimi Evropian kërkoi hetim menjëherë pas ngjarjes lidhur me pretendimet e demonstruesve.

Hetim për incidentin po zhvillon edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, institucion gjyqësor i Këshillit të Evropës.

“Topi zanor” bën pjesë në grupin e armëve jo-vdekjeprurëse që mund të përdoren për qëllime policore dhe ushtarake – për kontroll të trazirave, zmbrapsje të sulmeve ose komunikim në distanca të mëdha./REL

Dëmet nga përmbytjet, banesat dhe bizneset në Gjirokastër nisin regjistrimet

By: e xh
17 January 2026 at 17:23

Pas përmbytjeve të fundit në Gjirokastër ka nisur procesi i evidentimit të dëmeve.

Grupet e punës janë në terren për të përpiluar bilancin e plotë të pasojave që la moti i keq. Sipas të dhënave paraprake, në total janë rreth 70 subjekte dhe banesa të dëmtuara, prej të cilave 35 janë banesa familjare dhe 35 biznese.

Nga ana tjetër, vetë të prekurit nga përmbytjet tregojnë një realitet ndryshe. Ata shprehen se dëmet janë të mëdha dhe se shumë prej tyre ende nuk e kanë marrë veten nga pasojat e situatës së krijuar.

Ndërkohë, pavarësisht përmirësimit të situatës, ende ka fshatra të bllokuara në qark, ndërsa akset kombëtare janë aktualisht të aksesueshme. Problemet më të mëdha vijojnë në lagjet Granicë, SMT dhe Cfake, ku dëmet dhe vështirësitë për qarkullimin dhe shërbimet mbeten prezentë.

Palasë/ U godit nga fabroma gjatë punës, humb jetën 45-vjeçari

By: e xh
17 January 2026 at 16:00

Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë pasdite në kantierin e ndërtimit në Palasë, ku një punëtor ka humbur jetën pasi është goditur aksidentalisht nga një fadromë.

Në vendngjarje kanë mbërritur ambulancat, por fatkeqësisht nuk kanë mundur t’i japin ndihmë mjekësore, pasi punëtori kishte ndërruar jetë.

Trupi i pajetë është transportuar në morgun e spitalit të Vlorës.

Ndërkohë, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të rëndë të ndodhur në kantierin e ndërtimit.

Njoftimi i policisë:

Sot, në një kantier ndërtimi, në fshatin Palasë, Himarë, dyshohet se shtetasi E. P., 26 vjeç, gjatë punës brenda kantierit, duke kryer manovra me mjetin fadrom, ka aksidentuar shtetasin K. H., 45 vjeç, punëtor po në atë kantier. Shtetasi K. H., si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spitalin e Vlorës.

Në ambientet e Komisariatit të Policisë Himarë është bërë menjëherë shoqërimi i shtetasit E. P., për veprime të mëtejshme hetimore.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Armëpushim i përkohshëm mes Ukrainës dhe Rusisë,nisin punimet në centralin bërthamor

By: e xh
17 January 2026 at 15:11

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka njoftuar një marrëveshje të përkohshme për armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë pranë termocentralit bërthamor Zaporizhia, më i madhi në Evropë dhe që gjendet në zotërimin e trupave ruse që nga marsi i vitit 2022.

Armëpushimi vjen pasi do të kryhen riparimet e nevojshme në linjën e fundit rezervë të energjisë elektrike të objektit bërthamor, e cila ishte jashtë funksionit pas sulmeve të 2 janarit.

“IAEA vazhdon të punojë ngushtë me të dyja palët për të siguruar sigurinë në termocentralin bërthamor dhe për të parandaluar një aksident bërthamor gjatë konfliktit. Ky armëpushim i përkohshëm, i katërti që kemi negociuar, tregon rolin e domosdoshëm që vazhdojmë të luajmë”, tha Drejtori i Përgjithshëm, Rafael Grossi.

Një ekip i IAEA-s është nisur nga Vjena për të mbikëqyrur punën, e cila do të fillojë në ditët në vijim. Teknikët do të përpiqen të rivendosin një linjë energjie prej 330 kilovatësh “të dëmtuar dhe të shkëputur”.

Gaza “e varrosur” nën rrënoja, 68 milionë tonë inerte,rindërtimi 50 miliardë dollarë

By: e xh
17 January 2026 at 15:08

68 milionë tonë rrënoja mbulojnë Rripin e Gazës sot, mbi dy vjet nga shpërthimi i konfliktit me Izraelin të nxitur prej sulmit brutal të Hamasit 7 tetorin e vitit 2023.

Nga ofensiva hakmarrëse e shtetit hebre llogaritet të jenë dëmtuar apo shkatërruar rreth dy të tretat e të gjitha shtëpive. Në Qytetin e Gazës dhe Rafah shifra është edhe më e lartë. Administrata e re e Përkohshme për Rripin e Gazës zhvilloi takimin e saj të parë.

“Palestinezët mezi prisnin themelimin e këtij komiteti dhe fillimin e punës së tij”, tha kreu i komitetit, Ali Shaath, pas takimit në Kajro. Enklava ishte qeverisur për gati dy dekada nga grupi militant islamikHamas. Grupi terrorist militant islamik Hamas dhe Autoriteti Autonom Palestinez ranë dakord tre ditë më parë mbi përbërjen e organit teknokratik me 15 anëtarë palestinezë.

Në një intervistë me median shtetërore egjiptiane Shaathi tha se dëshiron të përqendrohet së pari në rindërtimin e infrastrukturës dhe të ekonomisë. Sipas tij, kjo mund të zgjasë për rreth tre vjet, teksa theksi do të vendoset në mënyrë të vecantë te ndërtimi i banesave të reja. Shumë persona të zhvendosur në territor ende jetojnë në cadra.

Tani po diskutohen mënyrat e pastrimit të inerteve. Deklarata e Shaathit se mbetjet e rrënojave mund të hidhen me buldozer në det u prit me skepticizëm si në Gazë ashtu edhe në Izrael. Një problem të veçantë përbëjnë municionet e pashpërthyera, pasi ndërlikojnë përpjekjet për pastrim. Organizata e Kombeve të Bashkuara i vlerëson kostot e rindërtimit në rreth 50 miliardë dollare, ndërsa procesi sipas saj mund të zgjasë deri në vitin 2040.

Protestat në Iran, Ali Khamenei: Trump është përgjegjës për viktimat dhe dëmet

By: e xh
17 January 2026 at 15:06

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei thotë se presidenti amerikan, Donald Trump është përgjegjës për viktimat, dëmet dhe shpifjet që ai ka bërë kundër kombit iranian gjatë protestave.

Khamenei më parë i akuzoi protestuesit se po vepronin në emër të Trump dhe terroristëve të tjerë të huaj.

“Ne e shpallim Presidentin e SHBA-së fajtor për viktimat, dëmet dhe shpifjet që ai i shkaktoi kombit iranian.”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Disa protestues kanë djegur imazhe të Khameneit gjatë trazirave. Djegia e fotove të liderit 86-vjeçar duke përdorur cigare, u bë simbol i sfidës kombëtare kundër regjimit të tij.

Protestat nisën më 28 dhjetor për shkak të pakënaqësive me krizën ekonomike, zhvlerësimin e monedhës kombëtare dhe krizës energjetike. Protestat më masive deri më tani janë regjistruar më 8 janar.

Veprimet kanë përfshirë edhe thirrje në mbështetje të udhëheqësit të Iranit para revolucionit, shahut, djali i të cilit, Reza Pahlavi, ka bërë thirrje për protesta të mëtejshme.

Demonstratat kanë rindezur gjithashtu përballjen midis Iranit dhe SHBA-së.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetje për protestuesit iranianë, me presidentin amerikan, Donald Trump, që ka paralajmëruar autoritetet në Teheran se Uashingtoni do të ndërhyjë nëse Irani vret protestues.

Berisha: Rama ka pushtuar parlamentin, po merr pushtetin e drejtësisë

By: e xh
17 January 2026 at 15:05

Ish-Kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar sot qeverinë për “degradimin total të narko-shtetit” dhe për kontroll të drejtësisë nga Kryeministri Edi Rama. Në një komunikim drejtuar qytetarëve përmes rrjeteve sociale, Berisha tha se Rama ka marrë masa për të bllokuar veprimet e SPAK-ut dhe për të vendosur gjithçka nën kontroll.

“Mirëdita dhe përshëndetje të përzemërta nga unë, të dashur qytetare dhe qytetarë që ndiqni këtë bisedë… zhvillimet në vend faktojnë degradimin total të narko-shtetit,” tha Berisha, duke shtuar se skandalet e qeverisë nuk kanë të sosur.

Ai akuzoi Ramën për përdorim të fondeve personale për imazh dhe për ndërhyrje në parlament për të bllokuar opozitën dhe drejtësinë. “Pra, de facto ai ka pushtuar parlamentin dhe po e përdor atë në një grusht shteti për të marrë pushtetin e drejtësisë,” tha Berisha.

Ish-kryeministri theksoi se “fjala është vetëm e qytetarëve”, të cilët duhet të ngrihen për të shpëtuar Shqipërinë nga regjim që po vjedh buxhetin dhe pronat publike. Ai siguroi se “shpëtimi i Shqipërisë do i vijë vetëm nga opozita shqiptare,” duke nënvizuar rëndësinë e një qeverie teknike për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe për të realizuar reformën territoriale dhe zgjedhore.

Berisha i bëri thirrje për bashkëpunim të qytetarëve dhe opozitës në një betejë përfundimtare kundër “përfaqësuesve të narko-shtetit”.

Forumi ekonomik në Davos, Trump shkon me delegacionin më të madhin ndonjëherë

By: e xh
17 January 2026 at 15:03

Organizatorët e Davosit presin që delegacioni amerikan i udhëhequr nga Trump të jetë me i madhi ndonjëherë. Elitat e biznesit dhe ato politike shkojnë në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror javën e ardhshme, me vizionin e tij për një rend ekonomik global të bazuar në rregulla që po testohet deri në kufij.

Edicioni i 56-të quhet “Një Frymë Dialogu”, pasi  dhe udhëheqësit e forumit thonë se, duke pasur parasysh pasigurinë aktuale, është thelbësore të bashkohesh për të hartuar një rrugë përpara në biznes dhe politikë.

“Dialogu nuk është luks, është domosdoshmëri”, tha presidenti i Forumit.

Organizatorët presin delegacionin më të madh amerikan ndonjëherë, duke përfshirë sekretarë për shtetin, thesarin, tregtinë dhe energjinë së bashku me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Forumi i fundit ka shumë për të diskutuar: nga mënyra se si të trajtohet versioni i Trump i Doktrinës Monroe që vendos supremacinë e SHBA-së në hemisferën perëndimore, deri te mënyrat se si inteligjenca artificiale po e ndryshon botën.

Vijojnë përplasjet për Groenlandën, Trump kërcënon Evropën

By: e xh
17 January 2026 at 15:01

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i kërcënoi vendet që kundërshtojnë planet e tij për të marrë Groenlandën me tarifa doganore. “Mund të vendos tarifa doganore ndaj vendeve nëse ato nuk pajtohen me Groenlandën”, tha ai në Shtëpinë e Bardhë. Ai gjithashtu përsëriti qëndrimin e tij se SHBA-të kanë nevojë për ishullin Arktik nga aspekti i sigurisë kombëtare që për shkak të kërcënimit të supozuar ngaRusia dheKina.

Trump ka ngritur javët e fundit vazhdimisht pretendime për Groenlandën. Ai është shprehur për blerjen e saj, por gjithashtu nuk e ka përjashtuar as përdorimin e forcës ushtarake.

Takim pa marrëveshje
Një takim i përfaqësuesve të Danimarkës, të Groenlandës dhe të SHBA-së që u zhvillua të mërkurën (14.01.26) në Uashington nuk solli ndonjë marrëveshje se si të vazhdohet më tej. Danimarka dhe SHBA-ja kanë “pikëpamje të ndryshme” për këtë çështje, tha Ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen pas takimit. Megjithatë u ra dakord të formohej një grup pune i nivelit të lartë për të shqyrtuar, nëse mund të gjendet një qasje e përbashkët për çështje e Groenlandës, e cila i përket Danimarkës.

BE kategorikisht kundër planeve të Trumpit
Qeveritë në Kopenhagen dhe Nuuk, së bashku me aleatët e tyre evropianë, e refuzojnë kategorikisht pushtimin e ishullit më të madh në botë nga SHBA-ja dhe për këtë arsye mund të vihen në shënjestër të tarifave doganore, nëse Trump e përmbush kërcënimin e tij.

Për të mbështetur Danimarkën dhe Groenlandën në këtë konflikt, disa vende evropiane anëtare të NATO-s të enjten një mision ushtarak zbulimi në Groenlandë. Ndër vendet që po dërgojnë ushtarë në Groenlandë bëjnë pjesë Norvegjia, Suedia, Finlanda, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Holanda./DW

Arratisja e Altin Ndocit, gjykata lë në qeli 3 nga punonjësit e burgut

By: e xh
17 January 2026 at 14:31

Gjykata e Durrësit, pas një seance gati 4-orëshe, ka vendosur që nga 8 punonjësit e burgut të Durrësit, të ndaluar nga policia pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci nga ambientet e spitalit, të lihen në burg 3 prej tyre, ndërsa për pesë të tjerët janë vendosur masat e sigurimit: arrest shtëpie dhe detyrim paraqitjeje.

Ndaj tyre është ngritur akuza për shpërdorim detyre, e kryer në bashkëpunim, si pasojë e së cilës nuk u arrit të parandalohej arratisja e të arrestuarit, i cili akuzohet për një sërë ngjarjesh të rënda.

Sakaq, i arratisuri Altin Ndoci vijon të jetë ende në arrati.

  1. A.Çu-Akuzuar për Nenin 248 dhe 25 të Kodit Penal-për të cilin kërkohet “Arrest me burg”
    2. A.Çe- Akuzuar për Nenin 248 dhe 25 të Kodit Penal-për të cilin kërkohet “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqëore”
    3. D.P- Akuzuar për Nenin 248 dhe 25 të Kodit Penal-për të cilin kërkohet “Arrest me burg”
    4. D.S Akuzuar për Nenin 248 dhe 25 të Kodit Penal-për të cilin kërkohet “Arrest me burg”
    5. F.B Akuzuar për Nenin 248 dhe 25 të Kodit Penal-për të cilin kërkohet “Arrest me burg”
    6. P.M Akuzuar për Nenin 248 dhe 25 të Kodit Penal-për të cilin kërkohet ““Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqëore”
    7. S.F Akuzuar për Nenin 248 dhe 25 të Kodit Penal-për të cilin kërkohet “Arrest me burg”
    8. V.U Akuzuar për Nenin 248 dhe 25 të Kodit Penal-për të cilën nga Prokuroria kërkohet “Arrest me burg”

Rama-kryebashkiakëve: Pa arritur targetin e Paketës së Maleve s’ka rikandidim

By: e xh
17 January 2026 at 12:57

Kryeministri Edi Rama u ka vënë kusht kryebashkiakëve socialistë se një mundësi rikandidimi për të drejtuar sërish bashkitë në zgjedhjet vendore të 2027-ës do të varet nga targeti që do të vendosë qeveria për paketën e maleve. Rama tha se deri më fund të mandatit të tretë, duhet t’i hapet rruga 1 mijë investimeve në 61 bashki përmes paketës së maleve.

Rama tha se secila bashki do të jetë një target sipas madhësisë e potencialeve, psh deri në 5, 10 apo 15 investime. Kryebashkiakët i kritikoi sërish përse ende nuk kanë përcaktuar hartat e zonave prioritare, duke u thënë se nuk po bëjnë shkencë.“Jo të gjitha bashkitë e kanë kryer fazën e parë, është e papranueshme, cili duhet të jetë objektivi ynë. Nuk e di a e patë, por në momentin kur paketa e maleve u shpall ditën e parë kishte 700 e kusur interesime nga shqiptarë jashtë atdheut, është investim i sigurt për të tërhequr kursimet e shqiptarëve jashtë dhe shqiptarët jashtë që të kthehen. Si ka mundësi që s’ka mbaruar faza e parë. Ca është kjo shkencë e madhe për të përcaktuar hartën ku do bëhet ky zhvillim. Dikush mund të thotë kam gjithë bashkinë prioritare, hajde mirupafshim. Ca shkence bëni se nuk e kuptoj. Megjithatë i kam kërkuar drejtores së agjencisë kombëtare të planifikimit që të jetë në dispozicion të secilës bashki për hartat për çfarëdo qoftë në aspektin e asistencës teknike. Target për çdo bashki. Ambicia jonë duhet të jetë 1 mijë investime nga kjo paketë, dhe po t’i ndash në territor në 60 bashki nuk janë shumë, i kam kërkuar ministrit të përcaktojë se sa investime duhet të jenë futur në proces kur secili prej jush do të pretendojë të rikandidojë. S’do ketë rikandimin nëse s’do jetë arritur targeti i këtij projekti, dikush 10, dikush 5, sikush 7, dikush 15, sipas madhësisë e potencialeve, por 1 mijë investime nëse marrim një shifër më modesten të mundshme për secilin nga këto investime, më të ulëtën të mundshme, prej 50 mijë eurosh, po marrim që godina është aty dhe duhet vetëm një modifikim, llogariteni se çfarë i ndodhe ekonomisë me këtë injeksion në 3 vite. Sepse në vitin e fundit të mandatit duhet ë hapen dyert e 1 mijë investimeve, fokusoheni dhe mëreni shumë seriozisht”, tha Rama.

Rama kritika kryebashkiakëve: Rrini dhe prisni nga buxheti i shtetit

By: e xh
17 January 2026 at 12:46

Kryeministri Edi Rama u ka bërë kritika kryebashkiakëve, në takimin e zhvilluar në Golem.

Rama u shpreh se bashkitë duhet të kalojnë në një fazë tjetër dhe ta shohin territorin me një qasje sipërmarrëse.

Sipas kreut të qeverisë, bashkitë presin fonde nga buxheti i shtetit dhe kjo nuk mund të vazhdojë.“Deri dje kemi dhënë shumë asete falas, janë dhënë dhe janë lënë rrugëve në të shkuarën, asete që nuk numërohen.

Nuk janë përkthyer në investime serioze, janë dhënë pafundësi tokash për zhvillim. Kjo gjë ka ndaluar përfundimisht. Ne nuk japim më asnjë metër katror tokë në rast se një ndërtues ka 95% të pronës dhe një pjesë është pronë shtetërore. Nuk ka më.

Për çdo metër katror ku pronar është shteti, kemi kushtëzuar pjesëmarrjen si pronar. I vetmi motiv për të dhënë tokë me një kontratë simbolike, 1 euro, është hoteleria. Çdo gjë tjetër është, merr pjesën që kërkon dhe paguaj kokërr më kokërr, atë që i jep privatit. Bashkitë mund të marrin rol të rëndësishëm, zhvillime me përfitim. Pa harruar dhe përfitmin social, për ato familje që kanë nevojë për strehim.

Po bëjmë reformë dhe do kemi agjenci ku planifikimi, strehimi do jenë bashkë, do jetë në dispozicion të Pushtetit Vendor. Ky proces do jetë i hapur për të gjithë. Duhet iniciativë, duht pare çdo pjesë e territorin me një qasje sipërmarrëse, për të ardhurat e bashkisë. Nuk mund të rrini dhe të prisni nga buxheti i shtetit. Duhet të kaloni në fazë tjetër.”, theksoi ai.

Përmbytjet,Rama me kryebashkiakët:Flotë e dedikuar për pastrimin e kanaleve kulluese

By: e xh
17 January 2026 at 12:31

Kryeministri Edi Rama në takimin me kryebashkiakët lajmëroi ngritjen e një flote të dedikuar për mirëmbajtjen dhe pastrimin e infrastrukturës kulluese, ndërsa po komentonte situatën me përmbytjen.
Rama tha se kjo flotë do të realizohet përmes një fondi prej 20 mln eurosh që vendit tonë i është vënë në dispozicion nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Rama tha se kjo flotë mund të përqendrojë më shumë forca diku ku ka një situatë emergjence dhe bashkitë do ndihen më të gatshme për të përballuar emergjencën.

“Një tjetër element që ndikon është niveli i rezistencës së infrastrukturës mbrojtëse, kanale, hidrovore. Është rritur në mënyrë domethënëse në 10 vitet e  fundit, por analiza e bërë edhe nga kjo emergjencë tregon se ka pika ku rezistenca është më e dobët. Për këtë arsye duhet të vendosim me shumë saktësi piketat për të forcuar më tej infrastrukturën mbrojtëse dhe nga ana tjetër për të adresuar ato aspekte që kanë të bëjnë me fuqizimin e ndërveprimit mes pushtetit vendos dhe institucioneve qendrore. Një nga gjërat që e ka propozuar ministri Demo dhe që ka gjet mbështetjen tonë është që me një fond të siguruar nga miqtë tanë të Emirateve Arabe prej 20 mln euro në mbështetje të zhvillimit rural, të blejmë një sasi domethënëse mjetesh që të vendosen në shërbim të kullimit, pastrimit kanaleve kulluese kryesore dhe që të funksionojnë sipas nevojave të bashkive. Kjo flotë mund të përqendrojë më shumë forca diku ku ka një situatë emergjence dhe bashkitë do ndihen më të gatshme për të përballuar emergjencën dhe në ditët e punës normale do jetë flotë e shtuar për të gjitha bashkitë sipas sasisë së kanaleve për tu pastruar dhe mirëmbajtur, sipas nevojës për të adresuar edhe problemin e argjinaturave”, tha Rama.

Tiranë, arrestohet 45-vjeçari me mbi 1 kg kokainë

By: e xh
17 January 2026 at 11:19

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Cargo 1”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të goditjes së veprimtarive kriminale në fushën e lëndëve narkotike.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 45 vjeç, banues në Tiranë. Ai u kap në një parkim në afërsi të rrethrrotullimit të Tegut, ku shërbimet e Policisë i gjetën një pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila dyshohet se mbahej me qëllim shitjen në sasi në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Gjatë veprimeve procedurale dhe kontrollit në banesën e 45-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi gjithashtu një armë gjahu dhe një armë sportive. Në total, u sekuestruan 1 kilogram e 39.4 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një motomjet, një aparat celular, si dhe dy armët.

Operacioni u zhvillua në kuadër të një procedimi penal të ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Ishte akuzuar për korrupsion, Trump fal ish-guvernatoren e Porto Rikos

By: e xh
17 January 2026 at 10:16

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka falur ish-guvernatoren e Porto Rikos, Wanda Vázquez Garced, e cila ishte akuzuar në një çështje federale për korrupsion, bëri të ditur Departamenti i Drejtësisë.

Zyra e Prokurorit të Faljeve në Departamentin e Drejtësisë përditësoi listën zyrtare të faljeve presidenciale për të përfshirë një falje për Vázquez, e cila mban datën e së enjtes. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi të premten se presidenti Trump kishte vendosur ta falte atë.

“I gjithë ky rast është një shembull i ndjekjes penale politike”, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar akuzave ndaj Vázquez, e cila u arrestua në gusht të vitit 2022 nën dyshimin për marrje ryshfeti në lidhje me financimin e fushatës së saj për guvernatore në vitin 2020.

Sipas raportimeve, Trump fali gjithashtu dy të pandehur të tjerë në të njëjtin rast, Julio Martín Herrera Velutini dhe Mark Rossini.

Që nga rikthimi në detyrë vitin e kaluar, Trump ka dhënë një numër të madh faljesh presidenciale, shumë prej tyre për persona të dënuar për krime dhe për aleatë politikë, duke nxitur debate të gjera publike dhe politike.

Mbi 3,000 të vdekur nga protestat në Iran

By: e xh
17 January 2026 at 09:36

Më shumë se 3,000 persona kanë humbur jetën gjatë protestave mbarëkombëtare në Iran, thanë aktivistë për të drejtat e njeriut, ndërsa u raportua një “rritje shumë e lehtë” e aktivitetit në internet pas një bllokade tetëditore.

Grupi me seli në SHBA, HRANA, deklaroi se ka verifikuar 3,090 viktima, përfshirë 2,885 protestues, ndërkohë që banorët thanë se goditja e autoriteteve duket se i ka frenuar përkohësisht protestat. Mediat shtetërore iraniane raportuan gjithashtu për arrestime të reja.

Protestat shpërthyen më 28 dhjetor për shkak të vështirësive ekonomike dhe u shndërruan në demonstrata të gjera që kërkonin fundin e sundimit klerikal në Republikën Islamike, duke kulmuar me dhunë masive në fundjavën e kaluar. Sipas grupeve opozitare dhe një zyrtari iranian, më shumë se 2,000 persona u vranë në trazirat më të rënda të brendshme që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Presidenti amerikan Donald Trump, i cili kishte kërcënuar me “masa shumë të forta” nëse Irani do të ekzekutonte protestues, deklaroi se udhëheqësit iranianë kishin anuluar varje masive.

Autoritetet iraniane nuk kishin njoftuar më parë për plane të tilla ekzekutimesh dhe as nuk kanë konfirmuar anulimin e tyre.

❌
❌